• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Themelimi i medias shqiptare

February 23, 2025 by s p

Roland Qafoku/

23 shkurt 1848-23 shkurt 2025. Është një datë që çuditërisht për median shqiptare kalon pa ndonjë interes të veçantë. Si sot 177 vjet më parë, arbëreshi Jeronim De Rada themeloi në Napoli gazetën “L’Albanese D’Italia. Dy herë në javë, të mërkurën dhe të shtunën, ajo doli gjithsej 28 numra por rëndësia e saj është monumentale. Në shqip dhe italisht, kjo gazetë ishte edhe organi i parë meditiak në historinë e shqiptarëve. Ja një pasazh nga Antonio Santori në një arbërishte që edhe sot tingëllon bukur.

Mir se vjen të na gëzohesh

Dishuruame Lefteri!

Mirëse vjen ti rrosh e shtosh

Me tu llafosurin njeri!

Unë besoj fort se dalja e kësaj gazete është themelimi zyrtar jo vetëm i medias, por edhe i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Shqipëria po dilte nga errësira e Mesjetës osmane falë gjakut dhe mendjes arbërore. Së pari nga Jeronim de Rada që pati vizionin dhe shpirtin të sillte edhe një herë për shqiptarët lavdinë e dikurshme të Skënderbeut, flamurin kuq e zi që rrinte i palosur në sënduqe dhe gjuhën e bukur shqipe. Më pas e gjitha është histori. Gëzuar gazetën e parë!

Filed Under: Histori

Vatra dhe shqiptarët e Saint Louis-it

February 23, 2025 by s p

Besian Gjika/

Më 23 të shkurtit 1913, 112 vjet më parë u themelua në Saint Louis, Missouri, dega nr. 20 e Vatrës, më këtë pleqësi:

Kryetar Z. Vasil G. Marko, nënkryetar Z. Riza Voskopi, sekretar Z. Nick D. Katro, arkëtar Z. Xhafer Biranji, kontrollorë Z. Bilbil Mustafa, Z. Sotir Rehova, Z. Nuçi Anastas Voskopoja. (KALENDARI i VATRES i Motit 1918)

Ashtu siç edhe përshkruhet në numrat e gazetës Dielli të atij moti, dëshira dhe vullneti i shqiptarëve në Saint Louis, për t’u faktorizuar dhe ndihmuar tokën e të pareve, ka qenë e madhe por me kalimin e kohës gjërat morën rrjedha të ndryshme qoftë për arsye subjektive apo, për shkak, edhe të distancës me qendrën e Vatrës, në Boston. Largimet e para të drejtuesve ndodhin shpejt që në kapërcyell të vitit 1914. Kjo solli edhe përçarjet e para midis grupeve dhe, në vitin 1915 në Saint Louis, përveç Degës nr. 20 të Vatrës kemi edhe shoqata dhe klube atdhetare si “Bijtë e Shqiponjës”, “Mprojtja Shqipetare”, etj.

Një relacion mbi gjendjen e shqiptarëve ne Saint Louis na jep patrioti, Mihal Grameno i cili e vizitoi Saint Louis-in në 31 maj të vitit 1915. Në faqen e tretë të gazetës “Koha” në numrin e datës 17 qershor 1915, ai jep disa fakte interesante mbi shqiptarët e këtushëm. Sipas Gramenos numri i shqiptarëve të numëruar shkon deri në 2500 veta, duke e bërë një prej kolonive kryesore në Midwest. Po aty ai citon se është për të ardhur keq që shqiptarët e kësaj kolonie, të cilët kanë shumë individë të pasur, nuk e gjejnë dot gjuhën dhe njerëzia fajin ua vendos drejtuesve kokëfortë. Mirëpo, citon Grameno, nevoja e mëmëdheut për bijtë e saj është shumë e madhe, ndërkohë që në Saint Louis ekzistojnë dy klube me të njëjtin emër.

Në vitet në vazhdim gjërat ndryshojnë edhe sipas zhvillimeve që ndodhin në Shqipëri. Në vitin 1918 shqiptarët ortodoksë themelojnë kishën shqipe të Shën Mitrit (Saint Dimitri) në adresën, 1024 Mississippi Avenue dhe për të meshuar vjen në Saint Louis, at Naum Cere.

Pavarësisht debateve, mosmarrëveshjeve, skizmave, në artikujt e kohës të gazetës Dielli por edhe gazetave të ndryshme, arrin të dallosh qartë se tek shqiptarët e Saint Louisit e gjen nuklin e patriotizmit. Në mars të vitit 1919, shqiptarët e këtushëm i gjejmë bashkë duke i dërguar kabllogram presidentit Wilson të cilit i kërkojnë mbështetje për mos copëtimin e shtetit të brishtë shqiptar. (St. Louis Post-Dispatch 9 March 1919).

Dega e Vatrës nuk ekziston më por Gazeta dielli është rikthyer në Saint Louis. Gjithsesi shoqata Iliria e cila është themeluar në Saint Louis 5 vjet më pare ka marrëdhënie të ngrohta me Federatën Vatra dhe degët e saja, në bashkëpunime dhe programe të përbashkëta social-kulturore. 

Saint Louis, 23 shkurt 2025

No photo description available.

Titulli i fotografisë: “Albanian Immigrants English Class, Early Twentieth Century, Saint Louis (MO).” “Klasë e gjuhës angleze për emigrantët shqiptarë, fillimi i shekullit të njëzetë, Saint Louis (MO).” Kjo është fotografia e dytë që kam arritur të gjej për shqiptarët e hershëm të Saint Louis-it. Në foto dallohet në krah të flamurit amerikan, fotografia e mbretit të atëhershëm, “Wilhelm Friedrich Heinrich Princ zu Wied” ose shqip Vilhelm Vidi, i cili mbreteroi ne Shqipëri nga 7 marsi i vitit 1914 deri në 3 shtator 1914. Një pjesë e personave në foto janë edhe në foton e themelimit të degës nr. 20 të Vatrës në Saint Louis. Vendi ku mesohej gjuha angleze dhe njëkohësisht ku kanë punuar shumë shqiptarë asokohe (Gazeta Mprojtja Shqiptare, 1916) është YMCA (Young Men’s Christian Association)

Fotografia gjendet në arkivën digjitale të: “The State Historical Society of Missouri”

A newspaper article about the death of a politician

AI-generated content may be incorrect.

Filed Under: Vatra

Në vendlindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës valëvitet flamuri i Republikës së Kosovës

February 23, 2025 by s p

Shqiptarët në Philadelphia organizuan ceremoninë e ngritjes solemne të flamurit të Kosovës në bashkia e qytetit.

Nga dr. Sadik Elshani

Gjatë shekujve Kosova kaloi një rrugëtim të gjatë me plot vuajtje, sakrifica, përpjekje mbinjerëzore, luftëra të pandërprera e të përgjakshme për liri e pavarësi. Prandaj, shpallja e Kosovës shtet i lirë e i pavarur, i njohur nga fuqitë e mëdha e demokracitë më të përparuara të botës, është një ngjarje madhështore, shumë e gëzueshme që vështirë mund të përshkruhet me fjalë. Shkurt, në Kosovë ka ndodhur nje mrekulli, një ringjallje. Një Feniks i vërtetë, është ringjallur Dardania e lashtë në një shtet të ri.

Shoqata jonë, “Bijtë e shqipes”, i kushton një rëndësi të madhe kësaj ngjarje madhështore të kombit tonë. Ajo vazhdimisht me shumë veprimtari e ka shënuar çdo përvjtor të pavarëisë së saj. Nga viti 2023, në përvjetorin e 15-të të pavarësisë së saj, kemi filluar edhe me organizimin e ngritjes së flamurit të Kosovës në bashkinë e qytetit të Philadelphias. Nuk ka vend më solemn për ta festuar pavarësinë e një vendi sesa në Philadelphia, vendlindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku lindi një shtet i ri dhe një epokë e re për njerëzimin. është ky një nder i jashtëzakonshëm për komunitetin tonë, Kosovën, kombin tonë – është afirmim i vlerave të përbashkëta për liri, pavarësi, paqe, drejtësi e përparim.

Edhe pse ishte një ditë e ftohtë, në sheshin e bashkisë ishin mbledhur bashkatdhetarët e gëzuar e të qeshur për të festuar këtë Ditë të Madhe për Kosovën e kombin tonë. Mbretëronte atmosferë festive, ngazëllyese: valonin flamujt e Kosovës, dhe ata kuqezi e amerikanë; jehonte kënga e vallja shqiptare, ku mbizotëronin ato me motive nga Kosova dhe ngjarjet e lavdishme të historisë së saj: jehonte kënga “Mora fjalë”, kushtuar komandantit legjendar, Adem Jasharit, mishërimit të lirisë së Kosovës. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe këshilltarët e Këshillit Bashkiak të qytetit të Philadelphias, zotërinjtë: Michael Driscol e Mark Squilla. Nga Zyra për Çështjet e Emigrantëve merrte pjesë z. Alain Joinville, drejtor për Komunikime Strategjike e Programe. Ishte e pranishme edhe zonja Krista Bard, Konsulle e Përgjithshme e Nderit e Lituanisë, njëherësh edhe kryetare e Organizatës së Konsujve të Nderit në Philadelphia.

Pas një blloku me këngë e valle shqiptare filloi ceremonia e ngritjes së flamurit të Kosovës, u kënduan himnet kombëtare të Amerikës dhe Kosovës. Gjatë këndimit të himnit të Kosovës ngritej në shtizë edhe flamuri i saj. Flamuri u ngrit nga z.Imer Dedja, një biznismen i sukseshëm dhe zonjusha Diarta Kabashi, studente e mjekësisë. është ky një nderim që shoqata u ben anëtarëve të saj të dalluar. Për shkak të kohës shumë të ftohtë, pas ngritjes së flamurit ceremonia vazhdoi në mjediset e brendshme të bashkisë, në Caucus Room.

Ceremoninë e hapi z. Dritan Matraku, kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare “Bijtë e shqipes”, i cili i përshëndet të pranishmit, duke ua uruar Festën e Pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu ai i përshëndeti dhe u dëshiroi mirëseardhjen mysafirëve të cekur më lart. Ndër të tjera z. Matraku u shpreh se Pavarësia e Kosovës është një ngjarje e madhe jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë shqiptarët.

Në emër të shoqatës “Bijtë e shqipes” përshëndeti zonjusha Erona Shurdhiqi, ish-nxënës e e dalluar e shkollës sonë shqipe – tani ajo është Clinical Research Coordinator, The Children’s Hospital of Philadelphia. Në fjalën e saj të përgatitur bukur zonjusha Shurdhiqi foli për rëndësinë e kësaj ngjarje të shënuar të historisë sonë, përpjekjet e sakrificat e shqiptarëve ndër vite për liri e pavarësi: “Kjo ditë është një moment reflektimi për sakrificën, përpjekjet, dhe ëndrrën e brezave që luftuan për një Kosovë të lirë dhe të pavarur.Flamuri i Kosovës nuk është thjesht një simbol shtetëror, por një dëshmi e rrugëtimit të gjatë dhe të mundimshëm të popullit tonë drejt lirisë dhe demokracisë. Sot, ai valëvitet me krenari jo vetëm në trojet tona, por edhe këtu, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – një vend që ka qenë dhe mbetet një aleat i palëkundur i Kosovës dhe shqiptarëve. Sot ky Flamur valvitet këtu i lire falë Presidentit te saj historik, Ibrahim Rugova, i cili me largpamësinë dhe urtësinë e tij udhëhoqi rrugën drejt pavarësisë. Ky Flamur valvitet i lire falë Ushtrise Çlirimtare të Kosovës, me në krye Komandantin Legjendar Adem Jasharin, duke flijuar tërë familjen e tij prej 59 anëtarësh. Ky flamur valvitet i lirë falë dëshmorëve që ranë gjatë luftës dhe gjithë popullit që sakrifikoi gjithçka për këtë liri e pavarësi” – u shpreh zonjusha Shurdhiqi. Ajo shprehu e dhe mirënjohjen e falenderimin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ndihmën e pakursyer që i kanë dhënë popullit tonë ndër vite: “Mirënjohja jonë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e pamatshme. Pa mbështetjen e tyre vendimtare, sakrifica e popullit tonë do të kishte qenë edhe më e rëndë, dhe rruga drejt lirisë shumë më e vështirë. Ndërhyrja e SHBA-ve në vitin 1999 ishte një akt historik që i hapi rrugën lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.Në momentet më të errëta të historisë tonë Shtetet e Bashkuara te Amerikes dhe aleatët e tyre qëndruan përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit tonë, duke mbrojtur të drejtën tonë për të jetuar të lirë”. Mirënjohje të veçantë zonjusha Shurdhiqi i shprehu edhe shoqatës “Bijtë e shqipes”, e cila ruan e promovon gjuhën, kulturën e traditat tona kombëtare, duke shërbyer si një urë që lidh diasporën me atdheun, si dhe një shembull i shkëlqyer i bashkimit e organizimit të shqipatrëve në mërgim. Gjithashtu, ajo u shprehu mirënjohje edhe Bashkisë e qytetit të Philadelphias që ndër vite e kanë mbështetur dhe mirëpritur komunitetin tonë: “Kjo dëshmon vlerat e mëdha të këtij qyteti dhe respektin për diversitetin e tij. Miqësia mes popullit shqiptar dhe atij amerikan është një lidhje e fortë, e pathyeshme, dhe e përjetshme” – u shpreh zonjusha Shurdhiqi,

Këshilltari Michael Driscol, miku i madh i shqiptarëve të Philadelphias u uroi të pranishmëve Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke theksuar përpjekjet dhe synimet e popujve për liri e pavarësi. Zoti Driscol theksoi se lidhja e thellë me Philadelphian, Kosovën e Shqipërinë është dëshira për të jetuar të lirë. Ai ceku edhe 250 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së ShBA-ve që do të festohet në vitin 2026, duke theksuar se kjo do të jetë një festë e të gjitha demokracive të botës. Ai foli edhe për rolin e emigrantëve në zhvillimin e Philadelphias, duke vlerësuar posacërisht emigrantët shqiptarë që në këtë qytet dhe anëmbanë Amerikës kanë sjellur talentet e tyre, vlerat familjare e njerëzore, etikën e lartë të punës e ndershmërisë. Nuk mungoi as porosia e tij për ta ruajtur gjuhën, kulturën e traditat tona kombëtare. Ai vuri në pah edhe vëllazërinë që Kosova, Shqipëria e Amerika ndajnë së bashku.

Konsullja e Nderit, zonja Krista Bard përshëndeti në gjuhën shqipe: Urime Kosovë! Ajo shprehu kënaqësinë që po merrte pjesë në këtë manifestim. “Faleminderit që festoni lirinë, demokracinë” – u shpreh zonja Bard. Ajo theksoi se edhe Lituania ka kaluar një rrugëtim të gjatë për ta fituar lirinë. Gjithashtu, ajo përcolli edhe urimet e Këshillit të Konsujve të Nderit në Philadelphia. Zoti Alain Joinville përshëndeti në emër të Zyrës për Çështjet e Emigrantëve (Office for Emigrant Affairs). Ai i njoftoi të pranishmit për punën që bën kjo zyrë për t’i ndihmuar emigrantët e rinj për t’u përshtatur në jetën e qytetit të Philadelphias, ndihmon në promovimin e vlerave, programeve, zhvillimin e komuniteteve. Po ashtu, ai e ceku se Philadelphia është qytet që i mirëpret zemërhapur emigrantët dhe ku emigrantët ndihen mire: të mirëpritur e të vlerësuar. Pastaj zoti Joinville lexoi pjesë nga Proklamata përmes së cilës kryebashkiakja, Cherelle Parker, e shpallte 14 shkurtin e vitit 2025, Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Philadelphia. Një nder i madh ky për Kosovën, të gjithë shqiptarët dhe miqtë e tyre. (Kjo ceremoni ishte planifikuar për datën 14 shkurt, por meqenëse atë ditë zhvillohej parada për ekipin e futbollit, “Eagles”, fitues të Kupën së Super Boël, atëherë ceremonia u shty për datën 18 shkurt).

Kështu edhe këtë vit shoqata “Bijtë e shqipes” përmbylli me plot sukses manifestimet e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Të gjithë të pranishmit uruan: Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosova jonë e dashur!

Philadelphia, më 18 shkurt 2025

Filed Under: Reportazh

Koncerti bamirës për Nënën Terezë në Nju Jork, simbolika e besimit te përkujdesja njerëzore

February 23, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Koncerti kushtuar Nënës Terezë, një figure ekuivalente me dhembshurinë njerëzore, u prezantua në sallën e madhe koncertale Carnegie Hall në Nju Jork nga EGC Productions dhe Legato Arts mbrëmjen e ditës së shtunë. “Rrugëtimi i Besimit” (Journey of Faith) shprehu me anë të artit të muzikës jetën e saj në shërbim të njerëzimit “për të frymëzuar tek pjesëmarrësit ripërtëritjen e forcës së bamirësisë dhe dashamirësisë ndaj njëri tjetrit,” thanë organizatorët në pritjen e dhënë përpara koncertit. Miku i Nënës Terezë dhe autori i librit me kujtime personale për të To love and be Loved, Jim Towey tregoi se ajo e përjetonte bukurinë e Zotit përmes artit prandaj kjo formë dedikimi i shkon më së miri emrit dhe veprës së saj.

Pa dyshim prejardhja dhe kombësia e saj shqiptare ishin ato për të cilat krenoheshin më shumë të ftuarit e Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA: Presidenti Dr. Elmi Berisha, Kryetarja e Degës më të re VATRA Utah Erjola Xheko, Ilir Cubi, Anëtar i Kryesisë, Bardh Tomaj, Anëtar i Këshillit, Elio Ahmetaj, anëtar dhe aktivist, Editorja për anglisht e gazetës Dielli Rafaela Prifti, Vehbi Bajrami, veprimtar i respektuar, botuesi dhe pronar i gazetës Illyria. Në pritjen që i parapriu shfaqjes ishin ftuar mbështetës dhe personalitete të fushave të artit, biznesit, fesë e diplomacisë dhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe ambasadore nga Kosova dhe Shqipëria.

Maestro virtuoz Dante Anzolini dirigjoi orkestrën me famë të St. Luke në një program rreth dy orë me soprano Catherine Wethington dhe bariton Sean Michael Plumb me shoqërime kori. I konceptuar si metaforë muzikore e jetës së saj, programi ndërthurte krijime klasike si St. John Passion nga Johann Sebastian Bach, Panis Angelicus nga César Franck me vepra bashkëkohore të artistit më në zë Nico Muhly. Pikat kulmore ishin premierat amerikane të dy kompozitorëve shqiptarë, Thoma Gaqi Vallja me Daire nga Valle Simfonike dhe Genc Tukiçi Valsi Hyjnor – Hymn për Nënën Terezë, i luajtur për herë të parë në ceremoninë e pranimit të saj si shenjtore në vitin 2016. Pas koncertit Kryetarja e degës së Vatrës Utah Erjola Xheko tha se kompozimet shqiptare i përcollën emocione të veçanta.

Programi ishte përzgjedhur për të ndriçuar momente kyçe të jetës së bamirëses së madhe që nga lindja në familje shqiptare në 1910 në Shkup, vajtja në Irlandë dhe pesëdhjetë vite pune misionare në Indi. “Meqë Bronksi ishte vendi ku ajo hapi qendrën e parë misionare në Amerikë, programi i jepte hapësirë lidhjes shpirtërore të Nënës Terezë me Nju Jorkun, duke sjellë premiera të kompozitorëve njujorkez si Philip Glass dhe Missy Mazzoli,” tha dirigjenti Dante Anzolini.

Sot Misionaret e Bamirësisë që ajo ngriti shërbejnë në 139 vende të botës. Nga fondet e mbledhura në koncertin bamirës do ndihmohen shoqatat misionare të Nënës Terezë në Nju Jork dhe në botë përmes organizatave që sigurojnë strehim, ushqim dhe ndihmë për të pastrehët, të sëmurët, të anashkaluarit, për të cilët ajo u kujdes gjatë gjithë jetës së saj. Në fund të mbrëmjes, Dr. Elmi Berisha kujtoi porosinë e saj për vlerën e ndihmës njerëzore atëherë kur pyetemi sesa kemi ndikuar apo kur na duket se nuk arritur mjaft sepse “vetë Nënë Tereza bënte krahasimin me një pikë uji në oqean, duke thënë se pa atë oqeani do kishte një pikë më pak.”

Filed Under: Opinion

#SiSot, më 22 shkurt të vitit 1933, u nda nga jeta Hilë Mosi

February 22, 2025 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave*/

Rrugëtimi i tij gjithëkombëtar, ka kulmuar me pjesëmarrjen në lëvizje atdhetare, kulturore dhe politike. U lind në Shkodër, më 22 prill 1885, në një familje me theks patriotik. Mësimet fillore i ndoqi në shkollën italiane të vendlindjes. Më tej, iu drejtua shkollës teknike tregtare dhe Kolegjit Saverian të Jezuitëve. Ndërsa, në studimet e larta u profilizua në degën e Mësuesisë në Shkollën Normale të Klagenfurtit.

Nën kujdesin e tij botohej fletorja e titulluar “Vllaznija”, Mosi nisi t’i dedikohej letërsisë. Prozat dhe vjershat e tij atdhetare mbanin pseudonimin letrar “Sakoli”. Themeloi shoqërinë “Gegnija” dhe si përfaqësues i radhëve të saj, përkrah Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Luigj Gurakuqit dhe Mati Logorecit, mori pjesë në punimet e Kongresit të Manastirit.

Mosi mbajti një sërë funksionesh shtetërore. Në segmentin katërvjeçar, 1920-1924, ushtoi detyrën e ligjvënësit. Po ashtu, shërbeu si senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë, nga marsi deri në dhjetor të vitit 1920. Gjatë qeverisë së Fan S. Nolit, përmbushi detyrën e prefektit të Korçës dhe të Gjirokastrës. Në kabinetin qeveritar të 1927-s, qe ministër i Punëve Publike. Ndërsa, në vitin 1930, mori postin e kreut të Ministrisë së Arsimit, detyrë që e ushtroi gjer në vdekje.

*Ribotim

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 475
  • 476
  • 477
  • 478
  • 479
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT