• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË KUJTESË 145 VJETORI I KONGRESIT TË BERLINIT 

June 15, 2023 by s p

PERG.  NDUE  BACAJ

HYRJE:

Fuqitë Europiane e thirrën Kongresin e Berlinit me 13 qershor 1878. Ata u  përqendruan në çeshtjen që kishte shkaktuar thirrjen urgjente të Kongresit-zvoglimin e ndikimit rus në Ballkan…1.  Kongresi i Berlinit do të fillonte punimet tre ditë pas Lidhjes së Prizrenit dhe kishte si qellim rishikimin e Traktatit të Shën Stefanit, të atij viti, të cilin Rusia ia kishte imponuar Perandorisë Osmane , si dhe për të krijuar mardhënie politike të qendrueshme në Ballkan. Gjithashtu kongresi donte të kufizonte hegjemonin ruso-sllave në Ballkan. Në kongres morën pjesë përfaqësuesit e gjashtë fuqive të mëdha të Europës: të Gjermanisë, të Anglisë, të Francës, të Rusisë, të Austro-Hungarisë dhe të Italisë.2.  Gjermania përfaqësohej me kancelarin e saj  Otto Bismark , Franca me ministrin e jashtem Vadington , Anglia me lordit Beaconsfield,  Austro-Hungaria  me ministrin e jashtem Adrassy , Italia me kontin Korte (Corte) , Rusia me ministrin e jashtem Gorkaçov , ndersa perandoria  Osmane kishte tre perfaqesues , Mehmet Ali Pashen , Karatheodhori Pashen  dhe  ambasadorin e saj në Berlin  Sadulla Pashen… Delegacioni turk nuk kishte të drejta të barabarta me ato të Fuqive të Mëdha. Ai mund të diskutonte për çdo çështje të rendit të ditës, por nuk kishte të drejtë të votonte për vendimet e Kongresit. Shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) u ftuan vetëm për të parashtruar kërkesat e tyre. Ndonse në Berlin po të diskutohej edhe për fatin e popullit shqiptar, delegacioni që dërgoi Lidhja e Prizrenit (Abdyl Frashërin dhe Pashko Vason), me nismen e vet, nuk e pranuan të fliste në Kongres. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark. Gjatë kësaj kohe nga trojet shqiptare u formuluan dhjetëra peticione, protesta  e memorandume që iu dërguan kongresit të Berlinit gjatë muajve qershor-korrik 1878. Por përveç peticioneve, protestave dhe memorandume kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, që cenonin tërësinë territoriale të Shqipërisë etnike , parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonomiste.  Këtë kërkesë Lidhja e Prizrenit ia përcolli me anën e Abdyl Frashërit dhe Pashko Vasos Kongresit të Berlinit me 15 qershor. Megjithëse platforma e autonomisë ishte pranuar nga shumica e qarqeve patriotike shqiptare, nuk munguan t’u paraqiten Fuqive të Mëdha edhe kërkesa të tjera, që parashikonin formimin e një shteti të pavarur shqiptar.3.  

PROTESTA E MEMORANDUME QË SHQIPTARËT U  DËRGOJNË FUQIVE TË MËDHA TË EUROPË DHE KONGRESIT TË BERLINIT!

Në ditën e fillimit të kongresit të Berlinit me 13 qershor 1878  një grup atdhetarësh shkodranë i dërguan një memorandum kryeministrit  anglez, nepërmjet lordit Beaconsfield, (kryetar i delegacionit anglez në Kongresin e Berlinit), ku ndër të tjera “thuhet”: “…Ndërsa përfaqësuesit e fuqive të Mëdha të Evropës janë mbledhur në Kongres, për të gjetur zgjidhje të arësyeshme dhe të ligjshme çeshtjeve të ndryshme që pëbëjnë çeshtjen Lindjes, sigurisht nuk do të jetë i huaj zëri i shqiptarëve midis shumë të tjerëve që kerkojnë drejtësi duke terhequr vemendjen e përfaqësuesve fuqiplotë. Dhe aq më tepër duhet shpresuar se Çeshtja Shqiptare do të shtrohet në tryezën e bisedimeve , mbasi të gjitha kombësitë e tjera nën perandorinë Osmane kanë një qeveri dhe një diplomaci që ua shpreh dëshirat , vetëm  Shqipëria nuk ka asnjë lloj përfaqësie. Duke mos pasur qeveri të vetën, ajo nuk mund të përfaqësohet vetë, dhe nuk mund të përfaqësohet as nga perandoria Osmane… Evropa e njeh historinë tonë. Stergjyshrit tanë që u munden , por nuk u mposhtën nga armët  turke , ruajtën pavarësinë e tyre, karakterin kombëtar, traditat, gjuhen, edhe pse me fe të ndryshme, shqiptari , qoftë katolik, ortodoks ose musliman, e urren si sundim turk, ashtu dhe çdo sundim tjetër të huaj… Shqipëria ka një faqe të lavdishme në historinë e kombeve që nga Skenderbeu….”. Në fund të memorandumit shkruhet Shkodër 13 qershor 1878-SHQIPTARËT.4.  Po me 13 qershor (1878) , Dega e Lidhjes së Prizrenit (Shkodër), me pelqimin e gjithë vilajetit të Shkodrës dhe të Dibres, muhamedanë dhe katolikë bashkë , vendosen me i dergue një telegram kongresit të Berlinit me lutje që Tivari, Shpuza, Podgorica t’i mbetëshin Shqipërisë. Telegrami u nënshkrua prej 500 vetëve…5.  Me datën 15 qershor 1878, Lidhja  Shqiptare e Gegërisë i drejtohet Kongresit të Berlinit me një protestë kundër aneksimit të tokave shqiptare nga Bullgaria, Serbia e Mali i Zi. Nënshkruesit e protestës  janë përfaqësues të Jenipazarit, Dibres së Sipërme, Tetovës, Shkupit, Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës, Pejës, Gucisë, Senicës, Tashlixhës, Lomit, Latinët (Katolikët) e Prizrenit, të Gjilanit e Pejës.6.  Po me datën 15 qershor (1878) popullsia e Podgoricës, Shpuzës, Zhabjakut dhe të krahinave të Grudës e Kuçit , i drejtojnë një protestë Kongresit të Berlinit kundër lëshimit të tokave të tyre Malit të Zi si dhe kundër akteve barbare të kryera prej autoriteteve malazeze. Nga emrat e nënshkruesve sipas krahinave shqiptare , mendova të cilësoi ata të Grudës, të cilët janë: Ibrahim Hysejnoviq, Baca Kurti, Pllumb Gjeka e Smajl Martini dhe të Kuçit: Ram Hysi, Nik Deda, Lul Vuksani, Mirash Pera, Stojan Gjeli e Mus Melini…7.  Ndërsa me 16 qershor (1878) nga Shkodra nënshkruhet  protesta e krahinave të Shqipërisë së Mesme , të Veriut  të Tivarit, të Trieshit, Tuxhemiles, Kuçit etjerë, që i drejtohej kongresit të Berlinit  kunder coptimit të Shqipërisë. Ajo kërkon respektimin e të drejtave kombëtare… Është “interesant” se po me dtaën 16 qershor (1878) nga Shkodra nënshkruhet edhe protesta tjetër e fuqishme dhe organizuar  nga 324 perfaqesues thuajse të të gjithave krahinave të Shqiperisë së veriut dhe asaj të mesme…Unë me këtë “rast” mendova të cilësoi vetem disa  nga emrat më sinjifikativ që nënshkruan protesten..nga Shkodra me rrethinat, Dukagjini etj…si: Jusuf  Sokoli, Farnçesk Çoba , Pjeter Ashiku , Daut Boriçi , Filip Suma , Selim Gjyrezi , Zef (Xhuzepe)  Muzhani , Hafiz  Jusuf  Repishti , Pjeter Lazer Pistulli , Alo  Tabaku ,  Anton Zojzi , Tahir  Bushati , Gjon (Xhiovani) Çurçia , Dul Grizha , Pjeter Guraziu , Ahmet Haxhi  Ademi , Engjëll (Anxhelo)  Curani , Paulo Simon Noga , Pjeter A. Suma , Alush Fishta , Françesk Pema , Gjon (Xhvani) Çoba , Haxhi Selim  Karakaçi , Zef (Xhuzepe)  Vasa , Hasan  Quku ,  Pjeter Çapaliku , Mark  Lula , Marash Kola , Gjekë Gega etj. Si dhe nga Malësia e Madhe nënshkruajnë: Dedë  Gjon  Luli , Çun  Mula , Nikollë Mirash Hasanaj – Hot ; Ujk Gila e Merandia (Mirash) Nika –Kelmend ;  Gjel  Vuksani e Paskal (Pashko) Deda- Kastrat ; Smajl Martini, Baca Kurti, Pllum  Gjeka e Ibrahim  Hasani –Grudë ; Dedë  Nika , Lul  Vuli e Mus  Milia –Kuç ;  Dedë  Hysa e Mirash  Musa –Triepsh ; Marash  Dashi- Shkrel ; Sokol  Mustaf  Bajraktari , Meto Dema , Abdyl  Kurti e Mem Shabani- Koplik ; Fasli  Gruemira –Gruemire  ; Tafil Bisho e  Ali Tahiri – Grizhe ; Mehmet Rrjolli e Hajdar Huka –Rrjoll ; P. Mark Loshi nga Reçi ; Tak  Elezi –Lohe…  Vlenë të theksohet se edhe komunitetet shqiptare që jetonin jashtë  trojeve të tyre  ishin soldarizuar me  protestat energjike kundër kongresit të Berlinit , që po planifikonte coptimin e mëtejshem të trojeve shqiptare. Një ndër keto protesta me  rëndësi historike është edhe ajo e  shqiptarëve me banim në Stamboll të cilet  me daten 18 qershor (1878) u dergojnë një protestë domethenese perfaqesusesve  të Fuqive të mëdha në Kongresin e Berlinit  kundër qellimeve  aneksioniste të Greqisë ndaj tokave shqiptare…8.  Po me datën 18 qershor nga Mirdita, krerët e Mirditës, Pukës, Kthellës, Malësisë Lezhës dhe Lurës u drejtohen me një protestë të plotfuqishmëve të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit, për njohjen e autonomisë krahinore, si dhe të drejten për krijimin e një shteti autonom…9.  Është interesant se kur nënshkruhet Protesta, perveç krerëve të krahinave të “paralajmruara” në fillim, shënohet se nënshkruajnë protesten edhe prijësit e Ohrit të Vogël… 

DISA NGA VENDIMET E KONGRESIT TË BERLINIT:

Pas një muaji punimesh të kongresit dhe pas një lufte të ashpër diplomatike me 13 korrik u nënshkrua Traktati i Berlinit. Sipas këtij Traktati përfitimet politike dhe teritoriale të Rusisë dhe shteteve sllave të Ballkanit u paksuan. Kufijët e Bullgarisë autonome u zvogluan tri herë. Krahinat shqiptare, që Traktati i Shën Stefanit ia jepte Bullgarisë, do të mbetëshin nën sundimin Osman. Serbia nuk zgjerohej në drejtim të Mitrovicës dhe të Prishtinës, por iu dhanë krahinat e Pirotit , të Trenit, të Vranjës, dhe të Nishit që i qenë premtuar Bullgarisë. Malit të Zi i jepëshin krahinat e Tivarit, të Podgoricës, të Plavës, të Gucisë, të Rugovës dhe të Kolashinit. Kongresi mori në shqyrtim edhe kërkesat e Greqisë që nuk kishte marrë pjesë në Luftë kundër perandorisë Osmane dhe vendosi që kufiri i ri në Tesali dhe në Shqipërinë e Poshtme të caktohej nga një komision turko-grek. Si vijë kufiri rekomandohej vija që formonin lumenjtë Kalamas dhe Selemvria, duke i dhënë kështu Greqisë, perveç tokave greke që i takonin, edhe treven shqiptare të Çamërisë. Në këtë mënyrë Kongresi i Berlinit e trajtoi Shqipërinë si plaçkë tregu dhe e bëri objekt coptimi në favor të shteteve fqinjë ballkanike. Këto vendime cenonin rëndë të drejtat dhe interest kombëtare të popullit shqiptar. Prandaj ato e shtuan edhe më tepër zemrimin e shqiptarëve.  Nga katër anët e vendit pati protesta kundër coptimit të trojeve shqiptare.10.  Kongresi i Berlinit ua njohu pavarësinë Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Ai ripohoi gjithashtu vendimin e mëparshëm për t’i dhënë Rumanisë Dobruxhën Veriore dhe për t’i shkëputur asaj provincën e Besarabisë në favor të Rusisë. Kufijve të Serbisë e të Malit të Zi ai u bëri ndryshime të rëndësishme. Me këmbënguljen e Austro-Hungarisë u vendos që Serbia të mos zgjerohej nga ana jugore (në drejtim të Novi Pazarit, të Mitrovicës dhe të Prishtinës, të cilat Vjena i lakmonte për vete)… Për të njëjtën arsye, me këmbënguljen e Vjenës, Malit të Zi iu pakësuan së tepërmi përfitimet territoriale nga ana veriore, në drejtim të Hercegovinës dhe të Novi Pazarit…. Aneksimi i Ulqinit nuk iu njoh, por Cetina fitonte të drejtën që anijet tregtare malazeze të lundronin lirisht në lumin Bunë dhe në liqenin e Shkodrës….11.  Vlen të shënohet se Fuqitë e Mëdha duke hasë në pengesa për zbatimin e vendimeve në Shqipërinë Etnike, e morën edhe njëherë çeshtjen në shqyrtim. Italia mori nismën me propozime , me anën e të deleguemit të saj Kontit Korte, që në vend të Plavës e Gucisë, t’i jepej Malit të Zi Hoti e Gruda, mbasi këto dy krahina bonoheshin prej katolikëve e kështu vija e kufinit do të caktohej në bazë të vijëe së shënueme në protokollin e Berlinit, tuj lëshue 2/3 e fisit të Grudës, një pjesë të Hotit e kullotat e stanet e Kelmendit…. Në këto kushte dega e Lidhjes së Prizrenit Shkodër shpalli vendimin e marrun prej gjithë fiseve: “Me luftue deri në iken e fundit të gjakut në mbrojtje të trojeve shqiptare…”.12.  Kongresi i Berlinit bëri në fakt bëri të mundur ndryshimin e vendimeve të Shën Stefanit në një muaj të vetëm…. Vendimet u morën në sajë të dy këndvështrimeve të cilët kishin qënë të pranishëm edhe në kuvendet e tjera të këtij lloji: Turqia duhej fuqizuar, Rusia duhej zbrapsur. Bullgaria e Madhe, e cila përbënte themelin e planit rus u nda në tri pjesë. Ndërmjet Danubit dhe maleve Ballkane do të shtrihej principate vet-qeverisëse e Bullgarisë e cila nuk kishte asnjë detyrim ndaj sulltanit perveç pagimit të një tribute vjetor, ndërmjet maleve Ballkane dhe Rodope do të shtrihej Rumelia lindore e cila do të ishte e pushtuar ushtarakisht nga turqit, por do të qeverisej nga ana administrative nga një i krishterë; province e Maqedonisë  që mbetej, do t’i kthehej sulltanit në mënyrë që ai të luante një rol aktiv në Ballkan. Kështu Bullgaria u shkëput nga duart e carit. Për të qetësuar sadopak carin rus, kongresi i Berlinit i kënaqi dëshirat e tij në disa aspekte më të vogla. Cari mori Besarabinë nga Rumania të cilën e kishte humbur që prej 1856 dhe i dha aleatit të tij të fundit Dobruxhen  bullgare. Në Azinë e Vogël , cari zgjeroi kufijtë e tij në Armëni duke marrë edhe qytete të rëndësishme si Karsin dhe Batumin. Edhe me këto lëshime të vogla, Austro-Hungaria dhe Britania e Madhe u treguan të kujdesëshme për të marrë kompensim. Bosnja dhe Hercegovina që kishin qenë në krizë, iu besuan Austro-Hungarisë për t’i pushtuar e administruar…. Austro-Hungarisë iu dha e drejta për të mbajtur garnizone, por për të administruar, sanxhakun e Novipazarit i cili dante Serbinë nga Mali i Zi. Edhe Britania e Madhe, nën drejtimin e përkryer të Lord Bikonsfildit, arriti të marrë ishullin e Qipros, të cilin sulltani e lëshoi pasi kishte siguruar ndihmën britanike në rast të ndonjë sulmi rus në teritoret aziatike….13.  Bisedimet e përfaqësuseve të fuqive të mëdha europiane ishin të gjata dhe të bujshme dhe përfunduan me nënshkrimin e  traktatit të Berlinit. Në bazë të këtij traktati Bullgaria e Shën Stefanit u përgjysmua. Tokat në jug të maleve të Ballkanit e deri në detin Egje u banë “Krahina Autonome e Rumelisë Orientale”.14.  Gjithashtu pas debatesh, Kongresi i Berlinit , duke marrë parasysh kundërshtimin që bëri Anglia për Kretën dhe Rusia për Maqedoninë, nuk pranoi që këto t’i jepeshin Greqisë, ndërsa për pretendimet greke në Epir, Perandoria Osmane deklaroi haptas se aneksimi i Epirit nga Greqia do të ishte i rrezikshëm për të dyja palët, pasi aty mbisundonte popullsia shqiptare, e cila do t’u shkaktonte telashe si Greqisë, ashtu dhe Turqisë. Më në fund u vendos që kufiri në Thesali dhe në Epir të caktohej nga një komision turko-grek. Megjithatë, Kongresi rekomandonte si vijë kufiri lumin Kalamas në Epir dhe lumin Selemvria në Thesali. Në rast se Greqia e Turqia nuk do të merreshin dot vesh ndërmjet tyre, thuhej në nenin 24, atëherë do të ndërhynin Fuqitë e Mëdha. Vlenë të shënohet se meqë Kongresi i Berlinit kishte qenë i mendimit se një korigjim i kufijjve midis Greqisë dhe Turqisë (kupto trojeve etnike shqiptare të pushtuara nga Turqia N.B.), ishte me vend, takimet u bënë, në fillim në Prevezë (shkurt dhe mars 1879, pastaj në Kostandinopojë në fund të vitit 1880 dhe fillim të 1881…15.  Në përfundim të Kongresit të Berlinit hapsirat tokësore që fituan Serbia dhe Mali i Zi ishin shumë të mëdha në krahasim me teritoret e tyre fillestare, por ato shkelnin vetëm anëve të hapsirës shqipfolëse. Ishin tronditëse, sepse përfshinin lokalitete ku shqiptarët përbënin shumicën dërmuese të popullsisë…16.  Shqiptarët gjatë kësaj kohe nuk u mjaftaun vetëm në “luftën” me pendë, me protesta, memorandum e kërkesa, por nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u organizuan në mbrojtje të trojeve shqiptare me pushkë. Betejat janë të shumta dhe heroike që fillojnë me Luftërat në mbrojtje të Plavës e Gucisë, Hotit e Grudës (1878-1881), Lufta në mbrojtje të Ulqinit (1880), Lufta e Majes, Lufta te Ura e Sutjeskës, Lufta te Ura e Zharnicës etj.17.  

BIS MARKU PËR “SHQIPËRINË”, NË MES TË VERTETËS DHE GËNJESHTRËS  SERBE TË VLADAN GJEORGJEVIQ-it… 

Shkrimtari, studiuesi dhe historiani i njohur Jusuf Buxhovi i bazuar në arkiven e dokumenteve të Kongresit të Berlinit ndër të tjera do të shkruante: “U bënë më shumë se njëqind vjet që kur spekullohet me një thënie të kancelarit të parë gjerman, Bismarkut, se gjoja ka thënë se “Shqipëria është vetëm koncept gjeografik, ndërsa shqiptarët nuk ekzistojnë”! Farkëtuesit e këtij konstatimi, në radhë të parë historianët serbomëdhej në krye me Çubriloviqin, Haxhivasilevin, Garashaninin e të tjerë që vijnë deri në ditët tona, gjithnjë kanë cituar një “studim’ të Vladan Gjorgjeviqit (kryeministër i Serbisë në prag të Luftës së Parë botërore), ku ai një libër pamflet kundër shqiptarëve, të botuar në vitin 1913 në disa gjuhë dhe në disa qendra evropiane, sjell mendimin e Bismarkut “të cituar nga dokumentet e Kongresit të Berlinit…. E vërteta, megjithatë, është tjetërfarë. Gjykuar nga dokumentet origjinale të kongresit të Berlinit që ruhen në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë gjermane në Bon, si dhe nga dokumentet që u botuan në Gjermani me rastin e kremtimit të njëqindvjetorit të mbajtjes së Kongresit të Berlinit në një vëllim të madh nga “Herald Boldt Geiss”, mund të thuhet se ky “konstatim” i Gjorgjeviqit nuk ekziston fare. Në seancën e dhjetë, së cilës i referohet Gjorgjeviqi, shihet qartë se çështja shqiptare nuk është zënë n’goje fare. Përkundrazi, për shqiptarët dhe problemet e tyre që lidhen me Serbinë dhe Malin e Zi bëhet fjalë në dy seanca të tjera: në atë të shtatën dhe në të trembëdhjetën. Në seancën e shtatë, të datës 26 qershor 1878, në të cilën u bë fjalë për Serbinë dhe kufirin e saj të ri në drejtim të Bosnjes dhe të Portës në pikën katër të vendimeve të seancës, në mënyrë deçizive Bismarku formulon këtë konstatim. “Kazatë shqiptare: Vushtria, Karshumlia, Yrkyp (Prokuple) dhe Leskovici nuk duhen të ndahen nga Porta. Nëse Kongresi do të vendoste që një pjesë e kësaj hapësire të shkëputet, pjesa Prepolac-Shluht (Takhali Khan Getsidi) pjesët midis Karshumlisë dhe Prishtinës duhet të mbesin në Turqi, në mënyrë që të ruhet rrethi i Prishtinës dhe i Vranjës, të cilat njëherë duhet të paraqesin pjesën veriore të kufirit të Portës”. Ky pasus i protokollit të Kongresit gjendet edhe në botimin komplet të materialeve të Kongresit të Berlinit, botuar nga Imanuel Geiss (në faqen 238). Në paragrafin shtesë të protokollit të tetë, në pikën dy, po ashtu Bismarku gjatë dokumentit fjalë për fjalë angazhohet që “Rrethet shqiptare Rozhaja dhe Gucija, si dhe Malësia e Hotit dhe e Kelmendit, po ashtu të banuara me popullatë shqiptare, t’i mbesin Portës”, (shih faqe 258). Në pikën c të të njëjtit protokoll prapë ndeshim propozimin e Bismarkut në këtë formë decidive që i është paraqitur kongresit, e ku thuhet: “Pasi qe rrethi i Tivarit, bashkë me qytetin banohet eskluzivisht prej shqiptarëve, duhet të mbetet nën mbikqyrjen e Portës” (shih faqe 259). Në protokollin e seancës së dymbëdhjetë të datës 4 korrik Bismarku kërkon që përfaqësuesi i Turqisë në Kongres, Mehmet Ali Pasha, të deklarohet se Turqia do të mbrojë popujt joturq në Ballkan, në radhë të parë shqiptarët… Përfaqësuesi turk Mehmet Ali pasha, në mbledhjen e 4 korrikut, pas insistimit të Bismarkut, do të deklarojë, e kjo do të shënohet në protokoll  “se Porta do të respektojë veçoritë etnike të qyteteve dhe krahinave shqiptare si Plava, Gucia, Tivari…” Në të njëjtin protokoll madje shënohet fjala përfundimtare e Mehmet Ali Pashës ku thuhet: Tivari shqiptar nuk mund t’i shkëputet Shqipërisë (faqe 296). Në dobi të këtij konstatimi flet edhe një material tjetër që ruhet në Arkivin Shtetëror gjerman në Bon. Fjala është për hartën e re të Ballkanit dhe të pjesës evropiane të Perandorisë Otomane, që iu prezantua diplomatëve në Berlin nga ana e Bismarkut pas mbylljes së Kongresit. Në këtë hartë shihet qartë përkufizimi etnik i tokave shqiptare dhe i Shqipërisë së mbetur në kuadër të Portës – në veri shkon deri te Vranja- në lindje, zbret kah Tetova deri në Ohër dhe shkon në jug deri në Janinë dhe Artë. Kjo hartë ka qëndruar një kohë të gjatë në kabinetin e Bismarkut.18.  

NË VEND TË NJË EPILOGU: NË KUJTIM TË NJË MIKU DHE NJË ARMIKU TË SHQIPTARËVE…

Vlen të kujtohet se perkundër politikes zyrtare të fuqive të atëhershme të Europes , kishte edhe zëra intelektualesh potencial të cilet e shihnin  në sy realitetin historik dhe konkret të trojeve shiptare. Studiuesi britanik  Artur Xhon Evans  botoi “Letrat Ilire” po në vitin 1878 , pasi kishte vizituar (një vit më parë) , Durresin , Shqiperinë Veriore dhe Kosoven me në krye Prizrenin . Pershtypjet e vizitës së tij  ky studiues i permbyllte  me  fjalët : ” Gjithçka më bënë të kujtoj se nuk jam  as në mes të sllavëve  e as në me të turqve. Keta janë me të vertetë bashkëpatriotët  e Skenderbeut  dhe të Aliut të Tepelenes – shqiptarë , trashigimtarë të fortë si shkëmbi ,një racë luftarake  dhe gjithmonë e pamposhtur…”.  Me sa duket fuqitë Europiane të kohes kishin vendosur të mos degjojnë potenciale intelektuale të pa-anshme si studiuesin britanik  Evans , por të “degjonin” Karl Marksin , mikun e sllavëve dhe armikun e shqiptarëve , filozofin e proletarëve ( të atyre që  populli u thoshte horra) i cili ndër të tjera shkruante: “Arnautët (shqiptarët),janë pjesërisht të krishterë  të ritit ortodoks –grek dhe pjesërisht  musliman ,ku duke gjykuar persa i njohim janë pak të pergatitur  per tu qytetruar. Prirjet e tyre grabitqare  duhet të detyrojnë çdo qeveri  fqinje  ti mbajnë nën trysni të rreptë ushtarake …Nuk mund të mohohet fakti se gadishulli i quajtur Turki  europiane  është pasuri natyrore e trashiguar  nga stergjyshrit  e races  sllave të jugut… Rival të sallavëve  janë vetem barbaret arnaut  dhe turqit të cilët  prej kohesh duhen denuar si kundershtaret më të egër të qytetrimit e perparimit , perkundrazi sllavë janë bartës të qytetrimit…”.(Se çfarë “qytetrimi” suallen sllavët në Ballkan e më gjërë , këtë e kanë treguar vazhdimisht luftrat dhe krimet e shovenëve serb mbi popujt jo serb të Ballkanit e veçanarisht mbi shqiptarët  autokton të Kosovës..).19.  

REFERENCAT: 

1.Edwin Jacques, SHQIPTARËT, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.288, shtëpia botuese “KARTË E PENDË”, Tiranë 1995. 

2.Robert Elsie, Fjalor Historik i Shqipërisë, fq.325-326, Sh.B.”UEGEN”, Tiranë 2011. 

3.https://fjala.al/2021/07/14/kongresi-i-berlinit-ceshtja-shqiptare-nuk-perfillet-nga-fuqite-e-medha/  

4.Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave,  fq.21-23…Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978. 

5.Hamdi Bushati ; Shkodra dhe Motet, traditë, ngjarje, njërëz Vëll. I. Fq.429-430, Shkodër 1998. 

6.AMAE, CPC, Ambasada e Francës pranë Portës Osmane, Turqia, vëll.nr.417, f.558, shtojcë e raportit 98… përkthyer nga Frangjishtja- Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave …Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978, fq.29. 

7.AQSH i RSH, fondi i kongresit të Berlinit , dok.nr.5, përkthyer nga orgjinali turqisht- Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave …Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978, fq.31. 

8.PAAA, Turqia 129, vëll.II; Aktet e Kongresit të Berlinit , II, 1878, dok.33, perkthyer nga orgjinali frengjisht- Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave …Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978, fq.32-38. 

9.HHStA, PA, Konsullata e Shkodrës, XXXVIII/26, 230, 235, 240, 243, 248. Shtojcë e informacionit të konsullit të Austro-Hungarisë në Shkodër Lipih, date 24 qershor 1878…- Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave …Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978, fq.38-39. 

10.Histori e Popullit Shqiptar, për shkollat e mesme, Hartuar nën drejtimin e Innstitutit të historisë të Akademisë së shkencave  të Rep.Shqipërisë, fq.102, viti i parë i botimit “Eurorilindja”, Tiranë 1994. 

11.https://fjala.al/2021/07/14/kongresi-i-berlinit-ceshtja-shqiptare-nuk-perfillet-nga-fuqite-e-medha/ + Ferdinand Schevill; BALLKANI-historia dhe qytetrimi, fq.328-329, sh.b. Eugen, Tiranë 2002. 

12.Hamdi Bushati ; Shkodra dhe Motet, traditë, ngjarje, njërëz Vëll. I. Fq.431, Shkodër 1998. 

13.Ferdinand Schevill; BALLKANI-historia dhe qytetrimi, fq.327-329, sh.b. Eugen, Tiranë 2002.

14.Tajar Zavalani, Histori e Shqipnisë, fq.172-173, botues Phoenix-shtëpia e librit, botim i dytë 1998.

15.Zhan Klod Faveirial, Historia (më e vjetër) e Shqipërisë, fq.459, Plejad 2004. 

16.Serge  Metais ,HISTORI E SHQIPTARVE  nga Iliret deri te pavarësia e Kosovës, fq.253, Tirane-2006. 

17.Më hollësisht shih Hamdi Bushati ; Shkodra dhe Motet, traditë, ngjarje, njërëz Vëll. I. Fq.432-434. 

18.Jusuf  Buxhovi, ky shkrim është pjesë e rubrikës “Arkiva PRINT” që hap Politiko.al me materiale të nxjerrë nga fondet e Periodikut dhe të Librit të Biblikotekës Kombëtare. Botuar në Gazeta “RD”, e shtunë 4 mars 1995, faqe 2. Marrë nga gazeta “Rilindja” e Kosovës. 

19.Ndue Bacaj, https://gazetadielli.com/nga-lidhja-e-prizrenit-ne-lidhjen-shqiptare-te-prizrenit/ JUNE 17, 2022 BY S P.

Filed Under: Komente Tagged With: Ndue Bacaj

LA NUOVA ITALIA (1930) / PSE DUHET LEXUAR LIBRI “SHQIPËRIA E MBRETIT ZOG” I GUSTAVO TRAGLIA-S ?

June 15, 2023 by s p



Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Qershor 2023

“La Nuova Italia” ka botuar, të martën e 10 qershorit 1930, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me librin “L’Albania di Re Zog — Shqipëria e Mbretit Zog” të Gustavo Traglia-s, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Kronikat letrare

“Shqipëria e Mbretit Zog”

Burimi : La Nuova Italia, e martë, 10 qershor 1930, faqe n°3
Burimi : La Nuova Italia, e martë, 10 qershor 1930, faqe n°3

Herë pas here, shtypi boton lajme fantastike, absurde, tendencioze dhe tronditëse për Shqipërinë në botë.

Fakti përsëritet shpesh edhe nëse, për shkak të përdorimit të tepërt, nuk krijon më përshtypjen që do të donin popullarizuesit.

Informacioni fantastik sipas të cilit një anije italiane zbarkoi në Shkodër tre mijë ushtarë italianë me një sasi të bollshme topash dhe mitralozësh është shumë i freskët.

Lajmi ishte edhe më fantastik për faktin se (dhe asnjë gazetë që e botoi atë nuk u mundua të shqyrtonte një hartë gjeografike) nuk ka det në Shkodër.

Kështu që ky libër i ri dhe i dokumentuar nga Gustavo Traglia (1) është i mirëpritur. Ky gazetar ka qëndruar për shumë vite në Shqipëri, ka qenë dëshmitar okular i rilindjes këmbëngulëse të një populli që nuk u përkul kurrë as nga braktisja shekullore dhe as nga dominimi i huaj.

Sado i gjymtuar në kufijtë e tij — më shumë se një milion shqiptarë vuajnë nga dominimi jugosllav — kombi shqiptar po ndjek politikën e tij të rindërtimit me siguri dhe besim.

Shteti i vogël, por trim, ka shprehur që në gjirin e tij një njeri që ka ditur t’u transmetojë të gjithë njerëzve një ritëm të ri jete.

Gustavo Traglia na jep një panoramë të plotë të këtij kombi shumë të ri, ai ilustron karakteristikat e një race që ka jetuar për shekuj e izoluar nga pjesa tjetër e botës, e distancuar dhe e mbrojtur prej saj nga barriera e paprekshme e maleve të saj. Rezultati, në një Evropë të nxituar, të standardizuar dhe të padurueshme, është një oaz ngjyrash që nuk mund të mos magjepsë.

Autori ringjall skenat dhe episodet e freskisë së këndshme : kapitali intrigues për mungesën absolute të zakonit ndaj politikës; jeta e fiseve malësore krenare, përçmuese dhe fantastike; ndihma e vazhdueshme dhe vëllazërore e Italisë; personaliteti vendimtar i mbretit Zog, një figurë që duket se ka dalë nga një epos. E gjithë kjo ringjallet mprehtësisht, qartësisht, pikërisht në këtë vepër të re të Gustavo Traglia-s, e cila, jemi të sigurt, do të ketë të njëjtin sukses si botimet e tjera të tij. Në të vërtetë, në të nuk gjetëm vetëm shkrimtarin e gjallë të “Oriente”, të “Duce libico”, por edhe poetin e “Per amare Colombina”, që mbetet një nga veprat e shquara të poezisë së dekadës së fundit.

Në “Shqipërinë e Mbretit Zog” ka faqe kaq të gjalla përshkruese, saqë libri shpesh merr rëndësinë e një vepre letrare të konceptuar mirë dhe të shprehur mirë. Në këtë renditje idesh, pasazhet që na pëlqejnë më shumë janë ato që lidhen me vizitën e Krujës, kryeqytetit të Skënderbeut, të shtëpisë së Dervishit dhe të Beratit.

Dokumentacioni i bollshëm dhe i saktë që lejon veprën e Traglia-s të jetë një nga traktatet më të plota për Shqipërinë e sotme, shpërndahet me shumë takt dhe shkrihet në mënyrë harmonike me pjesën përshkruese dhe episodike, në mënyrë që lexuesi të mos zhgënjehet kurrë nga interesi që lind, i gjallë, që në faqet e para dhe që e shoqëron me intensitet gjithnjë e më të madh deri në kapitullin e fundit.

fr. mon.

(1) Shqipëria e Mbretit Zog — Botimet Tiber, Romë. — 30 Lireta.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Aurenc Bebja

LIRI, PAVARËSI, DEMOKRACI!

June 15, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës në Parlamentin Evropian

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

“Liri, Pavarësi, Demokraci
                                               

Freedom, Independence, Democracy
                                                

Liberté, Indépendance, Démocratie”

Me këto fjalë në tri gjuhë e filloi fjalimin e saj Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ftuar të mërkurën në seancën plenare të Parlamentit Evropian. Në të vërtetë, këto janë fjalët e Presidentit të parë historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova të shqiptuara 25-vite më parë, me rastin e prezantimit Dr Rugovës të Çmimit Sakharov, nga Parlamenti Evropian. Ëmimi u jepet indiidëve ose gruoeve të cilët promovojnë lirinë e mendimit dhe lirinë e fjalës.  Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në seancën plenare të Parlamentit Evropian – Presidente e Republikës së Kosovës – DR. VJOSA OSMANI – SADRIU (president-ksgov.net)

Duke iu drejtuar Presidentes Roberta Metsola, politikanes konservatore nga Malta dhe deputetëve të Parlamentit Evropian, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, me qëllim i përshëndeti ata me këto tri fjalë: Liri, Pavarësi, Demokraci. Ishin këto fjalët e Dr. Ibrahim Rugovës shqiptuar me rastin e pranimit të Çmimit prestigjoz, Sakharov, dhënë atij 25-vjet më parë nga Parlamenti Evropian.  Çmimi Sakharov është një nderim që u akordohet individëve ose grupeve individësh që kanë dedikuar jetën e tyre në mbrojtje të drejtave të njeriut dhe lirisë së të menduarit. Çmimi, që mban emrin e ish-shkencëtarit dhe disidentit rus, është themeluar nga parlamenti Evropian në vitin 1988.

“Këto tri fjalë të fuqishme, nuk ishin vetëm fjalë të shqiptuara me pasion dhe në vazhdimësi nga Ati themeltar i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Këto ide, në fakt, kanë qenë vizion i popullit të Kosovës. Sot ai vizion i Rugovës, heronjve tanë dhe popullit tonë është realitet”, filloi fjalimin e saj Presidentja e republikës së Kosovës, Vjosa Osmani para entit më të lartë politik, përfaqsues të popujve të Evropës në Strasburg.

“Kosova sot është e lirë. Kosova sot është e pavarur. Dhe Kosova sot është një fener i demokracisë. 25 vjet më parë, këtu në Strasburg, lideri ynë vizionar, Presidenti Rugova u nderua me çmimin Sakharov nga Parlamenti Evropian. Atë ditë ai u prezantua nga Presidenti i atëhershëm i Parlamentit Evropian (José Maria Gil-Robles, EP President 1997 – 1999) si, “Një njeri që është zëri i popullit të tij, një popull, zëri i të cilit rrallë mund të dëgjohet”.   Sakharov Prize 1998: Award ceremony Ibrahim RUGOVA – Kosovo | European Parliament Multimedia Centre (europa.eu)

Udhëheqsja e Republikës së Kosovës, si presidentja e parë e Kosovës që iu drejtua këtij enti të lartë evropian — një brezi të ri deputetësh evropianë të cilët, për arsye të moshës së re, ndoshta as nuk kanë dëgjuar në të kaluarën për Ibrahim Rugovën, i tha Parlamentit Evropian se Presidenti Rugova e ka “konsideruar Çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm evropianë për t’u bashkuar me ta në emër të vlerave të cilat ky Union (Bashkimi Evropian) përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, është shprehur ajo. Zonja Osmani u kujtoi parlamentarëve evropianë se ajo ishte vetëm 16 vjeç kur tanket e ushtrisë serbe hynin në vendlindjen e saj në Mitrovicë dhe se gjithnjë mban mend se si dhënja e Çmimit Sakharov Dr. Ibrahim Rugovës si dhe fjalët e tija në atë kohë, “na dhanë aq shumë shpresë.”  Ishte një shenjë e fortë, theksoi ajo, se në Evropë, shqiptarët e Kosovës, “më në fund po dëgjoheshim”, se “Evropa jo vetëm që i kishte hapur dyert Presidentit Rugova por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht”.

“Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem Presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që po flas para Parlamentit Evropian, për t’ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë tonë”, u shpreh ajo, në shenjë mirënjohjeje për ndihmën që ai ent ka dhënë në të kaluarën dhe tani për Kosovën.

Presidentja Osmani u tha deputetëve evropianë se, në fjalën e tij 25-vjetë më parë në Parlamentin Evropian, duke pranuar Çmimin Sakharov të Lirisë së të Menduarit dhe fjalës së lirë, Dr. Ibrahim Rugova u ka kujtuar atyre fjalën e urtë e të vjetër popullore shqiptare se, “Shtëpia nuk mbahet pa miq”.  Zonja Osmani i tha brezit të ri të politikanëve të sotëm evropianë se – ashtu si atëherë në kohën e Rugovës — Kosova ka nevojë edhe sot për miq dhe për ndihmën e tyre. “Kjo ishte e vërtetë për ne gjatë viteve ’90, por është po aq e vërtetë edhe sot, ndërsa ne kërkojmë të forcojmë aleancat tona dhe një ditë t’ju bashkohemi këtu në këtë familje kombesh”,  theksou ajo në fjalën e saj drejtuar Parlamentit Evropian. Kjo siç duket – duke pasur ndër mend krizën e ditëve të fundit në vendlindjen e saj në Mitrovicë, në veri të Kosovës, të shkaktuar nga banda terroriste serbe të sponsorizuara nga Beogradi zyrtar – në përpjekje për të destablizuar Kosovën, rajonin dhe më gjërë.

Pasojnë disa nga pjesët më pikante të fjalimit të të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj para Parlamentit Evropian të mërkurën në Strasburg: “Presidentja Vjosa Osmani: “Unë kam folur sot se sa shumë ndajmë me BE-në – si Kosova ashtu edhe Ukraina – sepse dy vendet tona, pavarësisht distancës, ndajnë një histori pikëllimi në tokën e përbashkët evropiane, por një të ardhme me potencial dhe mundësi të mëdha në familjen e përbashkët evropiane. Asgjë nuk e ilustron këtë më fuqishëm sesa ngjyrat e përbashkëta të flamujve tanë – e kaltërta dhe e verdha. Së bashku, këto ngjyra përfaqësojnë shpresën për një agim të ri.”

Presidentja Vjosa Osmani: “25 vjet më parë, këtu në Strasburg, lideri ynë vizionar, Presidenti Rugova është nderuar me çmimin Saharov nga Parlamenti Evropian. Evropa jo vetëm që ia kishte hapur dyert Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht.”

Presidentja Vjosa Osmani: “Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, populli dhe institucionet e Kosovës kanë nisur një rrugëtim të jashtëzakonshëm të transformimit, rritjes dhe prosperitetit të vazhdueshëm. Ne kemi punuar pa u ndalur për të forcuar institucionet tona, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të konsoliduar demokracinë tonë.”

Presidentja Vjosa Osmani: “Ka ardhur koha që Kosova të bëjë hapa domethënës përpara në rrugën e saj drejt BE-së. Udhëtimi ynë është shënuar nga sakrifica, vendosmëria dhe nga një besim i palëkundur në vlerat që lidhin kombet tona së bashku. Ne jemi të gatshëm t’i bashkojmë forcat tona me ju, për të kontribuar për një Evropë më të fortë, më të begatë dhe të bashkuar.”

Presidentja Vjosa Osmani: Republika jonë e re lindi nën ritmin dhe tingujt e Evropës.  Ashtu si shpirti i patrembur i një Republike të sapolindur, himni “Ode of Joy” rezononte me ndjenjat që mbartnim në zemrat dhe shpirtërat tanë, duke adhuruar dhe përqafuar idealet e lirisë, paqes dhe solidaritetit.”

Presidentja Vjosa Osmani: “Fjalimin tim sot e nisa me Presidentin Rugova dhe dua ta përfundoj me një tjetër fitues të çmimit Sakharov nga Kosova, Adem Demaçin, i cili kaloi gati 3 dekada të jetës së tij në burg për shkak të luftës së tij për një Kosovë të lirë, ku respektohen të drejtat e njeriut, për të gjithë. Duke folur me rastin e marrjes së Çmimit Sakharov në vitin 1991, ai ka thenë: “Duke më nderuar mua, ju po nderoni popullin e Kosovës, një popull paqëdashës dhe liridashës që po kalon vuajtje të mëdha”.

Presidentja Vjosa Osmani: “Zgjodha të flas edhe për të kaluarën tonë, sepse ajo ka formësuar të tashmen tonë dhe mbetet jetike teksa krijojmë të ardhmen tonë”.     EP Plenary session - Formal Sitting - Address by Vjosa OSMANI-SADRIU, President of KosovoPresidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani duke folur të mërkurën në Parlamentin Evropian.  Presidentja Vjosa Osmani: “Një vend dhe një demokraci nuk është më e fortë për shkak të ndonjë individi apo lideri, apo ndonjë reforme të caktuar. Forca e një vendi vjen nga forca kolektive e popullit të tij”.

May be an image of crowd and text

                                           Parlamenti Evropian në Strasburg të Francës

                                                     Presidents of Kosovo - President of the Republic of Kosovo - DR. VJOSA ... Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr Ibrahim Rugova, fitues i Çmimit prestigjoz, Sakharov për lirinë e të menduarit dhe të fjalës, dhënë atij nga Parlamenti Evropian, 1998 – “Liri, Pavarësi, Demokraci”. “Shtëpia nuk mbahet pa miq”.

Image result for adem demaci

 Adem Demaçi, fitues i Çmimit prestigjoz, Sakharov për lirinë e të menduarit dhe të fjalës, dhënë nga Parlamenti Evropian, 1991 — “Në Librin e shenjtë thuhet: “E para ishte fjala”. Në kohën tonë mund të thuhet: “E para është fjala e lirë”, si hapi i parë dhe i domosdoshëm drejt demokracisë”. Sakharov Prize 1991: Award ceremony Adem DEMACI (Demaçi), Kosovo | European Parliament Multimedia Centre (europa.eu)

.

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli

Arkeologu i dijes filozofike – 3 vjet pa Moikom Zeqon

June 15, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Sa jetonin centaurët e pyeta një ditë Prof Moikomin ndërssa flisnim për librin e tij të fundit “Centauri i Dritës”. Buzëqeshi dhe pa u bezdisur që e kisha ndërprerë ( ky ishte gjithmonë stili ynë i i bisedës) më tha se centaurët janë krijesat që mësuan Akilin. Imagjino më tha me stilin e tij lakonik-kur u mësuan sekretin e përjetësisë Akilit,( sepse jam fort i sigurtë se nuk e kishte fituar atë duke u zhytur në lumin Stiks nga e ëma), sa duhet të jetonin vetë? Jam i bindur se sikur te rrëfenja e njohur e Saadi-ut ku mësuesi mëson 99 hile te sporti i mundjes nxënësit të vet dhe një e mban për vete kur ai do ta sfidojë, ashtu dhe centaurët i mësuan Akilit përjetësinë por me një cen të vogël, që ai mund të vritej në thembër. Nuk mund të thosha më asnjë fjalë pas këtij pasazhi që bënte bashkë dijen e lashtë antike me misticizmin e lindjes dhe e konsiderova veten me fat që kisha mundësi të bisedoja me këtë njeri që ishte një Sokrat i kohës sonë. Nuk bëja gabimin që ta quaja Platon, pasi në republikën e së ardhmes , Platoni i kishte përjashtuar poetët dhe Moikom Z , Siç nënshkruante në librat e vet i kishte bezdi njerëzit që nuk respektonin poetët.

Pjesëza e mësipërme është nga momentet e shumta që kaloja në takimet tona ku dashamirësia dhe interesi i tij jo vetëm për Muzeun Historik Kombëtar por për të gjitha fushat e dijes ishte i jashtëzakonshëm. Është vështirë që të gjesh të mishëruar në një njeri disa disiplina të dijes dhe për më tepër të gjitha ato të veshur me dëshirën për të prodhuar një kod të ri leximi, deshifrimi e intepretimi. Moikom Z e njihje që fëmijë me “Kalorësit Dardanë” dhe Heroin e tokës Nanas, për ta ritakuar sërish me poezinë e tij simbolike e jo të zakonshme në adoleshencë, e në moshën e rritur në esetë e tipit borhesian gjithë kabalizëm, teozofi e misticizëm. Portretet monografike të tij kushtuar figurave të mëdha të kombit si Naim Frashërit, Onufrit, Migjenit, De Radës, Lasgush Poradecit e së fundmi Skënderbeut kanë krijuar arketipe idesh sesi mund ti njohësh këto figura e ti ballafaqosh me kulturën mesdhetare e europiane. Moikom Z më pat rrëfyer se në të ri të tij kish dashur të shkruante me një alfabet të përbërë prej numrash ku çdo gërmë do shkruhej me numrin përkatës që zinte në alfabetin prej 36 shkronjash të gjuhës shqipe. Nuk e di nëse ia arriti ndonjëherë apo nëse la ndonjë tekst të tillë por vepra e tij sa do që shpesh duket se ka një kaos të jashtëm në vetvete është e përpiktë si një ekuacion matematikor. Parimi i rrathëve koncektrikë në veprën e tij dekunstroktohet pasi historia e filozofia në mënyrë ciklike duket se përsërisin njëra-tjetrën dhe shpesh lindin dhe njëra-tjetrën.

Në fillim të shekullit XX Fishta do ta përcaktonte Konicën si një enciklopedi ambulante të kulturës shqiptare. Njëqind vjet më vonë ishim me fat që kishim mes nesh një enciklopedi lëvizëse që gjallonte në shqip mes formulave të lashta të kabalës, misticizmit dhe traditës. Moikom Zeqo krijoi një shkollë të vërtetë poetike kur ringjalli antikitetin në një tokë djerrë si askush në letërsinë shqipe e mitologjia u bë pjesë e diskursit të përditshëm.Idolet e tij poetikë si Pindari, De Rada e Witmani i veshën një mantel prej të cilit ai sendërtoi konstelacionin e tij poetik. “Tërë poetika ime rikonstrukton të Shkuarën si një makinë për të Ardhmen” do shkruante vet në parathënien e vëllimit të XII me poezi “Miscellanea” duke na dhënë vet kodin e leximit të poetikës së tij.

Çmund të themi më tepër kur për një njeri që sfidon sëmundjen dhe me një ankth sifizian vazhdon të luftojë për të vëretetat e tij që janë dhe të vërtetat e jetës. Intelektual që në mesin e kohës lukuni kurr rrëzonin buste nga pidestale, ndryshonin data nga historia me një kurajo civile shpërthente mes parlamentit shqiptar se 29 nëntori nuk është një datë apokaliptike, nuk është e shpikur, po realitet i patjetërsueshëm. Mohimi saj të çon te satanizmi i demokracisë. Ajo është një datë e madhe uniteti dhe jo shpërbërjeje, e mirëkuptimit dhe jo e shkombëtarizimit..

Kultura jonë humbi një njeri diturak që nuk bënte pakt për të heshtur. Mes librave, tablove, vizatimeve e melodisë tënde të preferuar do të gjëmojnë sentencat e tua në latinisht ” Plaudite, amici, comedia finita est ” (Duartrokisni miq! Komedia mbaroi!). Komedi e trishtuar humbja jote miky ynë , një komedi që na kujton se duhet ti duam të gjallët pa vdekur ende. Moikom Z iu përvoll së përditshmes dhe u tret në eterin e përjetshëm të kulturës dhe gjuhës shqipe. Prej andej ku i dihet, si mendimi pitagorian që e citoje shpesh do ringjallesh në formën e Makabe Zaharias, personazhit tënd të dashur për të na rikujtuar se qytetërimi botëror është një Ars Combinatoria…Deri atëherë lamtumirë Mjeshtër!

Filed Under: ESSE Tagged With: Dorian Koci

#SiSot, më 15 qershor 2010, ndërroi jetë aktori që do të linte gjurmë të pashlyera në kinematografinë e Ballkanit dhe më gjerë, Bekim Fehmiu

June 15, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Sarajeva, ku familja e tij gjakovare vuajti internimin, do të ishte edhe vendi ku Fehmiu do të vinte në jetë. Familja e tij qendroi me banim në Shkodër deri në vitin 1939. Pas pushtimit italian dhe bashkimit të një pjese të Kosovës me Shqipërinë, u zhvendosën drejt Prizrenit. Gjatë vjetëve 1956-1960, aktori studioi në Fakultetin e Artit Dramatik në Beograd.

Spikati veçanërisht në filmin “Mbledhësit e puplave” dhe menjehershëm ra në kontakt me shumë shtëpi të filmit në botë. Ka luajtur një sërë rolesh, duke interpretuar në shqip, në maqedonisht, në serbisht, në turqisht, në spanjisht, në frëngjisht, në anglisht dhe në italisht. Mishërimi mjeshtëror i personazheve prej tij, do të hasej dukshëm në realizimet “Prova speciale”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vite të nxehta” dhe “Dezertori”.

Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj të artit filmik, si: Ava Gardner, Robert Shoè, John Huston, Dirk Bogard, Irenë Papas, Claudia Cardinale etj. Shqipërinë e vizitoi për herë të parë në vitin 1972, ndonëse nuk e fshehu kurrë dashurinë për vendin e origjinës. Bashkëngjitur më poshtë, një foto e Fehmiut nën rolin e Uliksit, si edhe dokumenti që përcjell informacion mbi vizitën e tij në Shqipëri.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1815
  • 1816
  • 1817
  • 1818
  • 1819
  • …
  • 2977
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Rrobat e mbretit”…
  • Kosova midis kujtesës, rezistencës dhe diasporës në veprën e profesor doktor Roland Gjinit” Pavarësia e Kosovës, Federata Panshqiptare ‘Vatra’ dhe gazeta ‘Dielli’ (1981–2008)”
  • Mitrush Kuteli, një nga intelektualët më të shquar shqiptarë të shekullit XX
  • We are proud to announce the election of the MAASBESA Board of Directors for the 2026-2028 term
  • Letër e Lumo Skëndos viti 1908 drejtuar Jani Vretos dhe botuar te gazeta “Rrufeja” (1909)
  • KUFIRI SHENDETIT DHE SËMUNDJES
  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË BRONX, NEW YORK
  • Në ditën ndërkombëtare të shtypit…
  • Në ditën e lindjes kujtojmë baron Franz Nopcsa, paleontologun dhe gjeologun e shquar, një nga figurat më të mëdha të albanologjisë
  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK
  • SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT