• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përpjekjet sensibilizuese të shoqatave çame dhe veprimtarëve kombëtarë në SHBA

November 19, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Pas aneksimit të Çamërisë nga Greqia (1912-1913), lindi fenomeni i emigracionit. Ndër drejtimet kryesore të këtij emigracioni ishin edhe SHBA-të. Çamët e emigruar në Amerikë gjetën një terren të përshtatshëm dhe një pritje të ngrohtë që u mundësoi të organizoheshin në mbrojtje të fateve të Çamërisë. Në radhët e çamëve të emigruar ishin dhe shumë figura të shquara, si: Murat Haxhi Çami, Beqo Izeti, Lejla Dino, Mesut Çami, etj., që ishin dalluar në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare për veprimtari të dendur patriotike. Poeti Murat Haxhi Çami mërgoi në SHBA më 1916. Atje bashkëpunoi me “Vatrën” dhe shtypin patriotik të mërgimtarëve shqiptarë dhe u bë nismëtar i shumë memorandumeve, letrave dhe telegrameve të protestave në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe tërësisë tokësore të atdheut.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë vendi i parë për përfaqësuesit e shqiptarëve të Çamërisë për të shpalosur një veprimtari të dendur patriotike e politike, për të sensibilizuar diplomacinë e Fuqive të Mëdha dhe veçanërisht atë amerikane, për dramën e rëndë që përjetonte Çamëria nën pushtimin grek. Aspak indiferentë ndaj çështjes kombëtare, shqiptarët e kësaj krahine filluan të organizoheshin. Më 22 nëntor 1918, në Worcester, Massachusetts të SHBA-ve, u themelua Shoqëria “Preveza” nga 75 shqiptarë të Çamërisë. Këta individë vinin nga prefekturat e Gumenicës, Janinës e Prevezës dhe përfshinin shqiptarë edhe nga krahina të tjera. Që ditën e krijimit u mblodhën nga donacione rreth 426$ për mbarëvajtet e saj.

Disa muaj më herët, po gjatë vitit 1918, në SHBA ishte formuar Partia Politike ose siç u quajt ndryshe, Partia Kombëtare Shqiptare, si dhe Shoqëria Çamëria, me një shtrirje të gjerë në shumë qendra të rëndësishme në SHBA. Një nga degët më të fuqishme tw Shoqërisë “Çamëria” ishte dega e krijuar në Çikago, në shtetin e Ilinoisit.

Si në Partinë Politike ashtu dhe në Shoqërinë Çamëria, aderonin figura të shquara nga të gjitha trevat shqiptare dhe zhvillonin një veprimtari të dendur patriotike, duke i shpalosur platformën politike në organe të rëndësishme, në gazetën “Dielli”, “Albania” dhe më pas në “Immigrandi” që dilnin në SHBA. Disa nga drejtuesit e Shoqërisë “Çamëria” ishin: Beqo Kushi (Izeti), Isuf Hyseni, Omer Bako, Refo Çapari, Gazali Dino etj.

Në fund të vitit 1918, pikërisht në prag të hapjes së Konferencës së Paqes në Paris, Shoqëria Çamëria dhe Partia Politike Shqiptare nisën të zhvillonin një veprimtari intensive për të mbrojtur çështjen shqiptare në atë forum të lartë ndërkombëtar, që do të analizonte edhe vënien në vend të padrejtësive që u ishin bërë vendeve të vogla. Patriotët shqiptarë në SHBA, nëpërmjet artikujve që botoheshin në editorialet e gazetës “Dielli”, “Albania”, etj., i tregonin botës argumentet politike dhe gjeografike se cili ishte kombi shqiptar, cilat ishin të drejtat dhe dëshirat e këtij kombi.

Në zemrat shqiptare dhe të elitës së saj politike, shpresat dhe besimi ishin varur tek Presidenti Uillson dhe kishin plotësisht arsye ta shihnin si mbrojtës të tyre. Noli i madh në takimin që pati me Presidentin amerikan në Kongresin e popujve të shtypur në përvjetorin e festës kombëtare të SHBA më 4 korrik 1918, gjeti rastin t’i bëjë një apel Presidentit në emër të kombit shqiptar, që me përpjekjet e tij të ndikonte në Konferencën e Paqes në Paris për vendosjen e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila ishte shkelur nga Fuqitë e Huaja gjatë Luftës së Parë Botërore. Presidenti amerikan iu përgjigj me fjalët: “Unë kam një votë në Konferencën e Paqes? Dhe unë do ta përdor atë në favor të Shqipërisë”.

Në kohën kur kishte filluar Konferenca e Paqes në Paris, në emër të popullsisë çame, më 24 janar 1919, drejtuesit e Shoqërisë Çamëria, nëpërmjet kryetarit të saj, Beqo Kushi (Izeti), i drejtuan një letër presidentit Uillson, ku ndër të tjera, në emër të çamëve të emigruar në SHBA, i luteshin që të përdorte tërë autoritetin e Shkëlqesisë së Tij, mbi bazën e parimeve të shenjta të kombësisë dhe të vetëvendosjes, që të korrigjoheshin vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës. Në vijim, Beqo Kushi i bënte të njohur Presidentit amerikan se krahina e Çamërisë banohej prej një popullsie që ishte me autoktoni shqiptare dhe së fundi, i lutej z. Uillson që kjo popullsi të çlirohej nga zgjedha greke dhe të bashkohej me shtetin amë. Beqo Kushi e përfundonte letrën, duke i vënë në dukje presidentit amerikan domosdoshmërinë e zgjidhjes së problemit të Çamërisë, se “nëse për një arsye apo një tjetër kërkesat e drejta të përfaqësuesve të Çamërisë nuk do të merren parasysh dhe Çamëria do të mbetej nën zgjedhën greke, nuk do të kishte kurrë paqe në Ballkan derisa të rrojë edhe shqiptari i fundit”, (AQSH, Fondi 251, viti 1919, Dos.14, fl.42)…

Gjithashtu, në të njëjtën kohë iu dërgua edhe një telegram tjetër nga shqiptarët e Amerikës përfaqësuesve të Treshes më të madhe në Paris, kryetarit të delegacionit japonez, Aojan, Kryetarit të Konferencës së Paqes, Klemanson, si dhe kryeministrit anglez, Lloyd Xhorxh, me anën e të cilës shprehnin dëshirën e popullsisë çame që “Çamëria të bashkohej me Shqipërinë”, (ASH, gazeta “Albania”, Uorçester Mass, dt.18 shkurt 1918).

Të njëjtën përmbajtje kishte edhe një parashtresë tjetër, që u hartua nga një përfaqësi çame: Asaf Ajdonati, Ahmet Çamëria dhe Qamil Preveza, drejtuar Kryetarit të Konferencës së Paqes, (AQSH, Fondi 251, viti 1919, Dos.14, fl.42. Një kopje e kësaj letre iu dërgua presidentit Uillson dhe kryeministrit anglez, Lloyd Xhorxh).

Në emër të komunitetit të gruas shqiptare, bija e Çamërisë Lejla Rasih Dino, iu drejtua Konferencës së Paqes në Paris, për problemet madhore të kombit tonë. Ishte pra gruaja e parë shqiptare që me kurajë i drejtohet në kohën e duhur, Kryetarit të Konferencës së Paqes në Paris, për çështjen shqiptare. Nuk ishte rastësi ky guxim i një gruaje çame, por një vazhdimësi e pjesëmarrjes së familjes Dino në të gjitha ngjarjet e mëdha, të luftës për Liri e Pavarësi. Ajo si Kryetare e Grave Shqiptare jashtë vendit, shfrytëzoi ardhjen e familjes Presidenciale, Ëilson, në Konferencën e Paqes në Paris. Ishte hera e parë që një President Amerikan vinte në Europë. Ajo trokiti tek simboli i Paqes, Woodrow Wilson, i cili u vlerësua me çmimin Nobel për Paqen. Ajo i drejtohet kësaj figure më në zë të politikës botërore, për mbrojtjen e çështjes shqiptare në përgjithësi, e të Kosovës e Çamërisë në veçanti. Lejla, në këtë rast, shfrytëzoi njohjen e saj me Edith (Galt) Ëillson, gruan e presidentit, Ëoodroë Ëillson, ku nëpërmjet një letre, i shtron kërkesat legjitime të popullit shqiptar të mohuara prej grabitqareve.

Edhe Partia Politike Shqiptare, e drejtuar nga Kristo Dako, tërë shpresat për të realizuar synimet që i kishte vënë vetës, i kishte varur kryesisht në administratën e lartë amerikane, prandaj hartoi një deklaratë, që u nënshkrua nga përfaqësuesit e vendeve të robëruara, dhe iu dorëzua Presidentit të SHBA. Nëpërmjet mikut të tij amerikan, Charles Crane, Dako ka pasur mundësinë t’ibëjë me dije Presidentit të 3Shteteve të Bashkuara Ëoodroë Ëilson, interesat kombëtare të Shqipërisë. Ekipi i zyrtarëve të lartë amerikanë që përgatitej për të shoqëruar Presidentin Uillson në Paris, në fund të tetorit 1918 i bëri një ftesë edhe Dakos. Përfaqësuesi i Partisë Politike Shqiptare e shfrytëzoi atë rast për të parashtruar para specialistëve të njohur amerikanë për Ballkanin, argumente lidhur me historinë e Shqipërisë dhe padrejtësitë që i ishin bërë dhe i kërkoi diplomacisë amerikane që të zbatoheshin me ndershmëri dhe pa paragjykime parimet e shpallura nga Presidenti Uillson, në themel të së cilës ishin parimi i kombeve për vetëvendosje.

Një mbështetje të fuqishme në këtë kohë, rrethet patriotike shqiptare në SHBA, gjetën edhe në një organizatë ndërkombëtare, “Bashkimi Demokratik i Evropës Qendrore”, e cila qendrën e veprimtarisë e kishte në SHBA. Ajo ishte një organizatë politike “irredentiste” e vendeve të robëruara ose pjesërisht të robëruara të Evropës. Komiteti Drejtues i kësaj organizate, kërkoi me ngulm që Kosova dhe Çamëria, treva të padiskutueshme shqiptare, të pushtuara padrejtësisht nga Serbia dhe Greqia, t’i bashkoheshin Shqipërisë.

Përpjekjet për sensibilizim të Fuqive të Mëdha dhe administratës amerikane nga veprimtarët patriotë të Çamërisë vijuan edhe më pas. Nё 1974 Bilal Xhaferi (1936-1986) themeloi në Çikago “Lidhjen Çame”, dhe themeloi evistën “Krahu i shqiponjës”, si organ të saj, duke ecur në traditën e Konicës, të Nolit. Çështja e Kosovës dhe Çamërisë ishte në rendin e ditës në krejt veprimtarinë e shkrimtarit Bilal Xhaferi.

Falë Shoqërive çame dhe organizatave politike të shqiptarëve, çështja kombëtare u ndërkombëtarizua në forume të ndryshme ndërkombëtare. Përfaqësuesit e tye u kërkuan atyre që të zbatonin me ndershmeri dhe pa paragjykime parimet e kombësive, për të mbrojtur dhe mos lejuar që të shkeleshin të drejtat e kombit më të vjetër të Ballkanit, independenca e tij. Midis te tjerash kërkuan që brenda territorit shqiptar të përfshiheshin edhe krahinat e Kosovës dhe Çamërisë. Nga ana tjetër ata bënë ç’ishte e mundur dhe shfrytëzuan të gjitha njohjet për të sensibilizuar miqtë e tyre amerikanë me problemet dhe kërkesat shqiptare.

Filed Under: Fejton

Skënderbeu në Absidën e Shibenikut, gravura e mesjetës që shpërfaq historinë, artin dhe imazhin e heroit legjendar

November 19, 2025 by s p

Albert Vataj/

Në thellësinë e pesë shekujve, Katedralja e Shën Jakobit në Shibenik ruan një sekret të heshtur, figura e Skënderbeut e gdhendur në absidën e parë. Në jehonën e kohës dhe madhështinë monumentale të gurit, kjo ikonografi nuk është thjesht një imazh; është një portë që na fton të kuptojmë jo vetëm figurën e heroit shqiptar, por edhe ndërveprimet kulturore dhe historike që formësuan Ballkanin mes shekujve XV–XVI. Katedralja, e ndërtuar pa llaç, është një testament unik i bashkimit midis gotikës veneciane dhe renesancës dalmatine, dhe gravura e Skënderbeut është pjesa që zë një vend të veçantë në këtë narrativë arkitekturore dhe kulturore.

Figura e Skënderbeut, siç e përshkruan Jahja Drançolli, është e gdhendur me tipare të forta: vetulla të trasha, mjekër të gjatë dhe mbulesë koke karakteristike që i përket portretizimeve europiane të shekullit XV. Por ajo që e bën gravurën e Shibenikut veçanërisht intriguese është mënyra se si ajo kap energjinë dhe vitalitetin e heroit, në dallim nga portretet e tjera që e paraqesin më të lodhur nga luftërat. Në këtë mënyrë, figura nuk është thjesht një kujtesë historike; ajo bëhet një idealizim i hershëm i reputacionit të Skënderbeut, një afirmim i forcës dhe autoritetit të tij që qarkullonte në bregdetin adriatik shumë përpara se ikonografia e shekullit XVI të formësohej plotësisht.

Prania e figurës së Skënderbeut në Dalmatinë e shekullit XV–XVI nuk është rastësi. Gjatë luftës kundër Perandorisë Osmane, Republika e Venedikut dhe qytetet dalmatine e shikonin Skënderbeun jo vetëm si aleat të mundshëm, por si simbol të rezistencës europiane. Arkivat dhe raportet veneciane e përmendin shpesh emrin e tij, ndonjëherë si shqetësim për ekuilibrat e rajonit, ndonjëherë si shpresë për ndalimin e zgjerimit osman. Ikonografia e tij, e vendosur në hapësira të shenjta, shërbente si përkthyes i mendësive politike dhe shoqërore, duke e kthyer artin në mjet komunikimi mes kulturave dhe fuqive politike të kohës.

Ky mister bëhet edhe më i thellë kur njihet fakti se në shekullin XIX studiues kroatë zbuluan dy grafika të tjera të Skënderbeut në Hungari dhe Itali. Ky “trekëndësh ikonografik”, Shibenik, Hungari, Itali, tregon për një rrjet të gjerë marrëdhëniesh kulturore, tregtare dhe diplomatike, duke e bërë Skënderbeun një figurë paneuropiane dhe jo thjesht një hero kombëtar. Portretet e tij nuk ishin thjesht dekorativë, por shenja identitare dhe pjesë e një mitologjie që përhapej përtej kufijve shqiptarë.

Dokumentimi modern fotografik nga Gazmend Çitaku ka rikthyer gravurën në vëmendje, duke nxjerrë në pah detaje të skalitur me mjeshtëri, mënyrën si drita prek mbulesën e kokës, hijet që formojnë linjat e mjekrës, prerjen e gdhendjes që tregon fuqinë e dorës së artizanit dhe kompleksitetin e shprehjes artistike. Ky rikthim vizual na fton të mendojmë mbi funksionin e ikonografisë si dëshmi e ndërthurjes kulturore dhe historike, mbi mënyrën se si figura e një heroi mund të bëhet urë mes botëve, midis komuniteteve dhe epokave.

Pyetjet që lindin janë të shumta: A është kjo gravurë përpjekje për të integruar Skënderbeun në panteonin e figurave të fuqishme europiane? A pasqyron traditën e portretizimit të heronjve të krishterë që mbronin kufijtë e botës latine? Apo është një homazh i vonë, i gdhendur nga artizanë që tashmë njihnin mitin e tij të lavdishëm? Pikërisht këtu qëndron vlera e gravurës: ajo na sfidon të rishikojmë mënyrën se si historia ruhet jo vetëm në libra, por edhe në gurë që flasin.

Gravura e Skënderbeut në Shibenik është më shumë se një fakt historik; ajo është dëshmi e një epoke kur Adriatiku ishte urë midis popujve, dhe figura e Heroit lundronte mbi dallgët e reputacionit europian. Është një gur i çmuar në mozaikun e pranisë së Skënderbeut në Europë, një kombinim i artit, historisë dhe mitit, që fton jo vetëm të shohësh, por të kuptosh.

Filed Under: Histori

“Republikë pa republikanë: Tranzicioni në Shqipëri dhe eksperimentet në kërkim të një sistemi funksional qeverisës”

November 19, 2025 by s p

Prof. Afrim Krasniqi/

“Republikë pa republikanë: Tranzicioni në Shqipëri dhe eksperimentet në kërkim të një sistemi funksional qeverisës” – referimi në konferencën “Sistemi republikan në Shqipëri përgjatë një shekulli”. Është 100 vjetori i Republikës dhe IH zgjodhi ta ketë objekt studimor ecurinë e ideve republikane prej vitit 1925-2025.

💡 E dini që ne e nisëm pluralizmin me një vendim politik (Plenumi 13 i PPSH) dhe jo me një vendim institucional (Kuvend/Presidium/Qeveri)?

💡 E dini që sistemi pluralist 1991 bashkëjetoi rreth 4 muaj me Kushtetutën e vitit 1976 që ndalonte pluralizmin politik?

💡 E dini që deputetët e legjislaturës së parë pluraliste ishin part time, mbi 85% e tyre punonin në administratë/strukturën ekzekutive ndërkohë që si deputet duhej të kontrollonin ekzekutivin?

💡 E dini që në vitin 1991 aq i brishtë ishte koncepti i ndarjes së pushteteve sa një deputet u zgjidh njëkohësisht edhe zv/kryetar në Gjykatën e Lartë apo se deputetë u zgjodhën edhe kryetarë gjykatash e komandantë divizionesh, në të gjitha rastet, pa dhënë dorëheqje?

💡 E dini që mediat e para (të lira) në Shqipëri ishin gazetat partiake, pra media lindi si media partiake pluraliste?

💡 E dini që debati mbi formën e regjimit “zgjati” më pak se 5 minuta, por në vitin 1997 më shumë se një e treta e votuesve zgjodhën monarkinë?

💡 E dini që reformat kryesore u imponuan nga jashtë, erdhën si eksperimente dhe vijuan të tilla, dhe se demokracia nuk nisi si konsensus mbi reformat, por konsensus për bashkë-administrimin e status quos?

Në këtë mënyrë shteti republikan erdhi para kulturës republikane? Në një mjedis të tillë ishte sfidë dhe aspiratë kultura ligjore dhe kushtetuese, aplikimi i demokracisë funksionale, ndarja e pushteteve dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për rolin dhe përgjegjësitë e tyre në mbrojtjen e vlerave demokratike. Ligjërimi e premtimet pro perëndimore bashkëjetuan madje u dominuan nga konceptet orientale e lindore të politikës, personalizimi, konflikti permanent dhe drejtimi përmes turmave.

Një histori e gjatë që meriton të shkruhet. Debati në konferencë me kolegë studiues nga IH Tiranë e IH Prishtinë, Fakulteti i Drejtësisë etj, i kontribuoi me modesti & profesionalizëm kësaj sfide dhe përgjegjësie.

Filed Under: Analiza

“DOM PJETËR POPAJ, 40 VJETORI I SHUGURIMIT MESHTARAK” – FJALA E RASTIT: DR. ELMI BERISHA, NDREKË TONAJ, FRANK SHKRELI, MËHILL VELAJ, GJEK GJONLEKAJ

November 19, 2025 by s p

DR. ELMI BERISHA: Të nderuar motra e vëllezër, të dashur bashkatdhetarë, përfaqësues të jetës fetare, kulturore e shoqërore, miq të pranishëm,

Sot jemi mbledhur këtu, në këtë shtëpi të shenjtë të Zotit, për të nderuar një prej figurave më të shquara të komunitetit tonë shqiptaro-amerikan Don Pjetër Popajn në 40-vjetorin e shugurimit të tij priftëror. Ky jubile nuk është thjesht një datë kalendarike por është një gur-më-themel në historinë tonë, në kujtesën tonë dhe në shpirtin e komunitetit tonë.

Shugurimi i Don Pjetrit, katër dekada më parë, ishte një ngjarje që mbushi me gëzim familjen e tij, të njohurit dhe mbarë diasporën shqiptare. Por sot, kur kthehemi pas me mendje dhe shohim gjithë këtë rrugëtim të bekuar, e kuptojmë më qartë se ajo ditë nuk ishte vetëm fillimi i misionit të një meshtari. Ajo ishte bekimi i një njeriu që Zoti e zgjodhi për të qenë udhërrëfyes shpirtëror, mbrojtës i besimit dhe simbol i dashurisë së pakushtëzuar për kombin e vet.

Në këto 40 vite shërbim, Don Pjetër Popaj nuk ka qenë vetëm prift. Ai ka qenë zëri ynë, forca jonë, krahët që na kanë mbajtur, dorë e shtrirë për çdo shqiptar në nevojë, dhe dritë për ata që kërkojnë paqe, ngushëllim dhe shpresë. Nën drejtimin e tij, Kisha Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork është shndërruar në një ndër qendrat më të fuqishme të identitetit tonë kombëtar në diasporë. Aty është falur jo vetëm besimi, por edhe gjuha shqipe, kultura jonë, tradita jonë shekullore, dashuria për atdheun. Falë vizionit të Don Pjetrit, kjo qendër nuk është vetëm një kishë, por është një shtëpi e madhe e shqiptarëve, ku dera është gjithmonë e hapur—pa dallim feje, krahine, bindjeje a përkatësie.

Me urtinë dhe butësinë e tij, ai ka qenë një ura lidhëse midis komuniteteve tona, një promovues i dialogut vëllazëror, një përkrahës i pandalshëm i bashkëpunimit mes shqiptarëve të besimeve dhe prejardhjeve të ndryshme. Ai ka treguar me jetë dhe vepër se shqiptaria është mbi gjithçka, se dashuria, respekti dhe mirësia janë vlera që na bashkojnë, jo që na ndajnë.

Qendra “Nënë Tereza”, që ai e udhëheq me përkushtim, ka qenë simbol i bamirësisë, solidaritetit dhe përkujdesjes për çdo shqiptar të diasporës. Atje janë pritur me dinjitet breza të tërë emigrantësh, është ruajtur tradita jonë dhe është përcjellë shpirti i dashurisë për njeriun, siç e mësonte e Shenjta Nënë Terezë. Don Pjetri është një shembull i përkushtimit, një fanar i pashuar i besimit, një patriot i urtë, një udhëheqës shpirtëror që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e diasporës shqiptare. Ai është rritur me vlera, ka jetuar me vlera dhe ka predikuar vlera që sot na bashkojnë, na mësojnë dhe na frymëzojnë.

Në 40 vitet e shërbimit të tij, Don Pjetri ka qenë pranë komunitetit në gëzim e në hidhërim, në lindje e në vdekje, në ditë feste dhe në ditë sfide. Ai ka qenë aty, gjithmonë, me fjalën e butë, me bekimin e tij, me zemër të hapur e me shpirt të madh.

Sot, në këtë përvjetor të shenjtë, në këtë ditë reflektimi dhe mirënjohjeje, në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, dua të shpreh falënderimin më të thellë dhe respektin më të sinqertë për një njeri të madh që i ka dhënë shumë komunitetit tonë dhe i ka shërbyer me dinjitet e përkushtim Kosovës, Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar.

I nderuar Don Pjetër Popaj,

Zoti ju bekoftë e ju dhëntë shëndet, forcë dhe vite të tjera të mbara në misionin tuaj të shenjtë.

Vepra juaj është e gdhendur në zemrat tona.

Shërbimi juaj është pasuri e pamatshme.

Rruga juaj është frymëzim për brezat që do të vijnë.

Ju faleminderit për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për komunitetin tonë.

Qoftë ky 40-vjetor jo vetëm një kujtim, por edhe një premtim i ri: se vepra juaj do të vazhdojë të mbetet gur themeli i unitetit, besimit dhe shqiptarisë në mërgatë.

Zoti e bekoftë Don Pjetër Popajn!

Zoti e bekoftë komunitetin tonë shqiptaro-amerikan!

Zoti e bekoftë kombin shqiptar!

Ju faleminderit.

NDREKË TONAJ: Fort i dashur, i nderuar dhe i respektuar Dom Pjetër Popaj

Gëzuar nga zemra 40 vjetorin e Meshtarisë. Në emër të Këshillit të Kishës Zoja e Shkodrës e mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan të shpehim sot mirënjohjen e thellë, respektin e lartë e falenderimet më të përzëmërta për shërbimin shpirtëror, moral, edukativ, kulturor dhe atdhetar që kë bërë për shqiptarët në 4 dekada. Komunitetit tonë i dhe bekim, dashuri, përkushtim, vetmohim, sakrifica e dinjitet. Me përvujtërinë tënde, përulësinë tënde, shembullin tënd, me mirësinë tënde, edukatën dhe frymën atdhetare na ke dhënë mësime të vyera mbi jetën katolike të vërtetë, frymën e vëllazërisë, respektit, harmonisë e bashkëpunimit mes nesh dhe komuniteteve të tjera fetare dhe etnike.

Sot me krenari e nder secili prej nesh të nderon e vlerëson si një ndër figurat më të dashura, më të respektuara e më të nderuara të komunitetit shqiptar në diasporë, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, falë devotshmërisë e përulësisë suaj në shërbim, besim të thellë të i madhi Zot dhe lidershipit të shkëlqyer si famullitar e patriot. Puna e palodhur, vizioni, disiplina, organizimi dhe fryma juaj si famullitar e shqiptar i vërtetë ka shëndërruar Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York, qëndrën më të fuqishme fetare, kulturore, edukative dhe atdhetare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jeta shembullore kishtare, veprimtaria e shenjtë baritore, përfaqësimi dinjitoz në daljet publike e vizitat komunitare, organizimi i aktiviteteve kulturore e kombëtare, puna juaj edukative e patriotike me Qendrën Kulturore Nënë Tereza, i ka dhënë kombit shqiptar një shërbim të madh patriotik në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, historisë kombëtare, traditave, gjuhës shqipe dhe kulturës së kombit tonë.

I dashur dhe i nderuar Dom Pjetër

Si udhëheqës shpirtëror, atdhetar, intelektual dhe humanist ju përfaqësoni modelin më të përkryer të njeriut të Zotit, kombit e atdheut. I dashur, zemërgjerë, patriot, mirëkuptues, tolerant, i respektshëm, vizionar, frymëzues, dinjitoz e kurajoz, përbashkues, drejtues kompetent, promotor, korrekt, i drejtë dhe i ndershëm janë pak prej shumë cilësive vetjake që ju ia keni transmetuar brezit të ri të të rinjve duke qenë shembull i jashtëzakonshëm i jetës fetare e atdhetare.

Si promotor i Ungjillit të Krishtit dhe vlerave kombëtare, Famullia jonë do të jetë përjetë mirënjohës për respektin, modelin, shembullin, shërbimin, frymën e sakrificën që ke bërë për secilin prej nesh. Jeta dhe vepra juaj e ndritur, urtësia, pastërtia, përulësia juaj ka qenë shpresë e frymëzim për të gjithë ne.

Zoti të bekoftë i nderuar dhe i bekuar Dom Pjetër Popaj

Faleminderit dhe mirënjohje përjetë.

FRANK SHKRELI: Ditën e Dielë me 16 Nëntor, 2025, Kisha Katolike shqiptaro-amerikane, “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork organizoi një darkë solemne me mbi 600-pjesëmarrës për të festuar 40-vjetorin e shugurimit të Dom Pjetër Popaj. Një përvjetor i rëndësishëm në historinë e komunitetit katolik shqiptaro-amerikan por edhe për vet Dom Pjetrin, prifti i parë shqiptaro-amerikan i shugurar meshtar në Shtetet e Bashkuara. Bjë shënim të shkurtër me këtë rast:

“I ndershmi Dom Pjetër, të dashur miq, familjarë dhe anëtarë të famullisë, “Kisha Zoja e Shkodrës” në Nju Jork.

Ne mblidhemi sot me gëzim dhe mirënjohje të thellë për të festuar një moment vërtetë të jashtëzakonshëm: 40-vjetorin e meshtarisë të mikut tonë të dashur dhe bariut të përkushtuar, Dom Pjetër Popaj, Famullitar i Kishës Zoja e Shkodrës në Nju Jork.

40-vjet shërbim meshtarak janë shumë më tepër se një numër. Përgjithësisht, ato përfaqësojnë një jetë plot sakrificash të heshtura, përkushtim të besueshëm dhe angazhim të palëkundur për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit dhe nevojave të grigjes së tij. Gjatë këtyre katër dekadave, për komunitetin tonë, Dom Pjetri ka qenë një burim force në kohë pikëllimesh, një i dërguar i shpresës në kohët e pasigurisë dhe një prani e gëzueshme në kohë gëzimesh e festimesh.

Ai ka pagëzuar fëmijët tanë. Ka ngushëlluar familjet tona në momentet e kalimit në amshim të të dashurve tanë. Na ka inkurajuar në përpjekjet tona dhe na ka ngritur me predikimet dhe shembullin e tij. Duart e tij kanë bekuar dhe kanë shëruar. Fjalët e tij kanë udhëzuar, këshilluar dhe frymëzuar, dhe zemra e tij ka qenë dhe mbetet e hapur për të gjithë ata që e kanë njohur dhe bashkpunuar me të.

Dom Pjetri, është pasardhës i denjë si famullitar në Kishën Zoja e Shkodrës në New York, i Monsinjor Zef Oroshit dhe ish-Arkipeshkvit Tirane-Durrës, të Përndershmit Monsinjor Rrok Mirdita. Një famulli kjo që siç shihet sot, kishte mbrenda praninë dhe ndihmën e të Madhit Zot.

Ajo që e bën këtë përvjetor edhe më të veçantë, nuk janë vetëm vitet e shërbimit, por mënyra se si janë shërbyer besimtarët dhe komuniteti shqiptar këtu në përgjithsi: me dashuri, përulësi, dhembshuri dhe besim të palëkundur. Dom Pjetër, shërbimi juaj ka prekur jetë në mënyra që mund të mos i dini, plotësisht, kurrë. Fara që keni mbjellur– përmes mirësisë, këshillave dhe dashurisë tuaj për popullin e Zotit, vazhdon të japi fryt në komunitetin tonë këtu në Nju Jork dhe më gjerë.

Në një periudhë fatzezë të historisë shqiptare, kur dukej se katolicizmi po zhdukej në Shqipëri nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, fillimisht, ka qenë Qendra Katolike Shqiptare në Amerikë dhe më vonë Kisha Zoja e Shkodrës kryesuar nga Monsinjor Oroshi dhe Dom Rrok Mirdita dhe sot nën drejtimin e Dom Pjetrit — ajo që gjatë dekadave të komunizmit në trojet shqiptare, po mbillte në Amerikë një farë të re rritjeje e lulëzimi: rilindjen pra të asaj që sot është Kisha Katolike në Shqipërinë e post-komunizmit zyrtar. “Nji shkëndi e vogël, që me ndihmë të Zotit do bahemi dritë e madhe, me shëndritë dhe votrat e errësueme në Atdhe’’, ka qenë parashkimi dhe premtimi i Dom Zef Oroshit, në vitin 1962.

Ndërkohë që me veprën dhe punën e tij prej 4-dekadash, Dom Pjetri ka berë të mundur rrjeshtimin e denjë të kombit shqiptar në radhët e kombeve të tjera në Amerike, duke inkurajuar pjesëmarrjen e komunitetit shqiptaro-amerikan në evenimente, parada e shfaqje kulturore e muzikore që organizohen në New York çdo vit — duke shfaqur kështu pasurinë tonë kulturore, kombëtare dhe folklorike para popullit amerikan dhe para botës.

Me veprimtaritë e Kishës “Zoja e Shkodrës”, në Nju Jork dhe me jehonë n e fjalës së tij, Dom Pjetri ka nderuar gjithëkund dhe gjitheherë Kishën Katolike Shqiptare. Por, ai në të njëjtën kohë ka promovuar virtytet dhe emrin e mirë të Kombit shqiptar. Dom Pjetri, me krenari rreshtohet në rendin e gjatë të klerikeve katolikë shqiptarë të cilët–në trojet e veta në Ballkanin Perëndimor — dhe në diasporë, kanë qenë dhe janë ndër shtyllat më të rëndësishme si përfaqsues të ajkës së patriotizmit dhe ndërtimit e zhvillimit të kulturës dhe gjuhës shqipe. Gjithmonë, duke i ndejt besnik Fesë dhe Kombit, lirisë, besës dhe burrënisë shqiptare, por edhe nderit e dinjitetit njerëzor, pa dallim feje a krahine.

Ju falënderojmë që 40 vjet më parë iu përgjigjët me “po” thirrjes suaj. Shembulli juaj na kujton se madhështia e vërtetë nuk gjendet në njohje apo madhështi, por në shërbim të vazhdueshëm dhe dashamirës. Në frymën më të mirë dhe në kujtim të martirve të shumtë të klerit katolik shqiptar — viktima të një regjimi barbar komunist — të cilët me dashuri të pamasë dhe me vendosmëri të patundur, ia kushtuan jetën dhe veprën predikimit të Fjalës së të Madhit Zot, shpesh nën rrethana shumë të vështira i dedikuan dijen, pendën dhe jetën ngritjes së Kombit shqiptar.

Qofsh i bekuar nga Zoti Dom Pjetër, me shëndet, gëzim dhe forcë të re, ndërsa filloni një kapitull tjetër të shërbimit fetar dhe atdhetar për grigjen tuaj. Dhe Zoti ynë, ju shpërbleft shumëfish për përkushtimin dhe besnikërinë tuaj ndaj famullisë Zoja e Shkodrës këtu në Nju Jork. Urime Dom Pjetër për këtë udhëtim të bekuar prej 40 vitesh. U jemi mirënjohës për shërbimin tuaj fisnik fetar e atdhetar ndaj Kishës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork, ndërsa lutemi për shumë vite të tjera për ju, me shëndet dhe jetë të gjatë. Të paçim, Dom Pjetër!

“Well done, good and faithful servant…” Mathew 25:22

Ad Multos Annos, Dom Pjetër Popaj!

*Autori ka shërbyer si Sekretar i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane dhe ka qenë anëtar i grupit redaktues të revistës “Jeta Katolike Shqiptare’’, për vitet 1971-1974. Kisha katolike shqiptaro-amerikane në Hartsdale, Nju Jork.

MËHILL VELAJ: Me rastin e 40-vjetorit të shërbimit të Don Pjetër Ndoc Popajt, komuniteti shqiptaro-amerikan nderon një prej figurave më të spikatura të klerit tonë në mërgatë, një personalitet që për katër dekada ka mishëruar besimin, kulturën dhe identitetin shqiptar në një nga metropolet më të mëdha të botës.

Rrugëtimi i një meshtari të përkushtuar

Don Pjetër Popaj lindi më 10 qershor 1958, në Shën Gjergj të Ulqinit – një qendër e lashtë e krishtërimit ndër shqiptarë. Në gjirin e familjes së prindërve, Ndocit dhe Linës, ai u rrit mes frymës së besimit, punës dhe përkushtimit. Rrugëtimi i tij mori drejtim të ri kur familja e tij, si shumë shqiptarë të viteve ’70, u shpërngul drejt Shteteve të Bashkuara, pas një qëndrimi të shkurtër në Itali.

Në New York, adoleshenti Pjetër vijoi shkollën e mesme dhe brenda pak vitesh u bë e qartë se thirrja e tij shpirtërore ishte e fortë dhe e palëkundur. Ai nisi formimin meshtarak në institucione të rëndësishme të Arqipeshkvisë së New York-ut, mes të cilëve Cathedral Preparatory Seminary, Cathedral College of the Immaculate Conception dhe St. Joseph’s Seminary, ku u pajis me dije të thella filozofike dhe teologjike.

Një datë historike: 16 nëntor 1985

Shugurimi i tij, më 16 nëntor 1985, në Katedralen e Saint Patrick-ut nga Kardinali John O’Connor, shënoi jo vetëm fillimin zyrtar të shërbesës së tij meshtarake, por edhe një moment historik për komunitetin shqiptaro-amerikan: Don Pjetër Popaj u bë prifti i parë shqiptar i shuguruar në New York.

Ky akt merr një vlerë të dyfishtë: fetare dhe kulturore. Guvernatori i New York-ut, Mario Cuomo, lëshoi një “Citation” zyrtar, duke përgëzuar këtë arritje të rëndësishme. Ndërkaq, Më 24 nëntor 1985, Don Pjetri celebroi Meshën e tij të parë në Kishën Shqiptare të Bronx-it, përpara mbi 1000 besimtarëve, në një atmosferë që mbetet e paharrueshme për shumë prej pjesëmarrësve.

Në krye të Kishës “Zoja e Shkodrës”

Shërbimi i Don Pjetër Popajt lidhet ngushtë me ngritjen dhe fuqizimin e Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York. Prej vitesh, ai është figurë qendrore e kësaj famullie, e cila sot është shndërruar në një nga institucionet më të rëndësishme të identitetit shqiptar në diasporë.

Nën drejtimin e tij, kjo kishë nuk është vetëm vend lutjeje, por edhe qendër e gjallë kulture dhe bashkësie. Ajo ka shërbyer si hapësirë ku shqiptarët jo vetëm i janë afruar Zotit, por edhe kanë ruajtur gjuhën, traditat dhe kujtesën e tyre historike. Biblioteka personale e Don Pjetrit, e mbushur me autorë të letërsisë shqipe dhe botërore, dëshmon për një figurë që e sheh misionin e meshtarit si shërbesë shpirtërore dhe si detyrë kulturore.

Zë i fortë i kulturës shqiptare në Amerikë

Përveç shërbesës së pandërprerë pastorale, Don Pjetër Popaj është shquar për organizimin e dhjetëra veprimtarive shkencore, kulturore dhe fetare që e kanë vlerësuar atë si një prej nismëtarëve më të përkushtuar të jetës shqiptare në komunitet.

Në mesin e nismave të tij më të shquara mbeten:

– Seminari shkencor (1989) kushtuar 300-vjetorit të Pjetër Bogdanit dhe rëndësisë së veprës “Çeta e Profetënve”; Pjesëmarrja në konsekrimin e Shenjtores “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër, më 24 maj 1999, bashkë me një grup të gjerë besimtarësh shqiptaro-amerikanë; Simpoziumi “Kisha në komunitetin shqiptar”, mbajtur në qershor 2002 në Qendrën “Nënë Tereza” në Hartsdale; Festivali Mbarëshqiptar në Lehman College, organizuar çdo vit që nga 1991, me pjesëmarrjen e grupeve artistike nga i gjithë kontinenti amerikan; Darka e përvitshme e Zojës së Shkodrës, e kthyer në një traditë të përhershme bashkimi.

Të gjitha këto veprimtari e vendosin Don Pjetrin në radhën e klerikëve që kanë ditur të shërbejnë si ura lidhëse mes besimit, kulturës dhe identitetit kombëtar.

Një jetë në shërbim të njerëzve

Portreti i Don Pjetrit nuk plotësohet pa përmendur dimensionin e tij njerëzor: ai është meshtari që ka qënë pranë çdo familjeje shqiptare, në gëzim dhe pikëllim; është këshilltari i urtë që i ka ndihmuar njerëzit të përballojnë sfidat e emigrimit; është drejtuesi shpirtëror që ka ditur të ruajë dinjitetin dhe unitetin e komunitetit.

Shërbesa e tij 40-vjeçare është një testament. Ajo i ka dhënë komunitetit jo vetëm një drejtues të devotshëm fetar, por edhe një drejtues të paepur kulturor dhe kombëtar. Në një kohë kur identitetet shpesh lëkunden, ai ka ditur të ruajë të pandryshueshme vlerat e besimit, gjuhës dhe traditës, duke i përcjellë brez pas brezi.

Përmbyllje

Sot, kur shënojmë 40 vjet të shugurimit të Don Pjetër Popajt, nderojmë një jetë të tërë të vendosur në shërbim të Zotit dhe të popullit. Veprimtaria e tij shumëdimensionale e rendit në mesin e figurave më të respektuara të klerit shqiptar në mërgatë. Kontributi i tij mbetet i pashlyeshëm dhe do të vazhdojë të jetë udhërrëfyes për brezat e rinj.

Gjek Gjonlekaj: Epiku dhe tragjiku i Greqisë antike Eskili në një prej vargjeve të tij thotë:”Për mendime e punë të mëdha, fjalë të madhërishme të kërkojmë”. Pra sonte në këtë darkë solemne për të nderuar meshtarin tonë Dom Pjetër Popaj duhet t’i zgjedhim fjalët më të mira. Fjala e urtë  latine thotë: “Pluribus Unum” , të gjithë për një e një për /të gjithë”. Sot kremtojmë 40-vjetorin e shugurimt meshtar të Dom Pjetrit tonë dashur. Që është një përvjetor jubilar i shërbimeve për të gjithë, ndërsa ne sonte në këtë përvjetor po festojmë të gjithë për një me fjalë të tjera të gjithë për Dom Pjetrin. Ndërsa po lexonja këto ditë pjesë nga libri: “Të kapërcehet Pragu i Shpresës” të Papë Gjon Palit të Dytë tani Shën Gjon Pali i Dytë mësova se Jezu Krishti e nderonte shumë apostullin Pjetër. Bile kishte një porosi të vazhdueshme: “Mos ki frikë” Shën Pjetri pas shumë udhëtimesh të gjata dhe të vështiea arriti në Romë dhe atje në një prej 7 kodrave të Romës ndërtoi kishën e parë e cila më vonë u qaujt e Kisha, Katedraja dhe Bazilika e Shën Pjetrit. Emëri Pjetër është shumë i dashur për shqiptarët. Këtë emër mbanin kolosët e fesë dhe kombit tonë. Të tillë kishin qënë Imzot Pjetër Budi (Shekëspiri Shqipëtar) siç e cilëson Ismail Kadare. Kështu kishte qënë edhe Imzot Pjetër Bogdani e Pjetër Mëshkalla që përvec titujëve të lart  fetar ata janë edhe martir dhe prelat e patriot të dalluar. I tillë kishte qënë edhe Pjetër Arbenori i kohës sonë. Dom Pjetër Popaj një cerek shekulli më parë kishte ndërtuar kishën tonë të mrekullueshme në një prej kodrave në Hartsdale ku kishte qëmdruar disa kohë edhe George Washingtoni. Kishte qëndruar në kodrën tonë prijësi i luftës amerikane për pavarësi. Kjo qytezë në kodër (city on hill) është shëndrruar në një qëmdër të madhe fetare dhe kombëtare. Pjetër Popaj kishte lindur në familjen fisnike Popaj të Shën Gjergjit të Ulqinit dhe në fillim të viteve 70 ishin vendosur në Shtetet e Bashkuara. Kolegët e tj të shkollës tetëvjecare tregojnë se Pjetër Popaj kishte qënë nxënës i shkëlqyeshëm shume i sjellshëm elegant dhe pedant, ku ishte shquar edhe për shërbesa  fetare në kishën e vendlndjes së tij. Atje në kishën e Shën Gjergjit i kishte shërbyer me dashuri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm Monsinior Simon Filipaj që e nderonte aq shumë. Dom Simonin e kishte si një yll drite për ardhmerinë tij fetare e kombëtare. Më në fund pas një shkollimi të gjatë këtu në kolegjet amerikane Dom Pjetri filloi studimet e larta   në Seminarn Saint Joseph në Dunëoodie të qytetit Yonkers ku kishte mbaruar me sukses Fakultetin e Teologjisë dhe Filozofisë. Para 40-vjetësh filloi punën si meshtar i rregulltë në filli në kishat amerikane dhe më vonë vendosi  t’i vihet në shërbim Kishës Katolike Shqiptare në Bronx të New Yorkut. Mesha e parë e përurimit ishte thënë në Kishën tonë shqiptare në këtë qytet u kishin marrë pjesë shumë klerikë shqiptarë sic kishin qënë At Arthur Liolini Bostonit, Imama Isa Hoxha i New Yorkut. Por çka e bënte edhe më madhështore këtë meshë ishte pjsëmarrja e Dom Simon Filipaj i cili kishte ardhur për të celebruar këtë meshë të shejtë dhe hstorike. Darka solemne e kësaj dite u festua në Hotelin Imprial ku kishin marrë pjesë pothuajse 1300 veta. Ishin të pranishëm shqiptar nga gjith anët e Amerikës. Dom Pjetër Popaj përveç aktivitete të shumta fetare e kombëtre disa herë ka drejtuar qindra shqipëtar në pelegrinazhe sic ishin Roma, Gjenocano, Lindja e Mesme. Bile atë ditë që pelegrinët shqiptarë ishin tek varri i Krishtit, pikërisht atë ditë Manush Myftiu i Shqipërisë Komuniste njftoi se prej asaj dite FEJA në Shqipëri ishte e lrë. Ishte kjo një koincidencë mistike dhe historike. Këtë rrugë të madhërishme e kishin drejtur Dom Rrok Mirdta dhe Dom Pjetë Popaj gjatë kovidit-19 bëri shërbime që mund të quhen heroike ngase vajti në spitale, në funerale, në kishë e varreza për vdekjen e më shumë se 100 shqiptarëve që vdiqen si pasojë e kesaj epidemie. Për të folur për Dom Pjetër Popaj duhen ditë të tëra, por kësaj radhe vetëm kaq dhe iu deshirojmë jetë të gjatë, shëndet e lumturi të përditshme.

Filed Under: Komunitet

Gjuha shqipe dhe alfabeti shqip, shprehje e identitetit të shqiptarëve dhe kërkesave për unitetin kombëtar

November 18, 2025 by s p

Dr.Nikollë Loka/

Argumenti i shtetit osman për të ndaluar organizimin e çdo mësimi në gjuhën shqipe, një kërkesë që u bë më e dukshme në gjysmën e dytë të shekullit XIX, ishte se shqiptarët përbënin një popullsi të përçarë në grupe fetare të ndryshme, duke përfshirë myslimanët, ortodoksët dhe katolikët. Sipas autoriteteve osmane, këto grupe kishin identitete të ndara që lidhen me besimet e tyre fetare dhe jo me një identitet etnik të përbashkët. Kjo ndarje fetare ishte përdorur si një justifikim për të mos lejuar një bashkim kulturor dhe gjuhësor të shqiptarëve.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, shqiptarët janë populli i vetëm i Ballkanit që ka zhvilluar një identitet kombëtar tërësisht të bazuar në gjuhën e tij, pa u mbështetur në asnjë besim fetar të caktuar. Në këtë kontekst, gjuha shqipe ka luajtur rolin e një faktori unifikues dhe ka krijuar një ndjenjë të fortë përkatësie. Në vend të fesë, ishte gjuha shqipe ajo që shërbeu si mbështetje për ndërtimin e një ideologjie kombëtare të vërtetë, që synonte bashkimin e shqiptarëve, pavarësisht dallimeve fetare. Gjuha shqipe jo vetëm që mbijetoi nën shtypjen osmane, por u bë simbol i qëndresës dhe një shenjë e identitetit kombëtar, duke ushqyer ideologjinë e Rilindjes Kombëtare, e cila e shihte shqipen si thelbin e unitetit kombëtar.

Gjuha shqipe, që në fillimet e saj, ishte e lidhur ngushtë me frymën e kombit dhe identitetin etnik, duke i mundësuar shqiptarëve të krijonin një bazë të fortë për realizimin e aspiratave të tyre politike dhe kulturore, pavarësisht përpjekjeve të pushtuesve të ndryshëm. Është me interes të theksohet se zhvillimi i unitetit të shqiptarëve përtej dallimeve të tyre fetare u bë problematik për shtetin osman dhe Patrikanën e Stambollit, sidomos pas viteve 1870, kur shqiptarët u bashkuan, kërkuan autonomi dhe shprehën aspirata të forta për shkollat e tyre me klasa në gjuhën shqipe. Kërkesa të tilla e detyruan shtetin osman të ndryshonte politikat e tij arsimore në trojet shqiptare dhe të intensifikonte përpjekjet për të zhvilluar identitetin fetar islam (Evered, 2012: 44).

Lëvizja kombëtare shqiptare filloi si lëvizje kulturore (Talon, 2012: 628). Mund të përpiqemi të dallojmë zhvillimin e një shqiptarizmi kulturor nga ai, i mëvonshëm, politik, por kufiri midis politikës dhe kulturores nuk është gjithmonë i lehtë për t’u hequr (Clayer, 2012: 137). Me rritjen e vetëdijes së tyre për veten, shqiptarët kërkuan të diferencohen nga bashkëfetarët dhe të lidheshin me bashkëkombasit e tyre. Ky proces u bë nën ndikimin e ideve rilindëse, që hodhën bazat e kombit tonë shumëfetar (Clayer, 2012: 253-254) dhe çoi në rritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, që u manifestua me lëvizjen mbarëkombëtare për pavarësi.

Problemi i arsimit shqip ka qenë një shqetësim i madh i udhëheqësve atdhetarë shqiptarë në periudhën pas Lidhjes së Prizrenit, si në çështjen e gjuhës dhe atë të alfabetit. Sami Frashëri e ka shprehur përmbledhurazi këtë shqetësim në librin e tij mbi Shqipërinë që u botua në fund të shekullit XIX: “Shqipëria nuk mund të ekzistojë pa shqiptarët, shqiptarët nuk mund të ekzistojnë pa gjuhën shqipe, dhe kjo e fundit nuk mund të ekzistojë pa alfabetin e vet dhe pa shkolla” (Skëndi, 2000: 127). Sipas tij, “Shqipëria nuk do të mund ta shpëtonte kombësinë dhe gjuhën e saj, po qe se Turqia do të vazhdonte t’i ndalonte shqiptarët të themelonin shkollat e tyre amtare, ndërsa lejonte kombësitë e tjera, armike të saj dhe të Shqipërisë, të vepronin si t’u pëlqente. Po të vazhdonte sundimi turk, me kohë nuk do të mbetej gjurmë Shqipërie” (Skëndi, 2000: 160). Edhe Abdyl Frashëri do ta trajtonte në shtypin turk të kohës idenë se “shqiptarët formonin një kombësi më vete, në sajë të bashkësisë së tyre gjuhësore, territoriale, kulturore dhe historike, dhe si të tillë ata gëzonin të drejtën supreme për vetëvendosje” (Pollo, Pulaha, 1989: 155).

Ndikim të madh në lëvizjen kulturore të shqiptarëve pati “Shoqëria e të shkruarit shkronja shqip” e Stambollit (Jevalich, 2004: 209), që nisej nga teza e shpallur prej rilindësve të parë, se “çdo komb që nuk e shkruan gjuhën e tij dhe nuk ka alfabetin e vet kombëtar, është një komb i prapambetur” (Buda, 2002: 337-370). Krijimi i saj ishte hapi i parë për të dalë nga faza e veprimeve të veçuara dhe për të krijuar një bërthamë organizative e përfaqësuese të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (Buda, 2002: 126). Synimi i saj ishte themelimi i shkollave laike shqipe, të përbashkëta për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga feja e tyre. Shkollat laike shqiptare kishin si detyrë që nëpërmjet përhapjes së gjuhës shqipe, të ndihmonin në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe në rritjen e përpjekjeve të shqiptarëve për autonomi.

Në shek. XIX, kur u mbrujt vetëdija kombëtare e shqiptarëve, si edhe për kombet e tjera, në dallime e ballafaqime me popuj rreth e rrotull, tashmë ishin në përdorim disa alfabete. Komunikimi në shkallë kombëtare e bënte të nevojshme ngulitjen e një alfabeti të vetëm.

Nën kujdesin e Klubit të Manastirit, nga 14 deri më 22 nëntor 1908 u mbajt Kongresi, në të cilin u morën vendime me rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit dhe të kulturës kombëtare shqiptare. Në pasditen e 20 nëntorit 1908, Mit’hat Frashëri, si kryetar i Kongresit të Manastirit, njoftoi një vendim historik lidhur me çështjen e alfabetit shqip. Ai shpalli se debati kishte përfunduar dhe se ishte arritur një zgjidhje që synonte pajtimin dhe bashkimin e të gjithëve: u miratuan dy alfabete, ai i Stambollit dhe një alfabet i thjeshtë latin, i cili ngjante shumë me të parin. Ky vendim për të pranuar dy alfabete, në vend të një të vetëm, ishte një kompromis i mençur, i nevojshëm për kohën. Shqiptarët ende ishin të ndarë sipas bindjeve kulturore, krahinore dhe fetare, dhe imponimi i një alfabeti të vetëm mund të kishte shkaktuar përçarje të mëtejshme. Duke miratuar përkohësisht të dy sistemet, Kongresi krijoi kushtet për një bashkim kombëtar, me synimin që në një fazë të mëvonshme të vendosej natyrshëm se cili alfabet do të mbizotëronte.

Zhvillimet e mëvonshme në fushën e arsimit dhe kulturës në Shqipëri çuan drejt një zgjidhjeje të natyrshme. Ajo që Kongresi, për shkak të kontekstit politik dhe presioneve të kohës, nuk mundi ta finalizonte, u zgjidh gradualisht nga populli shqiptar dhe praktika. Pa nevojën për kongrese të tjera, u vërtetua se alfabeti latin ishte më i përshtatshëm: ishte më i thjeshtë për t’u mësuar, më homogjen në formën e shkronjave, më i lehtë për shtyp dhe më i përdorshëm në shkollim dhe botim.

Kështu, rreth fundit të Luftës së Parë Botërore, alfabeti latin u bë alfabeti i vetëm i gjuhës shqipe, duke u shndërruar në standardin që përdoret edhe sot. Miratimi i një alfabeti të përbashkët latin kishte gjithashtu një domethënie të thellë politike dhe kombëtare: ai shprehu qartë se shqiptarët ishin një komb më vete, pavarësisht dallimeve fetare, duke forcuar unitetin kombëtar dhe duke mbyllur rrugën e ndikimeve ideologjike dhe politike të huaja. Ky vendim, më shumë se një zgjidhje teknike, ishte një akt i rëndësishëm i afirmimit të vetëdijes kombëtare shqiptare.

Edhe pse Kongresi i Manastirit njihet kryesisht për vendimin historik mbi alfabetin e gjuhës shqipe, qëllimi i tij thelbësor ishte shumë më i gjerë: krijimi i unitetit ndërshqiptar. Në të gjitha fjalimet publike të mbajtura gjatë seancave me dyer të hapura, pjesëmarrësit theksuan pa përjashtim nevojën për bashkimin e shqiptarëve. Po kjo frymë ishte e pranishme edhe në diskutimet e mbyllura, ku çështja e unifikimit kombëtar mori vendin qendror dhe u konsiderua si një kusht i domosdoshëm për përparimin politik dhe kulturor të shqiptarëve.

Kongresi i Manastirit zë një vend të veçantë në historinë shqiptare të fillimit të shekullit XX. Ai shënoi ngjarjen e parë madhore pas Lidhjes së Prizrenit (1878–1881), ku u mblodhën përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe nga kolonitë e diasporës. Ky bashkim i gjerë shënoi një moment historik, sepse tregoi se shqiptarët, pavarësisht ndarjeve gjeografike apo komuniteteve fetare, ishin të gatshëm të bashkëpunonin për një qëllim të përbashkët kombëtar. Në këtë kontekst, Kongresi i Manastirit nuk ishte thjesht një kuvend i gjuhëtarëve, por përfaqësonte një moment të rëndësishëm të kthesës në histori, kur shqiptarët artikuluan vizionin e tyre për një identitet politik dhe kulturor të pavarur. Ai hodhi bazat për konsolidimin e kombit shqiptar dhe për hapat që do të çonin drejt Pavarësisë së vitit 1912. Kongresi u bë kështu një pikë referimi historike, ku u vendosën themelet e unitetit kulturor dhe kombëtar, për të cilin shoqëria shqiptare kishte kaq shumë nevojë.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 220
  • 221
  • 222
  • 223
  • 224
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT