• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Vetëm SuperFuqia e USA/Trump eviton Luftën e 3-Botërore”!

August 5, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Pyetje trilona dollarë:“A ndodhemi në prag të Luftës së Tretë Botërore”(?) Kush mund të jenë pasojat fatale dhe ç’farë peshe mbart Inteligjenca Artificiale, robotët, dronët dhe fuqia kibernetike (?) “A do të ketë fitues, apo vetëm të humbur në një luftë e tillë (?). “Çfarë duhet/mund të bejnë vendet e vogla si RSh në rast lufte (?). Këto dhe të tjera pyetje mbartin peshë kritike për interesat kombëtare si dhe sencitivitet të lartë për qytetarët shqiptarë, pasi:

Pikë së PARI, përtej natyrës së kërcënimeve, fuqisë vdekjeprurëse dhe peshës përcaktuese që mbartin në fatin e luftës së ardhshme = Inteligjenca Artificiale, raketat, robotët, dronët, armatimet moderne dhe prapaganda bollshevike, më duhet të konfirmoj vlerësimin Tim përmbledhës: “duke konsideruar sulmin shembullor që fuqia shkatërrimtare e ShBA (6 avion B-2 me kosto 2-Bilion $; 37 orë fluturim; 12 bomba GBU-57 (14 tonë sejcila); 10-ra raketa Tomahawk dhe mbi 125 avionë  F-35) realizuan operacionin “më të suksesshëm të historisë së njerëzimit” ndaj bazave bërthamore të Ajatallah-ut të Iranit, i cili gjatë 34 viteve kërcënonte:“me shfarosje nga faqja e dheut të Kombeve, kulturave dhe Shteteve sovrane”!

Asnjë shtet tjetër (përfshi Kinën dhe Rusinë) dhe as koalicion nuk ka kapacitete për të realizuar një operacion të ngjashem ose të përafërt!  Padyshim ky sulm ishte edhe mesazh i fuqisë vdekjeprurëse të USA ndaj diktatorëve gjakatarë si dhe të shkalluarve nga fuqia e të gjithë-Pushtetit (Putinit, Kim Jong, etj). 

Thënë këtë mbetem besimplotë se: “vetëm falë SuperFuqisë ushtarake të pathyeshme, të pakonkurueshme dhe vdekjeprurëse të USA si dhe Leadershipit të fortë të Trump, Bota nuk do të rrokulliset në fatalitetin e Luftës së 3-të Botërore”. Pra, falë  fuqisë së SHBA/Trump, jo Lufta por: “Paqja, rendi global i sigurisë, vlerat e qytetërimit dhe demokracia funksionale do të triumfojnë mbi neo-nazistët, neo-stalinistët, neo-Millosheviçët si dhe ndaj shteteve dhe organizatave terroriste”!.

Së DYTI: “Kush nuk e kujton të kaluarën, është i dënuar ta përsërisë atë”, thoshte filozofi Spanjoll, G.Santayana. Vrasja e princit austriak (1914), në Sarajevë ndezi luftën e I-rë. “Zjarri nuk vjen nga shkëndija më e madhe, por nga e vogla mbi barin e thatë”, thonë francezët. Para Luftës së II-rë, Evropa shijonte “La Belle Époque”. Pra lulëzim industrial dhe ekonomik, por, nën këtë fasade, fshiheshin tensione të mëdha: “garë e frikshme armatimesh, interesa koloniale dhe aleanca të ndërlikuara”. 

Pse ndodhemi në një situatë të ngjashme ? Rendi ndërkombëtar është bërë edhe më i brishtë pasi “ekstremistët dhe interesat nacionaliste” po ringjallen. Lufta e II-të, mbi 70 milionë të vrarë dhe për herë të parë u përdorën bombat bërthamore në Hiroshimë dhe Nagasaki. Lufta e Ftohtë (1945-90) paqja u imponua nga: “garë armatimesh, tensione të forta si dhe frika nga një katastrofe planetare”. SHBA dhe BRSS u ndanë në kapitalizëm vs. komunizëm, si dhe në aleancat ushtarake, NATO dhe Varshavë! 

Fatëkeqësisht edhe Sot, në vend të plumbave po përdoren embargot, në vend të lëvizjes së lirë po ngrihen mure, në vend të tregtisë së lirë po vendosen tarifa. Historia përsëritet: “sanksionet, luftërat tregtare dhe kontrolli mbi burimet e rralla janë kthyer në armë ekonomike”. 

Ndërsa tre vjet e gjysëm mbas agresionit neo-nazist të Rusisë – Putiniste ndaj Ukrainës martire; statuquosë gjeopolitike, fuqisë ushtarake dhe interesave euroatlantike (USA/NATO/BE); riciklimit të përballjes së përgjakshme me terroristët në Lindjen e Mesme si dhe Kamoxhia-Tajlandë ne Azi, kanë tronditur rendin global të sigurisë (më shumë se kurrë më parë që pas Luftës II-të Botërore). 

Së TRETI: A jemi në prag të Luftës 3-të Botërore ? Veçanërisht mbas ri-Triumfit të Trump në Shtepinë e Bardhë, themelet e demokracive burokratike dhe Deep State po shkunden nga themelet dhe një rendi i Ri i sigurisë po lind. Fatmirësisht nën-leadershipin e Trump, ShBA po bëhet edhe më e fuqishme por edhe Faktorë dhe Aleanca të reja po të ri-lindin. 

Me retorikën edhe të forcës, Trump synon Kanadanë, Groenlandën, Kanalin e Panamasë; Putin, Ukrainën, Gjeorgjinë dhe ish-republikat sovjetike; ndërsa Xi Jinping Tajvanin si dhe zgjerimin në Lindjen e Largët.  Duket sikur Bota po ndahet sërish në 2 blloqe: “i pari SHBA-të, NATO, BE, Japoni, Australi, Izrael dhe Koreja e Jugut”; i 2-ti Rusi, Kinë, vendet BRICS, Iran, Kore e Veriut. Ndërsa Trump e ka bërë të qartë dhe e demostroi në Iran projektin e SHBA-ve, pyetja mbetet: “A/sa janë Diktatorët, Autokratët dhe demokracitë burokratike, të vendosur për të evituar luftën e 3-botërore” ? 

Shpenzimet për luftën po rriten në mënyrë eksponenciale. Sipas prestigjiozes SIPRI, shpenzimet marramendëse për mbrojtjen tregojnë se “bota po shkon drejt luftës”. Konkretisht në 2025 kanë arritur kuotat më të larta që nga Lufta e Ftohtë (2.83 trilionë $), prej të cilave, SHBA 1 trilion $ ose 66% e shpenzimeve të NATO-s; Kina 300 miliardë $, Rusia 130 miliardë € si dhe BE  ½ Trilion €.  

Këshilli i Sigurimit/OKB është e paralizuara nga vetoja e SHBA-së, Rusisë dhe Kinës. “Më e rrezikshmja nga të gjitha luftrat është ajo që justifikon pushtimet në emër të indetitetit”, thoshte Huntington. Ndërsa projekti Trump: “Ta bëjmë Amerikën përsëri të Madhe, ose të pakonkurueshme”; Putin: “Rusinë Historike”, Xi Jinping: “Rilindjen e Kinës”.  Deri ku do të shkojë kjo narrativë ekspansioniste dhe mitologjike, e ngjashme me të Hitlerit për “Lebensraum”, i cili e (sh) përdoroi krizën ekonomike dhe politike për të ndërtuar një shtet militar  si dhe legjitimuar pushtimet barbare. 

Së KATËRTI: “pasojat e një Luftë e Tretë Botërore”. Ajnshtajni i madh thoshte: “Nuk e di me çfarë armësh do të luftohet në luftën e 3-të, por e Katërta do të bëhet me gurë dhe shkopinj”. Ndërsa “best seller” Y.Harari: “nëse Lufta e I-rë ishte e bajonetave dhe gazit helmues; e II-ta e tankeve, avionëve dhe bombës atomike; Lufta e 3-të do jetë e AI, dronëve, robotëve, raketave, që rrezikojnë edhe shfarosjen e qytetërimit”. 

Epoka e frikshme e Inteligjencës Artificiale, do të përdoret në fushëbetejë për zbulim, analiz si dhe vendimmarrje në përcaktimin e objektivave dhe sulmet e robotëve. Kur algoritmet (vetë) vendosin se Kur dhe Kë do të sulmojnë, pra pa kontroll njerëzor, atëherë lind një paradoks: “Kush do të marrë përgjegjësitë për viktimat e shkaktuara?”. Edhe lufta kibernetike mund të çaktivizojë rrjetet e energjisë, sistemet bankare, transportit ajror, kolaps në spitale si dhe të manipulojë ose vendos për fituesin e zgjedhjeve.

E ardhmja dhe fatet e fushëbetejës do jenë edhe raketat hipersonike, me shpejtësi mbi Mach-5 (pesë herë më e shpejtë se zëri) dhe aftësi manovrimi, duke i bërë të pamundur zbulimin dhe asgjësimin nga mbrojtja ajrore tradicionale. Dominon ShBA me Hypersonic Glide Vehicles (HGV); e ndjekur nga Rusia me Kinzhal dhe Avangard dhe Kina me DF-ZF të avancuar. si shëmbull ilustrues: “Në Luftën e 2-të, Gjermania sulmoi Londrën me raketat V-2, nga më të avancuara të kohës. Sot, hipersonikët janë 10 herë më të shpejtë dhe 100 herë më të saktë, si dhe “po kështu do të jenë edhe pasojat…”! 

Armatimi orbital dhe satelitor. SHBA, Rusia dhe Kina zoterojnë armatim anti-Satelitor të gjeneratës së fundit. Pra, hapësira nuk do jetë më thjesht “laborator eksperimentesh“, por pjesë integrale e fateve të Luftes.  Bioarmët dhe armët kimike. Megjithëse të ndaluara me konventa ndërkombëtare, në situata të dëshpëruara: “virusë të krijuar në laborator dhe agjentë biologjikë mund të përdoren nga terroristet dhe diktatorët për të shkaktuar panik masiv në qytete të mëdha”. Në Luftën e I-rë u përdor gazi helmues, ndërsa në të II-tën, sulmi Pearl Harbor, u shpagua/pasua me bombat atomike në Hiroshima dhe Nagasaki. 

Armatimi Elektromagnetik (EMP), mund të shkatërrojë sistemet elektronike, duke i kthyer qytete të tëra në epokën para-digjitale. Nëse një raketë bërthamore shpërthen, valët-EMP mund të çaktivizojnë të gjithë teknologjinë diçitale, duke sjellë kolaps të plotë të sistemeve dhe infrastrukturave me peshë jetike. Edhe dezinformimi digjital rrit konfuzionin në fushëbetejë si dhe në vendimet e kundërshtarit.

Së PESTI, a do të ketë fitues ? “Në një luftë bërthamore, fituesi do të jetë ai që vdes i fundit” – thoshte me sarkazëm nobelisti i paqes Andrei Sakharov. Ende rreth 13,000 armë bërthamore kanë SHBA, Rusia, Kina, UK, Franca, nëse ato  shpërthejnë, asnjë shtet nuk do të mbijetojë pa plage të rënda. Gjatë Luftës së Ftohtë, koncepti Deterrence (Shkatërrim i Garantuar) i mbajti palët në paqe të imponuar ose nga frika reciproke. Sot, fuqia dhe precizioni i armëve bërthamore është 10-ra herë më e madhe/lartë. 

Në “Përplasja e Qytetërimeve”, Huntington theksonte se: “konfliktet e së ardhmes nuk do jenë vetëm ideologjike apo interesat ekonomike, por edhe nga përkatësia e qytetërimeve”. Konfliktet në Ballkan në vitet 1990; përplasjet aktuale midis SHBA/Perëndimit dhe Kinës/Rusisë; tensionet në Lindjen e Mesme, Azi si dhe përballja me terrorizmin: “ilustrijnë këtë kërcënim, për përplasje qytetërimesh”.

Në SHTESË: “çfarë mund/duhet të bëjnë vendet e vogla si RSh në rast të një Lufte botërore”? Në vijim të “pesë gjetjeve të sipërpërmendura po paraqes edhe 5 rekomandime strategjike: 

  1. Historia na tregon se luftërat nisin nga veprimet, mosveprimet dhe oshilacionet e Diktatorëve gjakatarë, Autokratëve të gjithë-Pushtetshem, si dhe shpërfillja e mësimeve nga luftërat e mëparshme. Në ditët e sotme, teknologjia (IA) e bën luftën më të pa-parashikuar, më të pa-mëshirshme dhe më shkatërrimtare, ose mund të jetë “edhe e fundit për njerëzimin”.
  2. Asnjë vend nuk i mbijeton dot i vetëm një lufte botërore, por “sidomos shtetet e vogla nuk e kanë luksin të bëjnë gabime strategjike”, thoshte Kissinger. Kështu, As nuk duhet ta mendojmë rikthimin te marrëzia e “mbrojtjes me forcat e veta” që për 45 vjet e poshtëroi Kombin si dhe i rraskapiti Shqiptarët! Në rast të një përballje fatale, na duhet të forcojmë edhe më tej bashkëpunimin strategjik me ShBA dhe NATO-n. Pra, për mbijetesën, mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtare na duhet: “aleanca të forta, kontribute modeste (por të spikatura) si dhe diplomaci aktive”. 
  3. Duke duartokitur “marrëveshjen mes Kroacisë, Kosovës dhe RSh në fushën e mbrojtjes”, do t’i këshilloja vëllazërisht aktorët politik dhe faktorët Shtetërorë në Tiranë dhe Prishtinë: “të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore”, për t’i dhënë jetë Platformës: “2-Shtete Sovrane, 1-Komb i Vetëm”, duke e konfirmuar në Washington, Bruksel etj, që “edhe pse e vonuar” nuk kërcënon asnjë vend (përfshi Serbinë), por do të kontribuojë si një balancë racionale për paqen afatgjatë si dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.
  4. Rritja e shpenzimeve për mbrojtjen nga 2% në 5% deri në 2030 nuk është kurrësesi “për ta marrë me të mirë Presidentin Trump (!)”, por domosdoshmëri kritike për të transormuar Sistemin e Sigurisë dhe Mbrojtjes së RSh, në përputhje me Konceptin e Ri të Mbrojtjes Kolektive, duke përditësuar dhe modernizuar aftësitë operacionale të FARSh-së për përmbushjen e misionit kushtetues: “mbrojtjen e integritetit teritorial (neni 5); zhvillimin e interesave kombëtare, promovimin e vlerave euroatlantike si dhe përmbushjen e detyrimeve në NATO” !
  5. Si garanci në dështimin me sukses të reformave të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, janë: “pluralizmi fasadë, përdhosja e zgjedhjeve dhe poshtërimi i Kuvendit të Gazëve dhe Zengjineve; dalldisjet bolshevike nga superfitorja e gjithë-Pushtetit si dhe mjerimi i Opozitës nga humbja e (4-ërt) radhas”. Në të kundërt, mbetet kritike rikthimi i demokracisë funksionale, balancave kushtetuese, dashurisë për Atdheun, përkushtimi dhe përgjegjshmëria ndaj interesave kombëtare, si dhe “besimi dhe mirënjohja” ndaj partneritetit strategjik me SHBA, NATO.

* Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Senior Ekspert për Sigurinë Kombëtare,

Ballkanit si dhe marrëdhëniet me USA/NATO.

Ish zv/ShShPFA dhe Këshilltar i Presidentit të RSh.

Filed Under: Politike

“Ndritësit e Kombit”, një dritare akademike mbi kujtesën kombëtare

August 5, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA
(Ekspert i së drejtës publike)/

Dija si akt rezistence dhe ndërgjegjësimi kombëtar

Në një kontekst kulturor të fragmentuar, ku po vërehet një rënie shqetësuese e përkujdesjes institucionale ndaj kujtesës historike dhe një tendencë për trivializimin e vlerave thelbësore të arsimit kombëtar, botimi i monografisë “Ndritësit e Kombit” nga Prof. Dr. Nijazi Halili paraqet një akt vetëdijeje shkencore dhe qytetarie të përbashkët. Kjo vepër nuk përbën vetëm një monografi në kuptimin klasik, por një arkitekturë konceptuale e kujtesës kolektive, që vendos dijen në shërbim të qëndrueshmërisë identitare dhe emancipimit kombëtar.

Ky botim përbën një ndërhyrje epistemologjike të strukturuar, që sfidon harresën dhe riartikolon rolin transformues të mësuesit shqiptar — jo vetëm si bartës dijeje, por si agjent i formimit të vetëdijes politike, sociale dhe kulturore të kombit.

Vepër me vlera të shumëfishta shkencore, historike dhe didaktike
Monografia mbështetet në një bazë të fortë hulumtimi arkivor, analizë kritike dhe qasje ndërdisiplinare, që e bën veprën një kontribut të veçantë në studimet mbi historinë e arsimit shqiptar. Tri shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet kjo vepër janë:

-Koherenca epistemologjike që lidh historinë, arsimin dhe kulturën në një mozaik të artikuluar të përvojës kombëtare;

-Hulumtimi burimor i thelluar, që zbërthen figurat më pak të njohura të sistemit arsimor si faktorë të qëndrueshmërisë kulturore;

-Arkitektura konceptuale që krijon një platformë reflektuese për lidhjen e së kaluarës me sfidat e së tashmes dhe vizionin e së ardhmes.

Përmes një gjuhe të qartë dhe ngjeshur konceptualisht, autori na fton të rishqyrtojmë marrëdhënien midis mësuesit dhe shtetformimit, duke pozicionuar mësuesin jo si funksionar teknik të dijes, por si shtyllë të subjektivitetit kombëtar në periudha kritike historike.

Dimensioni kolektiv i autorësisë akademike

Vepra është rezultat i një mobilizimi intelektual dhe institucional të jashtëzakonshëm. Në të përfshihen personalitete të shquara nga të gjitha trojet shqiptare, që përfaqësojnë një pluralitet mendimesh akademike duke konverguar në një projekt të përbashkët kujtese kolektive.

-Redaktim shkencor: Prof. Dr. Arsim Bajrami — garantues i cilësisë shkencore dhe integritetit konceptual.

-Recensentë: Prof. Dr. Ismet Salihu, Prof. Dr. Fejzulla Berisha, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Prof. Dr. Zimri Elezi — emra të njohur në akademinë shqiptare.

-Konceptualizim diplomatik dhe ideor: Prof. Dr. Lisen Bashkurti — me eksperiencë të gjatë në diplomacinë kulturore dhe akademike.

-Këshilli redaktues: Akademike Aurela Anastasi, Akademik Frashër Demaj, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, Prof. Dr. Sadik Haxhiu, Prof. Dr. Bekim Baliqi, Prof. Dr. Agim Zogaj, Prof. Dr. Zenun Halili, Prof. Dr. Salihe Salihu, Prof. Dr. Besfort Rrecaj.

-Realizimi teknik dhe estetik: Prof. Shefkije Qeriqi-Halili (lektoratë gjuhësore), Mr. Dibran Fylli (dizajn grafik), BA Veli Kajtazi (formatim profesional).

Një testament për brezat e dijes

Monografia nuk kufizohet në retrospektivë, por shtrihet teleologjikisht drejt së ardhmes, duke artikuluar një thirrje urgjente për brezat e rinj shqiptarë që të ndjekin modelin e dijes si akt emancipues dhe të shmangin krizën e identitetit postmodern.

Në thelb, kjo është një manifest për rikthimin e respektit ndaj figurës së mësuesit si bartës i mendimit kritik dhe i vetëdijes kombëtare, si dhe një apel për një model të ri formimi qytetar, i mbështetur në trashëgiminë arsimore si kapital shoqëror i pazëvendësueshëm.

Monument tekstual i arsimit kombëtar shqiptar

Monografia “Ndritësit e Kombit” duhet trajtuar si një monument dokumentar i mendimit pedagogjik dhe identitetit kombëtar shqiptar. Ajo tejkalon funksionin thjesht deskriptiv dhe shndërrohet në një vepër referencë për bibliotekat akademike, institucionet arsimore dhe politikëbërësit në fushën e edukimit.

1. Kontekstualizimi i autorit dhe veprës

Prof. Dr. Nijazi Halili sjell në këtë monografi një vizion të integruar ndërmjet analizës historike, reflektimit filozofik dhe ndërgjegjësimit kombëtar. Përmes portreteve të ndërtuara me rigorozitet akademik, autori restauroi figurat kyçe të historisë së arsimit shqiptar, duke i kthyer ato në pikë referimi për formimin identitar dhe kulturor.

2. Përmbajtja dhe organizimi tematik

Vepra organizohet në kapituj konceptualë, ku përfshihen tema si:

-“Shteti dhe drejtësia”

-“Qeverisja, komuniteti dhe shteti”

-“Përse realiteti ynë vazhdon të pengojë dhe të persekutojë”

Në çdo kapitull, autori ndërthur teorinë klasike dhe moderne me përvojën historike shqiptare, duke ofruar një sintezë që ndihmon lexuesin të kuptojë dinamikën e formimit institucional dhe kulturor të kombit.

3. Qasja teorike dhe epistemologjia

Halili referon me kompetencë autorë si Kant, Weber dhe Mill, duke i përdorur jo thjesht si autoritete distancuese, por si kornizë për artikulimin e përvojës kombëtare shqiptare. Kjo i jep veprës një dimension transversal teorik, duke tejkaluar kufijtë kronologjikë dhe gjeografikë të studimit.

4. Vlerësim kritik shkencor

Përparësitë kryesore:

-Koherencë midis analizës historike dhe kontekstualizimit teorik;

-Qasje reflektive dhe interpretative, jo vetëm përshkruese;

-Strukturë e qartë dhe ndërtim i vetëdijshëm akademik.

5. Relevanca

Monografia përbën një kontribut të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm për studimet arsimore dhe identitare shqiptare, duke qenë një shtyllë e arkitekturës së mendimit pedagogjik shqiptar. Rekomandohet për përfshirje në programet akademike të historisë, arsimit dhe shkencave sociopolitike në të gjitha nivelet.

Filed Under: LETERSI

Lideri që Shërben – Nënë Tereza në Zemrën e një Libri të Rrallë Shqiptar-  “Lideri nuk lind… bëhet” të Dr. Iris Halilit

August 5, 2025 by s p

Hysen S. Dizdari/


Shkenca e lidershipit është ndër disiplinat më pak të studiuara në Shqipëri. Me librin e saj “Lideri nuk lind… bëhet”, Dr. Iris Halili sjell një kontribut të jashtëzakonshëm, duke hedhur dritë mbi këtë fushë përmes një analize të thelluar dhe origjinale, e para e këtij lloji në letrat shqipe. Ky libër nuk është vetëm një manual mbi lidershipin – është një ftesë për vetëreflektim dhe zhvillim personal, që provon se çdokush mund të bëhet lider i suksesshëm nëse ndërton karakter dhe etikë të lartë morale.

Ajo që e bën librin unik është qasja e tij shkencore dhe e strukturuar, ku autorja trajton thellësisht rolin e karizmës dhe narcisizmit në suksesin apo dështimin e liderëve. Karizma, sipas saj, është një element i rëndësishëm, por jo vendimtar. Me argumente të mbështetura në shkolla të ndryshme të mendimit, ajo ndihmon lexuesin të kuptojë se çfarë e bën një lider të qëndrueshëm dhe të besueshëm.

Kapitujt kushtuar lidershipit toksik dhe liderëve negativë, përfshirë diktatorët dhe drejtuesit e korruptuar, sjellin një pasqyrë tronditëse, por të domosdoshme, për të kuptuar ndikimin e drejtimit të keq në shoqëri. Libri merr edhe më shumë vlerë kur i dedikon një kapitull të veçantë lidershipit femëror, ku ndër të tjera ndalet tek figura më madhështore e shekullit të kaluar: Shenjtorja jonë, Nënë Tereza.

Në faqen 61, autorja shkruan:

“Nënë Terezën si një ndër katër liderët më të mëdhenj të njerëzimit – përkrah Gandit, Martin Luther Kingut dhe Mandelës – e ka njohur literatura e lidershipit perëndimor si lideren që ndërtoi modelin e dashurisë pa kushte dhe transformoi mendimin botëror. Ajo na mësoi se dashuria është arma më e fortë që sjell paqe dhe prosperitet. Modeli i saj nuk ishte thjesht fetar, por njerëzor, universal dhe i lirë.”

Ky vlerësim e pozicionon Nënë Terezën si lideren shërbëtore për t’u imituar, një figurë e cila tejkalon kufijtë fetarë dhe kombëtarë. Dr. Halili thekson se shqiptarët nuk kanë pse të kërkojnë modele jashtë vendit – Nënë Tereza është modeli ynë i madh, i gjallë, për të ndërtuar një lidership me vlera humane.

Në mënyrë të veçantë, libri prish mitin e vjetër se arti dhe lidershipi nuk lidhen. Përkundrazi, autorja provon se artistët mund të jenë liderë të jashtëzakonshëm, pasi kanë aftësinë të jenë fleksibël, krijues, dhe të mos e shohin botën bardh e zi. Kjo ua jep atyre një përparësi të madhe në vendimmarrje.

Një tjetër kapitull goditës është ai për rolin e kulturave në lidership. Nëpërmjet një analize të thellë, autorja argumenton pse kultura shqiptare ka dështuar të prodhojë liderë transformues në epokën moderne. Ajo tregon se katër tiparet kulturore që karakterizojnë lidershipin negativ – dhe që, për fat të keq, janë të pranishme te ne – kanë penguar zhvillimin e drejtimit pozitiv dhe reformues.

Ky libër, i botuar nga shtëpia botuese Dituria në vitin 2020 dhe ribotuar në vitin 2022, u shpall libri më i mirë i mendimit për vitin 2021 nga portali më i madh online i librit shqip, Bukinist. Sot, ai është i rrallë për t’u gjetur në libraritë e Shqipërisë dhe Kosovës, por mbetet një thesar i domosdoshëm për çdo student, studiues, drejtues, apo qytetar që synon të kuptojë dhe të zhvillojë lidershipin.

“Lideri nuk lind… bëhet” është më shumë se një libër – është një udhërrëfyes i domosdoshëm për të gjithë ata që duan të udhëheqin me vlera, të dallojnë liderët e mirë nga ata të këqij, dhe të kuptojnë se lidershipi i vërtetë fillon nga vetja. E si fillim, një hap i zgjuar është të lexoni këtë libër që me vetëm 90 faqe përmbledh me saktësi e maturi thelbin e lidershipit modern.
Një vepër që na bën krenarë për Nënë Terezën, por gjithashtu për autoren që ia ka dhënë shqiptarisë këtë kontribut të jashtëzakonshëm.

Filed Under: Opinion

Gjuha shqipe në diasporë:  Dygjuhësia, ndërkulturalizmi dhe rolet e mësuesit në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit gjuhësor

August 5, 2025 by s p

Dr. Ermira Ymeraj (Shqipëri)

Msc. Aurela Konduri (Greqi)

Hyrje

Studimi trajton sfidën e ruajtjes së gjuhës shqipe në diasporë si një çështje kyçe për identitetin kulturor dhe gjuhësor të shqiptarëve jashtë atdheut. Ndërkulturalizmi shihet si një proces bashkëjetese që integron kulturën e vendit pritës pa humbur identitetin origjinal, por kjo kornizë teorike nuk mjafton për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, të cilët kanë një rol shumëdimensional si edukatorë, ndërmjetës kulturorë dhe mentorë të identitetit. Përmes metodave të ndryshme didaktike dhe teknologjisë, ata mundësojnë transmetimin ndërbreznor të gjuhës dhe kulturës. 

Studimi, përmes pyetësorëve për prindër, nxënës dhe mësues synon të ndihmojë për të kuptuar dinamikat e mësimdhënies, modelet e ruajtjes së gjuhës në komunitetet emigrante dhe praktikat mësimore, duke përdorur analiza statistikore krahasuese. Kjo na mundësoi një vështrim të plotë dhe të thelluar mbi konceptet: dygjuhësi dhe ndërkulturalizëm në diasporë, sfidat dhe motivimet që lidhen me përfshirjen në mësimin plotësues të gjuhës amtare.

Ndërkulturalizmi

Ndërkulturalizmi për mësuesit si koncept, është një qasje arsimore dhe shoqërore që promovon bashkëjetesën, dialogun, respektin dhe mësimin e ndërsjellë ndërmejt kulturave të ndryshme.

Ndërkulturalizmi për prindërit nënkupton që fëmija i tyre mëson të bashkëpunojë, të respektojë dhe të kuptojë fëmijët bartës të kulturave të ndyshme, të zhvillojë aftësi sociale, mirëkuptim dhe të jetë i përgatitur për të jetuar në një shoqëri të larmishme.

Ndërkulturalizmi për nxënësit nënkupton që ata, së bashku me shokët e tyre nga vende të ndryshme, mësojnë, luajnë, bashkëpunojnë, duke ndarë zakonet, gjuhët, lojërat e idetë e tyre.

Vlen të theksojmë se ndërkulturalizmit nuk është vetëm bashkëjetesë, por bashkëpunim aktiv dhe ndërtim komuniteti gjithëpërfshirës, ku çdo individ ndjehet i pranuar dhe i vlerësuar. Ndaj u pyetën mësues, nxënës dhe prindër se si e perceptojnë këtë koncept, strategjitë më efektive, dhe përshtatshmërinë e materialeve didaktike me nevojat aktuale për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin gjuhësor të nxënësve shqiptarë në diasporë përmes rolit të mësuesit. Për këtë u përdorën tre pyetësorë të veçantë, të shpërndarë elektronikisht përmes Google Forms gjatë periudhës maj-korrik, duke mundësuar një mbledhje të shpejtë dhe të organizuar të të dhënave. Në studim morën pjesë 68 mësues, 135 prindër dhe 83 nxënës nga komunitete të ndryshme shqiptare në vende si Greqi, Itali, Gjermani, Zvicër, Kanada, Austri, Angli dhe Suedi, duke siguruar një përfaqësim të gjerë gjeografik dhe kulturor për të kuptuar më mirë sfidat dhe nevojat në mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.

Gjetjet kryesore përmes pyetësorëve

Analiza e përgjigjeve të pyetësorëve është thelbësore për të kuptuar më konkretisht dinamikat e organizimit të mësimdhënies në kontekste të ndryshme kulturore dhe shoqërore. Ajo mundëson identifikimin e problematikave të përbashkëta dhe të veçanta që lidhen me ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar, përkushtimin e mësuesve, sfidat që hasin nxënësit dhe perceptimet e prindërve. Për më tepër, rezultatet e analizës kontribuojnë në hartimin e politikave dhe strategjive të përshtatshme për të mbështetur mësuesit dhe komunitetet shqiptare në diasporë, duke promovuar mësimdhënien ndërkulturore dhe ruajtjen e gjuhës amtare përmes mësuesve.

Nga pyetësori i mësuesve rezulton se:

Motivimi që i shtyn mësuesit e diasporës t’u mësojnë gjuhën shqipe fëmijëve në diasporë: 97.1% e mësuesve e konsiderojnë mësimdhënien e gjuhës shqipe një mision për ruajtjen e identitetit kombëtar. 48.5% janë të motivuar nga pasioni personal, 16.2% nga kërkesat e prindërve dhe komunitetit, ndërsa 10% përmendin arsye financiare.

Sfidat me të cilat ndeshen mësuesit e diasporës: Mungesa e materialeve të përshtatura (35%), mungesa e motivimit të nxënësve (30%), mbështetje e pamjaftueshme nga prindërit (25%), përzierja e gjuhëve dhe grupmoshave (20%).

Nevojat e tyre drejtohen drejt: Trajnimeve për metodologji e teknika të mësimdhënies bashkëkohore (70%), mbështetje teknike për teknologjinë (55%), mbështetje financiare (50%).

Nga pyetësori i prindërve rezulton se:

Mësimi i gjuhës shqipe: 

  1. 75% e prindërve e vlerësojnë mësimin e shqipes si një mjet për ruajtjen e identitetit kombëtar.
  2. 40% pranojnë se nuk kanë kohë të mjaftueshme për të ndihmuar fëmijët në mësim.
  3. 25% nuk e flasin shqipen rregullisht në familje, gjë që ndikon negativisht te motivimi i fëmijëve.
  4. Vetëm 20% marrin pjesë rregullisht në aktivitetet e shkollës shqipe.

Italia
Shqipja shihet si thelbësore për lidhjet familjare me gjyshërit, për ruajtjen e identitetit dhe të origjinës. Disa prindër theksojnë mungesën e kohës dhe kurseve, pasi orari i punës shpesh i detyron të flasin italisht me fëmijët. Një prind në Itali thekson: “Arsyeja kryesore është sepse kalojmë pak kohë me fëmijët tanë të flasim shqip, nga oraret e gjata të punës; kur studiojnë, jemi të detyruar t’u flasim italisht. Mungesa e gjyshërve është një tjetër problem, pasi ata kanë një rol të pazëvendësueshëm në rritjen e fëmijëve. Kush ka patur fatin t’i ketë gjyshërit pranë, është rritur me më shumë dashuri dhe mësime.”

Sfida kryesore në Itali lidhet me distancën nga kurset e gjuhës shqipe dhe dominimin e italishtes, ndërsa përparësi mbeten përkushtimi i mësuesve dhe organizimi i kurseve nga komunitetet shqiptare.

Greqia


Prindërit vërejnë një ndikim të fortë të gjuhës greke dhe kërkojnë mbështetje më të madhe institucionale për ruajtjen e shqipes. Një prind thotë: “Që ta bënin gjuhë me zgjedhje në shkollat greke. Që mësuesit të paguhen dhe të bëjnë më shumë orë mësimi. Janë pak 2 orë në javë.”
Shqipja shpesh përballet me stigmatizim social, dhe fëmijët hezitojnë ta flasin atë në publik. Megjithatë, disa shkolla greke ofrojnë hapësira dhe mbështetje për organizimin e kurseve të shqipes, gjë që shihet si hap pozitiv për integrim.

Gjermania


Prindërit e shohin mësimin e shqipes si një përparësi për të ardhmen e fëmijëve dhe për komunikimin me të afërmit. Njëri prej tyre shprehet: “Nëse humbet gjuha, humbet kombi!”
Sfida kryesore mbetet ngarkesa e orëve të shkollës gjermane dhe mungesa e kurseve të mjaftueshme. Përparësitë lidhen me motivimin e mësuesve dhe mbështetjen e disa qendrave kulturore lokale.

Zvicra


Shumë prindër shprehin dëshirën që fëmijët të mos harrojnë gjuhën amtare dhe lidhjet me familjen në Shqipëri. Një prind thotë: “Do doja shumë që fëmijët e mi të kishin secili librin e gjuhës shqipe, si në shkollë edhe në shtëpi, për të ndjekur më mirë mësimin.” Sfida kryesore është mungesa e librave dhe materialeve të tjera mësimore, ndërsa një përparësi e dukshme është ekzistenca e mësuesve të financuar nga institucionet lokale ose nga komuniteti.

Nga pyetësori i nxënësve rezulton se: Mësimi i gjuhës shqipe: 

60% e nxënësve ndihen krenarë kur flasin shqip, ndërsa 20% shfaqin pasiguri për shkak të gabimeve gjuhësore. 55% e përdorin shqipen vetëm në shtëpi, ndërsa jashtë saj dominojnë gjuhët e vendeve pritëse. Vetëm 30% e konsiderojnë mësimin e shqipes të lehtë; 50% e lidhin vështirësinë me mungesën e praktikës. 45% thonë se mësimi bëhet më i këndshëm kur përdoren lojëra, këngë dhe videot kulturore.

E dhënaNr. i përgjigjeve% nga totali (65)Shembuj tipikë
1. Dygjuhësia si avantazh (arsyet e përgjithshme)3046.1%“Është avantazh sepse di një gjuhë më tepër”, “Është mirë të dish shumë gjuhë”
2. Avantazh për njohjen e dy kulturave913.8%“Sepse mund të kuptosh dy kultura të ndryshme”, “Dygjuhësia të hap mendjen”
3. Avantazh në komunikim dhe lidhje familjare710.7%“Flas më lehtë me të afërmit në Shqipëri”, “Ndihmoj prindërit si përkthyes”
4. Avantazh akademik dhe social (për shkollë dhe punë)69.2%“Në orën e historisë për Skënderbeun ndihesha krenare”, “Më ndihmon në punë”
5. Avantazh në udhëtime dhe kontakte ndërkombëtare46.1%“Kur udhëtoj në Shqipëri flas lirshëm”, “Ndihmova në përkthim”
6. Avantazh për zhvillimin kognitiv (truri punon më shumë)34.6%“Mendja punon më shumë kur di disa gjuhë”
7. Disavantazh / ngatërrime gjuhësore34.6%“Ngatërrohem me fjalët”, “Disa fjalë nuk më vijnë në mend”
8. Përvoja personale e krenarisë kombëtare23.0%“Jam krenare që flas shqip në klasë”, “Më thërrasin ‘shqiptari’ me krenari”
9. Përgjigje neutrale ose të paqarta11.5%“Nuk e di, nuk flas jashtë shtëpisë”

Sugjerimet tona:

  1. Organizimi i aktiviteteve ndërkulturore (p.sh., ditë kulturore, projekte ku nxënësit paraqesin histori ose tradita shqiptare).
  2. Krijimi i klubeve të leximit dhe grupeve të komunikimit online për të ruajtur praktikën gjuhësore.
  3. Siç u shprehën disa nxënës, shkrimi është më i vështirë se të folurit, përdorimi i aplikacioneve për gramatikën.
  4. Përdorimi i shqipes si bazë për mësimin e gjuhëve të tjera (anglisht, frëngjisht), duke shpjeguar lidhjet dhe dallimet gjuhësore.
  5. Organizimi i lojërave gjuhësore që theksojnë ndryshimet mes gjuhëve për të shmangur konfuzionin dhe për të rritur vetëdijen gjuhësore.

Vlerësime të përgjithshme mbi analizat e pyetësorëve

Nisur nga analiza e pyetësorëve për mësuesit, nxënësit dhe prindërit, përcjellim më poshtë disa vlerësime të përgjithshme: Mësuesit janë shtylla kryesore për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor në diasporë. Ata nuk veprojnë vetëm si edukatorë, por edhe si ndërmjetës kulturorë dhe motivues të përfshirjes komunitare.

97.1% e mësuesve e konsiderojnë mësimdhënien e shqipes si një mision kombëtar, i lidhur ngushtë me përkushtimin personal dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj trashëgimisë kulturore.

Sfidat më të përhapura lidhen me mungesën e materialeve didaktike të përshtatura, motivimin e ulët të nxënësve dhe mungesën e mbështetjes institucionale dhe familjare.

Metodat dhe teknikat e përdorura janë kreative dhe të larmishme, duke përfshirë dialogun, lojërat, teknologjinë dhe situatat e përditshme, si përpjekje për ta bërë mësimin më tërheqës në mjediset dygjuhëshe.

Dygjuhësia shihet nga shumica e mësuesve si pasuri, por një pjesë e konsiderueshme e percepton si sfidë për ruajtjen e shqipes, veçanërisht kur mungon përdorimi i saj në familje dhe komunitet.

Pritshmëritë e mësuesve janë për një komunikim të rrjedhshëm, përforcim të fjalorit dhe njohje të kulturës shqiptare, si elementë të ndërthurur për ruajtjen e identitetit.

Roli i prindërve mbetet vendimtar, por i luhatshëm: vetëm një pjesë e vogël e tyre janë aktivë dhe të përkushtuar në mënyrë të vazhdueshme për ruajtjen e gjuhës në shtëpi.


Për sa më sipër lypet nevoja për ndërhyrje sistematike dhe bashkëpunim ndërinstitucional për të mbështetur mësuesit dhe për të garantuar vazhdimësinë e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.

Konstatime

Mësuesit janë shtylla kryesore në ruajtjen e shqipes në diasporë, duke vepruar si edukatorë, mentorë dhe ndërmjetës kulturorë, por shpesh në kushte të vështira, pa mbështetje institucionale.

Motivimi i tyre është i lartë dhe i bazuar në ndjenja personale dhe kombëtare, por lodhja dhe mungesa e mbështetjes rrezikon qëndrueshmërinë e tyre në kohë.

Mungesa e materialeve didaktike të përshtatura dhe e mjeteve konkretizuese dobëson cilësinë e procesit mësimor dhe aftësinë për ta bërë mësimin tërheqës për fëmijët.

Diferencat gjuhësore dhe kulturore mes nxënësve, si dhe orari jo i përshtatshëm i mësimit, ndikojnë negativisht në efikasitetin e të nxënit.

Roli i prindërve është thelbësor, por shpesh i nënvlerësuar dhe pasiv, duke sjellë rrezik për asimilim të fëmijëve në mjediset e huaja.

Dygjuhësia është një realitet i pashmangshëm, që kërkon një qasje të balancuar: nga njëra anë, si mundësi për zhvillim kognitiv dhe identitar, dhe nga ana tjetër, si sfidë për ruajtjen e shqipes.

Praktikat ndërkulturore janë të pranishme në orët e mësimit, por mësuesit kanë nevojë për qartësim të dimensioneve pedagogjike të këtij koncepti.

Sugjerime

Hartimi i një strategjie kombëtare për gjuhën shqipe në diasporë, e cila të garantojë qëndrueshmëri, burime, njohje ligjore dhe mbështetje sistematike për mësimdhënien jashtë Shqipërisë.

Trajnime të vazhdueshme për mësuesit e diasporës, duke përfshirë:

Metodologjitë e mësimdhënies së gjuhës së dytë

Qasjet ndërkulturore

Përdorimin efektiv të teknologjisë: Krijimi i një platforme kombëtare digjitale për diasporën, me: Tekste dhe ushtrime të përshtatura, Lojëra interaktive, Materiale audiovizuale në shqip.

Fuqizimi i rolit të komunitetit dhe organizatave shqiptare në vendet pritëse, për të siguruar ambiente, financim institucional për shkollat shqipe.

Fushata ndërgjegjësuese për prindërit, për të rritur përfshirjen e tyre dhe për të promovuar përdorimin e shqipes në familje.

Ngritja e një rrjeti të mësuesve të diasporës, me qëllim shkëmbimin e përvojave, binjakëzimet me shkolla në Shqipëri dhe fuqizimin profesional të mësuesve.

Hartimi i standardeve të përbashkëta për kompetencat gjuhësore të nxënësve në diasporë, me nivele të referuara (A1–B1) dhe mundësi kualifikimi zyrtar për nxënësit.

Përfundime shkencore
Ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë është një proces kompleks që kërkon strategji të qëndrueshme dhe bashkëpunim institucional. Dygjuhësia dhe ndërkulturalizmi nuk janë pengesa, por mundësi për integrim dhe zhvillim kulturor. Mbështetja nga shteti shqiptar, sigurimi i materialeve didaktike, përdorimi i teknologjisë dhe përfshirja e prindërve janë faktorët kyç për suksesin. Politikat arsimore të qëndrueshme dhe programet profesionale për mësuesit janë garancia për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar.

Filed Under: Reportazh

Departamenti i Shtetit mund t’u kërkojë aplikantëve për vizë të depozitojnë një garanci deri në 15,000 dollarë për të hyrë në SHBA

August 5, 2025 by s p

Rafael Floqi/

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, jep një konferencë për mediat.

WASHINGTON (AP) — Departamenti i Shtetit po propozon që aplikantët për viza biznesi dhe turistike të depozitojnë një garanci deri në 15,000 dollarë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, një veprim që mund ta bëjë procesin të papërballueshëm për shumë njerëz.

Në një njoftim që do të publikohet në Regjistrin Federal të martën, departamenti tha se do të fillojë një program pilot 12-mujor sipas të cilit njerëzit nga vendet që konsiderohen se kanë norma të larta të tejkalimit të afatit dhe kontrolle të brendshme të pamjaftueshme të sigurisë së dokumenteve mund të detyrohen të depozitojnë garanci prej 5,000, 10,000 ose 15,000 dollarësh kur aplikojnë për vizë. Propozimi vjen ndërsa administrata Trump po shtrëngon kërkesat për aplikantët për vizë. Javën e kaluar, Departamenti i Shtetit njoftoi se shumë aplikantë për rinovimin e vizave do të duhet t’i nënshtrohen një interviste shtesë ballë për ballë, diçka që nuk kërkohej në të kaluarën. Përveç kësaj, departamenti po propozon që aplikantët për programin e Lotarisë së Diversitetit të Vizave të kenë pasaporta të vlefshme nga vendi i tyre i shtetësisë.

Një pamje paraprake e njoftimit të obligacionit, i cili u postua në faqen e internetit të Regjistrit Federal të hënën, tha se programi pilot do të hynte në fuqi brenda 15 ditëve nga publikimi i tij zyrtar dhe është i nevojshëm për të siguruar që qeveria e SHBA-së nuk është përgjegjëse financiare nëse një vizitor nuk i përmbahet kushteve të vizës së tij ose të saj.

“Të huajt që aplikojnë për viza si vizitorë të përkohshëm për biznes ose kënaqësi dhe që janë shtetas të vendeve të identifikuara nga departamenti si me norma të larta të tejkalimit të vizës, ku informacioni i shqyrtimit dhe verifikimit konsiderohet i mangët, ose që ofrojnë shtetësi me investim, nëse i huaji ka marrë shtetësi pa kërkesë qëndrimi, mund t’i nënshtrohen programit pilot”, tha njoftimi. Vendet e prekura do të listohen sapo programi të hyjë në fuqi, tha ai. Garancia mund të hiqet në varësi të rrethanave individuale të një aplikanti. Garancia nuk do të zbatohet për qytetarët e vendeve të regjistruara në Programin e Heqjes së Vizave, i cili mundëson udhëtimin për biznes ose turizëm deri në 90 ditë. Shumica e 42 vendeve të regjistruara në program janë në Evropë, me të tjera në Azi, Lindjen e Mesme dhe gjetkë.

Obligacionet e vizave janë propozuar në të kaluarën, por nuk janë zbatuar. Departamenti i Shtetit tradicionalisht e ka dekurajuar kërkesën për shkak të procesit të vështirë të deklarimit dhe shlyerjes së një obligacioni dhe për shkak të keqkuptimeve të mundshme nga publiku. Megjithatë, departamenti tha se pikëpamja e mëparshme “nuk mbështetet nga asnjë shembull ose provë e kohëve të fundit, pasi obligacionet e vizave në përgjithësi nuk janë kërkuar në asnjë periudhë të kohëve të fundit”.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 235
  • 236
  • 237
  • 238
  • 239
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT