• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZJARRE APOKALIPTIKE NË BOTËN SHQIPTARE

August 21, 2025 by s p

Xhelal Zejneli/

Zjarrfikës, ju heronj të luftës  me flakët, e gëzoni respektin e thellë të kombit!

Krahas investimeve në mbrojtje nga rreziku rus, Evropa duhet të përgatitet edhe për luftë kundër zjarreve. Këtë ia imponojnë ndryshimet klimatike. Evropa Jugore në flakë. Zjarret përfshijnë vende të rajonit mesdhetar, si Qiproja, Greqia, Turqia, Spanja, Portugalia, Franca, Italia. Flakë dhe tym të zi kemi në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Bullgari etj. Zjarr dhe erëra të forta. Mesdheu përballet me temperatura të larta që arrijnë deri në 45°C.     

   Shqipëria në luftë me zjarret. Atdheu nën flakë. Mëmëdheu digjej. Situatë dramatike e shkaktuar nga zjarret, situatë alarmante. Tokë e djegur, shtëpi të shkrumbuara. Gjendja përkeqësohej nga erërat e forta dhe nga temperaturat e larta. Zjarri nuk kurseu natyrën, jetën, kafshët. Zjarri la pas një peizazh të djegur. Zjarrfikësit në luftë me flakët. Krahas tyre, në këtë luftë janë përfshirë edhe njësi të forcave të armatosura, njësi të policisë, por edhe vullnetarë. Digjen pyje, kodra, zabele, gërxhe, bjeshkë, kullota, stane, pisha, ullishte, pemë frutore, koshere bletësh, bletë, stalla, shtëpi, një kishë, vreshta, rrjet ujësjellësi, bimësi, bimë foragjere, ushqime rezerve për kafshët. Janë djegur rreth 4 mijë kafshë shtëpiake – bagëti e imët, grigja (tufa dhensh, kope), derra, bagëti e trashë, lopë, viça, mëzetër, qe, gomarë, kuaj. Është djegur flora, fauna, kafshë të egra, shpesë, thëllëza, zogj, kunadhe (shqartha), kaproj, dhi të egra, lepuj, ketra, mace të egra, këlyshë, derra të egër, arinj, dhelpra, ujqër, habitate, etj.; asfiksim nga tymi, një viktimë. Të mos vijë puna të përflaken edhe kreshtat, vendbanime të shqiponjës, simbolit të shqiptarisë. Shqiponja, kjo sundimtare e qiellit!  

Për pësimin e bagëtisë, përkatësisht të kafshëve të pyllit, duhet të reagojnë edhe shoqatat e mbrojtjes së kafshëve. Duhet të ndalohet ruajtja e bagëtisë nëpër zona të cilat potencialisht rrezikohen prej zjarreve. Shfrytëzoje kalin apo gomarin vite me radhë nëpër terrene të vështira kreshtash dhe katundesh, që në fund të digjen të gjalla. Mili lopët dhe delet vite me radhë që edhe ato më në fund të përzhiten të gjalla. Klithmat e dhimbshme të tyre duhet të trazojnë ndërgjegjen e shoqërisë!    

Për fat të keq, në këtë pjesë të kontinentit të vjetër, zjarre do të ketë prore. Në një moment të caktuar ka pasur 50 vatra zjarri. Më 11 gusht të vitit në vazhdim kanë qenë vepruese 40 vatra zjarri. Një ditë më vonë, 50 vatra prushi dhe flake. 

Shqipëria u përball me një situatë të rënduar zjarresh. Në disa qarqe të saj u evidencuan mbi 20 vatra. Për mbrojtjen e zonave të banuara dhe për krijimin e perimetrave të sigurisë përreth vatrave më problematike u angazhuan maksimalisht zjarrfikësit, Forcat e Armatosura, forca të policisë së shtetit dhe vullnetarë. Operacionet u ndërmorën nga toka dhe ajri. U vunë në veprim edhe helikopterë dhe avionë. Forcave shqiptare iu bashkuan edhe dy helikopterë të Forcave Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe mjete fluturuese nga Greqia, Çekia,  Sllovakia, Italia, Kroacia, Bullgaria. Malet hijerënda të kombit nuk duhet lejuar të shkrumbohen! 

Heronj të këtyre ditëve zhuritëse dhe përcëlluese janë zjarrfikësit. Para sakrificës së tyre përulet një komb i tërë.

Ka zjarre të shkaktuar prej zjarrvënësve të qëllimshëm. Ka piromanë që ndezjen e zjarreve e kanë sëmundje shpirtërore. Ndaj tyre duhet të merren masa ligjore. Kush janë këta që djegin të ardhmen e një populli. Malet u përkasin brezave të sotëm dhe atyre që vijnë. Mos vallë midis tyre ka edhe ndonjë mercenarë, në shërbim të dikujt?! Kush ua vë flakën maleve të Shqipërisë, hijeshisë së të cilave, me aq dashuri e mall u këndoi qysh para 145 viteve bilbili i gjuhës sonë. “O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë”  

*   *   *

Shqipëria dhe Kosova s’kanë mjete ajrore për shuarjen e zjarreve – Për ndërhyrje nga ajri u vunë në veprim avioni Canadair kroat; dy helikopterë të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, 1 canadair nga Greqia, dy helikopterë të mekanizmit evropian nga Çekia dhe Sllovakia etj. Kanaderi është hidroavion i specializuar për shuarjen e zjarreve në male dhe në terrene të padepërtueshme. Sipas të dhënave të vitit 2017, çmimi i kësaj fluturakeje ka qenë rreth 30 milionë euro. Këtë lloj hidroavioni e kanë poseduar kryesisht shtetet e mëdha detare në të cilat brenda vitit zjarret kanë qenë të shpeshta. Kanaderit i nevojitet sipërfaqe ujore e madhe për t’u ulur, për ta mbushur rezervuarin e vet me ujë dhe për t’u ngritur në ajër. Pengesa mund të jenë urat, digat, niveli i ulët i ujit, etj. Për ta drejtuar kanaderin nevojiten stërvitje të veçanta dhe licenca. Sipas të dhënave të vitit 2017, një orë fluturimi të kanaderit ka kushtuar 7.000 euro. Gjatë fluturimit, kanaderi mund të marrë nga sipërfaqja e ujit rreth 5,5 tonë ujë, për ta derdhur pastaj përnjëherë mbi zjarr, si bombë uji. Këta avionë të verdhë i ka prodhuar firma kanadeze “Canadair”, nga ku e kanë marrë edhe emrin. 

Avionët për shuarjen e zjarreve kanader nuk prodhohen më. Fluturaket që i zëvendësojnë kushtojnë 50 milionë euro. Kanaderët e fundit (Canadair Bombardier CL 415) janë livruar në vitin 2015. Prej atëherë ky aeroplan kundër zjarrit nuk prodhohet më, kurse për ta blerë pasardhësin e tij DHC 515 të cilin momentalisht e ofron firma kanadeze De Havillend Aircraft Ltd, blerësi duhet të paguajë rreth 50 milionë euro. Për shkak të kërkesës së madhe blerësi nuk mund ta marrë avionin  para viti 2030.    

*   *   *

ZJARRET NË KOSOVË – Sipas Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, më 11 gusht të vitit në vazhdim në Kosovë janë regjistruar 38 vatra zjarri. Prej tyre, vepruese kanë qenë 24 vatra. Kosova nuk posedon helikopterë për shuarjen e zjarreve. Për t’i shuar zjarret gjithmonë ndërhyn KFOR-i. Kosova nuk ka kompetencë dhe nuk është përgjegjëse për hapësirën e saj ajrore. Për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës përgjegjës është misioni i KFOR-it. Sidoqoftë, Kosova duhet të ketë helikopterë për Ministrinë e Mbrojtjes, për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe për Ministrinë e Shëndetësisë.

*   *   *

Fjala “zjarr” të përkujton romanin “Zjarr në kadastër” ((Incendio al catasto, Vallecchi, Firence, 1956), të shkrimtarit italian Karlo Montella (1922-2010). Në vitin 1998 Montella përjetoi një tragjedi familjare. Për të mbrojtur sigurinë e gruas së tij Anna, ai vrau djalin e tij Claudio i cili vuante nga probleme mendore. 

*   *   *

Helikopterët dhe avionët për shuarjen e prushit nuk blihen duke harxhuar para për punë më pak të rëndësishme, përkatësisht dytësore. Shtetarët shqiptarë duhet t’i reduktojnë udhëtimet nëpër botë. Ka udhëtime të kota, të panevojshme, jo të domosdoshme dhe të kushtueshme. Politikanët shqiptarë nuk duhet të merren me politikë botërore apo me politikë të madhe. Bota shqiptare është e vogël për t’u marrë me politikë të madhe dhe për të ndërtuar politikë botërore. 

Udhëheqësit shqiptarë duhet të merren me problemet konkrete të shtetit dhe të popullit. Qytetarët shqiptarë duhet të ndihmojnë në pajisjen e mëmëdheut me fluturake anti-flakë dhe jo të bëjnë dasma të shtrenjta glamuroze, plot salltanet, me numër të madh të ftuarish, të bëra me para të dyshimta që s’u dihet burimi. Dasma me disa grupe muzikore dhe me këngëtarë të shtrenjtë. Ndodh që gjatë dasmës këngëtarin apo këngëtaren ta mbulojnë me euro, me franga zvicerane, me dollarë. A e kujtojnë të rinjtë dhe prindërit e tyre se dasma soset kurse jeta vazhdon. Ç’do të hajë familja pas dasme po qe se energjitë e veta i shter në ceremoninë martesore?! 

Meshkuj të do fshatrave me dekada punojnë në Kroaci si ëmbëltorë, byrektorë dhe bozaxhinj. Ka ndodhur që gjatë dasmës vjehrra t’ia stolisë nuses me flori edhe gishtërinjtë e këmbëve?! Duket e pabesueshme. Ka pasur raste kur dasmori e ka marrë nusen e të birit me helikopter. S’kemi helikopter për shuarjen e zjarrit, por kemi të tillë për ta marrë nusen. Në botën shqiptare ende ka raste kur dasma zgjat rreth dhjetë ditë. “O tempora, o mores!” 

Shqiptarët s’kanë asnjë hidroavion, kurse nuses i blejnë veshje të shtrenjta, dimi të punuara me fije të praruara (sërma), dimi me bikme, kaftane, mitanë të punuar me fije të praruara, stoli ari në një kohë kur ky metal i çmueshëm ka arritur çmime astronomike. Disa nga fustanet e saj që kanë kushtuar mijëra euro, nusja i veshën jo më shumë se dy-tri herë në jetë. Ceremoni martesore të kushtueshme, përfshi edhe natën e beqarisë. Ka raste kur për dasmën e madhe të të birit, dasmori merr kredi bankare me normë të lartë interesi. Mendësi provinciale, primitivizëm, garë se kush do të jetë i pari i lagjes, i mëhallës, i fisit, i katundit, i provincës. Këtu kemi të bëjmë edhe me tjetërsimin e individit.  

Kanaderë s’ka, por ka me të madhe ceremoni fetare, pelegrinazh, pushime vjetore të kushtueshme nëpër vende ezoterike, edhe pse natyra i ka dhuruar Shqipërisë dy dete. Po ta llogaritësh çmimin e pelegrinazhit dhe numrin e pelegrinëve, do të rezultojë një shumë e konsiderueshme mjetesh financiare. Kujt i duhen veturat e shtrenjta në shtetet shqiptare ku s’ka numër të mjaftueshëm parkingjesh, ku shumë rrugë nuk i plotësojnë kriteret për t’u quajtur të tilla?! Aty ku ka provincializëm, ka edhe snobizëm. Aty marrin hov kiçi dhe shundi.  

S’blihen dot fluturake për mbrojtjen e pyjeve me muzikë pornografike, as me programe televizive reality show, me festivale muzikore të kushtueshme, me skena muzikore si të San Remos, me veshje të shtrenjta, me dieta dhe mëditje të pamerituara të deputetëve dhe të pushtetarëve. S’blihen jo, me mungesë ndjenje të modestisë, me gra pushtetarësh që porositin veshje dhe preparate grymi prej Parisi dhe Rome. Ç’duan të tregojnë ato me veshjet dhe pamjet e tyre, me çantat e shtrenjta lëkure krokodili? A e dinë ato se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete me shkallë ekonomike më të ulët në Evropë?! 

Mjetet ajrore kundër flakës nuk blihen duke vjedhur atdheun. Kanë vjedhur: gjyqtarë, prokurorë, avokatë, hetues, doganierë, policë, përgjegjës të sektorit të urbanizmit, shefa të auto-shkollave, infermierë, mjekë, kirurgë, profesorë universiteti, kryetarë bashkish, kryetarë komunash, gra kryetarësh bashkie, ministra, deputetë, gra ministrash, gra deputetësh, pushtetarë nivelesh të ndryshme, djem, vajza, dhëndurë, reja politikanësh. Abuzimet, korrupsioni, veprimet e paligjshme, të kundërligjshme arrijnë majat e pushtetit – vendor dhe qendror. Për veprime të paligjshme akuzohen politikanë, përkatësisht ish-politikanë të nivelit më të lartë të shtetit. Mitë, ryshfet, ndërtime pa leje. Uzurpim hapësirash publike, plazhesh, trotuaresh, pedonalesh, parqesh.

Vila të shtrenjta të ndërtuara me paratë që i janë uzurpuar këtij populli të lodhur. Vila të shtrenjta në një vend ku një pjesë e popullsisë jeton në kushte ekonomike të vështira, ku pensionet janë sa ndihmat sociale, ku ende ka paga me 300 euro. Kur veprimet e kundërligjshme rrokin majat e shtetit, mos prit që shteti të ketë mjete zjarrfikëse ajrore.

Abuzimet e përmasave të këtilla t’i përkujtojnë vendet e Amerikës Latine të viteve ’50 të qindvjeçarit XX. Flakët e kreshtave s’luftohen dot me imoralitet.

Kujt i duhen lobimet në ShBA për t’u fotografuar me njerëz eminentë të politikës amerikane, lobime që kushtojnë qindra mijë dollarë?! Ç’duan të tregojnë ata me fotografi të tilla? Kë duan ta mashtrojnë? Kujt duan t’i hedhin hi syve? A e dinë ata se dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova nuk prodhojnë gjë për eksport, përpos ullinjve, domateve, patateve. 

Shqipëria eksporton bimë mjekësore, perime të freskëta dhe të përpunuara, vajra esenciale, shalqinj, pjesë të brendshme bagëtie, peshk të konservuar dhe lëkurë të papërpunuar.

Mjetet ajrore kundër zjarrit nuk blihen duke e vjedhur shtetin dhe duke i detyruar të rinjtë t’i braktisin trojet amtare.  

*   *   *

Në shoqërinë shqiptare mungon mendimi kritik. Mungon gjykimi dhe veprimi racional, i arsyeshëm. Aty ku mungon mendimi kritik, shoqëria nuk përparon.

Filed Under: Reportazh

Shqiptarët në Mal të Zi, demokracia pluraliste dhe  partitokracia

August 21, 2025 by s p

Pavarësisht deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit si në nivel qendror e ate lokal, te gjithë jemi dëshmitarë,   se në pluralizëm kemi shoqëri të politizuar nga vet fakti se kemi të bëjmë me koalicione  partiake, nga del se koncepti i qeverisjës pluraliste është në shërbim të partitokracisë e jo të qytetarëve.

Nail   Draga

Duke analizuar rrjedhat shoqërore ne periudhën e pluralizmit në Mal të Zi  del qartë se kemi të bëjmë me defkete funksionale  të cilat janë trashëguar nga koha e monizmit. Është pikërisht psikologjia e kohës së shkuar moniste e cila është ngulitur thellë në qenien e individëve të cilët e kanë të pamundur të eliminojnë qasjen e tillë edhe tash në sistemin shumëpartiak. Madje te shumë individë ende është i pranishëm koncepti i autoritarizmit duke mbetur vesi me negativ i trashëguar nga koha e monizmit.

Autoritarizmi-kulti i individit

Nga një qasje e tillë kemi organizimin autoritar të subjekteve politike, duke kriuar kultin e individit, ku antarësia e tyre nuk mund të moderohet me konceptin e zgjedhjes dhe të ndërrimit të udhëheqësit në mënyrë demokratike. Një dukuri e tillë është pothuaj identike në tërë hapësirën e vendeve të ish kampit socialist, ku as shqiptarët nuk janë përjashtim. 

Demokracia e meritokracia 

Derisa demokracia paraqet bazën e parimeve të rregullimit të qeverisjës, meritokracia paraqet sistemin e vlerave  të individëve me kompetent në aspektin profesional, të cilët zgjidhën në  pozitat përkatëse, por me gjithë rastet e veçanta një dukuri e tillë  ende mbetet dëshirë apo iluzion  se sa realitet. 

Demokracia dhe meritokracia paraqesin një binom shoqëror, që është dëshmi e mirëkuptimit të ndërsjellë. Por, sa do funksionojë një raport i tillë shoqëror është çështje për diskutim, sepse janë kolizion të vazhdueshëm, ku meritokracia paraqet cilësinë(kuadrot e dëshmuara),ndërsa demokracia sasinë(elektorati votues), përkatësisht qeverisjen e shumicës.

Nuk ka dilemë se kuadrat  e dëshmuara në profesion, përveç së dëshmojnë vetën ata prezantojnë edhe subjektin politik, nga del se kemi të bëjmë me përfitime të dyfishta. Por, në aspektin e funksionimit të qeverisjës demokracia pa meritokraci ka rrezik që të bëhët  mjet manipulimi,  sidomos për elektoratin votues, ndërsa nga ana tjetër  meritokracia rrezikohet nga elitizmi, nëse nuk ka kontrollë dhe përgjegjësi në sektorët në qeverisje. 

Pakica – pasqyra e shumicës

Në ato mjedise ku pakicat kombëtare janë të pranishme dhe përbëjnë shumicën apo  pjesë të konsiderueshme të popullsisë së vendeve përkatëse ekzistojnë modele të mbrojtjës ligjore dhe institucionale të tyre. Ndonëse çështjet e tilla janë rregulluar me kushtetutë dhe ligje përkatëse, problemi ka qendruar të respektimi praktik i aktëve të tilla, nga del se pakicat nuk kanë qenë  të kënaqur me pozitën dhe statusin e tyre. Një qendrim i tillë dëshmon në mënyrë transparente se nuk ka qenë lehtë për të qenë pjesëtar i pakicës në një shoqëri autoritare, sepse nuk thuhet kot se pakica është pasqyra e shumicës.

Parulla e “vëllazërim-bashkimit”

Pakicat kombëtare  në kohën  e monizmit në Mal të Zi nuk kishin ndonjë trajtim të veçantë legjislativ sipas standardëve ndërkombëtare, por, trajtoheshin përmës konceptit të përgjithshëm qytetar, pa pasur subjektet e tyre. Ishte kjo koha e parullës së “vëllazërim-bashkimit” ku çdo gjë projektohej ne zyrat e komiteteve duke përcaktuar dhe të drejtat e pakicave. Madje, përcatoheshin edhe individët si më të përshtashëm dhe të pranueshëm për pushtetin ne mjedisin përkatës.  Ndërsa varësisht prej rrethanave shoqërore edhe kërkesat më elementare nga pjesëtarë të pakicave vlerësoheshin  si kërkesa nacionaliste. Në këtë aspekt shqiptarët në Mal të Zi kanë pasur përvojë të hidhur, sidomos  pas vitit 1981, sepse këtu  kishte  marrë  hov fushata antishqiptare e dirigjuar nga pushteti  duke luftuar gjoja nacionalizmin shqiptar, duke pasur pasoja deri në ditët tona. 

Përfaqësimi e prezantimi

Çështje të veçantë paraqet përfaqësimi me kuadra në qeverisje  lokale e qendrore, sepse në shumë raste nuk kanë qenë të qelluar. Sepse në pozita të ndryshme nuk mjafton vetëm përfaqësimi formal por peshë të veçantë ka prezantimi. Në lidhje me këtë çështje pa nënçmuar kuadrat e mbeshtetësit partiak, përparësi duhet dhënë kuadrave  të dëshmuara në profesionin e tyre. Vetëm ne këtë formë do të dëshmohej respektimi i vlerave si kudo në botën demokratike. Në këtë aspekt shqiptarët kanë mundësi të mësojnë nga të tjerët e jo duke qenë peng i konceptëve autokratike e militantëve partiakë.

Në Mal të Zi, 59 parti politike aktive

Edhe këtu si në regjion formimi i partive politike ka marrë përmasa të mëdha sepse permes tyre individet e klanët e ndryshme kanë përfitime jo vetëm materiale. Pikërisht nga ky aspekt në Mal të Zi janë formuar një numër i madh i partive politike, që është i veçantë duke marrë parasysh numrin e përgjithshëm të popullsisë në vend. 

Sipas të dhënave  nga Drejtoria për regjistrimin e organizatave joqeveritare(OJQ) dhe partive politike,  në fillim të korrikut, në Mal të Zi janë aktive 59 parti politike, ndërsa 39 janë shlyer nga evidenca. Në Kuvendin shtetëror përfaqësuesit i kanë 16 parti politike. Në këtë numër bëjnë pjesë edhe këto parti politike që përfaqësojnë shqiptarët: Alternativa Shqiptare, LDSH, FORCA, UDSH, Partia Demokratike, LDMZ dhe UNSH. 

Nga ana tjetër nëse krahasojmë të dhënat nga shtetet e dala nga  ish Jugosllavia, del se Mali i Zi me  59 parti politike  ka më së shumti parti për banorë, ku në çdo  11.000 banorë vjen një parti politike. Në  Kroaci janë të regjistruara 157 parti, Serbi 120, B e H 96, Slloveni 87, Maqedoni të Veriut 63 dhe në Kosovë 50.

Mali i Zi me më shumë ministri sesa Gjermania

Pikërisht, nga një numër kaq i lartë i partive politike ka ndikuar që  kryeministri të bëjë ndryshime në qeveri,  me 23 korrik 2024, që  ishte jashtë çdo parashikimi. Kemi të bëjmë me  riorganizimin e  qeverisë ku pas partive proserbe iu bashkangjit edhe ajo boshnjake qe ndikoj në rritjen e ministrive(25) dhe të zëvendkryeministrave(7), dhe një ministër pa portofol, duke qenë   rast i panjohur në nivel evropian  në kohën e pluralizmit. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë ka qenë i imponuar  për të kënaqur shumicën parlamentare e jo duke u bazuar në kritere profesionale por  kryesisht të interesit të individëve  dhe  të partive politike.

Një veprim i tillë qeveritar, është bërë objekt komentimesh të ndryshme, ku Malin e Zi si vend me popullsi të vogël por  veçohet me kabinet me të madh se  disa vende  evropiane. Kështu Gjermania ka 15 ministri,Franca 15, Britania e Madhe 21, Norvegjia 15, Finlanda 12. Duke paraqitur këtë krahasim del qartë, se për këtë përbërje  në Mal të Zi, nuk janë marrë parasysh kriteret profesionale, por ato të interesit politik, për të kënaqur tërësisht shumicën parlamentare e cila  kësaj herë ka arritur të jetë 2/3 e Parlamentit, si asnjë herë deri më tash. 

Partitë – grupe të interesit

Në sajë të rrethanave shoqërore e në veçanti ato ekonomike në kohën e pluralizmit partitë politike në Mal të Zi janë profilizuar si subjekte të grupeve të interesit të individëve dhe klanëve të ndryshme. Vetëm atëherë kur iu jepet mundësia të jenë pjesë e pushtetit partitë përkatësisht  individët në udhëheqje  dëshmojnë karakterin e tyre. Janë pikërisht pozitat e ofruara apo të kërkuara për të qenë pjesë  e strukturave të qeverisjës që janë parësore për të dëshmuar parimet demokratike. Po, nga një situatë e tillë dalin në pah interesat personale apo të klanëve të ndryshme. Dhe nga situata e tillë jo rrallë brenda subjektëve politike krijohen grupime përkatësisht fraksione, që më pas janë bazë pë formimin e partive të reja, nga del se pluralizmin demokratik e ka zëvëndesuar partitokracia.

(Gusht  2025)

Filed Under: Ekonomi

Garancitë e sigurisë për Ukrainën nga NATO: Realitet i vonuar apo iluzion i rrezikshëm?

August 21, 2025 by s p

Prof. Dr. Muhamet Racaj/

Që prej agresionit rus ndaj Ukrainës, një pyetje e thjeshtë, por e tmerrshme, endet në korridoret e diplomacisë perëndimore: a do ta mbrojë NATO realisht Ukrainën, apo do ta ushqejë me shpresa derisa ajo të rrëzohet nga lodhja dhe gjaku?

Premtimet e vjetra, tradhtitë e reja

Në vitin 1994, Perëndimi i dha Ukrainës fletë premtimi në këmbim të arsenalit bërthamor. Sot, këto letra janë bërë turpi i diplomacisë moderne. Krimea u humb pa asnjë breshëri mbrojtëse, e më 2022 tanket ruse shkelën tokën ukrainase ndërkohë që në Bruksel dhe Uashington ende flitej për “mbështetje politike”. Sa vlen një premtim i tillë?

NATO: Aleancë e fortë në fjalë, e kujdesshme në vepra

Dyert janë të hapura, por dera nuk hapet. Samitet e njëpasnjëshme prodhojnë deklarata dhe fotografi familjare, por jo nenin 5 për Ukrainën. Arsyeja është e qartë: disa shtete-anëtare kanë frikë nga një përballje e drejtpërdrejtë me Moskën. Pra, Ukraina është e mirë për t’u përdorur si mburojë, por jo për t’u pranuar si aleate.

Garancitë që kërkojnë trupa, jo fjalë

Sipas Institutit Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP), një siguri e besueshme përgjatë vijës së frontit kërkon 150,000 trupa – një barrë që askush s’po e merr përsipër. Të gjithë duan paqe në letër, por askush nuk po jep garanci në terren. Pyetja e hidhur: a është Ukraina vetëm një peng në shahmatin gjeopolitik, që mbahet gjallë aq sa i shërben strategjisë perëndimore?

Ballkani: të mësuar nga dështimet e mëdha

Ne në Ballkan e kemi parë këtë film: premtime të mëdha, ndërhyrje të vonuara, lodhje perëndimore dhe një rajon që lihet peng i interesave të huaja. Nëse Ukraina mbetet pa garanci, precedentët për destabilizim rriten edhe për Bosnjën, Kosovën, apo Maqedoninë e Veriut. Çfarë vlere ka atëherë ombrella e NATO-s për ne, nëse nuk mund ta mbrojë as pikën më të nxehtë të kontinentit?

Mjaft më me iluzione!

Është koha që Perëndimi të zgjedhë:
• Ose e mbron Ukrainën me garanci të prekshme – me trupa, armë dhe marrëveshje detyruese.
• Ose e pranon publikisht se nuk do ta bëjë, duke mos i ushqyer shpresa të rreme.
Gjysma e rrugës është më e rrezikshme se refuzimi i hapur.
Çfarë i duhet Ukrainës (dhe neve)?
• Një pakt real sigurie me shtetet kyçe: SHBA, Britania, Gjermania, Polonia – jo thjesht deklarata.
• Modernizim i plotë ushtarak që e bën të vetëqëndrueshme, edhe pa nenin 5.
• Pragmatizëm rajonal: Ballkani duhet të kërkojë që Ukraina të mos lihet peng, sepse siguria e saj është parathënie e sigurisë sonë.

Përfundimi
Garancitë e NATO-s për Ukrainën nuk janë më çështje morale, janë çështje mbijetese për gjithë arkitekturën euroatlantike. Nëse Ukraina bie, iluzioni do të kthehet në precedent – dhe radhën e radhës e dihet kush e ka.

Filed Under: Emigracion

Koha e bllokadës duhet të mbarojë: Kosova ka nevojë për rikthim te normaliteti institucional

August 21, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Kosova nuk mund të mbetet peng i interpretimeve të ndryshme juridike. Institucionet duhet të funksionojnë. Kuvendi duhet të konstituohet, qeveria të testohet në sallën e Kuvendit, dhe çdo paqartësi ligjore të sqarohet nga Gjykata Kushtetuese. Çdo vonesë e panevojshme dëmton qytetarët dhe e pengon rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian.

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është një moment kthese. Ai duhet ta rikthej rendin kushtetues në binarët e tij natyralë, duke i kujtuar qeverisë/mazhorances, se asnjë pushtet nuk është mbi ligjin dhe se asnjë manovër politike nuk mund të justifikojë shkeljen e afateve dhe procedurave. Ky vendim vulosi fundin e një skenari të paramenduar për bllokim institucional dhe dëshmoi se institucionet e pavarura mbeten gardianët e demokracisë dhe të Kushtetutës.

Seanca e fundit e Kuvendit i vuri vulën krizës së shumicës. Përballë vendimit të Kushtetueses, Kuvendi dëshmoi se qeveria nuk gëzon më as unitetin e brendshëm. Moskalimi në votim i kandidateve të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje – nuk është thjesht një dështim teknik. Ai është një sinjal politik i qartë se shumica/koalocioni fitues i zgjedhjeve te 9 shkurtit – e ka humbur legjitimitetin e brendshëm dhe autoritetin moral për të udhëhequr.

Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë i prerë dhe parimor: nuk do të votojë ministra të propozuar nga VV që janë të penalizuar për korrupsion, krim të organizuar ose që nuk gëzojnë integritet politik. Ky qëndrim e thellon edhe më shumë dështimin e shumicës aktuale, e cila nuk arrin të sigurojë besueshmëri as për kandidatët e vet.

Kjo situatë e zhvesh qeverinë nga çdo pretendim për stabilitet. Një shumicë që nuk arrin të kalojë votimet e veta të brendshme nuk mund të pretendojë se përfaqëson vizion për vendin. Ajo nuk ka më as kohezion të brendshëm dhe as kapacitet për të udhëhequr në sfidat e mëdha që presin Kosovën.

Albin Kurti, që pretendon se është zëri i vullnetit qytetar, sot është shndërruar në simbol të kontradiktës politike. Qesharak e bën fakti se një kryeministër që ka dështuar mbi 50 herë të kalojë kandidaturat e veta, vazhdon të sillet sikur ka forcë absolute. Propozimi i znj. Shvarc, ndonëse dihej se nuk gëzonte mbështetje, e shndërroi seancën në një farsë të hidhur dhe tragjike për shtetin që mbetet i paralizuar, dhe komike për mënyrën sesi tallet me seriozitetin e institucioneve.

Në këtë proces, Kurti po tallet me të gjithë: me qytetarët që presin funksionim të institucioneve, me shtetin që ka mbetur i bllokuar, me opozitën që refuzon të shndërrohet në dekor, dhe madje edhe me aleatët ndërkombëtarë që kërkojnë stabilitet.

Strategjia është transparente: duke propozuar emra të papranueshëm, ai zhvendos fajin te opozita, ndërkohë që e ka përgatitur vetë dështimin. Ky është manipulim i pastër politik.

Edhe pse Presidenca e ka konsideruar urgjencë konstituimin e Kuvendit, Kurti ka zgjedhur të fajësojë Gjykatën Kushtetuese. Por nuk është gjykata ajo që e mban peng procesin; është kryeministri që refuzon përgjegjësinë politike. Zgjidhja është e qartë: konsensus me opozitën për një figurë të pranueshme, pa improvizime dhe pa kokëfortësi.

Çfarë mund ta detyrojë Kurtin të reflektojë? Vetëm presioni i brendshëm politik – humbja e mbështetjes në Kuvend – dhe presioni i aleatëve ndërkombëtarë. Sepse konsensusi nuk lind nga arroganca e njëanshme, por nga vetëdija se pushteti nuk është pronë private, por përgjegjësi ndaj qytetarëve.

Sa më gjatë që Kuvendi mbetet i bllokuar, aq më shumë Kurti e shmang llogaridhënien. Një Kuvend funksional do ta detyronte të përballej me opozitën, me interpelanca, mocione dhe kërkesa për transparencë. Prandaj bllokada është strategji, jo rastësi.

Një rrugëdalje ekziston nëse ofrohen kandidatura të pastra nga çdo barrë gjyqësore, të pakomprometuara me korrupsion ose krim, dhe me integritet moral e politik. Emri i një kandidature konsensuale e aftë për të ndërtuar ura bashkëpunimi, mbetet çështje që varet nga vullneti i palëve.

Çfarë do të ndodhë në seancën e radhës? Nëse Kurti vazhdon me logjikën e përplasjes dhe me emra provokativë, vendi do të përballet me një tjetër dështim. Nëse ka reflektim dhe pranohet kompromisi, kriza mund të zgjidhet. Por shenjat aktuale flasin për një skenar të vazhdueshëm bllokade.

Ky është momenti i reflektimit. Pushteti nuk është pronë private e një partie dhe as mekanizëm hakmarrjeje. Çdo përpjekje për të kapur institucionet e pavarura vetëm sa e thellon krizën dhe minon besimin qytetar në demokracinë tonë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe votimi i fundit në Kuvend janë paralajmërim i qartë se koha e abuzimeve po mbaron.

Kosova ka nevojë për një rikthim të menjëhershëm te normaliteti institucional dhe kushtetues. Vetëm kështu vendi do të mund të ecë përpara me stabilitet, me institucione funksionale dhe me vizion të përbashkët për integrim.

Filed Under: Ekonomi

Tezat që ndërtuan harresën për Çamërinë

August 21, 2025 by s p

Teza #7.

“Çamët kërkojnë ndryshim kufijsh”

Një ndër tezat më djallëzore që ka qarkulluar në diskursin zyrtar grek ndaj çështjes çame është se kërkesat e komunitetit çam përbëjnë një kërcënim ndaj kufijve të Greqisë. Kjo tezë është përdorur në mënyrë sistematike për të delegjitimuar çdo përpjekje për të kërkuar drejtësi dhe për të përhapur frikë në opinionin publik grek. Por ajo është tërësisht e pabazë, historikisht dhe juridikisht.

Asnjë kërkesë e komunitetit çam, as nga individë publik, as nga organizata, as nga shteti shqiptar nuk ka përfshirë ndonjëherë ndryshim kufijsh shtetërorë.

Nuk ka asnjë dokument, rezolutë apo deklaratë që të artikulojë pretendime territoriale ndaj Greqisë.

Pse përdoret kjo tezë nga Greqia?

• Për të frikësuar opinionin grek me idenë e një “kërcënimi të brendshëm”;

• Për të justifikuar mosveprimin diplomatik dhe refuzimin e dialogut;

• Për të delegjitimuar çamët si nacionalistë ekstremistë;

• Për të njollosur çdo zë që kërkon drejtësi si “revanshist”.

E vërteta është: Kërkesa për drejtësi nuk është kërkesë për kufij. Kërkesa për t’u kthyer në shtëpitë tona nuk është për ndryshim kufijsh por është një e drejtë legjitime për të jetuar secili në shtëpinë e vet.

Çamëria kërkon të kthehet në ndërgjegjen e Europës, jo në hartën e saj.

Alket VELIU

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 207
  • 208
  • 209
  • 210
  • 211
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT