• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Histori e shkruar me gjak”

September 24, 2025 by s p

Violeta Mirakaj/

Jam krenare për prejadhjen time dhe kurrë nuk i harroj njerëzit me të cilët u rritabisedë me autoren e librit “Histori e përgjakur” Hamite Çelaj- Mulosmani. Një ditë mbasdite e vonë marr një ftesë nga mikja ime Rita. Kënaqësia ishte dhe më e madhe kur takoj nënën e saj Hamite Çelaj- Mulosmani ardhur për disa javë nga Parisi për vizitë këtu në NY. Biseda nisi shtruar me prezantimin, ku mbiemri im Mirakaj I ngacmoi kujtimet e saj të rinisë, e bëri të futet në rrjedhën e viteve pas Luftës së Dytë Botërore. Në fytyrë i lexohej shpirti një letër e shkruar, pasqyronte memorjen me ngjarjet pezmatuese, plot plagë dhe dhimbje si dhe për shumë familje të mëdha si ajo e Mulosmani, Dine, Pervizi, Ndrejaj, Bami, Mirakaj, Spahiu etj, histori tragjike të disa familjeve të njohura, kryesisht të Veriut, por edhe të Shqipërisë së mesme e ata të Jugut. Plaga e lënduar herë pas here, nuk shërohet kollaj.

Prezantimi i saj ishte shumë mbresëlënës. Pamja fisnike pavarësisht nga vitet në supe tregonte për një fuqi magjike shpirtërore të saj, magji që plotësohej nga rrëfimi plot ngjyra dhimbjeje për veten, familjen dhe bashkëvuajtësit e tjerë. Ky rrëfim që ngjan me një kalendar historik, ngre përsëri zërin kundër harresës për këtë periudhë shumë vjeçare ku me dhjetëra familje me qindra njerëz të përjetojnë një kalvar vështirësie plot privime jetësore. Sadopak kërkon të rikthejë në qendër të vëmendjes, figurat e realizuara të dalë nga kjo histori si pjesë e kalendarit historik të Shqipërisë të shërbejë si një reflektim i thellë për moralin e shoqërisë sonë në trashëgimin që duhet ruajtur nga brezat e ardhshëm. Shqipëria e vogël e 23 burgjeve dhe të 48 kampeve përqëndrimi, është historia e hidhur e ish të përndjekurve politik në rrëfime dhe statistika.

Në grupin e madh mbi 30- mijë të internuar është dhe famija Mulosmani. Biseda e ngrohtë me Zonjën Hamite përfundoi duke më dhuruar librin e saj, krijimtari poetike “Histori e përgjakur” botuar disa vite me parë. Këtë libër autorja ia kushton si shprehet “Derës së Madhe të Binak Alisë së Malësisë së Gjakovës; babës tim martir majorit mbretnor, Zenun Ali Mulosmamit në Tropojë dhe vllaut tim të ndjerë Hamit Zenun Mulosmanit në Amerikë; bashkëshortit tim të ndjerë Haxhë Çelaj në Vuthaj të Plavë-Gucisë dhe familjes time bashkëudhëtare për gjysmë shekulli në persekutimet politike, vuajtjet, sakrificat e qëndresat në internime e kampe të përqëndrimit te diktaturës komuniste; në rrugëtimet tona në vitet e Demokracisë së sotme e në mërgime nëpër botë”.

Pavarësisht gjithçkaje që mund të themi apo të shkruajmë, në zemër mbeten plot gjëra të tjera që janë më të mëdha se aftësia jonë për t’i shprehur. Kujtimet e Zonjës të shprehura poetikisht nuk janë thjesht kujtime peronale, por një testament i gjallë i një brezi të tërë që u sakrifikua për të mos u nënshtruar. Ato janë britmat e njerëzve që u përballën me ferrin e diktaturës.Janë këto dëshmitë një thirrje për ndërgjegjen tonë kombëtare:- Të mos harrojmë kurrë dhe të mos lejojmë që e vërteta të mbulohet nga heshtja.

Libri “Histori e shkruar me gjak” duke iu referuar parathënies të shkruar nga studiusi, publicisti Dëfrim Cani “- sillet më së shumti në kujtimet, përjetimet, dhimbjet, pengjet, humbjet, përndjekjet dhe dramat e thella që Hamite Çelaj Mulosmani dhe familja e saj përjetuan në hapësirën e errët të Shqipërisë social komuniste. Këto 87 krijime të shkurtëra dhe të gjata, shkruar në një stil të thjesht tregues dhe rrëfyes, me një frymë të thellë emocionale, shkruar në vargje, që herë-herë ngjajnë me vargun tradicional të poezisë apo këngës popullore, në fund të fundit tregojnë ç’ka ndodhur në jetën e saj, të afërmëve të saj, tregime të cilat janë thellë, të sjellë në një formë vargore, si shprehje e emocionalitetit, dhimbjes, përjetimit, sentimentalizmit prej femre dhe nëne, motre dhe gruaje…”. Libri hapet me poezinë “Familjes së Binak Alisë” si një prelud i historisë së jetës së poetes.

Rrugë e gjatë nëpër terr,/jeta jon’ asht’ ba ferr,/ jeta jon’- një ferr i zi…/nji gjys shekulli n’tan Shqipni. /Lindt Dielli, për Ne s’nxehtë, /delte Hana e s’na shndriste, /frynte era e s’na flladiste. /Çilnin lulet në pranverë,/ s’jepnin shije, s’jepshin erë,/ zia i ra popullit t’mjerë… Kjo mënyrë të shprehuri duket si një refleks i brendshëm dhe tradicional i trevës nga vjen Znj. Hamite Çelaj Mulosmani, një trevë me një kujtesë historike të njohur, madje të lidhur shumë me hapësirën ku ende gjallon të kënduarit në formën më tradicionale të mundshme të këngës kreshnike, në të cilat shquajnë personazhet mitikë, më vonë historikë që sjellin në vëmendje pushtuesin osman, periudhat e vështira me një trashëgimi të madhe luftëtarësh, luftrash, burrash të shquar me karakteristika të njohura atdhetarësh, luftëtarësh, burrash konaku, ndër të cilët shquan dhe burri i mençur dhe i famshëm i gjithë Malësisë së Gjakovës, Binak Alia.

Fakte dhe ngjarje që të dhëmbin- “Pa varre” shprehet rrëfyesja “ Që i vranë e vdiqnë, na thanë/ Po kurrë varret nuk ua pamë./ Ca i vran, ca n’burg kan’ vdek’/ Po kurr’ varret s’ua kem gjet…! Libri është shkruar mbi një grumbull të madh ngjarjesh të familjes së saj dhe të kujtesës së saj si pjesëtare e kësaj familje. Raporti i familjes së Znj. Hamite, ndërkohë është dhe raporti i shqiptarëve po me kohën në të cilën është evindentuar ajo që shkruhet në këtë libër. Rrugëtimi familjar i poetes- “Që kur isha e vogël fmi,/ S’u thanë kurr’ kta lotët e mi,/ Do t’shënohet në histori./ Dyzet e nand’, ky “Vit i Zi”,/ M’ikën

prindt’n’ Jugosllavi,/ Bashkë me dy vllaznit e mi,/ na lan’ vetëm katër

fmi,/…….Se jeta e tyne ish n’rrezik/Ja u kishin vu emnin “armik”…..Apo…”N’internim, ne na kanë çue,/ kshtu as dreqi s’kish nij,/ me u internue gra e fmi, Ish kan’ shkrue, kështu me shkrue.? E

me fatin me u pajtue,/ N’kamp me u rrit, me u martue….” Jeta e saj është një kalvar i dhimbshëm dhe i dhunshëm, ku përveç viktimizimit të qindra familjeve nga gjithë Shqipëria, mekanizmi i shkatërrimit të tyrei planifikuar me qëllim shpërbërjen e strukturave të tyre familjare.

Ajo shkruan në rrëfimin e titulluar “Jeta ime” – .” Vuajtje pa mbarim kem kalue,/ Por s’am trishtue, as ligshtue/Jetën me gjoks e kam përballue/Kryet me e ul, kurr’s’kam pranue/ Vegël e t’ligut, s’jam shndrrue”. Shprehet se duhet të përballonin për të siguruar mbijetesën nga njëra anë, por për të ruajtur mbijetesën e një dere që kishte që herët në Tropojë dhe ne Shqipëri. Rrëfimi i saj për motrën e madhe të saj Feride,…. “Në kushte shumë të mjerueshme, më 31 dhjetor 1945, kur gjithë Berati festonte në ahenge Natën e Vitit të Ri, Ferideja, në moshën 15-vjeçare, në kushte të mjerueshme, e sëmurë nga të ftohtit, pa ngrohje, nën terrin e natës, në prehrin e nënës, nën kthetrat e tmerrshme të urisë, duke kërkuar bukë ndërroi jetë”…dhe mjerimet vazhdojnë… Historia e familjes së madhe Mulosmani rrëfehet si libri për historitë e mbijetesës, që ngjan me një rapsodi të gjatë, që ngjan si poezi, si ditar, si dhembje e shkruar, si krenari, si kujtesë, si tregim i shkruar nga Hamite Çelaj Mulosmani.

Filed Under: Analiza

ASPEKTE TË REZISTENCËS ANTIKOMUNISTE NË SHQIPËRI NË VITET ‘50 NËN PRIZMIN E DOKUMENTEVE TË CIA-S

September 24, 2025 by s p

Enver Sulaj/

Mbetja e Shqipërisë nën kampin e kuq, pas LDB-së, me gjithë përpjekjen e forcave nacionaliste për një Shqipëri me perëndimin, përbën një zhvillim dramatik për kombin tonë, pasojat e të cilit vërehen edhe sot. Poashtu mbetja e Kosovës dhe viseve tjera etnike nën Jugosllavinë përbën plagën tjetër kombëtare, që për nacionalistët shqiptarë ishte kambanë alarmi për të bërë të pamundurën që një ditë të dilet nga këto kthetra. 

Menjëherë pas luftës, Enver Hoxha, përveç eliminimit të kundërshtarëve  politikë, u vërsul gjithashtu edhe mbi klerin, mbi intelektualët me dije perëndimore dhe mbi gjithçka që e ruante si të shenjtë identitetin shqiptar. Përpjekjet për ta rrëzuar nga pushteti qenë të vazhdueshme, por ai dilte çdoherë fitues-ishte një hap para të tjerëve. Dhe, kjo, tashmë është e qartë sepse në Shqipëri po luanin lojën e tyre edhe shërbimet inteligjente dhe faturën e këtyre lojrave tashmë dihet se e kemi paguar shtrenjtë ne shqiptarët.

Jo vetëm një e zezë për shqiptarët, por orientimi i Shqipërisë, herë kah Kina e herë kah Bashkimi Sovjetik, e bënin atë një vend të rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin e Evropës dhe për interesat amerikane në këtë pjesë të botës. Shqipëria e vogël qe bërë një e keqe e madhe, që eksperimentonte jo vetëm me veten, por e kërcënonte sigurinë e një rajoni më të gjerë, sepse nga portet shqiptare kontrollohej mbarë Mesdheu. 

Nuk ka më opozitë politike në Shqipëri, thuhet një raport të CIA-s nga Shqipëria. Pushteti komunist po shtrihej me egërsinë e tij në çdo pore të jetës. Kufiri ishte shndërruar në një kufi vdekjeje. Gjithnjë sipas raporteve të shërbimit sekret amerikan, kufiri ishte bërë zonë e ndaluar-që përfshinte një territor prej 1500 metrash largësi. “Ashtu si në jug të Shqipërisë, edhe përgjatë kufirit verior ekziston një zonë e ndaluar, me një thellësi prej afërsisht 1,500 metrash” (CIA, 29 maj 1952).

Edhe kjo Shqipëri komuniste e si mos më keq, u pengonte fqinjve tanë nga veriu e jugu. Orekset për ta zhbërë vijuan edhe pas LDB-së. Në njërën anë Greqia, me gjendjen e luftës së shpallur, e në tjetrën Jugosllavia e Titos, e cila përpiqej që të shfrytëzonte çdo moment, njëherë për ta destabilizuar e pastaj, mundësisht, edhe për të ndërhyrë ushtarakisht në Shqipëri e për të krijuar një republikë të re jugosllave.

Shqetësimin për zhvillimet në Shqipëri e kanë shoqëruar gjatë tërë atyre viteve qeverinë amerikane, e cila përmes burimeve të saj të inteligjencës ndiqte çdo hap në zhvillimet në vend, qoftë lëvizjet në fushën ekonomike, por edhe lëvizjen e trupave ushtarake, në zonat ku pritej të kishte përpjekje për lëvizje antikomuniste. Nga perspektiva e dokumenteve të CIA-s, mund të shihet se shqiptarët, jo vetëm që kanë qenë të vetëmashtruar, por shpesh edhe pre e bashkëpunimit ideologjik, qoftë me jugosllavët e sovjetikët përmes shkëmbimit të informacioneve sekrete, por edhe lojrave të këtyre shërbimeve, që tashmë janë të njohura botërisht. 

Forcat nacionaliste shqiptare nuk kishin asnjë dilemë se fundi i së keqes në Shqipëri ishte ngadhënimi mbi ideologjinë komuniste. Në një raport të shërbimit sekret ameriakn, CIA, të publikuar më 15 shtator 1949, ku pasqyrohen pikëpamjet e Bllokut Kombëtar Independent, thuhet: “BKI (Balli Kombëtar Independent-vër. E.S.) ka si bazë të programit të saj politik dy synime themelore: Të përdorë të gjitha mjetet për ta çliruar Shqipërinë nga zgjedha sovjetike dhe të kërkojë çdo mundësi për t’ia mundësuar popullit shqiptar të fitojë lirinë e nevojshme për të vendosur lirisht të ardhmen e saj“. 

“Komunizmi në Shqipëri ka më shumë natyrë racore sesa shoqërore, pra shërben si kamuflazh për imperializmin pansllav sovjetik. Rreziku vdekjeprurës i presionit pansllav mbi kombin e vogël shqiptar, qoftë në formën e carizmit apo të bolshevizmit, mbetet gjithmonë i njëjtë. Partia Komuniste Shqiptare u krijua dhe u organizua nga dy agjentë sllavë të quajtur Dushan dhe Miladin, të cilët synonin vetëm të përgatisnin terrenin për infiltrimin rus.”

Fshatari shqiptar ishte shkatërruar. Atij i ishte marrë gjithçka, edhe ajo trohë toke që e kishte, duke e përballur për herë të parë në historinë e tij me kequshyeshmërinë, sa më të drejtë Ismail Kadare bëntë thirrje në ditën e fundit të regjimit, që fshatarit t´i kthehej fondi blegtoral e të përmirësohej raca shqiptare, e cila përmes kequshqyerjes kishte pësuar si më së keq. Deri këtu kishte shkruar çështja, ndërkohë qeveria shqiptare e Enver Hoxhës, duke ndjekur modelin rus të kolzolave, po bënëtë eksperimenete të tilla duke bërë kolektivizimin e tokave e duke e lënë fshtarin pa një copë tokë, nga e cila ai nuk kishte hequr dorë kurrë.

Të ndodhur në zonën e nxehër kufitare, veriu i Shqipërisë qe bërë arenë përplasjesh të shpeshta në mes shërbimeve, por që popullata e pagoi shtrenjtë-duke qenë të detyruar të largoheshin, qoftë për shkak të bindjeve ideologjike, por edhe të propagandës jugosllave që bëhej në këto zona. “Ekziston dëshmi e pakënaqësisë së përhapur midis popullit shqiptar, shumica dërrmuese e të cilit është kundër regjimit aktual komunist të Enver Hoxhës. Regjimi qëndron në pushtet vetëm nëpërmjet terrorit politik dhe kontrollit të rreptë mbi të gjitha mjetet e jetesës. Policia sekrete, e kontrolluar nga Ministri i Brendshëm, Gjeneral Lejtnant Mehmet Shehu, ka zhvilluar një rrjet të gjerë spiunësh vendorë që mbajnë nën vëzhgim të afërt popullsinë. Përveç kësaj, Ministria e Brendshme ka njësi speciale ndjekjeje që operojnë kryesisht në zonat malore, ku ndjekin grupet e izoluara të rezistencës aktive dhe përhapin terror tek fshatarësia.” “Mjete të tjera të përdorura nga regjimi për të shtypur popullin janë: rojet e fshatit, të përbëra nga disa rrufianë besnikë të Partisë Komuniste; agjitatorët nga organizatat e rinisë komuniste; dhe formacionet e ushtrisë së rregullt, e cila aktualisht është numerikisht më e madhe se kurrë më parë në historinë moderne të Shqipërisë.”  Operacionet policore në Shqipërinë veriore po rriten çdo ditë; 800 burra të Armatës Speciale mbërritën në Pukë dhe Iballë në fillim të shkurtit 1950, duke ardhur nga Shkodra dhe Kukësi. Janë bërë shumë arrestime dhe vazhdon sekuestrimi i armëve nga civilët — 55 armë janë konfiskuar nga autoritetet gjatë dy muajve të fundit. Në të njëjtën zonë të përgjithshme, ka një shtim të aktivitetit nga ana e agjentëve të Qeverisë që kanë për detyrë kapjen e çdo agjenti të huaj që mund të veprojë në atë zonë”. (CIA, 13 shkurt 1951).  Për ata që në Shqipërinë e Enver Hoxhës shihnin një forcë ushtarke kombëtare, që në një situatë apo tjetër do t’i gjendej në krahë pjesës tejetër të kombit të ndarë, ja ç’shkruhet në një raport të CIA-s, të datës 25 shtator 1951:” Edhe pse ushtarët e thjeshtë të Ushtrisë Shqiptare duket se e urrejnë regjimin aktual, shumica e oficerëve dhe politikanëve janë anëtarë besnikë të partisë. Mbi ta qëndrojnë Mehmet Shehu, i cili ka kontroll të plotë mbi të gjitha forcat e sigurisë, dhe Enver Hoxha, që është Komandant i Përgjithshëm dhe Ministër i Mbrojtjes Kombëtare. Më lart akoma janë numri i madh i “ekspertëve” sovjetikë të KGB-së dhe ushtarakëve, të cilët sot janë zotëruesit e vërtetë të forcave të armatosura dhe të sigurisë në Shqipëri. Bashkimi Sovjetik kontribuon si drejtpërdrejt ashtu edhe tërthorazi në mbështetjen e regjimit të Hoxhës. Ndihma ekonomike, materialet luftarake dhe ekspertët ushtarakë e teknikë përbëjnë ndihmën e hapur dhe të drejtpërdrejtë sovjetike. Vlerësohet se rreth 1,000 ekspertë ushtarakë dhe civilë sovjetikë mbajnë aktualisht pozita kyçe në polici, ushtri, dhe në administratën civile si dhe krye të udhëheqjes së lartë të byros së partisë” (CIA, 25 shtator 1951). Në dhjetor të vitit 1950 CIA raporton për lëvizje ushtarake brenda Paktit të Varshavës, ku nuk mënjanohej, sigurisht, as Shqipëria. ”Dërgesat ajrore të materialeve luftarake dhe të trupave me parashutë në Shqipëri përmes Budapestit vazhduan gjatë muajit nëntor. Më 15 nëntor u raportua se “Divizioni i 10-të Sovjetik Ajror” është transferuar në Veszprem dhe Papa, prej nga do të niset drejt Shqipërisë” (CIA, 11 dhjetor 1950).

Ndonëse në popull shpesh përflitej për vizita të befasishme të liderëve të lartë në zona të caktuara, këto vizita shpesh janë ndjekur edhe nga shërbimi sekret amerikan, dhe ajo që është më e çuditshmja, bashkë me Ministrin Mehmet Shehu, në makinë e tij ndodhej edhe një rus: “Më 3 shkurt 1950, Gjenerali Mehmet Shehu mbërriti në Pukë, ku vizitoi disa njësi policore të stacionuara aty; pak më vonë, ai u nis drejt Kukësit. Shehu, i cili sapo kishte ardhur nga Shkodra, ishte në një turne të përgjithshëm inspektimi përgjatë kufirit verior të Shqipërisë me Jugosllavinë. Ai shoqërohej nga dy kamionë me ushtarë, dhe në makinën e tij udhëtonin dy persona me rroba civile, njëri prej të cilëve besohej të ishte rus (CIA, 13 shkurt 1951). Ndërkohë, i njëjti raport flet edhe për fluturime mbi qiellin verior: “Aeroplanë të paidentifikuar vazhdojnë të kryejnë fluturime ditën dhe natën mbi Shqipërinë e veriut, pavarësisht kushteve të pafavorshme atmosferike”.

“Operacionet policore në Shqipërinë veriore po rriten çdo ditë; 800 burra të Armatës Speciale mbërritën në Pukë dhe Iballë në fillim të shkurtit 1950, duke ardhur nga Shkodra dhe Kukësi. Janë bërë shumë arrestime dhe vazhdon sekuestrimi i armëve nga civilët — 55 armë janë konfiskuar nga autoritetet gjatë dy muajve të fundit. Në të njëjtën zonë të përgjithshme, ka një shtim të aktivitetit nga ana e agjentëve të Qeverisë që kanë për detyrë kapjen e çdo agjenti të huaj që mund të veprojë në atë zonë” (CIA, 13 shkurt 1951).  Në rrethan të tilla të rënda, jo pak qytetarë detyroheshin të largoheshin nga Shqipëria, qoftë për shkak të mjerimit ekonomik, por edhe për shkak të bindjeve ideologjike. Duke qenë më afër kufirit, presioni ishte i shumëfishtë. 

Kjo që u tha më lart është vetëm një copëz e zhvillimeve në Shqipëri në vitet 50, ku ka ankth, frikë e trishtim, ndërkohë vendi po hynte në epokën e tij më të errët, nga e cila zyrtarisht ka dalur në 90-ën, por gjurmët e mentalitetit komunist dhe pasardhësve të tij ideologjikë vijojnë të frymojnë pa u hyrë një therrë në këmbë, ndonëse mëkatet e bëra ndj popullit të tyre janë të mëdha dhe asnjëherë nuk kanë dhënë përgjegjësi për to. 

Banorët e Lumës dhe viseve tjera në kufirin me Jugosllavinë i kishin të njohura mizoritë sllave që nga Luftërat ballkanike, kur forcat serbe në shenjë hakmarrjeje, kishin masakruar e shkretuar fshatra të tëra. Ndonëse ka kaluar kohë e gjatë, autori i këtij shkrimi akoma i ka të freskëta këto zhvillime, përmes kujtimeve nga gjyshi e babai, por edhe patriotë të tjerë, të cilët kanë rrëfyer mbi ato që opinionit tashmë i janë bërë të ditura edhe përmes burimeve tjera. Por, për hir të së vërtetës historike duhet të rikthehen në memorie këto zhvillime, sepse ua kemi borxh shpirtrave të vuajtur e të masakruar të cilët meritojnë të prehen në qetësi.

PS: Citimet janë hequr nga autori. 

Filed Under: Histori

“PIKANTE”

September 24, 2025 by s p

Nga Ramazan Çeka/

       

Kur humori shkodran ngjitet në majat e artit me Sandër Ruçin

Salla e Teatrit “Migjeni” u ndez sërish nga drita e artit, e mbushur për të pritur spektaklin më të ri të “Mjeshtrit të Madh” të humorit shkodran, Sander Ruçi. Me premierën “Pikante”, aktori i dashur i publikut të mrekullueshëm riktheu jo vetëm të qeshurat, por edhe emocionet, mesazhet dhe atë thumbim të hollë që vetëm arti i vërtetë di t’ia falë shoqërisë. Ky artist i madh i humorit, pas një karriere të shkëlqyer, solli një shfaqje që u cilësua si një nga majat e tij artistike. “Pikante” dëshmoi se Shkodra ka trupë, ka talente dhe mbi të gjitha një publik që e do dhe e ndjen artin. Publiku shkodran, i njohur për shijen e hollë artistike, e mirëpriti me duartrokitje të gjata dhe të ngrohta këtë premierë, ku bashkë me Sandrin ndanë skenën artistë e këngëtarë të njohur, duke e shndërruar këtë mbrëmje në një festë të gjallë të dashurisë për artin.

   Me një monolog të mbushur me ndjeshmëri, Sandri rrëfeu nderin dhe krenarinë që ndien për t’i shërbyer qytetit të tij të artit, në këtë tempull të shenjtë të artit, ku janë ngjitur ndër vite emra të pavdekshëm. “Edhe unë kam vendosur gurin tim të vogël në mozaikun e madh të varietesë shkodrane,” u shpreh ai me përulësi, duke e ndjerë veten pjesë të një panteoni të lavdishëm. Ishte një detyrë, por edhe pasion qytetar ta sjell këtë energji në skenë. “Publiku është motivi ynë më i madh,” u shpreh Sandri pas shfaqjes, me emocion dhe mirënjohje. “Pikante” ishte më shumë se një shfaqje: ishte një gur i çmuar në mozaikun e humorit shkodran. Ishte një udhëtim mes humorit, muzikës dhe reflektimit mbi realitetin e përditshëm. Në krah të kolegëve dhe artistëve të rinj, Ruçi ndërthurte të qeshurën me mesazhin, duke e kthyer spektaklin në një pasqyrë të jetës që shijohej njëkohësisht me buzëqeshje e mendim të thellë.

   Puna disa mujore e Sandrit, si aktor, regjisor dhe organizator, u shpërblye nga reagimi i ngrohtë i publikut. “Dashuria që ndjej prej spektatorëve të mrekullueshëm shkodranë është shpërblimi më i madh,” tha ai, duke theksuar lodhjen, sakrificat dhe mundin e një pune të bërë me përkushtim të plotë, aty ku dikur shteti ishte sponsor dhe sot arti mbijeton nga pasioni individual.

   Në skenë shkëlqyen edhe talente të reja, mes tyre një vajzë 15-vjeçare që ngriti publikun në këmbë me energjinë e saj të papërmbajtshme. Ky emocion u pasua nga figurat më të mëdha dhe më me përvojë, si Bujar Qamili, “Nderi i Kombit”, duke dëshmuar se arti i bashkon brez pas brezi. Ky është arti që vazhdon. Ky është humori që bashkon.

   Në këtë skenë u ngjitën edhe miq e bashkëpunëtorë të çmuar. Regjisori i njohur Zeraudin Dokle, që kishte ardhur enkas nga Bullgaria, e përshkroi Teatrin “Migjeni” si një magnet të fuqishëm që tërheq shpirtin e artistit, ndërsa “Mjeshtrja e Madhe” Dana Xhaj solli emocionin e rikthimit pas një kohe shkëputjeje. “Sandri është kërkues dhe gjithçka e do në perfeksion, por ia vlejti çdo përpjekje,” u shpreh ajo, duke theksuar rëndësinë e kësaj premiere.

   Një tjetër moment kulmor ishte prezantimi i shfaqjes nga moderatorja elegante Uarda Albunesa, e cila përjetoi emocione të veçanta duke u ngjitur sërish në skenën ku dikur kishte debutuar si fëmijë. Po ashtu, interpretimi i ngrohtë i “Mjeshtres së Madhe” Merita Smaja i dha skenës dritë dhe gjallëri të veçantë. Spektakli, i pasuruar me këngë e humor, u regjistrua edhe nga TV1 Channel, duke e bërë pjesë të historisë së gjallë të artdashësve shkodranë. Në fund, ajo që mbetet nuk është vetëm një shfaqje, por një dëshmi e gjallë se arti nuk shuhet kurrë atje ku publiku është i etur për të. Shkodra, me “Pikante”-n e Sandër Ruçit, dëshmoi se mbetet kryeqyteti shpirtëror i humorit dhe artit skenik shqiptar, ndërsa artistët e saj vazhdojnë të mbajnë ndezur flakën e një tradite të pavdekshme.

Filed Under: Reportazh

“Respoetica”

September 24, 2025 by s p

Agim Baçi/

Festivali Ndërkombëtar “Respoetica”, zhvilluar për të dytin vit në Prizren, nën ideimin dhe drejtimin e poetes Vlora ZN. Ademi, solli në ditën e tretë të festivalit, një diskutim për Martin Camajn, zërin poetik që vijon të na marrë përdore drejt njohjes së Njeriut, duke na rrëfyer se kur një zë është origjinal, ai mundet ta gjejë gjithnjë shtegun drejt lexuesit, edhe kur ndaj tij kanë vërshuar lumenjë pengesash, në atë kohë errësire, apo edhe sot që duket se kemi ndezur disa drita për të parë të penguarën, të mohuarën. Fatmirësisht për ne, për bukurinë e gjuhës shqipe, për mrekullinë e imagjinatës, Camaj po njeh çdo ditë e më shumë lexues, duke qenë padyshim zëri që meriton të jetë fytyra e poezisë.

Shënime për përmbledhjen “Vepra poetike”, botuar nga Onufri në vitin 2017.

Camaj, polifoni e zërave njerëzorë!

Poezia e Martin Camajt shket mes akullit dhe zjarrit duke kërkuar që të rrokim dashurinë, dridhjen, trishtimin dhe këngën njëkohësisht. Eshtë zë prej kohës që kurrë s’ndalet e që e merr njeriun përdore duke e shëtitur në viset e admirueshëm të së bukurës dhe mallit.

E gjithë poezia e tij është një udhëtim drejt njeriut dhe vendlindjes. Të gjitha stacionet e tjera të përkohësisë janë thjesht për të mbushur atë tren të duhur, që bart shumëçka për të patur së fundmi një grafikë të gjithë shfaqjes së tij letrare, ku ezkistojnë gjithë ngjyrat e duhura për ta pikturuar fytyrën e njeriut që dëshirojmë të njohim.

Nuk mundesh ta kuptosh Camajn përmes krahasimit, edhe pse thuajse i gjen aty gjithë zërat e mëparshëm të poezisë shqipe apo bashkëkohësve të tij botërorë. Ai është zëri origjinal pa prishur dhe pa mbytur meloditë e mëparshme poetike. Duket si një sfidë me gjithçka, por varg pas vargu kupton se është veç dashuri për gjithçka. Gjuha e tij bart gjithë shpirtin e gegnishtes, të cilën e sjell si një violinë, me telat e gjithë dashurisë së mundshme. Si gurgdhendës Camaj ndërton kullën e tij të fjalëve – një kullë ku shtretërit janë me fjalë zemre dhe mall prej mëmëdheut.

Poeti të lë të kuptosh se e di shumë mirë se cilët emra e fytyra mbeten përherë për ta udhëzuar njeriun, ndaj dhe vjen e vesh kostumin e rojtarit të fjalës, të fytryrës së përhershme të njeriut që ka nevojë për të skalitur gjithçka që deshi. Jo si mungesë. Jo si protestë. Por si dashuri për atë që mundi dhe për atë që deshi ta kishte gjithnjë pranë vetes.

ROJTARI I MUZEUT NACIONAL

Ndër bebza ka gdhendun fytyra

Guri rilindësish

Varg mbi lëpiza si mbas kohe.

Në rrugë i digjen në tru

Fytyrat çdo mbrëmje

Me rrezet e sprapsme

Ndër qelqe dritaresh.

S’dallon as faqen e malit përballë

E ec tue prekë me shkop.

A thue i verbët? (Martin Camaj, “Vepra poetike”, Onufri 2017, f.321)

Martin Camaj noton lirshëm në lumin e mendimit të tij për botën, femrën, tjetrin, mungesën dhe praninë. E fut veten në hullinë e atyre që e rrok njeriun që nga udha më e hershme, e ia hap shtegun edhe për të nesëmren. E ndërkaq, për të kuptuar gruan me gjithë dëshirat dhe ëndrrat e saj, zgjedh Dranen. Më prozat poetike nis të udhëtojë në kohë dhe hapësirë, të ketë ligjet e dheut nga ky mësoi gjuhën e nanës e gjer në udhëtimin për të cilën ka nevojë njeriu – në udhëtimin për t’u njohur me veten dhe botën. Vargjet apo proza poetike e Camajt vjen përmes një ledhatimi fjalësh, a thua se gjithçka e bukur është bërë për gjuhën dhe mendjen e tij.

NJI SHPIRT

Gjithmon’ heshton e veç kur t’pyesin flet.

Bota shqimin kur ndër sy ta ngul

E me i kallxue shpirtin e mshefun pret

Ti ballin ul.

Ballin e ul, jeton n’vedi si vjollca

E mshefun n’çuba, ku njeri s’kalon.

Por prujtunija t’del në gjak ndër mollza

E shpirtin t’zblon:

Nji bot’ t’mbulueme nën nji gjoks, të ri,

Ku andrra bredhin si re t’bardha n’qiell,

Ku vllajt e luleve presin n’vetmi

Me i nxe nji diell. (Martin Camaj, “Vepra poetike”, Onufri 2017, f.625)

Filed Under: LETERSI

Kur diplokracia hesht për kërcënimin e paqes, stabilokracia flijon demokracinë për autokraci

September 24, 2025 by s p

Ambasador Blerim Reka/

Dy vite pas agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, vazhdon heshtja në institucionin kryesor botëror për ruajtjen e paqes.

Çuditërisht, mblidhej urgjentisht për ndalimin e qarkullimit të monedhës së një shteti të huaj në një shtet tjetër, por jo edhe për sulmin e armatosur të një shteti kundër një shteti tjetër.

Aleati i Vuqiqit, kryekrimineli përgjegjës për sulmin e armatosur në Banjskë, shëtit i lirë në Serbi, kurse kreu i këtij shteti, mban ligjërata për “paqen” në organizatën botërore.

Kur diplokracia hesht për kërcënimin e paqes, stabilokracia flijon demokracinë për autokraci.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 318
  • 319
  • 320
  • 321
  • 322
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT