• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Motrat Ujkaj nga Malësia synojnë trofetë së bashku

March 31, 2025 by s p

Këtë vit, pjesë e skuadrës kampione të Kosovës në hendboll janë edhe dy lojtare shqiptare nga komuna e Tuzit, Malësia – Suzana dhe Dijana Ujkaj.

Motra e madhe, Suzana Ujkaj, iu bashkua Istogut para shumë vitesh, duke fituar trofetë më të rëndësishëm: titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Qyteti i Istogut u bë shtëpia e saj e dytë, ku tashmë është banore e përhershme dhe anëtare e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës, duke dhënë një kontribut të çmuar. Për tre vite, ajo zhvilloi karrierën e saj në Francë, por këtë sezon është rikthyer te Istogu, kësaj radhe së bashku me motrën e saj më të vogël, Dijanën.

Dijana Ujkaj ndërtoi një karrierë të suksesshme me skuadrën dy herë kampione të Evropës, Budućnostin e Podgoricës. Ajo ka luajtur mbi 70 ndeshje në garën më prestigjioze evropiane, Champions League. Për disa vite, Dijana ishte pjesë e disa prej ligave më të forta evropiane, si ato të Francës dhe Rumanisë. Ajo gjithashtu përfaqësoi Malin e Zi në arenën ndërkombëtare, në një periudhë kur kjo kombëtare ishte ndër më të mirat në Evropë. Me kombëtaren malazeze, Dijana mori pjesë në ngjarjet më të rëndësishme, si Lojërat Olimpike, Kampionatet Botërore dhe Evropiane.

Tani, motrat Ujkaj kanë bashkuar forcat te Istogu, duke synuar t’i sjellin klubit trofetë e radhës. Istogu është një nga klubet më të suksesshme të hendbollit kosovar pas luftës, me gjithsej 11 trofe dhe tetë vite radhazi përfaqësim në kupat evropiane.

Edhe këtë sezon, Istogu është në garë për të gjitha trofetë, dhe me motrat Ujkaj në ekip, skuadra ndihet edhe më e fortë dhe më e sigurt drejt suksesit të radhës.

Suzana dhe Dijana Ujkaj janë një vlerë e shtuar jo vetëm për skuadrën kampione, por edhe për vetë qytetin e Istogut. (KHF Istogu)

Filed Under: Sport

DIPLOMATI I HARRUAR KRISTO MEKSI DHE APELET DREJTUAR FUQIVE TË MËDHA PËR SHQIPËRINË

March 31, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Labova e Madhe, ose Labova e Zhapës, është një fshat në komunën Odrie, rreth 650 metra mbi nivelin e detit, në rrethin e Gjirokastrës. Ky fshat ka një histori të pasur dhe të veçantë, por shpesh është lënë në hije nga ngjarjet e sotme. Rreth 500 vjet më parë, ka pasur rreth 450 shtëpi dhe, para 200 vjetësh, ka pasur edhe një shkollë pedagogjike. Shumë labovitë kanë arritur suksese të mëdha në fusha të ndryshme, si Vangjel Zhapa dhe Konstandin Zhapa, të cilët janë të njohur për pasurinë që fituan dhe për kontributin e tyre të madh në çështjet kombëtare, si dhe për bamirësitë e shumta. Prej tyre, fshati mori dhe emrin “Labova e Zhapës.”

LABOVA DHE SHTYLLAT E LABOVITËVE

Fshati është i banuar kryesisht nga shqiptarë ortodoksë dhe ka pasur një ndikim të madh në zhvillimin e gjuhës shqipe. Një nga personalitetet e shquara të Labovës është mjeku i Ali Pashës Vangjel Meksi por edhe mjeku dhe studiuesi Apostol Meksi, i cili, së bashku me Kristoforidhin, mësoi gjuhën shqipe Hahn-it. Materialet e tij janë përdorur nga Johann von Hahn për të përhapur studimet për shqiptarët në të gjithë Evropën, përmes librit të tij “Studime Shqiptare” në vitin 1854.

Pas Apostol Meksit, shumë labovitë u angazhuan në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, si dr. Dhimitër Meksi, toger Petro Meksi, gazetari Jorgji Meksi, dhe shumë të tjerë, të cilët ishin të njohur si mjeshtër të penës, pushkës dhe fjalës. Ndër ta po veçoj diplomatin dhe politikanin e disi të harruar Kristo Meksi, dy libra të së cilit me apele drejtuar Konferencës së Paqes në Paris me tituj me një frëngjishte klasike përfekte i zbulova gjatë hulumtimeve të mia për periudhën e Pavarësisë e më tej. Këto dy libra që i drejtohen fuqive të mëdha për të njohur të drejtat e kombit shqiptar për liri dhe tërësi territoriale, libri Hristo Mexi Le droit de la nation albanaise (E drejta e kombit shqiptar / Kristo Meksi, Botuar Bukuresht: Instituti i Arteve Grafike “Speranţa”, 1918 dhe Hristo Mexi, Mémorandum à l’usage de monsieur le président et de mess ieurs les membres de la Conférence de la paix : ainsi qu’á celui des commissions accessoires (Memorandum për përdorimin e zotit President dhe anëtarëve të Konferencës së Paqes: si dhe atë të komisioneve ndihmëse , Bukuresht 1919, më bënë të thellohem më tej në zbulimin e aktivitetit të tij patriotik.

Labovitët, një komunitet autokton shqiptar, janë krenarë për identitetin e tyre dhe kanë kontribuar vazhdimisht për atdheun dhe gjuhën shqipe. Një tjetër personalitet i shquar nga Labova e Madhe është dhe ish kryeministri Aleksandër Meksi por edhe Fedhon Meksi, mjek dhe studiues shkencor, i cili ka shkruar librin “Labova e Madhe dhe Labovitët, gjurmime në vite,” duke ofruar informacion të rëndësishëm për historinë dhe traditat e këtij fshati dhe të figurave të tij.

VEPRIMTARIA PATRIOTIKE E KRISTO MEKSIT

Kristo Meksi (1849–1931), ishte një politikan i njohur i fillimit të shekullit të 20-të, ishte një nga delegatët e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe një nga diplomatët e parë të shtetit shqiptar. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetje të shkollës shqipe dhe ka financuar libra dhe abecedarë në gjuhën shqipe. Po ashtu, ka kontribuar në themelimin e Shkollës Normale të Elbasanit dhe ka qenë një nga ata që mirëpriti Ismail Qemalin për shpalljen e Pavarësisë. Kristo Meksi ka qenë edhe emisari i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë në Kongresin Shqiptar të Triestes dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë.

Po patrioti Kristo Meksi i dorëzon Ismail Qemalit 500 mijë frangash ari këtu dhuratë të kryeministrit rumun Taqe, për ngritjen e shtetit të ri Shqiptar. Me 27 Nentor 1912, Kristo Meksi, një prej Diplomateve dhe Politikave te pare shqiptar se bashku me Luigj Gurakuqin dhe 25 shqiptarë të tjerë, priti në Bukuresht Ismail Qemalin i cili vjen nga Trieste për Komunitetin Shqiptar të Bukureshtit për shpalljen e Pavarësisë. Kristo Meksi udhëtoi për në Shqipëri për të marrë pjesë në Deklaratën e Pavarësisë dhe u bë një nga delegatët e kuvendit të parë. Më 4 dhjetor 1912, u zgjodh anëtar i Senatit Shqiptar. Kristo Meksi ishte emisari i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë në Kongresin Shqiptar të Triestes në 16 shkurt 1913, i cili siguroi njohje për këtë qeveri. Në fjalën e tij shprehu besimin se qeveria provizore së shpejti do të përcaktojë kufijtë e Shqipërisë.

Në shtëpinë e Kristo Meksit në Bukuresht, më 7 Dhjetor 1909, u themelua shoqëria patriotike “Bashkimi”. Në vitin 1911 Kristo Meksi mbështeti kryengritjen e Kosovës dhe shkoi atje ku u takua me krerët e saj.

Ne foto poshtë nga e majta në të djathtë: Filip Gjeka, Pandeli Evangjeli, Dervish Biçakçiu, Kristo Meksi, Luigj Gurakuqi, dhe Sotir Pllati.

Meksi ishte emisar i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë në Kongresin Shqiptar të Triestes më 16 shkurt 1913, i cili siguroi njohje ndërkombëtare për atë qeveri. Një vit më vonë, më 1914, Meksi ishte këshilltar i princit Wilhelm Wied. Punoi në qeverinë e Zogut si këshilltar. Vdiq në Tiranë në vitin 1931, pasi ishte verbëruar plotësisht në vitet e fundit.

Nga libri, E drejta e kombit shqiptar / Kristo Meksi, Botuar Bukuresht: Instituti i Arteve Grafike “Speranţa”, 1918, kam shkëputur për lexuesin fragmente dhe apelin e tij për fuqitë e mëdha, dhe mënyrën si në këto memorandume ai analizon qëndrimet e fuqive ballkanike kundër një Shqipërie të lirë dhe të pavarur, ia lexuesit të shijojë thellësinë e analizës e të interpretimit dhe të paraqitjes para fuqive të mëdha, situatën e kombit shqiptar në Ballkan dhe gjendjen e tij. Dhe thirrja dhe apeli i tij për fuqitë e mëdha, nuk është një lutje por një apel në ndërgjegjen e diplomacive të Evropës. “Le të bëjë, pra, bota e qytetëruar një gjest dashamirësie dhe drejtësie dhe të ngrejë zërin në favor të këtij populli në venat e të cilit rrjedh gjaku i një race fisnike!”

SHKAKU I TRAZIRAVE TË VITIT 1914 NË SHQIPËRI

“Kam treguar më lart se kombi shqiptar që popullon në bregun e detit Adriatik gjithë këtë hapësirë të madhe nga kufijtë e Serbisë së vjetër deri në Gjirin e Artës, përveç se cilit territor i përket më shumë se territoreve të Greqisë, iu desh të duronte vuajtjet më të mëdha, iu desh të kalonte peripecitë më fatkeqe për shkak të pushtimeve të ndryshme, kundër të cilave duhej të luftonte me të gjitha forcat për t’i rezistuar, për të mbrojtur ekzistencën e saj kombëtare, duke dhënë me këtë një provë të qartë të këmbënguljes dhe vrullit të racës së saj; dhe tani do të jap disa shpjegime për shkaqet, të cilat e penguan popullin shqiptar të ketë fatin që i ishte caktuar.

Gjatë gjithë jetës së tij, ky komb është përpjekur dhe ka arritur të ruajë të paprekura traditat e tij dinjitoze dhe të ndershme, sukses kjo falë dashurisë së pandryshueshme të popullit shqiptar për familjen dhe atdheun. Kjo shpjegon kuptimin e ekzistencës në Shqipëri të atyre të ashtuquajturve “fise” që përbëhen nga pesëqind deri në gjashtëqind familje, si dhe të atyre krerëve të quajtur “bajraktarë” (bartës të flamurit), të cilët sillen sipas zakoneve dhe ligjeve, të cilëve deri më tani nuk u është shuar fuqia.

Kombi shqiptar, i cili për shkak të jetës së tij etnike dhe cilësive të tij të jashtëzakonshme, duhej të kishte mbase më shumë ndikim në Gadishullin Ballkanik se Greqia, Serbia, Mali i Zi apo Bullgaria, pas kushtetutës si shtete të këtyre popujve të fundit kufitarë, mbeti në një gjendje izolimi të plotë, i mbështjellë si nga një mjegull në mes të ajrit, sepse nuk donte të përfitonte as nga ajri i fqinjëve të përparimit, sytë e fqinjëve hodhën mbi të një vështrim urrejtjeje dhe zilie dhe këta fqinjë u përpoqën t’i shkaktonin telashe të destinuara për ta rraskapitur. Nëse rastësia ka dashur që ky komb të mos ketë një besim të vetëm, por popullin e tij ta ketë të ndarë në tri kategori fetare (muhamedanë, katolikë dhe ortodoksë), kjo ka qenë një nga mjetet e përdorura për të mos e lënë në qetësi, në mënyrë që ai, në bazë të harmonisë së plotë, të arrijë qëllimin e rilindjes dhe përparimit.

Fqinjët e Shqipërisë, të udhëhequr nga pikëpamje të kufizuara, kanë zhvilluar përjetësisht një luftë kundër saj që synonte ta asgjësonte! Mali i Zi, i cili e quajti veten një shtet të qytetëruar, u përpoq shumë herë ta joshë popullin shqiptar në kurthe. Udhëheqësit e këtij shteti, kur bëhej fjalë për shërbimet që mund të bënin shqiptarët, merrnin parasysh shqiptarët, qofshin ata myslimanë apo ortodoksë, të cilët i kishin si fqinjë, mbanin parasysh rregullat e miqësisë, konsideronin bajraktarët e ndryshëm, i prisnin si mysafirë sipas rregullave të mikpritjes së vërtetë, por kur vinte puna për atë që shqiptarët mendonin për veten e tyre për një çast, ata ishin të gatshëm t’i akuzonin ata për t’i bërë ata muslimanë apo zot, të Shqipërisë së Veriut. Serbia u soll në të njëjtat linja, mjeti me të cilin ajo punoi me dëshirë ishte rruga e klerit ortodoks, rruga e peshkopatave serbe në varësi të Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës, (Patriarkana e përshkruar aq mirë nga z. senator italian Carafa d’Andria në fjalimin e tij të panumërt 1913). u përdor dhe intrigat dhe propaganda e së cilës u zhvilluan kudo, në Stamboll si në të gjithë Gadishullin Ballkanik, veçanërisht në Maqedoni, Shqipërinë Jugore dhe Veriore. Ishte kleri grek ai që, siç dihet përgjithësisht, në bazë të privilegjeve të dhëna nga Porta e Lartë, ishte luftëtari më kokëfortë, veçanërisht kundër kombit shqiptar.

Kishte raste kur grekët e fanariotët luanin rolet më të tmerrshme në Turqinë evropiane, veçanërisht në Maqedoni dhe Shqipëri, kështu që Perandoria Osmane nuk mund të dallonte se çfarë të ardhme do të kishin popullsitë e këtyre dy krahinave. “

“Këta katër shtete fqinje me Shqipërinë, të cilët gjithmonë u përpoqën për madhështinë e tyre në dëm të kombit shqiptar, duke mos arritur të merrnin rezultatin e dëshiruar për planet e tyre që kërkonin shfarosjen e popullit shqiptar për shkak të vigjilencës së po këtij populli, i cili me gjithë shtypjet dhe pengesat e tmerrshme, mundi të punonte ose në brendësi të vendit, ose kishte zgjedhur një rrugë të madhe të mbështetjes së Italisë, në lidhje me Austrinë e të kombit shqiptar dhe krijimit të një shteti të pavarur shqiptar, imagjinuan një projekt mizor që për fat të keq edhe ata e ndoqën dhe që e solli Shqipërinë, e cila megjithatë do të ishte strumbullari i përparimit par excellence në Gadishullin Ballkanik, në gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet sot.

Dhe ndërsa shqiptarët u trazuan për të arritur një zgjerim të dobishëm dhe për përparimin e tyre në të njëjtën kohë Turqia kushtetuese donte të zgjidhte çështjen e arsimit shkollor në Perandorinë e saj; ndërsa xhonturqit, transformatorët e kësaj Perandorie, kërkonin t’i kufizonin këto privilegje të ndyra që i jepeshin klerit ortodoks, i cili përbënte një shtet brenda shtetit në Turqi, dhe ndërsa shqiptarët me këtë rast luftonin për të dëgjuar zërin e tyre, pengesa e parë që plani i fqinjëve u rezervonte atyre, tregoi: se shqiptarët prej kohësh kishin përvetësuar gjuhën e tyre mënyrën e të shkruarit duke përdorur shkronja latine. Por grekët, siç kujtojnë lexuesit, pretenduan dhe bënë propagandë të gjerë në këtë drejtim, që personazhet e përdorur nga shqiptarët të zëvendësoheshin me shkronja greke. “

“Shpalljet sipas faktit nëse e bëri Austria, apo Italia apo Franca që shpalli republikën në një krahinë shqiptare; Sot si atëherë, kur diplomacia evropiane gjendet në rrethana kaq të vështira, mund të mohojë edhe veprat që ajo vetë ka krijuar në të kaluarën? Populli i pafajshëm shqiptar deri tani ka qenë i shtrirë në një pellg gjaku, sikur Shqipëria të ishte toka e një shteti luftarak. Shqipëria ka duruar torturën më të madhe që mund të imagjinojë një mendje njerëzore dhe kërkon ndihmë! Ata që kanë mundësinë të kryejnë një veprim humanitar dhe të drejtë ndaj Universit, le të duan të lehtësojnë menjëherë rivendosjen e Shqipërisë në të gjitha pikat e ligjit të saj të vendosur, duke e përjashtuar kështu Shqipërinë nga të qenit objekt i pretendimeve grabitqare dhe duke hequr shkaqet e mosmarrëveshjeve në të ardhmen në Ballkan, sepse në rastin kur populli i tij sot nuk do ta rimëkëmbë të drejtën e tij, sepse të drejtat që janë të shenjta për ta do të vazhdojnë të shërbehen me mjete gjithnjë e më të dëshpëruara dhe gjaku do të rrjedhë sërish në fushat e Ballkanit.

Diplomacia evropiane gabon krejtësisht kur beson se Shqipëria nuk ka burra të aftë, se Shqipëria nuk është ende gati të vetëqeveriset. Vetëm nëse popullit shqiptar i jepet liria reale, Shqipëria do të mund t’u tregojë të gjithëve pasurinë e fryteve të saj intelektuale. Dhe drejtësia le të vihet në vend të Shqipërisë sepse i detyrohemi njohjes së të drejtave të saj.” Në kohën kur Beqir Agën (Grebeneja) në Vlorë e zbuluan oficerët holandezë dhe anëtarët e Komisionit të Kontrollit, e kapën dhe e burgosën me gjithë bashkëpunëtorët e tij, për shkak të së cilës ish-kryetari i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare u largua nga Shqipëria, i përfshirë padashur edhe në veprimet e grekëve dhe serbëve – menjëherë serbët e lokalitetit të Dibrës u përpoqën të irritonin më mirë në Shqipëri penën e brendshme të Shqipërisë. Grekët filluan në të njëjtën kohë të mobilizonin “batalionet e tyre të shenjta” nga Shqipëria e Jugut dhe ndërsa shqiptarët donin, të ndërgjegjshëm për detyrën, të çlironin atdheun e tyre nga kriminelët e huaj, komandanti grek Papulea, me ndihmën e ushtrive të rregullta greke, erdhi për të bombarduar lokalitetet shqiptare, për të vrarë vendasit.

Janë të papërshkrueshme, rrënimet e shkaktuara nga bandat e sjella në krahinat e Shqipërisë së Jugut! Në lokalitetin Hormovë, brenda 3 orësh, këto banda masakruan 220 të rinj dhe pleq të pafajshëm, të paarmatosur, sikur të vrisnin dele, ndërkohë që karrocat e transportonin pasurinë e këtyre fatkeqve jashtë kufirit shqiptar! Oficerët holandezë, të cilët ishin njerëz të paanshëm, bënë raportime të ndryshme në këtë drejtim, të cilat jepnin prova të qarta të fajit të fqinjëve të Shqipërisë për shkakun e ngjarjeve në atë vend.”

”Në momentin kur anija që mori Princin legjitim të Shqipërisë larg popullit të tij, u largua nga porti i portit të Durrësit, ministri i Serbisë në Durrës, u përgëzoi hapur “sepse serbët e tyre grekë i kanë konsideruar plotësisht si të suksesshme shqiptarët”. Diplomacia evropiane, e cila duhet të kishte shqyrtuar më nga afër dhe me shumë më tepër dashamirësi, interesat e Kombi shqiptar, populli që meriton të jetojë një jetë të lumtur si në shtëpitë e veta, ashtu edhe në shoqërinë në tërësi, me indiferencën e tij u dha mundësinë njerëzve të pangopur që lakmonin tokat shqiptare të thonë se shqiptarët janë të paaftë, se shqiptarët nuk meritojnë asgjë më shumë se një zgjedhë, se nuk mund të jenë të pavarur edhe sepse nuk ndahen kurrë në tri kategori fetare, diçka që nuk mund t’i bashkojë. Me rastin e trazirave të vitit 1914 në Shqipëri, shqiptarët u akuzuan se ishin ata që provokuan revolucionin, se ishin ata që nuk donin të konsolidonin shtetin e tyre, sepse duke qenë të konfesioneve të ndryshme, krijuan parti të ndryshme. “

Por që fajtorë ishin vetëm shqiptarët, këtë askush nuk ka të drejtë ta pranojë, sepse nëse kjo hipotezë është e saktë, atëherë ekzistimi i kombit shqiptar konsiderohet prej shekujsh. duhet të kishte përfaqësuar një spektakël krejtësisht të ndryshëm nga ai që dëshmonin njerëzit që e admironin, do të ishte e nevojshme që ne sot të kujtonim vetëm me habi, një komb që do të ishte zhdukur, asgjësuar nga bijtë e vet që do të masakronin njëri-tjetrin për mungesë bashkimi. Në ekzistencën e këtij kombi, megjithatë, pasqyrohet vazhdimisht se shqiptarët, pavarësisht se kanë qenë të besimeve të ndryshme, e kanë jetuar jetën e tyre etnike në harmoninë më të përsosur, kanë respektuar të njëjtat parime, kanë pasur të njëjtin organizim të familjes dhe komunitetit dhe i kanë dhënë botës burra me vlerë, të cilët, qofshin muhamedanë, ortodoksë apo katolikë, kanë ndriçuar emrin e shqiptarëve.

“Prandaj, diplomacia evropiane, kur bëhet fjalë për të ardhmen e kombit shqiptar, nuk duhet të mendojë kurrë se nëse i jepet liria e vërtetë, ndonjë arsye, qoftë edhe ajo e feve të ndryshme të Shqipërisë, mund të trazojë ekzistencën e tij si shtet i pavarur, sepse ndonëse ekzistenca e kaluar e popullit shqiptar ishte e privuar përjetësisht nga kontakti me botën perëndimore, ndërkohë që ai nuk u turpërua nga qëllimet e këqija të fqinjëve të tij më harmonikë. Le të bëjë, pra, bota e qytetëruar një gjest dashamirësie dhe drejtësie dhe të ngrejë zërin në favor të këtij populli në venat e të cilit rrjedh gjaku i një race fisnike! Bukuresht, 30 nëntor 1918.”

Filed Under: Komente

Siguria e rreme në marrëdhëniet njerëzore dhe iluzioni i qëndrueshmërisë…

March 31, 2025 by s p

Irena Dragoti/

Në rrjedhën e pandalshme të jetës njerëzore, miqësitë, shoqëritë apo dashuritë shpesh perceptohen si diçka që na përket dhe që do të mbetet e pandryshuar pavarësisht kohës, rritjes apo sjelljeve tona. Kjo lloj sigurie, që shpesh nuk analizohet, është kultivuar deri diku nga shoqëria ku jetojmë. Ajo na ka mësuar të kemi zemrat më të mëdha se plagët tona! Natyrshëm lind pyetja se çfarë e justifikon këtë siguri? A është produkt i reciprocitetit të vërtetë apo formë e kamufluar e egoizmit tonë?

Njeriu ka prirjen të mbështetet tek të tjerët për ndjenjën e përkatësisë dhe vazhdimësisë, në këtë kuptim, një mike, shoqe apo partnere perceptohet si një element konstant i ekzistencës sonë ndaj kemi prirjen drejt shoqërizimit i cili presupozohet të frymojë mbi reciprocitetin. Në çastin që marrëdhëniet e krijuara mes mikesh, shoqesh apo partnerësh i marrim të mirëqena, biem në qasje të njëanshme, të interesuar për pritshmëritë tona. Kjo ndodh si prej egoizmit e nënvlerësimit, ashtu edhe prej mosnjohjes së vehtes a personalitetit të dyfishtë tek disa syresh. Kjo ndodh kur mendojmë se gatishmëria njerëzore në kujdes e përkushtim na përket si lider vlerash. Me dashje apo pa e shndërrojmë sigurinë e marrëdhënies në iluzion që zgjat deri në momentin kur vetëdija për brishtësinë e tyre na godet me forcë.

Por, a kanë qenë ndonjëherë reale këto marrëdhënie përderisa arrijnë pikën e humbjes apo zvarritjes? Kjo qëndron si dilemë morale dhe ekzistenciale. Si individë të prirur ndaj vetëkënaqësisë dhe harresës nuk kultivojmë një ndërgjegjësim më të madh për vlerën tonë jashtë këtyre mardhënieve. As nuk kuptojmë se ndjenja e dorëzimit ndaj një marrëdhënieje në dukje “perfekte” duhet të ngacmojë e ndezë mekanizma psikologjikë njëjtë me antitrupat për të neutralizuar në mendje“ virusin e zvarritjes”

Marrëdhënie në dukje ideale, na bëjnë që shpesh të heqim dorë nga shumë pjesë të vetes si liria, shpengimi, rebelizmi, madje dhe vetëbesimi, duke i shndërruar në një garë me vehten për ta mbrojtur nga humbja. Në thelb, ky është iluzioni. Sakrifikojmë veten për një siguri që në fakt nuk ekziston por e fantazon frika. Marrëdhëniet e ndërtuara mbi frikën e humbjes janë forma të varësisë emocionale. Ne dorëzohemi, pranojmë më pak sesa meritojmë, duke u transformuar në një version të deformuar karakterial të vetvetes. Kur arrijmë këtë pikë, shpesh nuk e pëlqejmë më veten tonë, duke u bllokuar edhe në rrugëdalje.

Miqtë, shokët apo partnerët që na bëjnë të ndiejmë se vetëm ata mund të na japin plotësinë e vetes shndërrohen nga bekim në pengesë për rritjen.

Pse është kaq e vështirë të shpëtojmë prej mardhënieve tilla?

– Varësia emocionale:

Kemi dorëzuar veten tek të tjerët si burimin kryesor të lumturisë sonë.

-Frika nga boshllëku

– Besimi i tepruar që mund të rezultojë shantazhues

Ti ke ekzistuar dhe do të ekzistoje nëse nuk do të manipuloje vehten. Marrdhënia më e rëndësishme që kemi në jetë është ajo me veten. Nëse ndiejmë se jemi shndërruar në dikë që nuk e duam por as e njohim më, kjo është prangosja me e rëndë e rritjes sonë. Shumë njerëz nuk duan liri, parapëlqejnë nënshtrimin nga autoriteti i një individi njëjtë si ajo nga një strukture si një lloj “sadomazokizmi”mendor që i jep kënaqësi e lumturi nëpërmjet dhembjes. Atëherë ky individ edhe nëse i shpëton njërës mardhënie ka gjasa që gjithë jetën të ndertojë të njëjtë gjë. Siç ka individë që bëjnë beteja të vazhdueshme mes logjikës e emocionit, argumentojnë qartë rrugën e duhur por i mungon forca.

Shohim përsosjen në papërsosje mardhëniesh!

“Asgjë nuk është më e rrezikshme se miqtë që ndihen të sigurt në vendin e tyre,- thotë Baltasar Gracián

Në shumë raste, trajtimi si “prani e garantuar” nuk vjen nga një person i vetëm, por nga një dinamikë më e gjerë shoqërore. Disa na mbajnë pranë “si barnë”sepse janë të lënduar diku tjetër, disa si “rrezik” që duhet mbajt nën kontroll, disa si mëshire, apo vrarje ndërgjegjeje e disa prej naivitetit tonë. Në çastin që siguria diku tjetër sfunon gjitha këto, menefregizmi institucionalizohet. Madje faturohesh edhe nga pjesa e fajit për shkak të:

1- Vetëmbrojtjes a vetjustifikimit

Njeriu, thuhet nga psikologë të njohur, ka një mekanizëm të lindur mbrojtës që e ndihmon të shmangë dhembjen e vetëpranimit. –

2- Barrës së reciprocitetit

3- Egocentrizmit dhe ndjenjës së viktimizimit

Shpesh njerëzit ju trajtojnë pikërisht ashtu siç ata kanë “precipituar” nga mungesat e tyre, por kjo nuk duhet të na bëjë t’i justifikojmë. Thjesht duhet të ndalojmë së qeni naiv, apo së pranuari modelet si rastësi. Kur një mardhënie njerëzore ju tregon kufijtë, besojeni atë . Reciprociteti nuk do tju bënte kurrë të pyesni veten se ku e keni vendin…

Filed Under: ESSE

PORADECI, JO VETËM POET POR EDHE NDIHMËTAR I KRITIKËS LETRARE

March 31, 2025 by s p

Sa herë përmendim Lasgushin, automatikisht kemi thënë poezia lirike, lirikat e dashurisë… Por ky vëllim, si një përmbledhje publicistike, hedh dritë mbi ndihmesën e drejtpërdrejtë të Poradecit në lëvizjen kombëtare për mëvetësi, në ndjekjen e vëmendshme të shoqërive atdhetare jashtë Shqipërisë, por shpesh është ndalur edhe në çështjet e letërsisë, me një qasje dashamirëse dhe vlerësuese për figurat e mëdha të letërsisë shqipe.

Kosta Nake

Në 100-vjetorin e lindjes së Naim Frashërit Lasgushi solli përpara lexuesve dy artikuj vlerësues duke e quajtur “simbol të gjallë të lindjes dhe rilindjes së kombit” dhe më tej: “Me Naimin inagurohet drita e vetëdijes kombëtare, ay fillon bashkimi i math i kombit dyke mënjanuar gjithë gabimet dhe paragjykimet pengonjëse.” (f.343) “Fe, titull, sërë shoqërore, çduken ose kundërpeshohen në shërbim të misionit suveran të bashkimit.” (f.347) Lasgushi liston një numër të madh atdhetarësh, duke përmendur edhe krahinat e tyre për të theksuar se Shqipëria e mëvetëshme ishte fati i tyre i përbashkët, veçon Jeronim de Radën, Naum Veqilharxhin, Sami Frashërin, Pashko Vasën dhe Jani Vreton që hapën brazdën dhe hodhën farën e zgjimit; ata mund të konsiderohen “shtylla bazale të çështjes, por jo mburim shpirtëzimi për të.” (f.363)

Lasgushi vë në dukje hendekun që ekzistonte mes myslimanëve të Stambollit dhe ortodoksëve të Bukureshtit dhe arrin në përfundimin e zgjuar se “…ata kishin nevojë për fjalën e një apostulli, për gojën e artë të një misionari idealist, të një njeriu të frymëzuar… (f.352) … ai u dha mistikën e udhëheqësit të madh, zemrën e profetit, pa të cilën s’është e mundur ndjekje e asnjë ideali.” (f.362) Ky profet ishte Naim Frashëri, poeti kombëtar i shqiptarëve, simboli i purifikuar i bashkimit, shpëtimi i Shqipërisë. Askush veç e veç nuk mund ta bënte atë që bëri Naimi; duke u drejtuar nga Orienti në Oksident, ai ishte ndër të parët që bëri atë që dukej e pamundur, bashkimin e Islamit me Krishtërimin. Se për fenë flasin profetët dhe jo njerëzit. Naimi i dha shoqërisë shqiptare shpirtin për të cilin kishte nevojë, i dhuroi shenjën e yllit që do të orientonte lëvizjen kombëtare.

Lasgushi liston të gjitha veprat e Naimit që u botuan nga shoqëria e Bukureshtit duke filluar me “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve” në vitin 1886, deri te “Istoria e Skënderbeut” në vitin 1898 dhe i quan “gjerdhanin më të shkëlqyer të të gjitha librave të Rilindjes.” (f.365)

Në vitin 1946, me rastin e botimit në shqip të Veprës së Naimit, sipas origjinalit të Bukureshtit, Lasgushi ndalet me detaje për problemet drejtshkrimore që lindin në rastin e transplantimit të alfabeteve, por e fillon me vlerësimin e Veprës së poetit të madh si “e mburuar nga zemra e popullit dhe e drejtuar drejt zemrës së popullit.” (f.367)

Në letrën drejtuar Mitrush Kutelit rreth librit “Poezia e Emineskut” nga Tudor Vianu, është interesante shprehja bipolare “gaz helmprurës”, një bashkim të kundërtash që e ndeshim edhe te poezia e Lasgushit me shprehjen e famshme “dashuri e llaftaruar”. Analiza e kësaj shprehje, e ilustruar me autorë europianë të kohës, si gjermanët Tieck, Novalis, Holderlin, e kornizuar brenda romantizmit, është dëshmi e qartë se poezia e Poradecit nuk ishte thjesht një frymëzim spontan, por edhe një ushqim i shëndetshëm me kryeveprat me vlerë, pavarësisht vendit të prodhimit të tyre. Nga ana tjetër, Lasgushi e tërheq çështjen në habitatin e vet ku lëvrohet poezia dhe bën dallimin e madh mes poetit dhe euriditit: “Euriditërija e ka zemrën e thartë, pamjen e shkurtër, logjikën e ngushtë. Kurrë euriditët e romantizmit dhe të –izmave të tjera s’kanë mundur të kuptojnë esencën e vërtetë të poezisë.” (f.10)

Duke iu kthyer librit të Vinaut, Lasgushi merr pozicionin e kritikut letrar dhe hedh poshtë mendimin e shfaqur në libër se dashuria i përket shkollës së romantizmit: “Dashuria, në koneksionin tipik “magji dhembëse”… është prirja e përjetësisë.” (po aty)

Pika kulmore në këtë letër është përcaktimi i thelbit të një vepre artistike: “Njeriu është më pak se perëndija, perëndija më shumë se njeriu, por shpirti lidh njeriun me perëndinë duke valuar majestetërisht midis tyre. Ky është shpirti i veprave artistike të vërteta.” (f.13)

Lasgushi rikthehet te Mitrush Kuteli për të vlerësuar përmbledhjen e tij me rrëfime të porsabotuara. Shkrimi është pa vit botimi, por rrëfenjat kishin shkuar te lexuesi pjesë-pjesë që nga mesi i viteve ’30. Krahasimi i Kutelit me Koliqin tregon se mund të jetë shkruar nga fundi i viteve ’30 ose fillimi i viteve ’40. “Një botë shqiptare e përmbledhur në frymën e kohës… e transfiguruar artistikisht… me subjekte hijerënda…” (f.31) – ky është vlerësimi paraprijës i Lasgushit për të vazhduar me etiketimin “testament letrar” (f.34) dhe me përcaktimet brilante për tre prej rrëfimeve: dhembja e fisit te “Përtej valëve të kohës”, dhembja e dherit te “Xha Brahua i Shkumbanicës” dhe dhembja e gjakut te “Bendo Shapërdani.”

Ka autorë që nuk i pëlqejnë krahasimet mes krijuesve, por nuk mund ta kalosh në heshtje këtë vëzhgim prej mjeshtri të Lasgushit: “…mallëngjimi heroik i së kaluarës përbën bërthamën qendrore të rrëfenjave të Kutelit që e vë si rrëfimtar kundrejt novelistëve, në rradhën e parë të atyre të Veriut. “Netët shqiptare” janë antipodi i “Hijes së maleve”. Te Kuteli rreh shpirti i ngrohtë i maleve jugore, te Koliqi fryn fryma e ftohtë e shkëmbejve të veriut. Këtu lëshohet zemra e Toskërisë, atje përmbahet gjykimi geg…” (f.36)

Në përshëndetjen dërguar Asdrenit në 60-vjetorin e lindjes, më 11 prill 1932, Lasgushi e vlerëson librin “Rreze dielli” botuar në vitin 1904 si “manifestim kombëtar” në nderim të Gjergj Kastriotit dhe si “kanisk zemre” ku vargjet janë thurrur me lulet e atdhedashurisë së kulluar. Vëllimin “Ëndrra e lotë”, botuar më 1912, e vlerëson si “kurorën më të zgjedhur” të veprës poetike të Asdrenit. Përmend edhe librin “Psallme murgu”, botuar në vitin 1930, dhe veçon poemën “Burri i Dheut”, ku fryn, rreh dhe vepron fryma e kombit. Veprimtaria krijuese e Asdrenit ishte fryti letrar që ishte mbjellë me bashkëpunimin atdhetar me gazetat “Shqiptari” (1895) dhe “Albania” (1900). Sinteza e vlerësimit është poetike dhe filozofike: “Të gjithë marrin jetë prej flakës që ndrin; asnjë s’kupton zjarrin që pat djegur. Sepse vjershëtori nuk rron jetën e vdekur të vet, por jetën e pavdekur të kombit të vet.” (f.24)

Asdreni do të rishfaqet në këtë vëllim me një tjetër shkrim informues për gjenezën e Himnit Kombëtar. Nga fillesa mbi një model rumun, vjersha e Asdrenit arriti të bëhej shprehëse e dëshirave dhe aspiratave të djalërisë shqiptare, fillimisht në Rumani, pastaj u prezantua në Korçën e shkëlqimit të elementit kombëtar në Toskëri dhe u pranua edhe në Shqipëri si himn që reflektoi ideologjinë kombëtare shoqëruar me kompozimin e Çiprian Porumbeskut. Ka dy detaje domethënëse në këtë prodhim shpirtëror me vlera të jashtëzakonshme. Së pari, vlerësimi i më të madhit vjershëtor të Rilindjes, Naim Frashërit:

“Lumja ti, moj Korça-lule,

Q’i le pas shoqet e tua,

Si trimi në ball’ u sule,

Ta paçim përjetë hua!”

Së dyti, mes sjellësve të himnit nga Bukureshti ishte edhe Hilë Mosi, shok i Asdrenit dhe përfaqësues i Gegërisë.

Më 30 korrik 1940 Lasgushi promovoi te “Bota e Re” zonjushën Musine Kokalari, e sapodalë nga bankat e Institutit të Tiranës me libërzën e saj “Siç më thotë nënua plakë”. Me këtë rast kritiku i rikthehet shprehjes “krijim origjinal” që e pati parashtruar edhe te letra drejtuar Mitrush Kutelit duke zbuluar “një talent të pamohuarshëm”: “…autoresha e këtyre skicave rastësore e ka zënë jetën mu në mezin e saj, në momentin kritik që është momenti i madh i çdo manifestimi të jetës njerëzore… kapja e menjëhershme e saj në fond dhe në formë dhe çfaqja imediate, pa asnjë ndërmjetësim, me anën e artit – ky është origjinalitet letrar.” (f.37)

Duke vazhduar me meritat artistike të shkrimtares, Lasgushi veçon vërejtjet e përpikëta, plot gjallësi e freski, intuimin psikologjik, “ajo bashkëjeton me atë që na rrëfen,” trajton një motiv “çkëlqimtërisht popullor” dhe të gjitha i realizon “në një stil origjinal”(f.39) “një përshkrim i gjallë, realist, një rrëfim plot ngjyra, plot shije, i nxjerrë krejt dhe befas nga momenti natyral i burimit të tij.” (f.40)

Një analizë të zgjeruar ka bërë Lasgushi për veprën “Lahuta e Malësisë” të bashkëkohësit të vet Gjergj Fishta duke treguar një model xhentilese mes të mëdhenjve. Vepra si një proces shpirtëror që filloi para vitit 1900, është e përmasave të mëdha, prandaj kritiku ka veçuar tiparet lirike të saj, paraprirë nga përfundimi: “Një vepër që ka frymëzim, që ka tronditje shpirtërore, është lirike vetvetiu.” (f.47) Kjo do të shtjellohet më pas si një proces zinxhir: “Esenca e poezisë lirike është muzika shpirtërore; muzikën shpirtërore e bën toni shpirtëror, tonin shpirtëror e bën drithma shpirtërore, lëkundja, tronditja; tronditjen shpirtërore e bën frymëzimi i brendshëm poetik.” (f.53)

Poema ka një transfigurim poetik me vargje dhe fragmente dhe pjesë lirike të rralla dhe Lasgushi e përcakton si “një poem çquarësisht epiko-lirik.” (f.49)

Fishta ishte klerik dhe gjithë vepra poetike dhe shoqërore e tij u zhvillua rreth “postulatit fetar dhe kombëtar”. (f.50) Feja e lidhur me idenë e atdheut përbën bipolaritetin e qendrës tokësore-qiellore të zemrës së poetit. Trajtesa teorike shoqërohet me ilustrime të shumta nga poema për mbrojtur karakterizimin e madhe që i bën Fishtës që në krye të shkrimit duke e quajtur “shkëmb i shpirtit shqiptar”.

Shkrimi pasues që mban në titull sërish Gjergj Fishtën, bën një paradë të disa prej figurave më të shquara të kombit shqiptar, ata që mund të quhen formuluesit e mendimit kombëtar, ata që krijuan frymën e nevojshme për të përmbushur fatin e Shqipërisë: “Ishte shpirti i përmbajtjes që u bë fjalë dhe njeri për të lajmëruar. Me këtë frymë në gojë, parim jetëdhënës, u dërguan lajmëtarët e mendimit të kombit.” (f.70)

Lasgushi e fillon shkrimin me gjeografinë e pararendësve të Rilindjes: Naum Veqilharxhi në Rumani, Thimi Mitkua në Egjipt, Anastas Kullurioti në Greqi, Harallamb Koçi në Rusi, pastaj veçon të mëdhenjtë duke theksuar përkatësinë e tyre fetare të vetëmohuar si sfidë ndaj përçarjes fetare, si nyja gordiane që duhej zgjidhur për të arritur bashkimin e madh kombëtar.

Vjershëtori Naim Frashëri, një bektashi:

“S’jemi turqër, as kaurë,

Mos e thoni këtë kurrë,

S’jemi grekër, as bullgarë,

Jemi vetëm shqipëtarë!” (f.358)

Diplomati Pashko Vasa, një katolik:

“Dhe mos shikoni kisha e xhamija,

Se feja e shqiptarit asht Shqiptarija.” (f.71)

Kryengritësi Mihal Grameno, një orthodoks:

“Njëri ne kisha, tjetri ne xhamija,

Jemi vëllezër, s’na ndajnë dot.” (f.72)

Prifti Gjergj Fishta, frymëtar i fjalës, kushtrimtar i vyer pruri si dhuratë “Lautën e malsisë” me kombëtarizimin e Oso Kukës, Ali Pashë Gucisë dhe Hajrijes.

Prifti Fan Noli, dërgimtari i shqipes dhe i bashkimit të shenjtë kombëtar.

“Flamur që linde Shën Kostandinë!

Bashkon Islamnë me Krishtërimnë!” (f.73)

Me veprat e tyre poetike të gjithë së bashku na zbulojnë forcën e racës shqiptare, atavizmin dhe dinamizmin e gjakut shqiptar, frymën, parimin, mendimin e kombit.

Filed Under: LETERSI

Vincent Van Gogh, universi i gjenilitetit të kyçur pas hekurave të trishtimit dhe fatalizmit

March 31, 2025 by s p

Nga Albert Vataj/

Vincent van Gogh u lind më 30 mars të vitit 1853 në Groot-Zundest, një fshat i vogël në jug të Holandës. I ati ishte pastor dhe xhaxhallarët e tij-shitësa veprash të artit. Vdiq më 29 korrik 1890.

Vincent Van Gogh, universi i gjenilitetit të kyçur pas hekurave të trishtimit dhe fatalizmit. Shtërngimi më trazimtar në jetën e një piktori, është ajo e Vincent Van Gogh, ngulmim koloristike, i cile drithëron me dritë dhe larushi ngjyrash edhe sot e kësaj dite qiejt e mbamendjes së rruzullit artdëshmues të tij. Jeta e tij është ajo e një ngadhnjimtari. Ai ishte i paepur në luftë me veten dhe me botën. Penelatat e tij prej okre i shkrinë acaret e shpirtit, por dritëhijet, njollat e errta dhe tonet nuk e çliruan atë nga dhimbja.

Vincent Van Gogh është padyshim një rast emblematik i hitorisë së artit. Pakkush mbruhej me atë vërshim ndjeshmërie dhe aftësi krijuese. Egzistenca e tij ka qenë një udhëtim në “vuajtjen e izolimit”, i pakuptuar e vetmitar në perceptimin acarues të dhimbjes, i pafuqishëm e prapë i kthjellët e i vetëdijshëm për sëmundjen e tij që ishte edhe fizike, po mbi të gjitha shpirtërore.

Studimet psikiatrike moderne, i kanë zhvilluar edhe më tej hipotezat që Van Gogh vuante nga sëmundje bipolare apo sindroma maniako-depresive, e trashëguar genetikisht nga familja, gjë që brengoste edhe vëllanë e tij Theo. Po përtej kësaj sëmundjeje genetike, është e sigurt se çmenduria i qe manifestuar mbi të gjitha sepse Vincent e kishte filluar ta shihte artin e tij të dashur, si instrument për të arritur atë që është esenciale. Ose sepse tashmë kishte kuptuar tiraninë e vuajtjes mbi qenien njerëzore, por nuk dinte se si ta kapërcente dhe as se pse duhej kapërcyer. Pra Van Gogh është shembulli tipik i konstatimit të së të Vërtetës së Parë Fisnike e të mundimit të pashprehshëm që ajo lind, nëse nuk arrin të besosh se mund të kapërcehet, e aq më pak të shquash një mënyrë, një rrugë për ta kapërcyer.

Në vijiom, po paraqesim një përzgjedhje të fjalëve të shkruara nga Vincent, shkëputur nga letrat që i dërgonte Theo-s, përzgjedhje që më së miri e nxjerr në pah gjendjen e tij shpirtërore:

“Për të vepruar në këtë botë, duhet të vdesësh brenda vetes… Njeriu nuk gjendet përmbi tokë vetëm për të qenë i lumtur, as dhe për të qenë thjesht i ndershëm. Gjendet për të realizuar gjëra të mëdha për shoqërinë, për të arritur fisnikërinë e shpirtit e për t’u hedhur përtej vulgaritetit në të cilin hiqet zvarrë egzistenca e pothuaj të gjithë individëve”.

Për çfarë mund të jem i dobishëm, për çfarë duhem? Ka diçka brenda meje, por çfarë është?

Njeriu është i huaj përmbi tokë dhe jeta e tij është një udhëtim i shkundulluar nga stuhitë.

Ç’është të pikturuarit? Si arrihet? Është akti i shpalosjes së një peisazhi, nëpërmjet një muri të padukshëm prej hekuri, që me gjasë gjendet mes asaj që ndjen e asaj që mundesh.

Më pëlqen më shumë të pikturoj sytë e njerëzve se sa katedralet, sepse në sytë e njerëzve egziston diçka që nuk gjendet në katedralet, sado madhështore e hijerënda që të jenë.

Do të doja të pikturoja burra e gra me nuk di se ç’gjë të përjetshme, për të cilën, dikur, simboli ishte aureola që ne e kërkojmë në rrezatimin e brendshëm e në regëtimën e koloritit tonë.

Gjithçka është në të njejtën kohë, simbol dhe realitet.

Të vuajturit pa u ankuar, është i vetmi mësim që mund të marrësh në këtë jetë.

Ngandonjëherë, ashtu si dallgët e dëshpëruara që thërrmohen ndër shkëmbinj, unë ndjej dëshirën turbulluese për të përqafuar diçka…

Në ethen time trunore apo në çmendurinë, nuk di si ta çuaj, mendimet e mia kanë lundruar në shumë dete.

Është e vështirë të largohesh nga një vend, përpara se të kesh treguar në një farë mënyre se e ke ndjerë dhe e ke dashur.

A e di ti, Theo, këtë shprehje të një poeti holandez: “jam lidhur me tokën me fije më shumë se tokësore”?

Nuk jetoj për veten, po për brezin që do të vijë.

Natyra është mënyra më e mirë për të kuptuar artin; piktorët na mësojnë që të shikojmë.

Nëse do të vlej diçka në të ardhmen, vlej edhe tashti, sepse gruri është grurë, edhe pse qytetarët në fillim e pandehnin bar.

E kështu, për punën time rrezikoj jetën dhe kam humbur gjysmën e arsyes.

Njeriu është i huaj përmbi tokë, dhe jeta e tij është një udhëtim i tronditur nga stuhitë.

Jeta jonë është si çapitja e një pelegrini. Një herë pashë një pikturë të shkëlqyer, paraqiste një peizazh mbrëmësor. Në të djathtë, në largësi, një rresht kodrinash që dukeshin si blu në lagështirën e mbrëmjes. Përmbi këto kodrina, vezullimën e perëndimit, retë gri të përvijuara me argjend, me ar e me purpur. Peizazhi është një rrafshinë e mbuluar me bar e me shkurre dhe aty- këtu me lëvoret e bardha të mështeknave, gjethet e së cilave janë të verdha, sepse është vjeshtë. Mespërmes peizazhit gjarpëron një rrugë që të çon kah një mal i lartë, shumë, shumë të largët, e mbi majën e malit, një qytet mbi të cilin dielli që perendon lëshon një dritë lavdie.

Vincent Van Gogh

Mbi rrugë ecën një pelegrin që në dorë ka një bastun. Ai tashmë është duke ecur që prej shumë kohe dhe është i lodhur. Takon një grua, një figurë krejt në të zeza që të sjell ndërmend fjalët e Shën Palit: “Edhe pse e trishtë, prapëseprapë gjithnjë e hareshme. Ky engjëll i Zotit është vënë aty për t’i dhënë zemër pelegrinit e për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij; dhe pelegrini e pyet: “A shkon gjithnjë përpjetë kjo rrugë?”. Dhe përgjigja është: “Po, deri në fund”. E pelegrini pyet sërish: “A do të vazhdojë gjithë ditën udhëtimi?” Dhe përgjigja: “Nga agimi deri në mbrëmje, miku im”. Dhe pelegrini vijon rrugën e tij, i trishtë e prapëseprapë gjithë hare.

Në pranverë, një zog në kafaz e di mirë se ka diçka së cilës mund t’i shërbejë, e ndjen shumë mirë se ka diçka që do mund ta bënte, por nuk mund të bëjë asgjë, e ç’është kjo? Nuk i kujtohet mirë, ka ide të vagullta dhe thotë: “Të tjerët bëjnë foletë e tyre, nxjerrin jashtë të vegjlit e tyre dhe i ushqejnë”, e mandej përplas kokën e tij të vockël në telat e kafazit. Por kafazi nuk tundet dhe zogu çmendet prej dhimbjes. “Shiko çfarë bjerraditësi”, thotë një tjetër zog që kalon aty pranë, “ai është një tip që jeton me të falur”. E megjithatë, i burgosuri vazhdon të mbahet, nuk vdes. Jashtë nuk duket asgjë prej asaj që ai ka brënda. Ka shëndet të mirë e kohë më kohë, ndjehet i gëzuar nën rrezet e diellit. Po mandej vjen koha e dashurive. Dallgë depresioni. “Por, a ka me të vërtetë gjithçka që i nevojitet?”- thonë fëmijët që kujdesen për të e për kafazin e tij. E ai, rri i palëvizur me vështrimin e ndehur kah qielli, ku vërehet kërcënimi i një shtërngate, e brenda vetes ndjen rebelim ndaj fatit të tij. “Rri në kafaz, rri në kafaz, e nuk më mungon asgjë, budallenj! Kam gjithçka që më nevojitet! Por ju lutem, liri, lermëni të jem një zog si të tjerët!”. Kështu, ndonjëherë, një njeri që nuk bën asgjë, i ngjan një zogu që nuk bën asgjë.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 412
  • 413
  • 414
  • 415
  • 416
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT