• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Akulli i ftohtë suedez nuk i fiku krijuesit mëgimtarë, përkundrazi këta pishtarë e shkrin atë dhe deborën me ngrohtësinë e shpirtit dhe ngrohtësinë e vargjeve

November 25, 2022 by s p

Nga XHAVIT ÇITAKU/

Ängelholm, 19 tetor 2022 – në kuadër të shënimit të festave të nëntorit, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar ” Papa Klementi i XI Albani”, në Engelholm të Suedisë organizoj një aktivitet të pasur kulturor, në të cilin pos  anëtarëve aktiv të saj,morën pjesë edhe një numër i madh i pjesëtarëve të komunitetit shqiptar që jetojnë sidomos në jug të këtij shteti skandinav. Tubimin e hapi Kryetari i Këshillit organizativ Robert Hoti, i cili është njeri ndër donatorët e rëndësishëm të kësaj shoqate për shumë vite. Në fillim të këtij eventi Kryetari i Shoqatës z. Hysen Ibrahimi dhe Prof. Fetah Bahtiri, nënkryetar, i njohtuan të pranishmit për takimin e zhvilluar të një delegacioni të kësaj Shoqate me udhëheqjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Tiranë, në të cilin u shkëmbyen  të dhëna lidhur me aktivitetin e begat që po zhvillojnë këto dy insitucione. Pritja ishte vërtetë vëllazërore dhe e nivelit akademk, ndërkaq Kryetari i Akademisë së Shkencave z. Skendër Gjinushi pasi e lavdëroj Shoqatën e Shkrimtarëve nga Suedia për një aktivitet të pasur që po zhvillon në fushën e krijimtarisë letrare dhe asaj atdhetare, në pika të shkurtëra këtë delegacion e njoftojë për punën e madhe që po zhvillohet nga ky institucion i lartë i dijes në të gjitha fushat të rëndësisë së veçantë për vendin. Ky takim ishte shumë i rëndësishëm edhe më kulmori nga të gjithë të tjerët dhe padyshim se është një nxitje për një aktivitet edhe më të madh në të ardhmen, tha pos tjerash z. Hysen Ibrahimi.

U përuruan 23 tituj të rinjë librash

Për shkak të pandemisë dhe pengesave tjera të arsyshme, SHSHASH “ Papa Klemendti i XI Albani” nuk kishte arritur të organizoj një tubim të veçantë ku do të përuroheshin vepra të krijuara nga anëtarët e kësaj shoqate, ndaj në këtë event u përuruan 22 tituj të rinjë librash të zhanreve të ndryshme, siç vijon: 

“Avdyl Uka hero i dëshmuar i atdheut”, autor Hysen Ibrahimi, referoi Prof. Fetah Bahtiri. “ Reflektime”, autor Prof. Fetah Bahtiri, referoi Hysen Ibrahimi. “ Unë quhem Drita”, autor Prof. Fetah Bahtiri, referoi Xhavit Çitaku. “Dardanët për Dardani”, autor Rrahman Rrahmani referoi Xhavit Çitaku. “ Parfum i përmallimit të shenjtë”, autor Remzi Basha, referoi Hysen Ibrahimi. “Dashuri e përjetshme”, autor Remzi Basha, referoi Hysen Ibrahimi. “ Zemra e zemrës sime” autor Remzi Basha referoi Hysen Ibrahimi. “ Dëshirat e dashurisë”, autor Remzi Basha referoi Hysen Ibrahimi. “ Me shpirtin në buzë”, autor Remz Basha referoi Hysen Ibrahimi. “ Dashuri e parë”, autor Remzi Basha referoi Idriz Gashi.  “ Mollë e kafshuar”, autor Idriz Gashi referoi Remzi Basha. “Dëshirë mërgimtari”, autor Idriz Gashi referoi Remzi Basha. “Ëndrra të thyera”, autor Xhavit Çitaku referoi Prof, Fetah Bahtiri. “ Figura e Skendërbeut në trashegimin shqiptare dhe të huaj”, autor Prof. Rexhep Jashari referoi Xhavit Çitaku. “Flakë”, autor Adnan Jetullahu referoi Hysen Ibrahimi. “ Nëpër Shtigjet e jetës sime”, autor Bajram Muharremi referoi Prof. Fetah Bahtiri. “Mbi krah të ëndrrës”, autor Bajram Muharremi referoi Prof. Fetah Bahtiri. “ Vlerësimet e miqve”, autor Bajram Muharremi referoi Prof.Osman Ahmetxhekaj. “ Kadri Bistrica guri i kufirit të atdheut”, autor Bajram Muharremi referoi Prof. Osman Ahmetxhekaj. “Vatër e diturisë”, autore Delvina Ibishi referoi Hysen Ibrahimi. ”Misteret e Kohës”, autore Elhame Gjyrevci referoi Mona Juniku. Do veçuar librin e dy të rejave Albina Ibrahimi dhe Teuta Zeneli i titulluar “Tryeza vegjetariane e Ballkanit”, për të cilën referoi Prof. Fetah Bahtiri.

Vlim i palcit të kulluar shqiptar

Referuesit e këtyre librave theksuan ndër të tjera se historia e popollit shqiptar është e mbushur me plot fatkeqësi të pameritura që ia vështirësuan jetën shqiptarëve. Dhe shi për këtë, për një arsye apo për një tjetër qindra mijëra shqiptarë ishin të shtrënguar që ta braktisin vendlindjen dhe ta njohin ngurtësinë e udhëve të vendeve të huaja. Mijëra sish u vendosën edhe në Suedinë e largët, të cilët fort mirë u integruan në shoqërinë e këtij shteti skandinav. Rezultetet që po i arrinë komuniteti shqiptar në të gjitha fushat e jetës dhe të punës të bëjnë krenar dhe të bëjnë të ndihesh mirë që je shqiptar. Punë të shkëlqyer po bëjnë edhe në krijimtarin letrare në zhanre të ndryshme, por, megjithatë, dominon krijimtaria poetike, në të cilën të bie në sy dhe që është shumë e çmueshme është vlimi i një palci të kulluar shqiptar në të. Zëri i këtyre krijuesve grumbullon vrullshëm ndiesinë që dojnë dhe gjejnë shprehje të menjëhershme dhe kështu qartësohet e forcohet shtjellimi i temave duke arritur sigurinë artistike. Këta autorë librash të shumtë për vite me radhë jetojnë në mërgim ndërsa në krijimtarin letrare, disa sish, si yje po shndërrisin. Pena e tyre po del sheshi që në vetmin e madhe muza e poezisë po krijon vjersha të bukura dhe të teholluara artistikisht. Këta krijues po e bëjnë punën e tyre me përkushtim dhe për dashamirët e fjalës së shkruar kanë arritur të përmbyllin një opus të lakmueshëm poetik, por edhe në prozë e zhanre tjera, dhe kësisoj duke dëshmuar aftësinë e tyre krijuese, por edhe duke befasuar me çeljen e luleve të mëdha të verës në hapësirën tonë të pasur letrare. Dhe tash këto lule kanë hapur petalet erakëndshme, dhe natyrisht që bletët dhe fluturat po sjellin puhizat e prehjes poetike dhe në këtë mënyrë lexuesit po përjetjnë këto befasi: Lexuesit do të njihen me disa poet të njëmendtë që tërë kohën shkruajnë vargje të përjetuara thellë, me përkushtim të madh pa u nxituar. Duke u nisur nga fakti se shumica e këtyre krijuesve kurrë më parë nuk e kishin shkruar një rrjesht të vetëm në fushën e krijimtarisë letrare, ata pritën derisa u poçën  mirë e mirë idetë dhe me pas si bleta punëtore iu qasën me entuziazëm të madh kësaj fushe magjike në letrat shqipe. Nga mijëra vjersha  të botuara në këta libra dominojnë vargjet për vendlindjen, atdhedashurinë, për mallengjimin, për mërgimin, dashurinë ndaj prindërve, shokëve e miqëve, bukuritë  natyrore në trungun shqiptar, dëshmorët, lirinë e fituar me gjak. Shihet qartazi nga vargjet se këta autorë vërtetë janë shkëputur me fërshkëllimë rrëqethëse nga harku i kohës, por meqë janë krijues të mirëfilltë i përballojnë me dinjitet të gjitha stuhitë e errëta të kohës. Po nga ana tjetër e thotë me urti i madhi ynë Lasgushi se: “poezia nuk duhet të flas, duhet të jetë”. Laryshia e temave është e gjerë dhe tërëheqëse. Janë poezitë për vendlindjen, për fatin e tërë një kombi, për jetën që është një tortur e madhe në mërgim, por edhe vargje për të bukurën dhe të shëmtuarën. Lexuesi në këta libra sa do të has në vargje epike  , befasisht do ta ngazëllejnë lirikat e bardha si ato rrezet e këndshme, ato rriskat magjepse mes nesh. Autorët e këtyre veprave nga kujtimet e rinisë bartin me vete dashurinë që më vonë me nder e kthejnë borxhin, duke i mbledhur me kujdes e përmallshëm në vargje. Këta autor krijojnë libra edhe të zhanreve të tjera në Suedinë e largët në mes kristaleve të deborës, sa i kemi duke medituar para valëve të liqenit të huaj, krahët e kujtimit i kthejnë në vendet e tyre të preferuara në vendlindje dhe na i dhurojnë fizionomitë e njerëzve tanë, na i dhurojnë edhe tingujt e lahutës e të çiftelisë, tinguj këta që i mbajnë gjallë poetët, prozatorët e artistët që mos t’i thithin bardhësitë e veriut dhe të akullit të ftohtë. Ky akull nuk i fiku këta pishtar, përkundrazi këta pishtarë e shkrin atë dhe deborën me ngrohtësinë e shpirtit dhe ngohtësinë e vargjeve të tyre. Ndaj, nuk është vështirë të shihet e të kuptohet se disa shprehje si bilbili, zëri dhe gjumi bartin ndjenja skofiare të buta, të përvajtshme që i veçojnë autorët me një lidhje të tyre emocionale. Dhe kësisoj, në të vërtetë, poezisë i japin një ndieshmëri artistike. Gjithsesi permes përvojes poetike dhe në përgjithësi në mjedisin ku ata jetojnë, e zgjerojnë, e pasurojnë dhe i përgjithsojnë prurjet e krijimtarisë së tyre. 

Në fushën romanteske, dramë, ese, historiografi, tregime, dokumentar etj ka pak krijues, por edhe pse të paktë ata me përkushtim po punojnë në këtë drejtim dhe ato pak vepra të botura tregojnë qartazi për një nivel të lartë artistik të tyre.  

Pjesëmarrësit e këtij aktiviteti kulturor u kënaqen me vargjet e bukura të recituara nga krijuesit entuziastë të kësaj shoqate, por edhe krijues të tjerë që kishin ardhur enkas për të garuar me vjershat e tyre në këtë orë letrare të organizuar e përgatitur mirë. Duartrokitje frenetike mori voglushja Tiara Görxhaliu, e cila recitoi për mrekulli , ndaj ajo u shpërblye me shpërblimin e veçantë të jurisë. Vendi i parë iu dha krijuesve Prof. Fetah Bahtiri dhe Bedri Paci, vendi i dytë Hysen Ibrahimi dhe Bajram Muharremi, ndërkaq vendin e tretë e ndanë Fahredin Berisha dhe Adnan Jetullahi. Shpërblimin e veçantë nga Juria e mori shkrimtarja Elhame Gjurevci, ndërsa të publikut Xhevrije Nimani dhe të rejat Albina Ibrahimi, Alketa Kajtazi dhe Donika Sallahu.

Në këtë manifestim kulturor Prof. Fetah Bahtiri, nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “Papa Klementi i XI Albani”, i njohtojë të pranishmit se nga viti i ardhshëm Juria Profesionale e formuar ditë më parë do të filloi të vlerësoj krijimtarinë e anëtarëve të saj dhe do të ndaj shpërblimin për librin më të mirë të botuar në vitin 2022. Në këtë konkurs garues mund të marrin pjesë edhe të gjithë krijuesit në të gjitha trojet etnike dhe në mërgim. Afati për t’u paraqitur është deri me 31 dhjetor të këtij viti.   

Në këtë manifestim kulturor u ndanë certifikata “Anëtar nderi” nga Shoqata Kombëtare e Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri- Itali. Këto certifikata i morën: Osman Ahmetxhekaj, Xhavit Çitaku, Remzi Basha, Iljaz Spahiu, Albert Jashari dhe Mejdi Orana me arsyetimin se si intelektualë, kontributëdhënës, humanist dhe veprimtarë të shquar dhanë shumë për arsim, për çështjen kombëtare, bashkimin kombëtar, kultivimin, ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditës shqiptare në botë dhe mbështetës të kësaj shoqate.

Punë të madhe rreth afirmimit të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI AlbanI”, Suedi (SHSHASHS), po japin edhe kameramanët Bajram e Arlind Uka, fografi Adnan Jetullahi si dhe donatori Robert Hoti, për të cilën gjë janë falënderues nga SHSHASHS.

Filed Under: Kronike Tagged With: Xhavit Citaku

Ekspozitë në Katedralen Shën Nënë Tereza në Kryeqytetin e Kosovës

November 25, 2022 by s p

Gjithsej 13 piktura origjinale të Shën Nënë Terezës nga pena e piktorit të njohur Agron Bytyçi janë shpalosur mbrëmë me rastin e hapjes së ekspozitës personale që vjen nën emërtimin “Homazh Nanës”. Të pikturuara enkas për 25-vjetorin e kalimit të saj në amshim, ato vijnë në një dimension më unik. Kësaj here, fytyra e saj e ëmbël, vihet në fokus, teksa sytë e saj portretizojnë gjithë dashuri e vuajtje.

Qendra “BogdaniPolis” fiks në orën 19:00 ka mirëpritur një numër të lartë të artdashësve, që me të vërtetë janë thelluar përbrenda secilës vepër të pranishme. Nga piktura në pikturë, këmbët e tyre bënin ecejake të ngadalshme por të duhura, në atë mënyrë që fokusi t’i dhurohej vetëm artit pamor.

Figura e Shën Nënë Terezës nuk kishte se si të nderohej më tepër, pos nga ngjyrat e ndezura të së kaltrës e bardhës. Herë në mendime, herë duke shikuar lart, por në të shumtën e rasteve, Nëna Terezë na shfaqet e buzëqeshur, ashtu siç ishte edhe përherë. Buzëqeshja e saj, që për shumë kë ka bërë dritë, dhe ende sot vazhdon të jetë simbol i paqes, mëshirës dhe dashurisë.

Disa nga këto piktura janë akoma në shitje dhe mjetet e mbledhura nga shitja kanë një përfundim humanitar. Ndërsa, disa nga to veçse qenë shitur akoma pa u bërë hapja e ekspozitës. Po ashtu, me hapjen e kësaj ekspozite janë mbyllur të gjitha aktivitet kulturore të vitit jubilar kushtuar Nënës Terezë për katedralen në Prishtinë – e tha Don Fatmir Koliqi, famullitari i Prishtinës, i cili udhëhoqi hapjen e ekspozitës.

Fjalën e parë e bëri kuratori Naser Shatrolli, i cili thotë se artisti Agron Bytyçi e ka të konceptuar lirinë brenda kufijve të arsyes së tij.

“Është një emocion i veçantë për mua në këtë rast për arsye se vetë fakti që është një ambient shumë unik ky këtu ku sot po hapen perdet e kësaj ekspozite universale të Nënë Terezës dhe një piktorit që vërtetë është i përmasave të këtilla si krijues artistik. Një piktor që nuk eksploron në rajonet e thella dhe të errëta të ndjeshmërive shpirtërore dhe që nuk është në harmoni me boshtin e tik-takeve të zemrës, ai nuk do të jetë në gjendje që të krijojë çudira në artin pamor. Ekspozita është e hapur në ambientet e Katedrales së qytetit të Prishtinës në muajt e dritave të vitit 2022 – aty ku frymon aromë biblizmi, ku merr shtrirje të çlirë arti, ashtu siç frymon jehu poetikës së Bytyçit. Madje, thellësia e mureve të Katedrales e bën më atraktive ekspozitën për publikun, është dhe jehona e kambanës me tingujt lirik të saj, ndërsa, gozhdimin e 13 – të portreteve të “Nënës Terezë” në muret e Katedrales, mbase, me këtë gjest, autori na dëfton për ndjeshmëritë e profilit të tij krijues; i përkushtuar ndaj natyrës së tematikës së zgjedhur, ndaj karakterit biblik të personazhit, dhe ndaj normave artistike në relacion me karakterin e ekspozitës”, thotë ai.

Sipas tij, formatet artistike me figurën e “Nënë Terezës” përkojnë me arkitekturën hapësinore të vendit, relievit, të stinëve, ndjeshmërive shpirtërore, të kon- traditave, dokeve, zakoneve, madje dhe rrethanave nëpër të cilat ka kaluar një mendësi e tërë ndër shekuj, duke marrë parasysh dhe luftërat e përgjakura prej të cilave kanë dalë ngjyrat ideale të piktorëve. Ai këto portretime unike me të cilat paraqitet autori para audiencës së Prishtinës, i konsideron si shenja të brendit të kutisë hermetike studimore – shkencore, me të cilat, në mendjet tona, krijohen iluzione për një botë tjetër. Andaj, edhe mesazhet që nxjerr Bytyçi nëpërmes ekspozitës, në relacion me njeriun e përgjumur, janë të balancuara gjersa domeni dashuri është duke u tkurrur nëpër xhepat e shterur të familjeve tona.

“Ai ka ndarë 13 punime për këtë ekspozitë, sigurisht që ky numër ka simbolikën biblike në vetvete – ndërlidhet me biblizimin e “darkës së fundit” vepër e Leonardo Da Vinçit, ndërsa, sentenca e kësaj ekspozite konoton me qëllimin dhe me humanizmin e autorit të ekspozitës. Parë me llupën e perspektivës pamore, portretet kanë thellësinë psikologjike, parasegjithash, kanë dhe urtësinë njerëzore, kanë maturinë filozofike, kanë vizionin hyjnor në relacion me qëllimin dhe me synimet artistike që ka për vetveten e tij dhe qëndrojnë brenda një metafore të caktuar, për të qenë më afër njeriut të mërdhirë, apo të lagur nga i ftohti dhe nga acari dimëror. Ndërsa, dashurinë për gruan e shikoj si mbështjellës të boshtit shpirtëror të njeriut, që pret me shekuj para një bredhi të 24 dhjetorit për të ndezur dritën e gëzimit të familjes së tij”, thotë Shatrolli.

Ai tutje shtron pyetjen se çfarë i bënë Luvrin, Firencen apo Romën të dallueshme, e që sipas tij janë piktorët dhe skulptorët e përmasave kolosale që vendin e tyre e kanë bërë të njohur dhe atraktive për botën turistike.

“Pra, arti e ngrit në shkallë kulturore varfërinë e një vendi të caktuar. Ngjyrat e tij prekun në damarët e gjakut të njeriut – ato kanë profil të posaçëm artistik, madje, secila prej tyre ka shenjat e gjakut dhe të gishtërinjve të tij. Krijimet e tij mund të përkthehen si mjet depërtues udhëtimi – figurativisht ato janë pasaportë për tejkalimin e kufijve të mendimit të izoluar. Kam parë filma që ju dedikohen piktorëve të zëshëm dhe që kanë punuar nëpër oborre mbretërore, kam parë dhe formate tjera kinematografike që trajtojnë piktorë që kanë vdekur për kafshatën e gojës por që nuk janë ligështuar para shkopit të pushtetit. Artisti i përmasave të Agron Bytyçit e ka të konceptuar lirinë brenda kufijve të arsyes së tij”, përfundon Shatrolli.

Ndërsa, i pranishëm qe edhe Don Lush Gjergji, i cili ka thënë se duart dhe zemra e madhe e Nënës Terezë, dëshmojnë dhe tregojnë sa përkushtim, sa dhimbje, sa vuajtje, aq edhe dashuri.

“Në një ekspozitë siç është kjo e profesorit Agron Bytyçit, dy gjëra më vinë në sy dhe më kujtohen. Në çdo portret po i hetoj këto dy elemente që i ka hetuar edhe kritika letrare në nivelin botërorë, në jetën, veprën e sidomos fytyrën e Nënës Terezë. Ato janë rrudhat e saj. Një shkrimtar dhe dijetar i madh thotë: Nëse doni ta përjetoni tokën e shenjtë, atëherë mjafton të përqendroheni në rrudhat e Nënës Terezë, se ato flasin më së miri dhe dëshmojnë shpirtin dhe zemrën e saj. Një shkrimtar dhe dijetar tjetër thotë: Nëse doni të takoheni me Nënën Terezë, edhe pas kalimit të saj në amshim, atëherë shikoni dhe shijoni fotografitë, portretet, pikturat, skulpturat e saj, por mbi të gjitha përqendrohuni në dy sytë, që janë si dy gaca të cilat ju flasin, thërrasin dhe dëshmojnë. Ju flasin sepse sytë e saj kanë parë çka ndoshta askush prej njerëzimit nuk ka parë kurrë, veshët e saj kanë dëgjuar edhe zhurmën edhe vajin edhe dhimbjen edhe pikëllimin e të varfërve. Nëna Terezë thotë se sëmundja më e rënda është vetmia. Në anën tjetër, duart dhe zemra e saj e madhe dëshmojnë dhe tregojnë sa përkushtim, sa dhimbje, sa vuajtje por edhe sa dashuri pati ajo, duke iu dhuruar atë se çfarë Zoti i kishte dhuruar asaj. Dhurimi i jetës, dashurisë dhe i paqes, prandaj nga zemra e uroj piktorin dhe skulptorin tonë tashmë të njohur, Agron Bytyçi për këtë dhuratë të madhe që na e ka bërë. Ta fiksojmë secilën pikturë sepse ato vërtetë na flasin dhe na thërrasin edhe neve që gjurmëve të saj të shkojmë”, ka thënë ai.

Kështu krejt në fund, për një fjalë rasti në këtë mbrëmje, doli edhe vetë autori i ekspozitës, Agron Bytyçi.

“Ju falënderoj secilin veç e veç që keni gjetur kohën e çmuar për të ardhur këtu në hapjen e kësaj ekspozite. Realisht unë kam goxha të vështirë të flas pas Dom Lushit e në veçanti për Nënën Terezë. Familja ime ka qenë së bashku me mua nga piktura në pikturë dhe e kemi bërë një punë të vogël për një njeri shumë të madh. E kam bezdi që ne që e bëjmë artin të flasim për artin. Andaj, ju falënderoj edhe njëherë shumë të gjithëve. Ne jemi të vegjël për Nënën Terezë të madhe”, thotë ai.

Kujtojmë se ekspozita “Homazh Nanës” e piktorit, Agron Bytyçi do të qëndrojë e hapur deri më 27 nëntor në Qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë, që gjendet në Katedralen Shën Nënë Tereza, duke filluar nga ora 09:00 – 17:30./KultPlus.com

Filed Under: Rajon

Festa e Flamurit nëpërmjet aktiviteteve interaktive mësimore në Shkollën e Trashëgimisë Shqipe “Children of the Eagle”

November 25, 2022 by s p

nga Drita Gjongecaj/

Në këtë prag feste madhore për ne shqiptarët, Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” e organizoi mësimin në mënyra të larmishme ku nxënësi është vetë epiqendra e të të mësuarit. Duke marrë pjesë në mënyrë aktive, ndërvepruese dhe praktike në aktivitete mësimore, fëmijët u angazhuan në mënyra të ndryshme, ndërsa mësuan apo shtuan njohuritë e mëparshme rreth Ditës së Pavarësisë.

Studimet në fushën e mësimdhënies dhe teknika që janë provuar si efektive në praktikë kanë treguar se nxënësit e gjuhës përfitojnë shumë nga të mësuarit ndërveprues (interaktiv). Mësimi përvetësohet më mirë dhe ruhet në kujtesën e nxënësit kur të mësuarit kombinohet me një lloj veprimi praktik apo lëvizjeje fizike. Në këtë mënyrë, në vend që të lexojnë thjesht një libër, apo të dëgjojnë mësuesin, nxënësit vënë në përdorim disa aftësi në të njëjtën kohë: të folurit, të krijuarit artistik, leximin, dëgjimin, shkrimin, etj.

Për këtë arsye, dhe për faktin se nxënës të ndryshëm kanë stil e preferenca të ndryshme, ne në Shkollën e Trashëgimisë Shqipe përfshijmë teknikat praktike të të mësuarit si një pjesë integrale e strategjisë sonë të mësimdhënies së gjuhës, historisë, dhe kulturës shqipe. Metodat progresive mësimore i ndërthurim me mësimin e drejtpërdrejtë dhe i zbatojmë ato me të gjitha grupet tona duke siguruar pjesëmarrjen e plotë të studentit.

Ja disa nga aktivitetet mësimore që ato zhvilluan në këtë vigjilje të Festës së Flamurit:

Më të vegjëlit:

*Mësuan të shprehen thjesht rreth Flamurit Kuq e Zi.

*Ngjyrosën flamurin.

*Afishuan flamujt e ngjyrosur në mur.

*Formuan mini-banderola (prenë me duart e tyre format e zemrës me fjalët “110 Vjet Shtet”; i ngjitën ato me njëra –tjetrën që të duken në të dy anët; i ngjitën në shkopin e vogël).

*Formuan byzylykë me rruaza të kuqe dhe të zeza e i vendosën ato në duart e tyre të vogla.

Grupi i II-të dhe i III-të:

*Zgjeruan njohuritë rreth Ditës së Pavarësisë dhe fjalorin përkatës.

*Shkruan fjali apo paragrafe rreth flamurit.

*Iu përgjigjën me shkrim pyetjeve të parapërgatitura në fletë pune.

*Qëndisën flamurin me duart e tyre.

Kjo lloj mësimdhënieje që kërkon përgatitje dhe përkushtim, zhvillohet nën kujdesin e Drejtueses Drita Gjongecaj, themeluese e kësaj shkolle dhe Organizatës Dy Gjuhësore dhe Kulturore Shqiptaro-Amerikane AADLC, mësueseve të talentuara, Mirjana Lukic, Life Buzhiqi, Haxhere Veseli Matoshi, Elda Cela, Majlinda Tafaj, Kristine Saliasi, dhe Arta Alibali, si dhe koordinatorit Blerim Gjocaj e ndihmësve tanë në klasa të cilët sjellin në forma krijuese dhe të larmishme krenarinë e të qenit shqiptar dhe dashurinë për mëmëdheun.

Në këto ditë festive, Shkolla e Trashëgimisë Shqipe e cila operon në Bronx, Yorktown, Yonkers, dhe Eastchester/New Rochelle u uron të gjithë shqiptarëve Gëzuar Festën e Flamurit!

Filed Under: Reportazh Tagged With: Drita Gjongecaj

ISTANBUL (1934) / KUR ZOGU FALENDERONTE MUSTAFA KEMAL ATATURKUN PËR TELEGRAMIN E NGUSHËLLIMIT ME RASTIN E NDARJES NGA JETA TË NËNËS SË TIJ

November 25, 2022 by s p



Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Nëntor 2022

“Istanbul” ka botuar, të hënën e 2 dhjetorit 1934, në ballinë, telegramin e falenderimit të mbretit Zog drejtuar askohe Mustafa Kemal Ataturkut me rastin e ndarjes nga jeta të nënës së tij Sadije (25 nëntor 1934), të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Shkëmbim telegramesh

Në përgjigje të telegramit që Presidenti i Republikës i kishte dërguar me rastin e vdekjes së nënës së tij, Mbreti Zogu i Shqipërisë sapo i ka dërguar Gazit këtë shkresë :

Shkëlqesia e Tij Kemal Ataturku

President i Republikës turke

Ankara

“Shumë i prekur nga ana e Shkëlqesisë suaj në marrjen pjesë në zinë time të madhe, ju kërkoj të pranoni falënderimet e mia më të sinqerta.”

Zogu

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

Fjala e Kryeministrit Kurti në pritjen për Ditën e Flamurit

November 25, 2022 by s p

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë, në shënim të Ditës së Flamurit:

I nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, z. Qemal Minxhozi,

E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,

I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës, z. Glauk Konjufca,

E nderuara zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme znj. Donika Gërvalla Schwarz,

Të nderuar ministra të Qeverisë e deputetë të Kuvendit,

I nderuari profesor Rexhep Qosja,

I nderuari kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Memli Krasniqi,

I nderuari kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj,

I nderuari kryetar i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama,

Shkëlqesi ambasadorë,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Ju uroj në emër të Qeverisë dhe në emrin tim personal ditën më të madhe, ditën e pavarësisë së shqiptarëve dhe themelimit të shtetit shqiptar. 110 vite më parë, pothuaj nga të gjitha trojet e populluara me shqiptarë mbërritën në Vlorë, pikërisht më 28 Nëntor, firmëtarët e pavarësisë, firmëtarët e shtetit kombëtar. Kombin e kishim deklaruar fuqishëm edhe ndërkombëtarisht në Prizren më 10 qershor 1878. Shtetin e deklaruam fuqishëm edhe ndërkombëtarisht në Vlorën e 28 Nëntorit 1912.

Sot, kjo është data më e madhe e shqiptarëve si datë e themelimit të shtetit të kombit, andaj na shërben si datë e perceptimit të thellë. Ne duhet ta shohim dhe dëgjojmë atdheun e Ismail bej Vlorës dhe Isa Boletinit, siç ata e shihnin dhe e ndjenin atë ditë. Ata deklaruan një shtet të cilin një vit më vonë fuqitë e mëdha do ta copëtonin nën presionin e perandorisë ruse dhe fuqive të vogla ballkanike. Pyetja është: sa arritën ta copëtojnë ndërgjegjen tonë kombëtare?

Ne jemi një popull historik, por jo popull historik i llojit pushtues. Sot mbajmë mbi shpinën e kombit rezultatet e epokës së pushtimeve dhe konferencave të territoreve. Por ndërgjegjja jonë nuk u ndrydh edhe kur kampi ideologjik na përfshiu dhe u përpoq të na e rrudhte vetëdijen. Muret i ngre pushtimi dhe i mban gjallë frika. Është e sigurt se muret e perandorive, muret e ideologjive, muret e pushtimeve bien kur mbahet gjallë vetëdija.

Ne nuk jemi popull historik i llojit pushtues, por jemi popull historik i llojit çlirimtar. Ajo që na lipset është një sfond botëror drejtësie. Duhet të punojmë posaçërisht për këtë.

Ne jemi popull që i admiron dhe përthith vlerat e zhvillimit shoqëror dhe politik. Prandaj edhe sot, po besoj se edhe në emrin tuaj, po shtroj pyetjen e çdo 28 nëntori:

A janë shqiptarët më të përfaqësuar në shtet?

A janë më të shprehur shoqërisht?

A janë më pjesëmarrës kulturalisht?

A janë më të dinjitetshëm ekonomikisht?

A kanë moral e vetëdije më të lartë?

A janë të faktorizuar, siç do të pyeste Arbën Xhaferi?

Me marrëveshjet tona ndërshtetërore ne po vëmë në zbatim parimet e shoqërive sociale dhe liberale demokratike, atyre vlerave që në gjysmën e shekullit të shkuar e ndërtuan Perëndimin si një bazë të shëndetshme për demokracinë. Me marrëveshjet tona ndërshtetërore ne po punojmë për integrimin evropian. Por drejtësia demokratike globale, ndjenja e lirisë gjithëpërfshirëse, pa efektin e duhur në të gjithë rruzullin, vuan po ato cilësi të atmosferës. Presionet më të larta diku sjellin stuhi. Andaj edhe dallimet e mëdha mes politikave shtetërore në vlera shoqërore e të drejta njerëzore nuk bën të tolerohen. Politika nuk mund të tejkalohet nga ekonomia, universalizimi i vlerave nuk mund t’i nënshtrohet globalizimit të ekonomisë. Ekonomia shpesh barazon pavarësisht vlerave dhe dinjitetit njerëzor. Pa vigjilencën politike, ekonomia dhe financa janë harresë. Dhe asisoj nis një epokë tjetër pushtimesh dhe muresh.

Ne do t’i japim siguri e paqe Ballkanit dhe Evropës nëse integrohemi sipas vështrimit të Ismail Vlorës dhe bashkëfirmëtarëve të tij. Nëse Kosova mbërrin synimin e saj të anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, shqiptarët do të jenë edhe më të integruar në vlerat e demokracisë perëndimore. Sepse ne besojmë në këto vlera, por për këtë arsye duhet të jemi më të zëshëm, më të njëzëshëm. Çdo 28 Nëntor duhet të masim bashkërisht cilësinë dhe forcën e këtij zëri.

Një shekull më parë ishim të qartë mbi atë çka na duhej. Sot jemi jo vetëm të qartë, por kemi edhe forcën shtetërore të bëjmë gjithçka për të mos toleruar rikthimin e praktikave të pushtimeve dhe pretendimeve territoriale. Në një shekull të drejtësisë botërore, popull historik nuk duhet të jetë më ai që pushton, por ai shtet që mbron aktivisht të drejtat e njeriut, pluralizmin politik dhe barazinë mes njerëzve.

Edhe diçka. Mos të harrojmë se historia shkruhet në vetën e parë kolektive në vetën e parë shumës, por se duhet të lexohet në vetën e parë individuale, në vetën e parë njëjës. Si popull historik i drejtë, ne e kemi një maksimë që prej Rilindjes së Sami Frashërit: një shtet që nuk e respekton përmasën e vet kombëtare, nuk mund ta sigurojë lulëzimin e vet shoqëror. Kjo maksimë duhet të jetë vazhdimisht në qendër të integrimit tonë shqiptar dhe të integrimit evropian e euroatlantik.

Edhe një herë ju uroj ditën më të madhe shtetërore të Kombit.

Gëzuar 28 Nëntori!

Filed Under: Politike Tagged With: Albin Kurti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1954
  • 1955
  • 1956
  • 1957
  • 1958
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT