
Dr. Hasan Bello/
Për shkak të mungesës së legjislacionit të nevojshëm dhe praktikave më të mira të vendeve ish-komuniste për procesin e dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare pas viteve 90-të, ende sot e kësaj dite vazhdojmë të pësojmë tronditje sociale njëra pas tjetrës. Në radhë të parë kjo vjen për mungesë ndershmërie dhe sinqeriteti, të elitës politike dhe intelektuale. Rivënia në skenë e veprave të realizmit socialist kërkon kujdes të madh, sepse ato janë shkruar në funksion të propagandës dhe legjitimojnë në aspektin estetik, terrorin komunist të diktaturës dhe Sigurimit të Shtetit. Për shembull çfarë ndjesie do të kishin familjarët e të ekzekutuarve padrejtësisht në kënetën e Maliqit, sikur romani “Këneta” të rivihej në skenë? Në fakt, edhe pas viteve 90-të ai është shfaqur me qindra herë, në çdo orë të ditës në kanalet kombëtare, pa “pullë”! Ky roman legjitimon në mënyrë monstruoze sajesat dhe vrasjet e inxhinierëve të pafajshëm nga Sigurimi i Shtetit me akuzën se ata po sabotonin tharjen e kënetës së Maliqit në bashkëpunim me amerikanët. Nga viti 1959 kur u botua deri në vitet 80-të ky roman ka njohur fatkeqsisht 19 ribotime me tirazh të lartë dhe 4 përkthime në gjuhë të huaj. Kjo nuk është rastësi. Por strategji. Gënjeshtra duke u përsëritur bëhet më e besueshme…E njëjta gjë vlen edhe për komedinë e shkruar nga Besim Levonja, koleg dhe pjesë e mekanizmit letrar-propagandistik, siç ishte Fatmir Gjata.