• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vazhdon rënia e numrit të shqiptarëve në Mal të Zi

February 11, 2022 by s p

Nail Draga/


Të dhënat e publikuara nga CEDEM-i nga mesi i muajit dhjetor në vitin e kaluar gjatë hulumtimit të opinionit në mes tjerash kanë paraqitur të dhëna në lidhje me strukturën kombëtare të popullsisë në Mal të Zi, ku për shqiptarët kanë prezantuar shifrën prej 4.6% në kuadër të popullsisë së përgjithshme, nga del se është më e ulët për 0.3% se nga regjistrimi i popullsisë i mbajtur në vitin 2011, çështje e cila mbetet e diskutueshme deri në regjistrimin e rregullt të popullsisë që duhet të mbahet gjatë këtij viti, nëse në ndërkohë nuk vendoset ndryshe.
Ka kohë që CEDEM merret me hulumtimin e opinionit publik në Mal të Zi duke prezantuar të dhëna me interes për opinionin, ku përveç analizës së spektrit politik, ofruan të dhëna në lidhje me strukturën kombëtare të popullsisë. Duke marrë parasysh se regjistrimi i fundit në Mal të Zi është mbajtur në vitin 2011, ndërsa regjistrimi i rregullt që është dashur të mbahet vitin e kaluar, të dhënat për strukturën kombëtare të popullsisë në këtë mjedis janë me interes edhe për ne shqiptarët, ku sipas hulumtimit të tyre shqiptarë momentalisht paraqitën me 4.6% të popullsisë së përgjithshme në Mal të Zi.
Anketimi si test i momentitBëhët me dije se këto rezultate janë të ngjajshme me ato të anketimit të muajit qershor, dhe diferenca e vogël është në kuadër të mundësisë së gabimit statistikor prej 3.1%. Në anketimin e qershorit si shqiptarë deklaroheshin 4.1% e të anketuarve, dhe rritja në 4.6% nuk do të thotë rritje të numrit të tyre. Megjithatë, të dy këto anketime tregojnë përqindje më të ulët të shqiptarëve se në regjistrimin e vitit 2011, kur si të tillë, deklaroheshin 4.9% e popullsisë së Malit të Zi.Se shqiptarët kanë rënie të numrit të tyre askush nuk e vën në dyshim, sepse krahas rrethanave të pavolitshme shoqërore, në tre vitët e fundit kemi pasur goditje nga pandemia Corona-19, që as shqiptarët nuk janë përjashtim. Por, sa është vërtetë numri i shqiptarëve dhe sa mund të trajtohen si reale të dhënat nga ana e CEDEM-it, mbetet çështje për diskutim.Në pritje të regjistrimit të rregullt të popullsisëPa mohuar angazhimin e hulumtimit të opinionit nga ana e CEDEM-it, të dhënat e publikuara janë të rastit por nuk mund të injorohen sepse kemi të bejmë me një subjekt serioz në Mal të Zi, që ka një përvojë në këtë fushë të hulumtimeve. Madje deri në regjistrimin e rregullt të popullsisë që sipas gjasave do të mbahet gjatë këtij viti, nëse në ndërkohë nuk vendoset ndryshe, ky subjekt mund të organizojë ndonjë hulumtim tjetër, duke na ofruar të dhëna tjera. Por, nuk ka dilemë se valide do të jenë të dhënat nga regjistrimi zyrtar i popullsisë, pavarësisht se sa do të jetë përqindja e pjesëmarrjës së shqiptarëve në popullsisnë e përgjithshme në Mal të Zi. Por, zhgënjyes është e dhëna që ka të bëjë me ndryshimin e shqiptarëve në aspektin e përkatësisë kombëtare si dhe te gjuhës amtare. Një dukuri e tillë nuk është e panjohur sepse ka ndodhur ehe me herët ku numri i shqiptarëve së gjuhën shqipe e kanë gjuhë amtare është me i lartë se sa i përket përkatësisë kombëtare. Andaj, një e dhënë e tillë pa dilemë do të jetë identike edhe në këtë registrim të popullsisë, madje do të ishte senzacion të ndodhë e kundërta. Është çështje tjetër pse ka qenë e pranishme një dukuri e tillë, si veprim subjektiv i të regjistruesëve apo të qendrimit indiferent të te intervistuesëve në ditët e regjistrimit të popullsisë.Diaspora e përjashtuar nga regjsitrimi(!?)Ashtu si në regjistrimin e kaluar të popullsisë, edhe kësaj radhe janë gjasat që diaspora do të mbesë jashtë këtij procesi me rëndësi të veçantë shoqërore. Nuk ka dilemë se në sajë të dhënave që disponojmë shqiptarët janë populli i cili ma se shumti ka emigruar duke dëshmuar për pozitën sociale e shoqërore të tyre të pavolitshme në Mal të Zi. Ndërsa pas shqiptarëve të dytët janë pjesëtarët e popullit boshnjak, e më pas janë malazezet e serbët. Mos gadishmëria e Qeverisë, që të evidentohet në regjistrimin e popullsisë edhe diaspora, dëshmon qartë politikën denigruese të pushtetit ndaj qytetarëve të cilët kanë lindur dhe kanë kontribuar në aspektin shoqëror dhe ekonomik në vendlindjen e tyre. Përjashtimi nga regjistrimi i popullsisë i paraprinë fshirjës nga evidentimi I vendbanimit të lindjës dhe nga regjistri zgjedhor, për të marrë pjesë në zgjedhje, qofshin ata lokale apo parlamentare. Diaspora nuk e meriton një qasje të tillë, sepse kujtojmë me këtë rast se votat e tyre ishin vendimtare në referendumin për pavarësi të Mali të Zi, të mbajtur me 21 maj 2006.Regjistrimi i popullsisë jo vetëm çështje statistikorePamarrë parasysh se kur do të mbahet regjistrmi I popullsisë gjatë këtij viti, partitë politike të shqiptarëve që janë parlamentare duhet të angazhohen që përmes amandamentëve të ndikojnë në Ligjin për regjistrimin e popullsisë, ekonomive shtëpiake dhe banesave, i cili duhet të miratohet nga parlamenti gjatë muajve në vijim të evidentohet edhe diaspora në këtë rast në mënyrë të veçantë ajo shqiptare. Një veprim i tillë duhet të jetë obligim politik, moral dhe kombëtar, sepse ajo është pjesë e pandarë e identitetit tonë kombëtar, sepse regjistrimi i popullsisë nuk është vetëm çështje statistikore. Po ashtu në komisionin në përgatitjen e regjistrimit të popullsisë shqiptarët duhet të jenë pjesë e tij me individë profesionist që njohin çështjet demografike, jo vetëm në procesin e regjistrimit por edhe në ate të përpunimit dhe të publikimit te tyre te cilat janë zyrtare për këtë proces të rëndësishëm shoqëror dhe jo vetëm statistikor në këtë mjedis.

Filed Under: Rajon

KONTRIBUTI I DR. MEHMET AHMETAJT PËR DIALEKTOLOGJINË SHQIPTARE

February 11, 2022 by s p

Dr. Faton Krasniqi

Instituti Albanologjik – Prishtinë                                                         

Përmbajtje e shkurtër: Profesor Mehmet Ahmetaj  shquhet kryesisht për studimet e dialektologjisë shqiptare  dhe gjithashtu ka një bibliografi të pasur me disa monografi, shkrime, përmbledhje, kumtesa, punime shkencore. Gjuha e veprave të tij shquhet për qartësinë, profesionalizmin dhe informacionin e saktë shkencor. Ai ia kushtoi një jetë të tërë gjuhësisë shqiptare dhe me një elan të pashoq arriti që të grumbulloj shumë fjalë  e shprehje të rralla kryesisht nga të folmet shqiptare në Mal të Zi. Veprat  e tij janë një thesar i çmuar i kulturës dhe i gjuhësisë shqiptare. Teksti shkencor dallon nga tekstet tjera dhe lirisht mund të themi se tekstet e autorit janë tekste tipike shkencore  të gjuhësisë sonë moderne. Begatia  e tij janë prurjet dhe studimet në fushë të dialektologjisë si një nga fushat më të rëndësishme të gjuhësisë. Idetë dhe studimet e tij janë vlera jo vetëm të albanologjisë, por të mbarë kulturës shqiptare, sepse ato pasqyrojnë më së mirë metodologjinë e një linguisti të përkushtuar, profesional dhe të përgatitur për të arritur rezultate në fushën e tij studimore. 

Hyrje

   Prof. dr. Mehmet Ahmetaj lindi në Vuthaj të Plavës dhe të Gucisë më 1946. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Pejë. Fakultetin Filozofik, Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, e mbaroi në Prishtinë më 1974. Gjithashtu në Universitetin e Prishtinës u magjistrua më 1986 dhe u doktorua më 2000 në shkencat filologjike (në fushën e dialektologjisë shqiptare). Ka punuar këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës.  Ai që në krye të herës punoi në arsimin e mesëm si profesor i gjuhës shqipe, në Podujevë, në Prizren dhe Lipjan si dhe referent profesional në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Deri më sot ka botuar këto vepra: Studime gjuhësore II (Dialektologji) bashkautor (1999).  Fjalor i të folmeve shqiptare në Mal të Zi (1996). E folmja e Plavës dhe e Gucisë (2002). E folmja e Anës së Malit (2006). Gjurmime onomastike (2009). Fjalor onomastik i territoreve shqiptare në Mal të Zi (2017). Gjithashtu profesor Mehmet Ahmetaj ka botuar edhe një varg punimesh shkencore, kumtesa, recensione kronikash që i ka botuar në revista shkencore dhe në periodikun shkencor dhe në shtypin ditor. Nga ana tjetër, ka marrë pjesë në shumë tubime, konferenca, sesione simpoziume shkencore, në Prishtinë, në Tiranë në Shkup dhe në Ulqin. Disa nga punimet shkencore të prof. Dr. Mehmet Ahmetajt të publikuara në revista dhe simpoziume shkencore, si: Simpoziumi shkencor i mbajtur në Prishtinë, më 15-16 dhe 17 dhjetor 1980. Probleme aktuale të kulturës së gjuhë shqipe,  Instituti Albanologjik i Prishtinës. Revista “Jehona”, Shkup, 1988, Revistë për art, letërsi, shkencë dhe kulturë, Gjuha jonë, studime historike, lemba, koha. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Konferenca Shkencore “Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot”, Tiranë, 20-21 nëntor 2002.  Instituti Albanologjik i Prishtinës, Simpoziumi Shkencor “50 Vjet Studime Albanologjike”, mbajtur më 18-19 dhjetor 2003.    Revista “Dija”, Ulqin, 7/2009, revistë për shkencë, kulturë, art. 

      Vepra e parë e profesor Mehmet Ahmetajt: Fjalor i të folmeve shqiptare në Mal të Zi, mbërthen në vete një gamë të gjerë të materialit lëndor e shpirtëror, të vjelë skaj më skaj të krahinave shqiptare gjithandej. Duke pasur si pikëqendresë kryekëput arealin traullsor etnik të ligjërimeve shqiptare të Ulqinit, të Anës së Malit, të Shtojit, të Bregut të Bunës, të Tivarit të Shestanit, të Krajës, të Tuzit, të Hotit (Traboinit të Moçëm), të Grudës, të Trijepshit, të Kojës. Të Plavës e Gucisë dhe të Rozhajës. Në këtë vepër të rëndësishme profesor Mehmet Ahmetaj është marrë me një numër të theksuar të grupeve të fjalëve, si me: frazeologjizamsh, togfjalëshash frazeologjikë, sinonimesh, antonimesh, onomatopesh, metaforash, antrotoponimesh, patronimesh, toponimesh, eufemizmash, paganizmash dhe një radhë fjalësh e shprehjesh nga leksiku i pasivizuar, deri tash fare pakëz i hetuar dhe i studiuar nga gjuhëtarët tanë. Në këtë Fjalor dialektor, kanë gjetur vend të thekshëm, edhe një grup i të tërë njësish leksikore, toponimike, togfjalëshash e shprehjesh të bukura popullore, nga fusha e mitologjisë shqiptare, që veçohen në këtë drejtim, nga krahinat shqiptare, si gurrë e pashtershme riprodhimesh gjuhësore të pasura dhe autoktone, si p.sh.: ora  e ligë, ora  e keqe, ora e mirë, ora e zezë, ora e bardhë, ora a malit e shumë e shumë të tjera. Hartimi i këtij Fjalori dialektor ka ardhur si rezultat i një pune të palodhshme kërkimore, shkencore dhe hulumtuese për disa vite me radhë. Sipas profesor Mehmet Ahmetajt ky Fjalor ka rreth 6000 njësi të mirëfillta leksikore, frazeologjike, toponimike, antroponimike, etnografike, etj., e që është një pasqyrim i mirëfilltë i të folmeve shqiptare në Mal të Zi. Më të drejt profesor Mehmet Halimi në pasthënie të këtij Fjalori thekson se: “Puna në hartimin e fjalorit nuk është as e lehtë, as e thjeshtë. Fjalori kërkon vullnet, mund e punë të madhe dhe kohë të vazhdueshme. I vetëdijshëm për këtë, punonjësi shkencore profesor Mehmet Ahmetaj, duke udhëtuar fshat më fshat, lagje më lagje e shtëpi më shtëpi në dyzet vendbanime shqiptare, voli nokël më nokël fjalë e shprehje të rralla nga shqipfolësit  e këtij krahu, fjalë e shprehje këto, që përfaqësojnë margaritarë të leksikut të shqipes. Ai punoi më se dhjetë vjet pa u lodhur, por leksikografisë e dialektologjisë shqiptare i ofroi një vepër të rrallë e me vlera të shumëfishta shkencore”. 

Në këtë fjalor gjejmë shumë fjalë  e shprehje të rralla që ndoshta nuk mund t`i gjejmë në të folmet tjera, si:





Áme, f. zool. (Ul). Peshk i madh deti, formën e ka shputake, ngjyrën si të përgjakur. 

Ánepán, ndajf. (Pl. – Gu.). Tejpërtej, anembanë.

Atâne, përem. (Lj). Për ata. 

Bakarrot, ndajf. (Am.). Mundje e kundërshtarit me një lojë me një epërsi të lartë, bindshëm.

Ballhút/ë, (Pl.- Gu). Pushkë e moçme, e cila dikur moti mbushej për grykë. 

Bishtáj, – m. (Am.). Që ka bisht të bardhë. 

Bzhís, fol. (Dl). Tiganis, fërgoj vezë. Bzhís vé. 

Caklan! (Pasth.) (Am.). Nuk jam në lojë. 

Calîn/ë,. Lloj pushke e moçme dhe  e gjatë.

Cáp/ë, A f. Kazmë, vegël bujqësore për rrëmihje të thellë. 

Crjepúj/ë, (Pl. – Gu.). Në mënyrë pezhorative, për një vajzë a grua servile, sahanlëpirëse. 

Çargzîn/ë, (She.). Lloj pushke e vjetër.

Çfillim, Fishkëllimë. (Plavë – Guci). 

Çilmyll, m. (AM.). Errësirë e plotë, terr i madh, ku nuk shihet asgjë.

Çysa, përem. (Ft.). Për disa çysa. Çysa kur e prekën me duor po z’di gjâ aj. 

Derdimen,  Trimëri, familje, trimash.

Dhéç/e, (Pl. – Gu.). Një lloje pushke e vjetër me dhjetë fishekë.

Egërshtíjet, (v.sh.). Përgjithësisht kafshët e egra. Emër kolektiv për egërsirat.

Fȇnafú, ndaj. (Vth.). Fëmijë që është frikacak i madh. 

Gucás, fol. (Pl. – Gu.). Nguc dikë.

Gjidilér/e, Vajzë e dalluar si valltare lozonjare. 

Halí,  (Am.). Tokë e askujt.

Inajet, mb. (Am.). që mban inat, që zemërohet shpejt, që humb durimin. 

Jel/i, m. mjek. (Am.). Sëmundje që zakonisht paraqitet te më të moshuarit me dhimbje të ashtit. 

Kalival, ndajf. (Ul.). Rrotull. 

Láp, mb. (Pl. – Gu.) Njeri vetjak dhe i zhdërvjellët. 

Llúçkë/, (Pl.- Gu.). Grua a vjazë shumë e trashë.

Mríje, ndajf. (Pl. – Gu.)Mënyrë shikimi përvjedhtas, për nën sy, apo me bisht të syrit.

Najnik, (M.M.). Erë e lehtë nga juglindja.

Njâra, përem. Për njëra.

Oraník/u, – (Pl. – Gu.). Burrë me orë, i vendit e i kuvendit. 

Palúk, (Am.). Palë e sanës. 

Qyqúj/ë, (Pl. – Gu.). Grua a vajzë e ngathme e lënë. 

Rub/i, (Pl. – Gu.). Plaçkë e vjetër nga pëlhura. 

Rroshi/i, m. (Pl. – Gu.). Gur në madhësi të grushtit. 

Stoxher/i, m. (Nm.).  Për mullar sane.

Shamát/ë. (Mi.).  Zhurmë, përleshje e madhe. 

Telef, ndajf. (Pl. – Gu.). Asht e lëkurë. 

Thngill/i, (Lj.). Thëngjill. 

Udokt, (i,e). I shëmtuar. 

Vakth/i, (Stj.). Koha. Vakthi i Turkís. 

Xunkth/i,  m. (Ul.). Bot..  Një lloj druri. 

Xhák/u, m. (Pl. – Gu.). Një lloj thesi i madh. 

Yst, ndajf. (Am.).  Mënyrë e lëvrimit me kafshë apo me traktor.

Zabún, ndajf. Shpirtërisht i mërzitur, i pikëlluar. 

Zhargit, fol. Djegur, përcëlluar.

       Profesor Mehmet Ahmetaj në vitin 2002 e botoi në Prishtinë monografinë e tij: “E folmja e Plavës dhe Gucisë“.  Sipas autori për të folmen e kësaj tërthore shqiptare, nuk është bërë asnjë studim deri më sot. Kjo e folme për herë të parë u bë objekt shqyrtimi e studimi monografik, ku është bërë përshkrimi sinkronik i saj, e rrallëherë diakronik, duke e parë si strukturë unike në fushën fonetike, morfologjike, sintaktike, leksikore, e aty – këtu edhe topononimike, antrotoponimike dhe patronimike. Ky studim serioz e shumë profesional i dialektologut Mehmet Ahmetaj ka vë në spikamë në mënyrë të thelluar gjendjen e së folmes së Plavës e Gucisë, përkatësisht tërë strukturën e brendshme të saj. Materialin për këtë monografi autori e ka mbledhur kryesisht nga  pleqtë dhe plakat e Plavë Gucisë. Nga studimi dhe shqyrtimi i kësaj monografie mund të theksojmë se në këtë të folme janë ruajtur një varg veçorish specifike, fenomenesh të ndryshme gjuhësore që dalin në të, si ruajtja sot e kësaj dite e një mori trajtash arkaike të periudhës hershme të shqipes, të cilat janë në interes të dialektologjisë, fonetikës, fonologjisë dhe të leksikologjisë shqiptare. Kjo monografi përbëhet prej katër krerësh: Kreu I, Veçoritë fonetike; II, Veçoritë morfologjike; III, Sintaksa, IV, Leksiku. Kjo monografi përpos që përmban shumë të dhëna të rëndësishme për gjuhësinë shqiptare jepen edhe disa të dhëna me interes edhe për demografinë e Plavës dhe Gucisë, pra kemi të bëjmë me të dhëna të sakta të numrit të përgjithshëm të banorëve të asaj ane të cilat autori i paraqet statistikisht dhe gjithnjë sipas kërkimeve të mirëfillta shkencore duke e paraqitur demografinë e territorit të Plavës, si pjesë e Sanxhakut të Shkodrës. 

      Në vitin 2006 profesor Mehmet Ahmetaj e botoi në Prishtinë monografinë e tij të tretë: “E folmja e Anës së Malit“. Kjo e folme në aspektin dialektor, gjeografik, historik, shkon me grupin e madh të të folmeve truallsore veriperëndimore të shqipes. Me këtë monografi gjuhësia shqiptare e në veçanti dialektologjia është pasuruar me një thesar të çmuar, ku paraqiten vlerat fonetike, morfologjike, sintaksore, leksikore, fjalëformuese, frazeologjike,  toponimike të kësaj të folme të rëndësishme shqiptare. Më këto monografi është bërë studimi, sistemimi, mbledhja e leksikut, mbledhja e materialeve dialektore, fonetike e frazeologjike të asaj ane duke e përmbyllur me sukses studimin e nisur që në rininë e tij. Duke e pasur parasysh terrenin e vështirë të asaj ane mbledhja e materialeve nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse një gjë e tillë kërkon dije, mund, angazhim, përkushtim, vullnet, sakrificë dhe dashuri për profesionin e shenjtë, por profesor Mehmet Ahmetaj këtë punë me karakter shkencor, kulturor e kombëtar  e ka filluar dhe mbaruar me shumë përkushtim dhe me rezultate të kënaqshme shkencore.  Një punë e mirë për këtë monografi është se janë skicuar në harta të gjitha fshatrat dhe qytetet ku janë bërë studimet dialektologjike dhe kjo është një dëshmi tepër me rëndësi për dialektologjinë shqiptare, sepse gjithçka është evidentuar, skicuar, vlerësuar e studiuar në hollësi. Kjo punë dhe ky dokumentim shkencor do të jetë përgjithmonë i arkivuar në bibliotekat  e institucioneve tona shkencore si një dëshmi e një pune me karakter shkencor e  që është realizuar në një nga territoret shqiptare në Mal të Zi. Për këtë monografi do të veçoja edhe materialet, tekstet dialektore që profesor Mehmet Ahmetaj i ka mbledhur në atë anë. Gjithnjë sipas autorit për subjekt vështrimi i ka marrë pleqtë dhe plakat, e sidomos femrat e lindura dhe të martuara përbrenda trevës, përkatësisht bajrakut të Anës së Malit, sepse, sipas tij, ato ishin më konservative se burrat, meqë nuk kanë lëvizur jashtë krahinës së atjeshme dhe e kanë ruajtur me besnikëri gjendjen e moçme të gjuhës së gjallë e të folur, me të gjitha tiparet, specifikat e veçantitë të saj të gurrave dialektore autoktone. Me studime të tilla lexuesit dhe studiuesit e gjuhësisë  njohin zhvillimin e të folmeve tona në periudha të ndryshme kohore, ku mund të vërehen dallimet, afritë që kanë dialektet e nëndialektet e gjuhës shqipe. 

 Autori gjatë punës kërkimore ka mbledhur një numër të madh njësish frazeologjike, por unë do t’i veçoja disa prej tyre, si: 

As në punë, as në Bunë – askund.

E ka vjerr punën n’tra – thuhet për dikë që nuk punon.

Ka shku: me ba veksha kaher –  ka vdekur prej shumë kohësh.

Mas i ba via qullit – i thuhet zakonisht një njeriu që është buzëhollë, që zgjedh ushqimin.

Me trina në mal – thuhet për një njeri që hyn në rrugë pa krye.

Mih n’det e hith n’Bunë – thuhet për dikë që bën punë në tokë.

Na e lshoj nji terthorce – i iki kuvendimit të drejtëpërdrejtë. 

Punë për njiqin toskë – shumë punë. 

Ta nep venë pa skuq – është i zgjuar, ta kthen përgjigjen me saktësi të shpejt.

         Në vitin 2009 profesor Mehmet Ahmetaj e botoi në Prishtinë veprën: “Gjurmime onomastike”. Kjo vepër përmban një seri përmbledhjes onomastike, si: Emrat shqip në traditën kombëtare; Vështrime gjuhësore rreth onomastikës së Anamalit; Mbi procesin e sllavizimit të shqiptarëve në Malin e Zi të sotëm në dritën e të dhënave historike dhe gjuhësore; Kontributi i Çabejt në formimin e toponimeve me prapashtesa diminutive – th dhe – zh; Rreth disa antroponimeve dhe patronimeve të krahinës së Plavës dhe Gucisë; Patronimia shqiptare në Mal të Zi në fund të shekullit XX; Mbi disa çështje të onomastikës shqiptare në Mal të Zi; Gjurmët e toponimeve, antrotoponimeve dhe patronimeve në këngët e mërgimit; Mbi përcaktimin e drejtë etnoterminologjik të krahinës së Malësisë së Madhe; Si u bë emri syni-savino oko?!; Topiku Shullã: ni i parë në ditën e studimeve dialektologjike; Nga onomastika e Plavës, e Gucisë dhe Rozhajës; Vështrime gjuhësore rreth disa toponimeve të Plavës dhe Gucisë; Alija Džogovič, “Onomastika severoistočnih organaka prokletija”, botoi Srpska akademija nauka i umetnosti, Beograd, 1986. Profesor Mehmet Ahmetaj ka qenë aktiv në studimin dhe trajtimin e temave me karakter shkencor, ato i ka shkruar për disa vite me radhë, duke i grumbulluar, arkivuar dhe më pas duke i botuar në revistat dhe shtypin periodik të kohës, si në: revistën “Gjurmime albanologjike“, në revistën “Gjuha shqipe” të Institutit Albanologjik, në gazetat ditore si në: “Koha“, “Bota sot“, “Rilindja“. Në këto trajtesa shkencore autori ka trajtuar një varg problemesh nga onomastika,  toponimia, antrotoponimia, ojkonimia, hidronimia etj., Toponimia e krahinës së Plavës dhe Gucisë gjithmonë kanë zgjuar kureshtjen dhe interesim të veçantë për gjuhësinë shqiptare, onomastikën shqiptare, për shkencat e albanologjisë dhe këtë detyrë studimore e shkencore arriti ta nisë dhe ta përfundojë me shumë suksese profesor Mehmet Ahmetaj. Në kuadër të toponimisë autori i trajton toponimet: togfjalësha emër +emër (si, p.sh: Gropa e Ujaknit, Gropa e Vocit, Gropa e Dolit etj.), togfjalësha emër + mbiemër (si, p.sh: Gropa e Sirme, Gropa e Poshtër) duke mos lënë pa i analizuar dhe trajtuar të gjitha toponimet e tilla në rajonin e Plavës dhe Gucisë. Vlen për t’u theksuar se profesor Mehmet Ahmetaj është një argumentues i zellshëm shkencor, i cili me shumë fakte dhe argumente i demanton të gjitha pretendimet e qëllimshme dhe tendencioze të autorit diletant boshnjak Alija Xhogoviq (Džogovič), i cili në veprën e tij: Alija  Xhogoviq (Džogovič), “Onomastika severoistočnih organaka prokletija”, (punimi studimor: “Onomastika e Alpeve Shqiptare”, ku ndër të tjera ai jep disa konstatime joshkencore dhe të paargumentuara shkencërisht. Dhe gjithnjë sipas profesor Mehmet Ahmetajt, autori Alija Xhogoviq  (Džogovič) materialin onomastikë e ka përkthyer dhe përshtatur në gjuhën serbe dhe  ai në një pjesë të pseudostudimit të tij shqiptarët në trojet e Sanxhakut i konsideronte si barinj endacakë, të ardhur në këto anë dhe gjithnjë duke e mohuar autoktoninë e tyre pa kurrfarë argumentesh. Por i pari i cili e heton këtë propagandë antishqiptare është profesor Mehmet Ahmetaj, i cili i kundërvihet me gjuhën e fakteve dhe argumenteve shkencore, gjuhësore e historike. Argumentimi i profesor Mehmet Ahmetaj është tepër shkencor, pasi ky mbështetet në një mori emrash vetjakë autoktonë, si: Suka (= Sykë), Gala (= Galë), Ujkan, Ukshin, Ulkija (= Ulkie), Mulka (= Mulkë), Alta (=Altë) etj, si dhe duke u mbështetur patronimet shqipe, si: Kurtbardhaj, Dacaj, Camaj, Kujaj, Gjekaj, Bibaj, Shala etj. Në shkrimet e profesor Mehmet Ahmetaj vërehet shpirti atdhetar i një shkencëtari shqiptar, i cili vuan dhe shqetësohet shpirtërisht për gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi, në shkrimet e tij ai i vë theks të veçantë edhe asimilimit të shqiptarëve dhe këtë problem e trajton në mënyrë shkencore në veprën e tij Gjurmime onomastike, Prishtinë, (2009), f. 57. Në punimin e titulluar: “Mbi procesin e sllavizimit të shqiptarëve në Malin e Zi të sotëm dhe në dritën e të dhënave historike dhe gjuhësore“, profesor Mehmet Ahmetaj  në këtë punim na jep të dhëna të rëndësishme për onomastikën e trojeve shqiptare në Mal të Zi, ku një pjesë e onomastikës së atij territori shqiptar iu nënshtrua ndërhyrjeve administrative dhe kalkimit, si: Malësia e Madhe (Brda), Alpet Shqiptare (Prokletije Planina), Arra (Orahovo), Palabardh (Bjellopavliq), dhe një pjesë tjetër u sllavizua në formën, si: Cem – Cijevna, Drekal – Drekalloviq, Bukëmirë – Bukmiroviq, Vogë – Vogliq, Lekaj – Lekiq. Në këtë vepër profesor Mehmet Ahmetaj e trajton edhe problemin e ndryshimit të mbiemrave tipik shqiptar nga malazezët duke iu prapavendosur prapashatesat sllave viq  e iq, si p.sh.: Dedushaj – Dedushoviq, Ulaj – Uleviq, Gjonbalaj – Gjonbaliq, Pepaj – Pepiq, Dacaj – Daciq, Palushaj – Palusheviq. Studimi i tij dhe shqetësimi i tij duhet të jetë shqetësim për të gjithë shqiptarët kudo ku janë, kurse shkrimet e  tij zbardhin një pjesë të dhunës, trysnisë dhe mohimit të etnitetit autokton shqiptar në Mal të Zi. 

Vepra e profesor Mehmet Ahmetajt: “Fjalor onomastik i territoreve shqiptare në Mal të Zi” është një nga fjalorët më të realizuar në fushë të onomastikës, ky fjalor është me interes të gjuhësisë shqiptare pasi përfshin një territor të gjerë të territoreve etnike shqiptare të Plavës, të Gucisë, të Rozhajës, të Trieshit, të Grudës, të Traboinit, të Kojës, të Fundnave, të Ledinës, të Loparit, të Luharit, të Tuzit, të Krajës e Malësive të saj, të Shestanit, të Anës së Malit, të Ulqinit dhe Tivarit me rrethinë. 

Fjalori onomastik është fryt i një pune vetëmohuese shumëvjeçare, të cilën autori e ka realizuar  me shumë mund dhe sakrificë profesionale. Materiali i vjelë për këtë fjalor onomastik të territoreve shqiptare në Mal të Zi është një vlerë e veçantë për albanologjinë dhe si i tillë përfshin të gjithë arealin gjeografik të gegërishtes veriperëndimore të territoreve shqiptare në Mal të Zi. Në kë fjalor kanë zënë vend një numër i konsiderueshëm makrotponimesh, mikrotopnimesh, ojkonimesh, hidronimesh, monumentesh natyrore, qytezash, rrënojash murishtash, ledhesh, kështjellash, tumash, emrash vetjakë, të traditës shqiptare, të lagjeve, barqesh, vëllazërish, fisesh, krahinash, si dhe patronimikash, emrash topikë të qenieve mitike, si dhe një varg gjurmësh dhe monumentesh të kultit të krishterë të ritit roman q ende ruhen atje në trajtë të shtangur të toponomastikës truallsore shqiptare. Nga gjithë kjo gamë e gjerë hulumtimesh, kërkimesh profesor Mehmet Ahmetajt  ka arritur t`i grumbullojë dhe t`i sjellë të gjitha rezultatet onomastike në këtë fjalor onomastik që është i veçantë si për nga rëndësia dhe vlera gjuhësore. Territoret shqiptare në Mal të Zi i përkasin arealit gjeografik të gegërishtes veriperëndimore dhe ky fjalor onomastik është një mundësi e mirë që  fjalësi i asaj ane, onomastika e saj të njihen dhe të studiohen nga disa këndvështrime, si: onomastike, dialektore, fonetike, fonologjike, leksikore, semantike, stilistike, fjalëformuese, etj. Duke e analizuar me kujdes fjalorin onomastik të territoreve shqiptare në Mal të Zi pashmangshëm vërehet brenga e profesor Mehmet Ahmetaj  për trysninë që është bërë dhe po bëhet në ato territore për të tjetërsuar etninë shqiptare, gjuhën, toponiminë dhe të kaluarën e lavdishme iliro – arbërore – shqiptare. 

Përfundim

      Veprimtaria shkencore e profesor Mehmet Ahmetajt është fryt i një punë shkencore dhe të begatë dhe gjithnjë duke iu përmbajtur metodologjisë së mirëfilltë shkencore e studimore në fushë të albanologjisë.  Krijimtaria e tij shkencore është e bazuar në shumë fakte, argumente, kërkime, e studime të mirëfillta. Veprat  e tij, punimet e tij i kanë përmbushur kriteret e studimeve me rëndësi për gjuhësinë shqiptare e në veçanti për dialektologjinë dhe onomastikën si një nga dy fushat më të rëndësishme të gjuhësisë. Veprat e tij kanë marrë vlerësime pozitive nga bota akademike dhe të gjitha monografitë e tij janë me vlera të veçanta për studimet albanologjike. Duhet theksuar se autori që në fillesat e tij studimore dhe kërkimore është marrë në mënyrë aktive më çështjet e dialektologjisë, onomastikës dhe toponomastikës shqiptare. Pra një jetë tërë ia kushtoi albanologjisë me shumë vullnet, punë, e përkushtim profesional. Veprat e profesor Mehmet Ahmetajt janë frymëzim për albanologët  e rinj, sepse vetë profesori u frymëza nga dashuria për gjuhën shqipe dhe nga tradita e studimeve linguistike shqiptare. E veçanta e Fjalorit të të folmeve shqiptare në Mal të Zi, është se të gjitha fjalët  janë vjelur në terren dhe të gjitha njësitë leksikore  i ka shpjeguar  në mënyrë të saktë dhe tepër shkencore, kjo  punë me të vërtetë do angazhim dhe përkushtim, sepse nuk janë pak  6000 njësi leksikore të përgatitura për botim, por këtë gjë profesor Ahmetaj e arriti duke bërë punë terreni e kërkime teorike të pandërprera me të vetmin qëllim që rezultatet  e arrira të jenë rezultate jo vetëm të tij, por të albanologjisë në veçanti.  Gjuha e  pastër shqipe në shkrimet e tij, pa fjalës oriental e sllav na bënë të kuptojmë për dashurinë, kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe që e kultivoi me shumë xhelozi. Malësori ynë, ashtu siç e quajmë ne, përmes shkrimeve të tij, veprave të tij na mësoi, na edukoi e na ndërgjegjësoi që ne ta duam e ta ruajmë me shumë përkushtim e dashuri gjuhën e shenjtë shqipe ashtu siç deshi vetë ai.

Literatura

Eqrem Çabej, Hyrje në historinë e gjuhës shqipe, Tiranë, 1960.

Idriz Ajeti, Historia e gjuhës shqipe, Prishtinë, 1969. 

Idriz Ajeti, Studime gjuhësore III, Prishtinë, 1985.

Jorgji Gjinari, Dialektet e gjuhës shqipe, Tiranë, 1989.

Mehmet Ahmetaj, E folmja shqipe e Plavës dhe e Gucisë, Le parler albanais de Plava et Gucia, f. 223-238,  Sudime Gjuhësore II (Dialektologji), IAP, Prishtinë, 1989. 

Mehmet Ahmetaj, Fjalor i të folmeve shqiptare në Mal të Zi, Prishtinë,  (1996). 

Mehmet Ahmetaj,  E folmja e Plavës dhe e Gucisë, Prishtinë (2002).

Mehmet Ahmetaj,  E folmja e Anës së Malit (2006).

Mehmet Ahmetaj,  Gjurmime onomastike, Prishtinë,  (2009).

Dr. Mehmet Ahmetaj, Fjalor onomastik i territoreve shqiptare në Mal të Zi, IAP, Prishtinë, 2017.

CONTRIBUTION OF DR. MEHMET AHMETAJ ON ALBANIAN DIALECTOLOGY

Summary

        Professor Mehmet Ahmetaj is mainly known for his studies of Albanian dialectology and also has a rich bibliography with several monographs, writings, summaries, papers, scientific papers. The language of his works is distinguished for its clarity, professionalism and accurate scientific information. He devoted a whole life to the Albanian language and with an unparalleled enthusiasm managed to collect many rare words and expressions mainly from the Albanian dialects in Montenegro. His works are a precious treasure of Albanian culture and linguistics. The scientific text differs from other texts and we can freely say that the author’s texts are typical scientific texts of our modern linguistics. Its prosperity is the contributions and studies in the field of dialectology as one of the most important fields of linguistics. His ideas and studies are values ​​not only of albanology, but of the entire Albanian culture, because they best reflect the methodology of a dedicated, professional linguist and prepared to achieve results in his field of study

Filed Under: LETERSI

Rusia: ringjallja e kundërshtarit të vjetër

February 11, 2022 by s p

Shkruan: Albulenë Halili/

Në analizën dhe rekomandimet e fundit zyrtare të NATO-s nën emrin NATO 2030: United for a New Era (NATO 2030: Të bashkuar për një epokë të re), thuhet se NATO duhet të vazhdojë qasjen me dy drejtime: të parandalimit dhe dialogut me Rusinë. 

“Aleanca duhet t’u përgjigjet kërcënimeve dhe veprimeve armiqësore ruse në një mënyrë politike të bashkuar, të vendosur dhe koherente, pa u rikthyer në “punët e zakonshme” që ndalojnë ndryshimet në sjelljen agresive të Rusisë dhe rikthimin e saj në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, NATO duhet mbetet e hapur për të diskutuar bashkëjetesën paqësore dhe për të reaguar pozitivisht ndaj ndryshimeve konstruktive në sjelljen dhe qëndrimin e Rusisë. NATO duhet të evoluojë përmbajtjen e strategjisë së saj të dyfishtë për të siguruar efektivitetin e saj të vazhdueshëm duke rritur kostot për agresionin rus dhe të zhvillojë një përgjigje më gjithëpërfshirëse ndaj formave hibride të agresionit rus, duke mbështetur në të njëjtën kohë shtrirjen e shtuar politike për të negociuar kontrollin e armëve dhe masat e zvogëlimit të rrezikut.” 

Dekadat e kaluara aleatët transatlantikë ia kishin lejuar vetes mendimin se Rusia mund të jetë një partner, madje se mund  të shndërrohet një ditë edhe në aleatin e tyre. Shumë gjeste të Rusisë e kishin zbehur këtë mendim naiv, por momenti kyç që ka shkërmoqur këtë ide përfundimisht ka qenë agresioni ushtarak në Ukrainë në vitin 2014. Rusia sot nga aleanca atlantike shihet si një rival. Megjithatë, “Kjo nuk është një Luftë e Ftohtë e re”, shkruan Bremer. “Rusisë i mungojnë aleatët ndërkombëtarë të Bashkimit Sovjetik, thirrja ideologjike dhe muskuli ushtarak.”

Koncepti rus mbi botën është tërësisht darvinian dhe hobsian, ndaj dhe politika e tyre e mbrojtjes dhe sigurisë në kohë paqeje nuk bën dallim nga koha e luftës. Që nga koha e fillimit të Luftës së Ftohtë, Stalini mendonte që ishte krejtësisht jashtë logjike që politika e jashtme ruse të mbështetej në vullnetin e mirë kolektiv ose në të drejtën ndërkombëtare. Zhvillimi i marrëdhënieve midis NATO-s e Rusisë filloi pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kur Rusia u bë pjesë e forumit të dialogut të quajtur, Këshilli i Bashkëpunimit Veri-Atlantik në vitin 1991, i cili u trashëgua në vitin 1997 nga Këshilli i Partneritetit Euro-Atlantik. Përmes Programit të Partneritetit për Paqe, Rusia ka qenë një partner i Perëndimit në misionet e menaxhimit të konflikteve në Ballkan në vitet ‘90, ndërkaq në vitin 1997 janë vënë marrëdhëniet bilaterale midis tyre përmes Aktit Themelues NATO-Rusi. Nevoja për konsultim dhe bashkëpunim praktik në sferat e interesit të përbashkët bëri që në vitin 2002, NATO e Rusia të krijojnë Këshillin NATO-Rusi, moment i cili shënon pikun e marrëdhënieve e bashkëpunimit midis dy subjekteve tradicionalisht kundërshtare.    

Pas sulmit të 11 shtatorit, përpara botës dhe SHBA-ve si fuqia udhëheqëse e saj, shfaqej një kërcënim i ri, atipik, vështirë për t’u luftuar vetëm, siç ishte terrorizmi. Andaj jo vetëm që SHBA kishte zbarkuar dhe angazhohej aktivisht me të tëra resurset politike-ushtarake në Lindjen e Mesme, por edhe të gjithë aktorët botërorë që e perceptonin terrorizmin si kërcënim të sigurisë globale, i konsideronte bashkëpunëtorë të mundshëm. Përveç se me aleatët e vetë brenda strukturës së sigurisë së Paktit të Atlantikut të Veriut, këtë qasje e mbante edhe me kundërshtaren e saj tradicionale, Rusinë, duke pranuar interesat dhe ndikimin e saj në këtë rajon të turbullt. Pa dyshim se Rusia mbetet e pranishme në rajonin e Lindjes së Mesme, por gatishmëria e saj për të intervenuar politikisht e ushtarakisht gjatë Luftës së Sirisë, ka eroduar besimin e Perënsimit se Rusia është një partner i besueshëm në luftën kundër terrorizmit. 

Invazioni rus mbi Gjeorgjinë në vitin 2008 bëri që momenti unipolar që kishte pasuar rendin bipolar të Luftës së Ftohtë, të sfidohet seriozisht duke bërë që të marrë fund miti i krijuar, se kërcënimi i luftës do të zhduket nga mjedisi strategjik pas-sovjetik. Politika e jashtme tradicionale ruse ishte ringjallur sërish në formën e doktrinës Medvedev. Kjo doktrinë përbëhej nga pesë parime themelore, edhe atë: “Rusia njeh përparësinë e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”, “Bota duhet të jetë multi-polare”, “Rusia nuk dëshiron konfrontim me ndonjë vend tjetër”, “Mbrojtja e jetës dhe dinjitetit të qytetarëve tanë, kudo që të jenë, është një përparësi e padiskutueshme për vendin tonë”, dhe “Siç është rasti i vendeve të tjera, ka rajone në të cilat Rusia ka interesa të privilegjuar”.

 Në vitin 2014, aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë ka bërë që themelet e fuqisë ushtarake njëpolare të SHBA-së dhe Perëndimit të vihen në seriozisht në pikëpyetje. Këmbëngulësia ruse për t’u vendosur në vendin që sipas saj i takon në rendin ndërkombëtar të pas Luftës së Ftohtë, përbën sfidën më të madhe për stabilitetin e Evropës dhe për strukturat aktuale të sigurisë perëndimore. NATO po përballet me një mjedis të sigurisë krejtësisht të ndryshëm, të imponuar nga Rusia. Kriza në Ukrainë ka shpalosur edhe një herë ambiciet tradicionale të Rusisë për influencë në Evropë. 

Sipas presidentit Putin, shembja e Bashkimit Sovjetik shënoi jo vetëm shpërbërjen e një sistemi politik, por tëhuajësimin e një qytetërimi. Andaj, duke marrë parasysh procesin e zgjerimit të NATO-s dhe bashkëpunimin e Perëndimit me shtetet ish-sovjetike, ai e konsideron Rusinë si qytetërim nën kërcënim. Duke u nisur nga këto premisa, Rusia ka krijuar lëvizjen politike Euroazianizmin, sipas së cilës qytetërimi rus nuk përket në Evropë ose në Azi por në konceptin gjeopolitik të Euroazisë. Koncepti gjeopolitik i Euroazisë, si një nga projektet më ambicioze të politikës së jashtme ruse i materializuar si Unioni euro-aziatik në janar të vitit 2015 nga Putini, është ideuar nga ideologu i ekspansionizmit rus me qëndrime të së djathtës ekstreme, apo eminenca gri – Aleksandër Dugin. Doktrina Putin përshkohet para së gjithash nga qëllimet dhe dëshira e tij për të imponuar dhe mbajtur një sferë ruse të influencës përtej kufijve të saj. Sfera e influencës kthehet kësisoj sërish si diskurs qendror në politikën e saj tradicionale të gjeopolitikës së përhershme. Botëkuptimi rus mbi sigurinë është koherent me pozitën e saj gjeostrategjike, si shteti me sipërfaqen më të madhe tokësore në botë, i rrethuar me kufij tokësorë në të katër anët e saj. Tendencat për krijimin e një tampon zone e cila e ndan atë nga kufiri i menjëhershëm i NATO-s është si rezultat i krahasimit që ajo bën me pozitën gjeostrategjike të SHBA-së, e cila në mënyrë natyrore e ka këtë privilegj, e ndodhur midis dy oqeaneve. Përderisa doktrina e re ushtarake ruse e konsideron zgjerimin e NATO-s si kërcënimin kryesor të sigurisë së saj, kjo ka bërë që Rusia, shtetet e saj fqinje, apo republikat ish-sovjetike, të vijojë t’i shohë si oborri i shtëpisë së saj. Këndvështrimi rus mbi shtetet e oborrit të vet janë pika vitale e sigurisë së saj, aty ku koncepti mbi sovranitetin dhe pavarësinë e shtetit bie ndesh me nevojën ruse për siguri. Pikërisht këtu qëndron dallimi midis dy botëkuptimeve, atij perëndimor e atij rus mbi sigurinë. Studiuesi britanik Keir Giles, shpjegon:

“Ekziston një konflikt i drejtpërdrejtë midis nocioneve tona që shtetet në periferi të Rusisë duhet të jenë sovrane, të pavarura dhe të afta të vendosin vetë të ardhmen, dhe nocionit rus, sipas të cilit për të siguruar sigurinë e vet, ajo duhet ta kontrollojë dhe zotërojë një thellësi të konsiderueshme përtej kufijve të saj, që do ta mbrojë nga përafrimet me të. Kjo është një zgjedhje binare.” 

Nga ana tjetër, eksperti rus i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe punëve të jashtme, Fjodor Lukianov, shpjegon se “ajo që e ka alarmuar Rusinë nuk është vetëm zgjerimi i NATO-s, por edhe transformimi i saj”. Ndryshimi i mjedisit të sigurisë globale implikon edhe ndryshimin e paradigmës të të bërit luftë. Në rastin e NATO-s, procesi i transformimit të organizatës është në funksion të ndërrimit të kësaj paradigme dhe përshtatjen e saj me këtë mjedis të ri. Por, organizatat perëndimore si NATO e Bashkimi Evropian, mbështeten në sisteme të rregullave, për dallim të fuqive pretendente për dominim global, si Rusia e Kina, botëkuptimi i të cilave për rendin ndërkombëtar është diametralisht i kundërt me atë perëndimor. 

Rusia, për dallim nga NATO shquhet për të bërit luftë në mënyrë jokonvencionale ose multidimensionale, apo ajo që nga Perëndimi emërtohet si lufta hibride. Por, mënyra ruse e të bërit luftë nuk përkon me konceptin perëndimor të luftës hibride, që përfshin një kombinim të luftës konvencionale dhe asaj bërthamore. Lufta e Brezit të Ri, si mënyrë ruse e të bërit luftë në shekullin XXI, vjen nga doktrina ushtarake ruse dhe Shefi i Gjeneralshtabit Valeri Gerasimov dhe është një amalgamë e fuqisë së fortë dhe asaj të butë, që përfshin veprime asimetrike të të gjitha domeneve. Lajtomotiv i kësaj lufte mbetet lufta informative, e cila sipas të menduarit rus, për dallim nga koncepti perëndimor, nuk kufizohet vetëm gjatë kohës sa zgjat lufta, por është një luftë e përhershme, për të mos thënë një modus vivendi e saj për të mbijetuar në mjedisin aktual të sigurisë globale sipas perceptimit të saj.

Kriza aktuale në Ukrainë, ka risjellë në ligjërimin e marrëdhënieve ndërkombëtare çështjet e diskutuara gjatë Luftës së Ftohtë. Anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës në NATO përfaqëson për Rusinë vijën e kuqe dhe një nga kërcënimet më të mëdha të sigurisë së saj. Rikthimi i perandorisë sovjetike në Evropën Qendrore e Lindore mbetet për Rusinë një ëndërr, por parandalimi i zgjerimit të NATO-s në lindje dhe krijimi i një rendi të ri të sigurisë evropiane mbeten qëllime të saj, të cilat ajo do të përpiqet t’i arrijë me të gjitha mjetet e në mënyrë makiaveliste.   

Rusia paraqet sfidë serioze edhe për rendin perëndimor në Ballkan, për të cilin aleatët transatlantikë, sidomos Shtetet e Bashkuara, kanë bërë investime thelbësore. Që nga gjysma e dytë e shekullit XIX, kur zë fill politika e jashtme ruse më e re, Ballkani është pjesë e pandashme e interesave kombëtare ruse, madje përbën thelbin e politikës evropiane të Rusisë. Ballkani paraqet sferën tradicionale të interesit për Rusinë. Arsyeja kryesore për këtë është e natyrës gjeopolitike, meqenëse edhe vetë politika e jashtme ruse është e bazuar kryesisht në gjeopolitikë. 

Ndër arsyet e tjera radhiten prejardhja sllave dhe feja ortodokse e shumicës së popujve ballkanikë, politikë e cila daton që nga shekulli XIX dhe së fundmi arsyet ekonomike, të lidhura ngushtë me çështjet e infrastrukturës, kryesisht ujore pa përjashtuar ato tokësore. Kështu, influenca ruse është rritur dukshëm në dekadën e fundit me prezencën e saj në rajon në sektorët ekonomikë, politikë, energjetikë, ushtarakë dhe të tjerë. Ndër gjërat më të rëndësishme për prezencën dhe pretendimet ruse në Ballkan duhet pasur parasysh: aspektet energjetike, marrëdhëniet bilaterale të Rusisë me vendet e Ballkanit, influenca kulturore historikisht e pranishme te popujt sllavo-jugorë e ortodoksë dhe roli i Rusisë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit. 

Rritja aktuale e interesimit të Rusisë për Ballkanin, për studiues të shumtë ka të bëjë me përfundimin e momentit uni-polar amerikan dhe nevojën e krijimit të një rendi ndërkombëtar pas-unipolar. Por, pa mëdyshje që prania ruse në Ballkan është një antipod i Perëndimit në përgjithësi. Pas përplasjeve në Ukrainë rreziku për përplasjen e radhës në Ballkan, qe një rrezik i denjë për t’u konsideruar seriozisht. Këtë e pati deklaruar që në vitin 2015, Sekretari i Shtetit i SHBA, John Kerry, se në sajë të lidhjeve historike me Rusinë, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova ishin “në vijën e zjarrit”, ashtu si shtetet Baltike, Gjeorgjia, Moldavia dhe Transnistria. Ndonëse, pas kësaj deklarate paralajmëruese, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut u bënë dy anëtaret më të reja të NATO-s, prania ruse në Ballkan përbën akoma një nga sfidat më të mëdha për rendin perëndimor në gadishullin e vjetër evropian, dhe jo vetëm.

Filed Under: Politike

Fjalori i madh i gjuhës shqipe

February 11, 2022 by s p

Prof.Dr. Valter Memisha/

Leksikografia e gjuhës shqipe i ka fillimet rreth 400 vjet më parë dhe e ka nisur rrugëtimin e vet si leksikografi dygjuhëshe, me Fjalorin latinisht-shqip të F. Bardhit, botuar më 1635. Gjatë katër shekujve ajo është pasuruar ndjeshëm me vepra të tipologjive të ndryshme dhe në fondin e saj sot numërohen më shumë se 500 fjalorë njëgjuhësh (shpjegues), dygjuhësh apo tematikë. Këta fjalorë ndihmojnë ndjeshëm për realizimin e komunikimit gjuhësor të folësve të shqipes në të gjitha fushat.

Në shekullin XXI Shqipëria është përfshirë në zhvillime të vrullshme dhe të shumanshme, të cilat trysnojnë zhvillime të tilla dhe në gjuhë. Shqipja është e hapur dhe i ndjek këto zhvillime që i përkasin botës materiale, mendësore, estetike etj. të shqiptarit të sotëm. Dihet se nënsistemi gjuhësor më i hapur dhe i lidhur drejtpërdrejt me to është sistemi leksikor. Fjalori i shqipes sot (fjalët që ka në përdorim) është pasuruar shumë. Ky pasurim kërkon që të hartohen fjalorë të ndryshëm që t’u përgjigjen nevojave të përdoruesve. Këtë fillim shekulli ne vërejmë me kënaqësi se janë hartuar dhjetëra fjalorë dygjuhësh, që mbulojnë kontaktet e shqipes gati me të gjitha gjuhët kryesore në botë (fjalorë anglisht-shqip e shqip-anglisht, gjermanisht-shqip e shqip-gjermanisht, frëngjisht-shqip e shqip-frëngjisht, italisht-shqip e shqip-italisht, greqisht-shqip e shqip-greqisht, spanjisht-shqip e shqip-spanjisht, suedisht-shqipe e shqip-suedisht, rusisht-shqip e shqip-rusisht, maqedonisht-shqip e shqip-maqedonisht, serbisht-shqip e shqip-serbisht etj.)

Por një leksikografi e zhvilluar e një gjuhe nënkupton që ajo në radhë të parë duhet të mbulojë nevojat e përdoruesit me fjalorë shpjegues njëgjuhësh e në ditët e sotme me fjalorë të formatit të printuar (si libër) apo me fjalorë të formatiton-line. Shqipja ka në përdorim fjalorë shpjegues (të hartuar institucionalisht apo nga individë), të cilët shkojnë deri te fjalorë të tipit të mesëm (që pasqyrojnë rreth 50.000). Po përmend këtu dy vepra të hartuara nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë: Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, 1980, me rreth 41.000 fjalë, 7.000 njësi frazeologjike, 180.000 kuptime e 1.500.000 thënie ilustruese; Fjalori i gjuhës shqipe, 2006, me rreth 48.000 fjalë, 5.000 njësi frazeologjike e mbi 120.000 kuptime). 

Por shqipja sot e ka të domosdoshme dhe nevojë urgjente hartimin e një Fjalori të sidomos normativ. Ajo është ndër të rrallat gjuhë që nuk ka një fjalor të tillë. Përdoruesi i saj, si qytetar i thjeshtë, si shtetar, si politikan, si student, si mësues, si gazetar, si shkrimtar, si diplomat, si studiues, si përkthyes e kushdo që merret me të, ka nevojë për një fjalor që të ketë të paktën një vëllim me dyfishin e njësive (fjalëve) të fjalorëve në qarkullim  (kjo kërkesë del dhe në synimet e shqipes për të plotësuar spektrin saj leksikografik krahas hartimit të veprave të llojeve të ndryshme, sidomos të fjalorëve shkollorë a moshorë, të fjalorëve për vepra e autorë,  të fjalorëve ideo-tematikë, të fjalorëve dialektorë, të një fjalori historik etj.). Hartimi i një vepre të tillë nisi në vitin 1963 (për t’u kryer me disa vëllime), por puna u ndërpre në vitin 1976, rinisi në vitin 2006, por u ndërpre përsëri për shkak të reformës në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. U paraqit si projekt në vitin 2008 nga Qendra e Studimeve Albanologjike (sot Akademia e Studimeve Albanologjike), por përfundimisht puna për hartimin filloi para një viti, më 2021, një projekt i drejtuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Është parashikuar që vepra të përfundojë në fund të viti 2023 dhe të hidhet në qarkullim në vitin 2024.

Fjalori do të jetë vepër madhore leksikografike me rreth 100.000 njësi leksikore (90.000 fjalë dhe 10-12.000 njësi frazeologjike) dhe si i tillë pasqyron, ruan dhe hedh në përdorim pasurinë më të madhe leksikore, frazeologjike e semantike të gjuhës shqipe së sotme. Ai rrit ndjeshëm funksionin informues (tashmë, vepra vjen me dyfishin e pasurisë leksikore të fjalorit më të mirë shpjegues të shqipes të hartuar deri tani) dhe do të jetë njëherazi një vepër normative, pra pasuria që do të përfshihet në të (fjalë, kuptime, njësi frazeologjike) i përket apo lidhet me shqipen e njësuar, standarde. Ai do të jetë krijojë një pikë referimi e mbështetje e pazëvendësueshme edhe për hartimin në të ardhmen të fjalorëve të tjerë të tipeve të ndryshme. Fjalori do të jetë vepër me rrezatim të gjerë përdorimi, për të gjithë ata që merren veçanërisht me gjuhën e shkruar, e të folur, që punojnë me shqipe e për shqipen.

Në projektin që po zbatohet theksohet se “Fjalori do të shënojë regjistrimin e parë të pasurisë më të madhe e më kryesore të fjalëve, të frazeologjisë e të kuptimeve leksikore të gjuhës sonë, pasurinë e gjallë të gjuhës; do të jetë një vepër përgjithësuese që do të përfshijë shtresën më aktive të leksikut të shqipes dhe një pjesë të madhe të shtresës pasive, strukturat kuptimore të fjalëve dhe karakteristikat kryesore gramatikore, stilistike e shprehëse. Zgjerim do të kenë disa shtresa leksikore të pasuruara e të gjallëruara rishtas, si nga fushat e elektronikës e të informatikës, të financave e të bankave, të artit e të kulturës, të biznesit, të organizimit shtetëror etj. Zgjerim do të kenë shtresat leksikore nga fusha e terminologjisë, e leksikut dialektor, e neologjizmave, e huazimeve të përligjura etj.”

Hartimi i Fjalorit të madh mbështet domosdoshmërisht në shfrytëzimin e pasqyrimin e lëndës leksiko-frazeologjike e semantike të shqipes në gjithë shtrirjen e saj truallsore, kohore e të përdorur në të shkruar e në të folur, pra, ai do të jetë gjithëpërfshirës, mbarëkombëtar e bashkëkohor. Ndaj për të, gjatë gjithë vitit 2021 (dhe në vazhdim) u punua e po punohet për ngritjen e një kartoteke të posaçme (për krijimin e një korpusi apo data base-i ad hoc), që do të shkojë deri te 150.000-160.000 fjalë e njësi frazeologjike. Prej tyre do të bëhet përzgjedhja e njësive që do të zënë vend në fjalor (siç u shprehëm: rreth 90.000 fjalë e rreth 10-12.000 njësi frazeologjike).

Burimet kryesore të lëndës për këtë kartotekë janë disa:

1. Shfrytëzimi i Kartotekave të leksikut të shqipes dhe i Kartotekave të dialektologjisë në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Universitetet e qendrat e tjera shkencore brenda e jashtë vendit, të cilat kanë në fondet e tyre pasur të rëndësishme leksiko-semantike të shqipes. 

2. Shfrytëzimi i fjalorëve shpjegues institucionalë, të botuar deri tani në Shqipëri: “Fjalor i gjuhës shqipe”, 1954; “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, 1980; “Fjalor i shqipes së sotme”, 2002; “Fjalor i gjuhës shqipe”, 2006; “Fjalor i gjuhës shqipe”, 2020.  Vendin kryesor këtu e zë “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, 1980 (botim i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë). Ai, për nga numri i njësive leksikore e frazeologjike që përfshin, futet te fjalorët e mesëm, por ndërtimi i zërave leksikografikë (zbërthimi e shpjegimi i kuptimeve, ndërtimi i strukturave kuptimore, ilustrimet me shembuj, treguesit gramatikorë, ngjyrimet stilistike e ligjërimore etj.) janë të përmasave e të cilësisë thuajse të një fjalori të madh për shumicën e fjalëve që përmban. Ai do të shfrytëzohet në mënyrë integrale, shterueshëm, në gjithë vlerat e tij, por shfrytëzimi i veprës nuk do të jetë mekanik. Në përshtatje me tipin e Fjalorit të madh, tashmë do të rishikohen gjithë zërat leksikografikë (fjalë e frazeologji), gjithë strukturat kuptimore e shpjegimet përkatëse, gjithë shembujt ilustrues etj.

Burim tjetër i rëndësishëm për lëndën e Fjalorit që po hartohet janë edhe fjalorët tematikë mbarëkombëtarë, si: “Fjalori sinonimik i gjuhës shqipe”, 29.000 fjalë (AShSh, grup autorësh); “Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe”, 11.000 njësi frazeologjike (J. Thomai); “Fjalori i homonimeve në gjuhën shqipe”, 16.000 njësi (A. Jashari); “Fjalori i gjuhës shqipe” për shkollën 9-vjeçare,10.000 njësi (Sh. Rrokaj, A. Kananaj); “Fjalori i shprehjeve të huaja në shqipe”, 4.000 njësi (A. Jashari).

Gjithashtu, fjalorët dygjuhësh të hartuar kohët e fundit, sidomos ata të tipit të madh (me mbi 70.000 fjalë) ku shqipja del si gjuhë e dytë apo e parë, duke veçuar këtu vepra si “Fjalori anglisht-shqip” (P. Qesku) me 120.000 njësi, “Fjalori shqip – anglisht” (P. Qesku) me 170.000 njësi etj. etj.

Shfrytëzimi gjithë këtyre veprave do të jetë shkencor dhe jo mbartje mekanike e njësive, duke bërë plotësimet e nevojshme me treguesit gramatikorë, fonetikë, me shpjegime të reja shkencore, me ilustrime përmes thënieve në përshtatje me natyrën e veprës së re.

3. Në Fjalorin e madh do të shtohet ndjeshëm pasuria leksikore e frazeologjike që vjen nga dialektet e të folmet e shqipes, pa nënvleftësuar asnjë areal gjuhësor, duke sjellë pasuri të përzgjedhur nga të gegërishtja a të folmet veriore, nga toskërishtja a të folmet jugore, nga të folmet arbëreshe, arvanitase e nga të folmet e ngulimeve shqiptare në vende të tjera në Evropë a më gjerë. Përparësi këtu do të marrin fjalë, kuptime, njësi frazeologjike, thënie ilustruese që janë mbledhur në Kosovë, Maqedoni e Veriut, në Malit të Zi, në të folmet veriore, veriperëndimore a verilindore të Shqipërisë. Mendohet se nga dialektet dhe të folmet krahinore në fjalor do të zërë vend një pasuri me rreth 10-12.000 fjalë. Kështu fjalori fiton karakter të theksuar mbarëkombëtar, por njëkohësisht vlerëson dialektet si burim kryesor për të ushqyer pandërprerë leksikun e shqipes standarde.

Punën tonë në këtë drejtim e lehtëson dukshëm botimi i shumë veprave që i përkasin leksikografisë dialektore (të cilat i kanë sjellë fondit të regjistruar leksikor një pasuri me mbi 150.000 njësi). Po përmendim këtu:“Fjalori i gjuhës shqipe”, 18.500 njësi (A. Xhuvani); “Fjalori i gjuhës shqipe”, 42.000 fjalë (M. Elezi);“Fjalori me fjalë e shprehje nga e folmja e Ujemujës”, 8.000 njësi (H. Shehu);“Fjalori i Malësisë së Madhe”,10.000 njësi (Gj. Shkurtaj);“Fjalori i fjalëve dhe i shprehjeve nga trojet e shqipes në Maqedoni”, 20.000 njësi (Q. Murati); “Fjalori i fjalëve dhe shprehjeve të Kosovës”,16.000 njësi (Q. Murati);“Fjalor frazeologjik i të folmeve të Kosovës dhe i të folmeve shqipe të Maqedonisë së Veriut”, 2.300 njësi (Q. Murati); “Fjalori popullor”, 20.000 fjalë (A. Zymberi); “Fjalori leksiko-frazeologjik i Devollit”,13.000 njësi (A. Jashari);“Fjalor i Çamërishtes”, 5.000 njësi (F. Muçaj); “Fjalori fjalësh dhe shprehjesh popullore”, 8.000 njësi (A. Sula);“Fjalë e shprehje nga Puka”, 2.000 njësi (I. Ahmetaj);“Emërtime për kafshë e shpendë në Labëri”,8.500 njësi (V. Memisha), Fjalori i arbëreshëvet të Italisë (E. Giordano) etj.

Gjithashtu nga dhjetëra punime monografike në fushën e dialektologjisë, që u përkasin arealeve gjuhësore mbarëshqiptare, vjen një pasuri leksikore e begatë dialektore e krahinore (që zë vend në fund të këtyre punimeve përgjithësisht si fjalorth).

4. Ligjërimi politiko-shoqëror e veçanërisht media e shkruar ka në përdorim një pasuri shumë të vyer leksikore e frazeologjike që do të zërë vend për herë të parë në fjalor. Dhe nga ky ligjërim janë bërë vjelje të bollshme dhe po lematizohet (fjalësohet) me metodat bashkëkohore kompjuterike e gjithë lënda e po bëhet përzgjedhja e njësive për veprën e re. Është parashikuar që nga kjo fushë të vijnë rreth 10.000 njësi të reja.

5. Burim kryesor përpasurimin e Kartotekës dhe prej këtej pasqyrimi në Fjalor është dhe  vjelja integrale e veprave të shkrimtarëve tanë, të njohur për leksik e frazeologji, duke u ndalur tek autorët më përfaqësues dhe me shtrirje mbarëkombëtare. Po përmendim këtu vjelje leksikore nga vepra e Gj. Fishtës, e M. Camaj, e E. Koliqit, e F. Arapit, e I. Kadaresë, e D. Agollit, e B. Xhaferit, e P. Arbnorit, e A. Podrimjes, e A. Shkrelit, e D. Mehmetit, e R. Qosjes, e A. Demaçit, e M. Isakut. Kjo është përsëri një komponent përcaktues i karakterit mbarëkombëtar të veprës.  Parashikohet që nga letërsia artistike të zërë vend në fjalor një pasuri me rreth 15.000 fjalë të reja.

6. Në fjalor do të shtohet ndjeshëm numri i termave. Zhvillimet e shumanshme të botës shqiptare kanë trysnuar dhe përdorimin e mijëra e mijëra termave të rinj. Janë përcaktuar 26 fusha të dijes, të shkencës, të teknikës, të artit etj., në të cilat është përqendruar vjelja terminologjike. Këtu na vijnë në ndihmë dhjetëra fjalorë terminologjikë, tekstet shkollore (parauniversitare e universitare), botimet shkencore të studiuesve, revista shkencore etj. Parashikohet që numri i termave të rinj do të jetë rreth 10.000 njësi, duke e ruajtur natyrën e fjalorit si një fjalor i përgjithshëm e duke mos e kthyer atë në fjalor të mirëfilltë terminologjik. 

7. Në fjalor do të përfshihen dhe shumë huazime, të domosdoshme dhe të nevojshme në komunikimin gjuhësor përmes shqipes sot. Kjo mbështetet në parimin se gjuha jonë është e hapur për huazime, gjithnjë në bazë të vlerave shënuese e shprehëse që ato sjellin, duke mos lejuar një konkurrencë të tyre të panevojshme me fjalën shqipe apo duke mos e mënjanuar këtë të fundit nga përdorimi për t’i dhënë përparësi fjalës së huaj. Fjalori do të pasqyrojë një numër të caktuar prej tyre, ato që janë të përligjura, duke e orientuar përdoruesin te karakteri normativ dhe për këtë shtresë leksikore. Kontaktet e shqipes sot me botën janë të shumta, po ashtu dhe të shumta janë huazimet leksikore. Madje shpesh përdoret dhe pohimi se shqipja ndjehet e kërcënuar nga huazimet pa kufi. Mendohet se numri i huazimeve mund të shkojë edhe te 2-3.000 njësi të reja.

Fjalori i madh i gjuhës shqipe, me funksion të zgjeruar informues, dhe me funksion normativizues (orienton dhe edukon normën leksiko-semantike të shqipes së sotme), nuk do të jetë një fjalor i madh i tipit “Thesar” (tesaurus) që të përfshijë gjithë leksikun e shqipes, por një vepër që nga ky leksik do të përzgjedhin rreth 100.000 fjalë e njësi frazeologjike. Për të po punojnë specialistë të shqipes nga Shqipëria, nga Kosova e Maqedonia e Veriut, nga Presheva, nga Universiteti i Kozencës, i Palermos, i Munihut, i Selanikut e deri gjuhëtarë shqiptarë që punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Puna është e organizuar në disa nivele, ndër të tjera me një redaksi shkencore prej 7 vetash, me një grup hartuesish (leksikografë) me 15 vetë, dhe mbi 35 bashkëpunëtorë. Pra dhe vetë spektri i pjesëtarëve në realizmin me suksese të veprës është më shtrirje mbarë kombëtare.

Duke mbyllur këtë informacion për punën që po bëhet për hartimin e Fjalorit të madh normativ të shqipes me 100.000 fjalë e njësi frazeologjike, po sjell në kujtesë të lexuesve thënien e albanologut të shquar Holger Perdersen: “Gjuha shqipe ka një zhvillim të vetin dhe është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shenjtë për zhvillimin kulturor dhe intelektual të kombit të vjetër shqiptar.”

Hartimi i kësaj vepre sendërton këtë zhvillim dhe bëhet shprehëse e kësaj krenarie.

Prof. dr. Valter MEMISHA

Bashkëdrejtues i projektit

Tiranë, 5 shkurt 2022

Filed Under: Opinion

POEZIA DHE BURGU TE SHKRIMTARJA E PARË SHQIPTARE

February 10, 2022 by s p

Jetë e copëtuar në copëra të një poezie: Të isha një lule…

Nga Visar ZHITI

…

Të isha një lule vjollce në mes të ferrave

të qëndroja e fshehur, e pa dukur

dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të rinjve. 

Prej frike, të larguar prej njerëzis do t’më këputnin

do të dhurohesha te njëri-tjetri

për shenjë kujtimi.

…

Karafil i kuq të lulzoja

dhe me kujdes të vaditesha…

një ditë të vendosesha në jakë të palltos.

Do të shëtisja dhe unë rrugëve të qytetit,

do të kuptonja jetën djaloshare

dhe të gjithë do të vështronin atë dhe mua;

që të dy qënkan të bukur, do të thoshin.

…

Më së fundi le t’isha

së paku një lule e egër,

midis rrugës dhe gurëve

pa kujdesin e të tjerëve.

Një ditë do të shtypesha prej ndonjë këmbe njeriu,

një burrë ose grua… e di por s’ka gjë,

një lule të isha dhe jo njeri… 

Në këto copëra të një poezie të Musine Kokalarit sikur përmblidhen gjithë copërat e jetës së saj, dëshirat dhe parandjenjat, credo-ja dhe realiteti, profecia dhe ashpërsia e ardhshme, burgu dhe vdekja, ndërkaq aty janë vendosur përballë njëra-tjetrës delikatesa me tragjizmin.

Vërtet janë copërat e një poezie, më pak se gjysma e saj, nga ato pak poezi të rënda që na la ajo, me atë gjysmë jete, ku më shumë se sa këndonte, dukej sikur tregonte në prag të një vajtimi. Dhe janë shkruar përpara një gëzimi të madh, kur ajo do të shkonte për studime në Romë, më 1937. Po në këtë vit edhe poeti i njohur i të rinjve shqiptarë, Migjeni, do të shkonte në Torino, por për të vdekur, pa i nisur dot studimet. Temat e tij, lakonizmi do t’i pëlqenin shumë Musinesë dhe do të ndiqte deri diku hapat e tij…

Musineja linte kryeqytetin e saj të pakët, Tiranën, i cili s’kishte shumë vite që ishte shpallur si i tillë në një atdhe që kishte dalë nga një robëri shumëshekullore e qe bërë i pavarur. Nga republikë presidenciale befas qe shndërruar në monarki pa ndonjë kryengritje a grusht shteti, por vetë presidenti shqiptar Ahmet Zogu kishte kaluar në Mbret, Zogu I. Tirana sapo kishte filluar të merrte pamjen e një kryeqyteti të çuditshëm, sa oriental në njerëz, po aq dhe perëndimor në arkitekturë, ku kishte dhe ballo në sallone hotelesh dhe në bulevard gra me ferexhe, mesjetë dhe librari, kuaj dhe vetura, gjakmarrje dhe jetë intelektuale, varfëri dhe opozitë, poetë brilantë të një populli me analfabetizmin më të madh në Europë. Në sheshin kryesor punohej të ngrihej një Hark Triumfi. Miqësia mes Shqipërisë së vogël mbretërore po shtohej dita-ditës me Italinë fashiste perandorake. Po me té zbarkuar Italia në Shqipëri mbreti do të ikte dhe Harku i Triumfit do të shembej.

Musine Kokalari lindi në Adale, të Turqisë më 10 shkurt të vitit 1917, kur po atë vit bota do të tronditej nga revolucioni bolshevik i Leninit. Foshnja e porsalindur do ta pësonte po nga ky revolucion, nga dishepujt e tij ballkanas. 

Familja e saj kthehet në Shqipëri në vitin 1921 dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë Kokalarët shpërngulen në Tiranë. Në vitin 1937 Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe vendosi të shkonte të studionte në Itali, në Romë, në Universitetin e njohur “La Sapienza”. 

Në Qytetin e Përjetshëm, një nga kryeqytetet më të bukur në botë, në mos më i bukuri, Musine Kokalarin e priste një jetë të re, moderne, me ëndrra dhe studime, me kohët antike që shpaloseshin gjithandej, që flisnin me statujat, me muret dhe gurët, ku Koloseu mbase do t’i ngjante me një kurorë vigane, jo e rënë trandshëm nga qiejt, por si e dalë nga nëntoka. 

Donte të bëhej shkrimtare. I kishte hyrë kësaj valleje, për të qenë e tillë kishte lindur. Atdheu i saj nuk dihej të kishte pasur shkrimtare-grua. Mbase, por siç thoshte një princeshë në Rumani me origjinë shqiptare, që kishte pasur miqësi me shkrimtarët më të shquar të Europës së Shekullit XIX, Dora D’Istria ose Elena Gjika, që shqiptarét bëjnë shumë, por shkruajnë pak. Edhe Musineja ishte e bukur si ajo, shkruante si ajo. Edhe më shumë, të shkruante, të shkruante…

Poezia e Musine Kokalarit se si ishte, e pangjashme me të poetëve të tjerë shqiptarë, as me të atyre të vjetërve e as me të bashkëkohësve, e pangjashme as me folklorin e lashtë. Trishtim, pakënaqësi, jo këngë dashurie, pa rima kumbuese, pa rima fare, rrallë ndonjë e brendshme, zë i ngjirur, që duhej të kishte thirrur dikur, pa lindur ende, po, po, atë të shkaktonte në shpirt: thirrjen.

Mjerimin pasqyronte duke ngjarë dhe vetë e mjerë, e drejtpërdrejtë si ngjarjet në rrugë, madje kjo është dhe jeta, thotë ajo diku. Revoltë, jo vetëm në përmbajtje, por dhe në formë, vargjet përzgjaten, zvarritshëm i afrohen prozës, hidhësisë, marrin të folurën e përditshme, një gjallëri shqetësuese, rrëfime që kanë terr dhe uri. Çuditërisht nuk i ngjajnë jetës që kishte kaluar a të tashmes së autores, por të ardhmes së saj. Kishte dashur të ishte një lule mes ferrave…

Më mirë prozë atëherë dhe aty të shpalos poezinë. Nga pasioni për folklorin, fjalët e rralla dhe proverbat, Musine Kokalari hidhet tek tregimi i shkurtër, ja ashtu “Siç më thoshte nënua plakë” dhe pikërisht këtë titull i vuri librit të saj të parë, që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve në vend. Një shkrimtare-grua?! Edhe tek ne!?! Në botë ka. Atëherë po përmbysej bota… apo po bëhej më e mirë?

Ndërkaq Italia e Musolinit kishte pushtuar Shqipërinë. Kishte pasur përplasje me armë në qytetet bregdetare, edhe të rënë, teksa Mbreti ikte nga atdheu e mbretëresha lehonë mbante në krahë djalin e porsalindur. Do të përgatiteshin festa dhe dhënie lulesh për autoritetet italiane, por kur do të vinte për vizitë në Tiranë mbreti Viktor Emanuali do ta varej në mes të sheshit djaloshi Vasil Laçi që guxoi té shtinte mbi mbretin. Atentati dështoi, por jo vdekja e atentatorit.

Musine Kokalari në Romë nuk është e qetë. Ajo po shkruan librin “Jeta ime universitare” (1940-1942), fakte dhe histori, etnografi e meditim, që se si duket, sikur pushtimi kalon dhe nëpër trupin e saj prej gruaje, por ajo nuk do të jepet, madje qëndron shumë më lart se poseduesi dëshirëmadh. Studime dhe spitale. Nipi i saj i vogël është sëmurë. Apo Shqipëria? Kush do të operohet, kujt do t’i ngulen thikat? Çalon koha apo vogëlushi i gjorë, kockëhollë?

Musineja shoqërohet me të rinjtë antifashistë në Romë. Organizon takime kulturore me studentë shqiptarë, klubet ndodhte që i prenotonte dhe Dane Zdrave, që kishte studiuar në Akademinë Detare në Napoli, merrej dhe me biznes, ai do të hapte kinemanë e parë në qytetin e tij, në Berat, do të çonte kombajnat e para, centrale elektrikë, do ta sponsorizonte dasmat e vajzave të miqve dhe do të hapte në Tiranë dyqan mode.  Të çliroheshe përmes pushtimit. Pas mbarimit të Luftës II Botërore atë e arrestojnë dhe ai vdes né burg. Oficerët komunistë që e torturonin mbase zbrisnin në qeli me uniformat që u kishte blerë ai dikur…

Erdhi koha që Musine Kokalari duhej të mbronte diplomën universitare në “La Sapienza”. Kë shkrimtar të zgjidhte për studimin e saj? Danten e madh? Ai tani ishte dhe poeti kombëtar i shqiptarëve. Se siç shpjegon shkrimtari Ismail Kadare, bashkëqytetar i Musinesë, “Nën kurorën e përbashkët, Italia po sillte si prikë poetin e saj të parë: Dante Aligierin”. (“Dantja i pashmangshëm”, fq. 23, bot. “Onufri” 2005). Po sikur të merrte Leopardin apo nga poezia moderne italiane? 

Poetët italianë vërtet mund të ishin bërë zyrtarisht të përbashkët, por përkohësisht gjithsesi dhe mbeteshin të një gjuhe tjetër. Të kërkonte një poet etiopas më mirë, se dhe me ata bënin pjesë në të njëjtin shtet tani? Jo dhe jo. Vetëm Naim Frashërin, poetin kombëtar të vendit të saj, që ribëri atdheun gjatë pushtimit otoman. Poezia e Naimit u ndez si qiriri. Dridhej drita e tij, por edhe terri prej asaj drite. Ta shihnin italianët dhe atë. 

Veprimtarinë si antifashiste, të nisur në Romë, e vazhdon në Tiranë, shkruan nëpër gazetat antifashiste dhe më 1943 bëhet nismëtare për të themeluar një parti social-demokrate me intelektualë të shquar si Skënder Muço e profesorin e Sorbonës, Isuf Luzaj. Rri dhe punon me rininë nacionaliste. Librarinë “Venus” të vëllezërve të saj e shndërron në qendër kulturore.

Vazhdonte Lufta II Botërore. Maleve të Shqipërisë luftohej me pushtuesin fashist dhe nazist. Në fillim së bashku, nacionalistë, monarkistë, komunistë, por këta të fundit po dilnin të parët dhe po e çonin vendin në luftë civile. Si në Spanjë, hakmarrje për Spanjën. 

Musine Kokalari po luftonte me armë të tjera, me libra. Dhe kundër sundimit më të rëndë, injorancës. E cila tek gratë shumëfishohej e bëhej në heshtje më kërcënuese. Gruaja shqiptare ishte mbyllur brenda mureve të një fanatizmi barbar. Mona Liza shqiptare ishte me shami në kokë. Kishte 500 vjet që kishte hyrë ferexheja bashkë me natën e gjatë të pushtimit. Vajzat kokëzbuluara, me flokët që ua merrte era, që duke vallëzuar e duke kënduar ishin hedhur në humnerë për të mos rënë në duar të pushtuesit, tani ishin futur në legjendë. Në kohën kur Roma e lashtë kishte perandorë dhe me origjinë ilire, në bregun përballë paraardhësit e shqiptarëve kishin pasur mbretëreshë, Teuta, por ajo qe harruar fare, veç emri i saj vihej ende vajzave, mbase pa ditur pse. 

Musine Kokalari po ndihej shkrimtare. Ky mision duhej përmbushur më së miri. Sa keq që s’kishte pasur grua shkrimtare ky vend, edhe pse ishte shekulli XX. Duhej të kishte, do të kenë qenë harruar… zhdukur… siç ikin gratë kur nuk i duan… Këngëtare anonime të nina-nanave po, edhe vajtojca patjetër që po. Pra, kur lindnin dhe kur vdisnin njerëz. Po ato këngë të mrekullueshme dashurie, që ne i futim në folklor, kush i krijoi? Patjetër duhej të kishte dhe gra-poete anonime. Kur kështjellat tona binin një e nga një e pirgjet e tyre shkrumboheshin nga flakët, mbetën bedenat e dhëmbëve. Gojët e grave ruajtën gjuhën, teksa burrat i shpinin nëpër luftëra kudo në Ballkan, edhe më larg, përtej Europës, shkretëtirave të Azisë dhe Afrikës.  

Musine Kokalari duhet të flasë për të gjitha ato. 

Në vitin 1944 boton librat “Rreth vatrës” dhe “…Sa u tund jeta”. Entuziazmon gjithë shkrimtarët e njohur shqiptarë, albanologë dhe studiues në Itali, në Gjermani, në diasporë deri në SHBA. Tashmë ajo është vërtet shkrimtare, e pjekur, me autoritet. E para…

Shkruan studime, mbledh folklor, boton artikuj për Kosovën. Romani i saj “Teto Nurieja” mbetet përgjysmë. Por dhe jeta e saj. Brenda vetes ajo ndien elegjinë, që nuk do të lejohej ta shkruante kurrë. Por gjithçka tek ajo është poezi. Është karafil i kuq mbi jakë palltosh, siç thoshte ajo. Pra i këputur…          

Kur Lufta II Botërore po mbaronte, kur po dëboheshin dhe largoheshin nga kryeqyteti pushtuesit nazistë, gjermanët po iknin drejt Veriut e betejat po zhvilloheshin rrugë më rrugë, shembeshin mure, merrnin flakë çatitë e vriteshin njerëz, në shtëpinë e Musinesë trokasin fitimtarët, partizanët, dhe me urdhër të kushëririt të Kokalarëve, diktatorit të ardhshëm Enver Hoxhës, marrin dy nga vëllezërit e saj, Mumtazin dhe Vesimin, të tretin, Hamitin, jo, se ishte tepër i sëmurë, me ethe, po vdiste vetë dhe s’kish pse ta mbartnin e të harxhohej plumbi për të. Po ku i çuan? Apo i donin për ndonjë shërbim a do t’i pyesnin për ndonjë gjë? Se liria fillon me librin e ata me libra merreshin. Luftë ishte, s’dihej. 

Dhe do t’i gjenin të vrarë mes shumë kufomave të tjera të përgjakura, të grirë nga breshëritë e skuadrave të pushkatimit. Fitimtarët kishin grumbulluar intelektualë të njohur, gazetarë, që nuk ishin komunistë, por borgjezë, sipas tyre, i kishin mbyllur në bodrumet e nëndheshme të hotel “Bristol” dhe bënë masakrën para festës së çlirimit të kryeqytetit.

Kishte filluar të derdhej gjaku, jo nga shkaku i pushtuesve tani.  

NJË GRUA MARTIRE

PËRBALLË DIKTATORIT – BASHKËQYTETAR I SAJ..

Shkrimtarja e parë shqiptare, grua me ndërgjegjen e lartë të krijimit dhe është vetëm 27 vjeç. E ylltë. Vepra e saj do të ishte plot me fjalë të gjalla, nga ato të popullit, të vjetra, gjithë thellësi, që gjuhëtari i shquar, Profesor Eqrem Çabej, bashkëqytetar dhe bashkëkohës i saj, do të merrej me seriozitet shkencëtari me shqipen dhe do të ishte studiuesi dhe etimologu me autoritet ndërkombëtar. Skenat dhe personazhet lokalë të veprës së Musine Kokalarit, Gjirokastra e çuditshme, do të merrnin hov dhe zhvillim të paparë më pas në romanet e përkthyer gjithandej nëpër botë të bashkëqytetarit tjetër të saj, shkrimtarit botëror Ismail Kadare. Ai realitet, ajo jetë sa orientale, po aq dhe Perëndimore, që po shkonte drejt Europës së kulturuar, ai pluralizëm dhe demokraci parake, që do të tronditej nga Lufta e II Botërore, do të përmbysej e do të shkatërrohej nga sundimtari i kuq, diktatori Enver Hoxha, edhe ky bashkëqytetar i Musine Kokalarit. Shtëpitë e tyre nuk janë larg midis tyre, dritaret shikojnë njëra-tjetrën, por njerëzit nuk shikohen dot në sy. Diktatori i ardhshëm kishte shëtitur në Europë, në Itali, Belgjikë, Francë, etj, kështu mbahej i shëtitur, ndiqte modën, ishte regjistruar dhe në një universitet në Montpelie, ku nuk dha asnjë provim e nuk u diplomua kurrë dhe kur mori pushtet, futi në burg ministrin e arsimit poet dhe ai, Mirash Ivanaj, ndër më të kulturuarit në Ballkan, dinte 11 gjuhë, si hakmarrje që nuk kreu dot shkollë dhe do t’i urrente gjithë jetën. Jo urrejtje pasive, por me veprime mizore, duke i persekutuar rregullisht. Duke marrë në ndihmë intelektualë të tjerë, nga ata që do të denonconin kolegët e do t’u vidhnin veprat dhe do të aplikonin realizmin socialist shqiptar duke himnizuar me poema e romane diktatorin.  

Katër ditë pas vrasjes së vëllezërve, arrestojnë dhe Musinenë dhe e mbajnë 17 ditë në burg. Mes rrëmujës, kur fitimtarët ende nuk dinë se çfarë të bëjnë, përveç pushkatimeve, pushtojnë zyra dhe hapin burgje, edhe kishat i bëjnë burgje, ndërkaq Musineja vepron, bashkohet me intelektualët, që krijojnë “Koalicionin demokrat”, programin e shkruan ajo, u çojnë nota SHBA-ve dhe Anglisë për vëzhgimin e zgjedhjeve politike të 1945.        

Shkrimtare e plotë tashmë, me autoritet. Më shumë se sa poezi, tani është elegjia që po fillon të ndihet brenda saj, më e fuqishme se marshet e fitimtarëve. Një vit më pas, më 23 janar 1946 e arrestojnë përsëri Musinenë.

E nxjerrin në gjyqin ushtarak me 36 intelektualë të tjerë. Gjyqet bëheshin në teatrin që kishin ndërtuar italianët gjatë pushtimit. Në skenë, ku duhej të luhej ndonjë nga veprat e Musinesë, vendosej trupi gjykues, të akuzuarit, policët. Aktorë të vërtetë të një drame të vërtetë. Në lozha ndodhte që ta ndiqte gjyqin vetë Enver Hoxha. Ndoshta vinte monoklin në sy si në operat në Paris. Në altoparlantë që ishin vendosur jashtë në rrugë njerëzit e grumbulluar dëgjojnë zërin e Musinesë:

 “Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj… Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”.  Mbase Enver Hoxhës i është kujtuar që nëna e tij në Gjirokastër i kishte kërkuar nënës së Musinësë vajzën për djalin, që t’i martonin… Po janë kushërinj?! Musineja nuk donte absolutisht. E tmerronte ndryshimi kulturor e moral qé kishte me të. Enverit i kishte rënë në dorë një letër e vëllait të Musinesë, ku ai fliste keq, shumë keq për Enverin, e quante mizor, mediokër, hakmarrës, vagabond, mjerë vendi, po të vijë ai në pushtet… Ja që erdhi!? S’donte ajo, kuçka, të bëhej gruaja ime, do t’i zhduk nga faqja e dheut të gjithë Kokalarët…

Ndërkaq dikush i caktuar thirri në sallën e gjyqit se ajo, Musineja, duhet të dënohej me vdekje në litar. Kryetari i gjyqit F. N. tha: hë, a e dëgjove ç’kërkonte populli? Musineja me qetësi iu përgjigj: Nesër këtë do të thonë edhe për ju turmat. 

Dënohet me 30 vjet heqje lirie, aq sa vjeç ishte.

Në qelitë e burgut të Burrelit i vinin për vizitë bashkëpunëtorë të diktatorit, ministra të tij dhe i thoshin që t’i kërkonte falje Enverit. Nisën torturat, nga më banalet, deri dhe futje e maces në trup që ta çirrte me thonj, pastaj një polic nudo përballë… Musinesë i binte të fikët, por nuk dorëzohej.

Doli profecia e saj në poezi. U bë një lule e egër midis gurëve, jo pa kujdesin e njerëzve, por nën dhunën e tyre. Një ditë do të shtypesha prej ndonjë këmbe njeriu, shkruante Musineja, por atë e shkeli çizmja e tmerrshme e diktaturës.

Kaluan vite të rënda rrethuar me tela me gjemba, brenda mureve të pandryshueshëm të burgut, po ato njolla e brenga e uria gërryese e ajo lodhje e shpirtit e britma policësh e rojash. Po poezia? Edhe ajo në burg. Nuk dimë në ka shkruar fshehurazi poezi a ka mbajtur shënime, a ja kanë gjetur e konfiskuar a djegur. Por Musineja diçka tregon a të tjerë për atë, një poezi sysh… Kur dilnin të burgosurit në shesh për ajrosje a për larje, të ndarë nga gratë e burgosura, ajo u njoh me dikë, e dashuroi fuqimisht si pamundësinë, iu bë ëndrra dhe brenga me fuqinë e vdekjes… Mbas 16 vjetësh burg e lirojnë në vitin 1961 duke e çuar në një tjetër lloj dënimi, në internim, në Veri, në Rrëshen, andej nga malet. E vetmuar. Përsëri me policë. Dhe në punë té rëndë, shumë të rëndë dhe për burra. Punonte në ndërtim, me tulla, bënte llaç… Askush nuk i fliste. Më shumë se sa me policë, ishte e rrethuar me spiunë, të cilët kanë mbushur dosjet me raportime, se deri ku shëtiste ajo pasi perëndonte dielli, çfarë libri mori në bibliotekën e vogël të qytezës, si ishte krehur, si ishte veshur, thjeshtë por prapë bukur, sfiduese, çfarë tha tek fqinji i saj, tek shtëpia e rrënuar mes baltës. Të nesërmen prapë ulej në stolin e lulishtes së vetme, ku askush nuk e përshëndeste. Shkruante, merrej me folklor, por dhe ditar, rreth 1000 faqe… I vinte ta shikonte një nipi i saj, Platori. Dhe është mahnitëse se si ajo njihet me një shkrimtar të ri, Bilal Xhaferrin, edhe ai nga Jugu, por më thellë se Gjirokastra e saj, ai vinte nga Çamëria. Babanë e tij e kishte pushkatuar partia si nacionalist. Prandaj dhe s’ishte lejuar të studionte, të shkonte në universitet. Punonte në shtrimin e rrugëve, punëtor. Por shkruante poezi dhe tregime të shkëlqyera. Musineja iu gjend pranë. Iu bë mecenate shpirtërore, e udhëzonte. Nisi të botojë, por ia ndaluan botimin. Dhe ai u arratis në SHBA, por atje spiunët e fshehur në diasporë ia bënë gropën. E goditën me hekur kokës dhe e helmuan në spital në Çikago. Çudia tjetër, në vitin 1972 Musineja përfundon librin manifest “Si lindi Partia Social Demokrate”, fshehurazi. Dhe diktatori Enver Hoxha, me shumë bujë si zakonisht, i shton botimeve të tij librin “Kur lindi Partia”, por në vitin 1981. Ndërkaq në gjoksin e Musine Kokalarit kanceri ka hapur metastazat e veta. E çojnë në spitalin e Tiranës, aty i vinin për ta parë, gjithmonë fshehurazi mbesat, nipi – personazhe në librin e kujtimeve të Romës. Ajo vetë u bë lulja e fshehur e poezisë sé saj. Përmes lotëve të padukshëm kujtonte nënën e vdekur, si i kishin dhënë leje nga internimi ta takonte një herë e si pastaj nuk e lejonin. As në spital në kryeqytet nuk mund të vinte më. Edhe pse kishte aq shumé nevojë. Të domosdoshme. Por mjaft. Le të vdiste. Nuk mund     të harxhonin për një armike. Ishte orientim nga Partia. Dhimbjet shumëfishoheshin. Të tmerrshme. Lë një pusullë për të nipin: “Të shpëtojmë sa të mundim nga vlerat morale. Musine.”

Përmes vuajtjeve, që i duronte pa u ankuar, stoike, zemra e saj pushoi së rrahuri. Fqinji i saj i mbylli sytë. Balta përreth u bë më e zezë. Makina e zhavorrit, pa funeral, me arkivolin e varfër të saj përsipër, ikën me nxitim për në varrezat e qytezës. Dy punëtorë me kazma e lopata e mbulojnë shpejt e shpejt. Ishte viti 1983. Dy vjet më vonë vdes diktatori Enver Hoxha. Autobusët nga e gjithë Shqipëria shkarkonin njerëz gjatë gjithë javës së zisë kombëtare, i vinin në rreshta ta gjata për të bërë homazhe para kufomës të mbuluar me kurora dhe aroma dhe për të qarë me zë burra dhe gra. Nëpër gazeta vërshonin poezitë për atë…

NJË LULE TË ISHA DHE JO NJERI.

Kështu shkruante Musineja në poezitë e saj të para, në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Sot, kur janë hequr të gjitha statujat e diktatorit, u morën zvarrë nga sheshet, u thyen dhe me mermerin e tyre u bënë vajza nudo, që nuk lejoheshin nga ai në diktaturë, ndërkaq më fanitet Musineja e bukur, e qeshur, studente e përjetshme, ajo në gjyq, që akuzon dhe tani, guximtare, teksa janë vënë pllaka të mermerta, memoriale për të, jo vetëm në vendlindje, i është botuar vepra e plotë, i është dhënë titulli i lartë “Nderi i Kombit” si shkrimtarja e parë grua në letërsinë moderne shqiptare dhe si disidentja e parë grua në të gjithë perandorinë komuniste. Vuajtja e saj, qëndresa dhe dinjiteti mbi baltën gjeneral janë poema më e madhe. Një lule të isha dhe jo njeri, klithi ajo. E lodhi njeriu në luftën për të mbetur njeri. Të gjithë ne. Që të ishim të lirë në një atdhe të lirë bashkë me botën. Por Ajo deshi të ishte lule. Është. Tani Ajo është lulja e bukur e njeriut, e njerëzimit…  

______________________________________________________________

Parathenia e librit “Vitet e mia universitare” të Musine Kokalarit,

botuar në Itali, botuesi  “Viella”, 2016 

https://images-na.ssl-images-amazon.com/images/I/41H8vhwEgaL._SX356_BO1,204,203,200_.jpg

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2408
  • 2409
  • 2410
  • 2411
  • 2412
  • …
  • 2773
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT