• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT E AMERIKËS NËN UDHËHEQJEN E VATRËS FESTUAN 109 VJETORIN E PAVARËSISË DHE FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR

November 29, 2021 by s p

SOKOL PAJA/

Patriotët shqiptarë nga të gjitha shtetet e Amerikës, nën udhëheqjen e Vatrës u mblodhën në New York dhe festuan 109 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Festën e Flamurit Kombëtar. Në një ceremoni madhështore me mbi 500 pjesëmarrës: patriotë shqiptarë, autoritete fetare, veprimtarë, kontribues të çështjes kombëtare, përfaqësues të të gjitha shoqatave shqiptare, vatranë, media, familje patriotike shqiptare në diasporën e Amerikës, përfaqësues zyrtar shtetëror nga Prishtina e Tirana, profesorë, miq e të ftuar, festuan për orë të tëra nën tingujt e muzikës së mrekullueshme shqiptare me gëzim, krenari e vëllazëri. 28 Nëntori, festa e Flamurit Kombëtar si themeli dhe identiteti ynë kombëtar shqiptar bashkoi si kurrë më parë shqiptarët nën një flamur për të festuar dhe uruar njëri-tjetrin në ditën e lirisë së shtetit e kombit shqiptar. Pavarësia si datë e veçantë në kalendarin e shtetit dhe të kombit shqiptar ku Vatra ka meritë historike pasi e mbrojti pavarësinë e Shqipërisë, , ku Faik Konica si kryetar i Vatrës në Nëntorin e 1912 orientoi edhe Kuvendin e Vlorës dhe shqiptarëve në përgjithësi orientojeni Shqipërinë nga perendimi. Vatra i priu mbrojtjes së shtetit shqiptar, organizoi diplomacinë, pagoi ambasadorë dhe luftoi fort për të mbrojtur territoret e Shqipërisë nga copëtimi.

NGA HIMNI KOMBËTAR TE BEKIMI I PRIFTIT DHE URIMI I KRYETARIT TË VATRËS

Aranit Hoxha, nga Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve në Tiranë, bëri hapjen e ceremonisë festive duke kënduar himnin kombëtar që çoi peshë zemrat kuq e zi të pranishme në sallë. Këngëtarët Gëzim Nika(Mjeshtër i Madh), Aranit Hoxha, Barbana Dini, Fahrije Zogaj, Argjend Lloga dhe ekipi i tyre artistik, krijuan një atmosferë fantastike për të gjithë të pranishmit duke lënë mbresa të jashtëzakonshme. Famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës në New York, Dom Pjetër Popaj në bekimin e darkës së Flamurit dhe Pavarësisë u shpreh: “Kjo ditë u takon atyre që ia falen atdheut lirinë, bashkimin e pavarsinë. Ata ranë deshmorë por nuk vdesin kurrë, janë gjithmonë në mendjet e kujtimet tona në cdo festim e përvjetor. Toka e jonë është e shenjte sepse është e bekuar me gjakun e Martirve. Bëj o Zot që nje ditë të kemi nje popull të bashkuar në një shtet të vetëm. O Zot bekoje popullin tonë, mbrojë nga çdo rrezik, kudo që gjëndet në botë. Ky popull që nuk të harroi kurrë, në ditë të mira e të vështira, në gëzime e në pikllime. Bëj qe të jenë të bashkuar, të duan njari tjetrin me dashuri vëllazërore” tha në fjalën e tij Dom Pjetër Popaj. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha në fjalën e rastit për të uruar festën e Flamurit uroi shqiptarët për unifikim, bashkim, paqe, zhvillim dhe shpresë në Atdheun tonë të dashur e të shtrenjtë. Kryetari Berisha deklaroi: “Kjo ditë e shenjtë për të gjithë ne, është një ditë krenarie, lavdie dhe reflektimi të thellë. Sot më shumë se kurrë përkujtojmë aktin e lartë patriotik të shtetit shqiptar, mëvetësinë që plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali, së bashku me 40 firmëtarët e Pavarësisë e bënë shtetin shqiptar të lirë, të pavarur dhe sovran. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është moment kulminant i daljes nga robëria osmane pesë shekullore. Sot u shpreh mirënjohje të thellë patriotëve të shquar, luftëtarëve të lirisë, dëshmorëve të Atdheut dhe çdo shqiptari që nuk iu dhimbs asgjë në mënyrë që Atdheu të gëzojë lirinë dhe pavarësinë e tij” uroi kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. Si përfaqësues i shtetit të Kosovës, Ministri i Shëndetësisë Prof. Dr. Rifat Latifi uroi shqiptarët me rastin e festës së Flamurit ku ndër të tjera tha: “28 Nëntori është festë e shumëfishtë për kombin shqiptar. Është dita e Flamurit, është dita e Pavarësisë, është edhe ditëlindja e komandantit legjendar – kryekomandantit Adem Jashari, është edhe dita e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot Shqipëria dhe Kosova, si dy shtete sovrane, zhvillojnë marrëdhënie shumë të mira me dobi të përbashkët për të gjithë qytetarët tanë. Kosova dhe Shqipëria janë shtëpitë që kombi shqiptar i ka ngritur vetes për sigurinë dhe mirëqenien e tij dhe është detyra jonë për të bërë të mundur që këto dy shtëpi të jenë të forta dhe mbështetje edhe për ata shqiptarë që janë jashtë tyre, kudo në Ballkan dhe diasporë. Kujtesa e aktit të 28 Nëntorit vazhdimisht dhe gjatë gjithë vitit na fton që të forcojmë lidhjet kombëtare, zhvillimore në ekonomi e kulturë e në të gjitha fushat, dhe, kam besimin se ne do të dimë t’i përgjigjemi siç duhet, kurdoherë” tha ndër të tjera Profesor Latifi. Në fjalën e tij përshëndetëse për të gjithë shqiptarët z.Mark Gjonaj Këshilltar në Bashkinë e New Yorkut pasi foli rreth rëndësisë së Pavarësisë së Kombit shqiptar dhe rolin e mërgatës shqiptare në Amerikë, ai vlerësoi Vatrën dhe kryetarin Elmi Berisha për merita të veçanta dhe për punë të shkëlqyer në komunitet dhe në avancimin e çështjes kombëtare. Rob Astorino, kandidat për Guvernator i New York dhe  Asambleistja Natalia Fernandez uruan shqiptarët për 28 Nëntorin. Për të gjithë pjesëmarrësit dërgoi një mesazh urimi edhe Ambasadorja e Shqipërisë në Uashington zonja Floreta Luli Faber.

FESTA E FLAMURIT DHE PAVARËSIA BASHKOI VATRËN

Si kurrë më parë, me mbi 500 të ftuar Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra udhëhoqi festimet dhe organizimet solemne të festimit të 109 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar. Në këtë festë thelbësore të kombit tonë, Federata Vatra që ka pjesën e saj të jashtëzakonshme në historinë e shtetit shqiptar, erdhi në këtë festë më e bashkuar se kurrë. Pas një keqkuptimi juridik, Vatra u bashkua, Vatra u unifikua, Vatra u bë edhe më e shëndoshë, më e qëndrueshme, më e fortë, më përfaqësuese dhe më dinjitoze. Vatra i shpreh mirënjohje për punën e shkëlqyer z.Ahmet Xhafo, z.Mitat Gashi, z.Armin Zotaj, Doktor Elton Mara, Ukë Gjonbalaj, Gjon Buçaj, që bashkë me grupin e tyre të bashkëpunëtorëve me këtë bashkim forcojnë Vatrën, shtojnë vlerat kombëtare si personalitete të spikatura në diasporën shqiptare të Amerikës duke e bërë familjen patriotike Vatrane një shembull dhe model për gjeneratat që vijnë. Faleminderit nga zemra dhe mirënjohje për punën dhe kontributin e çmuar në Vatër.

VATRA NDEROI ME “MEDALJA E ARTË E LIRISË” PERSONALITETE TË SHQUARA NË DIASPORËN SHQIPTARE TË AMERIKËS

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra me rastin e Festës së Flamurit Kombëtar dhe të 109 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë nderoi me: “Medalja e Artë e Lirisë” personalitete të shquara të diasporës shqiptare në Amerikë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në dobi të çështjes kombëtare: Kolonel Dritan Demiraj, Gjeneral Gani Shehu, z.Asllan Bushati, z.Naim Dedushaj, z.Nazar Mehmeti. Kontributi i këtyre personaliteteve në fushën e sigurisë kombëtare dhe në luftën ndaj terrorizmit global, çlirimit të Kosovës e zhvillimit të Ekonomisë, e sipërmarrjes dhe kontributit për kauzën kombëtare, bëjnë krenar çdo shqiptar për arritjet e tyre dhe vlerat e larta kombëtare që përfaqësojnë.

AUTORITETET DHE PERSONALITETET E LARTA QË MORËN PJESË NË FESTË

Në darkën festive të organizuar nga Vatra me rastin e Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar, nderuan me pjesëmarrjen e tyre: Zonja Albana Dautllari -Zv Ambasadore e Misionit Shqiptar në OKB, Frymëzim Isufaj- Ambasador, Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në New York, Najada Sojli -Konsulle e Shqipërisë në New York, Prof.Dr. Rifat Latifi- Ministër i Shëndetësisë së Kosovës, Gjeneral Gani Shehu i Batalionit Atlantiku, Almona Bajramaj – Diplomate pranë Misionit shqiptar në OKB, Lulëzim Krasniqi- Diplomat, Albena Reshitaj- Deputete e Kuvendit Kosovës, Mark Gjonaj Këshilltar i Bashkisë New York, z.Nazar Mehmeti- Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Botë, Marko Kepi – Rrënjët Shqiptare, Rob Astorino- Kandidat për Guvernator i New York, Asambleistja Natalia Fernandez, Albesjana Iberhysaj – Diplomate, Prof. Naser Rugova, Frank Shkreli, Dom Pjetër Popaj – Famullitar Zoja e Shkodrës, Imam Edin Gjoni- Qendra Shqiptare Islame Queens, Imzot Nikodhim i Kishës Ortodokse të Shën Kollit në Nju Jork dhe Igumeni i Kishes Ortodokse Shqiptare, z.Naim Dedushaj – Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare, e shumë personalitete të nderuar shqiptare në Diasporën e Amerikës. 

VATRA BASHKOI TË GJITHA SHOQATAT SHQIPTARE

Pjesë e mbrëmjes festive të 109 vjetorit të Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar ishin të gjitha shoqatat dhe organizatat shqiptare në New York dhe më gjërë: Batalioni Atlantiku, shoqata Malësia e Madhe, Shoqata Kraja, Shoqata Rugova, Shoqata Rrënjët Shqiptare, Shoqata Duart e Hapura, Shoqata Skenderbej, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë, Shoqata e Policëve Shqiptarë e shumë organizata e individë, personalitete të spikatura e veprimtarë të shquar në diasporën shqiptare të Amerikës. Të gjithë të pranishmit uruan, festuan, gëzuan dhe përgëzuan njëri-tjetrin deri pas mesnate nën tigujt magjik të muzikës shqiptare.

Gëzuar Pavarësinë dhe Festën e Flamurit Kombëtar. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti i bekoftë Shqiptarët, Zoti i bekoftë miqtë dhe aleatët e përjetshëm të popullit, shtetit e Kombit Shqiptar.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

PROF. DR. RIFAT LATIFI*: 28 NËNTORI ËSHTË THEMEL E THELB I IDENTITETIT TONË KOMBËTAR SHQIPTAR

November 29, 2021 by s p

Të nderuar udhëheqës e anëtarë të Vatrës,

I nderuar Kryetar i Vatrës z.Elmi Berisha, të nderuar anëtarë të Trupit Diplomatik nga Tirana e Prishtina, i nderuar Këshilltari Mark Gjonaj, të nderuar udhëheqës të komuniteteve fetare të Komunitetit Shqiptar në New York, përfaqësues të mediave, të nderuar të pranishëm, miq, motra e vëllezër.

Më lejoni që në emër të Kryeministrit të Republikës së Kosovës z.Albin Kurti të ju përcjell urimet më të përzemërta: Urime 28 Nëntori! Urime Dita e Flamurit! Këtë datë e kemi të përbashkët të gjithë shqiptarët! Është themel e thelb i identitetit tonë kombëtar shqiptar. Vetëdija jonë historike e ka këtë datë në qendër. Skënderbeu në Krujë në shekullin XV, Ismail Qemali në Vlorë dhe Adem Jashari në Prekaz në shekullin XX. Flamuri,pavarësia, çlirimi. Kryengritjet tona për liri janë frymëzuar nga kjo datë dhe kanë mbajtur lart flamurin e kuq me shkabën e zezë dykrenare në mes. Amaneti dhe ideali i dëshmorëve bëhet njësh me 28 Nëntor me dëshirat dhe ëndrrat e rinisë dhe fëmijëve. 

Andaj 28 Nëntori është festë e shumëfishtë për kombin shqiptar. Është dita e Flamurit, është dita e Pavarësisë, është edhe ditëlindja e komandantit legjendar – kryekomandantit Adem Jashari, është edhe dita e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sot Shqipëria dhe Kosova, si dy shtete sovrane, zhvillojnë marrëdhënie shumë të mira me dobi të përbashkët për të gjithë qytetarët tanë. Kosova dhe Shqipëria janë shtëpitë që kombi shqiptar i ka ngritur vetes për sigurinë dhe mirëqenien e tij dhe është detyra jonë për të bërë të mundur që këto dy shtëpi të jenë të forta dhe mbështetje edhe për ata shqiptarë që janë jashtë tyre, kudo në Ballkan dhe diasporë. Kujtesa e aktit të 28 Nëntorit vazhdimisht dhe gjatë gjithë vitit na fton që të forcojmë lidhjet kombëtare, zhvillimore në ekonomi e kulturë e në të gjitha fushat, dhe, kam besimin se ne do të dimë t’i përgjigjemi siç duhet, kurdoherë.

Të nderuar miq,

Në historinë në të cilën ka lënë vulën e vet Vatra, dy emra mbeten të pashuar, dy dije enciklopedike e dy poliglotë, dy subjekte krijimtarë e dy punëtorë kombëtarë, dy natyra të ndryshme, njëri më shumë poet e tjetri më shumë prozator, njëri më shumë publik e tjetri më shumë intim, njëri tribun i shtruar e tjetri kritik sqimatar, të dy dashuronjës të artit dhe mbrojtës të kulturës, të kredhur në tërë bëmat tona politike dhe njohjen botërore të çështjeve shqiptare, të mirët më të lartë të kombit, të lodhur e të dëshpëruar rrallë, por me fuqinë që të nesërmen të rimerrnin sërish punën e Sizifit. Sepse, le ta themi hapur, Sizifi humb për vete, por përmes tij fiton njerëzimi. E me ta, kombi fitoi dimensione kulture, historia jonë u pasurua me dy viganë, jetët tona me dy shembuj vullneti, rinia jonë me dy shembuj dijeje bashkëkohore. Të dy e njihnin botën në më të mirën e tyre, ndaj dhe i ofronin kombit të tyre nejrëzimin më të përzgjedhur. Noli e Konica, na mbajnë ngrohtë përherë porsi Vatra.

Gëzuar Dita e Flamurit!

*Fjala e mbajtur në darkën e 109 vjetorit të Pavarësisë dhe festës së Flamurit Kombëtar.

Filed Under: Politike Tagged With: Rifat Latifi

Trajnimi dhe shkëmbimi i përvojave të mësimdhënësve

November 29, 2021 by s p

Shkruan: Mustafë Krasniqi

Një imazh që përmban tabelë, person, mjedis i brendshëm, grup

Përshkrim i gjeneruar automatikisht

Më 27 nëntor 2021, në restorantin “Tra Di Noi Ristaurante” në Brunnthal të Bavarisë afër Mynihut në Gjermani, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Bavari (LAPSH-i) mbajti seminarin e radhës, me temën “Trajnimi dhe shkëmbimi i përvojave të mësimdhënësve”. 

Në këtë takim, të pranishëm ishin  përfaqësuesit e dy konsullatave shqiptare në Mynih, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Afrim Nura dhe Konsulli i Republikës së Shqipërisë, Dr. Dashnor Ibra, që në emër të LAPSH-it seminarin e  përshëndeti kryetari Milazim Ukaj, i cili foli për angazhimin e LAPSH-it dhe peripecitë që po përballemi me Covid 19. Ai na njoftoi se në seminarin e sotëm ishin të ftuar dhe mësimdhënësit e shkollës shqipe nga Austria, por për shkak të pandemisë nuk u lejuan që të jenë pjesë e seminarit, sikurse nuk u lejua që ta shfaqnit përgatitjen e programit, për 28 Nëntor  as nxënësve të shkollës shqipe të Freisingut. Aty u fol edhe për  futjen e gjuhës shqipe në listën e gjuhëve të huaja! Aty u fol edhe në lidhje me takimin e përbashkët me kolegët tanë nga Austria dhe vizitën në Muzeun “Belwedere” të Vjenës, te përkrenarja e heroit tonë kombëtarë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu etj. Shkëmbimi i përvojave tona, sjell nevojën e njohjes mes vete, si një A dhe O e një bashkëpunimi te sinqertë dhe te ndërsjellët. Ne, së bashku bëjmë një pune kolosale për ta mbajtur sadopak gjallë frymën atdhetare, identifikimin kombëtar dhe ruajtjen e gjuhës se bukur amtare, gjuhën e ëmbël shqipe. Te shpresojmë që ky fenomen do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në të mirë të çështjes së ruajtjes së identitetit kombëtar, në të mirë të shqiptarisë, tha Ukaj. 

Seminarin e hapi Koordinatori i LAPSH-it, Mustafë Krasniqi, i cili pasi i përshëndeti të pranishmit, i njoftoi se disa herë ishte i detyruar  ta  ndërronin agjendën, për shkak të pandemisë! Por, mbi të gjitha ia arritëm qëllimin ta mbajmë seminarin, me mungesën e pjesës programore, për “28 Nëntorin”- Ditën e Flamurit, të përgatitur nga nxënësit e Freisingut, me mësuese, Nife Arifi dhe mospjesëmarrja e kolegëve nga Austria, pa fajin e tyre na la një vakum, tha Mustafë Krasniqi. Moderimi e bëri Xhevahire Sylejmani, kurse komisioni i seminarit ishin: Isuf Bytgyçi, Selim Hoti, Valbona Roqi dhe Mustafë Krasniqi. Seminarin e përcolli gazetari i gazetës “Gazeta e Alpeve”, Maxhun Smajli.Një imazh që përmban tekst, monitor, ekran, elektronikë

Përshkrim i gjeneruar automatikisht

Seminari filloi me ligjëruesin;  Dr. Vaxhid Sejdiu, veteran i  mësimit shqip në Zvicër dhe Koordinator i rrjetit të shkollave shqipe në Zvicër, me temën: “Si ta organizojmë një orë mësimore me mësimdhënës”, për të vazhduar tutje me  ligjëruesen; Lume Daci – Hoti, mësimdhënëse në shkollën shqipe në Bavari të Gjermanisë, me temën “Metodat, teknikat, objektiva dhe kriteret në orën mësimore – model i orës mësimore, në klasat homogjene”. Ndërsa, me temën “Mësimi kooperues në klasat heterogjene” , ligjëratën e mbajti veterani i arsimit ish-mësimdhënës i shkollës shqipe në Zvicër, Hamëz Morina.

 Seminari vazhdoi me diskutime, rreth temave të mbajtura nga ligjëruesit; z. Sejdiu, z. Morina dhe znj. Daci – Hoti. Kjo pjesë ishte më atraktive, ngaqë interesimi i parashtrimit të pyetjeve ishte e madhe nga mësimdhënësit! Dhe në fund  për të vijuar më pas me një orë praktike në grupe me mësimdhënës-it/et e shkollës shqipe në Bavari, në formë loje, të punuar nga Mustafë Krasniqi dhe Selim Hoti, me temën “28 Nëntori”. 

Seminarin e përmbylli koordinatori Mustafë Krasniqi dhe u ndanë Certifikata për të gjithë mësimdhënësit pjesëmarrës, nga Milazim Ukaj dhe për seminaristët u shtrua një darkë solemne.

                                                                                                      Shkruan: Mustafë Krasniqi

Ist möglicherweise ein Bild von 7 Personen und Innenbereich

Filed Under: Emigracion

Falenderimet për dy ditët intensive për festën e Flamurit

November 29, 2021 by s p

Amet Gjanaj/

Dje te Shkolla shqipe me mësuesit, nxënësit e prindërit ku falenderimet i takojnë sigurisht mësuesve për punën e tyre të palodhur dhe prindërit për që ndihmojnë për aktivitetin ;- Sot në ceremoninë e veshjës së Manneken-Pis, simbolit të Brukselit, me një nga kostumet tona kombëtare dhe festimit në Grand-Place në Qendër të Brukselit për çka do të doja të falenderoja të rinjtë e të rejat e grupit të vallëve Vatra për një performancë fantastike dhe krenarinë që ndjenë dhe treguan e të qenurit Shqiptarë! Falenderojmë dhe kryetarin e bashkisë së Brukselit për autorizimin e festimit! Falenderime dhe DjAnk, DjDoria, LindiTupan dhe Grupi Rinia për mbështetjen e vazhdueshme!Një falenderim të veçantë i takon sigurisht Vaile Shkodra Azizi me familjen e saj për përgatitjet e të dy eventeve! Falenderime dhe qebaptorës “4 Saisons” në Simonis që ofroi një darkë për të gjithë grupin e valleve!Dhe publikut të dashur Shqiptar që merr pjesë aktivisht në të gjitha aktivitetet patriotike! Që të gjitha trevet tona të bashkohen ashtu siç bashkohëmi të gjithë Shqiptarët këtu në Belgjikë!

Amet Gjanaj

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Amet Gjanaj

Rrëfimi për Flamurin në vetën e parë

November 29, 2021 by s p

Bajram Mjeku/

Secili shqiptar, ka një rrëfim mbresëlënës për Flamurin kombëtar me shqiponjën dykrenare të shtrirë mbi cohë të kuqe.Personalisht kam njëfarë bindje se kur flas apo shkruaj për Flamurin kombëtar, kam edhe ndjesi, edhe emocione ndryshe.Për herë të parë më është bërë dhuratë Flamuri kombëtar që e shihni në këtë fotografi më 6 tetor të vitit 1968. Ishte një ditë e bukur me diell, derisa ia shtonte hijeshinë rrëzëllima e vesës së mëngjesit. Ishte dita kur ish-Jugosllavia komuniste lejoi që shqiptarët në ish-Jugosllavi, do të mund ta përdornin zyrtarisht flamurin kombëtar, pasi deri në këtë kohë, për flamurin dhe shqiponjën dykrenare ishin vrarë e burgosur qindra shqiptarë.Po këtë vit në kampin komunist, ndodhën shumë protesta studentore në Evropën Lindore, derisa protesta të këtilla pati edhe në Kosovë.Ditën e 6 tetorit të vitit 1968, nuk do ta harroj asnjëherë në jetën time. Isha vetëm pesë vjeç dhe Flamuri që m’u bë dhuratë ishte i përmasave të vogla. Ai u soll në familjen time nga studentët shqiptarë, të cilët ishin anëtarë të Shoqatës Kulturore të Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Lubjanës, të cilët atëbotë studionin në këtë Universitet prestigjioz së bashku me axhën tim.Tre vjet më vonë, të njëjtit studentë vizituan Republikën e Shqipërisë. Dekanati i Fakultetit Teknik në Universitetin e Lubjanës, kishte krijuar pretekstin se studentët kishin nevojë për një vizitë studimore në Republikën e Shqipërisë dhe kështu rreth dhjetë studentë shqiptarë patën fatin e tyre të vizitonin Shqipërinë në një vizitë dyjavëshe!Mbas vizitës, unë fitova edhe dy dhurata; një flamur me shkabën dykrenare dhe një fanelë kuqezi të Klubit të futbollit “Flamurtari” të Vlorës! Flamurin dhe fanelën i ruante me kujdesin më të madh nëna ime në arkën e saj, të cilës gjithmonë i vinte erë ftonjësh. Fanelën kuqezi, nuk e kam veshur më shumë se dy herë në jetën time nga frika se do të më grisej. Derisa unë rritesha, fanela mbeti po ajo në përmasat e vogla të saj!Edhe sot kujtoj se Flamuri i prodhuar atëbotë në Shqipëri i përkiste një stofi cilësor, por njëzetetetë vjet më vonë, më saktë gjatë operacionit të ushtrisë serbe i koduar me emrin “Patkoi” në luftën e fundit në Kosovë, flamuri kombëtar dhe fanela e Klubit të futbollit “Flamurtari”, mbetën nën gërmadhat e shtëpisë së djegur…Flamuri kombëtar, jo vetëm është simboli ynë i shenjtë, por është edhe ndër më të bukurit në botë. Është shkaba dykrenare, e cila qëndron aq bukur mbi stofin e kuq dhe simbolizon aq denjësisht shkathtësinë, forcën dhe energjinë në historinë tonë tragjike, për të mbërrijtur këtu ku jemi sot.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bajram Mjeku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2711
  • 2712
  • 2713
  • 2714
  • 2715
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT