• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përdorimi i dokumentacionit nga regjimi serb nga Gjykata Speciale: Një devijim nga parimet e drejtësisë ndërkombëtare

August 2, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Nëse konstatohet se Gjykata Speciale për Kosovën po mbështetet në dokumentacion të siguruar nga autoritetet shtetërore të Serbisë – një shtet që ka qenë palë ndërluftuese, agresore dhe përgjegjëse për krime të shumta të dokumentuara kundër popullsisë shqiptare të Kosovës, përfshirë mbi 300 masakra, dëbimin e më shumë se 90% të popullsisë shqiptare dhe përdhunime sistematike – atëherë ky institucion nuk mund të pretendojë më objektivitet, paanësi dhe legjitimitet etik apo juridik.

Përdorimi i materialeve të prodhuara nga një regjim i njohur për ideologji ultranacionaliste dhe praktika të spastrimit etnik, e komprometon rëndë integritetin e një gjykate që pozicionohet si ndërkombëtare. Themelimi i kësaj gjykate mbi bazën e raportit të Dick Marty – një dokument i kontestuar për përmbajtjen e tij selektive dhe narrativën e njëanshme – dhe ndikimet politike që e shoqëruan atë, përfaqësojnë një precedent shqetësues për mbizotërimin e interesave gjeopolitike mbi parimet e drejtësisë universale.

Raporti Marty, i mbështetur nga disa qarqe perëndimore në përpjekje për të ruajtur marrëdhënie të balancuara me Serbinë dhe Rusinë, u përdor si justifikim për krijimin e një gjykate që tashmë rrezikon të legjitimojë narrativat dhe dokumentet e prodhuara nga vetë strukturat që janë akuzuar për gjenocid. Drejtësia ndërkombëtare, ndërkohë, kishte vërtetuar më parë, përmes Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, karakterin gjenocidal të veprimeve të Serbisë në Kosovë.

Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës, Eliott Behar, në veprën e tij “Tell It to the World” dokumenton se pas Marrëveshjes Holbrooke-Millosheviq të tetorit 1998, autoritetet serbe jo vetëm që nuk zvogëluan praninë ushtarake në Kosovë, por përkundrazi e intensifikuan atë, duke armatosur edhe popullsinë civile serbe. “Në vend që të zvogëlonin numrin e policëve dhe ushtarëve, ata i shtuan ata. Nisën të armatosnin civilët serbë, duke shpërndarë armë për rreth 50 mijë njerëz, në mënyrë që ata të mund të merrnin pjesë në operacione të përbashkëta,” shkruan Behar (f. 192). Ky veprim përforcon konstatimin se shteti serb ka qenë jo vetëm organizator, por edhe mobilizues aktiv i popullsisë për realizimin e një politike të spastrimit etnik dhe zhdukjes së shqiptarëve nga Kosova.

Historiani John Stoessinger, në librin e tij Why Nations Go to War, nënvizon se Operacioni “Patkoi” përfaqësonte përpjekjen e fundit të Serbisë për zgjidhjen e ashtuquajtur “përfundimtare” të çështjes shqiptare. Sipas tij, strategjia përfshinte rrethimin e popullsisë shqiptare, shkatërrimin e pronës, dokumenteve identifikuese dhe dëbimin masiv, me qëllim që kthimi i tyre të ishte i pamundur. Stoessinger e krahason këtë plan me operacionet e Adolf Eichmann gjatë Holokaustit, duke e konsideruar si një akt me përmasa gjenocidale.

Në të njëjtën linjë, gazetari dhe shkrimtari serb Rade Radovanoviq e përshkruan regjimin serb të asaj kohe si një regjim me tipare të qarta naziste, duke përmendur se në Kosovë janë aplikuar metoda si dëbimi, spastrim etnik dhe likuidimi, të ngjashme me ato të përdorura gjatë regjimeve fashiste në Evropë. Ai thekson se, ndonëse kjo ideologji nuk etiketohet zyrtarisht si nazizëm, ajo përmban thelbin dhe praktikat e tij.

Nëse Gjykata Speciale vazhdon të mbështetet në dokumente të prodhuara nga struktura shtetërore, ushtarake dhe policore serbe – të njohura për përfshirjen e tyre në dhunë të dokumentuar ndaj shqiptarëve, përfshirë përdhunimin e grave si mjet lufte – atëherë ajo po shkel seriozisht parimet e drejtësisë ndërkombëtare dhe po rrezikon të institucionalizojë padrejtësinë.

Filed Under: Opinion

Uliksi rikthehet në Itakë!

August 2, 2025 by s p

Dr. Ilir Shyta/

Shënime që të burojnë nga leximi i librit “Porosia e Kullës” të Pashko Camajt.

A keni parë rrathët bashkëqendrorë që krijon rënia e lirë e një guri në sipërfaqen e një liqeni, deti apo oqeani? Kështu do ta përshkruaja, unë personalisht, jetën e Pashko Camajt, autorit të librit “Porosia e Kullës”. Jeta e tij janë rrathët e përhapura në luftën njerëzore për ekzistencë në Mal të Zi, fillimisht në kullë, e më pas drejt tokës së premtuar, mes sakrificash për punësim, shkollim, humanizëm dhe triumf. Gjithë jeta e Pashko Camajt, e përhapur sipas këtyre rrathëve ujorë, rrëfehet në këtë libër.

“Deri atëherë, unë isha vetëm një guralec i vogël – një guralec që do të hidhej në ujë dhe spërkatja e tij e vogël do të zhdukej shpejt. Nuk e dija se ajo spërkatje e vogël do të ishte vetëm fillimi i valëzimeve të pafundme, të cilat do të rrethonin spërkatjen fillestare. Këto valëzime kishin për qëllim të përhapeshin gjithandej, duke u bërë pjesë e detit të pafund në dukje. Tanimë isha i gatshëm të bëja xhiron mbi shpinën e valës dhe të shkoja me të kudo që të më çonte.”

Në këtë shtegtim, gjithmonë sipas autorit të librit, guri i rëndë peshon në vendin e vet. Këtë herë si amanet për të mos e harruar tokën e të parëve, kullën e prindërve, trashëgimin e gjysh-stërgjyshërve…

“A ishte i gabuar vendimi im për të lënë vendlindjen time, shtëpinë time? Të parët e mi, të cilët për shumë breza, deri në gjashtëmbëdhjetë sa mund të numëroj, kanë jetuar në të njëjtën shtëpi dhe kanë punuar në të njëjtën tokë. A përfundoi trashëgimia e tyre, për mua dhe vendlindjen time, me largimin tim -a kam mëkatuar ndaj tyre?”. Meqenëse tashmë kisha vendosur të përqafoja udhëtimin tonë, kjo pyetje ishte po aq e rëndësishme sa edhe vetë destinacioni.” -pyet Pashko Camaj. Përgjigje që e marrim në fund nga kapitulli “Trashëgimia e shpirtit”.

Në fakt, që në thurrinën hapse të këtyre shënimeve, ne, deri diku kuptojmë triumfin e autorit të tyre. Një happy end plot zikzake, sikundër fijet e makaronave që përmenden në libër, sakrifica këto që paralajmërohen në krye të herës së shënimeve të botuara. Bibla shkruan: saktësisht Dhjata e Vjetër që unë e njoh mirë, (pasi jam marrë gjerësisht me fatin e Nol-Samsonit dhe skelet dramën “Israelitë e filistinë”), sqaron në (Zanafilla 12:1-20) “Zoti i tha Abrahamit: Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd, dhe shko në vendin që do të tregoj. Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim.” Në këtë sens do të shtoja që mjerisht, kullat tona (shtëpitë tona) që u qëndruan me shekuj luftërave për liri kombëtare vijojnë të mbeten bosh, ndërkohë që vazhdon zbrazja biblike e Shqipërisë. Libri me kujtime është një dedikim për grupmoshat e ndryshme, më së shumti do të thoja është një dedikim për rininë tonë, që ajo të bëjë më të mirën për vendin dhe botën e huaj, ku dëshiron të integrohet.

Në këtë rrëfim autori është vetë Uliksi apo Odisea modern i kohëve. Uliksi mbreti i Itakës dhe udhëtimi i tij në shtëpi pas rënies së Trojës. Udhëtimi i Odiseut për të arritur në Itakë pas luftës së Trojës që zgjati dhjetë vjet, është njëlloj si udhëtimi i Pashko Camajt, që zgjat 28 vjet për të arritur në kullën e vendlindjes. Në këtë kontekst kemi ekzistëncën e një njeriu, saktësisht kemi metoniminë e tij për të prekur tokën e prmetuar, përmes shumë peripecish, që nga bagazhi i një veture amerikane e deri te avioni që ulet triumfues në zemër të Amerikës, në Detroit. Është kjo tabloja jetike dhe artistike, që jepet plot aventura të njëpasnjëshme përmes enumeracionit tregues, por të gjallë në libër. “Ndërsa bagazhi mbyllej mbi ne, përmes vrimave të shpuara në ulësen e pasme dhe në anën e brendshme të bagazhit të madh të makinës depërtonin rrezet e dritës së dobësuar të diellit, si për të na thënë: “Mos u shqetësoni, unë jam këtu me ju.” E mbajta për dore motrën time binjake, duke u përpjekur të ngushëlloja veten, po aq sa atë, se ky udhëtim do të përfundojë së shpejti. Makina filloi të lëvizë ngadalë, kështu që ne ndiem çdo përplasje dhe gropë në rrugët e Tijuanës. Ishim rrugës për të kaluar në San Diego, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk do ta di kurrë saktësisht se sa zgjati udhëtimi, por të qenët i mbyllur në bagazhin e errët të një makine e bëri të më dukej si një përjetësi. Dridhjet e automjetit në lëvizje më përgjumën dhe kur ndihesha si në gjysmëndërr, mendja ime u kthye në ngjarjet e javës së kaluar.”

Guximi shtrohet si kryefjalë çelës në faqet e këtij botimi. Ndërsa ish-presidenti amerikan Barak Obama e quan një guxim të tillë, guxim për të shpresuar, do të shtoja, se këtu, në këto reshta, guximi është forcë jo vetëm për të ëndërruar pozitivisht, por edhe për të realizuar ëndrrat në Amerikë. “Vazhdova t’i thosha vetes: “Mos shiko prapa; vetëm përpara.” Në vendin tim të ri, më linin përshtypje jo vetëm atraksionet e mëdha, rrugët e hapura dhe lëndinat e rregulluara mjeshtërisht, por edhe gjërat e vogla që ishin shumë të dukshme, në kontrast me botën që kisha njohur më parë dhe që e kisha lënë”. Në fund kemi mjekun specialist, saktësiht kërkuesin shkencor që na bën krenarë ne racën shqiptare mbi një tezë në thelb të së cilës janë mostrat e gjakut shqiptar dhe jo vetëm m etë cilën mori gradën Doktor i Shëndetit Publik. Amerika ishte dhe është aty ku çdo gjë është e mundur, nënvizon autori në shënime. “…më 12 shtator 2013, pothuajse, saktësisht, njëzet e tetë vjet pasi kisha kaluar, pa ceremoni, kufirin jugor të SHBA-së, i mbyllur në plot aventura një bagazh të një makine amerikane, paraqita disertacionin tim para departamentit të Shkollës së Shëndetit Publik të Kolumbias, pedagogëve, kolegëve dhe anëtarëve të familjes sime. Mbrojta tezën dhe mora gradën Doktor i Shëndetit Publik. Me këtë u kurorëzua ekspedita ime prej dy dekadash, e filluar në City University of New York dhe që për mua ishte më shumë se një diplomë, më shumë se qershia mbi tortë. Ishte vërtetimi i të gjithë punës sime të palodhur dhe i këmbënguljes në kërkim të një jete të re. Ishte diçka që i vlente të gjitha sakrificat e bëra. Më në fund, ishte afirmimi i një ëndrre unike amerikane, një ëndrre që filloi me vendimin tim për t’u larguar nga vendlindja”.

Pashko Camaj gjithë jëtën guxon! Guxon për t’i dhënë makinës, kur nuk i ka dhënë kurrë asaj, por veçse traktorit, guxon të mësojë not që të mos mbytet, guxon dhe triumfon në tokën amerikane, duke mos harruar vatanin e tij, shtëpinë e tij, kullën e të parëve. Përmes kujtesës së momenteve kryesore të së kaluarës, në shkrimësi, i vjen ndërmend amaneti i gjyshit të tij. Ai i kishte porositur të bijtë se për kullën nuk vdiset, për kullën jetohet. Madje u kishte thënë, derisa ata po përballeshin me dilemën e madhe, se kjo kullë nuk guxon të shuhet, se kjo kullë do të japë burra që do t’i njohë kombi. “Kjo asht porosia ime, kjo asht porosia e kullës, o bijtë e mi”, – ishin fjalët e tij të fundit brenda kullës, ku Pashk Camaj qëndron sa realisht aq edhe metaforikisht”. Pak a shumë kemi mbijetesë simbolike, njëlloj si tek “Kulla” e Anton Pashkut. Një mbyllje momoriale kjo e librit të Pashk Camajt, e cila vjen njëherazi edhe si mesazh i autorit të kujtimeve që ndahen në dy pjesë dhe përmbajnë 18 rrëfime me titullin utilitar “Porosia e kullës”, një botim fantastik i shtëpisë botuese “Onufri”. Veçoj këtu që edhe fotografitë e librit të ndërthurrura mestij, i bëjnë të gjallë personazhet kryesore, të cilët frymojnë fizikisht dhe artistikisht në këtë botim prangues, gjatë gjithë leximit të tij nga fillimi në fund. Je sikur në një film artistik, kur përshkrimet e lexuara i lidh me pamjet e tyre nëpër fotografi… Sëfundmi dy fjalë edhe për shqipen e përdorur në libër, pas përkthimit korrekt dhe plot figuracion të shqipëruesit Nikollë Camaj, njëherazi edhe vëllai i autorit. Shqipja e tij rrjedh nga faqja në faqe, nga kapitulli në kapitull dhe të bën që librin ta lexosh me një frymë.

Filed Under: LETERSI

Emocione nga Festivali i Skulpturave të Rërës në Revere Massachusetts

August 2, 2025 by s p

Ndriçim Bejko/

Sivjet ishte viti i 21-të Festivalit të Skulpturave të Rërës këtu në Revere të Massachusetts. Festivali si fillim ka filluar vetëm me bërjen e 1 kështjelle prej rëre për të impresionuar publikun dhe testuar dëshirën për të vazhduar garën më tej. Vitet e tjera që do pasonin do e kthenin këtë eveniment në një konkurs të mirëfilltë arti dhe një traditë që bëhet akoma më tërheqëse dhe e pandarë nga kalendari vjetor i publikut artdashës.

Pjesëmarrja e publikut i kalon 200,000 mijë vizitorë çdo vit duke e kthyer në konkursin dhe festivalin e skulpturave të rërës më të rëndësishmin në botë. Pas një pritjeje të gjatë që prej 2010 -ës, më së fundi çifti i ri që menaxhon këtë festival që prej 2021 fill pas Corona Virusit më dha shansin që vjet të merrja pjesë për herë të parë duke u përfshirë në 15-shen më të mirë të skulptorëve të përzgjedhur. Kjo u arrit pas një testi që unë kalova në vitin 2023.

Ndërsa sivjet ata më dërguan ftesën që të bëhesha pjesë e 10 skulptorëve të përzgjedhur posaçërisht për këtë eveniment. U paraqita me kompozimin tim me titull “I want to break free”. Kompozimi im përfshin një figurë femërore e cila gjendet brënda një kornize ashtu si zakonisht ne shikojmë pikturat nudo nëpër shumë sallone apo galeri arti. Krijimi im nuk ka të bëjë thjeshtë me një figurë femër që përpiqet të dalë jashtë 1 kornize por ka të bëj me 1 fenomen shumë të theksuar shoqëror ku seksi mashkull e sheh seksin femër si një pronë dhe përpiqet ta ketë gjithmonë atë nën kontroll. Fatkeqësisht ky fenomen është shumë shqetësues në vendin tonë dhe pa folur për ato vënde ekstreme ku gruaja mbahet e mbuluar si një skllave, goditet me gurë dhe përçudnohet në mënyrë barbare.

Kjo skulpturë është një thirrje shpirtërore për të dy gjinitë që ky fenomen të marrë fund duke respektuar njëri-tjetrin në mënyrën më reciproke dhe humane të mundshme.

Pjesëmarrja në festival konsistoi në faktin që 3 ditë para konkursit ne u grumbulluam për të krijuar skulpturën qëndrore e cila sivjet kishte temën 250 vjetorit të fillimit të revolucionit me Paul Revere.

Sasia e rërës për skulpturën qëndrore shkon rreth 200 ton ndërsa për ne konkurentët rreth 30 ton. Konkursi filloi të mërkurën dhe mbaroi të shtunën. Çdo ditë punuam fort nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 5 pasdite përveç të shtunën ku Festivali u mbyll në orën 2 për ti dhënë kohë komisionit për ndarjen e çmimeve. 3 pjesëtarë të komisionit vlerësues ishin prezent dhe pjesa tjetër online.

Nuk arrita të merrja çmim por për mua çmimi më i madh është të isha pjesë e 10 skulptorëve më të spikatur në botë me një eksperiencë të gjatë në skulpturat e rërës. Mesa mora vesh të gjithë pjesëmarrësit jetonin vetëm nëpërmjet skulpturave të të rërës, akullit dhe borës. Dita më sfiduse për mua ishte e mërkura e cila fillonte me ngjeshjen e rërës. Format që u përdorën i përgatitëm 1 dit më parë që çdo gjë të ishte gati sipas dizanjit të zgjedhur.

Skulptura ime ishte në kufijtë e maksimales me një përllogaritje ekzakte ku dhe lopata e fundit e rërës u përdor në krijim. Dimensionet e skulpturës sime duke përfshirë edhe bazamentin ishin 2m45cm x 2m45cm ose (8’ x 8’) ndërsa dimensioni i 3-të është me gjerësi 2m45cm x 2m45cm x 75cm ose në inch! 8’ x 8’ x 2’1/2”. Një eksperiencë e paharrueshme.

Filed Under: Kulture

GJUHA SHQIPE DHE KULTURA SHQIPTARE NË EPOKËN DIXHITALE

August 2, 2025 by s p

Nga Lefteri Metkaj – Mësuese e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në mërgatën e Greqisë.

Shkodra e arsimit dhe kulturës, mirëpret në gjirin e saj bijtë e devotshëm të shqipes , mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë të cilët punojnë me përkushtim atdhetar me fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë gjithandej në mbarë globin. Mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë janë misionarët e kombit , shenjtorët e dijes e të atdhedashuri, ata janë mësuesit e thjeshtë, kolosët e arsimit shqip në diasporën shqiptare, që jo vetëm zhvillojnë mësimin shqip anembanë globit, por gjithashtu forcojnë urat që lidhin brezat dhe gjeneratat e reja shqiptare në mbarë botën me gjuhën ,kulturën dhe identitetin tonë të përbashkët.

Shkodra e lashtë dhe e qytetëruar u bë pikëtakimi për mësuesit e malluar për Atdheun, po ashtu të malluar shumë edhe për njëri- tjetrin, ku së bashku me përfaqësues të institucioneve shtetërore arsimore si dhe me Qendrën e Botimeve të Diasporës do të zhvillojnë punimet e këtij seminari të rëndësishëm kombëtar nga data 31 korrik deri më 3 gusht. Seminari i gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare për mësuesit shqiptare në diasporë dhe në mërgatë, organizohet për çdo vit nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit të Kosovës. Për të nderuar kontributin e çmuar të mësuesëve në diasporë, nuk u kursyen përshëndetjet mirënjohëse institucionale nga Shqipëria, Kosova dhe nga Shkodra, ku shprehnin dashuri për kontributin shëmbull të mësuesëve dhe rrezatonin vlerësim për mësuesit me fjalën e tyre si:

Znj. Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Republika e Kosovës. Znj.Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sportit ,Republika e Shqipërisë. Znj. Teuta Qyteza, Nënkryetare e Bashkisë së Shkodrës.

Z.Tonin Gjuraj , Rektor i Universitetit të Shkodrës.

Përshëndetja më mbresëlënëse ishte e znj. Nexhmije Reçica, mësuese në Gjermani, e cila bëri hapjen e seminarit në Shkodër.

Por dua të theksoj se pjesa më emocionuese për mësuesit seminaristë dhe gjithë pjesëmarrësit ishte programi kulturor- artistik nga Qendra Kombëtare e Fëmijëve “Kujtim Alija”, të Shkodrës, të cilët u duartrokitën pa pushim për interpretimin e shkëlqyer letraro – artistik. Ju kolegë të dashur, të nderuar , motra dhe vëllezër misionarë , të idealeve tona të përbashkëta kombëtare ndonëse jeni larg vendlindjes, çdo ditë jetoni me Adheun, Gjuhën Shqipe dhe me Flamurin Kombëtar Shqiptar në zemër. Të gjithë ju përshëndes dhe ju uroj të realizojmë me sukses programin e planifikuar didaktik katër ditor , ku do të marrim dhe do të japim përvojat tona nga më të kualifikuarat, me kompetenca profesionale e didaktike të epokës dixhitale e më cilësoret që janë përzgjedhur nga specialistë të fushës së arsimit kombëtar shqiptar.

Falënderoj me mirënjohjen më të madhe të dyqind e pesëdhjetë mësuesit pjesëmarrës në këtë edicion të XVIII të seminarit dhe gjithë mësuesit veteranë që themeluan me vështirësi të shumta dhe nisën udhën e misionit të shkronjave , ku sot ne jemi vazhdues të nismës së tyre fisnike, ku ju me dinamikën tuaj të përditshme mbillni dashurinë për Mëmëdhenë, për Gjuhën Shqipe, për Flamurin Kombëtar Shqiptar në zemrat e brezave të rinj në mbarë botën.

Filed Under: Emigracion

“Vatra” apel ndaj SHBA dhe vendeve anëtare të QUINT: Lista Serbe, lidhje të rrezikshme me struktura kriminale dhe terroriste

August 1, 2025 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA”, në emër të bashkësisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në mbrojtje të vlerave demokratike, shpreh shqetësimin më të thellë lidhur me zhvillimet destabilizuese që po vijnë nga strukturat politike dhe kriminale të lidhura me Listën Serbe në Kosovë.

Ka indikacione të mjaftueshme që aludojnë dhe lidhin drejtuesit e Listës Serbe me grupe kriminale dhe terroriste të drejtuara nga Milan Radoiçiq – i njohur për aktivitetet e tij të dhunshme dhe të rrezikshme në veri të Kosovës dhe më gjerë.

Këto burime tregojnë shumë qartë lidhjen e Listës Serbe me këto grupe kriminale që kanë për qëllim destabilizimin e veriut dhe se nuk përfaqësojnë aspak interesat e komunitetit serb në Kosovë, por përkundrazi, dëmtojnë integrimin e tyre në institucionet demokratike të Republikës së Kosovës.

Për më tepër, këto veprime kriminale dhe bashkëpunime të fshehta përkojnë me axhendat destabilizuese të Beogradit zyrtar dhe aleatëve të tij, përfshirë Federatën Ruse, që vazhdojnë të investojnë në tensionimin e situatës në Ballkanin Perëndimor me qëllim sabotimin e paqes, sigurisë dhe integrimeve euroatlantike.

Në këtë kontekst, Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” i bën thirrje të drejtpërdrejtë Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe vendeve anëtare të QUINT-it (SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia), që të trajtojnë me prioritet këtë çështje jetike për stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit. Është jetike që Lista Serbe dhe lidershipi i saj aktual të hetohen seriozisht dhe në mënyrë të pavarur për bashkëpunim me grupet kriminale dhe terroriste.

Po ashtu, apelojmë që ndaj çdo aktori politik që bashkëpunon me strukturat kriminale dhe saboton funksionimin e shtetit të Kosovës të merren masa të qarta politike dhe ligjore, përfshirë sanksione të drejtpërdrejta dhe ndalim të përfshirjes në institucionet demokratike të Kosovës.

Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm si shtet demokratik dhe multietnik, me mbështetjen e fuqishme të SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë. Kjo arritje nuk duhet të komprometohet nga elementë të cilët përdorin mjetet e dhunës, shantazhit dhe krimit për të përçarë qytetarët dhe për të minuar themelet e shtetësisë.

Në emër të diasporës shqiptare në SHBA dhe më gjerë, ritheksojmë përkushtimin tonë për një Kosovë të sigurtë, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse – ku të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, të jetojnë me dinjitet, barazi dhe nën sundimin e ligjit.

Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 402
  • 403
  • 404
  • 405
  • 406
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT