• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Flet Dr. Ardian Kraja: “Florida Shqiptare TV”-është “Zëri juaj, historia juaj”, në zemër të shtetit të Floridës

September 29, 2025 by s p

Në jug të Floridës gjendet qyteza portuale, Clearwater i cili mori këtë emër  për burimet e tij të bollshme, të kristalta, dhe të freskëta përgjatë gjithë bregut. i krijuar nga kolonistët në mesin e viteve 1830, dhe nga një banor i shtetit të Xhorxhia, James Stevens, i cili mbërriti në Florida në vitin 1839, dhe njihet si themeluesi ose  “Babai i Clearwater”, Dhe vetëm në vitet 1890-ë, Clearwater fitoi reputacionin si një destinacion dhe komunitet turistik, kolonët e hershëm e quanin Clear Water Harbor. Në Clearwater-in e hershëm dhe historik jeton e punon një komunitet i fuqishëm dhe i rëndësishëm shqiptaro-amerikan, i cili konkuron ndjeshëm mes forcës së krahëve dhe dijes, një komunitet punëtor dhe i besueshëm, që menaxhon biznese të vogla, të mesme e të mëdha, në sinkron me bisneset e kulturave të tjera, duke punësuar qindra bashkëatdhetarë shqiptarë, amerikanë dhe të kulturave të tjera, partnerë dinjitozë dhe të përkushtuar në rritjen e ekonomisë dhe mirëqënies, jo vetëm individuale por edhe asaj amerikane, respektues të rregullave e ligjeve të shtetit e qytetit ku ata jetojnë.

Me mbështetjen e fuqishme e të përgjegjëshme të familjes së tij, e komunitetit  shqiptaro-amerikan, i motivuar me dashuri, pasion, mirësi, dhe i pajisur me individualitet profesional, mjeku shkodran, i specializuar në fushën e mjekësisë, shqiptaro-amerikani, Dr. Ardian Kraja sfidon mes të bukurës e së përditshmes njerëzore me mund e sakrifica, dhe arriti që brenda një viti të ngrejë “Florida Shqiptare TV”, -e cila u shëndrua në një Televizion modest që sa vjen e rritet, në zemër të shtetit të Floridës, respektivisht në  qytetin portual, Clearwater. 

Po kush është mjeku shqiptaro-amerikan, Dr. Ardian Kraja…
Dr. Ardian Kraja, është MD Specialist i Praktikës së Përgjithshme Mjekësore në New Port Richey, Clearwater, dhe Saint Petersburg 

të shtetit të Floridës, dhe është diplomuar në Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë.  Gjithashtu, Dr. Kraja është themeluesi i ALBANIAN HERITAGE FOUNDATION OF TAMPA BAY, dhe ka shërbyer  si mjek, në luftën, e Irakut,  në vitin 2003, me forcat ushtarake shqiptare, duke dhënë kontributin e tij të cmuar  në  “Tre Kontinente”, dhe citohet si –“Mjeku i Tre Kontinenteve”. 

Flet dhe shkruan  rrjedhshëm 5-ë gjuhë të huaja.

Në këtë intervistë Dr. Ardian Kraja na rrëfen për jetën, sakrificat, sfidat e rradhës, larmishmërinë e temave interesante social-kulturore –politike dhe forcën e progresit, integrimit dhe pjesëmarrjes në jetën social –ekonomike, kulturore-artistike dhe politike në shoqërinë demokratike amerikane, dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan,  por ajo c’ka është më e rëndësishme -integrimin dhe ruajtjen e vlerave kombëtare dhe identitetit shqiptar, duke prekur njerëzoren, qytetaren, inteligjencën dhe mundësitë e barabarta me diversitetin e pasur kulturor, kontributin e tyre aktiv, qytetar dhe intelektual, nëpërmjet forcës së krahëve e duarve, mendjes e dijes, mes gamës së gjerë të kulturave dhe komuniteteve të tjera në Florida. Krenar, i lumtur dhe i vetëdijshëm, për rolin dhe energjitë e tij  pozitive, Dr. Ardian Kraja na rrëfen në këtë bisedë rrugën e e tij profesionale,  atdhetare dhe aktivitetin e tij në dedikim të cështjes shqiptare dhe identitetit shqiptar. 

Bisedoi: Raimonda MOISIU -SADE

–Dr. Kraja, keni gati një vit që keni hapur Florida Shqiptare Televizion, që aktualisht është shndërruar në një nga mediat televizive shqiptaro-amerikane më të spikatura të komunitetit, jo vetëm në Florida, por në gjithë SHBA. Cilat janë kontaktet tuaja të para me botën e medias televizive?

“Florida Shqiptare TV” është hapur pothuajse dy vite më parë. Është një televizion që i shërben komunitetit shqiptar në Florida, dhe kjo ka qenë një nga pasionet dhe aspiratat e mia që ditën e parë që kam ardhur në Amerikë. Nuk e di pse e kisha këtë ide, por me ishte fiksuar se duhej të isha në kontakt me median televizive, ishte një pasion që nga fëmijëria e heëshme. Kur erdha në Amerikë, fillimisht  ëndrrat u lanë pezull, por pasi u bëra doktor, realiteti i televizionit filloi të marrë formë. Mund të them se ishte si një “ëndërr në sirtar”. Krijova një studio në shtëpi, fillova të investoja në pajisje, u lidha me platforma televizive në Neë York dhe Philadelphia, dhe kështu, hap pas hapi, “Florida Shqiptare TV” filloi të marrë jetë.

-Ç’mund të na thoni për mekanizmin që ju çoi në ngritjen e “Florida Shqiptare TV”, dhe si morën udhë projektet tuaja në këtë drejtim?

Florida Shqiptare u lind dhe u rrit si një studio që funksionon ende në shtëpinë time. Kam bërë një shtesë enkas për ta përshtatur për studion televizive. Aty zhvilloj intervista, dhe programi im më i preferuar është “Zëri juaj, historia juaj”,  ku kam intervistuar shumë anëtarë të komunitetit shqiptar që kanë ndarë mendimet dhe sukseset e tyre. Kam intervistuar edhe shumë biznesmenë dhe biznese lokale, të cilat bëjnë reklamë përmes “Florida Shqiptare TV”. Këtë e kam ndërthurur edhe me faqen e Facebook-ut dhe You-tube, për të shpërndarë përmbajtjen tek ata që nuk arrijnë të ndjekin programet në orarin e transmetimit.

-Si e vlerësoni gjendjen kur e hapët për herë të parë dhe atë aktuale?

Fillimet ishin të vështira, por gradualisht infrastruktura është përmirësuar dhe stacioni tashmë transmeton 24 orë në ditë. Cilësia e kamerave për intervistat është rregulluar, dhe hap pas hapi gjithçka do të vijë duke u përmirësuar. Jemi ende në fillimet e një nisme që do të plotësohet me kalimin e viteve.

-A ka dallim mes medias së shkruar dhe asaj televizive?

Media televizive është më e drejtpërdrejtë dhe më e ndjeshme se ajo e shkruar. Njerëzit sot fokusohen shumë më tepër te televizioni sesa te librat apo romanet. Edhe ju si shkrimtare e keni vënë re se njerëzit lexojnë gjithnjë e më pak. Është e trishtë, por e vërtetë. Për projektet e mia, gjithçka nisi si pasion, por kërkonte edhe mbështetje ekonomike. Falë arritjes sime si mjek në Amerikë, ëndrra ime për median nisi të bëhej realitet.

-Falë kujt ka ardhur një ngritje cilësore, duke qenë se vini nga një fushë tjetër profesionale, mjekësia?

Sigurisht, unë vij nga fusha e mjekësisë, por një ndihmë të madhe më ka dhënë vajza ime, e cila e ka pasion median. Ajo është fotografe dhe realizon video me shumë profesionalizëm. Ka realizuar edhe dasma dhe ka një sy artistik të veçantë. Kur hapa televizionin, ajo ishte krahu im i djathtë. Edhe unë vetë e kam pasion elektronikën dhe përpiqem të qëndroj gjithmonë i përditësuar me risitë teknologjike.

-Mendoni se gjatë këtij viti të aktivitetit televiziv keni justifikuar jo vetëm përkushtimin, por edhe mesazhin tuaj?

Ka ende shumë punë për të bërë, por deri tani jam i kënaqur. Njerëzit e kanë mirëpritur dhe presin më shumë. Por edhe Roma nuk u ndërtua për një ditë…

-Cilat janë raportet me stafin tuaj?

Për momentin, stafi përbëhet nga familja ime – vajza, gruaja dhe ndonjëherë edhe vjehrra. Gjatë intervistave, gruaja ime, Tana, qëndron në pultin e komandimit dhe drejton regjinë. Ajo është edhe shikuesja dhe redaktorja e parë. Edhe vjehrra më ndihmon shumë, sidomos kur sistemi ka nevojë për rindezje. Jam mirënjohës për gjithë këtë mbështetje.

–Cili ka qenë reagimi i komunitetit shqiptaro-amerikan?

Si në çdo fushë, ka njerëz që mbështesin dhe të tjerë jo. Kam pasur përkrahje të vazhdueshme nga shumë persona, por edhe raste të xhelozisë. Gjithsesi, me kalimin e kohës, shoh që reagimet pozitive po shtohen dhe njerëzit po e kuptojnë më shumë këtë nismë.

-Përshkruani një ditë tipike në Florida Shqiptare TV.

Një ditë tipike përfshin programe të ndryshme. Përveç intervistave që realizoj vetë, transmetoj filma shqiptarë, koncerte dhe teatro të vjetër që koha i ka harruar. Përfshij gjithashtu edhe programe gatimi, që janë pasion personal. Ka dokumentarë, aktorë shqiptarë dhe filma të rinj. Synimi është që çdo shikues të gjejë diçka që ta mbajë të lidhur me ekranin, dhe me identiten tonë shqiptar. 

-A keni pasur mysafirë të njohur?

Po, kam intervistuar intelektualë, biznesmenë, artistë, shkrimtarë dhe njerëz patriotë. Jam shumë i kënaqur me nivelin e personaliteteve që kanë qenë pjesë e programeve tona.

-A keni programe për fëmijë në shqip?

Po, kjo ishte një nga idetë e para. Ende nuk ka nisur, por jam në bisedime me një mësuese të gjuhës shqipe dhe shpresoj të fillojmë së shpejti. Fillimisht e lashë mënjanë për të shmangur konflikt interesin me shkollën “Vatra” në Clearëater, por synimi im është të sjell programe për fëmijët, për ruajtjen e gjuhës dhe traditës.

– Së fundmi keni hapur edhe radion…

Po, kam hapur Radio Shqiptare Florida, që transmeton 24 orë në ditë. Pa ndrojtje  mund të them se radion e parë (marrëse) ose sic njihet ndryshe radio me galena e kam ndërtuar në vitin 1982, atë kohë isha vec 14 vjec, një model nga revista Horizonti e asaj kohe. Radioja tani është me bazë interneti dhe mund të akcesohet nga cdo vend i botës,  mjafton të shkruash “radioshqip.live”.  Ka programe të larmishme muzikore: këngë festivalesh, popullore, të reja dhe të vjetra. Playlist-at i përditësoj rregullisht dhe kam marrë shumë feedback pozitiv. Dëgjuesit janë të shumtë, e përdorin në udhëtime, në punë dhe në plazh. Shumë shpejt do të nisin edhe disa emisione të dedikuara.

–Si e shihni rolin e këtij institucioni në integrimin kulturor të shqiptarëve në Amerikë?

Deri tani nuk e kam parë këtë nismë si burim fitimi, por si nismë për të bashkuar dhe promovouar vlerat e shqiptarëve në Florida. Qoftë radio, televizioni apo rrjetet sociale, më japin mbi të gjitha kënaqësi shpirtërore. Është një mënyrë për të ruajtur kulturën dhe traditën shqiptare në Amerikë. është pasion personal. Megjithatë, siç thonë amerikanët, “never say never”!

–Çfarë përgatitjesh bëni për festat kombëtare?

Në festa kombëtare, ekrani zbukurohet me simbole kombëtare – flamurin e Shqipërisë dhe të Kosovës. Programet reflektojnë frymën e bashkimit dhe të krenarisë kombëtare.

-Cili është mesazhi juaj për audiencën?

Mesazhi im është dashuria dhe paqja mes shqiptarëve. Të ndihmojmë më shumë njëri-tjetrin dhe të jemi të bashkuar si komunitet. Le të duhemi më shumë, të ndihmojmë më shumë, të bashkëpunojmë më shumë. Çdo koment, ide dhe kontributi juaj e bën “Florida Shqiptare TV” zërin e përbashkët të komunitetit tonë.”

Ju Faleminderit!

Bisedoi: Raimonda MOISIU-SADE 

Filed Under: Reportazh

Nga izolimi totalitar në dyert e BE-së: Shqipëria si model dhe udhërrëfyes për integrimin ndërkombëtar të Kosovës

September 29, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

1. Shqipëria – nga izolimi i hekurt drejt integrimeve euroatlantike

Historia e Shqipërisë është një shembull unik në Evropë. Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u shndërrua në vendin më të izoluar të kontinentit. Regjimi totalitar komunist ngriti një mur më të fortë se ai i Berlinit, duke shkëputur vendin nga çdo kontakt i lirë me botën. Ky izolim solli pasoja të thella: stagnim ekonomik, shkelje masive të të drejtave të njeriut dhe mbyllje të çdo perspektive zhvillimi.

Por me shembjen e sistemit komunist në fillim të viteve ’90, Shqipëria nisi një rrugëtim të ri. Tranzicioni nuk ishte i lehtë – shoqëria u përball me kriza të thella ekonomike, politike dhe sociale. Megjithatë, përmes reformave graduale dhe mbështetjes së fuqishme ndërkombëtare, vendi arriti të bëjë hapa të rëndësishëm:

-Anëtarësimi në Këshillin e Evropës (1995);

-Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në (2006);

-Anëtarësimi në NATO (2009);

-Marrja e statusit kandidat për BE (2014);

-Hapja e negociatave të anëtarësimit në BE (2022).

Sot, Shqipëria po negocion kapitujt e fundit për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, duke dëshmuar se nga izolimi më i thellë mund të ngrihesh në standardet më të larta ndërkombëtare.

2. Kosova – shtet i ri në kërkim të konsolidimit ndërkombëtar

Kosova, e cila shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, është shteti më i ri në Evropë. Ndryshe nga Shqipëria, ajo nuk trashëgoi një shtet të konsoliduar, por doli nga një luftë çlirimtare dhe një administrim ndërkombëtar nën UNMIK-un. Ky fakt e bën procesin e ndërtimit të shtetit të saj edhe më sfidues.

Kosova ka arritur shumë në 17 vitet e saj të pavarësisë: ka ndërtuar institucione demokratike, ka fituar njohje nga mbi 100 shtete, është anëtarësuar në organizata të rëndësishme si FMN, Banka Botërore, BERZH, ka fituar liberalizimin e vizave me BE (2024) dhe është përfshirë në partneritete strategjike me SHBA, NATO dhe BE.

Megjithatë, Kosova përballet ende me sfida të mëdha: mungesa e njohjes universale, mosanëtarësimi në OKB dhe organizata kyçe ndërkombëtare, sfidat e sundimit të ligjit dhe nevoja për reforma të thella ekonomike. Pikërisht këtu qëndron rëndësia e modelit të Shqipërisë.

3. Shqipëria si model për Kosovën

Rrugëtimi i Shqipërisë drejt integrimeve është një shembull që Kosova duhet ta shohë si udhërrëfyes:

-Reformat institucionale dhe sundimi i ligjit – Shqipëria, përmes reformës në drejtësi, ka treguar se pa një sistem gjyqësor të pavarur, rruga drejt BE-së është e pamundur. Kosova duhet të zbatojë një reformë të ngjashme për të fituar besimin ndërkombëtar.

-Orientimi euroatlantik – Shqipëria është bërë pjesë e NATO-s, duke garantuar sigurinë e saj kombëtare dhe duke forcuar pozitën ndërkombëtare. Kosova, edhe pse ende jashtë NATO-s, duhet të synojë me prioritet këtë integrim, duke shfrytëzuar përkrahjen e Shqipërisë dhe partnerëve strategjikë.

-Diplomacia aktive – Shqipëria ka përdorur çdo mekanizëm diplomatik për të përshpejtuar procesin e integrimit. Kosova shpeshherë ka treguar diplomaci pasive ose të vonuar. Një diplomaci e përbashkët Kosovë–Shqipëri do të kishte fuqi më të madhe lobuese.

4. Shembuj historikë dhe aktualë të bashkëpunimit Kosovë–Shqipëri

Historia e shqiptarëve ka treguar se vetëm në momentet e bashkimit, kombi ynë ka arritur suksese të mëdha:

-Konferenca e Londrës (1913) na ndau territorin kombëtar për mungesë uniteti dhe fuqie ndërkombëtare;

-Çlirimi i Kosovës (1999) u bë i mundur vetëm falë bashkimit të shqiptarëve dhe mbështetjes ndërkombëtare;

-Pavarësia e Kosovës (2008) u përshëndet e përkra nga Shqipëria si shteti i parë që e njohu.

Sot, kur Shqipëria po hyn në BE dhe Kosova po kërkon të bëhet pjesë e saj, është momenti historik që të dy shtetet të veprojnë në mënyrë të koordinuar, duke ndërtuar një strategji të përbashkët integrimi.

5. Perspektiva e përbashkët shqiptare në Evropë

Nëse Kosova ndjek rrugën e Shqipërisë dhe e përdor atë si model, atëherë procesi i saj i integrimit ndërkombëtar do të jetë më i shpejtë dhe më i sigurt. Shqipëria mund të shërbejë si avokat i fuqishëm i Kosovës në Bruksel, NATO dhe OKB, ndërsa Kosova mund të kontribuojë në forcimin e pozitës së përbashkët shqiptare në Ballkan.

Kombin shqiptar nuk e ndan më izolimi dhe kufijtë e imponuar, por e bashkon vizioni i përbashkët: të bëhet pjesë integrale e rendit të ri botëror euroatlantik.

Rruga e Shqipërisë nga izolimi totalitar në dyert e Bashkimit Evropian është një histori suksesi që duhet të shërbejë si model për Kosovën. Integrimi nuk është vetëm një proces teknik, por mbi të gjitha një projekt kombëtar dhe historik. Vetëm përmes unitetit, reformave dhe diplomacisë aktive, Shqipëria dhe Kosova do të sigurojnë vendin që u takon – në familjen e kombeve të barabarta të Evropës së Bashkuar.

Filed Under: Mergata

HOMOGJENIZIMI POLITIK MAQEDONAS, RREZIK PËR SHTETNDËRTIMIN E SHQIPTARËVE NË MAQEDONINË E VERIUT

September 29, 2025 by s p

Në këtë udhëkryq historik, Maqedonia e Veriut mund të zgjedhë rrugën e frikës dhe kërcënimit, duke e lënë shoqërinë peng të manipulimeve dhe shqiptarët të reduktohen në spektatorë të historisë. Ose mund të zgjedhë vizionin e reformës dhe integrimit, duke rivendosur barazinë etnike, forcën e institucioneve dhe rolin e shqiptarëve si garantues të stabilitetit dhe partner strategjik.

Nga Prof.dr Skender ASANI

Në Maqedoninë e Veriut, historia politike është gjithmonë një betejë midis shpresës dhe frikës, midis vizionit dhe manipulimit. Dështimet e qeverive të mëparshme, përfshirë përpjekjet e Zoran Zaevit për reformë dhe integrim, krijuan terren për ringjalljen e nacionalizmit dhe për fuzionimin e frymave që historikisht dukeshin të kundërta. “Fryma zaeviste” shpresa për kompromis, reforma dhe integrim euroatlantik u shkrinë me frymën nacionaliste të Mickoskit, duke u përdorur nga oligarkia dhe legjitimuar nga influenca e botës serbe për të dobësuar rolin e shqiptarëve si faktor shtetformues. Për pasojë, homogjenizimi politik maqedonas dhe “koketimi me botën serbe”, paraqet një ndërthurje të çuditshme politike, me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin ndëretnik dhe rreziku që paraqet ky homogjenizim për të gjithë hapësirën shqiptare, si dhe nevoja urgjente për një vizion të ri shtetëror, diplomatik dhe politik që nuk lejon kthimin pas të historisë.

Historia e tranzicionit politik ka treguar se elitat përdorin me mjeshtëri retorikën e kërcënimit për të ruajtur pushtetin dhe për të manipuluar opinionin publik.

Kulmi i kësaj logjike u pa me projektin “Shkupi 2014” të Gruevskit, ku një identitet historik mitizuar shërbeu për të mobilizuar frikën dhe për të legjitimuar autoritetin. Me ardhjen e Zaevit, u krijua një shpresë për ndryshim: pajtim etnik, orientim euroatlantik dhe një narrativë politike e bazuar mbi integrimin, jo mbi frikën. Megjithatë, kjo shpresë u shua nga skandalet e korrupsionit, kriza e drejtësisë dhe mungesa e reformave konkrete, duke hapur rrugën për rikthimin e nacionalizmit si bosht politik. Pikërisht në këtë hapësirë, Mickoski ndërtoi profilin e tij, duke e bërë kërcënimin shtyllën e diskursit shtetëror.

Pas dështimit të Zaevit, “fryma zaeviste” u shkrinë me frymën e Mickoskit, duke krijuar një projekt të ri politik: rishkrimin e ekuilibrave dhe delegjitimimin e lidershipit të shqiptarëve, përfshirë partinë e dalë nga fryma e Marrëveshjes së Ohrit. Ky fuzionim, i sponzorizuar nga oligarkia dhe legjitimuar nga bota serbe, synon të rikthejë kontrollin mbi strukturat shtetërore, të dobësojë shqiptarët si faktor shtetformues dhe të përdorë tensionet etnike si instrument për stabilizimin e status quo-së. Pasojat për shoqërinë janë të dukshme: përfaqësimi politik shqiptar fragmentohet, barazia ndëretnike minimizohet dhe stabiliteti social rrezikohet, duke shndërruar shoqërinë në një arenë ku frika dhe polarizimi bëhen norma.

Ky projekt i mirë menduar i koalicionit Zaev – Mickoski gjeti partitë shqiptare në Maqedoni të papërgatitura, duke rezultuar në deatomizimin e subjektit politik shqiptar. Ky proces solli humbjen e pozicioneve strategjike dhe degradimin kushtetues e shtetformues të rolit të shqiptarëve në vend. Ky zhvillim nuk është i rastësishëm; periudha historike aktuale krijoi një rreth të pafavorshëm për shqiptarët, i cili mund të mbetet i tillë deri në ndryshime dhe konfiguracione ndërkombëtare. Vetëm një unitet i fortë i subjekteve politike shqiptare mund ta ndalojë këtë rrjedhë, duke shmangur pasoja të paparashikueshme për pozitën kushtetuese të popullit shqiptar në Maqedoni, duke ruajtur kontributin e jashtëzakonshëm të tyre në mbrojtjen dhe integrimin e shtetit.

Marrëveshja e Ohrit dhe legjitimiteti i lidershipit shqiptar janë vënë në shënjestër. Shqiptarët refuzuan karremin e Zaevit e Mickoskit, të orkestruar nga padronët e botës serbe, të cilët llogaritën se duke degraduar pozitën kushtetuese të shqiptarëve do t’i shtynin drejt veprimeve ekstreme. Ky ishte skenari klasik serb: të prodhohet një “rrezik shqiptar” përmes provokimeve të qëllimshme, të ndezin tensione në Kosovë e Luginë, t’i lidhnin ato me “hartën e gjelbër” dhe kështu të përplasnin shqiptarët me Amerikën dhe Evropën. Pasoja do të ishte rikthimi i Serbisë në rolin hegjemonist dhe paraqitja e saj si “garant stabiliteti” në Ballkan. Por ky plan dështoi, sepse shqiptarët nuk ranë në kurthin e destabilizimit artificial. Përkundrazi, ata ekspozuan fytyrën e vërtetë të një strategjie të rrezikshme që, në vend se të forcojë paqen, minon integrimin euroatlantik dhe kthen rajonin drejt logjikës së krizave permanente.

Nga perspektiva ndërkombëtare, kjo sjellje e vështirëson marrëdhënien me partnerët strategjikë dhe paraqet një sfidë për stabilitetin rajonal. Dobësimi i shqiptarëve nuk është fenomen brenda Maqedonisë, por kërcënon të destabilizojë gjithë hapësirën shqiptare dhe të minojë projektin e përbashkët të paqes dhe integrimit euroatlantik.

Në këtë udhëkryq historik, Maqedonia e Veriut mund të zgjedhë rrugën e frikës dhe kërcënimit, duke e lënë shoqërinë peng të manipulimeve dhe shqiptarët të reduktohen në spektatorë të historisë. Ose mund të zgjedhë vizionin e reformës dhe integrimit, duke rivendosur barazinë etnike, forcën e institucioneve dhe rolin e shqiptarëve si garantues të stabilitetit dhe partner strategjik. Ky është momenti historik për lidershipin shqiptar dhe shoqërinë që të mbrojnë Marrëveshjen e Ohrit, të sfidojnë nacionalizmin e vjetër dhe të tregojnë se e ardhmja e Ballkanit mund të ndërtohet mbi drejtësi, bashkëpunim dhe shpresë. Historia nuk pret dhe ata që zgjedhin frikën mbi vizionin do të humbasin në hijen e së kaluarës.

Filed Under: Rajon

70 vjetori i Shqipërisë në OKB – Moment Krenarie dhe Reflektimi

September 29, 2025 by s p

Rafaela Prifti

Foto Dritan Haxhia/

Pritja e dhënë nga Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj me rastin e vitit jubilar të 70 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (14 Dhjetor 1955) organizuar nga Misioni dhe Konsullata shqiptare në Nju Jork u mbajt mbrëmë në mjediset e Empire Steak House.

Pas fjalës së Presidentit Begaj në sesionin e 80 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ditën e mërkurë, vizitave të nivelit të lartë, takimeve protokollare dhe pjesëmarrjes në përurime të komunitetit, mbrëmja ishte një mundësi tjetër bashkëbisedimi me bashkatdhetarët, me drejtues të shoqatave shqiptare-amerikane dhe bizneseve, profesionistë të fushave të ndryshme dhe personalitete të artit dhe kulturës e aktivistë të tjerë. Në pritjen e mbrëmshme merrte pjesë Sekretari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, Dr. Pashko Camaj.

Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Shtetit e vlerësoi domethënien e vitit jubilar të anëtarësimit në OKB si fryt i drejtpërdrejtë i kontributit historik të diasporës shqiptare në Amerikë. “Së bashku me delegacionin që përfaqësoi Shqipërinë në OKB, me Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ambasadoren Suela Janina dhe stafet respektive, ne kemi kënaqësinë, gëzimin, emocionet dhe krenarinë që jemi bashkë në këtë sallë. Për kaq shumë sa jemi mbledhur këtu, është dëshmi e vitalitetit dhe fuqisë së diasporës sonë në Amerikë. Për mua, mbrëmja e sotme është një festë e shpirtit shqiptar,” tha Presidenti Begaj.

Takime të tilla me bashkësinë, Presidenti i Shqipërisë i quajti me shumë rëndësi për forcimin e marrëdhënieve me vendin amë duke nënvizuar “bashkimin si shprehje e qëndrueshmërisë së komunitetit shqiptar dhe marrëdhënieve të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara. Presidenti Begaj inkurajoi shqiptaro-amerikanët të jenë aktiv në platformën e Samitit të Diasporës si një mundësi të hapur për të sjellë aty ekspertizën e tyre.

“Viti jubilar është moment krenarie dhe reflektimi për shqiptarët, rrugëtimi ynë në organizatën botërore nuk do ishte i mundur pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” tha ai.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali, në fjalën e saj, rikonfirmoi lidhjen e fortë të dy vendeve qysh në fillimet e emigrimit shqiptar në Amerikë, e përforcuar në momente kyçe të historisë sonë, ndërsa tani, tha ajo, “e konsoliduar edhe në programin dygjuhësh, në përurimin e të cilit ishim ftuar së bashku me delegacionin shqiptar, këtë javë, në Bronks.” Ministrja Spiropali e quajti gjuhën shqipe shprehjen më të qenësishme të identitetit kombëtar duke u angazhuar për koordinimin nga ana e shtetit amë të teksteve shkollore dhe lëndëve mësimore përkatëse.

Filed Under: Politike

KRYEMINISTRI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS Z.ALBIN KURTI VIZITOI FEDERATËN VATRA

September 29, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 28 shtator 2025 – Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Albin Kurti i shoqëruar nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj.Liza Gashi dhe Dr. Blerim Reka Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York zhvilluan një vizitë zyrtare në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ata u pritën nga kryetari Dr. Elmi Berisha, sekretari Dr. Pashko Camaj, arkëtari z.Besim Malota, vatranë e dhjetëra drejtues e anëtarë të shoqatave e organizatave patriotike që veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një takim mbresëlënës, atdhetar e shumë shpirtëror mbi çështje kryesore që shqetësojnë shqiptarët në Kosovë, shqiptarët në Ballkan, shqiptarët në diasporë e veçanërisht sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës. Në fjalën e mirëseardhjes kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha theksoi rolin gjithnjë e në rritje të Federatës Vatra në rritjen e bashkëpunim me Uashingtonin zyrtar e Departamentin e Shtetit Amerikan, Shtëpinë e Bardhë dhe institucionet amerikane.

Gjatë fjalës së tij Dr. Berisha ekspozoi bashkëpunimin e shkëlqyer me Parlamentin dhe institucionet e tjera të shtetit të Kosovës, përpjekjet për bashkëpunim me Tiranën zyrtare dhe ndjekjen e çështjes shqiptare te bashkombasit tanë në Mal të Zi, Luginë, Çamëri dhe Maqedoninë e Veriut, problematikat e tyre tashmë të deklaruara në Uashingtonin zyrtar, tha ndër të tjera Dr. Berisha. Kryetari i Vatrës përgëzoi kryeministrin Kurti për drejtimin me dinjitet, forcë dhe fuqinë më të cilën po udhëheq Kosovën. Dr. Berisha në fund të fjalës së tij i kërkoi haptazi në emër të Vatrës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan kryeministrit Kurti që të ulë në tryezë partitë politike dhe faktorin politik në Kosovë për të tejkaluar ngërçin politik dhe institucional, ku Vatra është e gatshme tha Dr. Berisha të japë kontributin e saj. “Nuk duhet të humbim kohë z.Kryeministër. Kosova nuk ka kohë për të humbur” përfundoi fjalën e tij kryetari i Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha.

Në fjalën e tij kryeministri i Republikës së Kosovës z.Albin Kurti falenderoi Vatrën e komunitetin shqiptar për takimin e përzëmërt e pritjen mbresëlënëse. Ai theksoi se Vatra ishte ajo që e shpëtoi Shqipërinë falë ndikimit që Noli e Konica kishin te Presidenti Willson. Noli e Konica ishin korifejtë e çështjes sonë kombëtare dhe na kanë mësuar se kurrë nuk është mjaft për të punuar për kombin tënd dhe nuk duhet të kursehesh as nga vullneti, koha, dija dhe aftësitë. Pavarësia, liria, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial, janë tregues të rritjes ekonomike, demokracisë, zhvillimit e mirëqenies. Jemi shembull i madh i ndërhyrjes ushtarake humanitare amerikane dhe të NATO për të ndalë gjenocidin e Serbisë dhe së dyti jemi shembull i madh ku zhvillimi e progresi në njërën anë dhe demokracia e liritë në anën tjetër shkojnë së bashku në shtetin e Kosovës, tha z.Kurti.

Kryeministri Albin Kurti përgjatë bashkëbisedimit dhe pyetjeve direkt nga Efi Qeleshi, Dr. Skender Murtezani, Nuredin Seci, Gjon Ivezaj etj, preku çështje të bashkimit kombëtar, sundimit të ligjit në Kosovë, luftës kundër krimit të organizuar, bandave serbe në veri të Kosovës, investimeve në infrastrukturë dhe energji, transformimin e stadiumeve e terreneve sportive, modernizimin e pikave doganore që lidhin Kosovën me Shqipërinë, bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, situatën politike në Kosovë, kalimin e ngërçit institucional në Kosovë, investimet në sigurinë e Kosovës për të blerë dronë e prodhuar municion, raportin politik me fqinjët dhe aleatët evropianë e amerikanë ku i vetmi ndryshim tha Kurti është qasja ndaj regjimit gjenocidal të Serbisë. “Serbia është problem për Ballkanin. Serbia një Bjellorusi” tha ndër të tjera kryeministri Kurti. Ai deklaroi se sapo Gjykata Kushtetuese e Kosovës të japë verdiktin e saj, ai do të jetë i vullnetshëm për tu ulur me partitë e tjera politike në Kosovë për të tejkaluar situatën e krizës institucionale.

Foto: Dritan Haxhia

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 310
  • 311
  • 312
  • 313
  • 314
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT