
Maxhid Cungu
Drejtor i Bibliotekës “Marin Barleti”, Shkodër/
Si pa u kuptuar, kaloi një vit pa Eduard Grishajn! Na rëndon e na trishton mungesa, na prek, na ngjall kujtime dhe emocione. Por krenohemi me personalitetin e tij, me veprën e tij, me trashëgiminë studimore, letrare dhe njerzore që ka lënë pas. Eduardi ishte një profesionist, qytetar dhe familjar shembullor. Ai u lind në qytetin e Shkodrës më 4 mars të vitit 1966. Si bir i një prej familjeve me kontribute për vendin e demokracinë, ai ishte ndër nismëtarët e parë të lëvizjeve për liri e demokraci në qytetin e Shkodrës. Eduardi u formua me dëshirën për historiografinë dhe shkencat shoqërore. Studimet e larta universitare për Gjuhë – Letërsi, Eduardi i kreu në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Në vitin 2009 ndoqi studime më të thelluara universitare për “Etnokulturë dhe Letërsi shqipe”, niveli Master Shkencor, po pranë këtij universiteti. Në vitin 2011 vijoi të ndjekë nivelin për Doktoraturë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, Tiranë. Si një historian i formuar dhe pasionant, ai dha një kontribut të çmuar në punën e tij si përgjegjës i fondit “Pipa” në Muzeun Historik Shkodër. Gjithashtu gjatë punës së tij në muzeun “Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës”, ai organizoi shume aktivitete shkencore në përkujtim të figurave dhe ngjarjeve të rëndësishme për Shkodrën e Shqipërinë. Si studiues botoi shkrime, punime e kumtesa mbi Migjenin, Gurakuqin, Arshi Pipën, Martin Camajn, Musine Kokalarin, etj., në periodikë, simpoziume e konferenca kombëtare e ndërkombëtare.
Përmendim kumtesën: “Arshi Pipa, nyjë lidhëse mes kulturës shqiptare dhe asaj botërore”, në përkujtim të 100 vjetorit të lindjes së Arshi Pipës, (revista Gegnia nr.11)
Kumtesën: “Humanistët Italo-Arbërorë”, i prof. Pipës, si kapitull integral i studimeve të tij historiografike mbi letërsinë dhe kulturën tonë ndër shekuj (Gegnia 4 – 2017)
Kumtesën me bashkëautorësi me Prof. Ermira Ymeraj: “Përpjekjet e prof. Arshi Pipës për të ndërkombëtarizuar poemën e De Radës “Këngët e Milosaos”, Prizren 2011;
Botimi me temën: “Andrra e Pretashit” dhe “Valë mbi valë”, si dy vepra mes historisë dhe letërsisë” në Java e Albanologjisë mbajtur në Insitutin Albanologjik, Albanologji 2, 2/2012, në bashkëautorësi me Prof. Ymeraj.
Në konferencën ndërkombëtare në përkujtim të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, (Michigan 2018) mbajti kumtesën: “Profili etnokulturor i portretit të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti -Skënderbeu në veprën Historia e Skënderbeut të Barletit. Burimet gojore si përcaktuese në ravijëzimin e këtij portreti.”
Si dramaturg, ka lënë 5 drama në dorëshkrim. Si prozator ka botuar tregime në periodikë të ndryshëm; të pabotuara dy romane, si dhe një vëllim me tregime e skica. Si poet ka disa cikle të botuara në periodikë të ndryshëm, i pabotuar një vëllim. Si përkthyes ka shqipëruar nga gjuha italiane romanin: “Shtëpia e bukurosheve të fjetura” të Kawabata Yasunari, shtëpia botuese “Kuvendi”, 1999: poezi e tregime të autorëve të ndryshëm botuar në periodikë. Nga frëngjishtja: “Çudia e narratorit dhe e narracionit romanesk” (titull redaksional) të Volfang Kajzer, Albania, (rubrika Kulturë), Viti 9, nr.57,58,59,60; si dhe poezi të autorëve të ndryshëm të botuara në periodikë.
Si historian pranë Muzeut Historik të Shkodrës qe përgjegjës i fondit të bibliotekës personale të Arshi Pipës, dhuruar muzeut nga vetë familja Pipa; organizator dhe kurator i një sërë aktivitetesh shkencore, ekspozitash, takimesh e konferencash kombëtare e ndërkombëtare, ku ka mbajtur kumtesa të ndryshme me stilin e tij shumë argumentues mbi figura të shquara, si: Skënderbeu, Migjeni, Arshi Pipa, Martin Camaj, Anton Harapi, Luigj Gurakuqi, Musine Kokalari; të botuara në shtypin shqiptar e atë të huaj.
Monografia “Gjakmarrja në prozen shqiptare” qe po prezantohet sot, është një sinteze e pjekurisë së intelektuale të Eduardit, ku ai në mënyrë shume origjinale bën një analizë ndikimit në letersi këtij fenomeni të dhimbshëm të trashëgimise shqiptare me të cilën sic shprehet autori “..letërsia shqipe u përpoq të kapte ritmin e letërsisë botërore..”
Është një detyrë e institucioneve kulturore-shkencore të qytetit tonë që këtë trashëgimi të pasur që autori fatkeqësisht nuk pati mundësi ta shohë të botuar, të kontribojnë për mbledhjen me kujdes dhe ta botojnë në të ardhmen si një dëshmi të vlerave autentike, të studiuesit Eduard Grishaj.
I paharruar qoftë kujtimi i tij!
Ju faleminderit,
Maxhid Cungu
Drejtor i Bibliotekës “Marin Barleti”, Shkodër
Shkodër, me 19.03.2022