• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ALARMI, SPIUNËT, KINA: HISTORIA E FSHEHTË E LUFTËS

March 13, 2022 by s p

Nga GUIDO OLIMPO/

Vallja e hijeve për rreth Ukrainës është zhvilluar mbi tre pista. Në mezin e nëndorit SHBA lajmëruan drejt për së drejti aleatët mbi planin e mësymjes, drejtoresha e National Intelligence, Avril Haines, erdhi n’Evropë për të shpjeguar. U prit me mosbesim.

Lajmërimi

Muajin tjetër, në fillim të dhjetorit një tjetër lajmërim: me njoftim dhe nëpërmjet një artikulli të Washington Post, që inkuadron përsosmërisht operacionin, duke treguar në mënyrë të saktë përbërjen e forcave të mobilizuara. Mendojnë se ora x do të jetë në ditët e para të vitit. Hollësitë janë të rëndësishme por nuk bindin. Zgjedhja për të dhënë njoftimet, kaq të sakta, përmban katër vështrime: është një hap i pazakontë sepse i zbulon Moskës atë që dijnë në Washington; nënvizon rëndësinë; tregon se CIA ka burime të çmueshme e të nivelit të parë; është një orvatje e dëshpëruar për të shtyrë Putinin të heqë dorë.  

Agjensia është e drejtuar nga William Burns, diplomat karriere me një të shkuar prej ambasadori në Rusi. E njeh dosjen. Shkon vetë në kryeqytetin rus për të përballuar çështjen e kush e di nëse ka nxjerrë të tjera letra, për t’i dhënë të kuptonin bashkëbiseduesve se Shtetet e Bashkuara janë të vetëdijshme për atë që është duke u përgatitur. Një skenë gjuetie në Tetorin e Kuq. Ajo e drejtorit është vizita e katërt, duke filluar nga korriku, e zyrtarëve të lartë amerikanë, një tregues i mundimit të vënë në veprim. Përplasen me muret e Kremlinit. Cari është i bindur se ka gjithshka në anën e tij, madje – një tjetër zbulim – don të kalojë Olimpiadën dimërore që zhvillohet në malet kinezë. Dje New York Times ka shkruar se Pekini i paska kërkuar favorin, edhe se nuk ka siguri në këtë lajm. Zbulimi ndjek një tjetër: amerikanët kishin kërkuar prej muajsh ndihmën e Kinës për të ndaluar katastrofën duke paraqitur edhe të dhënat. Por Republika popullore nuk i ka besuar alarmit. Hakerat e Anonymous-it kanë përhapur një dokument të hamendësuar rus, ku thuhej se urdhëri i sulmit ishte parashikuar për në 18 janar, por pastaj ishte zhvendosur. Një datë pranë asaj të caktuar në fillim nga Shtetet e Bashkuara. 

Grumbullimi

Zbulimi amerikan paralelisht ka vazhduar vjeljen e prodhimit. Është rritur mbikqyrja e satelitëve dhe ajo elektronike. Është e mundëshme që burimet nga toka ruse të kenë kaluar të tjera hollësi mbi qëndrimin politik e vetiak të Putinit. Nga ana e tij shërbimit të  fshehtë rus i është dashur të mbarështojë tre fronte: 1) SHBA dijnë shumë, kush ka tradhëtuar? 2) Ukraina është e njoftuar, cili do të jetë kundërveprimi i saj? 3) Në rast sulmi si do të përgjigjet bashkësia ndërkombëtare? Simbas New York Times Putini, mbas mësymjes, kishte shfryrë kundër bashkëpuntorëve sepse i kishin paraqitur skenarë ngjyrë rozë. E pohonte këtë një burim i FBI që, nga ana e tij, njeh ndonjë në rrethin e Kremlinit. Një shtjellë e dredhur që duhet të mbrojë grykën e thellë duke e devijuar atë që lexon, por që duhet të mbjellë dyshime në shtëpinë e armikut. Ende më e dyshimtë arena ukrainase. Rusët kanë depërtuar në aparatet e tyre të Sigurisë, pra duhej të luanin si t’ishin në oborrin e tyre. Çfarë kanë treguar miqtë në Kiev? Hamëndje: hyni me njësitë tuaja, Zelenski do të ikë. “Mjegulla” ka çoroditur shikimin e carit? Mos janë helmuar nga lajme të pathemeltë? Filorusët mezi ç’prisnin orën e një goditjeje dhe kanë mbështetur projektet e Ariut. I kish ndodhur amerikanëve në Irak kur u besuan personazheve pa gjasë shiitë. Pastaj nuk ka asgjë më të lehtë se sa të besohet një histori që përputhet me dëshirat. Në mes mund të jenë futur lojra të spiunëve, madje edhe vetë Zelenski, në prag të sulmit, nuk fshihte zëmërimin për lajmet alarmante që dilnin nga Shtëpia e Bardhë. I besonte apo ishte taktikë? Shefi i Shtatmadhorisë i tij, Valerij Zaluzhni, më 18 nëndor, ka patur një bisedë me gjeneralin amerikan Mike Milley, homologun e tij, kushtuar ”veprimtarive të Rusisë në Rajon”. Tre ditë më vonë, shefi i zbulimit ukrainas Kirilov Budanov, në një intervistë Military Times-it, vërteton rrezikun e mësymjes ndërmjet fundit të janarit e ditëve të para të shkurtit. Artikulli është shoqëruar nga një hartë. E dinin. E u a tregojnë të gjithëve që nuk i marrin seriozisht. Sepse ekspertët kanë kuptuar qartë pasojat e një lufte të tillë – është shpjegimi i një komentuesi rus të Russia Council – mendonin se mjaftonin për të ndaluar luftën. “Kemi gabuar sepse nuk kemi gabuar” për të parashikuar katastrofën. 

Vrasësit

Një histori aventurore ka treguar më vonë për një operacion për të vrarë pikërisht Zelenskin, që i ishte besuar një grushti çeçenësh. Për t’a zbuluar qe fryrja në vesh e një agjenti rus, thuajse për të vërtetuar artin e lojës dyfishe, në të cilën nuk mund t’i besohet askujt. Gjithmonë nëse edhe kjo përpallje mos të jetë një orvatje për të ushqyer dyshime apo paranoja. Dy shtëpitë mëma të spiunazhit – SHBA dhe Rusia –  gjithmonë kanë patur një frikë të madhe se mos mashtroheshin nga një spiun kundërshtar që ofrohet për të bashkëpunuar. Më të maturit – në ndonjë rast, madje të djemnuar – ishin amerikanët, deri në atë pikë sa të mos i pranonin. Në rastin e presidentit ukrainas, është e pranueshme që Moska do t’a heqë qafe. Ndërsa për vrasësit, pështjellimi i çeçenëve është “ekzotik”, kujton vendosmërinë e tyre të njohur mirë, mban parasysh rolin e tyre në veprimtari të paligjëshme për llogari të shërbimeve të fshehta. Në të njëjtën kohë, duke parë kushtet e tashme, është më e lehtë që të jetë ndonjeri pranë udhëheqësit se sa një “i huaj”. Megjithatë kurrë nuk duhet thënë kurrë. E gjithë historia ukrainase është plot befasi.

“Corriere della Sera”, 4 mars 2022   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE

30 vite pa Martin Camajn

March 13, 2022 by s p

Primo Shllaku/

Sot u mbushën plot 30 vjet prej ditës kur poeti Martin Camaj mbylli sytë në Langgries të Gjermanisë në moshën vetëm 67vjeçare. Jeta e tij për ne deri tashti e panjoftun po zbulohet ngadalë dhe po hapen drita të reja që tregojnë shkaqet e emigrimit të një malësori që kaq të vështirë e kishte mërgimin. Pushteti i ri që zbriti nga mali e përmbysi krejt mendësinë dhe për nevojat e tij filloi veprën shkatërrimtare kundër njeriut të lirë dhe “në punë të vet”. Ai regjim ishte zotue në heshtjen e tij të frikshme që të mos lente njeri në kambë. Por ose ratë e të nënshtruem, ose ratë e tue u kalbë në vorr.Kushtet e shtrëngimit për t’u ba “spiun” e gjetën krejt të befasuem dhe të papërgatitun Martin Camajn në lulen e rinisë. Ai i rreku organet e regjimit, sepse duhej pritë nji kohë kur të hapeshin shtigjet dhe ato u hapën vetëm kur regjimi u prish me Jugosllavinë, më 1948.Dalja e Martinit në liri nuk shënoi lirinë e Martinit. Ai mbeti i lidhun me gjuhën shqipe e me kujtimet e tij të vendlindjes, me botën shqiptare e me malet e peizazhet e tyne të virgjëna që do të ishin drita e fundit që duhet të jetë shue në kokën e poetit atë ditë fillimpranvere këtu e tridhjetë vjet ma parë.Martini u shkollue ma parë në Beograd mandje shkoi në Romë dhe, përfund, u instalue përfare në Munih ku drejtoi edhe katedrën e albanistikës për disa vjet të mira.Poezia e tij asht pasqyra ma autentike e udhëtimit të tij të mbrendshëm shpirtënor. Aty ai rrëfehet thellë e ndërton pozicionet e tij estetike e artistike të vijimësisë së letërsisë shqipe që nuk duhet të hynte në eksperimentin e realizmit socialist. Në indin e imët të asaj poezie, mes shum motiveve, dallohet motivi i marrëdhanieve të tij me nanën e tij, e cila, e detyrueme prej kushtesh ekstreme vorfnie, e nisi djalin e saj në shkolla, tue e nda prej gjinit të familjes. Ky fakt do të bahej për poetin nji plagë e randë që nuk do t’i shërohej, kurr edhe kur e kapërceu moshën e adoleshencës dhe hyni në periudhën e rinisë. Këtë plagë nuk do ta lejonte që të cikatrizohej marrëdhania e tij e re me atdheun e vet që, në paralaleizëm asimetrik me nanën e tij, do të instalonte në psiken e këtij individi krizën e përjetshme të “dëbimit”. Martini nuk erdhi ma kurr në Shqipni. Edhe pse fati deshti që ai t’i shkelte ato dy vjet “lirie” kur mbase edhe mund të vinte në atdheun e tij për të shue dëshirën e tij të zjarrtë të prekjes së mureve të plangut, ai refuzoi. shum thonë se ishte i sëmundë, por nji poezi e tij shum e fshehtë në qitjet e saj personale e autobiografike.”Mysafir i paftuem në Berishë”, duket sikur na e ndriçon shkulmin e fundit të këtij malësori të shkolluem e të ditun sa rrallëkush mbrenda e jashtë Shqipnie, Kosove e Maqedonie, i cili megjithse e çoi mesazhin se shqiptarët kurdo i përkasin njeni tjetrit, ai e ruejti dinjitetin e tij para nji atdheu të cfilitun e të përdhosun prej deformimit gjysmëshekullor të eksperimentit komunist. Ky Uliks që nuk mbërriti kurr në Itakë, bani zgjedhje të ashpra dhe të pashoqe. Prestigji dhe dinjiteti njerëzor e bajnë individin e dënuem me mërgim ta marrë atdheun me veten dhe vetë ai të bahej ndodhta plisi ma i nxehtë e ma djegës i nji periudhe kur, për shumicat, po derdhej me bollëk iluzioni i ardhjes së lirisë.Trupi i tij tretet në tokën njerkë të Gjermanisë jugore dhe sipër kokës së vorrit të tij randon nji shkamb i verdhë, sjellë prej viseve ku kishte jetue brez mbas brezi familja e Camajve në Temal, në bregun e djathtë të Drinit, këtij lumi që i rrin Shqipnisë e Shqiptarisë si nji shtyllë kurrizore prej uji.

Filed Under: Opinion

Të paktën respektojini!

March 13, 2022 by s p

Dritan Mashi/

Sa kënaqësi ndien ku selitë diplomatike të Shqipërisë dhe Kosovës, në disa shtete ku është përqëndruar diaspora shqiptare si Greqi, Gjermani, Zvicër, Austri etj,etj… mësimi i gjuhës shqipe shihet me përparësi dhe si i shenjtë dhe ditën e mësuesit nuk e shohin si vetëm festë kombëtare brenda kufirit shtetëror. Përkrahja dhe sensibilizimi i mësuesve, afrimiteti dhe bashkëpunimi për problematikën që karakterizojnë mësimdhënien e gjuhës amtare, bëjnë që këto përfaqësi të krijojnë një imazh të qëndrueshëm dhe të plotë për komunitetin shqiptar në këto vende. Kjo u vërejt edhe për 7 Marsin, ditën e Mësuesit, ku takimet dhe vlerësimet nuk munguan. Respekte për të gjithë përfaqësitë diplomatike për përkrahjen!Po në Itali?Ku janë përfaqësitë diplomatike shqiptare …?Aty janë, aty. Nuk luajnë vendit, në të gjitha kuptimet. I kemi dhe e dinë që janë dhe janë kur duan, janë vetëm atëherë kur u nevojitet të tregojnë që po punojnë. Por të themi të vërtetën që nuk kanë kohë për çështje të vogla apo të rëndomta. Po pse mor diplomatë të dashur që përfaqësoni shqiptarët në Itali, ambasadorë, konsuj apo oficerë, kaq të nxënë, kaq pa kohë, kaq çështje e vogël ju duket 7 Marsi, që nuk e morët mundimin të përshëndetni këta mësues që po shfrytëzojnë kohën e tyre të lirë, duke ia hequr familjes së tyre e duke mos u kërkuar asgjë në këmbim për shpërndarjen dhe mësimin e gjuhës shqipe. (Nuk po them të bëni si në Greqi, Gjermani Zvicër Austri e gjetkë, sepse lodheni). Merreni mundimin të bashkëpunoni, t’i afroni, t’i stimuloni dhe t’i përkrahni, pa parë ngjyrat dhe grumbullimet! Shihni dhe mundohuni të prekni realitetin! Është e lehtë të thoni: “gjuha shqipe këtu, apo gjuha shqipe atje”. Gjuhën shqipe po e ruajnë ata që ju e dini që ekzistojnë, por jo ku dhe pse janë, çfarë bëjnë për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe si e bëjnë. Megjithatë, pa problem, po e bëj unë urimin në vendin tuaj, meqë nuk ju intereson apo nuk keni kohë….”Gëzuar ju MËSUES dhe ua shtoftë zoti jetën dhe dëshirën të mësoni brezat e ardhshëm!”

Filed Under: Fejton

Për Shqipërinë e ëndrrave tona…

March 13, 2022 by s p

MIRSEDA DACI

Unë kam një ëndërr…dhe ajo është që ta shoh Shqipërinë të lirë. Të lirë nga vargonjtë e shoqërisë paragjykuese, korrupsionit, luftës për pushtet, protestave të njëpasnjëshme…Disa prej jush mund të më shohin me habi, të tjerë mund të komentojnë e të thonë se Shqipëria e lirë është, por unë dua të jap argumentin tim. Më thoni pak a mund të quhet i lirë vendi ynë, kur bijtë e bijat e tij  vazhdojnë e marrin udhët e kurbetit? A mund të quhet i lirë ai, kur ato që nuk largohen vetëm vuajnë? Po shikoja edicionet informative dhe derdha lotë kur njerëz të thjeshtë kërkonin ulje të çmimeve për produktet më jetike. E nga ana tjetër dëgjova krerë të shtetit, të cilët dalin “të larë” nga ky mëkat e ia pasojnë njëri-tjetrit gabimet e njëpasnjëshme. Eshtë e dhimshme të shohësh njerëz që kërkojnë për të ngrënë, e të tjerë që mjaftohen me xhepat e tyre të mbushura. Ka nga ato që kërkojnë të punojnë, por pasioni i shuhet kur korrupsioni ulet këmbëkryq e mbulohet nga manteli i padijes. Unë jam një më mësuese që kam pasion letërsinë. Kam kaluar shumë peripeci në jetë dhe vazhdoj “të goditem” çdo ditë nga predhat e të korruptuarve. Endrra ime më e madhe është të përhap dije tek nxënësit e mi, që janë filizat që rriten çdo ditë drejt së ardhmes. Si unë ka shumë të tjerë që përpiqen të kontribuojnë për vendin e tyre, por nuk i hedhin dot themelet jetësore sepse ato që “dridhin zinxhirët” janë më “të aftë”. Pavarësisht përmirësimeve që janë bërë dhe po bëhen në vendin tonë, ka akoma shumë gjëra që duhen ndryshuar. Pyesim e shajmë ndër dhëmbëmbë se përse kemi nxënës që nuk dinë të lexojnë, mjekë që eksperimentojnë me trupin tonë, gjykatës që lirojnë kriminelë e gazetarë që mbushin programet me lajme boshe. Hej njerëz, hapini sytë! Mos pretendoni se mund të këndoni pa zë e të fluturoni pa krahë. Mos e kërkoni ndryshimin tek të tjerët pa ndryshuar më parë veten tuaj. Ka shumë prej jush që kërkojnë  me ngulmim që fëmija juaj të jetë mbi të tjerët. Por harroni se nuk mund të kaloni tek Zh-ja pa mësuar më parë A-në. Ju vërtetë mendoni se fëmija juaj mund të drejtojë një shtet, por ai nuk mund të jetë kurrë një lider. Ai mund të fitojë një betejë, por jo një luftë. A e dini përse? Sepse ai do të jetë i korruptuari i javës. Dëgjojmë çdo ditë termin meritokraci, por unë mendoj se ajo nuk ekziston plotësisht, është akoma në hapat e parë të krijimit. Duhet shumë kohë dhe punë që të ekzistojë. Për sytë e mi Shqipëria nuk është e lirë. Rregullat dhe ligjet zbatohen vetëm kur njerëzit janë “pa krahë”. Dhe kur dikush e merr guximin të kërkojë të drejtën e tij, nëpërkëmbet e paragjykohet nga e gjithë shoqëria. Ndoshta ekziston akoma frika se të thuash hapur atë që mendon të çon drejt humnerës. Bëjmë zgjedhje të gabuara e më pas vërshojmë në protesta duke protestuar për gabimet tona. Nuk ka faj shteti kur ju heshtni përballë diçkaje të padrejtë. Nuk ka faj as populli që nuk ia del dot të jetojë. Po kush ka faj? Të gjithë jemi fajtorë pa faj. Shqipëria është një shtet i pavarur, por jo i lirë. Nuk fitohet liria me luftë, por me punë. Dhe puna jonë më e madhe është të ndryshojmë veten. Mos kërkoni drejtësi nëse ju jeni të padrejtë në radhë të parë me veten, e më pas me të tjerët. Një ndërgjegjie e pastër sjell një shpirt të lirë. E një shpirt i lirë i sjell  lirinë një populli të tërë, një shteti. Unë kam një ëndërr…dua ta shoh Shqipërinë të lirë. Të lirë nga vargonjtë e shoqërisë paragjykuese, korrupsionit, luftës për pushtet, protestave të njëpasnjëshme…E vetme nuk mund ta bëj realitet këtë ëndërr, por me ju po. Së bashku ne mundemi sepse bashkimi sjell fuqinë! 

                                                                                                                       MIRSEDA DACI

Filed Under: Emigracion

“Gjakmarrja në prozën shqipe” e Eduard Grishajt promovohet më 19 Mars në Shkodër

March 12, 2022 by s p

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2359
  • 2360
  • 2361
  • 2362
  • 2363
  • …
  • 2773
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT