• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EMIN EDDIE EGRIU, NJË SHQIPTAR PËR KONGRESIN AMERIKAN

February 12, 2022 by s p

Sokol Paja/


Shqiptaro-Amerikani Emin Eddie Egriu një profil i fortë politik dhe patriotik, mes botës së bisnesit dhe studimit të kulturës, politikës dhe religjionit, zotërues i katër gjuhëve: anglisht, italisht, spanjisht dhe shqip, kandidon për Kongresin Amerikan në Uashington DC si përfaqësues i Distriktit 26 në Western New York. Emin Eddie Egriu nga selia qëndrore e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra i bëri një thirrje të sinqertë dhe të përzëmërt të gjithë pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në USA, sidomos në New York dhe konkretisht në zonën e Buffalo. “Është shumë e rëndësishme në këtë garë që të kem mbështetjen dhe përkrahjen e komunitetit tim pikë së pari. Çdo kandidat ka nevojë si fillim që të gjejë mbështetjen në përkrahësit e bijtë e atdheut të tij. Është një fushatë e shtrenjtë e cila ka filluar me mbledhjen e fondeve në Buffalo dhe tani kam marrë një mbështetje të fortë dhe nga komuniteti amerikan. U jam mirënjohës dhe falenderues çdo personi që po kontribuon. Është një garë e fortë si fillim brenda Partisë Demokratike. Anketimet e deritanishme dhe historiku i përballjeve politike në të kaluarën time tregojnë se unë jam më i favorizuar për të shkuar drejtë fitores” shprehet për Diellin e Vatrës z.Emin Egriu. Shqiptaro-Amerikani Emin Eddie Egriu jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej 52 vitesh. Është veprimtar aktiv dhe një nga personalitet shqiptare të diasporës sonë i cili ka kontribuar gjithmonë për çështjen kombëtare. Emin Eddie Egriu është i specializuar në fushën e biznesit, kulturës, politikës e ligjit. Emin Eddie Egriu është një ndër kandidaturat shqiptare më të fuqishme në skenën politike të komunitetit shqiptar në USA. Familja e Emin Eddie Egriu është me origjinë nga Dibra e Maqedonisë së Veriut, familje e cila emigroi nga Dibra që në vitin 1969. Ata emigruan si fillim në Itali në Romë e më pas erdhën në Amerikë në Brooklyn New York. Emin Eddie Egriu në pikat e fushatës së tij premton: Lobim të fuqishëm për çështjen shqiptare në Institucionet Amerikane si në Senat, Kongres, Departament të Shtetit dhe në të gjitha institucionet e shtetit amerikan. Një fuqizim ekonomik për mbarë hapsirën shqipfolëse në Ballkan, forcimi i edukimit të brezave në trojet shqiptare, synimi i forcimit të arsimit profesional dhe gjetja e mundësive për tregjet e punës. Lobim i fuqishëm për gjenerimin e tregjeve të punës dhe produkteve shqiptare në BE ose drejtëpërdrejtë në Amerikë. “Nëse duhet të zhvillojmë vendet tona, si fillim duhet të luftojmë varfërinë dhe zhvillojmë tregun e punës” shprehet z.Egriu. “Siguria e Ballkanit dhe trojeve shqiptare garantohet vetëm më mbikëqyrjen e Amerikës dhe rolin e saj parësor si garantuese dhe udhëheqëse e proceseve në Ballkan, ashtu siç Amerika e ka ndihmuar kombin shqiptar në histori. Ne si komb duhet ti jemi përjetë mirënjohës Amerikës. Nëse unë zgjidhem në Kongres do të loboj fort në Uashington për fuqizimin ekonomik dhe politik të shqiptarëve në trojet shqipfolëse dhe synimi është që të liberalizohen vizat me Amerikën” shprehet kandidati për Kongresin Amerikan Emin Eddie Egriu. Ai ka ndihmuar në integrimin e emigranteve dhe komunitetit shqiptar në Buffalo të New York e në shumë shtete të tjera të Amerikës me anë të lidhjeve dhe miqësisë që kishte familja Egriu e cila ka qenë gjithmonë si një bazë e fuqishme patriotike dhe komunitare në ndihmë të bashkëkombasve shqiptarë. Vëllai i Emin Eddie Egriu, Naxhi John Egriu ka marrë pjesë në luftën e Kosovës si pjesëtar i Batalionit Atlantiku me profesion spajperist. Përgjatë bisedës në Vatër, Emin Eddie Egriu zbulon për Diellin se ka qenë këshilltar i Colin Powell së bashku me Joe DioGuardi, Ekrem Bardhën, NAAC e shumë personalitete e organizata të tjera shqiptare në negociatat e paqes për krizën në Maqedoni pas luftës në Kosovë në 2001, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington DC ku u mbajt një demonstratë e fuqishme për këtë çështje. Emin Egriu është themelues dhe drejtues i kompanisë së ndërtimeve ‘Egriu’. Në rrëfimin për Diellin, z.Egriu tregon se ka dhënë kontribut të qënësishëm te ‘Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane’ dhe ‘Albanian Roots’. Ka qenë koordinator për gjeneralin Wesley Clark në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004. Ai ka ndihmuar shumë biznese fillestare (start-up) përmes të cilave janë krijuar mbi 3000 vende të reja pune në ShBA, të fokusuara në zonën e Bufalos dhe Niagara Falls. Mbështjetja për Emin Egriun është një mbështetje për zërin e fuqishëm shqiptar në Uashington dhe një ndihmë e madhe për lobimin e çështjes dhe interesave kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në trojet shqipfolëse. Emin Eddie Egriu u bë anëtar i Vatrës dhe u zotua se do të mbështesë Vatrën dhe Diellin në të gjitha etapat dhe proceset ku veprojnë fuqishëm në dobi të komunitetit shqiptar dhe çështjes kombëtare.

Filed Under: Politike

PREZANTIMI I KULTURËS DHE GJUHËS SHQIPE NË MËRGATË

February 12, 2022 by s p

Sokol Demaku/

Në Mbretërinë e Bashkuar të Suedisë jetojnë dhe veprojnë ndoshta diku mbi 60 000 shqiptar nga të gjitha trojet shqiptare. Shqiptarët në bazë të statistikave që egzistojnë në këtë vend Skandiv kanë mergua që heret, por vitet 90-ta janë ato të cilat kanë sjellë numër shiqptaresh në veriun e largët këtu duke u detyruar ta lenë vendlindjen nga dhuna dhe nepërkembja e pushtetit të kohës.

Kultura dhe tradita cdo herë është vendimtare në sjelljen dhe integrimine  njeriut në një mes të ri, në vend dhe ambient të ri. Kështu eshte shqiptarët me një kulturë dhe traditë ia kanë dalë që të integrohen në shoqërinë ku jetojnë. Këtu kemi të bëjmë me njerëz të cilët kulturen dhe traditën shqiptare e kanë në shpirt dhe zemër dhe në bazë të kësaj kanë fitua edhe mbeshtetjen dhe përkrahjen e shtetit dhe vendasëve në integrimin në sistemin e jetës dhe punës.

Qyteti Borås vitin e kaluar festoi 400 vjetorin e themelimit të tij ku në mënyrë madheshtore u festua kjo ditë e shenjtë për boråsarët pa marrë parasyshë cilit nacionalitet i takojnë.

Kështu edhe Qendra Kulturore Shqiptare ”Migjeni” e cila ka selinë e saj në këtë qytet dhe zhvillon aktivitetin e saj kulturor dhe shpirtëror në ruajten dhe kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare mori pjesë aktive me anëtaret e saja në këtë të kremte madhështore.

QKSH ”Migjeni” vitin e kaluar kishte dy festa. Festën e 400 vjetorit të themelimit të qytetit Borås si dhe 10 vjetorin e oragnizimit nga ana e QKSH Migjeni të Festivalit Nderkombëtar të Pozisë ”Sofra poetike në Borås”.

Anëtarët e QKSH Migjeni ishin aktiv me shumë aktivitete kulturore në këtë të kremte e ajo madheshtorja ishte Festivali i X Ndekombëtar i Poezisë i cili në tërsi iu kushtu këtij manifestimi. 

Këshilli Bashkiak i qytetit Borås për këtë angazhim dhe këto aktivitete me të cilat QKSH Migjeni kishte kontribua në shenimin e këti Jubileu madhështor të qytetit të Borås para ca ditës të gjithë anëtarëve të Krysisë se QKSH Migjeni u kishte nda: DIPLOMË NDERI, për kontributin e dhenë (Sokol Demaku, Hamit Gurguri, Rizah Sheqiri, Anxhela Ziso, Bahtir Latifi dhe Qerime Gurguri).

Kjo është edhe një shtytje për këta entuziast që në mënyrë edhe me të denjë edhe në të ardhmen të jenë edhe më aktiv në paraqitjen e të arriturave të shqiptarëve në këtë vend Skandinav dhe në ruajtjen dhe kultivimin e bashkëpunimit kulturor me vendesit, krijimin e  rrugëve të bashkëpunimit mes kulturave dhe njerëzve.

Filed Under: Kulture

Ndërtimi i kapitalizmit me arketip vjedhjen

February 12, 2022 by s p

Dr. Eugent Kllapi/


Në kuptimin e angazhimit individual e djathta politike ngjizet nga urbanizimi në mesjetë. Pikërisht kjo me kapitalin dhe bankat, bankierët që dikur jepnin fajde në varësi të një përqindjeje të caktuar i dhanë shtysë formimit të një forme të re të kapitalit(po të referojmë këtu në shek. e 16 me urbanizimin italian dhe lindjen e huadhënieve në formë bankash). Sot në qendër të vëmendjes dhe të rrethrrotullimit të ekonomisë janë jo rastësisht në fizionominë kapitaliste bankat që sistemojnë dhe stabilizojnë sistemin. Më pas disa sipërmarrës të zotë me zhvillimin e revolucioneve të ndryshme e sidomos me revolucionin industrial krijuan atë që quhet sot ose dikur borgjezi dhe kapitalistë të parë me anë të tregut.Prona e fesë, krisja e statusit të aristokracisë dhe koncepte si liria e njeriut ishin dukur që me ‘’Carta Magnum’’ mbi pavarësinë dhe lirinë e aristokratëve apo me Iluminizmin Francez për të drejtat dhe liritë e individit. Pavarësisht se liria është koncept akoma abstrakt, e zhvilluar që nga antikiteti si koncept kolektiv nga agresori sesa ajo individuale, individi me të drejtë e atëhershme trashëgonte dhe zhvillonte prona në ligjësi me kapitalizmin si mendësi.Pra në kuptimin konkret, djali i bankierit apo kapitalistit, i politikanit apo i borgjezit, i gjykatësit apo biznesmenit i kishte disa ‘’teprica’’ ku e kishte kaluar mbiekzistencën, ushqimin, shtëpinë, të ardhurat minimale bazë për të rrethrrotulluar jetën e tij në formë normale dhe pa shumë sforcime dhe kjo formoi të djathën si mendësi. Dalëngadalë ky i ri do të orientohej për nga arsimimi që dalëngadalë me bumin e shkencave po masivizohej, kjo jo në kuptimin e sotëm ku shkolla është bërë karton për trampolino jete, karriere apo fame e suksesi por në kuptimin e një gjenerimi të madh të dijeve shkencore që prodhon dëshirën për specialitete dhe profilizime të arsimit që kaloi nga feja tek shkenca.
Ky zhvillim kapitali, në kuptimin esencial të një demokracie sovraniste, nacionaliste, atdhetariste sa me kah më vonë për nga konkurrenca e lirë i jep hov edhe individit që dalëngadalë përfshihet si i thjeshtë dhe pa prona në marrje dhe dhënie ekonomie, në pjesë të ekonomibërjes sa politikbërjes. Koncepti individual i zhvillimit të kapitalit është i ndërthurur me zhvillimin e shoqërisë, janë komplementare sa zhvillojnë një demokraci të tërë ku njeriu ndjen hov të paparë për të ndryshuar.Stadi i parë i individualizmit pas 1990 në Shqipëri, pas komunizmit që e kishte të ndaluar kuptimin e kapitalit dhe kapitalizmit, individi shqiptar sa ai me status elitar në mendim u shfaq përsëri djali i politikanit, ofiqarit të dikurshëm, djali i profesorit, djali i drejtorit etj, që iu dha mundësia më shumë se të tjerëve dhe donte të zhvillonte kapitalizmin sipas mendësive të djathta ose të imitimit të djemve të dikurshëm bankierë apo bisnesmenë, borgjezë apo kapitalistë. Këtyre iu dha mundësia shumë më tepër sesa individëve të thjeshtë.Ky djalë i krijuar me mendësi dhe kulturë komuniste nuk mundej dot të linte djemtë e bankierëve të dikurshëm dhe të kapitalistëve që quheshin dikur kulakë që të rifitonin atë pasuri që iu ishte marrë, atë status apo të zhvillohej në një konkurrencë të hapur në të gjitha llojet e vlerave. Atyre u ishte marrë prona, pasuria, statusi, nderi, dinjiteti me dhunë dhe kjo nuk mund dot të futej në konkurrencë sipas tyre me këtë situatë. Ata kishin edhe faj, edhe ndot, edhe frikë nga ky brez elitar i dikurshëm.
Në një mijë e një mënyra do të krijohej bashkësia e djemve të djathtë të rinj ku do të vidhej prona e tjetrit përsëri me anë ligjore e mbivendosje, do të fitohej nga e përgjithshmja, nga veprat publike, nga e mira publike dhe e përbashkët, nga aktiviteti publik, e mira e përbashkët e turmës apo e tufës, masës kolektive, në uzina, fabrika, pasuri kombëtare, lokale etj, si dikur u hiqej e drejta kulakëve për pasurinë e tokës dhe e të ardhurave.Në këtë kuptim shoqërorja kuptohej tashmë si populizëm, komunizëm, stalinizëm kurse e sotmja duhej të orientohej nga e djathta si liberale, përparimtare.Stadi i dytë përkonte me korrupsionin dhe vjedhjen e së mirës publike institucionale. Një kryeministër a ministër, drejtor apo nënpunës mund të vidhte tashmë më lehtë me një firmë miliona lekë sesa me vepra e beton nga monizmi. Ishte mënyrë më oportune dhe më e shpejtë.Nga ana e biznesit në këtë sistem vlerash hov morën matrapazët që zhvilluan hilen. Në të dyja format e djathta e re u krijua në këtë shtrat me anë të hiles dhe të gënjeshtrës që kishte si prapavijë dhunën dhe zhvatjen.Këto lloj formash, jo vetëm ngritën shtresën e lartë, qasjen për nga monopoli(cdo lloj monopoli, jo vetëm ekonomik por edhe profesional, kulturor, politik etj) apo kuptimin oligarkik që quhet sot, por me anë të hiles duan të përfaqësojnë edhe sot synimet e të djathtës së lirë në politikë, të ekonomisë së lirë të tregut, të zhvillimit të kapitalizmit bashkëkohor.Një vjedh si model më i lartë i njeriut të suskesshëm, të gjithë do të vjedhin për të qenë në modë dhe në sistem, nënpunës apo profesor, punëtor apo sipërmarrës.Tashmë e djathta nuk është më si në kuptimin e atij djalit të bankierit që s’ka ç’të bëjë dhe bën një shkollë për të trashëguar e zhvilluar kapitalin me vizionet largpamëse të tij falë ndihmesës së babait dhe kulturës. Tashmë djali i llojit të ri ngrihet falë hiles, vjedhjes dhe mashtrimit në parazitizëm, banalitet e mediokritet, postmodernitet pa bërë gjë thelbësore në jetën e vet, pa bërë ndryshim në qenie. Dikur në mesjetë po mos të vidhje nuk merrje nuse, ky ishte modeli, sot e njëjta gjë, vjedhja vë në qendër të suksesit këtë të ri që merr hov edhe nga vjedhjet harbute të kapitalistëve të dikurshëm, nga komunistët si pjesë e ideologjisë mbi të përbashkëtën dhe luftën e klasave duke vjedhur ctë mundnin nga të pasurit. Djali i ri ngrihet falë hiles, mashtrimit e vjedhjes, banalitet e vulgaritet si shenjë suksesi dhe modeli shoqëror.Nga ai djali i llastuar i sekretarit të parë të partisë e të rrethit, që megjithëse i thjeshtë në gjirin e popullit kishte nëntë dhe fshehurazi shumë të mira e privilegje që vinin si status nga babai apo familja, fisi, tashmë ai shikohet si djalë i ri i djathtë, të modelit të hajdutit. Dhe kjo shihej e shihet si zhvillim sa brezat u lënë vendin njeri-tjetrit, fëmijët bëhen baballarë e orientojnë fëmijët e rinj.Problem tjetër me të djathtën është se hajduti në psikologjinë e veprimit është koprrac. Ai investon për të mirën dhe pushtetin e tij personal në kapitalin e vet, por nuk do t’ia dijë për shoqërinë që me mendësi komuniste mendon se duhet të jetë turmë, tufë, masë. Rrjedhoja e kësaj llogjike shikohet edhe te oligopoli ekonomik i biznesmenëve të shkëputur nga politika që mund të kenë 1 milion e një fije të lidhur me politikën, pasoja përcakton shkakun. Tashmë shoqëria konsiderohet si instrument, skllavëri, punëtorë me mëditje ku nuk duhet të ketë pragun e kalimit ekzistencial pasi përbën rrezik për statusi ne vet, nuk duhet të kenë as sigurime, as sindikata, as gjykata, as polici, as shtet, as mënyrë orientimi sepse cënohet sistemi si dikur sistemi në komunizëm me baballarët. Atë kulturë kanë trashëguar.Ai ndihet komod si maskara, si hajdut për ta zhvilluar këtë kapital në këto kushte por nuk di si të zhvillojë shoqërinë që e do të sunduar, madje nuk di si ta orientojë vlerën e vet ekonomike për të ecur para pasi e përqendron vetëm tek vetja si burim. Përjashtohet tjetri, grupi, shoqëria nga këto burime që i mbledh falë egocentrizmit të vet.Në këtë kurth është dhe politika. Ajo do të jetë liberale, neoliberale deri në socialdemokraci, demokraci sociale apo me tipare konservatore në qëndrime por e gjitha kjo mbështetet në kuptimin primar në zhvatje dhe vjedhje. Nuk është ‘Robinhudizëm’ për shoqërinë, pirateri, kacakëri ndaj sulltanit dhe sistemit por makutëri për vetveten.Nuk mund dot të rrethrrotullojnë sistemin as si para 200 vjetëve në Amerikë sepse kanë vrarë pronën, prodhimin, fshatin, shtresën sociale, industrinë e lehtë, natyrën, dhe mendojnë vetëm në mënyrë të njëjtë pa ide dhe ligjësi, në hajdutëri, ndryshe nga djali i dikurshëm i bankierit që lindi filzofinë e lirisë në treg konkurrent për një shoqëri më të zhvilluar.Sistemi nuk xhiron sepse individi nuk ka asgjë por si ai djalë borgjezi që vjen nga djalë komunisti, pra nga zhvatja nuk krijon dot tepricën për shoqërinë, nuk krijohet konsumi, lëvizja e parasë, prodhimi, shpikjet, teknologjia e kohës, riformimet apo revolucionet teknologjike e shkencore, mirëqenia, sistemi, rendi kapitalist pra ka rënë gjithçka falë aftësisë për të qënë koprac dhe hajdut. Kjo nga frika e konkurrencës, lirisë së individëve që përbëjnë rrezik, mendjengshushtësisë dhe centrizmit elitar të një mendësie molonite.Ata janë bërë ‘’boumerang’’ i vetvetes.Nga gënjeshta nuk mund të ecin si të vërtetë përveçse me evolimin e kohës, djemtë me hile të bankave të krijuar siç do modeli i ri i hiçit dhe i vjedhjes, nuk mund të ecin me shkollimin dhe specializimin që prish rendin dhe sistemin akual. Shkolla duhet për triumf po jo për të ndryshur këtë establishment të ri, duhet kënetë jo lumë. Në këtë formë hilja dhe vjedhja trashëgohet në ‘’arketip’’ tek brezi i ri dhe tek fryma shoqërore, tek modeli, preferohet më shumë ky model sesa ndryshimi si rrugë më e shpejtë falë dhe makutërisë që do me çdo kusht dhe në ankth ta vrasë konkurrencën e shpejtë të të shumtëve.Makutët janë të paduruar psikologjikisht sepse kanë obsesion. Ky kalim në psikozë shkon deri në kuptimin e së përgjithshmes.Asnjë parti më pas nuk mendon për zhvillimin shoqëror sepse janë të babëzitur për të qenë si modeli, ashtu si makutët dhe makutët në shoqëri duan modelin e njëkohësisht janë të babëzitur.Thjesht nga mungesa e vetvetes.

Filed Under: Analiza

THE AMERICAN FOREIGN SERVICE JOURNAL (1931) / PRANIA E MBRETIT ZOG NË PËRURIMIN LEGATËS SË RE AMERIKANE NË TIRANË, NJË EVENIMENT I VEÇANTË PËR KËTË ARSYE (FOTO)

February 12, 2022 by s p

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Shkurt 2022

“The American Foreign Service Journal” ka botuar, në shkurt të 1931, në faqen n°81, një shkrim në lidhje me përurimin e legatës së re amerikane në Shqipëri në prani të mbretit Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Dedikim për Legatën e re Amerikane në Shqipëri:
“Në Ditën e Falënderimeve (Thanksgiving Day), me 27 nëntor (1930), u përurua legata e re amerikane në Tiranë nga ministri amerikan, Herman Bernstein, në praninë e Mbretit Zog, anëtarëve të qeverisë së tij dhe të trupit diplomatik, si dhe anëtarëve të komuniteteve amerikane dhe të tjera të huaja.
Fjalimi i hapjes u bë nga ministri amerikan, të cilit Mbreti iu përgjigj shkurtimisht. Në vijim, kryeministri foli në emër të qeverisë shqiptare. Në emër të përfaqësuesve të huaj foli edhe ministri britanik, dekan i trupit diplomatik. Prania e Mbretit i shtoi shumë interes këtij rasti, veçanërisht pasi kjo ishte vizita e tij e parë në një mision të huaj.Legata e re përbëhet nga tre ndërtesa; rezidenca e ministrit, rezidenca e sekretarit dhe kancelaria. Është Legata e parë që kompletohet nga fondet e parashikuara nga projektligji i Porter-it, i cili përvetësoi 10,000,000 dollarë për ndërtimin e legacioneve të ambasadave dhe konsullatat në vendet e huaja. Të tre shtëpitë ndriçohen dhe ngrohen nga një impiant qendror, i pavarur. Shtëpia e ministrit është përshtatur në mënyrë të mrekullueshme për pritjet (takimet) pasi ka tre dhoma të mëdha pritjeje.
Prona e re shtrihet një sipërfaqe prej 3.5 akrash, mbi një vend të lartë në rrugën e Elbasanit rreth një çerek milje nga qendra e Tiranës. Ndërtesat kanë pamje nga jugperëndimi drejt një vargu të bukur kodrash, mbi më të afërtën e të cilave një ditë do të ndërtohet pallati i ri i Mbretit Zog. Mbrapa Legatës ngrihet një varg i mrekullueshëm i Alpeve Shqiptare me malin Dajti që ngre majën e tij mbi malet përreth, i veshur me borë në dimër dhe në verë duke reflektuar ngjyrat e mrekullueshme të perëndimit të diellit nga maja e tij shkëmbore.
Legata amerikane në Tiranë është ndërtimi i parë vërtet modern në Shqipëri dhe populli shqiptar ka shfaqur interes të madh për rehatinë dhe komoditetet e ndërtesave moderne amerikane. Shumë vëmendje kanë tërhequr banjat, ngrohja me avull dhe frigoriferët elektrikë.
Ngritja e godinave të reja për të strehuar Misionin Amerikan në Shqipëri ka inkurajuar edhe vendet e tjera të ndjekin shembullin. Britanikët, italianët dhe francezët tani po planifikojnë të ndërtojnë legata të reja dhe tashmë janë blerë vende për këtë qëllim nga qeveritë britanike dhe italiane në afërsi të pronës amerikane.”
Nga Charles A. Bay

Filed Under: Emigracion

ORIGJINA MË E HERSHME E KASTRIOTËVE  NGA KASTRATI?

February 12, 2022 by s p

NGA  NDUE  BACAJ

HYRJE 

Për origjinën  e Kastriotëve është shkruar e folur  nga historianë , studiues ,  njerëz të letrave  e  njerëz të zakonshem , e megjithë-keto “enigma” e origjines të kesaj familje famëmadhe arbëre ende vijon të mbetet e pa zgjedhur perfundimisht… Duke njohur  kontributin historik e heroik të Kastrioteve dhe birit tyre të lavdishem Gjergj Gjon Kastriotit  ,i cili  mbrojti me trimeri e lavdi per rreth 25 vite  Arberinë  ,  Europen e kohes  si dhe besimin e qytetrimin e saj të shkon mendja se çdo fis ,krahinë  e  trevë shqiptare (por edhe të huaja ) do ta deshironin që origjina e Kastrioteve të ishte nga vendi e fisi i tyre ..Kjo “deshirë”  me gjuhen e popullit shprehet ,se  të mirin e të zotin ka qjef gjithëkush  ta ketë  gja ,të tijin apo të afert.. Natyrisht edhe unë si malesor e kastratas bëjë pjesë ndër ata shqiptar  që do të kishin dëshirë të madhe që  familja e Kastrioteve të ishte me origjinë nga vendi , fisi  apo krahina  ime…Megjithatë  unë në ketë “shenim” do të perpiqem të paraqes  vetem disa “argumente” të shkruara nga studiues  e historianë  (të huaj e shqiptar) ,  të cilet na kanë lënë “diçka” per origjinen e (hershme) të Kastriotëve…nga  Kastrati.

KUR  DOLI  NË “DRITË” FAMILJA  E  KASTRIOTËVE..?? 

Familja e Kastriotëve kishte një principatëtë vogël në malet midis Matit e Dibres ,në kufirin verior me zotrimet e Topiajve. Kostandin Kastrioti e filloi sundimin e tij mbi ketë principatë në vitin 1383 . I biri Gjergji  me trupat e tij mori pjesë në betejen ogurzezë  të Kosoves  më 1389. Venediku e pushtoi  Kryeqytetin e saj ,Krujen me 1392 . Në vitin 1395  kur Gjergji  e vendosi serish  sundimin e tij në Krujë ,Venediku e shpalli armik (Gjergjin) dhe i preu koken në Durrës në vitin 1402. Pas tij erdhi i biri ,Gjoni , i cili e mori  Krujen  perseri   dhe gradualisht e shtriu sundimin e tij mbi Tiranen , Matin , Dibren dhe Mirditen  ,nga Prizreni në lindje  deri në detin Adriatik në perendim. Kala të fuqishme  ishin ajo në Krujë , Petrelë ,afer Tiranës , Petralbë , Stelush në Mat , Sfetigrad në Dibren e Eperme  dhe Tornak.  Nga viti 1407  deri me 1430  Gjoni luftoi periodikisht me turqit , u mund tri here  dhe u detyrua të pranonte kushte të renda  paqeje. Kur turqit me në krye Muratin II , e thyen atë në vitin 1421  ata ndoqen praktiken e tyre  të zakonshme , duke lejuar që të mbante një kontroll të kufizuar mbi principaten e tij. Mirpo i kerkuan të paguante haraç vjetor dhe  të dorzonte kater djemt e tij si pengje per garantimin e nënshtrimit  të tij  të perhershem ndaj sulltanit . (Në fakt kater djemt  Gjonit ja kishte  marrë sulltani si pengje që në vitin 1414.. N.B.). Gjithashtu  Gjonit i premtuan që pas vdekjes së tij ata do ta kthenin djalin e parë që të zinte vendin e sundimtarit.  Më i vogli i kater djemëve të Gjonit ishte Gjergji nëntëvjeçar , i cili do të njihej më vonë  si heroi Skenderbe..1.

PAKË  “SHENIME”  PËR  ORIGJINEN  MË TË  HERSHME  TË KASTRIOTËVE …NGA  KASTRATI !!

Pa dashur tu prishë “qjefin” të gjithë atyre që e kanë  “ndarë” mendjen se origjina e Kastrioteve  “rrugëton” nga Dibra –Mati, në Has e Mirditë ,apo pa dashur tu bëjë “qjefin” kastratësve të “mi” që “kembëngulin” se origjina (më e hershme) e Kastriotëve është nga Kastrati i Malësisë së Madhe , unë mendova të rendisë  ato pakë “argumente” që  na “joshin” të besojmë se origjina më e hershme  e Kastriotëve  mundet të jenë edhe nga Kastrati .. Por per hirë të vertetes fillimisht më duhet të them se nëse bëhët fjalë per Kastratin dhe banoret e asaj kohe kjo na “kthen” mbrapa  të pakten mbi një shekull para betejes të Fushë-Kosoves (1389) ku kishte marrë pjesë edhe gjyshi i Gjergj Kastriotit –Skenderbeut. Edhe sikur të merret e vertet se origjina më e hershme e Kastrioteve është nga Kastrati, ne na duhet të “pranojmë” se Kastriotet nuk i perkasin fisit të Kastratit  që perben mbi 95% të popullsisë së sotme të ardhur  nga Kuqi  shqiptar  , (sot Kuçi i sllavizuar nën Malin e Zi) në fillimet e shekullit XVI , me të parin tonë  Dedlin apo Dedalin…që fillimisht kishte zenë vend në Kastratin e Moçëm (Katund të Kastratit).. Ndër të parët  “biograf” të Gjergj Kastriotit që shkruan se origjina e Kastriotëve është nga Kastrati  ka qënë Peshkopi i Sapes  Frang  Bardhi ,  i cili në vitin 1636 boton në Venedik  librin kushtuar Gjergj  Kastriotit.. Në këtë liber “biografikë”  Frang  Bardhi  i kushton një vemendje të madhe replikes së tij me sllavin Tomko i cili shkruante se Gjergj Kastrioti –Skenderbeu nuk ishte Arbër ,por sllav nga familja e njohur e  Margnaviçëvet, nga e cila ishte edhe Tomko.. Gjatë kesaj replike plot argumente të dokumentuara per origjinen Arbëre të  Gjergj Kastriotit dhe familjes të Kastriotëve , Frang  Bardhi ndër të tjera shkruan : “…Megjithse ato që kemi thënë  gjer tani mund të mjaftonin per vertetsinë e çeshtjes në fjalë , unë do të shtoj edhe disa gjëra nga mendja ime , të cilat ndihmojnë per ta  ndriçuar punen e familjes së Kastriotëve (origjines të kastriotëve N.B.) . Duhet të dimë d.m.th. se është një pjesë e vogel  e Epirit apo e Arbërisë , që sot në kohen tonë (viti 1633, N.B.) quhet nga epiriotët dhe bashkëvendasit tanë  “As”, (Has, N.B.). Pranë ketij vendi  janë vendosur  e ndodhen pulatasit  dhe dukagjinasit, popullsi të Arberisë .  Permes ketyre popullsive dhe maleve shumë të larta  rrëshqet lumi i shenuar  dhe shumë i shpejtë  Drin.  Në ketë pjesë të Epirit  , ndermjet vendeve malore të asaj krahine  ngrihet një fshat i vogël i  quajtur prej askolëvet  Kastrat.  Ky fshat bashkë, sigurisht me shumë fshatra, bashtina e kështjella e qytete të tjer , që ndodhen në vendet më të ashpra të malevet,u sjellë dëme jo të pakta  mësymjeve dhe sulmeve të turqvet….Të drejten dhe pushtetin mbi këtë fshat e pretendon per vehten e saj një familje e permendur ,dhe shumë e vjeter  ndermjet bashkëvendasve tanë e quajtur Kastrati. Prej kesaj familje kanë dale shumë burra të nderuar per mençurinë dhe trimerinë e tyre luftarake….Unë per shumë aresye guxoj të pohoj  si të vertet se nga ky vend e kjo familje kanë dalë ata që  quhen zakonisht “Kastriotë”. Së pari sepse me ketë mendim është në pajtim të plotë mendimi i pergjithëshem  i kombit tone, gjë që unë e kam patur parasysh  në çeshtjen që shqyrtojmë. Sepse ato që trashigojmë nga etërit  dhe gjyshërit , ua lëmë me lehtësi pasardhësve tanë , sidomos kur është fjala per gjëra të shquara , e që meritojnë të mbahen mend , sipas fjales : “Pyet babanë tend dhe do ti tregojnë të parët e tu “. Pastaj sepse është nevoja  të merret parasysh se që nga koha e Skenderbeut e gjer tani, nuk ka kaluar aq kohë sa per të  shlyer e harruar  çdo kujtim i tij dhe  i njerëzve të tij nga bashkëkombasit tanë. (Sepse keta e kanë zakon që të këndojnë gjithëmonë  nëpër gostitë e tyre , ashtu siç bënin të vjetrit , për origjinën dhe veprat e paharruara të burrave të tyre  të shkelqyer). .. Argumente të tjera për këtë mendim dhe supozime të shumta  jo të pa rëndësishme po i lë menjanë . Vetem dua të parashtroj në favor të ketij  opinioni  rëndësinë e pazakontë të Analeve  të Raguzes … Keto Anale  flasin për origjinën e të gjitha familjeve , që kanë patur një farë rëndësie  në ato anë…Analet pra shumë të vjetra , të këtyre anëve ….japin edhe këto informata në gjuhen italjane , që unë si zakonisht po i parashtroj këtu fjalë për fjalë në po atë gjuhë , me qellim që të mos dyshohet se u kam bërë ndonjë ndryshim…Gjon  Kastrioti  , zot i Krujës , familja e të cilit ka dalë nga Kastrati… Këto janë informatat që permbahen atje . Por megjithë këtë unë nuk mund të kaloi në heshtje , ndërmjet të tjerash  dy nga heronjët e panumër të familjes Kastrati , të cilet janë gjallë gjer më sot (viti 1633 N.B.).Njeri nga këta është turk …dhe quhet Mustafa  Kastrati , ndersa  tjetri është i krishterë dhe është i dhënë plotësisht  mbas normave të Krishtit , dhe është prijës …i atyre të krishterëve  që siç  thamë nuk e duron tiraninë turke. Quhet Gjon Kastrati dhe është  një pararojë i palodhur i krishterimit . Duke dhënë çdo ditë prova të shkelqyera  të burrërisë së tij , po tregohet kështu trashigimtar i denjë i lavdisë dhe trimërisë stergjyshore..2. Këto që shkruan Frang  Bardhi i perkasin vitit 1633 , ose më sakt 165 vite pasi kishte vdekur Gjergj  Kastrioti Skenderbeu.. Është me vlera të sqarohet se këtu bëhët fjalë për fisin e Kastratit , dhe prejardhjen e Kastrioteve nga fshati i Kastratit , por jo i Kastratit  të Malesisë së Madhe , por në Has të Kukësit. Edhe sot  Kastratasit e Hasit po ti pyesesh , shumë të pergjigjen se e kanë prejardhjen nga Kastrati i (moçem) i Malesisë së Madhe para shumë shekujsh. Kjo prejardhje është trashiguar nga baba te djali , brez pas brezi  apo siç shkruante  Frang  Bardhi këto i trashigonin  me lehtësi nga etërit dhe gjyshërit te pasardhesit tanë..Gjë që nuk ka bërë perjashtim as te Kastratësit e Hasit… Një ndër historianet e njohur shqiptar të gjysmes së parë të shekullit XX , at Marin Sirdani ,  ka shkruar një “liber” me vlera edhe per sot kundër atyre që janë kunder  Gjergj Kastriotit dhe veprave të tij  me titull : “Pse Fajësohet Skenderbeu” , si dhe librin tjeter  historik që i kushtohet  ketij heroi  me titull :”Skanderbegu mbas Gojëdhanash”. Unë mendova ti referohem librit të fundit që merret edhe me prejardhjen e Kastriotëve , ku nder të tjera citoj:  “ Kastriotet  mbas gati të gjithë shkrimtarëve të jetës të Skenderbeut , mendojnë se e muaren emnin prej ndonjë vendi të quajtur Kastri… Mbas zakonit të hershem e të shpeshtë ndër ne një familje kur emigron e  merr emnin (mbiemrin N.B.) prej nga rrjedhë… Do vu mend se me emën Kaster , qytet  , qytezë  apo kala emnohen disa kështjella të vjetra , e shumta të rrënueme  faret  që gjindej aty pari. Mbas gjaset qytet (gjytet) a qytetez (gjytetez) janë më të hershmet , e duket se do të jenë mbetjet e qyteteve  a kështjellave Ilire të kohëve të para të sundimit romak…. Kastrat duket se u ndreqen prej romakëve  për sigurim të vromit (vrojtimit N.B.)..  Fshate  me emën Kastri  a  Kaster   ka edhe sot disa , në Shqipni.  Kastri e  banoret e tij Kastriot quhet një fshat në Çamri  – Kaster thirret një  ktund  i vogël  në veri të Mrdites  afër Drinit …Kaster quhet një katund në Has –  Kastrat  mban emnin  një bajrak në Malesi të Madhe – Kastri e banoret e tij Kastriot  është  një katund në Dibër – Kastria  a fisi i Kastriotëve njihet një fshat i  vogël afër Shtjefnit në Mat.  Kohëshkruesi i Raguzes  Pietro  Luccari në vitet 1606 thërret “gabimisht” Kastrat , Kastratin e Hasit  dhe i  zënë Kastriotet të rrjedhun  pre atij vendi…3.  Ndersa Jacques De Lavardin shkruan se mendimi i pergjithshem ishte  se familja e Kastroitë  është Matjane dhe se mbiemrin e merrte prej ndonjë vend të quajtur Kaster ,por prej  të cilit vend në Mat  , e prej të ciles Kaster nuk e  çekin…4. Kastri i Mates skje veç një  fis i vogel i  qytetit të Shtjefnit i ardhun prej Kastriet të Dibres ( fshat që  gjindet ndermjet katundit  të Suhadolit e Drinit) në kohë të Skanderbegut ,të quajtun  edhe tashti Kastriot  a fisi i Kastriotit..”.5. Siç shihet origjina e Kastriotëve ka qënë e “diskutueshme” që heret (shek.XVI..).  Edhe At Marin Sirdani ndonse e lidhë mbiemrin Kastrioti me fshtra ,katunde apo kështjella të thërritura  (latinisht nga romaket ) Kastra e deri  Kastart ai nuk është gjendje të thotë saktesisht se  nga cili vend që ai permend (edhe në bazë të dokumenteve të shkruara), e ka origjinen familja e Kastriotëve. Por  nga libri që sipercituam  i At Marinit një gjë është e kuptueshme , se i vetmi vend që trashigon pa ekuivoke emrin Kastrat dhe ka një organizim të njohur (kombetarisht e nderkombëtarisht)  është fisi –bajrak (flamur) i  Kastratit të  Malesisë së Madhe . Ketu ( në Marshenjë)  ndodhet qyteza apo  kalaja më e vjeter e njohur , dhe me rëndësi strategjike që e perdoren pushtuesit  romakë edhe si vend strategjik- ushtarak dhe si qënder qytetare ku strehoheshin familjet e ushtarakeve të tyre.. Albanologu dhe studiuesi Franc Nopça  shkruan : “ Si duket  Kastrati i  vjetër e ka marrë emrin nga ”Castrum”  i Romes që ndodhej në Marshej  dhe emri Kastrat  gjendet edhe si emer fshati  në kadastren e Shkodres më 1416.  Sipas një tradite  tjetër , të paret e Kastratit  quheshin “anas” (vendas, N.B.) dhe peskëshin qënë të mëdhenjë , të shkathet dhe të fortë , ishin në gjendje të kapercenin mbi 6 kuaj  dhe rronin  me mish kali e lende.”.6.  Ndërsa perkundër dyshimeve (të sipercituara) të At  Marin  Sirdanit , historiani  francez Zhan  Klod  Faveirial  në  Historia  (më të vjeter) e Shqiperisë  (të shkruar prej tij në gjysmen e dytë të shek.XIX) ,”thotë” pa asnjëllojë dyshimi se Familja e Kastriotëve e kishte prejardhjen nga Fisi  Shqiptar i KASTRATËVE , prej nga rrjedhë dhe emri i Kastriotit..7. Studiuesi i njohur I shekullit XIX Hyacinthe Hecquard  në librin histriko-enciklopedik (Historia dhe Pershkrimi i Shqiperisë së Eperme  ose i Gegërisë),kur shkruan per origjinen e familjes Kastioti ,  bazohet kryesisht në librin e Frang  Bardhit (Georgius  Castriotus ..botuar në Venedik me 1636) dhe në disa gojëdhëna.  Nga libri i Hecquardit citojmë : “..Mbi origjinen e Gjergj Kastriotit thonë se kjo familje ishte me origjinë nga Emathia, (sipas F.Nolit te historia e Skenderbeut ,fq.16 , Emathia e cilësuar nga  M. Barleti identifikohet me Matin e sotem N.B.), Frang  Bardhi  ,peshkop i Sapës  nuk ka të njëjtin mendim . Sipas tij  Kastriotet rrjedhin nga malet e Kastratit  dhe kujtimi i tyre ruhej ende  aty kur ai shkruante : “ Në ketë pjesë të Shqiperisë të quajtur random As , në kufi me krahinën e Pultit dhe fisin e Dukagjinit ..gjendet një fis i quajtur  Kastrati , i drejtuar në atë periullë nga një familje me të njejtin emer , e famshme për guximin dhe maturinë në luftë…nga ky vend dolen Kastriotet.. “ Ndersa per gojëdhenen që është në favor të origjines të Kastriotëve nga Kastrati  nder të tjera po cilësojmë : “ Nuk ka kaluar ende aq kohë , qysh prej kohes së Skenderbeut  deri në ditet tona  sa të harrohet kujtimi dhe origjina…  ,të cilet sipas  një tradite të lashtë neper festime e kanë zakon të këndojnë per origjinen dhe bëmat e mëdha të burrave  të tyre të shquar. 

Nese pranojmë se është e lehtë të genjehesh nga gojëdhënat që sjellin fakte shumë të vjetra të lashtësisë ,do të ishte nderkaq qesharake të besonim se e gjithë popullsia e një province të madhe ,per të mos thënë e një mbretërie , gënjehet mbi një fakt që nuk është edhe aq i largët ,Barleti, thotë Farlati  nga i cili kam marrë ketë citat…”8. Një tashigimi gojore me mjaft vlera ,dhe të trashiguar prej qindra vitesh ka mbledhur studiuesja e njohur angleze Edith  Durham ,(një njohese e mirë dhe e vlersuar  për historinë dhe traditat e shqiptarëve  të veriut e verilindjes) , e cila ka vizituar disa herë  edhe Malesinë e Madhe . Kjo studiuese në shkrimet e saj  të vitit 1908, kur i vjen “rradha” Kastratit ndër të tjera shkruan: “Thuhet se emri  Kastrat  rrjedh nga latinishtja  CASTRUM , gjë që nuk më duket e pamundur , sepse rruga kryesore që dikur bashkonte  Shkodrën me Dioklenë  duhet të ketë kaluar nëpër Kastratin e Poshtëm, dhe ajo duhet  të ketë pasur nevojë per roje që ta ruanin. Sidoqoftë  banorët e fisit (Kastratit) të tregojnë se emri i tyre rrjedh nga heroi i tyre  Gjergj  Kastrioti , i madhi Skenderbe”.  Kur vdiq Skenderbeu ne (i kishin thënë kastratasit, Durhamit) u ulëm buzë rruges dhe qamë. Kaloi andej turku dhe na tha : Pse po qani ? dhe ne i thamë se po qajmë se na ka humbur shpata ! Dhe ai na tha : Do jem unë shpata tuaj (Sergjede). Pastaj ai na lexoi sheriatin (ligjin turk) dhe tha : Tani hiqni  xhurdin ( xhaketa e shkurtër në ngjyrë të zezë, që sipas traditës mbahet në shenjë vajtimi per Gjergj Skenderbeun dhe që mban emrin e tij), dhe vishni  xhyben turke . Por ne iu pergjigjem : të krishterë  jemi  dhe të krishterë do të jemi  perherë. Ligjin turk se pranojmë dot as rroben turke. Ne na qeverisë ligji i Lekë Dukagjnit.  Atëherë ai na ofroi jelekun , që ne vazhdojmë ta quajmë me po atë emer , duke na thënë , JE  LEK (Ti je Leka)..”.9. Kjo gojdhënë është mbledhur  prej  Edith Durham-it  nga banoret e Kastratit në vitin 1908 , pra 440 vite  pas  vdekjes së Gjergj Kastriotit , çfarë tregon per një lidhje të forte në mes trashigimisë gojore (gojëdhënës), nga njeri brez në tjetrin ,dhe e një të vertete historike në mos tjetër frymëzuese në qendresen e gjatë të kastratasve , kundër pushtimit e sundimit turko-osman. Është interesant se gojdhënën  e shënuar nga studiuesja Edith Durham e “përsëritë” në një fare mënyre edhe një raport sekret të  sherbimit të zbulimit të admiraliatit të marinës ushtarake angleze…  gjatë luftës parë Botërore , nga i cili citojmë : “Sipas gojëdhënave të vendalinjëve , fjala “Kastrati”  vjen nga emri i Gjergj Kastriotit (Skenderbeut).10.

Studiuesja  Edith Durham  në studimin e saj  nuk e “sqaron” se ku e ka mbledhur këtë trashigimi gojore , te banoret më të vjeter (anas) të Kastratit , që kishin mbetur fare pak , apo te banorët e ardhur  në trojet e Kastratit rreth vitit 1550-1575 , dhe që në vitin 1908 (si dhe sot) perbejnë shumicën e shumices së popullsisë që banon trojet e Kastratit të Malësisë së Madhe, banorë që trashiguan e trashogjnë vlerat më të mira ,të Malesisë e Shqiptarisë. 

NË VEND TË NJË KONKLUZIONI…

Duke parë këto pak shenime , një pjesë të të cilave mund ti quajmë edhe argumente (ndonse  jo shumë bindëse), ne kastratasit  e Malesisë së Madhe , me gjithë deshirën tonë të bazuar edhe në ndonjë gojëdhënë , nuk mundemi të “kembëngulim” se familja e Kastriotëve , e për rrjedhojë biri i tyre i lavdishem Gjergj Kastrioti e ka origjinen më të hershme nga Kastrati i Malesisë  së Madhe.. Por nëse ne kastratesve nuk na vertetohet (ekzaktësisht) origjina (më e hershme) e Kastriotëve nga Kastrati , ne na “vertetohet” plotesisht deshira dhe e drejta  jonë për të vijuar të mendojmë se kjo familje famëmadhe e ka origjinen më të hershme (rreth shek.XIII) , pikrisht  nga Kastrati , apo Kastra (Castra ) nga thuhet se e ka marrë emrin edhe kjo trevë historike e Malesisë së Madhe të Shqiperisë  Etnike…

Kastra , kalaja apo  qyteza , rrenojat e së ciles identifikohen  sot  në fshatin Marshenjë (të Kastratit) , janë edhe një vlerë  e hershme  e zhvillimit e qytetrimit të kesaj treve , ku në një dokument të shek.III-IV (pas Krishtit) , Tabula Peutingeriana e shenon fshatin ku gjindej kastra (castra) me emrin SINNA, 11, emër që ndër shekuj i ndryshoi në “toponimin” Marshenj (Mali i shenjtë , apo Shën Marku), por kjo nuk ka shumë rendesi , pasi rendesi ka se këtu në Kastratin e sotëm gjinden themelet e rrenojat e Kalasë apo Qytezes së Marshenjit… 

REFERENCAT:

1. Edwin Jacques ,SHQIPTARET – historia e popullit shqiptar nga lashtesia deri ne ditet e sotme , fq.201. Tirane 1995. + Fan  S. Noli  ,Historia e Skenderbeut Mbretit të Shqiperisë  ,fq.70-71 ,80-89, Boston shtypshkronja  Dielli 1921.

2.Frang  Bardhi ,Gjergj  Kastrioti –Skenderbeu  ,fq.116-122 ,Tiranë 1999.

3.Pietro  Luccari, Annali di Ragusa, f.86, anno 1606.

4.Jacques De Lavardin, Georges  Castriot , surnomme  Scanderbeg , Roy d’Albania (Gjergj Kastrioti  me “mbiemrin” Skanderbeg , mbret i Shqiperisë  N.B.), fq.5, Paris 1576.

5.At Marin  Sirdani OFM , Skanderbegu mbas gojëdhanash ,fq.4-8 ,botime franceskane ,Shkoder 2008.

6.Franc  Nopça  ,Fiset e Malesisë  së Shqiperisë Veriore  dhe e Drejta Zakonore e tyre  ,fq.191 , (Qendra e Studimeve Albanologjike ,Instituti i Historisë ) Tiranë 2013.

7.Zhan Klod Faveirial  ,Historia (më e vjeter) e Shqiperisë ,fq.282 ,Plejad ,Tiranë 2004.

8.Hyacinthe  Hecquard , Historia dhe pershkrimi i Shqiperisë së Eperme ose  i Gegërisë ,fq.235-236 , Plejad ,Tiranë 2004.

9.Edith  Durham , Shqiperia e Eperme ,Një udhëtim në Shqiperinë e Veriut të vitit 1908 ,fq.52-53 (Botime IDK).

10.Raport sekret i sherbimit të zbulimit të admiraliatit të marinës ushtarakeangleze; Personazhet kryesore  të Shqiperisë , vendi , fiset populli gjatë luftës parë Botërore, fq.176 , perkthye nga orgjinali Piro Misha , Tiranë: IDK, 2016.

11.Iliret dhe Iliria te Autorët Antikë ,Akademia e Shkencave të Shqiperisë, Instituti i  Arkeologjisë , fq.309 . Pergatitur nga Selim islami (redaktor pergjegjes)  Frano Prendi ,Hasan Ceka ,Skender Anamali (Botimet Toena ,Tiranë 2002).

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2404
  • 2405
  • 2406
  • 2407
  • 2408
  • …
  • 2771
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT