• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Messiah apo Mohikani i fundit?

November 13, 2025 by s p

Gelanda Shkurtaj/

Sipas Ungjillit të Gjonit, Juda ishte një ndër më të besuarit e dymbëdhjetë apostujve të zgjedhur nga Messiah. Ai mbante arkën dhe kujdesej për fondet e dishepujve, por vetëm se për një grusht para, shiti shpirtin bashkë me krijuesin tek romakët. Tradhtia e Judë Iskariotit mësoi se afërsia me zotin nuk është e barabartë me besnikërinë ndaj tij. Në teologji misteri më i thellë mbeti nëse Messiah e dinte tradhtinë e Judës dhe përse e lejoi atë. Shumë interpretues të Ungjillit thonë se kjo ishte pjesë e planit të shpëtimit, pasi tradhtia e Judës çoi në kryqëzimin dhe ringjalljen e Messiah-s. Në këtë mënyrë, pa e ditur, ai u bë dora dhe materia me të cilën hyji tregoi vetekzistencën. Juda mbeti në histori si simboli i tradhtisë dhe lakmisë, duke mos e shfajësuar kurrë si mëkatarin abuzues të besimit.

Një ditë Judës iu zgjua ndërgjegjja, u pendua e nuk gjeti falje te vetja, arsye për të cilën shkoi drejt fundit tragjik të vetëvrasjes. Grali i shenjtë i mbushur me lëngun e kuq të hajnisë, në ndryshim nga Bibla me një Judë, u pi nga dymbëdhjetë dishepuj, me të vetmin sakrilegj që darkën e fundit e hëngrën, pas lutjes së predikuar, në paraburgim. Çmimi i mëkatit për Judën tridhjetë monedha argjendi, për dishepujt e partisë një mizerie miliona eurosh, nuk ka prekur hyjin, që ndofta në këtë kontekst vetëm është lartësuar. Në teologjinë shqiptare, sekreti i Gralit, sesa është përfshirë Messiah i politikës me dishepujt kontingjent të Ievp-ve, nuk ka gjetur një teolog që mund t’i vërtitet. Ndofta diku përgjigjen e ruajnë fijet e patronazhistëve nëntokësorë. Skenarët, duke sfiduar edhe thriller-at më në zë të Hitchcock-ut, e kanë të pamundur të besojnë virgjërinë e mendimit dhe sakrilegjin e shpirtit, por kjo mos qoftë kurrë e thënë. Messiah, deri më tani, mbetet ende profan dhe i papërlyer nga mëkati që ka prekur apostujt e tij.

Anonimi i sekretit të templarëve në takimet kokë më kokë turbullon edhe idenë më engjëllore që lind nga mendja e djallëzuar njerëzore. Çfarë iu thotë Messiah ndër mbledhje e konsulta rreth dhjetë urdhëresave, ku të vjedhësh është preludi për në ferr? Kaq i mohuar dijes, e kaq i larguar mënxyrës se dishepujt e qeverisë janë përlyer këmbë e kokë te mëkati i mëkateve, që shkel bashkë ungjillet e Mateut, Gjonit, Lukës dhe Markut. E në ndryshim nga Juda që u flijua i vetëshkatërruar nga pesha e ndërgjegjes, apostujt e qeverisë shqiptare, atë “dobiç” faj, nuk e njohin, e kanë lënë pa soj, pa katandi, pa familje e askush nuk ia di shtëpinë. Midis menefregizmit dhe krekosjes, ecejaket e apostujve nëpër burgje nuk kanë njohur frikën e purgatorit për përdhosjen e moralit. Në fund të ditës kush do t’i gjykojë dhe frikën e cilit zot do të kishin. Messiah, biri hyjit, ndaj dijes i panxënë nuk di për be’, gjë prej gjëje (!).

Mos arsyeto për ta, shih dhe vazhdo – “non ragionam di loro, guarda e passa”

Në këngën e tretë të “Ferrit”, në vargun pesëdhjetë e një, Virgjili takon dhe përshkruan në jetën e përtejme shpirtrat e atyre që kur ishin mbi tokë, nuk dhanë asnjë kontribut dhe angazhim njerëzor. Dante i konsideronte mëkatarët më të rëndë, ata që pranonin çdolloj kompromisi në të keqe të njerëzimit, vetëm për të mos prishur rehatinë e tyre. E këtu nuk fuste thjeshtë politikanët, por më shumë njerëzit e zakonshëm, që bëheshin palë morale e tyre, e aq më keq mbrojtës apo proklamues të ideologjisë së tyre shkatërrimtare. Atyre, vendin ua kishte imagjinuar në ferr, për aq sa kishin përtesë shpirtërore të thoshin të vërtetën e të luftonin për të. Injorimin dhe damkën ua dha në fjalët plot himn e shpërfillje: “non ragionam di loro, guarda e passa – mos arsyeto për ta, shikoji dhe ik”. Në testamentin e vjetër të partive, vjedhja është lartësuar si nder dhe ndershmëria sanksionuar si turp, falë këtyre shpirtraveqë pranojnë çdo gjë, vetëm për pak privilegj personal.

Si askund, në vendin kult të tolerancës fetare, morali puritan ngërdheshet e shpotitet, ndërkohë, sharlatanizmi politik nuk qëllohet me gurë dhe as kryqëzohet, por përcillet me lot dhe lavdërime. Në jetën e përtejme janë të njëjtët që ndërrojnë rolet, por mbi tokë, gjykata supreme e të urtëve në mejhanin e lagjes, po atë verdikt do të jap: fajin e kanë të tjerët. Turpi si pasqyrë e ndëshkim ndaj vetvetes ka ndryshuar strukturën e gjenomës humane. Gjykatat popullore që dikur stigmatizonin herezi dijen dhe trupin e virgjër e mbanin në altarin më të lartë të prestigjit, tani poligaminë de-facto dhe orgjinë i hanë përditë me bukë dhe i falin. Lavdet, çjerrjet, përqafimet dhe brohoritjet i kanë të imunizuar ndaj çdo lloj virusi që kërkon të depërtojë ndërgjegjet e tyre. Gjithmonë fajin e kanë ata, dhe “ata” kur vijnë në fron, po prapë moralin e vetëgjykimit e lënë pas derës, kështu edhe për “ata” fajin e kanë “këta”.

Në testamentin e ri të partive, pakti i popullit me Zotin, i cili kalon nëpërmjet Messiah-s, mëson vjedhjen si vlerë dhe përçudnimin shpirtëror si sprovë që të ndershmit duhet të kalojnë në këtë jetë, për të merituar ndofta parajsën e përtejme. E derisa ai moment të vij, turpi i bërë njësh me trupin ecën krenar dhe i respektuar nga shpirtrat e “mos arsyeto për ta” që i justifikojnë, i duartrokasin dhe i duan. Nëse mesazhi i vetëm i testamentit të ri është lidhja me hyjin nëpërmjet Messiah-s, e vetmja vlerë e ringjallur në shtatin e rilindur të hajdutërisë, është nekrofagia brenda species sonë, duke neveritur botën e njeriut, e duke admiruar botën e kafshëve ku edhe hienat e savanës, hajninë e përdorin vetëm ndaj specieve kundërshtare, jo kundrejt të njëjtëve. Ndofta ato nuk e meritojnë ferrin e Alighierit-t.

PRAPË TË PAPREKUR DHE TË PAKRYQËZUAR

cilado qeveri që vjedh popullin e vet do të konsiderohej e diskretituar moralisht, bashkëpërgjegjëse dhe e delegjitimuar në sytë e votuesve. Për shumë syresh, që shohin të ndarë përgjegjësinë personale nga ajo partiake, të paktën t’u tregonin Messiah-ve të politikës se duhet të mbartin fajin e zgjedhjes vetë të dishepujve. Darkat e pagabuara janë sipas menusë të tyre me dishepujt e parapëlqyer, pa iu kërkuar në biografi shkollat dhe medaljet e meritokracisë. E fundit e vlerës e para e kritereve është qenësia partiake, servilizmi, arroganca, injoranca dhe mbi të gjitha mbajtja nën pushtetin e kontrollit. Judat e politikës, në ndryshim nga Judë Iskarioti, që u shit tek shpresonte të shihte me sy ringjalljen, nuk kanë nevojë të spekulojnë mbi këtë. Fronin të rilindur e të ringjallur do ta kenë në përjetësi për aq kohë sa shpirtrat e “non ragionam di loro” janë aty dhe i mbrojnë e i duan.

Në aspektin politik, një përkufizimi më i përshtatshëm do të ishte qeveri e kapur, ose qeveri e krizës. Nëse dikush do të rrekej me dogmën e paaftësisë për të pastruar partinë, apo vetë në person Messiah nuk është i akuzuar, në teorinë e shtetit e së drejtës publike, do të thuhej se përgjegjësia politike është e pashmangshme kur dështimi i moralit publik është sistematik. Në një vend normal ku një zv.kryeministër në arrati, disa ministra e një ish-president koalicioni, lozin domino tek 313- ta pa u skuqur për vjedhjet, do të quheshin bashkëpërgjegjës politikë për degradimin e integritet qeveritar. Mospërfshirja direkt në krimin bashkëqeverisës (deri në provën e kundërt, thonë juristët), gjithsesi nuk përbën as arsye ndershmërie dhe aq më pak krenarie boshe, ku vihen duart përpara me sloganin “ia lëmë drejtësisë në dorë”.

Kjo nuk mjafton, edhe pse për herë të parë në historinë e Biblës shqiptare, Messia nuk mbron nën kupolën e krimit, dishepujt e vetë, siç kanë bërë paraardhësit e tij. E megjithatë, nëse një ditë hyji do të bënte një të mirë në këtë vend të nëmur nga haka e të drejtit, të tregonte sa më parë nëse Messia-t janë të virgjër nga mëkati, apo janë thjeshtë Mohikanët e fundit të një lufte për pushtet, ku arma më e sofistikuar mbetet fshehja dhe heshtja. Deri atëherë mendjet e mbrapshta dhe ndërgjegjet idiopatike të ithtarëve do të krijojnë teoritë që sfidojnë edhe konspiracionin e templarëve, ku djajtë mund të kenë bërë çdo gjë, por Messiah-t e politikës do dalin gjithmonë të larë e të papërlyer nga krimi i vjedhjes. Pakti i fundit në testamentin e ri? Shpresa, në mos o Zot, te vrasja e ndërgjegjes së tyre!

“Gazeta Panorama”

Filed Under: Opinion

Lakmia e kaosit apo e boshit mendor të shoqërisë

November 13, 2025 by s p

Aleksandër Çipa/

Demokriti kishte për pasuri të madhe njohjen e botës. Udhëtimet e tij prekën vise të Indisë, Persisë, Egjiptit, ndërkohë që në epilog të jetës, sikundër elefanti që zgjedh kthimin në vendin ku lind, ai u kthye në vendlindje. Jetoi një shekull të plotë. Demokriti konsiderohet filozof fatlum i lashtësisë. Ka zënë vend të patundshëm në kanunin e filozofisë perëndimore. Udhëtimet e tij të shumta i konsoliduan aftësinë për të shquar tiparin e përbashkët të lakmisë njerëzore. Ndër të cilat, pra lakmitë, ai stigmatizoi lakminë që e quajti: “lakmia për të folur gjithçka dhe për të mos dëgjuar asgjë.”

Prej kohës së frymtë të Demokritit e gjer më sot, kjo lloj lakmie ka marrë përmasa të një diktature apo regjimi imponues. Lakmia e shtimit të gjendjes ku mbizotëron budallallëku dhe nënmediokriteti është fatkeqësia ndaj së cilës shoqëria e sotme njerëzore ka humbur aftësinë për ta refuzuar dhe për t’i treguar vendin. Demokriti zgjodhi ironinë dhe qeshjen kundër kësaj lakmie. Shoqëria e sotme po e humbet dramatikisht aftësinë demokritiane të qeshjes…

Por zymtësinë, përballë kësaj epidemie, na i shton edhe më tepër mungesa e traditës platonike për edukimin racional. Sistemi aq i pasistemuar i edukimit tonë është iracional. Kjo është një arsye madhore që budallallëku ynë njerëzor të shtohet dhe po shumohet, si “shumicë” e frikshme ndër ne.

Lakmia për të thënë gjithçka dhe për të mos dëgjuar asgjë është motori punëzi i kaosit dhe ecjes sonë retrograde…Platonizmit që po bëhet gati plotësisht i munguar, po i shuhet edhe ironia edhe qeshja e fundme me ndikim publik. Kjo kohë e pa emër, nuk e dimë se si do ia mbërrijë, fundit apo mbarimit të vetvetes…..

P.S: I bashkangjita tekstit tim, një poster të komediografëve më të shquar të dy shekujve të fundit, të qytetit emërnjohur: Parodistëve të Vlorës. Ata janë hise e përhershme estetike e qeshjes demokritiane, në ndërgjegjen time përballë shoqërisë në të cilën gjendemi…

Filed Under: Fejton

SAMI MILLOSHI: “UNË PIKTUROJ SHPIRTIN TIM”

November 13, 2025 by s p

Gazetari dhe shkrimtari Sami Milloshi çeli ekspozitën e dytë të artit në Kolegjin Wheaton në Norton, Massachusetts. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 22 dhjetor 2025. Janë rreth 40 piktura të formatit të madh, disa edhe miniatura. Motivet janë kryesisht landscape — pamje nga natyra.

Intervistë e piktorit Sami Milloshit dhënë Kryeredaktorit të Gazetës “Dielli”, Sokol Paja

1. Cilat janë veçantitë e ekspozitës së dytë të piktorit dhe shkrimtarit Sami Milloshi? Si u prit në Boston nga publiku dhe artdashësit amerikanë?

Së pari, do të dëshiroja t’ju falënderoj përzemërsisht, i nderuar zoti Paja, për ftesën për të folur mbi pikturën time. “Dielli” është një emër i madh i publicistikës shqiptare dhe ju po e mbani gjallë me dinjitet këtë emër emblematik. Unë vij në pikturë nga bota e letrave — jam shkrimtar dhe me një çerek shekulli mbi supe si gazetar aktiv në shtypin e shkruar shqiptar. Duket pak e çuditshme sesi i hyra pikturës. Tetë vjet më parë, i bëra një pyetje vetes: “Çfarë do të bësh kur të dalësh në pension?” Përgjigjja ishte: “Merreu me pikturë.” Dhe ashtu bëra — vajta, bleva kavaletin, paletën, penelat dhe bojrat në një dyqan arti në Brockton, Massachusetts.

Kur vajta të paguaja te arkëtarja, i thashë:
— Please wish me good luck, I am going to be a painter! (Të lutem, më uro fat, sepse kam vendosur të bëhem piktor).
— Good luck! (Paç fat) — më tha ajo dhe qeshëm.
E fillova me shumë dëshirë. Ditë pas dite u bënë disa punë. Meqë ende vazhdoj të punoj në Kolegjin Wheaton në Norton, Massachusetts, i kërkova presidentit të kolegjit të hap një ekspozitë. Ishte viti 2018 — një vit e pak pasi kisha filluar të pikturoja. Natyrisht isha fillestar, por plot pasion, sepse më kishte rrëmbyer piktura. E hapa ekspozitën në qendrën kulturore të kolegjit. U pëlqye.

Presidenti Dennis Hanno madje bleu piktura për zyrën dhe shtëpinë e tij. Blenë edhe disa profesorë dhe studentë. Gjashtë muaj më pas, m’u dha e drejta të flisja për pikturën time në mbledhjen vjetore të profesoratit dhe stafit tjetër të kolegjit (rreth 400 veta). Pas asaj dite, si të thuash, u bëra i njohur si “piktori i kolegjit”. Bëja piktura dhe i shisja po aty. Kjo që kam hapur tani është ekspozita e dytë, e hapur po në Kolegjin Wheaton, tashmë në mjediset e bibliotekës ku edhe punoj.

2. Sa do të qëndrojë e hapur ekspozita? Sa piktura janë? Cilat janë motivet artistike?

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 22 dhjetor të këtij viti. Janë rreth 40 piktura të formatit të madh, disa edhe miniatura. Motivet janë kryesisht landscape — pamje nga natyra. Por unë nuk jam piktor realist; unë pikturoj shpirtin tim përballë natyrës. Pse ky vend? — më pyet ti. Sepse ky vend, Amerika, është vend i çudive. Unë kurrë nuk do të isha bërë piktor në Shqipëri. Por Amerika është vendi ku njerëzit që ndjekin një ëndërr bëjnë çudira, duke e shndërruar të pamundurën në të mundshme — pra, në një realitet të prekshëm.

Një mik imi, profesori i matematikës Luigj Gjoka, ish-deputet, ka thënë se: “Te ti, Sami, u zgjua një ëndërr e fjetur e fëmijërisë për pikturën dhe u bë realitet në moshën e burrit.” Ky është, për mua, përcaktimi më i saktë estetik i asaj çfarë ka ndodhur me mua si piktor dhe si krijues në tërësi.

3. Cilat ishin reagimet e amerikanëve mbi veprën tënde krijuese?

Jashtëzakonisht inkurajuese. Amerika ka një veçori: është një mjedis gjigand inkurajues. Një kolege në bibliotekë më tha sot: “Ngjyrat e pikturave të tua më bëjnë të lumtur.” Presidentja e kolegjit, Michaele Whelan, tha se “këto piktura janë perla impresioniste”. Kam shitur me dhjetëra piktura nëpër Amerikë, thjesht përmes komunikimeve të drejtpërdrejta. Por kënaqësinë më të madhe ma japin studentët kur blejnë pikturat e mia.

4. Cilat ishin reagimet e shqiptarëve mbi veprën tënde krijuese? A ju kanë mbështetur shqiptarët e Bostonit? A ka motive shqiptarie kjo ekspozitë?

Kanë qenë reagime pozitive. Në një manifestim kulturor në Kishën Shqiptare në Worcester kam shitur disa piktura. I kanë blerë vëllezërit e famshëm artistë Geg dhe Ndoc Delia. Po, ka pak motive shqiptare, por jo aq sa do të dëshiroja të kisha. Sa i takon mbështetjes së shqiptarëve të Bostonit, mund të them se kam vetëm përkrahje individuale miqsh, por nuk ekziston ndonjë përkrahje si komunitet. Ata as që e dinë se unë jam edhe piktor…

5. Cilat janë mesazhet kryesore që i jepni publikut në këtë ekspozitë?

Paqe me veten, paqe me natyrën, paqe me njerëzit që të rrethojnë. Unë kam tashmë një ide më të qartë për artin: Arti është një univers i vetëm, ku interferojnë të gjitha llojet e artit, pavarësisht formës së shprehjes — qoftë pikturë, letërsi apo muzikë. Një poezi e mirë mund të shfaqet si pikturë, ashtu sikurse një pikturë mund të lexohet si poezi. Ka piktura që tingëllojnë si muzika e Vivaldit…

6. Cilat janë planet për ta vazhduar më tej këtë ekspozitë në shtete të tjera të Amerikës? Po në Shqipëri a keni plane?

Jo, nuk kam ndonjë plan për ta hapur ekspozitën në shtete të tjera të Amerikës. Por kam një ëndërr ta hap një ekspozitë në Shqipëri. Megjithatë, pasi të mbaroj punë me këtë ekspozitë, dua të merrem me botimin e një libri të ri me tregime. Ky është projekti im afatshkurtër tani për tani.

7. Cili është gjykimi juaj mbi mbështetjen që komuniteti, ambasadat, biznesi dhe organizatat patriotike shqiptare i japin artit, kulturës dhe letërsisë në mërgatë

Nuk kam ndonjë informacion të hollësishëm për mbështetjen që jep komuniteti apo ambasadat e të tjerë. Por, sa shoh në përgjithësi, e perceptoj si një vetizolim “alla shqiptar”, që as nuk tenton të integrohet sado pak në këtë mjedis kaq bujar amerikan. Shqiptarët mblidhen në darka e dreka, japin çmime kot së koti për të përkëdhelur gjoja sedrën patriotike. Por, kur vjen puna për fakte konkrete integrimi, këto duhet t’i kërkosh me qiri për t’i gjetur. E gjitha kjo vjen sepse qeveria shqiptare, dhe për rrjedhojë ambasadat e saj — përfshi edhe këtë në Washington — nuk kanë veçse një vizion të mjerueshëm për emigrantët shqiptarë, që janë në numër sa një Shqipëri e dytë.

Ajo që nuk shkon është koncepti klientelist që ka qeveria shqiptare për emigracionin. Është e turpshme. Qeveria e Tiranës mjafton të shohë Kosovën, me çfarë respekti i trajton emigrantët, dhe gjithçka mund të kthehej në rrugë të mbarë. Shkurt, unë nuk kam shpresë se kjo qeveri aktuale e Tiranës mund të ndryshojë ndonjë gjë për së mbari. Nevojitet një ndryshim rrënjësor që ta kthejë fytyrën nga interesat kombëtare shqiptare dhe të mos mbetet peng i agjendave globaliste antikombëtare.

Fotot nga Bujar Veselaj

@followers

Filed Under: Politike

Roli i mediave në ndërmjetësimin e agjendave politike

November 12, 2025 by s p

Gëzim Mekuli/

Që në fillim të viteve të 70 –ta hulumtuesit e shkencave të komunikimit pyesnin: pse disa tema sociale, politike dhe ekonomike që vërehen më lehtë, bëhen temë diskutimi në shoqëri e pse disa jo?! McCombs dhe Shaw (1972) thonë: “Mediat vetëvendosin se cila temë do jetë temë diskutimi dhe cila do të tërheqë vëmendjen në opinion. Këto vendosin se cilës temë do t’i japin prioritet e cilës jo”.

Dikur politika “lakmonte të dhunonte” mediat. Ky raport është duke ndryshuar. Prania mediale për politikanin është e pashmangshme dhe e domosdoshme. Mediat mund të mendohen të mbijetojnë pa përmbajtje politike, por politikanët pa mediat jo. Madje, nuk mendoj se e teproj nëse them se pa prezencën e kënaqshme të mediave masive, politikanët shqiptarë nuk do ishin politikanë, por “çobanë”.

Teoria e McCombs dhe Shaw në shkencat e komunikimit njihet si ”Agenda setting Theory”[1]. Në Kosovë kjo teori e përcaktimit të temave në debatin publik është duke dominuar. Këtu, për shembull, do të nënvizoja mediat të cilat përmes agjendës së tyre mënjanuan dhe larguan debatin rreth të drejtës për referendum, kurse në anën tjetër imponuan dhe fuqizuan shprehjen dhe debatin për ”standardet para statusit.”

Vendimet “demokratike” në Kosovë duket se nuk merren si rezultat i informacioneve dhe i fakteve të mjaftueshme, por si prodhimrezultat i “realiteteve” të cilat konsiderohen si “fakte”, sepse ato janë të paraqitura, të fokusuara dhe të ofruara ashtu nga mediat tona.

Shumë pranues medialë dhe shumë qytetarë pyesin: A jemi ne ai publiku që ndërmjetëson dhe që imponon temat ditore, sociale, politike e ekonomike, apo janë politikat ato që kryejnë këtë ndërmjetësim? Çfarë është roli i mediave në këtë organizim? Hulumtojnë, ndihmojnë mediat masive apo janë thjesht shërbëtore të politikës qeverisëse?

Të gjitha këto shqetësime të opinionit nuk janë të pabaza. Sipas rezultateve të arritura nga hulumtuesit e shkencave të komunikimit, ndër tjera, janë edhe katër modele klasike[2] që ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në organizimin, në imponimin dhe në ndërmjetësimin e përmbajtjes politike.

*Modeli top – down [3]

Këtu aktorët politikë kanë një rol aktiv. Këta, nëpërmes vendimeve dhe qëndrimeve të tyre, ndikojnë në botën reale. Çdo ndryshim dhe ngjarje në kohë dhe në hapësirë regjistrohet prej tyre. Vendimet që ata marrin, u ofrohen pastaj mediave të cilat katërçipërisht janë të varura nga ky burim informacioni. Shprehjet ”standardet para statusit” dhe ”decentralizimi” janë tipike për këtë model. Politikat e bashkësisë ndërkombëtare, me ndihmën e bartësve të politikave kombëtare, imponuan një ”detyrë të re” për shqiptarët, një detyrë që nuk është mirëkryer nga shumë shtete demokratike evropiane. Standardet për Kosovën, të vendosura nga komuniteti ndërkombëtar, kanë për synim të tejzgjasin diskutimin për zgjedhjen e statusit të ardhshëm. Këto ”standarde” ideologjike janë duke penguar krijimin dhe funksionimin e një shoqërie të re demokratike. Fjalët ”standard” dhe “decentralizim” ka kohë që dominojnë në fjalorin dhe në porosinë e lajmit mediat. Pasi që kancelaritë, ku u pollën këto ”projekte” politike, për gazetarët tanë nuk ishin të depërtueshme, aktorët politikë, fillimisht, për opinionin shpërndanë informata të qëllimta dhe të përzgjedhura. Mediat këtu janë të varura nga aktorët politikë. Gazetarëve u është bërë e ditur paraprakisht se çfarë duhet të raportojnë dhe çfarë jo.

Ata lansojnë informacione që gatuhen nga politikat. Lajmet për shprehjen e vërejtjeve dhe të mospëlqimit ndaj ”standardeve para statusit”, lajmet mbi kritikat dhe pezmin ndaj decentralizimit në bazë etnike dhe defekteve të ngjashme demokratike, u shfaqën vonë dhe me shumë kujdes në opinionin tonë. Mediat, në këtë model, janë vetëm në rolin e ndërmjetësuesit. Andaj instrumentalizimi i tyre nga aktorët politikë është i përhershëm dhe i mundshëm.

*Modeli mediokrat[4]

Këtu mediat janë faktorë vendimtarë. Në këtë grup mediat kanë rol të fuqishëm. Madje, këto konsiderohen edhe si dhunë e katërt në aparatin shtetëror. Këto vendosin si nga lart në drejtimin politik, po ashtu nga poshtë në drejtimin të opinionit. Politika ditore thith informatat e gatuara nga mediat dhe të njëjtat i jep në opinion si vendime të aprovuara e të lansuara nga politika. Shembull: Një shtëpi mediale zbulon se mjeku i famshëm grek, Fotis Andropulos, organizonte trafikun e fëmijëve nga Shqipëria me qëllim të shitjes të organeve të tyre (organet më të kërkuara kanë qenë sytë dhe veshkat) në tregun e zi. Ky alarm publikohet në disa media greke. Mediat tjera i bashkëngjiten kësaj “afere” me po të njëjtin pompozitet. Pas disa ditëve ky skandal është temë e diskutimeve ditore dhe javore, reaksioni i publikut është i madh, prindërit shqetësohen.

Pompoziteti i mediave, i krijuar rreth kësaj teme, bën që skandali kombëtar “të kapërcejë” një shkallë më lart dhe të shndërrohet në skandal ndërkombëtar. Opinioni publik[5] sensibilizohet pa masë. Mediat në këtë grup janë njëkohësisht “kërcënuese” dhe hulumtuese të agjendave politike. Nëse politikanët kanë marrë ndonjë vendim apo jo, kjo është për opinionin krejt pa rëndësi derisa nuk emetohet dhe nuk bëhet i njohur nëpërmjet mediave. Një vendim i tillë, sado i rëndësishëm që të jetë, mbetet praktikisht i vdekur nëse mediat nuk ia japin atij mundësinë të bëhet “i dukshëm” për opinionin.

Në këtë mënyrë, modeli mediokret mbisundon politikën apo, siç shprehet Alemann: “Tashti kemi kaluar nga demokracia shikuese në demokracinë televizive”[6]

*Modeli bottom – up[7]

Në këtë grup opinioni publik është faktor vendimtar. Ai përcakton agjendat politike. Mediat, po ashtu, si në modelin top-down, kanë rolin transportues, por ndryshe nga modeli i mësipërm, ato nuk instrumentalizohen nga politika dhe në këtë mënyrë janë në shërbim të opinionit. Shembull domethënës për këtë grup janë dorëheqjet e njëpasnjëshme në ministrinë suedeze, datë 14 dhe 16 tetor 2006. Është folur shumë se disa qeveritarë u kishin ikur obligimeve tatimore. Po ashtu edhe Ministria e financave u kishte dërguar shumë letra anonime mediave të vendit. Korrupsioni ishte temë e bisedimeve në mjedisin suedez. Nga protestat dhe dërgimi i letrave u zgjua interesimi i opinionit. Mediat, tashmë në mënyrë besnike dhe nën “mikroskop”, raportonin opinionin rreth çdo aktiviteti të ministrisë suedeze. Nga raportimi profesional i mediave rreth fshehjes së tatimit u zgjua interesimi i opinionit. Kështu, pas vetëm një javë qëndrimi në detyrë, ministresha e Tregtisë së Suedisë, Maria Borelius, dha dorëheqjen pas akuzave të bëra në media për mospagimin e taksave. Kjo nuk ishte e tëra. Si rezultat i gjithë kësaj trysnie të madhe të opinionit dhe të bashkëpunimit me njerëzit përgjegjës brenda institucionit të financave për këtë aferë, detyroi edhe ministreshën suedeze të Kulturës, Sesilia Stego Çilo, që të paraqesë dorëheqjen. Edhe këtu shkak ishte fshehja e tatimit. Kjo ishte dorëheqja e dytë me radhë në Qeverinë suedeze, pas asaj të ministreshës së Tregtisë, Mari Borelius.

Pra, raportet e publikut me median në këtë model janë parësore.

*Modeli biotop[8]

Në këtë model kemi dy aktorë kryesorë: aktorin politik dhe aktorin mediat. Të dy këta aktorë vendosin marrëdhënie të ndërsjella të cilat funksionojnë mrekullisht. Ata vendosin së bashku se çfarë do të jetë “Top-temë” e ditës e çka jo. Pra, mediat dhe politika vendosin së bashku për agjendat politike. Si politika, ashtu edhe mediat janë të varura nga njëra-tjetra. Ato i japin këshilla dhe sugjerime njëra-tjetrës. Cilat tema duhet të jenë në qendër të vëmendjes të opinionit publik dhe cilat duhet të “varrosen”, varen nga “tandemi” – media dhe politika.

Publiku në këtë trekëndësh është qind për qind pasiv. Ai është përcjellës i thjeshtë, spektator i lënë jashtë lojës. Shembull domethënës për këtë model mund të marrim imponimin e termit “Kosova multietnike”.

A ka pyetur ndokush se cilët ishin ata mekanizma që e përpunuan dhe e instaluan këtë shprehje ideologjike? A është marrë ndonjëherë në konsideratë realiteti historik, shkencor, etnografik, demografik dhe politik i Kosovës? Po mendimi i vetë banorëve të këtij vendi?

Kjo shprehje ideologjike, së pari është gatuar nga aktorët politikë dhe pastaj është kopjuar dhe është transportuar “pa filtër”, ose, thënë më mirë, është pompuar nga mediat. Këto të fundit, në këtë rast, janë rrogëtare e shërbëtore të politikës, thuajse kanë nënshkruar një pakt të përbashkët me aktorët politikë.

Ndërmjetësimi politik nuk duhet të konsiderohet dhe as të kuptohet si njëdimensional dhe i njëanshëm. Është e qartë se ekzistojnë edhe shumë mënyra e forma tjera se si mund të ndërmjetësohen politikat, por si përfundim logjik do të rridhte se pa aktorin “enigmatik”, pra, pa mediat masive, ndërmjetësimi politik në shekullin 21 do të ishte joreal dhe i dënuar me abort.

*Pjesë nga libri i Mekuli, Gëzim. Mediat dhe Politika: 1999–2006. MekuliPress, 2006.

[1] Teoria e përcaktimit të lajmeve, (McCombs dhe Shaw)

[2] Ulrich von Alemann njihet si krijues i këtyre katër teorive

[3] Nga koka-poshtë

[4] Mediat sunduese

[5] Sipas filozofit gjerman, Habermas, opinioni publik është një ambient i jetës sociale, ku qytetaret janë të preokupuar me çështje që janë të interesave të përgjithshme dhe ku njeriu si subjekt është i plotësisht i lirë. Në parim, në këtë ambient social, çdokush mund të marrë pjesë dhe ku opinionet shprehen dhe kritikohen hapur dhe lirisht

[6] Vgl. nga Alemann (Anm.1), faqe 489

[7] Nga baza-lart

[8] Dy palësh

Filed Under: Komente

Dëshmia e ambasadorit Hill në Hagë, jo alibi, por një kënvështrim i ri për Thacin dhe UÇK-në 

November 12, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi

Në Hagë, diplomati amerikan Christopher Hill, një nga arkitektët më të përfshirë në proceset diplomatike që çuan drejt Rambujesë dhe më pas ndërhyrjes së NATO-s, përfundoi dëshminë e tij në procesin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Dëshmia e tij, ndonëse e kujdesshme dhe e matur në ton, hodhi dritë mbi mënyrën se si diplomacia amerikane e perceptonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe strukturën e brendshme të saj në fund të viteve ’90.

Hill, ndryshe nga shumë diplomatë të tjerë të kohës, nuk e shihte UÇK-në si një organizatë tërësisht të strukturuar apo të unifikuar. Ai e përshkroi si një lëvizje të armatosur që vepronte për një qëllim të përbashkët – çlirimin e Kosovës – por që në terren kishte grupe me autonomi të madhe dhe mungesë të një zinxhiri të qartë komandimi. Kjo, sipas Hillit, e bënte bashkëpunimin ndërkombëtar të vështirë, por edhe e shpjegonte pse figura politike si Thaçi arritën të marrin rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, pa qenë domosdoshmërisht vendimmarrës realë brenda strukturës së UÇK-së.

Në këtë kontekst, Hill vlerësoi Thaçin si “bashkëbisedues të besueshëm”, por jo si njeri që “mund të lëvizte gjërat brenda UÇK-së”. Diplomati amerikan e përshkroi ish-udhëheqësin kosovar si të kujdesshëm, konsultues dhe të vetëdijshëm për rrezikun që mund të përbënte një vendim pa miratimin e të tjerëve. Ky vlerësim bie ndesh me perceptimin e mëvonshëm të Thaçit si figurë dominante në proceset politike të pasluftës, duke e vendosur pyetjen thelbësore: a ishte ai lideri që përfaqësonte unitetin e UÇK-së apo një negociator i aftë në sytë e Perëndimit?

Në këtë dritë, Rambujeja del si simbol i dyfishtë: për diplomatët perëndimorë ishte përpjekje për paqe, ndërsa për përfaqësuesit e UÇK-së – një provë e vështirë e legjitimitetit të tyre politik. Hill e shpjegoi qartë se pavarësia nuk përmendej në dokumentin e Rambujesë dhe se kjo ishte arsyeja kryesore pse Thaçi dhe grupi i tij nuk mund ta pranonin atë pa pasoja të rënda brenda Kosovës. 

UÇK-ja dhe Rugova: lufta për “zërin e Kosovës”

Një pjesë e rëndësishme e dëshmisë së Hill-it lidhet me marrëdhënien mes UÇK-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e udhëhequr nga Ibrahim Rugova. Hill dëshmoi se UÇK-ja “nuk donte që Rugova të ishte zëri i Kosovës”, por dëshironte ta zëvendësonte atë me përfaqësuesit e saj politikë.

Ky vëzhgim shpjegon një pjesë të dinamikës së brendshme politike të Kosovës së asaj kohe: dy strategji paralele për pavarësinë — njëra përmes rezistencës paqësore dhe tjetra përmes luftës së armatosur. Për Hill-in, kjo ndarje e brendshme ishte një nga arsyet pse Perëndimi e kishte të vështirë të identifikonte një palë unike që fliste në emër të Kosovës. “Ishte e vështirë të gjente dikë që fliste me autoritet,” përsëriti ai.

Hill përmendi edhe takimin mes Rugovës dhe Millosheviqit në Beograd, të cilin e kishte nxitur diplomacia amerikane. Ai vetë ishte skeptik për përfitimet e atij takimi, duke pranuar se më shumë e dëmtoi Rugovën në sytë e shqiptarëve të Kosovës, sepse u perceptua si lëshim ndaj Beogradit. Kjo tregon se edhe në mesin e diplomatëve amerikanë kishte dilema mbi qasjen e duhur ndaj krizës.

Adem Demaçit “njeri me qëndrime të forta dhe i vështirë për bashkëpunim

Në pjesën tjetër të dëshmisë, Hill foli për raportet e tensionuara me figurat tradicionale të rezistencës paqësore, si Ibrahim Rugova, dhe distancën që mbante ndaj Adem Demaçit, të cilin e cilësoi si “njeri me qëndrime të forta dhe i vështirë për bashkëpunim”. Ky vlerësim, sado personal, reflekton qëndrimin e diplomacisë amerikane të asaj kohe: prioriteti ishte bashkëpunimi me ata që mund të ofronin stabilitet dhe fleksibilitet politik, jo domosdoshmërisht me figurat më të ndershme apo simbolike të rezistencës.

Hill kujtoi gjithashtu se Sllobodan Millosheviqi ishte thellësisht i shqetësuar për afrimin e Uashingtonit me UÇK-në dhe për mënjanimin e Rugovës nga dialogu. Ishte ky moment, sipas tij, që shënoi kthesën e madhe në strategjinë serbe – nga përpjekjet për dialog, në përgatitje për luftë.

Nga “terroristë” në bashkëbisedues: kthesa amerikane ndaj UÇK-së

Një element tjetër i rëndësishëm i dëshmisë ishte referenca ndaj deklaratës së ish-ambasadorit amerikan Robert Gelbard, i cili në fillim të vitit 1998 e kishte cilësuar UÇK-në si “organizatë terroriste”. Hill e quajti këtë një gabim diplomatik, duke kujtuar se deklarata u interpretua si sinjal për Beogradin për të ashpërsuar veprimet kundër shqiptarëve, përfshirë edhe sulmin ndaj familjes Jashari në Prekaz.  Sipas Hill-it, më vonë vetë Gelbard e ndryshoi qëndrimin e tij dhe mori një linjë shumë më të ashpër ndaj Millosheviqit. Kjo kthesë tregon evolucionin e qëndrimit amerikan ndaj konfliktit: nga përpjekja për ta trajtuar si çështje të brendshme të Serbisë, në njohjen graduale të UÇK-së si faktor politik në procesin e zgjidhjes.

Në këtë kontekst, dëshmia e Hill-it e vendos UÇK-në në një kornizë më të afërt me realitetin e asaj kohe — jo si organizatë terroriste, por si reagim i armatosur i një popullsie të shtypur, me strukturë të brishtë dhe me objektiv politik të qartë: pavarësinë e Kosovës.

Rëndësia politike dhe gjyqësore e dëshmisë

Dëshmia e Hill-it nuk është një përpjekje për ta shpëtuar Hashim Thaçin, por një rishikim historik i fakteve nga një dëshmitar kyç i kohës. Ajo nuk përmban deklarata që mohojnë krimet e luftës, por sfidon idenë se ato ishin rezultat i një urdhri të centralizuar apo i një zinxhiri të unifikuar komandues.

Në aspektin ligjor, kjo mund të dobësojë pretendimin e Prokurorisë se Thaçi kishte kontroll efektiv mbi veprimet e UÇK-së në terren. Në aspektin politik, ajo mund të forcojë perceptimin publik se Thaçi ishte figurë politike dhe jo ushtarake, pra më afër rolit të përfaqësuesit të kauzës kombëtare sesa të një komandanti lufte.

Për Kosovën, dëshmia e Hill-it ka një domethënie të dyfishtë: nga njëra anë, e forcon narrativën se lufta për pavarësi nuk ishte e udhëhequr nga individë me ambicie personale, por nga një lëvizje spontane popullore; nga ana tjetër, rikujton se diplomacia ndërkombëtare shpesh ka qenë e ndarë mes parimeve dhe interesave.

Përfundim: një dëshmi që e zhvendos fokusin nga personi te konteksti

Në fund, dëshmia e ChristopherHill-it nuk është akt mbrojtjeje, por një përpjekje për të rivendosur realitetin kompleks të luftës së Kosovës në kornizën e duhur historike. Ajo e zhvendos fokusin nga individi tek konteksti: nga Thaçi si komandant, tek Kosova si shoqëri në luftë për mbijetesë dhe përfaqësim politik.

Në analizë të gjerë, dëshmia e Hillit nuk ndryshon vetëm një faqe të historisë së Kosovës, por risjell pyetje të mëdha për mënyrën se si u ndërtua legjitimiteti politik i udhëheqjes së dalë nga lufta. A ishte Rambujeja triumf diplomatik apo kompromis i detyruar? Dhe më e rëndësishmja: a u vendos fatet e Kosovës në tavolinë nga një udhëheqje e bashkuar apo nga një grup që ende nuk kishte konsoliduar pushtetin e vet të brendshëm?

Në fund, dëshmia e Hillit ngjan më shumë me një kujtesë e diplomacisë amerikane sesa me një qëndrim gjyqësor. Ajo konfirmon se UÇK-ja, me gjithë fragmentimin e saj, arriti ta bindë botën se ishte forca reale në terren dhe për këtë arsye mori mbështetjen vendimtare të SHBA-së. Historia e mëvonshme tregoi se pikërisht ky perceptim, më shumë se organizimi real ushtarak apo politik, përcaktoi fatin e Kosovës.

Nëse kjo dëshmi do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në vendimin e gjykatës mbetet për t’u parë. Por ajo tashmë ka një efekt të qartë në opinionin publik – rikthen debatin mbi mënyrën se si është ndërtuar narrativa e drejtësisë ndërkombëtare për luftën e Kosovës dhe mbi atë se sa vërtet është kuptuar.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 230
  • 231
  • 232
  • 233
  • 234
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT