• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dialogu Kosovë-Serbi në rrezik, minishengeni ballkanik sjell konflikt rajonal, bashkëpunimi ekonomik mes shteteve shqiptare, në ngërç

August 2, 2022 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj

Dialogu Kosovë-Serbi, marrëveshje e cila u dakordësua në Uashington, më 4 shtator të vitit 2020, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, duket se është kthyer 23 vite mbrapa në kohë. Sulmet në Veri të Kosovës tregojnë edhe një herë se Serbia nuk është e gatshme të përmbushë pikat e marrëveshjes, e cila do të sillte siguri dhe stabilitet në rajon, dhe, gjithashtu, nuk do të pengonte as integrimin e dy shteteve në Bashkimin Europian, OKB dhe NATO. Siç është bërë e ditur, serbët në Veri të Kosovës, më 31 korrik, vendosën në rrugë kamionë dhe mjete të tjera të rënda për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe. SHBA dhe BE, dy garantet e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, ndërmjetësuan dialogun me shumë pika, për të çuar në bashkëpunim ekonomik dy shtetet, duke hedhur pas konfliktet dhe mosmarrëveshjet e kohëve të vjetra, e më pas, dialogu të konkretizohej edhe me njohjen e Kosovës, nga Serbia. 

                Por, dialogu Kosovë-Serbi, në këto dy vite, ka kaluar nëpër sulme dhe akuza të dyanshme, se asnjëra nga palët nuk është e gatshme që të shkohet në një kompromis të përbashkët. E gjitha kjo është një lojë dhe farsë e Serbisë, e cila, jo vetëm që nuk ka ndërmend të zbatojë marrëveshjen bilaterale, që do të sillte një përfitim të madh për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë, por nuk ka ndërmend ta njohë juridikisht as Pavarësinë e Kosovës. Për Pavarësinë e Kosovës dhanë jetën dhe gjakun djem të rinj, që u shuan në lule të rinisë për liri, ndërsa Serbia duhet të japë llogari për të gjitha ato masakra mbi popullsinë e pafajshme të Kosovës. Për të gjitha krimet serbe ndaj popullsisë kosovare, duhet të mbahet një gjyq si ai i Nurembergut, për krimet e nazizmit, ku të gjithë ata që janë fajtorë për genocidin ndaj popullit të Kosovës, të japin llogari. Sulmet e Serbisë ndaj Veriut të Kosovës marrin spunto edhe nga lufta e Carit të Kremlinit ndaj Ukrainës, ku Rusia është deklaruar gjithmonë në krah të Serbisë. Pas sulmit në Kosovë, Rusia ka deklaruar mbështetjen e saj të plotë për Serbinë, duke këmbëngulur se të drejtat e serbëve duhet të respektohen. Megjithatë, Serbia e ka të qartë mësimin se NATO do të ndërhyjë brenda 24 orësh nëse i shpall sërish luftë Kosovës, ashtu siç veproi 23 vite më parë. 

Minishengeni ballkanik

                 “Ballkani i Hapur” apo i ashtuquajturi minishengeni ballkanik, është një tjetër çështje që i shton akoma më shumë shkëndija zjarrit, duke mbajtur të ndezur konfliktin në Ballkan. Kryeministri Edi Rama është shumë i ftohtë ndaj mosmarrëveshjeve apo sulmeve që vinë nga Serbia në drejtim të Qeverisë së Kosovës, pasi nuk dëshiron të cënojë marrëveshjen me kryeministrin serb, Aleksander Vuçiç, për Ballkanin e Hapur. Në këto kushte ku gjendet Ballkani, minishengeni nuk do të mund të realizohet, projekt i cili favorizon Serbinë, por edhe Rusinë, aleaten e saj shpirtërore, por edhe vendet e tjera fqinje. Dua të rikujtoj për fakte se, kryeministri Edi Rama së bashku me kryeministrat e Serbisë, Maqedonisë së Veriut arritën në Ohër, në vitin 2019, një marrëveshje për projektin e minishengenit ballkanik, i cili konsiston në lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Projekti ka për qëllim bashkëpunimin rajonal meqenëse Bashkimi Europian po vonon integrimin. Kosova nuk u përfshi në këtë marrëveshje mes vendeve të rajonit, u la në hije, pasi Serbia por edhe Bosnja-Hervegovina nuk e njohin Kosovën, dhe nuk mund të ketë projekt kur shtetet janë në konflikt me njëri-tjetrin. 

                     Kështu, Serbisë nuk i intereson njohja e Kosovës, ndërsa Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë të gatshme të realizohet ky projekt. Por bashkëpunim ekonomik rajonal pa Kosovën, nuk mund të ketë. Një projekt i tillë, me Serbinë në mes, duhet të rishikohet nga ekspertë të ekonomisë botërore, pasi, me shumë gjasa, më shumë do të shtojë konfliktin në Ballkanin Perëndimor sesa do të rregullojë punë. Si mund të bëhet pjesë e një marrëveshje të tillë Serbia, e cila është përgjegjëse për disa masakra e genocide ndaj popullit të Kosovës dhe ende nuk e njeh si shtet të pavarur?! Si mund të bëhet pjesë e një marrëveshje të tillë Serbia, e cila është aleate me simotrën e saj Rusinë, e cila po kryhen të njëjta krime ndaj Ukrainës?! Dihet që Serbia me anë të këtij projekti synon të dalë në det; ky është një pretendim i saj që në kohën kur Austro-Hungaria ia prishi planet. Nga kjo do të përfitonte edhe Rusia, e cila prej kohësh e ka dëshiruar zgjerimin dhe ndikimin e saj në Ballkan, për arsye të përfitimit ekonomik, gjë që do të sillte edhe reagimin e SHBA, e cila është faktori dhe shteti me superfuqinë më të madhe në botë.

Bashkëpunimi ekonomik me Kosovën

                 Shqipërisë dhe Kosovës do t’u interesonte më shumë një bashkëpunim ekonomik rajonal me njëra-tjetrën, sesa projekti i minishengenit ballkanik. Nga Ballkani i Hapur do të përfitonin vetëm vendet fqinje, pasi Shqipëria eksporton vetëm lëndën e parë, pra është një shtet që nuk prodhon, i cili do të bëhej treg mallrash në favor të shteteve të tjera. Kryeministri Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti, duhet të zotohen dhe ta marrin seriozisht bashkëpunimin ekonomik, për t’u fuqizuar mes vetes, dhe jo të fuqizojnë të tjerët. Që kur u investua në Rrugën e Kombit, u pa se kjo do të ndikonte në progresin ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës. Që nga viti 2014, kur Shqipëria dhe Kosova zhvilluan mbledhjen e parë të përbashkët, ku u nënshkruan edhe marrëveshje bashkëpunimi ekonomik, Shqipëria dhe Kosova janë përballur me konflikte dhe barriera tregtare. 

                  Paradoksi është se kemi të bëjmë me dy shtete shqiptare. Në vend që të thellohet bashkëpunimi ekonomik, në mënyrë që të mos përfitojnë fqinjët nga mosmarrëveshjet, por të zhvillohemi aq sa mundemi në aspektin ekonomik me njëri-tjetrin, tregojmë edhe njëherë se nuk jemi të aftë të shkojmë mirë mes vetes. Këtu më vinë në mendje fjalët e të madhit Faik Konica: Heshtni, shtrohuni, bashkohuni! Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit”. Shpresojmë që dy shtetet shqiptare të reflektojnë, dhe të bashkëpunojnë mes vetes!

Filed Under: Komente Tagged With: Eneida Jacaj

Poezi nga Manjola Barci-Kozi 

August 2, 2022 by s p

Dedikuar fillimeve të reja, dhe HQ qe u bë muza ime…

I dogjëm te gjitha urat…

I dogjëm te gjitha urat i dashuri im

Urat që na lidhën netëve të ftohta

Urat që na conin në lugina dashurie të pafundme

Te papërshkuara nga askush tjetër…

…Vetëm nga ne të dy…

I dogjëm te gjitha urat i paharruari im

Urat që na conin në xhepat e harruar te kujtesës

Në labirinthet eksituese të harresës…

…Ku vetëm ne të dy gjenim strehë…

Ah, ne i dogjëm të gjitha urat i shtrenjti im

Urat që na lidhnin në hapësirat e nxehta

Të nxehta si dashuria që po avullonte

Si dhimbja që po kondensohej

Si malli që po na gërryen…

I dogjëm te gjitha urat i dashuri im

Por edhe në ikje ti u bëre muza ime

Me tepër sec do ishe berë në përjetim…

                Edhe Njëherë…

A ishte ëndërr apo shpresë?

Si s’munda ta dalloj vallë?

E harruar e brishtë ka mbetur tashmë

Nje pikë loti në të thellin mall.

Tu luta, nga pas të erdha

Por ti sikur me mua ende vazhdon e luan

Si nje ëndërr e shthurur u harrove

Në vetminë që shpirtin tim e bluan.

Ah, sa dua  të të dashuroj edhe njëherë

Pastaj le të tretem në te vetmin harrim

Le ti lëm urat që na lidhën dikur, të digjen

Le të marrosem në të mallkuarin pendim.

Se un e humbur qënka e thënë të jetoj

Pa ty, pa ne, dy ishuj të vetmuar

Ujëra të thellë, të kripur midis nesh,

Në këtë vorbull bote të harruar.

Ah, sa dua  të të dashuroj dhe pak

Pastaj shpirti im në vetmi  të tretet

E lodhur, e heshtur ndoshta do përulem

Se vec mallit asgjë tjetër s’do mbetet.

E lash shpresën tashmë e lirë te fluturoj

Si një zog që merr rrugën pa kthim

Por ëndrrën të lutem më lejo ta mbaj

ëndrra me ty është i vetmi,  i bukur kujtim…

Dua të iki…

Dua të iki të harrohem në një botë tjetër

Në nje botë ku kujtimet të mos egzistojnë

A thua do jesh edhe ti diku atje?

Ku ndarja dhe ikjet  akoma  përvëlojnë?

Gotën e verës ne dorë plot e kam

Asnjë gllenjke nuk kam pirë por e dehur jam

Në fund to gotës sytë e tu shkëlqejnë

Dhe unë sytë e tu dua ti pi bashkë me fjalët që gënjejnë…

Fjalët që thamë, premtimet që bëmë

Në muzgjet e ngrysur që ikja i merr …

Të harruar në dashurinë tonë të etur

Që akoma digjet e ftohtë në agimet terr.   

Jemi larguar shumë larg, në pole të acarta

Pa fjalë, se i mbaruam me premtimet e gënjeshtra

Premtimet që urjat e shiut I morën me vete

Bashkë me gjethet e rëna në vjeshtra.

Filed Under: Kronike Tagged With: manjola barci kozi

THE WASHINGTON POST (1926) / “BIZNESMENËT AMERIKANË, NË KRAHASIM ME ATA EUROPIANË, PREFEROHEN NË SHQIPËRI PËR KËTË ARSYE…” – NJË RRËFIM I RRALLË DHE INTIM I FAIK KONICËS

August 2, 2022 by s p


Faik Konica, i cili do të jetë ministri i parë i Shqipërisë në këtë vend pas shumë vitesh. Selia e tij ndodhet në hotelin Willard. – Burimi : Harris & Ewing – The Washington Post, e enjte, 15 korrik 1926, f.24
Faik Konica, i cili do të jetë ministri i parë i Shqipërisë në këtë vend pas shumë vitesh. Selia e tij ndodhet në hotelin Willard. – Burimi : Harris & Ewing – The Washington Post, e enjte, 15 korrik 1926, f.24

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Gusht 2022

“The Washington Post” ka botuar, të enjten e 15 korrikut 1926, në ballinë, një rrëfim të rrallë dhe intim të Faik Konicës, asokohe i porsaemëruar ambasador i Shqipërisë në SH.B.A, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Prerja e flokëve 2.000 vjeçare, thotë i dërguari shqiptar

Stil i modës së vjetër në vendin e tij, Ministri i Ri raporton – Nuk do të hyjë në shoqëri këtu – Ka prirje për shkrimin e dramave.

Burimi : The Washington Post, e enjte, 15 korrik 1926, ballinë
Burimi : The Washington Post, e enjte, 15 korrik 1926, ballinë

Prerja e flokëve është modë e vjetër në Shqipëri, deklaroi Faik Konica, ministër I porsaemëruar në Shtetet e Bashkuara nga ai vend, pasi mbërriti dje në hotelin Willard.

Shkrimtari–d iplomat shpjegoi se gratë në vendin e tij i presin flokët që prej 2.000 vitesh.

Z. Konica nuk shqetësohet për jetën shoqërore dhe nuk ka ndërmend të luajë këtu “lojën sociale”. Ai refuzoi emërimet diplomatike në Londër dhe Romë për shkak të mospëlqimit të tij për shoqërinë. Teatri, pranoi ai, është hobi i tij. Ndërsa vetë dramaturg, zoti Konica i konsideron esetë e tij veprën më të mirë letrare. Megjithatë, ai ka shkruar më shumë se një partiturë dramash. Z. Konica mbart idetë më liberale dhe më të avancuara mbi skenografinë.

Në “The Whisker”, prodhuar prej tij në Marlboro, Mass., tre vjet më parë, ministri nuk kishte as skenë dhe as dekor, siç konceptohet përgjithësisht në teatër.

Audienca e tij gjithashtu nuk qëndroi ulur gjatë performancës. Ajo i ndoqi lojtarët (aktorët) në një zonë të hapur. Ndjekja e kastit u jep spektatorëve një ndjenjë pjesëmarrjeje në komplotin (intrigën) që ai shpjegoi.

Z. Konica planifikon të vazhdojë të shkruajë gjatë shërbimit diplomatik në Uashington. Aktualisht është duke punuar për përkthimin e “Twelfth Night – Nata e Dymbëdhjetë” në gjuhën e tij amtare. Loja e fjalëve të Shekspirit (përkthimi – përshtatja) e bën të vështirë punën e tij, rrëfeu zoti Konica.

George Bernard Shaw është dramaturgu i preferuar i ministrit, dhe ai numëron Mencken, Dreiser, Anderson dhe Cabell ndër romancierët e tij të preferuar. Gjatë pesë viteve të qëndrimit në Londër, zoti Konica nuk humbi kurrë një shfaqje shekspiriane të prodhuar atje.

I fundit në familjen diplomatike është një beqar, 51 vjeç. Zoti Konica nuk kërcen. Në shpjegim, ai shprehu frikën se ishte “shumë i trashë”. Ai është me trup masiv, me shpatulla të gjera.

Burimi : The Washington Post, e enjte, 15 korrik 1926, f.21
Burimi : The Washington Post, e enjte, 15 korrik 1926, f.21

Ministri pranoi një admirim të madh për bukurinë e grave amerikane. “Ka një përqindje më të madhe të grave të bukura në Amerikë,” pohoi ai, “se në çdo qytet të huaj në botë, me përjashtim të Vjenës”.

Ministri do t’i prezantohet zyrtarisht Sekretarit të Shtetit Kellogg brenda një ose dy ditëve në vijim. Z. Konica ka lindur në Shqipërinë e Jugut në vitin 1876 dhe ka studiuar në Francë dhe në Universitetin e Harvardit. Nga viti 1912 deri më 1914 ai ishte delegat në Londër, Romë dhe Vjenë, duke kërkuar pavarësinë e Shqipërisë. Gjatë luftës botërore ai u mbajt i burgosur në qytetin e fundit. Në vitin 1923 z. Konica u zgjodh deputet në asamblenë kushtetuese të Shqipërisë.

Biznesmenët amerikanë janë të kërkuar në Shqipëri për të zhvilluar vendin industrialisht, tha Z. Konica, “Biznesmenëve europianë nuk u besohet”, deklaron ai, “sepse nuk mund të dihet kurrë kur ata janë të nxitur nga motive politike në aktivitetet e tyre të biznesit. Amerikanët janë të preferuar sepse shqiptarët e dinë që ata bëjnë biznes vetëm për hir të biznesit.”

Filed Under: Interviste Tagged With: Aurenc Bebja

VLERËSIM PËR VEPRIMTAREN RITA SALIU

August 2, 2022 by s p

Fuat Memelli/

Ditën e hënë të kësaj jave, veprimtari i palodhur shqiptaro-amerikani, Petrit Alibej, president i Shoqërisë Atdhetare “Besa- besë” me qendër në Boston, udhëtoi nga Tirana ku ndodhet me pushime, drejt Prishtinës. Qëllimi i këtiij udhëtimi ishte për të nderuar me Çertifikatë “Mirënjohje” veprimtaren kosovare , Rita Saliu, e cila prej 30 vjetësh jeton në Amerikë, por muajt e verës i kalon në Kosovë, aty ku u lind dhe u rrit, ku u brumos me zjarrin e dashurisë për Kosovën dhe kombin shqiptar. Veprimtaria u zhvillua në mjediset e Hotel “Diamond”, pronë e biznesmenit të njohur Kosovar, Behgjet Pacolli. Pasi foli për kontributin e Ritës në diasporën shqiptare të Amerikës, Petriti i dorëzoi asaj Çertifikatën e “ Mirënjohjes”me këtë motivacion:”Për veprimtarinë e spikatur patriotike në Kosovë e jashtë Atdheut, për humanizmin, sensibilizimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë luftës për liri e pavarësi të Kosovës, si dhe për punën e saj krijuese në fushën e letërsisë, në një varg veprash që shquhen për prurje të reja si në përmbajtje edhe në formë.” Duke marë çertfikatën, Rita Saliu falenderoi për vlerësimin e bërë dhe theksoi se ajo nuk do lodhet kurrë për çështjen e Kosovës, për lirinë e të cilës sakrifikoi populli i Kosovës, për të cilën dhanë jetën shumë bij e bija, duke e paguar me gjak lirinë e fituar. Pas ceremonisë ata shkuan te varri i Presidentit Ibrahim Rugova dhe vendosën një kurorë me lule në emër të Shoqërisë Atdhetare “Besa –besë”.

Po kush është Rita Saliu? Shumë shqiptarë e njohin atë, por për ata që nuk e njohin, po themi shkurt disa fjalë. Ajo është vajzë nga Prizreni që e lidhi jetën me intelektualin Adem Saliu me origjinë nga Dibra e madhe. Një shtëpi e tyre ndodhet në Prishtinë dhe një në Amerikë. Rita ka qënë e përkushtuar për çështjen kombëtare qysh kur ishte në Kosovë. Shpirti i saj patriotik dhe human, spikati edhe edhe më shumë gjatë luftës së Kosovës e më pas. Ajo dhe bashkëshorti i saj , Ademi, strehuan në shtëpinë e tyre familje kosovare. Pritja që ata i kanë bërë vëllezërve e motrave të tyre në aeroportin e Bostonit, është filmuar dhe trasmetuar nga një kanal televiziv amerikan. Po kështu në ditët e pas luftës, burrë e grua ndihmuan për t’u mjekuar në spitalet amerikane fëmijë kosovarë që kishin pësuar djegie nga hordhitë sërbe. Shumë shqiptarë nga Shqipëria e Kosova e kanë dëgjuar zërin e Ritës në veprimtari të ndryshme që organizohen në Boston. Është shpirti i saj patriotik që i vlon në gji dhe e nxit për të punuar pa rreshtur për vëllezrit e motrat e saj nga Kosova por edhe nga Shqipëria.. Për kontributin e dhënë, ajo është vlerësuar nga presidenti Bamir Topi me Urdhërin “Nënë Tereza”.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fuat Memelli

KONCEPTET FILOLOGJIKE TË NDRE MJEDËS

August 2, 2022 by s p

Prof. dr. Begzad Baliu/

KUFIJTË E KËRKIMIT

Në kontekstin historik, gjuhësor, letrar dhe kulturor, jeta dhe vepra e Ndre Mjedës, shtrihet në dy periudha të mëdha dhe shumë të vrullshme: gjysmën e dytë të shekullit XIX të Rilindjes Kombëtare dhe gjysmën e parë të shekullit XX të Periudhës së Pavarësisë. Fjala është për periudhat më të ndritshme të Lëvizjes kombëtare në shumë fusha të dijes dhe të jetës së popullit shqiptar, kur bardët e lëvizjes intelektuale të popullit shqiptar të organizuar në atdhe dhe në koloni të vjetra e të reja identifikoheshin si individë dhe si komb para fqinjëve dhe para Europës për konceptet e të ardhmes së tyre politike, gjuhësore, kultu¬rore dhe etnopsikologjike. Është koha kur mendjet historike të krijuesve shqiptarë, të organizuar në kolonitë e Lindjes ktheheshin me fytyrë kah Perëndimi, kur ndërdija e zgjuar e romantikëve shqiptarë të Kolonisë së arbëreshëve të Italisë rikthehej në vatrat historike të atdheut të të parëve, ndërsa sytë e krijuesve të brezit të ri në atdhe gjithnjë e më shumë ishin drejtuar në shkollat më bashkëkohore të dijes europiane, e kjo do të thotë në shkollat austro-gjermane të Europës Qendrore.
Ndre Mjeda është njëri nga intelektualët shqiptarë, i cili në këtë kohë do të shkollohet në fushë të teologjisë, do të popullarizohet në krijimtarinë letrare, e do të formohet në fushë të gjuhësisë.

NDRE MJEDA DHE BASHKËKOHËSIT

Duke studiuar në fushë të teologjisë në shkollat e Perandorisë Austro-Hungareze, Ndre Mjeda kishte rastin të njihte edhe zhvillimet më të reja shkencore në shumë fusha të dijes, prandaj edhe në fushë të gjuhësisë. Ai njihte në mënyrë të shkëlqy¬eshme shumë gjuhë: latinishten, gjermani¬shten, italishten, polonishten, serbishten etj., shkëmbente një letërkëmbim shumë të dendur dhe shumë të rëndësishëm me studiuesit më të mëdhenj në fushë të albanologjisë, si: theme¬lue¬sin e albanologjisë shkencore Gustav Majer; indoeuropianistin e albanologun Holger Pederse¬n; ballkanologun e albanologun më të madh të shekullit XX Norbert Jokli; dialektologun Carlo Tagliavinin, albanologët, që njëkohësisht ishin edhe bashkëpjesëmarrës të një vargu aktivitetesh kërkimore në fushë të orto¬grafisë shqiptare, Rajko Nachtigal dhe Maximilian Lamberc etj. Njëkohësisht, ai përcillte me kujdes kërkimet e reja gjuhësore të studiuesve më të mëdhenj të kohës, madje jo vetëm në fushë të albanologjisë, si: indogje¬rma¬nistin Brugmann, ballkano¬logun (në kuptimin më të mirë të fjalës) Gustav Weigand, etimologun kroat Petar Skok, dialekto¬logët, neolinguistët, tekstologët shqiptarë e të huaj: Fransua Ribezzo, Mateo Bartoli, Mario Roques, Nilo Borgia, Konstantin Kristoforidhi, Gjergj Pekmezi, Justin Rrota, Aleksandër Xhuvani etj . Në historinë e albanologjisë dhe sidomos në historinë e Rilindjes Kombëtare e të Periudhës së Pavarësisë mund të gjenden shumë personalitete që shkruanin për gjuhën dhe për gjuhën shqipe e të problemeve të saj diskutonin nga këndi i romantikëve apo iluministëve, por në këtë kohë ishin të paktë ata gjuhëtarë e krijues që gjuhën e shkruanin dhe për gjuhën flisnin me kompetencën e gjuhëtarit dhe sidomos me përgjegjësinë e studiuesit të gjuhësisë. Ndre Mjeda ishte njëri nga ata pak filologë shqiptarë, i cili për gjuhën shkruante në nivel të arritjeve më të rëndësishme në fushë të albanologjisë.

TRADITA E RILINDJES

Ndre Mjeda e ka jetuar dhe e ka njohur Rilindjen Kombëtare me të gjitha dimensionet e pjesëtarit të saj aktiv në këtë lëvizje. Por, ai më shumë se sa disa prej personaliteteve emblematike të Rilindjes ka njohur më shumë dhe i ka kuptuar më mirë prirjet shkencore të gjuhësisë së shkollave europiane. Në të vërtetë, si gjatë Periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqipta¬re, ashtu edhe gjatë Periudhës së Pavarësisë, nuk mungonin krijuesit të cilët përgjithësisht kishin koncepte të drejta për disa nga çështjet më të rëndësishme të filologjisë shqiptare, si: prejardhja e gjuhës dhe vendi i formimit të popullit shqiptar, etimologjia e disa prej toponimeve dhe antroponimeve të Europës Juglindore, ortografia e gjuhës shqipe, dialektet e shqipes dhe madje variantet e saj, trashëgi¬mia etnopsikologjike etj., por ishin të paktë ata që këtë mendim e mbështesnin mbi të arriturat më të reja filologjike të gjuhësisë europiane. Disa nga filologët arbëreshë gjë në gjysmën e parë të shekullit XIX jo vetëm përkrahnin tezën e prejardhjes ilire të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, por me kërkimet e tyre ndihmonin mendimin e gjuhësisë krahasimtare indoeuropiane për hedhjen e themeleve të metodologjisë historike shkencore për albano¬logjinë si njëra prej disiplinave të saj. E megjithatë, romantikët më me ndikim: Jeronim De Rada, Dhimitër Kamarda, Naim Frashëri etj., jo pse nuk ishin të njoftuar, por kryesisht për hir të koncepteve romantike për lashtë-sinë e popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, vazhdonin të përkrahnin, me gjuhën e letërsisë dhe me gjuhën e shkencës, teorinë e prejardhjes pellazgjike të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe.
Ndryshe nga bashkëkohësit e tij të Rilindjes Kombëtare, i njohur me drejtimet e reja linguistike, me rezultatet e reja të gjuhësisë indoeuropiane dhe sidomos me botimet me të arrira të themeluesit shkencor të albanologjisë Gustav Majerit, Ndre Mjeda do t’i qëndrojë besnik konceptit për prejardhjen ilire të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, jo vetëm në artikujt gjuhësorë, por edhe në krijimet letrare. Në veprat e tij letrare nuk bëhet përpjekje për të identifikuar mitet e antikitetit grek e romak (qofshin ato antroponime apo toponime), si njësi etnohistorike të popullit shqiptar, por antropo¬ni¬met dhe patronimet ilire-shqiptare me mitet greke apo romake. Në poezinë Scodra të Mjedës gjendet vargu: “Afërdita për fli Rozafën lypë…”. Kështu autori kujdeset gjithnjë që antroponimet apo ojkonimet historike shqiptare t’i shënojë me trajtat gjuhësore të njohura në dokumentet antike, si: Scodra, Sko-drinon, përkatësisht Skodri-non, Labeatët, Parthinët, Autariatët, Bindi, Peshtriku etj., për të identifikuar gjithë këtë me vargun emblematik: “T’Ilirijes”, kumboi, “â k’tu temeli” .

PARARENDËSI I SHKOLLAVE LINGUISTIKE NDËR SHQIPTARËT

Në gjysmën e parë të shekullit XX, gjuhësia europiane shënon disa arritje të rëndësishme: gjuhësia historike tashti ishte në kulmet e saj, ndërsa objekt studimi i saj tashmë ishin bërë disa herë edhe gjuhët e Ballkanit, andaj edhe gjuha shqipe. Në ndërkohë ishin shfaqur edhe shkolla dhe drejtime të reja gjuhësore në disa nga qendrat më të mëdha të Europës dhe Amerikës.
Konceptet e avancuara gjuhësore të Sosyrit, Sapirit, Trubeckoit (N. S. Trubetzkoy) etj., jo rrallë vinin në dyshim disa nga arritjet e gjuhësisë historike në përgjithësi. Gjuhësia shqiptare, ndërkaq ende vonohej jo me konceptet e saj brenda zhvillimeve të brendshme, por edhe absorbimin e arritjeve më të reja që shënonin gjuhëtarët më të mëdhenj të kohës: Norbert Jokli, Holger Pederseni, Malte-Brun, Maksimi¬lian Lamberci e të tjerë.
Ndre Mjeda do të kujdeset shumë për tejkalimin e koncepteve të vonuara të romantikëve shqiptarë për lashtësinë e popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe – kryesisht nga pellazgët; do të angazhohet për të plotësuar kërkesat e iluministëve bashkëkohës të tij për një ortografi gjithëkombëtare; si dhe do të bëhet bashkëpjesëmarrës në përgatitjen e teksteve normative brenda një gjuhe të njësuar. Në të njëjtën kohë Ndre Mjeda do të mbajë qëndrim kritik ndaj rezultateve të reja gjuhësore dhe do të bëjë kërkimet e para gjuhësore në fushë të historisë së gjuhësisë shqiptare.

HISTORIANI I GJUHËSISË DHE ILIROLOGU

Misioni prej pedagogu e shtynte Ndre Mjedën, si edhe shumë bashkëkohës të kohës së tij, që të shkruajë vepra mësimore për nevoja të mësonjëtoreve shqipe , por në të njëjtën kohë, ai ishte njëkohësisht edhe nga ata të paktë gjuhëtarë që merrej edhe me kërkime të thelluara shkencore në fushë të gramatikës së shqipes, e përtej saj edhe me kërkime krahasuese të gjuhësisë shqiptare e të asaj indoeuropiane.
Njohuritë teorike në fushë të gjuhësisë e ndihmuan atë që të ketë mendime të avancuara për ortografinë e shqipes, në standardizimin e disa trajtave gramatikore të varianteve dhe dialekteve të shqipes, të marrë pjesë në përgatitjen e promemorieve për standardizimin e gjuhës shqipe etj. E gjithë kjo shihet edhe prej pikëpamjeve që kishte për ortografinë e shqipes: ai duhej të ishte alfabet shkencor me shenja diakritike, në mënyrë që çdo tingull të kishte vetëm një shkronjë.
Ndre Mjeda është njëri nga studiuesit shqiptarë të kohës, që kishte njohuri për letërsinë e vjetër dhe bënte kërkime e studime çdo ditë në veprat e Pjetër Bogdanit e të Pjetër Budit, që bënte polemika për probleme të teksteve të vjetra dhe për botime gjuhësore të kohës. Le të kujtojmë këtu studimet prej historiani të gjuhësisë dhe prej tekstologu në artikujt: Përmbi nji libër të panjoftun të Imzot Pjeter Budit” , Prei librit “Pasëqyra e të rrfyemit” së Timzot Pjetër Budit” , diskutimet prej dialektologu, madje prej etnologu e historianit të dialekto- gjisë për veprën e M. Bartolit Lé reliquie del dialetto albanese dell’ Istria” , vërejtjet prej tekstologu e historiani të gjuhësisë në studimin e Nilo Borgjes “Nji dorëshkrim i moçem e nji kritikë e ré” , vërejtjet prej polemisti në artikullin Shenjime bibliografike: Località, chiese, fiumi, monti e toponimi di un’ antica carta dell’ Albania settentrionale etj.
Është e kuptueshme, prandaj, pse ai është njëri nga rilindësit e paktë, dhe madje njëri nga gjuhëtarët shqiptarë të kohës, i cili do t’u gëzohet veprave të Gustav Majerit për gjuhën shqipe dhe për popullin shqiptar. Dija që kishte filluar ta zinte në shkollën gjermane nuk e lejonte që prejardhjen e madhe të fjalësit të shqipes nga latinishtja, të cilën e nxirrte Gustav Majeri ta priste me reagime dhe emocione të papërmbajtshme. Më shumë se sa rezultatet e Majerit, Ndre Mjedën e gëzonte projekti i rëndësisë nacionale dhe shkolla e sforcuar shkencore me të cilën ishte realizuar kjo vepër. Dhe, pse të mos i gëzohej Mjeda, kur prej dijes që kishte zënë në shkollën gjermane e dinte se shqipja ishte njëra prej gjuhëve të para europiane dhe nga më të parat gjuhë ballkanike, e cila po kurorëzohej me një vepër monumentale madje edhe për kohën tonë “Fjalori etimologjik i shqipes”. Prandaj nëse poezia përkushtuese për Gustav Majerin shpreh respektin e rilindësit shqiptar për studiuesin që kishte bërë një vepër të tillë për gjuhën shqipe, letrat e tij me qortime për disa ‘lëshime’ të natyrës fonetike – dialektore dëshmojnë për njohuritë e tij në këtë fushë dhe për qëndrimin kritik që do të mbajë edhe më vonë ndaj shumë veprave letrare dhe sidomos gjuhësore .
Për shkak të lidhjeve shumë të afërta me Gustav Majerin, Ndre Mjeda deri në fund do t’i qëndrojë besnik tezës së përhapur për prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar, ndërkohë që gjuhëtarët vendës dhe të huaj ishin ndarë në tri grupe në pikëpamjet e tyre rreth kësaj çështjeje: ilire, pellazge dhe iliro-trake.

GJUHËTARI DHE ATDHETARI
As brezit paraardhës të shkri¬m¬ta¬¬rëve dhe as bashkë¬kohësve shkrimtarë e gjuhë¬tarë të Ndre Mjedës, nuk iu ka munguar atdheda¬shuria për gjuhën dhe për kufijtë etnografik të saj, por janë të paktë shkrimtarët dhe sidomos ata që kanë provuar të mbrojnë atdhetarinë e tyre edhe me përmasën shkencore të dijes linguistike që mbretëronte në atë kohë.
Ndre Mjeda është nga ata pak krijues, i cili përveç me fjalën artistike dhe me konceptet shkencore mbi prejardhjen e popullit shqiptarë e të gjuhës shqipe, në tekstet e tij gjuhësore, problema¬tizuese e polemizuese, ka sjellë disa fakte të karakterit historik, etnografik, gjuhësor dhe madje politik të rrethanave historike të presionit mbi elementin etnik dhe gjuhësor në hapësirën shqiptare.
Në vitin 1935 Mjeda polemizonte me etnografin Filip Fishta në lidhje me kontributin e prelatit Filgenc Carev në përhapjen e gjuhës serbokroate ne Arqipeshkëvinë e Shkupit, të cilin edhe redaksia e “Hyllit të Dritës”, e kundërshtonte në të mirë të shejtanisë së ipeshkëvit Carev. Kjo është arsyeja që Ndre Mjeda jo vetëm të dëshmojë këtë por edhe ta plotësoj me të dhëna të tjera historike e personale, të cilat janë në të mirë jo vetëm të gjuhësisë (toponimisë e antroponimisë) por edhe të etnografisë, të historisë së kishës e të etnisë shqiptare përgjithësisht.
Pasi arsyetonte predikimin e ipeshkëvit Carev në gjuhën serbokroate “meqë këtë gjuhë ia kishte mësuar nëna e tij”, meqenëse, theksonte Mjeda, edhe meshtarët shqiptarë në zonat sllave “predikojnë në gjuhën shqipe, me anë përkthyesish, kur nuk dinë gjuhën e vendorëve”, sillte një varg të dhënash për ndikimin që pati angazhimi i tij në Janjevë dhe për arsyet e largimit të tij, pavarësisht nga popullariteti që gëzonte ai falë angazhimit të tij prej meshtari: “Mâ së pari vjen përforcimi qi i dha jo veç giûhës por edhè liturgjisë sllave në Janjevë nëpër mjet të dy Boshnjakvet dhe me thane nëpër mjet t’ish-fratit Shishkoviq, të cilin e vêndoi mësues në shkollë t’ati katundi, e të At Frano Brkiq-it Franqeskan prej Bosnjes. Këta dy vetë jo veç e ndeznë popullin e Janjevës në dashuni për giûhën sllave, sá me i bâ me mohue kombesine shqiptare, por edhè ja u shtine në zêmrë nji të përbuzun të çuditshëm kundra shqiptarvet, porsi gjind të trashë e të poshter.
Po tham: sá me mohue kombsine shqiptare pse shumica e madhe e Janjevës âsht fisi shqiptar sikursè atá vetë shum herë e kan dishmue. Bje fjala: Glasnoviqt, të cillët njohen mâ se 100 shpi, janë mbahen Shalnjanë; provë qi deri vonë bashin êmnin “Scialli”, si Arqipeshkvi i Shkupit Imz. Pieter Scialli, e ndo’j prift asò vllaznije p.sh. Tomë Shali, e Mikel Shali, shokë të mi në Seminàr të Shkodrës: e ky i mbrami e pat mbàjtë ket mbiêmen edhe mbassi u bâ Glasnoviq. I pari qi e ká marrë mbiêmnin Glasnoviq ndër Meshtarë âsht D. Nikoll Glasnoviqi, i cili kje çue në Seminár të Shkodrës prei Carevit, kje çue nder Jezuit nji dialë prej Crngore i nji katundit krejt mysliman e laraman, kû s’ndihei nji fjalë sllavishte. Deri asaj drite së parë së Fretenvet në Shqipni qi per êmen vllaznije kishte Pergjeçaj, i kje njitë Gjeçeviqë e Gjeçev. E me gjithsej shumica në Janjevë janë fisi shqiptar, mbas ase propagande së rrebtë na ka ra me ndie ndonji Janjevas të zgjuat tui thanë per sllavishten: “e ëmbla giûha e jonë amtare!”. E nuk âsht e vërtetë shka thotë Redakcijoni, se Imzot Carev u ka predikue sllavisht Janjevsvet, qi tjeter giûhë nuk dishin (nënvizim i N.M.). Në Janjevë në kohë të Timzot Trokshit pleqve e plakave ju vite e vshtirë m’u rrfye sllavisht, e lypshin me i rrfye shqip, si e dëshmon edhe Nd. Zot. D. Pashko Krasniqi, qi n’atë kohë ishte ndihmës i famullitarit në Janjevë” .
Në këtë rrjedhë të gjerë të dhënash Mjeda kujton edhe ‘kontributin’ e ipeshkëvit Carev në përhapjen e gjuhës sllave, duke përforcuar me meshtarë sllavë edhe kishën e fshatit Letnicë, Shkup, Prizren, Gjakovë etj., ku jo vetëm mbahej mesha në gjuhën sllave por edhe kënga e Meshës së Madhe bëhej në sllavishte.
“E pra, – vazhdonte më tutje Ndre Mjeda, – Imzot Carev nuk u hoq prej Shkupit per pleqni, as pers mundje as pse dhe dorëhjekjen. Duel fjala se nuk e dote qeveria turke, por Turkija se kishte mênden atëherë me dbue nji shtetas austriak prei vendi së vet. Por arrësyeja e vërtetë se nuk e dote njajo Fuqi, qi mâ vonëdo të ngulte në parim: Shqipnija e shqiptarëve (nënv. i NM); e prei luftës ballkanike do të delte Shteti Shqiptàr vetëurdhënues e i pàmvarun. E u pà me’j herë kur mbas Carevit u vû nji Arqipeshkv Shqiptàr, qi prej ditsh nuk ishte pà nder né; e kjo Imzot Ndré Logoreci, i cili me të shpejtë çili shkolla shqipe, tuj sjellë prei Shkodre të nipat e vet; e në Pesrend vûni Mati Logorecin, e të vllàn Pashkon në Jakovë. E shqiptarë kjenë Imzot Pashko Trokshi, e Imzot Lazër Mjedja qi erdhne shoq mbas shoqit déri sà Argjipeshkvija e Shkupit i kje rrmye tokës shqiptare” .

STANDARDOLOGU

Në studimet gjuhësore, ndonëse jo të shumta, Ndre Mjeda ka treguar njohuritë e tij prej neogramatikani apo sikur shprehej Selman Riza prej rijogramatikani të shko¬¬llës gjerma¬ne . Ai njihte natyrën deskri¬ptive të gjuhësisë shqiptare. Ishte filologu, që ndër gjuhëtarët e parë shqiptarë merrej me zhvillimin e brendshëm të fenomeneve gjuhë¬sore të shqipes dhe njëkohësisht linguisti, i cili merrej me gjurmimet kompara¬tive të shqipes. Prandaj kontributet e tij në fushë të gjuhësisë janë referenca jopërgjithësuese, sikur jemi mësuar t’i lexojmë nga tekste të letrarëve shqiptarë që nga Rilindja e deri në fund të gjysmës së parë të shekullit XX, por të veçanta dhe me kompe-tencë. Shembulli i përkufizimeve intelektuale dhe programatike ndër sprovat e tij është studimi Paraqitje e alfabetit të pranuar në Konferencën e Ipeshkëvet shqiptarë në Shkodër (maj, 1902) . Në këtë studim autori përcakton përmasën intelektuale, metodike dhe proble¬more të ortografisë së shqi pes, në kontekst të zhvillimit të arsimit në Shqipëri, të trashëgimisë dialektore dhe të përvojave të saj ndër gjuhët dhe kulturat e mëdha europiane.
“Popujt e Europës, – hapte kumtesën e tij në Konferencën e Shkodrës, Ndre Mjeda, – në pjesën më të madhe, në të shkruem të gjuhës së tyne, kanë ndjekë një sistem tradicional të nxjerrun nga populli ose nga gjuha, që kishte ndikue ma tepër në kulturën e tyne intele¬ktuale. Kjo metodë, që flet për gjuhë motra, fatmirësisht, nuk do të paraqitte çashtje të randësishme; por, në mes gjuhësh krejtësisht të ndryshme, nga të cilat njena ka tinguj që s’i ka tjetra, puna do të ndryshonte. Kështu, për shembull, n’alfabetin e vjetër, që përdoret në Shqipni të Veriut, të marrun nga gjuha italishte, ndonëse për disa tinguj të veçantë qenë futë disa shkronja të posaçme, megjithatë, për të tjerat u ndoq mënyra italiane, tue u kënaqë me njëfarë afërsie, e tue ia lane lexuesit t’urtë me nxjerrë nga shkrimi mënyrën e të shqiptuesit të drejtë të tingujve” .
Pasi kërkonte një alfabet: për çdo tingull një shenjë të posaçme, – ndërsa ndërmjet sistemit fonetik dhe atij etimologjik zgjidhte të dytin. Përfundimet e tij, sot historikisht dalin të krahasueshme me përfundimet që më vonë pati sjellë Selman Riza, që në vitet ’40 , dhe madje jo vetëm ai deri në prag të Kongresit të Drejtshkrimit,- pavarësisht se rrethanat politike dhe zhvillimet në fushë të standa¬rdologjisë më nuk i takojnë vetëm ortografisë.
“Rregulla ma e parë, në të cilën Komisioni i Ipeshkëvijet Shqiptarë erdh, drejtëpërdrejt në zgjedhje t’alfabetit, qe me bashkue të dy dialektet e mëdhaj: dialektin gegnisht me atë toskërisht; tue mos paraqit qysh tash një gjuhë letrare (studimi i së cilës do t’i përkasë Akademisë, themelue prej tyne), por tue futë një ortografi të përbashkët dhe të përgjithshme. Do të dëshirohesh një metodë, e cila, tue përjashtue shkronjat e hueja prej alfabetit latin, të riprodhonte përpikmënisht tingujt e ndryshëm të gjuhës sonë dhe të paraqitte lehtësitë ma të mëdhaja didaktike. Për t’ia mbërrijtë këtij qëllimi, kurrnjë sistem tjetër s’u duk ma i përshtatshëm, se ai i parashtruem, në gji të këtij komisioni, prej D. Ndre Mjedës, dhe që na e paraqesin këtu. Ky alfabet, në përgjithësi, âsht ai i përdorun nga Kristoforidhi, i ndjekun, me pakë ndryshime nga Gustav Meyer, Brugmann, Holger Pedersen dhe nga albanalogë të tjerë të përmendun.
Që ky sistem âsht i vlefshëm për njëzimin e gegënishtes me toskërishten, tue jau bâ gegëvet mas të lehtë të lexuemit e shkrimevet toskërishte dhe anasjelltas, tue lehtësue, kështu, marrë¬dhë¬nien në mes të dy krahinavet, kishte me mujtë me u nxjerrë a priori, për arsye se ky sistem âsht bazue mbi etimologji, e cila asht e njajtë për të dy dialaktet; kurse ndryshimi, që gjindet në të shqiptuem, tregohet me anë të njëshenji diakritik mbi shkronjën themelore” .
Konceptet e tij gjuhësore për njësimin e gjuhës shqipe dhe të ortografisë së saj autori i ka shprehur edhe në Komisinë Letrare të Shkodrës, brenda të cilit veproi dhe punoi me shumë pasion.

TEKSTOLOGU

Ndonëse ishte koha kur po bëheshin hapat e parë në fushë të filologjisë, kryesisht në leximin dhe transkriptimin e transliterimin e veprave të shkrimtarëve të vjetër, Ndre Mjeda në një moshë mjaft të re filloi botimin e veprës së Pjetër Bogdanit, Çeta e profetëve, për të vazhduar edhe me veprën e Pjetër Budit Pasqyra e të rrëfyemit. Përkushtimin dhe dijen e tij ndaj kësaj fushe nuk e përcakton vetëm sprova për të sjellë një shembull të mirë të kësaj fare, por përcaktimi i tij fillestar që veprën e Pjetër Budit, bie fjala, ta transkri¬ptojë të plotë, -gjë që për shkaqe të paditura nuk e bëri. Po i kësaj natyre është transkriptimi dhe transite¬rimi i tekstit të Perikopesë së Ungjillit të shekullit të XIV Nji dorëshkrim i moçëm e nji kritikë e ré, në të cilin autori dëshmon për një kulturë të gjerë informacioni, për dije të thelluara gjuhësore dhe për koncepte të avancuara të linguistikës historike. Saktësia e transkriptimit dhe e transliterimit, krahasimet e teksteve në shkallë të leksikut, strukturave gramatikore e sintaksore, njohja e kufijve dialektorë, madje shpesh në kontekstin historik, njohja e teksteve të vjetra gjuhësore për nevoja krahasimi, njohja e gjuhëve të vjetra (greqishtes së vjetër dhe e latinishtes), kritika parimore dhe polemika e kursyer etj., e bëjnë këtë tekst një model shkencor jo vetëm për faktin se është një prej teksteve të para të kësaj natyre në gjuhësinë shqiptare -por edhe për filologët e ditëve tona.

GRAMATOLOGU

Në historinë e albanologjisë janë shkruar mjaft gramatika për nevoja nga autorë me interesime të veçanta dhe me interesime nga më të ndryshmet. Udhëpërshkrues, ushtarakë, misionarë shpirtërorë e politikë, studiues e krijues të ndryshëm kanë shkruar gramatika, kryesisht edhe me ndonjë shtesë fjalësi, për nevoja ushtarake, kishtare, pedagogjike etj.
Këtë pasuri në fushë të gjuhësisë shqiptare e thekson edhe Ndre Mjeda që në hyrje të njërës prej veprave më të njohura të tij në gjuhësinë shqiptare, kur thekson: “Na kena nâmin me kênë mâ të parët, nder popuj të Ballkanit, qik ena nji gramatikë në giûhë të tânë ç’prej vjetës 1716.; e nder këto 218 vjet gramatikat shqipe kane shkue tui u shtue pá mê, vjetë mbas vjetë. Por me folë vetëm për lakimin e êmnavet, gramatikat e moçme kondêndoheshin me shênjue nji amnore të pácaktueme, e pe rasë tjera nuk kishte ndryshim. Erdhne mâ vonë gramatikat tjera qi dáne dý trajta lakimi, të pácaktuem e të caktuam; por kerkush nuk duel me zhvillu eshka ishte elementi faktues i êmnavet, pse e shuma ndër auktorë nuk e dishin atà vetë. Nuk âsht prá çudë se edhè ndër mësues shum nuk i dishin e nuk e dìn endè cillësín e këtyre elementaret” .
Ndre Mjeda është një nga ata pak gjuhëtarë shqiptarë të kohës së tij (Sami Frashëri, Konstantin Kristoforidhi, Ilo D. Sheperi) që, -pos librave deskriptivë të kësaj natyre, për nevoja të shkollave të para shqipe, me probleme të gramatologjisë merret edhe në interes të kërkimeve teorike dhe historike. Artikujt Vrejtje mbi artikuj e prèmna pronës të gjûhës shqipe dhe Në rasë të nji kritike , tregojnë për qëndrimin kritik të Mjedës ndaj rezultateve të kohës dhe për konceptet e reja që mund të sillte mbi këto probleme në gjuhësinë shqiptare, qoftë nga aspekti historik, qoftë nga ai i kohës së tij.

DIALEKTOLOGU E ETNOLINGUISTI

Në historinë e albanologjisë Ndre Mjeda veçohet edhe për një aspekt kërkimi. Së pari ai bashkohet me pjesën më të madhe të studiuesve të trojeve etnografike shqiptare në veri të Shqipërisë, të cilët, jetë të tëra, i kanë kushtuar mbledhjes dhe regjistrimit të elementeve etnografike dhe madje etnopsiko-logjike të banorëve të saj. Duke regjistruar zakonet krahinore të Shqipërisë Veriore, udhëpë¬rshkruesit, priftërinjtë, misionarët shpirtërorë dhe politikë, duke qëndruar për një kohë të gjatë nga njëra krahinë në tjetrën, të gjithë këta, qofshin vendorë apo të huaj, kanë pasur mjaft njohuri për psikologjinë, veshjet, mënyrën e jetesës dhe madje variantin apo dialektin e vendit. Këto njohuri i ka ‘trashëguar’ edhe Ndre Mjeda, misionari që në tryezën e meshës, krahas biblës në gjuhën latine, mbante edhe Çetën… e Pjetër Bogdanit dhe Pasqyrën… e Pjetër Budit në gjuhën arbërore. Njohuritë e tij për të folmet e Veriut Ndre Mjeda i ka shpjeguar në disa raste dhe në disa tekste të tij të karakterit historik, etnologjik dhe sidomos gjuhësor . Por, Ndre Mjeda ndryshe nga studiuesit e mëhershëm dhe bashkëkohësit e tij në këta artikuj fenomenet dhe dukuritë gjuhësore e etnografike do të kujdeset që t’i shpjegojë në mënyrë komplementare, shenja këto të mjaftueshme për të parë etnolinguistin e gjuhësisë shqiptare në kronologjinë e historisë së albanologjisë .

NGA GRAMATIKA HISTORIKE TE SOCIOLINGUISTIKA

Ndër kërkimet dhe studimet gjuhësore Ndre Mjeda ka botuar edhe disa artikuj shkencorë nga fusha e onomastikës: antropo¬nimisë , ojkonimisë dhe hidroni¬misë e oronimisë . Në tre artikujt e tij shkencorë autori ka arritur të sjellë disa veçori të përba¬shkëta dhe të veçanta. Ata i shquan pjekuria e tij shkencore dhe sinteza e neogra¬ma¬tikanit të shkollës gjermane, një model që vazhdon të provohet edhe në studimet e sotme të shkollës së gjuhësisë historike. Autori diskuton antro¬ponimin hipokori¬stik Prênd e Prêndê, ojkonimin me prejardhje ilire Bassania, dhe hidronimin e oronimin Zeta (Zedda, Zenta, Centa, Cetta, Genta, Senta). Në këto studime konceptet e tij gjuhësore shprehen në mënyrë të plotë. Në kohën që edhe disa nga gjuhëtarët më të shquar bashkëkohës, si Çabej e ndonjë tjetër, studimet e tyre jo rrallë i përmbysnin me përshkrime etno-folklorike dhe historike, Ndre Mjeda tregohet shumë më i përmbajtur: -Ai njeh mirë fonetikën dhe morfologjinë historike, prandaj objektet e tij shkencore i përvijon sipas ligjësive të tyre; njeh mirë metodën historike – krahasimtare, prandaj sjell dëshmi të mjaftue¬shme historike të dokumenteve të kohës dhe shembujt e marrë në shqyrtim i bën objekt krahasimi brenda zhvillimeve të brendshme gjuhësore të shqipes dhe në krahasim me gjuhët fqinje të kohës, kryesisht sllavishtes, latinishtes dhe greqishtes; ai njeh mirë kërkesat e gjeografisë gjuhësore, prandaj është shumë i kujdesshëm që të regjistrojë për aq sa është e mundur përmasën e paraqitjes së objektit të tij gjuhësor në gjithë arealin krahinor dhe historik brendashqiptar dhe jashtë tij.
Edhe më parë ishin regjistruar antropo¬nime e patronime hipokoristike, emra vendesh e sidomos antroponime të antikitetit (që nga shënuesit shpjegoheshin si emra ilirë, romakë, trakë e sidomos pellazgo – shqiptarë, varësisht prej pikëpamjeve që mbronin për prejardhjen e popullit shqiptar e të gjuhës së tij), por vetëm Ndre Mjeda deri në këtë kohë, ishte nga ata të paktë gjuhëtarë shqiptarë që arriti t’i shpjegonte strukturat e tyre duke u nisur nga metoda të ligjësuara gjuhësore. Për patroniminë hipoko¬ri¬stike deri në këtë kohë rezultate mjaft me interes kishte sjellë vetëm Maksimilian Lamberci brenda një studimi më të gjerë , por studimi i Mjedës duket shumë më i thelluar për arsye se përimtimi i tij është bërë nga disa aspekte: gjuhësor, historik, kulturor, etnopsikologjik etj. Po kështu mund të thuhet edhe për ojkonimin e trashëgimisë ilire Bassania, i cili diskutohet duke u nisur nga struktura gjuhësore që mbështetën në fonetikën dhe gramatikën historike të shqipes. I një përmase po kaq të plotë del studimi për hidronimin, përkatësisht oronimin Zeta. Këtë studim autori e trajton duke u nisur nga përhapja gjeografike e tij, paradigma etnografike e etnopsikologjike, si dhe struktura gjuhësore – historike. Ne mendojmë se me këtë studim Ndre Mjeda shënon një nga hapat e parë të kalimit nga neograma¬tikani tek sociolinguisti. Nga një princip përgjithësisht i poezisë së rilindësve dhe gjuhëtarëve shqiptarë për të shpjeguar toponiminë me etimologji popullore, Ndre Mjeda dimensionin etnolinguistik dhe psikologjik e përdor në kontekstin që përdoret edhe sot në socioli¬nguistikë, pra në kontekstin linguistik par excellence. Gjuhësia shqiptare jo njëherë këtë meritë ia ka njohur Eqrem Çabejt për studimin Disa eufemizma të shqipes . Me këtë rast, ne këtë moshë e çojmë më tej për një dekadë.

NË VEND TË PËRFUNDIMIT

I parë nga ky prizëm, nuk është vështirë të kuptohet se Ndre Mjedën me rilindësit shqiptarë të shekullit XIX e diferencon koncepti për tezën ilire, krahas asaj pellazgjike, e cila mbretëronte jo vetëm te romantikët e Kolonive Lindore (N. Frashëri, Jani Vreto, Sami Frashëri) e të Atdheut (Zef Jubani), por edhe te disa romantikë të Kolonisë së arbëreshëve të Italisë (Jeronim De Rada); me shkrimtarët e gjysmës së parë të shekullit XX e diferencon koncepti për prejardhjen pellazgjike (Gaspër Jakova), ndërsa me gjuhëtarët vendas dhe të huaj (G. Weigand, Nikollë Gazulli) koncepti për prejardhjen trake dhe trako – ilire (arkeologu Karl Paç e nën ndikimin e tij edhe themeluesi i arkeologjisë shqiptare Shtjefën Gjeçovi, si dhe Norbert Jokli – e nën ndikimin e tij edhe nxënësi i tij Eqrem Çabej), Ndre Mjeda ishte i vendosur për tezën e asaj plejade albanologësh shqiptarë dhe të huaj (Hahni, Georg Stieri, Paul Kretschmeri, Matei Logoreci) të cilëve iu printe themeluesi i albanologjisë shkencore, Gustav Majer.
Shikuar nga prizmi i reflektimeve të sotme shkencore, nuk më duket shumë e natyrshme të vëmë në dyshim rezultatet e atyre alba¬nolog¬ëve që bënë shumë për albanolo¬gjinë, por pozicioni i paraqitjes në rrethe të tilla shkencore, si ky i organizuar nga Unive¬rsiteti i Shkodrës, më lejojnë të konstatoj se një botim i ardhshëm i “Historisë së albano¬logjisë”, mendoj jo për një histori deskriptive, por për një histori kritike, çfarë do ta lakmonte edhe Ndre Mjeda, e cila do të dëshmonte se ç’mori, bie fjala Hahni nga De Rada e Zef Krispi, por edhe Zef Krispi nga Nikollë Keta, Malte – Bruni nga Engjëll Mashi, Gustav Majeri nga Thimi Mitko e Ndre Mjeda e kështu me radhë, atëherë do të kuptohej krono¬logjia e historisë së zhvillimit të gjuhësisë shqiptare. Duke mos parë gjë tjetër veç rezultateve të Hahnit, Majerit, Joklit etj., mendojmë se pa të drejtë i kemi nxjerr nga historia e albanologjisë, apo thënë më drejtë nuk ua kemi dhënë vendin e merituar, disa nga personalitetet e rëndësishme shqiptare, në mesin e të cilëve edhe Ndre Mjedën.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Begzad Baliu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2138
  • 2139
  • 2140
  • 2141
  • 2142
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT