• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ÇMIMI NOBEL SVJETLLANA ALEKSIEJEVIÇ; “PËRSE MBI 60 % E RUSËVE MBËSHTESIN PUTININ”

March 14, 2022 by s p

Nga FABRIZIO DRAGOSEI/

Svjetllana Aleksiejeviç jeton në Gjermani që kur i është dashur të lerë edhe një herë tjetër Bjellorusinë e saj, mbas shtypjes së manifestimeve demokratike të vitit 2020. Ishim dëgjuar në telefon kur ajo kishte paditur se dy burra të maskuar ishin orvatur të hynin në apartamentin e saj. Ambasadorët e Vëndeve të ndryshme shkuan në shtëpinë e saj deri sa nuk qe e shtrënguar të ikte. Lukashenko ishte shpëtuar nga Putini. “Të gjithë ishin arrestuar ose kishin ikur jashtë Shtetit”. Çmimi Nobel për letërsinë i marrë më 2015 nuk e mbronte më.

Njoftimet e këtyre orëve mbi ushtarët rusë të vdekur në Ukrainë e mbi trupat e tyre që fillojnë t’u kthehen nënave më solli ndër mënd “Djemtë e zinkut” tuajin, mbi shumë, tepër shumë të rënë në luftën e Afganistanit që dha ndihmesën e saj për shëmbjen e regjimit sovjetik me përfundimin e tij rrënues.

Po e kam menduar edhe un. Edhe mbi faktin që librat e mij ngulmojnë të mos bëhen histori. Që Rusia kthehet mbrapsht me hapat e saj, ecën duke u rrotulluar. Gjindemi në një pikë absolutisht të papritur të historisë. Askush prej nesh nuk mendonte se një gjë e këtij lloji mund të ishte e mundur.

Çfarë u thoshin të mbijetuarit e Afganistanit kur i pyesnit?

“Kujt i shërben libri i yt? Përse? Si mund të tregosh me të vërtetë si ishte? Gamilet e ngordhura dhe burrat e vdekur në të njëjtin pellg gjaku. Kush don t’a dijë?

Svjetllana është bijë e një babai bjellorus e një nëne ukrainase. Për të përzierja e Minskut është veçanërisht e dhimbëshme.

Shumë thonë se Putini është çmëndur, se ajo që po bën nuk është e arsyeshme.

“Është e lehtë të padisësh, do t’ishte një shpjegim i thjeshtë, por nuk e dijmë të vërtetën. Kam frikë se gjërat qëndrojnë ndryshe. Janë botuar të dhëna të tjera: më shumë se 60 % e rusëve do të mbështesnin Putinin dhe këtë luftë”.

Por a janë të dhëna të vërteta apo është propaganda e Kremlinit?

Nuk kemi hulumtime të tjera, por është e sigurtë që shumë njerëz e mbështesin dhe thonë se nuk dihet asgjë, se është e gjitha një grumbull gënjeshtrash, lajme të shpikura. Nuk mund të jetë ashtu nuk është reale. Por tani, mbasi kanë mbyllur radion Jehona e Moskës dhe tv Dozhd , praktikisht ka mbetur vetëm Novaja Gazeta. Askush në Rusi nuk do t’a dijë të vërtetën, do të jetë një Vënd i mbyllur.

Presidenti rus nuk është i vetmi për të ushqyer ndjenja “hakmarrjeje”?  

“Besoj se Putini respekton opinionin e rusëve mesatarë që jetojnë në rrethinat, t’atyre rusëve që nuk mund të lejojnë poshtërime, siç thonë ata. Për librat e mij më është dashur të udhëtonja shumë nëpër Rusi dhe mjaft prej atyre që kam dëgjuar flisnin shumë për poshtërim, më shumë se për çdo gjë tjetër: askush nuk ka frikë prej nesh. Sa janë ngritur lart nga morali kur kanë mundur të thonë se Putini i ka bërë të ngrihen në këmbë që kur ishin në gjunjë para botës! Ndruhem se kjo ndjenjë “perandorizimi” është e rrënjosur thellë. Kur u shëmb BRSS në 1991 jemi gëzuar se gjithshka do të kishte ndodhur në mënyrë paqësore. Kemi mbivlerësuar vdekjen e komunizmit. Nuk është aspak e vërtetë, aspak. Po e kuptojmë tani. Ky njeriu i kuq, homo sovieticus, kuptojmë se është i gjallë. Shumë nga ajo që ishte në kohët sovjetike na ka lënë gjurmët, ka lënë gënjeshtrën”.

A është ky trashëgimi i komunizmit?

“Nëse shohim mbrapa historinë tonë, si atë sovjetike, si atë pas sovjetike, është një varrezë e pamatëshme e përbashkët, një dush gjaku i vazhdueshëm”.

Putini a bën levë mbi një shumicë krenare të rilindjes së Vëndit të Madh? 

Po, mendoj pikërisht ashtu. Nëse nuk do t’a ndjente instiktivisht atë mbështetje, nuk do të kishtë bërë atë që po bën. Së paku jo në një mënyrë kaq tq pacipë, të sulmohet një Vënd sovran duke folur me aq urrejtje. E kam fjalën për atë që ka thënë duke bërë një leksion historie plot analfabetizëm. Por ky është vizioni i tij i botës. Pra, në vënd që të shkojmë drejt s’ardhmes po ecim mbrapa drejt Mesjetës”.

Sa larg mund të shkojë? Cilët janë synimet e tij?

“Kam frikë se shumë larg. Dyshoj se do të ndalohet vetëm me Ukrainën, nëse do të arrijë të fitojë. Shpresoj që Evropa që është rrjeshtuar e thukët, të thotë të sajën,po ashtu SHBA. Jo rastësisht ai na tremb të gjithëve me armët bërthamore”. 

A është e mundur që t’arrihet aty?

“Është e pakonceptueshme për ne. Por në kokën e atyre njerëzve….. Gjatë mbledhjes së famëshme të Këshillit të Sigurisë shihnja fytyrat e jo të gjithë kishin entuziazmin e Putinit. Së fundi të gjithë e kuptojnë se janë shtyrë shumë. E kuptojnë biznesmenët, shumica e kupton”.

A mund të ndodhë ndonjë gjë në Rusi?

“Sistemi i sotëm autoritar i bën të gjithë të lidhur, është e vështitë të dali gjë jashtë. Je kundërshtar, nuk e pranon, por nuk mund të dalësh jashtë. Të gjithë thonë tani, çfarë të bëjmë? Çfarë të bëjmë? Un mendoj se duhet punuar me atë 60 % që duket se mbështet Putinin. Duhet folur, shpjeguar. Do të ketë zi, do të vijnë qivuret, është gjynah që duhet të jetë ky çmimi i heqjes së mbulesës së syve. Populli do t’i hapë sytë sepse arritja e 5000 qivureve është e rëndë”.

Vëndi i juaj, Bjellorusia, ç’është bërë? Një krahinë e Rusisë?

“Është një makinë e kohës, një muzeum i së shkuarës. E tashti edhe kjo: Lukashenko nuk ka asnjë lloj pavarësie, Bjellorusia është plot trupa ruse, e me që humbjet janë të shumta, Putini do t’a detyrojë të marrë pjesë në luftë”

Po gjindja çfarë mendon? 

“Është kundër. Në ndryshim nga ajo ruse, shoqëria bjelloruse nuk do të mbështesë luftën. Bjellorusët i kanë parë gjithmonë ukrainasit si vëllezër e motra, si popullin tonë vëlla. Nuk ka asnjë urrejtje, si ndërmjet rusëve e ukrainasve që i ngjisin nofka përbuzëse njëri tjetrit, moskal, moskovit i vogël; khokhol, cullufe (ajo e kozakëve që zbret nga koka e rruar)”. 

Çfarë pritet?

“Mendoj se bota e veçanërisht politikanët duhet të gjejnë mënyrat të ndalin Putinin, por se cilat nuk e di. Ai në bisedime flet vetëm për kapitullimin e Ukrainës e mjaft. Besoj se gjithë bota duhet të ndihmojë Ukrainën. Dhe un mbështes krijimin e një ushtrie të huaj prej mijra njerëzish që vijnë në ndihmë dhe armët që duhet t’i jepen Ukrainës. Kur i telefonova një kushërirës sime duke i thënë “Bëhuni të fortë, tani arrijnë armët”, m’u përgjigj: “Svjetllana ime, armët do t’i kemi, po ku do t’i gjejmë të rinjtë? Djemtë tanë kanë vdekur me mijra”. Jam shumë e kënaqur që kam gjak ukrainas. Jam krenare për mijrat djem e për ata njerëz, fëmijë, të moshuar që nëpër fshatra hidhen kundër tankeve me duar bosh, bien në gjunjë për të mos i lënë të kalojnë. O Zot, O Zot!”

Juve keni shkruar me tregimet e të mbijetuarvet e të të afërmëve të aq të vdekurve. E tani lajmet nga centrali i Zaporizhias po i llahtarisin të gjithë.

“Përdorim ende konceptet e vjetrai largët- i afërt, armik-mik, por mbas Çernobilit kjo nuk do të thotë më asgjë. Ditën e katërt reja e Çernobilit fluturonte mbi Afrikën dhe Kinën. Ne-ata, armiq-miq nuk kanë më kuptim sepse është era ajo që vendos se ku do të shkohet”. 

“Corriere della Sera” 4 mars 2022        Përktheu Eugjen Merlika    

Filed Under: Analiza

Traditë shqiptare: Dita e Verëzes-Verës, në Kosovë si në Shqipëri

March 14, 2022 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, Mars 2022/ Dita e Verëzës, si Dita e Verës në Elbasan – në Shqipëri në 14 Mars, është edhe në Kosovë në të njëjtën kohë e me rite dhe emërtim të ngjashëm, në rajonin e Prizrenit, të Zhurit, Vërrinit, përfshirë krahinën e Opojës  në malet e Sharrit në lartësi mbi nivelin e detit mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit, më jugoren në shtetin e ri të dytë të shqiptarëve.

Në Kosovë, edhe pse ka ide,  ende nuk ka organizime institucionale, për festimin e Ditës së Verëzës, por ritet e festës së lashtë pagane iliro-shqiptare tradicionalisht janë ruajtur brez pas brezi nga populli. 

Ndërkohë, Dita e Vërëzës prej pesë vitesh është festë zyrtare në Prizren, sipas vendimit të Kuvendit të Kumunës.

“Si festë tradicionale është e theksuar në fshatrat e Vërrinit, Lumës dhe të Opojës. Në 14 Mars, fillon ripërtëritja e natyrës dhe si festë do ia shtonte atraktivitetin Prizrenit si qytet turistik”, u theksua me atë rast.

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prizrenit në  23 Shkurt 2017, kur u mor vendimi, u lexua shkrimi i vitit 1911 i personalitetit të madh të kombit shqiptar, Faik Konica “Ç’është dita e verës?”, ku theksonte se  “Është dita në të cilën stërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me Romakët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve”.

Në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, në një raportim nga Kosova para 10 viteve,  në 14 Mars 2012, shkruaja për idenë se, Elbasani mund të jetë shembull edhe për Prizrenin, për organizime institucionale në festimet e Ditës së Verëzes.

“Kjo pyetje juaj është një ide e mirë për të ardhmen”, tha atëherë koordinatori për kulturën në Komunën e Prizrenit, Urim Ukimeri, duke u përgjigjur në pyetjen nëse ka ide apo iniciativa që në qytetin më të madh jugor të Kosovës Dita e Verëzes të shënohet edhe me ndonjë organizim institucional, si në Elbasan.

Në një foto ekskluzive arkivi të vitit 2010 shihet një fëmi në Opojë, ku në Ditën e Verëzes në dëborë me vezë të ngjyera është shkruar shkurtesa me shkronja të para të emrit në anglisht Albanian Telegraphic Agency – ATA e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) – Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, për të cilën prej mëse çerek shekulli, nga pranvera 1992, raportoja nga Kosova edhe për festimet e Ditës së Verëzes.

Ndërsa, para 26 viteve, në 18 Mars 1996, në gazetën e përditshme të rezistencës “Bujku”, të vetmes atëherë në Kosovë, themelues-kryeredaktor i  parë i së cilës isha, në reportazhin nga kufiri Kosovë-Shqipëri me titull “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”,  i dërguar edhe në ATSH dhe që në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjejë se është botuar, në 19 Mars 1996, edhe në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues në Prishtinë,  mes tjerash, kam shkruar:

“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.

Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 Marsit.

Donin të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”.

Në Opojën e njohur për dimrat me shumë dëborë e pranvera ca “të vonuara”, në prag të Ditës së Verëzes,  pasdite dhe në mbrëmje të rinjë, po edhe fëmijë, ngjiten bjeshëve, te krojet që nuk shterrojnë kurrë, mbledhin bimë, lule, drunj e  shkurre dëllinje, dhe ndezin zjarre.

Vezët e ziera e të lyera, cakërrohen me njëra-tjetrën në garën cila është më e forta, ndërsa të spërkatura me ujin e krojeve hahen në bjeshkë dhe në shtëpi për shëndet e jetëgjatësi.

Në Ditën e Verëzës zgjimi është i hershëm dhe vazhdojnë ritet e festës, pjesë e së cilës janë edhe këngët e vallet, edhe gatimet e traditës me miell misri apo gruri, por që nuk janë ballokume Elbasani, edhe pse të ngjashme janë.

Në drekën e Ditës së Verëzës në tryeza-sofra shtrohet edhe mishi i qengjit, sipas traditës së këtyre anëve me blegëtori të zhvilluar.

Dita e Verëzës festohet nëpër familje, së bashku, si dhe me vizita te fqinjët e farefisi, me besimin se sjell fat, shëndet, mbarësi, e dashuri njerëzore.

Në këtë ditë që është e verës së re, ritet, përfshirë edhe lulet e bimët që vendosen mbi portat e shtëpive, ndërlidhen edhe me zgjimin e bimësisë, gjallërimin,  kalimin nga dimri në pranverë.

Afër Prizrenit dhe në kufi me Shqipërinë, në rajonin e Vërrinit, në festime në fshatin Zhur, vezët e ziera i ngjyrosin fëmijët dhe bashkë me të rinjët dalin në zonat malore të afërta, ku mbledhin lulen e parë që lulëzon në pranverën e herëshme, luleborën.

Nënat zhurjane bëjnë gatimin tradicional, flinë, si dhe shumë gatime të tjera të veçanta për Ditën e Verëzës, që ështe edhe dita e vizitave të shumta mes të afërmëve dhe familjarëve.

“Ani mori Verë moj e lumja Verë

Ani dita e parë o ani e Pranverës o”.

Këto janë vargje të këngëve që këndohen në këtë festë të Ditës së Verëzës në Zhur, fshatin më të  madh të Kosovës afër vendkalimit drejt Shqipërisë në Vërmicë-Morin nëpër Autostradën e Kombit.

Verëzës i këndohet edhe në 13 Mars – në mbrëmjen e pragditës së saj, derisa në çdo lagje të fshatit të rinjtë ndezin zjarre “që t’i japin sa më shumë fuqi Diellit”…

Filed Under: Ekonomi

RIPËRTËRIRJA SHPIRTËRORE RUSE

March 14, 2022 by s p

Shqiprim Pula

Njohës i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare/

Pak kohë përpara vitit 2000 para se të zgjidhej President i federatës Ruse Vladimir Putin, kishte deklaruar, Rusinë nuk e sheh larg Europës dhe botës. Por, lindi një shqetësim i ri, edhe i rrezikshëm!. Po kush e shkaktoi? Ku është pikënisja? Në ditët e sotme, Rusia e pas 22 viteve, e drejtuar nga Vladimir Putin për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, nga Europa e bota u izolua, me disa përjashtime. Përmbrenda Unionit Sovietik ishin 15 republika, po cilësuar për nga madhësia e rëndësia, Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia ishin liderët e Unionit të atëhershëm. Të përbashkëtat e tyre tregonin ngjashmëritë si ndërmjet vëllezërve, por nga baballarë të ndryshëm. Përgjatë shekullit 20-të, kombi, religjioni dhe rregullimi shtetëror morrën kuptim dhe formë, për të gjitha vendet që vazhdonin të përmbushnin formësimin si të mëvetësishëm. E si rrjedhojë, përgjatë 1989-1991 kjo frymë morri rrjedh edhe brenda vendeve të Unionit Sovietik, prandaj dhe vendosën të ndaheshin. Por, drejtuesit e tanishëm të Kremlinit dhe mbështetësit e tyre, shpërbërjen e Unionit Sovietik e konsideruan si fatkeqësia më e madhe globale gjeopolitike.   

Perandori Nikolai i Parë dhe Ivan Aleksandrovich Ilyin, dy personazhet shpirtëror të ripërtëritjes – ortodoksia dhe identiteti kombëtar si përkufizime ishin kultivuar nga perandori Rus Nikolai i Parë, sipas të cilit, Rusia duhet të mbetet e bazuar dhe e udhëhequr. Dhe po këto parime, u përvetësuan edhe nga Putin, kështu duke e krijuar kultin të një udhëheqësi të pagabueshëm politik të progresit social e ekonomik, përmes mediave që e mbeshtetnin Kremlinin. Kurse, filozofia e Ivan Aleksandrovich Ilyin shërbeu si ripërtëritje shpirtërore Ruse e preferuar për Putinin, ndërkaq, libri i tij “Detyrat Tona” si frymëzim për patriotizmin, ndjenjën e nderit për Rusinë, sakrificën për të mirën e atdheut dhe disiplinën politike si udhëzues, për rivendosjen dhe rilindjen e një Rusie në kërkim të pozicionimit botëror.   

Lufta e ditëve të sotme në Ukrainë,  pos tjerash, ka të bëjë edhe me Rusinë e Kievit. Federata Ruse e sotme e konsideron Kievin, shteti i parë sllavo-lindor i krijuar diku në shekullin e 9-të nga fiset vikinge, nga ku dolën rusët, ukrainasit bjellorusët e të tjerë, ndërsa ortodoksinë e kultivuan nga Bizanti. Filozofi Ivan Ilyin, të cilin Vladimir Putin e konsideron frymëzues shpirtëror, përveҁ identitetit kombëtar Rus i mohonte të tjerët si ukrainas, bjellorusë, estonezë, letonezë apo pakica të tjera. Rol të theksuar kishte edhe Kisha Ortodokse Ruse e cila ndihmonte Kremlinin politikë duke u kujdesur në edukimin e brezave mbi trashigiminë e vlerave Ruse, për ruajtjen e ‘botës ruse’, qoftë edhe duke ndërhyrë ushtarakisht. Në 2008-tën, ndërhyrja në dy territoret e Gjeorgjisë (Abkhazia dhe Osetia Jugore) si dhe në 2014-tën, ndërhyrja në dy territoret e Ukrainës (Donbasi dhe Krimea) ishte kundërvënje ndaj perëndimit, e për rrjedhojë, nga konflikti i ngrirë u krijua paqëndrueshmëri reale mbi perspektivën politike të tyre.   

Lufta e ditëve të sotme në Ukrainë, si pikënisje mbeti nga konflikti midis Viktor Janukovyç dhe rivalit të tij kryesor politik, Julia Timoshenko. Në Shkurt 2014 ‘Revolucioni i Dinjitetit’, ndërmjet rivalëve politikë krijoi trekëndëshin Ukrainë-Rusi-Perëndim; nëse Ukraina do mbetej me lindjen, nëse Ukraina do të rrugëtoj drejt Perëndimit apo të mbetej ura lidhëse midis tyre!  

Historiografia politike e tyre tregon afërsinë që kishin thurrur ndër-shekujsh, shteti Rus i Kievit, besimi ortokos i përhapur nga Kievi, kuptimi i Ukrainës konsiderohej kuptimi i vet Rusisë; prandaj Ukraina e djeshme dhe e sotme, nuk do të konsiderohet asnjëherë një territor më afër perëndimit e larg Rusisë. Një nga kushtet për ndalimin e luftës u tha të jetë zëvendësimi i qeverisë që do nënkuptohej të jetë pro-Ruse, dhe se ҁfarë don Rusia nga Ukraina është atë që praktikisht e bën Bjellorusia. Ukraina, është fushëbeteja gjeopolitike e konfrontimit Lindje-Perëndim, e specifikisht Europës me Rusinë. 

Filed Under: Rajon

Prof. dr. Aleksandër Xhuvani- personalitet i shquar i arsimit, shkencës dhe çështjes kombëtare

March 14, 2022 by s p

Bledi Filipi

Me veprimtarinë studimore të gjatë e të begatshme dhe me arritjet e shumta të saj, prof.dr. Aleksandër Xhuvani ka zënë një vend të veçantë,  qëndror në historinë  e gjuhësisë shqiptare. Ai punoi tërë jetën, me dashuri dhe ngulm, për gjuhën shqipe, si lëvrues dorëmbarë e studiues io talentuar i saj, duke lënë gjurmë të pashlyera. (Domi, 1986:43). Aleksandër Xhuvani lindi më 14 mars 1880 në Elbasan. Ai është një nga figurat qëndrore të gjuhësisë dhe të kombit shqiptar. Mjaft i apasionuar rreth çështjes së gjuhës shqipe tërë jetën e tij. Ai mbetet  shkencëtari, albanologu, gjuhëtari, metodisti i teksteve të gjuhës shqipe, të studimit të mësimdhënies së gjuhës saj në shkolla, pedagog, tekstolog, përshtatës, psikolog, ideolog etj. (Karapinjalli, 1998:123). Në fushën e mësidhmënies ka kontribut të shquar, po aq sa në fushën e shkencës për të përmirësuar dhe identifikuar problematika thelbësore të gjuhës. Punëtor metodik e i palodhur  deri në fund të jetës së tij, ai më anë tjetër ka qenë  gjithmonë i matur e i durueshëm në dëgjimin të  mendimit  të të tjerëve, gjë që e lejonte të arrinte në përfundime shkencore objektive, dhe që e bënte të lehtë bashkëpunimin. (Çabej, 1980:84). Nga studiuesit konsiderohet si nga pedagogët më të shquar të shekullit të XX, si ‘’mësuesi i mësuesve’’. Ai ka qenë edhe drejtuesi kryesor i shkollës Normale të Elbasanit që ka qenë e famshme për kohën e tij, ndryshe ajo ka qenë nga shkollat më të forta profesionale në rangun kombëtar nga ku dilnin intelektualët e kohës. Aleksandër Xhuvani ka qenë një aktivist i flaktë, jo vetëm i gjuhës, por i çështjeve patriotike në lidhje me emancipimin e shoqërisë shqiptare deri në metodat e tij të përparuara të mësimdhënies dhe të ofrimit të një kuadri arsimor ku spikaste edhe metoda bashkëkohore. Ai ka qenë një figurë qendrore me bashkëpunim me shumë figura patriotike të rilindjes kombëtare si me Lef Nosin, Mihal Turtullin, Filip Shirokën, Çajupin, Faik Konicës, Eqrem Çabejin, Luigj Gurakuqin etj. (Çeliku, 2000:127). Pedagogjia sipas tij është shkencë dhe art i edukatës me rëndësi shumë të madhe shoqërore dhe kombëtare.

Kontributi i studiuesit Aleksandër Xhuvani është i jashtzakonshëm.

Një jetë e tërë në veprimtarinë e gjuhës shqipe, në mbledhjen e veprave të studiuesive të tjerë që janë marrë me gjuhën shqipe, një metodist për përmirësimin sa më shumë të mësuesve në gjuhën shqipe. (Osmani, 1986:211). Në metodikat e tij ai ndërthuri gjithë profilet shkencore të kohës që shërbenin për mësimdhënien, që nga anët sociologjike e deri te ato filozifike, e sidomos një kontribut të madh në aspektin psikologjik në raportin e mësimdhënies midis mësuesit dhe nxënësit. Nga kjo hidhesh fare lehtë në disiplinat të veçanta të fushës shkencore pedagogjike. Një kontribut të madh ai ka dhënë edhe në fushën e historisë së pedagogjisë botërore që nga krijimi i shkollave në Greqinë e antikitetit, që me shkollat e Miletit, Akademinë e Athinës e deri tek vitet e fashizmit dhe metodikat pas Luftës së 2 Boterore, nga antikja deri te metodologjitë më të pwrparuara të Europës. Pedagogjikja e tij iu përshtat mjaft rrymave shkencore në Evropë dhe në Amerikë, duke përfshirë këtu veprën e Mojmanit, Ribosë, Klapareidit, Shternit, Xhemsit, si dhe psikologëve të kohës si Frojdit, Adlerit, Piazhesë etj. ai ishte një nga shtyllat kryesore të metodikës së gjuhës shqipe. Jeta e tij u bë e pandashme nga pedagogjia dhe gjuha shqipe. Ai është një nga figurat më të rëndësishme të gjuhësisë, një panteon që çdokush do të përulej me respekt te cilido qytetar e sidomos nga mësuesit kudo ndodhen. (Buda, 1980:17). Shkencën ai e dashuroi si pjesë të vetes dhe e kthehu atë në art. Artist që u dha me mish e me shpirt për ngritjen e profesionializmit shqiptar në gjuhësi. Ishte po aq shumë i ndjeshëm kur vinte puna për çështjet gjinore ku mbwshteste ato në profeisonalizëm.

Karriera e tij

Karriera e personalitetit Aleksandër Xhuvanit është shumë e pasur sidomos në lëmin e gjuhësisë. Ai e nis karrierën si mësues dhe e përfundon si shkencëtar, publicist dhe metodist i gjuhës shqipe për përmirësimin e teksteve shkollore në Shqipëri.(SF2, 1967:35). Në 1909 merr pjesë në Kongresin e Elbasanit dhe me hapjen e Normales së Elbasanit. Nga ky vit e deri në vitin 1929 ai është drejtues i Normales së Elbasanit. Më 1910 hap me Lef Nosit revistën “Tomorri”, redaktor i gazetës “Shkreptima”. Gazeta mbyllet në vitin 1911 është sekretar i shoqërisë “Vëllazëria”. Në vitin 1918 është iniciator i krijimit të shoqërisë kulturore-letrare “Qarku letrar i Elbasanit”. Në 1920 ishte kryetar i Kongresit Arsimor të Lushnjës. Drejtoi organin e Elbasanit “Kopshti letrar”; më pas botoi shumë studime mbi veprat e letërsisë së viteve ’30. Botoi artikullin e parë në revistën “Albania” të publicistit Faik Konicës. Nga 1938 deri më 1940 anëtar i komisionit teknik në Ministrinë e Arsimit ku deri në vitin 1953 punon si shef i Seksionit të Gjuhësisë dhe e të Letërsisë të Institutit të Shkencave. Deri në vitin 1957 ishte anëtar i Presidiumit të këtij instituti. Ka qenë disa herë deputet i zgjedhur nga populli në kuvendin popullor që nga viti 1945. Në vitin 1954 nën kujdesin e profesor Xhuvanit u realizua hartimi i “Fjalorit të Gjuhës Shqipe”. (Thomai, 1980:137). Më 1946 botoi biografi letrare, artikuj për vepra të autorëve arbëreshë si Rondinella, Gavril Dara i Riu. Dha ndihmesë për zhvillimin e arsimit (1946-1951), për organizimin e drejtimin e jetës shkencore si drejtues i seksionit të Gjuhës e të Letërsisë të Institutit të Studimeve të quajtur më vonë Instituti i Shkencave (janar 1947- shtator 1953). Punoi për njësimin e gjuhës letrare të folur e të shkruar, për një gjuhë letrare të përbashkët për gjithë popullin shqiptar. Drejtoi hartimin e udhëzuesve të njëpasnjëshëm drejtshkrimorë (1949-1956) (Kostallari, 1973:135). Më 1956 botoi posaçërisht librin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”. Qe ndër studiuesit e parë të fjalëformimit, të morfologjisë e të sintaksës. Më 1956 hartoi, në bashkëpunim me Eqrem Çabejin dy trajtesat “Parashtesat” dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe më 1962. Më 1961 bëri një botim të dytë të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të K. Kristoforidhit. Një ndihmesë të madhe ka dhënë leksikologjisë shqipe nw shkrime e punime të ndryshme shkencore si “Kritikë mbi fjalorë të shqipes” 1934, “Çështja e fjalorit të gjuhës shqipe” më 1957. Vepra më e rëndësishme dhe nga literaturat më të vlefshme në 6 vëllime e tij të cilat u botuan më 1980 në botime të Akademinë së Shkencave në Shqipëri. Emrin e tij tashmë e mban Universiteti i Elbasanit. Ndëroi jetë më 22 nëntor 1961 dhe la një punë të jashtzakonshme për brezat pasardhës. Ai është nderi i mësuesve dhe i gjuhës shqipe.

Filed Under: Kulture

Vjosa Osmani- model drejtësie,  diplomacie e patriotizmi  

March 14, 2022 by s p

Nga Skënder Sadri KAPITI

Unë Skënder KAPITI, me bindje,formësim dhe me trashëgimi patriotiko-kombëtare nuk mund të rri indiferent dhe të mos shpreh opinionin dhe qëndrimin  tim pozitivist për të gjitha ato ngjarje dhe për ata që sakrifikojnë për të mirën e përgjithshme, si dhe për ato personalitete shtetërore që punojnë me përkushtim për të mirën publike e kombëtare.

Unë mundohem që kur shkruaj opinionin tim kritik apo gjykim vleresues, mundohen të nisem nga një këndvështrim logjik i paanshëm dhe mundësisht sa më  i kthjellët ; mundohem që të nisem nga ajo cfarë kuptoj nga realiteti dhe si flet ai, në mënyrë  dhe që të jem sa më pak i ndikuar nga interesi i ngushtë preferencial  personal dhe  subjektivist. Aq më tepër kur kjo ka të bëjë me personalitete të larta shtetërore, ku puna e tyre duhet të vleresohet apo  kritikohet duke u nisur nga këndvështrimi i interesit të  përgjithshëm , ai shoqëror,shtetëror dhe patriotiko-kombëtar.

Këto kohë që kur  Vjosa Osmani është në krye të shtetit të Kosovës, puna përkushtimore dhe e përgjegjshme e drejtimit të institucionit të Presidentit drejtuar prej  saj po konstaton dhe verteton arritjen dhe menaxhimin e duhur dhe të suksesshëm të këtij institucioni. 

Për ditë e më shumë te Zonja Osmani po shkëlqen dhe spikat puna e saj përkushtimore dhe  model për reformimin dhe transformimin politik, juridik, patriotik, demokratik, social, institucional e  shtetëror, përmirësimi i vlerave dhe  standarteve   në funksion të ndërtimit dhe vënies në funksionim të shtetit demokratik e ligjor, të integrimit euroatlantik, në NATO  dhe në funksion të rritjes së imazhit dhe të personalitetit të shtetit. 

Si kryetare e shtetit ajo po ndërton shembullin dhe modelin se si duhet të funksionojnë institucionet e shtetit, jo si deri me sot si agjensi private, por  si shërbesa ndaj  shtetit dhe të kombit. Sot institucioni i Presidentit nuk është më agjensi për shërbesa politike, partiake, korruptive  e familjare. 

Ky është ndryshimi, përmirësimi dhe modeli që solli vota dhe verdikti popullor i 14 Shkurtit 2021, i cili ndëshkoi të shkuarën korruptive, të papërgjegjshmërive, të hajnive, tradhtive  dhe të amoralitetit politik .

Vjosa sot , të kujton Thecerin dhe Merkelin. 

Vjosa Osmani gjatë vizitës në Turqi i kërkoi Presidentit Erdogan  mbështetje për antarësim të Kosovës në NATO , dhe pas disa ditësh  në Forumin Diplomatik të Antalisë në Turqi , Presidentja Osmani  u takua me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me kryeministrin shqiptar Edi Rama  si dhe me liderë të tjerë botëror, nga afro 80 shtete të botës, ka takuar dhe  ka diskutuar edhe me disa nga liderët e shteteve që nuk e njohin Kosovën. 

Pra këto janë agjenda të mirëfillta diplomatike ne shërbim te njohjeve te reja per Kosovën sikurse edhe në vizitat diplomatike shumë të suksesshme që Presidentja e Kosovës zhvillon në  të gjitha  organizmat dhe ne shtetet e fuqishme demokratike si me SHBA dhe me BE.

Nuk mund të krahasohet zonja Osmani as me paraardhësit e saj, dhe  po të kishin qenë në krye të Kosovës Osmani e Kurti, nuk do kishte pasur Fusnotë dhe as Marrëveshje për Bashkësi  komunash serbe , as Demakacioni që u bë me Malin e Zi dhe as projekt për coptimin e Kosovës. 

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2356
  • 2357
  • 2358
  • 2359
  • 2360
  • …
  • 2773
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT