• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sali Nivica, pena e një zemre që rrihte vetëm për Atdheun

August 21, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Sali Asllan Nivica u lind më 15 maj 1890 në fshatin Rexhin të Kurveleshit, një trevë e njohur për burrëri, besë e dashuri të patundur ndaj gjuhës amtare. Fëmijëria e tij u formua mes gurëve të malësisë dhe frymës së lirisë, ku çdo fjalë shqipe ishte amanet dhe çdo këngë popullore ishte betim. Shkollën fillore e ndoqi në vendlindje, ndërsa për arsim të mëtejshëm u dërgua në Manastir, ku gjatë viteve 1904–1907 mori mësime që do ta ushqenin me kulturë e dituri moderne. Pas kësaj ai vazhdoi studimet në gjimnazin e mirënjohur të Zosimesë në Janinë (1907–1909), një vatër arsimore që kishte nxjerrë shumë nga figurat më të shquara të Rilindjes Kombëtare. Aty Saliu u dallua për zgjuarsi, për etje ndaj diturisë dhe për lidhjen shpirtërore me gjuhën shqipe, e cila u bë udhërrëfyesi i jetës së tij. Në vitin 1909, i pajisur me dituri e me ideale, ai nisi punën si mësues në Durrës, duke mbjellë fjalën shqipe ndër brezat e rinj dhe duke u përfshirë menjëherë në veprimtarinë kombëtare.

Rrugëtimi i tij arsimor dhe atdhetar nuk u ndal këtu. Në vitin 1911, gjatë qëndrimit në Stamboll, Nivica u arrestua për veprimtari kundër Perandorisë Osmane. Megjithatë, lirimi i tij u mundësua nga ndërhyrja e Ismail Qemalit, duke dëshmuar se Saliu tashmë ishte bërë pjesë e një rrjeti të gjerë patriotësh që po përgatitnin themelin e shtetit shqiptar. Pas këtij episodi ai u pranua si mësues në Robert College, ku mbolli te nxënësit e rinj dashurinë për gjuhën amtare dhe kulturën kombëtare. Në këtë mjedis intelektual, Nivica nisi të ngjizë idenë se kombi shqiptar mund të ngrihej vetëm mbi gjuhë të përbashkët, arsim të ndriçuar dhe shtyp të lirë.

Këto përvoja të hershme, të fituara në shkolla të njohura e në qendra të rëndësishme kulturore, e përgatitën atë për rolin e madh që do të luante më pas si mësues, publicist, dhe patriot. Që nga këto vite të para u duk qartë se ai do ta lidhte jetën e vet me idealin e shenjtë të Shqipërisë, duke u bërë një ndër figurat më të ndritura të gazetarisë dhe mendimit politik shqiptar në fillim të shekullit XX.

Në vitin 1914, në Vlorë, ai themeloi gazetën “Populli” bashkë me Muço Qullin. Kjo gazetë nuk ishte thjesht një organ informimi, por një tribunë e fuqishme e ideve kombëtare, një thirrje e hapur për unitet dhe qëndresë ndaj çdo rreziku që i kanosej vendit. “Populli” nuk u mjaftua vetëm me pasqyrimin e ngjarjeve politike, por u bë një shkollë e vërtetë e mendimit kombëtar, ku çdo artikull kishte forcën e një manifesti. Pas rënies së qeverisë së Vlorës dhe përplasjes së brendshme, gazeta rifilloi botimin në Shkodër, duke marrë një dimension edhe më të gjerë si zë i kombit në mbrojtje të kufijve dhe të drejtave të shqiptarëve.

Në dhjetor 1918, Nivica mori pjesë në themelimin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, i cili kishte për mision mbrojtjen e trojeve shqiptare të mbetura jashtë kufijve të vitit 1913. Në këtë organizatë ai bashkëpunoi me personalitete si Hoxhë Kadri Prishtina, Bedri Pejani, Hasan Prishtina, Bajram Curri e të tjerë, duke qenë zëri i tyre në shtyp dhe ndër opinionin publik. Ky kontribut i dha atij vendin e nderuar të një ndër ideologëve më të mëdhenj të çështjes kombëtare. Në janar 1919, ai e ringjalli sërish gazetën “Populli” në Shkodër, e cila u bë organi kryesor i Komitetit të Kosovës dhe tribunë e pakrahasueshme e rezistencës shqiptare ndaj planeve të fuqive të huaja.

Nivica nuk kufizohej vetëm te shkrimi politik. Ai kishte një vizion kulturor e shkencor për Shqipërinë. Ai kërkonte themelimin e një Akademie Kombëtare, hartimin e një fjalori të përbashkët dhe zhvillimin e një gjuhe standarde. Për të, pa gjuhën e bashkuar nuk mund të kishte komb të bashkuar. Ky ideal ishte një vazhdimësi e Rilindjes dhe një përpjekje për të institucionalizuar kulturën shqiptare. Në këtë drejtim, ai ishte në një mendje me personalitete të mëdha si Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri dhe Luigj Gurakuqi.

Veprimtaria e tij e zjarrtë nuk kaloi pa pasoja. Ai u burgos disa herë, u ndoq dhe u përndoq nga kundërshtarë politikë dhe nga shërbimet e huaja që shihnin te figura e tij një pengesë serioze për planet e tyre. Megjithatë, çdo burgim e forconte më shumë, dhe çdo pengesë i shtonte vendosmërinë. Gazetat e kohës, bashkëkohësit dhe shkrimtarët e përshkruajnë si një figurë të pastër, me qëndrim të prerë, që nuk e shiste dot asnjë ideal dhe që nuk lëkundej përballë rrezikut.

Fatkeqësisht, më 10 janar 1920, në kulmin e veprimtarisë së tij, Sali Nivica u vra në Shkodër nga Kolë Ashiku. Vrasja e tij la hije të rënda dyshimesh mbi ndërhyrjen e elementëve të huaj, sidomos italianë, të cilët ishin të shqetësuar nga veprimtaria e tij kombëtare. Çfarëdo të ketë qenë arsyeja, kombi shqiptar humbi një nga bijtë e vet më të ndritur, një tribunë të vërtetë të mendimit politik dhe një penë që kishte aftësinë të zgjonte ndërgjegjen e popullit.

Vlerësimet për të nuk munguan kurrë. Gjergj Fishta e përkujtoi me vargje të fuqishme duke e quajtur “shtyllë dhe shkamb” të kombit. Historianët e mëvonshëm, si Kristo Frashëri, Stefanaq Pollo e më të rinjtë si Dorian Koçi, e kanë përshkruar si shembull të gazetarit patriot, që e ktheu shtypin në armë për liri. Ish-presidenti Bamir Topi e nderoi me titullin “Nderi i Kombit”, duke e vendosur emrin e tij në panteonin e figurave më të mëdha kombëtare. Gazeta “Dielli”, organi i kolonisë shqiptare në Amerikë, e ka përkujtuar gjithmonë si një zë që nuk heshti kurrë për Kosovën dhe për Shqipërinë.

Populli shqiptar e ruan ende në kujtesë figurën e tij si simbol të idealizmit dhe të sakrificës. Ai mbetet një shembull për të rinjtë, për intelektualët dhe për çdo njeri që beson se fjala e lirë dhe dija janë armët më të forta për mbrojtjen e atdheut. Kujtimi i tij është një kujtesë e gjallë se Shqipëria është ndërtuar me gjakun dhe mundin e burrave të mëdhenj, të cilët si Sali Nivica, e vunë jetën e tyre në altarin e kombit.

Filed Under: Opinion

SHOQATA SHQIPTARE “KOSOVA” – MONTREAL, GJUHË SHQIPE DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT E KANADASË

August 21, 2025 by s p

Ilirjana Latifi, kryetare e Shoqatës Shqiptare “Kosova” – Montreal, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Montreal përmes veprimtarive patriotike, komunitare dhe atdhetare. Ajo rrëfen imtësisht aktivitetet dhe përkushtimin dhe në fondacionin “The Artistè Foundation” e shkollën shqipe “Dardania”, veprimtari këto që rrisin, nxisin dhe promovojnë komunitetin shqiptar në Montreal.

Me patrioten Ilirjana Latifi bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

Historia e themelimit të Shoqatës Shqiptare “Kosova” – Montreal

Shoqata Shqiptare Kosova – Montreal ekziston tashmë pothuajse një dekadë. Megjithatë, unë preferoj të flas për periudhën kur mora drejtimin si kryetare. Fillimi nuk ishte i lehtë – përkundrazi, ishte i mbushur me sfida dhe përgjegjësi. Përballja me mungesën e buxhetit, përfundimi i kontratës së lokalit të shkollës Dardania, pamundësia për të siguruar pagesën e mësueses, aktivitetet e bllokuara për shkak të dokumentacionit dhe llogarisë bankare të pezulluar – ishin disa nga vështirësitë kryesore. Me shumë punë dhe përkushtim, arrita të rikthej funksionalitetin e plotë të shoqatës, të hapja konton bankare, të siguroja një buxhet stabil dhe ta vija Shoqatën përsëri në rrugën e duhur. Sot, shoqata ka një veprimtari aktive dhe një rol të rëndësishëm në komunitet.

Aktivitetet patriotike dhe komunitare

Shoqata jonë organizon aktivitete që ruajnë dhe forcojnë identitetin kombëtar shqiptar. Një sukses i veçantë ishte aktiviteti i parë me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Diasporës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, ku patëm një bashkëbisedim të frytshëm me diasporën. Gjithashtu, organizuam panairin e parë të librit në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore Shqiptare dhe organizatën “Albanian Development Alternative”. Një tjetër moment i paharrueshëm ishte pikniku i përbashkët i Shoqatës Shqiptare Kosova – Montreal dhe Shoqatës Kulturore Shqiptare Montreal, ku prania e bashkatdhetarëve ishte shumë e madhe. Festat e fundvitit me babadimrin dhe dhurata për fëmijët e shkollës Dardania, si dhe festa e Pavarësisë së Kosovës me pjesëmarrje nga të gjitha trevat shqiptare, janë bërë tashmë tradita të bukura që mbledhin komunitetin.

Kontributi në bordin e “The Artistè Foundation”

Në “The Artistè Foundation” kam rolin e Project Manager. Falënderoj znj. Arta Rexhepi për ftesën që të jem pjesë e bordit. Fondacioni ynë ka për mision të fuqizojë komunitetin shqiptar, të mbështesë të porsaardhurit në Kanada, si dhe të ndërthurë trashëgiminë tonë kulturore dhe artistike me kauza të shëndetit, advokimit dhe drejtësisë. Ne synojmë të fuqizojmë gratë përmes artit, të japim hapësirë për zërat e tyre dhe të ndërtojmë ura bashkëpunimi për një shoqëri më të drejtë e gjithëpërfshirëse. Jam shumë e kënaqur me vëmendjen dhe përkrahjen që kemi fituar në një kohë të shkurtër dhe së shpejti do të prezantojmë organizimin tonë të parë zyrtar.

Aktivitetet kulturore dhe edukative me shkollën “Dardania”

Brenda Shoqatës, unë drejtoj edhe Shkollën Shqipe “Dardania”. Fillimisht, numri i nxënësve ishte shumë i vogël, por sot kemi arritur rreth 30 nxënës të regjistruar. Përfundimi i vitit shkollor 2024 u shënua me sukses, duke shpërndarë certifikata për nxënësit dhe dhurata për mësueset, si dhe duke organizuar një festë me prindër e fëmijë. Qëllimi ynë për vitin e ardhshëm është hapja e dy klasave, në mënyrë që mësimi të jetë më i favorshëm si për nxënësit, ashtu edhe për mësueset. Librat e shkollës janë furnizuar nga Ambasada e Kosovës në Ottawa, falë përkrahjes së ambasadorit z. Adriatik Kryeziu.

Promovimi i bizneseve shqiptare në Kanada

Shoqata jonë gjithashtu punon për të promovuar bizneset shqiptare në Kanada. Përmes sponsorimeve të tyre, kemi arritur të realizojmë aktivitete të rëndësishme kulturore dhe patriotike. Mbështetja e tyre është jetike për komunitetin tonë dhe meriton mirënjohje të veçantë.

Ndjenja e patriotizmit tek fëmijët

Puna kulturore dhe edukative e Shoqatës Kosova dhe e Shkollës Shqipe Dardania ka ndikuar shumë në rritjen e ndjenjës së patriotizmit tek fëmijët. Përmes mësimit të gjuhës shqipe, traditave, këngëve, valleve dhe historisë kombëtare, fëmijët po e forcojnë lidhjen e tyre me atdheun dhe rrënjët.

Kush është Ilirjana Latifi?

Rrjedh nga një familje artistësh, e rritur mes muzikës dhe vallëzimit. Kam mbaruar shkollën fillore të muzikës në Prenk Jakova – Prishtinë (flaut) dhe më pas në Shkollën e Muzikës Gjilan (kanto). Kam qenë pjesë e grupit “Xixëllonjat këndojnë” nën drejtimin e Drita Rud-it dhe më pas anëtare e Ansamblit “Idriz Seferi”, duke interpretuar si valltare dhe këngëtare.

Jam pjesëmarrëse në festivale të ndryshme për fëmijë dhe të rritur , ku kam fituar çmime dhe certifikata mirënjohjeje. Kam ndjekur gjithashtu trajnime për paqen, stabilizimin e marrëdhënieve ndëretnike, advokim dhe media. Në aspektin profesional, kam përfunduar shkollën e mesme të mjekësisë në drejtimin Fitnes dhe Nutricion, ndërsa studimet universitare i kam përfunduar në Fizioterapi. Sot punoj si fizioterapeute, masoterapeute dhe specialiste e estetikës mjekësore. Jam nënë e tre fëmijëve, njëkohësisht një grua biznesi dhe kryetare e një shoqate. Për mua, puna vullnetare është mision dhe shembull që dua t’ua transmetoj fëmijëve të mi.

Mirënjohje dhe falënderime

Mirënjohja më e vlefshme për mua është përkrahja e komunitetit dhe bizneseve gjatë çdo aktiviteti të shoqatës. Falënderoj veçanërisht sekretarin e Shoqatës, z. Azem Bega, për ndihmën e jashtëzakonshme; mësuesen dhe ndihmësen e saj për punën e palodhur; prindërit e nxënësve për besimin dhe angazhimin; ambasadorin e Kosovës z. Adriatik Kryeziu për përkrahjen dhe furnizimin me libra; Konsullatën e Kosovës dhe z. Kadri Dakaj si dhe Ambasadoren e Shqipërisë në Kanada, znj. Artemis Malo, për përkrahjen e vazhdueshme. Një falënderim i posaçëm shkon për gazetën “Dielli” në New York, është një nder që edhe puna dhe arritjet tona të gjenden në faqet e saj, duke na motivuar të vazhdojmë rrugëtimin me më shumë përkushtim.

Filed Under: Politike

Më 20 gusht 1463, u shpall marrëveshja midis Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe Senatit të Venedikut

August 20, 2025 by s p

QSPA/

Më 20 gusht 1463, u shpall marrëveshja e paqes dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në luftën e përbashkët kundër osmanëve midis Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe Senatit të Venedikut.

Kjo marrëveshje u krye në një kohë kur osmanët kishin sulmuar zotimet venedikase në Peleponez dhe Venediku përmes të dërguarit të tij këmbënguli gjatë te Skënderbeu për kryerjen e saj. Skënderbeu, i dyzuar nga qëllimet e Venedikut, pas një periudhe të gjatë reflektimi nga ana e tij dhe e Ligës vendosën të lidhin këtë marrëveshje. Sipas saj Skënderbeu zotohej të vazhdonte luftën kundër Perandorisë Osmane, ndërsa Venediku do t’i dërgonte ndihma në njerëz dhe dukatë, si dhe të dërgoheshin anije në brigjet e Shqipërisë dhe Dalmacisë. Në rast se do të përfundohej me një marrëveshje të mundshme paqeje mes Venedikut dhe osmanëve, Skënderbeu do të vihej në dijeni dhe Shqipëria do të përfshihej në kushtet e traktatit. Në këtë marëveshje Senati premtoi që në rast disfate dhe pushtimi të Shqipërisë nga osmanët, Skënderbeu së bashku me të tjerë shqiptarë do të strehoheshin në tokën e Venedikut, gjë që u realizua pas vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

(Foto: Portreti i Skënderbeut nga piktori Agim Sulaj)

https://albemigrant2011.wordpress.com/…/prof-dr-jahja…

Filed Under: Ekonomi

La Scuola di Santa Maria e San Gallo degli Albanesi në Venecie- Shkolla e Shën Mërisë së Arbërorëvet

August 20, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Marrëdhëniet e Arbërit me Republikën e Shën Markut janë të hershme dhe të ngulitura thellë në kujtesën e Mesjetës shqiptare. Që nga shekulli XI, Venediku kishte ngritur ndikimin e tij në bregdetin lindor të Adriatikut dhe në ishujt bizantinë, duke shtrirë zotërimet deri në disa nga qytetet më të rëndësishme të Arbërisë. Në këtë mënyrë, Venediku nuk u bë vetëm qendër e fuqisë ekonomike dhe politike, por edhe një strehë për mërgimtarët arbërorë, të cilët jo vetëm gjetën atje mundësinë e mbijetesës, por edhe të shkrirjes së kulturës së tyre me humanizmin dhe Rilindjen Europiane.

Kështu lindën komunitetet arbërore në lagjet e Venedikut – në Castello, San Croce, San Polo, Cannaregio dhe San Marco – aq sa disa rrugë nisën të quheshin Calle degli Albanesi. Shumë afër sheshit të Shën Mauricit, ku sot ende gjendet pallati i familjes Zguri, arbërit ngritën një nga monumentet më madhore të kujtesës së tyre kolektive: Shkollën e Arbërve (Scuola di Santa Maria degli Albanesi), e themeluar në tetor 1442 në famullinë San Severo, pranë manastirit të Shën Galit, dhe vetëm pesë vjet më pas u zhvendos në zemër të San Mauricios, pranë Shën Markut.

Dedikimi fillestar i shkollës ishte ndaj Zojës së Këshillit të Mirë (Nostra Signora di Scutari), e njohur si mbrojtësja e Shqipërisë, dhe Shën Galit (Gallus), shenjtorit kelto-gjerman i shekullit VII, emri i të cilit lidhet me themelimin e manastirit të madh të Shën Galit në Zvicër (St. Gallen). Zgjedhja e tij si mbrojtës kishte kuptim të thellë: Shën Gali mishëronte kulturën monastike europiane dhe lidhte Shkodrën me hapësirat e krishterimit perëndimor e qendror, duke dëshmuar orientimin e arbërve drejt Europës Latine.

Pas zhvendosjes në San Maurizio, Shën Maurici, komandanti i legjionit të Tebës, u bë shenjti i tretë mbrojtës. Figura e tij si martir i fesë përputhej me përvojën historike të arbërve, që shpesh e ruajtën besimin e tyre me sakrifica të mëdha përballë pushtimeve osmane. Kështu, ikonografia e shkollës bashkonte tre shtylla: Zojën si simbol i paqes dhe besimit, Shën Galin si urë me traditën benediktine dhe Europën Qendrore, dhe Shën Mauricin si model të qëndresës heroike.

Godina e re, pranë kishës së Shën Mauricios, ishte një Scuola Piccola, sipas modelit venedikas të vëllazërive bamirëse dhe shoqërore. Ajo kishte altar dhe varreza për anëtarët e saj. Në vitin 1531, fasada u dekorua me stemat e familjeve venedikase Loredan dhe Da Lezze, heronj të mbrojtjes së Shkodrës gjatë rrethimeve të 1474 dhe 1479, si dhe me basorelievët e punëtorisë së vëllezërve Lombardo.

Këtu shfaqet skena monumentale e Rrethimit të Shkodrës nga sulltan Mehmeti II, ku mbrojtja e qytetit lidhet me mbështetjen venedikase dhe qëndresën arbërore. Po aty gjenden edhe figurat e Zojës me Fëmiun, Shën Galit dhe Shën Mauricit, duke përforcuar mesazhin e mbrojtjes hyjnore dhe qëndresës njerëzore. Ky program ikonografik shndërrohet në një testament historik e shpirtëror të lidhjes së mërgatës me Shkodrën dhe Arbërinë.

Në fillim të shek. XVI (1504–1508), salla kryesore, e quajtur Albergo, u dekorua me një cikël pikturash monumentale nga Vittore Carpaccio – Historitë e Zojës. Ky cikël, sot i shpërndarë në muze të Venedikut, Milanos dhe Bergamos, mbetet një nga dëshmitë më të vyera të pranisë arbërore në artin e Rilindjes italiane.

Shkolla lidhi figura të mëdha intelektuale arbërore me humanizmin europian: Marin Barleti, kronisti i rrethimeve të Shkodrës; Marin Beçikemi, humanist i njohur; Leonik Tomeu, profesor i logjikës në Padovë dhe mësues i Kopernikut; Gjin Gazulli, matematikan e astronom i spikatur. Këto figura dëshmojnë se mërgata arbërore nuk ishte thjesht komunitet refugjatësh, por pjesë aktive e kulturës europiane.

Në vitin 1780, Scuola degli Albanesi u suprimua dhe godina iu dha korporatës së bukëpjekësve (Scuola dei Pistori). Pas mbylljes nga ligjet Napoleonike (1808), veprat e artit u shpërndanë. Megjithatë, kujtesa e saj jeton ende përmes basorelievëve, dokumenteve arkivore dhe ndikimit që ky institucion pati mbi identitetin kulturor arbëror.

Kujtesa e Shkollës së Arbërve na rikthen në një kohë kur arbërit e shpërndarë në lagjet dhe kishat e Venedikut arritën të krijonin një institucion unik – fetar, shoqëror, kulturor dhe politik. Përmes figurave të Zojës së Këshillit të Mirë, Shën Galit dhe Shën Mauricit, ata shpallën besnikërinë ndaj fesë dhe rrënjëve të tyre, duke ndërtuar një urë të qëndrueshme midis Arbërisë, Shkodrës dhe Europës Qendrore e Perëndimore.

Shkolla e Arbërve mbetet një shembull i rrallë se si një komunitet i vogël emigrantësh mundi të krijojë një qendër identitare të fuqishme, që shndërrohet në pjesë organike të qytetërimit europian dhe në simbol të përjetshëm të rezistencës arbërore.

Filed Under: Mergata

Disa “hollësira fatale” për Dor Kekon

August 20, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Më 20 gusht 2002 iku në amshim, në moshën 44 vjeçare, shkrimtari Teodor Keko. Lindur në Tiranë më 2 shtator 1958, Keko është një nga autorët më të lexuar shqiptarë. Me Dor Kekon na lidhi një miqësi e gjatë, që daton nga viti 1983, kur Dori sapo ishte emëruar redaktor në gazetën “Drita”, pas diplomimit për gjuhë – letërsi, dhe kur unë fillova të botoj poezitë e para në këtë gazetë të mirënjohur letrare. Gjatë viteve 1984-1988, kur vazhdoja studimet në fakultet, kalonim një pjesë të mirë të kohës bashkë. Dori ishte një tip i këndshëm, me një natyrë boheme e me humor të hollë, qytetar, njerëzor e i vërtetë, cilësi që jo çdokush ka fatin t’i ketë. Bota e tij shpirtërore ishte e e tejndjeshme dhe e pafundme. Siç shprehej një kolegu ynë asokohe: “E kishte në çdo qelizë mirësinë”. Gjatë viteve që punoi te gazeta “Drita” dhe më pas te revista “Nëntori” (1983-1990), Dori ishte një nga bashkëpunëtorët më intensivë të shtypit të kohës, ku trajtonte probleme të mprehta të letërsisë, artit dhe të realitetit social, që ishin tabu për mentalitetin shqiptar. Në korrik të vitit 1990 thirret në takimin e ish presidentit Ramiz Alia me intelektualët e vendit. Pas takimit shkroi vetëm dy vargje: “Unë s’jam pëllumb të ha thërrime/ as lakuriq qorr nëpër natë”.

Me idealin e përmbysjes së sistemit diktatorial, në dhjetor 1990, bashkohet me lëvizjen demokratike dhe, në vitin 1991, zgjidhet anëtar i Këshillit Botues të së parës gazetë opozitare “Rilindja Demokratike”. Në të njëjtën kohë, zgjidhet deputet i PD-së. Fjalimet e tij në parlament mbeten edhe sot modele të oratorisë dhe guximit qytetar, që shpesh shoqëroheshin edhe me vargje si: “Pluralizmi ja na mbiu, me përmbysje të mëdha/ Zogjtë po thonë:ciu, ciu, janë mbretër po ata”. Gjatë viteve 1992-1996 ishte kryetar i Komisionit Parlamentar të Medias. Në vitin 1996 largohet përfundimisht, me vullnetin e tij, nga politika zyrtare, për të gjetur strehim te bota e tij e lirë e krijimtarisë.

Gjatë viteve më pas bashkëpunon me gazetat kryesore të kohës si: “Koha Jonë”, (ku ishte kryeredaktor në vitin 1994), “Gazeta Shqiptare”, “Korrieri”, “Spektër”, “Klan” etj. ku spikat e çmohet nga publiku profesionalizmi i tij si gazetar. Në vitin 1995 ishte kryeredaktor i gazetës kulturore-letrare AKS. Në vitin 1998-1999 punonte me honorare te gazeta që drejtoja unë asokohe, “Republika”, ku shkroi disa editoriale, që shquheshin për thellësinë e mendimit dhe forcën e fjalës. Më kujtohet shkrimi me titull “Rekomandim për miqtë e mi të kulturës” (Republika, 7 Maj 1999), i cili pati mjaft vëmendje në opinionin publik.

***

Dori spikati qysh herët, që nga viti 1981, si një talent rebel. Seç kishe një paqetësi të përhershme, që shoqërohej me një dehje e dalldisje. Të dukej sikur e kish fituar lirinë qysh atëhere. Kishte reflekse të befasishme, ndriçime të papritua dhe një gulç spazmatik të shpirtit qysh në poezitë e para. Shkruante për gjërat me të cilat ishte i lidhur shpirtërisht dhe frymëzohej prej unit të tij vetiak. Që me librin e parë “Pas provimeve” (1981) iku nga poezia e fortifikuar drejt shpirtërores.

Keko i përket asaj race shkrimtarësh, që shembën me rrëmbim kufijtë e vënë nga jeta. Tek ai u ndërfutën forma rebele dhe, në dalldinë e teprimit të shfrenuar, edhe mund të kishte humbur veten. E ndiente artin si pjesë të vetes, si një nga format e bukura të jetës. Nuk kishte asgjë të planifikuar, asgjë të skicuar, por shkruante spontanisht për çdo gjë që kufizone botën e gjërave të paqarta e pa formë, pa e çarë kokën për konvencionet shoqërore e politike.

Në harkun kohor të 19 viteve botoi 13 libra si: “Fjala fishkëllen” (1987), “Zemra nuk ka këmishë”, (1990), romani “Loja, 1990, “Lajmëtarja e vdekjeve”, 1990, “Pretenca”, 1994, “Shënimet e një gruaje”,1994. Në vitin 1996 boton vëllimin poetik “Unë të kam dashur por….” Në vitin 1997 poemën satirike “E të tjera e të tjera”, si dhe vëllimet me tregime e novela “Prostituta”, “12 shenjtorë, një profet e disa njerëz”. Në vitin 1998 tregimet dhe novelat “Made in Albania” dhe në vitin 2002 “Hollësira ftale”. Vëllimi me tregime “Amaneti” botohet pas vdekjes. Në vitin 2007 i jepet nga Presidenti Republikës medalja “Për Merita Civile” (dekret nr. 5375, 26 korrik 2007).

***

Ka vlerësime të shumta për poezinë e Teodor Kekos. Dritëro Agolli do të shkruante: “Sipërfaqja e vargut të Dor Kekos nuk ka shkëlqim estetizant. Brenda guaskës së një lloj molusku të detit fshihet perla. Guaska nuk ka asgjë shkëlqimtare”. Ndërsa Xhevahir Spahiu shprehej: “Mendimi i mirëfillë lirik i Kekos nuk rrëmbehet kurrsesi nga dukja, as nga metafora e qëllimt. “Ai jeton siç shkuan dhe shkruan siç jeton”, shprehej Visar Zhiti. Poeti Bardhyl Londo thoshte: “Poezia e tij i shëmbëllen primit të vetëtimës. Por me një ndryshim ë madh. Ndërsa vetëtima lëshon më parë dritën dhe më pas gjëmimin, poezia e Dorit i ka këto efekte të menjëhershme. “Ai është dashamirës dhe i çelët, ndoshta kjo është një nga magjitë që i shkakton popullaritetin, të ndërtuar në vargje”, shkruante poetja Natasha Lako.

Nuk do të ndalem në analizën e poezisë së Teodor Kekos, por do të shprehesha shkurt se në poezinë e tij ngrihet kulti i njëlloj lirie njerëzore, në sensin e superioritetit të species me ndërgjegje, që di të dalë nga humbjet, trishtimet. Në prizmin e së natyrshmes, të besueshmes në poezinë e Kekos ka një këndvështrim bipolar për jetën, ku brenda saj janë të mirat dhe të këqiat, ku ndërfuten edhe elementë hyjnorë, si përcjellës të përdëllimit.

Edhe për prozën e tij janë shprehur dhe kanë dhënë opinione studiues dhe autorë të njohur;

Profesor Shaban Sinani është shprehur: “Gjithë letërsia e Kekos është lëndë aletrare, lëndë prej rrugës. E pohoi letërsinë duke prishur kornizën. Imponoi zgjedhjen e tij ndaj e blejnë njerëzit. Bota e personazheve të tij është asimetrike”. Ditëro Agolli ka thënë se “Në tregimet e tij Dori shkroi me keqardhjen e shkrimtarit, i cili kërkon të ndryshojë shoqërinë…”. Ndërsa poeti Visar Zhiti ka shkruar: “Ka ca hollësira fatale që të bëjnë të vdesësh, por ka ca të tjera që s’të lënë të vdesësh. Teodor Keko ikën duke u kthyer vazhdimisht. Ai vet e mbush mungesën e tij”. Shkrimtari dhe studiuesi Agron Tufa ka bërë një konstatim tjetër: “Gjykuar nga truket narrative, situatat paradoksale e zgjidhjet ekscentrike, shumë krijime të T. Kekos janë shenjat e para të inagurimit të një letërsie postmoderniste shqipe”. “S’ka pikë dyshimi që Keko është qytetari më gojështhurur i Republikës së Letrave Shqipe”, shkruan shkrimtari Virgjil Muçi.

Sa i përket mendimit tim, ajo që është e dukshme në prozën e T. Kekos është vëmendja kryesisht ndaj tipit periferik të shoqërisë, njeriut të padukshëm në vorbullën e rrëmbyer të jetës, cilësuar ndryshe “njeriu margjinal”. Proza e Kekos, me një ndërthurje ligjërimesh, me njëlloj tharmi tragjik, shpërfill realitetin bardhezi dhe ndërton artistikisht një gjëndje ekzistenciale të një realiteti tjetër gri, boshti i të cilave është makthi, ngjyer me pak shpresë. Modeli më përfaqësues i prozës së tij është proza e shkurtër, me tipare të prozës vizuale me karakter poetik, karakteristikë e të cilës është fabula e thjeshtë, ku e papritura vjen si një teknikë e preferuar rrëfimi. Proza e Kekos është artikuluar me gjuhë të dendur, plot lokucione, me lakonizëm të brendshëm, me sinkopizëm e metaforikë të veçantë.

Teodor Keko i mbeti besnik vetëvetes gjatë gjithë jetës së tij dhe nuk e shkëmbeu shpirtin e tij të lirë me asgjë. Tërë personaliteti i tij letrar u përsos në zjarrin e fuqisë së fjalës, në të gjitha përvojat e tij krijuese, që nga më të zymtat, deri tek ato më ngazëllueset. Në tërë krijimtarinë e tij, si në një alkimi shpirtërore që i shndërron në art edhe manifestimet më të ulëta të poshtërsisë dhe të mjerimit njerëzor, ai vuri tërë zemën e tij, tërë dhembshurinë e tij, duke ilustruar më së miri nocionin e modernitetit, si artist zemërdhembshur e sarkastik, me lëvizje të kulluara të ndjeshmërisë, midis të rëndomtës dhe sublimes.Përpara njeriut vrapon emri i tij, shprehej Gëte. Unë mendoj se emri i T. Kekos do të mbetet i pamohueshëm dhe me dritshmëri ngashnjyese në letërsinë shqipe.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 208
  • 209
  • 210
  • 211
  • 212
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT