• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur historia dhe vlerat bëhen dritë për brezat 

October 22, 2025 by s p

Lutfi Brami 

Filadelfia 14 tetor 2025/

I dashur mik Tajar Domi ! Lexova me vëmendje librin tuaj  “ Dinastia “ Domi” e Cerenit të Kalasë së Dodës ,me redaktor , Mjeshtër i madh ,Halil Rama, botim cilësor i shtypshkronjës “Univers”. Ju falenderoj për këtë dhuratë të bukur dhe ju uroj suksese të mëtejshme në krijimtarinë tuaj ! Libri juaj, ashtu siç e gjykoj unë, është një model dinjitoz i një libri monografik familjar, vlerë e shtuar në fondin e letërsisë dokumentare, që përfshin njerëz , vende, histori e tradita shqiptare,aspekte të jetës shoqërore, historike, gjeografike e etnologjike, me të dhëna konkrete për antarët e  këti fisi të madh, dëshmi dokumentare e rrallë, që ndërthur historinë, kujtesën, dhe shpirtin e një familjeje e fisi, që ka prodhuar dije, karakter dhe përkushtim ndër breza. Me një strukturë të ndërtuar me kujdes dhe përmbajtje të pasur me dokumente, kujtime e reflektime, libri i sjell lexuesit rrëfimin e një familjeje nga fshati Ceren i Kalasë së Dodës, që ka nxjerrë nga trungu i saj mbi 115 intelektualë, një rast i jashtëzakonshëm në historinë arsimore dhe kulturore shqiptare, që ndriçon jetën e një mësuesi atdhetar dhe kontributin e një familjeje intelektuale në zonën e Kalasë së Dodës. Libri nuk është vetëm thjeshtë një biografi, por një homazh për ata që mbollën dritë në kohë errësire. Jepen mesazhe ,që përcjellin, rëndësinë  e arsimimit, rolin e individit në ndryshimin e një komuniteti, trashëgiminë kulturore të familjes dhe vendit.Ai na kujton se edhe një individ i vetëm, i pajisur me dije dhe idealizëm, mund të ndikojë në fatin e një komuniteti të tërë.

Kujtesa që frymëzon rrënjët intelektuale të një krahine

Populli këndon : Djemtë e Lumës /Hic s`kanë dert/Ka një luftë e bëjnë përvjet/ luftë me krajl e luftë me mbret. Autori ka arritur të sjellë një pasqyrë të gjallë dhe të ndjerë të jetës në zonën e Kalasë së Dodës, duke u mbështetur në burime të shkruara dhe dëshmi gojore, me një gjuhë të pastër, e të ngrohtë, por edhe saktësisht informative. Elementet dokumentare nuk e rëndojnë rrëfimin, përkundrazi, i japin asaj peshë dhe besueshmëri. Ai përshkruan fshatin e lindjes, Cerenin dhe Kalanë e Dodës si tokë e trashëgimisë dhe mikpritjes, e patriotizmit dhe atdhedashurisë, e gjuhës shqipe,duke e parë jo vetëm si vendbanim, por si burim identiteti. Përmes përshkrimeve të natyrës, jetës së fshatit, tradites popullore, besimit fetar dhe mënyrës së të jetuarit,e bën këtë libër edhe një dokument antropologjik  të vlefshëm. Përshkrimi i natyrës së Kalasë së Dodës  si  kala bukurie, mençurie e atdhetarie me bjeshkët e bukura shëndetdhënëse, ujin e ftohtë e të bollshëm, lulet pa mbarim, me fushën e Korabit, gropat karstike, e bëjnë lexuesin të ndjejë aromën e dheut, të dëgjojë heshtjen e maleve dhe të përjetojë shpirtin e mikpritjes e të pastërtisë ,që karakterizon këtë krahinë.Autori nuk ka harruar nga ka ardhur dhe nuk ka harruar të sjell kujtimet për vendlindjen e tij të dashur.Këto e kanë frymëzuar autorin të mbjellë në poezinë e tij  ” Për Cerenin”mallin,shpirtin e çdo gjë kur shkruan :  “Në Ceren , më i miri vend/Mblidheshin burrat në kuvend/Nga çdo fis të këtij katundi/ Burra të fortë që s`i zë gjumi “. …“Ky është fshati ynë i lindjes/ Ku vëllallëku kurrë s`u prish/ Ku “kulaku “e “Partia”/ Ishin bashkë në cdo mexhlis” – Tajar domi Poezia “Për Cerenin” fq.213. 

Tajari me këtë libër, i jep dritë vendlindjes, ngreh një monument për fisin e vet duke gdhendur me përulësi, por hijshëm emrin e tij në gjerdanin e kësaj familje të madhe.Historinë e kësaj treve me një qasje të thelluar dhe gjithëperfshirëse duke ndërthurur burimet historike, dëshmi të autorëve vendas, udhëtarëve e albanologëve të huaj e rrëfime personale duke krijuar panoramë  të gjallë. Ky mozaik i pasur rrëfimesh , jo vetëm ndriçon historinë e kësaj treve, por afron më shumë shpirtin me trashëgiminë.

Tiparet e karakterit si : bujaria, thjeshtësia, mikpritja, dashuria për vendin dhe njerëzit, nuk janë përmendur thjesht si cilësi, por janë të mishëruara në rrëfimet e jetës së përditshme, në mënyrën se si këta njerëz kanë vepruar, ndihmuar dhe frymëzuar të tjerët.Banorët e këtyre  zonave thirreshin “Dhetar “ nga fjala dheu. “Janë mbledhur burrat e dheut “,Autori , në libër i bën jehonë edhe qëndrimit patriotik gjatë luftrave të zhvilluara në atë zonë kundër pushtuesëve.Në betejën e Carakolit në verën 1920,kundër sërbëve , ranë dëshmorë motër e vëlla Naxhije e shaban Alija dhe u plagosën disa të tjerë në Ceren.

Ja dhe kënga :Trim me fletë Shaban Alija/Ka rrok pushkën dhe Naxhija/Po luftojnë motër e vëlla/Për atdhe ata kanë ra. 

Për të sjellë  para lexuesit njohjen më të plotë të Kalasë së Dodës e vendlindjes së tij, Cerenit,autori di të vjelë mbresat e kujtimet e intelektualëve si : Ismet Kutelaj nga Dukati i Vlorës , mësues në shkollën 8 vjecare Ploshtan në vitet 1977 – 1983 ,icili përshkruan karakterin e këtyre banorëve si njerëz të zgjuar.. të besës,trima e patriotë, të kurbetit e sakrificës, mikpritës e punëtor.pastërtor,të respektueshëm , të besës,të fjalës e kuvendit. Gazetari Llazar Vero , miku ynë  nga Fieri , midis të tjerash thotë ,se dy herë kam fjetur si mbret;një natë në Voskopojë dhe herën tjetër te Kalaja e Dodës..Dhoma e gjumit e veçantë,e shtruar me qilim e sixhade. Krevati shkëlqente me bardhësinë e carcafëve e jorgnin prej atlasi, ndërsa gazetari Edison Ypi kur pyeti një të ri emigrant nga kjo zonë në Angli, se pse ju merrni njëri tjetrin  në angli ?.Ai përgjigjet : “ Sepse në Angli , po të punosh shumë , fiton shumë. Anglezët kanë pare dhe u duhet puna. Ne kemi punën, gjithmonë të ndershme, dhe na duhen paret.” Këshilla e gazetarit është :” Kalo lumin e Tiranës, mbi urën e Paskuqanit. Ngjitu në kodër. Aty e ke “Litle England ( Anglinë e vogël )të krijuar nga banorët e Kalasë së Dodës “Vec këtyre cilësive kishin brenda vetes dëshirën për të mësuar gjuhën shqipe.

Miku ynë ,Dëfrim Methasani në një aktivitet midis të tjerash jep këto vlerësime: “ Morta nuk mund të themi se është e bukur asgjëkundi, sepse ka humbur një njeri. Por vetëm në Kala të Dodës, kam parë mortë që të duket e hijshme …”

Aty kishte burra që i kishin dhënë emer fshatit,u njohën për zgjuarësinë  e fjalët e lëna pas largimit nga kjo jetë ashtu siç është edhe bashkëbisedimi i mëposhtëm midis gjyshit dhe nipit :

Nga ishe sot, në punë ?- e pyet Shema ( Shemsi Shehu )nipin /-   Nuk shkova fare i përgjigjet ai./-  Po pse nuk shkove ?-vazhdon pyetjen gjyshi./  – Sepse me 50 lekë, vetëm një bukë mund të marr. /-  Mirë – i thotë gjyshi, ngriu nga sofra dhe shko e merr një bukë, pa lekë ! E merr dot.?

Një mesazh domethënës  që s`ka nevojë për koment…

       Drita që nisi me një abetare

Në qendër të librit është figura frymëzuese e Harun Domit, që solli dritë, një mësues i thjeshtë, por me vizion të madh. Rreth viteve 1923, gjatë emigrimit të tij në Rumani, “ Si rrallë kush nga kurbetllinjtë kishte marr me vete një valixhe ( torbë) dhe “paja”, e futur brenda ishin disa abetare të gjuhës shqipe të shtypura në Konstancë të Bukureshtit nga Veqilharxhi, një veprim që në pamje të parë mund të duket modest, por që në të vërtetë përfaqëson simbolin më të pastër të atdhedashurisë dhe përkushtimit ndaj përhapjes së dijes”.   Tajar Domi. libri “ Dinastia “ Domi “. fq.80 .

Harun Domi siç e përshkruan autori në libër, është modeli i mësuesit, që nuk shkon vetëm për të dhënë mësim, por për të ndezur dritën e dijes në një zonë ku mungesat ishin të mëdha.Haruni solli në Lumë abetaret e Veqilharxhit, të cilat u përhapën dorazi dhe u bën pishtarë drite për shqiptarët dhe halë në sy për pushtuesit. Vitet kanë bërë punën e tyre , por rrezet e ndriçimit mbeten të gjalla e nuk shuhen kurrë deri në ditët tona.

Poeti Munir Hoxha ka  sjell bukur këtë ngjarje në vargjet e këngës “Abetarja e Harunit” : “ Abetarja e Naumit/ Fsheh në gjirin e Harunit/ Me çu dritën e Europës/  Deri në Kala të Dodës “.

  Shkrim pas shkrimi e faqe pas faqesh në libër nëpërmjet fjalës së autorit dhe kujtimeve të personazheve të tjerë,Harun Domi qëndron në piedestal të vlerave tona kombëtare. I përket plejadës, që bënë Histori në përhapjen e arsimit në këtë zonë e më gjërë, si një figurë shumëdimensionale, i zgjuar, i ditur ,patriot e  atdhetar, 

  Një familje që u kthye në vatër të dijes dhe vlerave

Dinastia e familjes “Domi”, nuk është vetëm historia e një individi, por e një fisi që e ka trashëguar dijen si vlerë të shenjtë. Brenda librit gjejmë portrete të ndryshme të anëtarëve të familjes: arsimtarë, mjekë, juristë, ushtarakë, e profesionistë të tjerë, të përshkruar përmes kujtimeve, bisedave familjare dhe rrëfimeve të ngrohta, shpesh të shoqëruara me fotografi autentike që i japin librit një dimension vizual e emocional shumë të fortë.

Populli thotë : “Bëmë baba, të të ngjaj “

Kjo thënie nuk është  thjeshtë një shprehje e urtë, por përmbledh filozofinë jetësore të kësaj familje, që ka ditur të edukojë me shembull, jo me fjalë.Më mire se kudo tjetër gjen domethënien dhe kuptimin e plotë në  trungun familjar të Dinastisë së familjes Domi “. Nuk është rastësi që nga kjo familje e madhe të ketë kaq djem e vajza me arsim të lartë, një armatë e tërë e shpërndarë në gjithë vendin dhe në diasporë i

Përmes këtij libri mësojmë se nuk ka pasuri më të madhe se trashëgimia e mendjes dhe e shpirtit, që nuk e mbërthen dot as koha, as harresa.Shkrimtari i madh D. Agolli në poezinë “Mbjellja “ shkruan : 

“Shumë e vështirë të mbjellësh arën“/Më e vështirë shpirtin të mbjellësh !/Të hapësh arën,T`i hedhësh farën/Të hapësh shpirtin, mendjen t`i hedhësh/ Shumë e vështirë shpirtin të mbjellësh”/

                                                                D.Agolli, poezia “ Mbjellja “

Libri është akt dashurie i kujtesës,përkushtim ndaj të vërtetës historike dhe Porosi shpirtërore për brezat që vijnë . Tajari ka emrin e tij të respektuar, me kontribut në vendlindje e në  diasporë,drejtues i suksesshëm që , përfaqëson vlerat atdhetare frymën e bashkimit  bashkëatdhetarë,sidomos ata kuksian e dibranë,organizatori   i susksësëshm i fushatës për blerjen e godinës. Ndjehemi krenar me të , si shembull i niveli të lart arritjesh, që i ka rritur emrin jo vetëm familjes por edhe vendlindjes ,Cerenit, Kalasë së Dodës , Kukësit, Prizrenit Dibrës e gjithë shqiptarisë.edhe këtu në diasporë.Tajari , siç përshkkruhet në faqet e këtij libri,që kur shkeli në amerikë, tik- taku i tij  rrihte për atdheun, ndaj u antarësua  në shoqatën, “ Bijtë e shqipes “ dhe në dy mandate kryetar  i saj. Ndërsa gjyshi i tij , Haruni solli abetaret nga Bukureshti për Kalisin ai , në gjurmët e gjyshit jep kontribut për komunitetin e  shkollën shqipe “Gjuha jonë” këtu në Filadelfi.

Lexuesi ndjen se çdo rresht i  këtij libri është shkruar me shpirt e përkushtim. Ai nuk e përjeton thjesht si një lexues, por si një pjesëmarrës, si një dëshmitar i heshtur i një historie që është njëkohësisht personale dhe kombëtare.Ai  është një thirrje për reflektim, një ftesë për të ruajtur dhe çmuar rrënjët tona, për të mos harruar vlerat që na kanë ndërtuar si njerëz dhe si shoqëri. Është një kujtesë e fuqishme se edukimi nuk fillon në shkollë, por në shtëpi – me shembullin, me përulësinë, me dashurinë për dijen , të cilën e shpreh edhe në vargjet e poezisë së tij :

“ Fisi “Domi “gjithmonë me penë/ Ka mësu brezat në gjuhën shqipe/ Histori të shkruar ka lënë/ Si për luftën ,si për dritën.”

                                                                                                              Tajar domi Poezia “Për Cerenin” fq.213

Ky trung familjar duhet të jetë pikë referimi për të treguar se jo vetëm gjeneza, por dhe dëshira e shoqëruar me punë të madhe të palodhur, duhet të bëjë cdo njeri që të arrijë të bëhet i shkolluar dhe i ditur, ku jep jep shembullin e shkëlqyer të fuqisë transformuese të dijes , nëpërmjet figurës së Harun Domit,, këtij mësuesi intelektual, veprimtar i përkushtuar i cështjes kombëtare, dëshmi e përkushtimit ndaj dijes e kulturës kombëtare. Abetarja , simboli më i fuqishëm  i misionit të tij për arsimimin e brezave të ardhshëm

Në këtë jetë jetojmë e punojmë.Vetëm sa hedhim ca hapa. Po puna është si na kujtojnë dhe cfarë emri lëmë mbrapa. Këtë po e ilustroj me 4 vargje të poezisë sime “Çfarë i mbetet pas njeriut nga jeta?

“Por ajo që mbetet s’është dhimbja,jo/Mbetet dashuria ,që u mboll si farë,/Një dritë që ndriçon në errësirën e vjetër,/Në rrugën, që udhëton përtej vdekjes pa tjetër”

                                  L.Brami poezia “Çfarë i mbetet pas njeriut nga jeta?”

Autori në libër trajton edhe probleme të tjera që unë nuk po ndalem në to, sic është fjala për Odën e shëndrruar si institucion drejtimi, organizimi, edukimi për cdo antar të familjes.Shkollimi dhe feja që nuk përjashtonin njëra tjetrën, mesazhe të rëndësishme vlerësuese, vecanërisht për njerëzit e mëdhenj  etj.Në  libër përshkruhen edhe figura e personazhet të tjerë me vlera të veçanta, të cilët pa diskutim kanë vlera të vyera në këtë trung familjar, por do të duheshin faqe të tëra apo libra të vecantë për të pasqyruar kontibutin e tyre në këtë trung , ku spikasin  Dr.Shkencave:Dr.Naim Shefqet Domi-në topogjeodezi, Dr.Nuri Shefqet Domi,në Fizikë, Dr.Lefter Selim Daku-në ekonomi, Dr.Feride Daku –në Financë, Dr.Shqipe H.Krasniqi në Diplomaci, Dr.Arbër A.Hoti në ekonomi  etj.

Tajari është zë  i nderuar, i dashur ,kominikues, social , modest, kryefamiljar e prind model, baba i dy djemëve të mrekullueshëm, intelektual me personalitet, punonjës e drejtues në disa institucione, me staturë të admirueshme, i cili ka lënë gjurmë në Ceren, Kala të Dodës,Tiranë e Filadelfia. dhe është vlerësuar me shumë Certifikata ,që pasqyrohen  në biografinë e tij në këtë libër. Së bashku me të vëllanë, Jakupin e vëllezërit e familjarët e tij , vazhdon më tej traditën e kësaj familje të madhe. Ai ka dhënë kontribut në dokumentimin e asaj që quhet Dinastia “ Domi” e dijes dhe kulturës,ndërtimin e degëve  të pemës gjenealogjike  të këtij trungu familjar, si zëri më i spikatur i kësaj familje sot, i cili luan një rol kyç në mbajtjen gjallë të lidhjeve mes shqiptarëve të diasporës dhe vendlindjes, figurë e respektuar e komunitetit shqiptar këtu në Filadelfia.Nëpërmjet informacionit që jep për figura të shquara të kësaj zone, jo vetëm i shoqëron me foto por jep shkurt e bukur thelbin e jetës e trungut të tyre familjar duke vlerësuar ata që sot  kontribuojnë ,por duke ngritur , gjallëruar e përjetësuar ata që janë ndarë nga kjo jetë.

      Stili dhe vlerat e librit

Stili i shkrimit të këtij libri  nga autori është i thjeshtë, i rrjedhshëm, me tone të përzemërta dhe emocionale. Nuk ka ndjesi artificialiteti , gjithçka buron natyrshëm nga kujtesa dhe përkushtimi i autorit për të ruajtur e përçuar një trashëgimi që nuk duhet harruar. Përmes përdorimit të kujtimeve personale, bisedave me  familjarë dhe dokumente,i ilustruar me shumë foto, që ja kanë shtuar vlerën librit si një kujtim që do t`u mbetet brezave në historinë e trungut të tyre familjar

 Tajar Domi arrin të ngrejë një urë mes të shkuarës dhe të tashmes.Libri ka vlerë të dyfishtë: si dokument historik për një zonë të caktuar, por edhe si shembull edukativ për brezat e rinj. Ai shërben si frymëzim për ata që duan të kuptojnë se si nis ndryshimi në një shoqëri , shpesh jo me fjalë të mëdha, por me veprime të thjeshta e të vendosura.

Një pasuri që duhet lexuar dhe ruajtur

“Dinastia Domi” e Cerenit të Kalasë së Dodës është një vepër që i flet shpirtit, por edhe ndërgjegjes. Ajo na kujton se pas çdo intelektuali, qëndron një rrënjë, një përkushtim, një komunitet ,që ka ditur të mbjellë vlera. Leximi i këtij libri është si një udhëtim në një botë që po largohet, por që ka ende shumë për të na mësuar. eshtë një libër që mund të lexohet nga kushdo, që e do historinë, dijen, dhe vlerat e trashëgimisë shqiptare, veçanërisht për të rinjtë që duan të kuptojnë nga kanë ardhur, që të dinë ku duhet të shkojnë.

Ky libër është një kontribut i vyer në kujtesën kolektive shqiptare. Ai duhet të lexohet jo vetëm nga historianë apo studiues, por edhe nga nxënës, arsimtarë dhe kushdo që beson në fuqinë e dijes dhe përkushtimit. Një dëshmi e gjallë se rrënjët e një populli qëndrojnë te ata që i kanë shërbyer me idealizëm dhe dashuri.

Tajari,miku dhe bashkohësi ynë,njeri i vlerave dhe virtyteve të larta në shoqëri ,në punën dhe jetën e tij është mbështetur në traditën e pasur atdhetare të fisit Domi, një familje me rrënjë të thella patriotike, e ka trashëguar këtë frymë të përkushtimit ndaj kombit, duke e bartur me krenari dhe duke e vënë gjithmonë në shërbim të brezave.

Z.Tajar i urojmë suksese, jetë të gjatë bashkë me trungun e dinastisë “Domi “.

”Historia nuk është gjë tjetër, veç një jehonë e të kaluarës në të ardhmen dhe një refleks i të ardhmes në të shkuarën…në brezin e  tyre,që na këshillon brezat e ardhëshëm.

Urime e suksese në krijimtarinë tuaj !

Filed Under: LETERSI

Rasti Del Ponte–Beograd dhe ndikimi në drejtësinë ndërkombëtare

October 22, 2025 by s p

Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj mund të konsiderohen viktima tipike të “lojës së balancës” që Del Ponte e aplikoi për të ruajtur kredibilitetin ndërkombëtar të Tribunalit dhe për të nxitur bashkëpunimin e Serbisë.Ata u gjykuan jo për shkak të provave të forta juridike, por për të përmbushur një funksion politik dhe simbolik në arkitekturën e drejtësisë ndërkombëtare: të dëshmohej se ICTY “nuk ishte kundër serbëve, por kundër të gjithëve”

Sylë Ukshini

Një lexim krahasues i veprave të Nevenka Tromp (Prosecuting Slobodan Milošević: The Unfinished Trial, 2016) dhe Carole Hodge (The Balkans on Trial: Justice vs. Realpolitik, 2019) ofron një analizë të thelluar mbi një nga episodet më të debatueshme të drejtësisë ndërkombëtare pas luftërave në ish-Jugosllavi: kompromisin e majit 2003 ndërmjet Carla Del Ponte-s dhe Beogradit. Ky zhvillim interpretohet nga të dyja autoret si një moment kyç, që ndikoi në mënyrë të ndjeshme në perceptimin e pavarësisë institucionale, transparencës dhe konsistencës juridike të Tribunalit të Hagës (ICTY).

Sipas Tromp, kompromisi nuk përbënte një marrëveshje formale, por një pakt të heshtur politik, që e zhvendosi Tribunalin nga një proces rreptësisht juridik drejt një negociate diplomatike me autoritetet serbe. Zbatimi i Regullit 54 bis, që lejonte vendosjen e masave mbrojtëse mbi dokumente shtetërore, i mundësoi Beogradit të kufizonte qasjen në materialet kyçe të Këshillit Suprem të Mbrojtjes (SDC), duke reduktuar transparencën gjyqësore dhe duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në ndjekjet e ardhshme për krime lufte.

Tromp e përshkruan këtë zhvillim si një kthesë paradigmatike në funksionimin e Tribunalit të Hagës:

“Negociatat jashtë sallës së gjyqit zëvendësuan vetë procesin gjyqësor, duke e kthyer ndjekjen ligjore të përgjegjësisë në një kompromis politik që mbrojti interesat shtetërore të Serbisë.” (Tromp 2016, 178)
“Gatishmëria e Tribunalit për të negociuar rreth deklasifikimit të dokumenteve ushtarake kyçe dobësoi autoritetin e tij dhe e bëri të paqartë vijën ndarëse midis ligjit dhe diplomacisë.” (Tromp 2016, 182).

Kronologjia e zhvillimeve dhe natyra e kompromisit

Sipas dokumenteve dhe analizave të Nevenka Tromp, dinamika ndërmjet Prokurorisë së Tribunalit të Hagës dhe autoriteteve serbe gjatë vitit 2003 përfaqëson një periudhë kyçe, ku drejtësia ndërkombëtare kaloi nga veprimi juridik në negociatë politike. Ngjarjet mund të lexohen si një proces gradual të institucionalizimit të kompromisit.

Më 17 shkurt 2003, Carla Del Ponte njoftoi ministrin e jashtëm serb, Goran Svilanović, se aktakuzat ndaj disa pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishin në përgatitje. Paralelisht, ajo pranoi lirimin e përkohshëm të Milan Milutinović-it, ish-presidentit të Serbisë, si shenjë bashkëpunimi nga Beogradi. Ky gjest, që në pamje të parë mund të interpretohej si hap teknik procedural, në fakt krijoi terrenin për një marrëdhënie të re politike mes Tribunalit dhe Serbisë.

Më 2 prill 2003, Svilanović artikuloi qartë “vijat e kuqe” të Beogradit: dokumentet që implikonin zinxhirin komandues të ushtrisë dhe shtetit serb nuk do të dorëzoheshin në asnjë rrethanë. Kjo shënoi momentin kur bashkëpunimi me Tribunalin u kushtëzua nga ruajtja e sekreteve shtetërore dhe nga mbrojtja e figurave të larta politike e ushtarake.

Në maj 2003, Del Ponte i dërgoi një letër zyrtare autoriteteve serbe, ku pranonte që pjesë të caktuara të dosjeve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes (SDC) të mbroheshin me masa të posaçme, në këmbim të dorëzimit të tyre për përdorim të kufizuar gjyqësor. Me këtë veprim, drejtësia ndërkombëtare pranoi faktikisht logjikën e kompromisit: sigurimin e provave të pjesshme në vend të transparencës së plotë.

Ky zhvillim nuk ishte thjesht një akt teknik, por një moment kthesë në raportin midis Tribunalit dhe shtetit serb. Ai shënoi kalimin nga një proces juridik të pavarur në një marrëdhënie të ndërmjetësuar politikisht, ku bashkëpunimi minimal u vendos mbi parimin e përgjegjësisë penale dhe zbardhjes së së vërtetës. Tromp e përshkruan këtë si fillimin e një “simetrie të rreme” në drejtësinë ndërkombëtare — një kompromis që ruajti interesat shtetërore të Serbisë në kurriz të integritetit të Tribunalit dhe të viktimave të krimeve të luftës.

Dy qasje komplementare: Tromp dhe Hodge

Nevenka Tromp e interpreton kompromisin e majit 2003 si një moment kritik të dobësimit të integritetit institucional të Tribunalit, pasi ai shënoi fillimin e një qasjeje të ndërmjetme midis ligjit dhe diplomacisë. Për të, Regulli 54 bis u shndërrua në instrument të politizimit të drejtësisë, duke u përdorur për të mbrojtur interesat shtetërore të Serbisë.

Ndërkaq, Carole Hodge e sheh këtë kompromis si pjesë të një strategjie më të gjerë të “balancimit penal”, përmes së cilës prokuroria ndërkombëtare kërkonte të ruante një ekuilibër etnik në ndjekjet penale. Ajo argumenton se kjo strategji rezultoi në ngritjen e aktakuzave të dobëta ndaj figurave të UÇK-së, si Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj, për të krijuar perceptimin e paanshmërisë së Tribunalit.

Hodge thekson:

“Ky rast nuk duhej të kishte shkuar kurrë në Hagë, sepse provat ishin të pamjaftueshme dhe dëshmitarët të pabesueshëm. Krahasuar me krimet e forcave serbe, akuzat ndaj Limajt ishin të vogla dhe zakonisht i përkisnin juridiksionit kombëtar.” (Hodge 2019, 211–214)

Po ashtu, ajo shton se:

“Rasti Haradinaj përfaqësonte kulmin e strategjisë së balancimit të Del Ponte-s. Ai u akuzua për të ruajtur iluzionin e paanshmërisë, jo sepse kishte prova të mjaftueshme.” (Hodge 2019, 215–217)

Dy prokurorë britanikë, Sir Geoffrey Nice dhe Andrew Cayley, refuzuan të merrnin përsipër aktakuzën duke e konsideruar të pambështetur me prova, por ajo megjithatë u ngrit nën presion politik. Këto raste, sipas Hodge, krijuan një “iluzion të paanësisë” që dëmtoi kredibilitetin e Tribunalit dhe e paraqiti drejtësinë ndërkombëtare si instrument të Realpolitik-ës.

Efektet dhe kostot e kompromisit

Në planin juridik, kompromisi i majit 2003 prodhoi pasoja të ndjeshme mbi integritetin e procesit të drejtësisë ndërkombëtare. Zbatimi i Regullit 54 bis, që i lejonte Serbisë të vendoste masa mbrojtëse mbi dokumentet shtetërore, kufizoi transparencën e provave dhe pamundësoi ndërtimin e zinxhirëve të plotë të përgjegjësisë komanduese. Si rrjedhojë, shumë nga dokumentet kyçe të Këshillit Suprem të Mbrojtjes (SDC) – që mund të ndriçonin lidhjet midis vendimmarrjes politike në Beograd dhe krimeve të kryera në terren – mbetën të padisponueshme për trupën gjykuese. Ky veprim dobësoi standardet e provueshmërisë dhe krijoi një precedent të rrezikshëm, sipas të cilit bashkëpunimi politik me shtetet mund të zëvendësonte kërkesat themelore të drejtësisë penale ndërkombëtare.

Në planin politik, kompromisi e transformoi Tribunalin nga një institucion i pavarur juridik në një aktor të ndërmjetëm midis drejtësisë dhe diplomacisë. Strategjia e ashtuquajtur e “balancës etnike”, që synonte ruajtjen e një ekuilibri simbolik në ndjekjet penale, prodhoi pasoja të shumëfishta. Nga njëra anë, ajo shërbeu për të bindur Beogradin se drejtësia ndërkombëtare nuk ishte selektive; nga ana tjetër, krijoi perceptimin e një simetrie artificiale midis agresorit dhe viktimës. Kjo qasje rezultoi në ngritjen e aktakuzave të dobëta dhe të motivuara politikisht ndaj figurave të UÇK-së, ndërkohë që shumë krime të dokumentuara të forcave serbe mbetën të paadresuara. Në këtë mënyrë, balanca e pretenduar shërbeu jo si garanci e paanshmërisë, por si mjet për të zbutur tensionet politike me Serbinë dhe për të ruajtur kredibilitetin e përkohshëm të Tribunalit.

Në planin institucional, kompromisi e dëmtoi rëndë besueshmërinë e Tribunalit si organ i pavarur juridik. Gatishmëria për të negociuar mbi transparencën e provave krijoi një perceptim të fortë se drejtësia ndërkombëtare ishte e gatshme të sakrifikonte parimet procedurale për interesa politike. Kjo zbehje e autoritetit institucional ndikoi drejtpërdrejt në mënyrën si u perceptua ICTY në opinionin publik ndërkombëtar dhe rajonal — jo më si simbol i drejtësisë globale, por si instrument i Realpolitik-ës ndërkombëtare. Në pasojë, shumë nga vendimet e tij filluan të interpretoheshin më shumë në terma të ekuilibrave diplomatikë sesa të drejtësisë penale.

Në tërësi, kompromisi Del Ponte–Beograd krijoi një model të ri të drejtësisë së negociuar, ku parimet juridike u nënshtruan ndaj interesave politike të momentit. Ky model, i lindur në Tribunalin e Hagës, më vonë do të shfaqej në forma të tjera të drejtësisë tranzicionale në Ballkan, duke përfshirë edhe krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës – një institucion që trashëgon dilemat dhe tensionet midis drejtësisë dhe diplomacisë, të filluara që në vitin 2003.

Narrativa e mohimit dhe instrumentalizimi politik nga Serbia

Siç vërejnë Tromp, Hodge dhe Geoffrey Nice, Serbia ka përdorur drejtësinë ndërkombëtare në mënyrë selektive, duke pranuar autoritetin e saj vetëm kur kjo i ka shërbyer interesave politike. Akuzimi i Kosovës për krime ka qenë pjesë e një strategjie shtetërore për barazimin moral, që synon të zbehë legjitimitetin e luftës çlirimtare të UÇK-së dhe të mbajë të hapur çështjen e statusit ndërkombëtar të Kosovës.

Që nga vitet 1990, Serbia ka ndërtuar një narrativë të qëndrueshme mohimi, duke i paraqitur krimet e forcave të saj si “aksione mbrojtëse” dhe duke refuzuar çdo formë përgjegjësie institucionale për to. Një ndër format më të sofistikuara të këtij mohimi ishte fshehja e dokumenteve sekrete të Këshillit Suprem të Mbrojtjes (Supreme Defence Council – SDC), e realizuar me miratimin e Prokurores Carla Del Ponte. Ky kompromis, i arritur në vitin 2003, pati pasoja të drejtpërdrejta në drejtësinë ndërkombëtare, sidomos në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) të vitit 2007 në çështjen Bosnia and Herzegovina v. Serbia and Montenegro.

Tromp thekson se këto materiale u dorëzuan në dy versione:

  • një version i plotë, i cili u mbajt sekret dhe nuk iu dorëzua mbrojtjes;
  • një version i redaktuar, i cili u pranua për përdorim të kufizuar nga Tribunali (ICTY).

Ky veprim, sipas saj, dobësoi strukturën provuese të Prokurorisë dhe krijoi precedent që drejtësia ndërkombëtare mund të negociohej në bazë të interesave shtetërore.
Tromp shkruan se:

“Gatishmëria e Tribunalit për të negociuar mbi deklasifikimin e dokumenteve kyçe ushtarake e dobësoi autoritetin e tij dhe e zbehu vijën ndarëse midis ligjit dhe diplomacisë.” (Tromp, 2016, f. 182)

Tromp argumenton se kjo fshehje dokumentesh ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin e çështjes Bosnia v. Serbia në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (2007).
Për shkak se ICJ përdori si burim kryesor dokumentet e publikuara nga ICTY, mungesa e versioneve të plota të SDC-së bëri që:

  • të mos provohej zinxhiri i komandës midis ushtrisë jugosllave (VJ) dhe njësive serbe në Bosnje;
  • të mos mund të argumentohej plotësisht përfshirja shtetërore e Serbisë në planifikimin dhe zbatimin e gjenocidit të Srebrenicës.

Si rezultat, Gjykata nuk e shpalli Serbinë përgjegjëse për gjenocid, por vetëm për “mosparandalim të gjenocidit”. Tromp e përshkruan këtë si një “dështim i drejtësisë ndërkombëtare”, ku kompromisi i Del Ponte-s shpëtoi shtetin serb nga përgjegjësia penale ndërkombëtare.

Në vijim, Serbia ndoqi strategjinë e ashtuquajtur “moral equivalence”, duke barazuar krimet e saj në Bosnjë dhe Kosovë me pretendime për krime të UÇK-së. Sipas dëshmive të Tribunalit të Hagës, kjo logjikë u përdor edhe në procesin ndaj Milošević-it, ku ai përpiqej të paraqiste Serbinë si viktimë të “separatizmit dhe terrorizmit shqiptar”. Pranimi i fajësisë do të kishte pasoja të rënda politike dhe morale për elitën shtetërore serbe, prandaj mohimi i krimeve mbetet një element përbërës i identitetit politik dhe diplomatik të Serbisë.

                                                               ***

Në këtë kuptim Marrëveshja Del Ponte–Beograd përfaqëson një nga rastet më të qarta të ndërthurjes midis ligjit dhe politikës në drejtësinë ndërkombëtare të pasluftës në Ballkan. Serbia përfitoi nga kufizimet procedurale për të ruajtur kontrollin mbi dokumentet e Këshillit Suprem të Mbrojtjes dhe për të shmangur ekspozimin e provave që implikonin strukturat shtetërore në krime lufte. Nga ana tjetër, Prokuroria ndërkombëtare synoi të ruante një imazh të paanshmërisë përmes krijimit të një ekuilibri penal artificial, që në praktikë u përkthye në akuzimin e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe pse ky kompromis mundësoi një bashkëpunim të përkohshëm mes Tribunalit dhe autoriteteve serbe, ai pati pasoja afatgjata mbi legjitimitetin, transparencën dhe pavarësinë institucionale të ICTY-së, duke ushqyer perceptimin e drejtësisë selektive në Ballkan. Në këtë kontekst, Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj mund të konsiderohen si viktima tipike të strategjisë së “balancës” që Carla Del Ponte aplikoi për të ruajtur kredibilitetin ndërkombëtar të Tribunalit dhe për të nxitur bashkëpunimin e Serbisë me të. Ata u gjykuan jo mbi bazën e provave të qëndrueshme juridike, por për të përmbushur një funksion simbolik në arkitekturën e drejtësisë ndërkombëtare – për të dëshmuar se ICTY “nuk ishte kundër serbëve, por kundër të gjithëve”.

Në një plan më të gjerë, ky episod ndihmon të kuptohet origjina konceptuale e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të ngritura mbi logjikën e ngjashme të ndërthurjes midis politikës dhe drejtësisë ndërkombëtare. Ky zhvillim ka zgjatur debatin mbi raportin ndërmjet sovranitetit shtetëror, ndërhyrjes ndërkombëtare dhe drejtësisë tranzicionale në Evropën Juglindore, duke e vendosur Kosovën në qendër të një paradigme të re të drejtësisë së pasluftës – as plotësisht kombëtare, as plotësisht ndërkombëtare, por të ndërmjetme dhe të kontestuar në legjitimitet.

Filed Under: Opinion

Viti i pestë i “Tetorit Rozë” në Brooklyn: Gratë shqiptare bashkohen për shëndetin, forcën dhe shpresën

October 21, 2025 by s p

Brooklyn, New York – Tetor 2025 – Organizata “Albanian Women in USA” shënoi me sukses vitin e pestë të aktivitetit të saj të përvitshëm në kuadër të muajit ndërkombëtar të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Tetorit Rozë. Ky event u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë e frymëzuese në zemër të Brooklyn-it, ku dhjetëra gra shqiptare nga Brooklyn, Queens, Bronx dhe Connecticut u bashkuan për një qëllim të përbashkët: shëndetin, mbështetjen dhe fuqizimin e grave.

Në shenjë vlerësimi për punën e palodhur të organizatës, Senatori i Shtetit të New York-ut Z. Steve Chan dhe Znj. Svetlana Zelinskaya, Zëvendëskryetare e Partisë Republikane për Brooklyn dhe lidere e zonës 46, nderuan Albanian Women in USA me një çmim mirënjohjeje për kontributin e saj të vazhdueshëm në komunitetin shqiptar dhe në fuqizimin e grave në SHBA.

Një ditë e mbushur me dashuri, solidaritet dhe shpresë

Ngjyra rozë, simbol i shpresës dhe forcës, dominoi çdo detaj të eventit – nga dekorimet e elegancës, te tryezat me ushqime të përgatitura nga zonjat pjesëmarrëse, e deri te buzëqeshjet dhe përqafimet që përhapnin ngrohtësi në çdo cep të parkut. Fëmijët luanin së bashku, ndërsa gratë ndanin emocione, kujtime dhe inkurajime për njëra-tjetrën.

Eventi u hap me fjalime frymëzuese nga Doktoresha Ada Biço dhe Psikologia Fabiola, të cilat folën për rëndësinë e zbulimit të hershëm, kujdesit ndaj shëndetit mendor dhe fizik, si dhe ndikimit që mbështetja komunitare ka në procesin e shërimit.

“Zbulimi i hershëm shpëton jetë. Kujdesi për veten është përgjegjësi dhe dashuri ndaj familjes,” theksoi Doktoresha Biço. Ndërsa Psikologia Fabiola shtoi: “Shërimi fillon nga pranimi, dashuria dhe solidariteti mes nesh.”

Zëra, histori dhe emocione të sinqerta

Pjesëmarrëset ndanë histori prekëse për përballjen me kancerin e gjirit – me dhimbje, humbje, por edhe me guxim dhe shpresë. Këto rrëfime u bënë frymëzim për shumë gra që morën pjesë për herë të parë, duke treguar fuqinë e bashkimit dhe mbështetjes reciproke.

Atmosfera u pasurua më tej me muzikë, lojëra për fëmijë, giveaway simbolike dhe momente gëzimi komunitar, duke e kthyer këtë ditë në një festë të jetës dhe dashurisë për veten.

Një moment krenarie për komunitetin shqiptar

Në fund të aktivitetit, Senatori Chan përgëzoi organizatën për rolin e saj të rëndësishëm:

“Albanian Women in USA është shembull frymëzues i lidershipit dhe solidaritetit femëror. Ato po ndërtojnë ura të forta bashkëpunimi në komunitetin tonë.”

Ndërkohë, Znj. Svetlana Zelinskaya theksoi se është e rëndësishme të njihet puna e grave shqiptare që “jo vetëm kujdesen për familjet e tyre, por edhe kontribuojnë në forcimin e komunitetit tonë të përbashkët.”

Mirënjohje për bashkëpunëtorët dhe median komunitare

Eventi u dokumentua me kujdes nga fotografja Znj. Elsa Dautaj, e cila kapi çdo emocion me profesionalizëm, dhe Z. Gjergji Kovaci, President i USA ALBTV, i cili mbështeti eventin me përkushtim mediatik, duke ndihmuar në promovimin e aktiviteteve komunitare shqiptare në SHBA.

————————————————————————————-

The Fifth Year of “Pink October” in Brooklyn: Albanian Women Unite for Health, Strength, and Hope.

Brooklyn, New York – October 2025 – The organization “Albanian Women in USA” successfully marked the fifth year of its annual event as part of the international Breast Cancer Awareness Month, Pink October.

The event took place in a warm and inspiring atmosphere in the heart of Brooklyn, where dozens of Albanian women from Brooklyn, Queens, Bronx, and Connecticut came together for a shared purpose: health, support, and women’s empowerment.

In recognition of the organization’s tireless work, New York State Senator Mr. Steve Chan and Mrs. Svetlana Zelinskaya, Vice Chair of the Republican Party for Brooklyn and Leader of the 46th District, honored Albanian Women in USA with an appreciation award for its continuous contribution to the Albanian community and to women’s empowerment in the United States.

⸻

A Day Filled with Love, Solidarity, and Hope

The color pink – a symbol of hope and strength – dominated every detail of the event, from the elegant decorations to the tables filled with homemade dishes prepared by the participating women, to the smiles and hugs that spread warmth in every corner of the park.

Children played together while women shared emotions, memories, and words of encouragement with one another.

The event opened with inspiring speeches by Dr. Ada Biço and Psychologist Fabiola, who spoke about the importance of early detection, caring for both mental and physical health, and the impact that community support has on the healing process.

“Early detection saves lives. Taking care of yourself is an act of responsibility and love for your family,” emphasized Dr. Biço.

Psychologist Fabiola added, “Healing begins with acceptance, love, and solidarity among us.”

⸻

Voices, Stories, and Sincere Emotions

Participants shared touching stories about facing breast cancer – stories of pain, loss, but also of courage and hope. These testimonies became an inspiration for many women attending for the first time, demonstrating the power of unity and mutual support.

The atmosphere was further enriched with music, children’s games, symbolic giveaways, and moments of community joy, turning the day into a celebration of life and self-love.

⸻

A Moment of Pride for the Albanian Community

At the end of the event, Senator Chan congratulated the organization for its important role:

“Albanian Women in USA is an inspiring example of leadership and female solidarity. They are building strong bridges of cooperation within our community.”

Meanwhile, Mrs. Svetlana Zelinskaya emphasized the importance of recognizing the work of Albanian women who “not only take care of their families but also contribute to strengthening our shared community.”

⸻

Gratitude to Partners and Community Media

The event was carefully documented by photographer Mrs. Elsa Dautaj, who captured every emotion with professionalism, and by Mr. Gjergji Kovaci, President of USA ALBTV, who supported the event with dedicated media coverage, helping promote community activities of Albanians across the United States.

Filed Under: Komunitet

Nga bërthama: rrënjët e forta të një lisi me dy degë – të kombit shqiptar

October 21, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Berthama që mban trungun e një kombi

Nga berthama e Kosovës, ka shpërthyer fuqia shpirtërore, morale dhe historike e kombit shqiptar. Ajo është si rrënja e fortë e një lisi madhështor, që me kalimin e shekujve është përballur me stuhitë e historisë, por kurrë nuk është thyer.

Nga kjo bërthamë lindën dy degë të fuqishme – Shqipëria dhe Kosova – dy shtete të pavarura, por të një kombi të vetëm, të kombit shqiptar.

Kjo metaforë nuk është poetike, por shpreh realitetin historik, gjeopolitik dhe identitar të kombit tonë:

-Kosova është rrënja e lashtë, forca themeltare dhe kujtesa historike.

-Shqipëria është trungu që mbajti gjallë jetën shtetërore të kombit.

-Të dyja së bashku përbëjnë dy degët e gjalla të të njëjtit lis – Kombin Shqiptar.

1. Kosova – Berthama e Kombit Shqiptar dhe themeli i identitetit tonë

Historia e kombit shqiptar nuk mund të kuptohet pa Kosovën.

Që nga Dardania antike, që mishëron fillesën e etnogjenezës sonë, deri te Lidhja e Prizrenit (1878) si akti politik më i madh i vetëdijes kombëtare, Kosova ka qenë zemra e ideve kombëtare, lirisë dhe bashkimit.

Në këtë tokë u ruajtën gjaku, gjuha dhe memoria e lashtësisë shqiptare, edhe në kohët më të errëta të perandorive e copëtimit.

Në shekullin XX, Kosova u bë simbol i qëndresës, duke mbajtur gjallë idealin e lirisë nën pushtim, derisa në fund të shekullit shpërtheu si flakadan i ringjalljes kombëtare shqiptare me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në këtë kuptim, Kosova nuk është një degë anësore, por bërthama nga e cila është rritur dhe ripërtërirë gjithmonë vetë trungu i kombit shqiptar.

Kosova është historia e kujtesës sonë kombëtare, e ruajtur në këngë, në gjak, në sakrificë, në fjalën shqipe, në kryengritje e në vargje të përjetshme të lirisë.

Ajo është pikënisja e çdo rilindjeje shqiptare – nga Lidhja e Prizrenit te Lufta e Drenicës, nga Hasan Prishtina te Adem Jashari.

2. Shqipëria dhe Kosova – Dy Shtete Sovrane të Një Kombi

Në kohën moderne, Kombi Shqiptar u fragmentua politikisht, por asnjëherë nuk u nda shpirtërisht dhe kombëtarisht.

Në njërën anë, Shqipëria e vitit 1912 shpalli pavarësinë dhe u bë shteti i parë i kombit shqiptar, një përfaqësim institucional i idealit të përbashkët.

Në anën tjetër, Kosova, e privuar nga liria për më shumë se një shekull, arriti të shpallë pavarësinë më 17 shkurt 2008, duke u bërë shteti i dytë i kombit shqiptar, me sovranitet të plotë dhe personalitet ndërkombëtar.

Sot, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës janë dy subjekte të barabarta të së drejtës ndërkombëtare, por me identitet të përbashkët kombëtar, gjuhësor dhe kulturor.

Kjo është një veçori unike në Europë: dy shtete me një komb, një gjuhë, një kulturë, një histori dhe një mision të përbashkët.

Në këtë marrëdhënie, Shqipëria është dega që mbajti lirinë e parë shtetërore, ndërsa Kosova është dega që solli rilindjen e dytë të kombit shqiptar në shekullin XXI.

Të dyja janë sot dy qendra të së njëjtës fuqi kombëtare, që përbëjnë binarët e sigurisë dhe stabilitetit të kombit shqiptar në Ballkan.

3. Trungu i përbashkët – Kombi Shqiptar si realitet politik, historik dhe kulturor

Trungu i lisit – Kombi Shqiptar – është bashkimi i pandashëm i historisë, gjuhës, identitetit dhe shpirtit kombëtar.

Rrënjët janë në Kosovë; trungu u rrit në Shqipëri; degët përhapen në trojet etnike shqiptare – në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e më gjerë.

Por fryma është një: një komb me shumë degë, një lis me shumë gjethe, një jetë me shumë forma – por me një rrënjë të vetme.

Ky realitet kërkon që bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës të mos mbetet thjesht në kuadrin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, por të ngrihet në nivelin e integrimit kombëtar strategjik:

-në arsim, diplomaci, mbrojtje, ekonomi, politikë të jashtme dhe kulturë;

-për të krijuar një bashkësi kombëtare shqiptare në dy shtete, të koordinuar dhe të përbashkët në qëndrime e interesa.

4. Mesazhi i Berthamës – Drejt bashkimit shpirtëror dhe strategjik të Kombit Shqiptar

Nga kjo berthamë e lashtë e Kosovës, Kombi Shqiptar duhet të gjejë sot forcën për të shkuar përtej kufijve formalë politikë dhe për të ndërtuar bashkimin shpirtëror, kulturor dhe strategjik të kombit.

Ky bashkim nuk është ide romantike, por nevojë politike, ekonomike dhe diplomatike për stabilitetin e Ballkanit dhe forcimin e vetë shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Në një kohë kur gjeopolitika ballkanike po rikompozohet, bashkërendimi Shqipëri–Kosovë nuk është luks, por kusht i mbijetesës kombëtare dhe i forcimit ndërkombëtar të kombit shqiptar.

Dy shtetet shqiptare – si dy degë të fuqishme të një lisi të lashtë – duhet të qëndrojnë të lidhura në rrënjë, që asnjë erë apo furtunë të mos i përkulë.

Lis që nuk thahet – Komb që nuk shuhet

Nga bërthama e Kosovës u rrit trungu i kombit shqiptar, dhe nga ai trung u përhapën degët që mbulojnë gjithë hapësirën shqiptare.

Kjo është historia jonë, misioni ynë dhe përgjegjësia jonë.

Ne jemi dy shtete, por një komb; dy zëra, por një frymë; dy flamuj në formë, por një ngjyrë në shpirt.

Kombi shqiptar është lis që nuk thahet, sepse berthama e tij – Kosova – është e gjallë, dhe degët e tij – Kosova dhe Shqipëria – ushqehen nga e njëjta rrënjë e historisë dhe krenarisë sonë kombëtare.

Filed Under: Emigracion

Bisedë Me Z. Bashkim Brahimi Kryetar I Shoqatës “Tafil Buzi”, Shqipëri

October 21, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në qytetin e Tepelenës në sheshin “Lord Bajroni” u vendos shtatorja e Tafil Buzit “Nderi i Kombit” i cili udhëhoqi lëvizjet popullore në Jug për 30 vjet kundër Perandorisë Osmane.

Zoti Brahimi ju këtë muaj finalizuat vendosjen e shtatores së kapedan Tafil Buzit “Nderi i Kombit” në sheshin “Lord Bajroni” në qytetin e Tepelenës. Na tregoni, ju lutem, ndjesitë tuaja rreth këtij aktiviteti madhështor në nderim të kryegjeneral Tafil Buzit? 

Faleminderit për pyetjen! Vendosja e shtatores së kapedan Tafil Buzit në sheshin “Lord Bajroni” të Tepelenës për mua përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme e më emocionuese të gjithë veprimtarisë sime në Shoqatën “Tafil Buzi”, por dhe më gjerë. Të shohësh më në fund të ngrihet në këmbë figura e këtij burri të madh të kombit, aty ku historia dhe gjaku i tij kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, është një ndjenjë krenarie, nderimi dhe mirënjohjeje të thellë. Çdo copëz bronzi, çdo detaj i asaj shtatoreje përfaqëson jo vetëm kujtimin e një prijësi të madh, por edhe frymën e një populli që di të respektojë bijtë e vet më të shquar.  Ky moment nuk ishte thjesht një akt i bukur ceremonial; ishte përmbyllja e një ëndrre të gjatë të shumë brezave buzjotë e tepelenas, të cilët gjithmonë kanë dashur ta shohin heroin e tyre të ngritur aty ku i takon, në zemër të qytetit. Si kryetar i Shoqatës “Tafil Buzi”, por edhe si biri i kësaj treve, e përjetova këtë ditë me një emocion të jashtëzakonshëm. Ishte një ditë që më solli përpara syve sakrificat, qëndresën dhe idealin e pastër të Tafil Buzit për liri, dinjitet dhe atdhedashuri.  

E pranoj me krenari që ky projekt nuk do të ishte bërë realitet pa bashkëpunimin e shumë njerëzve të mirë, pa përkushtimin e anëtarëve të shoqatës sonë, pa ndihmën e institucioneve vendore, të biznesmenëve, të dashamirësve të kulturës dhe historisë sonë. E ndjej veten të lumtur që pata mundësinë të kontribuoj jo vetëm si drejtues, por edhe si financues në këtë nismë fisnike, sepse çdo ndihmë e dhënë për të nderuar figurat tona kombëtare është një borxh moral që ne ia kemi historisë dhe brezave që do të vijnë.

Në ditën e përurimit, kur unë zbulova shtatoren së bashku me kryetaren e bashkisë Tepelenë, Julinda Karteri, ndjeva sikur vetë historia po fliste. M’u kujtuan fjalët e të parëve tanë që e kanë ruajtur me nder emrin e Tafil Buzit, dhe në atë çast ndjeva se po i jepnim këtij emri një vend të merituar, një vend nga i cili do t’u flasë përjetësisht brezave për atdhedashuri, trimëri dhe përkushtim ndaj kombit. Për mua, kjo shtatore është më shumë se një vepër arti; është një simbol i krenarisë sonë, i identitetit dhe i qëndresës shqiptare.

Cilat kanë qenë disa nga vështirësitë për të arritur gjer në përfundimin me sukses të vendosjes së shtatores së Tafil Buzit në Tepelenën tonë të dashur?

Vendosja e shtatores së heroit tonë kombëtar, Tafil Buzit, në Tepelenë ka qenë një proces i gjatë, me shumë përpjekje, angazhime dhe sfida të njëpasnjëshme. Përtej entuziazmit dhe dëshirës së madhe për ta realizuar këtë vepër përkujtimore, rruga drejt përfundimit të saj nuk ka qenë aspak e lehtë.  

Natyrisht, nuk isha vetëm – anëtarët e Kryesisë dhe Forumit të Shoqatës më qëndruan në krah me përkushtim dhe solidaritet. 

Dua të theksoj se Roshi Ajdini ne rolin e Sekretarit të Përgjithshëm ka qenë një mbështetje e palëkundur gjatë gjithë periudhës që çoi në përfundimin me sukses të vendosjes së shtatores.

Sfida më e madhe, pa dyshim, ishte sigurimi i fondeve. Kostoja e përgjithshme e shtatores arrinte rreth 3 milionë lekë të reja, pa përfshirë shpenzimet shtesë për ceremoninë dhe aktivitetet e ditës së përurimit. Në atë moment, fondet e mbledhura nuk arrinin as 10 për qind të shumës së nevojshme.

Përballë këtij realiteti, u detyruam të vepronim me shpjetësi e vendosmëri. U ndërmor një fushatë model për grumbullimin e fondeve, e cila shtrihej në disa qytete të vendit. Aktivizuam çdo anëtar të shoqatës dhe çdo simpatizant të saj. Dega e shoqatës në Durrës, e cila deri atëherë kishte qenë thuajse inegzistente, u ringrit dhe u përfshi me një energji të re në këtë mision.

Çdo kontribut, sado i vogël, vlerësohej me mirënjohje dhe pasqyrohej rregullisht në faqet e gazetës “Trebeshina”, organi ynë i komunikimit dhe transparencës me publikun.

Në këtë rrugëtim nuk munguan edhe mbështetjet e rëndësishme nga personalitete të njohura të jetës publike dhe institucionale. Dua të përmend me respekt dhe mirënjohje të veçantë z. Gramoz Ruçi, ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, i cili na qëndroi afër dhe na ndihmoi me dashamirësi në çdo hap. Po kështu edhe profesorin dhe ish-politikanin e njohur Ethem Ruka, i cili ofroi përkrahje dhe këshilla të vyera.

Një kontribut të rëndësishëm institucional dha gjithashtu z. Blendi Gonxhja, në atë kohë Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, i cili e mbështeti zyrtarisht kërkesën që shoqata i kishte adresuar ministrisë për sigurimin e një pjese të fondeve publike për realizimin e shtatores.

Nuk mund të mos përmend edhe dhjetëra kontribues të tjerë – individë, biznese, bashkëfshatarë e dashamirës të figurës së Tafil Buzit – të cilët dhanë ndihmën e tyre me zemër. Emrat dhe kontributet e tyre janë publikuar herë pas here në gazetën “Trebeshina”.  

Shtatorja u punua nga skulptori i mirënjohur dhe shumë i talentuar Vladimir Llakaj i cili ka pasur një sërë suksesesh në disa qytete të ndryshme me punimet nga duart e arta të tij. Cili ka qenë bashkëpunimi me skulptorin nga shoqata juaj?

Ç’është e vërteta, sapo u krijuan kushtet e nevojshme dhe projekti për vendosjen e shtatores së Heroit të Popullit, Tafil Buzi, në qytetin tonë të Tepelenës u miratua nga Këshilli Bashkiak, shoqata jonë “Tafil Buzi” nisi menjëherë hapat konkretë për përzgjedhjen e skulptorit që do të merrte përsipër këtë vepër të rëndësishme për historinë dhe identitetin tonë kombëtar. Për këtë qëllim, publikuam një njoftim në gazetën “Trebeshina”, me synimin për të testuar interesin dhe për të mbledhur ofertat nga artistë të fushës së skulpturës.

Në mbledhjen e datës 22 nëntor 2024, kryesia e shoqatës shqyrtoi me kujdes propozimet dhe modelet e paraqitura nga skulptorët Haxhi Kalluci, Leonidha Koruni dhe Vladimir Llakaj. Pas një diskutimi të frytshëm, me unanimitet të plotë u vendos që fitues të shpallej oferta e skulptorit të njohur Vladimir Llakaj. Ky vendim nuk ishte thjesht një zgjedhje profesionale, por edhe një akt besimi e krenarie, pasi Vladimiri është bir i Tepelenës, një artist që tashmë kishte lënë gjurmë të pashlyeshme me veprën e tij monumentale – shtatoren e Heroit të Popullit Selam Musa Salaria, e vendosur në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë, një vepër që gëzon respekt dhe vlerësim të gjerë për dinjitetin artistik që mbart.

Vladimiri është një artist i përkorë, i përulur dhe thellësisht i ndjeshëm, që di të dëgjojë, të kuptojë dhe të përfshijë në veprën e tij shpirtin e bashkëpunëtorëve dhe dashurinë për vendin. 

Shoqata “Tafil Buzi” në njëzetë e ca vjet histori të krijimit të saj është bërë shumë e njohur për shkak të aktiviteteve të saj si për shembull, në rastin e fundit, duke e vendosur Tafil Buzin përkrah Ali Pashë Tepelenës, një nga figurat më të shquara historike të Kombit. Cilat janë disa nga arritjet e shoqatës ndër vite?

Shoqata Atdhetare-Kulturore “Tafil Buzi” ka lindur nga dashuria për vendlindjen dhe nga përkushtimi për ta mbajtur gjallë kujtimin e një figure të pavdekshme të historisë shqiptare. E themeluar “de jure” më 17 qershor 2002 dhe “de facto” më 22 prill të po atij viti, ajo mori jetë nga një grup burrash buziotë të mençur e vizionarë, që besonin se atdhedashuria nuk duhej të mbetej vetëm fjalë, por të merrte trajtë konkrete në veprim.

Në atë mbledhje themelimi, ku fryma e Buzit dhe e traditës përplasej me shpirtin e përkushtimit qytetar, morën pjesë Sadik Bejko, Eqerem Xhelili, Kujtim Çibuku, Ramadan Çelaj, Abedin Kalemi, Ferrik Danaj, Kujtim Kreci, Et’hem Bakaj, Ferrik Selmani, Mylsym Mindaj dhe Seit Ajazi. Ata vendosën me njëzëri që shoqata të mbante emrin e kapedanit legjendar buziot, Tafil Buzit – simbol i trimërisë, urtësisë dhe dashurisë për lirinë.

Kryetar i parë u zgjodh poeti, shkrimtari, profesori dhe politikani i njohur, Sadik Bejko, një figurë që i dha frymë e seriozitet këtij ideali.

Shtatë vjet më vonë, shoqata njohu një zgjerim të ri me anëtarësime të shumta dhe ndryshime në organet drejtuese. Në radhët e saj u shtuan Eqerem Osmani, Eqerem Lalaj, Asim Brahimaj, Limo Pazaj, Diana Kalemaj, Besnik Meta, Musa Xifaj, Izet Binaj, Sulo Hamzaj dhe Bardhyl Rredhaj. Kryetar u zgjodh Eqerem Osmani, ndërsa Sadik Bejko mori titullin Kryetar Nderi, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të vyer.

Pas ndarjes nga jeta të z. Eqerem Osmani, më 18 shtator 2022, drejtimin e shoqatës e mori z. Medin Duro, i cili me përkushtim e vizion vijoi rrugën e të parëve. Ndërsa më 3 maj 2025, pas dorëheqjes së tij të parevokueshme, në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të Shoqatës “Tafil Buzi”, anëtarësia më nderoi me besimin për të marrë unë drejtimin e ri të kësaj shoqate.

Ky besim më shton përgjegjësinë, por edhe krenarinë për të vijuar misionin e shenjtë që paraardhësit tanë e kanë mbajtur gjallë për më shumë se dy dekada.

Më 5 tetor 2008, në zemrën e fshatit Buz Qendër, u përurua busti i Tafil Buzit, duke përjetësuar në bronz figurën e kapedanit që për dekada kishte jetuar vetëm në kujtesën e popullit. Më 13 tetor 2013, Shoqata përjetoi një tjetër moment kulmor: Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i akordoi Tafil Buzit titullin e lartë “Nderi i Kombit”. 

Në fushën e krijimtarisë historike e artistike, janë botuar dhe promovuar një sërë veprash që i japin frymë e fjalë kujtesës së përbashkët: libri “Tafil Buzi – kryekënga e trimave” nga Limo Pazaj, “Krahina e Buzit dhe Tepelena” nga Bedri Serjani, poema “Baladë për Tafil Buzin” dhe “Tafil Buzi – Nderi i Kombit” në gazetën “Trebeshina” nga Feti Zeneli. Shoqata ka gjallëruar jetën kulturore me aktivitete të tilla si “Buzi-Folk”, Festivali Folklorik “Jehona e Vjosës”, e së fundmi, me përurimin e shtatores madhështore të Tafil Buzit në qytetin e Tepelenës – një arritje që e vendos këtë figurë përkrah Ali Pashë Tepelenës, në panteonin e historisë sonë kombëtare.

Krahas këtyre arritjeve të mëdha, numri i aktiviteve të dorës së dytë është i pafund: takime, diskutime, riformatime të strukturave, të gjitha të fiksuara në plane pune të detajuara mujore, tremujore e vjetore.

A mendoni se ka ardhur koha, në fakt duhej me kohë, se pas Tafil Buzit një vend meritor në histori ka dhe legjendari Fejzo Arrëza për t’i ngritur shtatoren e munguar në Tepelenë? Ai u vra në vitin 1878 nga andartët greke i cili vuri nën komandë rreth 200 burra për të luftuar me trimëri kundër andartëve grekë.  Duke i hedhur nje sy busteve, monumenteve në Tepelenë më rezulton se nuk ka ndonjë hero që ka luftuar kundër andartëve dhe masakrave greke.

Po t’i kthehemi historisë sonë të lavdishme, pas emrit të ndritur të Tafil Buzit që ndezi pishtarin e lirisë në gjysmën e parë të shekullit XIX, një tjetër emër, po aq i denjë për nderim, ngrihet si një mal krenarie në horizontin e kohës – ai i kapedanit legjendar Fejzo Arrëza. Jo shumë larg vendlindjes së Tafilit, në po atë truall të bekuar të krahinës së Buzit, lindi dhe u burrërua ky trim, që mori stafetën e luftës dhe ia përcolli brezave me gjakun e derdhur për atdhe.

Fejzo Arrëza, biri i një familjeje të ndershme e punëtore, pa pasuri të mëdha veç dinjitetit dhe besës, lindi më 1840 në fshatin malor të Arrëzës, rrëzë Trebeshinës. Rriti shtat ndër gurë e shkëmbinj, mes këngëve të burrave dhe legjendave për trimërinë e të parëve. Rreth zjarrit të oxhakut dëgjonte rrëfime për Hasan Agën – nëpunësin besnik të Ali Pashë Tepelenës – dhe për Asllan Kondurin e shumë të tjerë, që jetën e tyre e vunë në altarin e Atdheut. Këto histori, që i ndiznin shpirtin, e bënë të kuptonte herët se jeta e shqiptarit ka vlerë vetëm kur është në shërbim të lirisë.

Në rininë e tij, Fejzo Xhafo Arrëza shërbeu për pak kohë si oficer në ushtrinë osmane, ku shfaqi zgjuarësi e trimëri të rrallë. Por, shpejt, ai e kuptoi se pushka e tij nuk mund t’i shërbente kurrë një perandorie të huaj. Me zemër të ndezur nga urrejtja ndaj çdo pushtuesi, braktisi gradat e arta dhe mori në dorë flamurin e nderit. Në krye të një çete prej 40 burrash të pathyeshëm, ai u bë një nga kapedanët më të njohur të viseve të Tepelenës, Përmetit e Beratit – një emër që përmendej me respekt në çdo kuvend burrash dhe në çdo këngë trimërie.

Jehona e pushkëve të tij ushtoi për vite me radhë në Luginën e Vjosës e të Osumit, në ultësirat e Ballabanit, në kodrat e Gllavës, në malet e Skraparit e Leskovikut. Çeta e Fejzo Arrëzës u bë simboli i qëndresës shqiptare kundër andartëve grekë dhe qarqeve shoviniste që kërkonin të ndanin trojet e kombit tonë.

Korriku i vitit 1878 shënon faqen më të lavdishme të jetës së tij. Në përballje me andartët grekë, Fejzo Arrëza dhe burrat e tij zhvilluan beteja të ashpra, duke luftuar si luanë për çdo pëllëmbë toke. Edhe pse i rrethuar, përballë një vdekjeje të pashmangshme, ai hodhi poshtë me përbuzje çdo ftesë për dorëzim. “Shqiptari nuk dorëzohet kurrë!” – ishte fjala e fundit që la pas. Dhe aty, në atë përleshje të pabarabartë, ai ra si një dëshmor i vërtetë, duke dëshmuar me gjakun e vet se liria fitohet vetëm me sakrificë.

Historia e Fejzo Arrëzës është një gur i çmuar në mozaikun e lavdisë sonë kombëtare. Ai ishte një luftëtar i jashtëzakonshëm, një kapedan që meriton nderim e kujtim të përjetshëm. Prandaj, mendimi për t’i ngritur atij shtatoren e munguar në Tepelenë është më shumë se një dëshirë – është një detyrim moral ndaj brezave dhe historisë.

Shoqata “Tafil Buzi” ka marrë përsipër këtë mision fisnik: të ruajë e të nderojë figurat e shquara të krahinës së Buzit, që me trimërinë e tyre kanë mbrojtur nderin e kombit. Dëshira është e madhe, por rruga drejt realizimit kërkon mirëkuptim dhe bashkëpunim me institucionet ligjore e administrative të Bashkisë Tepelenë. Siç dihet, krahina jonë bën pjesë në Bashkinë Memaliaj, kështu që edhe ngritja e shtatores së Tafil Buzit kërkoi kohë e përkushtim për të gjetur gjuhën e duhur të bashkëpunimit.

Por asgjë nuk do të na ndalë. Shoqata “Tafil Buzi” do të vazhdojë me këmbëngulje këtë rrugë të shenjtë për të përmbushur misionin e saj: të mos lejojë që pluhuri i harresës të mbulojë emrat e heronjve që dhanë jetën për Atdhe.

Cila ka qenë fëmijëria juaj dhe shkollimi ndër vite në Shqipëri?

Kam lindur, më 18 mars të vitit 1961, në fshatin Komar të Tepelenës, rrëzë malit me të njëjtin emër, përfshirë në “Tri Çukat” e Gllavës – një vend i qetë, i mbuluar me dritën e bardhë të mëngjesit dhe aromën e tokës pjellore. Rrjedh nga një familje me rrënjë të thella në traditë e fisnikëri, ku nderi dhe puna kanë qenë gurë themeli të jetës së përditshme.

Babai im, Adem Qamil Brahimi, ishte një prej bijve të atij brezi që idealin për liri e kishte frymëmarrje. Në maj të vitit 1943, ai iu bashkua forcave partizane dhe luftoi deri në nëntor të vitit 1944 në radhët e Brigadës së Parë Partizane në Korçë. Pas çlirimit, shërbeu për një dekadë të tërë si ushtarak po në atë qytet, derisa në vitin 1953 u kthye në fshatin e tij të lindjes. Atje, në zgjedhjet e para pas kthimit, bashkëfshatarët e zgjodhën kryetar të këshillit të fshatit – një shenjë e respektit dhe besimit që gëzonte ndër bashkëfshatarët e tij.

Kur në vitin 1957 u themelua kooperativa bujqësore, ai iu përkushtua punës si brigadier dhe më vonë si magazinier, deri në vitin 1985, kur mbylli jetën e tij me dinjitet dhe përkushtim ndaj tokës dhe njerëzve.

Rrugëtimi im arsimor nisi në shkollën fillore të fshatit Komar, ku mësuesit e parë më mësuan të lexoj dritën e dijes me të njëjtin respekt si dritën e diellit që binte mbi fshatin tim të dashur. Arsimin 8-vjeçar e vazhdova në Gllavë, ndërsa më pas u regjistrova në shkollën e mesme bujqësore “Tafil Buzi” në Buz, një vatër që më përgatiti për jetën e punës dhe përballjes me tokën, bagëtinë dhe njerëzit.

Në shtator të vitit 1980, sapo mbarova shkollën, nisa punë si brigadier blegtorie në kooperativën bujqësore të Selckës, detyrë që e mbajta deri në dhjetor të vitit 1982. Dy vitet që pasuan, 1983 – 1984, i kalova në shërbimin ushtarak në Sarandë, ku disiplina dhe përvoja më forcuan karakterin.

Pas ushtrisë u ktheva sërish në vendlindje, duke vijuar punën në kooperativë, fillimisht si brigadier, e më pas, nga janari i vitit 1987 e deri në prag të ndryshimeve të mëdha demokratike, si përgjegjës sektori në kooperativën e Selckës. Përveç punës së përditshme, mora pjesë aktive edhe në jetën shoqërore të komunitetit: isha Sekretar i Komitetit të Rinisë për fshatrat e kooperativës, ndihmësgjyqtar në Komar, anëtar i Pleniumit të Rinisë së rrethit të Tepelenës dhe kandidat i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, përfaqësues i rinisë kooperativiste në Kongresin e 8-të të saj, etj.

Pas viteve ’90, kur koha nisi të frynte me erërat e lirisë e ndryshimit, lashë vendlindjen për të ndërtuar një jetë të re. Fillimisht u vendosa në Berat, ku për gati shtatë vite shërbeva si me rrobë ushtarake. Në vitin 1998 mora rrugën drejt Tiranës, ku nisa punë në Policinë e Shtetit, detyrë që e mbajta deri në vitin 2005.

Ndërkohë, dëshira për dije më shtyu të vijoj studimet e larta: nga viti 2004 deri më 2007 përfundova ciklin “Bachelor” në degën Administrim Biznes, ndërsa gjatë viteve 2008 – 2010 përmbylla me sukses Masterin Shkencor për Administrim Publik. Prej vitit 2005 e në vazhdim, kam ndërtuar e menaxhoj me përkushtim një biznes familjar, fryt i punës dhe vizionit tim për të ardhmen.

Në udhëtimin tim jetësor kam patur përkrah bashkëshorten time, Lola Bakia (Brahimi), bashkëfshatare dhe bashkudhëtare e përkushtuar, me të cilën kemi rritur dhe edukuar tre fëmijë të mrekullueshëm: Dionën, Ledjan dhe Skerdin.

Diona, vajza e madhe, e diplomuar për Financë – Bankë, punon prej 13 vitesh në “Intesa Sanpaolo Bank Albania” dhe është nënë e dy vajzave të bukura. Ledja ka përfunduar studimet për Administrim Biznes dhe punon prej 11 vitesh në OSSHE, ndërsa djali, Skerdi, i diplomuar për Inxhinieri Mekanike, menaxhon tashmë për nëntë vite biznesin tonë familjar, duke e çuar atë përpara me energjinë e brezit të ri.

Në këtë mënyrë, nga rrënjët e Komarit të vogël, jeta ime është shtrirë në kohë e hapësirë si një rrugë që fillon aty dhe vazhdon drejt horizonteve të një Shqipërie që ndryshon, por që gjithmonë mbart brenda vetes aromën e dheut të fëmijërisë sime.

Cilat janë disa nga projektet si shoqatë që do të realizoni në të ardhmen?

Në mesin e këtyre nismave, vendin e parë e zë puna për ngritjen e Muzeut të Tafil Buzit në Buz Qendër.  Ky muze do të jetë jo vetëm një tempull kujtese për heroin tonë kombëtar, por edhe një qendër studimore e edukative për brezat që do të vijnë. Duke qenë një ndërmarrje me përmasa të mëdha, realizimi i tij kërkon bashkëpunim të gjerë dhe mbështetje të ndërsjelltë, pasi një barrë kaq e rëndë nuk mund të mbahet vetëm mbi supet e shoqatës, sado përkushtim e resurse njerëzore, materiale e financiare të zotërojë ajo.

Një tjetër projekt i rëndësishëm, tashmë në fazë përgatitore, është botimi i librit “Gjurmë muzeore të Tafil Buzit”, nga i njëjti autor që ka sjellë më herët veprën “Tafil Buzi – Nderi i Kombit” në gazetën “Trebeshina”, z. Feti Zeneli. Ky botim i ri do të jetë një dëshmi e pasur dokumentare e historike, e shoqëruar me një kapitull të veçantë, “Shtatorja në Tepelenë”, kushtuar përpjekjeve dhe veprimtarive që shoqëruan inicimin, përgatitjen dhe vendosjen e shtatores së Tafil Buzit në qytetin e Tepelenës – si një homazh i përjetshëm ndaj figurës së tij.

Përveç këtyre, Në themel të çdo nisme që ndërmarrim qëndron dëshira për ta mbajtur gjallë frymën e Tafil Buzit – frymën e trimërisë, mençurisë dhe dashurisë së pashtershme për atdheun.

Autorja e intervistës mban titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Medaljen e Meritës Presidenciale dhënë nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.  Është publiciste, shkrimtare, autore e tetë librave, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”.

19 tetor, 2025

New York 

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 272
  • 273
  • 274
  • 275
  • 276
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT