• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FRANCE-SOIR (1949) / “NJË PLEBISHIT DUHET TË VENDOSË PËR FATIN E SHQIPËRISË…”— DEKLARATA E MBRETIT ZOG NË KAJRO

August 8, 2022 by s p


Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve
Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Gusht 2022

“France-soir” ka botuar, të enjten e 1 shtatorit 1949, në faqen n°5, deklaratën e mbretit Zog në Kajro në lidhje asokohe me të ardhmen e Shqipërisë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

“Një plebishit duhet të vendosë për fatin e Shqipërisë…” thotë ish-Mbreti Zog

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Kajro, 31 gusht (A.F.P.). — Në deklaratën për shtyp të publikuar sot në Kajro nga “Legata Mbretërore e Shqipërisë”, ish-Mbreti Zog deklaron në veçanti :

“Pas kaq shumë sakrificash të përgjakshme dhe përpjekjesh të mjerueshme vëllavrasëse që na janë imponuar në dhjetë vitet e fundit të historisë sonë, detyra e çdo shqiptari është t’i shërbejë me besnikëri çështjes së atdheut dhe të ketë besim në të ardhmen e tij.

Ditën kur kjo do të jetë e mundur, mbreti do të kërkojë që të organizohet në atdhe një plebishit legal dhe i paanshëm nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara dhe qeveria kombëtare që do të formohet më pas do të arrijë vëllazërimin dhe garantimin e lirisë.”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

A DO TË KETË LUFTË NË PAQËSORIN AZIATIK?

August 8, 2022 by s p

Përparim Gjeka/

Shkurt, jo. Të paktën jo edhe për rreth 10 vjet. Një luftë në Paqësorin Aziatik do të thotë luftë e tretë botërore në kushtet aktuale dhe duket se askush nuk është gati, e para së gjithash Kina e cila shihet si fuqia kryesore që me rritjen ekonomike do kërkonte edhe një ndarje të re influence në botë e të paktën në Azi.

Ndarja e re e influencave nëse nuk arrihet me fuqi ekonomike, historia tregon se tentohet me fuqi ushtarake dhe Kina sipas parashikimeve do të ketë një fuqi ekonomike dhe ushtarake të përafert e ndoshta më të madhe se sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm pas rreth 10 vjetësh. Në filozofinë e lashtë kineze të cilën lidershipi aktual kinez e njeh mirë përcaktohet qartë se luftërat fitohen para se të luftohen, me fjalë të tjera nuk fillohen luftëra që nuk u dihet rezultati.

Strategjia aktuale e Kinës me sa kuptohet nuk është konfrontimi ushtarak, por fuqizimi i shtetit dhe rritja ekonomike dhe ushtarake, rritja e influencës politike, diplomatike dhe ekonomike në sa më shumë shtete të botës e njohur si teoria e soft power; rritjen e ndikimit kulturor kinez mbi pjesën tjetër të botës; engagement në harxhimin e resurseve dhe lodhjen e kundërshtarëve politikë në Perëndim të cilët kanë filluar ta trajtojnë Kinën si rival strategjik; multipolaritetin rajonal domethënë superioritetin e fuqive rajonale mbi vendet fqinje më të vogla, për të pasur më shumë aleatë kundra Bllokut Perëndimor me SHBA në krye.

Në këto përpjekje nuk është se Kina nuk ka pasur rezultate; shume vende sidomos në Afrikë por edhe në Europë si Serbia apo Greqia, e shohin Kinën si ndihmë dhe jo si rrezik. Gjithashtu fuqi rajonale si India, Brazili, Afrika e Jugut etj. miklohen nga ideja e multipolaritetit kinez. Por hapja e një lufte nga Kina bie ndesh me ato objektiva të mësiperme. Jo vetëm interdipendenca ekonomike me vendet e zhvilluara perëndimore ku vetëm tregtia ditore me Bashkimin Europian kap shifrën e dy miliardë eurove, por edhe varësia për lendë të para nga importi për vetëmjaftueshmerinë e ekonomisë kineze e bën të vështirë mbijetesën dhe progresin e vendit.

Një arsye tjetër që Kina nuk është e përgatitur për luftë ka të bëjë me mënyrën se si funksionon partia komuniste kineze dhe lidershipi i saj. Në fakt nuk ka një diktator si Rusia në krye të piramidës partiake, shtetërore dhe ushtarake që vendos për gjithçka sipas mendjes së vet, megjithëse lideri aktual i mban këto poste. Vendimet e rëndësishme merren në mënyrë kolegjiale, shumë propozime vijnë nga poshtë lart për miratim, ka akademi, katedra universitetesh, institute studimore, think tanke, shërbime sekrete shtetërore etj. të cilat dorëzojnë studime periodike në organet vendimmarrëse, ka gjithashtu edhe rryma mendimi e interesi ndryshe brenda vetë partisë, të cilat do duhen të sistemohen para se të dalin hapur në publik. Një mekanizëm i tillë kontrolli, ku edhe njëshit do i duhej të jepte shpjegime për një vendim kundër mendimit të një pjese të sensibileteve shtetërore është një barrierë më shumë kundër luftës. Kongresi i 20 i partisë që do mbahet këtë vjeshtë e ku do (ri) zgjidhet lidershipi i pesë viteve të ardhshëm do na thotë shumë edhe për kursin e ri politik, ku nuk përjashtohet një afrim me Perëndimin si në dekadat e kaluara kur ekonomia kineze lulëzoi më së shumti duke përfituar nga globalizmi.

Një arsye tjetër pse Kina do mendohej dy herë nëse ndërhyn ushtarakisht në Taiwan është edhe dështimi i Rusisë në pushtimin e Ukrainës; shumë gjëra mund të mos jenë aq të lehta sa duken në letër apo në hartë. Taiwani ka një forcë ushtarake të madhe, të konsoliduar në vite dhe me armët më të sofistikuara të kohës.

Arsyeja kryesore megjithatë për këtë pakt mossulmimi midis Kinës dhe Taiwanit për kaq shumë vite është fakti që janë një komb dhe nuk mund të bëhet një betejë me trajta të luftës civile. Kina dhe provinca e saj e Taiwanit sic njihet ne Kinë janë dy sisteme që kanë mundur të bashkëjetojnë e madje të bashkëpunojnë e perfitojnë reciprokisht nga paqja, ashtu si gjithë shtetet e tjera të Perëndimit me Kinën, mjafton që lidershipi ishullor të mos bëjë përpjekje për pavarësi të plotë te njohur nderkombëtarisht.

Dhe sipas strategut politik dhe ish liderit Deng Hsiao Pin, i cili mundi t’ia kthejë Kinës Hong Kongun dhe Makaon, zgjidhjet që duken të vështira për liderët e sotëm do të jenë të lehta për liderët e brezave të ardhshëm, kështu që shpresojmë se njerëzimi do të gjejë rrugë të ndryshme drejt paqes në të ardhmen, përkundër besimit të deritanishëm: nëse do paqe përgatitu për luftë.

Shenim: Këto radhë u hodhën në respekt të disa miqve që më kontaktuan për mendimin tim në lidhje me acarimet e ditëve të fundit në Paqësorin aziatik.

Filed Under: Komente

Praga, bota e Kafkës

August 8, 2022 by s p

Lazer Stani/

Udhëtimi im për në Pragë, më shumë se me gjithçka tjetër, në mendjen time ishte i lidhur me Franz Kafkën. Librat e tij, si Metamorfoza dhe Kështjella, i pata lexuar ilegalisht, atëherë kur ky shkrimtar shahej e mallkohej nga ideologët e artit tonë komu-nist. Një miku im e pati përkthyer në shqip ilegalisht “Metamorfozën”, ndërsa romanin e famshëm “Kështjella” e lexova së pari në rusisht në një botim të “Inostrannya Literatura”, që mundi ta botojë këtë roman në Moskë pas “Glasnost”-it të Gorbaçov-it.

Në vjeshtën e vitit 1991 në udhëtimin tim të parë në Romë të vetmin libër që bleva me një çmim marramendës për xhepin tim, ishte një botim në italisht i veprave të Kafkës, ku përfshiheshin dy romanet e tij, “Procesi” dhe “Amerika”, si dhe disa prej tregimeve të zgjedhur, botuar në kolanën “I grandi maestri della prosa moderna”. (Mjeshtrat e mëdhenj të prozës bashkëkohore.)

Ditën e parë të qëndrimit tim në Pragë, mikja ime më propozoi të vizitonim Muzeumin e Franz Kafkës. Binte borë dhe pothuajse atë ditë nuk kishte vizitorë. Nga qoshet e errëta brenda në muzeum, dëgjohej zëri misterioz i një shpendi, i përcjellë me muzikë klasike.

“Është zëri i kavkës, kafkës, siç i thonë gjermanët, më shpjegon Vlasta. I incizuar, sigurisht.”

Mua më del para syve imazhi i Kafkës. Më duket se është ulur diku në ndonjërën nga dhomat dhe po shkruan. Prania e tij ndjehet gjithkund, sikur është pranë teje, ndërsa ti lëviz nga një dhomë tek tjetra, nga një stendë tek tjetra. Shkrimtari është me ty, ndan misterin e ekzistencës së vet, që vdekja nuk ka mundur ta marrë. Ai sikur të fton të shikosh dorëshkrimet e vjetra të tregimeve dhe romaneve, letrat për gratë, frazat e shkruara kuturu në copa letrash dhe të harruara në sirtarë të pluhurosur. Duket se të fton në misterin e jetës së tij, por në fakt gënjehesh. Misterin ai e ka mbajtur të gjithin për vete. Vetëm se, duke vizituar muzeun, ti ndjen praninë e gjithë asaj bote të krijuar prej tij, një botë e ankthshme dhe tronditëse, që e bën atë një nga shkrimtarët më të veçantë në botë dhe padyshim një nga krijuesit më të mëdhenj. Dhe kjo botë e tij ka një lidhje të ngushtë me Pragën dhe komunitetin hebre që ka jetuar prej shekujsh në këtë qytet, duke na u shfaqur jo vetëm si ankth ekzistencial i kohës së tij, po edhe ankth i së ardhmes, ankthi i ekzistencës njerëzore në vazhdimësi.

Në librin e tij “The World of Franz Kafka” (“Bota e Franc Kafkës”) Johannes Urzidil ka shkruar: “Dhe pra Kafka ishte Praga dhe Praga ishte Kafka. Praga s’ka qenë kurrë aq perfekte dhe aq e veçantë sa qe në kohën e Kafkës dhe kurrë nuk do të jetë më e tillë. Dhe ne, miqtë e tij të afërt … e dinim se elementët më të padukshëm të kësaj Prage ishin të pranishëm kudo në veprën e Kafkës”.

Ndoshta duke njohur veprën e Kafkës deri në detaje, ti ke njohur kështu edhe Pragën, jetën e saj, misteret, shpirtin, dilemat dhe vuajtjet ekzistenciale, që mundet kurrë më, askush nuk do të mund t’i përshkruajë me kaq zotësi dhe me kaq mjeshtëri siç i përshkroi Franz Kafka.

Duke u larguar nga Muzeumi i Franz Kafkës me librin e tij “Përsiatje” (“Meditations”) në duar e ndjen kryqëzimin e botëve dhe kalimin nëpërmjet tyre, ndjen mistikën e pakapshme të një kohe që fshihet pas dritareve dhe që nguron të bëhet reale, por ama që është e kudogjendshme.

Më tej, mund të shikosh dritaren nga ku Kafka sodiste në rrugë dhe prej ku thuhet se është shkruar tregimi i famshëm “Dritarja e rrugicës”, shtëpinë e tij të lindjes, trotuarët nga ku ka shkelur i shoqëruar nga miqtë e tij të afërt, kafetë ku ka medituar vetëm ose ka debatuar me miqtë si kafe “Arco” apo “Café Louvre” njërës prej kafeneve më të famshme në Pragë, ku takoheshin dhe debatonin midis tyre intelektualët më të shquar çekë dhe europianë. Midis personaliteteve që e kanë frekuentuar këtë kafene katër përmenden në veçanti. Dhe ata janë: Karel Čapek, Albert Einstein, Franz Kafka dhe Max Brod…

Në anën e pasme të menysë së kafenesë janë renditur tri thënie të cituara nga Čapek, Einstein dhe Kafka.

“Çdo jetë e jetuar për të tjerët është një jetë që e meriton të jetohet”, është cituar Einstein-i, ndërsa nga Karel Čapek është cituar: “ Gjëja më e thjeshtë dhe më e vështirë është të thuash të vërtetën e pastër”. Ndërsa ti je në tryezë me kafen tënde përpara, e ndjen aq shumë praninë e mendimeve dhe të emocioneve të atyre që dikur, para teje ishin ulur këtu, sa kërkon me sy fytyrat e tyre diku midis njerëzve që kalojnë pasditen në qejfin e tyre, kush me të dashurën e kush me ndonjë mik apo mike të ngushtë. Kafka vetë e ka përshkruar këtë kafe në mënyrë shumë të këndshme: “Ishte pothuajse gazmore të shikoje njerëzit sa herë që ata thirreshin për të folur në telefon. Dikush, në vend që të flinte rrinte pranë telefonit, me kokën që i varej përgjumësh. Dhe herë pas here zilja e telefonit e shkundte dhe ai përgjigjej…”

Pastaj këmbët vetvetiu të çojnë në lagjet hebreje, atje ku varrezat e vjetra dhe sinagogat e bëjnë edhe më mistik këtë popull të zgjedhur nga Zoti, ashtu sikundër edhe Kafka qe i zgjedhuri për të shprehur shpirtin e padëshifrueshëm të Pragës dhe të qytetarëve të saj.

Nga libri “Rrugë pa krye”.

Filed Under: Kulture

Biblioteka e Familjes Vlora

August 8, 2022 by s p

Dr. Hasan Bello/

Një nga llojet e bibliotekave që kanë ekzistuar në Shqipëri para dhe pas vitit 1912 ishin edhe bibliotekat private. Këto zotëroheshin nga familjet e mëdha shqiptare. Kështu, një nga bibliotekat më të pasura private ishte ajo e Familjes Vlora. Kjo bibliotekë është themeluar që në shek.XVII-të. Ajo përmendet nga udhëtari i famshëm turk Evlija Çelebi dhe disa autorë francezë, si François Pouqueville në librin “Voyage en Morée, à Constantinople, en Albanie, et dans plusieurs autres parties de l’Empire Ottoman”, Paris,1805 dhe Auguste Boppe në librin “L’Albanie et Napoléon”, Paris, 1914. Për arsye të ndryshme, ajo është shkatërruar disa herë.

Në koleksionet e kësaj biblioteke kishte libra dhe dorëshkrime në gjuhët orientale (osmane, arabe, perse), greke, latine, italiane dhe franceze.

Duke nisur nga viti 1875 një nga pinjollët e Familjes Vlora, Syrja beu (i vëllai i Ferit Pashë Vlorës) dhe i biri i tij, Eqrem bej Vlora, do ta rithemelojnë këtë bibliotekë.

Në vitin 1914, ajo kishte 14.600 libra dhe 2000 dorëshkrime. Për shkak të trazirave politike në të cilat u përfshi Shqipëria në këtë periudhë, një pjesë e tyre u dëmtua.

Në vitin 1938, kjo bibliotekë kishte 8.700 libra e dorëshkrime në gjuhë të ndryshme (osmanisht, arabisht, persisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, greqisht dhe shqip) si dhe 138 Kur`ane të shkruara me dorë, të cilat, Eqrem beu i kishte mbledhur në Stamboll, Egjipt, Persi, Marok dhe Indi.

Pjesë e kësaj biblioteke ishte edhe një koleksion armësh me vlerë të jashtzakonshme, objekte arkeologjike dhe suvenire të kulturave dhe popujve të ndryshëm, të mbledhura nga Syrja dhe Eqrem beu. Të gjitha këto u konfiskuan pas 1944 për tu bërë pjesë e bibliotekave e muzeve të Beogradit dhe Tiranës.

Filed Under: Histori

BIJTË E PROMETEUT e të tjerë…

August 8, 2022 by s p

Si kemi ardhur deri këtu?

Hë si?

( harrojini për një çast, shëmtitë, gjëmat, ligësitë,e të ligjtë e kësaj bote)

…Dhe rrini e habituni..,hë si? Megjithë këto bukuri e mrekulli krijuar nga i Madhi Njeri!

Nuk kanë fund gjetjet, shpikjet, mrekullitë, bukuritë e krijuara nga Qënia Njeri.

Art. Shkencë. Rrokaqiej. Ura gjigande. Macro/Botë e eksploruar. E qëndisur. Micro/botë mikroqëniesh, virusesh, zhbiriluar në thellësi. Mjekësi që rrëmben gjithnjë e më shumë sekrete jete

Komunikim në distancë (Pasqyra magjike e lashtësisë)

Fluturim qiejve me shpejtësi marramendëse (Qilimi fluturues imagjinatë e “ fandaksur” e paraprirësve tanë primitivë)

Nuk numërohen dot.

Po si, u arrit deri këtu?

Do të thoshit:

“Ç’na habite! Ç’u habite?!

Edhe kur sot? Kur edhe kalamajt e vegjël mësojnë të përdorin celular: Just touch screeen. Kur edhe Elon Musk, drejton avionin. Një farë autisti miliarder. Mrekulli më vete( ç’do bënte ky si autist, jo 1000

por edhe 100 e më pak vjet më parë)

Keni të drejtë….

Por…Gjithsesi…po te mendohesh pak…

…Ne e dimë se si.

Zjarri i vjedhur perëndive nga Prometeu, lëshoi shkëndia e shkëndia pa fund e u shpërnda anembanë në ca shpirtra njerëzish e jo vetëm. Hyrë edhe në gene e kaluar brez pas brezash në të tjerë, njerëz patur fatin, ngrohur brenda zjarresh hyjnorë e shkëndijash krijimi.

Ca pak që i ruajnë këto shkëndi, të ndezura, rindezin me to zjarre të mëdhenj krijimi. Zjarre që më pas i ngrohin të gjithë.

Këta që rindezin janë Gjenitê. Këta janē më pranë perëndive. Këta hapin udhë të reja për të gjithë njerëzinë. Udheheqës shpirtrash e mendjesh! Ajnshtajn! Bethoven! Da Vinći! Muhamet! Jesus! Budë! Andaj mos e përdorni kaq lehtë për konsum këtë fjalë: Gjeni! Është për hapës udhësh e udhërrëfyes të mëdhenj.

Ndonëse edhe këta të gjithë kanë qenë njerëz të gjallë, dikur fëmijë. (Kjo i ngatërron prindërit e “gjenive” pa numër, që nuk kanë zjarrin e krijimit hyjnor, por ndoshta veçse dhuntinë e imitimit)…

…Pas gjenive të paktë, vinë të tjerë. Ca më të shumtê, që kanë ditur të ngrohen në këto zjarre e dinë të “vjedhin” zjarr hyjnor me të gjitha shqisat. Që vazhdojnë të marrin soje shkëndija e të ndezin zjarre të tjerë me to. Këtyre njerëzve u thonë talente. E ka mes tyre shkencëtarë, artistë, krijues, akullthyes tokash e kontinentesh të reja për njerëzinë…Homer! Lui Pastër! Picasso! Jobs! Amundsen! Edison!Të mençur, krijues edhe këta. Tē guximshëm. Këta ja bëjnë më të bukura, më të gjera, më komode jetën e ëndrrat njerëzisë.

Zotat i kanë mëkuar. Zoti i bekoftë…

Gjenitë e njerëzimit. Talentet…

Pishtarët e tyre, të ndezur që nuk shuhen kurrë, vijojnë ndër rrugët e reja dorë më dorë…Janë maratonomakë të Zotave…

Marrin e dorëzojnë stafeta…në Olimpe…në përjetësi…Marrin e përcjellin Mesazhe perëndish.

U thonë Zotave ne emër tonë

“Ne Njerëzimi, jemi e do jemi.

E meritojmë Tokën, Shtëpinë e madhe, kaq të bukur që na dhatë.

Por edhe zjarrin që bëtë sikur, jua vodhi Prometeu për ne. Ja dhatë ju. Por e bëtè që ta merrte me vuajtje e vështirësi. Që të na mësonit se nuk ishte lehtë të zbuloje sekretet e të jetuarit në Tokë.

E ata që morën zjarrin e Prometeut e mësuan këtë prej tij. Nga ai mësuan ta mbajmë zjarrin ndezur. Me pishtarë të atij zjarri, të zbulonin sekretet e Tokës. Me lodhje e vështirësi. Me vuajtje e me shpirt. Për ta mbajtur e bërë Tokën gjithmonë e më të gjallë e të magjishme. Akoma më të mirë e të bukur…

Harrojini pra për një çast, shëmtitë, shkatërrimet, dëmet, ligësitë,e të ligjtë e kësaj bote mbi këtë botë…

Apo kuptojini si vështirësitë e zbulimit të sekreteve ende të pazbuluara të kësaj bote.

Atij që kur të zbulohet do ta bëjë epokën tonë të sotme të quhet “ disi e bukur por ende primitive”

Epokë kur akoma njerëzit vrisnin njeri tjetrin, sepse nuk e kishin zbuluar se Toka u qe dhënë dhuratë të gjithëve. E shkëndijat e zjarrit hyjnor atyre që hapnin udhë të reja për të gjithë e të bënin të ëndërroje bukur

Jo ca të tjerëve që vrasin të bukurën e ëndrrat e as nuk duhen përmendur si njerëz…

Prof. Dr. Ylli Pango

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2128
  • 2129
  • 2130
  • 2131
  • 2132
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT