• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PO LEGALIZOHET KISHA ILEGALE ORTODOKSE SERBE NË MAJË TË MALIT TË RUMISË 

November 12, 2025 by s p

Provokim i hapët në dëm të marrëdhënieve politike, etnike dhe fetare 

                                                  Nga Frank Shkreli

Ministria e Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronësisë Shtetërore të Malit të Zi ka pranuar propozimin e Mitropolisë së Malit të Zi dhe dhe bregdetit (MCP), që lokacioni në majën e Rumisë, ku në mesin e vitit 2005 u vendos në mënyrë të paligjshme një kishë, të përfshihet në Planin Hapësinor-Urbanistik të komunës së Tivarit, si vend për objekte fetare, ka shkruar para disa ditësh e përditshmja malazeze Vijesti, njofton Ulqini Online – Lajme nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Tivari, Tuzi, Plava dhe Gucia – Ulqini Online,Te rejat nga Ulqini, Lajme nga Ulqini, Tivari, Rozhaja.

Sipas këtij njoftimi të portalit Ulqinionline, botuar origjinalisht në gazeten malazeze Vijesti, ky akt është hapi i parë dhe kusht paraprak që e ashtuquajtura “Kisha e Trinisë së Shenjtë” në majë të Rumisë të legalizohet, del nga të dhënat në raportin e debatit publik mbi ndryshimet dhe plotësimet në “Planin Hapësinor-Urbanistik” të Tivarit. Publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë që drejtohet nga një Slaven Radunović, anëtar i partisë (Nova srpska demokratija – Demokracia e re serbe), me qëllim për të mundësuar legalizimin e asaj “kishe” duke përcaktuar lokacionin në Rumi, si një territor për të ndërtuar “objekte fetare”.  Ky akt ilegal nuk ka asgjë të bëjë me “Trininë Shejte”, me lirinë fetare, as me “demokracinë”, sepse kjo “kishë” teneqe propozohet, për qëllime të caktuara djallëzore, nga qarqe anti-shqiptare të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, që ai “objekt fetar” të legalizohet për ndërtim — në tokë të huaj — në trojet iliro-arbërore ndër shekuj. Në mënyrë aspak demokratike, se në Krajë dhe në Rumi ka vetëm shqiptarë autoktonë me shekuj, të cilët nuk pyeten fare për këtë nismë ilegale në venddlindjen e tyre — një lokacion ku nuk ka asnjë serb të fesë ortodokse – dhe një krahinë kjo ku nuk ka shkelur kurrë këmba serbo-sllave. Por që është një krahinë në rrethin e qyteteve ndër më të lashta, Ulqin-Tivarit me në histori të pasur  iliro-arbërore, kishtare katolike dhe kulturoro-gjuhësore shqip, nga ku kanë dalur një numër figurash historike shqiptare si Gjon Buzuku e shumë të tjerë nga ajo zonë e Malësisë së mbi-Shkodrës. Një prej tyre, Gjon Buzuku, prift katolik, autor i “Mesharit”, që konsiderohet si vepra letrare më e vjetër shqipe, mendohet, sipas ekspertëve, të ketë origjinën, pikërisht, aty nga Kraja, aty ku sot Kisha ortodokse serbe ka në plan të legalizojë atë territor iliro-arbëror si pronë të saj, duke ndërtuar një “kishë”, për kë!?

Kisha “teneqe” ortodokse serbe në majë të malit të Rumisë shqiptare, malit të cilit, më kujtohet se vendasit, historikisht, por edhe sot, me krenari i këndojnë këngën, “Moj Rumia bjeshkë e naltë…ti u bafsh oj ma e naltë…”.  Si e tillë, strategjikisht, ajo “kishë” mbikqyr Liqenin e Shkodrës dhe qytetin Shkodër!  

Nuk është për tu habitur pra se, heret ose vonë, Kisha Ortoodkse serbe nuk do hiqte dorë nga ky projekt për ndërtimin e një kishe në majë të Rumisë. Se kjo do të ndodhte duke marrë parasysh përpjekjet e pa- ndërprera dhe afatgjata në vazhdim të Kishës Serbe në bashkpunim me elementë të tjerë antishqiptarë, përfaqësues të interesave serbo-ruse në Mal të Zi.  Me objektivin me qëllim për të përvetësuar, ilegalisht, okacione si maja e Rumisë, por edhe vende e zona të tjera, sidomos, gërmadhat e kishave katolike të vjetra iliro-arbërore të atyre anëve, përfshi ato të Shasit, në breg të liqenit, me të njëjtin emër.  Frank Shkreli/ Hienat anti-shqiptare përsëri ua mësyjnë trojeve arbërore | Gazeta Telegraf  — Pjesë e këtyre përpjekjeve sllave për të ndryshuar identitetin kombëtar të asaj krahine shqiptare është pra edhe kjo e ditëve të sotëme – duke zgjedhur rrugën “zyrtare” për të legalizuar “kishën” teneqe ortodokse serbe të vendosur vite më parë me helikopter në majë të Malit të Rumisë nga Kisha Ortodokse serbe.

Për lexuesit që ndoshta nuk janë të njohur me historinë e asaj zonë, Rumia/Kraja është një krahinë e lashtë iliro-arbërore — një vend ku nuk ka pasur kurrë më parë kishë ortodokse serbe atje, por as popullsi sllave, siç tregojnë statistikat demografike edhe sot, megjithse shumë shqiptarë të atyre zonave janë larguar nga vendi i të parëve të tyre, kryesisht për në Amerikë, për një jetë më të mirë, si rrjedhim i shtypjeve historike politiko-ekonomike nga sllavët ndaj shqiptarëve vendas, gjatë shekujsh. Si e tillë, strategjikisht, ajo “kishë” serbe, mbikqyr Liqenin e Shkodrës dhe qytetin Shkodër. 

Ka vite tashti që me disa shkrime modeste, nga koha në kohë, jam munduar të tërheq vëmendjen — jo vetëm të lexuesve, por edhe të autoriteteve shqiptare në Ulqin, në Shqipëri dhe në Republikën e Kosovës, ndaj rrezikut që u kanoset trojeve shqiptare në Mal të Zi nga përpjekjet e pamëshirshme serbo-malazeze, me mbështetjen historike ruse, për të ndryshuar historiografinë e atyre trojeve me qëllim të zhdukjes së identitetit etnik, kultoror dhe gjuhësor të shqiptarëve, si banorë shekullor të trojeve iliro-arbërore të zonës Ulqin-Tivar. Ka kohë që kam paralajmëruar se marrëveshja tre vjet më parë e ish-kryeminstrit të Malit të Zi, me origjinë shqiptare, Dritan Abazoviç, me Patriarkun e Kishës Serbe, Porfirije, do ta bënte më të lehtë për Kishën Ortodokse serbe të shpallte pretendimet e saj fals, tani në mënyrë zyrtare, për të mbrojtur “drejtat” e saja fetare e kombëtare në krahinat shekullore iliro-arbërore, në krahinat Tivar-Ulqin të banuara nga shqiptarët ndër shekuj. Frank Shkreli: Marrëveshja Abazoviç-Porfirije një krim ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve jo vetëm në Mal të Zi | Gazeta Telegraf

Ja pra, Kisha serbe, sipas medias malazeze, cituar nga portali shqip Ulqinionline, ka filluar “procesin ligjor” për “legjitimitetin” e vendosjes së një “kishe” ortodokse serbe, në një lokacion në majë të malit Rumisë, në Krajën e Gjon Buzukut, aty ku nuk ka asnjë besimtar sllav ortodoks, me pretendimin se ajo kishë me rrethinë, historikisht, është “pronë” e saj, sot e 6 shekuj më parë.  

Kjo nismë “zyrtare” nga Kisha Ortodokse Serbe, për të përcaktuar atë lokacion në majë të Rumisë si një vend për ndërtim “objektesh fetare” siç raportohet nga burimet mediatike malazeze, është pranuar për shqyrtim nga autoritetet. Kjo nismë e Kishës Ortodokse serbe, e pranuar nga ministria përkatëse e qeverisë së Malit të Zi për tu shqyrtuar për miratim, nuk është asgjë tjetër veçse si një provokim i hapët i radhës me mbështetje zyrtare të qeverisë së Malit të Zi, por me ndikime shumë negative në marrëdhëniet politike, etnike dhe fetare në Mal të Zi. Për shqiptarët kudo, ky rast nuk duhet të jetë një çeshtje e izoluar që i përket vetëm shqiptarëve nën Malin e Zi, por është një çështje që nevojitë vullnetin dhe aftësinë e gjithë shqiptarëve kudo për ta kundërshtuar, duke e parë këtë rast si çeshtje në mbrojtje të identitetit kombëtar e kulturor në trojet shqiptare, në terësi dhe si një e drejtë kombëtare të pacenueshme – si një çështje e sigurimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve kudo qofshin ata. 

Për fat të keq, historikisht, entet zyrtare vendore shqiptare në Mal të Zi, por edhe Tirana e Prishtina zyrtare kanë heshtur përball kërcënimeve dhe ndërsa janë dalluar për mos kujdesje ndaj mbrojtjes së objektivave historike të identitetit kombëtar e kulturor të shqiptarëve, jo vetëm në Mal të Zi por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Kam drojë se ky mos-interesim ndaj trojeve shqiptare dhe historisë kombëtare, vjen si pasojë e ideologjive të huaja të elitës shqiptare, e influencuar nga politikat ateiste, sllavo-komuniste, bolshevike në radhët e kësaj elite, sidomos, në Shqipëri por edhe në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Një politikë që tani po e shohim më qartë se kurrë në këto 35-vite pas shëmbjes së Murit të Berlinit që nga moskujdesi zyrtar, po shkatërron identitetin, traditën dhe kulturën kombëtare të shqiptarëve  në mohim të historisë – por në favor të një fryme të re globaliste, shkatërruese anti-kombëtare. 

Kisha shkruar në kohën kur përflitej për nismën famëkeqe të ashtuquajtur, “Ballkani i Hapur”, se edhe nëqoftse se kjo ide hidhet poshtë, eventualisht, nga ana e vendeve perëndimore, sllavo-serbët do të gjejnë mënyra të tjera për të realizuar planet e interesave të tyre afatgjata politiko-ekonomike në Ballkan, si gjithmonë në kurriz të intersave shqiptare.  Priti se po hynë për penxhere, me mënyra të tjera “legjitime” dhe “zyrtare”, siç ishte marrëveshja e kryeministrit malazez me origjinë shqiptare, Dritan Abazoviç me Kishën ortodokse serbe — aleatën më të ngushtë të Rusisë së Putinit në Ballkan, kisha shkruar para disa vitesh, me atë rast.  Për fat të keq, po e përsëris se brezi aktualë i politikanëve shqiptarë janë të paaftë të bëjnë shtetin për të mbrojtur kombin dhe as nuk po zhvillojnë shoqërinë civile as mekanizma të tjera që të mbrojnë shtetin, historinë dhe identitetin kombëtar nga pretendimet armiqësore dhe nga përvetësimi ilegjitim i tokës, identitetit dhe historisë kombëtare të shqiptarëve, nga fqinjët dashakeqës historikë. Në fund të fundit, siç thotë populli, livadhi është i deleve që e kullosin. Si gjithmonë në të kaluarën, serbo-sllavët edhe sot duan të kullosin në livadhet e shqiptarëve, me heshtjen ndaj grabitjeve ilegjitime të trojeve shqiptare ose edhe me pëlqimin e vet shqiptarëve.  Zoti ndihmë, si përhera!

Frank Shkreli

Filed Under: Analiza

Qëndresa hyjnore e një zonje të heshtur

November 12, 2025 by s p

Sadik Bejko & Çerçiz Loloçi/

Gjyshja, vajza dhe mbesa, në një udhëtim biblik për të takuar njeriun e tyre të afërt, të burgosur padrejtësisht nga regjimi diktatorial është pak a shumë thelbi i librit më të ri autobiografik të dr. Iris Halilit, titulluar “Eleganca e lotëve”, botimet Onufri 2025.

Në pamje të parë duket si një kronikë familjare, por që del jashtë saj sepse personazhe nuk janë vetëm Ganimet Gjilani Fratari, Sabire Halili dhe vajza e saj e mitur, autore e librit, por dhjetra familje të tjera të të përjashtuara nga shoqëria e të konsideruara “armiq të popullit e të partisë”, të persekutuara, të internuara, të burgosura apo akoma më keq, me pjestarë të familjes të pushkatuar apo të zhdukur, që ende edhe sot nuk u gjenden eshtrat.

Ganimeti, me një bukuri të lindur, si e pikuar nga Perëndia, ishte 20 vjeç kur mbaroi Institutin Femëror “Nana Mbretëreshë” në 1937 duke folur dhe shkruar anglisht, frëngjisht e italisht, shoqe e ngushtë e shkrimtares martire Musine Kokalari, përjetoi pak vite të lumtura, përfshi martesën e saj me Rauf Hajredin Fratarin, lindjen e dy fëmijëve dhe momente të tjera të gëzueshme me vëllain e motrën, por jeta e saj u vu përpra rrethanave të jashtëzakonshme kur burri nacionalist u arratis në SHBA dhe u eleminua nga policia sekrete e regjimit në 1972 dhe djali iu dënua me 25 vjet burg, me dy fasha dënimesh: 15 vjet sabotim dhe 10 vjet agjitacion e propagandë.

Për një regjim që mbante si ikonë frymëzuese “luftën e klasave”, nuk kishte asnjë rëndësi që vetë Ganimeti vinte nga një familje e madhe nga Gjilani i Kosovës, as vjehrri i saj, Hajredin Fratari, dëshmor i kombit, përkrahës i qeverisë së Ismail Qemalit dhe vrarë pabesisht nga strukturat e mbrame të perandorisë turke.

Po ashtu ishin të papërfillshme kontributet kombëtare të Rauf Fratarit me shkollë ushtarake në Modena në vitet 1923-1927, me studimet e larta në Akademinë Mbretërore të Romës në periudhën 1929-1933, majori i Gardës Mbretërore në vitet 1935-1939, i burgosur dy herë nga regjimi fashist në Tiranë dhe Gjirokastër, delegat i Konferencës së Pezës në 1943 dhe asaj të Mukjes në 1943, komandant i batalionit “Hajredin Fratari”.

2.

Kryemotivi i librit në formë ditari të Iris Halilit është se duhet ta duash atdheun edhe kur jeta të bëhet e pamundur nga sunduesit e pamëshirshëm të tij ose kur të detyron të shkosh në skajet më të papërballueshme të saj. Ganimeti, me dy fëmijë të mitur, 4 dhe 2 vjeç e kishte së brendshmi se duke dashur familjen e dashuron edhe më shumë atdheun tënd.

E bukur, e hijshme, e hirshme, sharmante, e admiruar nga dhjetra moshatarë të saj, që turbullonte të gjallë e të vdekur, “Gano mos shko më në varre/se të vdekurit i ngjalle”, asaj nuk i hynin më punë hovet revolucionare. Përkundër tyre jetonte me paraardhësit e vet, me burrin e arratisur, me fëmijtë që ishin pagëzuar me dy emra të spikatur Sabirenë e Frashëllinjve, mbesën e Naim Frashërit dhe Hajredinin e ri, nipi i Fratarit të parë.

Në fëmijërinë e hershme e deri në vitet studentore në kohën e Mbretërisë nuk pranoi të përfshihej në formacione apo lëvizje politike, madje kishte një fije mosbesimi për vëllain e motrën që u bënë debatikas. Por ishte gjithaq mosbesuese kur po ndahej fizikisht një herë e përgjithmonë me bashkëshortin e saj që u largua nga Shqipëria në dhjetor 1944 me shpresën se do të rikthehej sërish në gjirin e familjes pas ndërhyrjes së anglo-amerikanëve.

Nuk zgjodhi të largohej me burrin e vet dhe që kontaktin me të e mbante me veshjet e hijshme gjatë kohës së paktë martesore dhe me ndonjë letër të rrallë që i vinte herë nga Italia e herë nga SHBA kur u vendos përfundimisht duke marrë dhe azilin politik. Aq më pak nuk deshi të rilidhej me ndonjë nga krerët komunistë për të filluar një jetë tjetër pa mundime e vuajtje që po i sillte pushteti i ri.

Ajo besonte te një fuqi që dilte mbi njerëzit dhe i lutej përditë në heshtje për një ditë më të mirë të nesërmen, për një vit më të mbarë, për një dekadë dhe kështu me radhë për 46 vjet kur nisën proceset demokratike dhe ajo ndodhej në një moshë të tretë.

Një çift që simbolizonte lidhjen e pandashme Kosovë-Shqipëri, të shkolluar të dy, të ardhura nga familje të njohura, e parashikonin fare mirë se çfarë mund të ndodhte me një pushtet që bënte lidhje jonatyrore me serbo-sllavët dhe jo me krahun perëndimor që i përkiste historikisht.

Fëmijët, vajza dhe djali, ky ishte motivi i vetëm i mbijetesës dhe për ta do të bënte gjithçka mundej. Madje edhe kur pati një infeksion që shkonte deri në prerjen e njërës këmbë, ajo u lut fshehurazi në një vend të shenjtë dhe ia doli të bënte atë jetën e heshtur, mbi makinën qepëse, për të mbajtur familjen e saj. Një lloj burrneshe jo nga ato që vishen dhe jetojnë si burrat, siç ngjet në disa vise shqiptare, por me një përkushtim dhe vetmohim të pangjashëm.

3.

Në kopertinën e librit është një pikturë e realizuar nga një hebre që ishte strehuar në shtëpinë e Rauf Fratarit në kohën e Luftës kundër Nazifashistëve, ndërkohë që kërkoheshin në çdo skutë nga gjermanët në krejt Europën. Pasi kishte bërë portretet e Hajredin Fratarit dhe Sabire Frashërit, ai i kërkoi një tablo për bashkëshorten e vet nga Gjilani.

Në tablo është Ganimeti, pak kohë pas martesës, që megjithëse kishte pozuar disa herë para tij, disa bulëza loti i rishfaqeshin befas. Pikërisht këtë gjendje fiksoi edhe piktori anonim hebre, sikur të parathoshte fatin e saj që do vuante e sfilitej një kohë të gjatë, por nuk do të mposhtej. Tabloja u ruajt nga vajza e saj dhe u rinxorr pas viteve nëntëdhjetë si një kujtesë për gruan e hijshme e me një shpirt të bukur.

Pas eleminimit të bashkëshortit, Ganimeti përjetoi edhe një ndodhi tjetër, burgosjen e të birit pas asnjë faj, (ndëshkimi vijonte kështu në brezin e dytë, por kishte edhe në tri breza), një inxhinier i njohur dhe pikërisht nga ky moment nisin përjetimet e një vajze të mitur në provincën jugore të Tepelenës. Janë gjithmonë tri personazhe: gjyshja, mamaja dhe mbesa që ndjekin fatin e njeriut të tyre të burgosur në Ballsh, Qafë-Bari, Zejmen e Burrel, por nuk mungojnë edhe protagonistë të tjerë si Musine Kokalari, Drita Kosturi, At Zef Pllumi, Pjetër Arbnori, apo tipa të konsideruar “të përtishëm” që e tejkalonin regjimin me ligësinë e tyre. Tridhjetë e një kapituj e librit risjellin jetën e shqiptarëve në diktaturë, ata që përkraheshin dhe të tjerë që përflakeshin; vështirë se mund të gjeje qoftë edhe një familje shqiptare pa u prekur prej diktaturës; goditjet vinin valë-valë, fillonin me nacionalistët, pastaj me krerët kryesorë të formacioneve partizane, më pas grupet armiqësore çdo pesëvjeçar, me paranojat që zbrisnin në formë zinxhiri nga kupola më e lartë e deri te strukturat më të imta të pushtetit. Pikërisht kjo tablo e zymtë rivjen në faqet e këtij libri jo vetëm si mesazh për t’u kujtuar, por edhe për të mos u përsëritur.

Filed Under: ESSE

“I believe in earning trust before asking for support”

November 12, 2025 by s p

I filed with the FEC on February 28, but I haven’t asked for a single donation until I knew we had a real path to win, and until I felt with certainty that the people of NY-14 were ready for a new direction.

I believe in earning trust before asking for support.

Now we’re here with a movement that’s united, focused, and ready to build a better future together as one community.

On December 4, we launch this journey. Let’s build the dream together! 🇺🇸💎

#VoteForDiamant#NY14#JoinTheMovement

#Bronx#Queens#nyc#diamant

Filed Under: Komunitet

Çfarë ka, pas pushtimit dhe poshtërimit të demokracisë dhe përfaqësimit?

November 12, 2025 by s p

Aleksandër Çipa/

Demokracia e përfaqësimit u pushtua dhe u poshtërua. Tani nuk ka më asnjë kuptim e asnjë vlerë marrëdhënieje me sovranin. Qytetarët këtë pushtim poshtërues e soditën si diçka të përkohshme dhe kalimtare. Ky është naiviteti i pritmërisë së opinionit publik. Pushtimi dhe poshtërimi i demokracisë zgjedhore dashka kohën e vet që të gjenerojë bindje dhe reagim. Nuk është e njëjtë koha që do pushtimi i përfaqësimit politik me kohën e pushtimit dhe poshtërimit të demokracisë. Tani, domethënë në këtë kohë, jemi realisht në pikun e poshtërimit të demokracisë dhe për këtë, rrjedhojat nuk parashikohen.

Pushtimi i përfaqësimit u çimentua në marrëveshjen e 2008 nga dyshja kryesuese e bipolaritetit partiak në vend. Se çfarë ngjau më pas, kjo tashmë është e njohur. Poshtërimi i përfaqësimeve politike pasoi më intensivisht paskësaj. U zhbënë të gjitha kriteret që ishin “mishi” i demokracisë strukturore. Në partitë tona kryesore u poshtëruan statutet dhe kanonet e trashëguara dhe ato të amenduara. Tashmë pasojat kanë dalë jashtë partive. Poshtërimi i demokracisë dhe më së shumti i përfaqësimeve, ka jashtë pragut të kësaj gjendjeje depresive dhe status quo-je, lindjen e një reagimi të ri publik. Do të ketë disa forma ky reagim refuzues, përbuzës vetëzgjedhës dhe mosnjohës.

Subjekti që vjen do të tejkalojë regjitë e përdorura, të konsumuara dhe të manipuluara të “ mjeshtrave të tranzicionit” dhe mjeshtrave të “ pushtimit të demokracisë dhe përfaqësimit”. Krizat përherë dhe kudo janë shtatzëna me zgjidhje. Nuk është moment për iluzion të ri, por është kapitull i mbaruar për një ndryshim imponues. Kur zhbëhet fjala, kur përdhoset besimi, kur zhelekoset shteti, kur i “ pakënduari bëhet legjislator”, atëhere shoqëria që zvarrit të sotmen e vet, nuk ka më “tapi” për të ardhmen e saj…Ky nuk është trisht i mishëruar në tekst, por një e thënë reflektimi për një realitet që mbart ligjësinë oqeanike të asaj që vjen si pamundësi për t’u kontrolluar dhe mbajtur nën pushtet vetiak.

Ajo që vjen paskëtaj është shpërthim refuzues.

Ky protagonizëm do të vijë nga gjenerata, e cila realisht e përbuz realitetin e mbajtur në përdorim nga ata “ që qeverisin dhe mërzinë” e sotme të njerëzve, siç do të shprehet në një varg të vetin Fatos Arapi-Poet.

Çfarë ka pas pushtimit dhe poshtërimit të demokracisë? Shembje të “hipotekave vendimmarrëse”. Vetëm ky refuzim i menjëhershëm dhe prej shumicës së shoqërisë, zbon pushtimin malinj të demokracisë nga “zotërit “e fuqishëm brenda dhe vasalë para “zotërve” jashtë. Kjo krizë poshtërimi dhe poshtëruesish, po jep shenja të mjaftshfaqjes së sovranit refuzues, të antiriciklimeve stanjative të një shoqërie që e shndërroi jetën e vet “laborator” të së pandryshueshmes dhe të së keqpërdorurës “demokraci hibride”. Në ag të së afërmes, po shfaqen silueta dhe shenja të shumta refuzimesh…!

Filed Under: Sociale

PAQJA QË SOLLI LUFTËN DHE LUFTA QË SOLLI PAQEN

November 12, 2025 by s p

Në vitin 1918, Lufta e Parë Botërore përfundoi. Bota mendoi se kishte hyrë në epokën e paqes. Në Paris, liderët europianë e quajtën atë “lufta për t’i dhënë fund të gjitha luftërave”. Por vetëm njëzet vjet më vonë, ushtria italiane marshoi sërish në Shqipëri dhe pak muaj më vonë ushtria gjermane në Poloni. Kështu, më 1 shtator 1939, nisi Lufta e Dytë Botërore. Historia na mësoi se paqja nuk kishte qenë veçse një iluzion i brishtë.

Por pse dështoi paqja e vitit 1919 dhe pse ajo e vitit 1945 funksionoi?! Këtu fshihet një nga leksionet historike më të rëndësishme të shekullit XX. Traktati i Versajës pas Luftës së Parë nuk ishte një marrëveshje për të ndërtuar paqen, por një akt hakmarrjeje. Gjermania u trajtua si fajtore absolute. Asaj iu kërkuan reparacione marramendëse, iu kufizua ushtria dhe iu morën territore. Për fituesit, kjo ishte drejtësi. Por, për gjermanët, ishte poshtërim. Pikërisht në këtë furrë u gatua ekstremizmi që solli Hitlerin dhe Luftën e Dytë Botërore. Thënë ndryshe, Versaja nuk e mbylli luftën. Ajo vetëm e shtyu përkohësisht. Ky fund shënoi fillimin e një tjetër katastrofe globale.

Pas vitit 1945, fituesit ndryshuan strategji. Gjermania dhe Japonia u pushtuan ushtarakisht, por jo për t’u nënshtruar, por për t’u rindërtuar. Plani Marshall solli miliarda dollarë për të ringritur ekonominë europiane. Në Berlin, në vend që të mbillnin varfëri, amerikanët dhe aleatët mbollën demokraci. Ish-agresorët u kthyen në aleatë.

Kjo strategji ishte në themelet e projektit euro-atlantik që ne njohim sot. Dy kolonat kryesore të këtij rendi të ri, ishin BE dhe NATO, të cilat kanë garantuar një paqe 80-vjeçare në Europë. Një moment delikat shënuan luftërat në ish-Jugosllavi. Me fundin e tyre u korrigjua edhe padrejtësia historike ndaj shqiptarëve. Por, me shpërthimin e Luftës në Ukrainë dhe në Gaza, rendi global u vendos para një prove zjarri, e cila po vijon që ta sprovoj…

Pas Luftës së Parë u krijua Lidhja e Kombeve, një organizatë pa dhëmbë, që nuk mundi të ndalonte pushtimet italiane në Shqipëri dhe Etiopi apo agresionin gjerman në Europë. Pas Luftës së Dytë, u ngrit Organizata e Kombeve të Bashkuara. OKB-ja është një organizëm jo i përsosur. Megjithatë, të paktën krijoi një forum ku të mëdhenjtë flisnin përpara se të vepronin. Por, konfliktet e fundit globale i kanë nxjerr akoma më tepër në pah dobësitë e OKB-së.

Natyrisht, një tjetër faktor vendimtar janë armët bërthamore. Frika se një luftë e tretë do të sillte fundin e qytetërimit i bëri të gjithë më të kujdesshëm. Lufta e Ftohtë nuk ishte pa kriza. Megjithatë, bota shmangu një tjetër katastrofë globale. Ndërkohë, krizat e sotme ndërkombëtare na tregojnë se rendi global është në krizë dhe po ndryshon. OKB-ja duhet të reformohet për t’ju përshtatur botës së re.

Mësimi historik është i qartë. Pas vitit 1918, fituesit kërkuan hakmarrje dhe nënshtrim. Pas vitit 1945, ata kërkuan bashkëpunim dhe rindërtim. Paqja e qëndrueshme nuk lind nga poshtërimi i kundërshtarit, por nga aftësia për ta kthyer armikun e djeshëm në partner të së nesërmes.

Bota sot është bërë më e paparashikueshme. Ajo po përballet me konflikte të reja dhe tensione të mëdha gjeopolitike. Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në botë po ndryshon. Qoftë në Lindjen e Mesme, qoftë në Europë, qasja aktuale e SHBA-ve, po shmang angazhimin e drejtpërdrejtë ushtarak. Ndërkohë nga ana tjetër, SHBA-të po përpiqen që të kenë një prani më strategjike dhe një rol stabilizues, duke u shfaqur si paqe-bërës.

Historia na mëson, se shpesh fitorja nuk garanton paqen. Vetëm drejtësia dhe bashkëpunimi e bëjnë këtë të mundur. Prandaj, duke kombinuar me zgjuarsi, mjetet më efikase që diplomacia disponon, si forcën ushtarake ashtu edhe ligjin ndërkombëtar, njerëzimi mund të mbaj sërish gjallë flakën e përjetshme të idealit të drejtësisë dhe paqes.

(Dr. Evarist Beqiri)

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 231
  • 232
  • 233
  • 234
  • 235
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT