• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NËNE TËREZA FRYMËZIM DHE SHPRESË PËR POPULLIN E VET SHQIPTAR DHE NJERËZIMIN

September 6, 2021 by s p

Nga Valentin Lumaj

(Fjala me rastin e 5 vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës në ceremoninë e hapjes së Festivalit Tradicional Shqiptar në Michigan, 5 Shtator 2021)

Të nderuar vllazën e motra, sot ne shqiptarët dhe mbarë bota përkujtojmë një datë të shënuar, atë të 24 vjetorit të kalimit në amshim dhe 5 vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezes apo Shën Terezes së Kalkutës. Ne si shqiptarë, Nënë Tereza na ben krenare, mbasi ajo se bashku me Gjergj Kastriotin-Skenderbeun, ishin nder te paktit njerez ne bote qe jo vetem me jeten, por edhe me vdekjen e tyre u kthyen ne frymezim dhe shprese per popullin e vet dhe njerezimin. Në gurin e varrit të Nene Terezes në Kalkutë egziston një pllakë në të cilën shkruhet një varg nga ungjilli sipas Gjonit: “Ky është parimi im, duajeni njëri-tjetrin”. Duke pare jeten dhe punen e saj, Nene Tereza është një mësuese e madhe dhe mishërim i dashurisë. Nënë Tereza me misionin e saj bënte gjëra të thjeshta: ushqente të uriturin, kujdesej për të sëmurin dhe shprehte dashuri për të braktisurin, pikërisht atë dashuri që ajo ndjente se i vinte nga Jezu Krishti.Ndersa dashurinë që kishte për Krishtin ajo ia transmetonte njerzve më të varfër dhe më në nevojë të botës. Ajo bënte gjëra të vogla me dashuri të madhe. Si besimtare e fortë katolike, në fytyrën e çdo njeriu, sidomos të atyre që ishin të sëmurë, te gerbulur, të varfër, të harruar, viktima të padrejtësisë, ajo shihte shëmbëlltyrën e Krishtit. Nënë Tereza ia kushtoi gjithë jetën e saj të vërtetës se njerëzit janë krijuar të barabartë dhe janë pajisur nga Zoti me një bukuri dhe vlerë të veçantë e të patjetërsueshme. Vllazen e Motra, sot ne jetojmë në një kohë me sfida të reja dhe të panjohura, ne situata pandemike, keto jo vetem virale por edhe te urrejtjes dhe vetmise dhe te mungeses se dashurise ne mes njerezve. Nënë Tereza eshte ajo nga mund te mesojme si te dalim nga keto pandemi. Nene Tereza eshte zemra hapur, dora e shtrire dhe buzeqeshja, sikurse ajo thoshte: “Paqa fillon me nje buzeqeshje”. Nga jeta dhe trashëgimia e Nënë Terezës ne mund të mësojmë se sa më shumë që përqëndrohemi tek vetja jonë, të duam Zotin, të duam njeri -tjetrin, dhe fryti i kësaj është kënaqësia vetë dhe dashuria që ndjejmë ne vetë. Nënë Tereza është një shembull i mrekullueshëm se çfarë është dashuria dhe si të jemi të gëzuar në botën e sotme. Nene Tereza ne vitin 1979 ne prag te marrjes se çmimit Nobel per paqe do te theksonte:“Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Deri tani ndoshta ne shqiptaret e kemi njohur, nderuar dhe dashur Bijën, Motrën, Nënën, Shenjtëreshën tonë Terezen vetem si shqiptare, si përfaqësuese të Popullit tonë shqiptar. Por sikurse Gjergj Kastrioti, qe mborjti jo vetem kombin e vet por krejt krishterimin dhe qyteterimin evropian, Nene Tereza me vepren e saj si sherbetore e te semureve dhe te varferve nga e gjithe bota, pa dallim feje apo rrace dhe sidomos me shenjterimin e saj, ajo kalon kufijte e shqiptarizmes duke e vendosur veten e saj ne vendin me te larte nen Zotin, sikurse e quani madhi Dom Lush Gjergji: sinëna e jetës, nëna e dashurisë, nëna e paqes, nene dhe shenjtereshe e gjithe njerezimit.  Vllazen e motra ne Krishtin, jo vetem se Nene Tereza eshte e jona, por jemi me fat sepse ne jemi te Nene Terezes, jemi populli i gjakut te saj dhe sot ajo na thërret, na pret dhe na frymëzon për nje jetë me Zotin dhe me të afërmin ne dashuri dhe ne paqe.

Ne kete dite te shenjterimit tand, Shenjtja Tereze lutu per ne!

Amen! Zoti ju bekofte!

Valentin Lumaj,

Festivali Tradicional Shqiptar

Michigan, 5 Shtator 2021

Filed Under: Opinion Tagged With: Nene Tereza, Valentin Lumaj

MARK GJONAJ DHA 2.9 MILION DOLLARË PËR NDËRTIMIN E SHESHIT NËNË TEREZA NË PELHAM PARKWAY, NEW YORK

September 6, 2021 by s p

Sokol Paja

Mark Gjonaj Këshilltari i Bashkisë së New York-ut dha 2.9 milion dollar për ndërtimin e sheshit Nënë Tereza në Pelham Parkway, Bronx, New York në një ceremoni madhështore të organizuar nga Famullitari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj me rastin e 5 vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës. Ceremonia festive u organizua në Qëndren Kulturore Nënë Tereza pranë Kishës Katolike Zoja e Shkodrës ku ishin të mbledhur përfaqësues nga komuniteti shqiptar, klerikë, politikanë, besimtarë, mediat lokale dhe shumë patriotë të ardhur nga viset shqipfolëse. Famullitari Dom Pjetër Popaj në drekën që shtroi për komunitetin shqiptar në qendrën kulturore Nënë Tereza në nder të Shën Nënë Terezës u ndal të rëndësia dhe veçantia e festës dhe misionares Nënë Tereza.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Këshillit të Kishës z.Nikolle Grishaj. Gjatë ceremonisë u kënduan këngë për Nënë Terezën nga Kori i Kishës. Famullitari Popaj bekoi drekën, u lut për komunitetin dhe dha bekime solemnisht për pjesëmarrësit në këtë ditë të shënuar të Shenjtores shqiptare. Dom Pjetër Popaj tha se: ‟Nënë Tereza për shqiptarët është një ndihmë e madhe për kombin fetarisht e shpirtërisht. Nënë Tereza dha mirësi e dashuri e lartësoi traditat tona të larta shqiptare. Promovoi cilësi të popullit shqiptar. Ajo i dha besën Krishtit për të qenë drita e Zotit mbi tokë. Nënë Tereza na bën krenar dhe ka promovuar vlerat shqiptare si mikpritja, e veçantë ndër popujt e botës. Në çdo kohë ajo forcoi më përshpirtshmëri e qëllim për të varfërit e të pamundurit. Sot është një ditë speciale falenderimi” tha në mesazhin e tij Famullitari Popaj. Këshilltari Mark Gjonaj, “Nderi i Kombit” në ceremoninë e dhurimit të 2.9 milion dollarëve për ndërtimin e sheshit Nënë Tereza në Pelham Parkway, Bronx, New York u ndal te figura e Nënë Terezës dhe rëndësia që ajo ka si misionare me gjak shqiptar, si shërbëtore ndaj njerëzve të braktisur e të pamundur, si një grua që shërbeu me devotshmëri, pasion, përshpirtshmëri dhe kudo mbolli dashuri, paqe dhe buzëqeshje. Nënë Tereza tha z.Gjonaj është personifikimi më i lartë i qënies njerëzore dhe lartësimi më i madh i kombit tonë në kulturat dhe vlerat e popujve të botës. Këshilltari Gjonaj foli për shqiptarët e spikatur në komunitetin shqiptar ku veçoi punën e Dom Pjetër Popaj si bari shpirtëror dhe punën e jashtëzakonshme humanitare të Aleksander Nilaj si humanist me shoqatën shqiptaro-amerikane “Duart e Hapura” duke ndihmuar njerëzit në nevojë në Bronx dhe jo vetëm. Në fjalën e tij Mark Gjonaj u ndal edhe te projektet e jashtëzakonshme që pasojnë këtë festë të Nënë Terezës siç do jetë: Një rrugë me emrin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Bronx, Qëndra Shqiptare Iliria në Jacoby Hospital, një qendër multifunksionale që do kryejë shumë shërbime në dobi të komunitetit shqiptar dhe një Seli speciale që do u shërbejë organizatave shqiptare në New York që bashkëpunojnë për të mirën e komunitetit dhe të kombit shqiptar. Kongresmeni Ritchie Torres, bashkëpërfaqësuesi i çështjes shqiptare, zëri shqiptar në Uashington, në ceremoninë e dhurimit të 2.9 milion dollarëve u shpreh falenderues për punën e jashtëzakonshme që ka bërë në komunitetin shqiptar Mark Gjonaj dhe shprehu rëndësinë e festës së Nënë Terezës, shembullit të saj, misionit të saj dhe mbi të gjitha mesazheve të përbotshme që ka dhënë Nënë Tereza për të bërë gjëra të vogla por me dashuri të madhe. “Jam i nderuar, falenderues dhe mirënjohës që marr pjesë në këtë festë të shenjtërimit të Misionares Nënë Tereza me komunitetin e dashur dhe të respektuar shqiptar. Të gjithë duhet ti jemi mirënjohës kombit shqiptar që na ka dhënë këtë shenjtore të madhe. Është një ceremoni e veçantë sot pasi ne përkujtojmë një misionare që vazhdon të frymëzojë miliona prej nesh” u shpreh Kongresmeni Ritchie Torres. Bronx Parks Commissioner Iris Rodriguez-Rosa shprehu falenderim dhe mirënjohje të veçantë për dhurimin e Mark Gjonaj për ndërtimin e Sheshit Nënë Tereza dhe u ndal te forca e Nënë Tereëz si besim, shpresë, dashuri dhe frymëzim. Ceremonia vazhdoi me dhurata për miqtë e veçantë të festës Kongresmeni Ritchie Torres dhe Bronx Parks Commissioner Iris Rodriguez-Rosa ku këshilltari Mark Gjonaj u dhuroi portrete të Nënë Terezës të stolisura në punime dore. Ceremonia vazhdoi vëllazërisht me çaste gëzimi, lutje, biseda miqësore e vëllazërore.

Filed Under: Featured Tagged With: Iris Rodriguez-Rosa, Ritchie Torres

20 VJET PA LUKË KAÇAJN

September 6, 2021 by s p

20 VJET  PA  LUKË  KAÇAJ

Lukë Kaçaj (1924-2001)

Nga Fritz RADOVANI

7 Shtator 2001…

O syshqiponjë! A me të vertetë Je pranë Krijuesit Tand !?..

E pra, tash plot 20 vjetë Rinia Shqiptare këndon.., por, këndon pa Ty, o Luk Kaçaj, e ndoshta, sa vite të tjera do të shkojnë, tue kerkue tingujt e zanit tand !.. Po, po, atje nalt nder Yjet e Pashuem të Asaj Botë pafund !

O i Madhi e i pavdekshmi Lukë Kaçaj, Ti ishe shkam i Alpeve tona!..

Ti ishe Prijs i kangës me Lahutë e që dijte me at za si pushka, me na lanë n’ Atdheun e Shqipeve Dykrenare gjurmët e qytetnimit Europjan…

E bash ajo Europë, të priti e të percolli si Birin e vet të pashoq atëherë, kur pak kush i dinte majet e pashkeluna t’ atij arti të pavdekshem, që Ata mësues me zhguna të murrmë, dijtne me të mësue ty o zheniu i Maleve!

E oxhaku i gurt’ i Atyne Maleve lajmonte per Ty, se u shtue një pushkë!

Stajanicat plaka, vazhdonin me shtrue sofrat: Hajde bujruem, urdhnoni “Mirse Ju ka prue Zoti, urdhnoni Buk’ e krypë e Zemer!”… E shkrepeshin gotat e Atyne Burrave, që nder shekuj të pafund nderuen Atdheun e Gjergjit të Madh Trimit të Gjon Kastriotit tonë… Atij Plakut vuejtun, e që mbas Tij kje Bij’ e Atyne Maleve kreshnike edhe Nana Tereze e Shkupit…

Edhe në vitin 1924, me 24 Shkurt, në Bajzë të Kastratit të Malsisë së Madhe, kur u le Lukë Kaçaj. Luka porsa mori mend ju kushtue Urdhnit Fretenve të Vegjel, dhe shkoi me vazhdue shkollen e Tyne në Gjuhadol të Shkodres, ku spikati zani i Tij… I pakrahasueshem per bukuri e forcë.

Ishte i pari At Martin Gjoka që dalloi talentin e rij dhe i tregoi rrugen e artistit të madh. Atje në Liceun “Illyricum” Luka, kur Mjeshtri i Madh i muzikës At Martini, i vuni në ballë djaloshit Bajzës së Alpeve shenjen e perjetshme t’ artistit t’ panjoftun e t’ pashoq… Nder Trojet tona.

Luka më ka tregue me gojen e Tij, sesi kur po permbytej Shqipnia nga komunizmi, në vitin 1946: “At Mati Prennushi thrret në Kuvend të Gjuhadolit baben e Lukës dhe i thotë: “Koha sa vjen e po bahet ma e rrezikshme per xhakoj ashtu si per ne, prandej, merre Luken në shtëpi, sikur ai nuk do me ndejë ma këtu dhe mundou me i dhanë rrugen e muzikës, mbasi ka mundsi që Liceu i ynë, të mbyllet nga komunistët dhe të mos hapet ma…Kjo këshillë e At Matisë dhanë babës sim, më shpetoi nga arrestimi i sigurtë që në 1946… Gjithmonë e kam kujtue At Matinë me mirnjohje… ” (Dëshmi gojore e të Ndjerit Lukë Kaçaj, Shkoder 1996).

U ndihmue prej kompozitorit Kristo Kona, tue e angazhue Luken me korin e Filarmonisë. Luka fillon punen në Filarmoni. Sjellja e Lukës prej qytetari me njohuni si pak kush të disa gjuhëve të hueja, italisht, latinisht, greqisht dhe në mënyrë të persosun gjuhen Shqipe. Në 1951 i hapë rrugen per studime jashta shteti në Moskë, në konservatorin “P.I.Çajkovski” në B.S., Luka paraqitet në konkurs dhe porsa perfundon së kënduemi, Drejtori i Konservatorit u çue në kambë tue thirrë: “Otliçno! (shkelqyeshem)”…E nuk do të vonojë kur Shaporin deklaron: “Ky bas asht një Shaljapin i ri, Shaljapini Shqiptar!” Luka i befasoi si artist i madh të gjithë. Ai ishte interpretues në disa gjuhë, tue mësue atje edhe rusishten, frengjishten dhe gjermanishten. Në një turne në shtetet “demokratike” të Europës Lindore, Luka kishte një repertor të gjanë mbi 100 pjesë në 5 gjuhë të hueja. I duertrokitun nga gjithë Europa…

Në 1966 emnohet pedagog i kantos në Institutin e Naltë të Arteve dhe jep kontributin e tij me vlerë në përgatitjen e brezit të ri të këngëtarëve. Po, nuk shkon gjatë… Po në 1966…Ramiz Alia, në kuadrin e “Revolucionit Kultural” e largon nga skena!“Mos vallë… ky asht fundi im…!?” Ju ngul në kokë Lukës…Parandjente até që do të ngjiste me 28 Maji 1973..,kur sigurimi i shtetit do ti vinte hekrat Lukës në prani të studentave dhe pedagogëve, në hollin e Akademisë së Arteve të Bukura, me etiketen e njohun të “rrezikshmërisë shoqërore, dhe në emër të popullit arrestohet si armik i tij…” Lukë Kaçaj, djali Fisnik i Bajzës së Kastratit, asht para xhelatëve shpifës e terroristë, kur Nana Tone me lot perfaqe i lutej “trupit gjykues” per djalin e pafajshem të vetin, por dënimi i tij asht i pashmangshem. Luka u dënue me 5 vjet heqje lirie…

“Revolucioni Kultural” antinjerzor e burgosi artistin LUKË KAÇAJ…

Luka ishte “armik i popullit” se kishte recitue vargjet e At Gjergj Fishtes, mësuesit të vet, dhe nuk kishte “harrue endè” me i ra në gjuhen e Tij “Lahutës së Malësisë”, të cilen e adhuroi deri në vdekje. Ana, zonja e Tij e nderueme nuk mungoi as nder telat rrethues me gjema të kampeve.

Luka u lirue nga burgu i “vogel” në vitin 1978. Vazhdoi disa vite hamall tek Pazari i Ri në Tiranë… Në vitin 1988, e bukra Ana, që nuk kishte kursye me shitë edhe “gjakun” per me mbajtë gjallë burrin besnik të saj në burg, mbylli vuejtjet e jetes e mbeshtetun per gjoksin e basit të njohun në Botë, me sy të ngulun tek Luka! Gjendja shndetsore e Lukës nuk u kuptue. Ai e mbante veten! Me 7 Shtator 2001, Luka nuk këndoi kurrma! Komunizmi kerkoi me e varrosë “hamall” të Madhin Lukë Kaçaj, basin e njohun nga të gjitha skenat botnore që e dishruen praninë e Tij.

Ne njohem një brilant të muzikës Shqiptare që nuk i vjen kurrma Asaj…

Ai ishte i madhi Lukë Kaçaj!..

            Melbourne, 6 Shtator 2021.                       

Filed Under: Politike Tagged With: Fritz radovani, Liriku Kacaj, Luke Kacaj

Shkolla Shqipe “Alba Life” USA filloi plot sukses vitin e ri akademik 2021-2022, në klasa dhe në Online

September 6, 2021 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo

Në  mjedise tejet komode të Qendrës së Konferencave dhe Trajnimeve në Jocobi’s Center, (Building Nr. 4) në  adresën: 1400 Pelham PKWY S, Bronx, NY 10461, në një nga degët e Shkollës Shqipe “Alba Life” u zhvillua ceremonia e hapjes së vititi të ri akademik 2021-2022.  Këto mjedise të përshtatshme u bënë të mundur nga z.Mark Gjonaj Këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut i cili është një politikan dhe ndihmës i jashtëzakonshëm për publikun.  Prindërit dhe nxënësit folën fjalë miradie dhe shumë prej tyre ngelën të befasuar për klasat, auditoriumet, pastërtinë shembullore dhe rregullin.  Z.Gjonaj i përshëndeti të gjithë prindërit dhe nxënësit duke i takuar kokë më kokë dhe duke i uruar një vit të mbarë.  

Pas gati dy vjet ndërprerje nga Shkolla Shqipe shumë prej nxënësve kuptuan se u kthyen në normalitet edhe pse në fytyrat e tyre ishte vendosur maska mbrojtëse.  Në sytë e fëmijëve shihja gazin dhe lumturinë që ndjenin duke u takuar me shokët dhe shoqet e tyre, edhe pse shumë prej tyre vazhdojnë të rrinë nëpër shtëpia nga frika e virusit tjetër “Delta”, pavarësisht se kanë dhënë konfirmimin për të vazhduar Shkollën Shqipe.  

Pandemia botërore e mbylli brenda mureve njerëzimin dhe ende vazhdojnë të ndjejnë shkatërrimin që po sjellë Covid 19.  Si shkollë ne nuk i ndërpremë kurrë mësimet pasi ishte e para shkollë në Diasporë që filloi programin mësimor në platformën Google Meet në Online.

Të gjithë koordinatorët, asistentët e programit mësimor dhe të artit, mësuesit shembullor si Arta Xhaferri, Blerim Gjocaj, Adelina Lacaj, Fatbardha Shiqerukaj, Mivete Krasniqi Veselaj, Dr.Manjola Duli, Majlinda Tafaj, Davida Hasanaj, të cilat kanë një përvojë të gjatë dhe shumica e tyre me licensat përkatëse nga shteti amë si dhe i Nju Jorkut erdhën me plot emocion duke i mbledhur nxënësit në klasat e tyre për të vazhduar normal mësimin. 

Z.Qemal Zylo drejtori dhe themelues i TV dhe Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe dha udhëzimet përkatëse për procesin mësimor si dhe për të ndjekur protokollin e shkollës publike amerikane për rregullat e Covid 19.  

Ai tha midis të tjerash se ne do ta vazhdojmë normalisht mësimin e Gjuhës Shqipe jo vetëm në shkollat publike, por dhe në Online.  Pandemia botërore solli shumë ndryshime, por dhe një program të ri të mësimit në Online.  Edhe këtë proces të mësimit ne nuk do ta ndërpresim, pasi kemi shumë nxënës si në Amerikë, Kanada etj që duan të mësojnë në këtë program dhe për këtë kemi marrë masat ta zhvillojmë normalisht.  Konkretisht ne sot e filluam mësimin jo vetëm këtu në Bronx, por edhe në Online të drejtuara nga mësueset Gela Bulku dhe Sonilda Koci.     

Mësimdhënia është kategori themelore e didaktikës, aktivitet i organizuar sistematik, krijues e interaktiv, me qëllim të zotërimit të përmbajtjeve të përcaktuara, përvetësimin e njohurive, shkathtësive dhe shprehive, dhe aftësimin e nxënësve për punë të mëtejshme dhe të vazhdueshme. Kushtet që ne u kemi krijuar nxënësve duke punuar fort si Bord me drejtuesit e shkollave amerikane, veprimtarët e ndryshëm bën që të jemi orientuar drejt dhe të kemi sukses në këtë mision kombëtar.  Për shkak të pandemisë dhe vonesave të justifikueshme ne po presim permitet nëpër shkollat e tjera publike amerikane për të vazhduar mësimin normal.  Nëpër klasa u ndanë librat ndihmëse për mësimin e Gjuhës Shqipe, ndërkohë po presin tekstet mësimore të miratuara nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë dhe e Kosovës, të cilat janë porositur pranë qendrës së botimeve të Diasporës dhe priten të vinë së shpejti.

Aktualisht në këtë qendër ne kemi tri javë që kemi filluar përgatitjen e grupit artistik të valleve e këngëve i cili falënderoi koordinatorët Xhaferri dhe Gjocaj si dhe drejtoren e programeve artistike, mësuesen e nderuar znj.Lacaj, znj.Tafaj, të cilët kanë bërë një punë shumë të përkushtuar me nxënësit edhe pse kemi qenë në pushimet e verës. Provat kanë vazhduar me orë të tëra dhe për këtë ju jemi shumë falënderues. Shkolla jonë është e nderuar nga z.Mark Gjonaj për të marrë pjesë, më datën 19 shtator në hapjen e ceremonisë madhështore të inagurimit të Qendrës për shqiptarët në Bronx siguruar nga z.Gjonaj përfundoi z.Zylo.  

Pas mësimit nxënësit vazhduan provat artistike me këngë dhe valle shqiptare një traditë ndër vite e shkollës dhe në fund u ulën së bashku për të ngrënë drekën sponsorizuar nga “Alba Life” dhe të shtunat e kaluara nga Blerim Gjocaj dhe Arta Xhaferri.

Dita e parë e shkollës cdo nxenesi I ngelet në kujtesë, por për këtë vit do të jetë si një memorje shumë speciale pasi pandemia i kishte izoluar për gati dy vjet dhe gëzimi dhe emocioni i tyre për ardhjen në shkollë ishte i papërshkrueshëm.

5 shtator, 2021

Bronx, New York

Filed Under: Featured Tagged With: Kozeta Zylo, Mark Gjonaj, Qemal Zylo, Shkolla Shqipe “Alba Life”

NËNË TEREZA KA KOMBËSI SHQIPTARE

September 6, 2021 by s p

Naum Prifti

Për redaksinë e gazetës Nju Jork Tajms 

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ka konsideratë të lartë për gazetën prestigjioze New York Times, prandaj i vjen keq kur botohen në faqet e saj artikuj dizinformues ose që shtrëmbërojnë të vërtetën. I tillë qe artikulli i Z. Ian Fisher botuar më datë 6 gusht 2003, faqe 6, ku autori e mohon kombësine shqiptare të Nënë Terezës, me argumente te pabaza historike a shkencore. 

Ja argumentet kryesore që paraqet zoti Fisher për të mbrojtur tezën e tij:

1. Nënë Tereza nuk ka si të jetë shqiptare a me kombësi shqiptare, kur dihet se ishte katolike e ritit Latin, ndërsa shqiptarët janë myslimanë. 

Çdo njeri që ka sado pak dijeni mbi shqiptarët, e di se ata u përkasin tre besimeve fetare myslimanë, ortodoksë të ritit Bizantin dhe katolikë të ritit Roman, pa llogaritur sektin Bektashi. E njëjta përbërje fetare zotëron edhe në trevat e banuara nga shqiptarët, si në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Në Maqedoni gjithmonë ka patur ortodoksë dhe katolikë shqiptarë, ashtu sikurse ka edhe sot. Dijetarët dhe etnografët e huaj kanë shfaqur admirim për tolerancën fetare ndërmjet shqiptarëve që vazhdon prej shekujsh. Ndofta në asnjë vend të botës nuk ka aq martesa mikste sa te shqiptarët, në raport me popullsinë.    

2. Mbiemri vajzëror i Nënë Terezës, Gonxhe Bojaxhiu hedh dyshime mbi kombësinë e saj, mbasi gjuha shqipe nuk ka mbaresa “u” për mbiemrat.

Ky argument filologjik dëshmon se autori ka mangësi në fushën e onomastikës shqipe.  Edhe librin e telefonave sikur të kishte shfletuar, do të kishte gjetur një tok mbiemrash me mbaresën “u.” Shumica e mbiemrave të shqiptarëve  me prejardhje nga profesionet  mbarojnë me “u.” Shembuj:  “Bojaxhiu,” (painter); “Kundraxhiu,” (shoemaker); “Terziu,” (taylor); “Furrxhiu” (bakery); “Djepaxhiu,” (cradlemaker); “Sapunxhiu,” (soapmaker); “Hanxhiu,” (owner of an inn); etj. 

3. Nënë Tereza nuk dinte shqip dhe nuk fliste shqip. 

Nënë Tereza haste vështirësi për të folur rrjedhshëm shqip, pas një emigrimi prej 7 dekadash, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare. Kur ishte e re jo vetëm ka folur, por ka shkrojtur edhe poezi në gjuhën shqipe. Në kohën që shkruajti poezinë, të cilën po ua servirim shqip e anglisht, ajo ishte 22 vjeçe. Besojmë se kjo dëshmi e patjetërsueshme mjafton për të bindur edhe më skeptikët për kombësinë e saj shqiptare.

Për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë 

Kryetari

Naum Prifti

A Poem by Mother Teresa

Gonxhe Bojaxhiu

Composed Dec. 9, 1928, en route to India

  1. GOODBYE

I am leaving the glowing hearth,

And my birthplace and kinsfolk;

To go to disease-wracked Bengal,

Far, far away.

I bid goodbye to fretful friends,

From hearth and relatives I turn away, 

To obey my heart that tells me

To serve Christ.

Goodbye, dear mother,

Take care friends of mine;

A pure force stirs within me

And drives me toward inflamed India.

The boat sails ever so lightly,

As it awaits stormy scars;

For the last time, my eye surveys

The coastline of wrathful Europe.

On the boat, joy and exultation

Light up the face care-worn

Of a soul betrothed to Christ-

The tender bride of the new world.

An iron cross she clasps in her hand,

A cross that rings with the message of salvation;

And her spirit is ready

To sacrifice all for it.

“Accept, oh, Lord, this sacrifice,

as a testimony of my love;

and on this day help my soul

that wants to exult Your name.

In return, oh, Gracious Lord,

Our kind Father,

I ask only that I be filled with the spirit

Known only to You.”

Pure as a summer drizzle at dawn,

My hot, wistful tears roll softly down,

And uplift my public oath

To make my life a ceaseless prayer to You.

Translated from Albanian by Peter R. Prifti 

San Diego 1991 

ALBANIAN CATHOLIC BULLETIN, San Francisco, CA., Vol. XII, 1991

  1. Poezi e Nënë Terezës

Gonxhe Bojaxhiu

Hartuar më 9 dhjetor 1928, kur po udhëtonte për në Indi. 

  1. LAMTUMIRË

Po lë shtëpinë zemërfanar

Vendlindje e farefis

Po vete n’Bengalin dergje-vrarë

Atje, në të largtin vis.

Lë të njohurit në mejtime

Të afërmit e vatrën shqim,

Më tërheq zemra ime 

T’i shërbej Krishtit tim.

Nënë e dashur, lamtumirë

Ju le shënde’n miq të mi

Më djeg, o, një fuqi e dlirë

Drejt të përflakurës Indi…

Dhe anija lehtë lehtë lundron

Pret valët e detit të trazuar,

Për herë të fundit syri vrojton

Brigjet e Evropës së hakërruar.

Qëndron në anije e galduar

Fytyrë e përvuajtur gjithë hare

E Krishtit flijetarja e vluar

Nuse e njomë e botës së re,

Një kryq hekuri n’dorë shtërngon

Shpëtimi lëvarshëm kumbon në të,

E shpirti i gatshëm pranon

Blatën e rëndë fli për të,

“Pranoje, këtë flijim, o Zot, 

Dëshmi e përbetimit që të dashuroj,

Ndihmoi gjallesës Tënde sot

Që emrin do të madhëroj!

Si shpërblim, Të lus o i Hirt’,

O Ati ynë plot mirësi

Të më japësh vetëm atë shpirt

Atë shpirt që-veçse Ti e di.”

Dhe t’imtë, të pastër si n’ag vere vesojnë

Të valët lot rjedhin qetë, me mall,

Që betimin për Ty prore e madhërojnë

Për të madhin blatim që tani u shpall.

Filed Under: Komente Tagged With: Naum Prifti, Nene Tereza, Rafaela Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2856
  • 2857
  • 2858
  • 2859
  • 2860
  • …
  • 2924
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT