• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IDETË, VLERAT DHE GUXIMI I POPULLIT UKRAINAS

March 3, 2022 by s p

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA

E pastaj është guximi. Është ajo gjë me zanafillë nga më të ndryshmet dhe formash të shumta, që shfaqet papritmas e kur nuk e pret e që është guximi. Është në guximin mësimi i vërtetë e sigurisht më i vyer, që Ukraina po i jep sot botës. Nuk është vetëm vendosmëria sypatrembur e presidentit të saj. Është guximi i atij që pa patur mbajtur kurrë një pushkë në dorë shkon të vishet ushtar, edhe se e din se bën një hap ndoshta vendimtar drejt vdekjes (dhe janë dhjetra mijra); është guximi i djemve e vajzave që, në lulishtet e qyteteve, përgatisin shishet Molotov me të cilët nesër ndonjeri do të vrapojë para një tanksi në rrugët e Kievit apo të Odesës; është guximi I nënave që të vetme strehohen jashtë kufijve, të ngarkuara me fëmijë, pa bërë zë që burrat e tyre dhe bashkëjetuesit i braktisin për të shkuar  të luftojnë. Është guximi I një zonje të moshuar që I del përballë një ushtari rus t’armatosur deri në dhëmbë duke I thënë ”çfarë bën këtu, ku nuk është shtëpia e jote?”. Është guximi I një grupi të vogël marinarësh, të cilët me shërbim në një ishull të parëndësishëm të Detit të Zi, anijes ruse që I urdhëron të dorëzohen i përgjigjen “shkërdhehuni!” pa e ditur fundin që do të kishin patur. 

Nga vjen guximi? Sigurisht nga shumë anë. Por më së fundi, pothajse si gjithshka, vetëm nga një anë: nga idetë e nga vlerat. Nga ideja që kemi për vetveten  e për jetën, nga vlera që i japim Vëndit që kemi për rreth e në të cilin jemi lindur, nga ideja që kemi për historinë e tij, për atë që i ka ndodhur para nesh atyre për të cilët ne jemi bij e nipa. Nga pesha e kuptimi që i japim secilës prej këtyre gjërave. Mbas shëmbullit të guximit që sot po japin Ukraina dhe njerëzit e saj gjindet një ndjenjë tepër e fuqishme dinjiteti vetiak por edhe përkatësie të përgjithëshme, ndihet të tingëllojë me një tingull shumë të qartë ideja se ka çështje për të cilat jeta mund të flijohet, për më tepër bindja se nuk mund të lejohet mujshia e atij që dëshëron të na detyrojë vullnetin e tij. E gjithë  kjo së fundi  e gatuar, si me thënë e kalitur dhe e çuar në një temperaturë shumë të lartë nga flaka e atdhedashurisë. Që nuk është  krenaria dhe kërkimi i fuqisë së kombit të vet, është para së gjithash dashuria për Vëndin për historinë e zakonet e tij, e së bashku me dëshirën për të jetuar të lirë në të, të lirë për të përcaktuar fatet, duke i bashkëndarë me të tjerë që flasin të njëjtën gjuhë, por me të cilët jemi në gjëndje të merremi vesh pa nevojën e fjalëve, por vetëm me një shikim, me një shenjë të thjeshtë me kokë. Është nga atdhedashuria, nga kjo ndjenjë e lartë por e thjeshtë të të jetuarit e të virtuteve shoqërore, nga kjo lidhje që mban së bashku shoqërinë njerëzore, që lind guximi i sotëm i ukrainasve. Një guxim që ka të bëjë edhe me ne. Që – nëse nuk duam të fshehim kokën në rërë si struci – sot na pyet të gjithë neve, banorë të Perëndimit demokratik paqësor e të kënaqur. Çfarë ka mbetur nga atdhedashuria në shoqëritë tona? A do t’ishim ne italianët t’aftë me të njëjtin vetmohim, me të njëjtën njëzëshmëri e bashkësi qëllimesh, të bëjmë diçka të ngjajshme me atë që shohim të ndodhë në Kiev apo në Mariupol? Le të përgjigjet secili për vete. Por nëse përgjigja është me mëdyshje e madje një jo, atëherë duhet të pyesim veten edhe përse. Të pyesim përshëmbull nëse biseda e jonë publike – përtej ritualit të ngrirë e të zbrazur të çdo ceremonie zyrtare – a është në gjëndje të çmojë me të vërtetë vlerat që e shoqërojnë atdhedashurinë, nëse protagonistët e jetës sonë politike tregojnë ndonjë koherencë vetiake kundrejt atyre vlerave. Të pyetemi nëse vetë ato vlera, anasjelltas , mos janë të rrethuara zakonisht, sidomos në mjediset intelektuale e të mediave, nga një farë begenisje ironike që i vizaton tashmë si një gjë jashtë kohës. Të pyetemi përsëri, për shëmbull, se nga sistemi i ynë arsimor të rinjtë italianë – tashmë të katandisur  pothuajse në mos njohjen e asgjëje nga historia e Vëndit të tyre – a mund të nxjerrin ndonjë mësim që ka të bëjë me ndjenjën e përkatësisë së përbashkët diçkaje. Kohët që po jetojmë tregojnë se si mund të ndryshojnë rrufeshëm gjërat, idetë e skenarët që i besonim më të sigurtët e më të qëndrueshmit. Sa mund të zbulohet e thyeshme, mund të zhduket në një javë, gjithshka kishim besuar deri dje. Shumë gjëra të së sotmes janë të parcaktuara të mos jetojnë më gjatë. Por për guximin e për atë që e ushqen atë është e vështirë që të mos ketë më nevojë. Më së fundi – lexohet në faqen e një libri të madh e shqetësues, “Perëndimi i Perëndimit” – mbrojtja e qytetërimit është varur gjithmonë nga një detashment njerëzish t’armatosur”. Fjalë që vlejnë aq sa vlen një profeci: por nëse vërtetë do t’ishte kështu, si do të bënin ata njerëz nëse nuk do të kishin guxim, nëse shpirti i tyre do t’ishte i përkulur nga frika?

“Corriere della Sera”, 28 shkurt 2022    Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza

MJER’ KUSH “HARRON”

March 3, 2022 by s p

Pergatiti Fritz RADOVANI:

Mjer ata Popuj fatzezë që harrojnë të kaluemen e vet nen komunizem! 

Nuk asht aspak e largët që nder ata shtete historia prap do të persëritet! 

Komunizmi asht provue se asht: “Nana e të gjitha të zezave!”. 

Populli Shqiptar ishte një laborator hermetik mu në qender të Europës ku eksperimentohej çdo “mendsi” e çmendi e kësaj teorije të shëmtueme antinjerzore, ku qenja mbi të cilën bahej prova ishte “një shifer”. Por kurr, i quejtun kjoftë as formalisht “njeri”! Mbas vendimëve të Jaltës, ku Ruzvelti ndau zonat e influencës në Botë me “të dashurin shoku” Stalin dhe “vezhgues” Çiurçillin, sistemi i qeverisjes së komunizmit u shpernda në Evropë në tre tipare të përaferta, por kurr të barabarta. 

Lindja Europjane komuniste stalinjane deri në vitin 1953, ka provue terrorin dhe diktaturën stalinjane. Veprat e tij barbare i treguene mbarë Europës dhe Botës së mbas Luftës së Dytë Botnore me fakte, dokumenta dhe prova që, janë ma të pakundershtueshmet se, “komunizmi asht një sistem diktatorial, vrastar, kriminal, barbar dhe i pashoq në Botë!”

Terrorizmi dhe krimi i organizuem nga shteti diktatorial mbi popullin e pambrojtun Shqiptar dhe të merthyem mbrenda “perdes së hekurt”, arrijti me kthye të gjithë njerëzit në një kope të lidhun kambësh e duersh, me një leckë të kuqe të zhublosun në gojë, që vetëm shihte një dorë naltë, të gjakosun me drapen e çekan të shtërngueme fort mbi koken e tij e, që ishte dora e diktatorit që mbjellë frikë, terror, pasiguri, dhe kërcnim tue ua shpërba edhe pamjen si njerëz, pikrisht njënit prej popujve ma të vjetër të Globit toksor: Popullit Shqiptar.

Kjo farë e keqe komuniste zhvillohej në vëndet ma të pazhvillueme, sëpse aty gjenë terrenin e vet me mashtrue me parullen ma të njohun por, edhe ma të pelqyeme nga turmat, “barazi për të gjithë pa dallim feje, krahine dhe ideje!”, ndërsa, fshatarët analfabet i siguron me hy në vathën e tij me “reformen agrare”, që asht praku i kapercyllit për në kooperativën apo “kolkozin” e fshatarit masakruem rus. Kështu, pergatitë terrenin me zhdukë me vrasje, burgime, tortura, pushkatime, interrnime dhe gjyqe fallse të “popullit” krejt kastën shtetnore të ashtuquejtun “borgjeze”, tue shfarosë krejt aparatin e vjetër shumë të kulturuem dhe përparimtar të përgatitun në Europen Perëndimore dhe, tue e zëvendsue ate me kastën e “re” të paditun dhe të pa kurrfarë tradite për me krijue, organizue dhe me vue themelin e një shteti të zhvilluem Europjan. Baza kulturore e tij ishin çerdhet sllave ku komunizmi ishte instalue me kohë nga Rusia. 

Fillimi i gjyqeve të mëshefta dhe barbarizmat ndër hetuesi, janë mjeti me të cilat shteti arrinë që mija e mija njerëz me të njajtat vlera, përfundojnë viktima të Sigurimit të shtetit. Kështu, në mënyrë të vetdijshme pranojnë humbjen e Lirisë, si një “dhuratë” për këdo që do me jetue, tue pranue si të ligjëshme edhe dhunimin e shkeljen e të drejtave dhe Lirive të njeriut, “të mbrojtuna” vetëm në letra nga shumë institucione ndërkombëtare. 

E gjithë kjo “betejë” që ka vetëm një qellim: “Marrjen e Pushtetit me dhunë” dhe qeverisjen e gjithë popullit nga një dorë barbare marksiste – leniniste e terroriste, që u realizue në Shqipni me kriminelin anadollak Ever Hoxha, ka pasë një mbështetje të fuqishme.  

Ajo mbështetje shumë e organizueme ishte në Sigurimin e Shtetit dhe metastazat e tij në çdo skutë të vendit me kujdes nga Jugosllavia titiste.

Në vitin 1941, jugosllavët antishqiptarë i vune gishtin diktatorit tonë ma vrastar të Popullit të vet n’ Europë, dhe ky ishte tirani Ever Hoxha, edhe sot i ngordhun, ideolog e drejtues i shtetit nga nentoka e Tiranës së kuqe.

Everi ishte “dija e pafund” e krimit! Edhe njerzit që kanë pasë rast me i dhanë dorën atij tiran barbar janë ba të “dijshëm, të mendshëm, të mprehtë dhe të djallzuem e vrastarë mbasi janë takue me té”. Kur fliste ai duhej ndigjue, por duhej nxjerrë edhe mësimi ashtu si e “pelqente” ai, dhe të nesermen ti duhet të veprojshe si “thonte partia”, mbasi kuptimi i shtrembët nga ana e yte mund të kushtonte shtrenjtë. Duhej lexue një fjalim i tij në kolektiv, në shkolla, fabrika e kooperativa, minjera e zyra shtetnore, po duhej ripërsëritë në shtëpi, shpesh, edhe duhej konspektue tue nxjerrë edhe detyrat tua për të ardhmen tande, mbasi vetëm ata shkarravina antinjerzore ishin “udhërrëfyese” për secilin Shqiptar. Fotografia e tij ishte në krye të vendit! Kudo, nder zyre, rrugë kryesore, shkolla e edhe në mjaft shtëpija, jo vetëm komunistësh por edhe njerzish të thjeshtë, që tue pa surratin e tij, i dukej krimi vrastar ma “njerzorë”! 

Në Shqipni statujat e tij mbizotnonin qytetet e mbarë vendit! Ai ishte “drita” që shpërndanë, “mprehtësija e tij, dija, kultura, elokuenca, madhështia, forca e depërtimit të mendimit dhe e fjalës së tij” që ishin absolute, të pagabueshme, të sakta dhe të pandryshueshme, pra duhet nënkuptue të padiskutueshme nga askush, “as nga djali i tij”. Ai knaqej me gjakun e freskët dhe të perditshëm të intelektualve tanë ose, ma mirë me thanë: “Me gjak të komunizmit real totalitar stalinjano – enverjan”! Dishroni ti hiqni masken komunizmit në Shqipni?! Mos hezitoni!

Populli Shqiptar sundohej nga Ever Hoxha nëpërmjet të dhunës që ushtrohej nga institucioni ma i paligjshëm i tij Sigurimi i shtetit komunist, vetëm mbi një parim friksimi, kërcënimi dhe shtypje të pashoqe, sëpse secili Shqiptar ishte i lidhun “për kafshatën e bukës”, siç ka thanë At Pjetër Mëshkalla, kur u arrestue në “Revolucionin Ideologjik dhe Kultural” të vitit 1967 në qytetin Martir të Shkodres, një qytet i vertetë “Muze” i Europës shpartallueme nga komunizmi.

Popujt e qytetnuem duhet ti heqin pa hezitue tiranisë komunizmit masken! Në librin tim “Një Monument nën dhé”, unë kam shkrue: “Sigurimi i shtetit  vëpronte kështu se, nën pelerinën e kuqe të komunizmit përmish kishte të ngjeshuna ndjesitë fondamentaliste që instruktoheshin nga shovenistët sllavo – aziatikë. Torturat mizore të tyne nuk ishin tjetër veç shpërthimi i shfrenuem i epshit shtazarak të kafshve të egra, që ndryhej ndër shekuj në këto qenje, që për fat të zi edhe këto thirreshin “shqiptarë”, edhe pse nuk kanë njëpikë gjak shqiptari! Për kaun e Sigurimit të shtetit ishte kënaqësia ma e madhe vërsulja mbi veladonin e zhgunin, tue e shkrrye përtokë dhe mandej, qetësohej e zgërdhihej kur duert e ndyta i lante në gjakun e pastër të prehës së tij.” Aty do të gjeni të shkrueme se komunizmi asht një mbretni errësine, ku çdo dritë apo shkëndi e saj shuhet me dhunë! Kjoftë edhe nen dhe: Shkëlqen deri në marramandje vetëm një pallat, ai asht “pallati i diktatorit”. Komunizmi asht vetëm një propagandë fund e maje vetëm rrena apo gënjeshtra mashtruese. Veni emnin ju si ta doni! Komunizmi asht sistemi i sundimit ma përbindsh i Shek. XX, po edhe shumë i pelqyeshem per trashigimtarët e tyne në Shek. XXI. 

Ata që kerkojnë “rilindjen” e tij janë vazhduesit e veprave kriminale të tij, ata janë të pangopunit me Gjak të Shqiptarve të pafaj dhe Atdhetarë, ata janë terroristët ma barbar e robnuesit ma tiran t’ Atdheut të Shekullit XX dhe XXI. Metodat që sot po aplikohet nga Edi Rama. I etshem deri në idjotsi per diktaturë, plantacione droge dhe pasunim të pamerituem miljoneri. Në këte organ të shemtuem grumbullohen të gjithë ata që nuk kanë asnjë tipar të dukshëm ose të mbrendshëm të njeriut. 

Brajan Capmen thotë: “Thesari ma i çmueshëm i një diktatori janë spijunët dhe informatorët, mbasi me ta mbjellët përçarja në popull, ndërsa me vrasësit ruhet sundimi. Spijunët janë njerëz të stërvitun për vepra të ulta, të rritun mjedis poshtnimit”. Rilexoni edhe njëherë këte citat e keni me kuptue se, cila kje arësyeja që Ever Hoxha, me të gjithë aparatin e tij terrorist qeverisës, vorfnoi popullin, e shpërftyroi njeriun, dhe e mbajti 47 vjet nën diktaturë barbare e tirani robnuese komuniste?

Tue aplikue metodat ma të mnershme e djallzore të “luftës së kllasave”, tue privilegjue dhunuesit dhe torturuesit apo organet e “drejtësisë”, që shtonin numurin e këtyne spijunve, të gjithë të lindun, të rritun e edukue në kurset e analfabetizmit nga “shkolla e re socialiste” e kudondodhun.

Duheshin sa ma shumë kampe pune dhe shfarosje, të interrnuem dhe ushtarë për me sigurue me punën e tyne të pashpërblyeme fitimet përrallore si, dhe garancinë e sotme per ata kapitale ndër banka.

Ja dhe reforma me të cilën krenohën shokët e Partisë komuniste: “Arësimimi i gjerë i masave dhe revolucionarizimi i shkollës sonë.” Qendrat ku Shqiptari humbi tiparët e Tij shekullore, Burrni, Besë e Bujari. Ja vendi ku u shembë Ideali “Atdhé e Fé”, ja çerdhja ku Shqipja Dykrenare çili zogjët e vet: Malësia tue ikë rrugave të gërbetit dhe tue harrue zakon’ e traditë mijravjeçare. Ja “shkolla” ku formohej breznia e “re socialiste” pa korajo civile, servile dhe hipokrite, opurtuniste pa pikë burrnije, me parime marksiste – leniniste dhe ateiste, parime të cilat sot synojnë me shpartallue Atdhetarizmin dhe Familjen Shqiptare. 

Ja Populli Shqiptar i njohtun në Evropë e në gjithë Botën me Dy nga Simbolët e Paqës dhe të Lirisë së të Drejtave Njerzore : Të Madhin Gjergj Kastriotin Skenderbeun dhe Nanë Terezën e Shqipnisë, “në mes të Evropës”, por jashta Saj!

E shka i ka mbetë Shqiptarit me u krenue se: “Jam Shqiptar”?!

Nëse, Presidenti i Madh Havel foli në vitin 1999 në Tiranë, para pallatit të Kryeministrisë për komunistët çek të konvertuem, dhe rrezikun që i sjellin ata demokracisë, ashtu asht si thonte Ai, por kur bahët fjalë për komunistët tanë shqiptarë, ata nuk do të konvertohën kurr, sëpse “ata janë të konservuem me edukaten e veset Everit e të ‘Ballkanit hapur”! 

Fitoret e atjeshme janë të lidhuna per kater kambët e karrigës e portofol. 

Perderisa nuk preken as tituj as dekorata të tiranit dhe diktatorit Ever Hoxha si dhe të bashkpuntorve të tij, tue fillue nga Nexhmije Hoxha e Ramiz Alia, pa e perjashtue asnjenin, ata të gjithë që heshtin vazhdojnë me kenë komunista dhe, me pasë mundësitë me veprue,  edhe sot do të provoni thanjen time se: “Rilindja komuniste” asht vetvrasje kombtare!

Në se kerkoni dhe prova tjera, sot ma shumë se kurr keni “vllezërit tuaj të gjakut komunist rus” që provojnë me fakte çdo fjalë të shkrueme këtu: 

Janë Herojt’ e Ukrahinës Trime që sot po vdesin per Liri e Pamvarsi!

Melbourne, 2 Mars 2022.                         

Filed Under: ESSE

MONUMENTET E KULTURËS TË KULTIT KATOLIK NË QARKUN E SHKODRËS DHE LEZHËS DHE RREZIQET E SOTME

March 3, 2022 by s p

Dr. Dom Nikë Ukgjini

Instituti Filozofik e Teologjik, Shkodër

Objektet e kultit i kanë fillesat e jetës në periudhën antike, kur themelohen si te tilla për nevojat e bashkimit të besimtarëve në një vend të caktuar për tu lutur Zotit. Jeta dhe pamja e tyre me themelet e lashta ka vazhduar të ndjeke kurbën e ngjarjeve historike gjatë gjithë periudhave pasuese të zotërimit romak, antikitetit të vonë dhe mesjetës. Këtë traditë e kanë konfirmuar si burimet historike ashtu edhe të dhënat arkeologjike, për Shkodrën, Lezhën e shumë qytete të tjera në Arbëri.

Me mbylljen e kishave dhe ndalimit të fesë në Shqipëri në vitin 1967, objektet më rendësi historike pësuan si në kohën e perandorisë së osmane, një goditje të rendë shkatërrimi.  Shteti ateist, pos që shumë prej objekteve më vlerë rrënoj, me një të rënë të lapsit, diktatura dhunoi e përdhosi brenda një viti shumë gjurmë të trashëgimisë fetare e kulturore në vend, duke mos i vendosur as në listën e Monumenteve të Kulturës. 

Sidoqoftë, në listën që patën fatin t’i shpëtojnë rrënimit në vitin 1967, në qarkun e Shkodrës dhe Lezhës, duke i shpallur ato në vitin 1973 e 1984, Monumente Kulture, janë një varg objektesh të kultit të mbetura.

Pas hyrjes së demokracisë në vitin 1991, dhe organizmit të Kishës katolike në vitin 1993, dioqeza e Shkodrës dhe e Lezhës, si dhe të gjitha dioqezat të tjera në Shqipëri, objektet e kultit të cilat ishin në gjendje rrënimi, një pjesë prej tyre i meremetuan dhe i rindërtuan. Por, pjesa tjetër mbeten si detyrë e në mëshirën e fatit të Ministrisë se Kulturës. 

Gjatë kësaj kohe të demokracisë, kur pritej një ndërhyrje radikale në përmasimin e gjendjes në objektet kulturore e sidomos atyre të kultit, realiteti tregon të kundërtën. Gjendja e tyre dita e ditës vetëm sa është përkeqësuar. 

Qarku i Shkodrës

Monumentet e Kulturës, ato të kultit katolik në Qarkun e Shkodrës, sipas inspektim në terren, është jashtëzakonisht e rendë dhe e pa pranueshme, për shkak të mos ndërhyrjes në meremetimin e tyre  më vite më radhe. Edhe në ndonjë objekt që është ndërhyrë në mënyrë të pjesshme, ajo ka qenë me cilësi shumë të dobët, dhe vetëm sa për ta arsyetuar fondin e marrë nga shtetit. 

Ecim sipas një kronologjie të monumenteve të shek. XII-XIII.

Kisha Katedrale e Shën Shtjefnit, në kalanë e Shkodrës me një vlere të  jashtëzakonshme historike e cila i ka muret ngritura dhe harqet, ndërhyrja e parë dhe e fundit ka qenë në vitin 1988, pra në kohen e monizmit. Por sot ajo ka nevojë për meremetimin e mureve. Në rrënojat kishave Trikonkëshe, në Kalanë e Drishtit, nuk mbahet mend që ka pasur ndonjë ndërhyrje restaurimit të tyre, pos që, kohë pas kohë në ato ambiente ka pasur gjurmime të ndryshme arkeologjike për efekt studimi. Po të nijetin fat të keq e kanë rrënojat e kishës së Shën Nikollës në Shat (Mazrek), ku ende mbeten gjallë, absida dy katesh e një Kishe dhe Kambanorja e përgjysmuar. Kishat në Shurdhah (Sardë), ku disa prej tyre akoma i kanë një pjesë të mureve deri në 4 metra lartësi, nuk kanë pasur trajtime restauruese, për pos në disa rrënoja më pak vlerë nga një fond Evropian në vitin 2014. Për shkak të mos kujdesit të dukshëm nga shtetit, po këtu  në Shurdhah (Sardë), famullitari i zonës në vitin 2002, i ka ngritur muret e Kishës se Zojës së Bekuar, duke e mbuluar me çati e tjegulla vendi. Ndërhyrje në meremetimin e rrënojave apo gjysmë mureve ekzistues të monumenteve,  gjatë këtyre 30 viteve, nuk ka pasur as në rrënojat e kishave në kalanë e Nenëshatit, Vau i Dejës; rrënojat e kishave në Balezit, Reç, Malesia e Madhe; rrënojat e kishave në kalanë e Dalmacës në Koman, pos disa gërmimeve arkeologjike për efekt studimi; muret e kishave në Kabash, Fushë Arrëze; Kisha e Shën Mërisë, Vau të Dejës dhe rrënojat e Kishës së Shën Mëhillit, në kalanë e Sapës, Vau i Dejës.

 Në mungesën e kujdesit nga shteti, famullitari i zonës së Gruemirë, Vrakë, është kujdesur për  rrënojat e abacisë dhe Kishës së Shën Gjinit e shek. XII, në Rushkull, Grue e Mirë, Malesia e Madhe. Po aty famullitari e ka rikontruktuar dhe meremetua, kambanorin  e madhe deri në 7 metra lartësi në vitin 2012. Në rrënojat e kishës së Shën Markut në kalanë e Vau të Dejës, nga famullitari i zonës janë ngritur muret e kësaj Kishe dhe është vendosur çatia me tjegulla vendi, në vitin 2004.

 Rrënojat e kishës së Shën Shirqit e Bakut në Dajç të lumit Buna, apo abacia benediktine e shek. VI,  nga mos kujdesi i shtetit rrezikon të zhduket përgjithmonë. Studiuesit tanë në sensin e ngritjes se alarmit shprehen “Bizhuja e humbur e Shirgjit. Kjo kishë e stilit romano – gotike e rindërtuar në shek..XIII, e cila  strukturën e plotë të saj e kishte  deri në vitin 1900, sot e mbetur me një mur ballor, në pritje të një mëshire nga qielli, për mirëmbajtjen e tij. Meqenëse ky mur vazhdimisht është i rrezikuar edhe nga ujërat e lumit Buna, Ministria e Kulturës në viti 2013 ka ngritur disa agjenatura mbrojtëse ndaj gërryerjes së tokës nga ujërat dimëror dhe përmbytjet të vazhdueshme. Për shkak të dobësimit të themeleve nga ujërat e vazhdueshëm aty pran, muri ekzistues e ka fituar një plasje për në mes dhe dita ditës rrezikon të bie. Prandaj kërkohet një punë ma e specializuar dhe ma voluminoze, për jetëgjatësinë e tij. Në këtë objekt, një meremetim i thjesht dhe jo profesional është krye në vitin 2016, nga Ministria e Kulturës, por ajo nuk mjafton për ta mbajtur në jetë atë mur më një histori qindra vjeçar.

Kompleksin, Kishë e qelë, në Kukël, Bushat, ku poeti Mjeda ka jetuar për 30 vite me radhë, është ringritur dhe restaurua me fonde private nga famullitari i zonës Dom Nikë Ukgjini, gjatë vitit 2012-2014. Për shkak të vlera historike dhe arkitekturore që ia ka, Ministria e Kulturës në vinin 2012 sa  për ta pasur si evidentim e ka shpallur Monument Kulture. Po kështu sa për evidentim, qenë shpallur edhe rrënojat dhe muret e Kishës katedrale të Sapës në Nenshatë, në vitin 2016 ku ende spikat më madhështi pjesa ballore e Kishës.

Qarku i Lezhës

Po kështu gjendja e alarmuese është edhe në qarkun e Lezhës.

Në qarkun e Lezhës u bënë disa ndërhyrje, rindërtuese dhe restauruese nga ana e Ministrisë se Kulturës, në katedralen e Shën Nikollit dhe njëkohësisht vendvarrimi i Gjergj Kastriotit,  ku ajo e fundit ndodhi në vitin 2018. Por për rendësin e madhe që  ka i gjithë kompleksi historik, është bërë minimumi i mundshëm për rivitalizimin e tij. Po kështu edhe në kalanë e Lezhës dhe rrënojat e Kishës

së hershme antike, vërehet mungesa e kujdesit njerëzorë. 

Nëse i radhisim sipas rendit kronologjike objekte të tjera, duhet të nënvizojë problematikat e shumta të Kishës së mesjetare, Kisha e Balldrenit e shek..XIII e stilit gotik. Kisha e Balldrenit më vlera kaq të mëdha historike e artistike, si për çudi, në lidhje më afresket, në pjesën e absidës dhe gjurmë të tjera në tërë hapësirën e mureve, për vite të tëra kishte mbetur jashtë vëmendjes të diplomatëve studiues, austro-hungarezë, franceze, italian  e tjerë si: Hahn, Ippen, De Grand,  Jeriçek, Shufllaj, apo jezuitit skrupull, Zef Valentinit. Madje, edhe  studiuesit tanë që kontribuuan për shpalljen Monument Kulture të Kategorisë së parë për vlera arkitekturore, në vitin 1981, nuk e hamendësonin së brenda saj fshihej një pasuri e madhe qindra vjeçare me vlera jo vetëm shqiptare, por dhe ballkanike. U desh të vijë viti 2002, kur në një aksion të hartuar nga Ministria e Kulturës për shpëtimin e pjesës arkitekturore, u zbulua rastësish brenda suvatimit kjo pasuri e rrallë artistike e ideuar nga mendja arbërore. Një projekt tjetër i hartuar nga Ministra e Kulturës në vitin 2005 edhe pse ishte shumë ambicioze për rehabilitimin e plotë të këtij objekti, ai kishte mbetur i fjetur në sitarët e kësaj Ministrie. Nisur nga gjendja e mjerueshme e këtij objekti, situatën në dorë e mori, Dom Nikë Ukgjini dhe sipërmarrësi Gjergj Lejqeza, dhe me ndihmën e kontributeve të tjerë privatë, u arrite që objekti  të restaurohet dhe rikonstruktohet i plotë në vitin 2019, duke vendosur çatinë e re, dyer, dritare dhe zbulimin gjurmëve të afreske në muret e brendshme. Mbetet nevoja e restaurimit dhe konservimit të afreskeve murale në pjesën e absidës. 

Po e njëjta gjendje kishte ndodhur dhe më Kishën e Shën Barbarës (Shën Barbullës) e shek.. XIII, në fshatin Pllanë. Afresket e saj impresionuese, brenda e jashtë, në pjesën e hyrjes, po shpërlahen gradualisht si rezultat i mungesës së ndërhyrjeve dhe sidomos lagështirës së shkaktuar nga amortizimi i çatisë për gjatë 18 viteve me radhë. Ndërhyrjet e fundit në këtë objekt u bënë nga Ministria e Kulturës në vitin 2001-2002, duke vendosur një çati provizore mbi atë vjetrën, dhe sistemimi i dyshemesë. Më pas ajo që braktisur plotësisht nga Ministria e Kulturës, duke e lenë pa dyer e dritare e më çati të shkatërruar.  Në këtë rast u pa i nevoja e domosdoshme e një ndërhyrje të shpejt në baza vullnetare gjë që u bë nga Dom Nikë Ukgjini e sipërmarrësi Gjergj Leqejza si dhe disa sipërmarrës të tjerë,  dhe në fund të vitit 2020, u arrite të behët rikonstruktimi i plotë i objektit: çati të re, dyer e dritare, duk përshirë këtu sistemimin e ambientit për rreth dhe përkujtimoren për shkollën shqipe. Mbete nevoja e konsolidimit dhe konservimit të afreskeve murale të cilat akoma e ruajnë shkëlqimin e tyre. 

 Kisha e Shën Aleksandrit (Sh’Lledrit) në kodrën e Bokionit, e cila ndodhet midis fshatrave Spiten dhe Pruell, ka qenë kthyer në gërmadhë nga mos kujdesi i Ministrisë ë Kulturës, por në vitet 2010-2011 këtu kanë ndërhyrë vetë banorët së bashku me priftin famullitar, duke ringritur në këmbë muret e rrafshuara në përjashtim të 50% të absidës,  duke vendosur çatinë e re, dyer, dritare dhe sistemim i ambientit për rreth objektit.  

Në lidhje me Kishën mesjetare të Shën Shtjefnit në fshatin Blinisht, e shek. XIII, më tavan harkor më material guri, këtu është ndërhyrë pjesërisht nga ana Ministrisë së Kulturës sa për t’ia mbushur mendjen ndokujt së po punohet dhe për t’i arsyetuar shpenzimet e bëra. Aktualisht vetëm 60% e strukturave murale janë në këmbë, prandaj është shumë e nevojshme edhe një ndërhyrje konservuese, konsolidues, restauruese e ngritja e një çatie provizore, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë hyrjes së Kishës, absidës dhe asaj çfarë ka mbetur nga muri verior.

Kisha e Shën Nikollit në fshatin Zejmen e shek XIII, e ka humbur plotësisht madhështinë e saj të dikurshme. Pasi ka mbetur pa çati, reshjet atmosferike kanë shkaktuar dëmtimin, zhbërjen dhe fshirjen e plotë të afreskeve dhe rënien e suvasë, duke ekspozuar kështu të gjithë muraturën e brendshme. Gjatë udhëtimit të tij në vitin 1907, Theodor Ippen (diplomat dhe albanolog) ka konstatuar në faqen e majtë të murit të kësaj kishe, gjurmë të qarta afreskesh ku paraqitej Shën Maria e ulur në fron që mbante në prehër Jezu-Krishtin. Nga mos kujdesi i Ministrisë se Kulturës, u bë gërmadhë në muajin janar të këtij viti, duke iu shembure në dy muret anësore, ku muri perëndimorë mbartë në vete gjurme të afreskeve mesjetare.

 Kisha dhe Manastiri i Rubikut i shek. XII, falë mirëmbajtjes së etërve françeskan të cilët edhe sot kujdesen për te, në vitin 1998 ka qenë rekonstruktuar nga françeskanet më mjaftë sukses. Ajo tani ka nevojë për konsolidimin e gjurmëve të afreskeve që gjenden në pjesën e absidës të cilat kanë qenë skajshëm të dëmtuar nga acidet luftarake të depozituar në afërsi të objektit në kohën e komunizmit. 

Një ndërhyrje konsolidimi dhe sistemimi iu bë në vitin 2021, me fonde Evropiane.

Në vazhdën e atyre që po zhduken e rrënohen, janë dhe rrënojat të kohës antike, të Kishës së Shën Marisë në Shenmri, Mamuras, Kurbinë, ku në disa pjesë të mureve ekzistuese e gjysmë të shkatërruara,  akoma janë të dukshme gjurmët të afreskeve mesjetare të cilat nuk do i kemi me.

Në fshatin Gallat, Kurbin, kemi rrënojat e Kishës së Shën Premtës dhe Selisë ipeshkvore të Arbenisë, të cilat janë të pa konsoliduar. Ne shenje dashuria ndaj historisë së objekti, vetë banorët së bashku me priftin e zonës vitin 2013, kanë ndërhyrë duke ringritur në këmbë muret gjysmë të rrafshuara e mbi to kanë rindërtua kishën e re me çatinë e re, dyer, dritare. Nisur nga ky fakt Ministria e Kulturës, këto rrënoja ia ka shpallur Monomet Kulture në vitin 2016. 

Një ansambël ndërtimor e shek.. XIX, shpallur Monumente Kulture në vitin 2015, është dhe Selia e  vjetër e Durrësit në Delbenishtë, Kurbinë, e cila në vitin 2005, që  meremetuar nga famullitari i zonës, për sot është në rrenim e sipër për arsye të dëmtimit nga tërmeti i vitit 2019. 

Kisha e Zojës së Papërlyer dhe Kolegji Françeskan i Troshanit, ndërtime të shek.. XIX, janë një ansambël ndërtimor madhështor i shpallur si Monument Kulture në vitin 2016, dhe gjendja fizike është e mirë nga rekonstruktimi i bërë në vitin 1995, nga famullitari i zonës. 

Përmbyllje

Në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës, vërehet dhe mungesa e evidentimit të shumë objekteve të kultit me vlera konsiderueshme historike, kulturore e fetare. Në mungese të dorës së shtetit, shumë objekte të kultit Monument Kulturës kanë rënë pre e gërmimeve pirate gjatë vitit 2007 dhe këto raste janë bërë publike në Media nga vetë banorët e revoltuar. Gjithashtu nga heshtje e braktisje e monumenteve, banoret në shumë zona, kanë dëmtuar sitet arkeologjike duke ngjitur varre pranë themeleve e objekteve të caktuar. Nga Ministria e Kulturës, jo vetëm në këto raste, por në gjithçka që ka lidhje me Trashëgiminë Kulturore në përgjithësi dhe për Monumentet e Kulturës në veçanti, presim që ky institucion kaq i rëndësishëm të kryejë funksionin për të cilin është krijuar, pra mbrojtjen, përkujdesjen dhe promovimin e çdo aseti të Trashëgimisë tonë Kulturore Kombëtare. Monumentet e Kulturës përfaqësojnë vertebrat e shtyllës kurrizore të identitetit tonë kombëtar dhe çdo objekt i rrënuar nga mungesa e vëmendjes, harresa, pakujdesia apo nga abuzimet e ndryshme, është krim dhe fatkeqësi kombëtare.

AKADEMIA “RRENJET TONA”, KUVENDI I IV MBARËKOMBTAR

 Tirane, 2-4 mars 2022 

Filed Under: Histori

Tubëz lirike…

March 3, 2022 by s p

 Nga Anton Çefa

Silueta jote Shqipëri

Në damarët mavi të delirit tim

silueta jote, Shqipëri !

Herë nji konsull romak

e madhështore, mospërfillëse Teuta

në fronin mbretnor 

si pa dashtë më fanitën.

Herë nji pashά me çallmë

e kaltërim i Gjergjit në re

si dhe nji shqiptar kaçak

që u pret kokën

kohnave e fateve.

Në damarët mavi të delirit tim,

silueta jote, Shqipëri !

Lagunë e idhtë e dhimbjes

Oh, toka ime e shejtë,

ec e ec,

sa vite bana udhë

e udhë

mbi pllajën e idhtë të dhimbjes.

Në albumin plot baltë të rrugëve

m’i ruen gjurmët e hapave

si peng kujtimi

të nji fjale

me ngjyra të dridhshme ethesh,

ku feks jehonë e shqetë

brenga ime për ty

si rrezatim ylberi.

Oh,  toka ime e shtrejtë,

lagunë e idhtë e dhimbjes,

filtroma fjalën time

me baltën tande të shejtë!

Drinit

Kam pi ujin tand

Sa rrajët e këtyne shelqeve që rritën në të tuat brigje

E në këto shtigje kallamishtesh e kaçubash

Jam shkoqë nga toka si zog i trembun

E n’ato plepa qi me maje prekin qiellin

E varen n’rreze t’diellit

Kam varë sa e sa herë trishtimin tim;

Mandej me dorën e lehtë të flladit

Në gugatjen e valëve tua

Kam la sa e sa herë vargun tim

E kam zbutë gurin e mendimit.

E prap, e prap,

S’do të ngopem me ujin tand tanë jetën

Si rrajët e këtyne shelqeve

Qi harlisen brigjeve të gjakut tim.

Kosovës* 

Kosovën të lirë e paçim,

tonën për jetë,

Kosovën të lirë e paçim!

Në ditën e dasmës së madhe

ta bajmë nuse,

mbi krrelat e ditëve të ardhme

të hedhim kokrra gruni

ugur për Pavarësinë.

*Kjo poezi asht shkrue në kohën kur Kosova vuente nën robninë dhe shtypjen e egër serbe.

Mergim

U nisa

Si nji yll që shkëputet në muzg,

U ravijëzue e thana.

Udhëve u dhashë nji emën të rrejshëm.

Ngarkesë e randë m’u bajtë:

Dekor i gurtë malor në Veri,

Legjendë kaltrije ujore në Jug.

Ngarkesë e randë m’u bajtë:

Shtëpia me kopsht e avulli

Nji jetë e preme për gjysë,

Kujtimet pa fund,

Të gjallët e të vdekunit.

Sa randë peshojnë të vdekunit!

Në zemër më ngrinë nji plagë 

Ktheva në shtëpi

si gjethi i zverdhun

që era e hedh përdhe.

Ndigjoj trokitjet e nallave të nanës

në oborrin e shtëpisë së heshtun

si kumbime të bekueme

që binin mbi fmininë time.

Ajo s’asht ma.

Dhe as qeni nuk asht

i miri i im,

e mbyti malli.

Tani po përtypi

lehjet e tij të mirëseardhjes

si kafshata të njelmëta malli.

Vetëm kumbulla, po,

më përshëndetë 

me një fëshfërimë të blertë

qortimi prozhmues.

Në zemër më ngrinë një plagë

prej bryme e bore

rishtas e hapun.

Valentinjane

Brymë e borë

A je brymë, moj, a je borë ?

Mall i brishtë e brengë e bardhë

Brishtësi me pah prej bryme

Bardhësi me zdritje bore

Brymë e borë,

Ti bukuria!

A vjen trupi, moj, a vjen shpirti

(populli)

A vjen trupi, moj, a vjen shpirti ?

Trupi fjollë e i bardhë si bora

   Shpirti i dlirë porsi kristali

Shkelqen n’sy si qelibari.

Vijnë te unë me hap të lehtë

Trup e shpirt, zemer e jetë.

Ti . . . 

Ti që në dekorin e dhimbjes sime,

me duer të brishta,

vizaton fytyrën tande

si padashur,

ti që në brigjet e andrrës sime

hedh nji klithmë pulbardhe,

si pa u kujtuar,

ti që me kurmin tand t’përflakur

përndez delire në damarët e mi,

si pa u menduar,

je vetë dashuria

e unë jehonë e saj.

Filed Under: LETERSI

DR. RIFAT LATIFI, MINISTRI I SHËNDETËSISË SË KOSOVËS TELEGRAM URIMI KRYETARIT TË VATRËS Z.ELMI BERISHA

March 3, 2022 by s p

I nderuar z. Elmi Berisha

Si Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, dhe njëkohësisht edhe si vatran, ju uroj rizgjidhjen edhe për një mandat katër vjeçar në krye t ëFederatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, që ka për mision organizmin patriotik më të vjetër të shqiptarëve në ShBA.

Dua të veçoj se si Ministër dhe si vatran, roli dhe kontributi i Vatrës, ishte, është dhe do të duhej të jetë shumë i madh dhe shumë dimensional, si në lëmin politik nëpërmjet lobimit, në fushën e arsimit me ndihma financiare aty ku kërkohet, duke ndihmuar në tekste të fëmijëve të shqiptarëve në ShBA, në thellimin e ndjenjës së vullnetarizmit, dhe po ashtu edhe në marrjen pjesë të drejtpërdrejtë në vendime historike për shqiptarët në përgjithësi.

Besoj se kryetari z.Berisha, ashtu siç kanë bërë edhe pasardhësit e tij, do të ketë synim parësor reformimin dhe freskimin e “Vatrës” me breza të rinj të shqiptarëve që jetojnë në ShBA, dhe të cilët kanë arritur suksese në fusha të ndryshme, të jetë i hapur ndaj ideve të reja, të promovoj vlerat e kombit tonë, si në aspektin politik, e po ashtu edhe në atë edukativ, arsimor, kulturor e shkencor.

Si vatran, e shoh nevojën imediate modernizimin e “Vatrës”, duke shfrytëzuar kapacitetet e brezave të rinj, të cilët janë edukuar dhe arsimuar në ShBA, duke ofruar në vazhdimësi bashkëpunimin dhe forcimin e lidhjeve me institucionet vendimmarrëse të ShBA-së, si me Senatin, Kongresin, me Departamentin e Shtetit dhe me institucionet tjera relevante.

Dua të theksoi se Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra”, duhet të ruaj gjithmonë parimet e neutralitetit, në veçanti duke mbajtur pozicione të forta jo-partiake, në mënyrë që misioni i ‘Vatrës’, të jetë në pafundësi ‘kontributi i vazhdueshëm në zhvillimin e kombit tonë në të gjitha fushat dhe të gjitha trojeve etnike pa dallim’.

“Vatra”, si çdo herë, të bashkëpunojë në mënyrë të vazhduar me Qeveritë e Republikës së Kosovës, asaj të Shqipërisë, me përfaqësuesit e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të Luginëssë Preshevës dhe Mal të Zi, dhe po ashtu, do kërkojë drejtësi për Çamërinë.

Shumë suksese!

Dr. Rifat Latifi, Ministër i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2386
  • 2387
  • 2388
  • 2389
  • 2390
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT