• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

UNIVERSI PA PESHË

September 8, 2025 by s p

Luljeta Dano/

Ia kushtoj këtë tregim për letërsinë e Tij, si një besim udhërrëfyes tek Njeriu, mikut dhe shkrimtarit të mirënjohur Zija Çela. Kujtimet e Nënës në udhëtimin e jetës!

ABRACADABRA

ABRACADABR

ABRACADAB

ABRACADA

ABRACAD

ABRACA

ABRAC

ABRA

ABR

AB

A

Tri motra panë një ëndërr në shekullin e dymbëdhjetë. U kërkua më i miri deshifrues në radhët e Kryqëzatës, por motra e madhe zgjodhi një rilindës vinjetesh, që pakkush e njihte dhe për të tillë.

– Dil!

Populli dhe ushtria me besimin e verbër se perandorja dinte ç’bënte kurdohera, nuk u çudit kur pëshpërima mori dhenë se kryqtari Horatius njihte fallin fatal të njëmijë e pesëqind vjet para Krishtit. Njeriu që ia la trashëgim sekretet, Zoti e di, pse ndërroi mendje kur ishte në grahmat e fundit për t’ia mësuar atë fall, dija e të cilit sillte çmenduri.

Kalorësi Horatius ndenji katër netë pa fjetur e shtatë ditë pa ngrënë derisa zbërtheu ëndrrën e tri motrave fije më fije.

Motrat vendosën të ngrinin një manastir majemali mbi tre shkëmbinj. Që nga portat e gurta brinjas ishullit besimtarët do ngjiteshin aty duke ecur në gjunjë për ShënMërinë e gushtit.

E madhja, Teodora në Kostandinopolis, e dinte më së miri nga arkivat sesi kishte shkuar gjaku der në gju të kalit kohërave të shkuara të ndaje të lashtët nga perënditë e Olimpit për të marrë besimin unit, ndaj nxorri ligjin, kush ngre kisha e manastire si ajo, nuk paguan taksa.

Teodora gëzonte miqësinë popullore dhe thirrej:

Pushtetmbajtësja!

Qe e bindur se prejardhja e mbretërimit të babait të saj nuk qe pushtet tokësor, por ishin nga ato dy – tri familje të lashta që u kishte ardhur fuqia e skeptrit nga Qielli, të gjithë e dinin se Pushtetmbajtësja në Kostandinopojë mund t’ua ndante kurorën edhe lypsarëve në këmbëzat e urave që historia të bëhej më e vërtetë nga ç’duhej, ndaj nuk ia prishi kush kur zgjodhi perandor burrin e motrës së mesme, Zoicës, porsa Kostandini doli nga burgu me ndihmën e ca kimeriotëve. Zoica e solli në mbretërinë e motrës së madhe. Kostandini erdhi drejt e nga burgu, si sovran.

Ushtari i ri kumtonte fatthënën para gjindjes. Teodorës iu bë prej atij zëri, si në ritualet budiste japoneze Shingon që shumëfishojnë energjinë, shtatëdhjetë e dy tinguj mistikë të Kozmosit kanë dhuruar të gjallën mbi Tokë, por atëherë kur i ndjen këta tinguj të përbashkuar në zërin e një burri:

Zëri i burrit që dashuron është Syri i Universit!

Bizantët e Egjeut thonë:

Dashuria është më e fortë se Vdekja, por E Përditshmja është më e fortë se Dashuria!

Teodora kryqëzoi lutjen në ajër, e preu në ballin e saj, në lukth e gjoks:

– Ai do të bëhet E Përditshmja ime!

Dhe ai u bë e përditshmja e saj për shumë vite pandalim.

Kryqtari Horatius bëri kryqin sapo vuri këmbën në anijen e udhëheqësve: AB, BEN & RUACH ACADOSH. Qe ndarë me kalin e tij. Gjithmonë pat dëshiruar, si djemtë e mbretërve, një kalë flandre perçegjatë. Do të mbyllej pas murit të faltores në “navarqidha to kanari”, në anijen “kokse” të flotës luftarake, ku rri shenjti mbrojtës, perandori, thesari, hartat, për t’i paraprirë kumteve të luftës në letra edhe sipas kuptimeve të ëndrrave të Kostandinit.

Që nga zbërthimi i ëndrrës së tri motrave në të dalë të shekullit të dymbëdhjetë, kryqtari Horatius bënte edhe detyrën e parashikuesit të fatit në ushtri. Për të zbuluar të fshehtat e leximit, ngulur mbi dysheme mbetej te kripta ditënatë duke vështruar figurat e hapjes së Arkanës së Madhe, gjermos ndjente komunikimin, duke u përpjekur të shkallëzojë rëndësinë e të ndodhurave që po vinin për familjen perandorake në “Rruga Mbretërore”, të cilën kryqtari Horatius ua përkthente përherë duke u tallur për hesap të tij, sikur lexohej “Mbreti i Rrugës”. Perandori Kostandin qe në ankth ç’sillte për të këtë herë vija e Mbretit të Udhës.

Zhurmat e bashkëvuajtësve të Kostandinit nga koha e burgut e shpërqëndronin. Qëmoti, Kostandini u pat premtuar këtyre albërlinjve kimeras kur u lypi ndihmë, poqese bëhej mbret të kërkonin prej tij ç’të donin. Tani e gjithë ditën po mbante premtimet. Albërit u binin fyejve dhe këndonin me të kthyer. I tejkalonin vonueshëm tingujt duke zvarrisur fjalët me dialektin e tyre i jepnin bukuri të madhe fjalëve me gërmën r. Ishte një këngë trimash me nomotì gryke dhe oshëtimë shpelle.

Thoshin, sekur qenë me prijësin e tyre Marko, qenë me erë!

Fjalë të vogla pëshpërinin dukuritë natyrore dhe njëherazi bënin tërë historinë e njerëzimit!

Shiu, breshëri, era dhe bora!

Andej nga vinte ai dukuritë natyrore renditeshin ndryshe. Era ishte më e buta. Pastaj shiu. Breshëri. Dhe e fundit – dëbora, më e rënda! Duke hyrë e duke dalë nga ishujt përmes erërave vdekjeprurëse që shkulnin rrasat e gurit të çative dhe ngrinin pemët nga rrënjët, sa e linin veshët ditë me radhë, ku s’shihje një shpezë fluturuese, por zogj këmbësorë strukur në kaçorret e gurta, kuptoi pse këta albër e llogarisnin erën – kufitare përmidis dy jetëve dhe pse nga kënga e tyre të lëviznin plaçkat e barkut kur dëgjoje të përsërisnin varg e vistër:

Jam me Markon, jam me erë!

Ai s’qe gjëkundi me parashikimet. I mungonte heshtja e thellë dhe vetmia.

Kostandini qe i mendimit se ky fallxhor nuk bënte më dhe duhej kërkuar për një tjetër. Albërit haheshin si qeni me macen me gjitonët helenë pa u lënë radhë për asgjë, as për princat e Luftës së Trojës, as për Pirro Burrin. Trupat e lestrigjenëve i kishin parë vetë me sy nëpër shpellat e tyre të pakalbëzyer, me masë katallanësh që këmbët u arrijnë në supet e njeriut të sotëm.

– Gjuha juaj është bërë nga fjalët e ndyra të gjuhës tonë! Dhè i hedhur është!

Nëpër ishuj e në gjithë sterènë ndërtohej me shpejtësi që nga koha kur Teodora nxorri ligjin, se kush ngre kisha e manastire si ajo nuk paguan taksa.

Burgaxhinjtë e Kostandinit ia kishin shtruar me përmallime vegjëlie:

– Fjala e nënës ishte ligj! Kishim më shumë frikë nga nëna se nga babai!

– Mëmën time e mbaj mend vetëm me djersën lerë në lug të kurrizit që zbriste nga mali. Kishte bërë dru në pyll, i shkarkonte dhe fillonte t’i çante me sopatë.

Kryqtari Horatius, rilindës vinjetesh e kishte provuar sa herë sesi shfaqej vinjeti në kartë, nga dora në letër, pa kaluar nga mendja e tij. Punë e Zotit, vargjet, muzika dhe shkrimi! Zbulonte bukurinë e asaj që kishte krijuar, po si t’ua shpjegonte të tjerëve, se nuk ishte ai autori i vërtetë, ai kishte huajtur vetëm dorën për ta shkruar.

Kryqtari Horatius prehej me sytë nga Ati qiellor.

Para Teodorës i kishte shije gëzimi në zemër edhe për çikërrimat. Pastaj qyshkur ajo e gaboi duke e futur Në Universin Pa Peshë, nuk gëzonte më as për të mëdhatë. Gratë e tjera ia bënin Tokën me peshën reale dhe ai ndjehej më burrë.

Trupi dhe zëri i mblidheshin siç duhet në kërthizën e tij. Cila nga të dyja nuk qe dashuria. Ose ajo e Teodorës, Pushtetmbajtëses Në Universin Pa Peshë. Ose ajo e grave të tjera të botës, gra zotëruese me moshën e fitimtareve të marathonave që kullonin qëndresë duke e ngrohur me tokësì, por që s’e çonin asgjëkundi.

Shtrirë në dyshemenë prej druri viskoz të irokos, nis të shkruajë trekëndorin e ABRACADABRA – s, që t’i jepte forcën e shërimit, po nuk arriti të mbarojë dy radhorët e fillimit u vidhis ndër ethe. Kur sëmurej dimrave nëna e gdhinte bri tij, xhvishej në fill të këmishës, e përfyste kur e mbysnin ethet.

– Ta merr nëna jote sëmundjen ty!

Nënokja në dimër i çante sharqinj, shegë, ftonj. Nënën nuk e kishte parë kurrë të fjetur, pafjalë ajo u mësonte punën dhe dashurinë. Vëllezërit dhe babai ndiqnin rregullin e saj për detyrat e secilit në familje.

Fqinjët vazhdonin të gërriceshin kësaj radhe për priftërinjtë.

– Ne kemi vetëm një shenjtor, atë që ktheu Biblën në latinisht.

– Kemi vetëm një se i kemi priftërinjtë e mirë! Ju keni pak priftërinj të mirë dhe ata pak i bëni direkt shenjtorë, andaj keni shenjtër sa të hajë dreqi!

Liria e tij udhëtimeve ndënë yjtë e zinj shpesh i jepte një gëzim çmendurak, por nuk zgjaste më shumë sa përçapja e një goje bar të kalit. Ishte vetëgjykuar si të dënuarit e lashtë:

Me liri të përjetshme!

Cenet shëndetsore në trupin e tij rrëfeheshin në çajrat e hidhur dhe ushqimet që pranonte tanimë, hante qitro të gjalla me gjithë lëkurën e leshtë për të hequr veleritjen nga jeta. Kishte shkelur në aq vende legjendare nga më të pabesueshmet se ekzistonin me të vërtetë, kishte takuar njerëz të ndriçuar nga brenda, të pangjashëm me njeri tjetër mbi tokë, kishte deshifruar pergamena e dorëshkrime dijesh të moçme lidhur me lëkurë dhie të zezë, sa nuk donte më të shihte fretër e dhespotë, as nudo brigjeve të ujërave kallkan, as gra që xhvishnin e vishnin fustanë njëqind kilo derdhur në shajak e metal apo të rrihte njohuritë me të paktët që ndërmerrnin udhën e ngjitjes shpirtërore.

Vuante Sindromën e Kryqtarit. Tek çdo gjë e gjallë zgjatej ai vetë.

Si Pushtetmbajtësja, Teodora, edhe ai qe bërë pjesë e një dashurie të përgjithshme, mëshiruese, që e çonte Në Universin Pa Peshë, njësoj sikur është në dashuri me perandoren, në krahët e saj ku ai hynte në shtegun që të nxjerr në Gjithësì. Pika e vogël me jetë dhe gjithçkaja e zjarrtë, e ftohtë.

AB, BEN & RUACH ACADOSH! Bën kryqin orë e çast.

Në emër të Atit me Birin e me Shpirtin – Shenjtë!

Ngërçet ndjesore i janë bërë më të buta dhe dobësia e zemrës i është përmirësuar. Tashmë kryqtari Horatius ka shuar një nga një të gjitha identitetet vetiake. Këtu falte një mantel, aty i dhuronin një kapuç. Përpushej nga dashuria për fëmijët e varfër hajdutë që u kapte duart në xhepat e tij dhe nuk kishte më lotë për jetën e shokëve të armëve që shuheshin luftrave në det, sikur të ishte e vetja. Ka siguruar kështu hyrjen e lirë Në Universin Pa Peshë pa praninë më të Teodorës.

Njeriu e nxorri dhembjen prej trupit qyshse hapi portat dhe e bëri autokracinë vetiake pjesë të të tjerëve e nuk mënoi si perandorja që i ishte tymur mendja se e trashëgonte pushtetin nga Kozmosi të veshë gjithçka të gjallë me pushtet.

– Mund të qe edhe ndryshe, Teodorë! Po të mos zgjasje veshët për Syrin e Universit! Po të bëje si mëma ime!

Në fallin antik me shtatëdhjetë e dy pamje vendosi të hapë letrat e Arkanës së Vogël, pjesë të cilën e ruajti për vete dhe nuk e përdori për askënd. Kryqtari Horatius gjeti datën e vet fjetëse, shumë e shumë vite më pas. I erdhi keq që do të ishte një I Pavdekshëm.

Kështu quheshin ata njerëz të rrallë që kapnin e kapërcenin të tridhjetat edhe vuanin kusuret e moshës së përjetshme, sa leshrat u zbardheshin dhe lëkura u bëhej zhubër.

I buzëqeshi asaj date që do ta linte përfundimisht Në Universin Pa Peshë.

Teodora e çoi për së gjalli m’u në thelb të mosrëndesës kozmike.

Hija e velës në erë i shëmbëlleu nënën me fustanet e gjera. U mbush me të qarë, shenjë që lëngata e tij po mbaronte dhe gjethi i ri përmbanë detit do ta gjente më këmbë. Eh, me nënën dashuria qe e thjeshtë dhe e plotë! Edhe pushteti i tillë ishte:

I thjeshtë dhe i plotë.

“Universi Pa Peshë” është përzgjedhur në antologjinë e tregimit bashkëkohor shqiptar “Shqipëria tregon” Botimet K&B, Tiranë, 2010, ISBN 978-99956-840-4-4.

Filed Under: Interviste

Lamtumirë Mikja Jone Norvegjeze Amerikane Anne Marie Jensen!

September 8, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Po sjellë dhe disa kujtime për ceremoninë mortore rreth Anita Bitrit që kanë lidhje me amerikanen Anne Marien dhe bashkëshortin e saj tepër të nderuar Inxh. George Jensen.

Rest In Eternal peace, Anne Marie. Your Love Will Forever Shine In Our Hearts!

Komunitetit të Diasporës Norvegjeze Amerikane iu largua për në qiell një

Miss Norvegjezo Amerikan dhe një nga zonjat më aktive të saj.

Anne Marie Jensen vdiq në moshën 87 vjeçe e rrethuar me dashuri nga bashkëshorti i saj Inxh. George Jensen, 11 nipër, mbesa dhe 22 stërmbesa dhe sternipër.

Si shqiptarë emigrantë ka qenë ndër miqtë e parë amerikane që i kemi takuar qysh në vitin 1997, kur emigruam në Amerikë dhe që prej atëhere nuk u ndamë kurrë. Anne Maria ka qenë një zonjë jo vetëm e bukur fizikisht, por dhe më shumë shpirtërisht. Ajo ishte një besimtare e Zotit, altruiste e madhe, humaniste e pashoqe dhe familjare e thekur. Anne Maria ishte dhe organizatorja kryesore e Miss Norvegjia që zhvillohet çdo vit në Broklyn

Takimi me këtë çift ka qenë fat për mua dhe Qemalin, sepse kishim se ç’të mësonim prej tyre dhe të ndiqnim gjurmët e arta që ata kanë lënë në Amerikë.

Bashkëshorti i saj Inxhinier George Jensen është një nga themeluesit e First Evangelical Free Church në Brooklyn, Shef i Bordit të Trustisë, po ashtu dhe në Norwegian Cristian Home, Health Center. Z. Jensen është një intelektual par excellence, ish drejtor i John F. Kennedy International Airport në New York.

Befasuese ishte moderimi i ceremonisë mortore, por jo dhe aq për mua dhe Qemalin, sepse gjithmonë e kemi parë nëpër podiume se si udhëheq aktivitete të rëndësishme.

Inxh. Gensen moderoi gjithë ceremonine mortore të bashkëshortes së tij fisnike, të bukur, ëngjëllore. Burri 90 vjeç i qëndroi pranë gjer në frymën e fundit dhe e përcolli me dinjitet për tek Zoti. Ajo që do të më bënte përshtypje ishte, kur dolën stërnipërit dhe stërmbesat duke intepretuar këngën aq kuptimplote dhe që prek zemrat e publikut botëror Ave Maria me fjalët si:

Të falemi Mari, hirplotë, Zoti është me ty. Bekuar je mbi të gjitha gratë, e i bekuar fryti i barkut tënd, Jezusi. E Shenjta Mari, Nëna e Hyjit, lutu për ne mëkatarët, tash e në çastin e vdekjes sonë.

Amen!

Kënga “Ave Maria” e Franz Schubert është një nga pjesët më të njohura të muzikës klasike, e luajtur në shërbimet kishtare, por edhe më gjerë, në dasma dhe gjatë varrimit.

Duke dëgjuar këtë këngë aq të njohur botërore në mendje më vinin imazhet për nënën time Liri e cila u përcoll me nderime duke na siguruar vendin në këtë ndërtesë të shenjtë në Brooklyn, konkretisht Anne Marie së bashku me z. George Jensen. Në atë ceremoni nje tjetër norvegjeze e bukur Arlene Bakke Rutuelo intepretoi këtë këngë shumë të dashur. Oh doemos lotët s’më pushonin! Pata një dialog me Perëndinë, në qetësinë e zemrës sime, është fuqia e dashurisë për njerëzit.

Si dritë perëndie më vinin nga tre ëngjëlloret për artisten e shquar Anita Bitri, ku humbën jetën së bashku me Siborën dhe nënën e saj Hazbijen të cilave iu bë ceremonia mortore pikërisht në këtë vend.

E më konkretisht nuk mund ta harroj Diaspora shqiptaro amerikane të shtunën e 23 tetorit, 2004, ishte një ditë dhimbjesh të medha në sallën e lutjeve të First Evangelical Free Church në Brooklyn New York.

E sjellë këtë fakt real dhe bamirësie, sepse ishte pikërisht z. George Jensen, bashkëshortja e tij Anne Marie, sekretarja e kishës Kristina Prustupa dhe bashkeshorti i saj Dr. Peter Prustupa, Arlene Bakke Rutuelo dhe shumë të tjerë që lejuan që ceremonia për këtë shqiptare të kryhej në sallën kryesore të kishës. Ajo që më ka bërë përshtypje dhe nuk mund ta harroj, sepse është frymëzim për mua dhe shqiptarët për njerezit bamirës amerikan është se: Në sallën kryesore ishte planifikuar një ceremoni dasme amerikane, ishte rregulluar gjithçka për t’u realizuar dhe mirëpritur nusen, dhëndrin dhe dasmorët. Ishte shumë prekëse, kur në momentin që Qemal Zylo i cili ishte i punësuar aty dhe më vonë ne Health Care Center, Norewegian Christian Home si inxhinier shkoi dhe bisedoi në zyrë që ceremonia mortore të zhvillohej në këtë vend. Ai bisedoi me Bordin e Trustisë për tragjedinë që kishte ndodhur për bashkatdhetaren e shquar të tij. Gjithçka u ra dakord me mirësinë më të madhe. Bordi dhe familja e dasmës vendosën të shkonin në një sallë tjetër në katin e nëndheshëm, (basement) dhe natyrisht nderin që na bëri kjo kishë nuk do ta harrojme kurrë ashtu siç thotë dhe vëllai i saj Arben Bitri që erdhi nga Italia për këtë dramë të madhe familjare që iu ndodhi.

Gazetari i ndjerë Dalip Greca i cili ndihmoi për këtë ceremoni dhe ndër të tjera publikoi në gazeta se Qemal Zylo; organizatori kryesor i kësaj përshpirtje, padyshim që nuk arrin ta marrë veten pas një përkushtimi shumë ditorë së bashku me të shoqen, Kozeta Zylo. Nuk është kjo e para sipërmarrje bamirësie në raste të tilla që ata organizojnë!

Bashkëpunëtorët e tjerë si artisti i shquar Edmond Xhani me plot përkushtim, dashuri dhe dhimbje së bashku me ekipin e tij të muzikës si dhe artistë të tjerë, organizata “Motrat Qiriazi” dhe gjithë Diaspora ndihmuan mjaft në realizimin e përcjelljes së trupave në Vloren heroike, atje ku jetuan dhe u rritën së bashku. Bekuar qofshin të gjithë!

Gjithashtu këta njerëz tejet human amerikanë si çifti Jensen dhe Prustupa i kanë ndenjur pranë dhe familjes tjetër shqiptare të Gazmend Grezdës të cilit i humbi bashkëshortja e bukur dhe fisnike Teuta Grezda në moshën 40 vjeçare duke lënë pas fëmijët e mitur. Këto mirësira nuk mund t’i harrojmë kurrë!

Anne Maria ishte një grua zonjë, e devotshme shpirt madhe, mësuese e jashtëzakonshme në kishë duke fituar zemrat e amerikanëve, norvegjezëve dhe shumë shqiptarëve që e njohën.

Lamtumirë Anne Marie Jensen!

Dritë të pastë shpirti nga qielli, parajsa, atje ku e ke vendin e merituar!

Do të kujtojmë përgjithmonë!

Your love will forever shine in our hearts!

Filed Under: Reportazh

“Brenga ime shqiptare”

September 8, 2025 by s p

Agim Baçi/

“Nuk ndërtohet parajsa me muratorët e ferrit”, shkruan shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti, duke shënjuar ndoshta një nga të vërtetat e pas viteve ’90, ku demokracia iu besua shumë prej atyre që kishin qenë pjesë e ingranazheve të mbajtjes së diktaturës. Të futur me shpejtësi në rrugëtimin për të parë përpara, për të rrokur kohën e humbur, shoqëria shqiptare u soll me të shkuarën si struci që fut kokën në rërë, me bindjen se kështu i shpëton asaj që ka ndodhur. Në fakt, e shkuara, duke mos u shëruar me të vetmen ilaç që e shëron atë- TË VËRTETËN-, vijon të mbetet një hije e fortë, e cila ndikon gjer në heshtjen vrastare, çnjerëzore, të atyre që kryen krime, edhe kur bëhet fjalë për të gjetur një varr- një varr për të qarë, për të dërguar lule.

Rrëfimi i Aldo Renato Terrusit, biri i ish drejtorit të Bankës së Vlorës, Giuseppe Terrusi dhe nip i ish portierit fitues të Ballkaniadës në Tetorin e vitit 1946, Giaccomo Poselli, ka mundur të sjellë disa vite më parë rrëfimin “Brenga ime shqiptare”, duke bërë apelin më njerëzor ndaj atyre që kanë dijeni dhe ndaj institucioneve shqiptare- të gjejmë eshtrat e të atit, varrosur në Mars 1952 nën atë që njihet si “qershia e burgut të Buurelit”. Aldo ka mundur, përmes mikut të tij Gëzim Peshkëpia, dhe ish kreut të ISKK, Agron Tufa, të gjejë dokumentet ku rrëzohej e gjithë propaganda e ish diktaturës se drejtusi italian e Bankës së Vlorës, Giuseppe Terrusi, ia kishte dorëzuar vullnetarisht bankën gjermanëve, apo se ishte sjellë keq me punonëjsit apo qytetarë të tjerë në Vlorë.

Pafajësia e të atit është një hap jo i vogël për shpirtin dhe krenarinë e të birit të lindur në Vlorë dhe riatdhesuar vetëm 4 vjeç bashkë me të ëmën e dajën në Itali. Madje, Aldo Terruzi është një leksion për ish të përndjekurit politikë sjqiprarë dhe familjarët e tyre, që pas vitit 1990 duhej të kishin rrëzuar me gjyq vendimet e palogjyqeve dhe palaçodëshmitarëve të organizuar nga ai sistem.

Mosgjetja e eshtrave të Giuseppes dhe shumë të tjerëve të vdekur nga varjet, pushkatimet apo torturat në burgje, që vjen si pasojë e mospendimit të shumicës së ish persekutorëve, vazhdon t’i mbajë mbi shpatulla Aldos një brengë të fortë- një varr për të atin. Një brengë që peshon aq shumë mbi qafat tona, të shoqërisë sonë, që nuk mundëm dot të shkundeshim nga e shkuara dhe që atyre që u pushkatuan pa gjyq apo me prova të falsifikuara, të fabrikuara në zyrat e ish sigurimit të shtetit, t’i gjenim të paktën një varr për t’u nderuar nga pasardhësit.

Në fund të fundit, duhet të pohojmë, se thelbin që duhet të triumfojë brenda nesh, thelbin njerëzor për të pohuar me zë të lartë gabimet e së shkuarës, ne nuk mundëm ta nxirrnim kurrë, duke riposhtëruar edhe një herë ata që ikën dhe pasardhësit e tyre që kurrë nuk mundën ta gjejnë të drejtën përballë këmbënguljes së persekutorëve për të mos u penduar për atë që bënë me bashkëqytetarët e tyre, apo edhe me këdo tjetër që tentoi të jetonte i lirë.

Këtë vit Aldo botoi edhe librin e fundit të tijin, “Italianë të burgosur në Shqipëri”, ku përfshiu rrëfimin për fatin e dhjetra italianëve të tjerë të cilët u burgosën me akuza politike edhe pse nuk kishin asnjë mëkat, përveç të qenurit “ndryshe nga njerëzit që do diktatura”. Me botimet e tij Aldo ka vijuar të këmbëngulë të zbardhë të shkuarën e babait të tij duke u kthyer si zëri i njeriut që nuk duhet të ndalet kurrë përpara atyre që ndërtojnë kurthe që të tërhiqemi për nxjerrjen e të vërtetave.

Aldo Renato Terruzi ndërkohë nuk kursen as hipokrizinë e institucioneve italiane në kohën e pasluftës, që braktisur dhjetra e dhjetra italianë, vetëm e vetëm në interes të politikës “mes komunistëve”.

Filed Under: ESSE

Pavdekësia si obsesion politik: Nga faraonët te Putini dhe Xi Jinping

September 7, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi 

Ishte një skenë si e dalë nga filmat e James Bond-it. Dy autokratë të moshuar, të shoqëruar nga aleati i tyre më i ri, po zbrisnin ngadalë një rampë të shtruar me qilim të kuq përpara një parade ushtarake në Pekin, kur një mikrofon i ndezur pa dashje regjistroi pyetjen që duket se i mundonte: sa gjatë mund të vazhdonin – dhe, mes rreshtave, a do ta lejonte shkenca t’i sundonin përjetë?

Me përparimet e teknologjisë, Vladimir Putini i tha Xi Jinpingut, përmes përkthyesit të tij:
“Organet njerëzore mund të transplantohen vazhdimisht, deri në atë pikë që njerëzit të bëhen më të rinj, ndoshta edhe të pavdekshëm.”

Xi iu përgjigj:
“Deri në fund të këtij shekulli, njerëzit mund të jetojnë deri në 150 vjeç.”

Pranë tyre, Kim Jong-un – tre dekada më i ri se të dy 72-vjeçarët – duket se e mori me buzëqeshje këtë shkëmbim.

Ky moment i pazakontë në Pekin ndezi thashetheme për jetëgjatësinë e liderëve dhe për atë se deri ku janë gati të shkojnë për t’ia shtyrë orës fundit.

                                                    ***
Në historinë e njerëzimit, pushteti autoritar ka shoqëruar shpesh një obsesion të përbashkët: dëshirën për të kapërcyer kufijtë e vdekjes. Ky fenomen, që psikologu Ernest Becker e përshkruante si “mohimi i vdekjes” (The Denial of Death, 1973), nuk është thjesht një dëshirë biologjike, por një mekanizëm psikologjik, politik dhe kulturor. Tek udhëheqësit autoritarë, kjo prirje merr përmasa kolosale: ajo shndërrohet në një projekt që kombinon pushtetin politik, monumentet, mitet dhe, në shekullin XXI, shkencën moderne.

Siç raporton The Guardian (Sauer, 2025), ky moment, i kapur rastësisht nga mikrofonët e ndezur, nuk është thjesht kuriozitet: ai pasqyron një obsesion të gjatë dhe të dokumentuar të Putinit për zgjatjen e jetës dhe pavdekësinë. Ai është i njohur për angazhimin e tij me shëndetin dhe mjekësinë moderne, duke udhëtuar me ekipe të specializuar mjekësh dhe duke kërkuar trajtime eksperimentale, ndërsa projekti i tij për zgjatjen e jetës përfshin investime shtetërore dhe programe të drejtuara nga shkencëtarë si Mikhail Kovalchuk dhe vajza e tij, Maria Vorontsova.

Kërkimi i liderëve për jetëgjatësi nuk është i ri. Sundimtarët kanë kërkuar gjithmonë mënyra për të zgjatur jetën e tyre – dhe pushtetin.

Perandori i parë i Kinës, Qin Shi Huang (259–210 p.e.s.), dërgoi ekspedita në malin mitik Penglai në kërkim të eliksirit të përjetësisë – por “pijet” me merkur që pinte ndoshta i përshpejtuan vdekjen.

Aleksandri i Madh, sipas legjendës, endej në “Tokën e Errësirës” në kërkim të ujit të jetës.

Shekuj më vonë, Silvio Berlusconi e trajtoi të njëjtin problem me stilin e tij të zakonshëm ekstravagant – transplante flokësh, kirurgji plastike dhe trajtime gjaku – për të mbetur i pathyeshëm në skenën politike.

Rreth së njëjtës kohë, presidenti autokrat i Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev, urdhëroi një institut në Astana të studionte “rinovimin e organizmit”, gjenomin njerëzor dhe medikamentet gjenetike.

“Sa i përket mjekësisë së së ardhmes, njerëzit e moshës sime shpresojnë me gjithë zemër që kjo të ndodhë sa më shpejt,” u lut Nazarbayev para shkencëtarëve kazakë në vitin 2010.

Berlusconi vdiq në moshën 86-vjeçare, pas një infeksioni të zakonshëm në mushkëri; Nazarbayev u rrëzua nga pushteti pas trazirave të vitit 2022, dhe tani është 85 vjeç.

Putini, që i njihte të dy, duket se po e çon më tej – duke ndjekur rrugën më ambicioze dhe më të financuar për jetëgjatësinë dhe shkencën e zgjatjes së jetës.

Ai është i njohur për fiksimin me shëndetin: besohet se mbështetet te një ekip i tërë mjekësh dhe përdor shpesh mjekësinë alternative. Por studiuesit e tij thonë se nuk bëhet fjalë vetëm për të qenë i shëndetshëm – por për të zgjatur jetën vetë. Putini nuk e ka fshehur kurrë magjepsjen për zgjatjen e jetës dhe të mërkurën, në një konferencë shtypi në Pekin, e përmendi hapur:

“Metodat moderne të përmirësimit të shëndetit, madje edhe ndërhyrjet kirurgjikale [me] zëvendësim organesh, i japin njerëzimit shpresë se jetëgjatësia do të rritet ndjeshëm,” tha Putini.

Mikhail Kovalchuk, një mik i hershëm i familjes dhe shpesh i përshkruar si shkencëtari i preferuar i Putinit, besohet se po udhëheq kërkimet e Rusisë mbi pavdekësinë.

Sipas Meduza, Kovalchuk ka ngritur institute me miliona fonde shtetërore për teknologji të reja, përfshirë prodhimin e organeve artificiale nga qelizat laboratorike.

Vajza e madhe e Putinit, Maria Vorontsova, endokrinologe e trajnuar, ka marrë gjithashtu grante të mëdha qeveritare për studime mbi jetëgjatësinë dhe është e përfshirë në programe kërkimore gjenetike të lidhura me Kovalchuk.

Historia e pavdekësisë dhe monumentet

Kërkimi për pavdekësinë është i dokumentuar që nga lashtësia. Faraonët egjiptianë ngritën piramidat, të cilat Hobsbawm (1994) i përshkruante si “makineri pavdekësie” që synonin vazhdimësinë e pushtetit edhe pas vdekjes. Perandorët romakë shpalleshin “perëndi” pas vdekjes, duke krijuar një vazhdimësi mitike. Në shekullin XX, regjimet totalitare e përshtatën të njëjtën logjikë:

  • Lenini u balsamos dhe u ekspozua si shenjtor laik;
  • Mao Ce Duni ngriti një “fe civile” mbi dogmën e tij;
  • Enver Hoxha e ktheu Shqipërinë në një muze frike me bunkerë dhe portrete dhe ju ndërtua një piramide.

Kulti i liderit nuk ishte thjesht propagandë, por një përpjekje për ta shndërruar pushtetin politik në mit të përjetshëm (Hobsbawm, 1994).

Psikologjia e pavdekësisë dhe obsesioni modern
Psikoanalisti Erich Fromm e përshkruante këtë fenomen si “narcizëm totalitar”: lideri identifikohet me kombin dhe e sheh veten të pazëvendësueshëm. Vdekja e tij perceptohet si katastrofë kombëtare, duke e motivuar të mohojë ose të shtyjë pafund jetën (Fromm, 1947).

Studimet moderne në psikologjinë politike tregojnë se udhëheqësit autoritarë përjetojnë vdekjen si kërcënim ekzistencial më të madh sesa individët e zakonshëm (Kellerman, 2012). Vdekja nuk përfaqëson vetëm fundin biologjik të jetës, por edhe shkatërrimin e mitit mbi të cilin ata kanë ndërtuar pushtetin e tyre.

Nga mitet te bioteknologjia: shekulli XXI
Liderët modernë nuk kufizohen vetëm në monumente dhe dogma. Putini ka investuar miliarda në kërkime mbi rigjenerimin qelizor dhe “printimin e organeve” laboratorike, ndërsa Xi Jinping ka orientuar investime shtetërore dhe miliardëshe në bioteknologji dhe gjenetikë, duke e parë shkencën si mjet për dominim global.

Sipas raportit të The Guardian (Sauer, 2025), këto përpjekje nuk janë sekrete: Putini nuk fsheh ambiciet për zgjatjen e jetës dhe shpesh i shpreh ato publikisht, duke e bërë të qartë se bioteknologjia dhe shkenca moderne janë pjesë integrale e projektit të tij politik.

Paradoksi historik dhe pasojat
Friedrich Nietzsche vërejti: “Kush dëshiron pushtetin absolut, në thelb dëshiron pavdekësinë” (Nietzsche, 1886). Historia dëshmon, megjithatë, se përpjekjet për të arritur përjetësinë shpesh përfundojnë me ironi: faraonët kujtohen si despotë, Lenini dhe Mao si atraksione muzeale, ndërsa Hoxha si simbol i izolimit absurd.

Kjo ilustron një paradoks: diktatorët arrijnë një lloj pavdekësie, por jo atë që kërkojnë. Ata mbeten të pranishëm, jo si heronj të lavdisë, por si paralajmërim i së keqes dhe si kujtesë e frikës kolektive.

Përfundim
Nga piramidat e Egjiptit te laboratorët e Moskës dhe Pekinit, rrugët ndryshojnë, por obsesioni mbetet i njëjtë: sfidimi i vdekjes. Episodi i kapur nga The Guardian mes Putinit dhe Xi-së tregon se pavdekësia është ende projekt i autoritarizmit – tashmë i mbështetur nga teknologjia dhe shkenca. Historia e shfaq se ky është një iluzion i deformuar: diktatorët nuk jetojnë si heronj të lavdisë, por si simbole të frikës, kontrollit të pakufishëm dhe absurditetit njerëzor.

Referencat kryesore:

  • Becker, E. (1973). The Denial of Death. Free Press.
  • Fromm, E. (1947). Man for Himself: An Inquiry into the Psychology of Ethics. Rinehart.
  • Hobsbawm, E. (1994). Age of Extremes: The Short Twentieth Century, 1914–1991. Abacus.
  • Kellerman, B. (2012). Leadership: Essential Selections. Routledge.
  • Sauer, P. (2025, Sept 5). Russian leader was caught musing about immortality with Xi Jinping but his fascination with long life is nothing new. The Guardian.

Filed Under: Fejton

SHKOLLA SHQIPE “GJERGJ FISHTA” NEW YORK HAPI DYERT E SHKOLLËS PËR VITIN E RI SHKOLLOR 2025-2026

September 7, 2025 by s p

Mësuese Fabjola Gjinaj/

Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” New York filloi vitin shkollor 2025-2026. Sot ishte dita e parë e shkollës për nxënësit e kësaj shkolle. Bashkëthemeluesit e njëkohësish edhe drejtues të shkollës shqipe, dr. Paulin Marku dhe mësuese Fabjola Gjinaj mirëpriten prindërit e nxënësit e kësaj shkolle. Fillimisht ju uruan mirëseardhjen nxënësve dhe shkëmbyen urime për vitin e ri shkollor. Nxënësit dhe prindërit ishin entuziast për fillimin e mësimit në gjuhën shqipe. Ata shprehen dëshirën për t’u rikthyer në shkollën shqipe dhe mezi prisnin fillimin e vitit të ri shkollor. Dëshira dhe interesi i tyre për të mësuar shqip është motivim i fortë që kjo nismë atdhetare të ketë udhën e gjatë në ruajtjen e gjuhës amtare shqiptare në diasporë.

Vlen të përmendet se qëllimi i shkollës “Gjergj Fishta” është ruajtja dhe lëvrimi i gjuhës, historisë dhe vlerave kulturore shqiptare dhe synon të bashkojë komunitetin shqiptar në Long Island, New York dhe më gjerë. Gjithashtu, është kënaqësi dhe detyrim kombëtar edhe për mësimdhënësit e kësaj shkolle që të japin kontributin e tyre në komunitetin shqiptar në mërgatë. Shkolla shqipe në bashkëpunim me “Vatrën” Long Island ju jep mundësinë edhe nxënësve të rinj që të regjistrohen pranë kësaj shkolle dhe të marrin pjesë në mësim FALAS çdo ditë të shtunë.

Projekti i shkollës shqipe është afatgjatë dhe synon që të rris numrin e nxënësve që kjo traditë të vijojë për brezat e ardhshëm në ruajtjen e gjuhës dhe vlerave atdhetare kombëtare shqiptare. Pjesë e programit të shkollës, krahas mësimit të gjuhës, historisë, gjeografisë dhe traditës shqiptare, rëndësi i kushtohet edhe këngëve e valleve tradicionale shqiptare për të gjithë nxënësit e kësaj shkolle. Ftojmë bashkatdhetarët tanë që të sjellin fëmijët e tyre për të mësuar shqip. Mësimi zhvillohet falas çdo ditë të shtunë në “Parish Center”, ora 10.00 am-1.00pm në adresën: 134 Middle Country Rd, Coram, New York 11727.

Shkolla “Gjergj Fishta” ka hapur aplikimet edhe për mësimdhënës/e të kualifikuar me arsim përkatës që t’i bashkohen misionit tonë në ruajtjen e vlerave e identitetit kombëtar shqiptar në diasporë.

Ju mirëpresim në shkollën “Gjergj Fishta” New York, USA.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 179
  • 180
  • 181
  • 182
  • 183
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT