• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Glauk Konjufca nderon Epopenë e Dukagjinit: Më 24 mars 1998 kumboi fuqishëm thirrja e lirisë

March 24, 2025 by s p

Me rastin e 27-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit, përkatësisht betejës së 24 marsit 1998 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat pushtuese të Serbisë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan.

Kryetari i Kuvendit tha se forcat e armikut e rrethuan Gllogjanin duke synuar që ta thyejnë atë vatër të rezistencës frymëzuese, por trimëria, vendosmëria dhe gatishmëria për të luftuar deri në fund, i dha mesazhin e qartë Serbisë okupatore se asnjë rrethim nuk do të mund ta shuante përpjekjen për liri.

“Atë ditë kumboi fuqishëm thirrja e lirisë, që u bë frymëzim për të gjithë popullin shqiptar e në mbarë Kosovën, duke dhënë shembullin e lartësuar të rezistencës me armë në duar, të sakrificës në emër të aspiratës sonë të përbashkët çlirimtare”, theksoi kryetari Konjufca.

Duke përkujtuar këtë betejë të shndritshme dhe sakrificën sublime të dëshmorëve, kryetari Konjufca tha se vepra e tyre heroike do të mbetet e paharruar, duke frymëzuar gjeneratat e tanishme dhe brezat e ardhshëm.

“Dëshmorët dhe të gjithë të rënët janë ata që i hapën rrugën ngritjes së Republikës sonë dhe ne kurrë nuk duhet të harrojmë se sa shumë u desh të përpiqemi e të japim për të fituar lirinë. Lavdi Himë Haradinajt, Gazmend e Agron Mehmetajt, që me gjakun e tyre e shënuan madhështinë e Epopesë së Dukagjinit, si dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për liri”, tha kryetari Konjufca.

Filed Under: Ekonomi

Roli i “Vatrës” dhe gazetës “Dielli” në sensibilizimin SHBA-së dhe opinionit ndërkombëtar për luftën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës në vitet 1998-1999

March 24, 2025 by s p

Prof. Dr. Roland GJINI

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit/

Sulmi i serbëve mbi familjen Jashari në Drenicë

Me fillimin e vitit 1998, nga lufta e UÇK-së, u arrit të çlirohej tërë krahina e Drenicës. Regjimi serb dhe Millosheviçi, nga frika që suksesi i UÇK-së në Drenicë mos përhapej në tërë Kosovën, vendosën të mësyjnë me forca të shumta, rrethuan Drenicën, jo vetëm për ta ripushtuar atë, por, në radhë të parë, për të ndëshkuar e shpartalluar UÇK-në, sidomos drejtuesin e saj Adem Jashari, madje krejt familjen e fisin e tij. Gjendja në Kosovë u bë më e trazuar se kurrë. Këtë situatë e gjejmë mirë të pasqyruar në faqet e gazetës Dielli. Federata Panshqiptare “Vatra” nuk mund të rrinte pa reaguar ndaj kësaj gjëndjeje të vështirë për shqiptarët e Kosovës. Kështu, më datë 4 mars të vitit 1998, Këshilli i “Vatrës” del para opinionin publik me një deklaratë të ashpër kundër raprezaljeve të serbëve në Kosovë. Po shkëpusim disa pjesë nga kjo Deklaratë: “… Prishtina dhe e gjithë Kosova po lahen me gjakun e pafajshëm të fëmijëve tanë, të nënave e baballarëve, të motrave e vëllezërve tanë. Dhe e gjithë kjo, sepse mbi popullin shqiptar të Kosovës rëndon një faj i madh: dëshira për të jetuar i lirë, për të vendosur vetë mbi fatet e tij, mbi jetën e tij, mbi të ardhmen e fëmijëve të tij. … Vatranët, të brengosur thellë për vëllezërit e motrat e tyre në Kosovë, dënojnë terrorin serb dhe fajësojnë bashkësinë ndërkombëtare, sepse nuk i është qasur e nuk po i qaset me drejtësi e vendosmëri çështjes së Kosovës dhe çështjes shqiptare në tërësi. … Vatranët kërkojnë që të ushtrohet presion dhe të përdoren të gjitha mjetet e mundshme për të ndaluar menjëherë mizoritë serbe dhe për fillimin urgjent të bisedimeve shqiptaro-serbe në praninë e një pale të tretë autoritare e të paanshme: Shteteve të Bashkuara të Amerikës ose OSBE-së. … Vatranët u shprehin keqardhjen vëllezërve dhe motrave të tyre në Kosovë për gjendjen e krijuar dhe u kujtojnë atyre se nuk janë e nuk do të jenë kurrë vetëm e të braktisur…” (Gazeta Dielli, 1/1998)

Vrasja e Adem Jasharit dhe e 55 vetëve nga fisi i tij në javën e parë të muajit mars, rriti zemërimin dhe indinjatën jo vetëm te shqiptarët e Kosovës, kudo që ata ndodheshin, por edhe te një pjesë e mirë e opinionit ndërkombëtar. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, e cila organizon një nga demostratat më të mëdha që kanë bërë ndonjëherë shqiptarët e Amerikës. Më 25 mars të vitit 1998, në Washington u grumbulluan më se 20 000 shqiptarë, të ardhur nga të katër anët e këtij vendi të madh. Faqja e parë e gazetës Delli e muajve janar-mars të vitit 1998 i kushtohet pikërisht kësaj ngjarjeje, protestës masive të shqiptarëve kundër masakrave serbe në Drenicë e Kosovë. Në njoftimin e bërë nga gazeta Dielli shkruhet se protestuesit shqiptarë gjatë ditëve të marsit, dhe sidomos më 25 të këtij muaji, mbushin plot sheshet e shëtitoret pranë Kapitol-Hillit, pranë Shtëpisë së Bardhë e kudo gjetkë në qytete të tjerë në SHBA e Kanada. Në këtë tubim madhështor fjalën e rastit e mbajti kryetari i Federatës Panshqiptare “Vatra”, zoti Agim Karagjozi. Fjala e tij u botua e plotë në faqen e parë të gazetës Dielli. Ndër të tjera, ai tha: “Kemi ardhur sot këtu, në kryeqytetin e Amerikës, atdheut tonë të adoptuar dhe superfuqisë së vetme në botë, … të kërkojmë ndihmën e Shtëpisë së Bardhë, të Kongresit dhe të popullit amerikan për mbështetjen e kërkesave të drejta e legjitime të shqiptarëve, njohjen e pavarësisë së Kosovës. Me praninë tonë sot këtu, ne duam gjithashtu t’i bëjmë të ditur botës, ashtu si po bëjnë bashkëatdhetarët tanë në Shqipëri, në Maqedoni, në trojet e tjera shqiptare dhe në të gjithë diasporën, se shqiptarët, kudo që jetojnë janë në unitet për çështjen madhore kombëtare të tyre. … Prandaj mos të habitet në se ne sot e ndjejmë të nevojshme t’i kujtojmë botës se kur është fjala për lirinë dhe të drejtat e tyre kombëtare, shqiptarët janë më se të aftë për rezistencë të armatosur. Armiku serb gabon në se Drenica heroike, Drenica e Azem e Shote galicës, e Shaban Polluzhës dhe e luftëtarëve të panumërt, që me pushkë e flijim i kanë mbrojtur ato troje nga pushtuesit gjatë historisë, do të mposhten para masakrave barbare.” (Gazeta Dielli, 1/1998) Kur zoti Karagjozi thotë që shqiptarët janë më se të aftë për rezistencë të armatosur, bën të qartë para opinionit ndërkombëtar se kauza e luftës së UÇK-së është sa e drejtë, aq edhe e ligjshme, se kjo luftë është e njohur tashmë edhe nga SHBA.

Drenica kishte përqëndruar vëmendjen kryesore të gazetës Dielli të numrit të saj të janar-marsit, Po këtu botohet edhe një editorial me titull “Sfida e përgjakshme e Drenicës”.

Ky editorial gjykon qëndrimin politik të vendeve perëndimore e të vetë shqiptarëve, kudo që ata jetojnë, për çështjen e Kosovës. Në të theksohet që ngjarjet e përgjakshme të Drenicës morën në provim vullnetin, gatishmërinë, synimet dhe forcat tona, por edhe predispozicionin e Evropës dhe të gjithë botës për t’ju përgjigjur në një mënyrë apo një tjetër çështjes së Kosovës. Artikulli përmend që vetë shqiptarët e Kosovës janë të vendosur për të vënë në jetë të drejtat e tyre në mënyrë paqësore, por nga ana tjetër atyre po u qartësohet gjithnjë e më tepër domosdoshmëria e organizimit me urgjencë të vetëmbrojtjes. … Ndërsa Evropa, nënvizon editoriali, mbetet ajo e gjithëmonshmja. Pret të nisë vallen kur të pushojë daullja. (Gazeta Dielli, 1/1998).

Sa i takon SHBA-së, ende nuk është pjekur te kjo fuqi e madhe e botës ideja për të dënuar e ndëshkuar përfundimisht Serbinë e Millosheviçin për qëndrimet e tyre antinjerëzore ndaj shqiptarëve në Jugosllavi. Jemi në kohën kur ende nuk ka ndodhur masakra e Reçakut. Vetëm pas saj, me fillimin e vitit 1999, SHBA jo vetëm do të pozicionohet qartë pro Kosovës, por do të këmbëngulë në ndalimin e dhunës e vrasjeve të Serbi dhe në dënimin e Millosheviçit. Prandaj editoriali, lidhur me qëndrimin e SHBA-së, në krahasim me Evropën, për çështjen e Kosovës konstaton se SHBA është më e dhënë dhe më e vendosur mbas çështjes sonë, por, si gjithnjë, të dyja këto, si Evropa dhe Amerika, edhe kësaj here, duke patur frikën e një destabilizimi rrënjësor të rajonit, po më së tepërmi të interesave të tyre në këtë gadishull, e kundërshtuan pa kurrëfarë mëdyshje, se me keqardhje jo se jo, pavarësinë e Kosovës, (Gazeta Dielli, 1/1998), janë fjalët që mbyllin editorialin.

Siç theksuam më lart numri i janar-marsit 1998 i gazetës Dielli i kushtohet pothuaj i tëri, në të 16 faqet e tij, Kosovës e ngjarjeve të përgjakshme të Drenicës. Kështu, një faqe e brendshme e saj e tëra përfshin një shkrim historik lidhur me kontributin e kësaj zone dhe Prekazit në rrjedhat e kohërave dhe sidomos në shekujt XIX-XX. Këtu përmenden veprat heroike të atdhetarëve të njohur si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Adem Delia, Shote e Azem Galica e mjaft të tjerëve.

Po në këtë gazete është përfshirë edhe një reportazh për Drenicën, shkruar nga Hys Shkreli, me titull Pranverë në Drenicë. Autori e nis shkrimin me fjalët që zakonisht pranvera vjen me ngjyra optimizmi, por për Drenicën nuk ishte e tillë. Në këtë vend këtë vit erdhi një pranverë kobi, tmerri e gjaku. (Gazeta Dielli, 1/1998) Ai shkruan se kjo ishte një pranverë vdekjesh, që shuan oxhaqe, fiken vatra… Në vend të dallëndysheve atje zbritën korbat e zes serbë. Hys Shkreli pranverën e këtij vti në Drenicë nuk e sheh vetëm zi, por edhe me shpresa për të ardhmen. Kështu, ai jep mesazhe të tillë si: Vërtetë Drenica u bë pikëtakimi i lirisë me vdekjen … por edhe vendi i betimit tonë të ri.

Drenica u bë fat i yni, Prekazi u bë fat i yni. Drenicë po bëhemi të gjithë. … Për të vrarët ai thotë se ata (serbët) menduan se ju vranë, por ju ngjalleni përditë … në dhjetëra, në qindra. Vdekja juaj do të jetë edhe një jetë më tepër për Kosovën, mbyllet reportazhi.

Në numrin e muajve prill-qershor 1998 gazeta Dielli boton një intervistë me titull “Angazhimi i “Vatrës” për Kosovën nuk është gjë e re”. Intervista i është dhënë Radios “Zëri i Amerikës” nga Kryetari i Federatës Panshqiptare “Vatra”, Agim Karagjozi, më datë 18 prill 1998. Në thelb, intervista e kryetarit të “Vatrës” parashtron aktivitetin e kësaj federate për të informuar publikun shqiptar në Amerikë, por edhe për të sensibilizuar opinionin dhe Kongresin, Departamentin dhe admininistratën amerikane për kauzën e drejtë të luftës së shqiptarëve të Kosovës kundër pushtuesve serbë dhe dhunës së ushtruar sistematikisht nga regjimi serb dhe nga Millosheviçi. Gjithashtu, kjo intervistë prek edhe gjendjen e Shqipërisë pas trazirave të 1997-tës dhe ardhjes në pushtet të forcave të majta. Qëndrimet e “Vatrës” për këto situata shihen qartë në fjalët e zotit Agim Karagjozi në përgjigje të pyetjeve të Zërit të Amerikës. Kështu, pyetjes se çfarë pune po bën kjo organizatë panshqiptare për afrimin sa më parë të një zgjidhje për krizën në Kosovë, zoti Karagjozi përgjigjet: “Duhet të përmend që angazhimi i “Vatrës” për çështjen e Kosovës nuk është gjë e re. Që nga themelimi i kësaj shoqate, ajo ka qenë pjesë e çështjes kombëtare në tërësi, për të cilën “Vatra” u organizua: sigurimi i pavarësisë së Shqipërisë, i sovranitetit të shtetit të vërtetë shqiptar, ku të përfshiheshin të gjitha viset e banuara nga shqiptarët. Pas referendumit të vitit 1991 Vatra është solidarizuar vendosmërisht me kërkesën e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi dhe është angazhuar për arritjen e kësaj kërkesë të drejtë e legjitime …

Në ditët e sotme, vendin kryesor në përpjekjet e “Vatrës” do ta zënë takimet me miqtë tanë amerikanë, të cilët sa më shumë informohen për realitetin e problemit të Kosovës – për shtypjen dhe dhunën e egër serbe – aq më tepër e shohin se kërkesat e shqiptarëve janë të drejta dhe aq më fort i mbështesin ato.” (Gazeta Dielli, 2/1998)

Gazeta Dielli e muajve korrik-shtator 1998 njofton se një përfaqësi e Shoqatës Atdhetare Politike Kosova gjatë fundit të korrikut e fillimit të muajit gusht erdhi në New York të SHBA-së dhe vizitoi edhe Federatën Panshqiptare “Vatra”. Në darkën e shtruar për nder të kësaj vizite, fjalën e mirëseardhjes e mbajti kryetari i Federatës “Vatra”, Agim Karagjozi, i cili mes të tjerash, foli për nevojën e forcimit të unitetit kombëtar, sidomos në situatën e tanishme që po kalon kombi ynë dhe për rëndësinë e takimeve të tilla në dobi të forcimit të këtij uniteti. Zoti Karagjozi vuri theksin edhe në zgjidhjen e problemeve të rëndësishme të çështjes kombëtare, siç është problemi i Kosovës. Nuk mjafton vetëm miratimi i vendimeve e i qëndrimeve të njëri-tjetrit, por organizatat tona duhet të shqyrtojnë së bashku situatat e krijuara, të përcaktojnë rrugët dhe të bashkërendojnë veprimet. Ndërsa kryetari i Shoqatës Kosova, zoti Murat Gjonbalaj, pasi falenderoi vendasit për mikpritjen, foli për situatën e ndërlikuar në Kosovë. Të dyja shoqatat dolën me një Deklaratë të përbashkët, e cila gjithashu është botuar në këtë numur gazete. Në të i bëhet thirrje tërë faktorit shqiptar për bashkim, në mbështjetje të Luftës së Kosovës për liri e pavarësi.

Vatra e Dielli mbrojnë kauzën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës

Në fund të vitit 1998 një delegacion i Kuvendit të Kosovës zhvilloi një vizitë në SHBA, ku bëri disa takime të rëndësishme. Kuvendi i ri i Kosovës u krijua pas shpërndarjes së kuvendit të mëparshëm vite më parë nga dhuna serbe. Ky kuvend doli nga zgjedhjet e 22 marsit 1998, i konstitutiuar në16 korrik po të atij viti. Delegacioni i këtij kuvendi kryesohej nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Vejsiu. Gjatë qëndrimit në New York, zoti Fatmir Vejsiu i dha një intervistë gazetarit të Diellit, intervistë e cila u botua nga kjo gazetë në numrin e saj të muajve tetor-dhjetor 1998.

Gjatë intervistës zoti Vejsiu iu përgjigj pyetjeve të ndryshme që kishin të bënin me marrëdhëniet me Kuvendin e Shqipërisë, pyetjeve që kishin të bënin me marrëdhëniet mes forcave politike në Kosovë e të tjera. Interesante në këtë intervistë është se në gazetën Dielli për herë të parë përmendet UÇK-ja si forcë luftarake kombëtare, nga fjalët e vetë zotit Fatmir Vejsiu.

Në fakt, deri në dy takimet e ambasadorit amerikan, zotit Hollbruk me përfaqësuesit e UÇK-së në Zvicër në muajin maj dhe pas një muaji, në qershor 1998, për këtë formacion ushtarak, ka patur gjykime të ndryshme si në planin e brendshëm, ashtu edhe atë të jashtëm. Disa nga etiketimet që i bëheshin UÇK-së ishin: forcë “terroriste”, lëvizje revolucionare “marksiste-leniniste”, apo si lëvizje “islamike fundamentaliste”.

Ndërkohë edhe në Kosovë, deri në fillim të vitit 1999, lidhur me luftën kundër pushtuesve serbë nga forcat politike ishin shfaqur dy rryma: ata që shihnin si rrugë të vetme luftën e armatosur kundër pushtuesve serbo-sllavë, të cilët mbështesnin UÇK-në, që më pas ky krah formoi Partinë Demokratike të Kosovës, dhe krahu apo rryma që ishte për përdorimin e rrugës paqësore, e Presidentit Ibrahim Rugova, i mbështetur nga shumica e Lidhjes Demokratike. Nisur nga këto rrethana edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës vepronte me aksione, pa marrë çertifikatën e një arme të domosdoshme për t’u përballur me dhunën serbe, si në planin e jashtëm ashtu edhe të brendshëm. “Legalizimi” që i bëri z. Hollbruk kësaj force, e legjimoi atë para popullit shqiptar dhe para opinionit ndërkombëtar. Prandaj edhe zoti Fatmir Vejsiu, pyetjes së gazetarit të Diellit se si paraqiten sot konkretisht mosmarrëveshjet mes forcave politike dhe ushtarake në Kosovë, ai në mënyrë të drejtëpërdrejtë përgjigjet: “… ka mospërputhje, të cilat, për fat të keq, midis faktorëve politikë dhe atij ushtarak në Kosovë dëshirohet të interpretohen në variantën më të keqe dhe të stërmadhohen përtej dimensioneve që kanë. Në një fazë, ndonjë nga faktorët politikë në Kosovë, ka bërë garë për të përshpejtuar e për të vënë patronat ndaj faktorit ushtarak dhe, me këtë rast, “ta zërë trenin” apo të shfrytëzojë shansin e plasimit në pozicion tjetër të “top listës”, pa na kuptuar thellë se i gjithë faktori ushtarak, që sinjifikohet fuqishëm me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, paraqet bërthamën e popullit, pjesëtarë të së cilës janë bijtë e bijat e gjithë popullit, dhe se qëndrimi, kujtoj, shumë i drejtë i UÇK-së është funksionimi i saj i efektshëm mbi bazë të partishmërisë. Kuvendi i Republikës së Kosovës, përkatësisht kryesia e Kuvendit, ka përkrahur dhe do të përkrahë një qëndrim të tillë, duke kërkuar në të njëjtën kohë, siç u theksua edhe më herët, ndërtimin e institucioneve të shtetit, përkatësisht mbi këtë bazë, institucionalizimin e të gjithë veprimtarive, ku secila prej tyre do të ketë përgjegjësi të posaçme nga fusha e vet”. (Gazeta Dielli, 4/1998)

Masakra e Reçakut bind SHBA-të për drejtësinë e kauzës së Kosovës

Numri i parë i gazetës Dielli për vitin 1999, i përbërë edhe ky nga 16 faqe, përfshin tri muaj: janar-shkurt dhe mars. I takon muajve më të ngjeshur në ngjarje për Kosovën: Intesifikimi i eksodit të kosovarëve drejt Shqipërisë, Maqedonisë e Malit të zi, masakra e Reçakut, dhe nisja e bombardimeve të Natos ndaj Beogradit e bazave ushtarake serbe më 24 mars. Kjo e fundit ishte preludi i fitores së lirisë dhe i çlirimit të popullit të Kosovës nga sundimi i gjatë serbo-sllav. Prandaj gazeta e parë e vitit 1999 në faqet e para të saj do t’i kushtohet kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Kryeartikulli i saj titullohet Zëri shqiptaro-amerikan i protestës, shkruar nga Lekë Drini. Artikulli bën fjalë për organizimin dhe zhvillimin e demostratave më të mëdha të bërë ndonjëherë nga shqiptarët e SHBA-së në Washington e New York, demostrim i cili u bë për të ngritur zërin në realizimin sa më shpejt të pavarësisë së Kosovës, për t’u shpëtuar një herë e mirë nga dhuna e shtypja serbe. Duke shpresuar në aktin e fundit të ndërmarrë nga NATO dhe SHBA, në bombardimin e Beogradit dhe të bazave ushtarake të Serbisë, kryeartikulli shkruan: “… sot bota u bind dhe po bindet gjithnjë e më shumë se jemi një popull që duam të jetojmë në paqe e miqësi me gjithë botën e sidomos me fqinjët… Ne jemi një popull i lashtë, pra duam t’i ruajmë trojet tona që na i kanë lënë të parët, nuk duam as më shumë e as më pak, veç asaj hapësire ku flitet shqipja jonë… se jemi një popull krenar e dinjitoz, pra duam të na respektojnë të tjerët, ashtu siç i respektojmë ata. … Se jemi një popull i tillë u dyndën shqiptarët nga rrugët e Nju Jorkut e të Uashingtonit, që nga ndërtesa e OKB-së, te Shtëpia e Bardhë, dhe ngritëm lart zërin shqiptar të së drejtës: t’i jepet sa më parë pavarësia Kosovës. … Një mirënjohje të thellë me një falenderim të përzemërt në emër të të gjithë shqiptarëve në trojet e veta dhe të shpërndarë nëpër botë, shqiptarët e Amerikës i rezervuan personaliteteve më të larta amerikane: presidentit të vendosur deri në fund Clinton dhe zonjës Madeleine Albright, e palodhur në përpjekjet e saj për një zgjidhje paqësore, si dhe të gjithë senatorëve, kongresmenëve, personaliteteve të tjera të politikës, shkencës, kulturës e artit, që në këto ditë aq të vështira për ne, nuk e kursyen miqësinë e sinqertë dhe ndihmën pa interes. …” (Gazeta Dielli, 1/1999)

Kryeartikulli më tej shkruan se nga këto demostrata bashkësia shqiptare e Amerikës, e përkrahur nga mjaft miq amerikanë, sidomos nga senatori Bob Dole dhe kongresmeni Eliot Engel, hartuan disa kërkesa që ia dërguan administratës së lartë amerikane. Thelbi i këtyre kërkesave ishte: Të armatosen, në kuadrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bijtë dhe bijat e saj dhe të gjithë trojeve shqiptare për ta çuar deri në fitoren përfundimtare luftën për çlirim, të dërgohen trupat tokësore të NATO-s për ta shkatërruar njëherë e mirë ushtrinë serbe, që ka humbur dritën e arsyes, të dënohet arkitekti i krimit dhe bashkëpunëtorët e tij, t’i jepet dhe sigurohet nga forcat ndërkombëtare pavarësia e Kosovës, të kthehen në vatrat e veta kosovarët e martirizuar dhe të ndihmohen të fillojnë nga e para jetën në paqe e liri. Interesant është fakti që pothuaj të tëra këto kërkesa u morën në konsideratë nga administrata amerikane e Presidenit Klinton, së bashku me ndërkombëtarët, të cilët pas çlirimit të Kosovës, në qershor të vitit 1999, jo vetëm njohën UÇK-në e luftën e saj të drejtë, por e kthyen atë në forcën ushtarake për mbrojtjen e shtetit të ri të Kosovës. Po kështu, pas muajit qershor në Kosovë u vendosën forca paqeruajtëse të NATO-s, u rikthyen tërë kosovarët që ishin detyruar të largoheshin për shkak të luftës dhe u ndihmuan që të nisin jetën normale, kryekrimineli serb Millosheviç iu dërgua gjykatës ndërkombëtare për gjykim, qeverisja e re e Kosovës do të ishte nën mbikqyrjen dhe protektoratin ndërkombëtar.

Po në faqen e parë të gazetës Dielli të muajve janar-mars 1999 jepet edhe fjala e kryetarit të “Vatrës”, zotit Agim Karagjozi, mbajtur para demostruesve të New Yorkut më datë 29 mars 1999. Fjala e tij gjithashtu vlerësonte aktin e guximshëm të Amerikës e NATO-s, që u angazhuan për zgjidhjen përfundimtare të problemit të Kosovës. Ndër të tjera zoti Karagjozi u shpreh: “… Amerika, kampione e drejtësisë dhe e të drejtave të njeriut, mbrojtje e shpresë e popujve të vegjël, ashtu si në kohën e presidentit Woodrow Wilson, në Konferencën e Paqes në Paris, i doli krah popullit tonë të sulmuar e të masakruar me një plan të peshuar mirë. … Ne i jemi sot dhe do t’i jemi për jetë thellësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit Clinton, që në këtë kohë plot rreziqe për të ardhmen e popullit tonë, na dolën mbrojtës të vendosur, duke shkuar gjer në luftë për t’i dhënë fund pushtimit të Kosovës nga forcat e kriminelit Sllobodan Millosheviç… Një mirënjohje të veçantë do ta ruajmë ndaj sekretares së shtetit Madeleine Albright, për përkushtimin dhe përpjekjet e palodhura të saja që marrëveshja e miratuar nga Grupi i Kontaktit të zbatohet. Mirënjohës u jemi gjithashtu partnerëve të NATO-s, që me vendosmëri e mbështetën marrëveshjen kalimtare dhe po marrin pjesë në goditjet ajrore… Ne duhet të kërkojmë nga Administrata e Washingtonit që me shpejtësinë më të madhe t’i intensifikojë në maksimum goditjet ajrore kundër forcave gjakatare në Kosovë, të furnizojë shqiptarët me armatime moderne dhe t’u japë të gjitha ndihmat e pajisjet ushtarake të nevojshme, që ata vetë t’i presin hovin sulmeve shfarosëse dhe ta shpëtojnë atë popull nga gjenocidi”. (Gazeta Dielli, 1/1999)

Shkrimi editorial i kësaj gazete titullohet: Një firmë në Rambouillet. Bëhet fjalë për Marrëveshjen e Rambujesë që duhet të nënshkruanin të dy palët, para se të fillonte bombardimi.

Mosbindja e Millosheviçit për ta nënshkruar këtë marrëveshje, detyroi SHBA-në dhe NATO-n të fillojë bombardimin e Beogradit. Editoriali e paraqet fenomenin e “Rambujesë” si një befasi, e papritur, si një dimension të çuditshëm, aq sa mund të jetë e çuditshme vetmia e një firme në tryezat e diplomacisë. Më tej, editoriali e përcakton këtë firmë si një shkëlqim në qiellin e hapur të historisë, si një yll i aspiratës së një populli që dëshiron të jetojë i lirë, në paqe me fqinjët dhe gjithë botën dhe zotohet për këtë. Vetmia e kësaj firme do të mbetet si një dorë e shtrisë për miqësi. Dhe vetëm kaq. Një dorë e mbetur në hava, vijon editoriali, pa përgjigje. Si do të shkojë fati i Rambujesë? Pyet vetë editoriali dhe po vetë jep pargjigjen: “… Shqiptarët e Kosovës po presin. Shqiptarët në viset e tyre dhe në të gjithë botën po presin. Ballkani dhe bota po presin. Çfarë do të bëjë më tej krimineli Millosheviç dhe çfarë do të bëjë vullneti evro-amerikan? Tani që është bërë e pakuptimtë dhe e panevojshme firma e Millosheviçit në Rambuje, a do t’i kthejë Aleanca Atlantike areoplanët “në shtëpi”, … apo do t’i vërë pikat “i-së”, d.m.th. për të kapur Millosheviçin për veshi, jo ma me e çue në Rambuje, por në Hagë? … Shqiptarët duhet të mendojnë se historia nuk mbaron sot dhe çështja kombëtare, megjithëse me humbje të mëdha e të stërmëdha, ka hyrë ë rrugën e zgjidhjes dhe Kosovës, sado përgjakshëm, po i buzëqesh pavarësia” (Gazeta Dielli, 1/1999), përfundon editoriali.

Sa i takon një takimi të çuditshëm që Millosheviçi bëri me z. Ibrahim Rugova, gjatë kohës që Beogradi bombardohej nga NATO, gazeta Dielli sqaron se ky takim ka të bëjë me një informatë të gënjeshtërt dhe është pjesë e propogandës serbe. Më tej Dielli shkruan se “Vatra” e konsideron këtë si informatë manipuluese për t’i ulur moralin shqiptarëve (Gazeta Dielli, 1/1999). Në fakt, do të jetë vetë Presidenti Rugova, i cili, më pas, do të flasë e do të bëjë të qartë opinionin shqiptar për rrethanat e zhvillimit të këtij takimi.

Ndërkohë që vazhdonte bombardimi i NATO-s mbi Beograd e Serbi, Millosheviçi urdhëronte forcat e veta ushtarake të hakmerreshin duke vrarë, gjymtuar e duke detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre mijëra e qindra mijë shqiptarë të Kosovës. Janë këto arsyet që gazeta Dielli jep në faqet e saj një deklaratë të Federatës Panshqiptare “Vatra” si dhe i kushton këtij gjenocidi të ushtruar nga serbët editorialin e saj në numrin e dytë të kësaj gazete për vitin 1999, që përfshin muajt prill-maj-qershor. Deklarata është hartuar më 28 maj të vitit 1999 nga Këshilli Drejtues i “Vatrës”, ku mes të tjerash përmban: “Me brengosje kemi ndjekur tragjedinë e rëndë që po përjetojnë motrat dhe vëllezërit tanë kosovarë dhe, si gjithë shqiptarët atdhedashës kudo në botë, ndiejmë dhimbjen e thellë të mizorive ç’njerëzore të kryera mbi ta. Gjenocidi dhe dëbimi në masë i shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore, të planifikuara nga serbët prej kohësh me synimin të arrijnë spastrimin e etnik dhe t’ua bëjnë të pamundur jetën në Kosovë, kanë tronditur botën e qytetëruar dhe kanë krijuar rrezikun më kërcënues për të ardhmen e kombit shqiptar … Qëndresa stoike e popullit të Kosovës në përpjekjet e tij për pavarësi dhe dinjiteti që ai ka treguar përballë kësaj tragjedie, kanë dëshmuar se ai është një popull fisnik e i papërkulshëm – virtyte këto që kanë fituar admirimin e të huajve. Heroizmi i luftëtarëve të rinj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që vrapojnë nga të gjitha anët drejt frontit të luftës, të gatshëm të flijohen në mbrojtje të trojeve amtare, janë dëshmia supreme e dashurisë për atdhe e komb … Është imperative që në këto ditë kritike t’i bindim Fuqitë e Mëdha, që kërkojnë të na ndihmojnë, se jemi të aftë dhe në lartësinë e duhur t’i zgjidhim çështjet tona të brendshme si një popull i qytetëruar, duke i lëshuar vend njëri-tjetrin për atë ç’ka jemi e çka kemi.” (Gazeta Dielli, 2/1999)

Në këtë Deklaratë kundërshtohen ato zëra që kohët e fundit, kërkojnë të mohojnë arritjet e gjertanishme: institucionet legjitime dhe forcën politike kryesore, Lidhjen Demokratike të Kosovës – dhe arbitrarisht të monopolizojnë përfaqësimin e vullnetit të popullit, këta sipas “Vatrës”, nuk i shërbejnë interesave të Kosovës. – theksohet në Deklaratë. (Gazeta Dielli, 2/1999)

Po në të njëjtën faqe me deklaratën, gazeta Dielli jep edhe një artikull editorial me titull Diplomacia plus. Editoriali ndalet te veprimet ç’njerëzore të forcave ushtarake e paramilitare serbo-sllave ndaj popullsisë civile të Kosovës. Ndërsa NATO bombardonte … Millosheviçi mbillte vdekjen e një populli të tërë dhe i vinte zjarrin tërë krahinës, shkruan editoriali. Më tej përshkruhen masakrat serbe ndaj këtij populli: “… serbët u lëshuan mbi popullsinë e pafajshme të Kosovës, mbi fëmijët, gratë, pleqtë, me një qëllim të vetëm: ta zhduknin nga faqja e dheut racën shqiptare. Ashtu siç patën ardhur dikur nga Uralet, të egër dhe kriminelë, siç i pati sjellë një vakt e një kohë Atila, u lëshuan me një tërbim të pashembullt arkanë e sheshelë, millosheviçë e paraushtarakë, policë e qytetarë të ç’bënin Kosovën e të bënin Serbinë, ta shndrronin “Stara Serbinë” në “Nova Serbia”, në një Serbi të re, ku shkinat, vetëm ato, duke përkundër djepat, të këndonin lavditë e përgjakshme të fisit.” (Gazeta Dielli, 2/1999)

Editoriali bën të qartë që tashmë qëllimet dhe luftën e Serbisë nuk e kanë kuptuar vetëm shqiptarët por edhe bashkësia ndërkombëtare, me përjashtim të rusëve që i mbështesin serbët në platformën e tyre antishqiptare. Editoriali mbyllet me fjalët optimiste për të ardhmen e Kosovës: “Jemi ne të vrarët, të gjakosurit, të djegurit, të dhunuarit, të nëpërkëmburit, gjymtyrëthyerit, synxjerrurit, të shpërngulurit e të stërshpërngulurit, të copëtuarit e Kongreseve berlineze dhe Konferencave londineze, që kërkojmë, jo thjesht për hir të asaj që pësuam, por për hir të së drejtës Kosovën tonë, të lirë e të pavarur.” (Gazeta Dielli, 2/1999)

Në rrugën e pavdekësisë, titullohet artikulli-homazh për vrasjen më 9 maj të Prof. Fehmi Aganit nga serbët. Artikulli shkruan se në 15 maj të vitit 1999, në një ambient të LDK-së në Bronx të Nju Jorkut, në prani të një numri të madh bashkëatdhetarësh dhe të përfaqësuesve të shoqatave shqiptare të bashkësisë sonë, u zhvillua një mbledhje përkujtimore, për vrasjen nga dora kriminale serbe e anëtarit të Akademisë të Shkencave e Arteve të Kosovës, pedagogut të shquar të Universitetit të Prishtinës, të një nga themeluesve të LDK-së e nënkryetarit të saj, prof. dr. Fehmi Aganit. Në emër të Federatës Panshqiptare “Vatra”, fjalën e rastit e mbajti kryetari i saj, zoti Agim Karagjozi, i cili ndër të tjera tha: “Vdekja e prof. dr. Fehmi Aganit është shumë e rëndë sidomos në këtë kohë që po përjetojmë këtë tragjedi kaq të madhe dhe kemi nevojë për figurat si e prof. Aganit që të na ndriçojnë, të na udhëheqin dhe të na tregojnë rrugën e daljes nga kjo tragjedi. Kjo është një humbje e pazëvendësueshme.” (Gazeta Dielli, 2/1999)

Në këtë takim e morën fjalën për të folur rreth figurës së Fehmi Aganit edhe dr. Fuat Myftia, në cilësinë e kryetarit të Partisë Lëvizja e Legalitetit për Nju Jorkun, Lavdrim Cami, kryetar i Shoqatës Atdhetare Dibrane, dr, Gjon Buçaj, nënkryetar i “Vatrës”, e të tjerë si Sihaledin Velaj, Sinan Kamberaj, prof. dr. Kajmak Gazidede e Musa Dakaj.

Po për Fehmi Aganin, në gazetën Dielli të muajve prill-qershor 1999, është botuar një nekrologji vlerësuese, me titull In memoriam, e shkruar nga Sinan Kamberaj, të cilën ai e mbajti në takimin e organizuar në Bronx më 15 maj 1999. Në këtë shkrim vlerësues e përkujtimor kushtuar vrasjes së akademikut të njohur, autori, mes të tjerash thotë: “Duke përkujtuar e nderuar prof. Aganin, ne në fakt përkujtojmë dhe nderojmë edhe shumë kolegë të tij, pedagogë e mësues, shumë studentë të tij, që ranë në altarin e lirisë së Kosovës, mijëra bashkëatdhetarë tanët, që u vranë dhe u masakruan barbarisht nga forcat militare çetnike serbe, anekënd Kosovës, lirisë e pavarësisë së cilës, prof Agani ua kushtoi pa kursyer gjithë dijen dhe fuqinë fizike, gjatë tërë jetës së tij. … Vrasja e prof Aganit është një vrasje sa mizore, po aq edhe simbolike. Beogradi, duke e vrarë prof. Aganin, ka dashur t’u thotë shqiptarëve se u vret atyre mendjen, por është gabuar. Prof Agani është larguar fizikisht prej nesh, ndërsa është e pamundur të fshijnë nga kujtimet brezat që kanë dëgjuar mësimet e tij, aq sa është e pamundur të mos ua transmetojnë edhe ata brezave të tjerë idealin e prof. Aganit, duke e bërë atë të pavdekshëm.” (Gazeta Dielli, 2/1999)

Filed Under: Analiza

KUVENDI DHE BESA SHQIPTARE NË SENICË TË DELVINËS

March 24, 2025 by s p

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI/

 (Në kuadrin e 255 vjetorit të Kuvendit të Senicës (1770-2025), ose “kuvendi i palcimit/ pajtimit”, të mbajtur më 25 mars 1770 (ditën e diel) nën drejtimin e legjislatorit të madh popullor agait të njohur Idriz Sulli dhe me mbështetjen e fuqishme të organizatorit dhe mikpritësit seniciot kryeplakut e drejtuesit të çetës patriotike të fshatit Senicë Kostë Prifti)

Në historikun e trevës labe dhe përtej portës së parë të Labërisë, përtej Fushëbardhës e qafës së Skërficës është një fshat historik që ka shkruar epope mençurie, trimërie e atdhetarie. Kështu Senica e Delvinës, ky “ballkon” bukurie për mbarë Rrëzomën ka qenë disa herë mikpritëse dhe bashkëpunuese me fshatrat përreth. Senica ka vënë gurë themeli në historinë e trevës së zonës dhe ka jetuar, punuar e luftuar në vëllazëri shekujve me fshatrat përreth. Nuk është e rastit që disa nga fiset e saj janë edhe përreth fshatrave të tjerë edhe ndonjëherë me mbiemra të ndryshëm por me rrënjë gjaku të përbashkuara, sikurse ishin dhe janë Çarçanajt e Fushëbardhës dhe Gjikajt e Senicës së Rrëzomës dhe në thellësi të shekujve dhe me Gjikajt e Qeparoit. Është e njohur nga Revista “Shejzat” e themeluar nga Ernest Koliqi më 1957 në Romë (e përkohshme albanologjike; revistë që gjendet edhe online nr.1-10 janar-tetor 1974). Këtu flitet për dhjetë shekuj më parë pasi Eqerem Bej Vlora e ngriti në art me publikimin e parë, që është një model kulturor dhe informative për marrëveshjen e vitit 1081 të Papa Zhulit. Në Senicë dhe përreth saj jemi në truallin me moshën e maleve, janë këtu që kur ka lindur jeta. Nderi dhe liria janë jetësuar në përjetësi për Seniciotët sikurse edhe për fqinjët e përjetshëm Fushëbardhën, Zhulatin kala historike, Kardhiqin e 18 lagjeve, që e njohën historian e udhëtarë historikë, Plesatin e Cepon kala natyrore e vendin e Kuvendeve, Shtëpëzin, Picarin, Kolonjën Humelicën dhe Golemin, të gjitha bashkë si një gjerdan në llogoren e shekujve, me Senicën e kuvendit të palcimit/besës, me gjithë trevën labe e më gjerë. Nëpër shekuj lufta për liri dhe çlirim dhe mbrojtja e trojeve ishte zanat, një zanat luftëtari që i mblidhte gjithmonë bashkë në kushtrim lufte. 

Kuvendi i Senicës u mblodh në 25 mars 1770 (ditën e diel) dhe u quajt “kuvendi i Senicës” ose “kuvendi i palcimit/pajtimit”, ndërkohë që kuvendi tjetër do mblidhjej pas tre vitesh tek Rrapet e Agait, edhe pse duhet thënë që është i njohur historikisht edhe betimi i famshëm i vitit 1610, pra 415 vite më parë: “Mu bëftë harram gjiri i mëmës dhe moslënça bina po shkela benë dhe po ndërrova fenë”. Një mesazh që kapërcen shekujt. Kuvendi i Senicës i vitit 1770 pati pjesëmarrje të kapedanëve të të gjitha trevave nga Labëria e Çamëria, Delvina, Himara dhe më gjerë. Kuvendi udhëhiqej nga burri i mençur Idriz Sulli (soji i Përodajve), ku krahu i djathtë i Idrizit ishte  senicioti i mençur e trim Kostë Prifti. Ata u bënë baballarët e krahinave jugore të vendit, udhërrëfyes në kundërshtimin e ligjeve të egra osmane për nizamllëkun, gjykatat, taksat e rënda etj. Objekti, vendi e roli i kuvendit të Senicës vjen deri në ditët tona me vargje që u gërmëzuan në kujtesën e njerëzve dhe nuk u harruan asnjëherë. Ja si shkroi “sekretaria e kuvendit të Senicës”, jo me shkresë arkivore për mungesë shteti, por me vargje: “Dëgjuar e parë kini,/Në Senicë u bë pajtimi,/ Fshatra e kaza u mblodhë,/ Pleqësia e anës tonë,/Të krishterë e muslimanë,/ Ca me mushka e ca me kalë,/ Te përrallet në lëndinë,/ Flet Idrizi me të mirë:/ Mbani vesh o kapedanë,/ Të madhe ju bëj rixhanë(lutjen),/ Të mençur e pleq me radhë,/ Të lidhemi besë e fjalë,/ Se të gjithë trimat u vranë,/Mbetën shkretë këto anë,/ Vritet shoqi me vëllanë,/ Bëhet qejfi hasmit tanë,/ S’jemi turq e mercenarë, (një varjant tjetër është: S’jemi turq, as venecianë),/ Jemi gjithë shqipëtarë,/ Kemi një gjak e një farë,/ Nga soji i Arbërit të parë…”. Idriz Sulli ngeli në memorien kombëtare pse mençurisht shkoi në Senicë më 1770, duke u bërë përbashkues i gjithë rrethinave, kazave e nahijeve të Jugut, në Kuvendin e Senicës, ku vargëzimi popullor thotë: “Gjëmon vëndi me oshtima,/Vijnë kalorës, vijnë trima,/Nga Himara, nga Smokthina,/Nga Labova nga Delvina…”, që i jep dimension në mbarë jugun e vendit për pjesëmarrje të gjerë dhe angazhim serioz. Kënga u rregjistrua dhe u kiç në mendjen e njerëzisë, nuk u harrua kurrë në breza, këndohet e ndonjëherë dhe përsoset në vargje rrugës, por ruan anonimatin popullor për këtë organizim të pazakonshëm kuvendor në Senicën historike. Edhe sikurse thamë që nuk kishim “sekretari kuvendi”, kishim rapsodin popullor vigjilent që rregjistroi pjesëmarrësit përmes këngës, edhe pse nuk rregjistroi autorësinë duke i vendosur emrin “popull”.

Emrat e kapedanëve janë gdhendur në këngë: “..Kristo Koka nga Vunoi,/Jani Milo nga Himara,/Spiro Gjika nga Qeparoi,/Miho Gjini nga Piqerrasi,/Qesko Hila nga Lukova,/Hajdin Shehu nga Kalasa,/Stefan Prifti nga Shënvasia,/Kolë Mili dhe Jano Kumiu nga Nivicë Bubari,/ Dajkua i Lëkurësit (ka mundësi që emërtimi “dajkua” sipas burrave të moçëm të ketë qenë dajkua i tekstshkruesit popullor ose si vëllai i nënës së Kostë Priftit),/Bedo Hodo nga Borshi,/Demir Dosti agai i Kardhiqit,/Kostë Prifti nga Senica, Toto Rusha Progonati,/Idriz Sulli nga Zhulat Fushëbardha,/Osman Sina nga Tatzati,/Sheh Sejkati nga Filati,/Dalani nga Konispoli,/Kallapodhi i Delvinës,/Zoto Mahmuti Smokthina,/Igumeni i Katerinës nga Çamëria,/Allajbeu i Navarricës, si dhe mjaft të tjerë, që kënga si përmend emrat e tyre, por që është e njohur që ishin prijësat e kapedanët e çdo fshati, por edhe më gjerë. Kuvendi i Besës në Senicë ishte historike për trevën dhe historinë e shqiptarëve, ishte moment i bashkimit e pajtimit mes komuniteteve fetare dhe etnike. Kuvendi u udhëhoq bindshëm dhe mençurisht nga figura të njohura si: Idriz Sulli, një figurë e njohur e mençurisë dhe miku i tij i besës dhe betejës për drejtësi Kostë Prifti që hapi dyert mikëpritëse të seniciotëve.

Kuvendi ishte një mirëkuptim i plotë për zgjidhje konfliktesh dhe për bashkëjetesë e harmoni fetare. Në kohën kur shumë pjesë të Ballkanit përlesheshin në konflikte fetare e etnike, Kuvendi i Besës në Senicë përfaqësoi shembullin më tipik të tolerancës fetare dhe bashkëjetesës në këtë krahinë lavdiplote. Element deciziv i Kuvendit ka qenë vendosja e një atmosfere të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit, pavarësisht besimimeve fetare. Në atë kohë ishin vendosur si simbole të dy besimeve të pranishme, Bibla dhe Kurani në një kamare ku janë edhe sot e kësaj dite, një simbolikë e bukur e zgjidhur mençurisht, ku vlerat e bashkëjetesës dhe respektin ndaj njëri-tjetrit, qëndronin mbi interesat individuale. Kuvendi i Besës në Senicë përveç çështjes së bashkëekzistencës paqësore ndërfetare u ndal gjatë edhe tek fenomenet problemore shoqërore dhe politike të kohës. Fokusi ka qenë tek ndalja e fenomenit të gjakmarrjes e hakmarrjes, si një pengesë e madhe për stabilitetin dhe përparimin e shoqërisë shqiptare. Kuvendi miratoi dhe dha mesazhe të qarta për bashkëjetesë e bashkëpunim ndërmjet komuniteteve të ndryshme aq shumë të dëshirueshme. Përmes përpjekjeve për të zgjidhur konfliktet dhe për të vendosur parime të përbashkëta të drejtësisë dhe respektit, pjesëmarrësit në Kuvendin e Besës në Senicë demonstruan vullnet të plotë për një shoqëri të drejtë, të ndershme dhe të qëndrueshme. 

Historia i njeh tashmë dy kamaret e 1770, në Senicë ku u vendosën Kurani dhe Bibla, si librat e shenjtë, vendosën Ungjilli dhe Kurani, për t’u betuar secili pjesëmarrës, sipas besimit të vet, me një akt demostrativ jetësor, filozofik e patriotik. Rreth një shekull pas Kuvendit të Senicës, Vaso Pasha (1825-1892) shkroi vargjet manifest të Rilindjes Kombëtare shqiptare, lapidar të shekujve: “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”. Bibla dhe kurani në Senicë, por dhe në Taroninë pranë Fushëbardhës e Zhulatit, u bënë simbol i bashkimit pa dallim feje, hasmërie, pa gjaksi dhe pa hajdutëri, të gjithë në një front kundër sundimit të gjatë osman. Ky kuvend mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, duke treguar aftësinë e popullit shqiptar për të zgjidhur konflikte dhe për të përparuar drejt një të ardhme të përbashkuar. Në lidhje me datën e saktë disa historianë e lidhin me kalendarin “allaturka” dhe “allafrënga” pra data e mbledhjes në 25 mars i shtojnë dy javë dhe e rregjistrojnë më 10 prill dhe vijueshmërinë tre ditore të kuvendit, por më mirë këtë çështje e zgjidhin burimet më të besueshme dokumentare edhe përtej arkivave shqiptare, pse jo edhe në Vatikan, në arkivin osman dhe arkivat e Venedikut e më gjerë. Tre vite pas Kuvendit të Senicës u mbajt një tjetër kuvend i planifikuar që në Senicë të mbahej në një vend asnjëanës tek Rrapet e Agait pranë Taroninës. Ky kuvend solli për zbatim “shtatë Shartet e Idriz Sullit” që u bënë të detyrueshme për zbatim për gjithë trevat e Jugut.

Këto gjenden edhe në përmbledhjen që u ka bërë Prof Ismet Elezi edhe në botimin e mirënjohur “Kanuni i Labërisë”. Senica tashmë përbri autostratës së re dhe që deri brenda fshatit ka shkuar rruga asfalt vitin që kaloi është rilindur. Bijtë e këtij fshati vijojnë traditat mbajnë unitetin dhe miqësinë me të gjithë, duke rrezatuar zemërbardhësi, miqësi e kulturë, duke nxjerrë në pah se janë pasardhës të denjë të botës seniciote stërgjyshore. Besa e Kuvendit është kthyer në festë të përvitshme natyrisht me nismëtarët vizionarë të Senicës me kryetarin e fshatit të Besëlidhjes, Llambi Nika, Kryepleqësia e Senicës, kryetarin e Shoqatës “Besëlidhja e Vëllazërisë Seniciote”, Albert Jorgji si dhe personalitete të tjerë.

Senica e Kuvendit të Besës, me Memorial të ri pret bashkëfshatarë, bashkëkrahinarë, turistë, miq e dashamirës për t’i njohur me burrërrinë, unitetin në kohët më të vështira të pushtimit. Të gjithë kujtojnë sot misionin e përmbushur të Kuvendit të Senicës, misionin e bashkimit, të organizimit dhe drejtimit të kundërshtimit dhe përballjes luftarakle kundër pushtuesve osmanë.  Nga Kuvendi i Sencicës vijnë mesazhe e vlera uniteti për të gjitha kohrat ku baza e vendimeve të saj ishte: (1) organizimi dhe drejtimi i luftës së bashkuar kundër pushtuesve osmanë për ruajtjen e kufijve dhe sinoreve të të parëve; (2) u vendos me përparësi për dukuritë shoqërore të kohës, kryesisht uniteti ndërmjet besimeve, harmonia dhe mirëkuptimi i ndërsjelltë fetar në kundërshti me ligjet e ashpra dhe të egra osmane; (3) u vendos të luftohej kundër bandave kriminale e hajdutëve, që endeshin sa andej-këtej dhe prishnin qetësinë, dëmtonin pronat e pasuritë; (4), në planin social, Kuvendi u shpreh njëzëri kundër fenomenit të gjakmarrjes e hakmarrjes; (5) kuvendi vendosi kundërshtimin e pagesave të taksave dhe tatimeve të shfrenuara osmane; (6), pjesëmarrësit njëzëri ishin kundër dërgimit të djemve askerë në viset e huaja, duke kërkuar që nizamllëku të bëhej në vilajetet shqiptare; (7) u vendos për lidhjen dhe unitetin midis banorëve të krahinave të Jugut të hapësirës shqiptare. Ndërkohë që paria e Kuvendit të Senicës risolli në vëmendjen e të gjithëve ritin e lashtë shqiptar të ritit të ceremonialit të Lidhjes së Besës, ku akti i Besëlidhjes u muarr mbi një shpellë në qendër të Senicës, ku sot është memoriali i derdhur në bronz, duke risjellë edhe një herë besëlidhjen e traditës shqiptare të duarbashkimit që këtë mesazh kaq të lashtë e simbollin e përmban edhe Shoqata “Besëlidhja Seniciote”, e mirënjohur për aktivitetet e saj. Labëria në dhjetë shekujt e fundit ka bërë dhjetra kuvende si “Kuvendi i shpellës së Papa Zhulit (1081), Kuvendi i Senicës (1610), i Himarës e Senicës (1770), Kuvendi i Rapeve të Agait, Taroninë (1773),  Progonatit e Picarit (1846), Kuvendi i Mesaplikut (1847), Kuvendi i Gjirokastrës (1880); Kuvendi i Frashërit (1880); Kuvendi i Cepos (1911), Kuvendi i Vlorës 28.11.1912; Kuvendi i Shtëpëzit (10.4.1914), Kuvendi në Manastirin e Cepos (1911); Kuvendi i Barçallasë (1920); Kuvendi i Kuçit (1924) etj. Çdo kuvend ka fizionominë dhe historinë e tij, vendimet, pjesëmarrësit, aktet sublime për të drejtën zakonore dhe për luftë kundër pushtuesve dy shtyllat themelore të mbijetesës shqiptare. I tillë ka byrë në histori edhe kuvendi i Senicës. Idriz Sulli dhe Kostë Prifti ditën të shikonin në dritë të syrit rrezikshmërinë e të ardhmes së Kombit Shqiptar dhe pa rezerva mund të themi se i paraprinë mençurisht periudhës së rilindjes së Kombit Shqiptar, jo mbi bazë besimesh fetare, por mbi bazën e lidhjes së gjakut dhe gjuhës kombëtare amtare. Me besim u ruajt i paprekur besimi deri në ditët e sotme. Senica, ku ballkon plot dritë vendosur përreth kishës së Shën Dhimitrit është i vetmi me besimin ortodoks mes shtatë fshatrave të Rrëzomës, por është fshat me rrënjë e lavdi historike, edhe pse Besën Seniciote do ta kujtojmë përherë, për atë çka i dha fshatit, krahinës, Labërisë, Jugut të Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar.

Filed Under: Kulture

Aromë pranvere në shkollën shqipe “Skëndërbej”

March 24, 2025 by s p

Nga Juljana Latifi/

Pas muajëve të gjatë të dimrit, dielli me rrezet e tij të ngrohta, pemët me sythet plot jetë, kopshtet e lulëzuara na sjellin pranverën. Në kuadër të kësaj stine, shkolla shqipe “Skëndërbej” me qendër në Brooklyn, New York, ka zhvilluar një program dinamik dhe të pasur me nxenësit e saj për të kuptuar rendësinë e natyrës dhe për tu njohur në gjuhën shqipe më të gjitha ngjyrat që përfaqëson kjo stinë.

Nxënësit e grupmoshave të ndryshme e kanë nisur programin edukativ me një kolazh ngjyrash të ndryshme, ku në secilën prej tyre janë futur objekte me funksione të ndryshme, ku fëmijët me njohuritë e marra në këtë shkollë, i kanë shpjeguar duke vënë në dukje funksionin që kanë në jetë, emërtimin dhe se ku dhe për cfarë mund t’i përdorim.

Nxënësit me njohuritë e tyre të plota në gjuhën anglezë, i njihinin të gjitha objektet e shpalosura në tavoliën e punës të ndara sipas ngjyrave, por hasën vështirësi në emërtimin e tyre në gjuhën shqipe, ndaj ky aktivitet i ndihmoi ata që të pasuronin më tej fjalorin dhe secili prej tyre evidentoi të gjitha fjalët e reja që mësuan me ndihmën e mësuesve të pranishme të kësaj shkolle duke e bërë këtë orë mësimi interaktiv dhe duke i sjellë fëmijët më afër natyres.

Programi vijoi më tej me punimet e dorës, ku nxënësit krijuan objekte dekorative me lule dhe gjethe për ta prekur më afër natyrën dhe për t’i pasur ato krijime një kujtim të bukur në shtëpitë dhe dhomat e tyre. Mësueset, Adelina Lacaj, Geltjana Bulku dhe Anisa Gani Preza, siguruan materialet për nxënësit dhe dhanë kontributin e tyre në mësimdhënie duke e kthyer këtë orë mësimi në një ambient gjelbërimi dhe lulëzimi, ashtu sic vetë pranvera është. Një nga momentet e bukura të këtij programi edukativ ishte dhe vizatimi në fletë i natyrës, ku nxënësit me imagjinatën e tyre përdorën të gjitha ngjyrat për ta sjellë natyrën në dimesione të ndryshme. Ky aktivitet tregoi talentet e tyre në pikturë, ku vlen të theksohet se sa bukur është ta shikosh natyrën nëpërmjet syve të fëmijëve, pa filtra dhe zbukurime, por me ciltërsinë dhe dashurinë e tyre për të bukurën.

Nëpërmjet këtij aktiviteti nxënësit mësuan konceptin e natyrës dhe morën disa njohuri të përgjithshme për shtrirjen gjeografike të Shqipërisë dhe shtetet fqinjë që ajo kufizohet. Në programin në vazhdim nxënësit do të njihen më tej me natyrën shqiptare, malet, kodrat, fushat, lumenjtë dhe gjithë madhështinë e bukurive natyrore të Shqipërisë.

Programi vijoi më tej me këngët dhe vallet shqiptare, ku në fokus ishin këngët shqip për pranverën dhe natyrën si pjesë e kulturës artistike popullore nga të gjitha krahinat e Shqipërisë.

Filed Under: Komunitet

“24 Marsi i bombardimeve të ShBA/NATO për çlirimin e Kosovës”!

March 24, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

24 marsi 1999 do të mbetet i skalitur në historinë e NATO-s si “fillimi i fundit të pushtimi barbar të serbisë ndaj Kosovës”. Në “kapacitetin e ekspertit të Sigurisë Kombëtare, rajonit dhe marrëdhenieve me USA/NATO”, risjell në kujtesë rrethanat dhe peshën gjeopolitike të kësaj datë-ngjarjeje madhore:

Së pari, mbrëmjen e 23 marsit 1999, misionari i paqes, ambasadori mirënjohur Holbrooke dhe Gjenerali mirënjohur Westly Clark , u kthyen  nga Beogradi në Bruksel: “të refuzuar cinikisht nga Millosheviçi” në përpjekjen diplomatike për të evituar ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. Në orët e para të ditës tjetër, pra 24 mars fuqia ajrore e SHBA/NATO u angazhua një luftë “jashtë artikullit 5”, pra pa miratimin e KS/OKB-së, por që e legjitimoi NATO-n si “Aleancën e lirisë, paqes, shpresës dhe besimit te vlerat demokratike” në mbarë botën!

Kështu, 24 marsi 1999, simbolizon jo vetëm përvjetorin e një ngjarjeje të lavdishme për historinë gjeopolitike të NATO-s, por meriton të mbetet e skalitur në përjetësi nga shqiptarët edhe si data e mirënjohjes kombëtare ndaj fuqisë ushtarake të SHBA/ NATO-s.

Përveç kësaj, kjo datë-gjarje ndryshoi përjetësisht hartën gjeopolitike të rajonit, në favor Aleancës Euroatlantike si dhe të kombit shqiptar.

Edhe në situatën aktuale, 24 marsi mbetet një ngjarje me “mesazhe të forta shprese” për fundin që e pret Rusinë-Putiniste, e cila: “mbas mbi 3 vjet lufte barbare”. Ndërss nuk ka mbetur asnjë dilemë, as për mendjet e ndryshkura jo vetëm në Beograd, që pikërisht për shkak të kësaj lufte, Kremlini gjendet sot më i izoluar se asnjëherë me parë, ndërsa gjykata Ndërkombëtare ka lëshuar “urdhër arresti për krime lufte” ndaj Putinit dhe listën e zullumqarëve rreth tij.

Së dyti, shpreh keqardhjen për mungesën delekuente “të mirënjohjes institucionale nga Prishtina dhe Tirana zyrtare” përkundër domosdoshmërisë jetike që ka Kosova dhe Kombi ynë për forcimin e bashkëpunimit me partnerët strategjikë SHBA/NATO/BE!

E gjej zhgënjyese që mbas 26 vjet pavarësi, kryeçlirimtarët e Kosovës, pra Washingtoni zyrtar, ka ngritur një zhgënjim serioz: “për faktin se qeveria e Kosovës dhe Tiranës nuk po konsultohet dhe nuk po punojnë me SHBA për sigurinë rajonale”!

Shpreh revoltën jo vetëm për vendimmarrjet e pakonsultuara me SHBA-të, por veçanërisht për riciklimin e kokëfortësisë bolshevike dhe të sovranitetit folklorik nga të gjithëpushtetshmit e Kosovës, ndaj politikanëve dhe opinionistëve mendjendryshkur në Prishtinë, Tiranë etj.

Duke përsëritur “përuljen ndaj dëshmorëve të atdheut si dhe nderimin më të thellë ndaj sakrificave për pavarësi të luftëtarëve dhe popullit të Kosovës në shekuj”, mbas 26 vitesh besoj edhe më fortë se në koshiencën fisnike të kombit të jetë përjetësisht e skalitur, që: “Çlirimi i Kosovës nga pushtuesit serbë nuk u arrit as vetëm nga luftërat, as nga qëndresat dhe as nga sakrificat e popullit të Kosovës”.

Shpresoj ta “pranojmë fisnikërisht” se vetëm falë ndërhyrjes së fuqisë ajrore të USA/NATO, Millosheviçi nënshkroi tërhequr forcave pushtuese (ushtarake dhe policore) deri në kufijtë e përcaktuar nga rezoluta 1244 dhe të shenjtëruar në Flamurin e Kosovës nga Sh.T. Presidenti Rugova. Për këtë, mjafton të sjellim qetësisht në vëmendje që në Marrëveshjen e Kumanovës, UÇK-ja nuk ishte as palë nënshkruese, as vëzhguese, edhe pse aty u vendos shkrirja dhe shndërrimi në Forcat e Sigurisë së Kosovës, ndërsa siguria territoriale, iu ngarkua KFOR-it, me mbi 37 mijë forca këmbësorie nga 36 vende, anëtare të NATO-s dhe jo vetëm.

Prandaj, as ligjëratat marksiste dhe as bejtet patriotike mbi sovranitetin dhe të drejtat sovrane nuk do të munden kurrsesi të errësojnë rolin përcaktues të “çlirimtarëve të vërtetë” (SHBA) të Kosovës nga pushtimi serb dhe as peshën kritike që prej 26 vitesh, ato vijojnë të mbajnë për paqen, stabilitetin si dhe ardhmërinë euroatlantike të Kosovës.

Thënë këto, data 24 mars meriton të skalitet jo vetëm si data e mirënjohjes mbarëkombëtare ndaj USA-NATO, por edhe si dita e falënderimeve ndaj 36 vendeve dhe rreth 500 mijë ushtarakëve të KFOR-it, që për 26 vjet vijojnë të mbrojnë paqen në Kosovë dhe rajon.

Së treti, për shkak funksioneve që kam ushtruar 26 vitet e fundit, kam ndjekur me vëmendje të shtuar situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon. Sigurisht kam bërë detyrën që vlerësimet dhe rekomandimet strategjike për stabilitetin dhe sfidat euroatlantike të Kosovës, i kam prezantuar në forumet më të larta të sigurisë, në konferenca, panele, etj., si dhe mijëra faqe të publikuara në kryeqytetet e rajonit, përfshi Beograd; në Këshillin e Atlantikut në Qashington; me Ekspertë/kolegë të sigurisë në Bruksel, Qendrën Marshall, Gjermani, Kolegjin e Romës, në 32 vendet e NATO-s.

Ndërsa, 15 vitet e fundit: “shqetësimet strategjike mbi armatosjen deri në dhëmbë dhe (keq) shpërdorimin e Beogradit nga Kremlini, Pekini dhe çuditërisht  Parisi”, i kam adresuar si pyetje të thjeshta/publike, ndaj z.Vuçiç dhe gjeneralëve të tij: “Përse shpenzon më shumë se 1. 5 miliard euro në vit për armatosjen me tanke; ‘Mig-29’, Rafalo; helikopter luftimi, raketa Pantsir-S, etj, dronë vrasës, etj ? Përse 3/4 e strukturave dhe fuqisë ushtarake ofensive (jo siç i avokaton  PMRSh Rama!!) i ka dislokuar në kufijtë shtetërorë të Kosovës(?); nga cili vend apo Aleancë rrezikohet tërësia territoriale e Serbisë? ; apo integritetin e cilit vend sovran, përveçse të Kosovës kërcënon Serbia”?

Nga ana tjetër, nuk kam asnjë mëdyshje, që 26 vitet pas çlirimit të Kosovës apo 38 muajt e luftës gjakatare në Ukrainë: “qëndrimet dhe veprimet e Beogradit Zyrtar, i gjej të sinkronizuara me interesat gjeopolitike të Rusisë në Ballkan”. Gjithsesi, Rusia Putiniste ka dështuar për të ndezur një front të ri lufte në rajon, duke frymëzuar dhe armatosur grupet kriminale në veri të Kosovës si dhe ekstremistët e tipit Dodik, për të mbajtur ndezur frymën antiperëndimore, apo duke e diskretituar Beogradin “deri me agresion ushtarak” jo vetëm ndaj sovranitetit territorial të Kosovës, por edhe kundër prezencës së shtuar të KFOR/NATO-s në terren.

Thënë këto, më duhet ta përsëris qartë, përfshi për gjeneralët dhe mendjet putiniste në Beograd (dhe jo vetëm) si dhe për sovranistët folklorikë të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare: “Përsa kohë të ketë prezencë të SHBA-NATO në terren, agresioni ushtarak kundër tërësisë territoriale të Kosovës, përveçse aventurë vetëvrasëse e Serbisë mbetet një mision tërësisht i pamundur (zero)”!

Në vijim gjeni përmbledhje me “5 rekomandime strategjike” për sigurinë afatgjatë, dialogun konstruktiv, bashkëjetesën paqësore për ardhmërinë Euroatlantike të Kosovës dhe Serbisë:

1. Serbia dhe Kosova do duhet të tregohen seriozë për të zhvilluar masat e mirëbesimit reciprok dhe bashkëjetesës paqësore mes popujve, duke u konsultuar paraprakisht si dhe dhënë besim projektit të Presidentit Tramp dhe NATO-s.

2. Beogradit zyrtar i duhet “t’i harrojë kërcënimet neo-Staliniste” për rikthimin e flamurit serb në vendin e krimeve kundër njerëzimit, si dhe riciklimin e fushatave të përgjakshme ndaj territorit të Kosovës dhe popullit shqiptar.

Për të mirën e Serbisë, të mos shpenzoj kot 1.5 miliard euro në vit nga taksat/mundi i popullit serb, pasi ka zero, aftësi, ose këllqe të përballet me fuqinë ushtarake të USA/NATO-s dhe FSK në Kosovë; të heqë dorë nga ëndrrat për “të pirë” nga 5 nëna (Moska, Brukseli, Pekini, Parisi, dhe Washingtoni). Ndërsa, z.Vuçiç të mos riciklojë oshilacionet e Millosheviçit dhe as të bëjë trimin tërbuar duke kërcënuar perëndimin (ose me Serbinë ose me Kosovën!); por as viktimën dhe as të irrituarin, pasi, siç është konfirmuar nga ekspertët e Pentagonit edhe 246 raketat ‘Javelin’ të miratuara nga DASH-SHBA për FSK, nuk janë kapacitete sulmuese, por vetëm për të ushtruar të drejtën sovrane të vetëmbrojtjes së tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës nga çdo armik potencial, që në fakt mbetet vetëm Serbia, apo jo?

3. Prishtina dhe Tirana zyrtare, pa u konsultuar me SHBA, kurrsesi nuk do duhej të marrë vendimmarrje me impakte strategjike, që minojnë themelet e besimit me “çlirimtarët/USA, që prej 26 vitesh vijojnë të mbajnë peshë kritike për sigurinë dhe ardhmërinë euroatlantike të Kosovës”. Për më shumë, do t’i këshilloja vëllazërisht aktorët mendjehapur të Prishtinës që: “Çlirimi nga pushtuesit serbë më 1999 si dhe riciklimi i kërcënimeve ushtarake të Beogradit ndaj integritetit të Kosovës”, të mos i konsiderojnë me triumfalizëm populist, por si “përgjegjësi e lartë shtetërore për të ndërtuar Kosovën moderne”, përtej prezencës së NATOs (që nuk do të jetë e përjetshme); vendin ku, qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin e Kosovës nga konsumatorë, në kontribuuese për sigurinë si dhe integrimin e rajonit në NATO dhe BE!

4. Tirana dhe Prishtina zyrtare e kanë përgjegjësi të lartë kombëtare dhe fisnike të demonstrojnë mirënjohje ndaj SHBA-NATOs. Ndërsa përkundër: “Vendimmarrjeve të pakonsultuara dhe kakofonisë për protagonizëm internacionalist”, e çmoj si emergjencë kombëtare, ngritjen e një “Grupi të Urtësh – Wise Group”. me personalitete të gjithëpranuara, që përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe interesave kombëtare për t’i dhënë jetë një platforme të përbashkët “2-Shtete sovrane, 1-Komb i vetëm”, duke garantuar partnerët strategjikë se kjo “platformë e vonuar” do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjatë në rajon.

Sigurisht që: “ky projekt (2-Shtete 1-Komb), nuk ka kurrsesi lidhje me dalldisjen bolshevike që vjen nga fuqia elektorale e mbipushtetit dhe as me pushtetarë kusarë që presin (duke u dridhur) radhën në SPAK; as me pluralizmin fasadë dhe as me mjerimin e opozitës të leckosur”.

5. Ndërsa, partnerëve strategjikë, aktorëve dhe ekspertëve/kolegëve në rajon, Qashington, Bruksel etj., do t’i risugjeroja që perspektivën e paqes dhe stabilitetin e rajonit, ta parakushtëzojnë me rikthimin e dy Masave të Mirëbesimit Reciprok, nëpërmjet të cilave Serbia “të imponohet” që: (1) do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake duke mos kërcënuar integritetin territorial të Kosovës; (2) nuk do të vendosë instalime dhe as aktivitete ushtarake (25 km distancë ajrore dhe 10 km tokësorë), në kufijtë shtetërore mes vendeve, dy kushte që gjithsesi do të duhen të monitorohen nga USA-NATO-BE, që mbeten faktorë kritikë për paqen në rajon.

Në përmbledhje, përkundër riciklimit të urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore, besoj edhe më fortë se 24 marsi 1999 do të mbetet një kambanë alarmi ndërsa: “Paqja mbetet misioni i vetëm, në interes të sigurisë së jetës, pronës, mirëqenies së qytetarëve, si dhe ardhmërisë euroatlantike të Kosovës, të Serbisë si dhe 4 vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor”.

*Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj: Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n, ZV.president i Këshillit Atlantikut dhe ish-këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD, Këshilltar i Presidentit, Zv/ShShPFA, Përfaqësues Ushtarak në NATO.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 423
  • 424
  • 425
  • 426
  • 427
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT