• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Paligjshmëria “pjell” paligjshmëri!

February 14, 2022 by s p

Alma Liço/

Janë me të vërtetë të trishtueshme pamjet e atyre qytetarëve që në emër të urbanizimit të zonës, po u prishen shtëpitë dhe bizneset e ndërtuara me punë dhe mund. Për më tepër në mes të dimrit dhe tëpadëmshpërblyer në mënyrën dhe masën e duhur.

Por përtej këtyre emocioneve të natyrshme, analiza për këtë që po u ngjet atyre të ngratëve duhet të fillojë ca më herët. Nënë Liza dhe nënat e tjera që sot janë bërë viktima të këtij “projekti” urban, para dy ose tre dekadash zbritën nga fshatrat e tyre, zabtuan toka dhe në abuzim të plotë ndërtuan mbi to shtëpitë e tyre, një ose disa katëshe. Madje edhe bizneset.

Nuk menduan për asnjë moment të vetëm se ajo që po bënin nuk ishte e drejte, pasi vetëm pushtuesit zabtojnë toka. Nga ana tjetër, shteti që duhet të merrte masa për të ndalur këtë paligjshmëri, nuk veproi aspak, duke dhunuar kësisoi të drejtën kushtetuese të pronarëve për trashëgimin e saj.

Dhe rezultati…shembje…rrafshim……më pare Astiri… sot 5 Maji…nesër diku tjetër.

Një veprimtarie cila që në krye të herës nisme abuzim dhe grabitje, është vështirë të ketë vazhdim të suksesshëm, ku të respektohet të drejtat e të gjithë personave të përfshirë.

Shteti bandit i cili ka lejuar të ndërtosh pa leje, për më tepër në një truall që nuk të përket, nesër vijon me paligjshmërinë kushtetuese duke ta legalizuar atë… dhe pasnesër pa asnjë ekuivok vjen e ta shemb.

Në një vend ku qytetarët nuk respektojnë ligjet dhe shteti nuk kryen funksionin për të detyruar institucionet e tij,si dhe qytetarët t´i zbatojnë ato, do kemi kurdoherë nënë Liza që do vajtojnë mbi gërmadhat e shtëpive të shembura, si dhe ish-pronarë të dorëzuar para këtij banditizmi të këtyre përmasave,  që enden dëshpërimisht gjykatave pa gjetur asnjëherë të drejtën kushtetuese tëtrashëgimit të pronës.

Filed Under: Kronike

O  E  PAHARRUESHME  POETE
ELENA  LULI  (MIRAKAJ)

February 14, 2022 by s p

C:\Users\User\Desktop\FOTO\2021 FOTO\Elena e Gjelosh Lulit.jpg

ELENA LULI (MIRAKAJ)

(1914 – 2001)

Pergatiti Fritz RADOVANI:

Kam kenë mjaft i rij kur e kam njoftë Zonjen Elena, me të cilen Nana ime sa herë e takonte në krye të rruges Marvukaj, do ta ndalonte dhe do të bisedonte me Ate. 

Natyra e Saj joshëse dhe shumë terheqëse më shtyni me e pyet Nanen se, kush ishte kjo grue e re gjithmonë e veshun me tesha të zeza? Dhe Nana më shpjegoj  se Asaj i kanë vra burrin komunistët në mal se asht kenë oficer Gjelosh Luli, i fisit njoftun të Ded Gjo’ Lulit. Ndersa, kjo asht e fisit Mirakaj, me disa të vramë edhe këta. Kjo ka dy vajza me emnat Klara dhe Izabela, njenën ma të bukur se tjetren, janë fise të bukra… Në të vertetë vajzat i njifshe të dyja. Ishin afer me moshen time. Ma vonë më pat tregue Nana se Elenen e njifte që në moshë të re në shkollen e Motrave Stigmatine ku edhe Ajo vazhdonte mësimet, dhe binte në sy per bukurinë e Saj. Nana kujtonte edhe një prirje të Elenës që, Ajo asht kenë vajzë e re, kur ka fillue me shkrue vjerrsha. 

Jeta i solli aq telashe sa vjerrshat e shkrimet u harruene krejtësisht mbas vrasjes së Gjeloshit në 1947 dhe, interrnimeve e burgosjes së Elenës krejt’ e pafajshme, vetem pse ishte e motra e Kol Mirakaj dhe Zonja e oficer Gjeloshit, i vramë në Mal. 

Shumë vonë gati aty mbas viteve 1980, njëditë e pyeta: Zonja Elena, a vazhdon me shkrue edhe tashti? – Ajo buzqeshi dhe tue më dhanë doren miqsisht, më dha me kuptue se vazhdonte me shkrue sa me kalue merzinë. 

Mbas vitit 2000 më erdhi shumë mirë kur z. Eugjen Merlika, kishte ba një shkrim të gjatë dhe kishte vlersue në maksimum permbledhjen e vjershave të zj. Elena Luli, me titullin “Fluturës”, tue vue në dukje vlerat e Saja letrare dhe poetike, gati kur edhe Zonja Elena, po zhdukej nga kujtesa e Shkodranve që e kishin vlersue aq shumë. 

Pak ditë perpara se të nisem per Australi, kam shkue tek e bija Izabela per me takue Zonjen Elena dhe, kemi kalue disa orë bisedë me Ate. Nuk i mbajti lotët kur i tegova se shpejtë iku per Australi. Më mori doren dhe ma shterngoi fort tue më pyet me një dhimbje të thellë në Shpirtë: A thue premton Zoti që të shihemi prap ma vonë? Unë nuk i premtova asgja, sikur t’ ma ndinte zemra se nuk shihemi ma!! 

Vjerrshat e Poetes së paharrueshme Elena Luli xanë vend në shkamijt e groposun të nëntokës sonë Shqiptare. Edhe ato janë të daltueme nder gur! Vlerat e Tyne janë aq sa të mëdha aq, edhe të domosdoshme per edukimin e rinisë sonë, ku Poetja Elena me mjeshtri ka qendisë dallgët e jetës së një grues së vejë me dy vajza jetime. 

Vlerat e atyne poezive kuptohen shumë mirë nga të gjithë ata mija e mija qytetarë që lindën, u rriten dhe u plakën të rrethuem nder tela me ferra, pa asnjë shpresë se do të jetojnë ndonjëherë të lirë. Ja si e shikon jeten Poetja Elena tek vjerrsha “Lutje”:

“Një tallazi të zi – E n’gji t’vet don me përpi – Gjithshka n’tokë quhet mirsí” 

Poete Elena Luli e vuen në zemer gjendjen ku ka mërrijtë Atdheu. Ja shka shkruen: 

“E dijmë mirë se tokës amtare – I kanë zhgulë nder e i kanë mbjellë marre.” (“Kaçak malit”), pikrisht aty ku Ajo, nuk pajtohet me shkatrrimin dhe vorrosjen e të gjitha atyne tipareve burrnore dhe të nderueme të Trojeve tona. 

Poetja nuk rri me pa por, e vajton gjendjen e Shqipnisë së mjerueme: 

““Vendit tonë i hupi ndera – Si n’për jerm iku lavdia – T’liga punë bijtën te dera – Ulë për tokë, asht krejt madhështia” (“Shpresoj agimin”).

Ndersa, vlenë me u shpjegue kjartë urrejtja per agjentat e sigurimit, ja nama e Saj: 

“Kurrë ksi djemsh mos baftë ma nana!” (“Kaçak malit”) E, vazhdon…

Edhe pse Poetja Elena Luli ka psue ate shka mundet me e kuptue kush e ka provue, Ajo deri në fund të jetes i mështetet Zojës së Shkodres, ku asht themeli i edukates:

“Ty amanet – T’a lamë Shqipninë – O Zojë e dashtun – Na kthe lirinë!”

Shpresa e plotë dhe e palëkundun e një Martirës së Vertetë! 

Vargu ku shihet kjartë madhështia Shpirtnore e Poetes sonë të Paharrueshme. 

Nuk asht e largët jo, koha kur këto Poete do të hyjnë n’ zemrat e Vajzave Shqiptare! Ato do të studjohen nder shkollat Shqiptare, se janë Nanat e Nderueme të breznive të 50 vjetve vuejtje, interrnime e burgosje të masakrave barbare komuniste!  Prej Tyne sot vajzat tona do të mësojnë persekucionin komunist, po ma e randsishmja  asht qendresa e Tyne dhe perballimi i së keqes me krenari dhe nderim të perjetshëm. 

Vlerat morale të Atyne Nanave Heroina asnjëherë nuk i kalbë dheu i Rrëmajit!  

E mos harroni se, Ato ishin ndera dhe lavdia e Shqipes Dykrenare të Kastriotit!

Në kujtim të Poetes së Perjetëshme Elena Luli (Mirakaj), Ja kushton Autori.

Melbourne, 14 Fruer 2022. 

Filed Under: Emigracion

MË  SHUMË SE NJË URIM PËR SHËN VALENTININ…

February 14, 2022 by s p

NGA  NDUE  BACAJ 

Dikun kam lexuar një kushtim që tregonte “forcën” e dashurisë  me fjalët :”Për  Atdheun  jap  dashurinë , për  dashurinë  jap  jetën”

HYRJE ME RETROSPEKTIVË NOSTALGJIE 

Ne që jemi rritur nën diktaturen komuniste, jemi  rritur jo vetem pa e festuar gjatë atyre dekadave ditën e të dashuruarve , por as emrin dhe kohën shumica e shqiptarëve nuk ja kanë ditur. Por edhe në ato kushte  errësire , kur dashuria e parë duhej të ishte për partinë , enverin e komunizmin , në heshtje dhe nën dritën e “qirinjëve” kanë lindur , lulzuar  e sfiduar kohen mjaftë dashuri , madje edhe dashuri të ndaluara , sepse  në dashninë e të rinjëve e të rejave  hynte në mes biografia e partia… Më kujtohet se sapo kishim filluar të merrnim “erë” nga dashuria , të cilen më shumë e perjetonim me endërra , në pranverë gjenim lule që perbeheshin nga petale (drandafille , lule-shqerra e tjer), dhe duke menduar për dashurinë e një vajze “me emer konkret” i heqnim një nga një petalet e lules  duke thënë më don  s’më don , dhe kur petalja e fundit hiqej duke shoqëruar  fjalen më don , ne beheshim me krahë , duke besuar se fati i dashurisë me vajzen që “ëndërronim” po na buzqesh… Se si na printe ky fat pak rendësi kishte , pasi  një “sentence” dashurie  na “mësonte” se Femra është si hija jote , kur ti e ndjekën ajo iken , dhe kur ti iken ajo të ndjeken… Ndërsa  ishte bërë disi “proverbiale’ thenia se për të zënë një të dashur duhet të shkyesh të pakten një palë  këpucë… Është disi e çuditëshme se edhe pse jetonin në një shtet ateist (në kohën e komunizmit)  ndryshimi i fesë apo besimit të dy të rinjëve  shpesh behej pengesë per dashurin e tyre… , kurse  sot edhe pse feja apo besimi është i lirë , pengesat janë thuajse të papërfillshme..  Gjë që tregon se (në liri) dashuria është ndjeja më e fuqishme nga të gjitha ndjejat , pasi ajo “godet” pernjëherë  zemren , mendjen , shpirtin e trupin…  

NJË HISTORI E SHKURTËR PËR DITË E SHËN VALENTINIT  

Një nga ditët më të bekuara e më të lumtura të çdo viti është 14 shkurti , dita e Shën Valentinit, që nga njerëzimi tashmë njihet si dita e bekuar e dashurisë  dhe  festa e zemrave që rrahin me ritmin e jetës e promotorit të saj, dashurisë.  Kjo festë Zemrash ka shekuj që bota e qytetëruar e feston, madje festimi bëhej shumë më përpara se Kristianizmi të bëhej feja e shpresës dhe qytetërimit, pra dhe në kohën kur Paganizmi (besimi absurd në idhuj të rremë të marrë nga “natyra”) ende lulëzonte me tërë veset e shterpësinë e një jete në rënie, por atëherë kishte një kuptim tjetër të cilin po e “spjegojmë”:… Kur Romakët për të nderuar një perëndi (Pagane) me emrin Lupercus e cila i “mbronte” nga kopetë e ujqërve që ndodheshin në pyjet në periferi të Romës së atëhershme, çdo datë 15 shkurt organizonin një festival që quhej pranveror (pasi sipas kalendarit të atëhershëm ishte dita e pranverës). Në këtë festival ishte zakon i shkrimit të emrave të vajzave romake në shirita “letre” që futeshin në vazo, ku çdo i ri pjesmarrës në festival tërhiqte në formë shorti një vazo, vajza që kishte emrin në shiritin e vazos bëhej e dashura e tij për gjithë vitin, por në vitin pasardhës u përsëriste sipas shortit të ri, pra me rite Pagane… Dalngadalë me fitimin e terrenit të Besimit e Kulturës Kristiane, ku familja ishte e shenjtë, si dhe morali njerëzor kërkonte që dashuria të mos ishte e përkohëshme dhe e përdhosur, por të ishte e përhershme dhe në përputhje me moralin e ri Kristian. Ndoshta “shkak” për këtë u bë prifti Valentini i cili në kundërshtim me moralin e sundimtarëve të Perandorisë Romake dhe Dekretin e perandorit Claudius II, i cili kërkonte që ushtarët e tij të mos martoheshin, (pasi kështu ai mendonte se ushtarët nuk luftonin si duhej se e kishin mendjen tek familja) e të kishin të dashura. Ky prift kristian fshehurazi kurorëzoi çifte të reja. Për këto, ai pasi u zbulua u burgos dhe më 14 shkurt të vitit 269 (pas lindjes së Krishtit) iu pre koka. Pas kësaj si dhe me forcimin e besimit kristian ky prift u shenjtërua dhe dita e festës së të dashuruarve u spostua nga data 15 shkurt në datën 14 shkurt, madje kjo ditë ndryshoi emërtimin siç njihet sot në ditën e Shën Valentinos (në emrin e shenjtëruar të priftit të martirizuar). Gjithsesi ka edhe një person tjetër po prift me këtë emër i cili u martirizua po këtë datë, duke iu prerë koka po nga perandori Claudius II, pasi ky kishte thënë se perënditë pagane Romake, Jupiteri dhe Merkuri ishin të paturpshme e të ulëta (pasi ishin të rreme), si dhe në burg kishte mjekuar dhe bërë që vajza e gardianti të burgut Austerius të bëhej Kristiane së bashku me të atin, dhe per ketë u ekzekutua  si më sipër. Gjithsesi të jetë e vërteta ajo ka një qëllim, që kjo ditë e bekuar e dashurisë të jetë festë zemrash që mbjell dashuri e shpresë, paqe e lumturi, që ne shqiptarëve na ka munguar mjaft në vite e shekuj, madje edhe vetë kjo festë deri para vitit 1991 ka qenë një ditë e ndaluar  në Shqiperinë “komuniste” , por e zëvendësuar dhunshëm me ditë, “festa” e idhuj të rremë që ishin tamam si të Paganizmit të vjetër, por me emra të rinj, që për çudi mbaronin po me izëm…Sot  kohrat kanë dryshuar  dhe data 14 shkurt e çdo viti, (si për çdo qytetar të kësaj bote të qensishme), edhe për ne shqiptarët   është një ditë  e shënuar e një dashurie të vertet, kur zemrat “ndalohen” të flasin me gjuhen e tyre. Të dashuruarit këtë ditë veçse i “furnizojnë” këto zemra të dashuruara  me “zjarr të ri” dashurie. Ndërsa simbole të dukshme të kesaj dite janë dhuratat e ndryshme…, buqetat me lule , drekat e darkat në ambiente intime  e tjer e tjer.. 

Gëzuar 14 shkurtin , ditën e bekuar të  dashurisë. 

Filed Under: Analiza

Krijohet shoqata “Ulqini” shoqata më e re në Diasporën Shqiptaro Amerikane

February 14, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo


Sot në Staten Island u krijua shoqata më e re në Diasporën Shqiptaro-Amerikane e pagëzuar me emrin më të bukur “Ulqini”. Në Staten Island në një nga ishujt e bukur të Nju Jorkut në restorantin “Tratoria Toscana” u mblodhën nismëtarët e kësaj shoqate dhe anëtarë të saj për të krijuar shoqatën “Ulqini”. Kryetari i shoqatës “Ulqini” në New York u zgjodh z.Xhemo Lanica, n/kryetar z.Cano Apaduli dhe sekretare znj.Dina Seferi. Gjatë intervistës që i morëm si TV “Alba Life” z.Lanica ndihej shumë i emocionuar dhe i gëzuar që kishin krijuar shoqatën “Ulqini” dhe tha se së bashku mund t’i shërbejmë Atdheut tonë, të ndërtojmë dhe të kalojmë pengesat e shumta që kemi përpara. Ajo që më preku më shumë gjatë bisedës ishte se si ky djalë kaq i ri në moshen 22 vje çare kishte një mision të qartë në kokë rreth shoqatës “Ulqini” e cila ka si objekt kryesor humanizmin për të qenë në shërbim të njerëzve në nevojë ve çanërisht fëmijëve me Autizëm dhe probleme të tjera shëndetësore. Ne kemi se nga të frymëzohemi vazhdoi z.Lanica, ne kemi shembullin më të bukur në botë shenjtoren shqiptare Nënën Tereza që iu ndodh gjer në fund të jetës së saj njerëzve në nevojë. Shoqata jonë ka gjithashtu obligim për të ndihmuar nxënës që duan të vazhdojnë studimet universitare për rezultatet e shkëlqyera, por nuk ju jepet mundësia.Djali nga Ulqini një qytet i themeluar rreth shekullit V p.e.s. nga Ilirët fliste një shqipe të kulluar çka më bënte të ndihesha shumë krenare. Ai kishte mbaruar shkollën fillore “Boshko Strugar”, të mesmen në Shkoder në kolegjin turko amerikan dhe universitetin në UMSH në Tiranë, për shkencat politike dhe diplomacinë e jashtme. Ulqini është qytet bregdetar i mahnitshëm i cili laget nga Deti Adriatik dhe posedon një pasuri të madhe kulturoro-historike dhe natyrore.Tek bisedoja për Ulqinin e pamundur të mos më vinte në mendje Gjon Buzuku i kësaj treve shqiptare, përkthyesi dhe përpiluesi i librit të parë të botuar si dhe përkthimit të parë në gjuhën shqipe, një liber liturgjik kishtar i titulluar Meshari. Vepra e Gjon Buzukut hapi një etapë të re në lëvrimin e shqipes si gjuhë e shkruar. Jane këto treva shqiptare të marra padrejtësisht nga pushtuesit e shumtë, por bijtë e shqipes kanë mbijetuar dhe e kanë ruajtur mrekullisht gjuhën tonë hyjnore. Mali i Zi sot ka zv/kryeminister një djalë të ri shqiptar z. Dritan Abazovic, me origjine nga Ulqini i cili është pretedent për kryeministër dhe unë frymezohem prej tij vazhdoi z.Lanica.Në këtë mbledhje me nismëtarët merrte pjesë z.Marko Kepi ish kandidat për këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut i cili I shprehu bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen që do i japi Organizata “Rrënjët Shqiptare”, në të cilën z.Kepi është President i saj. Z.Lanica tha se ishte frymëzuar ta krijonte këtë shoqatë që në kohën e pandemisë ku dilte nevoja e domosdoshme të ishim bashkë dhe të fitonim kundër saj. Shoqata “Ulqini” së shpejti do të ftojë anëtarët, dashamirësit e saj për aktivitetin e radhës dhe në focus do të jetë mbledhja e fondeve për bamirësi në ndihmë të fëmijëve në nevojë.Urime dhe punë të mbarë shoqatës “Ulqini” shoqatës më të re në Diasporën Shqiptaro Amerikane
13 shkurt, 2022Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet

PUTINI, KINA DHE NAIVITETI I BOTËS PERËNDIMORE

February 14, 2022 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO

Ndoshta, duke shpresuar – por ende nuk është e sigurtë – se faza më e mprehtë e krizës ukrainase, në një farë mënyre do të kalohet, ndoshta mësymja ruse nuk do të jetë, ndoshta amerikanët do të gjejnë mënyrën për t’i lejuar Putinit të tërhiqet duke shpëtuar faqen. Pa dyshim, nëse kriza do të zgjidhet, Emmanuel Macroni, në veshjen e dyfishtë të presidentit francez e atij të rradhës së BE, mund të thotë se ka bërë të mundëshmen, me propozimet e tij dhe bisedën me Putinin, për të ndihmuar një përfundim pohenik. Edhe n’emër të Evropës.  

Mbetet fakti që kjo krizë po na mëson shumë ne evropianëve. Gjëja e parë që na mëson është se nuk mund të ketë “autonomi strategjike” të Evropës (është folur shumë mbas tërheqjes rrënimtare amerikane nga Afganistani) pa aftësinë për t’u shkëputur nga kërcënimet e jashtëme. Putini ka vërtetuar se i mban evropianët të kapur prej fyti në sajë të vartësisë (Italia e Gjermania në krye) nga gazi rus. Si mund të kihet autonomi strategjike në epokën e më të madhes ndërvartësie ndërkombëtare?

Ishte një tezë naive liberale ajo, simbas së cilës, me rritjen e ndërvartësisë ekonomike politika e fuqive dalëngadalë do të kishte humbur qëndërsinë që kishte një kohë. Edhe fuqitë autoritare, mendohej, mbasi të ishin futur, fuqimisht në ekonominë ndërkombëtare të tregut, do të zbuteshin, do të pushonin së qëni një rrezik për demokracitë perëndimore.

Për më tepër: në sajë të lidhjeve të ngushta, nga njëmijë fijet e krijuara e të ushqyera nga shkëmbimet ekonomike, shoqëritë e mbyllura, autoritare, do të ishin të detyruara të hapeshin, të humbisnin ose të hollonin trajtat e tyre autoritare. Pikërisht në sajë të asaj teze u vendos pranimi i Kinës në Organizatën botërore të tregëtisë. Dhe është po e njëjta arsye që Rusia pas sovjetike bën pjesë në institucionet prej të cilëve varet “qeveria” e ekonomisë botërore. Kujtojmë se ndërmjet shtrëngesave të kërcënuara nga amerikanët në lidhje me krizën ukrainase – veç bllokimit të shpërnguljes së teknologjive drejt Rusisë – është edhe ajo e përjashtimit nga Swift, rrjeti i kumtimeve financiare ndërkombëtare.

Tani duhet të jetë e qartë për të gjithë se nuk mjafton të përzihen fuqitë autoritare në pezhishkën e ndërvartësive ekonomike për të zhdukur kërcënimet e luftës. Në të kundërt, dobitë ekonomike që ndërvartësia u sjell atyre fuqive i vënë në gjëndje të fryjnë muskujt, të ushqejnë ëndërrat e tyre rish perandorake, e nëpërmjet tyre të prishin barazpeshat e rendit botëror.

Një zgjim i shëmtuar për Perëndimin e mbi të gjithë për Evropën. Tani mund të masim se çfarë gabimesh kemi bërë n’epokën, tashmë të mbyllur përfundimisht, në të cilën mbas shëmbjes së Bashkimit Sovjetik e zhdukjes së rrezikut komunist, kemi menduar se nuk do të kishte më pengesa për vendosjen e një rendi botëror në të cilin vlerat dhe institucionet ndërkombëtare (rule of law, demokracia, tregu) mund të bëheshin zotërues. Në vitet Nëntëdhjetë të shekullit të shkuar dhe në dhjetëvjeçarin pasonjës, “paqja e përherëshme” kantiane dhe “fundi i historisë” hegelian ishin utopi gjërësisht të bashkëndara dhe ushqenin optimizmin evropian mbi t’ardhmen. Vetëm kështu mund të shpjegohet fakti që Evropa e ka futur kokën shkujdesur në gojën e luanit, është bërë kaq vartëse nga Rusia. Deri sa – e do të duhen vite, nëse do të jetë e mundur – nuk do t’arrijmë të ndryshojmë n’atë pikë importin e energjisë në mënyrë që të jemi të mbrojtur nga kërcënimet e njërit apo të tjetrit, Evropa nuk do të ketë aftësinë të përballojë krizat e ushqyera nga shemëria e fuqive. Shtohet fakti që, në lëndën e energjisë, Evropa (me përjashtim të Francës) duhet të bëjë llogaritë me tabutë e saj ekologjiste, duke filluar nga ajo që ka të bëjë me energjinë bërthamore.

Është edhe një tjetër mësim që mund të nxjerrim nga kriza ukrainase. Ose, më mirë, më shumë se një mësim bëhet fjalë për një vërtetim. Gjermania, fuqia kryesore ekonomike e Evropës, së cilës i takon natyrisht roli i udhëheqësit politik të Kontinentit të Vjetër, të motorit e të drejtimit të një Evrope të zotuar të pohojë “autonominë strategjike” të saj, nuk ka as aftësinë as prirjen. Nuk ka dëshmi më të mirë se fakti që një ish kançelar gjerman, Gerhard Schröder, është tashmë prej shumë kohësh, në fakt një funksionar në vartësi të Putinit: president i shoqërisë ruse Rosneft, tani është kandidat për Këshillin e administrimit të Gazpromit, shoqërisë së naftës nën kontroll shtetëror. Ndërmjet Vëndeve perëndimore është Gjermania që po jeton me më shumë siklet, duke belbëzuar, përballimin me Rusinë mbi krizën ukrainase. Nuk është vetëm se PSD, partia socialdemokrate, sot në qeveri, është më e filorusja nga partitë gjermane. Është para së gjithash politika e Angela Merkelit së cilës i duhet kushtuar  brishtësia e Evropës. Është mjaft e mundëshme që, nëse kriza ukrainase do të kalohet në një farë mënyre, gazsjellësi  North Stream 2 të vihet në veprim. Vartësia energjitike nga rusët do të shtohet më shumë. Në këto kushte nuk ka më asnjë kuptim të flitet për mbrojtje evropiane. E varrosur ëndërra për t’i dhënë jetë një rendi ndërkombëtar liberal, jemi futur në një fazë ngjitjeje të shemërisë së fuqive. Për sa i përket Evropës duhet të llogarisim si rrethimin dhe trysninë të ushtruar mbi ne nga Aleanca e Madhe ndërmjet dy fuqive më të mëdha autoritare (Kina dhe Rusia), po ashtu edhe kërcënimet e sjellura nga skajshmëria islamike që vijnë nga zonat e paqëndrueshme, Lindja e Mesme dhe Afrika. Kërcënime – me që ra fjala – mjaft shqetësuese: siç tregon dështimi  i zotimit ushtarak evropian për të kundërshtuar belegun islamik në Sahel.

Në pamundësi që në vitet e ardhme të dalë një Evropë e pajisur me një drejtim të përbashkët, evropianët gjinden para një mëdyshje. Ose të mbahet solidariteti më i madh i mundshëm me Shtetet e Bashkuara, duke bashkëndarë mundimin për të kufizuar fuqitë autoritare dhe rreziqet e tjera kërcënuese, por duke rrezikuar edhe kundërgoditjet si pasojë e brishtësisë sonë, ose të shkojmë secili për vete, të shpëtojë kush të mundë.

Me disa Vënde evropiane të gatshëm të kultivojnë iluzionin e asnjanësisë, për të bërë si Zvicra. Madje edhe duke i kërkuar Putinit, ose pasuesve të tij, që t’i mbrojnë nga rreziqet.

“Corriere della Sera”, 8 shkurt 2022    Përktheu Eugjen Merlika    

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2402
  • 2403
  • 2404
  • 2405
  • 2406
  • …
  • 2771
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT