• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHPALLET KRYESIA E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS VATRA

March 21, 2022 by s p

Elmi Berisha – Kryetar i Vatrës

Alfons Grishaj – Nënkryetar i Vatrës

Nazo Veliu – Sekretare e Vatrës

Besim Malota – Arkëtar i Vatrës

Marjana Bulku

Iris Halili

Ervin Dine

Mondi Rakaj

Dr. Pashko Camaj

Dr. Elton Mara

Dr. Paulin Marku

Bashkim Musabelliu

Tasim Ruko

Shënim: Kryetarët e Degëve të Vatrës të përfshirë në Kryesi kanë dhënë dorëheqje nga çdo funksion duke ua kaluar kompetencat nënkryetarëve të degëve deri në zgjedhjet e reja në degët respektive të Vatrës.

Filed Under: Featured

Intervista e sotme e Kryeministrit Albin Kurti për BBC Radio në kuadër të programit Newsday

March 21, 2022 by s p

Prishtinë, 21 mars 2022

Përkthimi jozyrtar


Gazetari: 
Përderisa po futemi në javën e katërt të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ekziston shqetësimi i përhapjes së konfliktit në Ballkanin Perëndimor. Bosnja dhe Hercegovina po përballet me një rigjallërim të tendencave secesioniste, kurse përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës kanë ngecur viteve të fundit. Ishte viti 1999 kur forcat e NATO-s bombarduan Beogradin, kryeqytetin e Serbisë, për ta ndaluar spastrimin etnik që serbët po i shkaktonin shqiptarëve në Kosovë. Kësaj po i referohet shpesh presidenti rus Putin duke e justifikuar luftën në Ukrainë. Një nga liderët që është shprehur hapur kundër luftës në Ukrainë është Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. E kemi në lidhje të drejtpërdrejtë nga kryeqyteti, Prishtina. Kryeministër Kurti, sa të shqetësuar jeni që kriza në Ukrainë mund të përhapet në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë?


Kryeministri Kurti: 
Mirëmëngjesi të gjithë dëgjuesve tuaj. Në të kaluarën Kremlini e përmendte Kosovën një herë në muaj, ndërsa tani po na përmend disa herë në javë, çdo të dytën ditë, dhe unë besoj që ata dëshirojnë ta keqinterpretojnë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, që ishte për ta ndaluar gjenocidin, si përpjekje për ta justifikuar imperializmin e tyre, aspiratat e tyre hegjemoniste dhe së fundi pushtimin dhe agresionin e tyre ushtarak kundër Ukrainës. Ne që nga fillimi kemi shprehur admirimin dhe solidaritetin tonë me luftën çlirimtare të popullit ukrainas dhe kemi dënuar ashpër agresionin e Federatës Ruse ndaj Ukrainës, që ka qenë e paprovokuar dhe është absolutisht i pajustifikueshëm.


Gazetari: 
Po flet për një konflikt ushtarak të instiguar?


Kryeministri Kurti: 
Definitivisht. Serbia është shteti i vetëm në Rajon që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë. Ata kanë lidhje të forta politike, ekonomike dhe ushtarake. Për shembull Gazprom-i zotëron 56% të industrisë së naftës në Serbi. 151 deputetë të parlamentit të Serbisë, mbi 60%, janë pjesë e grupit të miqësisë Rusi-Serbi, dhe gjithashtu Serbia ka 14 avionë luftarakë MIG-29 nga të cilët 8 janë donacione nga Bjellorusia dhe 6 nga Rusia. Serbia shpenzon pothuajse 3% të BPV-së në ushtri dhe kjo i bie dy herë më shumë se pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku. Pra ekziston një militarizim i Serbisë, e cila nuk e njeh Kosovën dhe e cila përmes Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë po përpiqet ta bëjë atë vend jofunksional, ta kthejë atë në një shtet të dështuar dhe në fund ta marrë atë në kontrollin e saj.


Gazetari: 
Kryeministër Kurti, këtu nuk e keni fjalën për aleanca historike, por po ndiheni të kërcënuar tani?


Kryeministri Kurti: 
Natyrisht, aleancat historike ekzistojnë, por gjithashtu janë ato lidhjet aktuale të forta dhe të gjera midis Beogradit dhe Kremlinit, dhe kjo është shumë shqetësuese sepse është në interesin e Kremlinit ta përhapë konfliktin diku tjetër, ta transferojë destabilizimin dhe pasigurinë në kontinentin evropian, në mënyrë që ta arrijë atë që në thelb Presidenti despotik Putin dëshiron, e që është Jalta 2, një tjetër Konferencë e Jaltës në të cilën ai do të ulej me Presidentin Biden. Unë jam shumë i bindur se Presidenti Putin nuk dëshiron të ulet dhe të negociojë me Presidentin Zelenski, në fakt ai dëshiron ta vrasë atë. Ai dëshiron të ulet me Presidentin Biden, dhe kjo është shumë shqetësuese sepse do të kërkoheshin kriza të tjera në kontinentin evropian ku ka mundësi të shkaktohet konflikt dhe luftë në mënyrë që ta copëtojnë Evropën ashtu siç bënë para më shumë se 70 viteve.


Gazetari: 
Kryeministër Kurti, është shumë e pazakontë ta dëgjosh një lider të zgjedhur, një kryeministër si ti, duke i thënë gjërat kaq qartë në radio. A mendoni se liderët e tjerë botërorë po ju dëgjojnë?


Kryeministri Kurti: 
Mendoj se po, por në të njëjtën kohë besoj që nuk duhet të jenë të vetë-mjaftueshëm për unitet dhe solidaritet të demokracive perëndimore. Ne duhet ta forcojmë këtë unitet dhe duhet të solidarizohemi në mënyrë aktive. Ne duhet t’i ofrojmë të gjithë ndihmën popullit ukrainas, por në të njëjtën kohë nuk duhet ta tolerojmë asnjë lloj neutraliteti në këtë konflikt. Nuk është e mundur të jesh neutral në mes të zjarrit dhe zjarrfikësit. Është thelbësore tani të bashkohemi dhe të jemi aktiv në solidaritet me Ukrainën, por në të njëjtën kohë të gjitha vendet në Evropë të cilat nuk e dënojnë ashpër dhe nuk vendosin sanksione ndaj Federatës Ruse duhet t’i shohim me shqetësim.


Gazetari: 
Nga Rusia ka akuza se Kosova po dërgon luftëtarë për të luftuar përkrah trupave ukrainase. A është e vërtetë?


Kryeministri Kurti: 
Asnjë qytetar nga Kosova nuk ka shkuar për të luftuar në Ukrainë. Ata po thonë lloj-lloj dezinformatash dhe pretendimesh të rreme sepse kjo është pjesë e luftës së tyre hibride. Pra, lufta hibride është plot gënjeshtra, plot narrativa të rreme dhe lufta hibride kthehet në luftë. E kemi parë me Ukrainën. Lufta hibride nuk e zëvendëson luftën, është vetëm faza përgatitore e saj, dhe ne duhet të shqetësohemi shumë për të gjitha këto akuza të rreme, sepse janë shenja paralajmëruese për atë që do të ndodhë më pas. Më lejoni t’ju rikujtoj se Presidenti Putin u bë Kryeministër i Federatës Ruse vetëm dy muaj pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, dhe gjithashtu disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt 2008, ai aneksoi Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë. Pra, Ballkani Perëndimor është në rrezik për shkak të mosdistancimit të Beogradit nga Kremlini.


Gazetari: 
E kam një pyetje, a duhet NATO të qëndrojë ashtu siç është për momentin, duke ndihmuar në aspektin logjistik por jo duke ndërhyrë, duke mos u futur në konflikt aktiv. A mendon që duhet të ketë një zonë ndalim-fluturimi?


Kryeministri Kurti: 
NATO ndaloi gjenocidin serb në Kosovë. 19 shtete u bashkuan për të ndaluar Kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, pasi ai veçse kreu gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë. Pra, ishte gjenocidi i dytë në kontinentin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore që e bëri NATO-n të ndërhynte. NATO, shtetet e NATO-s, populli i Evropës duhet ta ndihmojnë popullin ukrainas sepse ata po e mbrojnë të gjithë kontinentin.

Gazetari: A duhet të ketë zonë ndalim-fluturimi, po apo jo?


Kryeministri Kurti: 
NATO e di më së miri, por mendoj se kur i shihni popullin e Ukrainës duke vuajtur dhe në të njëjtën kohë avionët dhe artilerinë ruse duke i bombarduar civilët, nuk mendoj se ajo që po bëjmë aktualisht, përfshirë NATO-n, është e mjaftueshme.

Gazetari: Për Newsday foli Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Filed Under: Emigracion

LULZIM BASHA DHA DOREHEQJEN NGA KREU I PD

March 21, 2022 by s p

Pas humbjes në zgjedhjet e 6 marsit, por edhe pas kërkesave të disa prej deputetëve, Lulzim Basha dha sot dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike.

Në një mbledhje të të gjithë strukturave të selisë blu, ai komunikoi vendimin e tij për të bërë një hap pas.

Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se është i vendosur që të ndihmojë në çdo mënyrë ringritjen dhe bashkimin e demokratëve.

“Thellimi i krizës që përjetojmë prej vitesh ka për shkak kryesor mungesën e një qeverisje të përgjegjshme dhe të llogaridhënies. 25 prilli ishte një goditje e rëndë për demokratët, për demokracinë dhe për shpresat e shqiptarëve për ndryshim, pas 8 vitesh premtimesh te pambajtura, korrupsion dhe tallje me dhimbjet dhe hallet e njerëzve. Sepse vetem nje qeveri qe vjen si vullnet i njerëzve mund të ngrihet në nivelin e halleve të tyre dhe të kuptoje e ofrojë zgjidhje reale per njerezit.

Nje qeveri e tillë, me program dhe ofertë konkrete u pengua nga masakra zgjedhore që ndali ndryshimin me 25 prill. Shpresa per tu ringritur përmes një opozite të fortë ka marrë për fat te keq prej afro nje viti po kështu goditje të njëpasnjëshme. Perpjekjeve tona per tu ofruar shqiptarëve nje opozitë të tille, përmes denoncimeve dhe goditjes së korrupsionit qeveritar në komisionet hetimore të aferave korruptive dhe hetimit të 25 prillit i është mbivendosur një luftë e brendshme.

Personalisht investova gjithcka për nje zgjidhje që do ti shërbente edhe Partisë Demokratike edhe transparencës. Sot nuk dua të ndalem në cfarë ka ndodhur e si ka ndodhur, kush kishte të drejtë e kush ishte gabim, këtë jam i bindur se do ta qartësojë koha. Fatkeqësisht, përpjekja ime për ta mbajtur PD të bashkuar nuk arriti sukses. Unë dhe shume demokratë u përballëm me një fushatë sulmesh te paparimta dhe te pavërteta që krijuan një frymë përcarje, dhe si rezultat sot Partia Demokratike po përjeton një krizë të thellë.

Për këtë arsye dhe për të ndihmuar Partinë Demokratike dhe demokratët të lënë mënjanë ndasitë joparimore, i vetëdijshëm për peshën që mora mbi vete, për atë që e kam quajtur vendimin tim më të vështirë politik, kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD, me qëllim dhe i vendosur për të ndihmuar për ringritjen dhe bashkimin e demokratëve dhe Partisë Demokratike si shpresa e vetme për shqiptarët. 

Kjo nuk është një tërheqje për rehati personale, por një nxitje më shumë që betejën tonë për një PD të së ardhmes ta bëjmë të gjithë bashkë të zhveshur nga çdo shpifje se kjo që ka ndodhur këto 6 muaj është bërë për karriken e kryetarit. Ndaj dua sot ti them kujtdo që ka besuar dhe beson se PD duhet të shohë drejt të ardhmes, se unë jam dhe do jem tërësisht i angazhuar krah jush, do jem zëri juaj, nuk do ta braktis kurrë sakrificën tuaj, nuk do lodhem kurrë për t’u shprehur mirënjohjen, për sakrificat, mundin dhe kontributin tuaj, dhe me vendosmëri do bëj gjithçka, që ato të mos shkojnë dëm, por ti japin forcë vizionit tonë për një Parti Demokratike që zgjedh të ardhmen dhe i prin rrugës së shqiptarëve drejt saj” – tha Basha.

Filed Under: Analiza

Sándor Petőfi dhe Pashko Vasa: Dy Poetët e Zgjimit Kombëtar

March 21, 2022 by s p

Një soditje reflektive mbi Zjarrin Prometean të “Nemzeti Dal” dhe “O moj Shqypni, e mjera Shqypni”

[Me rastin e 100-vjetorit të Marrdhënieve Diplomatike Shqiptaro-Hungareze]

MELSEN KAFILAJ (Royal Institute of Philosophy Fellow)

Ernest Renan, savanti i madh francez në esenë e vet “Qu’est-Ce Qu’une Nation?” të vitit 1882 shkruan: “Kombi është Frymë, është një Parim Shpirtëror.Dy gjëra, të cilat në fakt janë një e vetme e përbëjnë këtë Parim Shpirtëror; E Shkuara dhe E Tashmja e tij.” Por kush mund ta shpreh më mirë këtë Frymë, këtë atribut esencial të KOMBIT përveçse POETET?! Dy poetë të mëdhenj të cilët e mobilizuan këtë Frymë, në funksion të Zgjimit Kombëtar në vendet e tyre respektive janë poeti hungarez Sándor Petőfi dhe ai shqiptar Pashko Vasa. Në poezitë e tyre “Nemzeti Dal”(1848) dhe “O moj Shqypni, e mjera Shqypni”(1878) përshkruhet qartazi e shkuara e hidhur popullit hungarez dhe atij shqiptar dhe trumbetohet në të tashmen e tyre nevoja urgjente për LIRI. Ja sesi do ta shpreh këtë Zjarr Prometean Petőfi tek “Nemzeti Dal” (Këngë Kombëtare):

                                    Talpra magyar, hí a haza!

                                    Itt az idő, most vagy soha!

                                    Rabok legyünk vagy szabadok?

                                    Në këmbë Magjarë, Mëmëdheu thërret!

                                    O tani o kurrë, çasti është tani-

                                    A do rrojmë si skllevër, a do kërkojmë Liri?!

ZGJIMI, kjo nevojë e ngutshme për zgjim kombëtar dhe bashkim vëllazëror, në emër të Idealit të Lirisë dhe në kushtet e një përçarjeje kombëtare e jep me një ton të fuqishëm tek “O moj Shqypni, e mjera Shqypni” edhe Pashko Vasa:

                                    Para se t’hupet kështu Shqypnia,

                                    Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!

                                    Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,

                                     Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,

                                     E mos shikoni kisha e xhamia:

                                     Feja e shqyptarit asht shqyptaria!

Të dy poetët në fjalë janë kritikë të fuqishëm të Pasivitetit, Egoizmit Individual dhe Shpirtit të Veçimit në popujt e tyre respektiv, të cilët për pesë pare e nxjerrin në pazar  Interesin Kombëtar. Ja me çfarë dhimbje dhe dëshpërim e përshkruan Pashko Vasa këtë fenomen:

                                 Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,

                                 Me ju turpnue me grue e motër,

                                 E për sa pare qi do t’fitoni,

                                 Besën e t’parëve t’gjith e harroni,

                                 Baheni robt e njerit t’huej,

                                 Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.

                                 Qani ju shpata e ju dyfeqe,

                                 Shqiptari u zu si zog ndër leqe!

                                 Qani ju trima bashkë me ne,

                                 Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!

Ndërsa Petőfi nuk do të tregohet “më pak i butë” me vargjet e veta:

                                Sehonnai bitang ember,

                                Ki most, ha kell, halni nem mer,

                                Kinek drágább rongy élete,

                                Mint a haza becsülete.

                                A magyarok istenére

                                Esküszünk,

                                Esküszünk, hogy rabok tovább

                                Nem leszünk!

                                Ti batakçi i pavlerë i Njeriut,

                                Që kur e lyp nevoja nuk bie 

                              Dhe e çmon jetën tënde të kotë,

                              më tepër se nderin e tëndit Atdhe. 

                              Për Zotin e Hungarezëve betohemi,

                              betohemi solemnisht, 

                              që kurrë më s’do jemi skllevër!

Petőfi dhe Vasa i shprehin me zjarr zemre popujve të tyre se për të dalë nga Errësira në Dritë dhe nga Skllavëria në Liri duhet luftuar pasi ajo çka është më e shenjtë nuk mund të dhurohet por duhet të fitohet pavarsisht çdo lloj sakrifice! Siç kujton dhe Horaci: “Dulce et decorum est pro patria mori.” Petőfi e jep në mënyrë brilante këtë qëndrim; sesi të këputet Zinxhiri i Mentalitetit të Skllavit me Shpatën e Lirisë:

                                    Fényesebb a láncnál a kard,

                                    Jobban ékesíti a kart,

                                    És mi mégis láncot hordtunk!

                                    Ide veled, régi kardunk!

                                    A magyarok istenére

                                    Esküszünk,

                                    Esküszünk, hogy rabok tovább

                                    Nem leszünk!

                                    Shpata shkëlqen më fortë se zinxhiri

                                    dhe e zbukuron më tepër krahun,

                                    ndërsa ne i mbajmë ende zinxhirët…

                                    Kthehu tani, shpata jonë e vjetër!

                                    Për Zotin e Hungarezëve betohemi,

                                    betohemi solemnisht, 

                                    që kurrë më s’do jemi skllevër!

Për këtë ndjenjë të shenjtë që është Liria dhe sakrificën më të lartë sublime në emër të Mëmëdheut thërret me Frymë të Gjallë për të zgjuar “Frymët e Fjetura” edhe Vasa ynë:

                                  Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,

                                  Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,

                                  Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë

                                  Kush mos na e preki, se desim t’tanë

                                  Të desim si burrat që vdiqnë motit

                                  Edhe mos marrohna përpara zotit.

Këtë “turp përpara Zotit nëse nuk luftojmë për Lirinë” tek Vasa e gjejmë edhe në strofën e parafundit të “Nemzeti Dal” të Petőfi. Skllavëria, nën zinxhirët e Pushtuesit për të dy poetët është një turp kombëtar:

                                   A magyar név megint szép lesz,

                                  Méltó régi nagy hiréhez;

                                 Mit rákentek a századok,

                                Lemossuk a gyalázatot!

                               A magyarok istenére

                              Esküszünk,

                             Esküszünk, hogy rabok tovább

                            Nem leszünk!

                            Emri Magjar do të ringrihet prapë,

                            I denjë për nderim dhe virtyt;

                            Atë mbi të cilin shekujt hodhën baltë,

                            Ne do ta lajmë këtë turp!

                            Për Zotin e Hungarezëve betohemi,

                            betohemi solemnisht, 

                            që kurrë më s’do jemi skllevër!

Si përfundim mund të themi që si Pashko Vasa po ashtu edhe Sándor Petőfi përmes poezive në fjalë jo vetëm që shërbyen si farkëtues të Mëndjes dhe mobilizues të Frymës Kombëtare por gjithashtu këto poezi u bënë edhe lejtmotiv i 2 Lëvizjeve Nacionaliste për Pavarësi; Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe Revolucionit Hungarez të 1848-49.Ndërsa bashkëkombasi dhe bashkëkohësi i tij, pianisti i madh hungarez Franz Liszt do ta nderonte siç duhet duke i ngritur një monument muzikor jetës dhe veprës së Petőfi përmes “Dem Andenken Petöfis, S.195”(1877) për Pashko Vasën nuk ka dalë ende nga gjiri i kombit të vet një kompozitor që ta përjetësoj në muzikë.

Ndoshta një ditë, ndoshta diku, ndoshta tani një thirrje për të Mirën… “dhe rrezet e Diellit do ta davarisin Errësirën.”    

Filed Under: ESSE Tagged With: Melsen Kafilaj

VATRA SI MEMORIE, ATDHEDASHURI DHE QËNDRESË HISTORIKE

March 21, 2022 by s p

10 mendime si do të doja ta shihja unë progesin e Vatrës në kohën tone.

Iris Halili

Kryetare e Deges Vatra Miami 

Pa asnjë mëdyshje  prej 110- vjetësh shqiptarët brënda dhe jashtë tokës së tyre nuk kanë mundur të krijojnë një institucion  të dytë që t’i afrohet Vatrës për nga vlerat memoriale që ka skalituar ndër vite. Vatra është dhe mbetet Vatra ! Ka qënë, është dhe do të jetë tempulli i përpjekjes  shqiptare në emigracion për t’ju gjendur sa më pranë bashkëkombasve në Shtetet e Bashkuara apo kudo në botë , ka qenë dhe është e para  në veprim për çështjet kombëtare apo në përcjellje  të mesazheve të paqes, tolerancës dhe demokracisë. Ka qenë dhe është mikpritëjsa e të gjithë lidereve shqiptarë sikur dhe përçuesja  e zërit të bashkëkombasve shqiptarë në nivelet  më të larta të dimplomacisë. Nuk ka institucion të dytë në rrethet shqiptare që kurrë se humbi as emrin, as identitetin dhe as misionin e saj që çdo shqiptar në SHBA të mos i harroj rrënjet ,ti dojë dhe vlerësojë ato, si dhe të dojë dhe respektojë vendin qe i mirepriti në çdo kohë -SHBA.  Vatra mbetet një institucion shqiptar sa shpirtëror aq dhe popullor. Vatra është vatra!

Në këto ditë celebrimi të 110 -vjetorit të Vatrës , si dhe në përfundim  të kuventin të saj unë po hedh  disa ide se si ky institucion i vyer , kjo vlerë kombëtare do të duhej t’i përshtatej sipas meje kohës që po jetojmë . 

  1. Së pari,  Vatra do të duhet t’i përshtatet botës së informimit në të cilin jetojmë. Sot ajo nuk se ka misionin vetëm të informoj, pasi aktualisht edhe mediat nuk e kanë më atë qëllim parësor ngaqë   social media mbetet informuesja më e shpejtë dhe e drejpërdrejtë . Sot misioni i Vatres është t’i qartësojë bashkëatdhetaret duke u përcjellë  mendimin e balancuar , të pjekur , intelektual dhe paqësor. 
  2. Sipas kanunores , misioni i Vatres nuk është të merret me politikë. Megjithatë  sikur thonte Noli: “politika është si mezeja ,, hyn në do tavoline” , ndaj dhe Vatra sado të përpiqet  nuk mund ta shmag atë,  por e rëndësishme është që Vatra t’i shërbejë interesave të shqiptarëve dhe të mos druhet të thotë fjalën e saj qartazi kur kupton se keto interesa po shkelen apo keqpërdoren nga palët. Vatra nuk ka pse hyn në debatin politik të ditës , por gjithmonë të jetë e ekuiliburar dhe të mos hesht para së vertëtës duke patur vetëm një interes: bashkimin e shqiptarëve dhe mos lejimin e përçarjes së tyre. 
  3. Sot Shqiptaret e shpërndarë anembanë globit më shumë se kurrë kanë nevojë të duan njeri – tjetrin dhe të mos harrojnë rrënjët. Është fatkeqesi që në qytetet kryesore të SHBA ku ka edhe mbi 100 mijë Shqiptarë ende nuk ka një skedar organizimësh,  që do t’i mblidhte shqiptarët pranë  njëri -tjetrit përtej koncerteve apo mbrëmjeve gala!! Ne duhet të jemi më krijues në organizimet për komunitetin tone. 
  4. Unë mendoj gjithashtu se Vatra duhet të institucionalizoj suportin  që duhet të ketë  emigranti shqiptar që vjen me banim në SHBA . Çdo emigrant duhet të ndihmohet nga bashkëkombasit me banim në SHBA dhe Vatra duhet të marr rolin e ndërmjetësit në këtë mision integrimi të emigrantëve të rinj.
  5. Degët duhet të bënen me aktive në publikimin e  ngjarjeve apo historive të shqiptare në Shtetet apo qytetet përkatëse . Këto  të trajohen nga vetë degët dhe të botohen në Gazetën Dielli në një apo gjysëm faqe , ku seicila degë gjen  hapësirë sipas anëtarësimit që ka . Po këtu të bëhen edhe njoftimet  për emigrantet e rinj që janë vendosur ne shtetin/qytetin përkatës si dhe të njoftohen  bashkëkombasit për ndihmën që mund të japin në mënyrë  që emigrant i ri  të ndihet sa më i mirëpritur. 
  6. Vatra duhet t’ i  mbledhë rreth vetes të gjithë Shqiptarët pasi ajo është shtëpia e përbashkët e të gjitheve , por mbi të gjitha duhet të synojë të afrojë  brezin e dytë të emigrantëve, të rinjtë që kanë lindur në SHBA apo edhe atyre që kanë ardhur këtu shumë të vegjël. 
  7. Vatra me patjeter duhet të gjejë të gjitha mjetet dhe mundësitë për të hapur shkolla Shqipe në të gjitha kryeqendrat e SHBA ku ka emigrantë shqiptarë dhe në asnjë rrethanë të mos jap skolarshipe nëse kandidati nuk di gjuhën e nënës – të shkruar , të folur dhe të lexuar . Kjo duhet të jete e vendosur qartazi në rregulloren e skolarshipeve, pasi është fatkeqësi e madhe që emigrantët shqiptarë nuk u flasin apo mësojnë fëmijve të tyre gjuhën që na bën krenarë si komb e na bashkon të tanëve. 
  8. Është jo elegante që takimet apo tavolinas e Vatres nuk sheh asnjë  zonjë, apo sheh një apo dy. Personalisht  jam e kënaqur që me hapjen  e deges më të re të Vatrës në Miamit  nëntorin e kaluar,  75%  e anëtarëve janë zonja. Ky model duhet të shoqërojë çdo degë të Vatrës. Prania e zonjave në Vatër do të risë edhe më shumë numrin e anëtarësisë si dhe do ti jap këtij institucioni dimensionin e kohës që jetojmë.
  9.  Nëpërmjet gazetës Dielli, Vatra gjithashtu duhet t’i bëjë edhe më shumë  reklamë bizneseve Shqiptare në  SHBA, të promovojë suksesin e tyre dhe ti ofrojë ata të kontribojnë edhe më shumë në aktivitetet e Vatrës. 
  10. Komuniteti shqiptar duhet te afrohen ne Vatër duke ju propozuar projekte sa më ambicioze që do tu shërbenin planeve të tyrë të biznesit, profesionit, planeve intelektuale etj . Vatra duhet të jetë qëndra , shtëpia ku shqiptarët e SHBA-së jo vëtëm që kërkojnë zgjidhjen por edhe e gjejnë atë! 

Kështu do të doja ta shihja unë Vatrën në shekullin që jetojmë !

Në kohën tonë misioni i Vatrës nuk është vetëm të mbajë të ndezur frymën që krijuan etërit por edhe të kryejë ndryshime që nëse nuk kihen në përparësi do e bëjnë këtë institucion  të mbetet me tëpër një mision  simbolik sesa një ndërmarrje aktive. Dhe asnjë nga ne nuk e duam këtë. Ne duam që Vatra të jetojë përjetësisht bashkë me veprën e të gjithë bashkëatdhetarëve  që i dhanë asaj emër për më shumë se një shekull. Dhë për këtë asnjëherë nuk duhet të harrojmë se kohët e reja kërkojnë të përshtatemi me ide të reja, që padyshim sjellin sfida të reja! 

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2345
  • 2346
  • 2347
  • 2348
  • 2349
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT