• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA DHE ÇËSHTJA SHQIPTARE, 3 OPSIONET E PARA 30 VITEVE

October 10, 2021 by s p

-E nënshkruar në 11 Tetor 1991, Deklarata e 11 partive politike shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Peshevës e Malit të Zi kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare. “Ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, shprehej Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar para 27 viteve/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 11 Tetor 2021/ Referendumi me të cilin Kosova shpallej shtet sovran dhe i pavarur, i mbajtur nga 26 deri 30 Shtator 1991 me  99,87 për qind të votave pro, që pasonte Deklaratën për pavarësi të 2 Korrikut e Kushtetutën e Republikës të 7 Shtatorit 1990,  pasohej edhe me zhvillime tjera në angazhimet për realizimin e vullnetit kombëtar e demokratik të shqiptarëve në trojet e tyre jashtë kufirit të Shqipërisë. “Deklarata politike për tri opcionet e zgjidhjes së çështjes shqiptare më 1991”, është një nga dokumentet e atyre zhvillimeve historike, pjesë e të cilave ishin edhe zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale të Kosovës të 24 majit 1992.

Pikërisht para 30  viteve, në 11 tetor 1991, në Prishtinë, është miratuar e nënshkruar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.  Deklarata e 11 partive politike shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Peshevës e Malit të Zi kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm  të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet  sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e  shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë”.

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova,  në intervistën që kam zhvilluar në Shtatorin 1994 – intervistën e parë ekskluzive të një Presidenti të Kosovës për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), duke përkujtuar e vlerësuar dokumentin e tre opsioneve  theksonte se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale…”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

“Në kuadër të propozimeve e modaliteteve për zgjidhjet e mundshme për Bosnjën e ish-Jugosllavinë, ideja Juaj për mundësinë e lidhjes konfederale të Kosovës me Shqipërinë pati mjaft jehonë. A mund të lidhet kjo ide edhe me integrimet e dëshiruara kombëtare dhe me rikomponimet e paralajmëruara në Ballkan?”, ishte një nga pyetjet, në të cilën Presidenti Rugova përgjigjej:

 “Mua më vjen mirë që kjo ide pati jehonë dhe u prit mirë kështu në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. Një ide e tillë do të lehtësonte zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Siç kam thënë, nëse legalizohen lidhjet konfederale tash aktualisht mes serbëve të Bosnjës e Serbisë,  atëherë patjetër duhet të legalizohen edhe për shqiptarët.

Siç dihet, në opcionin e tretë të Dokumentit – Deklaratës së Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, të aprovuar më 1991, qëndron edhe kjo – lidhjet konfederale apo bashkimi me Shqipërinë. Por, tri opcionet e atij dokumenti varen nga ndryshimet e kufijve të brendshëm dhe kufijve të jashtëm të ish-Jugosllavisë. Prandaj, një projekt i tillë i lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë është më afër mendësh dhe mund të realizohet. Natyrisht, kjo do të lehtësonte shumë gjëra në integrimet shqiptare, në integrimet ballkanike e në integrimet evropiane, që janë një proces dhe duhet t’i shikojmë si një proces.

Dokumenti që e përmenda më parë, është një dokument vërtetë me një vizion që na ka drejtuar deri tash në punën tonë të përgjithshme, të partive politike, edhe në krijimin dhe punën e institucioneve të Kosovës”.

Një pyetje tjetër ishte: “Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi edhe nëpërmjet një dokumenti të përbashkët kanë shprehur kërkesat dhe opcionin për zgjidhje, pos për Kosovën, edhe për çështjen shqiptare në Maqedoni e Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në Mal të Zi. Cila do të ishte zgjidhja optimale në këtë moment?”.

 Presidentit Rugova përgjigjej: “Tashmë e thashë se ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar. Atëherë kur e nxorëm këtë dokument, që ka validitet edhe sot, opcioni i parë, nëse nuk ndryshojnë kufijtë e brendshëm, ishte një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë, që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale. Të gjitha këto pjesë shqiptare, të themi kështu, kanë deklarimin e vet, të popullit, referendumin në Kosovë, në Maqedoni, në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë dhe Memorandumin në Mal të Zi, që ka edhe vlerën e një referendumi.

Prandaj, në bazë të situatës që e kemi, ne qëndrojmë në realizimin e opcionit të parë, do të thotë punojmë në pavarësimin e Kosovës dhe që shqiptarët në Maqedoni të realizojnë të drejtën e popullit shtetformues në atë republikë. Po ashtu edhe shqiptarët në viset e tjera etnike në ish-Jugosllavi të realizojnë të drejtat, për të cilat janë deklaruar.

Në këtë plan janë realizuar mjaft gjëra praktikisht. Mos të harrojmë se në Preshevë e në Ulqin partitë shqiptare e kanë marrë pushtetin lokal. Ai është hap i parë, edhe pse tash komunat nuk kanë ndonjë pushtet as në Maqedoni, as në Preshevë e as në Ulqin, u bë ai centralizimi, që para shthurjes së ish-Jugosllavisë, kur filluan t’u merren kompetencat komunave. Tash ato kompetenca janë reduktuar edhe më shumë.

Ndërsa në Kosovë, ne, edhe pse të okupuar, kemi organizuar jetën tonë, kemi afirmimin e çështjes, projektit të pavarësisë. Në Maqedoni kemi hyrjen – prezencën në instiucione, gati të gjitha komunat shqiptare i kontrollojnë shqiptarët. Prandaj, është një punë, një proces, do të thotë edhe këtu janë realizuar gjëra praktike dhe pragmatike që shihen, janë rezultatet që shihen e që preken”.

Në intervistën që e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, Rugova falenderonte dhe vlerësonet ATSH-në, për informimin nga Kosova e për Kosovën.
“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive për ATSH-në derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova.

Ai theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”.
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova.
Presidenti Rugova besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte.
“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë  është marrë në konsiderim, dhe po  shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej  Rugova para 27 viteve në intervistën ekskluzive qe zhvilloja, ku parashikonte ngjarjet dhe zhvillimet që ishin si ëndërr, por që pasuan dhe u bënë realitet.

MË 22 KORRIK  1991 FORMOHET KËSHILLI KOORDINUES I PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE TË KOSOVËS

Më 22 Korrik 1991, Partitë Politike Shqiptare të Kosovës u pajtuan dhe morën vendim që të themelojnë Këshillin Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës, me qëllim të zhvillimit, bashkëpunimit dhe të koordinimit të aktivitetit ndërmjet tyre, si subjekte politike të popullit shqiptar, të konstituimit të ndërsjellë të tyre dhe ndërtimit të platformës dhe të strategjisë së përbashkët për të realizuar synimet e shqiptarëve dhe për t’iu kundërvënë me sukses masave që po ndërmerr pushtuesi për thyerjen e qenies kombëtare dhe për rrënimin e çdo subjektiviteti e sovraniteti të shqiptarëve në Jugosllavi.
Këshillin Koordinues, si subjekte të mëvetësishme dhe të barabarta, e përbëjnë këto parti politike: Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Parlamentare e Kosovës, Partia Fshatare e Kosovës, Partia Shqiptare Demokristiane, Partia Socialdemokrate e Kosovës dhe Partia Republikane e Kosovës.
Formimi i këtij Këshilli le të hapura mundësi për forma të reja të organizimit dhe të koordinimit ndërmjet të gjitha partive politike shqiptare dhe të asociacioneve të tjera. 
Këshilli koordinues vendos në pajtueshmëri të plotë të subjekteve politike që e përbëjnë. 
Kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

DEKLARATA POLITIKE PËR TRI OPCIONET E ZGJIDHJES SË ÇËSHTJES SHQIPTARE MË 1991

Njëmbëdhjetë partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen eçështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi japin këtë:Deklaratë politike

A)     Çështja e pazgjidhur kombëtare shqiptare në Jugosllavi është pasojë e copëtimit të trojeve etnike shqiptare, kur me krijimin e shtetit të Shqipërisë më 1913 jashtë tij, në territore kompakte etnike, mbeten më shumë se gjysma e popullit shqiptar, të cilët asnjëherë nuk i gëzuan të drejtat legjitime kombëtare, as në Jugosllavinë mbretërore, as në Jugosllavinë socialiste;

B)     Copëtimi i territoreve të popullit shqiptar, që u bë pa përfillur parimin etnik në caktimin e kufijve shtetërorë dhe pa përfillur vullnetin e popullit shqiptar, vazhdoi edhe në Jugosllavi, duke e ndarë popullin shqiptar në kufij politiko-administrativë të Kosovës, të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Një autonomi të caktuar politike populli shqiptar e pati vetëm në Kosovë, të garantuar me Kushtetutën e vitit 1974, që është ende në fuqi dhe sipas së cilës Kosova është element konstituiv i Federatës Jugosllave;

 C)     Serbia, në kundërshtim me Kushtetutën e Jugosllavisë, më1989 hoqi autonominë e Kosovës, suprimoi të gjitha të drejtat kombëtare të shqiptarëve, u mori shqiptarëve çdo të drejtë për sovranitet dhe subjektivitet, i largoi nga të gjitha institucionet shtetërore, suspendoi Kuvendin e Kosovës, Qeverinë e Kosovës dhe të gjitha kuvendet e komunave, ndaloi mësimin në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, mbylli mjetet e informimit në gjuhën shqipe, aplikoi gjuhën serbe dhe alfabetin qirilik si gjuhë dhe shkrim zyrtar në komunikimin publik, largoi nga puna mbi tetëdhjetë mijë shqiptarë;

D)     Si shprehje e mospajtimit me një gjendje të tillë, populli shqiptar organizoi protesta të qeta, në të cilat morën pjesë mbi gjysëm milioni njerëz, u mbajtën grevat e punëtorëve, si dhe greva gjenerale. Pushteti serb reagoi me dhunë: u vranë mbi 100 shqiptarë, u plagosën mbi 300, u burgosën dhe u dënuan me burg shumëvjeçar mbi 12 mijë veta, mbi 600 mijë veta kaluan nëpër procedurë policore.

E)      Duke parë se Jugosllavia u tregua model i pasuksesshëmpër zgjidhjen e çështjes kombëtare në Ballkan, deputetët e Kuvendit të Kosovës më 2 Korrik 1990 shpallën Deklaratën për Pavarësi dhe më 7 Shtator 1990 Kosovën e Shpallën Republikë. Kjo ishte zgjidhje logjike e organizimit shtetëror të Kosovës, si njësi politiko-territoriale, në të cilën jetojnë 90% shqiptarë dhe vetëm 10% të tjerë.

Partitë politike shqiptare në Jugosllavi, si zëdhënëse legjitime të vullnetit politik të popullit shqiptar, duke u përcaktuar për rrugën paqesore dhe demokratike të zgjidhjes së të gjitha çështjeve në bazë të së drejtës së popujve për vetvendosje, sipas parimeve të KESB-së, të Konferencës së Parisit, u përcaktuan për këto variante të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi:

1.    Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.

2.    Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.

3.    Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.

Partitë politike shqiptare deklarojnë se vullneti politik i popullit shqiptar, i shprehur edhe në Referendumin e organizuar në Kosovë më 26-30 Shtator 1991, me ç’rast Kosova u shpall Republikë sovrane dhe e pavarur, është forcë reale që nuk mund të injorohet nga askush. Kriza në Jugosllavi filloi në Kosovë, me pakënaqësinë e shprehur të popullit shqiptar me pozitën e tij dhe kurrsesi nuk mund të përfundojë pa pjesëmarrjen e më se tre milionë shqiptarëve në Jugosllav. Populli shqiptar rreth shtatë milionësh, si popull autokton e me traditë evropiane, ishte, është dhe do të jetë faktor tejet i rëndësishëm i stabilitetit në Ballkan dhe në Evropë.

Prishtinë, 11 Tetor 1991

Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi

Dr.Ibrahim Rugova, kryetar

1.     Lidhja Demokratike e Kosovës

2.     Partia e Prosperitetit Demokratik

3.     Lidhja Demokratike në Mal të Zi

4.     Partia për Veprim Demokratik

5.     Partia Fshatare e Kosovës

6.     Partia Shqiptare Demokristiane

7.     Partia Parlamentare e Kosovës

8.     Partia Socialdemokratike e Kosovës

9.     Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar

10.     Partia Popullore Shqiptare

11.     Partia Demokratike Shqiptare

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari

MASAKRA E 13 TETORIT 1943

October 10, 2021 by s p

Nga Fritz RADOVANI

Melbourne, 9 Tetor 2021

Populli Shqiptar asnjëherë nuk ka kenë agresor, as pushtues i një pëllambë toke të shteteve fqinjë. Ai nuk asht angazhue në asnjë blok  gjatë Luftës së Dytë Botnore, madje asht kenë edhe shteti i parë që u pushtue nga Italia fashiste më 7 prill 1939. Nuk duhet harrue se ngjarja e 13 Tetorit 1943, asht masakra ma e përgjakshme e bame mbi Popullin e pambrojtun Shqiptar gjatë gjithë Luftës së Dytë Botnore. Atëherë, pse na bombarduen dhe mbasi na gjakosën.., dhe na hapne 503 vorre per pak minuta, por edhe heshtën? Nexhmije Hoxha i ka deklarue Rudina Xhungës në 1998: “Atë e bënë Aleatët. Ne nuk kishim sesi të ngrinim zërin përderisa né ishim të lidhur me Aleatët, ata e bënë”. Aleatët ishin të lidhun me komunistët shqiptarë, vepronin si të donin, bombardojnë e vrasin vetëm per me ushtrue terror mbi popullsinë e pafajshme dhe, për me e nënshtrue até. Një tmer i vertetë! Mjerë Ata që e kanë provue! Binin bombet shperthyese si t’ ishin karramele nga qielli. Veç kur mbas pak sekondash aty ku ishim na, shtrihej pertokë një njeri i shtëpisë që s’çohej ma! As nuk di kush me e mendue sa shpejtë mbulohej toka n’gjak, që kushedi sa vite kalojnë e ai gjak nuk shlyhet nga truni ynë që, patme rrezik me e pa nder shtëpijat tona. I kapun fort per fustanin e Nanës, pritshe kur Baba do të çohet prap. Virrmat e Nanës prej atij çasti vazhduen e nuk i pushuen gjithë jeten. Nuk dijshe me kuptue shka ngjau, ishe vetem tre vjeç. Trokiti dera e shtëpisë. Erdhi një Burrë me këmishë të bardhë që ecte pa frikë nën zhurmen e avioneve, që hidhnin bombe. Mbas shumë e shumë vitesh Nana më pat shpjegue: “Gati po më lonte mendja kur Kola ishte shtrij i vramë pertokë, e unë me ty tre vjeç, vetem pritshe kur t’ bijnë bombet tjera me na vra. Pa asnjë shpresë ma në kte jetë! Kur trokiti dera as nuk më shkonte mendja se kush mundet me kenë. E hapa deren, kur pashë të veshun me këmishë të bardhë Pader Mëshkallen, i cili nuk dij ku e kishte marrë vesht fatkeqsinë që na kishte gjetë dhe, ashtu nen zhurmen e bombeve, kishte vrapue me u gjetë pranë nesh. U ulë në njenin gju pranë Kolës, e pau se Ai e kishte mbyllë perfundimisht këte jetë, dhe filloi Uratët e Asaj Jetë prej kah nuk kthehej kurrma! Ishin Shartet e fundit! Vazhdoi Lutjet e Tij dhe nuk iku derisa mërrijti Axha i em, At Mati Prennushi, që kishte marrë vesht lajmin e zi per Kolen. E, mos harroni, se kjo ngjarje fillonte prej fushes aviacionit dhe vazhdonte gjatë gjithë rrugës së Kavajës e, deri tek qendra e Tiranës, tek shtëpia e oficerave, ku nuk besoj se kishte shtëpi pa të vramë. Për pak minuta në Tiranë janë vra 503 vetë”.

U bombardue pra, edhe Tirana

Tirana u bombardue me 13 tetor 1943 dhe, u la varrezë e një Populli Martirë, që për 50 vjet të tjera vazhdoi me tmere tue u bombardue, me u rrënue, me u torturue, me u masakrue, me u shpartallue, me u burgosë, me u pushkatue, me u interrnue, me u vorfnue, me u dhunue, po edhe me u shkombtarizue. E prap sot ajo po vazhdon me u plaçkitë nga komunistët e “rilindur” kapitalistë, bijtë e tiranve terroristë Everit, Ramizit dhe stërnipat e Titos e të Stalinit të “math”. Të gjithë vrastarë e katila të pashpirt.

Filed Under: Kronike Tagged With: Fritz radovani

DUKE KERKUAR SHKAQET E RRITJES SE CMIMEVE TE PRODUKTEVE BUJQESORE DHE BLEGTORALE NE SHQIPERI

October 10, 2021 by s p

ZEF PRECI/

Cildio qe lexon keto te dhena zyrtare te numrit te krereve dhe te prodhimeve bujqesore gjate tete viteve te fundit (2013-20) kupton lehtesisht stanjacionin qe mbisundon ne ekonomine tone kombetare. Ne te gjithe literaturen profesionale e te pakten dy dekadave te fundit bujqesia dhe turizmi shihen si dege me potencialin me te madh zhvillimorr ne vendin tone, me mundesite me te medha per te rritur fuqine eksportuese dhe konkurruese te saj, por edhe per te thithur fuqine puntore te re qe krijohet cdo vit. Nderkaq stanjacioni i treguesve te publikuar se fundmi (shih pasqyrat e meposhtme) deshmon edhe deshtimin spektakolar te politikave te shpallura me pompe e propagande mbytese, por qe nuk hap vende pune, nuk rrit rendimentet, nuk shton prodhimin e per rrjedhoje erdhem te kriza e sotme. Edhe ne keto kushte kur kriza ka sjelle edhe rritjen e cmimit te bukes, ende nuk ka asnje reagim institucional qe do te deshmonte njelloj reflektimi mbi kete situate psh ndemarrjen e politikave mbeshtetese qe shtojne siperfaqen e mbjelle me drithera, nxitin mekanizimin e bujqesise dhe kapercimin e fragmentimit te tokes, rritjen e kontrollit mbi farerat, fidanet, kafshet e races dhe pesticidet, etj. Ndoshta dikush duhet t’i kujtoje “udheheqesit” se kriza boterore energjitike zgjidhet nga udheheqesit boterore qe e kane ne kurriz dhe se detyra kushtetuese e tij nuk eshte vetem te jape lajmet, por edhe te angazhoje specialistet dhe ekspertet e vendit, burimet natyrore dhe financiare ne dispozicion qe vendi te dale nga ky lloj stanjacioni qe po mbush dekaden nen qeverisjen virtuale te tij. Personalisht kam bindjen se me nje qeverisje me te mire Shqiperia mund te behet e jetueshme, por kjo nuk mund te arrihet duke i ikur realitetit apo duke besuar te pabesueshmen, dmth qe ky popull do te haje bar gjithe jeten…

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Zef Preci

KUJTESA- DY VJET PA IKONËN E KELMENDIT MARASH MRNAÇAJ

October 10, 2021 by s p

NGA DALIP GRECA

Si sot, dy vjet të shkuara, ndërroi jetë një nga ikonat e Kelmendit, Marash Mrnaçaj. Ishte paraditja e së Enjtes të 10 tetorit 2019, kur zemra e lodhur e Marashit pushoi së rrahuri në White Plaince Hospital.Familja e dashur që e pat rrethuar me aq shumë dashuri gjatë të gjithë jetës, edhe në ato çaste ishte pranë tij. Në sytë e tyre u shua njeriu që e kishte udhëheqë me zotësinë e një kapiteni të sprovuar familjen e tij, që e kishte drejtuar me mençuri anijen në dallgët e rrezikshme të jetës. Nuk ishte e lehtë t’i prije familjes së madhe të kapërcente kufirin në kohën e diktaturës,me pleq e fëmijë të vegjël, së bashku me bagëtitë, në një natë me terr e stuhi bore. Po me zotsinë e një kapiteni ai e voziti anijen(familjen) nëpër Ish Jugosllavi, Itali, derisa e ankoroi në portet e Lirisë amerikane. Të gjitha betejat jetësore Marashi i fitoi me zotsi dhe familja e tij e madhe ndjehet krenare për kapitenin e saj, edhe pas vdekjes.

Sot në Kishën Katolike Shqiptare ’Zoja e Shkodrës’ në Hartsdale, Nju Jork, do të mbahet meshë për shpirtin e Marashit, ndërkohë që familja do të shkojë në varrezat Gate of Haeven në Westchester, ku prehet Marashi dhe pjestarët e tjerë të familjes së Mrnaçajve.

Edhe vitin e kaluar me 10 tetor 2020, një vit pas ikjes nga jeta toksore, Marash Mrnaçaj u përkujtua me nderim e respekt të thellë nga familja e madhe dhe miqtë. Edhe pas ikjes së tij, familja e madhe ( Mrnaçajt e kalojnë numrin 100 e pjestarëve), ndjehet e bashkuar rreth simbolit të tyre,kapitenit të tyre, ikonës së Kelmendit,njeriut që sfidoi dhe u kthye në simbol qëndrushmërie. Dera e Shtëpisë së Mrnaçajve është përherë e hapur për miqtë falë frymës së dashurisë njerëzore që u përcolli ai fëmijëve, mbesave dhe nipërve. Mësimet e Marashit mbeten jetësore, njerëzore, përcillnin besim dhe shpresë.

Duke pasë pranë vetes gjysmën e Tij, një bashkshorte si Mrija, Shtëpia e Mrnaçajve mbetet derë e hapur Kelmendase në Nju Jork.Marashi i edukoi pasardhësit e vet me frymën e besimit,miqësisë, respektit për veten dhe të tjerët, i edukoi me frymën e dashurisë, Lutjes e Besimit në Zot!

Filozofia e tij jetësore mbështetej në porosi të tilla si: Kembengul dhe mos u dorëzo asnjëhere!Nëse do të arrish diçka ,puno shumë dhe kurrë mos u dorëzo!

          Shembull ishte ai vetë, kurrë nuk u dorëzua-Qëndroi stoik, i patundur nga shtërngatat jetsore, si malet nga vinte, edhe kur jeta ndodhej e rrezikuar buzë honeve që mund ta përpinin atë dhe familjen, ai sërish ia dilte.

  Marashi ishte një njeri me karakter të forte, që e kishte sfiduar vdekjen shumë herë gjatë jetës se tij.E kishte sfiduar vdekjen duke besuar fort tek jeta.Kurrë nuk qe dorëzuar, as kur i arrestuan e burgosën vëllanë Nikollën,-që i kaloi dy dekada në burg dhe gjithë familjen të internuar kampeve të vdekjes; as kur humbi jetën, në emër të idealeve, i biri, Nika(I kthyer në simbol të Ditës së Lirisë Shqiptare në Nju Jork).

 Ka shumë sfida në jetën e Marash Mrnaçajt, që ai i kapërceu me zotsi. Sfida me e rrezikshme ishte ajo e arratisjes pas burgosjes të vëllait Nikollës. Arratisja u bë në një mot të ashpër me acar, erë dhe borë. Ishte 21 dhjetori i vitit 1959. U arratisën burra e gra, pleq, fëmijë e bagëti-dele, lopë e mushka. Edhe sot Mrija e ka të vështirë të heqë nga kujtesa imazhet e akullta të asaj nate me terr, të ftohtë të acartë, bore mbi një metër, kur ajo shtërngonte fëmijët në gjoks dhe i ngrohte me frymën e saj prej nënë. Prindërit e Marashit që ishin në moshë të thyer dhe fëmijët e vegjël, e kishin të vështirë ta përballonin atë rrugëtim, gati ishin ngrirë nga stuhia. Ndoshta ata, fëmijët dhe pleqtë, ishin ëngjëjt që i shpëtuan edhe të rriturit atë natë dimri. Guximi i Marashit, besimi në Zot, u dha fuqi të gjithëve që ta kapërcenin kufirin, edhe pse u endën për shumë kohë nëpër terr e borë, në një rrugë që normalisht nuk mbante më shumë se 1 orë nga shtëpia e tyre, ndërsa ata e përshkuan për 22 orë nga që edhe mjegulla e terrin ua pengonin orientimin. Disa here u kthyen në pikën e nisjes.

Sfidë tjetër ishte sigurimi i jetesës në Titograd, ku e vendosën me familjen. Marashi punoi fort, siguroi jetesën dhe e ndërtoi vetë shtëpinë, falë forcës së krahëve, pa i hyrë në borxh kujt.

Marashi ishte si ai timonieri i mirë, që falë zotsisë, arrinë ta nxjerrë anijen në breg edhe në shtërngatë. Pas tetë vitesh në Ish Jugosllavi, arriti të emigrojë në Itali dhe që andej më 1967 në krye të familjes mbërriti në Amerikën e ëndrrave, ku u ankorua anija e fatit të tij.

       Pa shumë shkollë, pa e ditur gjuhën angleze, me guxim iu fut biznesit dhe sërish sfidoi duke shënuar sukses. Ai u kthye në një biznesmen të suksesshëm me ndërtesat e veta, që i gëzon dhe i administron familja edhe sot.Por suksesi më i madh i Marashit ishte edukimi i fëmijëve, përcjellja e dashurisë dhe respektit për njeri-tjetrin, për mikun,fqinjin, dashuria dhe besimi i patundur në Zot. Jo vetëm fëmijët e Marashit, por dhe fëmijët e fëmijëve, e donin me shpirt, edhe sot betohen ‘për kokën e tatës’. Ai ishte gjithçka për ata, një gjysh frymëzues, një ikonë e gjallë. 

Edhe sot, familja Mrnacaj nuk mungon në asnjë prej ngjarjeve të komunitetit, në ngjarje të gëzuara apo në morte, ajo përcjell respekt dhe fisnikëri të trashëguar nga Marashi.

Tek i pyesja gjatë përvjetorit të parë të pasvdekjes, mbesat dhe nipat- Si e kujtoni gjyshin Marash? Përgjigja që marr është kjo : Tata (kështu e thërrisnin) ishte gjithçka për ne. Ne mezi prisnim të takoheshim me atë gjat fundjavëve.
Citoj të bijën, Verën: Mëngjesin e 10 Tetorit 2019,Zoti e mori pranë vetes babain për t’ju bashkuar pjesës tjeter të familjes në parajsë. Me ne fund ai u lirua nga dhimbjet dhe vuajtjet,duke u preh në paqe bashkë me prindërit, vëllezërit dhe djalin e tij Nikën e dashur…Tani po na shikojnë të gjithë nga parajsa. Im atë nuk u dorëzua asnjëherë deri ne fund….Për të gruaja, fëmijet dhe më vonë nipërit dhe mbesat ishin krenaria dhe gëzimi më i madh në jetë.Babai im erdhi në këte vend me mendimin për të punuar shumë,për të bëre një jetë të ndershme në mënyre që të mos i detyrohej askujt një ditë…dhe ashtu bëri.Siç e dimë te gjithë,historia e jetës së tij flet vetë…Ishte shumë e vështire për të të gjente kohën e lirë por çdo moment që kalonte me ne ishte shumë i veçantë.E diela ishte padiskutim dita jonë,një dite që i dedikohej vetëm familjes.
Tata thoshte gjithmonë që të punosh të dielën është e ndaluar, është dita e Zotit,e familjes dhe miqëve për të qendruar sëbashku.
Ai ishte një gjysh i përkushtuar dhe krenar deri në ditën e fundit të jetës.

Marashi pati fatin t’i shikonte nipërit e tij (shpirtrat e tates) tek rriteshin dhe që ishin shumë krenar që e kishin në jetën e tyre.Dhimbja qe ne perjetuam me ikjen e tij nuk ka kaluar,por ne e dimë dhe e pranojmë qe ai është në një vend shumë më të mirë…Nëse secili nga ju do te mbyllte sytë për një moment dhe të kujtonte tim atë,jam shumë e sigurtë që me të keni ndier dashuri,siguri,respekt,kënaqësi dhe krenari…Ne si fëmijet e tij ndihemi të bekuar që kishim një baba model dhe një shembull shumë të mire per secilin nga ne. Ne mësonim jo vetëm nga fjalët e tij por edhe nga veprat.
Ai ishte një njeri që bëri çfare tha dhe fjala e tij ishte e pathyeshme.Babai im na dha mesime shume të vyera per jeten qe kur ishim të vegjël:
-I pari dhe më i rendesishmi: Besimi, lutja dhe dashuria për zotin.Ne ndjekim meshën çdo te dielë dhe themi rruzarën si familje.
‘’Respekti’’ është dinjitet,siç thoshte ai,’’respekto veten dhe të tjerët’’.
‘’Je i dashur me të tjerët’’ nuk humbet asgjë të jesh i sjellshëm.
‘’Këmbëngul dhe mos u dorëzo asnjëhere.Nëse  do të arrish diçka ,puno shumë dhe kurrë mos u dorëzo.Ai thoshte gjithmonë që asgjë në këtë jetë nuk është falas, edhe nëse është,do ta paguash dyfish ose më shumë më vonë]….Dhe mësimi më i madh që na dha në jetë ishte sesi të kemi besim dhe të mos gabojmë me Zotin…Babai im Ishte një njeri i jashtëzakonshëm dhe fjalet nuk mjaftojnë për të folur për të. Ai ishte një i krishterë i përkushtuar,që për të shpëtuar nga një vend komunist dhe duke rrezikuar jeten e tij dhe të familjes, na bëri të besojmë sesa të fortë e kishte besimin.
Një bashkëshort i përkushtuar,që thoshte shumë herë që Kur të largohej një ditë ,i vetmi peng i tij ishte që po linte gruan pas.Nëna ime ishte gjysma që plotësonte tim atë.Ai ishte burri,babai,gjyshi dhe miku që nëse ti kishe nevojë ai do gjendej gjithmonë aty! Jemi krenar për Atin tone fisnik!-përfundon Vera.

         Familja Mrnaçaj edhe pas vdekjes së Marashit përcjell mesazhe për komunitetin shqiptar, mesazhe dashurie e respekti. Një vit më pare tek po përcillja një kronikë të shkurtër për TV Albanian Culture  në Nju Jork me rastin e përvjetorit të ikjes nga jeta, thashë se nëse At Gjergj Fishta do të ishte gjallë, patjetër  Marash Mrnaçaj do të ishte personazh i “Lahutës së Malcisë” dhe se aty do të këndoheshin e hymnizoheshin bëmat e tij dhe të familjes së tij.

Marash Mrnacaj ishte dhe një vatran i mirë, mbështetës familjar i Vatrës. Edhe sot familja e tij mbetet vatrane, e përkushtuar ndaj Kombit!

I përjetshëm kujtimi i Marash Mrnaçaj!

Nju Jork, 10 tetor 2021

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, Marash Mrnaçaj

Kriza e çmimeve dhe Shqipëria në Ankand

October 10, 2021 by s p


Shkruan: Aleksander Rena

New York, USA


Që prej 1991-1992 po punohet për nxjerrjen e Shqipërisë në ankand, por nuk i’a kanë dal dot çakejt sllavo-rus me orientim gjoja perëndimorë. Historia ka treguar me gisht, çdo pabesi e rrënduar mbi Të, por që nuk i’a kanë dal dot t’a përfundojnë gjëmën e madhe, fal burrave patriot që emigracioni i rriti me dashurinë për Mëmëdhenë. Edhe sot po luhet me këtë kartë ku propogandohet si krizë energjitike, por në fakt po përgatitet plani i shitjes totale të Shqipërisë në duart e kulçedrës së nëndheshme së Katovicës! Shqipëria nuk ka krizë energjitike. Është vend që prodhon energji si dhe ujë të bollshëm, por këta që kanë udhëhequr këto 30 vite e kanë shitur jashtë çdo gjë dhe duke e lënë shqiptarin në varfëri dhe në kriza permanente. Tokat tona janë të mbushura me termocentrale dhe hidrocentrale. Kjo tregon se ne jemi fuqi Brotërore në prodhimtarinë e energjitikës, por fatkeqsisht jetojmë në një Shtet terr, ku politikanët e të gjitha partive kanë misionin e plaçkitjes dhe shkatërrimin e vendit. Tokat tona janë të mbushura me ujë të kristaltë dhe të bollshëm që prodhojnë produktet më bio në planet. Mjafton të shikojmë se ku shkon uji jonë (në Itali, Greqi dhe Gjermani) dhe se si kthehet mbrapa i amballazhuar gati për konsum vetjak. Tokat tona janë të mbushura me resurse mineralesh që e gjithë Globi na ka zili. Prandaj të huajt kërkojnë të gllabërojnë me qiri çdo gjë që na përket neve. Tokat tona janë të pasura me humus të bollshëm dhe me klimë të mrekullueshme në të katër stinët. Shqipëria është një pjesë toke e bekuar nga Perëndia.Tokat tona kanë nxjerr nga gjiri i tyre pemë dhe natyrë shekullore. Kjo është evidente edhe sot.Tokat tona nuk janë në krizë ekonomik, por në krizë atdhedashurie. Mjafton të hedhim një sy përreth.Politikanët tanë janë tradhëtarë të lindur të indetitetit tonë Kombëtar. Këtë e kanë vertetuar, duke qenë kukulla të lobingjeve. Shqipëria në mos 2025-sën, më pas do të dal në ankandin e shitjeve si Shtet i falimentuar 100%. Këtë nuk e them unë, por ekspertët ekonomik! Ne shqiptarët pa dallim feje, krahine dhe ideje, duhet të mbrojmë vendin tonë nga falimentimi dhe shitja. Siç bën të parët tanë dikur! Tradhëtarët e Kombit, nuk e kanë problem të luajnë me sigurinë Kombëtare dhe si sot, po sot, nuk ka më siguri Kombëtare, kur flitet për krizë buke dhe energjitike! Ky është fundi, apo ceku i jetikës dhe si rrjedhojë, kush ka pak llogjikë por edhe shpirt të mbetur, duhet të gjejë mënyrën për t’a ndaluar këtë katrahurë të madhe që po i bëhet vendit tonë në kurriz prej kohësh!

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2699
  • 2700
  • 2701
  • 2702
  • 2703
  • …
  • 2829
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT