• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ALFABETI I GJUHËS SHQIPE – KONGRESI I MANASTIRIT

November 15, 2025 by s p

117-VJETORI I KONGRESIT TË MANASTIRIT

Shqipja e shkruar dokumentohet që nga shekulli XIV me alfabetin latin. Po këtë alfabet, të plotësuar me ndonjë shenjë greke, e përdorën edhe shkrimtarët arbëreshë. Duke qenë se greqishtja përdorej si gjuhë e kishës ortodokse, shqipja u shkrua edhe me shkronja greke. Nën trysninë e islamizmit dhe të pushtuesve osmanë, në shkrimin e shqipes, që nga fillimi i shekullit XVIII, u përdor edhe alfabeti turko-arab. Më të u shkruan krijimet letrare të bejtexhinjve.

Me fjalë të tjera, me alfabet latin janë shkruar dokumentet e para në gjuhën shqipe:
– Formula e pagëzimit, 1462; dhe
– Fjalorthi i Arnold fon Harfit, 1496)

. Dëshmia e parë me alfabet grek është “Ungjilli i Pashkëve” ose “Perikopeja e Ungjillit”, i shkruar në dialektin jugor të shqipes, në një fletë karte, të gjetur në një kodik të shekullit XIV.
Ka që thonë se ky shkrim i përket fundit të shekullit XV ose fillimit të shekullit XVI.
Libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut i vitit 1555 dhe tekste të tjera të shekullit XVII dhe të gjysmës së parë të shekullit XVIII janë shkruar me alfabet latin,plotësuar me disa shkronja cirilike. Në shekullin XVIII autorët e letërsisë së bejtexhinjve përdorën alfabetin turko-arab.

Për shkrimin e shqipes, për të vënë në pah individualitetin e saj dhe të popullit shqiptar, u ndoq edhe një rrugë tjetër – ajo e krijimit të alfabeteve të veçanta. Nga shekulli XVIII, mbase edhe më parë, u krijuan disa alfabete të tilla. Orvatja më fatlume qe ajo e veprimtarit dhe e mësuesit të gjuhës shqipe Teodor Haxhifilipit (rreth vitit 1730-1805), i njohur me emrin Dhaskal Todri, shkrimi i të cilit pati njëfarë përhapjeje.
Në një frymë të re, thellësisht kombëtare, e shtroi dhe e zgjidhi çështjen e alfabetit të shqipes ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtari i shquar iluminist dhe veprimtari i shkollës shqipe Naum Veqilharxhi (Naum Bredhi, 1767-1846). Në vitet 1824 dhe 1825 ai e kishte nisur tashmë punën për një alfabet të tijin me 33 shkronja. Më 1844 ai shtypi një gjuhën shqipe një abetare prej tetë faqesh. Ky libër i vogël me titull “Fort i shkurtër e i përdorçim ëvetar shqip”, u shpërnda në mbarë Shqipërinë e jugut, nga Korça në Berat. Në vitin 1845, në një botim të dytë, kjo broshurë u zgjerua deri në 48 faqe, me titull ”Fare i ri abetor shqip për djelm nismëtore”.

Përpjekje të mëtejshme për caktimin e një alfabeti të përgjithshëm për gjuhën shqipe u bënë në vitet ’60 të shekullit XIX si dhe më pas, nga një grup atdhetarësh dhe veprimtarësh të shquar të Rilindjes Kombëtare, siç ishin: Kostandin Kristoforidhi (1872-1895) – lëvrues dhe studiues i dalluar i gjuhës shqipe; Pashko Vasa (1825-1892) – veprimtar i arsimit dhe i kulturës, poet dhe publicist patriot; Hasan Tahsini (1811-1881) – atdhetar i madh, filozof dhe mendimtar i shquar në fusha të ndryshme të diturisë; Jani Vreto (1822-1900) – atdhetar dhe mendimtar shquar; Sami Frashëri (1850-1904) – dijetar i madh, shkrimtar dhe publicist, rilindës i shquar, ideolog kryesor i Lëvizjes kombëtare shqiptare. Përpjekjet e tyre u kurorëzuan me sukses në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1878).

Në fillim të vitit 1879 u pranua alfabeti i parashtruar nga Sami Frashëri (1850-1904), i bazuar në parimin “një tingull me një germë dhe një germë për një tingull”. Ky alfabet, i njohur me emrin “alfabeti i Stambollit”, u mbështet në alfabetin latin, duke u plotësuar me disa shkronja greke dhe me shkronja të tjera të veçanta. Me të u bënë shumë botime, u përhap gjerësisht dhe deri në fund të shekullit XIX ishte alfabeti kryesor i Rilindjes Kombëtare.
Nga fundi i shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX një përhapje jo të vogël pati edhe alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës, të cilin – me pak ndryshime – e përshtati edhe revista “Albania” e Faik Konicës (1875-1942), që botohej në Bruksel në vitet 1897-1902 dhe në Londër në vitet 1903-1909. Me shkrimet e saj, kjo revistë luajti një rol të rëndësishëm për zgjidhjen e alfabetit të përbashkët, të vendosur në Kongresin e Manastirit më 1908.

Kur numri i botimeve shqipe u shtua, ndërsa rrjeti i shtypjes së tyre u zgjerua, kushtet teknike dhe arsye të tjera bënë që të krijohen e të përdoren alfabete të ndryshme. Gjithnjë e më shumë u përdor alfabeti thjesht latin në variante të ndryshme, duke u plotësuar shkronjat e tij me diagrame (dyshkronjësha) ose me shenja diakritike (ç, ë). Numri i alfabeteve të përdorura në praktikën e botimeve erdhi duke u shtuar.
* * *
Shumë nacionalistë shqiptarë ushqyen besim te lëvizja e xhonturqve, e cila do të shpinte në revolucionin e korrikut të vitit 1908 dhe pas një viti, në përmbysjen e Sulltan Abdyl Hamidit II (1842-1918). Edhe shqiptarët luajtën një rol me rëndësi në revolucionin e xhonturqve, i cili e përshpejtoi fundin e kësaj periudhe të stagnimit të përgjithshëm, e që më 23.07.1908 i dha Perandorisë kushtetutë, ndërsa qytetarëve – kinse barazi. Por shpresat që shqiptarët kishin mbështetur te xhonturqit, u shuan shpejt. U bë e qartë se administrata e re ishte po aq centraliste sa edhe e vjetra, në mos dhe më shumë. Shqiptarët nuk do të bënin pjesë në atë valë nacionalizmi mbarëturk që po përhapej nëpër Evropë.

Veprimtari dhe publicisti i Rilindjes Dervish Hima (Ibrahim Naxhi, Ohër, 1875 – Tiranë, 1928) thoshte se “shqiptarët nuk janë tjetër veçse shqiptarë dhe nuk do ta ndjejnë veten të kënaqur veçse kur të jenë të lirë në një Shqipëri të lirë, si një pjesë e një konfederate shtetesh të pavarura ballkanike nën suzerenitetin e Sulltanit (Archives du Ministère des Affaires Etrangères de France, Shkodër, 26 gusht 1908, dhe Pinon 1909, f. 813).
Ndërsa shpresat për autonomi nuk po fuqizoheshin, shqiptarët arritën të përfitojnë nga reformat e xhonturqve dhe nga liberalizimi relativ në çështjet kulturore. Ngritën shkolla në gjuhën shqipe dhe themeluan gazeta në këtë gjuhë si dhe klube patriotike. Por, rrethi tragjik i shtypjes dhe i kryengritjeve të përgjakshme vazhdonte.

* * *
Po në këtë kohë, prej 14 deri më 22 nëntor 1908 u mblodh Kongresi i Manastirit, për të shqyrtuar në atë fazë disa çështje të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare, në radhë të parë për të zgjidhur çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, njësimi i të cilit ishte bërë një problem i mprehtë politik, arsimor dhe kulturor dhe një kërkesë e ngutshme e Lëvizjes Kombëtare.
Për ta përmbushur këtë kërkesë, atdhetarët shqiptarë shpejtuan ta shfrytëzonin gjendjen e krijuar pas shpalljes së Kushtetutës në Perandorinë Osmane (23.07.1908).

Nismëtar i thirrjes së këtij kongresi kombëtar, që ka hyrë në histori si Kongresi i Manastirit, ishte klubi “Bashkimi” i Manastirit. Organizimi i kongresit të alfabetit u propagandua nga veprimtari politik, shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi, i njohur edhe me pseudonimin Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka – Mit’hat Frashëri (Janinë, 1880 – Nju-Jork, 1949) në revistën e tij “Liria”. Në një artikull të botuar në të, midis tjerash ai shkruan: “…ardhi një ditë e pëlqyer për istorinë tonë, që të nisim liruar’ e pa pengim të punojmë për mbrodhësin’ e lumturin’ e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuk do mundim të arrijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë”.
Kongresi u mbajt në shtëpinë e veprimtarit të lëvizjes kombëtare, të lindur në Zavalan të Dangëllisë (rrethi i Përmetit) Fehim Zavalanit (1859-1935). Nën drejtimin e tij, pranë klubit “Bashkimi” të Manastirit, në vitin 1908 u formua një komitet i fshehtë që luftonte për autonominë e Shqipërisë. Fehim Zavalani ishte drejtuese i gazetës “Bashkimi i Kombit” që doli në Manastir në vitet 1909-1910. Në vitet 1911-1912 gazeta doli me emrin “Drita”, si organ i klubit “Bashkimi” të Manastirit.

Femi Zavalani qe ndër organizatorët kryesorë të thirrjes së Kongresit të Manastirit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Si kryetar i klubit “Bashkimi” të Manastirit, Fehim Zavalani bashkërendoi veprimtarinë e të gjitha klubeve shqiptare për mbrojtjen e alfabetit shqip, të kulturës dhe të të drejtave kombëtare të shqiptarëve kundër reaksionit xhonturk. Në Kongresin e Dibrës (1909), kundërshtoi përpjekjet e përkrahësve të xhonturqve për t’u imponuar shqiptarëve alfabetin arab.
Kongresi i Manastirit pra, u mbajt në shtëpinë e Fehim Zavalanit. Në Kongres morën pjesë 50 delegatë. Prej tyre, 32 delegatë ishin me të drejtë vote, ndërsa 18 delegatë, pa të drejtë vote. Delegatët vini nga të katër vilajetet e tokave shqiptare: i Shkodrës, i Janinës, i Manastirit dhe i Kosovës; delegatë të shoqërive, të klubeve dhe të organeve kombëtare të pjesës më të madhe të trevave shqiptare, si dhe të kolonive shqiptare në Stamboll, në Bukuresht, në Sofje, në Egjipt, në ShBA, midis tyre shkrimtarë e gazetarë, lëvrues të gjuhës dhe mësues të shqipes, veprimtarë të njohur të lëvizjes kulturore dhe politike kombëtare.

Për të studiuar çështjen e alfabetit dhe për të dalë me propozime, Kongresi zgjodhi një komision 11-anëtarësh, të përbërë nga përfaqësues të tre alfabeteve kryesore që ishin në përdorim.
Në komision bënin pjesë:

– Poeti, dramaturgu, prozatori, esteti, publicisti, kleriku i lartë dhe politikani Gjergj Fishta (1871-1940);
– Veprimtari i lëvizjes kombëtare dhe demokratike shqiptare, poeti e publicisti Luigj Gurakuqi (1879-1925);
– Botuesi i të përjavshmes shqiptaro-amerikane “Kombi” në Boston Sotir Peci (1873-1932);
– Veprimtari politik, shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi Mit’hat Frashëri (1880-1949);
– Njëri ndër figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare në Sofje Shahin Kolonja (1865-1919);
– Deputet i Elbasanit në Kongres ishte farmacisti Dhimitër Buda (Taqi Buda). Kongresin e mbështeti edhe financiarisht. Më vonë mbështeti financiarisht edhe Normalen e Elbasanit. Është baba i historianit Aleks Buda (Elbasan, 1911 – Tiranë 1993);
– Poeti klasik dhe veprimtari atdhetar Ndre Mjeda (1866-1937);
– Veprimtari i Rilindjes Kombëtare, publicisti, drejtuesi i shkollës së vashave në Korçë, Gjergj Qiriazi (1868-1912).
– Veprimtari i Rilindjes Kombëtare, organizator dhe drejtues i çetave të armatosura për pavarësi në vitet 1906-1908 – Bajo Topulli (Gjirokastër, 1868 – Sarandë, 1930).
– Veprimtari i lëvizjes kombëtare, publicist i cili iu përkushtua përhapjes së mësimit dhe të shkrimit të gjuhës shqipe, si dhe ideve kombëtare në Berat – Nyzhet Vrioni (Nyzhet Vrioni, Berat, 1877 – Romë, 1920). Në Kongres mori pjesë së delegat i klubit “Bashkimi” të Beratit dhe u caktua anëtar i Komisionit të alfabetit;
– Veprimtari i Rilindjes Kombëtare, mësuesi i Shkollës së Vashave në Korçë, i cili lindi në Vithkuq të Korçës dhe u shpërngul në Manastir – Grigor Cilka (1875-1919). Gruaja e tij, Katerina Cilka ishte mësuese e shkollës së parë fillore për vajza në Korçë.
Ndër pjesëmarrësit e shquar ishin edhe:
– Veprimtari i Rilindjes Kombëtare dhe i shkollës shqipe, publicisti Petro Nini Luarasi (Luaras i Kolonjës, 1865 – Ersekë, 1911). Për veprimtarinë patriotike, arsimore, shoqërore dhe propaganduese, u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit. Vdiq i helmuar prej tyre në Ersekë.
– Veprimtari i shkollës shqipe, studiuesi dhe publicisti nga Shkodra Mati Logoreci (1867-1941);
– Poeti dhe publicisti nga Shkodra Hilë Mosi (1885-1933);
– Veprimtari i Rilindjes Kombëtare, i shkollës shqipe dhe i shtypit shqiptar, i lindur në Vodicë të Kolonjës Thoma Avrami (1869-1943);
– Veprimtari i kulturës dhe i arsimit kombëtar, gjuhëtari Simon Shuteriqi (1883-1951), i lindur në Elbasan; (Familjes Shuteriqi i takon edhe shkrimtari dhe historiani i letërsisë Dhimitër Shuteriqi (1915-2003));
– Veprimtarja e Lëvizjes Kombëtare, gazetarja dhe publicistja Parashqevi Qiriazi (Manastir, 1880 – Tiranë, 1970) e cila punoi për emancipimin e femrës shqiptare;
Shënim: Familja patriote kolonjare Qiriazi ishte vendosur në fshatin Tërnovë të Manastirit. Sevasti Qiriazi (Dako) (1871-1949), Gjerasim Qiriazi (1858-1894), Gjergj Qiriazi dhe Parashqevi Qiriazi (1880-1970) janë motra e vëllezër. Qenë veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare. Vepruan për arsimimin dhe për emancipimin e popullit shqiptar, sidomos të femrës shqiptare.

* * *
Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi vinin nga Shkodra. Shahin Kolonja dhe Petro Nini Luarasi – nga Kolonja. Thoma Avrami – nga Korça. Bajo Topulli dhe familja Qiriazi – nga Manastiri. Sotir Peci – nga Bostoni.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, biri i Abdyl Frashërit (1839-1892). Ai u caktua edhe në Komisionin e alfabetit. Komisioni njëmbëdhjetë anëtarësh kryesohej nga Gjergj Fishta. Komisioni kishte për detyrë të studionte çështjen e alfabetit dhe të dilte me propozime.
U arrit menjëherë mendimi i përbashkët që, pavarësisht nga alfabeti që do të përcaktohej, kryesorja të ruhej uniteti kombëtar. Këtë ide Gjergj Fishta e shprehu duke thënë: “…sado që jam dërguarë prej shoqërisë Bashkim, s’kam ardhurë për të mprojtur atë abece, po për të gjeturë një mënyrë që të bashkohemi të tërë”.
Tre alfabetet kryesore që u morën në shqyrtim qenë:

– alfabeti i “Agimit”, i shoqërisë letrare “Agimi” të Shkodrës, i propozuar nga Ndre Mjeda;
– alfabeti i Bashkimit, i shoqërisë letrare “Bashkimi” të Shkodrës, i hartuar nga poeti dhe kleriku, i lindur në Bulgër të Mirditës Preng Doçi (1846-1917); dhe
– alfabeti i Stambollit, i hartuar nga Sami Frashëri.

Kishte shqiptarë, kryesisht të jugut, të cilët parapëlqenin alfabetin tradicional të Stambollit. Shqiptarët e veriut ndërkaq, pëlqenin alfabetin e “Bashkimit” të Shkodrës, i cili ishte më praktik për botime, ngase nuk kishte shkronja jolatine.
Në kongres u shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete të tjera: alfabeti grek, i përhapur për përdorim të shqipes nga lëvruesi dhe studiuesi i gjuhës shqipe, veprimtari i Rilindjes Kombëtare në fushën e arsimit dhe të kulturës Konstandin Kristoforidhi (1872-1895) dhe alfabeti arab, të cilin një numër i caktuar i myslimanëve, sidomos në Maqedoni dhe në Kosovë, vazhduan ta shohin si të vetmen zgjidhje edhe për një kohë të caktuar pas kongresit.
Një prej tyre që përkrahu alfabetin arab ishte edhe veprimtari i lëvizjes kombëtare, kleriku Rexhep Voka (Shipkovicë, Tetovë 1847 – Stamboll 1917). Ai u përfshi në lëvizjen për çlirim kombëtar dhe për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare, për mësimin e shqipes dhe për përhapjen e diturisë, si rrugë e emancipimit kombëtar të shqiptarëve. Në vitin 1903 ishte myfti i vilajetit të Manastirit.

Përkrahu idenë e shkrimit të shqipes me alfabet arab, gjë që u kundërshtua nga veprimtarët e Rilindjes. Me këtë alfabet botoi dhe një abetare (“Elifbaja shqipe”, 1910) dhe një libër mësimi të shqipes dhe të normave të fesë islame (“Mendime”, 1911).
Pas disa ditësh të përshkuara me diskutime dhe duke marrë gjatë kësaj kohe edhe telegrame nga mbarë Shqipëria, me kërkesën që të vendosej njëri apo tjetri alfabet, Komisioni vendosi t’i pranojë variantet e modifikuara:
– të alfabetit të “Bashkimit”; dhe
– të alfabetit të Stambollit.

Tani, në shkolla dhe në botime mund të përdoreshin të dy alfabetet. Megjithëkëtë, pranimi nga të gjithë, i vendimit të Komisionit do të donte ende kohë. Pra, pas mjaft diskutimesh u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin, shkronjat e të cilit plotësoheshin me nëntë dyshkronjësha (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe me dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë). Në fund Komisioni dhe Kongresi vendosën që të lejohej përdorimi, si i alfabetit të Stambollit, që kishte një përhapje të gjerë ndër shqiptarë, ashtu edhe i alfabetit të ri. Dy alfabetet ndryshonin vetëm në shtatë shkronja.

Vendimet e kongresit që ishin kurorëzim i përpjekjeve të shumë brezave lëvruesish të shqipes për afrim e njësim, u mirëpritën nga rrethet kulturore shqiptare brenda dhe jashtë vendit dhe u vunë menjëherë në zbatim.
Brenda pak vitesh, alfabeti i shoqërisë letrare “Bashkimi” të Shkodrës i miratuar nga Kongresi i Manastirit, fitoi epërsi dhe u bë shpejt alfabeti i vetëm i shqipes. Njësimi i alfabetit ishte një hap i rëndësishëm për njësimin e drejtshkrimit dhe të gjuhës letrare shqipe.

Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin dhe për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. Gjatë ditëve të kongresit u organizuan takime të veçanta dhe mbledhje të mbyllura me delegatët, ku u rrahën çështje të mprehta politike. Bisedimet e zhvilluara shërbyen për të afruar pikëpamjet, për të përcaktuar platformën politike të përbashkët të organizatave kombëtare dhe për të bashkërenduar më mirë veprimtarinë e tyre.
U hartua edhe një program kërkesash politike, kulturore dhe ekonomike prej 18 pikash, që iu dha deputetit të Korçës, Shahin Kolonjës (1865-1919), për ta paraqitur në emër të shqiptarëve – në parlamentin osman. Shahin Kolonja ishte një ndër figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare në Sofje.

Kongresi i Manastirit e ngriti lëvizjen kombëtare në një shkallë më të lartë. Për të janë bërë botime të posaçme, si përmbledhja “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit” (1972) dhe studimi “Kongresi i Manastirit” (2004) nga gjuhëtari Shaban Demiraj (Vlorë, 1920 – Tiranë, 2014) dhe nga historiani Kristaq Prifti (Berat, 1932 – 2017).
Përcaktimi i kombit shqiptar për alfabetin latin kishte për të një rëndësi politike të jashtëzakonshme. Një përcaktim i tillë ishte i natyrshëm. Kjo dëshmoi qartë se shqiptarët janë një popull evropian – pjesë e pandarë e qytetërimit perëndimor.
Kongresi i Manastirit i priu shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, gjë që ndodhi katër vjet më vonë.

Çështja e alfabetit qe një temë politike e diskutuar gjatë Rilindjes, e kështu do të mbetej edhe për disa vjet me radhë, përkatësisht deri në vitin 1908. Me vendimin për të mbështetur një zgjidhje kompromisi, Kongresi shtroi rrugën për një kalim shkallëzor nga alfabeti i Stambollit te alfabeti i tanishëm i shqipes, i bazuar në shkronja latine, si dhe arriti të mënjanojë mjaft polemika dhe kundërshtime në vitet e mëvonshme.
Ndonëse një gjuhë letrare, me një drejtshkrim përfundimtar për të gjithë leksikun u vendos jo më parë se në vitin 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të mbajtur në Tiranë prej 20 deri më 25 nëntor 1972, vendimet e miratuara 64 vjet më herët në Kongresin e Manastirit, e lehtësuan mjaft formimin e disa normave gjuhësore në fushën e botimeve dhe ndihmuan në ecjen përpara të një letërsie shqiptare më të njësuar.

Vitet e fundit, shqiptarët rregullisht e kremtojnë përvjetorin e Kongresit të Manastirit. Por, ata nuk duhet të harrojnë se qyteti i alfabetit – Manastiri historik, i cili dikur ka qenë qytet i banuar kryesisht me shqiptarë, sot është zbrazur në përmasa frikësuese, saqë është bërë vështirë të jesh shqiptar në këtë qytet. Pushteti sllavo-maqedonas, që nga viti 1945 e këndej ka bërë çmos për t’i privuar shqiptarët e Manastirit nga arsimimi në gjuhën amtare, nga e drejta për t’u punësuar dhe për të ushtruar çfarëdo veprimtarie ekonomike. Ndaj tyre është ndjekur politika e gjenocidit dhe e aparteidit të heshtur. Të getoizuar, të margjinalizuar dhe të privuar nga çdo e drejtë kombëtare dhe njerëzore themelore, shqiptarët e Manastirit u detyruan t’i marrin rrugët e migrimit, përtej deteve dhe oqeaneve, deri në ShBA, Australi, Zelandë të Re dhe Kanada, për të mos u kthyer kurrë më.

Vitet e fundit, shqiptarët e festojnë rregullisht përvjetorin e alfabetit, duke harruar se ndërtesa ku u mbajt kongresi historik, është sulmuar nga persona të panjohur, madje jo një herë. Sulmuesit nuk duket të jenë vandalistë të rëndomtë. Qeveria sllavo-maqedonase në të cilën bën pjesë edhe faktori politik shqiptar, kurrë nuk arriti t’i zbulojë sulmuesit e shtëpisë së alfabetit.
Shqiptarët është mirë t’i shënojnë datat e rëndësishme të historisë së tyre, por pa i mitizuar ato. Shqiptarët nuk duhet ta mitizojnë, as hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë të themeluar më 1887 dhe as Kongresin e Manastirit që ndryshe quhet edhe Kongres i alfabetit.

Nga mesi i shekullit XIX, popuj të caktuar të gadishullit i hartuan projektet e veta kombëtare. Shqiptarët ndërkaq, të gjendur nën sundimin osman, ia dolën të botojnë jo më shumë se një abetare prej tetë faqesh – “Ëvetari” (1844) i Naum Veqilharxhit (1797-1846). Ky ishte një nga figurat më të hershme që iu përkushtua krijimit të një alfabeti të ri të shqipes e njëherazi një nga të parët që formuloi idealet dhe objektivat e lëvizjes kombëtare shqiptare që në hapat e parë të saj.
Derisa shqiptarët përpiqeshin t’i kapërcenin pengesat që ua krijonin autoritetet e Portës së Lartë për të themeluar shkollë fillore me mësim në gjuhën amtare, në këtë periudhë, disa prej fqinjëve ballkanikë kishin themeluar universitete dhe institucione të tjera shkencore dhe arsimore.
Kroatët nuk janë popull ballkanik dhe nuk kanë qenë nën sundimin e Perandorisë Osmane, por të Austro-Hungarisë. Ky popull që kufizohet me Gadishullin Ballkanik, universitetin e vet e ka themeluar qysh në mbarim të shekullit XVII, përkatësisht më 23 shtator 1669.
Çdo popull, shkaqet e vonimit, duhet t’i kërkojë në radhë të parë në vetvete, e pastaj jashtë vetes.

Xhelal Zejneli

Filed Under: Komente

Qyteti i Cleveland në Ohio njeh zyrtarisht 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë

November 15, 2025 by s p

Safet Hysenaj/

Me krenari duam të ndajmë një lajm të mrekullueshëm me komunitetin tonë dhe shqiptarët kudo që ndodhen!

Pas shumë pune, bashkëpunimi dhe përkushtimi, qyteti i Cleveland ka njohur zyrtarisht 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë përmes një proklamatë të nënshkruar. Në shenjë nderimi, flamuri shqiptar do të ngrihet në City Hall të Cleveland-it, në qendër të qytetit — një moment historik për të gjithë shqiptarët në Cleveland.

Si kryetar shpreh mirënjohjen time më të thellë ndaj gjithë bordit të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Cleveland për punën e palodhur, unitetin dhe mbështetjen për të sjellë ndryshime reale në komunitetin tonë. Një falënderim të përzemërt të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Cleveland për kontributin e tyre atdhetar e komunitar.

Dëshiroj gjithashtu të falënderoj ish-Kryetarin Frank G. Jackson dhe bordin që punuan në atë kohë për të bërë Fierin qytet motër me Cleveland-in, një arritje që hapi rrugën për më shumë njohje kulturore.

Dhe sot, falënderojmë Kryetarin Justin M. Bibb për nënshkrimin e proklamatës që zyrtarizon 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin tonë Cleveland, Ohio.

Kjo arritje i përket të gjithë neve që punojmë e jetojnë në këtë qytet të mrekullueshëm. Së bashku vazhdojmë të ndërtojmë histori, krenari, identitet dhe një të ardhme më të ndritur për komunitetin shqiptar në Cleveland e më gjerë. Zoti e bekoftë kombin shqiptar, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Photo: AI

Filed Under: Komunitet

Poetja Luljeta Lleshanaku shkëlqeu në “World Poetry Salon” në New York

November 15, 2025 by s p

Sokol Paja/

Manhattan, 14 nëntor 2025 – Poetja Luljeta Lleshanaku shkëlqeu në Sallonin e Poezisë Botërore “World Poetry Salon” në “Stavros Niarchos Foundation Library” në New York duke mrekulluar jo vetëm publikun amerikan por edhe shumë shqiptarë që shijuan interpretimin e poezisë “Ujë dhe karbon” dhe bashkëbisedimin kushtuar letërsisë, diktaturës, krijimit, përkthimit dhe lirisë. Një natë e paharruar kushtuar letërsisë shqipe, poezisë e përkthimit. “World Poetry Salon” (Salloni i Poezisë Botërore) është një seri leximesh e organizuar nga New York Public Library në bashkëpunim me organizatën “Limelight Poetry” krijuar në vitin 2024 në New York City nga poeti Wang Yin, dhe i dedikohet promovimit të poezisë botërore ku poetja Luljeta Lleshanaku është ndër emrat më të njohur të letërsisë moderne shqiptare të vlerësuar e njohur ndërkombëtarisht. Në këtë aktivitet ku ftohen poetë dhe artistë të shquar nga e gjithë bota të ndajnë krijimtarinë e tyre në forma të ndryshme, eksperienca e Luljeta Lleshanakut jo vetëm ekspozoi Shqipërinë e panjohur gjatë diktaturës por mbi të gjitha konceptin e individit në liri dhe raportin me të shkuarën e të ardhmen.

“World Poetry Salon” lidh poezinë me forma të tjera arti, duke nxitur një shkëmbim global të shprehjes poetike dhe eksperiencave krijuese. Poetët e tjerë pjesëmarrës në këte projekt të nisur para pak muajsh janë: prozatori dhe poeti irlandez Colm Tóibín, poetja amerikane Victoria Chang dhe poeti maqedonas Nikola Madžirov.

Luljeta Lleshanaku është autorja e pesë librave tashmë të botuar në anglisht, tre prej të cilëve të botuar në SHBA nga shtëpia botuese New Directions: “Fresco” (2002), Child of nature”(2010) dhe “Negative space” (2018) të cilët janë prezantuar më parë në libraritë e New York-ut dhe qytete të tjerë të vendit, dhe për të cilët Lleshanaku shprehet se i kanë hapur rrugë përkthimit dhe botimit edhe në gjuhë të tjera. Por, ndryshe prej prezantimeve të mëparshme, kjo seri leximesh është një projekt ndërkombëtar në New York, ku përformojnë autorë të huaj të përkthyer në anglisht, krahas autorëve amerikanë apo autorëve nga vendet tjera anglishtfolese. Ky prezantim ndërkombëtar, ndihmon në përballjen e autores me një audiencë më të gjërë por është edhe një mundësi për të tërhequr vëmendjen ndaj poezisë, gjuhës, historisë dhe kuturës shqiptare në përgjithësi, të cilat akoma ngjallin kureshtje pas izolimit të gjatë politik në Shqipërinë komuniste.

Poema “Ujë dhe karbon” përkthyer nga shqipja në anglisht nga Ani Gjika dhe e botuar në përmbledhjen “Negative space” është ndër poezitë më të njohura të krijimtarisë poetike të Luljeta Lleshanakut. Në pjesën e dytë të takimit, moderatori i eventit poeti dhe perkthyesi argjentinas Patricio Ferrari, zhvilloi një bisedë të zgjeruar me autoren Lleshanaku, duke u fokusuar në çështje të tilla të krijimtarisë si: liria, letërsia, diktatura në Shqipëri, librat e ndaluar, mungesa e aksesit në letërsinë perëndimore, roli i përvojës individuale dhe kolektive në poezinë e saj; Shqipëria dhe impakti i transformimeve social-politike në poezinë e saj, realiteti dhe kujtesa, efekti i paparashikueshmërisë, mjetet gramatikore dhe sintaksore dhe efektet dramatike qe ato krijojnë, potenciali i vetë gjuhës dhe truket e përkthimit, raporti i shqiptarëve me botën pas rënies së komunizmit, rezistenca antikomuniste në letërsi dhe politikë ku u fokusua te figura e patriotit Alush Lleshanaku e tema me interes të gjerë letrar, shoqëror e artistik. Takimi u shoqërua nga tingujt e muzikës së Nava Dunkelman. Një prezantim mbresëlënës jo vetëm i poetes Luljeta Lleshanaku por dhe i letërsisë shqiptare në një sallon botëror të poezisë e letërsisë.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

Prof. Dr. Rifat Frashëri (1862 – 15 nëntor 1934), “Ministri” i parë i Shëndetësisë së shtetit shqiptar

November 15, 2025 by s p

Saimir Kadiu/

Prof. Dr. Rifat Frashëri, mikrobiolog e virolog i shquar bashkautor me kolegë të Institutit Paster në Paris, i disa zbulimeve të rëndësishme për shëndetësinë botërore në fushën e virologjisë dhe të vaksinave, sidomos kundër epidemive të Lisë dhe të Tërbimit.

Në Kongresin e Lushnjës më 23 janar 1920, Prof. Dr. Rifat Frashëri u emërua në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë shqiptare (pararendëse kjo e një ministrie të mirëfilltë shendetesie).

Ai njihet si shkencëtar dhe akademik me emër në Europë, në Universitetet turke e franceze. Ishte patriot i shquar, mik dhe i afërt me vëllezërit Frashëri.

Vdiq në Shqipëri, 91 vjet me pare, me 15 NENTOR 1934.

Prof. Dr. Rifat Frashëri lindi në vitin 1862, rridhte nga frashërllinjtë e shquar të Dangëllisë Përmetit. Pasi mbaroi shkëlqyeshëm gjimnazin në Gallatasaray dhe fakultetin e Mjekësisë të Stambollit në vitin 1888 u emërua mjek në spitalin ushtarak të Shkodrës, ku punoi deri në vitin 1897 dhe tregoi aftësi të mëdha profesionale gjatë epidemisë së lisë në Tuz.

Mendohet që në vitin 1897 ai u kthye si mikrobiolog në Institutin Bakteriologjik të Stambollit ku, bashkëpunoi me bakteriologun francez Maurice Nicolle, specialist në “Pasteur Institute”, për prodhimin e vaksinës kundër lisë.

Në vitin 1899 emërohet nëndrejtor e pas disa vjetësh drejtor i Institutit Bakteriologjik të Stambollit, kryeqytet e Perandorisë Osmane.

Pikërisht në këtë kohë, një punë e thellë studimore dhe një bashkëpunim i frytshëm me bakteriologun francez Prof. Paul Remlinger i shpuri ata në një nga zbulimet më të mëdha të mikrobiologjisë dhe mjekësisë

botërore të kohës, në zbulimin se tërbimi në kafshë e njerëz shkaktohej nga një “virus filtrues”, një zbulim që e bëri emrin e tij të pavdekshëm në historinë e mjekësisë dhe mikrobiologjisë botërore.

Zbulimin e tyre ata e njoftuan në një mbledhje të Shoqatës së biologjisë (Societe de biologie) në Paris dhe e botuan në vitin 1903, në “Aktet” e kësaj shoqate. Pas shpikjes së parë shkencëtari shqiptar Rifat Frashri u emërua profesor në Universitetin e Stambollit.

Në vitin 1903, vetëm 5 vjet pas zbulimit të te parit virus, shkaktar të një sëmundjeje infektive te kafshët (virusi i aftës epizootike) nga Friedrich Loeffler dhe Paul Frosch dhe tre vjet pas zbulimit të virusit të etheve të verdha, në Institutin Bakteriologjik të Stambollit Rifat Frashëri dhe Paul Remlinger zbuluan të parin virus që shkaktonte sëmundje në njerëz e në kafshë, virusi i tërbimit.

Zbulimi ishte rezultat i një kërkimi të planifikuar për të vërtetuar një hipotezë paraprake të zbuluesve (mbi mundësinë e ekzistencës së një shkaktari të tillë), që u ngrit duke u bazuar në faktin që deri në atë kohë kësaj sëmundjeje të studiuar relativisht mirë nga pikëpamja klinike, anatomopatologjike, mikrobiologjike dhe imunologjike, nuk kishte qenë e mundur t’i gjendej shkaktari.

Zbulimi nxiti kërkime intensive edhe për gjetjen e shkaktarëve të tjerë viralë të sëmundjeve infektive të njeriut. Zbuluesit Rifat Frashëri dhe Paul Remlinger krahas Walter Reed etj, hodhën themelet e virologjisë mjekësore. Zbulimi u krye në Institutin Bakteriologjik të Stambollit. Mungesa e një mjedisi shkencor të standardit të kohës në këtë Institut nxjerr më në pah madhështinë e zbulimit, njohuritë dhe aftësitë e zbuluesve Rifat Frashëri dhe Paul Remlinger.

Me këtë zbulim shkenca shqiptare për herë të parë në historinë e shkencës moderne del në ballin më të përparuar të kërkimit shkencor eksperimental e dha një kontribut udhëhapës, në zhvillimin e mikrobiologjisë.

Shkencëtari jetonte me hallet e mëmëdheut, punoi gjate e me pasion për zgjimin kombëtar. Që në moshën 16-vjeçare u caktuar sekretar i Kuvendit të mbledhur në Frashër nga Abdyl Frashëri dhe në vazhdimësi mbajti lidhje e bashkëpunoi me patriotë të shquar të Rilindjes, sidomos me Naim dhe Sami Frashërin.

Në kohën e emërimit në universitet profesori intensifikoi veprimtarinë e tij patriotike kombëtare e shtoi. Ai u zgjodh dhe kreu për mjaft kohë detyrën e kryetarit të organizatës patriotike shqiptare “Bashkimi” në Stamboll.

Shkencëtari shqiptar përbuzi kërkesën e autoriteteve turke për të marrë pjesë në një komision që do të shkonte në Shqipëri për pengimin e shpalljes së pavarësisë, duke i thënë hapur, ballë për ballë Talhat Pashës (kryeministër) se ai vetë ishte gjak shqiptari dhe se do t’i nxiste shqiptarët për të shpallur pavarësinë.

Për këtë veprimtari patriotike Prof. Dr. Rifat Frashëri, në vitin 1913, u përjashtua nga Universiteti i Stambollit.

Për disa kohë mbeti i papunë. Më pas u dërgua në një gjendje gjysmë internimi në Tripolisë (Turqi) e më vonë si kryetar i bashkisë së atij qyteti.

Pas Luftës së Parë Botërore, qëndroi pak kohë në Stamboll e në vitin 1920 me ftesën e qeverisë shqiptare erdhi në Shqipëri dhe u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Shëndetësisë ( me atributet e nje Ministri te koheve te sotme) post që e mbajti deri sa doli në pension.

Zbulimi i Rifat Frashërit është një nga kontributet më të mëdha të shkencës shqiptare në zhvillimin e shkencës botërore. Karriera shkencore e R. Frashërit u ndërpre herët, për shkak të ndjekjeve nga autoritetet turke. Edhe me kthimin në Atdhe, ai nuk gjeti kusht të përshtatshëm pune në fushën e mikrobiologjisë, ndërsa projekti i tij për një qendër shqiptare të kërkimeve mjekësore, mbeti vetëm një ëndërr e bukur gjatë gjithë jetës së tij.

Ministri i Shendetesise Leonard Solis ne korrik te vitit 2000 e nderon Prof. Dr. Rifat Frasherin me “Mirenjohje” per Kontributin e tij ne shendetesi.

Ne dijenine time emrin e madh te Dr. Rifat Frasherit e mban nje spital i vogel bashkiak (Spitali i Permetit).

Do te ishte ne nderin e shtetit shqiptar qe ky emer i madh te nderonte ndonje institucion te rendesishem shendetesor ose te pakten nje rruge apo shesh ne Shqiperi.

Vazhdojme “mekatin” e perhershem te mosvleresimit te figurave te medha te kombit…

Filed Under: Histori

FERIT PASHË VLORA, RILINDASI I FSHEHUR

November 15, 2025 by s p

Prof. Milazim KRASNIQI/

Vepra “Ferit Pashë Vlora – Një jetë shtet” e autorit Abdulhamit Kirmizi është një biografi e detajuar e vlonjatit më të famshëm të derës së Vlorajve dhe qeveritarit me nam të Shtetit Osman, në periudhën e fundit traumatike të atij shteti gjigand. Veçmas për ne shqiptarët harrestarë e mazohistë, kjo biografi për Ferit Vlorën, kjo mikrohistori brilante, na shfaqet si një dritare në një karakatinë të errët, nga e cila mund të shihet pak përtej hundës. Megjithëse në rastin tonë, nuk është i sigurt të shikuarit përtej hundës, ngase edhe nëse dritarja hapet, por shikimi është i turbulluar nga katarakti i amnezionit, prapë nuk mund të shihet asgjë qartësisht.

Ky studim i historianit Kirmizi fillon me një tabllo mbresëlënëse mbi plejadën e bejlerëve shqiptarë dhe Vlorën, si njëra nga qytetet më zulmmëdha të historisë shqiptare. Pastaj autori skicon familjen e famshme shqiptare Vlora, e cila ka dhënë kontribute të mëdha në qeverisjen e Shtetit Osman, ndërsa në rrëmujën e shpërbërjes së tij, dha kontribut kritik në formimin e vetë shtetit shqiptar, në vitin 1912. Traditat e rrënjosura të bejlerëve shqiptarë, qyteti domethënës i Vlorës dhe dera e famshme e familjes Vlora, përbëjnë kuadrin në të cilin u lind, u rritë dhe u formua Feriti, realisht personaliteti më zulmmadh i gjithë asaj trashëgimie. Megjithëse, nga të dhënat që sjellë Kirmizi, rezulon që nga familja Vlora, kanë dalë shumë qeveritarë të aftë e të fuqishëm për disa gjenerata, që nga Sinan Pasha, Gjejg Sinan Pasha, Kara Ismail Pashë Vlora, Ibrahim Pashë Vlora, Sulejman Pasha, Mustafa Nuri Pasha, (babai i Feritit dhe vëllerërve të tij, Neshetit, Syrjait dhe Namikut), Ismail Qemal Vlora e deri te Eqrem bej Vlora. Secili prej tyre ka lënë një shenjë në historinë e Shtetit Osman, të vendlindjes së tyre, Vlorës, po edhe të Shqipërisë, në historinë e së cilës spikatë më së shumti Ismail Qemal Vlora, si themelues i shtetit shqiptar.

Për të gjitha ato kontribute që shtrihen në qindra vjet, autori në konkluzionet në fund të studimit të tij, për Ferit Vlorën, në raport me derën e Vlorajve dhe të Ali pashë Tepelenës, (me të cilët ata ishin në lidhje familjare) thotë: “ Me një këndvështrim teleologjik mund të thuhet se dyert e Vlorajve dhe të Tepelenajve kanë vazhduar ekzistencën e tyre për shekuj me radhë, për të nxjerrë nga gjiri i tyre këtë njeri.”(502) Po të thuhej kështu në fillim të studimit, mund të tingëllonte si hipotezë që pret të testohet, por kjo thuhet në fund të studimit, ku autori prezenton vlerërsimet finale. Ma merr mendja që secili lexues që do të arrijë në faqen 502, natyrisht duke e lexuar me vëmendje dhe me mendje të hapur, pa paragjykime, do të jetë dakord me këtë vlerësim, sepse biografia e Feritit vetvetiu e imponon këtë përfundim. Pse? Sepse si gjeografia ku ka shërbyer, si postet që ka mbajtur, si rezultatet që ka arritur, si betejat në të cilat ka qenë i përfshirë, (në mosmarrëvshje edhe me sulltan Abdylhamidin me xhonturqit, me Qamil Pashën, me anglezët, etj.) e prezentojnë si një figurë monumentale të historisë osmane e shqiptare, rrjedhimisht edhe të familjes së Vlorajve e të Tepelenajve. Qëndrueshmëria e Ferit Pashë Vlorës në ato beteja të mëdha, ku bie edhe presioni i tij vendimtar mbi sulltanin për ta kthyer Kushtetutën në vitin 1908, si edhe lufta e fortë me xhoturqit, të cilët planifikuan edhe ta vrisnin dhe ia ndaluan kthimin në Stamboll, duket e pashoqe nga paraardhësit dhe bashkëkohanikët e tij.

Për t’u pjekur për ato beteja finale në vitet 1903-1913, Feriti kishte kaluar një jetë në shkollim dhe në detyra shtetërore me përgjegjësi. Sipas të dhënave që sjellë autori, Ferit Vlora ka ndjekur shkollimin dhe ka kryer shërbime në vende si Janina, Kreta, Sofja, Raguza, Dijarbekiri, Halepi, Konja, Izmiri, Ajdëni, Kajroja dhe natyrisht Stambolli. Ka kryer funksione në rangje të ndryshme të administratës osmane, ku më të lartat spikasin funksionet si guvernator në Konja e Izmir, kryeministër në vitet 1903-1908, ministër i brendshëm dhe kryetar i Senatit pas Konstitucionit. Autori ka sjellë shumë dokumente e detaje për të gjitha ato lëvizje të Ferit Vlorës, të cilat si një fije peri i lidhë botëvështrimi i tij modernizues. Ai ishte politikan modernist, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Në çdo detyrë ku u gjend, ai ishte strateg në përpjekjet për modernizimin e adminstratës dhe të jetës sociale të Shtetit Osman. Pasioni i tij ishte ndryshimi i gjendjes, përmirësimi i kushteve të jetës, fuqizimi i shtetit. Brenda këtij vizioni, ai shfaqet si administrator i aftë, i guximshëm, i motivuar dhe i pakorruptuar. Autori ka sjellë shumë raporte, letra e udhëpërshkrime që e prezentojnë me këto vlera unike, në kohën kur administrata osmane dukej e dominuar nga dembelizmi dhe nga korrupsioni, ndërsa shoqëria ishte e atakuar nga vese të këqija dhe nga injoranca. Pas suksesit spektakular si guvernator në Konja, vlonjati ftohet nga sulltan Abdylhamiti II, që të bëhet kryeministër i Shtetit Osman, detyrë të cilën e kryen me pedantëri dhe qëndrueshmëri në vitet 1903-1908, në një vorbull presionesh, intrigash e komplotesh të brendshme e të jashtme.

Autori ka shpalosur aspekte të luftës së brendshme politike në elitat osmane të asaj kohe, e cila ishte shumë tinëzare, por edhe e ashpër. Ferit Pasha e kryen detyrën e kryeminstrit në mes një mali denoncimedh dhe inskenimesh, ku spikatë ndershmëria, besnikëria dhe parimësia maksimale, në aso rrethanash të turbullta. Sidoqoftë, problemet më të mëdha edhe gjatë shërbimit si kryeministër i shfaqen shkaku i çështjes shqiptare dhe lidhjeve që kishte me lëvizjen shqiptare. Në shumë raste vihet nën dyshim nga ana e zyrtarëve osmanë e edhe nga sulltani, për qëndrimet e tij si shqiptar. “Sulltan Abdylhamidi mund të ketë ndjerë njëfarë shqetësimi nga interesi i ethshëm i Ferit Beut për diplomacinë ballkanike, me idenë e mbrojtjes së shqiptarëve”, konstaton Kirmizi. (f.106) Poashtu autori dëshmon se Ferit Pashë Vlora mbante edhe takime në Stamboll me krerët e lëvizjes shqiptare, sigurisht duke influencuar në drejtimet që ajo duhet të ndiqte, pasi Feriti kishte lidhje të shumta me ambasadorë, ministra e burrështetas anëkend Evropës.

Koncepti i tij për çështjen shqiptare, që shihet edhe nga një shkresë e vitit 1898, para se të bëhej guvernator në Konja, është mjaft i ngjashëm me atë koncept që kishin paraqitur më parë Pashko Vasa dhe Sami Frashëri, sipas të cilëve shqiptarët duhet të organizoheshin e të forcoheshin nga brenda, që të përballonin rrezikun nga fqinjtë agresivë ballkanikë. “Principata e Bullgarisë dhe popujt sllavë në përgjithësi, të ushqyer në shpresat e tyre nga linja e veprimit që ka përvehtësuar Rusia në çështjet e Lindjes, po punojnë në mënyrë të jashtëzakonshme për të shkaktuar trazirë në Maqedoni dhe në pranverë për të arritur autonominë e Maqedonisë. (…) Këto nisma që kanë emocionuar edhe qeverinë serbe kërkojnë vëmendje dhe bëjnë të nevojshme marrjen e masave thelbësore për qeverisjen e vilajeteve të Kosovës dhe të Manastirit si dhe kundër synimeve bullgare, prandaj në këtë kuadër përforcoj edhe njëherë raportimet e mia lidhur me nevojën e rritjes së fuqisë aktuale dhe përmirësimin e organizimit mes shqiptarëve, si mjet kryesor për mbrojtjen e të drejtave të shenjta të Perandorisë.” (106) Qoftë dhe vetëm nga ky citat i relacionit të cilin ai ia dërgon sulltan Abylhamidit II, shihet qartë se fryma e angazhimit të tij ishte e ngjashme me të rilindasve të tjerë të asaj kohe, po edhe të Austro-Hungarisë e cila insistonte me ngulm për ruajtjen e statu quosë.

Nga ky aspekt mua më rezulton që Ferid Pasha realisht duhet të konsiderohet si pjesëtarë i lëvizjs kombëtare shqiptare, si rilindas. Në të vërtetë, kjo linjë atdhetarie e Feritit, e ka lidhjen edhe më të atin, me Mustafa Pashën, i cili sado që kishte shkuar me mandat sulltanor për ta dorëzuar Ulqinin, nuk e kishte kryer atë veprim, meqë e kishte përkrahur Lidhjen, për ç’gjë qe ndëshkuar me mërgim. Autori dëshmon që Mustafa pasha ka qenë i lidhur me Abdyl Frashërin, me Mehmet Bej Vrionin e Abidin bej Dinon, për ta realizuar një “Shqipëri të bashkuar.” Pra, Feriti ishte edhe në traditën e asaj përpjekje në të cilin kishte qenë i inkuadruar babai i tij, si edhe kushëriri i tij, Ismail Vlora, me të cilin e bënte shpesh udhëtimin me vapor, për në lagjen ku banonte. Në tërë atë ngatërresë dyshimesh e intrigash politike në portën e Lartë dhe në Pallat, Ferit Pashë Vlora, shpërfaqet si një strateg, që u ikën kurtheve që ia ngrisin kundërshtarët e fuqishëm. Fjala vjen, në një rast ai kundërshton lidhjen e një rroge për Ismail Qemal Vlorën, pas refuzimit të tij që të shkonte ambasador në Teheran dhe jep vlerësime negative për figurën e tij. Por, në prapaskenë ka elementë që dëshmojnë bashkëpunimin e tyre për çështjen shqiptare!

Kirmizi sjellë dëshmi për angazhimin më direkt të Ferit Pashës Vlorës në çështjen shqiptare, pas largimit nga posti i ministrit të brendshëm në vitin 1909: “ Pasi e la detyrën e ministrit, Ferit Pasha nisi të merrte përgjegjësi brenda iniciativash civile lidhur me kryengritjet në Shqipëri, që morën sërish hov. Për shembull, në fund të nëntorit shtetarët osmanë me origjinë shqiptare u mblodhën nën kryesinë e Ferit Pashës në konakun e Reshid Akif Pashës për të rrahur mendime se si mund të kishin sukses masat e marra nga qeveria. (..) U mblodhën para për ndërtimin e shkollave dhe emrat e dhuruesve u shkruan në listën e komisionit të arsimit. Pjesëmarrësit e dhanë besën se do të mblidhen çdo javë për të mirën e atdheut.” (470-471) Feriti edhe në Parlamentin Osman, në vitin 1909 do të deklaronte: “Edhe unë e them me krenari të plotë se jam shqiptar.” Nga i gjithë konteksti i biografisë së tij politike rezulton se edhe lidhjet e tij më shumta me Evropën (djemtë i shkolloi në Zvicër) ishin të motivuara edhe nga preokupimi që kishte për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në fakt edhe shumë nga gazetarët e diplomatët e cilësonin si politikan evropian. Poashtu lidhjet e tij të forta e Gjermaninë dhe me Austro- Hungarinë nuk mund të shihen jashtë faktit që ato shtete kishin një qëndrim më miqësor edhe ndaj shqiptarëve në atë periudhë. Fjala vjen, qëndrimi i Vjenës se duhej të ruhej statu quoja, ishte interes strategjik edhe i shqiptarëve, që të mos i ekspozoheshin rrezikut gllabërues nga shtete ballkanike, që gjë fatalisht ndodhi në vitin 1912. Lidhur me këtë temë, absurd mbetet fakti që ata që u përpoqen ta evitonin atë zhvillim fatal, siç bëri Ferit Vlora, u injoruan nga historia, ndërsa ata që hynë në skemën e armiqve ballkanikë, e cila solli katastrofën e viteve 1912-1913, mbahen si heronj të kauzës kombëtare.

Me një fjalë, nga argumentimi që sjellë autori Abdylhamit Kirmizi, vërtet besoj që Ferit Pashë Vlorën duhet ta trajtojmë si rilindas shqiptar. Sigurisht, shkaku i funksioneve të larta shtetërore në Shtetin Osman, ai adoptoi pozicionin e një rilindasi të fshehur, por historia shqiptare do të duhej ta kishte vendosur në vendin që realisht i takon, si ndihmues i çështjes shqiptare. Pra, krahas faktit që mbetet i pakontestueshëm që në fazën finale ai nuk mori përsipër të bëhej as lideri e as anëtari i atij ekipi që proklamoi Shqipërinë e pavarur, më e pakta që mund të thuhet është që Ferit Vlora ka kontribuar për formimin e kombit shqiptar. Pra, nëse nuk mori pjesë në aktin e proklamimit të shtetit shqiptar, Ferit Vlora mori pjesë në procesin e formimit të kombit shqiptar.

Simbolika e gjithë preokupimit dhe angazhimit të Ferit Vlorës në çështjen shqiptare ishte edhe amaneti i tij (1914), që të varrosej në vendlindjen e vet, në Vlorë. Por, simbolikë, tipike shqiptare, ka edhe në faktin që Esat Pashë Toptani, nuk deshi ta lejonte të varrosej në Vlorë, ndërsa kur e lejoi, të bijve të Feritit u dha leje që të qëndronin në Vlorë vetëm tri ditë. Simbolikë të hidhur shqiptare ka edhe fakti që Enver Hoxha ia hoqi varrin nga Vlora. Simbolikë ka edhe fakti që është i përjashtuar edhe nga historia jonë kombëtare. Kirmizi ka një shpjegim, lidhur me motivin e heqjes së varrit të Ferit Vlorës nga Vlora, por që mund të na shërbejë edhe për arsyen e mospërfshirjes së tij në historinë tonë kombëtare: “ Por varri i Ferit Pashës do të merrte hisen e vet nga politikat e Enver Hoxhes për zhdukjen e trashëgimisë islamo-osmane në Shqipëri duke u zhdukur bashkë me elemente të tjera të ngjashme.” Me këto fjalë, ia ka vënë pikën, si thuhet.

Në të vërtetë, duke përjashtuar Ferit Vlorën nga memoria e nga historia jonë, nuk u zhduk vetëm trashëgimia islamo-osmane, po edhe një pjesë e mirëfilltë e trashëgimisë evropiane, që mishërohej në personalitetin e tij. Pse? Sepse ai ishte personalitet i përmasave evropiane, kishte lidhje zyrtare e miqësore me shumë diplomatë, ministra e mbretër të kohës. Fjala vjen, Ferit Pasha Vlora ishte dekoruar nga Papa me gradën Grand Officier, nga Spanja me urdhërin katolik të Izabelës, me urdhërin e Legjionit Francez nga Franca, etj. Pra, ishte një personalitet i respektuar në qarqet evropiane, për moderacionin dhe prirjet modernizuese që pati si shtetar.

Pasi të lexohet ky libër, vetvetiu shtrohet pyetja: a ka vend për Ferit Pashë Vlorën në historinë tonë kombëtare? Veçmas në kohën e globalizimit, kur figurat e tilla komplekse, me identitete të dyzuara, mund të jenë avantazh për kombet që kanë figura të tilla. Përgjigja është e lehtë: nuk ka vend për një figurë të tillë nëse mbahen skemat e deritashme dogmatike, qoftë marksiste qoftë islamofobike në studimin e historisë. Por, nëse do të aplikohen në të ardhmen paradigmat e tjera studimore, sikundër janë teoritë kulturore dhe të globalizimit, për Ferit Pashë Vlorën do të kishte një vend të spikatur në historinë tonë kombëtare. Protoganisti i studimit, “Ferit Pashë Vlora, Një jetë shtet” ka kohë të mjaftueshme, që të presë me nge, madje edhe pa varrin e tij në Vlorë, deri sa të hapen portat e kësaj historie. Ne kaherë jemi të vonuar. Dhe shumë më të varfër, pa emrin e tij në kujtesë e në histori.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 226
  • 227
  • 228
  • 229
  • 230
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT