
Dr. Eugent Kllapi/
Në kuptimin e angazhimit individual e djathta politike ngjizet nga urbanizimi në mesjetë. Pikërisht kjo me kapitalin dhe bankat, bankierët që dikur jepnin fajde në varësi të një përqindjeje të caktuar i dhanë shtysë formimit të një forme të re të kapitalit(po të referojmë këtu në shek. e 16 me urbanizimin italian dhe lindjen e huadhënieve në formë bankash). Sot në qendër të vëmendjes dhe të rrethrrotullimit të ekonomisë janë jo rastësisht në fizionominë kapitaliste bankat që sistemojnë dhe stabilizojnë sistemin. Më pas disa sipërmarrës të zotë me zhvillimin e revolucioneve të ndryshme e sidomos me revolucionin industrial krijuan atë që quhet sot ose dikur borgjezi dhe kapitalistë të parë me anë të tregut.Prona e fesë, krisja e statusit të aristokracisë dhe koncepte si liria e njeriut ishin dukur që me ‘’Carta Magnum’’ mbi pavarësinë dhe lirinë e aristokratëve apo me Iluminizmin Francez për të drejtat dhe liritë e individit. Pavarësisht se liria është koncept akoma abstrakt, e zhvilluar që nga antikiteti si koncept kolektiv nga agresori sesa ajo individuale, individi me të drejtë e atëhershme trashëgonte dhe zhvillonte prona në ligjësi me kapitalizmin si mendësi.Pra në kuptimin konkret, djali i bankierit apo kapitalistit, i politikanit apo i borgjezit, i gjykatësit apo biznesmenit i kishte disa ‘’teprica’’ ku e kishte kaluar mbiekzistencën, ushqimin, shtëpinë, të ardhurat minimale bazë për të rrethrrotulluar jetën e tij në formë normale dhe pa shumë sforcime dhe kjo formoi të djathën si mendësi. Dalëngadalë ky i ri do të orientohej për nga arsimimi që dalëngadalë me bumin e shkencave po masivizohej, kjo jo në kuptimin e sotëm ku shkolla është bërë karton për trampolino jete, karriere apo fame e suksesi por në kuptimin e një gjenerimi të madh të dijeve shkencore që prodhon dëshirën për specialitete dhe profilizime të arsimit që kaloi nga feja tek shkenca.
Ky zhvillim kapitali, në kuptimin esencial të një demokracie sovraniste, nacionaliste, atdhetariste sa me kah më vonë për nga konkurrenca e lirë i jep hov edhe individit që dalëngadalë përfshihet si i thjeshtë dhe pa prona në marrje dhe dhënie ekonomie, në pjesë të ekonomibërjes sa politikbërjes. Koncepti individual i zhvillimit të kapitalit është i ndërthurur me zhvillimin e shoqërisë, janë komplementare sa zhvillojnë një demokraci të tërë ku njeriu ndjen hov të paparë për të ndryshuar.Stadi i parë i individualizmit pas 1990 në Shqipëri, pas komunizmit që e kishte të ndaluar kuptimin e kapitalit dhe kapitalizmit, individi shqiptar sa ai me status elitar në mendim u shfaq përsëri djali i politikanit, ofiqarit të dikurshëm, djali i profesorit, djali i drejtorit etj, që iu dha mundësia më shumë se të tjerëve dhe donte të zhvillonte kapitalizmin sipas mendësive të djathta ose të imitimit të djemve të dikurshëm bankierë apo bisnesmenë, borgjezë apo kapitalistë. Këtyre iu dha mundësia shumë më tepër sesa individëve të thjeshtë.Ky djalë i krijuar me mendësi dhe kulturë komuniste nuk mundej dot të linte djemtë e bankierëve të dikurshëm dhe të kapitalistëve që quheshin dikur kulakë që të rifitonin atë pasuri që iu ishte marrë, atë status apo të zhvillohej në një konkurrencë të hapur në të gjitha llojet e vlerave. Atyre u ishte marrë prona, pasuria, statusi, nderi, dinjiteti me dhunë dhe kjo nuk mund dot të futej në konkurrencë sipas tyre me këtë situatë. Ata kishin edhe faj, edhe ndot, edhe frikë nga ky brez elitar i dikurshëm.
Në një mijë e një mënyra do të krijohej bashkësia e djemve të djathtë të rinj ku do të vidhej prona e tjetrit përsëri me anë ligjore e mbivendosje, do të fitohej nga e përgjithshmja, nga veprat publike, nga e mira publike dhe e përbashkët, nga aktiviteti publik, e mira e përbashkët e turmës apo e tufës, masës kolektive, në uzina, fabrika, pasuri kombëtare, lokale etj, si dikur u hiqej e drejta kulakëve për pasurinë e tokës dhe e të ardhurave.Në këtë kuptim shoqërorja kuptohej tashmë si populizëm, komunizëm, stalinizëm kurse e sotmja duhej të orientohej nga e djathta si liberale, përparimtare.Stadi i dytë përkonte me korrupsionin dhe vjedhjen e së mirës publike institucionale. Një kryeministër a ministër, drejtor apo nënpunës mund të vidhte tashmë më lehtë me një firmë miliona lekë sesa me vepra e beton nga monizmi. Ishte mënyrë më oportune dhe më e shpejtë.Nga ana e biznesit në këtë sistem vlerash hov morën matrapazët që zhvilluan hilen. Në të dyja format e djathta e re u krijua në këtë shtrat me anë të hiles dhe të gënjeshtrës që kishte si prapavijë dhunën dhe zhvatjen.Këto lloj formash, jo vetëm ngritën shtresën e lartë, qasjen për nga monopoli(cdo lloj monopoli, jo vetëm ekonomik por edhe profesional, kulturor, politik etj) apo kuptimin oligarkik që quhet sot, por me anë të hiles duan të përfaqësojnë edhe sot synimet e të djathtës së lirë në politikë, të ekonomisë së lirë të tregut, të zhvillimit të kapitalizmit bashkëkohor.Një vjedh si model më i lartë i njeriut të suskesshëm, të gjithë do të vjedhin për të qenë në modë dhe në sistem, nënpunës apo profesor, punëtor apo sipërmarrës.Tashmë e djathta nuk është më si në kuptimin e atij djalit të bankierit që s’ka ç’të bëjë dhe bën një shkollë për të trashëguar e zhvilluar kapitalin me vizionet largpamëse të tij falë ndihmesës së babait dhe kulturës. Tashmë djali i llojit të ri ngrihet falë hiles, vjedhjes dhe mashtrimit në parazitizëm, banalitet e mediokritet, postmodernitet pa bërë gjë thelbësore në jetën e vet, pa bërë ndryshim në qenie. Dikur në mesjetë po mos të vidhje nuk merrje nuse, ky ishte modeli, sot e njëjta gjë, vjedhja vë në qendër të suksesit këtë të ri që merr hov edhe nga vjedhjet harbute të kapitalistëve të dikurshëm, nga komunistët si pjesë e ideologjisë mbi të përbashkëtën dhe luftën e klasave duke vjedhur ctë mundnin nga të pasurit. Djali i ri ngrihet falë hiles, mashtrimit e vjedhjes, banalitet e vulgaritet si shenjë suksesi dhe modeli shoqëror.Nga ai djali i llastuar i sekretarit të parë të partisë e të rrethit, që megjithëse i thjeshtë në gjirin e popullit kishte nëntë dhe fshehurazi shumë të mira e privilegje që vinin si status nga babai apo familja, fisi, tashmë ai shikohet si djalë i ri i djathtë, të modelit të hajdutit. Dhe kjo shihej e shihet si zhvillim sa brezat u lënë vendin njeri-tjetrit, fëmijët bëhen baballarë e orientojnë fëmijët e rinj.Problem tjetër me të djathtën është se hajduti në psikologjinë e veprimit është koprrac. Ai investon për të mirën dhe pushtetin e tij personal në kapitalin e vet, por nuk do t’ia dijë për shoqërinë që me mendësi komuniste mendon se duhet të jetë turmë, tufë, masë. Rrjedhoja e kësaj llogjike shikohet edhe te oligopoli ekonomik i biznesmenëve të shkëputur nga politika që mund të kenë 1 milion e një fije të lidhur me politikën, pasoja përcakton shkakun. Tashmë shoqëria konsiderohet si instrument, skllavëri, punëtorë me mëditje ku nuk duhet të ketë pragun e kalimit ekzistencial pasi përbën rrezik për statusi ne vet, nuk duhet të kenë as sigurime, as sindikata, as gjykata, as polici, as shtet, as mënyrë orientimi sepse cënohet sistemi si dikur sistemi në komunizëm me baballarët. Atë kulturë kanë trashëguar.Ai ndihet komod si maskara, si hajdut për ta zhvilluar këtë kapital në këto kushte por nuk di si të zhvillojë shoqërinë që e do të sunduar, madje nuk di si ta orientojë vlerën e vet ekonomike për të ecur para pasi e përqendron vetëm tek vetja si burim. Përjashtohet tjetri, grupi, shoqëria nga këto burime që i mbledh falë egocentrizmit të vet.Në këtë kurth është dhe politika. Ajo do të jetë liberale, neoliberale deri në socialdemokraci, demokraci sociale apo me tipare konservatore në qëndrime por e gjitha kjo mbështetet në kuptimin primar në zhvatje dhe vjedhje. Nuk është ‘Robinhudizëm’ për shoqërinë, pirateri, kacakëri ndaj sulltanit dhe sistemit por makutëri për vetveten.Nuk mund dot të rrethrrotullojnë sistemin as si para 200 vjetëve në Amerikë sepse kanë vrarë pronën, prodhimin, fshatin, shtresën sociale, industrinë e lehtë, natyrën, dhe mendojnë vetëm në mënyrë të njëjtë pa ide dhe ligjësi, në hajdutëri, ndryshe nga djali i dikurshëm i bankierit që lindi filzofinë e lirisë në treg konkurrent për një shoqëri më të zhvilluar.Sistemi nuk xhiron sepse individi nuk ka asgjë por si ai djalë borgjezi që vjen nga djalë komunisti, pra nga zhvatja nuk krijon dot tepricën për shoqërinë, nuk krijohet konsumi, lëvizja e parasë, prodhimi, shpikjet, teknologjia e kohës, riformimet apo revolucionet teknologjike e shkencore, mirëqenia, sistemi, rendi kapitalist pra ka rënë gjithçka falë aftësisë për të qënë koprac dhe hajdut. Kjo nga frika e konkurrencës, lirisë së individëve që përbëjnë rrezik, mendjengshushtësisë dhe centrizmit elitar të një mendësie molonite.Ata janë bërë ‘’boumerang’’ i vetvetes.Nga gënjeshta nuk mund të ecin si të vërtetë përveçse me evolimin e kohës, djemtë me hile të bankave të krijuar siç do modeli i ri i hiçit dhe i vjedhjes, nuk mund të ecin me shkollimin dhe specializimin që prish rendin dhe sistemin akual. Shkolla duhet për triumf po jo për të ndryshur këtë establishment të ri, duhet kënetë jo lumë. Në këtë formë hilja dhe vjedhja trashëgohet në ‘’arketip’’ tek brezi i ri dhe tek fryma shoqërore, tek modeli, preferohet më shumë ky model sesa ndryshimi si rrugë më e shpejtë falë dhe makutërisë që do me çdo kusht dhe në ankth ta vrasë konkurrencën e shpejtë të të shumtëve.Makutët janë të paduruar psikologjikisht sepse kanë obsesion. Ky kalim në psikozë shkon deri në kuptimin e së përgjithshmes.Asnjë parti më pas nuk mendon për zhvillimin shoqëror sepse janë të babëzitur për të qenë si modeli, ashtu si makutët dhe makutët në shoqëri duan modelin e njëkohësisht janë të babëzitur.Thjesht nga mungesa e vetvetes.