• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Festivali i Kishës “Zoja Pajtore” në Michigan, këngë popullore dhe pjesëmarrje të brezave të rinj

September 3, 2025 by s p

Kisha “Zoja Pajtore” kremtoi nga 30, 31 gusht dhe 1 shtator Festivalin tradicional me këngë popullore, një ngjarje që prej 34 vitesh mban gjallë kulturën, besimin dhe traditën shqiptare. Festivali, i krijuar nga dom Ndrevashaj dhe dom Ndue Gjergji, u zhvillua në një atmosferë festive ku u bashkuan breza të ndryshëm në një skenë të përbashkët arti dhe shpirtëror.

Në qendër të programit ishin grupet e fëmijëve të dy kishave: “Ilirianët” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”,  etj. të cilët sollën këngë popullore të interpretuara me entuziazëm e energji rinore, duke i dhënë festivalit një frymë të veçantë dhe një mesazh të qartë për vazhdimësinë e traditës shqiptare.

Festivali u pasurua edhe me interpretimin e veçantë të këngëtarit të njohur Nikollë Nikprelaj dhe të birit të tij Albin Nikprelaj, të cilët u pritën me duartrokitje nga publiku, duke krijuar një urë simbolike mes brezave në artin dhe muzikën shqiptare.

Këtë vit, kremtimi u zhvillua edhe në kuadrin e Ditës së Punës në Shtetet e Bashkuara, një festë që nderon punëtorët dhe kontributin e tyre në shoqëri. Për komunitetin shqiptar, kjo ditë mori një kuptim të dyfishtë: përveçse u festua puna dhe sakrifica e përditshme e emigrantëve, u theksua edhe vlera e ruajtjes së traditës, gjuhës e kulturës në vendin e ri.

Në tri ditët e organizimit, festivali mblodhi mijëra bashkatdhetarë, në një mjedis të përgatitur shkëlqyeshëm nga Këshilli i Kishës, drejtori e festivalit dhe dom Dino Çekrezi. Organizatorët kishin menduar çdo detaj: tenda të mëdha, kuzhina me ushqime dhe pije tradicionale shqiptare, që i dhanë festës një atmosferë edhe më të gjallë dhe bashkëkohore.

Dita e fundit u çel me një parakalim madhështor të fëmijëve të veshur me kostume kombëtare, duke sjellë ngjyra e emocione të veçanta në këtë kremtim të përbashkët.

Në njërën prej këtyre çadrave, kandidati Robert Lulgjuraj zhvilloi takime me bashkatdhetarët, regjistroi votues të rinj dhe bisedoi me zgjedhësit amerikano-shqiptarë të zonës elektorale numër 10, duke e kthyer festivalin edhe në një mundësi për angazhim qytetar e demokratik.

Ky edicion, si çdo vit, dëshmoi rëndësinë e angazhimit të të rinjve në ruajtjen e identitetit kulturor dhe fetar. Pjesëmarrja e tyre e gjallë dëshmon se Festivali i Kishës “Zoja Pajtore” mbetet një gur themeli i komunitetit shqiptar në diasporë, duke vazhduar vizionin e dom Ndrevashajt dhe dom Ndue Gjergjit për të lidhur fenë me kulturën kombëtare.

Filed Under: Komunitet

“Paqja në Ukrainë pa damkën e legjitimimit të pushtuesit”

September 3, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Pikësëpari, në kapacitetin e Senior Expertit për Sigurinë Kombëtare dhe çështjet e ShBA/NATO-s, si dhe për shkak të angazhimeve me Institutin e Luftës, AC, CSCE, etj, në Washington; Qëndrën Marshall, Gjermani, NDC, etj, kam ndjekur me interes të shtuar 1275 ditë/netë luftime të përgjakshme në fushëbetejën me/për Ukrainën.   Ndërsa në vijim, gjeni përmbledhje strategjike/përditësuar rreth dinamikës së luftës 3.5 vjeçare dhe përpjekjet për: “ndalimin e gjakderdhjes si dhe sfidën e vendosjes e paqes së qëndrueshme në Ukrainë, PA damkën e legjitimimit të pushtuesit, pra Rusisë-Putiniste”:

Në 22 shkurt 2022, Rusia ndërmori agresion ushtarak (të pa-preçedentë nga Lufta e II-Botërore) ndaj integritetit territorial të një vendi sovran. Ambicjet dhe qëllimi i ndërmarrjes/marrëzisë vrastare të Putinit ishte: “Jo vetëm të pushtonte shpejt Ukrainën (max. 9 Maj 2022), por edhe të poshtëronte rendin global, vlerat perëndimore, kohezionin, si dhe fuqinë ushtarake të Aleancës Euroatlantike (USA/NATO/BE)”.  

Por falë qëndresës martire të ukrainasve dhe mbështetjes jetike nga SHBA/NATO/BE, edhe mbas 3 vjetësh e 6 muaj luftime të përgjakshme Rusia – Putiniste nuk ka përmbushur asnjë nga këto objektiva strategjike. Po ashtu, përballja heroike e Ukrainës me mbështetjen jetike të perëndimit shërbejnë edhe si demostrim force ndaj Putinit të shpërfytyruar nga përgjegjësite e krimeve në Ukrainë, që: “nëse do të guxonte të sulmonte cilindo nga 32 vendet e NATO-s, e garantuar që do të mposhtej dhe do poshtërohej nga fuqia e pakonkurueshme ushtarake e Aleancës Euroatlantike (USA/NATO/BE)”.

Nga ana tjetër, duhet ta nënvizojmë se, ka një dallim të qartë mes paleve ndërluftuese, pasi ndërsa Ukraina brënda të drejtës të vetëmbrojtjes sovrane ka sulmuar vetëm njësi dhe infrastruktura ushtarake të pushtuesit, nga ana tjetër ushtria-Putiniste, vijon sulmet barbare mbi çerdhet, shkollat, spitatet, pallatet, ambasadat përëndimore, ujësjellsat, centralet elektrike si dhe infrastrukturat me peshë jetike për qytetarët e Ukrainës!

Së DYTI, gjëndja e palëve ndërluftuese mbas 42 muaj luftimesh. Megjithë rezistencën heroike, disa krahina të Ukrainës lindore (në total rreth 20 %) janë pushtuar nga Rusia, si Donbasi, Luhansk dhe Zaporizhzhia. Pra: “ndërsa Ukraina ka mbi 600 mijë km2, Rusia zotëron 3 herë më shumë se i gjithë territori RSh”! 

Humbjet njerëzore: Në total rreth 1.6 million ushtarë dhe civilë janë vrarë ose plagosur (mbi 1.1 milion Rusë dhe më pak se ½ milion Ukrainas), si dhe me kosto të jashtëzakonshme, p.sh Rusia shpenzon deri 1 Miliard € në ditë, pasi ka pësuar humbje të mëdha në armatime, avionë, dronë, tanke, raketa dhe në burime natyrore. Edhe Ukraina ka dëme kolosale (ekspozita në Rinas ilustron pasojat e sulmeve neo-naziste), të cilat do mbeten një sfidë mjaft e vështirë për t’u rimëkëmbur. 

Gjëndja e trupave Ruse. Pavarësisht mbi 1.3 milion të vrarë, moralit të rrënuar të ushtrisë dhe të kombit rreth luftës, Kremlini mban në frontin e luftës rreth 350,000 ushtarë nga mobilizimi i detyruar ose mercenarë nga Koreja e Veriut, Mali, Kina, etj. Ka ende shumë tanke T-80/T-90; flotë avionësh Su-30, 35 dhe 25; raketa balistike S-400 dhe Iskander; sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore S-400 dhe Pantsir, por ka probleme serioze për furnizimin e trupave me municione, etj.

Gjëndja e ushtrisë ukrainase. Aktualisht, ka mbi 300,000 ushtarë aktivë; tanke Leopard, Challenger dhe T-64/T-72; Avionë Su-27 dhe MiG-29; mbrojtje ajrore të fuqishme, përfshirë S-300, Patriot dhe NASAMS; sisteme të artilerisë së lëvizshme HIMARS dhe Dronë të gjeneratës së fundit.  Ukraina ka patur dhe vijon të ketë mbështetje konstante nga SHBA/Perëndimi (më shumë se gjysëm trilion €) me armatime dhe teknologji moderne si dhe sisteme të inteligjencës.

Me kundërmësymjen dhe ri-marjen e Khirsonit në 2023; pushtimin e Kursk-un (sipërfaqj e qarkut të Tiranës) brënda Rusisë; me goditjen e guximshme (breshër dronësh/117, në thellësitë stratagjike deri 5500 km) dhe shkatërrimi i  40 bombarduesve bërthamore me kosto mbi 7 miliard);  konfirmimi në ditën e pavarësisë (24 Gusht) i prodhimite të raketave me rreze deri 1000 Km, demostrojnë  fuqinë e pamposhtur ushtarake si dhe vendosmerinë sublime të kombit Ukrainas deri në çlirimin e territoreve të pushtuara. 

Pesha e Aleancës Euroatlatike: Në 3 vjet e gjysëm, mbi 500 Bilion € (tanke, raketa, avion dhe dronë të gjenerates së fundit). Menjëhere mbas takimit te Trump-Putin (dhe sigurisht me bekimin e Tij/USA), NATO konfirmoi mbështetjen e një liste nevojash për Ukrainën me 50 Miliard €. Përtej shifrave dhe makinerisë së deziformimit, kjo demostron kohezion dhe mbështetje të pakushtëzuar deri në fitoren e Ukrainës ndaj të keqes së përbashkët (Rusisë – Putiniste).

Së TRETI, Plani i Paqes, mbas takimit Trump-Putin. Përtej mendjeve të ushqyera nga makineria staliniste e dezinformimit (p.sh pritjen me qilimin e kuq, etj), Presidenti Trump para/pas takimit ka ri-konfirmuar “privalimin e interesave Amerikane”, por kurrësesi nuk ka “legjitimimuar pushtimet dhe as statusin e fitimtarit të luftës”. Prandaj e përsëris më fortë se: “Trump e nxorri/diskretitoi Bishën e plagosur rëndë nga ngujimi/izolimi në shpellën e krimeve”, si dhe për t’i imponuar: “ndalimin e menjëhershëm të gjakderdhjes si dhe negociata me Kievin për statusin e rajoneve të pushtuara nga Rusia”!   

Ndaj, prioriteti i Trump, ose çka i bashkon palët (Ukraine – Rusi) është ndalimi i gjakëderdhjes njerëzore. Ndërsa është fakt se Zelensky, mbështetur në Hartën -Kushtetuese këmbëngul të rikthejë çdo pëllëmbë të pushtuar (përfshi Krimenë), nga ana tjetër Putini kërkon të mbajë/legjitimojë territoret e pushtuara në Ukrainë. Por kush mund të jenë “tre opsionet” dhe a mund të arrihet një zgjidhje/paqe e qëndrueshme (?):

Opsioni Nr 1, ose pajtimi në tavolinë: “Rusia dhe Ukraina do duhet të dakordohen për të ndaluar luftimet si dhe nisjen e negiciatave për t’i dhënë zgjidhje diplomatike territoreve të pushtuara”. Në këtë opsion, pjesa më e madhe e teritoreve të pushtuara marrin Autonomi-Plus pa çënuar kufijt zyrtar të Ukrainës. Ky opsion do të ndalte luftën, por do të shkaktonte tensione të brendshme në Ukrainë, pasi ukrainasit do ta merrnin: “si një dorëzim në tavolinë të sovranitetit të vendit”. 

Opsioni Nr.2: Ndalimi luftimeve dhe krijimi i zonave të garantuar nga artikulli 5, për një periudhë kalimtare, si dhe vijimi negociatave deri te një marrëveshje afatgjatë. Forcat e vendeve të NATO-s, do të vendosen mes territoreve të pushtuara (Buffer-Zone/neutrale) për të garantuar paqen (siguria ajrore e konfirmuar nga USA). Ky opsion nuk e ndryshon hartën kushtetuese të Ukrainës, por do duhej angazhimi i ShBA/NATO/BE, të cilat mbas dështimit në Afganistan, etj, mund të mos marrin rol kaq të drejtëpërdrejtë!

Opsioni Nr.3: Fitore e plotë e Ukrainës ose Rusisë, ose “kapitullim” i njërës palë”: (A) Ukraina me ndihmën e Perëndimit arrin të çlirojë teritoret e pushtuara (përfshi Krimenë), duke imponuar një tërheqje të plotë ë ushtrisë Ruse nga Ukraina (si Millosheviçi në Qershor 1999) si dhe të ri-vendos dhe ushtrojë autoritin shtetëror mbi të gjithe tërësinë teritoriale të Ukrainës. 

(B) Rusia arrin të gjunjëzojë Ukrainën si dhe të vendos autoritetin e Mëmës-Rusi mbi territoret e pushtuara. Ky opsion është tërësisht i pamundur, si dhe do të përshkallëzonte luftën deri në shkatërrimin fatal të Ukrainës. Në këtë opsion (që s’ka për të ndodhur kurrë), Presidenti Trump, ShBANATO/BE, do të diskretitoheshin si “roje  e pushtimeve të Putinit” (!). Ndërsa në rrafshin global, një Rusi triumfatore, do të shërbente si “andora” për pushtime të tjera … ?!

Në SHTESE, si në dhjetra vlerësime, edhe këtë opinion po e përmbyll me disa “konsiderata strategjike”:

Historia botërore e luftërave nuk e njeh këtë model paqe (të gjithë fitimtare, ose Win-Win). Kjo, pasi marrëveshjet e përkohshme mes palëve ndërluftuese (si autonomia-Plus e Krimesë në 2014, apo asociacioni për Mitrovicën), mund ti kënaqë interesat e liderëve të kohës, por nuk kanë prodhuar paqe për qytetarët, përkundrazi destabilitet dhe gjakëderdhje. Shkurt, një “Rusi fitimtare”, do të zgjaste sundimin e “Carit të Ri të Kremlinit-Putini”, por nuk do të prodhonte paqe afatgjatë për Ukrainën e gjakosur si dhe hidhte në erë besimin në rendin global, vlerat e demokracisë dhe fuqinë ushtarake të aleances euroatlantike. 

Ndërsa për oshilacionet staliniste të Lavrovit, Vuçiçit, etj e përsëris edhe më fortë se nuk ka asnjë referencë krahasuese me rastin e Kosovës, pasi: “Lufta e NATO-s në 1999 ishte për çlirimin e Kosovës së pushtuar dhe përgjakur nga Serbia”, prandaj në 9 Qeshor 1999 në Kumanovë u nënëshkrua marrëveshja ushtarake midis “palës humbëse”, Ushtria e Millosheviçit si dhe “palës fitimtare”, USA/NATO/UK” !

Kështu, Ukraina shërben edhe si mesazh për Ministrin e Millosheviçit (z. Vučič), që: “të mos armatoset kot me Avion Mig-29, Rafale si dhe Raketa apo Dronë me 1.64 miliard € nga Izraeli, etj”. Kjo pasi gjithësesi Serbia ka ZERO këllqe për t’u përballur me aftësitë mbrojtëse në rritje të Kosovës (mbas pajisjes së FSK nga USA me Raketa-Jv, Dronë, etj) dhe kurrësesi me fuqinë e sprovuar (99) ushtarake të ShBA/NATO.

I gjej tërësisht mjerane kur: “bollshevikët e sëmurë, fatëkeqësisht edhe në Tiranë dhe Prishtinë” i ri-sjellin opinionit kombëtar oshilacionet e regjimit kriminal të Enver Hoxhës: “USA po sillet si xhandar ndërkombëtar, ndërsa Presidenti Trump si bixhozxhi/matrapaz fshati që sot shet/blen Ukrainën, nesër Kosovën, etj broçkulla”. Prandaj, e ri-theksoj se për interesat gjeopolitike mbarë-Kombëtare, nuk kemi opsion tjetër përveçse të mbështesim pa kushte vendimarrjet dhe programet e USA/NATO-s për Ukrainën, duke “dënuar fortë luftën neo-Staliniste, si nga më ç’njerëzoret në historinë moderne të njerëzimit”.  

Së fundmi, mbetem besimplotë se, falë fuqisë së pakonkurueshme ushtarake të ShBA/NATO si dhe Leadershipit të fortë të Presidentit Trump: “paqja në Ukrainë, rendi global i sigurisë, vlerat e qytetërimit dhe demokracisë; fuqia ushtarake dhe interesat Euroatlantike (përfshi Kombëtare) do të triumfojnë mbi neo-nazistët, neo-stalinistët, neo-Millosheviçët, shtetet dhe organizatat terroriste”! 

* Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Senior Ekspert për Sigurinë Kombëtare,

Ballkanit si dhe marrëdhëniet me USA/NATO,

Ish: zv/SHSHP, Këshilltar i Presidentit si dhe,

Përfaqësues i RSh në SHAPE/NATO.

Filed Under: Opinion

𝐅𝐥𝐢𝐬𝐧𝐢 𝐛𝐮𝐭𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐦𝐛𝐚𝐧𝐢 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐬𝐡𝐤𝐨𝐩 𝐭𝐞̈ 𝐦𝐚𝐝𝐡 𝐧𝐞̈ 𝐝𝐨𝐫𝐞̈, 𝐞 𝐝𝐨 𝐭𝐞̈ 𝐬𝐡𝐤𝐨𝐧𝐢 𝐬𝐡𝐮𝐦𝐞̈ 𝐥𝐚𝐫𝐠

September 3, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti/

(Në shtëpinë e lindjes së Theodore Roosevelt, Presidenti i 26-të i SHBA)

Në këtë ditë, më 2 shtator 1901, Theodore Roosevelt, i cili u bë Presidenti i 26-të i SHBA, mbajti fjalimin e parë publik në të cilin tha: “Flisni butë dhe mbani një shkop të madh në dorë, e do të shkoni shumë larg.” Politika e Shkopit të Madh në Dorë, marrë nga një proverb afrikan, më vonë u bë një tipar qendror i presidencës së tij duke e çuar SHBA në frontiera të reja.

Në vitin 1912 gjatë fushatës, Roosevelt-i u qëllua në trup por plumbi depërtoi në kutinë e syzeve të tij prej çeliku dhe kaloi përmes 50 faqeve të fjalimit në xhepin e xhaketës.

Ai refuzoi të shkonte në spital, por mbajti fjalimin e tij të planifikuar prej mbi një orësh edhe pse me plumbin në trup dhe i gjakosur.

Drejtues e shtetarë të tillë të vërtetë si Roosevelt, i cili ishte pioneri i Progresivizmit, mbeten shembuj të papërsëritshëm.

Filed Under: ESSE

KONGRESI I ELBASANIT I VITIT 1909 VEPËR KULTURORE DHE POLITIKE E LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE

September 3, 2025 by s p

Dr. Luan Zyka*/

Μë 2 shtator të vitit 1909, u hapën punimet e Kongresit Kombëtar të Elbasanit. Disa ditë më vonë, dhe pikërisht më 8 shtator, gazeta “Journal d’Salonique” e cila botohej në Selanik në frëngjisht prej hebreut Levy, botonte në faqen e parë një shkrim të Mit’had Frashërit me titull “Le congres Albanais. Lettre d’Elbassan” (Kongresi Shqiptar. Letër nga Elbasani).

Mit’had Frashëri e dërgonte letrën nga Elbasani, si pjesmarrës në Kongresin e Elbasanit, në qytetin që ka hyrë në histori me thënien e Luigj Gurakuqit “Elbasani, sikundrë asht mezi i Shqypnies landore, ashtu do jetë mezi i Shqypnies mendore”.

Gjuha diplomatike e Mit’had Frashërit

Në letrën e shkurtër dhe me informacion”me pikatore” të Frashërit të bën përshtypje një shprehje “Ju thashë tashmë se Kongresi ynë është thjesht GJUHËSOR, dhe se nuk merremi me POLITIKË”. (Gërmat kapitale janë të LZ). Por, a ishte e mundur që djali i Abdylit, nipi i Samiut dhe i Naim Frashërit, i rritur në djepen dhe magjën e mbrujtjes dhe zgjimit të vetëdijës kombëtare shqiptare të mos kuptonte se Kongresi i Elbasanit nuk ishte thjesht një kongres gjuhësor, por thellësisht një vepër politike themelore e përnjehsimit (unifikimit) kombëtar shqiptar ?!

Natyrisht që biri i Avdylit, ideologut që i dha përmasën kombëtare Lidhjes së Prizrenit të vitit 1878, jo vetëm që ishte i qartë për rolin thelbësor të gjuhës shqipe në formimin arsimor të shqiptarëve por edhe një si një truall i domosdoshëm për ngritjen dhe zhvillimin e kombit shqiptar. Koha ishte e tillë, kur Xhon Turqit i zhgënjyën shpresat e shqiptarëve për më shumë liri ekonomike dhe kombëtare, duke shtypur me dhunë cdo lëvizje të shqiptarëve qoftë me karakter ekonomik, apo me karakter kombëtar, si mësimi i gjuhës shqipe etj.

Ndaj Mithadi duhej të shprehej publikisht me kujdes për karakterin dhe synimet kombëtare të Kongresit të Elbasanit të vitit 1909, për të mos acaruar pushtetin e Turqëve të rinj që po orvateshin të pengonin zgjimin e shqiptarëve, dhe për të vepruar me shpejtësi në drejtimin e zgjimit dhe përnjehsimit të kombit shqiptar, i cili me zor po dilte nga mugëtira e konstruktimit etnik ashtu siç kishin bërë kombet fqinje; serbët, grekët, bullgarët etj.

Rëndësia ekzistenciale e gjuhës për shqiptarët

Thjesht, me këto ndërmarrje politike, nacionalizmi shqiptar po bënte atë që fqinjët e kishin bërë dhjetra vite më parë; vetëidentifikimin e tyre në një njësi të veçantë kombëtare shqiptare, të dallueshme si nga kombet fqinje, ashtu edhe nga otomanët.

Nga ana tjetër, do mjaftonte vetëm fakti se, objekti kryesor i Kongresit të Elbasanit ishte gjuha dhe arsimi shqiptar, dmth çështja thelbësore e kulturës së një kombi në kushtet e shqiptarëve kishte përmasa ekzistenciale, dëshmon se ishte kuvend i nivelit me të lartë politik, sepse vetë politika kulturore e një kombi është politika e politikave të tij kombëtare dhe shtetërore.

Aq më shumë në rastin e shqiptarëve, inteligjenca politike dhe kulturore shqiptare, i “kishte borxh” rracës nga e kishte prejardhjen, zgjimin dhe formësimin e plotë të vetëdijes dhe identitetit të tyre shqiptar. Ashtu siç po bënin kombet e tjera ballkanike nën frymën e ideve të Revolucionit francez dhe të interesave të Fuqive të Mëdha në këtë pjesë të Perandorisë Otomane.

Duke qenë i bindur se në arkivat e vendeve të ndyshme, duke përfshirë edhe ato shqiptare, gjenden të pahapura thesare faktesh dhe dokumentacioni për historinë e shqiptarëve, gjithsesi edhe me ato fakte që njohim deri tani, jemi në gjendje të përvijojmë rrugëtimin e çështjes së ideologjisë kombëtare shqiptare deri në Kongresin e Elbasanit të shtatorit të 1909.

Fillesat e zgjimit të vetëdijes kombëtare shqiptare

Para afro 300 vjetësh, dhe pikërisht në vitin 1734, ishin arbërëshët e Siçilisë ata që hapën shkollën fetare shqiptaro-orodokse të Palermos, me qëllim përgatitjen e klerikëve të rinj arbërëshë, të cilët do shërbenin në kishat e Sicilisë me popullsi arbëreshe.

Themeluesi, drejtuesi dhe frymëzuesi i kësaj shkolle ishte Pader Giorgio Guzzetta. Frut i kësaj fare të mbjellë dhe të kultivur nga At Guzzetta, ishte manifesti i nxënësit dhe bashkëpuntorit të tij, Paolo Marrini, i shkruajtur në vitin 1738 me titull “De studiis necessariis ad recte instituendos SiculoAlbanensis Collegii canditatos. Oratio ad rerum albanorum studiosos” (Mbi studimet e nevojshme për formimin e duhur të kandidatëve për Kolegjin Siculo Albanensis. Një doracak për të interesuarit për çështjet shqiptare).

Që nga kjo kohë e në vazhdim, gjatë shekullit të 18-të e deri në fund të shekullit 19-të, çështja e identifikimit kombëtar të shqiptarëve u bë objekt i shumë studjuesve dhe pionerëve të idelogjisë kombëtare të shqiptarëve midis arbëreshëve të Italisë si Nicola Chetta, ish – kryeministri i Italisë Crispi, studjuesi Bidera dhe nxënësi i tij, i mirënjohuri De Rada, pastaj Dhimitër Kamarda etj.

Kjo plejadë e pionerëve të zgjimit kulturor të shqiptarëve frymëzoi me dhjetra stjudues dhe veprimtarë në Greqi, Shqipëri, Rumani Turqi etj. si edhe të huaj romantikë si grekë, gjermanë, austriakë etj.

Midis intelektualëve etnikë shqiptarë ishte konsoliduar idea se gjuha dhe arsimi shqip ishte mjeti i domosdoshëm për ngritjen e nivelit emancipues të shqiptarëve në nivelin e shoqërive të qytetëruara.

Ashtu siç shkruante Zef Jubani, “për shvillimin e shqiptarëve, duhet përkthyer në shqip kodi ligjor osman dhe të shqiptarizohej arsimi”. Dhe jo vetëm kaq, të shkruajturit dhe mësimi i gjuhës shqipe përbënin palcën kurrizore të krijesës kombëtare shqiptare.

Në këtë shtrat të konsolidimit të etnogjenezës shqiptare, përgjatë shekullit të 19-të, do të shtoheshin përrenjtë e krijimit kulturor për gjuhën dhe kulturën shqiptare, krijimet e mbi 35 alfabetëve të shqipes, përkthimet e Biblës në shqip, si ato të Anonimatit të Elbasanit, të Tedodor Haxhfilipit (Dhaskal Todri i shkolluar në Akademinë e Voskopojës), të At Grigor Gjirokastritit në Korfuz, të Naum Veqilharxhit, Zef Jubanit etj.

Viti 1879 dhe vëllezërit Frashëri

Duke e pasur të qartë domosdoshmërinë kulturore dhe kombëtare të njehsimit të alfabetit dhe të shkrimeve në gjuhën shqipe, në tetor të vitit 1879 do të themelohej në Stamboll, në shtëpinë e Abdyl Frashërit, Shoqëria e të Shtypurit të Shkronjave Shqip. Viti 1879 mendoj se është stacioni i parë i veprimit të organizuar të politikës kombëtare kulturore të shqiptarëve me Kongresin Gjuhësor të Konstandinopojës.

Historia dihet me punën e kësaj Shoqërie, si edhe përndjekjen e persekutimin e drejtuesve të saj prej pushtetit otoman. Një tjetër përpjekje e organizuar e veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare shqiptare u shënua në vitin 1898 në Bukuresht me Kongresin Kombëtar kushtuar shkollave shqipe, nga ku iu drejtua një kërkesë sulltanit për të futur “…mësimin e detyruar të gjuhës shqipe në të gjithës shkollat e Shqipërisë, pa përjashtim”.

Nuk dimë asnjë përgjigje nga pushteti Otoman, dhe nuk kishte se si, kur lexojmë se cfarë i tha Dervish Pasha sulltanit pasi u kthye nga luftimet kundra kryengritësve shqiptarë: “Nëse u lejohet shqiptarëve që të mësojnë gjuhën e tyre së bashku me të krishterët, atëherë jo vetëm shqiptarët dhe Shqipëria do t’ju shpëtojnë nga dora, por edhe Stambolli do të jetë në rrezik. Gjuha shqipe jo vetëm që nuk duhet shkruar e lexuar, por çdo kujtim i këtij kombi gjithashtu duhet të fshihet dhe të harrohet”

Nga ana tjetër e frontit, ishte Sami Frashëri, ideologu i Lëvizjes Kombëtare shqiptare që shkruante se “…edhe shqiptarët të zënë e të shkruajën e të këndojënë gjuhën e tyre që të mundinë të rujnë kombinë”.

Shqiptarët si ngërç në “Çështjen Lindore”

Çështja Lindore po kalonte në nja etapë tjetër. Pas krijimit të shteteve Serbe, Greke dhe Bullgare tani ishte shtruar për zgjidhje (apo për ta krijuar artificialisht …) çështjen maqedone.

Çështja shqiptare “ishte harruar” në sirtarët e politikave të Fuqive të Mëdha, dhe shqiptarëve nuk u kishte mbetur asgjë tjetër, përveçse të kalonin në fazën tjetër të zhvillimi të proçeseve të brendshme të konsolidimit të identitetit të tyre kombëtar nëpërmjet arsimit dhe kulturës kombëtare. Përbën temë studimi më vete fakti që zhvillimi i arsimit kombëtar, ndonëse që në fillimet e shfaqjes së lëvizjes kombëtare ishte një nga çështjet kryesore për të cilat u kujdesën frymëzuesit e saj që nga Guzzetta etj , vonoi të korrte frytet përkatëse.

Në këtë vonesë ndihmuan pengesat që vinin kryesisht nga pushteti osman dhe Patriarkana Ekumenike, por edhe një sërë dobësish të brendshme, që lidhen me realitete të formuar prej shekujsh dhe dasitë e ndryshme midis shqiptarëve në besimet e ndryshme fetare, në dialektet e ndryshme gjuhësore në trevat e tyre, sidomos ne dy grupet kryesore gegnisten dhe toskërishte, në interesat ekonomike të krerëve feudalë që e kishin lidhur ekzistencën e tyre me pushtetin otoman etj.

Kongreset si nyje të thurjes së vetëdijes shqiptare

Në këtë vorbull ciklonesh, që përplaseshin mbi Ballkan dhe kryesisht në hapësirën shqiptare, del e qartë pse zhvillimi i arsimit kombëtar shqiptar ishte në thelb dhe praktikisht një çështje politike, si kusht dhe pararendës i pavarsisë së Shqipërisë në 28 nëntor 1912.

Pas shpalljes së Hyrijetit nga Turqit e Rinj, të cilët erdhën në fuqi më së shumti me ndihmën e shqiptarëve të Kosovës u ndezën shpresat e shqiptarëve për zhvillim ekonomik por për elitën intelektuale nacionaliste kishte ardhur ora për veprime praktike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Në këtë hulli u mbajt me sukses Kongresi i Manastirit edhe pse nuk vendosi për një alfabet të vetëm, por përjashtoi alfabetet arabe dhe greke duke përcaktuar orientimin perëndimor të shqiptarëve. Një kongres i dytë u mendua të zhvillohej në Janinë, por siç duket pas ndërhyrjeve të faktorëve të jashtëm, ku pëshpëritet se luajti rol edhe Ismail Qemali, ky kongres nuk u zhvillua.

Nga ana tjetër Turqit e Rinj, ose grupimi më radikal mes tyre, të cilët në thelb nuk mendonin për liberalizimin e shoqërise multietnike osmane por turqizimin e saj tërësor, po bënin çdo përpjekje për shuarjen apo devijimin e Lëvizjes Ideologjike dhe Kulturore të Shqiptarëve.

Për këtët qëllim, menjëherë pas kongresit të Alfabetit të Manastirit të viti 1908, Turqit e Rinj mblodhën krerët e shqiptarëve të Jugut në një kuvend në një teqe bektashiane në Tepelenë në dimrin e vitit 1909. Synimi i tyre ishte që ti ti bindnin shqiptarët e Jugut që të përdornin vetëm alfabetin arab në shkrimin dhe këndimin e gjuhës shqipe. Por shqiptarët nuk i dhanë rëndësi këtij halli diplomatik të radikalëve Xhonturq, duke u interesuar vetëm për bashkimin e 4 vialjateve me popullsishqiptare në një të vetëm.

Turqit e Rinj vazdhuan përpjekjet e tyre duke zhvilluar në korrik të vitit 1909 Kongresin e Dibrës, me synim ti mbushnin mendjen shqiptarëve që të shkruanin gjuhën e tyre me alfabetin arab që ishte alfabeti i shenjët i besimit islam. Por edhe Kongres i Xhonturqve dështoi në saj të qëndrimit patriotik shqiptar të shumicës së pjesmarrësve midis të cilëve edhe përfaqsues të besimit islam të Serbëve, Bullgarëve etj.

Veç punës bindëse duke ofruar “kulaçin” e besimit fetar për të penguar zhvllimin e arsimit shqiptar sipas zgjedhjes së tyre më gjuhën dhe alfabetin latin, Turqit e Rinj përdorën edhe politikën e “kërbaçit” duke dërguar në viset shqiptare ushtrinë ndëshkuese otomane me Xhavit Pashën në krye i cili u deklaronte gazetarëve se kam ardhur të përhapur arsimin të cilin nuk e pëlqenin kosovarët dhe shqiptarët. E njëjta tezë qarkullonte edhe në politikën e jashtme britanike, si mbështetëse atëhere të Turqve të Rinj. Kur në fakt shqiptarët po bënin të kundërtën, ishin zgjuar dhe ngritur për të zhvilluar arsimin në gjuhën e tyre dhe në alfabetin latin.

Shkolla shqipe, mësonjëtore të fshehta apo Normale si ajo drejtuar nga Nikoll Naço në Rumani, ishin ngritur dhe funksionin sado mes problemeve të tyre.

Nga ana tjetër sistemi arsimor otoman i prapambetur dhe i cunguar në dije dhe i kufizuar në lëndë mësimore, nuk zhvillonte një rini të ditur dhe të emancipuar si nxënësit që dilnin nga shkollat greke apo italiane etj., në Shqipëri.

Në këto kushte, faktori shqiptar po fermentonte hapin e tij të mëtejshëm, ku sipas botimit të thirrjes së gazetës Liria të Selanikut, më 14 mars 1909 me titull “Kongres për Shkollat Shqipe”, dhe më 16 maj të apo atij viti, e njëjta gazetë, që botonte Mithat Frashëri në Selanik, lajmëronte se “është vendosur që Kongresi i Elbasanit të mbahet më 20 gusht”. Data 20 gusht me kalendarin otoman i përket datës 2 shtator.

Në këtë shkrim theksohet midis të tjerave se “Gjer më sot shqiptarët kanë bërë shumë punë veç e veç po nëse bashkohemi të gjithë, atëhere do bëjmë më shumë punë, dhe do të jemi më të fuqishëm…”.

Përzgjedhja e Elbasanit si veprim strategjik

Nuk është e rastësishme përzgjedhja e Elbasanit si vendi i mbajtjes së këtij Kongresi themelor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Edhe pse Mithat Frashëri, në shkrimin e tij për gazetën “Journal d’Salonique” përshkruan përzgjedhjen e Elbasanit si një qytet i qetë me njerëz të emnancipuar, është e qartë se kjo është gjuha diplomatike e tij përkundrejt faktorëve të jashtëm, kundërshtarë të çëshjtes shqiptare.

Për idelogogët e Lëvizjes Kombëtare shqiptare, Elbasani, qysh pas Lidhjes së Prizrenit ishte vendi i takimeve të fshehta të tyre për çështjet kombëtare shqiptare. Elbasani kishte formuar tashmë një traditë më shumë se një shekullore të veprimtarisë dhe zgjimit kulturor kombëtar shqiptar, me veprat e Teodor Haxhifilipit (Dhaskal Todri) për alfabetin gjuhën dhe arsmin shqiptar. Me dorëshkrimet e gjetura në gjuhën shqipe në Manastirin e Shën Gjonit Elbasani, me mësuesit shëtitës të gjuhës shqipe si Simon Shuteriqi, dhe Hasan Ceka, me veprat e Luterit shqiptar, Kostandin Kristoforidhi etj.

Bile në Elbasan, gjuha shqipe përdorej edhe në marrëdhëniet me shkrim të tregtarëve të qytetit.

Është për tu shënuar shprehja e Edhit Duram kur vizitoi Elbasanin se, “njerëzit e këtij qyteti kanë një prirje të lindur për të mësuar”. Gjithashtu Elbasani ishte më pak i ndikuar dhe i kontrolluar nga faktorët e jashtëm si Patriarkana e Stambollit apo edhe Austria dhe Italia.

Në politikën greke ishte konstatuar prej kohësh fakti se drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pas pengesave që po ndeshnin në Korçë, kishin përzgjedhur Elbasanin si qendër tjetër të Lëvizjes së tyre Kombëtare.

Kur u hap lajmi se me fitoren e Xhonturqve u rivendos Kushteuta me premtimin se mileti do kishte më shumë të drejta ekonomike, shoqërore dhe kulturore, në Elbasan tellall Xhepi, si agjensi e sotme lajmesh, jepte sihariqin,

– “U dha urdhër për me u këndue gjuha shqipe ashiqare”

Edhe vetëm ky fakt do të ishte i mjaftueshëm për të kuptuar të interesuarit se vetëdija shqiptare po merrte trajtë, formë dhe funksion në jetën shqiptare.

Përmasat e shumanshme të Kongresit të Elbasanit

Pa hyrë na faktet e ditura rreth pjesmarrjes së gjerë të klubeve, personaliteteve të njohura dhe të panjohura të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, po ashtu edhe mungesave të veprimtarëve të tjerë si nga Kosova dhe Vlora, apo Gjergj Fishta me veriorët e tjerë (të cilët lajmëruan se do të ishin në një mendje me vendimet e dala nga Kongresi i Elbasanit), mund të vërejmë disa kulme të këtij Kongresi.

Edhe pjesmarrja e delegatëve ishte me synim gjithëpërfshirës si gjeografik ashtu edhe fetar disa mungesa të faktorëve të tjerë shqiptarë dëshmojnë mungesën e një qendre të vetme, të pranuar nga të gjithë si drejtuese dhe koordinuese e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Megjithatë, në politikë, shpesh qëllimi justifikon mjetin, dhe ky qëllimi u arrit me ndihmën e patriotëve elbasanas si Dervish bej Biçakxhiu, Aqif Pashë Elbasani, Lef Nosi etj., të cilët jo vetëm organizuan mikpritjen e kongresistëve, por mobilizuan edhe forca të armatosuara të popullit nga Shpati, Gramshi etj., për të raujtur rendin dhe qetësinë nga kundërshtarët e Lëvizjes Shqiptare, me mercenarët e tyre shqipfolës.

Në fillim Kongresi i Elbasanit nuk u pa me ndonj rëndësi të veçantë nga mjaft të interesuar, siç shkruan edhe Gjergj Qiriazi “nuk kisha dëshirë, por në fund vendosa të shkoja me Sevastinë”, apo siç raportonte konsulli austriak se “…nuk shikonte ndonjë gjë të madhe në Kongresin e Elbasanit”. Ndoshta austriakët nuk ishin të informuar mirë për substratin dhe rëndësinë e Kongresit, ndoshta për faktin se frymëzuesi i Kongresit, Mit’had Frashëri, ishte kundër ndërhyrjeve të huaja punët e shqiptarëve, dhe sidomos të Austrisë.

Megjithatë,ashtu siç shkruan edhe Noli “Kongresi i Elbasanit i tejkaloi pritshmëritë tona”. Sepse vetë ngjarjet që pasuan Kongresin, me ngritjen e shkollës Normale të Elbasanit si e para shkollë shqiptare në Shqipëri dhe në gjuhën shqipë për përgatitjen e mësuesve shqiptarë, me hapjen e dhjetrave shkollave dhe shoqatave në gjithë trojet ku jetonin shqiptarë dëshmon fuqinë rrezatuese të Kongresit të Elbasanit.

Dhe nga ana tjetër, reagimi i faktorëve të huaj kundër kësaj lëvizjeje ishte i mënjershëm, si nga Greqia, ashtu edhe nga gazeta serbe “Vardar” e islamistëve serbë në Shkup, por sidomos nga Xhonturqit që në vitin 1910 mbyllën me vendim të gjykatës së Dibrës Normalen e Elbasanit, dhe dërguan ushtri represive në Elbasan, duke dhunuar dhe torturuar publikisht patriotët elbasanas të arsimit shqip, duke dërguar bile Lef Nosin të lidhur me zinxhirë në Ohër. Ndërsa patriotët Aqif Pash Elbasani, Dervish Biçakçiu et.,j morën arratinë në Itali.

Vendimet e Kongresit

Në datën 19 shtator të vitit 1909, Mit’had Frashëri shkruan në gazetën “Journal d’Salonique” korespodencën e tij të fundit për Kongresin e Elbasanit, duke pasqyruar të 15 vendimet e marra në atë Kongres.

Rast i rrallë që mes shqiptarëve merren me unimitet kaq shumë vendime !!!

Vendimet e Kongresit të Elbasanit pasqyrojnë,

– jo vetëm domosdoshmërinë e ngritjes së strukturës arsimore të shqiptarëve nëpërmjet gjuhës shqipe,

– jo vetëm unifikimin e përdorjes së një alfabeti, atë latin,

– jo vetëm të mësuarit në shkollat shqipe dhe ato të huaja ku do futej mësimi i gjuhës shqipe me një së njëjtit dialekt unik, atë të Elbasanit,

– jo vetëm nevojën e ngritjes së një shkolle për përgatitjen e mësuesve nga gjithë trevat shqiptare, atë të shkollës Normale të Elbasanit,

– jo vetëm nevojën e përgatitjes së një brezi të arsimuar në gjuhën shqipe të cilët do të ishin kuadrot e institucioneve të shtetit të ardhshëm shqiptar.

Por më tepër se kaq;

– në atë mugëllim të zgjimit dhe identifikimit kombëtar të shqiptarëve, Kongresi i Elbasanit do të ishte një nga shtyllat kryesore të ideologjisë dhe politikës së Lëvizjes Kombëtare në përnjehsimin kombëtar të shqiptarëve dhe në formimin e shtetit të tyre të pavarur.

*Ribotim

Filed Under: Politike

“The Dog who Couldn’t bark” and “The Daughter of the Moon and the Sun”

September 2, 2025 by s p

In conjunction with the Women’s Guild of St. Mary’s Albanian Orthodox Church, for the first time in USA the National puppet theatre of Albania in collaboration with the Theatre of Diaspora brings the magic of the stage in the Albanian language. Two special performances – The Dog who Couldn’t bark” and “The Daughter of the Moon and the Sun” will offer diaspora children ages 2-14 a unique experience filled with colors, laughter and emotions.

A meaningful step in preserving the Albanian language and culture through the art of puppetry, bringing our tradition closer to the younger generations.

Tickets are $10 per person. Half of the proceeds will be donated to the church. All children MUST be accompanied by an adult.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 186
  • 187
  • 188
  • 189
  • 190
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT