• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARJANA BULKU: GJUHA DHE VLERAT, NA BASHKOJNE PER JETE

October 18, 2021 by s p

 INTERVISTOI : FADIL SHEHU

Flet intelektualja dibrane, e cila sot jeton në Nju York SH.B.A., Marjana Bulku. Rrëfimi i saj për shkollimin e gjërë, mardhëniet me fëmijët dhe librat, pasioni për politikën e deri në prezantimin e katër viteve, në një nga televizionet prestigjioze shqiptare, në SH.B.A.

Nëse do t’i ktheheshit retrospektivës së viteve të fëmijërisë suaj, si do i kujtonit ato?

Ah fëmijëria, ajo është “mbretëria jonë e humbur” (kështu e konsideroj  unë atë) edhe pse ne jemi një brez i rritur në errësirë kishte më shumë lumturi brenda saj, ndoshta për shkak të naivitetit të kohës,të izolimit,pa lirisë,mungesave të disa kushteve minimale që kur ua tregoj fëmijëve sot u duken të pa konceptueshme. E, megjithatë dy gjëra të mrekullueshme  që e kanë mbështjellë fëmijërinë tonë unë dua ti kujtoj gjithmonë. Ato janë:1.Përkujdesja e jashtëzakonshme prindërore dhe 2. Miqësia e mirë. Gjithësesi është mirë që në çdo etapë të jetës, njeriu duhet të gjejë të mirën, ta ruajë atë në shpirt e pse jo edhe t’ia përcjellë brezave.

Keni përfunduar studimet e larta në universitetin Histori-Filologji të Tiranës, dega Gjuhë Letërsi dhe më vonë studimet pas universitare, institutin e Studimeve Europiane, Master për Politika  dhe Institucionet në Bashkimin Europian. A e kishit menduar se po bënit zgjidhjen e duhur për të ardhmen tuaj? 

Kur përmënda mangësitë e rritjes pak më sipër, kisha parasysh edhe mungesën e lirisë për të zgjedhur profesionin e së ardhmes bazuar në merita dhe preferenca, për këtë as flitej e mendohej para viteve nëntëdhjetë. Janë mijëra të rinj që u mohohej e drejta e studimit për shkaqe politike dhe qindra të tjerë që nuk e kishin të drejtën e zgjedhjes të degës për të cilën donin të studionin. Duket qesharake sot kur kujtojmë se partia shtet vendoste për ne. Shkollimi i lartë i limituar dhe sistemi i politizuar deri në robëri e kushtëzonte lirinë tonë madje mundej që edhe të na e privonte atë. Brezat e rritur në izolim nuk mundën ta liberalizonin shkollën e lartë edhe pse për hir të së vërtetës ajo konsiderohej “paja” për ne gjeneratat e para 90- tës.Por unë e kam dashur letërsinë edhe pse ëndërra ime ishte mjekësia. E në mangësi të saj fjalën e kam përdorur si “mjet shërimi” pasi vërtet besoj se komunikimi i butë, zbut dhe shëron. Letërsia u bë pasioni dhe profesioni im.

Ndonëse po i kushtonit kohë dhe vëmëndje letërsisë, mësimdhënies, çuditëtisht  një ditë në jetën tuaj zë vend dhe politika. Si ndodhi?

Politika kjo gjë e ndaluar për qytetarët shqiptarë, ka qenë diku në familjen time, e nëndheshme, e padukshme. Gjyshja e mamës time, një grua stoike siç e përshkruajnë bashkohësit ishte delegate e Dibrës në kongresin e parë të gruas antifashiste në Berat në vitin 1943, madje edhe kishte mbajtur një fjalim atje. Për familjen e saj Kadiu, një derë ku predikohej fe dhe moral kjo nuk ishte ndonjë gjë e jashtëzakonshme, ndërsa për Dibrën e izoluar të asaj kohe, madje edhe të kësaj kohe ky fakt duhej të ishte historik, por historitë tona janë prej lapsi dhe gome …Tek unë u gdhend ajo grua e cila mbajti në shpirt dashurinë për fenë dhe jo për partinë nga e cila familja e saj do të kishte goditje të njëpasnjëshme. Mamaja ime ka qenë kryetarja e parë e Lidhjes Demokratike të gruas në Dibër, lidhje të cilën më pas do ta drejtoja unë. Krijimi i Partisë Demokratike në Shqipëri,pavarësisht turbulencave, kishte mision përmbushjen e të drejtave të mungura, dhe i parë nga ky kontekst ishte domosdoshmëri e vonuar që për shkak të izolimit të gjatë dhe pamësimit me lirinë, derivoi në një lloj pluralizmi kaotik. Unë i përkas asaj shkolle politike mbase pak klasike por që beson se politika është arti i zgjidhjes kur aplikohet nga njerëzit e duhur. Sot tabloja politike është e mjerë por kjo nuk mendoj se duhet ti stepë intelektualët dhe patriotët, përndryshe vendi do ti nënshtrohet një lloj diktature edhe më brutale e më të padrejtë se ajo që na izoloi nga bota e zhvilluar për më shumë se pesëdhjetë vjet.

Vjen një  ditë, largimi nga të afërmit, miqtë, shoqet, vendlindja…Shqipëria,  duke   shtegëtuar në Amerikë. E prisnit këtë  shkëputje?

Ka qenë korriku i vitit 2011, dita kur u larguam nga Shqipëria, jo me një vendim definitiv, por që më vuri përpara një vendimi shumë të vështirë kur im bir fitoi një edicion arkitekture dhe iu 

rezervua një vend studimi në Art and design hight school Manhatan. Aty unë ndalova, mora një drejtim krejt tjetër, ishin ëndërrat e tij që udhëhiqnin hapat e mija jo të lehta në Amerikën që nuk ka qenë kurrë destinacioni im për të ndërtuar jetën.

Sa i vështirë  ishte për ju  integrimi në Amerikë, veçanërisht në jetën gjigande Nju Jorkeze?  

Për mua ka qenë e vështirë shkëputja nga Shqipëria, ishte një ikje e pa vullnetshme, e diktuar nga rrethanat. Dy -tri vitet e para pothuajse vetëm fizikisht ndjehesha këtu sepse shpirtërisht dhe mendërisht ndjehesha në Shqipëri, atje ku edhe sot ndjej se jeton pjesa më vitale e jetës time. Njeriu është i detyruar të përshtatet e për më tepër në Nju Jork, në këtë vend ku popullsia pothuajse shumicë emigrantësh, ndjehet ngrohtë në një shtet gjigand si ky ku të gjithë jemi të huaj por askush nuk ndjehet i tillë. Këtë lloj sistemi, adaptimi që vetëm Amerika e ka, fillova ta pranoj, kuptoj dhe sot realisht e vlerësoj shumë si një model kulturor që diversitetin etnik e konsideron vlerë dhe pasuri. Integrimi është një proçes që nis me përshtatjen ndaj një ritmi tjetër pune e përditëshmërie që unë e konsideroj si përvojë. Ka pothuaj tri vjet që unë punoj në shërbimin shëndetsor ambulator brënda një korpusi spitalor nga ku ke aq shumë për të mësuar që nga cilësia e kujdesit për pacientin që këtu konsiderohen si klientë e deri tek teknologjia e avancuar e të dhënave për pacientin, të drejtat e tij dhe rëndësinë e jetëve njerëzore në realitetin amerikan sidomos krahasuar me vendet nga ne vijmë.

Në shumë shtete këtu në Amerikë, funksionojnë jo pak televizione shqiptare. Përse zgjodhët për të punuar në  televizionin “Albanian Culturë” dhe jo në një televizion    tjetër?

Kontaktet  e mia me televizionin “Albanian Culture” kanë qenë rastësore, rastësi e bukur do ta quaja në dy evente prezantime librash, ku njërin e moderoja unë dhe tek tjetri thjesht u intervistova nga drejtuesi i këtij televizioni zoti Adem Belliu. Që nga ajo kohë ne kemi një bashkëpunim shumë të frytshëm me televizionin Kultura Shqiptare, i cili tashmë ka një histori më se 20-vjeçare në komunitetin shqiptaro-amerikan këtu.Unë jam part time aty për shkak se puna ime e përditëshme i përket një fushe tjetër por që në fakt shpesh herë bëhet burim frymëzimi për mjaftë emisione, mendime dhe vlerësime për jetën që janë bazë e emisionit tim “Një jetë…disa histori”.

Prej katër vitesh drejtoni emisionin”Një jetë…disa histori”, ideuar  dhe realizuar nga ju.Si lindi ky produksion?

Kur u ula për herë të parë në atë studio modeste televizive gjëja e parë që ndesh aty është arkivi i pasur. Aty pata rast që vetëm në pak ditë të”njoh” shumë çka nga shqiptaro amerikanët, veprimtari, intervista, kronika, madje pata nxitjen e bashkëthemelueses së këtij televizioni, zonjës Mimoza  Belliu, për të vazhduar një cikël të hershëm “Bota e gruas” por jo, tashmë në mendjen time ishte kristalizuar “Një jetë…disa histori “, e cila tashmë është një historizës katër vjeçare.

Si ndiheni përballë ekranit, i cili  padyshim ju merr jo pak kohë që nga projekti, takimin me personazhin, deri tek realizimi i emisionit?

Ekrani është përgjegjësi,është komunikim, është qasje me kohën edhe kur koha, dita apo çasti jot ka preokupime të tjera e megjithatë ajo çka është gjithmonë me mua, gjithmonë një është serioziteti në veshje, sjellje,komunikim.Për mua ajo studio është një marrdhënie shumë planëshe me problematikën,të ftuarit dhe ata që e ndjekin komunikimin. Miqtë e televizionit Albanian Culture, janë shikues konservatorë që vlerat e familjes, traditës , historisë i kanë të shenjta, edhe unë po ashtu,  jo vetëm për të qenë sinkron me ta, por sepse ato janë në tërësinë e qenies time.Të ftuarit e mi janë individë të fushave të ndryshme, që të gjithë kanë vëmendjen time maksimale, sepse të kuptohemi në shumicën e rasteve ato biseda janë spontane,të natyrshme,  pa  asnjë  truk apo parapregatitje,por shumë prej të ftuarve janë inspirim për mjaftë nga shkrimet e mia për arsye të multi problematikës që derivon nga ai bashkëbisedim historish personale e kolektive.

Keni mundur të intervistoni personalitete nga fusha të ndryshme të jetës, jo vetëm këtu në SH.B.A.por madje nga Kanadaja dhe Shqipëria.Cilin prej tyre mund të përmendësh   si më mbresëlënës?

Janë vërtet me dhjetra e   dhjetra personalitete, njerëz të zakonshëm, artistë edhe pse i kam të gjithë në kujtesë nuk do bëj specifikime,  janë miq të “Albanian Culture “tv, janë në fondin e arkivit dhe kam bindjen që në të ardhmen do të jenë në një botim po me këtë titull.

Cili mbetet  çelësi i suksesit në punën tuaj, që pas çdo emisioni, edhe  pse e lodhur, sërish ndjeheni e kënaqur?

Është kënaqësi kur sheh se ekranit i rritet shikueshmëria,është edhe përgjegjësi dhe detyrim për të rritur cilësinë, për të sjellë histori por edhe vlera në studio që natyrisht mbart edhe vështirësi objektive brenda.Televizionet shqiptare këtu nuk janë aq të fuqishme në teknologji dhe mjedisin fizik,e megjithatë ato mbeten kampione të mbajtjes gjallë të kujtesës, promovimit dhe ruajtjes së kulturës shqiptare, gjuhës dhe historisë tonë si dhe promovimit të vlerave të fushave të ndryshme, e kjo është jo vetëm kënaqësi por edhe mision që natyrisht mbart shumë aktorë brenda. Pra nëse ka sukses në komunitet ky sukses do të pasqyrohet edhe në ekran,ne jemi një korelacion veprimesh që ekziston dyanshmërisht.

Çfarë do të thoshit për bashkëpunimin, konkurencën që ekziston  midis  jush dhe kolegëve të televizioneve të tjera?

Unë  nuk e konsideroj si konkurencë ekzistencën e disa mediave, është një marrdhënie paralele. Ne kemi shumë gjëra të përbashkëta, por në një fushë të lirë veprimi çka nënkupton se ka kaq shumë hapësira në Amerikën e madhe, ku kreativiteti nuk duhet të na bëjë konkurues ndaj njëri- tjetrit por të ndryshëm,të larmishëm dhe partnerë në çështje të përbashkëta.Sa për ta ilustruar: kur në studio kam dibran, unë detyrimisht dua të kem në krah Beqir Sinën, dibranin që nuk u ngop kurrë me Dibrën.

A pretendoni se veten tuaj e shprehni më mirë, kur shkruani artikuj e poezi, apo gjatë punës suaj në televizion?

Unë nuk besoj në përsosmëri edhe pse kam idhuj të cilët i konsideroj të përsosur, por kur dëgjoj veten jam kritike ndaj saj. Mendoj se shkrimi është një mënyrë më e maturuar e prezantimit të 

mendimit, madje proza ime edhe pse pak  botuar, është më e bukur. Më pëlqen stili telegrafik 

ku teksti dhe konteksti i shkojnë lexuesit në mënyrë të shpejtē, të ngjeshur, konçize. Kam dashur gjithmonë që çdo akt leximi të nxisë reflektime e kritika dhe të mos jetë vetëm vargëzim shkronjash. Mesazhi e bën veprën jetë gjatë.

Mendoni se tematika që shtrohet në shkrime apo komunikimet tuaja i jep vlerë atyre? 

Natyrshëm që tematika, të qenit sinkron me realitetin natyrisht edhe fleksibël, sepse ne jetojmë në SHBA dhe sensi i realizmit këtu apo atje kanë masën e vet, çka e bën edhe më të vështirë rolin dhe vërtetësinë e shënimeve, por ky pozicion këtu dhe atje ka edhe bonuset e veta që të vejnë në pozita solide kur lexon objektivisht dhe i nënshtrohesh logjikës të së vërtetave.Është me shumë rëndësi sensibiliteti dhe reflektimi, tipare këto që të mbajnë gjithmonë në kontakt me temat e kohës.

Ku e shikoni ju tashmë Marjanën, si nënë e dy fëmijëve, bashkëshorte, njëkohësisht poete dhe gazetare? 

Kur shikoj vitet që rendin, mosha, djemtë që rriten e shkollohen, natyrshëm  aty është Marjana dhe Iliri, bashkëshorti im, roli ynë i padiskutueshëm në konsolidimin e edukimin  e dy djemve. Padyshim e përditëshmja, e ardhmja  brënda meje është poezi, prozë,  letërsi.

Sa kanë ndikur tek ju përfundimi  i studimeve Europiane, krijimtaria   juaj si poete, në gazetari , moderim?

Shkollimi dhe përvoja janë dy anë paralele që nxisin dhe rrisin njëra tjetrën, ndaj dhe pas çdo cikli studimi kam pyetur veten se si do ti ruaj çka mësova edhe nëse ato nuk do më duhen. Dhe e vërteta është se më janë dashur gjithmonë. Dijet nuk të tradhëtojnë kurrë.Në punën e përditëshme mësuesia më vjen në ndihmë kur më duhet ti kujtoj diabetikut dietën, të moshuarit ilaçet, depresivit dashurinë për jetën dhe njeriut në përgjithësi se shëndeti i mirē është kapital.E natyrisht që dijet e studimeve master politikash evropiane janë një bagazh që merr dhe i jep formë çdo komunikimi.Jeta është më e thjesht dhe e bukur kur din, padija të burgos , të bën të pa lirë dhe këtë ne e kuptojmë kur largohemi nga Shqipëria. Megjithatë unë e konsideroj edukimin si një bonus individual që gjithë se cili e ve në përdorim mbi bazën e kapaciteteve personale intelektuale.

Kohët e fundit, jeni zgjedhur në këshillin drejtues të Vatrës. Çfarë do të thotë të jesh në Vatër e për më tepër në forumet drejtuese të saj?

Federata Panshqiptare “VATRA”,është faqja më e bukur e historisë së Shqipërisë, që i dha emër dhe jetë Shqipërisë edhe përpara shtet formimit, është vendi ku të gjithë shqiptarët pavarësisht mureve gjeografikë,apo politikëndarës ndjehen bashkë. E konsideroj përgjegjësi   angazhimin tim apo të çdokujt tjetër aty. Është ai lloj vendi ku ligjëroi Konica e Noli e ku çdo fjalë e mendim duhet të ketë peshë e maturi. Për shqiptarët e vjetër këtu, Vatra është lidhja me atdheun ndërsa për ne rishtarët është mohimi i padrejtë i lirisë, prandaj ne kemi të nevojshme ti takojmë këto dy kohë që mbartin shumë histori të pashkruara ende. Le ta quajmë një muze shqiptarie që nëse do ndrijë do na nderojë, e nëse do e denigrojmë do jetë përgjegjësi dhe faj historik.Unë besoj që po jetojmë atë lloj moment historik ku çdo lloj përgjegjësie apo angazhimi shoqëror, i duhet dhe i vlen  Kombit sot më shumë se kurrë.

Çfarë mendoni për rolin dhe cilësinë e shkollave shqipe në diasporë.

Pa dashur të paragjykoj ato dua të nxis dhe përkrah çdo lloj vullneti për të mbajtur gjallē gjuhën shqipe. Dhe ky vullnet mundet të vijë nga familja,intelektualët, televizionet, organizatat, individët, nuk ka rëndësi se si vjen por është shumë e rëndësishme që të institucionalizohet  dhe shkolla është vendi i duhur.Nuk ka investim më patriotik sesa ai gjuhësor, ndër të gjitha të shumtat që na ndajnë, gjuha është vlera që na bashkon sot e përjetë.

Cila është një ditë e zakonshme për Ju?

Gjëja e parë, me të cilën nis dita ime, është kafja,letra dhe lapsi.Tre botimet e librave të mi me poezi“Zemër e Thinjur”,“Lutja e Vetmisë” dhe  novela “Muzg egzistence”, që tashmë i përkasin një epoke tjetër.  (Qesh çiltërsisht). Së shpejti do të shoqërohen nga “lindja “ e një libri të ri, ku po përpiqem të gjej kohën dhe momentin e duhur,të mbledh krijimet e kohëve të fundit,në rrugëtimin e librt të dytë në prozë.Edhe pse këto “hoje mjalti”,i përkasn retrospektivës së disa viteve të mëparshme të Marjanës, e cila fizikisht jeton në Amerikë, por shpirtërisht jeton në Shqipëri.                                                                

 INTERVISTOI : FADIL SHEHU                                                                                                                                                                                    

Filed Under: Komunitet Tagged With: Marjana Bulku

ZGJEDHJET LOKALE NË KOSOVË, REZULTATET PRELIMINARE

October 18, 2021 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari.

 PRISHTINË, 18 Tetor 2021/ Pas votimeve në zgjedhjet lokale në Kosovë të dielën e 17 Tetorit 2021 me pjesëmarrje të votuesëve 42,50%,  sipas rezultatit preliminar  të garës për kryetarë në shumicën e 38 komunave – në 21 do votohet përsëri në balotazh e në 17 u përcaktuan fituesit që në raundin e parë.

Partia që qeverisë Kosovën, Lëvizja Vetëvendosje, në asnjë komunë nuk arriti rezultatin mbi 50% të votave që e kishte në zgjedhjet parlamentare të 14 Shkurtit 2021, prandaj në asnjë komunë kandidatët e saj nuk u zgjodhën kryetarë që në raundin e parë e katër prej tyre do vazhdojnë garën në balotazh në Prishtinë, Podujevë e Gjilan përballë kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në Gjakovë përballë kandidatit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Në garën për kryetarë komunash që në raundin e parë  kanë fituar Partia Demokratike e Kosovës në Mitrovicë të Jugut, Ferizaj, Skenderaj dhe në Han të Elezit, Lidhja Demokratike e Kosovës në Pejë e Lipjan dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Deçan e Suharekë.

Në 9 nga 10 komunat me shumicë serbe që në raundin e parë janë zgjedhur kryetarë kandidatët e Listës Serbe, e cila në një komunë shkon në balotazh. Edhe në Mamushë – komunën e vetme të banuar me shumicë nga minoriteti turk kryetari do zgjedhet në balotazh.

Numërimi i votave ka filluar mbrëmjen e së dielës dhe vijon edhe sot edhe për kandidatët për 1 002 asambleistët në 38 kuvendet komunale.

Nga  Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) Eugen Cakolli ka shkruar:

Nëse merren votat për kuvendet komunale, që përfaqësojnë votën popullore në nivel vendi, atëherë shihet se rezultati mes subjekteve politike është tejet i ngushtë.

Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i parë në nivel vendi me 22.5%, pasuar nga LDK me vetëm 0.03% më pak. Pas tyre radhiten PDK me 22%, AAK me 11.9%, Lista Serbe me 7.6%, NISMA me 2.5%, AKR me 1.2% dhe subjektet tjera me 9.7%.

Filed Under: Uncategorized Tagged With: Behlul Jashari

Shkolla Shqipe “Alba Life” Ambasadori i Kombit në ditën e parë për vitin akademik 2021-2022 në Queens

October 18, 2021 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo

Ndonëse shtatori ka qenë traditë për ditën e parë të shkollave shqiptare në viten e ri mësimor, pandemia botërore vuri shumë kushte dhe pengesa në këtë drejtim.  Sidoqoftë Shkolla Shqipe “Alba Life” e sfidoi me kulturë dhe profesionalizëm pandeminë duke qenë e para në Diasporë për të filluar programin në platformën mësimore në Online.  Shkolla Shqipe “Alba Life” pasi filloi vitin akademik 2021-2022 në lagjet e Nju Jorkut si në Staten Island, Bronx, Brooklyn, Online, e rihapi dhe në Queens në mjediset e shkollës publike amerikane PS:88 në Ridgewood.  

Bordi i shkollës në bashkëpunim me mësueset Enriketa Bilali, Vjosa Elezaj Morina si dhe asistenten Eriola Shahaj, punuan fort për të filluar mësimin shqip për fëmijët e bashkatdhetarëve tanë në Diasporë. Më duhet të vecoj dhe të falënderoj mësuese Enriketën që së bashku me z.Zylo punuan me dokumentacionin për të marrë me qira mjediset në shkollën publike amerikane, ndonëse me një qira të shtrenjtë.  Dita e shtunë ishte një dite e dielltë që të lëbyrte sytë, të ngrohte shpirtin dhe zemrën saqë dukej sikur Perëndia e kishte sjellë këtë te ditë të magjishme në ditën e parë të mësimit shqip.  Edhe mundet, i besoj shpeshherë mistikes.  Oborri i shkollës cicërrinte nga zërat gazmorë të fëmijëve dhe ata mezi prisnin të ngjiteshin në klasat e tyre.  Mësueset i kishin marrë të vendosur në rresht dhe ashtu të bukur dhe të lumtur u shfaqën para klasës.  Në dërrasë ishte shkruajtur urimi: “Mire së erdhët nxënes te dashur për të mësuar Shqip!”  

Drejtori dhe themeluesi i Shkollës Shqipe z.Qemal Zylo i përshëndeti prindërit, nxënësit dhe mësuesit për ditën e parë të mësimit për vitin akademik 2021-2022 dhe iu ka uruar vit të mbarë.  Ai iu tha prindërve për sigurimin e kushteve organizative për mësimdhënie dhe fazave të mësimit si dhe përzgjedhja e formave mësimore didaktike, te punës, lojës, ushtrimit ose përsëritjes.  Z.Zylo falënderoi me plot mirënjohje dhe respekt mësueset e reja si Enriketën, Vjosën dhe Eriolën qe i janë afruar programit serioz të Shkollës Shqipe “Alba Life” e cila ka si qëllim mësimin shqip, si një mision kombëtar. 

Z.Zylo iu shperndau librat e abetares dhe fletoret e punës për këtë vit, libra që i kemi sjellë vetë me valixhe nga Atdheu ose me postë, pasi librat nga Shtëpia botuese e Diasporës me drejtore znj.Mimoza Hysa nuk kanë ardhur akoma në Amerikë, edhe pse kërkesa e z.Zylo ka qenë konstante e vazhdueshme dhe në kohën e duhur.  Kritikën ia ka përcjellë direkt gjatë intervistës zonjës Hysa në RTSH e cila ishte jashtë loje duke thënë me eufori se kemi shpërndarë libra në gjithë diasporën, ndërkohë asnjë libër s’kemi marrë për këtë vit në Amerikë.  Burokracia dhe vonesa e librave na pengon në mbarëvajtjen e mësimit dhe e bën më të lodhshme punën e mësueseve patriote, si dhe largon prindër të ndryshëm.   

Të tria mësueset me plot emocion përshëndetën nxënësit e tyre të dashur dhe premtuan se do të punojnë me plot përkushtim dhe dashuri për t’ju mësuar atyre gjuhën mjaltë të shqipes.  Mësuese Enriketa kishte përgatitur skeda në shqip për nxënësit dhe ajo më kryesorja ishte me Flamurin dhe shqiponjën për t’ju mësuar atyre simbolet kombëtare.  Prindërit thanë fjalë miradie për Shkollën Shqipe “Alba Life” dhe ishin shumë të kënaqur që do t’i sillnin fëmijet e tyre pranë kësaj shkolle.  Ajo që më bën gjithmonë përshtypje është se të gjithë prindërit kur flasin kanë një emërues të përbashkët: t’ju mësojmë shqip dhe i shpëtojmë femijët nga qëndrimi i gjatë ulur mbi Ipade…

Gjate intervistës me disa nxënës që dinin të flisnin relativisht shqip më thanë se e kishin ëndërr të mësonin të flisnin shqip pasi shumë gjyshër të tyre nuk dinin anglisht dhe ndiheshin shumë keq që nuk kuptonin përkëdhelitë e tyre.  I dëgjoja dhe i pyesja me shumë vëmendje, fjalët e tyre kanë një jetë që më magjepsin.   

Alba Life me një përvojë të suksesshme në mësimdhënie ka arritur t’i përdorë me efikasitet strukturimin e mësimit si fillimin e një ore mësimore, zhvillimin, mbështetjen, përdorimi i mjeteve dhe burimeve mësimore, në media mësimore .

Jam e sigurtë se këto mësuese shumica të licensuara nga shteti amë do të punojnë me profesionalizëm ashtu si deri tani me teknikat mësimore, metodat didaktike që do t’i pasqyrojnë me metodat të mësimdhënies që çojnë domosdoshmërisht në zhvillimin mendor për t’i bërë ata më konfident për të folur gjuhën e nënës, Gjuhën tonë Shqipe.  

Dita e parë e shkollës për vitin akademik 2021 2022 do të ngelet e paharruar në kujtesën e nxënësve vecanërisht për të tria mësueset e reja si dhe nxënësit e rinj që u ulën për herë të pare në bangat e shkollës shqipe.

Pas mësimit u ulëm me me mesuese Vjollcën e cila ushtron mësimin në Online dhe me të tria koleget e punës  për të pirë një kafe dhe për të biseduar rreth programit, punëve të ndryshme që do të kemi për vitin akademik 2021-2022.  

Dita e parë ishte e bukur, dhe siç thonë të moçmit fillimi i mbare është gjysma e punës.

16 tetor, 2021

Queens, New York

Filed Under: Kulture Tagged With: Kozeta Zylo

NJË DIPLOMAT AMERIKAN QË NUK HESHTI KUR DUHEJ TË FLISTE

October 18, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

See the source image

Ndonëse, teknikisht, jemi ende brenda 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Republikës së Shqipërisë si dhe hapjes, zyrtarisht, të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë me 1 tetor, 1991 – nga Z. Christopher Hill, i Ngarkuar me Punë ad interim —Frank SHKRELI/ Kris Hill diplomati që hapi Ambasadën e parë Amerikane në Tiranë | Gazeta Telegraf — i cili u pasua nga Ambasadori i parë amerikan në Tiranë në 52-vite, Z. William Edwin Ryerson – deshta të kujtoj me këtë rast, Kryetarin e Delegacionit të parë të Departmentit të Shtetit në Shqipëri, 20 mars, ’91,  Z. David Haywood Swartz —Një ngjarje në historinë e mardhënieve Amerikano-Shqiptare që shpesh anashkalohet | Gazeta Telegraf — njëherazi duke mbyllur këtë seri shkrimesh, lidhur me këtë përvjetor. 

Dua ta kujtoj Z. Swartz si një diplomat parimor. Të bardhës i thonte e bardhë dhe të zezës, e zezë. Për aq pak kohë që e njoha — përpara, gjatë vizitës në Shqipëri për tre javë dhe pas këthimit në Washington — pak kam njohur diplomatë që i thonin gjërat ashtu siç i shihnin, troç, drejt për drejt dhe pa frikë. David Swartz, një ekspert për ish-Bashkimin Sovjetik dhe për Evropën Lindore/Qendrore, para se të emërohej në krye të delegacionit të parë amerikan në Shqipëri, mars/prill 1991, ka pasur detyra të larta në Washington dhe ka shërbyer në Poloni, Zvicër dhe Kanada.  Për Shqipërinë dinte aq sa kishte lexuar, si një shtet i mbyllur komunist, ndër regjimet më të egra komuniste, me kampe përqendrimi dhe burgje për kundërshtarët pro-perendimorë të regjimit komunist, deri në ditën e fundit të ndryshimit të sistemeve. Ambasadori Swartz ishte anti-komunist i bindur, ndoshta nga përvoja e tij diplomatike në Varshavë, gjatë luftës së ftohtë. 

Para se të niseshim nga Washingtoni për në Shqipëri, me 20 prill, 1991 përflitej se Z. Swartz, në të vërtetë, ishte emërua ambasadori i parë amerikan në Tiranë – por ai vet nuk e përmendte fare këtë mundësi, pasi ishte i njohur me procesin e gjatë të emërimit dhe miratimit të ambasadorëve nga Shtëpia e Bardhë dhe nga Senati amerikan.   Arsyeja se pse më në fund Z. Swartz nuk përfundoi të ishte ambasadori i parë në Shqipëri, u bë shkak vizita e Sekretarit James Baker me 22 qershor, 1991 në Tiranë. Sipas burimeve të sigurta në Washington në atë kohë, pas pritjes madhështore që iu bë Z. Bejker në Tiranë, me të këthyer në Washington, Sekretari Bejker kishte mbetur aq kënaqur me vizitën, sa që kishte vendosur të emëronte Bill Ryersonin (i cili gjatë asaj kohe ishte vetëm përkohësisht në Tiranë në pritje të ambasadorit të ri që duhej të ishte qenë David Swartz), si ambasador i parë. Thuhej, në atë kohë, se Sekretari Bejker i kishte dhenë kredi Z. Bill Ryerson për turmën e madhe në sheshin Skenderbeu,për të pritur kryediplomatin amerikan — i bindur se ishte ai, (Z. Ryerson) që kishte organizuar një pritje të tillë, aq madhështore, për Z. Bejker, e si i tillë meritonte të të emërohej ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Ambasadori Ryerson, ndonëse në rrethana shumë të vështira veprimtarie, në atë kohë, përball një trashëgimie komuniste që i kishte rrenjët thellë në shoqërinë dhe politikën shqiptare, në mendimin tim, ka shërbyer me dinjitet dhe përkushtim. Ambasadori Ryerson edhe sot mbetet shumë i dashur dhe mjaft i respektuar për shumicën e shqiptarëve në Shqipëri por edhe në komunitetin shqiptaro-amerikan, përfshir autorin e këtyre rreshtave, për të cilin ruaj vetëm kujtime të shkëlqyera.

Kështuqë, si përfundim, Z. Ryerson emërohet ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, ndërsa diplomati i parë amerikan që shkeli në tokën shqiptare 52 vite pasi Enver Hoxha kishte mbyllur ambasadën amerikane në Tiranë, Z. David Swartz, emërohej nga Presidenti Xhorxh Bush i vjetër, ambasadori i parë amerikan në Bjellorusi, një vend i ish-Bashkimit Sovjetik që posa kishte shpallur pavarësinë nga Moska. Por punët nuk shkuan aq mirë për ambasadorin e parë amerikan në Bjellorusi. Siç thashë edhe më lartë, David Swartz ishte parimor dhe fliste troç, vinte nga një rajon i Amerikës që quhet “Heartland of America) nga zemra e Amerikës, banorët e atjeshëm njihen për sinqeritetin e tyre, ndryshe nga të tjerët që jetojnë në zonat urbane dhe industriale të Amerikës. 

Ndërkaq, në Janar të vitit 1993, në Washington fillon punën një administratë e re, administrata e Presidentit demokrat, Z. Bill Clinton.  Bjellorusia kishte shpallur

pavarësinë e saj nga Bashkimi Sovjetik, siç kishin bërë dhe shumica e republikave sovjetike.  Presidenti Aleksandër Lukashenko, si një apartaçik komunist që ishte – drejtor i një koperative bujqësore – ç’prej fillimit kishte treguar prirje për një

qeverisje shtypëse dhe i ashpër ndaj kundërshtarëve të tij politikë.  Analisti amerikan i njohur në atë kohë, Robert Novak e ka cilësuar reagimin e qeverisë së Presidentit Clinton ndaj sjelljeve të diktatorit Lukashenko si “një heshtje e turpshme”, duke cituar ish-ambasadorin David Swartz se, qeveria e atëherëshme e Lukashenkos nuk kishte ndër mend të toleronte as të akomodonte opozitën dhe si përfundim, duke shprehur mos-pajtimin e tij me politikën e qeverisë amerikane ndaj politikave shtypëse të Lukashenkos, Ambasadori David Swartz kishte vendosur të jepte dorëheqjen në protestë ndaj regjimit të Lukashenkos dhe ndaj heshtjes së administratës së Presidentit Clinton të cilën ai e përfaqësonte në Minsk. Ishte ky njç vendim i një diplomati të guximshëm amerikan  — ndërkohë që me dorëheqjen e tij, tërhoqi vëmendjen e Kongresit amerikan dhe të botës për ato që po ndodhnin në Bjellorusi nën regjimin e Lukashenkos në fillim të 1990-ave, që edhe sot pas 30-vitesh është ende në fuqi – i njëjti diktator dhe i vetmi i tillë në Evropë, siç cilësohet nga media evropiane. Sidoqoftë, qëllimi i këtyre rreshtave nuk është diktatori Lukashenko, por parimet dhe guximi personal dhe profesional i një diplomati amerikan, siç ishte David Swartz, që po të vijë puna tek mbështetja e të vërtetës – dhe kur janë në pyetje të drejtat dhe liritë e një kombi – atëherë ia vlen edhe dorëheqja — si protestë — nga një detyrë e lartë, qoftë edhe si ambasador – për të tërhequr vëmendjen e botës ndaj një politike autoritare, çnjerzore, pikërisht, siç ka berë edhe një diplomat tjetër amerikan në fillim të shekullit të kaluar, duke dhenë dorëheqjen në protestë – asaj radhe për të tërhequr vëmendjen e botës ndaj gjendjes së mjerueshme të shqipatrëve, në atë kohë — Frank Shkreli: Ambasadori amerikan që ka dhënë dorëheqjen për të shpëtuar Shqipërinë | Gazeta Telegraf – 

Sa herë në ditët e sotëme ndeshemi me fenomenin e hipokrizisë në fushën politike dhe diplomatike.  Gazetari politik amerikan Michael Gerson është shprehur se hipokrizia politike është “përdorimi i qëllimshëm i një maske për të gënjyer publikun me qëllim përfitimi politik”.  David Swartz nuk ishte diplomat hipokrit, sepse hipokrizia është për ata që tremben nga e vërteta dhe si përfundim distancohen nga e verteta.  Ai nuk kishte drojë nga e vervet.  Ai raportonte të vërtetën mbi shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut nga Lukashenko dhe regjimi i tij diktatorial.  Ai nuk e shikonte heshtjen ndaj së keqes që ishte Lukashenko, si një virtyt, as si një vlerë diplomatike ose politike. Po të merreshin në konsideratë  shqetësimet e Ambasadorit David Swartz, në atë kohë, a thua nuk do ishte Bjellorusia një vend ndryshe sot, e Lukashenko ndoshta do kishte përfunduar në koshin e plehrave të komunizmit?! Për fata të mirë  Amerika ka pasur edhe të tjerë diplomatë dhe zyrtarë të lartë të Departmentit Amerikan të Shtetit që gjatë historisë — kanë dhenë dorëheqjen nga detyra të larta, në mos-pajtim me politika specifike të qeverisë së tyre ndaj një vendi të huaj ose një çeshtjeje politike kombëtare ose ndërkombëtare.  Si shembull, kujtoj se gjatë luftërave ballkanike të shekullit të kaluar — një numër zyrtarësh të lartë, specialistë të rajonit, disa prej të cilëve i kam njohur — kanë dhenë dorëheqjen si përfundim i mos miratimit të politikës së administratës së Presidentit Clinton në Bosnje, në fillim të viteve 1990-ave.

Po mendoja se ç’do të ndodhte sot nëse një ambasador perëndimor në Tiranë, ose në cilindo vend fqinj, do të jepte dorëheqjen në protestë ndaj ndonjë politike — për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët — kësaj radhe nga vetvetja, më shumë se nga të të huajt — ashtu siç bëri në vitin 1914, George Fred Williams, ish-diplomat, ish anëtar i Kongresit dhe ish ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi dhe në Mal të Zi, i emëruar nga Presidenti Woodrow Wilson. Frank Shkreli: Ambasadori amerikan që ka dhënë dorëheqjen për të shpëtuar Shqipërinë | Gazeta Telegraf – A po siç bëri, pothuaj një shekull më vonë, kur David Swartz, ish-Kryetari i delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri, në mars/prill, 1991, u dorëhoq nga detyra e ambasadorit të SHBA-ve në Bjellorusi, në përpjekje për të shpëtuar një popull nga një diktator duke protestuar politikën e administratës së Presidentit Clinton ndaj regjimit të Lukashenkos, i cili edhe sot e kësaj dite mbetet i gjithë-pushtetshëm në vendin e tij, si diktatori i fundit në Evropë.  Nëse do të ishte dëgjuar zëri protestues i ambasadorit Swartz në lidhje me situatën e atëherëshme në Bjellorusi, ndoshta Evropa nuk do të përballej sot me “problemin” Lukashenko.  Një mësim për të gjithë diplomatët kudo qofshin: mos heshtni kur duhet të flisni! Hapni sytë të shikoni, e veshët të dëgjoni dhe hapni gojën e flisni të vërtetën, publikisht, për ato që po ndodhin rreth e përqark jush. Mos heshtni kur duhet të flisni, se duke folur mund të kurseni një popull nga ndonjë fat i keq e ndoshta duke mbrojtur të vërtetën, mund të shpëtoni sado pak demokracinë e brishtë në ato anë. 

A person wearing glasses and a suit

Description automatically generated with medium confidence

Ish-Ambasadori David Swartz, Kryetari i Delegacionit të Departmentit të Shtetit që për herë të parë (ç’prej vitit 1946) shkeli në tokën shqiptare, Mars/Prill, 1991, menjëherë pas nënshkrimit në Washington të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri dhe ish-Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Bjellorusi (Shtator 9, 1991-Janar 21, 1994) i cili ka dhënë dorëheqjen nga ai post për të protestuar politikën e qeverisë së administratës Clinton ndaj diktatorit Lukashenko – i cili për 30-vjet tani, “fiton” zgjedhje pas zgjedhjesh dhe ashtu si 30 vjetë më parë vazhdon të shtyp opozitën, liritë bazë dhe të drejtat e njeriut të popullit bjellorus. 

Frank Shkreli 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

NË LUSHNJË U DORËZUA ”MIRËNJOHJA E ARTË E VATRËS”AKORDUAR PATRIOTIT QERIM BAJRAM HAXHIU

October 18, 2021 by s p

Dielli

Të Hënën, 18 tetor 2021, pranë godinës historike të Kongresit të Lushnjës, ish kryeredaktori i Diellit dhe anëtar i Kryesisë së Vatrës, Dalip Greca, dorëzoi Mirënjohjen e Artë të Vatrës, akorduar patriotit Qerim Bajram Haxhiu.

Mirënjohja u pranua nga nipi i patriotit Kevin Haxhiu, diplomuar në Drejtësi (Bachelor), i biri i z. Altin Haxhiu. Kevin falenderoi Federatën Panshqiptare të Amerikës”VATRA” duke thënë se krahas vlerësimeve të tjera, ky është një nderim i vecantë që e bën krenare familjen e patriotit Qerim haxhiu, por dhe të gjithë fisin Haxhiu.

 Ish editori i Diellit shprehu vlerësim  për patriotin Qerim Haxhiu dhe përcolli përshëndetjet e Kryetarit të Federatës VATRA. Z. Elmi Berisha, të Kryesisë dhe Këshillit të Vatrës. 

VATRA e ka nderuar me “MIRËNJOHJEN E ARTË” z. Qerim Bajram Haxhiu për kontribut të jashtzakonshëm në çështjen Kombëtare jashtë Atdheut, për ruajtjen e Gjuhës Shqipe, për mbështetjen e studentëve shqiptarë në Egjipt, dhe lidhjet e përhershmë me VATRËN dhe Gazetën”DIELLI”.”

Lushnje, 18 tetor 2021

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, dielli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2787
  • 2788
  • 2789
  • 2790
  • 2791
  • …
  • 2932
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT