Rajmonda Xhetani |
Frymëzimi për të shkruar diçka, vjen kur një situatë apo ngjarje i provokon emocionet tona.
Marrëdhënia ime me librin ka qenë gjithmonë e ngushtë.
Libri i parë që mora në dorë gjatë pandemisë, ishte një libër që më ishte dhuruar nga një mikesha ime, disa javë më parë. Fillova të lexoj me kureshtje, “Unë jam Malala”. Kisha dëgjuar për Malalën, kisha dëgjuar dhe për bestseller-in me 351 faqe që Christina Lamb kishte shkruar.
Nuk mbaj sesi arrita deri në fund të librit, Me një gjuhë të thjeshtë e të qartë, renditeshin të gjitha ngjarjet në Pakistan, thyerja e tabuve sociale, lufta ndaj analfabetizmit e fuqia e penës.
Kauza fisnike, për të cilën luftoi një vajzë e vogël si Malala, u përkrah e u vlerësua nga aktivistët për të drejtat e grave. Malala luftoi për të drejtën e tyre për arsimim, duke e cilësuar “penën” si një fuqi të madhe. Vetëm në këtë mënyrë gratë mund të luftonin krah për krah me burrat.
Ishin shtatë librat e autores Jean Sasson që pasuan leximin e “Unë jam Malala”. Ngjarjet zhvilloheshin në Arabinë Saudite. Ndryshonin fytyrat, ndryshonte vendngjarja por mënyra si trajtoheshin vajzat dhe gratë ishte e njëjtë.
Në këto libra, dëshmohej historia e vërtetë e princeshës Sulltana dhe princeshave të tjera që i përkisnin familjes së saj. Princesha Sulltana ishte e vendosur për ti dhënë fund shtypjes së grave dhe vajzave në vendin e saj. Shtypja që ju bëhej grave dhe vajzave aty, në cdo kulturë tjetër do të shihej si një shkelje e tmershme e të drejtave njerëzore. Nuk ndaloja së lexuari, isha e etur për t’u informuar në lidhje me ngjarjet atje edhe pse shpesh ishin çnjerëzore.
Pas leximit të tyre kërkova informacion për Ligjin e Sheriatit, çfarë përmbante dhe deformimin qe i bëhej.
Ligji i Sheriatit do të thotë, ligj fetar, kod ligjor i legjitimuar fetarisht, i pandryshueshëm.
Realiteti tregonte që që ky kod fetar, po keqinterpretohej, e të prekura shumë nga ky keqinterpretim ishin vajzat dhe gratë.
Edhe pse të gjithë këto libra të “gozhdonin” kishte shumë momente që ishte e nevojshme, të bëje një frymëmarrje të thellë e ti ktheheshe sërish librit.
Kur kërkoja në google shfaqeshin disa foto që tregonin dëshirën e madhe të vajzave dhe grave për t’u përfshirë në jetën sociale dhe politike të vendit. Më tërhoqën vëmendjen, fotografitë e disa vajzave afgane duke punuar në një internet-kafe ( 8 Mars 2012), fotografia e Nima Suratgar kandidate për parlamentin afgan ( 2010) si dhe një futbolliste afgane ( 2014).
Gjatë këtij viti kur tensioni në Afganistan arriti kulmin, lexoja të gjitha lajmet që informonin për gjendjen atje. Sigurisht që ishte e pamundur të mos përfshiheshe emocionalisht, kur mendoje një popull që vuante nga shkelja e të drejtave minimale.
Në verën e këtij viti, Shqipëria ishte një nga shtetet që hapi dyert për shtetasit afganë. Gjendesha përtej kufirit (jo shumë larg) kur e lexova në lajmet e ditës.
Nuk e dija që do të ishte pikërisht institucioni ku unë punoja, “ streha” e parë që do t’u ofrohej shtetasve afganë , e që do të isha unë një nga personat që do të udhëzohej për ti mirëpritur. Më në fund kisha mundësi të ofroja ndihmën time modeste, atë që e kisha imagjinuar shpesh herë.
Pavarësisht dëshirës së madhe nuk e dija që do të vinte një moment i tillë.
Eshtë e vështirë, ndoshta e pamundur që ta përcjell si duhet emocionin që përjetova kur mbërriti autobuzi i parë (që vinte nga Aeroporti Ndërkombëtar). Në fund të fundit, emocionet e forta nuk mund të tregohen. Të qenit vajzë, grua, punonjëse sociale, më nxiste akoma më tepër për t’u gjendur aty gjatë atyre ditëve. Jam e bindur që shumë prej personave që gjendeshin aty për t’i mirëpritur përjetuan emocione të forta. Ishin orët e para të mëngjesit, ekzaktësisht 03.15. Autobuzi ishte i mbushur me burra, gra dhe shumë fëmijë.
Në mendje më vinte Malala, më vinte princesha Sulltana, e çdo rresht i atyre librave.
Në hapësirën kohore të tre minutave, të rrugës që ata përshkuan nga autobuzi deri në holl, m’u shfaqën shumë imazhe e shumë ngjarje.
M’u kujtuan fjalët e Malalës ndërsa tregonte përjetimin pas plagosjes.
Pas asaj nate shumë shtetas të tjerë afganë erdhën.
Ishte e dhimbshme të mendoje që ata njerëz kishin lënë vendin e tyre, por shumë e bukur kur i shikoje të gjallë e plot dëshirë për të vazhduar jetën.
Sigurisht që bëmë maksimumin që t’ua bënim disi më të lehtë qëndrimin pranë nesh.
Gjatë atyre ditëve pashë vetëm sy të qeshur fëmijësh, pashë burra që ndihmonin bashkëshortet dhe që kujdeseshin për familjarët e tyre, e gra që kërkonin një vend ku të respektoheshin të drejtat e tyre.
Më erdhi keq që kaluan shumë shpejt ato ditë derisa erdhi momenti që ata të akomodoheshin në një tjetër vend.
U larguan mirënjohës, me një dëshirë të jashtëzakonshme për të vazhduar përpara.
Cdo vajzë të vogël e shikoja si një ”Malala” dhe çdo grua si një princeshë “Sulltanë”.
Tiranë, 20 Dhjetor 2021
Rajmonda Xhetani