• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

URIME PER DITEN E FLAMURIT 28 NANDOR (19!2-2021)

November 27, 2021 by s p


Të dashtun bashkatdhetarë e bashkatdhetare:


Më 28 Nandor 2021 të gjithë shqiptarët e shqiptaret kudo që banojnë do të festojnë Ditën e Pavarësisë shtetnore të Shqipërisë. 


Åtë ditë, nji grup shqiptarësh patriotë, të kryesuem nga diplomati shqiptar Ismail Kemal Bej Vlora shpalli Shqipërinë e lirë, atë kohë e robnueme për afër pesë shekuj nga rregjimi aziatik otoman, dhe deklaroi në Vlorë Shqipërinë “të mosvarme” të pavarun tue vu kështu gurin themeltar të ndërtimit të shtetit të cunguem shqiptar.


Fatkeqsisht çlirimi i Shqipërisë nuk ishte i lehtë – i rrethuem e i rrezikuem nga shtetet shoviniste-, autoriteti i Qeverisë së parë shqiptare shtrihej vetëm në disa zona të vendit. Hapsina të tana, sidomos në Veri, ishin okupue nga serbët e malazezët, në Jug nga grekët, qeveri që luftojshin kundër pavarësise së Shqipërisë. 


Shkodra e rrethueme nga malazezët, Kosova e okupueme nga serbët, Çamëria e okupueme nga grekët dhe krahinat e Ulqinit, Tivarit, Malësisë së Madhe, Plavës e Gucise, dhe Ilirida ishin nën sundimin e fuqive të hueja. Kjo situatë pengoi delegatët e Veriut dhe të Kosovës, kryesue nga patrioti Isa Buletini të shkojnë me vonesë në Vlorë.

Shumë ngjarje kanë kalue në Shqipërinë tonë, shumë vuejtje e fatkeqsi të pameritueme sidomos  tragjedia e përgjakshme e diktaturës së proletariatit…!

 
Për fatin tonë e të gjithë shqiptarëve nji fazë e re histrorike ka fillue, ku shqiptarët po i dedikohen -qofte edhe me gabime!- ndërtimit të nji Shqipërie të lirë, të pavarun, demokatike, të bashkueme dhe europiane. 


Sot, Shqipëria ashtë anëtare e OKB-së, e NATO-s, dhe kandidate për anëtarsim në Bashkimin Europian. Europa ashtë shtëpia e jonë.
Sot kemi miq të mëdhej: Shtetet e Bashkueme, Gjermania, Mbretënia e Bashkueme, Italia, Austria dhe shumë vende tjera. Sot, kemi dy shtete shqiptare në Ballkan. Në nji shoqëni të këtill sot ecim me siguri dhe besim drejt realizimit të andrrës shekullore: nji Shqipëri për të gjithë me Kosovë e Çamëri, Preshevë, Ulqin, Tivar, Malësi e Madhe, Plavë e Gusi dhe shqiptarët e Iliridës.
Nuk kërkojmë tokën e huej; por nuk lejojmë që të huejtë të marrin tokën tonë!


Vëllazën, motra! 


Jetojmë në Amerikë, tokë e bekueme me liri e drejtësi për të gjithë. Për fat të mirë anëtarë të Federatës VATRA që na përfaqson.
Le të festojmë këtë lidhje në mes nesh: “Jemi vëllezër, nuk na ndajnë dot!” shkruente poeti. Le të punojmë si qytetarë të ndershëm, e të provojmë se shqiptarët në Amerikë janë qytetarë të ndershëm, punëtorë, dhe të vendosun me reflektue vlerat tona kombëtare e morale të besës, nderit, burrnisë, mikpritjes e të tjera për të cilat na krenohemi.
Le të respektojmë Kushtetutën e ligjet e vendit që na ofroi azilin që kërkuem.
Le të tregojmë para botës mbar se kemi vlerat tona, e këtë ta bajmë të gjithë së bashku.
Le të festojmë së bashku këtë ditë të madhe kombëtare.


vëllazënisht i jueji
Sami Repishti 

Filed Under: Vatra Tagged With: Sami repishti

URIME DHE MESAZHE PER DITEN E FLAMURIT

November 27, 2021 by s p

Rafaela Prifti/

Dielli falenderon lexuesit e bashkëpunëtorët, anëtarët e Vatrës dhe të gjithë bashkësisë shqiptare për urimet e dërguara redaksisë për Ditën e Flamurit. Shumë mesazhe e përshëndetje janë botuar në faqet e numrit special të gazetës që do ta keni në duar këto ditë. Sot për faqen e portalit kemi përzgjedhur katër letra dhe urime nga humanistë e dijetarë, intelektualë dhe studiues në të cilat shprehet porosia dhe vizioni i tyre për Pavarësinë. Lexoni sesi Profesor Dr. Sami Repishti na quan “Vëllazën, Motra” dhe bën thirrje “të punojmë si qytetarë të ndershëm, e të provojmë se shqiptarët në Amerikë janë qytetarë të ndershëm, punëtorë, dhe të vendosun me reflektue vlerat tona kombëtare e morale të besës, nderit, burrnisë, mikpritjes e të tjera për të cilat na krenohemi.” 

Në urimin e tij Kancelari i Përndershëm i Shën Gjergjit në Boston Imzot Artur Liolin, bashkërendit “festën e dhënies së falenderimeve dhe Ditën e Pavarësisë si bekime për bashkësinë fetare dhe interesat kombëtare për gati një shekull.” 

Shkrimtari Naum Prifti me krijimin e një legjende shqiptare për një luftëtar të lirisë si Pjetër Shini tregon se prijës i vërtetë është ai që ka me vete një popull: “Pjetër Shini kishte thënë se ai do të luftonte sa t’i  regëtinte zemra, sa t’i kishte forcë krahu e sa t’i shihte dritë syri. Cilido që i thoshte vetes arbër dhe e donte atdheun të lirë ishte bashkë me të në beteja kundër turqve si dhe në çdo odë shqiptari që donte lirinë.” 

Studiuesi Eugjen Merlika e vendos theksin tek Shpallja e Mëvehtësisë së Shqipërisë si momenti kur kombi njësohet me problemin e tij kryesor, cungimin. “Çështja kombëtare qe barra më e rëndë që politika shqiptare, që në aktin e themelimit të Shtetit, e mbarti gjithmonë në supe e në shpirt, madje ajo u bë masa e vlerësimit të forcës e dobisë së saj.” 

Secili urim është edhe porosi. Shpallja e Pavarësisë ishte akt i vetëdijshëm që u mundësua nga shumë faktorë dhe që u rrezikua qysh në momentet e para nga shumë faktorë të tjerë. Sado larg të duket data 28 Nëntor 1912 në kohë, ne nuk jemi për asnjë moment larg saj sepse çdo shqiptar është element përbërës i pavarësisë së Shqipërisë. Vetëm ata që e vlerësojnë këtë përgjegjësi janë të vetëdijshëm për të gjitha sakrificat që e mundësuan atë dhe për të gjitha rreziqet që i kanosen asaj sot.

Filed Under: Vatra Tagged With: Rafaela Prifti

Shqiptarët në Philadelphia për të dhjetën herë e ngritën flamurin Kuq e Zi në sheshin e bashkisë

November 27, 2021 by s p

Dr. Sadik Elshani

Që nga festimi i 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 2012, shoqata “Bijtë e Shqipes” në bashkëpunim të ngushtë me qytetin e Philadelphias organizon ngritjen e flamurit tonë në bashkinë e qytetit me një ceremoni solemne. Kjo veprimtari nuk është thjeshtë një akt ku ngritet flamuri në mënyrë mekanike, por është shndërruar në një festë të bukur e madhështore ku mblidhen shqiptarët të veshur me rrobat më të bukura, shoqëruar me simbole kombëtare, këndojnë e vallëzojnë, shprehin krenarinë e të qenit shqiptar, shpalosin vlerat tona kombëtare para qytetit të Philadelphias. Edhe këtë vit, në datën 26 nëntor u organizua ceremonia e ngritjes së flamurit në sheshin e bashkisë.  

Vitin e kaluar për shkak të masave të pandemisë numri i pjesëmarrësve ishte i kufizuar, por këtë vit numri i pjesëmarrësve ishte shumë i madh në këtë ceremoni. I tërë sheshi jehonte nga këngët dhe vallet shqiptare. Fjalën e rastit e mbajti z. Dritan Matraku, ndërsa në emër të kryebashkiakut (Mayor-it) të Philadelphias përshëndeti zonja Sheila Hess, Përfaqësuese e Qytetit (City representative) të Philadelphias, e cila edhe i dorëzoi kryetarit të shoqatës, z. Bujar Gjoka, Proklamatën me të cilën kryebashkiaku e nderonte Shqipërinë, kombin shqiptar dhe bashkësinë shqiptaro – amerikane të Philadelphias, për nder të 28 Nëntorit, Festës sonë Kombëtare.

Për këtë veprimtari dhe veprimtaritë tjera të organizuara nga shoqata “Bijtë e Shqipes” për nder të 28 Nëntorit, në ditët në vazhdim do të përgatitet një material pak më i detajuar.

Philadelphia, më 26 nëntor, 2021

Sadik Elshani është anëtar i Këshillit Drejtues dhe ish kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Sadik Elshani

KUSH MUND T’I DILTE PËR ZOT FOSHNJËS QË LINDI NË VLORË ME 28 NËNTOR 1912 PËRVEÇ VATRËS?

November 27, 2021 by s p

NGA DALIP GRECA/

Federata“Vatra” dhe Flamuri kuq e zi përbëjnë binomin e pandashëm përgjatë të gjithë së historisë së ekzistencës së vetë Vatrës. Që në kohë themelim e në vijëmësi Vatrës i ka prirë Flamuri  kuq e zi.Askush nuk mund ta mohojë faktin se Vatra i priu Pavarësisë, jo vetëm pse u themelua 7 muaj para se Ismail Qemali të ngrinte Flamurin e Pavarësisë në Vlorë me 28 Nëntor 1912, por edhe për faktin se ajo e orientoi shtetin e pavarur shqiptar në kahun perëndimor.

           Vatra ishte e kthjellët në qëndrimet e saj. Është i njohur qëndrimi i saj përmes telegramit të kryetarit të saj Faik Konica dërguar Kuvendit të Vlorës, ku kërkohet haptazi orientim perëndimor. Citoj:

Mbledhjes së Kombit, Vlorë:

Federata Panshqiptare VATRA e Amerikës dërgon urime të nxehta për inauguratën tuaj, e cila s’do të harrohet kurrë.

Vatra i lutet mbledhjes së Kombit, që të mos krijojë një shtet oriental, por një shtet krej Evropian, si Norvegjia, Danimarka, Hollanda, Blegjika…I nënshkruari u lutet veçan deputetëve muslimanë të provojnë atdhesin’ e tyre duke zgjedhur një princ të krishter. Po të bëjnë ndryshe do të bëjnë një lajthim të pandreqshëm…”

Për Komisionin- Faik Konitza(Dielli, 5 Dhjetor 1912)

          Shpallja e aktit të Pavarësisë nuk e shpëtoi Shqipërinë nga rreziqet. Vatra nuk rreshti së luftuari. Ajo dërgoi Nolin dhe Konicën në Evropë që të luftonin në arenën ndërkombëtare për shpëtimin e Shqipërisë, ndërkohë që Vatra nga Amerika u bë avokate e palodhur. Dielli konstatonte se: Proklamata e Pavrësisë ishte vetëm një copë kartë. Pyetja shtrohej: Si do të mbahej ky shtet? Fqinjët ia kishin bërë gati varrin para se të nisnin luftën me Turqinë. Shtetet e mëdha nuk ishin të gatshëm të mbronin krijesën-foshnjë-Shqipërinë e prapambetur. Ndër të gjitha, vetëm Austria ishte e ineteresuar të ndalte sllavizimin e tokave shqiptare, Italia e kushtëzonte mbrojtjen e Shqipërisë me interesat e veta, Franca dhe Rusia, punonin fort kundër interesaver shqiptare, Po ashtu Dielli konstatonte se krerët e Shqipërisë që kishin marrë shtetin në dorë ishin pa ndjenja atdhetarie, dhe thuajse të gjithë kishin shërbyer në të shkuarën në zyrat e Perandoris Osmane.

Dielli shtronte pyetjen: Kush mund t’i dilte për Zot foshnjës që lindi në Vlorë me 28 Nëntor 1912?Dhe përgjigjej po vetë: Vetëm Shqiptarët e Amerikës me anë të Vatrës, e cila që më 1912 dhe gjer më 1920 veproi nga Bostoni si qeveri në mërgim.

               VATRA, LUFTËTARJE E PAVARËSISË

         Ndërkohë që Noli dhe Konica u larguan në Evropë për t’i ndih shtetit-foshnjë, Vatra vazhdon luftën në shumë fronte: Mbanë gjallë shpirtin atdhetar përmes gazetës”Dielli”, përmes konferencave nëpër koloni, përmes mitingjeve e protestave, ku u apelonte ndërkombëtarëve për drejtësi ndaj kombit, që po tentohej të gëlltitej nga fqinjët. Dielli u jep zë protestave. Gazeta shkruan se Shqiptarët e New Englad-it nën hijen e Vatrës, mbajtën një miting në mbrojtje të tërësisë toksore të Shqipërisë. Mitingu u mbajt ditën e Dielë me 27 Prill 1913 në Lawrence Hall, 724 Washington Street, MA. Shqiptarët protestuan kundër grabitjes që i bëri Shqipërisë konferenca e Ambasadorëve në Londër, duke i dhuruar Serbisë viset më të mira shqiptare në Veri dhe Greqisë viset Jugore. Dy ditë para mitingut, informonte Dielli, malazezët kishin hyrë në Shkodër, edhe pse Konferenca e Londrës ishte treguar”zemër gjerë” dhe nuk kishte pranuar aneksimin e Shkodrës shqiptare, por ia kishte njohur Shqipërisë.

Nga mitingu i madh i Bostonit iu dërgua një Rezolutë Kryetarit të Konferencës, Sir Edward Grej. Mesazhi përcjellës i bënte të njohur kryetarit të Konferencës se në mitingun e 21 prillit 1913 në Boston, u përfaqësua vullneti i 30 mijë shqiptarëve të Amerikës.Të njëzëshëm, shqiptarët e të gjithë besimeve kundërshtonin ashpër coptimin dhe rrëmbimin e trojeve shqiptare.

Atë kohë Vatra udhëhiqej nga kryetari Kristo Dako, i cili së bashku me zonjushën Parashqevi Qiriazi, ishin folësit kryesorë në miting. Rezoluta, paralelisht iu dërgua të gjitha kancelarive të Fuqive të Mëdha. Dielli e cilësonte këtë si hapin e parë të luftës për jetë a vdekje në mbrojtje të shtetit të pavarur shqiptar. 

  VATRA dhe Dielli luftojnë në front të gjërë, sa kundër fuqive të mëdha që mbështesnin fqinjët tanë në politikat grabitqare ndaj Shqipërisë, aq edhe kundër vetë fqinjëve. Dielli që atë kohë kishte editor Kristo Dako, atakoi fort politikën e Rusisë, e cila ishte armiqsore ndaj Shqipërisë. Gazeta u bënte thirrje shqiptarëve të Amerikës që të mos ushqenin iluzione për Rusinë. 

Në gazetën Dielli të 3 Qershorit 1913, shkruhej:” Nuk duhet kurrë Shqipëria të presë ndonjë të mirë ose ndihmë nga Rusia se interesat e saj kanë qenë dhe do të jenë kurdoherë për të copëtuar Shqipërinë dhe t’ua shpërndajë këlyshëve sllavë për fitim të saj. Programi i Rusisë është që të përfshijë një ditë të gjithë shtetet e Ballkanit, të lidh Detin e Zi me Egjeun dhe Adriatikun.

  Edhe fqinji jugor i kishte prehur dhëmbët për të kafshuar Jugun e Shqipërisë. Dielli denonconte dhunën e egër greke dhe u apelonte ndërkombëtarëve. Në numrin e 23 Shtatorit 1913 gazeta shkruante’Të këqiat që heq populli shqiptar nga invadorët grekë janë të pa treguara: Vrasin, presin çnderojnë, burgosin,dhe përdorin çfarëdo mënyre për të përmbushur dëshirat dhe qëllimet e tyre.’

Vatra dhe Dielli, edhe pse Shqipëria ishte nën okupim, përpiqen që të mbajnë gjallë imazhin e Pavarësisë. Me 28 nëntor 1913, Dielli nën titullin” VITI I DYTË I INDIPENDENCËS” shkruante: Është një ditë në Mot që ka një rëndësi të veçantë dhe një kuptim të thellë për një Komb ose një popull. Kjo ditë është e madhe dhe zë të parin vend në historinë e atij Kombi.Amerika e kremeton Pavarësinë me 4 Korrik, Franca me 14 Korrik, Kombi Shqiptar feston ditën historike me 28 Nëntor (1912). Kjo ditë është e shenjtë për Shqipërinë e lirë ose të shkelur.(Dielli, 28 nëntor 1913).

Ndërsa në numrin pasardhës të Diellit, që doli me 2 Dhjetor, informohet lexuesi se Dita e Indipendencës Shqiptare u festua me një shkëlqim të veçantë në Boston. Në zyrat e Vatrës dhe të Diellit, Flamuri Shqiptar valonte së bashku me atë Amerikan.

               VATRA, PRINC VIDI DHE ESAD PASHA

   Vatranët nuk e pushuan luftën. Me 7 Mars 1914, ku Princ Vidi arriti në Durrës, Vatra i dërgoi përhirime me shpresa të mëdha se Shqipërinë do ta mbronte Evropa. Dielli i 10 Marsit 1914, e borhoriste lajmin. Gazeta e Vatrës vërshoi edhe në Shqipëri me entuzizmin se Shqipëria do të bëhej. Dielli i 14  Prillit(1914) shkruante se 400 copë gazeta shkuan në Shqipëri.

  Vatranët u gëzuan dhe shfaqën dëshirën të dërgonin ndihma njerëzore pranë princit perëndimor, që ata e quanin Mbret. Mirëpo nisën trazirat në Shqipërinë e Mesme. Shqetësimi u rrit ndër shqiptarët e Amerikës që kërkuan përmes Vatrës të shkonin për ndihmë. Për këtë qëllim Vatra i shkroi princit. Përgjigja erdhi nga Ministri i Brendshëm dhe i Luftës Esad Pashë Toptani nga Durrësi me 11 Prill 1914 përmes një kablogrami’U gëzova për ndjenjat patriotike që tregoni…Kur të jetë nevoja do t’u thërresim…’

Ministri i Luftës dhe i Punëve të Brendshme – Gjeneral Esad Pashë Toptani.

  Gazeta Dielli kishte në Durrës korrespondentin e saj, ish Editorin Paskal Aleksi, që përcillte situatën. Për entuziazmin e popullit ndaj princ Vidit, pritjen e tij madhëshore, dhe shpresat e popullit, kishte shkruar edhe”opinga”.

    Shumë shpejt Vatra do të mbante qëndrim kritik ndaj politikës esadiste dhe do ta godiste ashpërsisht gjeneralin e perandorisë Osmane.

Në Diellin e 17 Prillit 1914, shkruhej”Esadi i rrezikshëm”. Kabllogrami që publikoi Dielli jepte alarmin:

-Esadi i rrezikshm për Shqipërinë.

-Nacionalistët ndiqen prej hafijeve esadiste.

-Memurë të Turqisë janë nëpunës të Qeverisë.

– Gjuha Shqipe ndalohet në zyrat qeveritare.

– Protestoni te Mbreti!

– Kërkoni dorëheqjen e Esadit nga Ministria e Brendshme!….

Dielli e duartroket lajmin e arrestimit të Esad Pashës me 20 Maj 1914 dhe informon lexuesit se ai iu dorëzua përfaqësuesit të Italisë, Alliotit dhe u deportua për në Itali.

           SHQIPËRIA NË KAOS, VATRA MERR PËRSIPËR BARRËN E SHTETIT INEKZISTENT

         Ndërkohë që në Shqipërinë e Mesme vazhdojnë trazirat, Greqia përfiton në Jug dhe kryen maskara. Vatranët protestojnë në një miting të madh në Boston, duke dënuar barabrizmat në Toskëri. Mitingu u mbajt me 17 Maj 1914. Ai u kryesua nga patrioti i njohur, vatrani i Biddeford,nga shteti i Maine-it, Stath Suli, i cili më vonë do të bëhej pre i kurtheve të Vorio- epirotëve në Shqipëri, që do ta vrisnin me armë e duar shqiptare, duke e masakruar; i prenë kokën dhe ia dhuruan porositësve grekë.

      Vatra i ndiqte me vëmendje ngarjet në Shqipërinë e Jugut. Dielli përherë bënte thirrje për qëndresë. Në numrin e 29 Majit 1914 gazeta e Vatrës informon se në Shqipëri që në fillim të prillit 1914 kishte plasë një Kryengritje e organizuar nga ushtarët grekë, duke pasë dhe ndihmën filogrekëve shqiptarë. Lufta kishte zgjatë për gjashtë ditë. Shqiptarët triumfuan dhe qëndruan heroikisht. Të dy palët, raportonte Dielli, humbën rreth 300 luftëtarë. Ndërkohë esadistët ishin bërë të rrezikshëm. Dielli informonte se më 19 dhe 25 Maj esadistët kishin organizuar kryengritje në Shijak, Kavajë, Tiranë, dhe sulmuan Durrësin.Në beteja, raportonte Dielli i 16 Qershorit 1914, ranë 30 nacionalistë dhe 80 mercenarë kryengritës. Dielli u thur lavde dëshmorëve si Kolonel Thompson, Haki Glina dhe Ceno Sharra. Raportuesi informonte për Diellin se midis të plagosurëve ishin oficeri Meleq Frashëri dhe Sotir Gjika. Ndër të plagosurit lehtë: L. Gurakuqi, Sabri Qyteza dhe Veli Vasjari. Dielli nuk kursen bashkëpunëtorët me Esadin. 

 Vatra dhe Dielli e “qanë” largimin e Princ Vidit nga Shqipëria me 3 Shtator 1914. Në numrin e 8 Shtatorit Dielli boton në vend të kryeartikullit”MBRETI YNË IKU”!

          Një tjetër artikull vinte nga Durrësi dhe shkruhej prej Qerim Panaritit, i cili 30 vjet më pas do të bëhej editor i më shumë se dy dekadave për Diellin. Shkrimi që përcillte ikjen e mbretit nënshkruhej me pseudonimin” Opinga”.Citoj:” Mbreti unji Flamurin e Shqipërisë me dorën e tij, dolli bashkë me Mbretëreshën, dhe nisën të shkojnë duke përshëndetur popullin me këto fjalë:Ju lëmë shëndoshë dhe Ju gjetshim shëndoshë!..

Tërë gjendja lëshonte lot nga mallëngjimi. Natyra qante…

Isa Boletini, Bajram Curri, me shokët e tyre Çerçiz Topulli dhe të tjerë shkuan për Lesh…Panariti e përfundon artikullin:’Mbarojë sa për këtë herë, duke shtuar: si mjerë ne të mjerët, që patëm fatin e tillë që të shohim dhe një herë Turqinë të futet në Shqipëri.’Ky shkrim mbanë datën:Durrës, 5 Shtator 1914 në titullin”Flamuri turk valon kudo!” dhe u publikua në Diellin e 29 shtatorit 1914.

Dielli vazhdon ta ndjekë Esadin, duke informuar lexuesit e vet. “Opinga” shkruan në Diellin e 27 tetorit 1914: Pasi u largua Mbreti nga Shqipëria, e lëshoi tiranin e Tiranës të vejë nga të dojë.Nga Brindizi ai shkoi në Pire, Athinë, Selanik, Nish; në fund hyri në Dibër dhe mblodhi 12 mijë ‘ushtarë’ dhe me 2 tetor arriti në Tiranë. Opinga informon”N’orën 8 të mbrëmjes, ardhi në Durrës tirani që pritej prej Tirane, u puth me miqtë e tij,por më shumë me Dhespotin, dhe hoqi drejt për në Pallatin Mbretëror, dhe aty mbajti fjalimin: Të dashur miq- Unë Esad Pasha, jam përpjekur dhe do të përpiqem për të përmbajtur Islamizmën në Shqipëri. Jam tepër i gëzuar që u kthyesh shëndoshë.Ju uroj edhe ju që dolët faqebardhë në punën e shenjtë që nisët.

             ***

Gazeta e Vatrës konstatonte me dhimbje se Pavarësia e Shqipërisë me 28 Nëntor 1914 ishte festuar vetëm në Shkodër. Ndërkohë lajme të këqia erdhën nga Vlora. Lajmi në Boston mbërriti vonë dhe Dielli e publikoi me 20 Janar 1915:…Me 25 Dhjetor 1914, Ditën e Krishtlindjeve , Italia, djallzisht ishte shfaqur me trupa pushtuse në qytetin e Vlorës.

Në këto kushte Vatra, merr masa të menjëhershme. U mblodh Komisioni me 6 Mars 1915, dhe me propozimin e Kristo Kirkës, Kol Tromarës, Nik Dishnicës, dhe Andrea Kristos, u vendos që të formoheshin Trupat ushtarake të Vatrës. Për këtë qëllim u ngrit komisioni i posaçëm që do të organizonte Trupat: Kristo Kirka, Kol Rodhja, Kol Tromara, Kostë Çekrezi, dhe Vangjel Sotiri.Komisioni që drejtonte Vatrën përbëhej: Faslli Frashëri, Miçe Bardho,Kosta Isaak, Costa Th. Ratska(arkëtar), Vani Chekani(Sekretar i Komisionit), Loni Kristo-sekretar i Vatrës. Përgjegjës për Trupat u ngarkua Aqif Përmeti.

 Vatra po kryente detyrën e shtetit që mungonte. Vijoi përgatitja e Trupave Vullnetare në të gjitha qytezat ku kishte degë të mëdha për t’i dërguar në Shqipëri. Ndërkohë, Festa e Flamurit, kishte diktuar nevojën e ngritjes e Bandës muzikore të Vatrës. Kjo kërkesë u bë nga dega e Usterit në festën e 28 Nëntorit 1916. Merita i takon Thoma Nasit, i cili sapo ishte kthyer nga shërbimi ushtarak. Banda përbëhej nga muzikantë amatorë, të cilët i blenë instrumentët me shpenzimet e veta. Pas një viti banda ishte gati dhe dha koncertin e parë më 1917.

Përgatitjet për Trupat e Vatrës ecnin paralelisht. Ndërkohë inekzistenca e shtetit shqiptar, e detyroi Vatrën, që të dërgonte delegatë(ambasadorë) në Evropë. Këtij qëllimi i shërbeu organizimi i Ditës së Delegatit, duke filluar që nga 4 qershori 1916. Kjo fushatë kishte për qëllim që të siguronte të ardhura për shpenzimet dhe lobimin për pavarsinë të delegatit Mehmet Konitza. Vatra dërgoi delegatë të tillë në Londër, Zvicër, Romë, Washington. Me 3 Qershor 1917 u organizua fushata për shpëtimin e Shqipërisë, ku u mblodhën 150 mijë dollarë, që shërbyen për të siguruar ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe lobim për Konferencën e Paqes. 

Me 2 Prill 1920 Trupat Vullnetare të Vatrës nën drejtimin e Aqif Përmetit dhe Banda e muzikore me 29 instrumentistë e udhëhequr nga Thoma Natsi arritën në Durrës të thirrur nga Kryeministri Sulejman Delvina. 

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca

Ismail Qemali, veprimtaria e tij politike-diplomatike në shërbim të Pavarësisë së Shqipërisë

November 27, 2021 by s p

Dr. Paulin Marku/

Ismail Qemali ishte një ndër figurat kryesorë të veprimtarisë politike, diplomatike e organizative në fillim të shekullit XX. Veprimtaria e tij nuk mbeti vetëm ne suazën politike por pati jehone te madhe dhe ne qarqet ndërkombëtare. Diplomatet e huaj interesoheshin dhe mblidhnin informacione për situatën ne Perandorinë Osmane dhe për rrjedhojat dhe per ngjarjet ne ballkan, përfshirë edhe viset shqiptare. Kancelaritë e huaja i ndiqnin me interes zhvillimet politike te Portës se Larte, kabinetit qeverisës xhonturk si dhe te gjitha lëvizjet e kontaktet e Elitës politike shqiptare, dhe te krerëve te ndryshëm te krahinave shqiptare. Një nder personalitet e kohës qe kishte peshe ne politiken zyrtare te Stambollit dhe ndikim ne krahina te ndryshme shqiptare si dhe ne qarqet diplomatike, ishte Ismail Qemali. Ai ishte një zë i forte ne mbrojtje te interesave te shqiptareve ne parlamentin e Stambollit për vitet 1908-1912, si dhe ishte njeri prej ideatorëve ne realizmin me sukses te aktit te Pavarësisë se Shqipërisë, për te vijuar me shtet-formimit dhe ngritjen e institucioneve ne Shqipëri. 

Ismail Qemali njihte mjaft mire situatën e brendshme politike te Perandorisë Osmane, gjendjen qe mbizotëronte ne viset shqiptare dhe gëzonte respekt ne popullaten shqiptare. 

Ne burimet arkivore diplomatike te ndryshme, si ato te Vjenës, Londrës, Romes etj… Ismail Qemali shquhej si njohës i disa gjuhëve te huaja dhe evidentohet se ne keto dokumente gjenden informacione dhe te dhena te shumta rreth levizjeve dhe takimeve qe pati me personalitete dhe drejtues te ndryshëm.

RIKTHIMI I ISMAIL QEMALI NE ATDHE DHE KANDIDIMI PËR DEPUTET NE ZONËN BERAT-VLORE 

Viti 1908 shënon një ngjarje te rëndësishme politike për Portën e Larte dhe me keto ndryshime Kushtetuese perfitojne popuj te ndryshem ne sundimin perandorak, përfshirë edhe shqiptaret. Shpallja e rendit kushtetues dhe dhe jetësimi për hapjen e parlamentit ne vitin 1908, qe duhet te ishte ngritur institucionalisht qe në vitit 1876 hapi rrugën njohjes se legjislacionin qe detyronte sulltanin Abdyl Hamiti të shpallte zgjedhjet parlamentare. Kjo ngjarje ishte e shume e rëndësishme  dhe pati një proces të gjatë reformimi brenda Perandorisë Osmane. Keshtu, keto ishin ngjarje mjaft vendimtare dhe përbënte një eveniment të rëndësishëm, si për turqit, ashtu dhe për popujt me kombësi të ndryshme në perandori, përfshi dhe shqiptarët te cilët fituan disa te drejta, ose me sakte ju dha mundësia qe te kishin përfaqësuesit e tyre ne legjislativ.

Pra, ne këto rrethana te kohës, nen presionin e Komitetit “Bashkim e Përparim” te trajtuar nga  Turqit e Rinj, sulltani ishte i detyruar te bënte disa lëshime dhe te shpallte datën e zgjedhjeve parlamentare. Më 5 gusht të vitit 1908, dy javë pasi u rivendos kushtetuta, u shpall lajmi i mirë për të gjithë të dënuarit politikë në Perandorinë Osmane, ne vendimin e Këshillit të Posaçëm pranë Portës së Lartë thuhej “shpall amnisti te përgjithshme për të gjithë ata që ishin të burgosur ose të arratisur politikisht”. Nëpërmjet kësaj dispozite ligjore ju linte e drejta që t’i riktheheshin të gjitha të drejtat civile dhe administrative, te gjithë atyre qe ishin dënuar, ne prezence apo ne mungese sepse deri ne atë periudhe regjimi Hamidian i kishte dënuar politikisht. Një nder shqiptaret e dënuar politikisht, ishte dhe Ismail Qemali. Nëpërmjet kësaj amnistie iu dha mundësia qe te rikthehet ne mesin e shqiptareve, te cilët e kishin ftuar edhe herët e tjera. Por ardhja ne tokat shqiptare  dhe te qenurit aktiv ne politike shkaktoi rivalitet te madh si ne elitën politike te Turqve te Rinj dhe te bashkëkombësve shqiptar. Ky rikthim nuk u prit aspak mire. Gjithsesi, kjo nuk e ndaloi atë dhe Ismail Qemali iu përgjigj pozitivisht ftesës telegrafike te dërguar nga bejlerët dhe agallarët e Vlorës dhe u kthye nga Brukseli ku përkonte me periudhën e përgatitjes se fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare te 1908.

ISMAIL QEMALI, DEPUTETI SHQIPTAR NE PARLAMENTIN E STAMBOLLIT  1908-1912 

Zgjedhjet parlamentare te vitit 1908 ishin shumë të rëndësishme për Turqit e Rinj sepse kishin bere nje propagande te madhe dhe kishin fituar mbështetje te madhe ne popull. Por ishin edhe individ apo grupime te tjera politike me kombësi te ndryshme, te cilët u angazhuan edhe ata ne fushate elektorale, përfshirë shqiptarët, pasi mund të përfaqësoheshin me deputetet e tyre në parlamentin osman. 

Një prej kandidateve shqiptar qe gëzonte mbështetje ishte Ismail Qemali. Ai shfaqte rivalitet te forte në elitën politike shqiptare dhe në radhët e Komitetit xhonturk. Këtë e pohonte dhe diplomati austro-hungarez në Vlorë, Kraus i cili  shprehej se, tri ditë para se të kthehej në Vlorë Ismail Qemali, ishte kthyer edhe Syrja bej Vlora për qëllime politike që të vinte kandidaturën për deputet kundra kushëririt Ismail Qemal Vlora dhe pse e konsideronte kandidat te forte. Te njejte gje përshkruanin dhe dokumentet italiane. Sipas tyre, Syrja bej Vlora shihej me sy të mirë nga Austro Hungaria, i cili gëzonte dhe mbështetjen e Portës së Lartë për shkak të postit shtetëror që mbante, si dhe falë marrëdhënieve familjare që i jepej si vëllai i ish Vezirit të Madh, Ferid Pasha. Por ne analizën e dokumenteve rezulton se, ashtu si Vjena dhe Roma zyrtare e shikonin si nje prej figurave me te forta ne elitën politike shqiptare. Te njëjtin qëndrim ndante dhe Porta e Larte, duke e konsideruar kandidat te forte dhe një prej kundërshtarëve politik kundër Turqve te Rinj.

Hapja e fushatës Elektorale për ne Parlamentin e Stambollit i nxiti shqiptaret te kandidonin për deputet, ku njeri prej tyre ishte kandidati Ismail Qemali.  Ai arriti te fitonte mandatin dhe pse pati kundërshti te mëdha dhe parregullsi ne zgjedhje për te penguar daljen e tij deputet, gjithsesi mbështetja e madhe e shqiptareve i mundësoi qe te fitonte mandatin e deputetit ne zonën elektorale, Berat-Vlore. Ndonëse nga krahinat te ndryshme me shumice shqiptare ishin zgjedhur 26 deputetë, vetëm disa prej tyre si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Shahin Kolonja, Myfit Libohova, etj… shfaqen hapur kundërshtitë ndaj politikës xhonturke dhe u rreshtuan në krahun e opozitës parlamentare.

Grupi opozitar shqiptarë, u përballen me debate te ashpra, me akuza dhe kundër akuza për çështjen shqiptare. Nder temat me te nxehta qe shkaktoi debate midis grupit opozitar shqiptar dhe kabinetit qeverisës ishte kur ne parlament u diskutua për reformat ne viset shqiptare. Reformat xhonturke kishin karakter: administrativ, ekonomik, rritje taksash, kthimin e detyrueshëm të shërbimit ushtarak, çarmatimin e popullsisë, etj… Më të revoltuarit ishin shqiptarët e Veriut, te cilët kundërshtuan zbatimin e tyre. Keto ishin disa arsye te forta qe nxiten shqiptaret  per ti kundërshtuar me protesta dhe me rebelime ne kryengritje te armatosura ne vitet 1910, 1911 dhe 1912. 

Ne një interviste te botuar ne gazetën italiane “Il Giornale d’Italia” Ismail Qemali pohonte: “Kushtetuta nuk është një qellim më vehte, por është një mjet për te bere te përparoj dhe te zhvillohet vendi. Kurse “Bashkim e Përparim” e përdor Kushtetutën si qellim dhe me pretekstin se gjasma don ta mbroje atë, qe nuk rrezikohet prej askujt, e mban vendin ne një situate shtypjeje te pa-levizeshme, duke i bere gjithmonë te renda veshtersite e popullit brenda Perandorisë. Ismail Qemali e mbyllte intervistën e tij, me një elokuence mendimi tepër te thelle ku shtonte “unë i njoh fare mire cilësitë e Turqve te Rinj, ne partine Bashkim e Perparim ka burra me vlera te mëdha dhe me atdhedashuri te sinqerte prandaj nuk dua t’ua heq asnjërën prej meritave qe kane por duke pa rrugën e keqe qe ato po ndjekin, unë e kam për detyre te protestoj, ne emër te lirisë dhe te interesave te përgjithshme te vendit.

Gjate seancave parlamentare, pati dhe diskutime te ashpra me debate te forta midis opozitarëve shqiptar dhe qeverise xhonturke. Shqiptaret akuzuan qeverinë xhonturke për politikë reformuese, centralizuese dhe imponuese në viset shqiptare. Gjate mandatit te pare parlamentar, Ismail Qemali se bashku me një grup te vogël deputetesh u gjate viteve 1908-1912 u rreshtuan ne krah te opozitës parlamentare, te cilët patën qëndrimet te qarte politik ne mbështetje te kauzës dhe te interesave shqiptare. Sipas Ismail Qemalit qeveria xhonturke ishte e vendosur kundër parimit të nacionalitetit dhe se ajo nuk arrinte të kuptonte kërkesat e shqiptarëve. Mos pranimi i parimit të kombësisë, Ismail Qemali e gjykonte si gabimin më të madh të Turqve të Rinj.

Duke nisur nga fundi i vitit 1911, fillim i vitit 1912 situata politike, ekonomike e sociale e shqiptarëve në Perandorinë Osmane u përkeqësua. Në parlament pati debate edhe me të forta mes deputetëve shqiptarëve dhe përfaqësuesve të qeverisë osmane. 

Ata i kërkuan kabinetit të qeverisë që të mos përdoret dhunë ndaj shqiptarëve; të investohet në shkolla shqipe të subvencionuara nga Stambolli; të zgjedhin me vullnet të lirë alfabetin latin ose arab;  të zbatohet marrëveshja e gushtit të vitit 1911 etj, etj,,,.

 Pavarësisht sa më sipër, situata nuk njohu përmirësim dhe shpresa e shqiptarëve tek rruga parlamentare u venit. Ndërkohë për shkak të zhvillimeve të reja, që lidheshin sa me faktorë të brendshëm po aq sa edhe me të jashtëm, parlamenti më 18 janar 1912 u shpërnda dhe u vendos të shkohej në zgjedhje të parakohshme parlamentare. 

Pas shpërndarjes së parakohshme të parlamentit, në janar të 1912-ës, I. Qemali nuk arriti të fitonte mandatin e II-të, të deputetit por gjithsesi ai nuk e ndaloi veprimtarinë politiko-diplomatike nëpër kancelaritë Evropiane si ate te Vjenës, Romës, Londrës, etj, për të lobuar në mbrojtje të drejtave kombëtare të popullit shqiptarë per autonomi. Sipas Ismail Qemalit, kjo mbështetje nuk favorizonte vetëm shqiptarët por edhe Perandorinë Osmane dhe Fuqite Evropiane. Konkretisht, ai kërkonte që të njihen sa më parë kufijtë dhe t’i jepej autonomia Shqipërisë. 

MISIONI DIPLOMATIK ISMAIL QEMALIT 

Veprimtaria e Ismail Qemalit ne marrëdhëniet ndërkombëtare ndiqej me interes dhe nga diplomatë te ndryshëm. Udhëtimet dhe takimet e tij përshkruheshin me detaje nga diplomatet austro-hungarez, britanike, italiane, grek etj… sepse e shikonin si një potencial te forte politik e diplomatik dhe njeri me vizon për te ardhmen e vendit. Sipas burimeve arkivore qe janë hulumtuar për zhvillimin e punimit rezulton se Ismail Qemali kishte zhvilluar takime te shumta me përfaqësues te rangjeve te ndryshme diplomatike dhe me drejtues te kancelarive evropiane, si dhe me mërgatën shqiptare neper shtete te ndryshme. se komuniteti shqiptar. 

Ismail Qemal kishte zhvilluar një takim ne vitin 1908 ne Londër me ambasadorit italian, Marcheze San Giulliano dhe i kishte paraqitur programin e tij politik qe me pas po ky ambasador u emërua Ministër i Jashtëm i Italisë. Ne relacionin dërguar Ministrisë se Jashtme te Italisë, San Giulianno pohonte se pata një takim me nje inteligjent shqiptar qe e njoh prej vitesh, Ismail Qemal beu dhe gjate bisedës se zhvilluar ai kishte paraqititur opinionin e tij rreth Perandorisë Osmane dhe i frikësohej politikes xhonturke. Ismail Qemali shtonte se shqiptaret Toske e Gege dëshirojnë kushtetutën, lirinë, qetësinë dhe progresin duke lënë te hapur mendimin, se ne rast se nuk arrihen do te ketë trazira. Mendimi qe Ismail Qemali i kishte parashtruar diplomatit  italian ne Londër, ne gusht te vitit 1908 ishte për një autonomi ne zuazen e Perandorisë. Nder te tjera, Ismail Qemali i kishte lënë te kuptoje se Italia nuk interesohet për pjesën veri lindore te Shqipërisë. Ne versionin e botuar do te paraqitet dokumenti i dërguar nga San Giulianno për krye-diplomatin Tittoni ne Rome me programin politik te Ismail Qemalit, i cili i mbeti besnik gjate mandatit si deputet ne parlamentin e Stambollit e ne vazhdim.

Ismail Qemali shprehej se, shqiptarët reaguan pas shtypjes dhe forcës që ushtruan Turqit e Rinj ne vitin 1910 ne Vilajetin e Kosovës, 1911 ne Malësi te Mbishkodrës për të imponuar me çdo kusht implementimin e reformave. Kjo situate pakënaqësie përshkallëzoi dhe ne vitin 1912. 

Ne janar te vitit 1912 ndodhen dy ngjarje te rëndësishme qe ndryshuan rrjedhën politike ne viset shqiptare, se pari, shpërndarja e parakohshme e parlamentit dhe, se dyti, mbledhja e taksimit në janar të 1912-ës. Ne zgjedhjet e parakohshme qe u zhvilluan ne vitin 1912 xhonturqit bene te pamundurën qe Ismail Qemali, te mos te fitonte mandatin e deputetit sepse ata e konsideronin një prej kundërshtarëve me te forte politik dhe influence te madhe tek shqiptaret brenda dhe jashtë vendit. Ismail Qemali nuk arriti të fitonte mandatin e II-të, të deputetit por gjithsesi ai nuk e ndaloi veprimtarinë politiko-diplomatike nëpër kancelaritë Evropiane për të lobuar në mbrojtje të drejtave kombëtare të popullit shqiptarë. Ai përpiqej që të binte diplomacinë e Vjenës, Romës, Londrës, etj, se ishte në dobi jo vetëm të shqiptarëve por edhe të Perandorisë Osmane dhe të Fuqive Evropiane që të njihen sa më parë kufijtë dhe t’i jepej autonomia Shqipërisë. Veprimtaria e Ismail Qemalit ndiqej me interes nga diplomatët e huaj, të cilët nëpërmjet relacioneve, njoftimeve dhe telegrameve të ndryshme raportonin tek eproret e tyre rreth gjendjes së shqiptarëve në prag të Pavarësisë së Shqipërisë. Sipas burimeve diplomatike situata ishte ne përkeqësim me daljen e pranverës se vitit 1912. Me e tensionuar ishte popullata në verilindje të Shqipërisë. Fuqitë e Mëdha dhe fqinjët ballkanikë e ndoqën me shumë kujdes situatën dhe mbajtën qëndrime të ndryshme ndaj kërkesave të shqiptarëve. Në një takimin që Ismail Qemali pati me diplomatin italian Labia, ishte shprehur se shqiptarët nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga Italia edhe pse gjithmonë kishin shpresuar shumë tek ata. Ismail Qemali i kishte kërkuar konsullit që shteti i tij, Italia te mbështeste shqiptaret dhe t’iu shpërndante një sasi të konsiderueshme armësh. Në atë takim, Ismail Qemali i kishte folur se i frikësohej rrezikut të ndonjë ndryshimi territorial në dëm të programit shqiptar sepse Lufta Italo-Turke e kishte dobësuar Perandorinë Osmane. Ai ishte takuar dhe me përfaqësuesit e lartë të qeverisë greke, përkatësisht Kryeministrin Venizelos dhe ministrin e Jashtëm, Lambros Koromilas. Gjatë bisedimeve Ismail Qemali iu kishte kërkuar mbështetje në të holla dhe armatim për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Përgjigjja e qeverisë greke për të mbështetur kërkesën e I. Qemalit rezulton negative për shkak se binte ndesh me interesat e saj në vilajetin e Janinës. Ai vijonte te zhvillonte takime te ndryshme me përfaqësues te Perandorisë Austro-Hungareze, Britanike dhe Italiane duke iu kërkuar mbështetje dhe ndihma për Lëvizjen Kombëtare. Sipas mbledhjes se Taksimit ne janar 1912, Hasan Prishtina do te organizonte Kryengritjen qe do te inicionte ne Kosove per t’u shtrire ne te gjitha viset shqiptare dhe Ismail Qemali ishte caktuar te lobonte ne Evrope për te fituar mbeshtjen e ndërkombëtareve dhe takonte komunitetin shqiptar për te mbledhur fonde. 

Me 11 tetor 1912 krye-diplomati Berchtold kishte deklaruar përpara delegacionit hungarez: “politika jone ne Ballkan nuk është një politike pushtimi, por kjo nuk do te thotë se nuk interesohemi per ngjarjet qe ndodhin ne këtë krahine. Ne kemi ne Gadishullin Ballkanik interesa jetësore dhe ne do t’i mbrojmë sido qe te ndodhe”. 

Me 26 tetor 1912 Ismail Qemali niset nga Stambolli dhe arriti ne Bukuresht se bashku me Luigj Gurakuqin për tu takuar me patriot shqiptare, te cilët kishin punuar për çështjen kombëtare dhe kishin mbledhur edhe fonde. Pas këtij udhëtimi te rendesishem, qellimi i Ismail Qemalit ishte te arrinte te konludonte me sukses dhe te merrte bekimin e diplomacive Evropiane, kryesisht te Perandorisë Austro-Hungareze.  

Ne Vjenë Ismail Qemali u takua me ambasadorin britanik, italian dhe ajo qe ishte me e rëndësishme për te dhe te ardhmen e Shqipërisë, takimi me Ministrin e Jashtem te Austro Hungarisë, Berchtoldi. Ismail Qemali arriti te binte Vjenën qe te ngarkonte shoqërinë “Llojd” per t’i dhënë një anije qe ta dërgonte ate se bashku me patriot te tjerë ne Durres. Ai insistonte qe te nisej sa me pare për ne Durrës, pare se Shqiperia te pushtohej nga fqinjet ballkanik. Ne Trieste te Italisë, Ismail Qemali u takua me Luigj Gurakuqin dhe patriot tjere shqiptare dhe u nisen per ne Durrës. Sipas raportit te policisë, Ismail Qemali se bashku me 14 patriot shqiptar u nis nga Trieste për ne Durrës. Per disa arsye te ndryshme ishte e pamundur shpallej Pavarësia nga Durrësi dhe ata iu drejtuan Vlorës. Me 26 nentor 1912, Ismail Qemali se bashku me delegate te tjerë arriti ne Vlore dhe u priten me entuziazëm dhe gezim te madh.  Ismail Qemali bashke me patritot te tjerë bene përgatitjen për Hapjen e Kuvendit Kombëtar. Kështu, me 28 nentor 1912 Shqipëria shpallet e Lire dhe e Pavarur. Konsulli austriak ne Vlore, Lejhanec njoftonte se me 28 nëntor: “Kongresi shqiptar shpalli sot ne oren 4 pasdite Pavarësinë e Shqipërisë “. Kështu, me mbledhjen e Kuvendit ne Vlore dhe me shpalljen e pavarësisë iu hap rruga e shtet-formimit dhe parlamentarizmit ne Shqipëri. Delegatet ne Vlore zgjodh Qeverinë e Përkohshme, te kryesuar nga Ismail Qemali.

Filed Under: Histori Tagged With: Paulin Marku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2718
  • 2719
  • 2720
  • 2721
  • 2722
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT