• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA NË PROTESTËN KOMBËTARE NË PRISHTINË NË MBROJTJE TË VLERAVE TË LUFTËS, TË LIRISË, TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS DHE LUFTËTARËVE QË MBAHEN PADREJTËSISHT NË HAGË

August 7, 2025 by s p

Prishtinë, 7 gusht 2025 – Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” Dr. Elmi Berisha mori pjesë në protestën kombëtare organizuar nga përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta, në

mbrojtje të vlerave të luftës për lirinë e Kosovës, të çlirimit, të sakrificave sublime e gjakut të derdhur për Kosovën e lirë. Dhjetëra mijëra qytetarë nga viset shqiptare e patriotë nga e gjithë bota shprehën mbështetjen ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, çlirimtarëve e luftëtarëve të lirisë që mbahen padrejtësisht në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Federata VATRA gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë në krah të liderëve të UÇK-së dhe ka kërkuar përmes deklaratave për shtyp dhe shkrimeve në gazetën Dielli që procesi në Hagë të jetë i drejtë, transparent, i ndershëm dhe i paanshëm. Vatra dhe çdo shqiptar beson fuqishëm në pastërtinë, ndershmërinë dhe drejtësinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nën akuzë në Hagë duhet të jetë regjimi pushtues, shtypës, kriminal e gjenocidal i Serbisë e jo luftëtarët e lirisë.

Liria, historia, çlirimi, pavarësia, nderi, dinjiteti e krenaria kanë vetëm një emër: UÇK.

Lufta e UÇK është lufta më e drejtë, më e pastër dhe më e ndershme në historinë moderne të kontinentin tonë.

UÇK është nderi i kombit shqiptar. Është histori dhe identitet kombëtar.

Çlirimtarët dhe luftëtarët e lirisë që mbahen padrejtësisht në Hagë janë frymëzim dhe krenari për çdo shqiptar. E drejta, e vërteta dhe liria do triumfojnë gjithmonë. Rroftë Kosova, Rroftë Shqipëria, Rroftë UÇK.

Mirënjohje përjetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.

Filed Under: Politike

GJYKATA SPECIALE – NJË GJYKATË JASHTË KONTROLLIT TË KOSOVËS, ME PASOJA TË RËNDA PËR DREJTËSINË DHE SOVRANITETIN

August 7, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha

Ekspert i së drejtës publike, të drejtave të njeriut dhe drejtësisë tranzicionale/

Themelimi i Gjykatës Speciale në vitin 2015 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës përfaqëson një ndër vendimet më të kontestuara në historinë kushtetuese dhe institucionale të shtetit të Kosovës. Në thelb, kemi të bëjmë me një gjykatë e cila është krijuar me akt formal nga institucionet e Kosovës, por që funksionon jashtë çdo mekanizmi të kontrollit institucional, demokratik dhe kushtetues të vetë shtetit që e themeloi. Kjo përbën një paradoks juridik dhe politik me pasoja serioze për shtetin e së drejtës, sovranitetin dhe dinjitetin e Republikës së Kosovës.

1. Legjitimiteti i fragmentuar i Gjykatës Speciale: Themelohet nga Kuvendi, por s’i jepet mbikëqyrje

Në korrik 2015, Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën presion të drejtpërdrejtë nga Bashkimi Evropian dhe disa shtete anëtare të Këshillit të Sigurimit, miratoi ndryshimin kushtetues nr. 24/2015 dhe ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ky vendim u mor në një atmosferë politike tejet të tensionuar, me një diskurs publik të mbushur me skepticizëm, frikë dhe trysni diplomatike.

Deputetët që votuan në favor të kësaj gjykate e justifikuan votën me bindjen se:

-pretendimet e Raportit të Dick Martyt (2010), mbi trafikimin e organeve dhe krime të supozuara të UÇK-së, ishin të pabazuara,

-se asnjë prej figurave udhëheqëse të luftës çlirimtare nuk kishte për të rezultuar fajtor, dhe

-se Kosova duhej të bashkëpunonte me drejtësinë ndërkombëtare për të ruajtur imazhin e shtetit të ri.

Mirëpo, në momentin që u votua, Kuvendi i Kosovës e dorëzoi krejtësisht kompetencën për mbikëqyrjen, rregullimin dhe funksionimin e kësaj gjykate.

Asnjë nen i ligjit për Dhomat e Specializuara nuk parashikon mekanizma të mbikëqyrjes nga Kuvendi, Qeveria, apo ndonjë organ i drejtësisë në Kosovë. Në vend të kësaj, gjykata u vendos fizikisht dhe juridikisht në Hagë, e ndarë nga sistemi gjyqësor i Kosovës, por me pretendimin që vepron “në emër të Republikës së Kosovës.”

2. Një rast unik në të drejtën ndërkombëtare: Gjykata që i shmanget çdo përgjegjësie ndaj shtetit që e ka krijuar

Ky është një fenomen i paprecedentë në jurisprudencën ndërkombëtare: asnjë tjetër shtet në botë nuk ka krijuar një gjykatë që nuk ka asnjë kontroll mbi të.

Për krahasim:

-Tribunali për ish-Jugosllavinë (ICTY) u themelua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në bazë të Kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara – ishte qartazi gjykatë ndërkombëtare.

-Gjykata Speciale për Sierra Leonen u krijua me marrëveshje ndërkombëtare midis Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë së Sierra Leones – por mbeti nën mbikëqyrje të përbashkët.

-Dhomat e Posaçme në Kamboxhia janë krijuar nga parlamenti i Kamboxhias në partneritet me OKB-në, por kamboxhianët kanë rol vendimtar në strukturën dhe funksionimin e saj.

Në rastin e Kosovës, ndonëse themelimi është formalisht vendor, funksionimi është tërësisht jashtë juridiksionit të Kosovës, dhe kjo krijon një gjykatë hibride anormale: pa autoritet shtetëror mbi të, pa llogaridhënie, dhe pa standard të përbashkët drejtësie.

3. Raste konkrete të shkeljeve të parimeve të së drejtës dhe procedurave të rënda të kontestuara

a) Rasti Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi

Aktakuza u ngrit në mënyrë të befasishme në vitin 2020, vetëm pak orë para një takimi të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë – një akt me qartësisht pasoja politike.

Në këtë rast:

-U ngrit një aktakuzë për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” – një koncept që ka rënë në sy si shumë i diskutueshëm që nga koha e ICTY-së, sepse zëvendëson provën konkrete me strukturë hipotetike kolektive.

-U ndaluan katër liderë pa prova të drejtpërdrejta individuale për krime personale, por mbi bazën e pozitës së tyre politike apo ushtarake.

-Janë mbajtur në paraburgim prej më shumë se 4 vitesh, pa përfunduar procesi gjyqësor – një shkelje e rëndë e së drejtës për gjykim të shpejtë dhe të drejtë, të garantuar nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

b) Rasti i dëshmitarëve dhe trajtimi i tyre

Një numër i madh dëshmitarësh janë mbajtur në kushte të izolimit, janë trajtuar pa qartësi juridike për statusin e tyre dhe shpesh janë ekspozuar ndaj procedurave traumatizuese. Për më tepër, mospublikimi i shumë pjesëve të dosjeve dhe mungesa e transparencës procedurale kanë krijuar përshtypjen se kemi të bëjmë më shumë me një gjykatë me objektiva të parapërcaktuara, sesa me një proces të pastër të së drejtës.

4. Pasojat politike dhe historike të veprimit të njëanshëm të Gjykatës Speciale

-Delegjitimimi i luftës së UÇK-së në diskursin ndërkombëtar është pasojë e drejtëpërdrejtë e veprimit të kësaj gjykate. Ajo nuk ka hetuar asnjë krim serb, duke e vendosur konfliktin në një paradigmë fiktive të simetrisë, ku pala e agresuar gjykohet, ndërsa agresori lihet jashtë çdo përgjegjësie.

-Zhbërja e konsensusit politik brenda Kosovës për drejtësinë ndërkombëtare. Qytetarët dhe institucionet po humbasin besimin në drejtësinë ndërkombëtare, për shkak të selektivitetit dhe mungesës së ndjeshmërisë ndaj historisë së konfliktit.

Koha për një rishikim të thellë institucional dhe ndërkombëtar

Shteti i Kosovës duhet të kërkojë rishikimin e mandatit, juridiksionit dhe mbikëqyrjes ndaj Gjykatës Speciale.

Ka ardhur koha që të parashtrohet pyetja thelbësore:

A është kjo gjykatë ende në funksion të drejtësisë dhe të shtetit të Kosovës, apo një instrument i pamatur politik që po dëmton themelet e shtetësisë sonë?

Institucionet e Kosovës, shoqëria civile, komuniteti akademik dhe faktori politik duhet të kërkojnë raportim, përgjegjësi dhe transparencë nga kjo gjykatë. Drejtësia nuk mund të funksionojë në errësirë institucionale, pa kontrolle, pa barazi, pa standarde dhe pa sens për të vërtetën historike.

Filed Under: Rajon

Pse Gjykata Speciale është e dëmshme dhe e anshme ose përse duhet protestuar kundër saj

August 7, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Krijimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës u parapri nga publikimi i një raporti thellësisht të kontestuar, me prirje raciste dhe antishqiptare, të hartuar nga senatori zviceran Dick Marty, i cili mbështetej në akuza të pabazuara dhe të paprovuara më herët nga ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte. Siç ka argumentuar Nevenka Tromp në veprën e saj Prosecuting Slobodan Milošević: The Unfinished Trial (2016), Carla Del Ponte ka luajtur një rol të diskutueshëm dhe shpeshherë problematik në raport me Serbinë, duke ndihmuar në errësimin e fakteve lidhur me autorësinë e krimeve dhe duke kontribuar në mjegullimin e dallimeve midis viktimës dhe agresorit.

Veprimtaria e Del Ponte-s gjatë mandatit të saj si kryeprokurore ka pasur efekte të dëmshme për përpjekjet për drejtësi dhe vërtetim të së vërtetës historike në kontekstin e luftës në Kosovë. Në vend që të theksonte rolin e shtetit serb si autor i një fushate të gjerë të spastrimit etnik, Del Ponte zgjodhi të amplifikonte vuajtjet e komunitetit serb në Kosovë – një komunitet i cili, në masë të madhe, kishte qenë pjesë përbërëse e aparatit shtetëror të dhunës të udhëhequr nga regjimi i Milošević-it dhe që, në shumë raste, u largua nga Kosova bashkë me forcat ushtarake e policore serbe në qershor 1999.

Kjo qasje kontribuoi në ndërtimin e një kundër-narrative nga Serbia, e cila synonte të relativizonte përgjegjësinë për krimet e luftës dhe të paraqiste konfliktin përmes një prizmi të paqartë moral, ku palët ndaheshin në “të gjithë janë njëkohësisht viktima dhe kriminelë”. Një narrativë e tillë e ngjyrës gri, që zëvendësonte analizën e qartë të strukturave të dhunës shtetërore me një qasje simetrike, i shërbeu objektivave strategjike të Serbisë për të shmangur përgjegjësinë ndërkombëtare dhe për të ruajtur mundësinë e ripërtëritjes së projekteve të saj hegjemoniste, përfshirë idenë e “bashkimit të të gjithë serbëve”.

Një element kyç në këtë dinamikë ishte edhe marrëveshja e arritur në prill të vitit 2003 ndërmjet Carla Del Ponte-s dhe autoriteteve të Beogradit, e cila i mundësoi Serbisë të mos dorëzonte një pjesë të rëndësishme të dokumenteve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes, dokumente që do të kishin mundur të inkriminonin drejtpërdrejt strukturat më të larta të regjimit të Milosheeviq-it në krime kundër njerëzimit dhe në akte të mundshme gjenocidi. Ky bashkëpunim i ngushtë mes Prokurorisë dhe autoriteteve serbe e minoi seriozisht aftësinë e Tribunalit për të adresuar në mënyrë të barabartë dhe të drejtë krimet e kryera gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe e vendosi në pikëpyetje paanshmërinë e procesit të drejtësisë ndërkombëtare.

1. Fshehja e krimeve dhe dokumenteve nga ana e Serbisë

Një nga pengesat më të mëdha në procesin e ndjekjes penale të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi ka qenë mungesa e bashkëpunimit të plotë nga ana e Serbisë, sidomos në raport me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY). Edhe pas përfundimit të regjimit të Slobodan Milošević-it, autoritetet serbe refuzuan të dorëzonin dokumente kyçe që ndodheshin në arkivat e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes – dokumente të cilat mund të kishin shërbyer si prova të drejtpërdrejta për përfshirjen e strukturave më të larta shtetërore në krimet e organizuara gjatë konflikteve në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci.

Nevenka Tromp, në analizën e saj të detajuar mbi procesin ndaj Milošević-it, vë në dukje se:

“Provat që përmbaheshin në dokumentet e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes do të kishin ndihmuar për të vërtetuar ndërmarrjen e përbashkët kriminale që përfshinte udhëheqjen më të lartë në Beograd.” (Tromp, 2016)

Megjithatë, ish-kryeprokurorja Carla Del Ponte nuk ushtroi presion të mjaftueshëm institucional për të detyruar Serbinë të bashkëpunonte plotësisht me Tribunalin, as duke kërkuar masa ndëshkuese ndaj saj. Kjo qasje ka krijuar përshtypjen se mungonte vullneti i nevojshëm për të ballafaquar shtetin serb me përgjegjësinë e tij të drejtpërdrejtë për krimet e kryera në kuadër të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, e cila përfshinte elementë të qartë të dhunës së organizuar, sistematike dhe me karakter shtetëror.

Ky dështim institucional për të siguruar prova kyçe nga Serbia ka pasur pasoja të rënda në kuptimin e drejtësisë ndërkombëtare dhe të dokumentimit të së vërtetës historike për rolin e Beogradit në krimet e luftës në Kosovë dhe rajon.

2. Mungesa e aktakuzës për gjenocid në Kosovë

Një ndër mangësitë më të rëndësishme në procesin penal ndaj Slobodan Milošević-it ka qenë mospërfshirja e akuzës për gjenocid në rastin e Kosovës, pavarësisht ekzistencës së provave të shumta që dëshmonin për një fushatë të organizuar të spastrimit etnik dhe për krime të natyrës sistematike kundër shqiptarëve të Kosovës. Në vend të ngritjes së një akuze për gjenocid – që do të kishte reflektuar më saktë shkallën dhe qëllimin e dhunës së ushtruar – Prokuroria e Tribunalit nën udhëheqjen e Carla Del Ponte-s zgjodhi të kufizojë akuzat në krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës.

Nevenka Tromp e interpreton këtë vendim si rezultat i një llogaritjeje politike dhe strategjike, që në vend se të forconte pozicionin e Prokurorisë, e dobësoi rëndë fuqinë e ndjekjes penale dhe e pamundësoi krijimin e një narrative juridike të qartë mbi përmasat dhe karakterin e krimeve të kryera ndaj shqiptarëve. Ajo thekson:

“Aktakuza për Kosovën ndaj Milosheviq-it nuk përfshinte akuzën për gjenocid, pavarësisht provave të konsiderueshme që tregonin për një qëllim gjenocidal.” (Tromp, 2016).

Argumenti thelbësor i punimit të Peter Ronayne, ” Genocide in Kosovo. Human Rights Review, 5(4), 57–71,” është se veprimet e forcave serbe në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 përbënin gjenocid sipas përkufizimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Gjenocidin të vitit 1948, pavarësisht hezitimit të komunitetit ndërkombëtar dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) për ta përdorur këtë term në akuzat kundër Slobodan Millosheviçit për Kosovën. Ronayne thekson se shkalla dhe natyra e dhunës — përfshirë vrasjet masive, dëmtimet e rënda fizike dhe mendore, dhe shkaktimin e kushteve të jetës të llogaritura për të sjellë shkatërrimin fizik të shqiptarëve të Kosovës — përshtateshin saktësisht me kriteret ligjore të gjenocidit. Ai gjithashtu argumenton se ndërhyrja e NATO-s, megjithë sfidat e saj ligjore dhe morale, ishte një përgjigje e domosdoshme ndaj kësaj krize humanitare dhe shërbeu si një hap i rëndësishëm në evolucionin e normave ndërkombëtare për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit.

Një pjesë thelbësore e argumentit të Ronayne-s është cilësimi i veprimeve serbe si gjenocid, pavarësisht hezitimit ligjor dhe politik. Ai dokumenton se si Millosheviçi, ndërsa merrte pjesë në “teatër politik” në Rambouillet, kishte përgatitur një plan sekret, të koduar “Operacioni Patkoi” (Operation Horseshoe), për të dëbuar shqiptarët e Kosovës nga atdheu i tyre. Përshkrimi i dëbimeve masive (rreth 1.5 milionë njerëz), djegia dhe plaçkitja e vendbanimeve, masakrat me varre masive, shkatërrimi sistematik i xhamive dhe institucioneve fetare/arsimore, si dhe ripërdorimi i përdhunimit si mjet terrori, janë dëshmi empirike që Ronayne i përdor për të argumentuar se këto veprime ishin “plotësisht të qëllimshme, të planifikuara dhe sistematike.” Këtu, autori përdor termin “g-word” (fjalën G – gjenocid) për të theksuar ngurrimin e komunitetit ndërkombëtar, madje edhe të SHBA-së dhe Britanisë, për ta përdorur këtë term në fillim, pavarësisht provave.

Mosndjekja penale për gjenocid në Kosovë ka kontribuar në një zbrazje të diskursit ndërkombëtar mbi përmasat reale të dhunës dhe ka lënë të paprekur një aspekt thelbësor të përgjegjësisë penale për krimet që ndodhën gjatë fushatës së ushtrisë dhe policisë serbe në vitet 1998–1999. Kjo përjashtim është konsideruar nga shumë studiues dhe aktorë politikë si një dështim serioz i drejtësisë ndërkombëtare për të emërtuar dhe ndëshkuar krimet në përputhje me peshën e tyre reale.

3. Presioni politik dhe ndërtimi i narrativës së barazimit moral: Hetimet ndaj UÇK-së

Në periudhën pas luftës së Kosovës, Prokuroria e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), nën drejtimin e Carla Del Ponte-s, u përball me presione të konsiderueshme ndërkombëtare për të ndjekur penalisht edhe anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me synimin për të krijuar një lloj balancimi formal të përgjegjësive në konflikt. Këto presione u ushtruan veçanërisht nga aktorë si Serbia dhe Rusia dhe, sipas Nevenka Tromp, ndikuan në mënyrë të drejtpërdrejtë në orientimin e hetimeve të Tribunalit:

“Del Ponte iu nënshtrua presionit politik për të hapur hetime mbi krimet e pretenduara të UÇK-së, gjë që e dobësoi perceptimin e paanshmërisë së Tribunalit.” (Tromp, 2016)

Kjo qasje e ashtuquajtur e “ekuilibrimit artificial të përgjegjësive” i hapi rrugë Serbisë për të ndërtuar një kundër-narrativë, sipas së cilës përgjegjësia për krimet e luftës ndahej në mënyrë të barabartë mes palëve ndërluftuese. Kësisoj, u zbehën përmasat e përgjegjësisë shtetërore të Serbisë për dhunën sistematike ndaj shqiptarëve dhe u vendos theksi te krimet e pretenduara të UÇK-së, pa marrë parasysh karakterin asimetrik të konfliktit – ku Serbia vepronte si një agresor shtetëror me kapacitete të plota ushtarake e policore, ndërsa UÇK-ja përbënte një forcë rezistence të brendshme.

Në këtë kontekst duhet të kuptohet edhe përhapja e akuzave për ekzistencën e të ashtuquajturës “Shtëpia e Verdhë” dhe trafikimi i organeve nga pjesëtarë të UÇK-së – akuza që, ndonëse më vonë u shpallën të pabazuara, u instrumentalizuan në kohë të ndjeshme politike. Ato u artikuluan pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe kulmuan me raportin e Dick Marty-t në vitin 2011, vetëm disa muaj pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të pavarësisë së Kosovës. Këto zhvillime sugjerojnë se agjenda pas këtyre hetimeve nuk ishte e motivuar vetëm nga drejtësia penale, por edhe nga interesa politike që synonin të delegjitimonin luftën çlirimtare të Kosovës dhe të relativizonin përgjegjësinë e Serbisë.

Për më tepër, brenda diskursit vendor dhe ndërkombëtar, ndihmoi edhe një qasje elitare e një pjese të opinionit që e kishte parë luftën çlirimtare me skepticizëm që nga fillimi, shpesh duke e maskuar refuzimin e saj si kundërshtim ndaj “komandantëve” apo “fshatarëve”, ndërkohë që në thelb përfaqësonte një lloj nostalgjie elitare për monopolin moral të periudhës para luftës. Në këtë ambient politik dhe diskursiv, publikimi i librit të Del Ponte-s në vitin 2008 u mirëprit nga këto qarqe si një konfirmim i bindjeve të tyre, duke shërbyer si gur themeli në ndërtimin e një narrative që e vinte në pikëpyetje legjitimitetin moral dhe historik të UÇK-së.

Pas publikimit të raportit të Dick Marty-t dhe miratimit të shpejtë të Rezolutës së Këshillit të Evropës, krijimi i Dhomave të Specializuara (Gjykatës Speciale) u bë një proces i pashmangshëm. Çdo kundërshtim ndaj këtij procesi shoqërohej me stigmatizim të menjëhershëm, duke nënkuptuar se kushdo që kundërshtonte formimin e saj, duhej të kishte arsye të fshehta apo qëllime të pandershme.

Aktakuza e Dhomave të Specializuara ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është kritikuar nga ekspertë si Ana di Lellio për mënyrën se si shtrembëron të kaluarën historike dhe përdor një gjuhë të paqartë e të njëanshme, duke vendosur UÇK-në në një pozitë të barasvlershme, madje më të rënduar se ajo e forcave pushtuese serbe.

Në aktakuzë, konflikti i armatosur me Serbinë – që ishte pranuar si i tillë nga vetë Tribunalit i Hagës në çështjen Milutinović dhe të tjerët (par. 820) – përshkruhet si një përplasje mes dy palëve rivale. Kjo paraqitje është faktikisht e gabuar: në fillim të vitit 1998, Serbia vendosi në Kosovë një aparat të tërë shtetëror dhune, përfshirë forca të rregullta, rezerviste, njësi speciale dhe grupe paramilitare që kishin marrë pjesë në gjenocidin në Bosnjë. UÇK-ja, në atë kohë, përbëhej nga një numër i vogël individësh të armatosur dobët.

Për më tepër, narrativa e aktakuzës përpiqet të paraqesë çdo veprim të forcave serbe si një përgjigje ndaj një kryengritjeje, ndërkohë që provat historike dhe juridike tregojnë se masakrat, përdhunimet dhe dëbimet masive ishin të përhapura edhe në zona ku UÇK-ja nuk ishte aktive, dhe aty ku ishte, reagimi shtetëror serb ishte thellësisht joproporcional. Siç është konstatuar edhe nga ICTY, udhëheqja shtetërore serbe veproi në kuadër të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale me qëllim ndryshimin e përbërjes etnike të Kosovës.

Madje edhe mënyra si përshkruhet kthimi i refugjatëve shqiptarë dhe pjesëtarëve të UÇK-së pas përfundimit të luftës – si “hyrje në zonat e mëparshme të kontrolluara nga RFJ-ja” – krijon perceptimin e një lloj pushtimi, duke injoruar faktin se ata njerëz po ktheheshin në shtëpitë e tyre, ashtu si forcat serbe u tërhoqën në territorin e Serbisë.

Kjo paraqitje e ngarkuar me paqartësi dhe anshmëri e dobëson jo vetëm besueshmërinë e ndjekjes penale, por edhe legjitimitetin e vetë gjykatës dhe vlerësimin e drejtësisë ndërkombëtare si mekanizëm i paanshëm dhe universal.

4. Pranimi i provave nga strukturat shtetërore serbe dhe sfidimi i parimeve të drejtësisë ndërkombëtare

Pas dështimit për të konfirmuar pretendimet e ngritura nga ish-kryeprokurorja e ICTY-së Carla Del Ponte dhe raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty, Dhomat e Specializuara të Kosovës (Gjykata Speciale) kanë ndjekur një trajektore që në literaturën kritike përshkruhet si largim nga parimet e drejtësisë penale ndërkombëtare, për të përqafuar një logjikë procedurale që evokon praktikat e drejtësisë selektive të periudhave autoritare.

Një ndër aspektet më problematike në këtë drejtim është pranimi i dokumenteve të lëshuara nga institucionet shtetërore të Serbisë, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme (MUP) dhe Komandën e ashtuquajtur të Përbashkët për “Kosovën dhe Metohinë” – struktura që sipas aktgjykimeve të ICTY-së kanë qenë të përfshira në planifikimin dhe zbatimin e krimeve të luftës, përfshirë spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës. Në vendimin e bërë publik nga Paneli Gjyqësor, theksohet:

“Paneli është i bindur se raportet serbe janë prima facie autentike,” dhe se dokumentet përmbajnë tituj zyrtarë, numra reference, klasifikime dhe nënshkrime që i bëjnë ato të pranueshme në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në mesin e këtyre dokumenteve përfshihen shënime të mbajtura në takime zyrtare të Komandës së Përbashkët për “Kosovën dhe Metohinë”, dokumente të nënshkruara nga përfaqësues të MUP-it dhe materiale të tjera të klasifikuara të lëshuara nga Shërbimi Sekret Serb. Këto prova, sipas Prokurorisë së Specializuar, kanë vlerë për të mbështetur pretendimet ndaj të akuzuarve. Megjithatë, vetë fakti që këto dokumente burojnë nga struktura që kanë qenë objekt i hetimeve për krime kundër njerëzimit dhe përfshirje në ndërmarrje kriminale, ngre shqetësime serioze për besueshmërinë dhe paanshmërinë e provave të pranuara.

Kjo praktikë ka ngjallur kritika të ashpra nga mbrojtja dhe nga opinionistë të shumtë juridikë e politikë, të cilët e konsiderojnë se pranimi i dokumenteve nga autoritetet që kanë qenë pjesë e aparatit shtetëror serb gjatë luftës nuk i përmbahet standardeve të drejtësisë tranzicionale dhe minon parimin e barazisë së palëve në proces.

Nëse shteti serb, përmes MUP-it dhe strukturave të sigurisë, ka qenë vetë i përfshirë në krime të dokumentuara – siç e konfirmon aktgjykimi në çështjen Milutinović et al. – atëherë përdorimi i dokumenteve të lëshuara nga ato struktura për të ndërtuar aktakuza ndaj UÇK-së përbën jo vetëm një konflikt të thellë burimi, por edhe një rrezik për rishkrimin e narrativës së konfliktit, ku agresori shtetëror përfaqësohet si burim i së vërtetës, ndërsa viktima kriminalizohet në bazë të materialeve të prodhuara nga vetë strukturat shtypëse.

Veç kësaj, mungesa e transparencës në veprimtarinë e Gjykatës, sidomos pas zhdukjes së akuzës për trafik organesh – mbi të cilën u mbështet formimi i saj – e ka shtuar skepticizmin ndaj misionit të saj të shpallur. Siç nënvizon literatura kritike, nëse hetimi për “Shtëpinë e Verdhë” u mbyll pa rezultat dhe gjyqtari Williamson deklaroi se nuk kishte prova të mjaftueshme, atëherë vetë ekzistenca e kësaj gjykate duhej të vihej në pikëpyetje. Megjithatë, ajo jo vetëm që vazhdoi veprimtarinë, por e thelloi diskursin ndëshkues ndaj UÇK-së, duke e paraqitur luftën çlirimtare si burim të destabilitetit, ndërsa Serbia si palë e besueshme që kontribuon me “prova zyrtare”.

Në këtë kontekst, Gjykata Speciale shihet gjithnjë e më shumë si një mekanizëm që jo vetëm e ndëshkon njërën palë të konfliktit, por edhe minon përpjekjet për normalizim dhe pajtim, duke favorizuar de facto agresorin dhe duke e trajtuar viktimën si të barasfajshme apo edhe më të rënduar. Kjo ka pasoja të drejtpërdrejta në kuptimin politik të drejtësisë, sepse përmbys hierarkinë morale të konfliktit dhe kontribuon në ndërtimin e një kujtese të shtrembëruar historike, ku viktima shqiptare kriminalizohet në bazë të dokumenteve të prodhuara nga aparati i dhunës shtetërore.

Për rrjedhojë, kërkesat që lidershipi kosovar të rishqyrtojë qëndrimin ndaj kësaj gjykate nuk janë thjesht deklarative, por burojnë nga një nevojë e thellë për të garantuar që drejtësia ndërkombëtare të mos shndërrohet në një instrument të legjitimimit të dhunës strukturore, por të qëndrojë në funksion të së vërtetës, pajtimit dhe barazisë para ligjit.

Përmbledhje

Mungesa e bashkëpunimit të Serbisë dhe dështimi i prokurorisë: Carla Del Ponte, në cilësinë e Kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, dështoi të sigurojë dokumente kyçe nga autoritetet serbe, përfshirë ato të Këshillit të Lartë të Mbrojtjes, të cilat do të kishin qenë thelbësore për të vërtetuar përfshirjen e shtetit serb në ndërmarrjen e përbashkët kriminale gjatë luftës në Kosovë. Ky dështim dobësoi ndjeshëm bazën faktike dhe juridike të aktakuzës kundër Slobodan Milosheviq-it.

Mospërfshirja e akuzës për gjenocid në Kosovë: Pavarësisht provave substanciale për spastrimin etnik dhe qëllimin gjenocidal ndaj shqiptarëve të Kosovës, Del Ponte nuk ngriti aktakuzë për gjenocid. Kjo u perceptua si një vendim me ngjyrim politik, që i solli dëm ndjekjes penale dhe legjitimitetit të Tribunalit.

Presioni politik dhe balancimi i rremë i përgjegjësisë: Nën ndikimin e presioneve ndërkombëtare, veçanërisht nga Rusia dhe Serbia, Del Ponte hapi hetime ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke u përpjekur të krijojë një lloj “ekuilibri” formal të fajësisë. Kjo qasje kontribuoi në ndërtimin e një narrative të rrejshme, që barazon përgjegjësinë mes agresorit shtetëror dhe viktimës së dhunës strukturore.

Legjitimimi i provave nga aparati shtetëror serb dhe delegjitimimi i drejtësisë: Pranimi nga Dhomat e Specializuara i dokumenteve të lëshuara nga shërbimet sekrete dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë – institucione përgjegjëse për organizimin dhe zbatimin e krimeve në Kosovë – ka dëmtuar rëndë besueshmërinë dhe paanshmërinë e procesit gjyqësor. Kjo praktikë jo vetëm që minon drejtësinë tranzicionale, por shton kërkesën legjitime për rishqyrtimin dhe potencialisht shfuqizimin e kësaj gjykate, e cila shihet si instrument politik që ndëshkon viktimën dhe favorizon agresorin.

Filed Under: Analiza

KOSOVA DUHET TË BËJË MË SHUMË PËR TË INFORMUAR VETEN DHE BOTËN PËR TË VËRTETËN E HISTORISË SË SAJ TË LASHTË

August 7, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli/

Portali që merret me zbulimet arkeologjike, Arkeonews Archaeologists made a remarkable discovery in Kosovo: Evidence that the great Byzantine Emperor was of Dardanian origin – Arkeonews, njoftoi ditët e fundit se në Ulpianë, qytetin e lashtë të Kosovës, është zbuluar një mbishkrim i dytë me rëndësi dedikuar Perandorit Bizantin Justinianit dhe bashkshotrtes së tij, Perandoreshës Teodora. Në zbulimin e parë po aty, tre vjet më heret, grupi i arkeologëve ndërkombëtarë që kryesohet nga francezi Christophe Goddard dhe përfshin edhe arkeologët vendas Arben Hajdari e Milot Berisha, në hulumtimet e tyre shkencore kanë zbuluar një mbishkrim monumental me rëndësi të jashtëzakonshme historike nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda. Ai e përshkruan atë qytet si një qytet Dardan, në krahinën e Dardanisë. Qyteti dhe kisha, janë themeluar nga paraardhësi i Justinianit, Diokleciani në fillim të shekullit IV. Ekspertët thonë se mbishkrimi paraqet një dëshmi shumë të rrallë, ndërsa dëshmon afërsinë e perandorit Justinian ndaj provincës së origjinës së tij. Kisha e atjeshme, deri tani paraqet një prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme romake dhe perandorëve më të rëndësishëm të saj, sipas arkeologëve ndërkombëtarë e shqiptarë, thuhej në njoftimin e tre viteve më parë në lidhje me këtë zbulim të rëndësishëm, dy vjet më parë. Frank Shkreli: Pse jo, Republika e Dardanisë!? | Gazeta Telegraf

Mirëpo, në këtë ndërkohë, në qytetin e vjetër Ulpiana, rrënojat e të cilit gjënden jo larg Prishtinës, grupi i arkeologëve ndërkombëtarë dhe shqiptarë – kryesisht arkeologë të Kosovës dhe Francës – kanë realizuar edhe një zbulim tjetër historik: një mbishkrim të dytë kushtuar Perandorit Justinian dhe perandoreshës Teodora, mbishkrim që i referohet, pikërisht, ndërtimit të bazilikës ipeshkvënore në atë qytet të vjetër dardan. Këto mbishkrime, sipas ekspertëve vendas dhe të huaj, tregojnë qartë dhe vërtetojnë identitetin dhe afërsinë e Justianianit me vendlindjen e tij, Dardaninë. Njëkohsisht, këto zbulime, tregojnë gjithashtu njëherë e mirë — për të gjithë ata që mund të kenë patur ose kanë gjithnjë dyshime – lidhjet e tija me Dardaninë e lashtë dhe rrënjët historike të identitetit dardan të shqiptarëve të sotëm në trojet e veta autoktone. Zbulimi i dytë i mbishkrimit të jashtzakonshëm në Ulpianë u njoftua, zyrtarisht, në faqën zyrtaree të Hajrulla Çekut, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kabinetin qeveritar të Kryeministrit në detyrë Albin Kurti: “Ekipi i arkeologëve ka identifikuar një mbishkrim të dytë kushtuar Perandorit Justinian dhe bashkëshortes së tij, Teodora.

Mbishkrimi i parë përmendte themelimin e qytetit Iustiniana Secunda si qytet Dardan. Ky i dyti tregon ndërtimin e bazilikës episkopale. Këto janë të vetmet dedikime të njohura të Justinianit, perandorit me prejardhje nga ky rajon.” Njëkohësisht, Ministri Çeku, deklaron se me këtë rast në Kosovë, “Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë arkeologjike nuk është trajtuar asnjëherë më këtë seriozitet”, duke shtuar se “Hulumtimet arkeologjike në Ulpianë e Dresnik, tanimë po vazhdojnë në prona publike, të cilat u shpronësuan gjatë vitit të kaluar”. Ndërsa vazhdon Ministri i Kulturës së Republikës së Kosovës, se njëherazi, po “Po punohet me intensitet në lokalitete arkeologjike, plane të konservimit e menaxhimit, ngritje të kapaciteteve profesionale përmes partneriteteve ndërkombëtare, studime e publikime”. Duke përfunduar njoftimin e tij mbi zbulimin e dytë të mbishkrimit dedikuar Perandorit Justinian e perandoreshës Teodora ai shkruan se, ndërkohë që “Arkeologjia vazhdon të na zbulojë historinë tonë ne vazhdojmë me përkushtim hulumtimin dhe mbrojtjen e saj”. Thuhet, gjithashtu, se mbishkrimi i dytë ofron prova të reja të angazhimit të perandorit jo vetëm ndaj rindërtimit qytetar por edhe ndaj infrastrukturës fetare dhe shpirtërore, veçanërisht ndërtimit të një bazilike (ipeshkvënore) episkopale. Dedikimi i mbishkrimit të dytë si për Justinianin ashtu edhe për Theodorën nxjerr në pah gjithashtu trashëgiminë dhe ndikimin e përbashkët të çiftit në jetën fetare (të krishtër) të rajonit, theksohet mëtej në njoftim. Arkeologët që marrin pjesë në këto zbulime historike thonë se, “ato jo vetëm që konfirmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Justinianit në zhvillimin e qytetit, por edhe e vendosin Ulpianën në hartën historike si një qendër kyçe të jetës së hershme të krishterë në Ballkan”.

Por siç ndodh me çdo sukses në cilëndo fushë qoftë, pyetja lind nëse mjafton kaq, a po duhet bërë më shumë, sidomos, në këtë fushë dhe në këtë kohë, siç është arkeologjia dhe historia kombëtare arbëroro-ilire-shqiptare. E lenë pas dore për më shumë se 5-shekuj otomanizëm, dhe i mohuar dhe anashkaluar nga komunizmi sllavo-aziatik, i pa fe e atdhe. Por mbi të gjitha, ajo mbetet një histori e mohuar vazhdimisht dhe në një mënyrë indiferente, për të mos thenë të qëllimshme, deri në ditët e sotëme, e shkelur dhe e abuzuar nga fqinjtë pushtues, sllav, turq e grekë, për shekuj me rradhë. Prandaj, unë jam i mendimit dhe mbështes deklaratën e ditëve të fundit të Profesorin e historisë James Pettifer të Universitetit Oksford dhe eksperti njohur britanik dhe më gjërë për Ballkanin, i cili është shprehur duke reaguar ndaj lajmit për ubulimin e dytë të mbishkrimit kushtuar Perandorit Justinian dhe Perandoreshës Teodora se, “Kosova duhet ta informojë botën shumë më tepër rreth historisë së saj të lashtë”. Profesori Pettifer bëri këtë reagim duke shpërndar shkrimin e Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, në lidhje me zbulimin e dytë në Ulpianën e lashtë të ekipit të arkeologëve nga Kosova dhe Franca. Profesori britanik, eskpert i historisë dhe punëve të Ballkanit Perendim or, e xilësoi subulimin e dytë në Ulqpianë si një, “Lajm vërtetë i mirë. Por Kosova duhet ta informojë botën shumë rreth historisë së saj të lashtë. Shumë pak libra apo edhe broshura të vlefshme janë të disponueshme në shumë vende të rëndësishme për momentin”, ka shënuar eksperti britanik në faqën e tij të internetit.

Unë jam dakort me Ministrin Çeku se vitet e fundit vihet re një pëkushtim më i madh sa u përket zbulimeve arkeologjike në territorin dardan. Por mbështes edhe thirrjen e Profesorit të nderuar britanik James Petiffer se duhet bërë më shumë për të informuar botën mbi idetnitetin dhe origjinën e vërtetë të shqiptarëve. Nuk besoj se mjaftojnë, kur të merret parasysh baltosja e historisë së shqiparëve nga të huajt, vullneti dhe mjetet e shumta që kanë përdorur ndër shekuj e që përdorin dhe sot armiqët e Kombit shqiptar për të mohuar historinë dhe identitetin e shqiptarëve në trojet e veta autotokotone. Dardania nuk është as e Serbisë as e Turqisë, sipas pretendimeve të të huajve. Për këtë të vërtetë historike duhet të informohet bota por edhe shqiptarët të cilët ndoshta nuk janë të sigurt për idetnitetin dhe prejardhjen e tyre historike.

Mbishkrim kushtuar Perandorit Justinian dhe Perandoreshës Theodora, zbuluar këto ditë në Ulpianë që hedh dritë mbi periudhën e lashtë të Kosovës. FotoKredia: Hajrulla Çeku

Profesori i historisë në Universitetin e Oksfordit dhe eksperti britanik për Ballkanin, James Pettifer, tha se “Kosova duhet ta informojë botën shumë më tepër rreth historisë së saj të lashtë”.

Mbishkrimi kushtuar Perandorit Justinian konsiderohet zbulimi më i rëndësishëm në arkeologjinë e Dardanisë/Kosovës. Sipas arkeologëve, kjo ofron prova të origjinës dardane të perandorit të madh bizantin. Perandorit Justinian (527-565). Ai ka lindur në Tauresium, që besohet të ketë qenë afër Shkupit të sotëm.

*Foto: https://arkeonews.net/archaeologists-made-a-remarkable…/

Filed Under: Histori

ARDIAN PEPA, SKULPTORI I HEROIT KOMBËTAR, GJERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBEUT

August 7, 2025 by s p

Skulptori Ardian Pepa autor i mbi 60 monumenteve dhe shtatoreve brenda dhe jashtë vendit, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Italinë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, aspekte dhe detaje të panjohura të realizimit të punimeve të tij kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës, Migjenit, Pashko Vasës etj, analizon skulpturën cilësore në ditët e sotme në betejë me shëmtinë, nepotizmin, mediokritetin e korrupsionin institucional, shkatërrimin e imazhit madhështor të personaliteteve kombëtare nëpërmjet skulpturës së dobët. Me skulptorin Ardian Pepa bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

TË VEÇANTAT E PUNIMEVE TË GJERGJ KASTRIOTIT NË TUZ, SHQIPËRI, ITALI

Skulpturat që kam realizuar për figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut janë të shumta dhe të shpërndara në disa vende si Shqipëri, Mal i Zi dhe Itali. Secila prej tyre ka një karakter unik, të lidhur ngushtë me kontekstin historik dhe gjeografik ku është vendosur. Në Tuz, për shembull, shtatorja ekuestre në bronz është një ndër realizimet më monumentale. Figura e Skënderbeut mbi kalë është paraqitur me një forcë dinamike, me shpatën e ngritur, duke transmetuar jo vetëm heroizëm por edhe vendosmëri dhe krenari kombëtare. Në Itali, bustet e vendosura në komunat San Benedetto Ullano dhe Cerzeto janë të ngarkuara me simbolikë, sepse ndodhen në qendra të arbëreshëve – pasardhës të drejtpërdrejtë të heroit kombëtar. Teknikisht, veprat janë të realizuara me mjeshtëri të lartë në modelim dhe përpunim të detajuar të formës, ku materiali si balta dhe bronzi përdoret për të nxjerrë në pah fizionominë dhe karakterin e figurës historike. Nëpërmjet këtyre skulpturave kam synuar të ndërtoj ura mes brezave, duke i kujtuar publikut se Skënderbeu është jo vetëm një figurë historike, por një simbol i përhershëm i identitetit tonë.

PERSONALITETE KOMBËTARE, HISTORI DHE FRYMËZIM

Një pjesë e madhe e krijimtarisë sime i kushtohet figurave të shquara shqiptare. Kam realizuar shtatore të Nënë Terezës në disa qytete, përfshirë Kamzën, Trieshin dhe Laç-Vau Dejësin, secila me një frymëzim të veçantë për vendosmërinë dhe dashurinë njerëzore që ajo përfaqëson. Skulptura e Pashko Vasës në Shkodër është një tjetër vepër e dashur për mua, sepse ai ishte jo vetëm patriot, por edhe një figurë kulturore e rrallë. Monumenti i Migjenit në Pukë është konceptuar me një gjuhë më lirike, për të shprehur shpirtin e tij poetik dhe rebel kundër padrejtësive. Puna për këto figura nuk është thjeshtë një detyrë artistike, por një dialog i brendshëm mes meje dhe historisë sonë. Këto janë figura që më frymëzojnë, dhe përmes skulpturave dua t’i bëj të pranishme fizikisht në jetën tonë të përditshme. Kam realizuar shtatoren e Koço plakut, një ndër gjeologët e parë shqiptarë i vendosur në Fier dhe Françesk Radit, një ndër këngautorët e parë shqiptar e shumë buste e shtatore të tjera.

SHKATËRRIMI I IMAZHI MADHËSHTOR TË PERSONALITETEVE KOMBËTARE NËPËRMJET SKULPTURËS SË DOBËT

Kur një figurë e madhe kombëtare paraqitet në mënyrë të pasaktë, pa shpirt dhe pa dinjitet në një vepër publike, ndodh një dëm i dyfishtë: nuk fyhet vetëm arti, por edhe kujtesa kolektive. Fatkeqësisht, janë të shumta rastet kur për shkak të mungesës së profesionalizmit, interesave të ngushta apo nxitimit, vendosen monumente që nuk i bëjnë aspak nder figurave që përfaqësojnë. Një bust i Skënderbeut që nuk shpreh forcën e tij, një Nënë Terezë e ftohtë dhe e largët – këto nuk janë thjesht dështime estetike, por deformime të imazhit tonë kombëtar.

SKULPTURA CILËSORE NË BETEJË ME SHËMTINË, NEPOTIZMIN DHE MEDIOKRITETIN

Në shumë raste, konkursi artistik nuk fiton më i miri, por ai që ka lidhje të forta apo që ofron çmimin më të ulët. Kjo e ul nivelin e skulpturës publike dhe demotivon artistët e vërtetë që punojnë me përkushtim. Korrupsioni institucional është një faktor real që ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e hapësirës publike. Ka artistë të talentuar që nuk kanë mundësinë të shprehen, sepse sistemi nuk i përfshin, nuk i dëgjon dhe nuk i mbështet.

FILLIMET NË ARTIN E SKULPTURËS

Rruga ime nisi që në fëmijëri, duke modeluar me baltë forma që më dukeshin të gjalla. Studimet në Liceun Artistik me profesor Skender Kraja dhe më pas në Akademinë e Arteve me profesor Hektor Dule dhe Thoma Thomai më dhanë formim të strukturuar. Pas diplomimit, iu përkushtova krijimtarisë së lirë duke realizuar skulptura të karakterit monumental. Një prej veprave të para që shënoi karrierën time ishte shtatorja e fotbollistit te ravenes dhe kombëtares shqiptare Brian Filipit në Itali, një punë me shumë emocion dhe përgjegjësi.

SHPIRTI I SHQIPTARIT DHE HISTORIA SI BURIM FRYMËZIMI

Frymëzimi im më i madh është vetë njeriu dhe historia e këtij vendi. Shpirti i malësorit, përkushtimi i mësueses, sakrifica e luftëtarit – këto janë imazhe që më ndjekin gjithmonë. Skulptura shqiptare sot vuan nga mungesa e politikave kulturore afatgjata, nënvlerësimi i rolit të artistit dhe shpesh nga mungesa e edukimit estetik te publiku. Të rinjve u them gjithmonë: mos e bëni artin si zanat për bukë, por si një formë të lartë përjetimi dhe shërbimi ndaj së bukurës dhe kombit.

KUSH ËSHTË SKULPTORI ARDIAN PEPA?

Jam lindur më 2 mars 1977 dhe prej më shumë se dy dekadash i jam përkushtuar artit të skulpturës. Jam diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe kam përfunduar Masterin Ekzekutiv për Skulpturë në Universitetin e Prishtinës. Kam realizuar mbi 60 monumente dhe shtatore brenda dhe jashtë vendit, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Italinë. Kam qenë pjesëmarrës në shumë simpoziume ndërkombëtare dhe kam çmime të fituara në konkurse të rëndësishme. Jam Laborant mësimor në degën e skulpturës monumentale në Universitetin e Arteve dhe vijoj të krijoj me pasion dhe përkushtim. Arti për mua është një mision që nuk mbaron kurrë – është mënyra ime për të jetuar, për të dhënë dhe për të lënë gjurmë.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 399
  • 400
  • 401
  • 402
  • 403
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT