• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Vatra” apel ndaj SHBA dhe vendeve anëtare të QUINT: Lista Serbe, lidhje të rrezikshme me struktura kriminale dhe terroriste*

August 23, 2025 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA”, në emër të bashkësisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në mbrojtje të vlerave demokratike, shpreh shqetësimin më të thellë lidhur me zhvillimet destabilizuese që po vijnë nga strukturat politike dhe kriminale të lidhura me Listën Serbe në Kosovë.

Ka indikacione të mjaftueshme që aludojnë dhe lidhin drejtuesit e Listës Serbe me grupe kriminale dhe terroriste të drejtuara nga Milan Radoiçiq – i njohur për aktivitetet e tij të dhunshme dhe të rrezikshme në veri të Kosovës dhe më gjerë.

Këto burime tregojnë shumë qartë lidhjen e Listës Serbe me këto grupe kriminale që kanë për qëllim destabilizimin e veriut dhe se nuk përfaqësojnë aspak interesat e komunitetit serb në Kosovë, por përkundrazi, dëmtojnë integrimin e tyre në institucionet demokratike të Republikës së Kosovës.

Për më tepër, këto veprime kriminale dhe bashkëpunime të fshehta përkojnë me axhendat destabilizuese të Beogradit zyrtar dhe aleatëve të tij, përfshirë Federatën Ruse, që vazhdojnë të investojnë në tensionimin e situatës në Ballkanin Perëndimor me qëllim sabotimin e paqes, sigurisë dhe integrimeve euroatlantike.

Në këtë kontekst, Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” i bën thirrje të drejtpërdrejtë Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe vendeve anëtare të QUINT-it (SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia), që të trajtojnë me prioritet këtë çështje jetike për stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit. Është jetike që Lista Serbe dhe lidershipi i saj aktual të hetohen seriozisht dhe në mënyrë të pavarur për bashkëpunim me grupet kriminale dhe terroriste.

Po ashtu, apelojmë që ndaj çdo aktori politik që bashkëpunon me strukturat kriminale dhe saboton funksionimin e shtetit të Kosovës të merren masa të qarta politike dhe ligjore, përfshirë sanksione të drejtpërdrejta dhe ndalim të përfshirjes në institucionet demokratike të Kosovës.

Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm si shtet demokratik dhe multietnik, me mbështetjen e fuqishme të SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë. Kjo arritje nuk duhet të komprometohet nga elementë të cilët përdorin mjetet e dhunës, shantazhit dhe krimit për të përçarë qytetarët dhe për të minuar themelet e shtetësisë.

Në emër të diasporës shqiptare në SHBA dhe më gjerë, ritheksojmë përkushtimin tonë për një Kosovë të sigurtë, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse – ku të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, të jetojnë me dinjitet, barazi dhe nën sundimin e ligjit.

Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”

Dr. Elmi Berisha

*Ripostim.

Filed Under: Politike

Prof. Shefkije Islamaj, metafora e gjallë e shpirtit të gjuhës dhe poezisë

August 22, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Për profesore Shefkije Islamaj kisha dëgjuar të flitej nga profesori im i stilistikës në fakultet, Xhevat Lloshi, qysh nga mesi i viteve ’80. Prof. Xhevati thoshte shpesh gjatë leksioneve: “Shefkije Islamaj ka një numër aq të pasur ndihmesash në fushën e stilistikës së shqipes; ajo është sot studiuesja më e shquar e kësaj disipline. Mjafton për këtë të shihen vetëm librat, artikujt dhe recensionet që ka botuar, të cilat qoftë nga numri, janë më shumë sesa të çdo autori tjetër.”

Ky vlerësim i profesorit tonë të shquar për një profesore tjetër të shquar të Kosovës, duhet të evokohet sot, në kontekstin e moskomunikimit të kënaqshëm kulturor, shkencor dhe albanologjik, të të dy pjesëve të të njëjtit komb, dhe kur intelektualofobia është në rendin e ditës. Profesorë të tillë, janë ndërgjegjia e shqiptarëve, alter egoja e popullit tonë, që dinë të konstruktojnë optimizmin etik dhe shkencor, të besojnë te fuqia e talenteve kombëtare. Dihet që intelektualët e mëdhenj nuk bëhen me dekrete dhe as me gradime oborri. Ata janë të tillë, sepse u bënë të tillë, ata janë të veçantë sepse u shquan, u vunë në reliev, me anë të një pune dhe një vullneti të pazakontë, me anë të talentit të tyre të jashtëzakonshëm. Ndaj duhet t’i nderojmë pa fund intelektualët dhe studiuesit tanë të mëdhenj. Një popull që nuk nderon intelektualët, ka vetëvrarë të ardhmen e vet.

Tash vonë jam njohur me biografinë e plotë studimore shkencore, hulumtuese dhe krijuese të Prof. Shefkije Islamajt, kryeredaktore e revistès shkencore tè Institutit Albanologjik “Gjurmime Albanologjike”, jo vetëm gjuhëtare e mirënjohur dhe studiuese në fushën e stilistikës, estetikès sè gjuhès dhe ligjèrimit, por edhe një studiuese par excellence e letërsisë, me dhjetra tituj studimorë në lëmë të gjuhës e stilit të shkrimtarëve, si:

1. Çështje të sinonimeve në gjuhën shqip. Monografi, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1985, 145 faqe.

2. Fjalor i fjalëve të huaja (bashkautore), Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1987, 667 faqe.

3. Gjuha dhe stili i Jakov Xoxës. Monografi, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2000, 420 faqe.

4. Kultura gjuhësore dhe përdorimi estetik i gjuhës. Përmbledhje studimesh e trajtesash, ”Toena”, Tiranë, 2002, 440 faqe.

5. Gjuha, ligjërimi dhe fjala. Përmbledhje studimesh e trajtesash, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2004, 300 faqe.

6. Gjuha dhe identiteti. Përmbledhje studimesh e trajtesash, ”Toena”, Tiranë, 2008, 333 faqe. Libri ka fituar më 2008 Çmimin ”Pjetër Bogdani” të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës si vepra më e mirë e vitit në të gjitha zhanret.

7. Gjergj Fishta, Gjuha dhe stili. Monografi, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2012, 528 faqe.

8. Gjuha – teksti dhe konteksti, Përmbledhje studimesh e trajtesash, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2015, 370 faqe.

9. Studimi për stilistikën e veprave të Rexhep Qosjes, me titull “Ligjërimi, gjuha dhe stili në krijimtainë letare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qoses”.

Intelektualët nuk janë mbinjerëz, ata identifikohen pikërisht si njerëz të vërtetë , synojnë të arrijnë në brendësinë e njeriut dhe jo të dalin jashtë tij.

Në veprimtarinë e gjerë studimore të prof. Shefkijes ndërhyn papritur arti. Nè vitin 2004 profesore Islamaj ka botuar nje roman me titull “Mos më thuaj se më ke parë ëndërr”, (Shtepia Botuese Toena), por jam befasur, sinqerisht, kur kohët e fundit më ranë në dorë disa krijime poetike të saj, të botuara te “ExLibris” dhe organe tè tjera.

Thuhet që fjalët janë metafora të mendimeve, që gjuhët fonetike janë metafora të veçanta të shpirtit të popujve. Por prof. Shefkija, në këtë rast, mund të cilësohet metafora e gjallë e vetëvetes dhe e të tjerëve. E shpirtit të gjuhës dhe e poezisë.

Ajo vjen me vargje plot sinqeritet dhe spontanitet, si pranim i të thjeshtës dhe njerëzores, që shprehin qëndrime dhe gjendje ekzistenciale, me prirje të theksuar drejt meditimit dhe larg patetizmit.

“Sot më janë reshur kujtimet e s’më zë vendi vend/ pa kusht dorëzohem me zemër, me fjalë e kuvend”, thotë autorja në poezinë “Valë kujtimesh”.

Prof. Islamaj shfaq një frymë romantizmi dhe në disa poezi të kujton lirikën e Naimit:

“Drita e nurit tënd zgjon smirën e shtojzovalleve/

Zemra jote zbut rrëke lumi që derdhen maleve”.

(Rinës sime)

Poezi të tilla mund të quhen pa frikë edhe poezi të imazhit, sepse të përcjellin menjëherë në përfytyrim një pamje. Elementët e natyrës që përzgjidhen nga autorja jepen për t’iu përshtatur gjendjes shpirtërore të përshkuar nga ekzaltimi e admirimi. Kjo shkrirje veprimesh e elementësh krijon harmoninë e përgjithshme të pamjes, të cilën duket sikur lexuesi dhe poetja e kundrojnë duke qëndruar diku palëvizshëm:

“Sot kujtimet më shtegtuan te sofra e nanës në një të diel,

te djathi i njomë, qepa e re e qumështi i deles i sapomjel‘.

Në dhomën dritëpakë ndjeva erën e mokthit varur n’mur,

pashë edhe kullën e gjyshit, nga ai endur e gdhendur, me gur’.

Sot iu dorëzova dhembjes, mallit e kujtimeve plot jetë e mirësi,

dhe “fajin” ia lashë lotëve që m’rrodhën dhe ditës me re e shi.

Ktheva dhe kokën kah shpati majë fshati me shumë shpirtësi,

ku mes qetësisë e flladit pushojnë e dritësohen prindërit e mi”.

(Mall)

E veçanta e poezisë së Islamajt është se, edhe pse elementët natyrorë me të cilët mbushet janë konsumuar në përdorim të shumtë nga poetja, ato ruajnë vlerën e një përdorimi të natyrshëm.

Në disa poezi të tjera elemente natyrorë si retë, ngjyrat, lulet, etj. përdoren dendur në funksion të metaforës, ndonjëherë dhe të shpirtëzimit:

“Ballë meje, tej mbi pullazet harkore e të kuqe

retë ngjyrë koralesh luajnë me naze e huqe

E bardha dhe e hirta këmbehen lehtë e shpejt

ndërrojnë ngjyrë e përndahen sikur mbi det”.

(Duke pritur shiun)

Në shumë poezi të tjera autorja thuajse shkëputet prej elementeve natyrorë e kozmikë , prej natyrës së saj romantike, duke bërë një hap cilësor stilistik, duke transmetuar ndjesi që janë larg ngazëllimt dhe duke medituar përmes vargjeve, që autorja i quan “aforistikë ”.

“Vjen një kohë kur e kupton

Se heshtja e të vdekurit godet

Më fort se fjala e të gjallit kur flet”

(Vjen një kohë )

“Kanë thë në se

Fjala ka zjarrin e vet, ruaje mos fiket

Po u shua një herë vështirë rilind e ndizet.

Mbetet përherë veç fjala që nuk thuhet

Për t’treguar se është e jona e në ne ruhet”

(Fjala)

Gjith poezia e Shefkije Islamajt mund të lexohet si një energji pozitive, si një vetperceptim ekzistencial, që vjen prej dëshirës dhe përjetimeve personale, për të sjellë ngjyra të kthjellëta gë zimi dhe ndryshimi.

“Më thuaj

nanë, kur më solle në këtë jetë, a hoqe shumë,

a shtere kroje e puse pikë më pikë deri në fund?

A çave mure, a grithe tokë kur dola n’dritë unë,

apo shembe kodra, shkëmbinj e trande katund?”

(Çast malli)

Vargje e saj të rregullta dhe rimat, shpesh herë të puthura, por edhe strukturat polistrofike të poezisë dhe renditjet enumerative, duhen parë në funksion të kuptimit, dhe mendoj se janë përdorur për të rritur emocionalitetin. Në hijeshinë e natyrshme të një leksiku të zakonshëm, por të pasur dhe të zgjedhur me sqimë, poetja ka shfrytëzuar bukur mirë edhe mjetet e fonetikës poetike, për t’i dhënë emocion përfytyrimit, duke përcjellë te lexuesi mahnitjen për vlerën e të thjeshtave, paganizmin modern, njerëzit, pemët, lulet, yjet, qiellin, retë, me një prapavijë të mendimit filozofik.

Filed Under: Sofra Poetike

Shën Mërkuri i Arbërve dhe memoria historike e stratiotëve arbër në Europë

August 22, 2025 by s p

Dorian Koçi/

Në memorien historike dhe fetare të arbërve të hershëm në diasporë, një vend të veçantë zë figura e Shën Mërkurit. Ndërsa sot emri i këtij shenjti nuk gjendet shpesh ndër arbërit dhe kisha të kushtuara atij janë të pakta në Greqi dhe në hapësirat ku u shpërngulën arbërit, në shekujt XV–XVI kultit të tij i jepej një rëndësi e madhe. Aristidh Kolia, studiues i arbërëve të Greqisë , ka shkruar se para vitit 1821, kur Shën Gjergji u bë shenjt mbrojtës i revolucionit grek dhe më pas edhe i shtetit grek, popullsia arvanitase kishte për shenjtor mbrojtës Shën Mërkurin. Ky kult lidhej ngushtë me natyrën luftëtare të arbërve dhe të stratiotëve shqiptarë, të cilët shihnin tek Shën Mërkuri figurën e shenjtorit të ushtarit dhe të fitimtarit në betejë.

Një dëshmi e qartë e këtij kulti është përhapja e emrit Mërkur ndër shqiptarët e jugut dhe sidomos ndër arvanitasit. Një nga figurat më të njohura që mban këtë emër është Mërkur Bua Shpata, një nga stratiotët më të shquar shqiptarë të shekullit XV–XVI. Ky emër, i lidhur me kultin e shenjtorit, bartte jo vetëm simbolikën e besimit të krishterë, por edhe një dimension identitar luftarak, duke i dhënë bartësit të emrit një status të lidhur me traditën e fitimtarëve dhe mbrojtësve të besës.

Figura e Mërkur Buas është një nga dëshmitë më të qarta të lidhjes ndërmjet kultit të Shën Mërkurit dhe identitetit luftarak arbëror. Bua ishte komandant i 300 stratiotëve arbër dhe shërbeu në ushtritë më të fuqishme të Evropës. Ai luftoi për perandorin gjerman Maksimiliani I, për Luigjin XII të Francës, për Venedikun, dhe mori pjesë në betejat më të rëndësishme të kohës. Në betejën e Marinjanit (1515), ku përballeshin ushtritë franceze dhe zvicerane, shqiptarët e komanduar nga ai tronditën rendin luftarak të 40 mijë zviceranëve, duke i detyruar të tërhiqeshin. Kronikat evropiane e shënojnë këtë betejë si “fitoren e gjigantëve”, ku 300 kalorës shqiptarë u dukën si një ushtri e tërë.

Historiani dhe poeti Koroneo me gjasë nfa arbërit e Greqisë shkruante për të se ishte pasardhës i Pirros së Epirit, Akilit, Eneas dhe Aleksandrit të Madh – një hiperbolë që dëshmon respektin dhe famën e jashtëzakonshme të këtij luftëtari arbër. Në betejën e Pavias (1525), edhe pse u gjend përballë ish-aleatit të tij, Mbretit Françesk I të Francës, Bua tregoi madhështi të rrallë: kur mbreti francez u mund dhe ra rob, mercenarët katalanas deshën ta vrisnin, por Mërkur Bua ndërhyri dhe ia shpëtoi jetën, duke i dhënë nderimet e një sovrani. Ky gjest përputhej me idealin e Shën Mërkurit luftëtar e të drejtë, duke treguar se për arbërit lufta kishte jo vetëm dimension ushtarak, por edhe etik e shpirtëror.

Aristidh Kolia thekson se kulti i Shën Mërkurit ndër arbërit lidhej me rolet e tyre si ushtarë të diasporës, si stratiotë në Itali, Dalmaci, Francë, Austri, Flandër, Spanjë dhe Prusi. Shën Mërkuri shihej si mbrojtës i jetës së tyre të pasigurt, si garant i fitores dhe i nderit në betejë. Kjo është arsyeja pse emri i tij u bë i zakonshëm dhe pse kisha të shumta në atë kohë i kushtoheshin atij. Fatkeqësisht, me kalimin e shekujve dhe me ndërrimin e prioriteteve të kultit fetar në Greqi, ky shenjt u zhduk pothuajse nga kujtesa kolektive. Sot vetëm rrëfimet historike dhe disa emra të mbetur në gjenealogji e dëshmojnë këtë lidhje të hershme.

Një element i rëndësishëm simbolik është edhe flamuri i dhuruar Mërkur Buas nga perandori Maksimiliani I në vitin 1510, ku përfaqësohej një shqiponjë e zezë dykrenare – simbol tipik i trashëgimisë bizantino-arbëre – dhe shenja heraldike të Dukatit të Burgonjës. Ky flamur është një dëshmi e ndërthurjes së elementit arbër me traditën evropiane, duke treguar se stratiotët shqiptarë nuk humbnin kurrë identitetin e tyre.

Kulti i Shën Mërkurit dhe figura e Mërkur Buas janë pjesë e një trashëgimie të pasur, ku historia, feja dhe identiteti arbëror përzihen në një rrëfim të fuqishëm. Shën Mërkuri si mbrojtës i arbërve, përpara se Shën Gjergji të bëhej shenjt mbrojtës i Greqisë, përfaqëson një shtresë të thellë të kulturës së diasporës shqiptare dhe të rolit të saj ushtarak në Evropë. Figura e Mërkur Buas, nga ana tjetër, mishëron idealet e shenjtorit: trimëri, besnikëri, nder dhe madhështi. Kjo lidhje e veçantë tregon se arbërit, kudo që luftuan, ruajtën jo vetëm armët dhe zakonet e tyre, por edhe një dimension shpirtëror të trashëgimisë së tyre, duke mbetur të pandashëm nga rrënjët e tyre.

Filed Under: Histori

“Journey of faith”

August 22, 2025 by s p

The people of Kosova hold dear the principles of compassion, service, and steadfast faith—values exemplified in the life and work of Mother Teresa. Her time in Kosova, particularly during her youth, was both spiritually significant and deeply formative. It was during one of her visits there that she received her calling, setting her on a path that would go on to inspire the world. The upcoming performance on September 6 at the Music Center at Strathmore, Journey of Faith: A Musical Tribute to Mother Teresa, honors not only her legacy but also the universal call to serve with dignity and purpose. I commend this initiative and invite all who attend to reflect on the enduring power of these ideals.

His Excellency Ilir Dugolli, Ambassador of the Republic of Kosovo in Washington, D.C.

👉For more information on this event, visit: https://www.strathmore.org/…/journey-of-faith-a…/

Filed Under: Reportazh

REGJISORI BESIM SAHATÇIU I RINGJALLUR NGA PENA E KOPI KYÇYKUT

August 22, 2025 by s p

SHPENDI TOPOLLAJ/

Shumë vite më parë, atëherë kur njeriu te ne fshihej edhe nga vetja, ashtu si vjedhurazi, pata parë në një stacion televiziv jugosllav, një film që më tronditi. Më tronditi dhe më la mbresa të pashlyera. Quhej “Era dhe lisi” dhe fliste me vërtetësi rrëqethëse dhe një guxim të pabesuar për fatin e shqiptarëve atje. Veç kësaj, ishte dhe loja e mahnitshme e aktorëve dhe sidomos atij kryesorit, Abdurrahman Shalës, portretin dhe karakterin artistik të të cilit do ta kishin zili edhe ata në Hollivud. Po asnjëherë nuk e mësova se cila qe ajo dorë që i kishte përzgjedhur këta aktorë virtuozë dhe ajo mendje që e kishte realizuar këtë film, që jo vetëm i bënte nder Kosovës, por dhe tregonte se ç`forcë krijuese kishin intelektualët e saj, pa harruar të përbotshmin Bekim Fehmiu. Por ja si është jeta; miku im i shtrenjtë, akademiku Kopi Kyçyku, ai i dituri, energjiku, shoqërori, tokësori e prodhimtari i rrallë, ma shuajti kureshtjen, duke më dhuruar librin – album të tij “Besim Sahatçiu – një jetë për ekranin dhe skenën”. Këtu zbulova regjisorin enigmatik të atij filmit mbresëlënës, por dhe gjeta një figurë poliedrike që gjithë talentin dhe aftësitë e tij profesionale i vuri në shërbim të vendit të tij fatkeq. Përherë kam menduar se pas luftës çlirimtare në Kosovë, e cila kushtoi jetën e mijra e mijra njerëzve të pafajshëm, të paktën shkëmbimet kulturore, pra ato shpirtërore, mes dy vendeve të ndara poshtërsisht, do intensifikoheshin. Por kurrë nuk e kuptova apatinë zyrtare për të dhënë e marrë në këtë drejtim, pra për ta mbajtur të ndezur zjarrin e njohjes dhe dashurisë mes vëllezërve dhe motrave të të njëjtit gjak, të të njëjtës histori dhe të të njëjtit fat. Ja pse duhet nxitur, inkurajuar, përkrahur dhe përshëndetur çdo nismë e marrë, çdo përpjekje e bërë, çdo veprimtari e realizuar në këtë drejtim, për të cilin nuk ke pse i merr dorën askujt. Kjo nuk ka të bëjë me atë paralajmërimin e Markezit se “Ekzaltimet nacionaliste verbojnë zgjuarsinë.” Përkundrazi, duke njohur më mirë njëri – tjetrin, ne do të bëhemi edhe më të mençur. Ja pse, ky libër i autorit Kopi Kyçyku merr një vlerë të veçantë, pasi u shkrua dhe botua në kohën kur kemi më shumë nevojë. Dhe si është shkruar. Ashtu siç di ky burrë i mençur, ky atdhetar i palëkundur, ky intelektual i përmasave evropiane. Miku i Besimit, Prof. dr. Akil Koçi në parathënien e tij të mrekullueshme ka thënë se ky autor, përveçse e ka shkruar këtë libër me ngrohtësi, me gjuhë të pastër e lakonike, me stil të rrjedhshëm e sidomos plot me vërtetësi, na e paraqet edhe “Si soditje, si reflektim dhe si komunikim …  aqsa ngjason me një refren të madh e të fuqishëm, si metamorfozë e përjetshme, si këngë e universeve, si një qenie ndijimi që nuk shter, si një muzikë e këndshme, që na sjell një doktrinë të mahnitshme, frymëzuese, optimiste.” I gjithë libri, që nga faqja e parë e deri në fund, nuk është thjesht një monografi e rëndomtë, nga ato që lindi, jetoi dhe vdiq, por një trajtesë plot vlera sociale, politike, profesionale e deri filozofike që na jep jo thjesht formimin dhe veprën e një njeriu të përmasave të pazakonta si Besim Sahatçiu, por edhe një himn për atë që gjithë mundësitë e tij, e deri shpirtin e papërlyer ja dhuron si një detyrim moral popullit të vet e çështjes madhore të tij. Kopi, me të drejtë e quan Besimin korife. Po, i tillë del ai në këtë jetëshkrim të një lloji krejt të ri. I bukur në të parë, i ëmbël, i urtë, i mbushur me vullnet, përherë i menduar dhe me një shikim të tretur larg e plot dritë, ai kuptohet lehtësisht se ka vetëm një preokupim: si të arrijë më të mirën. Dhe jo vetëm kaq; por si ta ngrejë nivelin atje ku nuk e ka çuar kush, atje ku me përparimet e sotme ka mbërritur arti skenik evropian, i cili asnjëherë nuk lë jashtë vëmendjes tragjikët e lashtë apo Shekspirin. Dhe është i bindur se kësaj i paraprin dija e kultura. Jo pa qëllim, ai vetë, pasi evokon Pushkinin i cili qysh atëherë çuditej me “Revizorin” e Gogolit: “Si është e mundur që me aq zotësi të deshifrohet njeriu dhe të paraqitet sakaq i tëri, vetëm me ca vija, si të ishte i gjallë?” dhe bashkëkohësin, historianin e artit d`Amiko që thosh: “Suksesi i Revizorit qe tejet i madh në kohën e vet, por mbeti i këtillë edhe pas një shekulli…”, shton nga ana e tij se këtej u nisëm edhe ta inskenojmë për herë të parë në skenën tonë të re… Prandaj shpresojmë se jemi në shërbim të tij (Gogolit) dhe të publikut tonë. Dhe në vazhdim të këtij qëndrimi, Besimi, kur vjen fjala tek aktori, mendonte se “Mbresat nuk kanë të bëjnë me doemos me përmasat e rolit, ngaqë bëhet fjalë që cilido aktor të jetë në gjendje, në vetëm disa çaste, të krijojë një imazh aq mprehtësisht të ngjizur, aq thellësisht të përcaktuar për mendjen dhe shpirtin, saqë më tej të mos ndahet për vite me radhë nga mendja.” Duhet pranuar se Besim Sahatçiu, krahas të qenit njeri i veprimit, pra një organizator mjaft i aftë për të përgatitur një pjesë për teatër apo film, ishte në radhë të parë një njohës i thellë i të fshehtave të këtij arti, pra ai ishte një teoricien në kuptimin e plotë të fjalës. Dhe për këtë të vërtetë, askush tjetër më mirë se enciklopedia e gjallë Kopi Kyçyku, nuk mund të na bindë. Besimi i provoi të dy ekranet dhe skenën e teatrit me sukses, brenda atyre mundësive që kishte Kosova. Madje, ai edhe guxoi t`i maste forcat me dinjitet nëpër tridhjetepesë festivale të ndryshme me të huajt, si në Itali, Portugali, Spanjë, Poloni, Turqi, Siri, Kroaci, Tiranë etj. Mësimet e Akademisë së Arteve në Zagreb, djalit nga Peja e mahnitshme e plot virtyte, i kishin vlejtur shumë, por ai nuk iu nda asnjëherë studimit, çka e dëshmon dhe biblioteka e tij e pasur, dhe sidomos shkëmbimit të mendimeve me njerëzit e shquar të letrave dhe artit në Kosovë. Ai e kishte kuptuar dhe e zbatoi në jetë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë e të sinqertë me ta. Me shokët e miqtë që i donte aq shumë, ai u soll si Akati i Virgjilit tek “Eneida”. Por Atropoja, të cilës i bindej edhe vetë Zeusi e preu fatalisht fillin e jetës së tij, atje ku e kishte paracaktuar motra e saj e vogël Klotoja. Ditën që ai u mbulua me dheun e lirë të vendlindjes, Parajsa u lumturua, por arti dhe kultura u zhytën në zi e trishtim. Për gruan e tij Besa, koha e Astirias perëndoi. Tani ajo mund të përsëriste fjalët e Tarita Teripaiës për vdekjen e Marlon Brandos “Dhe tani, do të përpiqem të pranoj atë që është jeta ime pa të.” Do ngushëllohesh vetëm me djemtë e mirë, Besnikun dhe Bekimin dhe sidomos me Rita Orën, mbesën e saj që po nderon me talentin e spikatur si këngëtare, jo vetëm Kosovën, por mbarë Shqipërinë, të cilën ka treguar se e ka në zemër. Rita Orën e cila përherë e kujton gjyshin e saj flokëbardhë: “Më mungon gjysh… / Të dua shumë…/ Ti më bëre të besoj se kjo është e mundshme. / Ti besove tek unë para se unë vetë / të besoja në veten time. / Të do Rita Pita!” Kosova, pa tjetër do të krenohet gjatë me një artist si ai, i cili me atë që realizoi i bashkangjitet pa asnjë mëdyshje kolosëve të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, dhe që i dha përgjigjen e merituar shpifjeve dhe fyerjeve të shovenëve si Miodrag Bullatoviqi te libri i tij “Njerëzit me katër gishta”. Kurse ne në Shqipëri e kemi për detyrë ta kujtojmë këtë njeri duke shfaqur filmat e tij “Tre vetë kapëcejnë malin”, “Pasqyra”, “Përroi vërshues”, “Pehlivanët”, “Bukë e kripë e zemër”, “117” që e kanë quajtur “portret shpirtëror të popullit tonë”, dhe sidomos “Era dhe Lisi” që më kishte mbetur aq gjatë në mendje dhe nuk dija asgjë për regjisorin e saj. Por që tani ma tregoi kaq thjeshtë dhe madhërishëm njëkohësisht, miku im i mirë Kopi Kyçyku.  

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 205
  • 206
  • 207
  • 208
  • 209
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT