• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LIRIA E FJALËS DHE “TRUBADURI” SLLAV NË KORÇË

August 26, 2021 by s p

                                               

  Nga Frank Shkreli/


A person in a suit and tie

Description automatically generated with low confidence

Ja edhe këngëtari sllav Goran Bregoviq — e cilësoj si “sllav” pasi nuk jam i sigurt se cilit prej grupeve etnike sllave të ish-Jugosllavisë i përket ai — shkoi në Korçë, pa çka pau, këndoi dhe iku por nuk mund të thuhet se fitoi gjë ai as ata që e ftuan dhe sponsorizuan praninë e tij në Korçë. Si në parantezë dua të them se, megjithë zhurmën e madhe, pro dhe kundër rreth pranisë së tij në Korçë, personalisht, isha krejt indiferent ndaj pjesëmarrjes së tij në “Festën e Birrës”, duke menduar se nëqoftse pjesëmarrja e tij atje ndihmon që të shitet ndonjë birrë më tepër, aq më mirë – ndihmon sadopak ekonominë shqiptare, thashë me vete.

Por siç duket, retë e pluhurit “radioaktiv” që la pas prania e këngëtarit sllav Bregoviq në Korçë vazhdojnë të qëndrojnë mbi hapësirën politike dhe shoqërore shqiptare.  Megjithëse i kuptoj shumë mirë shqetësimet e shqiptarëve të Kosovës për ftesën dhe pjesëmarrjen e Bregoviqit në Festën e Birrës në Korcë – por edhe ata brenda Shqipërisë që mbështetën pjesëmarrjen e tij në Korçë – megjithë kundërshtimet mes dy palëve, unë e kam ndjekur debatin në lidhje me këtë çeshtje si diçka pozitive që është me rëndësi për tu zhvilluar. E kam konsideruar këtë debat si pjesë e lirisë së fjalës për të dy palët, për ata që kundërshtuan pjesëmarrjen e Goran Bregoviqit në Festën e Birrës dhe atyre që e mbështën atë të shkonte e të këndonte në Korçë.  E shikova si një debat midis dy a më shumë vëllëzërve e motrave që nuk janë dakort për një çështje me rëndësi për ta dhe për derisa diskursi zhvillohej në një nivel e standard të qytetëruar – s’ka gjë të keqe në këtë mes.  Falë nderës Zotit këtë ditë kemi pritur që shqiptarët, më në fund, mund të diskutojnë me njëri tjetrin, por edhe me të tjerë — nga afër dhe nga larg, si të barabartë dhe të lirë — derisa lexova reagimin e Kryeministrit të Shqipërisë Z. Edi Rama në mbrojtje të pjesëmarrjes së Bregoviqit dhe mbështetësve të tij në Korçë dhe duke sulmuar ashpër ata shqiotarë, sidomos, nga Kosova që kritikuan pjesëmarrjen e tij në festën e Korcës .  Jo se Kryeministri shqiptar nuk ka të drejtë të shprehet, kështu ose ashtu për Bregoviqin ose këdo tjetër, pasi liria e fjalës duhet të përfshij edhe atë por reagimi i tij, më të thenë të drejtën, më la me gojë hapur. 

 Z. Rama i doli në mbrojtje Bregoviqit, duke i cilësuar reagimet e kundërshtarëve dhe kritikëve të pjesëmarrjes së tij në Festën e Birrës në Korçë si, “Një histeri fashiste, e turpshme për qytetarinë europiane të shqiptarëve”.  Z. Bregoviq është një figurë publike dhe si e tillë ai, patjetër, do të tërheq kritika dhe kundërshtime për deklaratat e tija ose heshtjen e tij kur duhej të fliste dhe nuk foli ose për këngët e tija nga pozita e tij si njeri publik dhe e “një muzikanti nga më të jashtzakonshmit e Ballkanit”, siç e cilësoi Z. Rama.  Më habiti gjithashtu shumë përdorimi i fjalëve “histeri fashiste” nga Z. Rama, drejtuar kritikëve shqiptarë të Bregoviqit. Kisha shpresuar se fjalët, “fashist e fashiste” nuk do i dëgjonim më në fjalorin shqip, sidomos, kur është fjala për diskurset politike ndër-shqiptare të vëllait me vëlla e motëra shqiptare. Shpresonim se këto fjalë do i takonin një periudhe tjetër të zezë të historisë shqiptare lenë pas – periudhës së komunizmit.  Fashistët e vërtetë, Z. Rama i gjeni në Beograd, shumë prej të cilëve i njihni mirë dhe me të cilët bashkpunoni ngusht — dhe jo në Prishtinë, e besoj as në Tiranë!

Por mbi të gjitha, deklarata e Z. Rama kundër kritikëve të pjesëmarrjes së Bregoviqit në Korçë, ishte një goditje mu në zemër të lirisë së fjalës. Është vështirë të thuhet se pse ishte prekur aq personalisht, Z. Rama me kritikat ndaj Bregoviqit? Pa marrë parasyshë se ç’mendon Z. Kryeministër për lirinë e fjalës dhe të shtypit, në vendin e tij dhe gjetkë, për të gjithë dhe pa dallim, “Zjarrnxitësit mendjefikur”, siç i cilësoi Kryeministri shqiptar kritikët e Goran Bregoviqit“, me “histerinë mesjetare” dhe me “histerinë fashiste” të tyre, qofshin ata në Tiranë ose në Prishtinë, në bazë të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, nënshkruese e të cilës është edhe Shqipëria, gëzojnë si të gjithë njerëzit anë e mbanë botës, të drejtën e lirisë së fjalës, mohuar atyre nga fashistët e vërtetë sllavo-komunistë për një gjysëm shekulli në Tiranë dhe në Prishtinë, fillimisht, në bashkpunim me njëri tjetrin.  

Prandaj, komentet e Z. Rama nuk janë vetëm një sulm ndaj kritikëve të një trubaduri sllav, por mbi të gjitha një goditje e rëndë ndaj lirisë së fjalës, në përgjithësi. Siç duket, edhe pas 30-vjetë “post-komunizëm”, udhëheqsit shqiptarë ende e kanë të vështirë të kuptojnë se ç’është liria, veçmas liria e fjalës për të tjerët, si e drejtë bazë e njeriut e sanksionuar me marrveshje ndërkombëtare dhe e mbrojtur me ligje kombëtare, si një vlerë evropiane, por edhe shqiptare, në radhë të parë. Përgjigjen se ç’është liria e fjalës për shqiptarë, na e ka dhënë ndoshta para evropianëve të tjerë, i madhi Faik Konica, më shumë se një shekull më parë.  “Liria është të mundet njeriu: të besojë ç’i do zemra; të thotë ç’i do zemra; të shkruanj ç’i do zemra; të bëjë ç’i do zemra,”, ka shkruar Faik Konica në Gazeta Albania, viti 1897, nr. 2, f. 32 /

Kjo është liria e vërtetë sipas Faik Konicës që po të respektohej dhe po të zbatohej nga shqiptarët dhe udhëheqsit e tyre sot – do të nderonte “qytetarinë evropiane të shqiptarëve”, por edhe “historinë dhe traditën tonë poashtu”.  Z. Kryeministër nuk e di nëse je adhurues ose jo i Faik Konicës, por ai do të këshillonte sot se megjithëse je në krye të qeverisë shqiptare, “Nuk ke të drejtë tu presësh lirinë e fjalës”, kritikëve të këngëtarit trubador të Ballkanit, për pjesëmarrjen e tij në Festën e Birrës në Korçë.  Liria e fjalës është dhe mbetet e shenjtë, si për ju Z. Kryeministër ashtu dhe për kritikët e këngëtarit ballkanas në Korçë! 

Në fund të fundit, me këtë episod askush nuk doli fitues. Të gjithë humbës mbetën. Veçanërisht humbi keq liria e fjalës dhe e vërteta, ashtu siç jemi mësuar të shohim se ndodhë shpesh në trojet shqiptare këto 30-vite tranzicion “post-komunist”.  Z. Kryeministër, “Unë nuk jam aspak dakort me ato që thua, por do të mbrojë deri në vdekje të drejtën tënde (dhe të tjerëve) për të thenë atë që dëshiron të thuash”, (Voltaire) dhe “çfarë të do zemra” (Faik Konica).

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Goran Bregovic, Liria e fjales

VATRA SHPREH NGUSHËLLIMET MË TË THELLA PËR AKSIDENTIN NË QAFË –MUZINË

August 26, 2021 by s p

Foto: Gazeta Panorama

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA shpreh ngushëllimet më të thella për jetët e humbura në aksidentin tragjik në Qafë-Muzinë. Vatra lutet për shpirtrat e humbur dhe uron shëndet të plotë të lënduarve nga ky aksident fatal. Pesë jetë humbura është një tragjedi e tmerrshme. Vatra u qëndron pranë familjarëve në këto momente dhimbjeje të madhe e trishtimi të rëndë. Vatra u bën apel autoriteteve të dhe instancave përgjegjëse që të marrin masa për parandalimin e tragjedive të tilla. Vatra bën thirrje për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë e demostrojnë përgjegjshmëri të lartë në drejtimin e automjeteve të tyre në mënyrë që të mos kemi jetë të humbura tragjikisht në rrugët e atdheut.

Filed Under: Uncategorized Tagged With: aksident, Qafe-Muzine, Vatra

72 vjet nga shpallja në Paris e Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”

August 26, 2021 by s p

26 gusht 1949 – 26 gusht 2021: 72 vjet nga shpallja në Paris e Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Disa ditë më pas, kryetari Mid’hat Frashëri iu drejtua shqiptarëve nga Radio BBC në Londër, dhe mes të tjerash tha: “Vija e jonë do të jetë kurdoherë e drejtë, programi ynë është të fitojë indipendencë dhe të sigurojë integritetin e vëndit tënë. Duam që shqiptari të ketë shpirtin dhe mëndjen gjithmonë për të mirën e Shqipërisë. Do të përpiqemi të themi kurdoherë fjalën e drejtë dhe të rrëfejmë udhën e mirë. Kjo është lutja e jonë ndaj Zotit të madh dhe lusim që gjithë shqiptarët e vërtetë të rrëfehen të denjë për të qenë shërbëtorët e Shqipërisë.“MID’HAT FRASHËRI BBC, LONDËRShtator 1949Foto: Mid’hat Frashëri, Abas Kupi dhe anëtarë të tjerë të Komitetit Kombëtar “Shqipnija e Lirë” pak minuta para fjalimit historik të Mid’hat Frashërit në Radion British Broadcasting Corporation (BBC).

Marrë nga faqja në FB e “Mid’hat Abdyl Frashëri”

Filed Under: Opinion Tagged With: abaz kupi, Mid'hat Frasherin

NË DITËLINDJEN E SHËN NËNË TEREZËS AKADEMI SOLEMNE NË KATEDRALEN E PRISHTINËS

August 26, 2021 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 26 Gusht 2021/ Në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, që sivjet koincidon me 5 vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku, Dioqeza Prizren-Prishtinë, organizon Akademi Solemne, në mbrëmjen e ditës së sotme – 26 Gusht 2021, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë. Sipas programit, në akademinë që hapet nga Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë, flet edhe Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës. Pjesë e akademisë janë edhe pika muzikore dhe promovimi i dy librave: Libri i përkthyer në italisht i Don Lush Gjergjit “Conversazioni con Madre Teresa”, botues Velar & Edizioni Dotrinari – viti 2021, dhe libri i Don Fatmir Koliqit “Kulturë e krishterë. I. Dromca identitare”, botuese Drita – viti 2021.

Me rastin e 111 vjetorit të lindjes dhe në vigjilje të 5-vjetorit të shenjtërimit të Nënës Terezë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vendosi lule të freskëta pranë shtatores së saj në sheshin që mban emrin e saj, dhe me ç’rast mbajti një fjalë rasti. Para të pranishmëve, në fjalën e tij, Kryeministri Kurti tha se “Nënë Tereza arriti që ta kapërcejë pragun e tokës shqiptare dhe shkojë në botë të huaj, duke bartur me vete sistemin e vlerave të edukatës së familjes shqiptare, vlera këto që dukshëm dallonin nga sistemi i vlerave të tjerëve dhe që së shpejti u bënë si udhërrëfyes për të tjerët”. Ai shtoi se sot përkulemi pranë shenjtores sonë Nënë Terezës, e cila “me veprat e saj nuk mbushi boshllëk, por e ngriti kombin tonë, jo kur ai mungonte, por kur ai e meritonte”. Çdo vit, Instituti i trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve në Shkup, organizon aktivitetet të ndryshme me rastin e ditëlindjes dhe shenjtërimin e Nënës Terezë. Këtë vit, ndryshe nga e kaluara, nga 26 Gushti deri 5 Shtator, në Shkup dhe Prishtinë do të mbahet manifestimi kulturore “Drita e Gonxhës”, gjatë së cilës do të zhvillohen aktivitete të ndryshme në nder të jetës dhe veprës së Nënë Terezës. Shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në 26 Gusht të vitit 1910 në Shkup, u bë Motra Tereze e Loretos (1929); Nënë Tereza – “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003); Shën Nënë Tereza (2016). Në 10 Dhjetor 1979, sipas raportimit në atë kohë të gazetës tradiconale të Kosovës Rilindja, Nëna Terezë pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…” Biografi i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, ka shkruar: “Kush ishte Gonxhe Bojaxhiu? Bija e Kolë Bojaxhiut, me prejardhje nga Prizreni, dhe Drane lindur Bernaj – Bojaxhiu, nga Novosella e Gjakovës, por edhe më tepër bija e krishterimit tonë dymijëvjeçar, e traditës, kulturës dhe martirizimit të popullit shqiptar….Kush ishin prindërit e saj? Kolë Bojaxhiu (1872-1919) ishte tregtar i njohur, ndërtimtar, muzikant, poliglot, patriot i shquar, por mbi të gjitha bamirës dhe babë i shumë të varfërve të Shkupit dhe të rrethinës. Angazhimin e tij për drejtësi dhe barazi e pagoi edhe me jetë, si duket qe helmuar në Beograd, sepse i mbronte të drejtat themelore të njerëzve të pambrojtur, sidomos të shqiptarëve. Drane Bojaxhiu (1889-1972) ishte grua e mirë, shtëpiake e kujdesshme, nënë e zellshme dhe shumë e përshpirtshme, shpirt dhe zemër për çdo nevojtar, edukatorja e parë e Gonxhe Bojaxhiut. Familja Bojaxhiu pati edhe dy fëmijë të tjerë: Lazër Bojaxhiu (1905-1981) dhe Age Bojaxhiu (1908-1973)”. “Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujtonte fjalët e Nënë Terezes, Don Shan Zefi, Kancelar i Ipeshkvisë së Kosovës, nga takimi i parë në vitin 1975, në një bisedë ekskluzive që kam zhvilluar në 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, në Qershor 2010 “Isha në gjimnazin klasik në Suboticë (qytet në Krahinën e Vojvodinës në federatën e atëhershme jugosllave), ku ishim rreth 40 seminaristë kosovarë… Kur i tham se jemi nga Kosova, Nëna Tereze menjëherë u shpreh shqip, duke treguar se është nga Prizreni. Me një emocion të jashtëzakoshëm filloi të flasë shqip me ne shqiptarët…”, tregonte Zefi. Ai tregonte se me Nënën Tereze është takuar edhe në Shkup, në vitin 1986. “Thoshte edhe atje se ishte e lindur në Shkup, se kishte prindërit nga Kosova”. Po ashtu, Zefi tregonte se me Nënën Terezë ka pasur 3-4 takime edhe në Romë. “Edhe recitonte, lutej në shqip. ‘Punën e pendimit’ e thoshte shqip gjithmonë…”, shprehej Zefi, derisa bisedonim në Selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës dhe në Katedralën në ndërtim në Prishtinë… Gurthemeli i Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë është vënë në 26 Gusht 2005, për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë, nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinali i Uashingtonit Teodor Mekkerik.“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.Katedralja Nëna Terezë në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.Në Prishtinë, në festën e gurthemelit të Katedrales nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA ishin Agim Rexhaj tani President Nderi dhe Marjan Cubi tani anëtar i Kryesisë dhe arkatar, të cilët së bashku ishin edhe në 13 Gusht 2021 kur në sallën e Katedralës Shën Nënë Tereza u shfaq dokumentari “Marjan Cubi – urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës, me regji të Ilir Buçpapajt, gazetarit të njohur të Radio Televizionit Shqiptar. Kërë verë dokumentari erdhi në Prishtinë nga Nju Jorku, ku më parë është shfaqur të dielën e 13 Qershorit 2021 në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”…Edhe në ceremoninë festive të shfaqjes së dokumentarit në kryeqytetin e Kosovës u theksua me shumë mirënohje se shqiptarët nga Amerika – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, me kryetar Marjan Cubin, në Nju Jork dhe rrethinë kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar. FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS ALBIN KURTI TE SHTATORJA E NËNËS TEREZË NË PRISHTINË I nderuar Dom Lush Gjergji,I nderuar z. Skënder Asani, drejtor i Institutit të trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve në Shkup,Të nderuar ministra znj. Rozeta Hajdari e z. Hajrulla Çeku,Miq shkupjanë, z. Emin Azemi, z. Mehmet Prishtina, z. Anton Nikë Berisha,Të nderuar të pranishëm,Nënë Tereza, ky është emri botëror i Gonxhe Bojaxhiut. Po t’i rikthehemi historisë sonë, të hapërdarë nëpër fakte të historisë zyrtare të kombeve të tjerë, ne do të shquajmë emra shqiptarësh, papë e vezirë, perandorë e strategë, shkencëtarë e guvernatorë, poetë e kompozitorë. Duket pra sikur shqiptarët individualisht kërkojnë kauza përtej territorit të caktuar nga lindja për territore të caktuar nga ndonjë e vërtetë më e lartë. Jam këtu para mbartësve të kësaj nisme, dhe organizata juaj e ka në emrin e vet edhe shpirtëroren edhe kulturoren, pra edhe mistiken edhe konkreten. Sot ky institut po nderon Nënë Terezën. Nënë Tereza, ja një emër që zbulon në treva të largëta mjerimin që mund të gjendet në trevat tona, ende sot. Me sytë e kthjellët të mëshirës, kjo grua, kjo zonjë dalloi të njëjtën vulë të trishtimit mbi shtrirjet e globit. Aq sa e shtriu mëshirën, për aq e meritoi çmimin botëror të paqes. Nënë Tereza arriti që ta kapërcejë pragun e tokës shqiptare dhe shkoi në botë të huaj, duke bartur me vete sistemin e vlerave të edukatës së familjes shqiptare, vlera këto, që dukshëm dallonin nga sistemi i vlerave të tjerëve. Pikërisht këto vlera të tjera, të tjerët i dalluan, si vlera që ata nuk i kishin, e që së shpejti u bënë si udhërrëfyes për të tjerët.Ajo ishte një nga nënat shqiptare, e cila me mirësi dhe bujari, duke sakrifikuar edhe veten u ndihmoi atyre që kishin nevojë: fëmijëve që vuanin nga uria, të kërbulëve që u duhej përkujdesja, duke u shëruar plagët e tyre në kushte të pamundura. Ajo frymëzoi me qindra, pastaj me mijëra e mandej miliona njerëz, dhe ua ktheu dinjitetin e atyre që mbase mendonin që edhe Zoti i kishte harruar. Shpesh herë kam menduar se sa nëna shqiptare nuk e kishin atë fat, siç e kishte ajo kur kapërceu pragun e derës së atdheut, për të shpaluar vlerat e veta, dhe sa fatbardhë jemi ne si shqiptarë, pjesëtarë të edukatës nënëtereziane që shkojmë rrugës së saj. Ajo me lutje na përcjellë edhe sot, në rrugëtimin tonë si komb, aspak të lehtë, por një udhërrëfim ky, që jep shpresë dhe dritë.Duket sikur ne i kemi në gjirin tonë të gjitha format e besimit më të thellë, dhe sikur presim t’i shpallim universalisht prej trupave tanë individualë. Gonxhja lindi shqiptare.Gonxhe Bojaxhiu lindi këtu, në këto treva, mes njerëzve dhe kohëve tona. Me atë trup të thjeshtë e të brishtë, por me atë thellësi shpirtërore ku ka vend aq shumë, sa njerëzorja të gjejë shprehjen e saj më të thekshme të besimit. Gonxhe Bojaxhiu u bë Nënë Tereza. Kur shpirtërorja e kthen një trup njeriu në bartësin e mirësisë pa kufij, atëherë e quajnë të shenjtë. Ata që janë të autorizuar të shpërndajnë tituj të tillë, e emërtuan e shenjta Nënë Terezë. Përmes kësaj zonje, përmes kësaj Nëne, dëshmia na vjen për lartësinë e shpirtit që në mundësitë tona e kemi të gjithë. Ajo është një shembull, ajo është e shenjta e mirësisë që njeriu, cilado qoftë treva e thjeshtë e origjinës së tij, mund ta shpërndajë nëpër rruzull. Diku para dhjetë vitesh, ndoshta pianisti më i madh në botë, Çikolini, tek e ndjente se do ta linte këtë jetë, u shfaq në qytetin e lashtë shqiptar të Shkodrës, në teatrin e famshëm të këtij qyteti shqiptar dhe dha një koncert. Para se të hapte koncertin, çuditërisht pa kërkuar asnjë pagesë, iu drejtua publikut më të vogël të jetës së tij: “Nuk mund të ndahesha nga kjo botë pa luajtur në piano për një prej vatrave të Nënë Terezës”. Ai e ndjente se po luante për njerëzit e saj. Në kohët që vijnë, le ta ndjejmë se ne do të shpërndajmë mirësi mes nesh, se do të ndajmë besim mes nesh, se do të vendosim besim mes nesh. Vetëm kështu, kohët që do të vijnë do të jenë të shenjtëruara. Sot po përkulem pranë shenjtores sonë Nënë Terezës, e cila me veprat e saj nuk mbushi boshllëk, por e ngriti kombin tonë, jo kur ai mungonte por kur ai e meritonte.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Behlul Jashari, Nene Tereza, Prishtine

DITA E “HARRESËS” SË KRIMEVE TË KOMUNISTËVE

August 26, 2021 by s p

Nga Bedri BLLOSHMI

Pas mbarimit të luftës civile më 1944 Shqipëria u pushtua nga komunsitët. Lufta Civile vazhdoi me një ndryshim të vogël duke u kthyer në një luftë kalse ku goditeshin të gjitha familjet e klasës së përmbysur. Filloi kasaphana me grabitjen e pasurisë, pushkatimeve, burgosjeve internimeve dhe shkatërrim total të këtyr familjeve që kishin punuar për Shqipërinë. Sot zhurmohet shumë gjoja se po përpiqen të gjejnë njerëzit e pushkatuar nga regjimi diktatoral. U mbushën 8 vjet që në këtë drejtim nuk është bërë asgjë, nuk është gjetur qoftë edhe një kufomë. Autoriteti i shkatërrimit të dosjeve që drejtohet nga Genta Sula ka sa herë flet për këto krime nuk thotë se kush i ka bërë këto krime. Stafi i saj është ndërtuar mbi bazën e Sigurimit të Shtetit. Çdo i dënuar që shkon për të marrë një dokument tek ky Autoritet, ai detyrohet që të paguajë dhe përsëri nuk e merr dosjen e plotë, i merr të seleksionuara sipas porosisë së Genta Sulës. Genta Sula thotë se janë deokumenta të deklasifikuara, por gënjen me plot gojën sepse dosja e hetuesisë dhe e gjyqit nuk kanë qënë asnjë herë të klasifikuara. Unë jam futur vetë në Arkivin e Sigurimit të Shtetit pas viteve ’90 dhe kam gjetur dosje formulare të poetëve të pushkatuar Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Këto dokumenta tregojnë rrugën djallëzore se si i kanë përndjekur dhe si i vranë këta dy poetë. Për këtë kam botuar edhe një libër para 15 vjetësh dhe ja kam dhënë Genta Sulës kur ishte zëvendësminitre e Punës dhe Çështjeve Sociale. Në bazë të të gjitha rregullave i kërkova Autoritetit të Dosjeve të më vinte në dizpozicion dosjen e dy poetëve dhe timen. Drejtoresha Genta Sula më ktheu përgjigje se, “Juve nuk ju takon ta maerrni atë dosje sepse jeni familjar i largët”. Ditën e përkujtimit të 40 vjetorit të pushkatimit të dy poetëvëe në Librazhd, Genta kishte shkuar në Librazhd dhe më merr në telefon. Kur unë shkova atje nuk e gjeta Gentën. Të nesëmen në mëngjes lexoj në gazetën “Panorama” se Genta Sula me bashkëpunëtorët e Sigurimit që i ka marrë në Autoritet, dhe pasi kishte përpunuar dhe mashtruar djalin e Gencit, Petrika Lekën, ky i fundit dha një intervistë ku shprehej se, “Genta Sula më dha diskun e dosjes së babait dhe unë e them me plot gojën se ka ardhur koha që ne t’i falim vrasësit tanë”. E vërteta është se, Petrika Leka e dha intervistën i ndikuar nga Genta Sula për të bërë eksprten letrare, mikeshën e Gentës, Diana Çuli, që çoi në pushkatim Genc Lekën që ta merrte Diana Çulin te dosjet e Sigurimit të Shtetit. Kur unë fola me Petrikën, i kërkova të më sillte diskun e dosjes së Gencit që të shikoja çfarë dkumentash kishte në atë disk, ai më tha: Bedri, unë nuk ta jap sepse Genta Sula më tha mos ja jep askujt që ta shikojë këtë disk. Pasi e binda, ai ma solli diskun. Kur e hapa diskun pashë se aty ishin disa procesverbale të hetuesisë, nuk ishte as ekspertiza letrare e Diana Çulit dhe as poezitë e Gencit. Ato ishin hequr qëllimisht që të mos dilte emri i Diana Çulit si autore e kespertizës që çoi në pushkatim Genc Lekën. Ti Genta nuk mund ta luash rolin e Ponc Pilatit me intervistën e Petrika Lekës. Pyes të gjithë këta që qyrraviten për ish-të burgosurit politikë, a kanë një datë se kur do të ndëshkohen për këto krime komunistët? U drejtohem të gjithë ish-të burgosurve politikë, që asnjë herë mos e besoni Genta Sulën për dokumenta që u jep sepse ato i seleksionon oficeri i Sigurimit të Shtetit Xhavit Shala bashkë me bashkëshorten e ti që janë punësuar aty për këtë qëllim nga Genta Sula. Mos besoni as fjalët e saj kur thotë se “ne po përpiqemi të gjejmë të pushkatuarit nga regjimi komunist” sepse ajo e bën për të larë gojën. U mbushët 8 vjet dhe nuk është gjetur asnjë i pushkatuar. Arsyeja tjetër që është më e fortë; ajo nuk e bën dhe nuk e thotë se kush i ka bërë këto krime pasi bijtë e tyre sundojnë edhe sot Shqipërinë. Nga informacionet që kam unë, tek Autoriteti i Dosjeve është një fondacion i quajtur “Harabeli” që ka marrë dhe vazhdon të marrë fonde gjoja se po bën diçka për ish-të burgosurit politikë. Kështu paratë e ish të burgosurve politkë merren nga ky Fondacion. Kërkoj nga KLSH që të dërgoj urgjentisht auditin për të zbuluar se ku përfundojnë paratë e planifikuara në buxhet për ish-të burgosurit politikë.

Filed Under: Politike Tagged With: Bedri Blloshmi, diktatura, Krimet e komunisteve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2873
  • 2874
  • 2875
  • 2876
  • 2877
  • …
  • 2924
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT