• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Liri për çlirimtarët, jo konfuzion!

August 25, 2025 by s p

Hisen Berisha/

(Lista e zezë e SHBA-së nuk lidhet me Dhomat Speciale të Kosovës në Hagë. Është ICC-ja në shënjestër, jo Dhomat Speciale)

Vendimi i administratës Trump për të futur në “listën e zezë” të sanksioneve amerikane gjyqtarë, prokurorë dhe vet institucionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Këto masa, të nënshkruara përmes një urdhri ekzekutiv, i bllokojnë pasuritë e zyrtarëve të ICC-së në SHBA dhe u ndalojnë atyre hyrjen në territorin amerikan. Kurse interpretimi i këtij vendimi dhe veprimeve juridike të mëhershme të administratës amerikane, nga të gjithë në Kosovë po krijojnë konfuzitet të padrejtë.

Sipas Uashingtonit, arsyetimi qëndron në faktin se ICC po heton krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të pretenduara ndaj shtetasve amerikanë dhe izraelitë, përfshirë hetimet që prekin Kryeministrin e Izraelit dhe zyrtarë të tjerë izraelitë për veprimet në Gaza dhe territoret palestineze.

Por një pyetje që lind edhe në opinionin publik shqiptar është kjo: A janë përfshirë në këtë listë gjyqtarët dhe prokurorët e Dhomave të Specializuara për Kosovën, të themeluara nga Kuvendi i Kosovës dhe që veprojnë në Hagë, apo ky vendim prek vetëm ICC-në?

Përgjigja është e qartë: sanksionet nuk kanë të bëjnë aspak me Dhomat e Specializuara për Kosovën.

Administrata Trump ka targetuar ekskluzivisht Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC), e cila është një institucion ndërkombëtar i krijuar mbi bazën e Statutit të Romës, dhe që ka mandat global për të gjykuar krimet më të rënda ndërkombëtare – krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Ndërsa Dhomat e Specializuara për Kosovën janë një mekanizëm i veçantë, i themeluar me ligj nga Kuvendi i Kosovës dhe i integruar në sistemin juridik të Kosovës.

Ato nuk janë pjesë e ICC-së, por funksionojnë si gjykatë hibride (kosovare me seli në Hagë) dhe merren vetëm me rastet që lidhen me pretendimet për “krime të kryera gjatë dhe pas luftës” së Kosovës.

Për këtë arsye, lista e zezë e SHBA-së nuk përfshin gjyqtarët, prokurorët dhe stafin e Dhomave të Specializuara për Kosovën, por vetëm zyrtarët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC).

Ky dallim është thelbësor për të mos krijuar konfuzion në opinionin publik. Ndërsa, Trump sfidon hapur ICC-në dhe autoritetin e saj mbi shtetasit amerikanë dhe izraelitë, SHBA vazhdon të mbështesë Dhomat e Specializuara për Kosovën si pjesë e kornizës ligjore që “vetë Kosova ka themeluar”.

Koincidenca që disa gjyqtarë dhe prokurorë që kanë operuar ose ende operojnë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë qenë të angazhuar edhe në nisma penalizuese ndaj zyrtarëve amerikanë apo izraelitë, siç është rasti me z. Smith dhe z. Guillou, ka shkaktuar konfuzion në opinionin publik. Megjithatë, duhet bërë e qartë se sanksionimi në listën e zezë nuk lidhet me Dhomat Speciale, por me angazhimin e këtyre individëve në procesin juridik të ICC.

Një tjetër çështje që meriton vëmendje është thirrja për protestë në Hagë më 14 shtator 2025, me moton: “Liri për çlirimtarët!”. Kjo protestë duhet të shihet si pjesë e mobilizimit qytetar mbarëkombëtar për të kërkuar drejtësi të barabartë.

Sugjerimi im për të gjithë bashkëluftëtarët dhe qytetarët, si nga vendi ashtu edhe nga diaspora, është që protestat të organizohen gjithashtu edhe para dy institucioneve kyçe: Këshillit të Evropës dhe Kuvendit të Kosovës. Pse para këtyre institucioneve? Kuvendi i Kosovës është themeluesi i këtyre Dhomave Speciale. Kurse Këshilli i Evropës, sepse me ligjin për Dhomat Speciale, kompetencën për të konstatuar përfundimin e punës së këtyre dhomave e ka vetë Këshilli i Evropës.

Kërkesa kryesore ndaj tyre duhet të jetë e qartë: amendamentimi i ligjit për Dhomat Speciale, në pjesën që ka të bëjë me dëshmitë dhe provat e ofruara nga shërbimi sekret serb, prokuroria serbe dhe ajo ruse, si o ndërtuar baza ligjore e funksionimit të këtyre Dhomave.

Një tjetër hap konkret që duhet ndërmarrë është organizimi i një peticioni që mbështet lirimin e liderëve të UÇK. Meqenëse procesi gjyqësor është tashmë në fazën e ofrimit të dëshmive nga mbrojtja, ky peticion me nënshkrime do të shërbente si një akt solidariteti dhe mbështetjeje të drejtpërdrejtë ndaj liderëve të UÇK-së në Hagë.

Filed Under: Komente

Seminari i mësuesve të diasporës, tradita që vazhdon…

August 25, 2025 by s p

Nereida Xhakolli/

Sapo morëm vesh që edhe sivjet do bëhej e mundur zhvillimi i Seminarit të XVIII të mësuesve të Diasporës filluam menjëherë kontaktimet mes kolegësh e një nga pyetjet që më bëhej ishte: sivjet do vishesh me veshje sepse ty pa to nuk të imagjinojmë? Edhe personalisht unë pa kostumet nuk ndihem e plotë sidomos në seminare të tilla e kështu u lidha menjëherë edhe me dy bashkëpunëtoret e mia në Shqipëri të kostumeve tradicionale; Tefta Qose e Buqe Muka të cilat në kohë rekord mundësuan realizimin e dy kostumeve me të cilat do paraqitesha në ditët e këtij seminari. Për mua ishin emocione shumë të forta edhe për vetë faktin që po kthehesha në qytetin e Shkodrës plot mbas 32 viteve mbasi në atë qytet, në universitetin “Luigj Gurakuqi” unë isha diplomuar si mësuese dhe mes personaliteteve që do na prisnin do të ishte prezent edhe rektori i këtij Universiteti.

Sa emocione kur u takuam edhe me kolegë të tjerë që dje ishim studentë në bankat e tij e sot pedagogë ….Sa krenari, pozitivitet, forcë dhe energji e re. Nuk munguan as edhe pikat e lotit kur u kalua pragu i universitetit apo i ish – konviktit dhe sidomos ai i mencës ku ishte edhe diskoteka jonë e parë…Faleminderit për mikpritjen të gjithëve, për emocionet dhe ato ndjenjat e bukura që jetuam për ato ditë e mbrëmje të paharruara mes jush…Sivjet përveç shkëmbimit të eksperiencave, ritakimi me kolegët e diasporës, ky seminar ishte shumë bashkëkohor, ishte një gërshetim shumë i bukur i mësimdhënies tradicionale me atë teknologjike. Shumë interesante edhe për vetë faktin se shumë prej nesh, mësuesve të diasporës, jo të gjithëve patëm “fatin” të përdornim gjatë mbas viteve të studimeve teknologjinë.

Gjatë prezantimeve që u mbajtën në ditët e këtij seminari ndoqa me shumë kujdes, vëmendje duke u munduar të mos më shpëtonte asnjë fjalë nga kolegët. Në kumtesën e mësueses Lindita Budini u gërshetuan dy metodologjitë, ajo tradicionale ( libri) me atë bashkëkohore – digjitale. Çelësat kryesorë të mbajtjes së vëmendjes konstante së nxënësit gjatë orës së mësimit dhe nxitja e nxënësit dhe “transformimi” i tij në bashkëpunues me mësuesin pra; vënia e nxënësit në qëndër të orës së mësimit. Një pikë tjetër e rëndësishme ishte: libri/ kjo dritare diturie drejt njohjes së gjuhës amtare apo e trashëguar kurse teknologjia si mjet në përvetësimin më të mirë të saj. Si mund të shndërrojmë një orë mësimi në një orë argëtimi duke inxitur nxënësit të bëhen më aktiv dhe të zhdërvjellshëm ishte një pikë tjetër me shumë interes. Në kumtesën e Albana Haskut mbi udhëtimin imagjinar binte në sy fakti sesi mësueset e kësaj shkolle në bashkëpunim me nxënësit na demonstruan se si mund të realizohet një projekt shumë i kompletuar ku përfshin të gjitha lëndët dhe se si ai mund të pasurohet me aspektet kulturore.

Në momentin e nisjes së këtij udhëtimi nis udhëtimi mbi urën e re të krijuar prej tyre. Çanta e shpinës është “Valixhja” e mbushur jo më me mallin apo kuriozitetin e tyre për vëndin e origjinës por aty ndodheshin diamantët dhe thesaret që kishin zbuluar vetë me ndihmën e mësuesve. Kureshtja që do shkelnin vetë në tokën e prindërve, dashuria për kulturën e historinë, krenaria për profesionet dhe se si kanë luajtur një rol të rëndësishëm gjyshërit, familjarët e tyre në ndërtimin e Shqipërisë. Nga puna e mësuesve fëmjëve u lind një ndjejë e bukur dhe e mrekullueshme që quhet ATDHEDASHURI, prindërve u rizgjohet kjo ndjejnë dhe është një element ndihmës për rikthimin e brezit të ri. Dy sesione të zhvilluara me një profesionalizëm të lartë, nga ku sejcili prej nesh gjen diku vetveten në bazë të mundësive organizative që ka dhe në mjediset ku ndodhet. Ne mësuesit krenohemi me punën e secilit prej kolegëve.

Faleminderit organizatorëve që edhe sivjet bënë të mundur takimin, por a do vazhdojmë kështu akoma?

Filed Under: Reportazh

Gonxhja, Nëna dhe Shenjtëresha

August 25, 2025 by s p

(Në 115-vjetorin e lindjes së Gonxhe Bojaxhiut- Nënës Tereze)/

Nënë Tereza na mëson se një komb i vogël mund t’i dhurojë botës një dhuratë të madhe, ashtu si një Gonxhe e vogël mund të bëhet kurorë e njerëzimit. Prandaj, sot, duke përulur zemrat tona, shpallim se drita e saj nuk ka perënduar: ajo vazhdon të ndriçojë nga Shkupi në Kalkutë, nga gjiri i popullit tonë deri te mbarë njerëzimi.

Nga Prof.dr Skender ASANI

Në kalendarin e shpirtit tonë kombëtar dhe të kujtesës universale, dita e 26 gushtit nuk është thjesht një përvjetor. Ajo është një dritare nga e cila shohim se si një Gonxhe e vogël e Shkupit, u shndërrua në Nënë të botës dhe më pas në Shenjtëreshë të njerëzimit. Ky trinomi Gonxhe, Nënë Terezë, Shën Nënë Terezë nuk është vetëm një rrugëtim personal, por një testament historik dhe shpirtëror.

Gonxhja, bija e Bojaxhinjve, u lind në një qytet që mban në gjirin e vet shtresa të lashta ilire (dardane), arbërore e shqiptare. Ajo mbeti gjithmonë e lidhur me trungun e vet, me kulturën dhe gjuhën që i dhanë formë shpirtit të saj. Ky emër i brishtë, i njohur vetëm për të afërmit dhe bashkëqytetarët, ishte fara që do të rritej për t’u bërë pemë e madhe e dashurisë.

Nënë Tereza, bija e Shkupit, doli nga kufijtë e qytetit të saj dhe u bë nënë për ata që nuk kishin nënë, strehë për ata që nuk kishin shtëpi, zë për ata që nuk kishin zë. Në Kalkutë dhe anembanë botës ajo tregoi se humanizmi nuk është teori, por akt i përditshëm. Ajo ngriti themele të dashurisë mbi dhembjen, duke u bërë simbol i shpresës për të gjithë të harruarit e njerëzimit.

Shën Nënë Tereza është kulmi i këtij udhëtimi. E shpallur shenjtë nga Kisha Katolike, ajo u kthye në ikonë të përbotshme, në ndërgjegje të gjallë të shekullit XX. Shenjtëria e saj nuk është vetëm titull kishtar, por dëshmi se dashuria, kur jetohet me përulësi, shndërrohet në përjetësi.

Sot, në 115-vjetorin e lindjes së Gonxhes, Shkupi dhe gjithë kombi shqiptar kanë arsye të ndihen të bekuar. Nga rrugicat e këtij qyteti lindi një dritë që nuk u shua kurrë. Ky jubile nuk është vetëm përkujtim, por thirrje për të ndjekur gjurmët e saj: të shndërrojmë dashurinë në veprim, mirësinë në ligjërim dhe shpresën në realitet.

Nënë Tereza na mëson se një komb i vogël mund t’i dhurojë botës një dhuratë të madhe, ashtu si një Gonxhe e vogël mund të bëhet kurorë e njerëzimit. Prandaj, sot, duke përulur zemrat tona, shpallim se drita e saj nuk ka perënduar: ajo vazhdon të ndriçojë nga Shkupi në Kalkutë, nga gjiri i popullit tonë deri te mbarë njerëzimi.

Në këtë përvjetor, për ne shqiptarët mesazhi i saj është edhe më i qartë: të jemi të bashkuar e të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, sepse vetëm kështu mund të përballojmë sfidat e kohës. Ashtu siç Nënë Tereza u shkroi disa herë shqiptarëve në momentet më të vështira, duke i ftuar që të mos e humbin shpresën dhe të jenë të bashkuar, edhe sot fjalët e saj janë udhëzues. Ajo na porositi se vetëm në unitet ka forcë, vetëm në dashuri ka shpresë, dhe vetëm në solidaritet mund të shërohen plagët e historisë. Ky është testamenti i saj për ne: që dashurinë ta kthejmë në urë bashkimi dhe të mos lejojmë që ndasitë të errësojnë dritën e kombit tonë.

Në këto momente kur po krijohet një konfiguracion i ri i hartës botërore, historia na kujton se popujt e vegjël shpesh kanë qenë viktimë e përpjekjeve për t’u asgjësuar, ashtu siç ka ndodhur me shumë kombe gjatë shekujve. Sot, edhe populli shqiptar po sfidohet nga një tendencë e tillë, që kërkon të minojë qenien e tij kombëtare. Pikërisht në këto çaste, më shumë se kurrë, na nevojiten miq që të jenë pranë popullit të Nënë Terezës, sepse vlera e saj universale është dëshmi e gjallë se ky popull nuk është vetëm për vete, por është pjesë e pandashme e familjes së madhe njerëzore.

Lavdi Zotit që e dërgoi ndër ne.

Bekim kombit që e rriti.

Paqe botës që e njohu si Nënë.

Shkup, 25 gusht 2025

Filed Under: Politike

Heshtja në diplomaci – armë e mençur apo dobësi e rrezikshme?

August 25, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

Diplomacia, si art i komunikimit dhe ndërveprimit midis shteteve, shpeshherë flet më shumë përmes asaj që nuk thuhet sesa përmes deklaratave publike. Heshtja diplomatike nuk përbën thjesht mungesë reagimi, por është një instrument i sofistikuar strategjik, që mund të shërbejë si mbrojtje, si paralajmërim, si formë presioni apo edhe, në raste të caktuara, si shenjë dobësie dhe mungese vizioni.

Ky fenomen fiton peshë të veçantë në hapësirën ballkanike, ku historia, etnia dhe gjeopolitika janë të ndërthurura ngushtë. Në veçanti në rastin e Kosovës, heshtja diplomatike ka pasur pasoja të drejtpërdrejta për procesin e shtetndërtimit, konsolidimin institucional dhe afirmimin ndërkombëtar.

Heshtja si instrument diplomatik

Në marrëdhëniet ndërkombëtare, heshtja është përdorur tradicionalisht për të fituar kohë, për të matur reagimet e palëve të tjera dhe për të ruajtur hapësirën e manovrimit diplomatik.

-SHBA dhe Kina shpesh zgjedhin të heshtin pas krizave ndërkombëtare, duke analizuar zhvillimet dhe duke përgatitur një qëndrim të balancuar e të qëndrueshëm.

-Franca dhe Gjermania brenda Bashkimit Evropian, në situata të tensionuara, kanë përdorur heshtjen për të shmangur përplasjet e drejtpërdrejta, duke lejuar që koha të qetësojë palët dhe të hapë hapësirë për kompromis.

Pra, heshtja mund të shërbejë si një “armë e mençur” që shmang veprime të nxituara dhe ruan fleksibilitetin e politikës së jashtme.

Heshtja si dobësi diplomatike

Megjithatë, heshtja e zgjatur, e papërcjellë me veprim konkret, rrezikon të interpretohet si mungesë qëndrimi, pasivitet apo dorëzim i heshtur.

-Bashkimi Evropian, në raport me krizat ballkanike, shpesh është kritikuar për një politikë të “heshtjes”, e cila ka krijuar vakum strategjik dhe ka hapur derën për ndërhyrjen e fuqive të tjera si Rusia dhe Kina.

-Disa shtete arabe, përballë çështjes së Palestinës, kanë zgjedhur heshtjen, e cila nga njëra anë shihet si neutralitet i qëllimshëm, por nga ana tjetër është interpretuar edhe si mungesë solidariteti dhe braktisje e kauzës së përbashkët.

Heshtja, pra, nuk është gjithmonë neutralitet – shpesh ajo bëhet dobësi e dukshme, e cila dëmton interesat kombëtare dhe hap terren për kundërshtarët.

Heshtja në diplomacinë e Kosovës

Në rastin e Kosovës, heshtja diplomatike ka qenë shpeshherë e keqinterpretuar, jo si strategji, por si mungesë veprimi.

-Pas shpalljes së Pavarësisë (2008–2012), institucionet e Kosovës nuk shfrytëzuan me intensitet momentumin historik për të fituar më shumë njohje ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, Serbia zhvillonte një fushatë agresive kundër njohjeve, ndërsa heshtja kosovare zbehte fuqinë e diplomacisë së re.

-Në dialogun Kosovë–Serbi, shpesh Kosova ka heshtur përballë propozimeve të dëmshme, duke humbur rastin për të vendosur vijat e kuqe në kohë. Ky pasivitet është interpretuar nga ndërmjetësit ndërkombëtarë si gatishmëri për kompromis të pafund.

-Në arenën ndërkombëtare, përballë lobimit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata si UNESCO dhe INTERPOL, reagimet e vonuara ose mungesa e një fushate diplomatike aktive kanë prodhuar pasoja konkrete: dështime në votime dhe humbje mbështetjeje nga shtete që përndryshe mund të ishin pro-Kosovës.

Këto raste tregojnë se heshtja pa veprim nuk është thjesht neutralitet, por shndërrohet në dëm real për interesat kombëtare.

Heshtja si strategji e mençur për Kosovën

Kosova nuk duhet ta braktisë heshtjen si mjet diplomatik, por duhet ta përdorë atë me maturi dhe vetëm në raste të arsyetuara.

-Ruajtja e partneriteteve: në raste kur reagimi i menjëhershëm mund të cenojë marrëdhënie strategjike me aleatët kryesorë, heshtja e përkohshme është mënyra më e mirë për të ruajtur ekuilibrat.

-Proceset gjyqësore ndërkombëtare: gjatë shqyrtimit të rasteve nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë apo organizata të tjera ndërkombëtare, heshtja diplomatike shërben për të mos ndikuar në proces, duke i lënë institucionet juridike të marrin vendime të pavarura.

-Heshtja e kombinuar me veprim diskret: në vend të pasivitetit publik, Kosova duhet të përdorë diplomacinë e heshtur përmes kontakteve bilaterale, lobimit të ngushtë dhe koordinimit të padukshëm me aleatët.

Heshtja në diplomaci është një art i fjalës së pathënë. Ajo mund të shërbejë si mburojë e mençur kur përdoret me strategji të qëllimshme, por shndërrohet në dobësi fatale kur zëvendëson veprimin aktiv dhe iniciativën diplomatike.

Për Kosovën, sfida më e madhe është të dallojë qartë midis heshtjes taktike dhe heshtjes pasive. Nëse e para është mjet i mençur në duart e diplomacisë shtetërore, e dyta është rrëshqitje drejt margjinalizimit ndërkombëtar.

Prandaj, Kosova ka nevojë për një diplomaci aktive, ku heshtja të përdoret vetëm si fazë kalimtare e lojës strategjike dhe jo si gjendje permanente. Vetëm kështu do të shmanget boshllëku diplomatik që Serbia dhe aktorët e tjerë të huaj po përpiqen ta mbushin në dëm të interesave shtetërore dhe kombëtare të Kosovës.

Filed Under: Opinion

Prof. Hasan Ceka, in memoriam…

August 25, 2025 by s p

Instituti i Arkeologjisë/

Nekrologji

Si sot 125 vjet më parë, më 25 gusht 1900, lindi Prof. Hasan Ceka. Ai njëkohësisht njihet edhe si njeriu që vuri themelet e arkeologjisë shqiptare. Hasan Ceka studioi në Vjenë dhe pas kthimit në Shqipëri, në vitin 1930, punoi në Bibliotekën Kombëtare. Ai krijoi një koleksion arkeologjik, të cilin edhe sot e trashëgon Biblioteka e Institutit të Arkeologjisë. Në të njëjtën kohë përfaqësoj Shqipërinë pranë misioneve të huaja në Apolloni e Butrint.

Në vitin 1947 drejtoi ekspeditën e parë arkeologjike në Apolloni si dhe punën për krijimin e Muzeut Arkeologjik Etnografik në Tiranë. Në 1956-të rikthehet në Apolloni dhe do ti kushtoj qytetit antik tërë veprimtarinë e tij kërkimore e studimore. Prof. Cekës i takon në të njëjtën kohë edhe merita e zbulimit të një kompleksi arkitektonik në afërsi të ndërtesës së Agonoteteve, gjithashu edhen nimfeut të qytetit dhe e shumë monumenteve të tjera.

Krahas gërmimeve në Apoloni Prof. H.Ceka tregon një kujdes të veçantë për grumbullimin dhe ruajtjen e trashëgimisë sonë monetare antike e mesjetare. Ai ishte një specialist i studimit të monedhave antike, dhe këto studime ai i kurorëzoi me botimin e veprës së njohur “Probleme të numizmatikës ilire” të botuar më 1965 si dhe gjithashtu ai përgatiti edhe veprën “Monetat e Dyrrahut dhe Apollonisë”.

Prof. H.Ceka ishte njohës i mirë i greqishtes se vjetër dhe latinishtes duke u bërë kështu një nga bashkëautorët kryesorë në përkthimin dhe përgatitjen në shqip të vëllimit “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”. Ai është autor i shumë artikujve, studimeve e kumtesave të botuara në revistat shkencore brenda e jashtë vendit. Këto studime janë përmbledhur e botuar në vëllimin “Në kërkim të historisë ilire”, Prof. Hasan Ceka u nda nga jeta më 2 nëntor 1998.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 363
  • 364
  • 365
  • 366
  • 367
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT