• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Dielli” që shëndrit mërgatën shqiptare në Amerikë dhe Kanada

October 3, 2021 by s p

Nga Sokol Paja

Gazeta “Dielli” si Organi Zyrtar i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA mori rrugën për në çdo cep e në çdo skaj të mërgatës shqiptare që jeton e vepron në Amerikë dhe Kanada.

U shpreh vlerësim të posaçëm, falenderim të përzëmërt dhe mirënjohje të veçantë të gjithë bashkëpunëtorëve të këtij numri. Gazeta po rritet çdo ditë falë mbështetjes e vëmëndjes suaj.

Jam i privilegjuar që bashkëpunojnë me “Diellin” mendjet më të mprehta, penat më të shkëlqyera dhe më të arrira të botës shqiptare që nga “Zëri i Amerikës”, mediat potente në Tiranë e Prishtinë, Akademikë, kërkues shkencorë në Fakultete dhe Njësi Kërkimi, analistë e kritikë letrarë, përkthyes, poetë, historianë, diplomatë, personalitete absolute të shkencës, ekspertë të ekonomisë, turizmit, arkivistikës,  dhe kibernetikës, veprimtarë, humanistë e patriotë që na mbushin zemrën me gëzim e shpirtin me hare prej sukseseve e veprave të mira. Sukseset dhe arritjet e bijëve e bijave tona në mergatë pasqyrohen imtësisht në këtë numër. Shqiptarët në mergatën e Amerikës dhe Kanadasë e jo vetëm përbëjnë një krenari kombëtare.

Gazeta “Dielli” ka në fokus komunitetin shqiptar në Amerikë, Kanada e kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarë që me suksesin e tyre lartësojnë e krenojnë kombin tonë.

Gazeta “Dielli” ka në themel historinë, kulturën, gjuhësinë, albanologjinë, arkeologjinë, median, shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, data, ngjarje dhe figura të shquara të kombit shqiptar.

Qëllimi i gazetës është informimi i saktë, promovimi i talenteve dhe personaliteteve të botës shqiptare në mërgatë, promovimi i suksesit dhe thithja e mendimit intelektual në gazetën Dielli, ruajtja e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës dhe Kanadasë, gjithashtu të jetë si një urë lidhëse mes shqiptarëve të mërguar dhe Atdheut mëmë Shqipërisë, Kosovës dhe viseve shqipfolëse.

Faleminderit dhe mirënjohje për të gjithë ju që mbështesni gazetën më të vjetër të botës shqiptare, gazetën “Dielli” që nga 15 Shkurti i vitit 1909.

Faleminderit që na besoni.

Faleminderit që na ndiqni.

Faleminderit që na mbështesni.

Faleminderit që bashkoheni me ne.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

ZGJEDHJET VENDORE NË MAQEDONI

October 3, 2021 by s p

Xhelal Zejneli 

  Në zgjedhjet vendore të 17 tetorit të vitit në vazhdim, në komunat me shumicë shqiptare, marrin pjesë kandidatë të shumë partive politike. Ka edhe kandidatë të pavarur. Numër të madh kandidatësh garojnë madje edhe nëpër komunat më të vogla. 

Pjesëmarrja në zgjedhje e shumë kandidatëve shqiptarë në një komunë të caktuar, ndikon në shpërndarjen e votës së qytetarëve të kësaj bashkësie etnike. Shpërndarja e votës së shqiptarëve, mund të ndikojë që në komuna të caktuara të mos fitojë kandidati shqiptar. 

Në komunën e Kërçovës, gjithmonë ka mundësi që drejtimin e saj ta fitojë edhe ndonjë kandidat sllavo-maqedonas. Kjo thekson nevojën që në komuna të caktuara, siç është ajo e Kërçovës, shqiptarët të dalin në zgjedhje, jo me dy apo tre kandidatë, por vetëm me një të përbashkët. Sikundër dihet, faktori politik shqiptar nuk ka mundur të arrijë një marrëveshje që në këtë komunë të dalë me një kandidat të përbashkët. Po qe se në komunën e lartpërmendur do të shkohet në raundin e dytë, gjë që me siguri do të ndodhë, atëherë mbetet që partitë shqiptare të arrijnë një marrëveshje të re për kandidat të përbashkët. 

Në këto zgjedhje janë krijuar koalicione edhe midis partive shqiptare dhe atyre sllavo-maqedonase. Me fjalë të tjera, një parti shqiptare lidh koalicion me një parti sllavo-maqedonase. Kandidatët që garojnë nuk duhet të mbështeten gjithaq te votat e partnerëve të koalicionit. Asnjë lider partie nuk i ka në xhep votat e votuesve të vet, që t’ia japë njërit apo kandidatit tjetër. Ai mund t’u bëjë thirrje votuesve të vet të votojnë për ty, por askush s’e di sa për qind e votuesve do t’i përgjigjen apelit të tij.           

Komunat me shumicë shqiptare janë specifike edhe për diasporën e vet. Me fjalë të tjera, shumë shqiptarë të këtyre komunave jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Në zgjedhjet vendore të para katër vjetëve, kryetari i komunës së Kërçovës u zgjodh në saje të ardhjes së shqiptarëve që punojnë nëpër vende të Evropës dhe në ShBA. Është vështirë të dihet saktë nëse do të vijnë edhe këtë herë dhe sa do të jetë numri i tyre.

Karakteristikë e pushteteve vendore janë: punësimet fiktive, korrupsioni, nepotizmi, partizimi dhe politizimi i administratave komunale, politizimi dhe partizimi i arsimit dhe i shëndetësisë. Ndër votuesit shqiptarë ka të zhgënjyer apo të dëshpëruar. Është rritur edhe numri i shpërnguljeve, i braktisjes së vendlindjes. 

Në këto zgjedhje fushata paraelektorale duket pak më e zbehtë dhe më anemike se herët e kaluara. Partitë dhe kandidatët e tyre fushatën parazgjedhore e zhvillojnë nëpërmjet studiove televizive dhe mediumeve elektronike. Në ato që i quajnë takime me qytetarët, qytetarë ka pak. Në të ashtuquajturat takime me qytetarët, liderët partiakë dhe kandidatët e tyre flasin me vetveten, për arsye se qytetarë ka pak, për të mos thënë fare. Edhe shtabet partiake nuk funksionojnë si dikur. Nëpër takimet me qytetarët marrin pjesë kryesisht një pjesë e anëtarëve të partive apo militantë partiakë. Edhe militantët nuk sillen si dikur. Janë zbutur. 

Të ashtuquajturave platforma zgjedhore partiake, askush s’ua varr veshin. Këto platforma apo programe, në hapësirat ballkanike nuk çojnë shumë peshë. Letra duron çmos, ndërsa shumë premtime mbeten të parealizuara. 

Në aneminë e fushatës ndikojnë rrethana të caktuara, si:

– Koronavirusi Covid-19:

– Tranzicioni në Maqedoni zgjat që nga viti 1991, d.m.th. tridhjetë vjet;

– Tranzicioni në Maqedoni ende s’ka përfunduar;

– Qytetarët apo votuesit janë të lodhur nga premtimet e partive politike apo të kandidatëve – pjesëmarrës në fushatë;

– Premtimet e partive apo të kandidatëve, qytetarët i konsiderojnë si premtime boshe dhe pa mbulesë. 

Një përqindje e caktuar e qytetarëve:

– Janë shpërngulur d.m.th. kanë ikur nga ky vend dhe kanë vajtur në Perëndim;

– Janë të zhgënjyer nga puna e faktorit politik shqiptar;

– Kanë pritur më shumë, ndaj nuk janë të kënaqur me arritjet e deritanishme;

– Nuk shohin perspektivë në këtë vend, kështu që synim i tyre është largimi nga vendi.

Edhe pas tridhjetë vjet tranzicioni dhe pluralizmi politik, shqiptarët merren me çështjen e ujit të pijshëm, me ndotjen e mjedisit, me ajrin e ndotur, me problemin e depozitimit të hedhurinave, me rrugët plot gropa, me mungesën e rrugëve të reja, me qarkullimin rrugor të ngarkuar, me mungesën e hapësirave të gjelbra, me mungesën e bibliotekave, me varfërinë e jetës kulturore, me mungesën e arsimit cilësor, me mungesën e sistemit shëndetësor cilësor, me mungesën e parkingjeve – tokësore, nëntokësore dhe mbitokësore, me mungesën e këndeve për fëmijë, me mungesën e çerdheve apo të kopshteve, me mungesën e qendrave sportive, me mungesën e pedonaleve, me mungesë shkollash në zona të caktuara. 

Edhe pas tri dekadave, shqiptarët në Manastir, në fshatrat e Prilepit apo të Velesit, në Resnjë, në zonën e Prespës, në Krushevë – mbeten të diskriminuar.    

Megjithëkëtë, ka edhe gjëra që nuk mungojnë: 

– Ka me tepricë korrupsion, mitë, ryshfet, papunësi, nepotizëm, punësime fiktive, administratë të stërngarkuar, zyra të mbushura me nëpunës të pasistematizuar apo të sistematizuar në mënyrë fiktive; 

– Ka individë apo persona që janë në lista dhe marrin paga duke ndenjur në shtëpi; 

– Papunësi ka, por asnjë fëmijë i pushtetarëve nuk është i papunë; 

– Probleme sociale ka, por asnjë familje e pushtetarëve, e nomenklaturës apo e establishmentit nuk ballafaqohet me vështirësi të tilla; 

– Shpërngulje dhe dyndje popullsie ka, por pushtetarët apo fëmijët e tyre shpërngulen më pak, për të mos thënë fare;

– Studio dhe shtëpi televizive ka, siç ka edhe mediume elektronike, por s’ka mendim të lirë, mendim kritik, shtyp të pavarur;

– Rrugë dhe rrugica ka sa të duash, por vetëm një numër simbolik i tyre mbajnë emra të figurave dhe të personaliteteve nga historia dhe nga kultura kombëtare shqiptare; 

– Shkolla – fillore dhe të mesme ka – por fare pak shkolla të mesme mbajnë emra figurash dhe  personalitetesh të historisë dhe të kulturës së kombit shqiptar; 

Në anën tjetër: 

– Art të mirëfilltë s’ka, mirëpo kiç dhe shund ka sa të duash; 

– Kulturë elitare s’ka, mirëpo ka me të madhe kulturë masive dhe telenovela, ndërsa reality shou vërshon nga të katër anët;

– Biblioteka s’ka, mirëpo ka me tepricë bastore, pijetore, taverna dhe kazino;

– Arsim cilësor s’ka, mirëpo ka shitblerje notash, diplomash, titujsh akademikë, magjistraturash dhe doktoratash;

– Hulumtime, zbulime, shpikje, gjurmime, kërkime nëpër biblioteka dhe arkiva s’ka, mirëpo ka me tepricë tituj akademikë, magjistra, doktorë shkence;

– Shkencë nuk ka, mirëpo inflacion titujsh akademikë ka sa të duash;

– Pedonale s’ka, mirëpo ka me tepricë trotuare dhe hapësira të zaptuara prej ushqimoreve (pilarave), çajtoreve, byrektoreve, ëmbëltoreve, bozaxhinjve, bukëpjekësve, kafeterive, restoranteve, tregtarëve, shitësve nëpër tezgjah, basmaxhinjve, dyqanxhinjve;  

– Thertore s’ka, megjithëkëtë ka mishshitës dhe kasapë që therin bagëtinë në rrugë, si në vende të caktuara afro-aziatike.  

*   *   *

Kërkesat e qytetarëve sot 

Në zgjedhjet vendore nuk dilet me ide të mëdha. Dilet me programe konkrete, të harmonizuara me potencialet financiare reale të komunave që pretendohen. Ndryshe, fjalët e thëna gjatë fushatës parazgjedhore, mbeten premtime pa mbulesë. Politika moderne nuk është retorikë e zbrazët as sentencë moralizuese.  

Para qytetarëve duhet dalë me çështjet që kanë të bëjnë me infrastrukturën e qytetit dhe të viseve rurale. Këtu duhet kushtuar rëndësi asfaltimit të rrugëve, çeljes së rrugëve të reja, ndërtimit të shtigjeve për biçikleta, ndërtimit të pedonaleve, ndërtimit të parkingjve, planit urbanistik, ndërtimit të stacioneve hekurudhore të reja, ndërtimit të tregjeve të gjelbra të reja, zgjerimit të hapësirave të gjelbra, ndërtimit të kopshteve apo të çerdheve, ndërtimit të këndeve të fëmijëve, zgjidhjes së çështjes së depozitimit të hedhurinave, mirëmbajtjes së shportave të hedhurinave, ruajtjes së mjedisit, ndërtimit të pritave apo të digave për parandalimin e vërshimeve, depolitizimit dhe departizimit të administratës komunale, depolitizimit dhe departizimit të sistemit arsimor dhe atij shëndetësor, dhënies fund punësimeve mbi baza partiake dhe të farefisnisë, vlerësimit të individëve në bazë të aftësive morale dhe profesionale dhe jo mbi baza të përkatësisë partiake, zhvillimit të turizmit malor, ndërtimit të zonave të lira ekonomike, krijimit të kushteve për sjelljen e investimeve të huaja, marrjes së granteve, shfrytëzimit të fondeve të jashtme, siç ka qenë fondi IPA, mbështetjes së veprimtarisë kulturore, dhënies së bursave nxënësve dhe studentëve të dalluar, mbështetjes së zhvillimit të bujqësisë, të blegtorisë, të hortikulturës, sigurimit të ujit të pijshëm cilësor, pajisjes së shkollave me mjete mësimore bashkëkohore, pajisjes së shkollave me kabinete dhe me laboratorë, trajtimit human të qenve endacakë.

Pjesë e programit të tyre duhet të jenë edhe marrja e masave për ndaljen e shpërnguljes së të rinjve drejt Perëndimit si dhe angazhimi për kthimin eventual të atyre që kanë ikur qëmoti, madje edhe përtej deteve dhe oqeaneve, deri në Amerikë, në Kanada e mbase edhe në Australi. Krijimi i mundësive për qytetarët që punojnë dhe që jetojnë jashtë vendit, të kthehen dhe të investojnë në hapësirat shqiptare. Në veçanti duhet marrë masa për ndaljen e ikjes së trurit. 

Po ashtu, duhet kushtuar rëndësi edhe ruajtjes së rendit, të paqes dhe të qëndrueshmërisë në shkallë komunash dhe më gjerë. Duhet kushtuar rëndësi edhe kultivimit të marrëdhënieve ndëretnike. Aty ku ka zënka, mbi çfarëdo baze qofshin, nuk ka përparim. Pra, kjo është ajo që u intereson qytetarëve, sidomos të rinjve, në dhjetëvjeçarin e tretë të shekullit XXI dhe jo e kaluara apo historia. Historinë e shkruajnë historianët. Ajo mësohet në shkolla. Veprimi politik është akt racional dhe jo aventurë kalorësiake e epokës së Miguel Servantesit. As ëndërr romantike e shekullit XIX. Shoqëria kërkon një jetë më të mirë. Kjo arrihet me punë të ndershme dhe jo me fjalë.

*   *   *

Është nihilizëm të thuhet se asgjë s’është punuar, se asgjë s’është bërë, se asgjë s’është arritur. Sot në skenën politike janë përfshirë edhe të rinjtë. Brezat e vjetër shpejt do të dalin nga skena. Në vend të tyre do të vijnë të rinjtë. Është koha e të rinjve, e njerëzve pa hipotekë. 

Të zhgënjyerit, të dëshpëruarit, të demoralizuarit apo të deprimuarit thonë: “Të gjithë janë njësoj. Si njëri, tjetri. Kushdo që të vijë, do të jetë njësoj. Kushdo që të vijë, ndryshime s’do të ketë. S’kemi të bëjmë me asgjë tjetër, përpos me synimin për të ardhur në pushtet, për të rrëmbyer pushtet. Edhe këta që pretendojnë të marrin apo të rrëmbejnë pushtet, do të abuzojnë dhe do të jenë njësoj si pararendësit e tyre”. 

Të gjithë këta që sot janë në skenë apo që veprojnë në skenë, pothuajse pa përjashtim, kanë qenë pjesë e pushtetit vendor apo e pushtit qendror, kanë qenë në parlament, kanë qenë në qeveri, kanë qenë në organet qeveritare, kanë qenë pjesë të partive “të vjetra”, kanë dalë prej partive të vjetra, kanë ndërruar nga disa parti, kanë kaluar nga një parti në parti tjetër, kanë pasur ambicie politike, kanë qenë karrieristë, kanë dalë ose nga PPD-ja, ose nga PDSh-ja, ose nga BDI-ja, kanë qenë funksionarë të ndonjërës prej tri partive të lartpërmendura; disa prej tyre nga partia mëmë, nuk janë larguar për shkaqe parimore, por për arsye karrieriste. Në botën demokratike, fraksionet që lindin brenda një partie apo ndarja më dysh e një partie, janë dukuri normale dhe demokratike.   

*   *   *

Kryetarët e partive politike duhet t’u thonë kryetarëve të komunave: “Mos punësoni nëpër zyrat e komunave as edhe një person të vetëm, asnjë anëtar, veprimtar apo militant partie”. Veprimtaria dhe angazhimi partiak gjatë fushatës parazgjedhore nuk duhet bërë për të zënë një vend pune apo për të marrë vendim pune. Asnjë komunë nuk mund të funksionojë me trysninë që u bëhet kryetarëve të komunave, duke u thënë: “Më punëso ngase unë kam vrapuar për ty”. 

Xhon Kenedi ka thënë: “Mos pyet se ç’bën shteti për ty, po ç’bën ti për shtetin”. Gjithsesi duhet pyetur se ç’bën komuna për qytetarët, por edhe qytetari duhet ta pyes veten se ç’bën ai për komunën. Qytetari, në përputhje me ligjin, duhet t’i shlyejë detyrimet komunale, t’i paguajë faturat e ujit dhe të hedhurinave, t’i shlyejë detyrimet e tatimfitimit, të tatimit mbi pasurinë dhe pronën. Po të mos e paguash rrymën, telefonin celular, internetin, transmetimin televiziv kabllor – të shkyçin përnjëherë. Po s’e regjistrove veturën një herë në vit, s’mund ta ngasësh atë. 

*   *   *

Në komuna të caktuara, si për shembull në atë të Kërçovës, garojnë edhe kandidatë të pavarur. Kandidatët e pavarur s’e kanë lehtë të ballafaqohen me kandidatët të mbështetur nga partitë politike, sidomos nga partitë që kanë, edhe pushtet vendor, edhe pushtet qendror. Kandidatët e mbështetur nga partitë që kanë pushtet vendor, përkatësisht qendror kanë sasi më të mëdha mjetesh për të zhvilluar fushatë zgjedhore apo për t’i promovuar programet e veta. Përpos kësaj, kandidatët të mbështetur prej partive politike, qofshin ato në pozitë apo në opozitë, kanë pas vetes një makineri të tërë politike, partiake, financiare dhe mediatike. 

Po ashtu duhet theksuar se një kandidat i pavarur, edhe sikur t’i fitojë zgjedhjet vendore, në një kohë kur pjesë e pushtetit qendror është partia oponentë, atëherë kandidati i pavarur has në obstruksionet e pushtetit qendror. Si i tillë, gjatë qeverisjes së komunës ballafaqohet me vështirësi të mëdha.

*   *   *

Edhe këto zgjedhje, sikur ato para këtyre, do të jenë të qeta, pa incidente dhe pa ndonjë problem të theksuar. Është mirë që në votim, duke i respektuar masat kundër koronavirusit Covid-19, të dalin që të gjithë. Me daljen në votim, shqiptarët e dëshmojnë vitalitetin e vet, potencialin politik dhe nivelin politik. 

Ajo që dihet saktë është fakti se qytetarët rëndom kërkojnë dhe duan ndryshime. Duan risi, ide të reja, programe të reja, drejtësi, korrektësi dhe jo abuzime, nepotizëm apo amoralitet. Gjithmonë ka vend për pakënaqësi nga qytetarët.

Në zgjedhjet parlamentare të fundit, qytetarët e Kosovës votuan për të tashmen dhe për të ardhmen, pra jo për të kaluarën. Lufta ka hyrë në histori. Tani bëhet politikë. Është kohë e politikës, e luftës për zhvillim ekonomik dhe social. Asnjë punë nuk bëhet pa mjete financiare. 

Pjesëmarrja në zgjedhje e një numri të madh kandidatësh e fragmentarizon votën shqiptare dhe e ul peshën e saj. Kandidatët duhet të zhvillojnë fushatë të mençur, pa fyerje, pa ofendime dhe pa denigrime. 

Kodi etik i traditës së lashtë shqiptare, që nga koha ilire deri më sot, nuk e lejon fyerjen e tjetrit, sidomos jo, fyerjen e femrës. Kodi etik shqiptar, që nga lashtësia deri më sot, integritetin dhe dinjitetin e femrës e mbron në mënyrë të prerë. Cenimi i integritetit dhe i dinjitetit të një femre paraqet fyerje për çdo femër. Fatmirësisht, në çdo parti të hapësirave politike shqiptare, femrat janë pjesë e procesit politik. Para se të jenë politikane, ato janë para së gjithash nëna, bashkëshorte, motra, bija të prindërve të tyre. Nuk është karakteristikë e shqiptarit të fyejë femrën. Gjatë shekujve, shqiptarja ka lëvizur dhe ka ecur vetë, në të gjitha trojet kombëtare, pa i ndodhur gjë.   

Pretendentët që janë në proces duhet të luftojnë politikisht për çdo votë, të tregojnë urti, maturi dhe modesti. Duhet të angazhohen që në votim të dalin sa më shumë qytetarë. Rregullat dhe normat zgjedhore duhet t’i respektojnë me përpikëri. Epilogu i fundit i këtyre zgjedhjeve do të varet nga raundi i dytë dhe nga koalicionet me partitë e tjera.   

Johan Volfgang Gëte thotë: “Fitorja i përket atij i cili çdo ditë shkon në luftë për të”. Me fjalë të tjera, liri ke aq sa lufton për të. Të rinjtë, perspektivën e tyre duhet ta kërkojnë dhe ta gjejnë këtu, në vendlindje. Për një perspektivë të ndritshme duhet luftuar, duhet punuar dhe duhet vepruar. Politika shqiptare në Maqedoni dhe në rajon, ka qenë dhe është paqësore, stabilizuese dhe euroatlantike. Është koha që Maqedonia e Veriut dhe i gjithë kombi shqiptar të dalin nga periudha e tranzicionit. Nuk është kohë mitesh dhe legjendash. S’fitohet dot lufta me patriotizëm folklorik. Luftërat dhe konfliktet në Ballkan kanë marrë fund. Vetëm Serbia mendon ndryshe. Sakrificat dhe luftërat e shqiptarëve të tridhjetë vjetëve të fundit, kanë hyrë në histori, kanë zënë vend në histori. Luftë nuk bëhet kur t’i kujtohet dikujt.

Të rinjtë sot, me të drejtë duan zhvillim ekonomik, drejtësi, demokraci, shtet ligjor. Asgjë nuk vjen nga qielli. Këto vlera fitohen në beteja politike, me mjete demokratike. Asnjë nga problemet e sipërthëna nuk është i pazgjidhshëm. Reformimi i sistemit politik dhe i partive politike është proces i ngadalshëm, por i pandalshëm. Shqiptarët duhet të dëshmojnë se posedojnë potencial intelektual për ndryshime. Shqiptarët duhet të provojnë se shoqëria shqiptare posedon determinues historikë dhe sociologjikë. Pa këta determinantë, politika mbetet të jetë ambicie e karrieristëve mediokër, pa kurrfarë morali, ideje, ideologjie dhe vizioni. Mbetet të jetë në duart e oportunistëve, të konformistëve, të poltronëve dhe të demagogëve. Të rinjtë nuk duhet të shpërngulen në Evropë. Evropën duhet ta sjellin këtu. Duhet t’i evropianizojnë këto hapësira. Kjo nuk është e pamundur.               

Xhelal Zejneli 

Filed Under: Analiza Tagged With: Xhelal Zejneli

NGA VOTA NË GJERMANI SHËNJA TË POLITIKËS SË MIRË

October 3, 2021 by s p

Nga ALDO CAZZULLO

“Corriere della Sera”, 27 shtator 2021 Përktheu: Eugjen Merlika


Ja PSD u kthye në partinë e parë gjermane, jo me një vijë të së majtës skajore, ala Jeremy Corbyn apo Jean – Luc Mélenchon – për të bërë të heshtin skajorët e shtëpisë sonë – por me një vijë qendërsore, duke bërë të tyren trashëgiminë e Angela Merkel-it; që në këta vite nuk ka drejtuar një Koalicion të Madh (në Gjermani tashmë dy partitë e mëdha vlejnë pothuajse sa gjysma e trupit zgjedhor), por një qendër të majtë, fortësisht të lidhur me qëndrën. Nuk ishte parashikuar, madje dukej e pamundur. Socialdemokratët dukej se ishin të paracaktuar të ndiqnin fatin e Pasokut grek, të zëvëndësuar nga populistët e Syrizës (të detyruar të pranonin këshilla më të buta: jashtë Varoufakis, po ashpërsisë së detyruar nga Berlini), ose atë të PS franceze, të nxjerrë jashtë loje nga një tjetër qëndërsor: Emmanuel Macron. Në të kundërt një parti që, megjithë historinë e saj të lavdishme dukej e vdekur, paraqitet sot në pragun e Kançelarisë; në sajë edhe të “kthimit në rend” të shënuar nga kriza mbas-Covid, me kthimin e rolit të Shtetit dhe rimarrjes së besueshmërisë të institucioneve evropiane. Mbas luftës së parë botërore, pararojat artistike – nga kubizmi tek abstraksionizmi – ndjenë një “thirrje për rregull”: artistët rifilluan të vizatonin figura, rigjetën format klasike, deri edhe vetë Kandinski ndjeu tërheqjen e racionalitetit gjeometrik. Në të njëjtën mënyrë, pandemia ka sjellë një thirrje të arsyes për një botë që dukej e magjepsur nga sirenat e populizmit e të sovranizmit. Në fillim fitorja e Brexit. Më pas ende më e befasishme ajo e Trump-it. Meteora e pabesueshme Bolsonaro. Ngjitja e Podemos dhe Vox në Spanjë. Qeveria verdh-jeshile n’Itali. Dukej se kryengritja kundër sistemit kishte fituar dhe ishte e paracaktuar të qeveriste një botë pa monedhë të përbashkët, kufij të hapur, institucione shumëkahëshe. Pastaj pandemia pështjelloi gjithshka. Trump-i i nisur për t’u rizgjedhur, gaboi në nënvleftësimin e saj dhe vuri në lojë Shtëpinë e Bardhë. Johnson-i, mbas gabimeve të para, shpëtoi dhe tani shton taksat për të financuar National Health Service, shërbimin shëndetësor kombëtar. No-Vax-i Bolsonaro han picën në rrugë sepse i përzënë nga restorantet e Manhattanit e rrezikon të mundet nga i ringjalluri Lula, i sapo dalë nga burgu. Në Spanjë Podemos është shëmbur, Vox është tkurrur e kthehen në alternativën ndërmjet socialistëve dhe popullorëve. N’Itali rishkombëtaristja Legë mbështet tani më evropianisten e qeverive. Në Francë shfryhet Marine Le Pen. E në Gjermani partia e Merkelit lëshon terren jo nga e djathta (Alternativa për Gjermaninë humbet vota e deputetë), por nga qëndra, ku fuqizohen nga një anë liberalët e nga tjetra të Gjelbërit dhe pikërisht socialdemokratët. I fundmi kançelar socialdemokrat, Gerhard Schröder, kishte si parullë të tij “Die Neue Mitte”, qëndra e re. Që nuk do të thoshte të bëhe të gjithë demokristianë e pra të moderuar, ndërmjetës, pothuajse të palëvizshëm. Do të thoshte se reformistët mund të jenë qëndrorë në rrjeshtimin politik të shoqërisë, duke mobilizuar energjitë e të rinjve, të grave, t’atyre që synojnë të fuqizojnë institucionet e jo t’i shkallmojnë, të ndërtojnë Evropën e jo t’a shkatërrojnë, të vënë në lëvizje ashensorin shoqëror pa ndëshkuar shtresat e mesme, të përtërijnë qeverisjen e jo t’a zëvendësojnë me atë që çirret më shumë e rreh më ashpër në rrjetet sociale. Në kohët e tij, Schröderi arriti të marrë më shumë se 21 milion e gjysmë vota, thuajse dhjetë milionë më shumë se sa mblodhi të djelën e shkuar Scholzi. Dypartishmëria është tejkaluar, kuadri copëzohet gjithënjë e më shumë, edhe se kultura politike gjermane vazhdon të çmojë qëndrueshmërinë. Sovranizmi nuk është mundur aspak; shpërthen në Lindjen evropiane, dhe në vetë ish Gjermaninë lindore, ku AFD (më shumë populiste se rishnaziste) është partia e parë. Por reformizmi liberal, si ai që sheh djathtas si ai që sheh majtas, vazhdon të qeverisë Vëndet kryesore të kontinentit dhe institucionet evropianë, bisedon me Amerikën e Biden-it, shpreson të krijojë një front të përbashkët me Rusinë e Putinit kundër vullnetit zotërues të Kinës. Mbas reformizmit është qëndrueshmëria e shtresës së mesme, që njëheri u quante borgjezi, që nuk është një fjalë e ndyrë, është emri i prodhuesve që çojnë përpara ekonominë e që mbajnë peshën e të varfërve të rremë e të të pasurve të vërtetë që nuk paguajnë taksat. Edhe borgjezia mund të tundohet nga zemërimi kundër-sistem dhe nga refuzimi i demokracisë përfaqësuese; por din t’a njohë politikën e mirë që sjell përfundime të mira.
“Corriere della Sera”, 27 shtator 2021 Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika

TABLOJA E SAKRIFICAVE NJERËZORE OSE KARUSELI NË HUMNERË…

October 3, 2021 by s p

Rreth romanit “Funerali i pafundmë” i Visar Zhitit, botuar në Rumani.

Nga Mihai Firică

Shkrimtar, zv/ministër i Kulturës së Rumanisë

C:\Users\User\Downloads\firica-mihai.jpg

Po mbushet viti nga botimi i dytë në Rumani i romanit “Funerali i pafundmë” i shkrimtarit tonë Visar Zhiti, përkthyer mjeshtërisht nga studiuesi i njohur i letërsisë shqipe, Dr. Luan Topçiu dhe ende vazhdojnë të dalin recensione dhe kritika në median rumune, në revistat letrare të hershme dhe nga më prestigjiozet sot. 

Romani “Funerali i pafundmë” është konsideruar si vepër postmoderne, e re, orgjinale, postmoderne, e pangjashme me asnjë tetër, plot fantazi funebre, metaforë e fuqshme kundër çdo totalitarizmi, estetikë e ankthit, e ekzistencializmit, ku individi humb në turmë dhe turma humb në askund…  

Këto ditë në revistën “Scrisul  Romanesc”, e themeluar në vitin 1927, doli shkrimi i zv/ministrit të kulturës të Rumanisë, shkrimtarit Mihai Firică, të cilin po e botojmë. 

Visar Zhiti është një udhëtar mes botëve imagjinare, herë të tejdukshme herë të makthshme. Me një teknikë mjeshtërore, e cila mesa duket rrëshqet pa zhurmë mes poezisë dhe prozës, autori shqiptar e shfaq praninë e tij të ndjehet pranë lexuesit vetëm kur lëçitja ju ka marrë me vete dhe ju ka larguar nga realiteti, po për aq kohë. Në botën e Visar Zhitit, duke udhëtuar me të, ju dëgjoni një rrëfim të pëshpëritur, i ndërprerë vetëm nga fryma e ngrohtë që ju thotë se vëllimi është shkruar nga një burrë jashtë burgut, por i cili, i mbyllur në shtëpinë e tij pandemike, rijeton ankthin e rinisë së tij të gjymtuar në burgjet komuniste. 

Përmes “Funeralit të pafundmë” (Botuar nga Shtëpia Botuese “A”, 2020),  shkrimtari i shquar shqiptar bën një hap tjetër drejt lexuesve rumunë. I njohur si personalitet për krijimitarinë e tij, në të cilin ai ka ruajtuar vuajtjet e birucave të regjimit diktatorial në Shqipëri gjatë kohës së kampeve komuniste, Visar Zhiti është një shkrimtar i vlerësuar nga publiku rumun përmes disa përkthimeve të një rafinamenti të lartë, si në këtë rast, të realizuara nga Luan Topçiu. Ideja e funeralit të pafundmë, si një rrjedhë e sakrificës njerëzore, e ushqyer nga brezat, plotëson një tablo në të cilën shkrimtari rikompozoi historinë e popujve që luftojnë për liri. Penelata personale që jep forcë përmes përshkrimeve plastike, përgjithësisht me nuanca gri ose të zezë, të cilat transmetojnë pothuajse në mënyrë sensuale atë që autori regjistron si një individ që ndjek funeralin, i mbajtur nga ngjarjet historike dhe i hedhur në makthin e burgut: “Provova druajtje dhe, s’kam pse e fsheh, edhe pasiguri, por s’desha ta qortoja veten, se çdo gabim imi më ka dalë për mbarë, madje u ngazëlleva kur s’po mundja të dilja dot nga turma, si nga një pyll, ku je i mbrojtur nga erërat. Po qyteti si u zhduk papritur? Nisa të hidhja hapat kuturu, pa e ditur ku shkohej, në ç’rrugë, se ashtu të ngjeshur siç u bëmë, herë-herë më krijohej përshtypja se shkelja mbi gurë, pastaj mbi baltë dhe bar, i kapja ndryshimet: diçka si zhaurimë ose thyerje kërcejsh a kocka zogjsh, mërmërima dhe rënkime të asaj që shtypej, teksa më përndritej diçka leshrakuqe, parukë magjike që largohej.… ”(f. 15).

  Gjendja e Visar Zhitit si i burgosur politik gjeneron një roman atipik, të ndërtuar me mjete poetike, instrumentet duken më së shumti lirike. Funerali përbëhet nga personazhe të rëgjuar në maska ​​ose zëra të thjeshtë, të udhëhequr nga një arkëmort. 

“Arkëmorti në krye, andej duhej të ishte; ngaqë s’dukej më, nuk mund të vendoste dot heshtje të plotë edhe këtej nga mesi i turmës, dhe jo më nga fundi i saj.“, simboli fatal  zëvendëson barrën e ideologjisë komuniste. Ashtu si shumë vende në ish-koloninë e kontrolluar nga Perandoria Sovjetike, Shqipëria në zemër të Visar Zhitit endet në terrin e një ideologjie kriminale, një rruge absurde dhe të pashpresë. 

Toni lirik shoqëron vuajtjen e një udhëtimi në fund të të cilit qëndron ose liria ose një rrugë e re drejt hiçit të diktaturës. Ashtu siç e takojmë autorin në vëllimet Molla e dënuar, Rrugët e ferrit ose Funerali i pafundmë, kemi një tablo të kërkimit të vetvetes në turmë dhe një ligjërim poetik të pëshpëritur. Nuk është një klithmë revolte, por një murmuritje e mbijetesës shpirtërore.  Mund të të shtypi në funeral turma pa identitet, por nuk mund të të hedhë jashtë historisë, duket se këtë gjë kumton autori. Shkrimi është i stërhollë, me një gjuhë të kontrolluar dhe të përkorë, përshkrues deri në përcjelljen shqisore të ndjenjave tek lexuesi. Nga kjo pikë, lëçitësi është pjesë e funeralit dhe mbijetesa është një garë e dyanshme: “tej, në thellësinë e mugëlluar, turma po ngjiste një si të përpjetë, ndoshta kishte dhe shkallë nën këmbë, bëri dhe një si kthesë të mundimshme tërë ai trup i përbashkët i turmës si një rrjedhë e turbullt lumi a gjarpër gjigant, përbindësh fare. Duhej ta kaptonin atë kodër të ulët me ullinj të egër, por udha a shtegu do të kenë qenë më të ngushtë a u tkurrën nga frika e turmës, siç ndodh gjithmonë, pra, ndërsa vargani hollohej padurueshëm mbas dyndjeve të para, ndërsa tëhollej dhe s’këputej dhe ecnin e ecnin, pak më këtej u pa sipërthi ajo që s’pritej, habia ime kubiste, ndërkohë aq e lehtë, fluide – patjetër largësia e bënte të dukej ashtu, arkë thesaresh, sënduk përrallash, jo, jo, varkë princesash, që rrëshqet dhe s’rrëshqet, e mbetur mbi supet…” (faqe 20) 

Ligjërimi kundër diktaturës është i palëkundur, i shprehur në mënyrë të përsëritur pikërisht nga bindja se drejtësia dhe liria mund të fitohen përmes një lufte të vazhdueshme, por pa urrejtje ose dëshirë për hakmarrje primitive, fakt i vënë në dukje edhe nga Liviu Lungu në pasthënien e këtij libri. Njohja e shkrimtarit shqiptar ka një kuotë mbresëlënëse ndërkombëtarisht përmes vëllimeve poetike. Reputacioni i tij si diplomat dhe ambasador i kulturës ballkanike i ka sjellë poste të larta, si ministër i kulturës në Shqipëri ose përfaqësues në Romë, Vatikan dhe Uashington. Publiku i Craiova-s pati rastin ta takonte atë gjatë një promovimi në Bibliotekën e Qarkut , kur u prezantua vëllimi poetik “Flatra e mundur” . 

Visar Zhiti është një ndërgjegje qytetare e shqiptarëve, të cilët arritën të shpëtonin nga prangat, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe figurativisht, duke ngritur një karrierë të kurorëzuar me njohje unanime. Ai ka marrë çmime të shumta për veprën e tij, me përkthime në gjuhë të ndryshme, që vërtetojnë një auditor që vetëm shkrimtarët e mëdhenj bashkëkohorë mund ta gëzojnë.

Përktheu nga origjinali Renata Melonashi

https://bum.al/wp-content/uploads/2018/04/funerali-i-pafundme-visar-zhiti-569x569.jpg
C:\Users\User\Desktop\download.jpg

      Ballinat e romanit të botimeve në Shqipëri dhe në Rumani 

Filed Under: Featured Tagged With: Mihai Firică, Visar Zhiti

HUMANISTI ALEKSANDËR NILAJ DHUROI 1100 DOLLARË PËR FUSHATËN E VATRËS

October 2, 2021 by s p

Humanisti Aleksandër Nilaj dhuroi 1100 dollarë për fushatën e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në mbështetje të gazetës Dielli dhe të Federatës Vatra. Z.Nilaj erdhi në Vatër familjarisht për të dhënë mbështetjen e tij me dashuri e përshpirtshmëri dhe u bëri thirrje edhe familjeve e patriotëve të tjerë shqiptarë që të mbështesin pa hezitim Vatrën e Diellin si një mbështetje për atdheun në respekt të rolit dhe kontributit që Vatra e Dielli kanë dhënë prej më shumë se 1 shekull për çështjen kombëtare. Aleksandër Nilaj është modeli i patriotit të flaktë, atdhetarit të madh, veprimtarit të dalluar dhe bamirësit të përshpirtshëm që udhëheq projektin e bamirësisë me shoqatën e tij Shoqata Shqiptaro Amerikane “Albanian American Open Hand Association Inc (AAOHA). Përgjatë gjithë pandemisë globale dhe në vazhdim, Aleksandër Nilaj ka mbështetur pa kushte të gjithë njerëzit në nevojë me veprat e tij të bamirësisë në shpërndarjen e ushqimeve, veshmbathjeve, ilaçeve, pagesa qerash, karroca për invalidët, materiale shkollore e shumë ndihma të tjera duke ndihmuar jo vetëm patriotët shqiptarë por këdo që ka pasur nevojë për ndihmë në ditë e kohë të vështira. Parimi i bamirësisë së z.Nilaj dhe skuadrës së vullnetarëve bamirës është: “Aty, ku njerëzit kanë nevojë, askujt të mos i mungojë diçka dhe askush të mos ndjehet i vetëm”. Shoqata Shqiptaro Amerikane “Albanian American Open Hand Association Inc (AAOHA) e drejtuar nga Aleksandër Nilaj u është gjendur pranë patriotëve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e në të gjitha viset ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Vatra dhe Dielli i shprehin mirënjohje për xhestin e tij patriotik e falenderojnë dhe i shprehin respekt e krenari për bashkëpunimin e sinqertë e shpirtin e tij të madh humanist e patriotik.

Filed Under: Featured Tagged With: Aleksander Nilaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2813
  • 2814
  • 2815
  • 2816
  • 2817
  • …
  • 2930
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT