• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian

February 10, 2022 by s p

PRISHTINË, 10 Shkurt 2022-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, ka mbërritur në Kosovë. Nga takimet në Prishtinë Presidenca dhe Qeveria e Republikës së Kosovës dërguan komunikatat:

Presidentja Osmani priti në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, të cilin e ka përgëzuar për detyrën dhe për rolin aktiv të shtetit të tij në rajonin e Ballkanit.

Në takim me z.Peach, Presidentja Osmani tha se Mbretëria e Bashkuar është ndër aleatët kryesor, me rol kyç në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës. Sipas saj, sa më i madh roli i këtij shteti në proceset e rëndësishme të rajonit tonë, aq më të mëdha e më të dobishme do të jenë rezultatet për qytetarët e Kosovës.

Presidentja Osmani, ka përgëzuar edhe Ambasadën Britanike në Kosovë, e cila sipas saj po bën punë të çmuar në mbështetjen e projekteve, duke përfshirë sundimin e ligjit dhe viktimat e dhunës seksuale.

Duke folur për zhvillimet aktuale politike, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut, si proces i përqendruar në njohje reciproke.

Sipas Presidentes Osmani, dialogu duhet t`i trajtoj palët në mënyrë të barabartë. Ajo ka përsëritur qëndrimin se pala kosovare është konstruktive në dialog dhe se Serbia po shkakton obstruksione duke mos i zbatuar marrëveshjet e nënshkruara. Në këtë kontekst, ka përmendur edhe ndikimin negativ të Rusisë në rajon si një tendencë e hapur për destabilizimin e rajonit.

Presidentja Osmani në takim me emisarin Peach ka theksuar se shteti i Kosovës është i përkushtuar për ta rritur bashkëpunimin me Britaninë e Madhe, sidomos në çështjet ekonomike dhe ato të mbrojtjes.

Filed Under: Politike

15 Vjet nga kalimi në amshim i Dr. Fuad Myftia

February 10, 2022 by s p

Nga Dalip GRECA*

Dr. Fuad Myftia, shkodrani që udhëhoqi legalistët në mërgim për 3 dekada.

Rrëfimi: Fashistët italianë e arrestuan në Shkodër, udhëtimi nën pranga deri në Prizren, si mundi të kthehej në Durrës pa shkuar në kampet e internimit në Itali; rrugëtimi nga Tivari në Brindizi; si i takoi krerët e mërgatës në kampin e rrethuar me tela me gjemba të Grumos e të Santa Farës; përplasjet mes legalistëve dhe ballistëve; takimi me Mbretin në Kajro; diplomimi në Firence; jeta në kampin e Lavros në Greqi; dasma e sponsorizuar nga shokët; si depërtoi i dërguari i Sigurimit në radhët e legalistëve, si ia ndërpreu Fuadi të dhënat Cufe Mullajt, që arriti të zgjidhej në krye të degës së Belgjikës dhe anëtar i Komitetit Qendror të Organizatës Legaliste; takimi i Madridit; kush ishin ata që kishin gëlltitur “supën” e Beogradit dhe si u zbuluan më vonë në aktivitetin antilegalist; përplasjet brenda partisë, kthimi në Shqipëri pas shembjes së komunizmit, kongresi i 13-të në Tiranë dhe “çorba” e Guro Durollarit…Kthimi i dekoratës presidentit… Këto e të tjera do të zbulojë dossieri që ka në qendër ish Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës “Lëvizja e Legalitetit”, Dr. Fuad Myftia dhe babanë e tij, Haxhi Salih Myftia… ***Biseda me Dr. Fuad Myftia u zhvillua në disa ditë në redaksinë e gazetës Illyria në Manhattan, që atë kohë ndodhej në katin e nëntë të hotel New Jorker mes avenues së shtatë dhe të tetë. Për shkak të shëndetit m’u desh që bisedat të mos i zgjasja më shumë se një orë për çdo ditë Dr. Fuad Myftia ka lindur në Shkodër me 28 korrik 1924, kur Shqipëria qeverisej nga kundërshtari më i ashpër i Mbretit Zog, Peshkopi Fan S. Noli. Familja Myftia shquhej për atdhetarizëm. Në atë truall bashkëjetonte binomi Atdhe dhe Fe. Babai i tij, Sali Myftija, ka qenë një fetar i shkolluar, filozof, pedagog i fesë Islame në Aleksandri, që kurrë nuk e ndau fenë nga Atdheu.- 7 prilli e bëri babanë tim më atdhetar se ç’ishte, pasi Italia e internoi nga Shkodra, në Gjirokastër, – krenohej me të atin Dr. Myftia, ndërsa ndjenjën fetare e kishte pjesë të shpirtit. Rrëfim për babanëDr. Myftia kishte dëshirë që rrëfimin ta niste me të atin: Salih Myftia ka qenë autodidakt. U arsimua me mësimet e fesë në shtëpi nga vëllezërit e tij dhe nga gjyshi. Feja muslimane ishte trashëgimi familjare për trungun Myftia. Për më tepër, në kodrat e Tepes, në qytetin e Shkodrës, ata kishin dhe një medrese, që ishte pronë e familjes. Mësimet fetare dhe gjuhën arabe Salih Myftia i ka marrë në shtëpi. Ishte një nga shqiptarët, që e ka zotëruar arabishten me themel. Ai arriti që të emërohej Kryemyfti i Shkodrës dhe Kosovës nga Mbreti Zog, që më 1929, duke zënë vendin e xhaxhait pas vdekjes së tij, ndërkohë që, në Aleksandri-Egjypt, ku do të emigronte pas luftës së dytë botërore, do të ishte profesor feje i një grupi të njohur intelektualësh të qytetit, ndërkohë, kur emigroi në Amerikë, u bë themelues i Qendrës Muslimane Shqiptare të Nju Jork-ut, New Jersey-t dhe Connecticut-it.- Axha tjetër ishte avokat, kurse gjyshi, Adem Efendia, ka qenë një prej fetarëve më të njohur në komunitetin shqiptar të Shkodrës. Babai i tij, që ishte katragjyshi i dr. Fuad Myftisë, Sali Efendiu, ka pas studiuar në Stamboll. Ai ka qenë studiues e profesor i fesë islame në medresenë e Tepes, prej ku dilnin hoxhallarët. -Aty ka pas mësuar edhe gjyshi, edhe axha,- sqaron trashëgiminë e Myftijëve, Dr. Fuadi.Pastaj më tregon një rrëfenjë, që atij ia kujtuan në fillim të viteve ’90-të, kur shkoi për herë të parë në Shkodër, pas shembjes së komunizmit:- Është një rrëfenjë, që tregohet edhe sot për gjyshin, Adem Efendiun. Ai kishte një kalë, dhuratë nga Sulltani, një at, siç i thoshim ne. Një ditë, pat takuar në rrugë një mikun e tij, i cili e kishte pyetur për djalin e vet që vazhdonte shkollën në medrese. Miku i thotë se ka shumë vite që djali i tij po shkonte në Medrese, por nuk kishte mësuar asgjë… – Mirë e ke, – i thotë Adem Efendia. – Ka nja katër – pesë vjet që ka ardhur djali yt në shkollë e nuk ka mësuar asgjë. Po, a e sheh ti kalin tim? Ky ka 25 vjet që vjen me mua përditë në shkollë dhe s’ka mësuar gjë prej gjëje…Kjo ka mbetur si anektoda e Adem Efendisë.Gjatë periudhës së revolucionit të Nolit, Sali Myftia nuk ka pasur probleme. Ai kujton prej babait se një pjesë e fanolistëve mbetën pa mbështetje pas ikjes së krerëve jashtë Shqipërisë, kur Mbreti u rikthye në pushtet.Kujton Fuadi: – Një prej miqve të Sali Efendisë ka qenë Hafiz Ibrahim Repishti, deputet i kohës së Nolit. Edhe pse kundërshtarë politikë ne ishim fqinj të mirë, ishim miq. Shtëpitë i kishim në rend, mbaronte baçja jonë dhe fillonte shtëpia e tyre. Ai ishte shok i ngushtë i babës, fetar, nacionalist, pavarësisht se kishte marrë pjesë me revolucionin e Nolit. Atë e kërkonte qeveria dhe rrinte mbyllur. Prej bahçes dilte tek ne dhe e kemi mbajtur për një kohë shumë të gjatë në shtëpinë tonë, deri sa i doli falja. Shkak u bë Musa Juka, që pat ardhë për vizitë, i cili, kur e mësoi të vërtetën, i tha që të dilte. Më vonë qeveria e fali.Fashistët e internuan Salih Myftinë në GjirokastërPushtimi fashist e gjeti Salih Myftinë në radhën e atyre që e urryen dhe kundërshtuan pushtuesin italian.- 7 prilli, – thoshte Hysen Mulosmanaj, – e ndryshoi Sali Myftiun prej petkut fetar, në petkun kombëtar…Fuadi më tregon gazetën “Atdheu” të maj-qershorit 1978, e cila i ka kushtuar një numër të veçantë aktivitetit të hirësisë së Tij, Salih Myftija, me rastin e vdekjes. Fjala e Hysen Mulosmanajt zë vendin kryesor në atë numër special, ku i gjithë numri i kushtohet klerikut të nderuar.- Unë them se Sali Myftija, babai im, ishte ndër të parët që, në maj të 1939-ës, u pushua nga puna si myfti, detyrë që s’kishte të bënte fare me politikën. U arrestua ndër të parët e u internua në Gjirokastër, ku qëndroi jo pak por 18 muaj. Arsyeja e internimit dhe izolimit ka qenë se ishte shqiptar i mirë, i dhimbsej Atdheu edhe pse ishte përkrahës i regjimit mbretëror. Ai kishte idealin e tij se vetëm mbretëria mund t’i jepte shpresë, mund t’i sillte popullit shqiptar lirinë.- Para se ta internonin, në prill-maj, – kujton Fuadi-ishte shumë aktiv në çështjen antifashiste. Ditë e natë shtëpia jonë ishte e hapur, se babai ishte personalitet, të cilin e besonte një pjesë e mirë e popullit dhe i vinte pas. Hyrjet e daljet në shtëpinë tonë ranë në sy të autoriteteve të qeverisë së Jakomonit. Mëkëmbësi i Viktor Emanuelit i thotë babës që duhej patjetër të linte Shkodrën, ngaqë ishte njeri me influencë dhe i prishte punë Italisë. Fuadi, që kishte lidhje të ngushta shpirtërore me të atin, tregon se në Gjirokastër, në atë kohë prefekt ishte Daut Çarçani, mik i ngushtë i babës. Kur e mësoi prefekti Çarçani internimin e Salih Efendisë, ka shkuar e ka takuar dhe i ka thënë që ishte bërë mirë që e kishin sjellë në Gjirokastër dhe jo në një vend tjetër, se aty mund ta ndihmonte ai. Ndërkaq populli i Gjirokastrës, nacionalist dhe bujar, në kohën që ishte baba atje, ofronte ndjenja antifashiste, spjegon Fuadi. Gjirokastritët e shihnin Salih Myftinë duke kaluar nëpër rrugët e qytetit, por fillimisht frikeshin prej italianëve dhe i qëndronin ftohtë, ngaqë ishte i internuar. Dr. Fuadi solli edhe këtë kujtim nga i ati: Një ditë prej ditësh babai kishte dalë me prefektin nëpër qytetin e gurtë. Një person, që fatkeqësisht e vranë komunistët, Muzafer Shehu, tregtar në Gjirokastër, i thotë se kishte kohë që e shihte sa herë kalonte poshtë e përpjetë dhe s’kishte guxuar t’i fliste, por tani që po e shih se po shëtiste me prefektin, dyqani dhe shtëpia ime është edhe e jotja, e kishte ftuar bujarisht ai. Ato fjalë Muzaferi i mbajti deri atë ditë që babai u kthye nga internimi. Fatkeqësisht, më 1943, komunistët e pushkatuan Muzaferin, siç pushkatuan një grup të madh intelektualësh e tregtarësh gjirokastritësh.Kur Salih Myftija u takua me të atin e Enver HoxhësBabai i ka treguar Fuadit edhe një ndodhi me të atin e Enver Hoxhës, Halilin. Ja rrëfimi i tij:- Baba më tregonte në të gjallë të tij se në atë qytet ishte një teqe, ku shkonin shumë miq e shokë. Një ditë shkon një hoxhë, i cili mbante në dorë një gazetë fashiste. Baba i thotë se ishte antifashist dhe nuk bënte mirë që vinte në teqe me atë gazetë, se po e kompromentonte tek antifashistët e tjerë. – Myfti efendi, – i thotë ai, – ti nuk e di se çfarë halli kam unë. – Çfarë halli të mundon, bir i perëndisë? – e ka pyet baba.- Unë kam një djalë, mos e paça, një djalë që s’meriton të jetë djali im, komunist e i pa fe e mua më duhet, dashje pa dashje, të marr gazetat e fashizmit, që ata të mos kenë dyshim tek unë si i ati i kryekomunistit…- E kush ishte ai djalë? – e pyes unë.- Ishte Enver Hoxha, ndërsa hoxha me gazetën fashiste ishte ati i tij… Salih Efendija ka qëndruar i internuar në Gjirokastër për 18 muaj. Kur u kthye në Shkodër, doktor Behxhet Sharpati, një mik i ngushtë i tij, kërkoi që ai të kthehej prapë në pozitën që pat para internimit si Myfti, megjithëse vendin ia kishte zënë një fetar, që do t’i shërbente më vonë edhe regjimit të Tiranës.- Ky, që i kishte zënë vendin, ishte njeri shumë i mirë, familje shumë e ndershme, por njerëzit gabojnë. Baba nuk pranoi, duke thënë se nuk bashkëpunonte me fashizmin, – arsyeton Fuadi. Po ç’vepra la pas Salih Myftija-pyeta Fuadin.- Ç’të them. Ai ishte i përkushtuar dhe punonte me gjithë shpirt. Me rëndësi ndër veprat që mbahen mend, ka qenë ndërtimi i xhamisë së Parrucës, me ndërmjetësinë dhe udhëheqjen e tij. Xhamia e Parrucës u ndërtua në vitin 1937. Shkodra nuk kishte një xhami, ashtu siç e meritonte, ta zëmë si Durrësi, që kishte ndërtuar një xhami me dy minare. Shkodranët i thonë babës se në Shkodër duhet të bëhet një xhami, sikurse ajo e Durrësit, ndofta edhe më e mirë. Baba pranoi. Mirëpo, para kësaj kohe, kryetar i Bashkisë ishte Zenel Prodani, prej Korçe, personalitet shumë i lartë, intelektual, shqiptar shumë i mirë dhe besnik ndaj shqiptarëve. Ky ka qenë një nga nismëtarët që ia futi babës në mendje këtë gjë. E kemi pasur edhe mik shtëpie. Kryetari i Bashkisë i thotë se do të jepnin një fond shumë të mirë për ndërtimin e një xhamie të re, ashtu siç e meritonte qyteti i Shkodrës, me dy minare. Të gjitha xhamitë, kishat katolike e ortodokse dhanë një kontribut prej rreth 500 napolonash flori. U mblodhën shkodranët. Të gjithë ishin gati të kontribuonin, mirëpo ndërhyri politika. Në fakt, në mes ishin interesat personale që prishnin punë, ndoshta edhe egoizmi. Krerët u ndanë më dysh. Erdhën disa hoxhallarë kundërshtarë, (ishin ata që më 1939 i çuan Jakomonit kurorën dhe lulet). Ata kundërshtuan ndërtimin e xhamisë në vendin që caktoi bashkia, me pretendimin se afër ishin varrezat. Ky ishte preteksti. Baba u përgjigjet se e dinte që nuk ishte vend ideal, por kur nuk kishin për të gjetur një vend tjetër më të mirë për xhaminë, më mirë ta bënin aty. Atëherë në Egjypt e kryesonte komunitetin mysliman një mik i babës me të cilin kishte korrespondencë. I shkruan një letër dhe i tregon historinë. Ai i kthen përgjigje, ku i shkruan se më mirë është të bëhej një xhami, edhe pse ishin varrezat pranë, se sa të mos bëhej fare. Xhamia u bë dhe ajo do të krenonte për shumë kohë shkodranët muslimanë. Xhamia u ndërtua madhështore, por Enver Hoxha e prish në 1967 kur i shpalli luftë Zotit!Salih Myftia, në Aleksandri Kur i kërkova që t’më tregonte më shumë për aftësitë fetare të atit të vet, Dr. Myftia, më afroi librin e Imam Vehbi Ismailit“Disa fetarë e patriotë muslimanë shqiptarë”, ku Salih Myftia zë vendin e nderit. Imam Vehbi Ismaili i ka kushtuar shumë faqe të librit të tij kryemyftiut të Shkodrës dhe Kosovës, udhëheqësit shpirtëror të muslimanëve shqiptarë në botën e lirë. Ai përshkruan me respekt devocionin e Salih Myftisë, përkushtimin e tij fetar e atdhetar, aftësitë e tij organizative e shpirtrore; ai formoi Qendrën Islame Shqiptare për shtetet Nju Jork dhe New Jersey. Salih Myftia kishte lënë përshtypje të thella jo vetëm tek populli i vet, por edhe tek egjyptianët mes të cilëve ai qëndroi prej vitit 1947. Ja çfarë kujtimi ka lënë pas Imam Vehbi Ismaili: “Në vitin 1973, pasi kreva detyrën e Haxhillëkut për herë të dytë, u ktheva në Kajro për të pushuar dhe për të takuar disa shokë. Ndërsa një natë po rrija në dhomën time në hotel, më telefonuan nga sporteli se kisha ca mysafirë, që donin t’më vizitonin. U thashë të ngjiteshin lart. Arritën, por nuk i njihja; ishin gjashtë vetë, dy mjekë, dy inxhinerë dhe dy avokatë. Pasi paraqitën veten më thanë: – Morëm vesh se ke ardhë prej Amerike dhe se e njeh Efendi Salih Myftiun. Erdhëm që të pyesim për shëndetin e tij. Kur i pyeta se ku dhe si e kishin njohur ata Salih Efendinë, m’u përgjigjën: – Ne jemi prej një grupi intelektualësh që gjatë viteve që Salih Myftia banoi në Aleksandri, në një prej xhamive të atij qyteti, ai na shpjegonte për disa orë, për çdo javë teologji e filozofi…Këtë gjë nuk e dija më parë e kjo më bëri ta dua dhe ta admiroj, ta çmoj më tepër, shkruan Imam Vehbi Ismaili dhe shton: – Në qendrën e kulturës islame dhe arabe në Egjipt, Salih Myftia, shqiptar, u jepte mësime në gjuhën arabe mbi Kuranin dhe fjalët e Profetit, intelektualëve egjiptianë! Ky ka qenë haxhi Salih Myftia, kudo ka nderuar vehten dhe mbarë popullin shqiptar, i përfundon shënimet e veta Imam Vehbiu.Po si rrodhi jeta e Salih Myftisë dhe e të birit, Fuadit, në vitet e vështira të Luftës së Dytë Botërore? Pas internimit…Tregon Dr. Fuati- Sapo u liruam nga internimi, me nacionalistët e mbretërorit e zogistët e Shkodrës formuam organizatën “Besa Shqiptare”, ku bënin pjesë Ndoc Çoba, Kol Piri, Shefqet Muka, Ragip Lohja e shumë personalitete nacionalistë antifashistë. Çdo aktivitet antifashist në Shqipëri, qoftë me demostratat e para që u bënë më 5 prill 1939 e më 7 prill, të drejtuara nga Profesor Alush Lleshanaku, që në atë kohë jepte mësim në gjimnazin e Shkodrës, e deri në ditët e fundit, nuk jam ndarë me shokët e mi nga demonstratat antifashiste. Policia më kishte vënë vizë të kuqe. Prefekti i Shkodrës, miku i ngushtë i familjes, shqiptar intelektual, i thotë një ditë babës:-Kujdes Salih Efendi! Djalit i kanë vënë vizë të kuqe dhe është deklaruar antifashist. Një ditë mund ta arrestojnë. – Ishin kohë të vështira. Shkodrën e kishte marrë ushtria në dorë dhe jetonim në rrethim ushtarak. Në Shkodër komandonte gjeneral Azzi, komandant i ushtrisë italiane. Ai filloi nga arrestimet. Arrestuan Sabri Bushatin, Afiz Sali Krajën, Muhamet Repishtin e shumë të tjerë. Ndërkaq, unë u fsheha për nja dy javë e shkova tek disa miq. Kur mbaruan arrestimet, baba më çoi fjalë që të kthehesha. Bahçe më bahçe, arrita në shtëpi. Aty gjeta disa miq të familjes sonë, të gjithë të armatosur. Ishin prej Malësisë së Shkodrës, ishin nja 15-20 vetë. Ishte një kohë shumë e turbullt. Qëndruam duke biseduar dhe, kur shkoi ora 1 pas mesnate, shkuam për të fjetur. Shkova në dhomën time. Poshtë rrinte një fshatar, që e kishim si djalin e shtëpisë. Ai dhe nëna e tij, me përkatësi fetare katolike, jetonin dhe ushqeheshin në shtëpinë tonë. Ne ishim shokë me djalin, visheshim njësoj, ishte njeri besnik. Fatkeqësisht humbi jetën mbas ardhjes së komunizmit në përpjekje me forcat komuniste. Ai erdhi e më tha të iknim se kishin ardhur italianët.Arrestimi i Fuadit Ishte rrethuar krejt shtëpia dhe bahçja përreth. Ata u ngjitën lart dhe kërkonin dokumentat. Erdhi baba. Unë nxorra dokumentat. Ata më panë me vëmendje; më kërkonin mua. Më arrestuan, më lanë të vishem dhe dolëm jashtë, ku na priste një kamion. Atje ishte Man Tepelija me disa shokë. Ata kishin ndalur makinën para shtëpisë sonë dhe kishin frikë se mos po arrestonin përsëri babën. Kur më pa mua, më tha: -Më mirë ti, se sa baba. Ti je i ri, e përballon. Na çuan në kodrat e Tepes. Aty na mbajtën të rrethuar për shumë kohë. Mbas nja tre-katër javësh na çuan të shoqëronim batalionet italiane në Kosovë dhe në vende të tjera. Të arrestuarit i merrnin tre e nga tre dhe kjo vazhdoi gjashtë ditë. Më doli emri edhe mua edhe një djali të ri nga Shkodra, si dhe një ushtari që kishte dezertuar. Na futën në kamion dhe na zbritën nga kodrat e Tepes midis pazarit të vjetër. Një mik i shtëpisë, që më kishte parë mua në kamion, shkoi më pas në shtëpi për t’u treguar rreth meje. Ishte muaj Ramazani. Mbasi hëngri iftar, u tregoi njerëzve të mi. Zijai erdhi me makinë për t’më takuar. Pasi erdhi rreth e rrotull një copë herë, ne ishim të rrethuar dhe ai e kishte të vështirë t’më takonte, dikur nxorri kuletën dhe na afrohet. Unë isha në mes dy të tjerëve dhe nga të dy anët isha i lidhur me pranga, këmbët dhe duart i kisha të lidhura me të dy shoqëruesit. Kur e pashë Zijanë, u çudita. I thashë të mos i thoshte as nënës, as babës e askujt tjetër. Më dha disa pare, të cilat mezi i futa në xhep, ashtu duarlidhur. Ai priti gjithë natën jashtë për të mësuar se çfarë do të bëhej me ne. Në mëngjes erdhën e na morën me kamionë të ushtrisë italiane për të shoqëruar ushtarakët, që shkonin nga Prizreni, në drejtim të Dakau-t. Me kamion kemi udhëtuar deri në Vaun e Dejës. Kaluam Pukën e, para se të hynim në Kukës, në krahun e djathtë, u dëgjuan disa të shtëna. Italianët kujtuan se ishin guerrilasit antifashistët për të bërë ndonjë atentat, prandaj ndaluan krejt autokolonën. Ne nuk e dinim se pas nesh, në të njëjtën kolonë, udhëtonin në një kamion nja dhjetë shqiptarë. Ata kishin informacion se ne ishim në kamionin para tyre. Dy karabinierë të armatosur na afrohen dhe na urdhërojnë të zbresim në tokë. – Shqiptarë ?- na pyesin. – Po,-përgjigjemi ne. Njëri prej tyre, nipi i Llesh Marashit, më njihte. Më tha të mos mërzitesha se në qoftë se ndodhte ndonjë gjë, ata do të ishin pranë nesh dhe do t’na ndihmonin. Por nuk ndodhi gjë. Ata që kishin qëlluar ishin gjahtarë dhe po ndiqnin gjahun. Në Prizren arritëm në darkë. Ishte Ihftar. Shihnim lumin, kalanë mbi qytet, dyqanet tradicionale, ushqimet e bollëkun, që ishte në atë kohë atje dhe habiteshim. Na çuan në një vend, ku kishin mbledhur disa profesorë shqiptarë që ishin në Kosovë për të dhënë mësim. Ata ishin intelektualë. Njoha Musa Dizdarin, Fadilin, e njëri prej tyre më njohu. – Po ti?! – më thotë. – Çfarë don këtu? I tregova se s’dija asgjë pse isha aty dhe ku po na çonin të lidhur me pranga…E pyeta:- Po ti çka don këtu? – Ne na pret kamioni nesër me na çu në ndonjë vend tjetër. Të nesërmen në mëngjes erdhën e na morën ne të tre me një kamion, që do të kthehej. Pritja ishte e ankthshme. Një kamion u kthye nga shkolla për të sjellë një grup tjetër profesorësh. Ky kamion nuk u kthye, derisa ishim ne në atë vend. Ndoshta i kishin harruar aty. Më në fund na lëvizën; hipëm në kamion dhe shkuam deri në Pukë. Atje, xhandarët na zbritën dhe na futën në xhandarmëri. Një burrë i gjatë më shikonte dhe e shikoja. Isha në atë kohë 18 vjeç. Më vjen afër e më pyet se i kujt isha. I tregova. – Ti je Fuadi?- më pyeti. Na zgjidhi e na tha se do të na binte të hanim çfarë të donim. Të nesërmen na hipën në kamion e drejt e në Shkodër. Prej Shkodre, në Tiranë. Nuk e kisha kuptuar gjithë këtë ecejake plot ankth e misterie.Ka qenë 14 shtatori i vitit 1943. Na çuan në zyrën e S.I.M.I.-t, spiunazhit ushtarak italian. Atje, një kapiten me mustaqe, nja 45 vjeç, na uli të treve. Ndërkaq, në Durrës ishte ankoruar një vapor, që do të nisej për në Itali. Me të italianët do të transportonin disa shqiptarë të arrestuar, për t’i internuar në Itali. Atje donin të na çonin edhe ne. Në kohën që vijnë dy ushtarë e i thonë kapitenit se ishin gati për t’u nisur, ai ua ktheu: – Këta janë të lirë. Italia kapitulloi. Ai nuk bëri zë, por erdhi për të na thënë se ishim të lirë. Dolëm në Tiranë pa asnjë lek në xhep. Ku të shkonim? Mbaja mend vetëm hotelin “London” në qendër të Tiranës. I zoti i hotelit ishte shkodran. Morëm një karrocë dhe shkuam atje. Kur mbrritëm, shoh babën me një dhëndër, Ibrahim Hoxhën. Kur më panë, u habitën. U tregova historinë. Ata mbetën të habitur, por dhe u gëzuan që aventura kishte përfunduar pa na dëmtuar. Morëm makinën për t’u kthyer në Shkodër. Ndahemi me ushtarin dezertor, me të cilin qeshë lidhur në pranga, ndërsa shokun tjetër të prangave e morëm me vete në makinë. Gjermanët sapo kishin ardhur në Shqipëri. Sapo kalonim Lezhën, dëgjuam një shpërthim mine. Do të kishim mbetë nën mina, sikur të ishim vonuar për pak minuta.Aventura drejt ItalisëÇfarë ndodhi pas kapitullimit të Italisë fashiste me familjen Myftia dhe me nacionalistët e zonës së Veriut ?- e nxis bisedën me pyetje. Dr. Fuadi tregon se pas kthimit në Shkodër aktiviteti antinazist vazhdoi. Fillimisht të rinjtë nacionalistë antinazistë vepronin në radhët e “Besa-Besë”, derisa iu bashkëngjitën organizatës “Lëvizja e Legalitetit”, e cila u formua me 20 nëntor 1943, në Zall Herr të Tiranës. Ai kujton se ishin bashkëngjitur me ta edhe personalitete ushtarake, të cilët kishin qenë më parë oficerë të mbretit. Ndër ta ishin 5 oficerët e Malësisë së Madhe së bashku me Llesh Marashin, i cili më vonë, pas çlirimit, nuk i hodhi armët kundër komunizmit, derisa e varën në litar. Në kujtimet e Fuadit qëndron e freskët ditëthemelimi i organizatës “Lëvizja e Legaliteti” në Zall Herr, ku delegacionin e Shkodrës e kryesonte Ndoc Çoba, ish kryetar i bashkisë, intelektual me zë i Shqipërisë.- Edhe ne si të rinj, deklaruam organizatën kombëtare “Organizata e Legalitetit” për Shkodrën, – thotë Myftia.- Po babai juaj, ç’qëndrim mbajti gjatë ardhjes së nazistëve pasi u kthye nga internimi prej Gjirokastre?…* Fragment nga libri në proces botimi

Filed Under: Opinion

NË PEJË, PËR POETIN AZEM SHKRELI…

February 10, 2022 by s p

Visar Zhiti

E njoh poetin e këtij qyteti, 

jemi takuar 3 herë, 

ndërkaq qyteti tani është bërë i poetit, 

mund ta gjesh gjithandej… 

Herën e parë e pashë, kur unë do të vdisja, 

herën e dytë: po vdiste një kohë 

           e unë po dilja nga ferri, 

herën e tretë: unë isha pakëz i gjallë 

dhe ai pakëz i vdekur, 

ishte libër më shumë, ishte dhe kujtim, 

jo, në fakt ishte kujtesë dhe frymë, 

na jepte frymë, dua të them. 

E dua qytetin e poetit 

që përkujton, ashtu si luftën dhe qëndresën, 

dhe poezinë e tij, 

që nëpër pemë shikon shtatin e jetës së poetit, 

që nëpër rrugë ndjek ecjen e vegimeve të poetit, 

që nëpër drita merr dritën e syve të poetit, 

që nëpër fjalë risjell zërin e poetit, 

se ikja e tij është ardhje,

se kthimi i tij është frymëzim, 

se vepra e tij është liri, 

se vdekja e tij është mosvdekje… 

E dinte ai një fjalë prej guri, 

po cila është? – pyesja unë. 

Ai heshtte dhe buzëqeshte. 

Shkoi në qiej dhe kur zbriti prapë në tokë, 

             i plasi zemra si një zog, që bie i goditur. 

Befas e mësova dhe unë atë fjalë, 

po e them shpejt e shpejt se do të iki, 

                                            është emri i tij tani. 

Po Pejë ç’do të thotë? – mund të më pyesin, 

                                            kur të mbërrij. 

Pe, eja… Pe-ej… Shikove? Të shikosh do të thotë 

                                           të nxësh. Të vish, 

do të thotë se duhesh… Janë fjalë prej guri, 

      kanë lidhje me kohët që ikin e vijnë, 

                                            punë perëndish, 

                            ose poetësh, desha të thosha… 

Durrës-Pejë, 21. 05. 2011

_______________________________________

(nga libri me poezi “Si është Kosova” Visar Zhiti, 

botimet “Buzuku”, Prishtinë 2014.

Filed Under: LETERSI

Kënga himarjote, Neço Muka dhe Vajza e Malit 

February 10, 2022 by s p


Gezim Zilja

Bashkë me “ Vajzë e valave” poezia “Vajza e malit” me autor Neço Mukën, hyn në kryeveprat e poezisë popullore: ajo të mahnit nga thjeshtësia me të cilën ai arrin të shprehë ardhjen e pranverës dhe botën shpirtërore të dy të rinjve në një dashuri fatale. Sa më thjesht fjalët, vargjet, figurat letrare me atë rimën e pakrahasueshme të poezisë popullore,  aq më lehtë poezia e kënga, kuptohen e bëhen një me shpirtin e njeriut. Mendoj që Neço Muka, kur krijonte këto poezi njëkohësisht i këndonte nën zë në avazin himarjot, duke menduar madje dhe grupin e këngëtarëve. Sepse jo çdo grup mund t’i këndojë këto këngë. Vështirë që grupe polifonike të mbretërisë së këngës labe, të hyjnë në sinorin e njëra-tjetrës, sidomos te ajo himarjote. Nuk është e lehtë të këndohet kënga labe në përgjithësi dhe ajo e bregdetit në veçanti. Do butësi, do ledhatim, do burrëri, do shpirt, mjeshtëri, zemër, dashuri, do zërat e gjithë zogjve këngëtarë dhe mbi të gjitha shkrirjen e  zërave në harmoni të plotë. Ndryshe nuk mund të futesh “byçyk” e të bësh eeeeee kot. Jo për gjë, po bëhesh “gazi i botës” e lebrit e mirë qeshin  e kënaqen, duke të ngacmur miqësisht. Andaj dëgjojeni këngën polifonike, shijojeni e po patët pak veshë muzike mund të bëni dhe iso. Nëse nuk janë bashkë shtatë apo trembëdhjetë himarjotë puro, kënga do të çalojë. Nuk do të vejë keq, gjithsesi por:  Mirë vete, mirë, thonë ekspertët  e këngës labe në kësi rastesh, po ja se ç’ka diçka që i mungon. Nuk e gjen dot se çfarë por ja që i mungon. Ndoshta se mungon Kristua, Katina, Eleni, … Sa për Dhimitër Varfin lere mos e nga. Nuk lind më këngëtar si ai. 

Kënga që përmenda më sipër është këngë e një dashurie të parealizuar, atje lart në male, ku pastërtia e shpirtit dhe e zemrave që dashurohen janë ende të pandotura nga “qytetërimi,” është një dashuri qiellore, absolute. Tetë vargjet e para  lajmërojnë ardhjen e stinës së rigjallërimit. Erdhi prilli shkriu bora maleve/ Mbani vesh bie këmbora majave. Më tej tepër shkurt, por plot ngjyra, poeti jep ngazëllimin dhe ndryshimin e madh që jep muaji prill, në ripërtëritjen e gjithçkaje: barit, luleve, pemëve, lëndinave, pyjeve por dhe gjithë gjallesave me kryezotin e tyre, njeriun. Ai veçon në gjithë bukurinë pranverore një çift zogjsh: Zogjtë dy nga dy jetojnë në fole/ Çajnë qiellin e shkojnë si rrufe. Por nuk është e thënë. Në këtë bukuri mahnitëse, Neço Himarjoti bën një kthesë 180 gradë: kalon në një gjendje shpirtërore krejt tjetër. I kujtohet një dashuri e madhe, e vjetër, që vazhdon, nga ato që rrojnë edhe pas vdekjes, duke u  përjetësuar në këngët e kujtimet e njerëzve. Prandaj vazhdon: Pashë një bilbil mënjanë pa një shok/Pse s’këndon po rri dhe qan, e qan me lot?/Është vajza, vajza e malit si  një yll/Si  një lule, lule majit trandafil/ Është ajo që dashurova që me koh’/ Dy tre vjet për të lëngova sa ta shoh. Nuk dihet pse djali është larguar dhe vajza e ka pritur plot tre vjet por tashmë ajo ndjen pendim, që nuk shkoi pas tij kur ai e kërkoi.Vijnë pastaj vargjet, që godasin drejt e në zemër në kundërshtim me gjithë atë bukuri të rrallë të natyrës e shkëlqimit diellor. Po ti ç’bën atje e vetmuar- pyet djaloshi- Si më harrove ashtu krejt … Përgjigja e vajzës vjen e menjëhershme,rrufe, e pastër, e fortë  që nuk le asnjë dyshim; Jo mor jo s’të kam harrua s’të harroj/ Brenda thellë e kam të shkruar, sa të rroj. Duhet të dëgjoni këngën himarjote kënduar nga bilbilat e atij vendi të bekuar, për të kuptuar sa e bukur është gjuha shqipe, sa shprehëse, në këtë rast e përcjellë me një iso hyjnore, që të çon në një botë tjetër. Edhe pse shpirti është i rënduar, mbushet plot dashuri dhe besim. Duket sikur trembëdhjetë fyej e bilbila këndojnë njëherësh; vajza që ia merr me zërin unik të bregut, hedhësi me një zë të papërsëritshëm, kthyesi me zërin grykor, gjoksin zbuluar, që gufon  nën këmishën e shkopsitur, ku isoja e tejzgjatur ( nuk hahen zërat, vete gjym, thonë ekspertët ) përcjell këngën atyre brigjeve e kodrinave të gjelbëruara, që fashitet dalëngadalë në ujrat e qeta të Jonit të kaltër.

– Ndjen gjë ti-  i thash Dem Berishës, këtu e pesëmbëdhjetë vjet të shkuara atje në tavernën e Elenit, kur grupi prej trembëdhjetë himarjotësh nën komandën e Kristo Çipës këndonte këngën e “Vajzës së Malit”. Miku im mbante iso me gojën pakëz të hapur dhe fytyrën thuajse të ngurtësuar. Ai burrë malsie mu përgjigj: – Ndjej si nuk ndjej. Më dridhet mishi. Po nuk i kuptoj dot të gjitha fjalët se më pengon isua. -Ta shpjegoj unë,- i thashë – sa të mbarojë kënga. Plot njerëz aty rrotull, të mbledhur nga të gjitha anët dëgjonin e shijonin këngëtarët dhe atë histori dashurie. – S’ka gjë vazhdoni,- thoshin plot kënaqësi. Ndërkohë shishet e verës vinin nga të gjitha anët dhe po aq shpejt boshatiseshin. Një djalë i ri, pjestar i grupit më shkeli syrin, nënqeshi e më tha ca fjalë, që nuk i harrova kurrë. – Do lagur farfalla ( gryka) professor. E do shpirti këtë të uruar verë. Ndryshe si mund të këndohet labçja? -Hë, si mbaron kënga ? më përmendi Dema. – Vajza vdes. Ishte sëmurë nga meraku për djalin. Ajo kërkoi falje dhe i la një amanet:  Por duke ikur nga jeta kam një fjal’/Dua që të di e shkreta në më fal,/N’atë varr pas disa muaj pas një vit,/Thuaj të më vend dhe mua ndonjë kryq. Miku im verior më dëgjonte me vëmendje. –Ah! Qenka histori e vërtetë !? – Po Dem e vërtetë. Dhe mbaron me vargjet: O dynja, dynja e bukur të lë shpejt/ Dhe ti djalë qofsh i lumtur me shëndet,/Lamtumirë o për jetë! Kishte kaluar me kohë mesnata. Yjet e gushtit kishin filluar të këputeshin një e nga një dhe hëna sa kishte filluar të stërpikte me argjend gjirin e Spilesë. Ndërkohë trembëdhjetë bilbilat e Himarës pasi kthenin gotën e verës me fund, shijonin mishin e pjekur dhe përgatiteshin për një këngë tjetër. Duket sikur sapo ishin kthyer fitimtarë nga një betejë. Dhe ashtu ishte: Të këndosh këngën himariote është një betejë që jo të gjithë munden ta fitojnë. Po ata djelmosha lindur e rritur nën gjelbërimin e përjetshëm, buzë Jonit të kaltër me Malet e Vetëtimës si një kurorë e bardhë mbrojtëse mbi supe, ia dolën. S’kish si të ndodhte ndryshe. Janë një: ata, kënga, trimëria dhe historia e vet Himarës me dashuritë e betejat e saj, që të mrekullojnë e të bëjnë për vete. 

Vajza e malit

Erdhi prilli shkriu bora maleve

Mbani vesh bie këmbora, majave.

Hej pranvera vera, vera sa gëzim

Këndojnë zogjtë nëpër ferra pa pushim.

Gjithë natyra ka ndryshuar dhe ndryshon

Tokë e gjithë u zbukurua , lulëzon.

Zogjtë dy nga dy jetojnë në fole,

Çajnë qiellin e shkojnë si rrufe.

Pashë një bilbil mënjanë pa një shok,

Pse s’këndon po rri dhe qan e qan me lot?

Është vajza vajza e malit si  jë yll

Si  jë lule, lule mali tranadafil

Është ajo që dashurova që me koh’

Dy tre vjet për të lëngova sa ta shoh.

“O moj vajzë kanakare ç’bën atje?

Mua më harrove fare, ç’zemër ke?”

A s’më njeh? M’harrove fare!  Ç’zemër ke?

Vajza më shikon një here, plot me lot,

Me hidhërim si në skëterre dhe më thot’:

Dashurinë s’e kam harruar, s’e harroj,

Brenda thellë e kam të shkruar, sa të rroj.

Por tre vjet që jemi ndarë gjithmonë,

Natë e ditë duke qarë e shkova kohn’.

Q‘atëherë jam e tretur, le ç’e do,

S’kam shërim me ç’më ka gjetur jo, mor jo.

Tashti unë vajta shkova shumë shpejt,

Dhe të rit’ s’e gëzova mos pyet.

Shorti im kështu më shkroi kështu qe,

Shumë shpejt më afëroi për nën dhe.

Por duke ikur nga jeta kam një fjal’,

Dua që të di e shkreta në më fal?

N’atë varr pas disa muaj pas një vit,

Thuaj të më vend dhe mua ndonjë kryq.

Tashti nëm dorën tënde dhe një here,

Mos m’harro, po më mbani në mendje kurdoherë. 

O dynja dynja e bukur të lë shpejt,

Dhe ti djalë qofsh i lumtur me shëndet!

Lamtumirë o për jetë! 

Filed Under: ESSE

IN NFL HISTORY – LIRIM HAJRULLAHU, KRISTJAN SOKOLI

February 10, 2022 by s p

Dallas Cowboys kicker Lirim Hajrullahu warms up before a preseason NFL football game against the Dallas Cowboys in Arlington, Texas, Saturday, Aug. 21, 2021. (AP Photo/Ron Jenkins)

 by Rafaela Prifti/

Super Bowl LVI will be underway on Sunday evening. At the end of a sensational season, two teams won their respective conference championships, the Los Angeles Rams and the Cincinnati Bengal. The 2022 Super Bowl marks the first time these teams meet in a championship game. This year the LA Rams are playing a “home” game at the Rams’ home stadium in Inglewood, California..

Whether you follow your favorite NFL team, appreciate the strategic thinking that goes into running the ball down the field, are curious about the pervasive football references or you just like to tune in the Super Bowl for the entertainment and the commercials, there is no denying that the experience is an integral part of the American culture. I took the opportunity to read up on the story of the Los Angeles Rams and it did not disappoint. I came across the Kosovo/Canadian kicker Lirim Hajrullahu, who has great stats and a career-long kick of 56 yards. The AFI noted that throughout his Canadian Football League career which included playing for the Winnipeg Blue Bombers, Toronto Argonauts and Hamilton Tiger-Cats,Hajrullahu has proven his leg strength. He was hitting three-pointers on Canadian soil from nearly 80 yards. Following the 2019 CFL season, Hajrullahu was released by the team to allow him to become a free agent to pursue NFL opportunities. In 2017 he signed a three-year contract with the Los Angeles Rams. In 2020 the Dallas Cowboys added Kosovo-born, former Grey Cup winning CFL kicker to their roster. “In The Spring League, Hajrullahu set a new league record for longest field goal, tied the single-game record for fields goals, and was named the South Division Player of the Week,” writes AFI. Last December, Panthers Wire reported Carolina Panthers signing the Kosovo native kicker to the team.  

The honor of being the first Albanian to play in the NFL goes to Kristjan Sokoli. He was picked up by the Seattle Seahawks with the 214th overall pick in the 2015 NFL Draft after an impressive collegiate career at the University of Buffalo (NCAA D1). It has been reported that his father Gjon Sokoli fled Albania in the late 1990s to seek political asylum as civil unrest destabilized  the country. Two years later his wife, Gjyste joined him and Kristjan arrived with his younger brother two years after that. In the US, his father worked in maintenance and the family spoke very little English.He said to Advanced Media that from his new home in Bloomfield, NJ, he became a Giants fan and wore a Jeremy Shockey jersey to school. At 26, Sokoli signed with “the depleted Giants two days before the 2017 season finale and stuck around on a non-guaranteed Futures contract…” The Giants were his fourth team since appearing in one game as a rookie in 2015. For four years, Sokoliplayed both sides of the ball. He signed with the XFL team DC Defenders in 2020. In the 2021 Spring League he played for the Alphas and ranked as a top NFL prospect. Last August Potsdam Royals of the German Football League announced the signing of the former NFL defensive end and offensive lineman Kristjan Sokoli from Shkoder, Albania. A Rolling Stone profile on him, describes the journey of the first Albanian-born player to ever make the National Football League. The piece explains how the odds of making the NFL are so astronomically small, that “just about any player who signs a pro contract has a tale to tell. But that doesn’t mean some of those stories aren’t slightly more fantastic than others.”  

Super Bowl isthe biggest sporting event in the country. For football fans, it is Christmas and Easter rolled in one. Its origin doesn’t go very far back. Although much younger than Kentucky Derby or the World Series, football has overtaken baseball as the nation’s most popular sport, according to historians. Now part of its history are two Albanians, the newly signed Carolina Panthers kicker Lirim Hajrullahu and former Seattle Seahawks defensive end and offensive lineman Kristjan Sokoli.They have journeyed to their dreams through extreme determination, discipline and hard work. They also honor their place as the firsts of their countries to play in the NFL.    
Photo: AP

Filed Under: Sport

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2409
  • 2410
  • 2411
  • 2412
  • 2413
  • …
  • 2773
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT