• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUSH DHE SI PO MPOSHTET USHTRIA RUSE?

March 17, 2022 by s p

Dritan Demiraj, Ph.D. Ish Komandant i Forcave Speciale 2007-2013.

Ndërkohë që ndodhemi në ditën e 22-të të konfliktit Rusi-Ukrainë, situata në të dy kampet vazhdon e përkeqësohet edhe më shumë. Deri në ditën e sotme, humbjet në pajisje luftarake dhe efektivë të Rusisë janë më të mëdha se ato të dy luftërave së bashku kundër Çeçenisë (1994-1996, 1999-2006).Pavarësisht krimeve të shumta të kryera nga ushtria e Rusisë dhe forcat e saj ushtarake, ajrore, njësitë tankiste, të blinduara, mekanizuara, artileria e rëndë dhe sulmet me raketa kundër spitaleve, shkollave, banesave të qytetarëve, qëndrave të biznesit, industrisë ushtarake të Ukrainës, institucioneve qeveritare dhe jo vetëm në qytetet Mariupol, Odesa, Kherson, Donetsk, Kharkiv, Lviv dhe Kiev, ajo që bie më shumë në sy është se çdo ditë e më shumë ushtria Ruse po shfaq paaftësinë e saj për të përbushur objektivat taktike dhe operative të saj.Kjo duket në paaftësinë e skajshme të taktikave të njësive të saj ushtarake për të avancuar në marrjen e kontrollit të qëndrave të qyteteve, të cilat edhe pse kanë përdorur të gjithë arsenalin e armëve, nuk kanë qënë në gjendje që të sigurojnë kontrollin por vetëm shkatërrimin e tyre.Miratimi i një ndihme shtesë të asistencës ushtarake nga Kongresi Amerikan ditën e djeshme me më shumë se 800 milionë dollarë (2 miliardë në total), e cila do të konsistojë kryesisht me mjetet më të sofistikuara të luftës kundërtanke, kundërajrore, të pajisjeve të inteligjencës dhe dronëve me raketa Switchblades, padyshim që do të rrisë edhe më shumë kapacitet operacionale të ushtrisë së Ukrainës, njësive të rezistencës popullore në rrugët e lagjet e vendit dhe rrjedhimisht edhe humbjet e ushtrisë Ruse.Kjo e ka tërbuar Vladimir Putinin, i cili me qëllim që të ruajë fytyrën e tij përpara botës ka filluar të ‘përdorë’ ministrin e tij të jashtën Lavrov për të filluar negociatat me qëllim gjetjen e një “exit strategjie” për të dalë nga ky mankth.Kjo krahas shumë indikacioneve të tjera, u pa qartë në kërkesën e tij ditën e djeshme, kur Ukraina refuzoi propozimin e Lavrovit për të vazhduar bisedimet për paqen që Ukraina të bëhet një vend neutral si Suedia dhe Austria. Këshilltari i presidentit Zelenski, Mykhaiho Podoliak deklaroi se: “Çdo marëveshje për paqen, duhet bërë sipas termave të Ukrainës”.Ky presion sa vjen dhe shtohet, ndërkohë që sanksionet e perëndimit e kanë dërmuar rëndë ekonominë e Putinit, ndërkohë që në rast se ky konflikt vazhdon me këtë intensitet deri në fund të muajit prill, rezervat e ushtrisë ruse në mjete, pajisje, armatim dhe trupa luftimi do mbarojnë dhe humbja e Rusisë është e pashmangshme.Kjo shfaqet qartë edhe nga urdhëri i fundit për mobilizimin e ushtarëve të shërbimit të detyrueshëm, të cilët pas një stërvitje një mujore do të dërgohen me mision që të vriten në Ukrainë.Në këtë moment, Putini i ka drejtuar sytë nga Kina dhe presidenti Xi Jinping, të cilit siç e kam theksuar në të dy rastet, i ka ‘marrë leje’ për pushtimin e Krimesë (mars 2014) dhe në datën 24 shkurt 2022 për pushtimin e Ukrainës.Nëse kthehemi dhe analizojnë marëdhëniet midis dy vendeve, një nga fushat kryesore të bashkëpunimit është edhe fusha ushtarake. Në këtë këndvështrim, Kina 77 % të importit të armëve e blen nga Rusia, ndërkohë Rusia 18 % të sasisë së përgjithshme të eksporteve ushtarake të saj i realizon me Kinën.Por tani situata ka ndryshuar.Sipas informacioneve të sigurta, Rusia për shkak të pamundësisë së vazhdimit me të njëjtin intensitet të ofensivës ushtarake, ka bërë kërkesë që Kina ta mbështesë me mjetet e mëposhtme ushtarake:Dronë ushtarakë sulmi, pajisje inteligjence të avancuara, automjete të blinduara pasi i janë shkatërruar më shumë se 1100 të tilla, automjete për mbështetje logjistike, raketa tokë-ajër madje edhe paketa ushqimore të gatshme (imagjinoni nuk ka as mundësi për të ushqyer ushtarët në luftë).Por Kina e ka të qartë se në rast se e ndihmon Rusinë me asistencë ushtarake, do të përballet me sanksione të fuqishme ekonomike. Për këtë qëllim, këshilltari i sigurisë kombëtare të Presidentit Biden, Jake Sullivan deklaroi dje se: “Ne nuk do të lejojmë asnjë vend në botë që të ndihmojë ekonomikisht ose në anashkalimin e sanksioneve ekonomike që janë vendosur ndaj Rusisë”.

POR LIND PYETJA SE KUSH JANË FORCAT KRYESORE TË CILAT PO E SHKATËRROJNË ÇDO DITË FORT USHTRINË RUSE?

Padyshim në këtë sukses të pamenduar nga askush më parë, një meritë të madhe kanë forcat e operacioneve speciale ukrainase, të cilat po shfaqen si komponenti më kryesor dhe i suksesshëm i strategjisë ushtarake të kundërshtimit të qeverisë së Kievit.Misioni i tyre vazhdon çdo ditë dhe natë, në çdo rajon duke dëmtuar rëndë ecurinë e operacioneve luftarake ruse, duke rritur ndjeshëm kostot njerëzore dhe materiale, duke ulur në tokë moralin e ushtarëve të paushqyer dhe pastërvitur rusë, përmes një kombinimi ekselent të përdorimit të armëve moderne, taktikave efikase guerrile, kundërsulmeve të shpejta, luftës kundër-tanke, luftës kundër-ajrore, operacioneve të zbulimit special, goditjeve në thellësi të prapavijave të armikut si bazat ajrore, logjistikës, komandim-kontrollit, mbrojtjes së lëvizshme, stërvitjes dhe drejtimit në luftim të grupeve të rezistencës në të gjithë vendin.Forcat speciale të Ukrainës u rikrijuan pas pushtimit të Krimesë në vitin 2014 me mision luftën kundër operacioneve klandestine, njësive speciale, njësive të parregullta separatiste dhe për tu përballur me sukses me kërcënimet e vazhdueshme hibride të njësive të GRU-së nr-26165 dhe njësisë ushtarake nr-74455.Njësitë e forcave speciale të Ukrainës i ofrojnë mbrojtjes së vendit aftësi të veçanta, të cilat synojnë të kapërcejnë boshllëqet kritike në fushat kryesore ushtarake, ndërkohë që njësitë e këmbësorisë vazhdojnë operacionet në vijën e frontit me pajisje të rënda dhe artileri. Por ndërkohë që numri dhe intensiteti i ushtrisë ruse javën e fundit është rritur, kjo nënkupton se edhe forcat speciale do të përfshihen më shumë në luftime me intesitet të lartë konvencional, kundër një kundërshtari të armatosur rëndë që nuk zbaton asnjë rregull angazhimi.Arsyet e suksesit të tyre qëndrojnë jo vetëm në aftësitë superiore të taktikave të përdorura në krahasim me shumicën e trupave ruse, por edhe në pajisjet, armatimin modern dhe aftësitë për të operuar me sukses natën kundër taktikave të dobëta të ushtrisë ruse, e cila ka shfaqur mungesë të theksuar të koordinimit të taktikave të njësive të vogla, luftimit në qëndrat e banuara, operacionet e patrullimit dhe paaftësisë për të përdorur manovrën me zjarr.Ata kanë zmbrapsur me sukses të plotë forcat e mekanizuara dhe blinduara ruse në periferi të Kievit, në qytetet Bucha, Irpin dhe Hostomel kanë mohuar avantazhin e përdorimit të ajrit për mbështetjen e autokolonave nga ajri, duke u shkaktuar humbje të mëdha forcave ajrore dhe të blinduara ruse. Në rajonet e tjera ata janë angazhuar në luftë të parregullt dhe në operacione në prapavijat e armikut për të sulmuar kolonat e mbështetjes logjistike dhe postë rojet në aeroportin ‘Chornobaivka’ në afërsi të qytetit të pushtuar të Khersonit.

POR SI U ARRIT KY SUKSES?

Vendimi i qeverisë së Ukrainës për të krijuar një Komandë të Operacioneve Speciale (SOCOM) si një komandë e veçantë erdhi në fund të vitit 2015, pas dështimeve të njëpasnjëshme ushtarake në rajonin juglindor të Donbasit, ku separatistët e mbështetur nga Rusia shfrytëzuan mungesën e kapaciteteve ushtarake të ushtrisë së Ukrainës.Kjo përvojë e dhimbshme dhe kërcënimi i vazhdueshëm rus në rritje, e detyruan udhëheqjen politike në Kiev të fillonte ristrukturimin e forcave të armatosura. Rritja e buxhetit të mbrojtjes të Ukrainës midis viteve 2015-2020 ishte 100 %, e cila shkoi nga 2.96 miliardë dollarë në rreth 6 miliardë dollarë (rreth 4,1 % të GDP-së).Komanda e Operacioneve Speciale të Ukrainës, e cila ka në organikë rreth 2.000 operatorë të ndarë në shtatë regjimente të operacioneve speciale, ka qënë një nga investimet më të suksesshme së bashku me shërbimin kryesor të inteligjencës SBU. Ata kanë marrë mbështetje të madhe nga agjensitë perëndimore. Në këtë këndvështrim, programet e fshehta të stërvitjes së tyre nën drejtimin e SHBA-ve rritën ndjeshëm kapacitetet dhe cilësinë e tyre.Për një kohë të shkurtër, ky bashkëpunim përmirësoi shumë ndërveprueshmërinë dhe aftësitë e tyre, duke bërë që në vitin 2019, komanda e 140-të e forcave speciale të ishte njësia e parë jo NATO që mori certifikatën e Forcave Speciale të NATO-s.Ky nivel, mundësoi që efektivët e saj të kishin akses të privilegjuar në pajisjet moderne, përfshirë këtu dylbi të avancuara nate, termale, pajisje moderne të inteligjencës, pajisjeve të sigurta të komunikimit, armatimit modern, etj.

Dritan Demiraj, Ph.D. Ish Komandant i Forcave Speciale 2007-2013.

Filed Under: Opinion

Mërgata, pjesë integrale e fuqishme e planit të Qeverisë së Kosovës

March 17, 2022 by s p

-Kryeministri Kurti priti në takim z.Arianit Shehu, ligjërues dhe ekspert ndërkombëtar/

PRISHTINË, 16 Mars 2022-Gazeta DIELLI/


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim z.Arianit Shehu, ligjërues dhe ekspert me përvojë të gjatë ndërkombëtare në projekte për forcimin e demokracisë, shoqërisë civile, parlamentit, zgjedhjeve dhe avokimit me bazë qytetare.

Kryeministri tha se mërgata është pjesë integrale e fuqishme e planit të Qeverisë për zhvillim të qëndrueshëm, duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm që ka mërgata për Republikën e Kosovës.

U bisedua për nismat e Qeverisë për të angazhuar mërgatën, dhe fokusimin në krijimin e programit nacional, që në bazë ka transferin e dijes dhe përvojës nga bashkatdhetarët në Kosovë.


Për kontributin e tij, si drejtor i lartë i Institutit Demokratik Kombëtar (NDI) për Lindje të Mesme dhe Afrikë Veriore, z.Shehu është shpërblyer me çmimin e nderit nga Kryeministri i Jordanisë, Omar Razzaz, me Medaljen e Nderit nga Armata Jordaneze dhe Mirënjohjen e Paqes nga Selia e Shenjtë.

Filed Under: Ekonomi

Ambasadori i Pushtetit të butë dhe Amerika mike e shqiptarëve

March 17, 2022 by s p

Marjana Bulku/

Mal Berisha, një ambasador që punon shumë , takon miq , të zakonshem, te jashtzakonshem , hulumton historinë tonë nëpër anale alternative, bën kërkime mbi amerikanë që e deshën Shqipërinë në kohën kur ajo ishte në vetizolim dhe të gjitha këto i dokumenton dhe publikon në mënyrë dinjitoze si një trashëgimni historike dhe kulturore për brezat. Libri “Ambasador i pushtetit të butë “ vjen në Vatër pas një serie promovimesh;në Tiranë , Durrës , Korçë, tregues ky i rëndësisë dhe efekteve ndikuese që kjo vepër ka në mjediset akademike, mediatike dhe pa dyshim edhe në ato diplomatike.Pushteti i butë ambasadorial në kushtet e një realiteti kërcënues plot konflikte ndërkombëtare, kriza, pragluftë, e bën edhe më të domosdoshme këtë lloj diplomacie të butë pasi siç pohojnë manualet e shkencave politike fuqia e përqëndruar në vlera dhe parime është ajo që prodhon nder e normalitet dhe jo frikë e terror siç ndodh kur fuqia shtyp dhe kërcënon liri.Ky libër përcjell mjaft mesazhe qytetarie në një botë të trazuar ku çdo individ pavarësisht detyrave që ushtron mundet të jetë patriot që e do kombin, respekton bashkëkombasin dhe mbi të gjitha historinë e tij me çdo të vërtetë të bukur apo të hidhur .Autori na mëson se çdokush mundet të jetë “ambasador” i vendit të tij pavarësisht territoreve ku jeton apo funksioneve që ushtron .Dhe kjo vërtetohet më së miri në tri momente kyçe që autori i sjell përmes detajeve në këtë libër;1.Në Amerikën mike për çeshtjet e Kosovës ku analizohet -roli i i senatorit Robert Dole në vitet 1998-2000-roli i Ligës qytetare Shqiptaro-amerikane në mbrojtje të çeshtjes së Kosovês- bashkëpunimi me DioGuardin.2.Kujtime nga baza Fort Dix dhe misionet humanitare amerikane që mirpritën dhe strehuan qindra kosovarë të dhunuar nga lufta dhe genocidi serb .3.Roli i Vatrës dhe Diellit në dobi të çeshtjes kombëtare e parë kjo nga katër të huaj ;1.Wilson teksa i thoshte Nolit “ Unë do të kem një zë në Konferencën e Paqes she ai zë do të jetë vetëm për Shqipërinë “.2. Charls Telford Erickson mik i madh i Vatrës, misionar i palodhur çeshtjes shqiptare.3. Edit Durham dhe veprimtaria e saj unike kushtuar Shqoërisë.4.Aubrey Herbert i palodhur në bindjen e opinionit publik mbi drejtësinë e kërkesave të shqiptarëve Mbi rëndësinë e Vatrës dhe veprimtarinë e saj është shprehur një ndër armiqtë tanë Eleftherios Venizellos kur thotë:”ishte Vatra ajo që na e hoqi nga dora Vorio Epirin” .Aksioma se “ asgjë nuk duhet ti shpëtojë syrit dhe veshit të një diplomati “ ka gjithashtu vlera universale përderisa jetojmë në kohët kur e vërteta dhe mashtrimi bashkëjetojnë me ne realiteti nuk duhet të na rrëshqasë nga duart.Përmes kujtesës dhe detajeve pëshkruese autori ruan , akumulon dhe ndërton histori mbi akte dhe veprimtari që i shërbejnë kujtesës individuale por edhe asaj kolektive. Protagonistët e veprave të Mal Berishës janë shqiptarë që e duan Shqipërinë, ashtu siç në fakt janë të gjithë protagonistët e veprave të tij.. A nuk ishte i tillë Charls Telford Erickson, amerikani që sakrifikoi aq shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët?!Po Herman Bernstein diplomati multifunksional që i dha emër dhe zë Shqipërisë së viteve 30 ?!A nuk nxit dhe frymëzon dashuri për vendin dhe historinë tonë “ Shqiptarët lisa mbi truallin ilir?!Sepse ka një fakt madhor që nuk i shpëton dot syrit dhe veshit të lexuesit , është patriotizmi që përshkron në çdo faqe veprat e Berishës andaj thirrma “ proud to be albanian “ nuk është rastësore por esenciale në çdo shkrim dhe publikim të tij .Me një larmi faktesh historike dhe përjetimesh, aktesh dhe nderimesh për to ,ky libêr lartëson kontributet individuale dhe kolektive , ato që përbëjnë historinë tonë të re e cila nuk duhet neglizhuar në asnjë stad të saj.E parë nga të huajt, e përjetuar apo treguar, e studjuar apo përmes reflektimesh , ajo duhet shkruar dhe trashëguar , dhe kjo qasje perceptohet në çdo vepër të autorit Mal Berisha , që nga “Shqiptarêt lisa mbi truallin ilir” , tek “Realitete Shqiptaro-Britanike” ,apo “ Jeta e jashtzakonshme e Charls Telford Ericksonit” pohojmë se krijimtaria e diplomatit Berisha është një udhërrêfyes për brezat për të njohur historinë, emrat që i dhanë jetë asaj në ditë kritike e duke nxitur qytetari aktive me çdo shqisë , veprim dhe mendim. Dhe po e tillë është edhe për ne si vatranë kjo vepër dhe të tjerat fakte e histori plot.Henry Wadsworth Longfellow te Psalmi i jetës na mëson ;Njerëzit e mëdhenj na kujtojnëSe jetën mund ta bëjmë sublimeDhe, duke ecur, të lëmë pas,Gjurmët në rërën e kohës. Falemnderit Ambasador që dhuron vepra të tilla kujtese e kujdesi për ne dhe brezat e ardhshëm.

Filed Under: ESSE

VATRA RUAJTI SHPIRTIN E VEPRIMTARISË ATDHETARE SHEKULLORE

March 17, 2022 by s p

Dr. Xhemail Çupi*

Mirëmbrëma të gjithëve! Zonja dhe zotërinj! Vërtetë, ndjehem i nderuar dhe i privilegjuar të gjendem në mësim tuaj. Në diskutimin e lirë që kishim me Sokolin, që është editor në Diell te “Vatra” por gjithashtu edhe me anëtarin tuaj Ibrahim Kolari se cili është momenti më i duhur për ta takuar “Vatrën” dhe anëtarët e saj, mu ofruan disa opsione dhe njëri prej tyre ishte edhe opsioni që këtë javë mbahet promovimi i një libri të shquar diplomatik, andaj duke qenë edhe studiues i diplomacisë ishte vërtetë një kënaqësi e madhe ti dëgjojë këto fjalë të bukura. Të them të vërtetën librin nuk e kam lexuar por nga ajo që u shprehën edhe parafolësit na dha një inspirim për ta kuptuar realisht botën diplomatike sepse në shikim të parë duke se diplomati i ka të gjitha privilegjet por në të vërtetë ai është personi i parë që ballafaqohet ndonjëherë me të vërtetën e hidhur të politikës. Duke qenë se presidenti i “Vatrës” z. Elmi Berisha nuk është prezent, e shfrytëzoj rastin përmes jush dhe këtij rasti ta përshëndes dhe ti uroj sukses në mandatin e tij. Me këtë rast dëshiroj ta nis fjalimin tim që e kam të shkruar: I nderuar President nderi i Federatës Pan-shqiptare të Amerikës “VATRA”, z. Rexha. Të nderuar anëtarë të bordit, aktivistë dhe pjesëmarrës në këtë eveniment promovues të veprimtarisë boutese, njëherit edheshkaktarë i këtij takimi vërtetë frytdhënës, të autorit të veprës “Ambasador i pushtetit të butë” z. Mal Berisha. Kam kënaqësinë dhe privilegjin që të jem në mesin tuaj dhe të ndjej nga afër shpirtin e veprimtarisë atdhetare shekullore të federatës suaj patriotike, duke kujtuar dëshirën unifikuese mbarëshqiptare të themeluesve të parë të federatës“Vatra”, me theks të veçantë Fan Nolin dhe Faik Konicën, figura këto, të ndritura dhe madhështore të kombit tonë dhe përfaqësues politik e diplomatik dinjitozë dhe reprezentativë të popullit fisnik shqiptarë,të dalluar në botë dhe veçanërisht në SHBA, për nga forca dhe gjerësia e mendimeve, për nga vështrimi vizionar i ngjarjeve politike, për nga polivalenca krijuese, e shumë karakteristika të tjera motivuese dhe inspiruese për brezat e rinj në këtë hemisferë tej-oqeanike. Gjithashtu kjo më bën të kujtojë edhe angazhimin dhe sakrificën e pa diskutueshme të gjithë udhëheqësve dhe aktivistëve që punuan për lobimin sa më të mirë të çështjes shqiptarëve në Amerikë. Njashtu si aktiviteti i juaj i dëshmuar, secili nga ne, qofshim persona me autorizime zyrtare, qofshim akademikë apo shkencëtarë, mjekë apo inxhinierë, afaristë apo punëtorë të thjeshtë, me mjetet në dispozicion dhe me format adekuate,e kemi amanet prej Zotit dhe prej të parëve tanëtë punojë në ruajtjen e vlerave njerëzore, në kultivimin e traditave dhe gjuhës tonë, në zhvillimin ekonomik të vendit tonë, në avancimin e çështjes shqiptare, etj. gjithmonë duke u mbështetur në parimet e vlerave demokratike dhe civilizuese dhe duke u kujdesur që mos cenojë të drejtat e tjerëve. Sot, më duhet të them se përballemi me një situatë tejet alarmante të “ikjes së trurit”, ku të rinjtë shkollohen, specializohen dhe edukohen në vendet e tyre por frutat e tyre i gëzon vendi i huaj, andaj siç është e bashkuar mërgata shqiptare që vjen prej Kosove, Shqipërie, Maqedonie të Veriut, etj. po aq të unifikuar duhet të jenë edhe tre shtetet reprezentative dhe me këtë rast theksi vendoset te aspekti ligjor dhe normativ, gjegjësisht te unifikimi i programeve studimore, kurikulave, abetares së unifikuar, e shumë projekteve të tjera që duhet të jenë të përbashkëta.Ndërtimi i partneritetit ndërmjet qeverive dhe diasporës është një proces afatgjatë i cili ka shanse më të mëdha për sukses nëse bazohet në komunikim të mirë dhe besim të përbashkët, respektivisht në bindjen e të gjithë palëve të përfshira se përfitojnë një vlerë të barabartë nga bashkëpunimi i vendosur.Në këtë rast, duke ju dëshiruar sukses në mandatin e ri, ju përgëzoj për programin ambicioz, sidomos në pjesën e bashkëpunimeve me qeveritëe Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në funksion të bashkërendimit, bashkëpunimit dhe koordinimit të përbashkët për avancimin e gjithmbarshëm në rrafshin politik, ekonomik, arsimor e kulturor të gjithë kombit tonë.Këtu dua të theksoj vetëm disa pika të strategjisë dhe programit tim si Ministër përgjegjës për diasporë, sidomos në rrafshin edukativ dhe arsimor, që harmonizohen me programin tuaj, mes tyre: Rritja e kampanjës edukative për familjet në diasporë me qëllim ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore; përfshirja më e madhe e të rinjve nga diaspora në shkollat verore/dimërore (kampet) të gjuhës amtare në vendin e origjinës dhe pasurimi i tyre i mëtutjeshëm me programe edukative-kulturore; Hapja e qendrave gjuhësore në diasporë dhe sponsorimi i veprimtari botuese në bashkautorësi mes qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe atyre që jetojnë në diasporë, shfrytëzimi i galerive të qendrave kulturore të diasporës për aktivitete kulturore, e kështu me radhë. Në fund, duke ju dëshiruar suksese të vazhdueshme të aktiviteteve tuajapatriotike, jam i gatshëmpër bashkëpunime frytdhënëse, në të mirë kolektive dhe në avancim të çështjes shqiptare. *Ministri i Diaspores se Maqedonise se Veriut, fjale pershendetese ne Vater.

Filed Under: Politike

Ja si Sigurimi i Shtetit filtronte dokumentet postare brenda dhe jashtë vendit

March 17, 2022 by s p

Të larguarit e ambasadave, korrespondencë me familjarët

Shkruan: Eneida Jaçaj/

‘Era e ndryshimit’, sapo kishte nisur! Ishte viti kur shqiptarët gjetën forcën dhe guximin për të dalë nga errësira e një sistemi komunist gjakatar, që e la vendin të prapambetur ekonomikisht dhe me një mendësi të kalbur kundër së resë e zhvillimit. Varfëria, vuajtjet, torturat e shpirtit kishin arritur deri në atë pikë saqë populli shqiptar u ngrit në këmbë për të shpartalluar atë sistem mizor, duke u drejtuar drejt Perëndimit, për një Shqipëri të zhvilluar europiane dhe me mentalitet të lirë dhe demokratik. Viti 1990 ishte viti i përpëlitjeve të fundit të kultit të individit dhe regjimit vrastar, më të egër që përjetoi Europa Juglindore. Kryengritjet e shqiptarëve do të hapnin një faqe të re për Shqipërinë, e cila do të quhej ‘Porta e Lirisë’. Ngjarja e 2 korrikut 1990, e quajtur si eskodi i shqiptarëve, të cilët u dyndën drejt dyerve të ambasadave të huaja, ishte goditja e parë që iu dha komunizmit në Shqipëri. Përtej kangjellave të ambasadave, shqiptarët ndjenin lirinë; lirinë e fjalës, të mendimit, atë fizike, frymën e re të zhvillimit dhe demokracinë. Kjo ngjarje e trembi shumë kupolën e lartë drejtuese, e cila u orvat me çdo kusht për të përndjekur dhe mbajtur nën vëzhgim të gjithë ata mijëra shqiptarë që u larguan drejt botës së lirisë. Pavarësisht se Shqipëria nuk kishte asnjë marrëdhënie me vendet e tjera të Europës Lindore, erës së ndryshimit nuk do t’i shpëtonte kurrsesi as vendi ynë. Ambasadat e huaja i mbështetën shqiptarët, pasi u jepnin plotësisht të drejtë për të rrëzuar regjimin. Ish-ambasadori gjerman, Werner Daum, në një intervistë ka thënë se, i urdhëroi asokohe punonjësit që të linin dritat ndezur dhe dyert e ambasadës hapur, atje ku arritën të futeshin 3 mijë shqiptarë. Kjo ngjarje u pasua me Lëvizjen e Dhjetorit dhe më pas me rënien e bustit të Enver Hoxhës në 1991, duke shembur që nga themelet “vampirin gjakpirës” të popullit shqiptar, dhe duke hapur një faqe të re të historisë. Censurimi i dokumenteve postare Largimi i shqiptarëve drejt vendeve të tjera, vuri në lëvizje aparatin shtetëror komunist, kryesisht Sigurimin e Shtetit. Kupola drejtuese dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit nisën përndjekjet e shqiptarëve, si dhe arritën të filtronin të gjitha dokumentat apo shkresat postare të të larguarve, në korrespondencë me familjarët e tyre. Censura nuk ekzistonte zyrtarisht, pasi përbënte shkelje të të drejtave të njeriut sidomos në këtë rast, por hapja e letrave postare u mbajt sekret. Sipas një dokumenti të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që mban datën 27.7.1990, pra disa ditë pas eksodit të shqiptarëve, dërgohej një kopje e plotë e korrespondencës private 𝘯𝘦̈ Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit, ndërsa origjinali shkonte në destinacion. Kontrolli i brendshëm raportonte konkretisht se me dt. 27.07.1990 u kapën letra të personave të larguar në vende të ndryshme, si Gjermani, Francë, Turqi, Hungari, etj që ua dërgonin familjarëve të tyre në qytete të ndryshme të vendit, p.sh. Tiranë, Elbasan, Durrës, Shkodër, Mirditë, Berat, Krujë, etj.Korrespondenca me familjarët Futja e shqiptarëve nëpër ambasada, ka qenë një shok i rëndë psikologjik për familjarët që lanë pas. Korrespondencat postare ishin e vetmja mënyrë e mbetur për familjarët e të larguarve, për t’u informuar mbi gjendjen e tyre. Por censura e regjimit arriti të kontrollojë edhe dokumentat postare, megjithëse regjimi ishte në prag të fundit të tij. Në informacionin e kontrollit të brendshëm thuhet se të larguarit informojnë familjarët për strehimin e tyre dhe flasin për një botë tjetër, larg asaj të Shqipërisë, në kushte të këqija ekonomike dhe me censurë në mendim dhe fjalë. Ata u premtojnë familjarëve se do të dërgojnë të ardhura sapo të stabiliziohen në një punë. “Në datën 25 dhe 26.7.1990 mbërritën në vendin tonë 850 letra të dërguar nga persona të larguar, nga të cilët 638 u përkasin personave të larguar në Hungari; 179 në Francë; 13 nga Zvicra; 10 nga Greqia; 6 nga Turqia; dhe 4 nga Hungaria. Personat në Gjermani janë të stabilizuar në 18 qytete, ata janë të shpërndarë në grupe nga 40 deri në 300 vetë pasi janë të strehuar në hotel, konvikte, spitale, kapanone e deri në anije. Një pjesë e konsiderueshme u premtojnë familjarëve se do të kthehen së shpejti. U premtojnë familjarëve se pas 2-3 vjet punë do të kthehen, pasi siç shprehen nuk kanë ikur për qejf, por për të përmirësuar jetën e tyre dhe të familjeve në Shqipëri. Nga qendrat ku janë stabilizuar përkohësisht shkruajnë se trajtohen me ushqim dhe veshëmbathje falas dhe se u jepen nga 10-50 marka për nevojat e përditshme të tyre. Pretendojnë se me pagën që do të marrin pasi të stabilizohen në punë do të bëjnë një jetë të shkëlqyeshme për vete dhe do t’u dërgojnë edhe lidhjeve të tyre”, thuhet në informacionin e ministrisë të datës 27 korrik 1990. Ata flasin për një Shqipëri në errësirë të plotë, dhe shprehnin optimizmin se me marrjen e dokumentave dhe fillimit të punës, do të ndihmonin familjet e tyre, duke i nxjerrë nga mjerimi. “Përveç paraqitjes së shkëlqyer të kushteve, shkruajnë që deri më sot nuk kanë ditur se ç’është bota, se tani kanë lindur në të vërtetë, se paskan qenë në një errësirë të plotë, se këtu nuk të lënë të pish ujë, por vetëm birrë, pije freskuese. Siç shkruajnë ata, ky trajtim I shkëlqyeshëm u bëhet se konsiderohen emigrant politikë, ku për këtë do të pajisen me të gjitha komoditetet e një milioneri”, thuhet në dokument. Shumë shqiptarë sot që prej vitit 1990, punojnë dhe jetojnë jashtë vendit, dhe kanë luajtur një rol parësor ekonomik, pasi remitancat më të larta vinë nga puna e tyre në emigrim, duke mbajtur familjet e tyre.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2352
  • 2353
  • 2354
  • 2355
  • 2356
  • …
  • 2773
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT