• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA DHE SFIDAT E SAJ PËR PAVARËSINË

February 27, 2023 by s p


Dr. Paulin Marku/

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008 në Prishtinë është një datë e rëndësishme historike. Udhëtimi për arritjen e këtij akti të rëndësishme dhe të veçantë për Shtetin e Kosovës ishte i gjatë dhe i mundimshëm. Procesi pati plot sakrifica të ndryshme, me humbje të shumta në jetë njerëzish, dëme financiare e ekonomi, shkatërrim pronash, si dhe në aspektin human e kulturor. Vlen të kujtohet, se përpjekjet e shqiptarëve për shpëtimin e trojeve nga copëtimi dhe për arritjen e Lirisë e Pavarësisë së Shqipërisë është i hershem. Ndërkohë kur trojet shqiptare ishin në fokusin e copëtimit apo të pushtimit, shqiptaret reagonin me çdo forme për të shpëtuar tokat shqiptare. Kjo është dëshmuar vazhdimisht nga krerët shqiptar, të cilët përpiqeshin me çdo kusht për të mbrojtur territoret, edhe pse nën pushtimin Osman. Kongresi i Berlinit i vitit 1878 aneksonte rajone të banuara prej shqiptareve. Forcat shqiptare patën rezistence të armatosur pas shpalljes së vendimit, si dhe zhvilluan takime me drejtues lokal administrativ, përfaqësues të qeverisë, lobuan në qarqet diplomatike për të fituar mbështetjen e ndërkombëtareve dhe për t’i bindur për mbrojtjen nga copëtimi të tokave shqiptare. Veprimet për mbrojtje të interesave kombëtare dhe në mbrojtje të copëtimit të trojeve shqiptare janë dëshmuar vazhdimisht me organizime dhe kuvende të ndryshme: Lidhja e Prizrenit, lidhja e Pejës, kryengritje të një pas njëshme në vitet 1910-1912, të cilët ishin të vendosur me çdo kusht për mbrojtjen e territoreve shqiptare. Nëpërmjet takimeve dhe lobimeve me shqiptaret e mërgatës dhe duke shfrytëzuar çdo njohje ndërkombëtare për realizimin e ëndrrës shekullore për një Shqipëri të Lirë dhe të Pavarur. Situata e krijuar, nga faktor të brendshëm dhe të jashtëm, kishte bindur më shumë se kurrë, atdhetarët dhe krerë të ndryshëm shqiptar për rrezikun që i kanosej kombit shqiptar nga dobësimi i Portës së Lartë dhe rritjes së agresivitetit të monarkive ballkanike për t’u zgjeruar në dëm të territoreve shqiptare. Ndërkohe që lufta e I-rë ballkanike më 1912 ishte rrezik serioz i copëtimit të viseve shqiptare, patriotet shqiptar nga krahina të ndryshme, me në krye Ismail Qemalin, më 28 nëntor 1912 shpallën në Vlore Pavarësinë e Shqipërisë dhe krijuan qeverinë e parë kombëtare. Me ketë ngjarje të rëndësishme materializua ëndrra shekullore e popullit shqiptar me sakrifica të mëdha dhe me shumë martirë të kombit, për ta bërë Shqipërinë një shtet të lirë e të pavarur. 

Konferenca e Ambasadorëve, e cila u mbajt në Londër ku filloi punimet në dhjetor 1912 dhe mbylli punimet në gusht 1913, njohu shtetin e pavarur shqiptar, po për interesa globale ndërkombëtare, padrejtësisht la jashtë kufijve më shume se gjysmën e trojeve dhe të popullsisë shqiptare, të cilat i kaluan Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Konferenca e Londrës vendosi që Kosova të mbetej jashtë kufijve dhe brenda shtetit shqiptar u përfshinë vetëm 28 mijë km katror me rreth 740 mijë banorë. 

Trevat shqiptare, të shkëputura nga Shqipëria më 1913 në mënyrë arbitrare të padrejte, si rezultat i vendimit të Konferencës së Londrës kanë shkaktuar mjaft zemërime dhe debate. Lufta e parë botërore i gjeti shqiptarët të pafuqishëm për të bashkuar viset shqiptare. Shqipëria e Kosova u kthyen në shesh betejash midis forcave ushtarake (serbe, malazeze, bullgare, italiane, greke, austro-hungareze dhe franceze). Pas humbjeve të mëdha në njerëz dhe në dëme materiale do të ndodhte tjetër konferencë që do te vendosej edhe për fatet e shqiptarëve dh të trojeve,të cilat ishte vënë në diskutim për ekzistencën e tyre. 

Në vitin 1919 filloi punimet Konferenca e Paqes. Ajo rikonfirmoi pavarësinë e Shqipërisë , ndërsa për çështjen e ribashkimit të territoreve shqiptare, të mbetura jashtë kufijve në Konferencën e Londrës mbeti një çështje e pazgjidhur. Delegacioni shqiptar i mbështetur edhe nga diaspora bënë përpjekje të ndryshme për ribashkimin e trojeve shqiptare por ishte e pamundur. Ata kërkuan ndreqjen e padrejtësive territoriale të vendosur në konferencën e Berlinit 1878, Londrës 1913 por nuk pati ndryshime dhe nuk e morën në konsideratë kërkesën e delegacionit shqiptar. Kështu, shumë territore dhe popullsi shqiptare mbeten jashtë kufijve përfshirë edhe Kosovën.

Çështja e Kosovës, ka patur padrejtësitë e saj në rrjedhat e ngjarjeve historike dhe mund te thuhet se mos zgjidhja në mënyrë të drejtë dhe anashkalimi i marrjes seriozisht të kërkesave të shqiptareve që të ishin pjesë e pandashme e territoreve të Shqipërisë, kanë shkaktuar trazira në Ballkan dhe në Evropë. Shqiptarët janë ndër rastet e pakta e një ndasie dhe copëtimi, se si një komb arrin të ndahet në pesë shtete. 

Asgjë nuk u realizua për bashkimin e trojeve shqiptare gjatë periudhës së Ahmet Zogu, i cili nga viti 1925-28 ishte president i Republikës së Shqipërisë dhe pastaj për 11 vite, deri me 7 prill 1939 ishte në krye të fronit mbretëror, Mbret i shqiptarëve. Ai arriti të realizojë disa reforma të rëndësishme në politiken e brendshme (kushtetuese, financiare e ekonomike, ushtarake, infrastrukturë, shtimin e tokave bujqësore e kanalizime, bashkëpunime ndërkombëtare, krijoi mundësi për shkëmbime mallrash eksport-import… , etj), ndërsa në politikën e jashtme për bashkim të trojeve shqiptare nuk pati sukses për ndryshim kufijsh për të bashkuar trojet shqiptare.

Lufta e II-të Botërore ishte një tjetër tentative e shqiptarëve për të bashkuar trojet e tyre, por rezultoi e pasuksesshme. Për Kosovën dhe viset e tjera shqiptare të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë në vitin 1913 nuk pati çlirim dhe ribashkim me Shqipërinë. 

Pas luftës II-të botërore, Shqipëria do të drejtonte politikat e saj me Bllokun e Lindjes dhe do të vuante sistemin komunist nën regjimin e Enver Hoxhës. Si rrjedhojë pati pasoja ekonomike, shoqërore, luftë klasash, persekutime e internime. Ndërsa për korrigjim kufijsh as që bëhej fjalë gjatë regjimit komunist. Shqiptarët e Kosovës u përballen me probleme të ndryshme por ata i shpëtuan shkombëtarizimit dhe shfrytëzuan hapësirat e tyre të kufizuara për të arritur suksese në fusha të ndryshme.

Në fillim të viteve 90 në Shqipëri ndodhen trazira dhe pati lëvizjet e para për shembjen e regjimit komunist, çlirimin nga sistemi totalitar dhe kërkonin pluralizëm politik dhe liri e demokraci. Po ashtu edhe shqiptarët e Kosovës u përballen me sfida të mëdha për të fituar lirinë, vetëqeverisje dhe për të qenë një vend i pavarur. Problemi i Kosovës ka shkaktuar krizë ballkanike dhe më gjerë, si element i rëndësishëm i politikave në rajon. 

Është fakt se populli shqiptar është një ndër popujt më të vjetër në Evrope dhe po ashtu evropian. Po ashtu, shqiptarët kane dëshmuar se janë pro Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s. Këto janë dëshmuar nga studiues të huaj dhe vendas, nga diplomat te ndryshëm, si dhe nëpërmjet sondazheve dhe analiza të shumta rreth kësaj çështje. Pranimi i Shqipërisë në NATO ishte një ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë dhe dritë shprese për mbrojtjen e lirive dhe të drejtat e një populli të shtypur për dekada. 

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte dëshmi e mbrojtjes së vlerave njerëzore dhe fitoi simpatinë e shqiptarëve. Çështja e sigurisë është aspekt politiko-gjeopolitik ndërkombëtare, ndërsa aktoret që u përballën në terren ishin forcat ushtarake. Lufta në Kosove për çlirimin e vendin dhe për të fituar lirinë e pavarësinë ishte e ashpër me humbje të shumta jetë njerëzish, shkatërrim ekonomik, shoqëror e kulturor. Këto janë bazat e konceptit të sigurimit të të drejtave të njeriut në Kosove, të cilat ishin sfida te mëdha dhe ne qarqet ndërkombëtare drejt Pavarësisë se Kosovës. Pra, lufta në Kosovë shkaktoi dëme të mëdha me humbjen e shumë jetë njerëzish, u shkatërrua ekonomia, institucionet, pronat dhe pati mjaft pleq, gra e fëmijë që u shpërngulën nga shtëpitë dhe pronat e tyre. Për shqiptaret e Kosovës Pavarësia ishte një moment kyç që vendoste të ardhmen e vendit. 

 Ndërkombëtaret kishin vendosur disa kushte dhe ishin të hapur në disa opsione për të diskutuar çështjen e pavarësisë. Mund të thuhet se Komuniteti Evropian ishte në dilemë rreth mënyrës se si do te arrihej pavarësia. Ata punonin që të jepej garanci ndërkombëtare, në mënyrë që Kosova të jetë e Lirë dhe e Pavarur dhe s’duhet të ketë copëtime, si dhe të garantonin jetese multi-etnike, ku përfshiheshin të gjitha komunitetet e pakicat. 

Gjatë periudhës 1999-2008 çështja e Kosovës dhe e ardhmja e Shtetit që sapo lindte hapi debate në qarqet ndërkombëtare por boshti kryesor ishte barazia, liritë dhe te drejtat themelore për çdo banorë në Kosove, pa dallim race e etnie. Në të drejtën Ndërkombëtare është parim bazë dhe dokument zyrtare i OSBE-se , akti i Helsinkit: “Në bazë të parimit të barazisë së popujve e të së drejtës së tyre për vendosje, të gjithë popujt kanë gjithnjë të drejtën të vendosin në liri të plotë, kur duan dhe si të duan, statusin e tyre politik, si të brendshëm dhe të jashtëm, si dhe të vazhdojnë sipas dëshirës së tyre zhvillimet politike, ekonomike, shoqërore-kulturore”. 

Nga ana e tyre, ndërkombëtarët pas luftës filluan që të punonin për trajnuar dhe për të ngritur institucionet në Kosovë (sistemin juridik, financiar, administrativ dhe organe të tjera shtetërore, ushtrinë, policinë dhe sistemin mbrojtës).   

ShBA kërkonin partneritet serioz me Evropën për çështjen e Kosovës. Për arsye se Kosova mbetej një çështje e nxehtë që mund të trazonte përsëri Ballkanin dhe kjo nuk dëshirohej as nga SHBA dhe as Bashkimi Evropian. Fulbright shprehej: “Zgjidhja përfundimtare e Kosovës pa copëtimin e  territoreve të saj, është kyçi i stabilitetit në Ballkan”. 

Po ashtu, gjenerali amerikan, Klark në vitin 2005 pohonte: SHBA dhe komuniteti ndërkombëtare duhet të shqyrtojnë statusin final të Kosovës para se të bëhej shumë vonë për ta parandaluar tragjedinë. Përpjekjet ishin të vazhdueshme të diplomacisë ndërkombëtare dhe të Kosovës për shpalljen e Pavarësisë dhe organizimin e shtetit. Përkrahja e vendeve aleate në mbështetje të këtij shteti të sapo formuar ishin të vazhdueshme, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshmuan vazhdimësi në përkrahje të procesin shtet-formues. Aleatët ndërkombëtar dëshmuan seriozitet dhe ishin të bindur se Kosova duhet të jetë Shtet i Pavarur.

Çlirimi i Kosovës ishte ngjarje e madhe dhe përben arritje të jashtëzakonshme për shqiptarët, pas shpalljes së Pavarësisë se Shqipërisë. SHBA dhe BE mundësuan sfidën e madhe historike, Kosovë e Lirë e Pavarur që shënon një ngjarje të rëndësishme për çdo shqiptar, e cila mban datën 17 shkurt 2008. Pas shumë vuajtjesh e betejash vjen ajo ditë e shumëpritur për Kosovën që të vendosen fatet e një populli të vuajtur për të jetuar të lirë e të pavarur. 

Luftëtarët shqiptar, shumë prej tyre të kthyer edhe nga emigracioni për të luftuar për lirinë e Kosovës, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e diasporës shqiptare të Amerikës, ishte pararendësi i diplomacisë amerikane për Kosovën dhe kauzën e saj. SHBA, së bashku me aleatët ndërkombëtar Evropian dhe me ndërhyrjen e NATO-s ishin vendimtarë për Pavarësinë e Kosovës. 

Vlen të citojmë Presidentin Bill Klinton, i cili shprehej nga Prishtina “Ne luftën, ju paqen”, një shprehje mjaft domethënëse dhe kurajuese për shqiptarët, duke dëshmuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë luftën për Kosovën, ndërsa Shtetit të ri të porsaformuar i takonte të ndërtojë paqen.

Në mbyllje, do të pohoja se për shqiptarët ka qenë fat i madh që në momente të ndryshme vendimtare historike për të ardhmen e popullit shqiptar, të kemi në krah, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Filed Under: Opinion

LORDI GEORGE ROBERTSON VIZITOI PRISHTINËN NË 15-VJETORIN E SHPALLJES SË PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

February 27, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

Frank Shkreli: 230-vjetori i Diplomacisë Amerikane –1789-2019 | Gazeta ...

17 Shkurti, 2023 shënoi 15-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.  Ishte një festim i mrekullueshëm, historik, mund të thuhet, ku morën pjesë jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe shqiptarë nga mbarë trojet shqiptare, si dhe nga diaspora, përfshir një delegacion nga Shtetet e Bashskuara të Amerikës. I pranishëm ishte edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bajram Begaj.  Me siguri që 15-vjetori i Pavarësisë së Kosovës u festua si një ngjarje e madhe me rëndësi mbarë kombëtare, në të cilën morën pjesë gjithashtu edhe personalitete të njohura ndërkombëtare, diplomatë të huaj dhe miq e dashamirës të Kosovës.

Javën e kaluar, Kosova priti shumë miq e dashamirë të saj të cilët kishin ardhur për të festuar së bashku me qytetarët e Republikës së Kosovës 15-vjet pavarësi.  Dallohej, me këtë rast, ish-Sekretari i Përgjithëshëm i Aleancës së NATO-s, Lordi George Robertson. Ai ka shërbyer në krye të NATO-s – Aleancës më të madhe ushtarake që ka njohur historia — nga viti 1999 deri në vitin 2003, pasi kishte shërbyer më parë si Ministër i Mbrojtjes në qeverinë e ish-Kryeministrit britanik, Tony Blair.  Shpeshëherë gjatë viteve, kam pasqyruar perosnalitete dhe politikanë amerikanë të cilët, gjatë shekullit të kaluar – dhe në fillim të këtij shekulli – kanë kontribuar për lirinë, demokracinë dhe pavarsinë e shqiptarëve, përfshir Kosovën – por nuk  guxojmë të harrojmë edhe personalitete ushtarake dhe politike jo-amerikane që kanë dhënë edhe ata kontributin e tyre për të drejtat e shqiptarëve, gjatë dekadave.

Gjatë luftës në Kosovë, Lordi George Robertson ishte ministër i mbrojtjës i Britanisë së Madhe. Si i tillë në rolin e tij, ai ka marrë vendime me rëndësi – në bashkrendim me aleatët perëndimorë, kryesisht, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – në sulmet e forcave ajrore të Aleancës së NATO-s kundër forcave terroriste ushtarake dhe policore të Serbisë së Millosheviçit. Ndërsa, kur ka udhëhequr NATO-n si Sekretar i Përgjithëshëm i Aleancës së Atlantikut Verior, Lordi Roberston ka mbikqyrur, për së afërmi, gjëndjen e pas luftës në Kosovë, nepërmjet misionit KFOR, për ruajtjen e paqës dhe të sigurisë në Kosovë.

Ndër të tjera aktivitete, javën që kaloi, Lordi Robertson mori pjesë në seancën e veçant, solemne që u mbajt në Kuvendin e Republikës së Kosovës me rastin e 15-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Personaliteti i lartë britanik dhe ndërkombëtar dhe mik i madh i Kosovës siç e kanë cilësuar disa udhëheqës të lartë në Kosovë, ishte i pranishëm së bashku me personalitete të tjera vendore dhe ndërkombëtare edhe në paradën e parakalimit të forcave ushtarake të Republikës së Kosovës me këtë rast. 

Në një bisedë të shkurtër me të, Lordi Robertson më tha se ishte shumë i kënaqur që gjëndej në Kosovë në 15-vjetorin e Pavarësisë dhe se kjo nuk ishte vizita e parë e tij në atë vend.  Ai ka vizituar Kosovën edhe më heret.  Para disa viteve, ish-zyrtari i lartë britanik kishte bërë një vizitë në Prishtinë, i ftuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës në vitin 2016, me qëllim për t’i dorëzuar atij “Medaljen e Lirisë” të shtetit të Kosovës, për kontributet e tija në luftën për çlirimin e Kosovës.  

Me atë rast, Lordi Robertson i cili bën pjesë në atë grupin më të dalluar dhe më të respektuar të udhëheqësve ndërkombëtarë që për shqiptarët ka ndihmuar në mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe më gjërë – sipas mediave të kohës – kishte deklaruar gjatë një fjalimi që ka mbajtur gjatë asaj vizite në kolegjin Universum të Kosovës se në bazë të një testi të ADN-së, rezulton se një përqindje e gjeneve, nga ana e babait të tij, janë shqiptare – një fakt ky i panjohur deri atëherë edhe për atë vet.

Ndërkaq, edhe Republika e Shqipërisë ka njohur meritat dhe kontributet e Lordit Roberston për të drejtat e shqiptarëve. Gjatë vizitës së tij në

Britaninë e Madhe, në Mars 2019, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka vlerësuar gjithashtu Lordin George Robertson me Dekoratën e lartë të shtetit shqiptar, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Në mirënjohje të thellë për angazhimin e çmuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për kontributin e spikatur në integrimin e Shqipërisë në Aleancën Trans-Atlantike”.  Me atë rast, Lordi Robertson, u shpreh se është shumë krenar që kishte patur fatin të kontribuonte në vendosjen e paqës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe nënvizoi bindjen se për çlirimin e Kosovës, Aleanca e NATO-s kishte bërë, jo vetëm gjënë e duhur, por të vetmen gjë që duhej bërë në atë periudhë, ka theksuar ai.

Ndoshta deklarata e tij, për një prejardhje të pjesëshme shqiptare (kam gjak shqiptari), bën që vizita e Lordit Roberston në Prishtinë — me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës — të shikohet gjithashtu si një vazhdimësi e interesimit të tij serioz në zhvillimin e demokracisë dhe të konsolidimit të mëtejshëm të pavarësisë së shtetit më të ri në Evropë dhe të integrimit të shqiptarëve në organizmat euro-atlantike. 

Në vizitën e tij në Kolegjin Universum të Kosovës, 5-6 vite më parë, mos u gabofsha, Lordi George Robertson, u ka folur studentëve shqiptarë për një temë që është edhe sot, më shumë se aktuale, është kjo një temë që është kthyer në një tragjedi kombëtare për shqiptarët anël e mbanë trojeve të veta, e që kërkon me urgjencë marrjen e masave serioze nga autoritetet shqiptare kudo, për ndalimin e zbrazjes së trojeve shqiptare: e që është largimi i të rinjve shqiptarë nga trojet e veta stërgjyshore! Duke iu drejtuar studentëve të kolegjit Universum, vite më parë, u ka thenë se edhe ata janë përgjegjës dhe të lirë të vendosin fatin e vet dhe të vendit të tyre: “Ju mund të ikni dhe të varfëroni vendin tuaj. A po mund të qëndroni këtu dhe të ndërtoni shtetin tuaj të ri, citohet t’u

ketë thenë studentëve të kolegjit Universum, ish-udhëheqsi i NATO-s. Lordi Robertson, në atë kohë, këmbënguli me deklaratën e tij, duke u kërkuar studentëve që të ardhmen ta ndërtojnë në vendin e vet, në Kosovë. Me atë rast, ai u bëri thirrje, njëkohësisht, edhe politikanëve të Kosovës që të luftojnë korrupsionin, ashtuqë Kosova të zhvillohet dhe të integrohet sa më shpejt në organizatat euro-atlantike dhe të dekurajohet largimi i të rinjve shqiptarë për në perëndim, duke hapur përspektiva të reja pune dhe mundësish për rininë shqiptare të pa përspektivë për të ardhmen.

Një mesazh vëllazëror e dashamirës nga Lordi Robertson për klasën politike shqiptare në veçanti, por edhe për shqiptarët dhe për rininë shqiptare në përgjithsi, thenë më heret gjatë vizitave të tija, por që tingëllon  aktuale edhe sot në 15-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, është duke parafrazuar me fjalët e mia, se:  Nëqoftse vërtetë dëshironi integrimin evropian dhe euro-atlantik, atëherë këshilla e ish-Sekretarit të Përgjithëshm të NATO-s Lordit George Roberstson ishte dhe është se duhet të,  kini parasysh se bota e jashtme është ajo që do të vendos nëse Kosova është e gatshme t’i bashkohet Bashkimit Evropian ose Natos. Prandaj, do të këshillonte shqiptarët, Lordi Robertson, duhet t’i shikoni zhvillimet e proceseve të mbrendshme politike dhe ekonomike me sytë e botës së jashtme, nëse vërtetë dëshironi t’i bashkoheni proceseve integruese euroatlantike, është shprehur ish-Sekretari i Përgjithëshm i NATO-s, Lordi Robertson disa vite më parë, duke folur para studentëve.

Një mesazh ky i disa viteve më parë gjatë një vizite të më hershme të Lordit Robertson në Kosovë, por një porosi mjaft aktuale edhe për ditët e sotëme — në 15-vjetorin e Shpalljes së Pavarsisë së Republikës së Kosovës – 15-vjet Shtet – Për Jetë!

Frank Shkreli

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

NË FÜRSTENFELDBRUK TË BAVARISË U FESTUA 15- VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS, NGA SHKOLLA SHQIPE E FRAISING-UT DHE LANDSHUT-IT

February 27, 2023 by s p

Më 24 shkurt 2023 në Fürstenfeldbruk, shkolla shqipe e Fraising-ut dhe Landshut-it me mësimdhënësen Nife Arifi, në bashkëpunim me shoqatën “2 Krenare FFB e. V”, për nderë të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhanë një program kulturo-artistike.

Programi filloi me intonimin e himnit kombëtar dhe atij shtetëror, për të vazhduar tutje me moderimin e nxënëseve Elsa Manaj dhe Ulpijana Brajshori, të cilat i përshëndetën të pranishmit, Kryetarin e shoqatës “2 Krenare FFB e. V” Zeqë Sumaj, kryetarin e LAPSh-it Milazim Ukaj, Koordinatorin e LAPSh-it, poetin e shumë librave Mustafë Krasniqin dhe kryesuesin e Këshillit të Prindërve për Bavari Arif Arifaj.

Pas fjalës përshëndetëse të Zeqë Sumaj dhe të Milazim Ukaj, programi vazhdoi me monologun “Heronjët”, të interpretuar nga nxënësja Ulpiana Brajshorit, për të vazhduar me poezinë “Agim Ramadani”, të recituar nga Diar Zylfiu. Ndërsa me Vallen, me motiv nga veriu, vallëzuan nxënësit e shkollës së Freising-ut, të përgatitur nga koreografja Lorena Muriqi.

Poezinë “Festa e Pavarësisë” recitoi Eljesa Imeri nga shkolla e Landshut-it, “Jam Vajzë Dardane” recitoi nxënësja nga Fürstenfeldbruk-ut, Lorenta Nebihu; Për të vazhduar me këngën “Mora Fjalë”, të kënduar nga Elsa Manaj. Me poezinë “Shqiponja” recitoi Milot Syla, ndërsa poezinë për “Zahir Pajaziti” recitoi Leonis Zylfiu dhe poezinë “Simbolet e mia” recitoi Dones Hajdari.

 Programi vazhdoi me vallen e shotës, të vallëzuar nga nxënësit e shkollës së Freising-ut, ndërsa nxënësja nga Fürstenfeldbruk-i, Lorina Nebihi, erdhi në skenë me këngën “Sofra e Përgjakur” dhe poezinë “Nuk tundet Shqipnija”.

Motrat: Elsa, Ersa dhe Eliza Mamaj, të pranishnit i emocionuan me recitalin „Jemi motra të shpërndara”, kurse me poezinë “Idriz Seferit”, recitoi nxënësja Alejna Zylfiu. Ndërsa me vallen “Kosovare”  nxënësit nga shkolla e Freising-ut e përmbyllën programi kulturo-Artistik me porosinë e nxënëseve, të Elsa Manaj dhe Ulpijana Brajshori, të drejtuar nga mësuesja Nife Arifi: “Ne, nxënësit mërgimtarë ju bëjmë thirrje të gjithë moshatarëve tanë, që t’na bashkohen në rrugëtimin për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, me qëllim që ta mësojmë dhe ta shkruajmë bukur, ngaqë gjuha jonë amtare është e bukur dhe ndër gjuhët më të vjetra. Gjuhë që me të kanë folur e ka shkruar të parët tanë. Andaj duke e mësuar gjuhën e nënës, shqipen e bukur, ruajmë identitetin, kulturën dhe vlerën kombëtare.

Pra, ne jemi çelësi i diturisë dhe i thërrasim prindër që t’i dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe, që edhe ata ta ndijën aromën e kullave të lashtësisë të gjyshërve tanë. Një zëri thërrasim bashkëmoshatarët tanë mërgimtarë, që të bëhen pjesë e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, sepse me respektimin e gjuhës amtare respektojmë atdheun! 

Gëzuar Kosovë Pavarësinë!

Programi vazhdoi me këngë rapsodike të kënduar nga këngëtarët Fadil Sumaj 

Shkruan: Mustafë Krasniqi

Ein Bild, das Person, Decke, drinnen, Gruppe enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Filed Under: Emigracion

30 VJETORI I THEMELIMIT TË SHOQATËS “KRAJA” NË NEW YORK-SHBA

February 27, 2023 by s p

FJALA PËRSHËNDETËSE NGA ISH-KRYETARI I SHOQATËS “KRAJA” Z. HAMID ALAJ
I nderuar Kryetar i Shoqatës “Kraja”!
Të nderuar përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqiptaro-amerikane!
Të nderuar mysafirë!
Të dashur bashkëfshatarë dhe të pranishëm!
Zonja dhe zotërinj!
Mirë mbrëma dhe mirë se keni ardhur në këtë tubim për të kujtuar 30 vjetorin saktësisht 32 vjetorin e themelimit të Shoqatës Atdhetare “Kraja” këtu në New York. Themi saktësisht 32 vjetorin sepse po aqë vite ka që është themeluar shoqata por ne jemi thelluar më tepër në historikun e saj 30 vjeçarë, duke vjelur të dhëna rreth këtyre tre dekadave veprimtarie të saj të suksesshme.

Të nderuar të pranishëm.
Kam nderin dhe privilegjin që në emër të Kryetarit të Shoqatës “Kraja” me seli në New York, z. Samih Kanaqit, në emër të Këshillit të Përgjithshëm të Shoqatës dhe në emër të Këshillit Organizativ të kësaj mbrëmje, të jem para jush për të përshëndetur këtë tubim madhështorë me rastin e 30-të vjetorit të themelimit të Shoqatës “Kraja”. Me shpirt dhe me zemër plot, jam shumë i lumtur që jemi të gjithë së bashkut për të shënuar një përvjetor të rëndësishëm të komunitetit krajan, sepse ky është një kulm i punës sonë dhe tuaj të palodhur me plotë rezultate nga viti në vit, rezultatet e një ndër shoqatave shqiptare më aktive, më organizative dhe më patriotike e kombëtare në New York.

Komuniteti krajan këtu në New York por edhe në vendlindje sot ndihet i lumtur në këtë ditë të madhe feste, që bashkarisht me ju të kujtojmë dhe të përjetojmë një ngjarje të madhe me rëndësi historike për Krajën dhe krajanët siç është themelimi i Shoqatës “Kraja” në New York.

Zonja dhe zotërinj!
Pas viteve ’90-të, ishin kohë të vështira për popullin krajan, të pa punë ku shumë ndërmarrje ku ishin krajanë të punësuar filluan të falimentonin, ku krajanët filluan të diferencoheshin nga pushteti i atëhershëm, ku në mënyra të ndryshme ishin të përsekutuar për t’u larguar nga vendi i tyre, pra për ta boshatisur vendlindje me çka edhe ja arritën qëllimit, në bazë të situatës dhe gjendjes politike në trevën e Krajës dhe në të gjitha trevat shqiptare gjithandej, jashtë shtetit amë, ku para dhe pas atyre viteve tashmë komuniteti krajan numëronte një numër të konsiderueshëm të bijëve të vet në mërgim, bijë të shkolluar, të arsimuar e të edukuar, me profesione të ndryshme, biznismen e atdhetarë krajanë, ndaj në këto rrethana të rënda duke e parë popullin e vet në vendlindje, në Korrik të vitit 1991 me nismën e një grupi të bashkëfshatarësh krajanë me banim në New York themeluan Shqatën “Kraja” e që në fillim u quajt Shoqata Kulturore-Humanitare “Kraja” e cila filloi të veprojë menjëherë. Pastaj Këshilli Inicues i Shoqatës Kulturore-Humanitare “Kraja” në bazë të dispozitave mbi organizatat dhe shoqatat e mergimtarëve në mbledhjen e mbajtur më 26 Janar 1992 nxorri edhe rregulloren e saj.

Tre dekada, pra 30-të vite ekzistence, pune dhe veprimtarie të një shoqate nuk janë pak, por janë të mjaftueshme për t’u ndalur e analizuar, vlerësuar e njohur sfidat, peripecitë, arritjet dhe sukseset e saj që tashmë i ka bërë vend vetes në mesin e atyre shoqatave që dhënë kontribut të rëndësishëm kombëtar e patriotik jo vetëm ku ajo vepron, në kumunitetin e saj këtu në mërgim po ashtu edhe në vendlindje e më gjërë. Prandaj për këtë dhe arsye të tjera, së bashku me udhëheqësin e shoqatës organizojmë këtë eveniment me qëllim të njohjes sa më të mirë të funksionimit të Shoqatës “Kraja”.

Shoqata “Kraja” rrugëtimin e vet e nisi me një numër të vogël antarësh, por falë punës së tyre të madhe dhe me vlerë, vullnet e shpresë dhe gadishmëria e tyre e madhe shfaq një rrugëtim të gjatë dhe të suksesshme të saj. Sigurisht se nga ajo kohë e deri në ditët e sotme Shoqata “Kraja” është zhvilluar në shumë rafshe pa lënë anash modifikimin e saj, përzgjedhjen e satafit drejtues, mjetet e punës dhe përdorimin e teknologjisë së re, përdorimin e rrjeteve sociale e mediatike, etj., gjithnjë në përputhje me vizionin e saj që ka pasur dhe ka e që është “ruajtja dhe përhapja e vlerave dhe traditave krajane” si dhe ruajtja e vlerave gjithë kombëtare shqiptare.
Si çdo shoqatë tjetër edhe Shoqata “Kraja” gjatë rrugëtimit dhe misionit të saj humanitar, patriotik, kulturor, aktiviteteve e programeve të ndryshme të dalura nga gjiri i saj, është përballur me të mirën dhe të vështirën, andaj duhet të jemi në dijeni se shoqata dhe udhëheqësia e saj nuk ka harruar kurrë se ajo është institucion në vete për komunitetin krajan me një rol shumë të rëndësishëm kombëtar.
Zonja dhe zotërinj!
Qëllimi i themelimit të Shoqatës “Kraja” këtu në diasporë ishte dhe do të vazhdojë të jetë siç cekëm edhe më parë “ruajtja dhe përhapja e vlerave dhe traditave krajane” dhe atyre gjithë kombëtare shqiptare, si një bashkim i komunitetit krajan kudo që ndodhën duke kultivuar traditat dhe vlerat më të mira të të parëve tanë që do ta rreshtoja nën moton “Nga do shko, por Krajën mos e harro”. Si vatër e vetme e grumbullimit të krajanëve në diasporë Shoqata “Kraja” është dhe do të vazhdojë të jetë qendra e vetme e cila u ka hapur dyert, zemren dhe shpirtin bijave dhe bijëve të vet, nga të gjithë fshatrat e trevës së Krajës. Të gjithë ata që punuan dhe po vazhdojnë të punojnë në të mirë të shoqatës dhe komunitetit që ajo përfaqëson, në karrierën e tyre me punë vullnetare u dëshmuan të suksesshëm, kush më shumë e kush më pak në varësi të kushteve, situatave e mundësive të krijuar.

Të nderuar të pranishëm!
Shoqata “Kraja” misionin e saj e nisi që nga muaji Korrik të vitit 1991, të pasuar me tre dekada me radhë, mision ky që vazhdoi me sukses deri në ditët e sotme. Ajo gjatë dekadave të punës dhe veprimtarisë së saj ka dhënë dhe vazhdon të japë kontributin e saj të jashtëzakonshëm në sfera të ndyshme shoqërore.
Sot, me rastin e 30-të vjetorit të themelimit të Shoqatës “Kraja” mund të flasim me krenari në realizimin e shumë veprimtarive të planifikuara të shoqatës nën drejtimin e të gjithë udhëheqësve të saj, këshillit drejtues dhe antarëve të saj dhe të atyre, pra donatorëve, që kanë financuar veprimtaritë e shoqatës tonë.

Zonja dhe zotërinj!
Në vazhdim të këtij fjalimi do të jap disa të dhëna, ndër më të rëndësishmet, që më të drejtë kanë bërë që shoqata të ketë një afirmitet në komunitet, dhe jo vetëm pa anashkaluar edhe veprimtari të tjerat që për shkak të kohës që kemi në dispozicion nuk do t’i cekim në vazhdim, e shohim më të rëndësishme që tu hedhim një vështrim pak më tepër atyre aktiviteteve që shoqata ka realizuar gjatë këtyre tre dekadave ekzistence. Sot, ne ish/udhëheqësit dhe udhëheqësit aktual të Shoqatës “Kraja” me mburrje i shpalosim të gjitha këto arritje përkundër sfidave që na kanë përcjellë, por në fakt duhet kuptuar se ato nuk varen vetëm nga ne, por nga ne të gjithë për të arritur suksesin e duhur. Falë themelimit të Degës së Shoqatës “Kraja” në vendlindjen tonë Krajë në Mars të vitit 2016, realizimi i këtyre veprimtarive u bë edhe më i lehtë dhe më i menaxhuar nga stafi drejtues i kësaj dege.
Një arritje me vlerë nga Shoqata “Kraja”, sidomos kohëve të fundit vlen të ceket edhe hapja e programit të vallëzimit dhe sidomos dy vitet e fundit të veprimtarisë së sajë padyshim se është edhe hapja e shkollës shqipe “Mëso Shqip” në bashkëpunim me shoqatën Ana e Malit dhe asaj të Ulqinit. Duke shpresuar me bindje të plotë se kjo vatër arsimi do të vazhdojë objektivin e saj në edukimin e brezave të rinj ajo po u hap dyert e së ardhmes të rinjëve që të edukohen dhe arsimohen edhe në gjuhën shqipe, falë mësueseve profesioniste dhe stafit drejtues të saj, gjë që i bën krenarë gjithë prindërit e këtyre fëmijëve dhe jo vetëm.

Në vazhdim të këtij fjalimi dua të filloj në radhë të parë misionin humanitar të Shoqatës, e cila ka qenë e gatshme të ofrojë ndihmë financiare aty ku e ka lyp nevoja, e që duhet filluar që nga fillimi i formimit të saj, kur filloi kontigjenti i ndihmave të para financiare në vendlindje në vitin 1992 në shumën prej $10.000 dhe jashtë saj, konkretisht në Kosovë po në vitin 1992 me të njëjtën shumë prej $10.000. Pastaj pason ndihma që Shoqata “Kraja” ka ofruar gjatë luftës në Kosovë në një shumë rreth $90.000, shumë kjo e grumbulluar nga komuniteti krajan.
Me kalimin e viteve, varësisht nga situata e krijuar në vendlindje dhe jo vetëm Shoqata “Kraja” ka ofruan ndihmë financiare edhe në sektorin e shëndetësisë, në trajtime shëndetësore, në katër (4) raste të nevojshme. Në këtë sektor ajo ka grumbulluar një shumë financiare prej $211.000.
Vitë për vit duke e pasë parasysh buxhetin financiar të shoqatës udhëheqësia e saj e ka parë të nevojshme edhe ofrimin e ndihmave për familjet në nevojë në pakot ushqimore kryesisht në vendlindje, me një aktivitet më të dukshëm duke filluar nga viti 2016 gjer në vitin 2021, prej 141 pakove ushqimore për 130 familje në nevojë, arrihet shuma e përgjithshme prej $22.300.

Vlen të cekim se Shoqata “Kraja” në shtatë (7) vitet e fundit ka shpërndarë edhe ndihma financiare në formë bursave për shkollimin e studentave dhe studenteve nga treva e Krajës, duke pasë parasysh se studentet krajanë janë shumë më të papërkrahur financiarisht nga strukturat komunale dhe shtetërore për fitimin e bursave studentorë. Duke pasur parasysh këto fakte dhe nevojën për të ndihmuar në sektorin e arsimit Shoqata “Kraja” mori iniciativen për shpërndarjen e bursave. Në këtë sektor deri më tani është arritur të shpërndahen gjithsejt 91 bursa të tillë në një shumë prej $75.300, duke përfshirë edhe një studente që tërë shpenzimet financiare gjatë studimeve akademike i ka mbuluar shoqata.

Ndihmat tjera që ka ofruar shoqata gjatë këtyre 30-të viteve ekzistencë dhe punëve të palodhshme të aktivistëve të saj mund të renditen në seksione të ndryshme, ku pa dyshim se ndihma e saj bën emër edhe këtu në diasporë, gjatë aktiviteteve të ndryshme në bashkëpunim me shoqatat tjera shqiptaro-amerikane, organizimeve të ndryshme kulturore, muzikore, pjesmarrjeve në evenimete të ndryshme, ndihma në raste vdekje brenda komunitetit krajan në vendlindje, pjesmarrjen në festivalet shqiptare këtu në New York, organizim të piknikëve, grumbullimin e ndihmave me rastin e tërmetit në Shqipëri në vitin 2019, grumbullimin e ndihmave të familjeve në nevojë në vendlindje, ndërtimin e një shtëpie në vendlindje, ndihma për menaxhimin e Degës së shoqatës në vendlindje-Krajë, ndihmë financiare gjatë vizitës së dy kongresmenëve amerikan Tom Lantos dhe Joe Diogardi në trevën e Krajës dhe në trevat e tjera shqiptare në Mal të Zi në bashkëpunim me shoqatat tjera shqiptare nga diaspora ku në Krajë për nderë të tyre u shtrua një drekë nga Shoqata “Kraja”, ka kontribuar për udhëtimin e kryetarit të LD në MZ dhe viziten e tij në Vashington DC, ndihma për financimin e ngritjes së bustit të heroi Kombëtarë Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në oborrin e shkollës fillore në Ostros të Krajës, donacion për shoqata të ndryshme në diasporë dhe jashtë saj, organizim e natës së diasporës dhe piknikut në vendlindje, financimin e WebFaqes për promovimin e turizmit në trevën e Krajës, ka ofruar ndihmë për manifestimin e Ditës së Verës në trevën e Krajës, ka ofruar ndihmë në organizimin e lojrave sportive në vendlindje, ka ofruar ndihmë financiare me rastin e botimit dhe promovimit të njërit dhe tjetrit libër, ka ofruar ndihmë financiare me rastin e organizimeve të Ditës së Pavarësis së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, ka ofruar ndihmë dhe pjesëmarrëse në Paraden Shqiptare, ka ofruar ndihmë financiare me rastin e shenjtërimit-kanonizimit të Nënë Terezës si dhe ndihmë financiare Shoqata “Kraja” ka ofruar edhe për organizimin e manifestimit me rastin e emrimit të rrugës në Bronx me emrin e heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skëmderbeut, ndihmë financiare Fondacionit “Nazire Cura”, financimi i programit të vallëzimit dhe shkollës shqipe “Mëso Shqip” e shumë ndihma tjera sa do modeste të kenë qenë ato. Ato nuk do ti cekim veç e veç por shuma e përgjithshme e këtyre ndihmave arrin në $ 250.200.
Në bazë të kësaj që u tha më lartë mund të konstatojmë se Shoqata “Kraja” brenda këtyre viteve ekzistence, edhe pse shumica e këtyre të dhënave statistikore në profile të ndryshme janë realizuar në periudha të ndryshme kohore, vimë në përfundim se shuma financiare e ofruar nga Shoqata “Kraja” arrinë në një shumë të përgjithshme prej $668.800, një shumë kjo e realizuar nga gjithë neve si komunitet që vimë nga një trevë etnikisht shqiptare siç është treva jonë e Krajës.

Një mirënjohje e veçantë dhe e pakufishme u takon edhe juve bashkëvendas të nderuar sepse, Ju jeni ata që keni hedhur besimin tuaj mbi shoqatën dhe udhëheqësin e saj ndër vite, andaj dua t’ju falenderoj për pjesmarrjen tuaj në këtë evenimet të 30 vjetorit të Shoqatës “Kraja”, pa lënë anash gjithë angazhimin tuaj që keni pasur gjatë gjithë këtyre viteve të aktiviteteve të shoqatës, sepse falë kësaj mbështetje është arritur objektivi kryesor dhe fisnik që shoqata ka për detyrë të realizojë dhe në këtë mënyrë mund të ecim përpara si gjithë të tjerët.

Pa pretenduar se me këtë që u tha më lartë, është thënë e gjithë historiku i Shoqatës “Kraja”, por mund të them se jam përpjekur të bëjë më të mirën e mundur për të dhënë sa më shumë statistika rreth punës së saj 30-të vjeçare, më lejoni që fjalimin tim ta përfundojë këtu duke ju falenderuar në emrin tim përsonal dhe në emër të kryetarit si dhe në emër të gjithë këshillit drejtues të shoqatës për pjesmarrjen tuaj si dhe në përkrahjen tuaj në çdo hap aty ku e lyp nevoj dhe kërkon shoqata nga ju. Uroj që aktivitetet e shoqatës “Kraja” të vijojnë edhe qindra vite të tjera në ruajtjen dhe kultivimin e traditave krajane dhe gjithë shqiptare. Urojmë të qëndrojmë të bashkuar deri në pafundësi duke i shërbyer vendlindjes, popullit të saj dhe trevës tonë Krajës..
Zoti ju bekoft Ju dhe familjet Tuaja, Krajen dhe popullin krajan dhe gjithë shqiptarët kudo që të jenë. Zoti e bokoftë shtetin amë Shqipërinë Etnike.
Ju faleminderit dhe ju falenderoj për kohën që më dhatë.

Filed Under: Opinion

Vijon sot në Bruksel dialogu Kosovë-Serbi i nisur para 12 viteve

February 27, 2023 by s p

Temë është një propozim – plan franko-gjerman e edhe evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si një marrëveshje bazë. Në prag të takimit të sotëm në Bruksel Kryeministri Kurti zhvilloi bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet/Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JashariPRISHTINË, 27 Shkurt 2023/ Në Bruksel vijon sot dialogu Kosovë-Serbi i nisur para 12 viteve. Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiç, Presidenti i Serbisë, pasditën e sotme zhvillojnë takimin e nivelit të lartë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ku temë është një propozim – plan franko-gjerman e edhe evropian për normalizim të marrëdhënieve, si një marrëveshje bazë. Fillimisht Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, takon ndaras Kryeministrin e Kosovës e pastaj Presidentin e Serbisë.Në një komunikatë të dërguar nga Zyra e Kryeministrit njoftohej se, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar në 24 Shkurt 2023 një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, si vazhdimësi e mirëmbajtjes së një komunikimi të rregullt, veçanërisht tani në prag të takimit të së hënës në Bruksel.Gjatë kësaj bisede, Kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve.Për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë, Kryeministri Kurti theksoi që përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare.Kryeministri falënderoi z. Chollet për mbështetjen përgjatë procesit të dialogut dhe vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e posaçërisht të z. Chollet personalisht, theksohej mes tjarash në njoftim.Para 12 viteve fillimi me takim dyditësh 8-9 Mars 2011 në Bruksel i dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian e me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasonte një zhvillim shumë të rëndësishëm dhe historik për Kosovën: Në 22 Korrik 2010 Kosova doli fituese në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pas një ankese që Serbia kishte dërguar kundër shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008.Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavrësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008 “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën për dialogun me Serbinë, raportoja para 12 viteve, në 10 Mars 2011 për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, derisa në Bruksel në 8 Mars dialogu kishte filluar dhe ishte mbajtur takimi i parë dyditësh i bisedimeve Kosovë-Serbi për çështje praktike. Në raportimin që e botonte edhe Gazeta DIELLI e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, theksoja se, “Raundi i parë i bisedimeve Kosovë-Serbi si dy shtete të pavarura, por të panjohura reciprokisht, për çështje praktike u zhvillua gjatë dy ditëve të kaluara në Bruksel”.Ky ishte raportimi i plotë:Kuvendi i Kosovës, në seancën plenare, miratoi me shumicë votash – 63 pro, 48 kundër e 1 abstenim, një rezolutë për dialogun mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë për çështje praktike. Rezoluta nuk u lexua në seancë me arsyetimin se atë e kishin deputetët, por siç u tha nga përfaqësuesi i grupit parlamentar të PDK-së, ajo “do t’i japë Parlamentit të Kosovës një të drejtë që të mbikëqyrë, përcjellë, rrjedhën e bisedimeve dhe të drejtën që për çdo rast të kërkojë sqarime në Parlament”. Kuvendi i Kosovës zhvilloi të hënën debatin parlamentar, sipas kërkesës së Qeverisë, lidhur me dialogun në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë për çështje praktike, dhe në përmbyllje vendosi me shumicë votash që në seancën e sotme të nxjerrë në votim rezolutën lidhur me këtë. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi në seancën e kaluar të Kuvendit, pat paralajmruar hartimin e një dokumenti-rezolute nga përfaqësuesit e grupeve parlementare, bazuar në dy draftrezolutat e paraqitura nga partia në pushtet PDK dhe ajo opozitare Lëvizja Vetëvendosje, si dhe në fjalën e kryeministrit Hashim Thaçi para deputetëve, e cila përcaktonte edhe vijat e kuqe se çfarë mund të bisedohet e çfarë jo, si dhe në debatin e zhvilluar në seancë, ku kishte pikëpamje të ndryshme. Në emër të grupit parlamentar të PDK-së, deputeti Adem Grabovci, tha sot në seancën e Kuvendit se “kemi bërë përpjekjeje që të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe ky dokument të jetë i përbashkët, por grupet e opozitës, AAK, LDK dhe Vetëvendosje nuk e panë të udhës të nënshkruajnë këtë dokument”. Mësohet se shefat e grupeve parlamentare nuk kishin arritur t’i harmonizojnë qëndrimet për të paraqitur para deputetëve një rezolutë të përbashkët lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishin paralajmëruar se do ta votojnë projektrezolutën për bisedime, nëse përfshihen edhe qëndrimet e tyre. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, e cila është kundër bisedimeve me Serbinë pa i plotësuar ajo disa kushte, kishte paralajmëruar se do të votojë kundër rezolutës. Edhe sot në “deklarime jashtë rendit të ditës” u prezantuan qëndrime të ndryshme rreth dialogut nga deputetë të pozitës dhe opozitës. Raundi i parë i bisedimeve Kosovë-Serbi si dy shtete të pavarura, por të panjohura reciprokisht, për çështje praktike u zhvillua gjatë dy ditëve të kaluara në Bruksel. Burimet thonë se janë përafruar qëndrimet rreth kadastrave, regjistrit civil dhe trafikut ajror dhe se ka dallime të mëdha rreth vulave të Doganave të Kosovës.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1814
  • 1815
  • 1816
  • 1817
  • 1818
  • …
  • 2789
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT