• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Skifter Këlliçi/ Copëza ngjarjesh nga një mbledhje historike, me pjesëmarrjen e diktatorit dhe sulmi mbi Kadarenë

February 20, 2022 by s p

Enver Hoxha, megjithëse nuk ishte njoftuar se do të merrte pjesë, erdhi befas në një takim me inteligjencien e Tiranës, ku u diskutuan edhe probleme shqetësuese që kishin lindur në krijimtarinë poetike shqiptare. Jo vetëm kaq, por, nga dëgjues i vëmendshëm i diskutimeve të poetëve të afirmuar komunistë që kritikonin ashpër poetët e rinj, të cilët kërkonin shtigje dhe mjete të reja shprehëse në krijimtarinë poetike, si dhe dëgjues po kaq i vëmendshëm i përgjigjeve të këtyre të fundit, çuditërisht u bë “gjyqtar” për të vendosur paqe midis tyre. Dhe kjo për arsye që do të dalin në pah në këtë shkrim dossier në disa numra.

kadare

Prolog

Të njëjtin qëndrim mban ai edhe ndaj poezisë së Dritëro Agollit dhe Fatos Arapit. Duke e vlerësuar Agollin si “ndër poetët ma të talentuara”, qysh në vëllimin e tij të parë “Në rrugë dola”, Gurakuqi, papritur vëren se “edhe ai ka fillue të kapet pas kërkimit të figurës”. Dhe si shembull për këtë merr vargjet:

“Çitjanet mjegulla i ngriti e bredh/

ashtu si plakë/

kur lumin hedh”.

Dhe më poshtë:

“Dhe fletët e trishta i hodhi zabeli/

si fjalë idili/

si fjalë gazeli…”.

Të gjitha këto gjetje edhe sot të goditura, Mark Gurakuqi i quan si figura “të kërkueme të paperceptueshme e alogjike, sepse “ç’punë ka mjegulla me çitjanet e plakës”, (po aty).

Më poshtë në artikullin e tij, ai nuk kursen as Fatos Arapin, i cili duhet thënë se deri në atë kohë ende nuk kishte botuar vëllimin e e tij të parë poetik, por kishte tërhequr vëmendjen e kritikës dhe lexuesit me poezitë e goditura në shtypin letrar.

Mark Gurakuqi e cilëson Arapin poet “që nuk parakuptohet e nuk shijohet shumë”, për shkak se në të hasen “gjurmë të një perceptimi të mjegullt poetik, ku figura nuk asht në funksion të idesë”. (Po aty).

Është për të ardhur keq, por duhet thënë se në këtë artikull të gjatë studimor shprehej një farë zilie, siç më thoshte më pas një miku im që u bë edhe përgjegjës i redaksisë së poezisë ne Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë. Gurakuqi, sipas tij, dhe të tjerë poetë të vjetër, i kishin zili poetët e rinj, jo sepse përdornin figura, që shpinin në “shfaqje manierizmi”, por sepse ata vetë nuk ishin më gjendje të krijonin poezi me të tilla figura.

Natyrisht, siç thekson Agim Vinca – “audatur et altera pars”, (shprehje latine: “Të dëgjohet edhe pala tjetër.”)

Pjesa e fundit

Dhe pala tjetër nuk vonon të përgjigjet!

Agolli kundër Gurakuqit

Ishte Dritëro Agolli ai që iu përgjigj Mark Gurakuqit në një artikull me titull shumë kuptimplotë: ”Traditë, natyrisht, por jo shtampë”, botuar në gazetën “Drita”, më 27 gusht 1961.

Ky ishte i pari artikull serioz kritik që botonte poeti ynë i ri, aso kohe gazetar i “Zërit të Popullit”. Dhe, ç’është më interesante, në këtë artikull ai më shumë se sa mbron poetët e rinj, duke përfshirë edhe veten, kritikon krijimtarinë e poetëve të vjetër, duke shpallur kështu hapur luftën kundër konservatorizmit dhe dogmatizmit që kishte mbërthyer deri atëherë poezinë shqipe.

Në këtë artikull Agolli nënvizon se poezia e deriatëhershme e poetëve të vjetër, vuante nga skematizmi, nga varfëria e mjeteve shprehëse, përsëritja, trajtimi i zbehtë i dukurive  jetësore, imitimi i verbër i traditës që përmblidhej në atë që ai e përcaktonte si shtampa poetike, të cilat qarkullonin “si monedha nga një poet tek tjetri e jo rrallë përsëriteshin edhe tek e njëjta vepër”, (po aty).

Këto gjykime ai i përcillte me shembuj nga poezitë e vetë Mark Gurakuqit dhe poetëve të tjerë konservatorë, Luan Qafëzezit, Kolë Jakovës, Aleksandër Banushit, Llazar Siliqit, të cilët, veç të tjerash, kishin një konceptim jorealist të jetës, ndërtuar me personazhe të stolisur me epitete stereotipe që i kemi përmendur dhe në pjesën e parë të këtij cikli, si kreshnikë, syshqiponjë, trima me fletë, zemërshkëmb, etj., kurse sjelljet dhe reagimet e tyre ideo emocionale, të kujtojnë heronjtë e baladave të shekullit XV”. (“Traditë , natyrisht, por jo shtampë’, “Drita”, 27 gusht 1961).

Dritëro Agolli theksonte më tej se, të kënaqur me krijime të nivelit mesatar, nën pretekstin e ruajtjes së traditës, që s’është veçse një iluzion i bukur, e frenojnë procesin e rinovimit  të poezisë ,  ngushtojnë përmbajtjen e tematikës…varfërojnë teknikën e mjetet shprehëse dhe, për pasojë, e ftohin lexuesin prej poezisë.” (po aty).

Ky artikull shkruar me profesionalizëm dhe zgjuarsi, ishte vazhdimi jo vetëm i diskutimeve të Ismail Kadaresë dhe Fatos Arapit në takimi e 11 korrikut, ku ai kishte munguar, por dhe vazhdimi një artikulli tjetër të rëndësishëm të poetit dhe kritikut, Drago Siliqi, i cili do të humbiste jetën tragjikisht në një katastrofë ajrore më 1963, me titull “Në kërkim të së resë”, që ishte botuar po në gazetën “Drita’, më 18, 25 qershor dhe 2 korrik, te vitit 1961, artikull cituar në pjesën e parë të këtij cikli.

Siç thekson Agim Vinca, Drago Siliqi në këtë artikull “…merret  me shpjegimin dhe interpretimin e e këtij fenomeni, duke e shikuar atë në lidhje të ngushtë me procesin letrar të kohës, në kohën kur, kërkimi i së resë, ishte bërë “çështje dite”. (“Alternativa letrare…”faqe 68).

Epilog

Ngadhënjimi i së resë dhe haraçi i saj

Në këtë betejë të gjatë poetët e rinj fituan. Natyrisht, në radhë të parë nga mbështetja që u dha vetë Enver Hoxha për arsyet që kemi përmendur më lart. Si çdo diktator, ai do t’i shfrytëzonte poetët e rinj, që t’i thurnin himne partisë dhe, doemos, dhe udhëheqësit të saj “gjenial”, pra, vetë atij, detyrë prej skllavi që poetët e rinj, siç e kemi vënë në dukje, ishin të detyruar ta zbatonin. Ja sepse redaktorët, “për të qenë brenda”, ishin, edhe ata, të detyruar t’u kërkonin poetëve që vëllimet e tyre të nisnin pa tjetër me poezi kushtuar Partisë dhe shokut Enver.

Po jap një shembull tipik që ma ka treguar miku im, kritiku i njohur letrar, Adriatik Kallulli:

“Kur Bilal Xhaferi, – kujton ai,- më solli vëllimin e tij poetik, “Lirishtja e kuqe”, vura re se nuk kishte përfshirë në të as edhe një poezi për Partinë. E këshillova që të shkruante një të tillë. Dhe pas disa ditësh ai më solli një poezi që fillonte me këto vargje:

“Parti,

emrin tënd të gdhendur e kam/

në pëllëmbën e dorës sime”.

Thikë me dy presa. Pra: “E dua kaq shumë Partinë, sa e kam me vete kudo në dorë”, por edhe: ”Dua, s’dua, partia nuk më ndahet, përderisa shkronjat e saj më janë ngulur në dorë”.

Megjithatë, poetët tanë më të mirë vazhduan rrugën e tyre drejt  krijimit të një poezie që shtronte kërkesa të reja duke kapërcyer madje edhe kufijtë që kishte shpallur  vetë diktatori.

Dhe e paguan rëndë. Më 1965-ën në gazetën “Drita”, botohej poema “Baballarët” e Dritëro Agollit. “Pati pëshpëritje dhe pakënaqësi për një farë “patriarkalizmi” në poemë,- vë në dukje Fatos Arapi në librin e tij “Kur kujtohem që jam”, (faqe 150). Dhe vazhdon: “Para një gote konjaku, Agolli pinte i vetëm. Ishte i dëshpëruar. Shkova drejt tij…! Në çast Dritëroi tha: Kështu i duan këta? Unë i bëj më të mira”. (po aty).

Më pas, me sa dihet, ai e ripunoi poemën, që më 1969-ën fitoi madje edhe çmimin e parë në konkursin letrar me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit.

Vëllimi poetik “Më jepni një emër”, i Fatos Arapit, jo vetëm nuk do të qarkullonte për gabime të rënda ideore, por ai vetë, nga pedagog i Letërsisë në Universitetin e Tiranës, do të përfundonte mësues në një shkolle mbrëmjeje. Kjo ndodhte pas Plenumit të 4-t të vitit 1973.

Ismail Kadareja, pasi ishte kritikuar rëndë më 1969-ën për botimin në faqet e “Nëntorit “ të novelës “Përbindëshi”, që do të hiqej edhe ajo nga qarkullimi, më 1973-in, për gabime ideologjike në romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, që u detyrua ta ripunonte dhe ta ribotonte disa vjet më vonë, më 1975-ën, siç e pamë dhe më lart, do të kritikohej ashpër nga vetë tirani në ditarin e tij vetjak të datës 20 tetor 1975, për poemën “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, të cilësuar prej tij si vepër armiqësore dhe vetë Kadareja si ‘poet korbash”.

Siç shprehet në faqet e këtij ditari, veç të tjerash,  atë e tmerruan vargje të tilla të kësaj poeme si:

“Burokratët janë tjetër gjë/

Jo me bojë pelikan përjargur/

Si tuafë të këndshëm, ho, ho, ho/

Por të kobshëm/

Me duar të përgjakura/

Gjer në bërryle unë i shoh”.

Ndaj në ditarin e tij për këto vargje diktatori shkruante tërë mllef: “Për këtë poet reaksionar, rendi ynë socialist është rend burokratik dhe burokratët i kanë “duart të lyera deri në bërryl me gjak”. Të gjithë këta përbindësh të veshur “si pashallarë të kuq me dekorata…etj.,”, kanë zyrat, ministritë, Komitetin Qendror dhe e çojnë trupin e revolucionit në varr”. (Ditari vetjak 20 tetor 1975).

Dhe më poshtë ky i ashtuquajtur vazhdues i veprës së Markit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit, duke përdorur një fjalor banal dhe të pështirë të denjë për një rrugaç, e urdhëron kështu lakeun e tij, Ramiz Alia: “…Përgatitu dhe thirr Ismail Kadarenë  e vëre përpara “mutrave” të tij dhe bëje t’i lëpijë”.

Nuk mjaftohet me kaq, por pastaj i sulet dhe Ramiz Alisë, që e kishte dhe ideologun e tij dhe e asgjëson me fjalët përçmuese:

“Nuk të lejohet të japësh mendime të tilla të sipërfaqshme dhe të mos shikosh brendinë, filozofinë dhe të kapesh nga figurat dhe pseudo mburrjet që i bën Enver Hoxhës. Kjo, i them, Ramizit, tregon një simpati të sëmurë nga ana jote për këta njerëz të sëmurë…! Duhet të kesh forca të luftosh pikëpamjet liberale që spikatin herë pas here tek ti”. (Ditar vetjak, 20 tetor 1975).

(Sigurisht me fjalët “pikëpamje liberale”, diktatori e ka pasur fjalën për Festivalin e 11-të të Këngës në RTSH, (22-26 dhjetor 1972) dhe dukuri të tjera në fushën e letërsisë dhe arteve, që janë trajtuar në pjesët e para të këtij dossieri, për të cilat i pari kishte pasur përgjegjësi Ramiz Alia, ndaj të cilave kishte marrë masa, deri në burgime dhe internime, kurse ndaj tij vetëm disa kritika, pikërisht për këto pikëpamje liberale që po nxirrnin kokë përsëri tek ai).

Sikur këtë poemë ta kishte shkruar ndonjë poet tjetër, pa më të voglin dyshim do të kishte përfunduar prapa hekurave. Por, siç dukej, me gjithë urrejtjen, por edhe zilinë ndaj Kadaresë që po përkthehej jashtë vendit nga “shtëpi botuese borgjeze”, siç i quan ai në ditarin e tij, kurse të ashtuquajtura vepra të tij, përfundonin në bodrumet e ambasadave, ose në koshat e plehrave, të hedhura nga ata të cilëve u ishin dhuruar, Enver Hoxha nuk e mori këtë masë të skajshme kundër Kadaresë.

Dhe kjo, sepse e merrte me mend se personalitete të mëdha të kulturës dhe letërsisë botërore, do të ngriheshin dhe do të kërkonin lirimin e menjëhershëm të të këtij shkrimtari që kishte tashmë popullaritet në shumë vende të botës dhe do ta demaskonin atë si diktator fanatik stalinist. Dhe nuk do të gabonin as edhe një grimë.

Po të kthehemi të problemet që po trajtojmë.

Vini re: Janë pikërisht ata poetë që u kritikuan më 1961 nga poetët e vjetër për “izmat” e tyre dhe u morën në mbrojtja nga Enver Hoxha…! Por tani e kishin kapërcyer kufirin e caktuar nga ai…!

Do ta pësonin edhe shumë poetë të rinj për të cilët Kadareja, Agolli e Arapi, ishin shembujt më të mirë se si mund të shkruhej poezi me frymë bashkëkohore. Të tillë ishin Bilal Xhaferri, vëllimi poetik i të cilit, “Lirishtja e kuqe” dhe romani “Krasta Kraus”, u ndaluan dhe ai u detyrua të arratisej në Greqi e që andej në SHBA, ku u gjend i vdekur në një spital të Çikagos në rrethana misterioze. (Hamendësohet të ketë pasur dorë Sigurimi i Shtetit).

Halil Qendro, redaktori i vëllimit me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme” të Agollit dhe poet me talent, u internua për vite e vite në fshatrat e Progonatit, Faslli Haliti, u degdis në humbëtirat e Lushnjës, Xhevahir Spahiu, dy herë i kritikuar nga vetë Enver Hoxha, për “poezi surrealiste”, shpëtoi çuditërisht pa u dënuar. Hamdi Meçe u dërgua me dënim në Vlorë, Moikom Zeqo u hoq nga gazeta “Drita”. Të dy “për dukuri hermetike” në poezitë e tyre, kurse një tjetër, Frederik Reshpja, poet i talentuar,  përfundoi madje në burg dhe pas tij edhe poetët: Jorgo Bllaci, Zydi Morava. Pano Taçi…!

Në përpjekje për t’u arratisur më 1963-in, fat tragjik pësoi poeti ushtarak, Trifon Xhagjika, i cili u dënua me pushkatim. Këtë fat pësuan edhe poetët e rinj Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, që u pushkatuan mizorisht më 1978-ën nga diktatura.

”Afirmohuni me vargun tuaj dhe, në rast se ju do populli, ai varg është i mirë,” u bënte thirrje Enver Hoxha poetëve të rinj në takimin e 11 korrikut të vitit 1961.

Mashtronte. Populli i kishte afirmuar poetët e rinj. Por jo ky diktator. Ja sepse, herë pas here, siç e pamë, kur shihte edhe shkarjen më të vogël nga “kanunet e tij”, vringëllonte pa mëshirë, kosoren mbi kokat e tyre.

Sidoqoftë, poetët, atëherë të rinj, Kadare, Arapi, Agolli, e pas tyre të tjerë që u frymëzuan nga krijimtaria e tyre, ngadhënjyen. Këtë e dëshmon edhe veprat që krijuan në atë periudhë të plumbtë, e cila, me gjithë censurën e fortë, tingëllon  e freskët, e gjallë, kumbuese edhe në ditët tona. Memorie.al dhe Panorama.com.al

Filed Under: LETERSI

“Big Brother”, kur televizioni mbushë me kotësi boshllëkun tonë kulturor e shoqëror

February 20, 2022 by s p

Ergys Mertiri/

Studiuesit e komunikimit e shohin Big Brother-in, përgjithësisht si një tregues të dështimit të televizionit për të emetuar vlera, duke patur si funksion tashmë vetëm të mbushë me kotësi boshllëkun tonë kulturor e shoqëror.Big Brother konsiderohet masivisht si një produkt që ofron dhe ushqen vulgaritetin. Njerëzit që marrin pjesë në të, bisedat që ata bëjnë, problemet shqetësimet, dramat, zënkat, dashurickat, janë tmerrësisht vulgare, madje shpesh edhe patetike e qesharake. Por, nuk ështe kaq. Ky produkt ushqen edhe perversionin. Ai kultivon vuajerizmin, dëshirën perverse për të përgjuar jetët e të tjerëve, deri në gjërat e tyre më intime, duke shkallmuar nevoja krejt të natyrshme njerëzore si privatësia. Ai ushqen gjithashtu sadizmin, qoftë në modelIn e eskperimentimit të marrëdhënieve njerëzore mes protagonistëve (e cila denatyrohet nga loja dhe efekti që ka kërcënimi i nominimit dhe eleminimit), qoftë edhe në shtrëngimin e tyre për të hapur barkun, për tu ekspozuar lakuriq ndaj publikut i cili vihet në rolin e gjykatësit dhe xhelatit. Në natyrën e tij, ky lloj spektakli ushqehet nga skandali, dhe ai ka sukses sidomos kur protagonistët viktima qajnë para kamerave.Ok, publiku është në të drejtën e vet të konsumojë çfarë dëshiron, pavarësisht nga vlerat. Problemi qendron kur shikon profesorë të filozofisë që vlerësojnë produkte të tilla, me iluzionin se ato na ofrojnë një pamje të realitetit. Në fakt, ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Pikë së pari, përzgjedhja e pjesëmarrësve bëhet gjithmonë në funksion të spektaklit, jo të besnikërisë ndaj realitetit. Pjesëmarrësit përzgjidhen në atë mënyrë që brenda në shtëpi të krijohen situata që tërheqin vëmendjen e publikut, jo situata normale të jetës së përditshme. Televizioni, spektakli ka interes të shfaqë gjithmonë anormalen, jo normalen, pasi vetëm anormalja tërheq vëmendjen e publikut.Vec kësaj, protagonistët janë të vetëdijshëm se janë para kamerave dhe se publiku po i ndjek, ndaj nuk mund të jenë kurrsesi të natyrshëm në sjelljen e tyre. Po ashtu, ata janë aty për lojë, për sa kohë janë në garë për preferencën e publikut. E mbi të gjitha, drejtuesit e programit ndërhyjnë në ngjarjet brenda shtëpisë duke i shtyrë ato sipas nevojës së produksionit për sukses mediatik. Gjithcka është një lojë dhe gjithcka që ndodh aty brenda është e organizuar nga një staf i madh, i përkushtuar vetëm në funksion të prodhimit dhe spektakolarizimit të ngjarjeve.Në të vërtetë këto produkte më shumë prodhojnë se pasqyrojnë realitet. Ato ndikojnë mbi publikun, duke ofruar modele që adaptohen lehtësisht, sidomos nga të rinjtë, dhe e keqja është se ofron përgjithësisht modelet e gabuara. Studiuesit kanë vënë në pah shpesh rolin c’edukues të Big Brotherit duke ushqyer idenë se suksesi nuk varet nga meritat apo aftësitë, por nga intrigat dhe finokëria. Po kështu, vetë ideja se protagonistët e këtij spektakli bëhen personazhe, bëhen vipa, ftohen nëpër studio, bëhen objekt lajmesh edhe pasi spektakli mbaron, është një shembull i arritjes së suksesit pa pasur asnjë vlere e pa derdhur asnjë mund. Cfarë i bën ata të rëndësishëm, është fakti se kanë ndenjur për disa muaj të mbyllur në një shtëpi me kamera dhe kanë jetuar aty brenda pa bërë asgjë, përvec budallëqeve të rastit apo konsumimit të marrëdhënieve njerëzore pa asgjë për tu vlerësuar. Në rastin e Big Brother VIP, ku protagonistët kanë qenë të famshëm edhe para pjesëmarrjes në reality show, kjo nuk eleminohet pasi, krijohet ideja se, pavarësisht nga fakti që ti mund të jesh artist e njeri publik, fama që merr nga të mos bërit asgjë e të mos pasurit asnjë meritë, është më e madhe se cfarë ti mund të arrish me profesionin tënd. Nuk kemi përse të habitemi pastaj kur shohim të rinj që parazitojnë e janë të gatshëm të bëjnë gjithcka në këmbim të pasurimit e suksesit në rrugë të shkurtra e të shpejta.A është Big Brother problemi më i madh që kemi me mediat? Sigurisht që jo. Mediat, sidomos në Shqipëri, janë dramë në cdo aspekt ndaj, se u shtua edhe një tjetër, nuk ngre apo ul gjë në kandar.

Filed Under: Sociale

Ju lutem mos ikni nga Shqipëria

February 20, 2022 by s p

Dom Gjergj Meta

Ju lutem mos ikni! Ju lutemi ejani!E di se dikujt nuk i pelqen te degjoje perseri nga goja ime fjalet qe do them. Mund t’i duken të mërzitshme e bajate. Por dua t’ju them nga thellësia e zemrës:Mos ikni më nga Shqipëria! Ju lutem mos ikni! Mos t’i lejmë djerr tokat e shkret bjeshkët. Mos t’i lemë shtëpitë e pabanuara e qytetet fantazma. Mos të çrrënjosemi se nuk kemi ku ngulim rrënjë më. Këtu jemi dikushi e diku tjetër nuk jemi askushi. Në fund të fundit mos ta flakim tej historinë e familjeve e fiseve tona.Edhe atyre që janë jashtë u them: ejani! Do të ndryshojnë gjërat po qemë bashkë të gjithë. Ne mund t’i ndryshojmë gjërat. Kthehuni e t’i banojmë edhe një herë fshatrat e qytezat tona. Keni punuar e po punoni. Ndër vite keni ndërtuar shtëpi këtu e tani i keni lënë bosh me ndonjë të moshuar brenda, por që nuk do të jetojë shumë. Kemi përgjegjësi për këtë vend e jo vetëm për vete e për familjet tona. Sa trishtim janë fshatrat tonë, lagjet e qytezat tona kur sheh se janë zbrazur apo me njerëz që duan të ikin. Ta bëjmë Shqipërinë t’i gëzohet pranisë tonë si nëna fmijëve të saj.Uroj më të mirat për ju të gjithë e i lutem Zotit për familjet tuaja! E shpresoj se do të tingëllojë sadopak në zemrat tuaja kjo fjalë! + dom Gjergji

Filed Under: Politike

“Familja është e shenjtë, ta ruajmë si sytë e ballit”

February 20, 2022 by s p

Zenel Celiku

TIR-FAX News Agency

Mbas shumë e shumë përpjekjesh në mbrotje të familjes, sot në Tiranë filloi rrugëtimin “Konventa e Parë  për Familjen” me temë ; “Familja Shqiptare Përgjatë Dekadave dhe Modeleve të reja”. Kjo lëvizje mbarë kombëtare shumë e rëndësishme, interesante në mbrojtje të familjes dhe jetës, ndiqet me vëmëndje të madhe nga mbarë shoqëria shqiptare, por jo vetëm. Pjesmarës në këtë Konventë ishin Presidenti I Republikës Z. Ilir Meta, deputetë të Parlamentit të Shqipërisë, diplomat të huaj të akredituar në Shqipëri, pushtetarë, udhëheqës të gjitha besimeve fehtare, gazetarë dhe organizata civile vendase dhe nga Kosova, SHBA, Italia, Suedia, Brazili, MKV, të cilat e konsiderojnë shumë të rëndësishme këtë inciativë për mbrotjen e familjes dhe të jetës në Shqipërie kudo. E gjithë kjo armatë personalitetesh-civile-shoqërore vëndas dhe te huaj, është pjesë mjaft aktive e kësaj iniciative shumë të rëndësishme për familjen. 

Ideatori I kësaj lëvizje shumë fisnike, parimore, njerëzore dhe mjaft interesante në mbrotje të familjes dhe të jetës, është Z. Akil Pano, Pastor Ref. Pedagog, I cili është I përkushtuar maksimalisht për të mbrojtur familjen shqiptare nga devijimit e lancuar nga disa organizata dhe indivitë  të larguar nga rruga e Zotit. Z. Akil Pano, Pastor i “Kishës Ungjulli i Krishtit”, I mbështetur edhe nga personazhe të nderuara të lartpërmendur, këtë lëvizje tashmë e kanë pagëzuar me emrin “Kualicioni Shqiptar Pro Familjes dhe  Jetës”. Ideja e kësaj lëvizje mbarë shoqërore, në themel ka mbrotjen e familjes si gjëja më e shenjtë për shqiptarët, ku fëmijët janë gëzimi I familjes. Devijimet dhe tjera teori në dëm të familjes, janë apsolutisht të pa pranueshme nga “Kualicioni Shqiptar”. Në fjalën e hapjes të “Konventës së Parë  për Mbrotjen e Familjes dhe të Jetës”, Pastor Akil Pano nder te tjerave tha:

“Kualicioni Shqiptar Familjes dhe të Jetës”, është I vetëdijshëm dhe mirnjohës për historinë dhe vlerat e familjes që na kanë përcjellë të parët tanë, por kombëngulës e të vendosur për t’i ruajtur, kultivuar dhe përçuar brezave që do të vijnë-shenjtërinë, dinjitetin dhe paprekshmërinë e institucionit të familjes për dobi të mbarë shoqërisë tonë. Të mbrojmë familjen, të  ç’mojmë familjen, të ruajmë lirinë, të kultivojmë vlerat-këto janë shumë të rëndësishme për ne. Ne besojmë dhuratën e jetës dhe përgjegjësinë për të ruajtur atë që në fillimet e saj. Ne besojmë në shenjtërinë e martesës natyrore mes një burrit dhe një gruajë. Ne besojmë privilegjin e rritjes, edukimit, kujdesit dhe mbrojtjes së fëmijëve. Ne besojmë se interesi më I lartë I fëmijëve është që të rriten në familje të shëndetshme ku modeli prinderor është babai dhe nëna. “Kualicioni Shqiptar Pro Familjes dhe  Jetës”, angazhohet në ndërtimin e një kulture nderimi, miqësie dhe solidariteti në familje dhe në shoqëri. Ne jemi kundër dhunës, të flasim përballë dhunës  të çdo forme, të kujdesemi për viktimat e saj, ne të përgatisim mbrojtje dhe rimëkëmbje për tërësinë e qënies njerëzore-tha Pastor Pano. 

Tashmë në shoqërinë tonë post komuniste, ndërt të tjerave kemi pranuar edhe fenomenin homoseksual apo lezbuzmin. Nëse dy persona mashkuj homo apo dy femra lezbike (të flasim pak hapur që të kuptohen nga të gjithë) dëshirojnë që të bashkëjetojnë, pra nga I njëjti seks, ata janë të lirë dhe askush nuk I ndërhyn në jetën e tyre. Por I gjithë problem është se ky kontigjent duke krijuar shoqata përkatëse kërkojnë që të birësojnë femijë ku në dokumenta të thuhet prindi-një dhe prindi-dy, pra jo babai dhe nëna, ashtu sikurse e ka shpikur Zoti. Kjo ide e tyre është kthyer në debat mbarë shoqëror sepse kësaj I thonë të deformohet familja në mënyrën më negative.Të gjithë e dijmë se njerëzimi është pjellë e  Adamit dhe Evës. Si shumë e shumë personazhe të kësaj shoqërie, edhe un jamë shumë I ndjeshëm nga këto teori shoqatash apo individ që e quajnë si të zakonshme, normale dhe njerëzore që një femijë të birësohet nga bashkëjetesa e dy njerëzve të të njëjtit seks. Të kesh një familje të lumtur është shumë e rëndësishme. Imagjinoni një fëmijë të porsalindur  i vogël dhe i bukur, por i paaftë për të ngrënë, për tu kujdesur për vetën. Konkretisht, kur ky  femijë do të filloi e të kuptoi, ai do të kërkoi nënën dhe babain dhe kur të shikoi se nena dhe babai janë të dy burra, mendojeni se me Çfar ndjehsie do të rritet ai fëmijë. Ose tjetra, ku femija do të filloi të kuptoi, ai do të kërkoi nënën dhe babain, ndërkohë që ai do të shikoi se babai I tij është një grua. Kjo do të jetë një traum I madh psikologjike e atij fëmije, ndaj I tërë opinion është tej I shqetësuar. Të jesh pjesë e një familjeje është një përgjegjësi e madhe. Eshtë fat i madh që brënda familjes kemi femijë, është bekim nga Zoti, prandaj fëmija është kaq i rëndësishme në jetën tonë, që do të thotë se që në krijimin e kësaj bote, fëmija është lindur dhe rritur nga një nënë dhe nga një baba. Shfaqja e institucionit familjar ku fëmijët janë lulja dhe gezimi i  jetës, përkon me historinë e njerëzimit. Familja e përbërë nja një grua dhe një burrë kërkon impenjim,angazhim dhe përgjegjësi të madhe. Megjithëse familja ka pësuar ndryshime strukturore përgjatë historisë, ajo ka mbijetuar deri në ditët e sotme duke patur Brenda saj nje burrenje grua dhe femijet e tyre. Nëse ky institucion i përmbush pritjet e tij, do të dalë një shoqëri miqësore, kulturore, ekonomike dhe plot moral. Janë prindërit ata që formojnë themelin e institucionit familjar. Për këtë arsye, nëse roli prindëror më fëmijët është i rregullt, kjo është shumë e rëndësishme sepse ajo familje do të jetë paqësore dhe e lumtur që nga momenti që u krijuan dhe do t’i shërbejnë shoqërisë me dinjitet. Kujdesi,formimi dhe edukimi I fëmijëvë nga një grua dhe një burrë është e do të jetë përgjegjësi madhore dhe jetike për të mos lejuar devijimin e familjes dhe të njerëzimit.

Zenel Celiku

TIR-FAX News Agency

Filed Under: Komente

ADEM JASHARI, PRIJËS I DEKADËS SË FUNDIT TË LUFTËS PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS

February 20, 2022 by s p

Dr. Naim Musliu

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912, që përfshiu gjitha tokat shqiptare dhe copëtimi i tyre, më 29 korrik 1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, duke ju dhënë territore shqiptare Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, lëvizjes kombëtare jashtë Shqipërisë së cunguar iu dha detyrë që edhe më tutje të vazhdoj luftën kundër pushtuesve. 

Pas vitit 1912, Kosova dhe viset tjera shqiptare kaluan në duart e shumë pushtuesve. Kështu, nga vitit 1912 deri më 1914, Kosova ishte nën Mbretërinë e Serbisë, kurse në Luftën e Parë Botërore, u pushtua nga austro-hungarezët e bullgarët, ndërsa në vitin 1918 Kosova u ripushtua nga serbët dhe u sundua nga Mbretëria Serbe Kroate e Sllovene që më vonë u quajt Mbretëria e Jugosllavisë dhe pushtimi zgjati deri më 1941. Nga viti 1941 deri më 1944, respektivisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kosova mbeti e ndarë në tri zona pushtimi, si atë italian, gjerman dhe bullgar. Më 8 shkurt 1945, Kosova u pushtua ushtarakisht nga forcat komuniste jugosllave, respektivisht serbe, dhe e sunduan Kosovën deri në vitin 1999. 

Në anën tjetër shqiptarët nuk u pajtuan në asnjë periudhë me pushtuesit e huaj. Gjatë viteve 1912 – 1913 në krye të Lëvizjes për mbrojtjen e tokave shqiptare ishin Hasan Prishtina, Isa Boletini, Elez Isufi e shumë atdhetarë tjerë. Kurse, gjatë Luftës Parë Botërore, çetat kryengritëse i udhëhoqi Azem Bejta, Idriz Seferi, Mehmet Konjuhi etj.

 Për mbrojtjen e tokave shqiptare nga pushtuesi serbo-jugosllav dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë, në vitin 1918 u themelua edhe Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” që e udhëhoqën Hoxhë Kadri Prishtina, Hasan Prishtina etj. Po ashtu, u formuan edhe formacione ushtarake për mbrojtjen e tokave shqiptare nga pushtuesit të udhëhequra nga Azem Bejta e Sadik Rama e Kalosh Dani Zajazi etj. 

Gjatë viteve ’30 të shekullit XX, qeveria jugosllave në marrëveshje me Turqinë bëri shpërnguljen e organizuar të shqiptarëve të Kosovës drejt Turqisë, ku këtë proces e ndaloi fillimi i Luftës së Dytë Botërore.

Nga viti 1941 deri në vitin  1944, në përjashtim të zonës bullgare që u keqtrajtua populli shqiptar dhe që në mbrojte të saj ishte Hasan Alia me shokë, pjesa tjetër e Kosovës edhe pse nën pushtimin italian dhe gjerman pati një zhvillimit të dukshëm si në drejtat kombëtare edhe ato arsimore. Në vitin 1943 u formua Lidhja e Dytë e Prizrenit, e cila kishte për qëllim mbrojtjen e “Tokave të Lirume” nga pushtuesi komunist jugosllav. Megjithatë, në vitet e para të ripushtimit të Kosovës nga viti 1945 deri më 1951, vepronte Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, e cila kundërshtonte ripushtimin komunist jugosllavo-serb. Në këtë periudhë veprimtari të dendur bëri Adem Gllavica, Gjon Serreçi, Ajet Gërguri, Halim Spahiu, Halim Orana, Mulla Idriz Gjilani, Esat Berisha, Shaban Polluzha dhe shumë atdhetarë tjerë.

Nga vitet e 60 deri në vitet e 90 të shekullit XX, shpërthyen demonstrata të shumëta. Ndër më të njohurati isthe ajo e vitit 1968 dhe 1981, ku shpërthyen demonstratat e rinisë studentore në Kosovë për të kërkuar drejtat e tyre, ku në mesin e shumë parullave ishte edhe parulla Kosova Republikë. Ndër ta ishin Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe shumë të tjerë. Më 19 – 20 shkurt 1989, u mbajt greva e minatorëve në Trepçë. Më 28 mars të vitit 1989, Kuvendi i Serbisë e shfuqizoi autonominë e Kosovës. Më 2 korrik 1990, Kuvendi i Kosovës nën masa të dhunshme të policisë jugosllave-serbe shpalli Deklaratën Kushtetuese, kurse tre ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pushtuesi jugosllavo-serb e suprimoi autonominë e Kosovës. 

Më 7 shtator 1990, nën okupimin jugosllavo-serb në Kaçanik u shpallë Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Në vitin 1991, u mbajt referendum për pavarësinë e Kosovës. Pas zgjedhjeve të 24 majit të vitit 1992, u themeluan edhe institucionet e pavarura të Kosovës nga ato që i kishte pushtuesi jugosllav në Kosovë. Në krye të këtyre institucioneve qëndronte presidenti Ibrahim Rugova. 

Nga të gjitha këto lëvizje politike në Kosovë, filloi edhe organizimi ushtarak për të filluar luftën për çlirim nga Jugosllavia respektivisht Serbia. Kështu, Adem Jashari në fillim të viteve të ’90 – ta me bashkëpunëtorët e tij duke parë nevojën e domosdoshme filluan t’i organizonin formacionet e para ushtarake. 

Adem Jashari lindi në Prekaz të Skenderaj, më 28 nëntor 1955 dhe ishte djali i tretë i Shabanit dhe Zahides. Shkollën fillore e kreu në Prekaz, kurse të mesmen teknike në Skenderaj. Që nga mosha madhore ai ishte pjesë e zhvillimeve politike në Drenicë dhe Kosovë. Për tu stërvitur ushtarakisht, më 3 nëntor të vitit 1991, për disa muaj me një grup shokësh nga Kosova qëndruan në bazën ushtarake shqiptare në Labinot të Elbasanit në Shqipëri. Aty bënin përgatitje ushtarake nga ushtria shqiptare.

Pas kthimit nga Shqipëria, Adem Jashari me shokë, filloi të organizonte aksione të armatosura kundër forcave policore jugosllave-serbe në Drenicë dhe më gjerë. Këtyre organizimeve ushtarake të Adem Jasharit me shokë iu bien në gjurmë regjimi pushtues jugosllav-serb. Kështu, më 30 dhjetor 1990, forcat policore jugosllave-serbe të armatosur me armatime të rënda rrethuan Prekazin. Derisa policia jugosllave-serbe kërkonte që të dorëzohej Adem Jashari, vetëm se filloj lufta ndërmjet Adem Jasharit me të vëllanë dhe shokët e tij dhe forcave jugosllave-serbe. Pas katër orë luftimesh, Adem Jashari me shokë e çanë rrethimin. Kurse, forcat jugosllave-serbe për ta kapur Adem Jasharin angazhuan edhe helikopter. Kështu, ekspedita e parë ushtarake dështoi. Pas këtij rrethimi, Adem Jashari filloi edhe më intensivisht të punoj rreth formimit të Lëvizjes së Armatosur të Kosovës.  

Më 1 tetor 1997 shpërtheu protesta e studentëve të Universitetit të Prishtinës për t’i shprehur pakënaqësitë ndaj dhunës që përdorte pushtuesi jugosllavo-serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Më 27 nëntor 1997, Adem Jashari me njësitin e tij e kreu edhe një aksion të armatosur në Vojnik të Drenicës. Në këtë betejë katër orësh ndërmjet forcave shqiptare dhe atyre jugosllavo-serbe e detyruan policinë jugosllave-serbe të tërhiqej. Në shenj hakmarrje për humbjet nga forcat e UÇK – së, policia jugosllave-serbe vranë mësuesin Halit Gecin para dyerve të shkollës. Më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u paraqit për herë të parë në mënyrë publike.  Pas këtyre aksioneve të UÇK – së filluan të përqendrohen forca të shumta ushtarake jugosllave-serbe në Drenicë, në rrugën Mitrovicë – Skenderaj dhe sidomos në fabrikën e municionit në Prekaz. Kështu, familja e Jasharajve, më 22 janar 1998, u rrethua nga forcat jugosllave-serbe me pretekstin për ta kërkuar Adem Jasharin, i cili nuk gjendej në shtëpi. Më pas ushtria jugosllave-serbe e sulmoi me armë shtëpinë e Jasharajve, ku edhe Jasharajt iu përgjigjën sulmit. Mbas disa orë luftimesh, forcat jugosllave-serbe tërhiqen në drejtim të Skenderaj. Në këtë betejë mbetën të plagosur dy vajzat e familjes Jashari. Kjo ishte hera e dytë që rrethohet familja e Jasharajve nga forcat jugosllave-serbe. Në fund të shkurtit të vitit 1998, njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i sulmuan policinë jugosllave-serbe te vendi i quajtur “Gjashtë Lisat” ndërmjet fshatit Qirez e Likoshan. Policia jugosllave-serbe, pas humbjes së betejës nga UÇK – ja, më 28 shkurt të vitit 1998, në shenj hakmarrje sulmuan fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë dhe vranë 24 veta. Adem Jashari me njësinë e tij arrijnë me vonesë, por ata arrijnë të hyjnë brenda fshatrave dhe i tërheqin të plagosurit dhe popullsinë e këtyre fshatrave. Kjo betejë dhe masakra në Qirez e Likoshan shënon fillimin e luftës në Kosovë. Derisa opinioni ndërkombëtar po e kuptonte se Jugosllavia, gjegjësisht Serbia po organizonte terror dhe dhunë të organizuar nga aparati shtetëror jugosllavo-serb ndaj popullsisë shqiptare dhe deri sa diplomacia perëndimore bënte përpjekje të ndalonte këtë, familja Jashari sulmohet për të tretën herë nga forcat jugosllave-serbe. Më 5 mars 1998, forcat e shumta ushtarake policore rrethuan Prekazin dhe familjen Jashari. Në kullën e Jasharajve gjendeshin 21 anëtarë nga 30 anëtarë të familjes. Aty ishin edhe Adem e Hamz Jashari, babai i tyre Shabani dhe gratë e fëmijët. Kurse të tjerët ishin në Gjermani. Rrethimin policor e ushtarak jugosllavo-serb, i pari e hetoi Adem Jashari dhe kishte deklaruar “Sot do të kemi luftë. Me fat na qoftë”. Edhe pse babai i Adem Jasharit, Shaban Jashari, kishte kërkuar që të largohen gratë e fëmijët dhe vetë të bëjë rezistencë, këtë nuk e pranoi Adem Jashari, ku tha “Nuk largohem nga shtëpia. Kamë vendos të vdes për Kosovën dhe Shqipërinë”. Kështu filloi një luftë e pabarabartë ndërmjet forcave jugosllave-serbe dhe 22 anëtarëve të familjes Jashari. 

Luftimet u zhvilluan deri në mbrëmjen e 5 marsit të vitit 1998, dhe anëtari i parë i vrarë nga familja Jashari ishte gruaja e Adem Jasharit, Adile Jashari. Ajo u vra deri sa e furnizonte bashkëshortin e saj, Adem Jasharin me municion. Kështu, luftimet vazhduan më 6 dhe 7 mars 1998, për tri ditë rresht. Luftimet u zgjerua në gjithë lagjen Jasharaj, ku u solidarizuan me familjen e Adem Jasharit. Kështu në ditën e tretë të luftimeve, më 7 mars 1998, një predhë topi të kalibrit të madh e goditi dhomën ku qëndronin fëmijët, gratë dhe pleqtë e familjes Jashari. Kështu, Adem Jashari duke kënduar e luftuar ra heroikisht me 20 anëtarët e familjes së tij. Pas tij u vra edhe djali i tij 13 vjeçar, Kushtrim Jashari, që po ashtu luftonte përkrah babait të tij. Kështu në betejën e Jasharajve në Prekaz, nga lagjja Jasharaj u vranë 53 veta, prej tyre 21 anëtar të familjes së Adem Jasharit. Besarta Jashari, vajza e Hamëz Jasharit mbeti e gjallë, kurse Bashkim Jashari, djali i Rifat Jasharit, e kishte çarë rrethimin dhe ishte larguar nga Prekazi, duke iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në çlirimin e Kosovës. Të gjithë të vrarët u varrosën në fushën e pajtimit në Prekaz. 

Të vrarët nga familja e ngushtë Jashari janë:

  1. Shaban Murat Jashari (74-vjeçar), babai i Ademit
  2. Zahide Geci – Jashari (74-vjeçare), nëna e Ademit
  3. Zarife Jashari (49) gruaja e Rifatit
  4. Hidajete Rifat Jashari (18), vajza e Rifatit
  5. Valdete Rifat Jashari (15), vajza e Rifatit
  6. Igball Rifat Jashari (13), djali i Rifatit
  7. Igballe Rifat Jashari (11), vajza e Rifatit
  8. Hamëz Shaban Jashari (47), vëllai i dytë i Adem Jasharit
  9. Feride Mecini – Jashari (43), gruaja e Hamëz Jasharit
  10. Selvete Hamëz Jashari (20), vajza e Hamëz Jasharit
  11. Afete Hamëz Jashari (17), vajza e Hamëz Jasharit
  12. Besim Hamëz Jashari (16), djali i Hamëz Jasharit
  13. Lirie Hamëz Jashari (15), vajza e Hamëz Jasharit
  14. Blerim Hamëz Jashari (12), djali i Hamëz Jasharit
  15. Fatime Hamëz Jashari (9), vajza e Hamëz Jasharit
  16. Blerinë Hamëz Jashari (7), vajza e Hamëz Jasharit
  17. Adem Shaban Jashari (42)
  18. Adile Rama – Jashari (40), gruaja e Adem Jasharit
  19. Fitim Adem Jashari (17), djali i Adem Jasharit
  20. Kushtrim Adem Jashari (13), djali i Adem Jasharit

Të vrarë nga familja e gjerë Jashari janë:

21. Artim Sejdi Jashari

22. Bahtie Muharrem Jashari

23. Abdullah Zen Jashari

24. Blerim Zen Jashari

25. Bujar Zen Jashari

26. Qazim Osman Jashari

27. Nazim Zuk Jashari

28. Beqir Bajram Jashari

29. Halil Bajram Jashari

30. Sherif Brahim Jashari

31. Faik Tahir Jashari

32. Sinan Ramadan Jashari

33. Ali Ramadan Jashari

34. Elheme Uka Jashari

35. Halit Imer Jashari

36. Mihrije Feriz Jashari

37. Hajzer Zymer Jashari

38. Myrtez Zymer Jashari

39. Sabrie Zymer Jashari

40. Hanife Zymer Jashari

41. Hamit Hus Jashari

42. Sala Sheremet Jashari

43. Qerim Hus Jashari

44. Shahin Qerim Jashari

45. Ukshin Qerim Jashari

46. Hajrije Zymer Jashari

47. Hamide Ajet Jashari

48. Kajtaz Maliq Jashari

49. Ajvaz Kajtaz Jashari

50. Smajl Asllan Jashari

51. Sadik Hysen Jashari

52. Afije Hysen Jashari

53. Hamdi Sadik Jashari

54. Elfije Sadik Jashari

Epopeja e luftës së Adem Jasharit dhe familjes së tij, ndërgjegjësoi botën demokratike dhe liridashëse për gjendjen që jetonin shqiptarët nën sundimin jugosllavo-serb. I gjithë opinioni shqiptarë kudo që ndodhej shprehu zemërim ndaj veprimeve të ushtrisë dhe policisë serbo-jugosllave. Veprimet tmerruese që ndërmori shteti jugosllav, respektivisht serb, ndaj shqiptarëve e sidomos në familjen Jashari, e dërgoi çështjen e Kosovës edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në saje të qëndresës së Adem Jasharit me familje, Adem Jashari merr epitetin komandant legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kështu qëndresa e Adem Jasharit ndikoi tek shumë vajza e djemë që të iu bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nën heroizmin e tij luftuan kundër forcave serbe-jugosllave deri në çlirimin e Kosovës.

Me frymëzimin e luftës së Adem Jasharit, lufta vazhdoi dhe dal nga dal përfshinte pothuajse tërë territorin e Kosovës. Nga shumë masakra anekënd Kosovës, në janar të vitit 1999, forcat serbe-jugosllave kryen edhe masakrën e Reçakut, ku luftën e UÇK – së e vendosi në një fazë të re të veprimtarisë së saj. Në shkurt – mars të vitit 1999, u mbajt konferenca e Rambujesë. Pas tërheqjes së Misionit Verifikues të Kosovës, më 19 mars 1999, shteti jugosllavo-serb e filloi aksionin për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës. Pas dështimit të konferencës së Rambujesë apo Parisit, më 24 mars 1999, filluan sulmet ajrore të NATO – s ndaj caqeve ushtarake serbe-jugosllave.   

Më 12 qershor 1999, u çlirua Kosova dhe në territorin e saj hyjnë forcat e Nato – s dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës hyri nëpër qytetet e Kosovës.

Vepra heroike e Adem Jasharit dhe familjes së tij, dhe e vajzave e djemve që ranë në luftë për lirinë e Kosovës, bëri që bota perëndimore në krye me ShBA-të të ndërhyjnë për të ndalur luftën shfarosëse të Jugosllavisë, gjegjësisht Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Kjo vepër heroike dhe unikale në botë duhet të jetë vizion dhe frymëzim që gjeneratat e sotshme dhe të ardhshme të vazhdojnë punën që Kosova të ec edhe më tutje drejt një shteti të fuqishëm dhe demokratik për të cilën kanë luftuar breza të tërë.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2393
  • 2394
  • 2395
  • 2396
  • 2397
  • …
  • 2771
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT