• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në vigjilje të 32 vjetorit të themelimit të LDK-së (2)

December 20, 2021 by s p

“JUGOSLLAVIA PA TITON” DHE “HABIA” E BAKARIÇIT PËR KOSOVËN REPUBLIKË!

Nga Jusuf BUXHOVI

Rëndësia e “Lidhjes Demokratike të Kosovës” si partia e parë politike shqiptare në ish Jugosllavi në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, nuk mund të shihet jashtë rrethanave që sollën krizën e Jugosllavisë pas vdekjes së Titos si dhe proceset e tranzicionit që përfshiu vendet ish komuniste pas rënies së Murit të Berlinit në nëntor të vitit 1989, bashkimit të Gjermanisë, shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe rënies së detantit ku Jugosllavia për dyzet vjet qëndroi në zonën midis Perëndimit dhe Lindjes. Në këtë proces të kthesave të mëdha historike, duhet kuptuar drejt evolucionin e kërkesave politike të “Lidhjes Demokratike të Kosovës” për barazi të plotë në kuadër të federatës jugosllave, siç kërkohej në fillim me programin e aprovuar në Kuvendin Themelues më 23 dhjetor 1989 deri te kërkesa për shtet të pavarur, pas vendimit të Konferencës së Hagës të 20 gushtit 1991 kur Jugosllavia, në përputhje me Komisionin e Badinterit, u shpall në shpërbërje.Por, evolucioni i kërkesave politike të LDK-së nga ato për barazi deri te shteti i pavarur, pikënisjen e ka të kërkesa për Republikën e Kosovës, që për herë të parë u manifestua në diskutimet për ndryshimet kushtetuese të vitit 1968 të organizuara nga kalasa e atëhershme politike dhe në demonstratat e studentëve që shpërthyen gjatë nëntorit të atij viti në shumë qytete të Kosovës për t’u përmbyllur më ato madhështore të 27 nëntorit në Prishtinë mbi të cilat pastaj do të ngriten thuajse të gjitha shqetësimet nga ato politike e deri te ato gjeostrategjike rreth fatit të Jugosllavisë pas Titos, si një barometër të raporteve të reja edhe në kuadër të sferave të interesit të përmasave botërore. Në Gjermaninë kjo çështje zinte vend të rëndësishëm në debatet politike dhe ato mediale, meqë dyshohej se pas Titos do të kishte Jugosllavi të Titos, gjë që kjo mund të ndikonte që fryma e ndryshimeve që kishte filluar me Perestrojkën dhe Solidarnoscin në Lindje, në Jugosllavi, mund të merrte kah të kundërt, pra të një konflikti midis forcave reformuese dhe atyre unitariste të drejtuara nga serbët, të cilët jo vetëm që nuk do ta lejojnë avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në federatë, në nivel të republikës, por do ta rrënojnë atë, siç edhe ndodhi në marsin e vitit 1989.Kështu, nga fillimi i vitit 1979 e deri në maj të vitit vijues, sëmundja e Titos do të bëhej çështje publike dhe, me të, në opinion legjitimitet do të fitojë edhe shqetësimi se çfarë do të bëhet me trashëgiminë e tij. Televizioni, radioja dhe mbi të gjitha gazetat qendrore dhe revistat me autoritet si “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, “Die Zeit”, “Die Welt” dhe magazina “Der Spiegel”, secila rrihte telin në mënyrën e vet. E përbashkët e të gjithave megjithatë ishte se me vdekjen e Titos Jugosllavia nuk do të ishte më ajo që kishte qenë deri atëherë. E përditshmja konzervative “Die Welt”, shihte të vetmen mundësi që Kosova të ngrihej në shkallën e republikës së barabartë me të tjerat dhe kjo të ndodhte para se Tito të vdiste. Nga faktori ndërkombëtar kërkohej që në këtë drejtim të ushtrojë ndikim ndaj Beogradit para se të bëhet vonë. Gazeta “Frankfurter Allgemeine”, me ndikim të madh te elita intelektuale e vendit, por edhe në hapësirën tjetër gjermanofolëse, përkrahte kursin e Kosovës republikë të barabartë me njësitë e tjera të federatës, por këtë e shihte të realizueshme jo më nga Tito, që ishte në shtratin e vdekjes, po nga faktori ndërkombëtar, i cili elitës jugosllave do t’ia shtronte dy kushte: ruajtjen e kursit të vetëqeverisjes socialiste dhe të marrjes së obligimit që menjëherë të iniciojë ndryshimet kushtetuese me anën e të cilave Kosovës duhet t’i jepet statusi i republikës së barabartë me të tjerët. Kërkohej po ashtu që konsensusi i udhëheqjes në federatë të precizohej ashtu që të përjashtojë çfarëdo përpjekjesh unitariste apo hegjemoniste. Në këtë përvijim, megjithatë, Kosova dhe roli i saj i paraprogramuar për krizën jugosllave tashmë shihej qartë. Këtë, madje, do ta pranojë edhe bashkëpunëtori i vetëm besnik i Titos nga ditët e hershme të luftës për Jugosllavinë e tretë, Vladimir Bakariçi, anëtar i Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve nga Kroacia, ende me ndikim të madh, që po mos të ishte i moshuar dhe i sëmurë prej kohësh, sigurisht do të merrej si i vetmi që do të mund të merrte frerët e drejtimit të vendit për të ecur binarëve të Titos.Shkas, që të flasë me një gjuhë fare të drejtpërdrejtë rreth kësaj çështjeje, do të paraqesë botimi i librit të analistit të njohur gjerman Karl Gustav Shtrëm “Jugosllawien one Tito” (Jugosllavia pa Titon), që doli nga shtypi nga mesi i vitit 1979, pra kur edhe botërisht nga ana e kreut politik dhe shtetëror të Jugosllavisë u pranua se Tito ishte i sëmurë dhe ishte çështje se kur do të shkonte. Shtrëm, publicist, i cili gjatë gjithë karrierës së tij si gazetar ishte marrë me Ballkanin dhe në fokus kishte pasur Jugosllavinë e pasluftës si dhe zhvillimet në të, kishte bërë një studim të gjatë, ndryshe nga ato të shumtat që ishin botuar për Titon dhe Jugosllavinë për vite të tëra në Gjermani, ku rëndom ishte përkrahur kursi i tij, duke u parë si një mundësi që socializmi megjithatë të mos jetë vetëm koncept ideologjik, por edhe zhvillimor i një modeli të ekonomisë liberale. Meqë libri kishte zgjuar shumë kërshëri në Gjermani dhe përreth, po edhe në Jugosllavi prej nga reagimet gjermane përcilleshin me vëmendje, e majta gjermane në pushtet, e vetëdijshme se gjithnjë e më shumë po i zbeheshin atutë për vetëqeverisjen jugosllave si model të socializmit demokratik në botë dhe të ngjashme, sigurisht se kishte qenë e interesuar që librin e Shtrëmit ta çojë në nivelin e një debati të gjerë, ku do të përfshihej edhe ana jugosllave, veçmas ndonjëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Titos, që mund të thoshte diçka me peshë. Andaj, ishte shfrytëzuar rasti që promovimi të bëhej pikërisht kur njeriu më i besueshëm i Titos të gjendej mysafir i Fondacionit “Fridrih Erbert” në Bon, që paraqiste qendrën ideologjike të të majtës gjermane. Se kjo ishte bërë me qëllim, nuk do mend. Por, që edhe Vladimir Bakariçi aty nuk do të ishte rastësisht, e dhe kjo nuk duhej hequr nga mendja.Por, çfarë do të thoshte Bakariçi?…Kjo tashmë preokuponte mediat. Preokuponte edhe elitën nga spektrit i gjerë politik gjerman. Spekulohej se ishte aty për të sjellë një mesazh të Titos Perëndimit?… Dhe, çfarë do të ishte mesazhi?… Qetësues?… Shqetësues?… Ose pak nga të gjitha?…Fakti që në promovim nuk do të merrnin pjesë dy nga personalitet kryesore të të majtës gjermane Vil Brant dhe Helmut Shmit, të cilët një ditë më parë kishin pritur Bakariçin dhe sipas një kumtese thuhej se “kishin pasur shkëmbim të dobishëm mendimesh”, ishte përcjellë me thashethemet se porosia e Bakariçit mund të mos ishte sipas shijes së të majtës gjermane?…Vetë rrjedha e promovimit të librit dhe ato që do të thuhen në të do ta vërtetojnë këtë dyshim.Por, çfarë ishte thënë në të vërtet në atë promovim, që ai të cilësohej si rrënim i iluzionit për Jugosllavinë e qëndrueshme edhe pas Titos, edhe pse nga Beogradi tashmë vinin “betime” se edhe pas Titos mbetej Tito?…Asgjë më shumë seç sillte libri. Pra, që e nesërmja e Jugosllavisë ishte e paqartë dhe e pasigurt. Do të thuhej se ajo do t’u nënshtrohej sfidave të ndryshme, që do të jenë të mëdha, ndër të cilat më shqetësuesja shfaqej Kosova për të vetmen arsye pse nuk ishte ngritur në nivelin e republikës së barabartë me të tjerat, dhe se me statusin gjysmak, ofronte mundësi të mira që të gjithë kundërshtarëve dhe armiqve të Jugosllavisë të viheshin në veprim secili për hesapet e veta, kjo tashmë dihej. Por, po ashtu nga ana tjetër, nuk dihej se betimi i asaj “pas Titos mbetej Tito”, ishte përnjëmend farsë, apo diçka që kishte përmbajtje, po që ajo duhej të dëshmohej në përputhje me sfidat me të cilat do të ballafaqohej?Gjatë gjithë kohës sa ishin paraqitur referuesit kryesorë, pa marrë parasysh ato që thuheshin prej tyre, ku librit i bëheshin edhe vërejtje dhe quhej tendencioz madje pse shihte vetëm zi dhe jo edhe bardh dhe të ngjashme, vëmendja e të pranishmëve ishte drejtuar kah Vladimir Bakariçi dhe ato që do të thoshte në fund. Dhe më në fund, fjala do t’i jepej edhe Bakariçit. I rrudhur nga vitet por edhe sëmundja, i bërë kruspull, nuk do të thotë tjetër pos që autorin e përshëndeti me atë që tha: “kundrimet interesante”.Salla ngriu. Ishte vallë e mundur që ai të sillej aq me mospërfillje me audotiriumin tejet reprezentativ që e ishte aty për të pritur “kundërpërgjigjen” ndaj një libri që Jugosllavinë e shihte me dioptri tejet pesimiste?…Mëdyshjet ishin ndër më të ndryshme. Dhe, do të shtoheshin edhe më tej po mos të ishte një gazetar, i cili Bakariçit ia drejtoi pyetjen “pse Kosova nuk mund të bëhej republikë”, me çka pyetja e shtruar më shumë ishte një si kundërpërgjigje rreth asaj që para tij ishte kundërshtuar ashpër nga zëvendës ambasadori jugosllav në Bon, Predrag Kostiq, i cili kishte derdhur shumë mllef ndaj autorit pse të ardhmen e Jugosllavisë e kishte lidhur me një problem që ishte i shpifur, kur si tha, kombësitë nuk mund të kenë shtet në shtet, meqë shqiptarët shtet amë kishin Shqipërinë!Pa një pa dy, Bakariçi, me një buzëqeshje ironike tha se “ nuk e dinte as vetë pse Kosova nuk ishte republikë…”Ironia e Bakariçit kishte qenë e mjaftueshme të kuptohej sa të drejta kishin qenë vlerësimet e autorit dhe njëherësh sa i madh shfaqej dëshpërimi i atyre që tek Jugosllavia dhe rruga e socializmit vetëqeverisës ishin munduar t’ i varnin shpresat si për një model të ardhmërisë.Megjithatë, fjalët e Bakariçit, siç i kishin dhënë të drejtë shqetësimit për të ardhmen e pasigurt të Jugosllavisë, njëherësh kishin hapur dilemën si dhe sa ato mund të ishin përnjëmend pjesë e mesazhit që Tito ia jepte botës në atë mënyrë?…Po atë mbrëmje Ambasada e Jugosllavisë në Bon, për nder të Bakariçit do të organizojë një pritje në kështjellën e Bad Godesbegut, vend i dashur i kancelarit të parë gjerman Bizmakut, por edhe i një takimi pak të njohur të Çemberlenit me Hitlerin në prag të nënshkrimit të marrëveshjes së njohur të Munihut, të vitit 1939 kur Europa do të nënshkruajë kapitullimin para Hitlerit. Në pritje ishte i pranishëm thuajse i gjithë kori diplomatik. Nga kreu i elitës politike gjermane merrte pjesë Vili Brant, Franc Jozef Shtraus, Hans Ditrih Gensher dhe personalitete të tjera të rëndësishme kulturore të vendit, përfshirë këtu edhe shkrimtarin e njohur Hanjrih Bëll, regjisorin Reiner Fasbinder dhe të tjerë. Bakariçi, me shikimin e lëshuar, rrinte i ulur midis Brantit dhe Shtrausit. Dukej i lodhur. Dhe kjo bëri që të mos rrijë deri në fund në pritje. Bashkë me të do të largohen edhe Branti dhe Shtrausi, por do të mbetej Gensheri dhe të tjerët. Të pranishmit i përshëndeti vetëm me ngritjen e gotës së shampanjës, që e preku vetëm me buzë.(Shkëputje nga libri “Kthesa historike 1 – Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LKD-së”, botues “Faik Konica”, Prishtinë, 2008.)

Filed Under: Kronike

Një meteor që ndriçoi bukur…

December 20, 2021 by s p

Ymer Çiraku

Këto ditë, sapo ka dalë nga shtëpia botuese Toena libri me titull: “Aroma e një kohe që po ikën”, i cili i kushtohet aktivitetit të trupës së njohur profesioniste të estradës së Sarandës. Libri është përgatitur nga regjizori, Vangel Agora, ku kanë bashkëpunuar me shkrime e kujtime mjaft emra të njohur si: Josif Papagjoni, Limoz Dizdari, Pëllumb Kulla, Niko Kacalidha, Filip Çakuli, Viktor Zhusti, Miho Gjini, Luftar Paja, Enver Isufi, Osman Mula, Alqi Lepuri e mjaft të tjerë. Botime të tilla, marrin vlerë sepse mbajnë gjallë kujtesën dhe vlerësimin e nderimin për punët e vyera nëpër vite. Që te ne për fat të keq, ndodh që të treten lehtësisht në terrin e harresës. Prandaj është për t`u çmuar edhe nisma e Bashkisë së qytetit për ta mbështetur botimin e këtij libri.Për dikë të interesuar më shumë, kam vendosur më poshtë, shkrimin tim të përfshirë në këtë botim.Kur nga miku im i kahershëm dhe i çmuar, Josif Papagjoni, mora vesh për projektin e përgatitjes së një historishkrimi mbi aktivitetin e trupës së teatrit të estradës së Sarandës, vetëtimthi m`u ngjallën edhe mua kujtimet e bukura rreth kësaj trupe artistike, që përcillte aq shumë buzëqeshje, humor të mençur dhe melodi të ngrohta joniane, atyre viteve të hershme. Pikërisht të asaj kohe të mesviteve `70-të, kur edhe unë, pata rastin dhe kënaqësinë e madhe, që ta njihja e ta shijoja emocionalisht nga afër repertorin e kësaj trupe. Mbresat janë të shumta për ata njerëz që punuan si regjizorë, aktorë, instrumentistë e libretistë. Ata kishin talentin e lindur, por kishin edhe shpirtin qytetar për të t`iu krijuar e dëshmuar spektatorëve – atë jetën e magjishme paralele të artit. Duke ua larguar kështu për ca çaste atë grinë e realitetit të përditshëm. Kjo trupë besoj se e arriti majën e lartë të saj, sidomos me vënien në skenë të disa komedive të plota muzikore, me librete të shkrimtarit të talentuar Enver Isufi, me muzikë të kompozitorit të shquar Agim Prodani. Përballimi i pjesëve të këtij formati, ishte vërtet një guxim i madh artistik, me të cilat nuk ishin përballur dot edhe trupa qëndrore profesioniste. Por këto pjesë të plota skenike u realizua pikërisht në Sarandë, ku do të shpaloste fantazinë e tij krijuese regjizori i njohur Thoma Milaj, si dhe skenografi Lefter Çeko. Kompozitori A. Prodani, sëbashku dhe me bashkëshorten e tij, këngëtaren e mirënjohur Anita Take, ndihej si në shtëpinë e tij për disa muaj qëndrimi pranë kësaj trupe. Këngëtarja A. Take, pas shumë vitesh tërheqjeje nga skena, pikërisht këtu, ajo dha një nga koncertet e saj të mrekullueshme, që do t`i krijonte pasionin dhe besimin e rifillimit të karrierës së saj shkëlqimtare por të ndërprerë, karrierë që pastaj nuk do të ndalej më viteve më pas. Saranda falte mikpritje, falte dashuri, frymëzim dhe energji të pandalur për krijimtari artistike. Shkrimtarët korifej të satirës dhe humorit si Qamil Buxheli e Pëllumb Kulla, ishin për disa vite të ftuarit e nderit për realizimin e materialeve të repertorit të trupës profesioniste. Ato ishin vërtet shfaqje të mëdha – për nga niveli profesionist i repertorit, i aktrimit, i muzikës. Dua të vë në dukje se ato ishin përgjithësisht pjesë të atilla skenike, aq të mirëpritura nga spektatori vendas dhe ai i gjithë vendit, gjatë pushimeve të verës, ku ndihej hareja dhe gëzimi i bukur njerëzor, ashtu si i derdhte këto me farfuritje të mrekullueshme edhe vet ai qytet dhe ato anë kudo, nga deti, fusha e mali, që nga Konispoli e Leshnica, e deri bregut të detit. Sepse përcilleshin me art e përkushtim dhe pa ngarkesa të rënda e të rëndomta ideologjike. Veçanërisht bisedat mes mjeshtrave të ftuar, ishin akademi të vërteta arti, ku shkëmbeheshin përvoja, pikëpamje dhe informacion mbi letërsinë dhe artin në përgjithësi. Të gjithë përfitonin prej njeri tjetrit dhe të gjithë shijonin batutat në harenë e pushimeve buzë detit, ulur në lokale, ku të çante hundët jodi i Jonit dhe aroma e peshkut të pjekur. Dhe ku nuk mund të mungonin e ishin përherë të pranishme sigurisht sirenat tërheqëse e të magjishme, që vinin prej mrekullive të mozaikëve të shumtë të tempujve të Onhezmit antik (Saranda e sotme), prej statujave të Butrintit e prej jehonave të largëta të këmbanave të kishës së njohur të dyzet shënjtorëve, atje sipër në kalanë e Lëkursit.Kjo trupë, pati një shkëlqim të vërtetë mbresëlënës për kohën e vet. U shfaq me rrezatimin e një meteori, që trupëzoi bukur dritën e artit, të cilën, e shijuam dhe e kujtojmë me përmallim të gjithë ne, që patëm rastin dhe fatin t`i ndjekim shfaqjet e saj. Nuk i heq nga mendja kupletet e bukura të Theofil Haxhijanit, këtij zë ëmbli, bashkë me të shoqen, Violetën. Edhe sot kur i kujtoj, më zë hareja me rolet e bukur të Lekë Mosit, Mufit Brajës, Jorgo Nanos, Illo Martikos, lëre pastaj zhdërvjelltësinë e Haki Spahos, karakteret e Gaztere Shkurtit, natyrshmërinë e Karafil Shenës, hirin skenik të Vangjel Agorës; dhe më tej muzikën e Thoma Gjonit, që na mbushte shpirtërat, tingujt virtuozë të kitarës së Adem Dacit, violinistin e talentuar Tomi Stefanidhi, zërin e ngrohtë të Telemak Papapanos, interpretimet solide të Lefter Agorës, timbrin vokal të Gani Dokos,, Pëllumb Zotos, Fane Kombulit etj. Do t`i quaja pa droje: Artistë të vërtetë. Po sot? A mund të ringrihet, a mund ta shohim sërish një trupë të tillë?Sigurisht, që kjo do të ishte një dëshirë e bukur, por sot për sot, me sa duket, mbetet në kufijtë e të pamundurës. Por fundja, mbetet Kujtimi i Bukur për institucionin e atij teatri të varietesë, e bashkë me atë kujtim, ngjizet edhe një Shpresë. Shpresa se ai teatër, mund të ringrihet një ditë. Doemos, me një profil strukturor e filozofi funksionimi të rinovuar. Por përherë me misionin e panegociushëm të rrezatimit të artit të bukur, që fal pa kushte buzëqeshjen dhe dashurinë njerëzore.

Filed Under: Kulture

KINA 283 HERË “DEMOKRACI E VËRTETË”

December 20, 2021 by s p

Nga DANILO TAINO – “Corriere della Sera”, 15 dhjetor 2021. Përktheu: Eugjen Merlika

Ka një numër të dobishëm për të kuptuar si do të jetë viti 2022 për Kinën dhe kryetarin e saj, Xi Jinping. Janë herët që termat “demokraci” dhe “demokratike” janë përsëritur në një document të botuar në 4 dhjetorin e shkuar nga Zyra për informimin e Këshillit të Shtetit, pra të qeverisë qëndrore. Nën titullin “Kina: Demokraci që funksionon” pohohet se në Vënd arrihet ushtrimi i demokracisë zgjedhore më të madhe në botë, zgjedhjet vendore në të cilat marrin pjesë 900 milionë kinezë. Në të vërtetë bëhet fjalë për votime që venë vetëm vulën vendimeve e emërimeve të para-urdhëruara, por nuk ka rëndësi: udhëheqjes kineze i interesonte të kundërshtonte Mbledhjen e nivelit të Lartë të Demokracive, t’organizuar në ditët e shkuara nga Joe Biden.  

Sipërmarrja kërshëruese për të përcaktuar demokratik një sistem qeverie kineze, ka vazhduar në mjetet e informimit të kontrolluara nga Partia Komuniste për të mbështetur tezën se çdo Vend nuk duhet të marrë për model demokracinë e Shteteve të Bashkuara por të zhvillojë atë të tijën. Siç ka bërë Kina, ku “udhëheqja e Partisë Komuniste është siguria themelore” për atë që dokumenti  përcakton si “proçesi i tërë i demokracisë së popullit”. Pastaj pika e fortë: “Mënyra m’e mirë për të vlerësuar nëse një sistem politik i një Vendi është demokratik dhe veprues është të vërejturit nëse pasardhja e udhëheqësve të tij është e rregullt dhe në përputhje me ligjin”.

Një pohim që shumë vëzhgues e kanë lexuar si referim për Kongresin e Partisë të gjysmës së dytë të vitit 2022, ku Xi do të zgjidhet për një mandat të tretë, fakt që nuk ndodhte prej 30 vitesh (ishte caku i dy mandateve të shfuqizuar nga vetë Xi më 2018). Për kryetarin kinez, 2022 do të jetë një vit vendimtar, në të cilin do të ketë nevojë për qëndrueshmëri, për të çuar në fund projektet e tij të trashëgimisë. Por ekonomia është në ngadalësim: rritja e saj është vetëm 4,9 % në tremujorin e tretë të vitit 2021. Problemet e borxheve shtohen: ata të sektorit të ndërtimeve, që vlerësohen për 29 % të PPI, kanë dalë në dritë me paaftësinë paguese të gjigandit Evergrand dhe tani zbulohet se autoritetet vendore kanë grumbulluar borxhe (të paregjistruara) të pamasa, simbas bankës së Goldman Saks, të barabarta me 8300 miliardë dollarë, më shumë se 50 % të PPI kinez. “ 2022 do të jetë një kalim i brishtë për udhëheqjen e Pekinit dhe për Xi: brënda duhet të shmangin kriza e jashtë duhet të vazhdojnë të tregohen agresivë, tani edhe si kampionë të demokracisë së vërtetë. Kaosi global rritet.

“Corriere della Sera”, 15 dhjetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Fejton

Si e pashë Malalën në sytë e vajzave afgane në Shqipëri…

December 20, 2021 by s p

Rajmonda Xhetani 

Frymëzimi për të shkruar diçka, vjen kur një situatë apo ngjarje i provokon emocionet tona.

Marrëdhënia ime me librin ka qenë gjithmonë e ngushtë.

Libri i parë që mora në dorë gjatë pandemisë, ishte një libër që më ishte dhuruar nga një mikesha ime, disa javë më parë. Fillova të lexoj me kureshtje, “Unë jam Malala”.  Kisha dëgjuar për Malalën, kisha dëgjuar dhe për bestseller-in  me 351 faqe që Christina Lamb kishte shkruar.  

Nuk mbaj sesi arrita deri në fund të librit,  Me një gjuhë të thjeshtë e të qartë, renditeshin të gjitha ngjarjet në Pakistan,  thyerja e tabuve sociale, lufta ndaj analfabetizmit  e fuqia  e penës. 

Kauza fisnike, për të cilën luftoi një vajzë e vogël si Malala, u përkrah e u vlerësua nga aktivistët për të drejtat e grave.  Malala luftoi për të drejtën e tyre  për arsimim, duke e cilësuar “penën” si një fuqi të madhe. Vetëm në këtë mënyrë gratë mund të luftonin krah për krah me burrat. 

Ishin shtatë librat e autores Jean Sasson që pasuan leximin e “Unë jam Malala”.  Ngjarjet zhvilloheshin në Arabinë Saudite. Ndryshonin fytyrat, ndryshonte vendngjarja por mënyra si trajtoheshin vajzat dhe gratë ishte e njëjtë. 

Në këto libra, dëshmohej historia  e vërtetë e  princeshës Sulltana dhe princeshave të tjera që i përkisnin familjes së saj.  Princesha Sulltana ishte e vendosur për ti dhënë fund shtypjes së grave dhe vajzave në vendin e saj. Shtypja që ju bëhej grave dhe vajzave aty, në cdo kulturë tjetër do të shihej  si një  shkelje e  tmershme e  të drejtave njerëzore.  Nuk ndaloja së lexuari, isha e etur për t’u informuar në lidhje me ngjarjet atje edhe pse shpesh ishin  çnjerëzore.

Pas leximit të tyre kërkova  informacion për Ligjin e Sheriatit, çfarë përmbante dhe deformimin qe  i  bëhej.

Ligji i Sheriatit do të thotë, ligj fetar, kod ligjor i legjitimuar fetarisht, i pandryshueshëm.

Realiteti tregonte që që ky kod fetar, po keqinterpretohej, e të prekura shumë nga ky keqinterpretim ishin vajzat dhe gratë.  

Edhe pse të gjithë këto libra  të “gozhdonin” kishte shumë momente që ishte e nevojshme, të bëje  një frymëmarrje të thellë e ti ktheheshe sërish librit. 

Kur kërkoja në google shfaqeshin disa foto që tregonin dëshirën e madhe të vajzave dhe grave për t’u përfshirë në jetën sociale dhe politike të vendit.  Më tërhoqën vëmendjen, fotografitë  e disa vajzave afgane duke punuar në një internet-kafe ( 8 Mars 2012),  fotografia  e Nima Suratgar kandidate për parlamentin afgan ( 2010) si dhe një futbolliste afgane ( 2014).

Gjatë këtij viti kur tensioni në Afganistan arriti kulmin, lexoja të gjitha lajmet që informonin për gjendjen atje.  Sigurisht që ishte e pamundur të mos përfshiheshe emocionalisht, kur mendoje një popull që vuante nga shkelja e të drejtave minimale.

Në verën e këtij viti, Shqipëria ishte një nga shtetet që hapi dyert për shtetasit afganë. Gjendesha përtej kufirit (jo shumë larg)  kur e lexova në lajmet e ditës. 

Nuk e dija që do të ishte pikërisht institucioni ku unë punoja, “ streha” e parë që do t’u ofrohej shtetasve afganë ,  e që do të isha  unë  një nga personat që do  të udhëzohej për ti mirëpritur. Më në fund kisha mundësi të ofroja ndihmën time modeste, atë që e kisha imagjinuar shpesh herë. 

Pavarësisht dëshirës së madhe nuk e dija që do të vinte një moment i tillë. 

Eshtë e vështirë, ndoshta e pamundur që ta përcjell si duhet emocionin që përjetova kur mbërriti autobuzi i parë  (që vinte nga Aeroporti Ndërkombëtar). Në fund të fundit, emocionet e forta nuk mund të tregohen.  Të qenit vajzë, grua, punonjëse sociale, më nxiste akoma më tepër për t’u gjendur aty gjatë atyre ditëve.  Jam e bindur që shumë prej personave që gjendeshin aty për t’i mirëpritur përjetuan emocione të forta. Ishin orët e para të mëngjesit, ekzaktësisht 03.15.  Autobuzi  ishte i mbushur me  burra, gra dhe shumë fëmijë. 

Në mendje më vinte Malala,  më vinte princesha Sulltana, e  çdo rresht i atyre librave. 

Në hapësirën kohore të tre minutave, të rrugës që ata përshkuan nga autobuzi deri në holl, m’u shfaqën  shumë imazhe e shumë ngjarje. 

M’u kujtuan fjalët e Malalës  ndërsa tregonte përjetimin pas plagosjes. 

Pas asaj nate shumë shtetas të tjerë afganë erdhën. 

Ishte e dhimbshme të mendoje që ata njerëz kishin lënë vendin e tyre, por shumë e bukur kur i shikoje të gjallë e plot dëshirë për të vazhduar jetën. 

Sigurisht që bëmë maksimumin që t’ua bënim disi më të lehtë qëndrimin pranë nesh. 

Gjatë atyre ditëve pashë vetëm sy të qeshur fëmijësh, pashë burra që ndihmonin bashkëshortet dhe që kujdeseshin për familjarët e tyre, e gra që kërkonin një vend ku të respektoheshin të drejtat e tyre.

Më erdhi keq që kaluan shumë shpejt ato ditë derisa  erdhi momenti që ata të akomodoheshin në një tjetër vend.

U larguan mirënjohës, me një dëshirë të jashtëzakonshme për të vazhduar përpara. 

Cdo vajzë  të vogël e shikoja si një ”Malala”  dhe çdo grua si një princeshë “Sulltanë”.

Tiranë, 20 Dhjetor 2021

Rajmonda Xhetani

Filed Under: Komente

Kur zëri i atdheut na thërret…

December 20, 2021 by s p

Dr.  Sadik Elshani

Në Ishëm të Durrësit shoqata “Bijtë e Shqipes” ndërtoi dy shtëpi të reja për familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019

“Mbahu, Nëno, mos kij frikë”

Kur më 26 nëntor të këtij viti po e ngrenim flamurin tonë kombëtar në sheshin e bashkisë së Filadelfias, gati të gjithë po reflektonim për 26 nëntorin e vitit 2019. Atë ditë pak çaste para se ta ngrenim flamurin në të njejtin vend, Shqipëria ishte goditur nga një termet i fuqishëm që kishte shkaktuar viktima njerëzish dhe dëme të mëdha materiale. Nuk kishim rrugë tjetër, por të vazhdonim me ceremoninë e ngritjes së flamurit, këtë radhë në gjysëm shtizë, për t’i nderuar bashkëkombësit tanë që kishin humbur jetën në këtë fatkeqësi natyrore. Në çaste të gëzueshme dhe në çaste të vështira shqiptarët mblidhen rreth flamurit të përbashkuar, asht siç na thërret edhe Himni ynë Kombëtar. Aty u zotuam se duhet të bëjmë dicka për motrat dhe vëllezërit tanë në atdheun tonë të dashur dhe po aty filloi një fushatë, një stuhi e fuqishme që mobilizoi shoqatën dhe komunitetin tonë për mbledhjen e fondeve financiare. Vargjet e Nolit: “Mbahu, Nëno, mos kij frikë/Se ke djemtë n’Amerikë” janë bërë moto, një zë mobilizimi për të gjithë mërgimtarët shqiptaro – amerikanë e më gjërë për të ndihmuar Shqipërinë kur ajo është në nevojë, rrezik. Kështu ndodhi edhe këtë radhë.

Përurimi i dy shtëpive të reja

Dhe ja, nuk kaloi më shumë se një vit e gjysëm dhe fal ndihmës së bashkëkombësve të tyre në Philadelphia, dy familje shqiptare në Ishëm të Durrësit, të dëmtura rëndë nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, u bënë me shtëpi të reja. Po e fillojmë këtë pjesë të këtij shkrimi me përurimin e këtyre dy shtëpive e pak më vonë do të përshkruajmë në imtësi edhe tërë ecurinë sesi erdhi deri te ky çast i gëzueshëm, jo vetëm për këto dy familje, por edhe për shoqatën e komunitetin tone, por edhe për fshatin Ishëm dhe Qarkun e Durrësit. Ceremonia e dorëzimit të dy shtëpive familjarëve të dëmtuar nga tërmeti u zhvillua në fshatin Ishëm më 6 korrik, 2021. Këtë ceremoninë e hapi z. Bujar Gjoka, kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”: “Së pari, në emër të shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia dhe në emrin tim personal dëshiroj, t’ju falenderoj të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj në këtë ceremoni modeste që ne po zhvillojmë sot për përfundimin e punimeve të ndërtimit të dy shtëpive të dëmtuara plotësisht nga tërmeti i datës 26 nëntor, 2019. Këto shtëpi janë ndërtuar nga shoqata “Bijtë e Shqipes”, me fondet financiare të mbledhura për këtë qëllim nga komunitetit shqiptar në Philadelphia e më gjërë”.

Në ceremoninë e përurimit të këtyre dy shtëpive të bukura po merrnin pjesë: 

– Prefekti i qarkut Durrës, z. Roland Nasto; kryetari i Njësisë Bashkiake Ishëm, z. Kadri Gjyli; përfaqësues të Agencisë Kombëtare për Emigracionin, qytetarë të zonës dhe shumë miq e dashamirës të shoqatës sonë.

– Anëtarët e shoqatës sonë me banim në Tiranë, të nderuarit e grupit “Flaka”, z. Bajram Berisha, z. Mezan Resuli, etj.

– N/kryetari, z. Dritan Matraku, anëtarët e kryesisë, Tajar Domi e Idajet Ago, anëtarët e shoqatës: z. Enver Parllaku, znj.Mefa Ago, znj. Elhame Domi, znj. Majlinda Gjoka, zj Sara Matraku.

Zoti Gjoka i njoftoi të pranishmit për punën që ben shoqata “Bijtë e shqipes” – misionin e saj dhe veprimtaritë e shumta atdhetare, kulturore, arsimore e shoqërore që ajo organizon për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe tyraditave të kombit tonë. Pastaj ai i njoftoi të pranishmit për fushatën e mbledhjes së fondeve financiare, përshkroi kalvarin sesi erdhi deri përfundimi final dhe vazhdoi: “Ne jemi sot ketu për të inaguruar ndërtimin e këtyre dy shtëpive me nga 106 metra katrore banimi (me tri dhoma gjumi, dhomë ndenje, kuzhine, koridor, banjo e ballkon). Shumë punë e shumë sakrifica por rezultati tregon vetë. Ftohti, kushtet e këqia të jetesës, mungesa e hapësirës për gatim e fjetje, mungesa e hapësirave për mësim të fëmijëve, etj., nga sot e tutje do të marrin fund për këto dy familje. Këto familje do të sistemohen përgjithmonë në shtëpitë e tyre të reja”. Në fund z. Gjoka falenderoi të gjithë ata që e ben të mundur përfundimin me sukses të këtij projekti bëmirës e humanitar: 300 familjet dhuruese të komunitetit shqiptar në Philadelphia e më gjërë; Administratën e Njësisë Bashkiake Ishëm dhe z. Kadri Gjyli; kompaninë ndërtimore “Angelo Group” me pronar, Enver Ibrahimi; anëtarin e grupit “Flaka”, z. Mezan Resuli për ndihmën e dhënë familjeve Fili e Tema; Këshillin Drejtues të shoqatës dhe RTSh-në për pasqyrimin e kësaj ceremonie.

Në këtë ceremoni fjalën e mori edhe prefekti i Qarkut të Durrësit, z. Roland Nasto, i cili pasi përshëndeti të pranishmit, shprehu falenderimin dhe mirënjohjen e tij për shoqatën “Bijtë e shqipes” për ndërtimin e këtyr dy shtëpive të reja. Përveç ndihmës së madhe të shtetit shqiptar ai nuk e la pa e cekur edhe solidaritetin e gjithë shqiptarëve nga e tërë bota. “Kjo nuk paraqet vetëm vlerë monetare, por një miqësi e dashuri për njëri – tjetrin që nuk shkëputet kurrë. Faleminderit për vlerat dhe traditat e bukura shqiptare që trashëgoni brez pas brezi”, e përfundoi fjalën e tij z. Nasto.

Çelësat e shtëpive iu dorëzuan të dy kryefamiljarëve dhe të gjithë të pranishmit po shikonin mjediset e brëndshme dhe të jashtme të këtyre dy shtëpive. Familjarëve, sidomos fëmijëve u shkëlqenin fytyrat nga gëzimi dhe shprehnin falenderimet e tyre të sinqerta e të pafundme për këto dhurata jetike. Shprehnin mirënjohjen dhe falendrimet e tyre për bujarine, kujdesin e fisnikërinë e bashkëkombësve të tyre, të cilët edhe pse ndodhen larg, atdheun gjithmonë e mbajnë atë pranë vetes së tyre. Kishin hequr nga qafa e tyre një barrë të rëndë, një ankth, një pasiguri në jetën e tyre. Nuk ka gjë më të rëndë se të kesh familje e të mos kesh kulm mbi kokë. Të gjithë ndiheshin krenarë për punën e kryer se, i kishin bërë të lumtura dy familje u kishin siguruar një jetesë normale. Sipas traditës, për të gjithë të pranishmit u organizua një koktel me pije e ushqime, për të filluar për së mbari një jetë të re.

Koha për të festuar

Pasi sezoni i pushimeve verore kishte mbaruar dhe pasi e filluam vitin e ri shkollor në fillim të shtatorit, tani radhën e kishte veprimtaria, një takim për të bërë transparencën (tejdukshmërinë) financiare dhe procesin e shpenzimit të tyre, por edhe për të festuar përfundimin me sukses të këtij projekti fisnik e humanitar. Veprimtaria u zhvillua më 3 tetor në mjediset e jashtme të godinës së re. Ishtë një buzëmbrëmje e ngrohtë e vjeshtës së hershme, prandaj edhe pjesëmarrja ishte në një numër të lakmueshëm. Këtë takim e hapi z. Bujar Gjoka, kryetar i shoqatës, i cili i përshëndeti dhe i falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, duke e bërë të njoihur edhe qëllimin e këtij takimi: “është bërë traditë në shoqatën tonë që pas çdo aksioni të madh fondmbledhës të organizohet një takim për të bërë tranparencën financiare dhe procesin e shpenzimeve të kryera.

Në vijim të kësaj tradite edhe sot aktiviteti yne ka për qëllim:

– Të paraqesi para jush një informacion të përmbledhur për fondeve financiare të mbledhur për tërmetin dhe shpenzimet e kryera;

– Të paraqesim një informacion të shkurtër mbi procesin e përzgjedhjes së familjeve që përfituan dy shtëpitë e dëmtuara.

– Një informacion mbi procesin e ndërtimit të shtëpive.

– Informacion të shkurtër me foto e pamje filmike nga inagurimi i shtëpive,

– Të ndajmë me ju falenderimet e panumërta të familjarëve, komunitetit të zonës, autoriteteve vendore dhe miqve të shumtë të shoqatës sonë.

– Të festojmë së bashku për këtë arritje që bëmë si komunitet në Philadelphia”

Fushatë e suksesshme fondmbledhëse

Zoti Gjoka i njoftoi të pranishmit se për këtë fushatë ishin mbledhur $83.000, dhuruar nga 293 persona e biznese. Kërkesa e vazhdueshme e shumicës së dhuruesve ishte që fondet e mbledhura nga shoqata jonë të investoheshin direkt tek familjet e dëmtuara nga tërmeti. Pra, ato të mos jepen në buxhetin e shtetit ose të mos tjetërsohen për qëllime të tjera. Shoqata e mbajti premtimin dhe kështu u veprua me fondet e mbledhura. Pandemia e COVID – 19 dhe largësia nga Shqipëria e bën të vështirë komunikimn në ndërtimin e shtëpive, por shoqata filloi menjëherë procesin e evidentimit të familjeve të dëmtuara, duke e siguriuar një listë nga bashkia e Durrësit me të gjitha familjet e dëmtuara. Ne u përcaktuam për zonën e Ishmit, që ishte goditur më së rëndi dhe që ishte një zonë me probleme të vështira ekonomike. Pastaj u përcaktuam për dy familje që ishin në gjendje të rëndë ekonomike dha pa kulm mbi koke: familjen e z. Ilir Beqir Fili dhe atë të z. Dritan Daut Tema – që të dyja familje pesanëtarëshe. Pas një kalvari të gjatë vështirësish e një procesi burokratik, në fund të muajit janar, 2021, u mor leja e ndërtimit për familjen e parë dhe në muajin prill, 2021, përfunduan procedurat ligjore për fillimin e punimeve në shtëpinë e familjes së dytë. Në bazë të projekteve-preventivave të hartuara më parë, çmimeve të ndërtimit në atë zonë, e përcaktuam fondin limit për secilën familje $34,500 për shtëpi. Parashikuam shpenzime shtesë për shumën $500 për vështirësitë e transportit në shtëpitë e dyta. U kontaktua një arkitekt e dashamirës i shoqatës sonë, z. Dhimitër Stefa nga qyteti i Tiranës i cili shprehu dëshirën që projektet do t’i bënte falas dhe do të na ndihmonte me procesin e lejeve të ndërtimit. Familjarët i udhëzuam që vetë ta gjenin kompaninë e ndërtimit dhe të bënin një projekt kontratë. Pas miratimit nga ana jonë të projekt kontratës fondet jepeshin më keste pas përfundimit të çdo faze të punimeve. Për të verifikuar ecurinë e punimeve në muajin mars, 2021, ne dërguam në vendin ku po ndërtoheshin dy shtëpitë, anëtarin e kryesisë, z. Haki Çollaku dhe anëtarët e shoqatës, njëkohësisht anëtarë të grupit “Flaka” në Tiranë, z. Bajram Avdia e Mezan Resuli. Grupi na siguroi se punimet në shtëpinë e parë po ecnin me hapa të shpejtë, punime cilësore si dhe familjet e përzgjedhura ishin në gjendje të mjerueshme ekonomike. Në sheshin e ndërimit ishte vënë një tabelë ku shkruhej se këto shtëpi po ndërtoheshin me fondet e dhuruara nga shoqata “Bijtë e Shqipes”. Dhe ja erdhi edhe dita e përurimit të këtyre dy shtëpive me një ceremoninë që e përshkruam në fillim të këtij shkrimi. Gjatë fjalës së z. Gjoka në ekran herë pas here shfaqeshin pamje nga të gjitha fazat e ndërtimit të shtëpive si dhe pamje e video nga ceremonia e përurimit të tyre. Në stenda ishin varur listat me emrat e të gjithë dhuruesëve. Prefektura e Qarkut Durrës e vlerësoi shoqatën tonë me certifikatë mirënjohje me motivacionin: “Mirënjohje dhe falenderim për kontributin në ndërtimin e dy shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 26 nentorit, 2019, në fshatin Gjuricaj, Njesia Administrative, Ishëm”.

“Dua të theksoj që të gjithë u ndjem krenar që ne si komunitet patëm mundesi të ndërtojmë dy shtëpi të mrekullueshme për dy familje që ishin në gjendje ekonomike të mjerueshme. Bëmë të lumtur dy familjet e fëmijët e tyre. Transmetuam vlerat e komunitetit tonë në Philadelphia, u dhamë shpresë dhe shumë motiv për të ecur përpara 6 fëmijëve të moshës së adoleshencës që kishin këto familje. Atë ditë u prekëm nga falenderimet e sinqertat e të pafundme që shprehnin familjarët, nga gëzimi që shprehej nëpërmjet syve të fëmijëve, nga falenderimet që shprehen autoritetet lokale e qendrore”, e përfundoi paraqitjen e tij z. Gjoka, duke i falenderuar edhe një herë të gjithë ata persona e biznese që e bën të mundur këtë projekt humanitar e madhështor.

Shoqata “Bijtë e Shqipes”, forca motorike e komunitetit shqiptar në Philadelphia

Të gjithë të pranishmit u ndien mirë dhe të lumtur për të dyja familjet që tani kishin gjetë paqen dhe qetësinë e tyre në shtëpitë e reja. U ndiem krenarë për punën me përkushtim e këmbëngulje të shoqatës “Bijtë e Shqipes” për të ndërmarrë një projekt të tillë, bujar e human, për përpjekjet dhe sakrificat për ta përfunduar me sukses ndërtimin e këtyre dy shtëpive. Kjo fushatë dhe fushatat tjera për t’u ardhur në ndihmë bashkatdhetarëve tanë po dëshmojnë qartë se shqiptarët në Philadelphia kanë një shoqatë mjaft aktive e të respektuar dhe kanë një komunitet që dita ditës po bëhet më i organizuar, më i ndërgjegjshëm për fuqinë që mund ta kemi kur veprojmë së bashku. është shoqata “Bijtë e Shqipes” nxitësja dhe promotorja e të gjitha veprimtarive që shqiptarët organizojnë në Philadelphia. Për punën e saj atdhetare e kulturore, për korrektësinë e saj për të grumbulluar e menaxhuar fonde financiare me një ndershmëri të tejskajshme, ajo çdo ditë e më tepër është duke e gëzuar mbështetjen dhe respektin e komunitetit. Arka e shoqatës sonë drejtohet e menaxhohet nga njerëz të ndershëm e profesionistë. Çdo qindarkë evidentohet, për çdo qindarkë jepet fatura, çdo qindarkë dihet se për çka shpenzohet, për çdo qindarkë jepet llogari e përgjegjshmëri.

Ndoshta u zgjatëm pak në këtë shkrim, por është mirë që anëtarët e shoqatës dhe lexuesit e këtij shkrimi duhet ta kenë para syshë që për të bërë diçka të vlerë duhet bërë shumë sakrifica, punë këmbëngulëse e me përkushtim. është Viti i parë i Ri që familjet në Ishëm të Durrësit do ta presin në shtëpitë e tyre të reja. T’u dëshirojmë një vit e jetë të mbare e le t’i trashëgojnë shtëpitë e tyre të ndërtuar me fondet financiare të dhuruara me shumë dashuri nga bashkëkombësit e tyre. Ne nuk e kemi njohur njëri – tjetrin, jetojmë larg njëri – tjetrit, por zëri i atdheut na afron, na bashkon…

Philadelphia, 19 dhjetor, 2021

Sadik Elshani është anëtar i Këshillit Drejtues dhe ish kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2670
  • 2671
  • 2672
  • 2673
  • 2674
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT