• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AKULL DHE LIBRA DHE STATUJA, POR DHE DISHEPUJ TË (PA)RREZIKSHËM…

February 21, 2025 by s p

Nga Visar Zhiti/

Ditë e ftohtë, akull shkurti… që thyhet si kujtesa… E nisa me “Kalendarin e Poezisë”, atë që bën miku im i burgut dhe i pasburgut, Maks Rakipaj, në murin e fb të tij sot kishte vënë poetin japonez Isikava Takuboku, ka datëlindjen dhe unë u kujtova që kam një histori me poezinë e tij, që ndikoi në dënimin tim, ndërsa në burg kam shtyrë vagona si skllav dhe me Havzi Nelajn, poet që e pushkatuan, por sot është dhe datëlindja e tij, ndërkaq dhe në këtë ditë kanë pushkatur dhe At’ Anton Arapin, kur sapo ishte vendosur regjimi barbar i Enver Hoxhës, por do të rrëzonin dhe shtatoren e përbindshme të tij, teksa binte perandoria komuniste, etj, etj.

Binte Enveri statujë, por ai mbetej në partinë që la, në letrat e socrealizmit, në mendësinë prej letre të pistë të atyre që u përkëdhelën nga regjimi dhe kanë në shpirt po atë ngricë…

Ashtu si çdo kujtesë që mbart ngarkesat e veta, ajo e ditës time sot ka dhimbje kohe të pamasë, libra dhe gropa dhe hapësirën – nga bibliotekat gëzimtrishta të studentit në minierat infernale të burgut e deri larg në Japoninë misterioze, miq që ikin dhe statuja, tragjizëm, liri dhe çasti i poezisë si përjetësi e vogël…

I.

POETI JAPONEZ.

Po e nis me 20 shkurtin e parë, kur ishim studentë në Shkodër, ëndrra dhe diktaturë, kur kërkonim poezinë e ndaluar, ja, gjetëm dhe një poet japonez, libri ishte rusisht, Isikava Takuboku, na i dha në mirëbesim pedagogu Hasan Lekaj, iu futëm përkthimit me ngulm me shokun tim të ngushtë, lirikun Skënder Rusi, lexo një tankë, gjej në fjalor fjalët që s’i dinim, shkruaj secili në fletore përkthimin e vet poetik, unë e nisa kështu:

Atje ku bien lotët,

U bë moçali,

I piklave vogëlane, të vrerosura.

Sa i madh je,

Lot!

Isikava Takuboku kishte jetuar aq sa Migjeni ynë dhe tuberkuzi e kishte ngrënë dhe atë. Librin guxuam ta japnim dhe si “lexim jashtë klase” siç quheshin atëhere ca lloj provimesh, ku zakonisht merreshin tekste të Enver Hoxhes rusisht, ishte mjaft bezdisëse, ato s’duroheshin shqip, ndërkaq kur do të vinte dita që do të më arrestonin, gjatë hetuesisë në dimër, natën, – në frengjitë e qelisë kishte akull, – më pyesnin vrazhdë dhe për Takubokun, pse e zgjodhe? Ishte revolucionar, me popullin, – thosha prapë atë që i kisha thënë dhe pedagogut të rusishtes. E ç’t’u desh ty “taketukja”! – më bërtiste prokurori. E kishte fjalën për Takubokun.

Më vinte shumë keq që ia shtrembëronte emrin ashtu…

II.

NË BURG

Në Spaçin famëkeq jam njohur dhe me Havzi Nelën s’e dija që shkruante poezi atëhere, për mua dihej nga që isha dënuar për to me gjyq të hapur.

Megjithatë ka ende sot që bëjnë sikur s’duan ta besojnë se regjimi që ata përkëdheli dhe i shërbyen me zell, profesionistë dhe si spiunë, dënonte dhe për letërsi, dënonte dhe letërsinë, edhe libra, edhe lexues.

Havzi Nela sot do të ishte 91 vjeç, por atë e varën, varja e fundit në gjysmë Europén komuniste…

Ne do të çlirohemi vërtet, – më thoshte gruaja e tij, – kur të pushojmë së foluri për diktaturën e dënimet, por për dashurinë. Mjaft treguam për burgun e Havziut dhe timin, por të flasim si u dashuruam ne…

III.

ATË ANTON ARAPI

…mendimtar i thellë dhe shkrimtar i traditës françeskane, – me një rol kyç në ruajtjen e identitetit dhe zhvillimin e kultures dhe mendimit shqiptar, – gjatë regjimit komunist si shumë klerikë të tjerë u persekutua dhe u ekzekutua si pjesë e spastrimeve ndaj klerit katolik në Shqipëri.

Në të njëjtin gjyq me atë dënuan me vdekje, me pushkatim dhe Lef Nosin, antropolog i shkëlqyer, firmëtarin e Pavarësisë Kombëtare, ministër në qeverinë e parë, udhëheqës në Ballin Kombëtar, antar i këshillit të lartë të regjencës gjatë pushtimit, por vetëm dhe vetëm patriot.

Kur po e çonin drejt pushkatimit At’ Anton Arapin, nëpër llohën e natës së 20 shkurtit, dëshmohet se ai po bënte kujdes gjatë ecjes, s’donte ta bënte me baltë zhgunin, por baltë do të bëhesh ja, tani, o prift, i tha oficeri i pushkatimit dhe ai iu përgjigj:

I pastër kam qenë gjithë jetën dhe ashtu dua të shkoj në jetën tjetër…

Regjimi komunist i akuzoi si “kuislingë” dhe “armiq të popullit” dhe shumë patriotë të tjerë, që punuan në administratën e lartë, në shtet, gjatë Luftës II Botërore. Në atë kohë ata besuan dhe bashkëpunuan, me hir ose me pahir, por për Shqipërinë në kushte të pazakonshme dhe të rënda, gjithashtu ishin dhe kundër komunizmit që po avitej si “gogol” – siç e thotë dhe Marksi në Manifestin e tij, por ata, asnjëri dhe asnjëherë, nuk vepruan në dëm të vendit dhe popullit, përkundrazi.

Dosjet e e tyre janë hapur, kjo e vërtetë rezulton për kolaboracionistët.

Enveristët e mbetur, edhe këndej madje, edhe pse janë bërë me kapital e ntrashur, vazhdojnë të hedhin mbi ta atë baltën e “rrugës së pushkatimit”…

IV.

KOLABORCIONISTI NË PUSHTET

Do t’u thosha atyre, kriptoenveristëve, i acaruar si ata, si kundërpërgjigje që kolaboracionist vërtet i dëmshëm për atdheun ishte Enveri i tyre, ai u vu në shërbim të një partie që u themelua me ndihmën e shovinistëve jugoslkavë, ata e ngulën në krye dhe e çuan vendin në luftë civile kundër nacionalistëve dhe u humb Kosova që e patëm gjatë luftës, më pas Enveri iu dorëzua Stalinit, tiranisë së tij dhe pasi ai vdiq a e helmuan, kur pushteti absolut i rrezikohej, e la Bashkimin Sovjetik dhe u lidh me Kinën Popullore enigmatike, ndërkaq kur Kina filloi negociatat me SHBA, Enveri që i trembej çdo hapjeje, se mund dhe duhej ta përmbysnin, u prish dhe me Kinën, shkaqet ishin vetanake, dhe e mbylli vendin edhe më si një bunker absurd lufte, e varfëroi rëndshëm, pra, “vuri disiplinë ushtarake dhe qetësi varrezash”, kam shkruar, etj, etj, dhe pllakosi kështu “Dimri i vetmisë së madhe”…

V.

STATU…QUO..

Në një shkurt të dikurshëm Enver Hoxha ka mbajtur një “fjalim historik” të rrezikshëm, ku shpalli fillimin e një revolucioni kulturor si ai kinez, në fakt antikturor, i ideoligjisë së tij, i cili çoi në ndalimin e fesë dhe shkatërrimin e institucioneve fetare dhe të traditës. Shqipëria u shpall “shteti i parë ateist në botë”…

Duke shkallmuar kështu dhe atë pasuri juridike dhe kulturore te lasht;e e me fame botorore, “Kanunin e Lek Dukagjinit”

Si në atë 20 shkurt terrori dëgjoj të flasin ende ca “en-ferristë” të përndezur rishtaz, me kultet e socrealizmit, vazhdojnë detyrën, shefat e konvertuar i kanë dhe kodet e tyre të vjetra e të reja… dhe copat e akullit të pistë të pashkrirë në kafazin e krahërorit të tyre duan t’ja kalojnë kohës t:e gjithë…

Në një tjetër 20 shkurt e rrëzuan shtatoren e përbindshme të Enverit në Tiranë, ku e kishin ngritur uzurpueshëm në një shesh me emër tjetër e shtatore tjetër, “Skënderbej”, e zvarritën statujën e tij siç bëri ai me kundërshtarët që vrau.

Copat e bronzit të tij të thyer i shoh të nxijnë si maska në ca fytyra që më shfaqen egërshane…

Modeli “enver” shfaqet grotesk te lidershipi i sotshëm, te narcizimi i tyre dhe grykësia, qendrimet, që i ngjanë aq shumë statujës së diktatorit, te veprimet, vaniteti, dënimet e të tjerëve dhe frika e tyre patalogjike nga e ardhmja.

VI.

LUMTURIMI

Po, Atë Anton Arapi tashmë është përfshirë në procesin kanonik të lumturimit. Konferenca Ipeshkvore Katolike e Shqipërisë ka filluar mbledhjen e dëshmive dhe dokumentacionit për jetën, veprën dhe martirizimin e tij.

Copa akulli të zi si copa bronzi ka ende nëpër këmbë, në baltë…

Miku im skulptor, Ilmi Hoxha, e solli fytyren e bashkqytetarit të tij dhe të bashkëvuajtësit tonë në qytet, në Kukës, para shkollës që mban emrin “Havzi Nela”.

Bashkqytetari tjeter, shkrimtari Rexhep Shahu i botoi të 7 fletoret me poezi të Havzi Nelës, ku janë dhe ato që ai i shkruajti fshehurazi në burg apo në internim.

Çuditem që ka që lavdërojnë ndonjë nga ata poetë që ishte në burg e s’mundi dot të shkruante atje, “s’e uli veten”, thonë, dhe çmojnë si arritje letrare atë që s’u bë, fletën e bardhë si harrimi… Dhe kam pyetur: Danten pa “Ferrin”… Pse?

Dhe vërtet jam i gëzuar që isha në atë juri që poezia e Havzi Nelës mori Çmimin Kombëtar. Erdhi fshehtas nga nëntoka e natës dhe arriti në majat, të bardha si bora mbi Pikëllimën e tij…

Bashkëvuajtësit e Havzi Nelës, që mbetën gjallë, që u përfshinë në lëvizjen për demokratizimin e vendit, për liritë e të drejtat e njeriut, ata, fytyr-akujt e enverit, i akuzojnë që pse pranuan detyra të larta, por të kundërshtonin për një demokraci më të mire, shembull marrin dhe Pjetër Arbnorin si kryetar parlamenti, e kanë merak dinjitetin e tij mandeljan, që pse ai, sipas tyre, bëri kompromis, por… çfarë?

Vërtet vendi nuk gëzoi dot një demokraci më të mirë, me plot të meta duke rënë shpesh në kaos, me një korrupsion galopant të shndërruar në sistem, sidomos me socialistët në pushtet, vazhdues të partisë së enverit, etj, por kompromisi është dhe domosdoshmëri politike dhe nëse “Pjetërarbnorët” tanë nuk do ta pranon kompromisin për hir të vendit, atëhere duhej të kishin vrarë të paktën treçerekun e atyre që i akuzojnë.

Të persekutuarit nuk donin të bënin si persekutorët e tyre…

VII.

POEZIA SI EPILOG

Po le të kthehemi te letërsia, te poezia që po flisnim sot.

Poeti Skender Rusi më tha që ta botojmë poezinë e Isikava Takubokut, i ka ardhur koha, fletoret i kemi gati, ato që i mbushëm me tanka, kur ishim studentë.

Atëhere fletoret me përkthime të fshehta studentore i çonin dorë më dorë, ku besonim e ku na besonin, se kishte dhe nga ata që thoshin: pse m’i jep, apo që të bëj gabime politike? Dhe i shkruanin dhe enver hoxhës kundër shokëve…

Unë ende isha i ndaluar kur pashë shumë poezi të Takubokut, përkthimi imi, që u botuan në një revistë letrare, por me emër tjetër përkthyesi. Ai më pas do më thoshte që e kishte bërë në nderim timin. I thashë që më erdhi mirë që ishin të denja të botoheshin…

Po pse mikut tim, Skënderit, nuk iu përgjigja dot, seç kisha një ngarkesë tjetër, po shkruaja një roman a s’isha fare në atdhe dhe i thashë që nxirri vetëm. Dhe dolën, sa bukur!…

Kur mua më erdhi koha, iu ktheva Takubokut tim, por librin nga i kishim përkthyer s’e kishim më, po përmirësoja mbi fletoren time, që i kishte shpétuar kontrollit dhe konfiskimit, im vëlla, Ilirjani, m’i kishte ruajtur shumë dorëshkrime, e kam treguar, edhe duke i futur nëntokë në baçen e shtëpisë së motrës, etj, etj, por botova dhe unë një Isikava Takubok, i vura titullin librit “Poezi të shkruara mbi gurë”, është një zakon i tillë ende në Japoni.

Sërish më vjen ai zë prokurori që ulërinte në birucë: Ç’të duhej ai…?!… armik… Taketukja… ku shuaj cigaren tani… ka pasur dhe taketuke të bëra me kafkat e të dënuarve nga nazistët… dhe fitimtarët imituan të mundurit e tyre, kështu thoshin latinët…

Akulli i shkurtit është thyer dhe më shumë. Por jo në ato fytyra të ngrira ashtu, që kur ra shtatorja groteske e diktatorit… i pataksi zvarritja e saj dhe jo ajo e popullit, mbajnë ende anën e bronzin e zi të dhunës dhe jo të viktimave, të mishit të jetës, do të thosha me metaforë…

Po si janë vargjet e fundit të Takubokut, të shkruara herët në fletoret e rinisë së parë? Dhe i pashë në mbrëmje, në faqen e fundit të librit:

Ne, miqtë, do të gërryejmë

Mbi varr, në gur,

Këto fjalë kryeneçe:

“Më thërrisni, po deshët,

Në luftën për t’u bërë njerëz!”

Filed Under: Kulture

Administrata Trump dhe perspektiva e Kosovën dhe rajonin, midis globalizmit dhe konservatorizmit të djathtë amerikan

February 21, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Administrata e Donald Trump, me qasjen e saj të drejtpërdrejtë dhe shpesh konfrontuese ndaj strukturave globaliste liberale, shihet nga shumë konservatorë si një mundësi për të sfiduar ndikimin e Soros-it dhe rrjeteve të tij ideologjike në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë dhe Shqipëri.

Në këtë kontekst, zgjedhjet e 9 Shkurtit në Kosovë dhe formimi i qeverisë pas tyre do të jenë një test i rëndësishëm për të parë nëse një administratë e re Trump do të ketë ndikim në eliminimin e strukturave që e kanë deformuar politikën kosovare dhe e kanë larguar nga orientimi konservator perëndimor.

Fondacionet dhe organizatat e lidhura me George Soros kanë pasur një ndikim të madh në tranzicionin politik të Ballkanit, duke promovuar një elitë politike dhe intelektuale të orientuar drejt liberalizmit ekstrem, shpesh duke zëvendësuar elitat tradicionale kombëtare dhe duke dobësuar institucionet shtetërore përmes projekteve të kontrolluara nga jashtë.

Në Kosovë, Shqipëri dhe vende të tjera të rajonit, bursistët dhe vazalët e Sorosit pa status special, kanë dominuar qeverisjen përmes kapjes së partive politike, ndikimit në media dhe rrjeteve të OJQ-ve.

E tëra kjo ka rezultuar me:

– Një politikë të jashtme të varur nga interesat globaliste liberale dhe jo nga nevojat kombëtare.

– Një ekonomi të kapur nga oligarkët e lidhur me rrjetet e Sorosit, që kanë penguar zhvillimin e një kapitalizmi kombëtar të qëndrueshëm.

– Një politikë të brendshme që favorizon destabilitetin, për të mbajtur vendet e rajonit të dobëta dhe të kontrollueshme nga struktura të jashtme.

– Një agjendë kundër vlerave kombëtare dhe konservatore, duke promovuar narrativat e globalizmit ekstrem, urrejtjes, përçarjes, denigrimit dhe dobësimin e identitetit shtetëror me këtë edhe kombëtar.

A do ta shpëtojë Trump Kosovën nga strukturat soroiste?

Administrata Trump në mandatin e parë tregoi një qasje të ndryshme nga administratat liberale amerikane në Ballkan, duke kërkuar një angazhim më të drejtpërdrejtë në zgjidhjen e problemeve dhe një distancim nga politika tradicionale e “menaxhimit të konfliktit” që i shërbente më shumë strukturave të Sorosit sesa stabilitetit afatgjatë të rajonit.

Me rikthimin e Trump në pushtet, pritet që një nga prioritetet e tij në politikën e jashtme të jetë eliminimi i ndikimit të Sorosit në shtetet aleate, ku hyn edhe Kosova.

Kjo strategji e administratës Trump e përligjur me aktet shtetërore që ka nënshkruar Presidenti Trump me tu ulur në karrigën ekzekutive në Shtëpinë e Bardhë, konsiston në:

– Reduktimin e financimeve për OJQ-të dhe rrjetet që promovojnë destabilitet politik në Ballkan.

– Përkrahjen e forcave konservatore që mbështesin një aleancë të fortë me SHBA-në, bazuar në interesa kombëtare dhe jo në agjenda ideologjike.

– Rishikimin e marrëdhënieve me politikanët e lidhur me Sorosin dhe promovimin e një elite të re politike që nuk është e varur nga fondacionet liberale.

Në rastin e Kosovës, kjo do duhej të nënkuptonte dekapitullimin e klasës politike aktuale që është e mbështetur nga strukturat globaliste dhe ndërtimin e një force të re konservatore që ka për prioritet mbrojtjen e interesave kombëtare dhe forcimin e shtetit.

Ndikimi i Trump në formimin e qeverisë së Kosovës pas 9 Shkurtit

Për SHBA-në, Kosova mbetet një pikë strategjike në Ballkan, por mënyra se si do të menaxhohet ky raport varet nga orientimi i qeverisë së re që do të dalë nga zgjedhjet e 9 Shkurtit.

Kthimi i Trump në pushtet para se të formohet një qeveri e re, shihej si ogur i zi për strukturat e bashkëpunëtorët e Soros.

Pritet se kjo strategji e përligjur e Administratës së re Trump, do të ndikojë në shumë aspekte për ndërtimin e ekipit politik qeverisës në Kosovë dhe jo vetëm, si:

– Mospërkrahjen e një qeverie që bazohet në rrjete të financuara nga Sorosi dhe që ka një qasje liberale-globaliste në raport me politikën dhe ekonominë.

– Mbështetjen e forcave politike që kanë një orientim më të qartë konservator, pro-amerikan dhe të bazuar në vlera kombëtare.

– Riformatimin e aleancave politike në Kosovë, duke larguar ndikimin e elitave të vjetra të korruptuara që kanë shërbyer si ekzekutorë të politikave të Sorosit në rajon.

Në këtë kontekst, administrata Trump do të duhej të ketë një rol kritik në ruajtjen e Kosovës nga riinstalimi i falangave të Sorosit në qeveri dhe institucione, duke mbështetur një strukturë të re politike të djathtë dhe konservatore.

Zhbërja e elitave të korruptuara dhe krijimi i një alternative konservatore në Ballkan

Një nga sfidat më të mëdha për Ballkanin është prania e një elite politike të vjetër, të korruptuar dhe të lidhur me rrjete ndërkombëtare që nuk kanë interes për zhvillimin e kombit, por për ruajtjen e pushtetit të tyre në shërbim të agjendave globaliste.

Si mund të zhbëhen këto struktura?

1. Pastrimi i politikës nga elitat e korruptuara dhe lidhjet e tyre me Sorosin, përmes një procesi të reformës së thellë politike dhe ligjore që eliminon ndikimin e tyre.

2. Ndërtimi i një alternative të djathtë konservatore, që promovon vlera tradicionale, shtet të fortë dhe bashkëpunim strategjik me SHBA-në.

3. Forcimi i sovranitetit ekonomik, duke ndaluar kapjen e ekonomisë nga oligarkët e lidhur me rrjetet globaliste dhe duke mbështetur sipërmarrjet kombëtare.

4. Përkrahja e mediave të pavarura konservatore, që nuk janë të varura nga fondet e Sorosit dhe promovojnë një narrativë ndryshe nga propaganda liberale-globaliste.

5. Forcimi i aleancave mes partive dhe grupeve konservatore në rajon, për të krijuar një kundërpeshë të fuqishme ndaj agjendës globaliste në Ballkanin Perëndimor.

Zërat e parë medial, (për takimin e lidershipit politik e partiak të Kosovës, me përfaqësues të Ambasadës së SHBA në Kosovë, të atashuar nga ish-administrata Biden), që flasin për përafrime politike për ta bërë qeverinë e re, tregojnë se po sfidohet “strategjia” e administratës Trump, e cila po rrezikon të mbetet mirazh diplomatik. E kjo do të ishte vrasje e shpresës për kombet që pas zgjedhjeve në SHBA dhe kthimit të administratës Trump e panë si shpëtim të vlerave nacionale të popujve, identiteteve kombëtare dhe zhvillimit të demokracisë.

Filed Under: Rajon

Mbi librin Neoshqiptarizmi të Arian Galdinit!

February 21, 2025 by s p

Nga Kristina Nano

Kandidate për Doktoraturë në JMU, SHBA/

Rëndësia e një doktrine të re kombëtare.

Në botën e sotme, ku sfidat e globalizimit dhe presionet e homogjenizimit kulturor kanë vënë në provë identitetet kombëtare, Arian Galdini na sjell një vepër monumentale: Neoshqiptarizmi.

Ky libër nuk është thjesht një reflektim mbi shqiptarinë, por një manifest filozofik, ideologjik dhe politik, që shkon përtej një analize historike dhe propozon një rrugë të re për kombin shqiptar.

Në të, Galdini ndërton një sistem të ri mendimi kombëtar, i cili jo vetëm që merr në konsideratë pasurinë intelektuale të Rilindjes Kombëtare, por gjithashtu e transformon atë në një doktrinë moderne dhe vizionare.

Neoshqiptarizmi nuk është një rikthim nostalgjik në të kaluarën, por një qasje intelektuale e guximshme, e cila kërkon të pozicionojë Shqipërinë dhe shqiptarët si një faktor historik e kulturor në Europën moderne.

Vizioni filozofik i Galdinit: Një Komb që lind rishtazi.

Një nga aspektet më të fuqishme të kësaj vepre është filozofia e saj e qartë kombëtare.

Nëse mendimtarët si Sami Frashëri, Faik Konica dhe Mithat Frashëri hodhën bazat e shqiptarizmit si një vetëdije intelektuale dhe politike, Galdini e çon më tej këtë vizion duke e rikonceptuar shqiptarinë si një koncept dinamik, të gjallë, të aftë për t’u përshtatur dhe për të ndërtuar një identitet të fortë kombëtar brenda një bote gjithnjë e më të ndërlikuar.

Në këtë kontekst, Galdini i përgjigjet një dileme ekzistenciale që ka ndjekur shqiptarët për dekada: Si mund të qëndrojmë të fuqishëm si komb, pa u tretur në vorbullën e globalizmit?

Në këtë aspekt, autori e pozicionon Neoshqiptarizmin si një filozofi të rezistencës intelektuale dhe të veprimit politik, duke argumentuar se identiteti kombëtar nuk është një kufizim, por një mjet fuqizimi për të ndërvepruar me botën moderne.

Themelimi i një platforme të re ideologjike.

Libri ka meritën e madhe që vendos bazat për një ideologji të re kombëtare, e cila nuk është as një nacionalizëm folklorik e romantik, as një koncept i vjetëruar dhe i mbyllur në vetvete.

Përkundrazi, Neoshqiptarizmi është një ideologji e hapur, e fortë në rrënjët e saj historike, por e aftë të ndërtojë ura me modernitetin dhe përparimin.

Ajo mbështetet mbi disa shtylla fundamentale:

• Ruajtja e identitetit kulturor si thelb i qenies shqiptare – Galdini, duke analizuar veprën e mendimtarëve më të mëdhenj shqiptarë, na kujton se një komb pa kujtesë historike është një komb i destinuar të shpërbëhet.

• Bashkimi i shqiptarëve përmes vlerave dhe jo thjesht përmes kufijve politikë – Një nga idetë më të fuqishme të Galdinit është se shqiptaria nuk mund të kufizohet në një narrativë të thjeshtë shtetërore, por duhet të ndërtohet si një ndjenjë e përbashkët përtej politikës ditore.

• Një elitë e re intelektuale dhe morale – Libri argumenton me forcë se Rilindja Kombëtare ishte e suksesshme sepse krijoi një elitë intelektuale të përkushtuar ndaj çështjes shqiptare.

Në të njëjtën mënyrë, Neoshqiptarizmi duhet të prodhojë një elitë të re mendimi, e cila të udhëheqë kombin drejt një të ardhmeje më të ndritur.

• Përkatësia Europiane e Shqipërisë – Galdini e afirmon qartë se Shqipëria dhe shqiptarët janë pjesë organike e Perëndimit, jo thjesht si një orientim politik, por si një realitet historik dhe kulturor.

Kjo është një tezë e guximshme, e cila e vendos Neoshqiptarizmin në qendër të debatit të sotëm mbi identitetin europian të shqiptarëve.

Metodologjia e thellë dhe e strukturuar e analizës.

Në aspektin metodologjik, libri është një model i analizës së strukturuar shkencore dhe historike. Galdini ndërton argumentin e tij mbi:

• Një bazë të fortë historike – duke analizuar mendimin politik shqiptar nga Rilindja deri në ditët e sotme, duke e lidhur me zhvillimet globale dhe europiane.

• Një metodologji krahasuese – duke vendosur idetë e Neoshqiptarizmit në kontekstin e doktrinave të tjera kombëtare dhe filozofike të Europës.

• Një qasje kritike dhe ndërtuese – në vend që thjesht të kritikojë problemet e shoqërisë shqiptare, Galdini propozon zgjidhje konkrete për ripërtëritjen dhe rinisjen e kombit.

Kjo metodologji e bën librin një kontribut të rëndësishëm për studimet e identitetit kombëtar dhe të filozofisë politike shqiptare, duke e vendosur atë në të njëjtin nivel me veprat e mendimtarëve më të mëdhenj të shqiptarizmit.

Rëndësia politike dhe praktike e Neoshqiptarizmit.

Përtej vlerës së tij intelektuale dhe filozofike, Neoshqiptarizmi ka një rëndësi të drejtpërdrejtë për realitetin politik të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Në një kohë kur partitë politike shqiptare shpesh operojnë pa një vizion të qartë, libri i Galdinit shërben si një manifest për një lëvizje të re kombëtare, e cila mund të formojë bazat për një Shqipëri të bazuar në vlera, vizion dhe integritet.

Kjo vepër ka potencialin të ndikojë:

• Në mënyrën se si shqiptarët e shohin veten si komb.

• Në mënyrën se si elitat politike ndërtojnë strategjinë e tyre kombëtare.

• Në formësimin e një lëvizjeje të re patriotike dhe intelektuale në Shqipëri dhe në diasporë.

Një vepër monumentale për të ardhmen e Shqiptarisë.

Neoshqiptarizmi i Arian Galdinit nuk është vetëm një libër, por një thirrje për zgjim kombëtar.

Është një udhërrëfyes për të gjithë ata që besojnë se Shqipëria ka një të ardhme më të madhe sesa mediokriteti i sotëm politik dhe ekonomik.

Me një gjuhë të fuqishme, një argumentim shkencor të pakontestueshëm dhe një pasion të thellë për kombin, Galdini ka krijuar një vepër që duhet të lexohet nga çdo intelektual shqiptar, çdo lider politik dhe çdo qytetar që beson në një Shqipëri më të fortë, më të ndritur dhe më të denjë.

Pa dyshim, Neoshqiptarizmi do të hyjë në histori si manifesti i një epoke të re për shqiptarinë!

Filed Under: Emigracion

GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

February 21, 2025 by s p

(Me rastin e Ditës ndërkombëtare të gjuhës amtare)

Nga Prof.dr Skender ASANI/

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e shpallur nga UNESCO më 21 shkurt 1999, ka një domethënie të veçantë për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhëve, veçanërisht në një botë ku globalizimi shpesh rrezikon gjuhët më të vogla. Kjo ditë shërben si një moment reflektimi mbi rëndësinë e gjuhëve amtare jo vetëm për identitetin kombëtar e kulturor, por edhe për funksionimin e një shoqërie demokratike dhe të hapur.

Gjuhët nuk janë ishuj të izoluar në shoqëritë moderne. Përkundrazi, gjuhët historikisht, përveç mesazheve të ndryshme, kanë bartur edhe mvetësitë etnopsikologjike e kulturotre të popujve të ndryshëm. Prandaj, shumëgjuhësia nuk duhet parë si pengesë, por si një mundësi për të ndërtuar ura komunikimi mes njerëzve dhe kulturave. Historia na mëson se qytetërimet më të zhvilluara kanë qenë ato që kanë njohur dhe respektuar gjuhët e njëra-tjetrës, duke nxitur kështu shkëmbimin kulturor, ekonomik dhe tregtar. Në këtë kontekst, përdorimi dhe njohja e gjuhëve të ndryshme nuk është thjesht një nevojë administrative, por një domosdoshmëri për harmoninë dhe bashkëjetesën shoqërore.

Në Maqedoninë e Veriut, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është një hap i rëndësishëm drejt garantimit të të drejtave gjuhësore dhe respektimit të diversitetit kulturor. Sfidat e zbatimit të këtij ligji nuk duhet parë si vështirësi të pakapërcyeshme, por si një mundësi për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Është e rëndësishme që institucionet dhe bota akademike të bashkëpunojnë për të gjetur mënyra më efikase për zbatimin e shumëgjuhësisë në realitetin e përditshëm.

Respektimi i gjuhëve të tjera nuk cënon identitetin gjuhësor të askujt. Përkundrazi, ai ndihmon në ruajtjen dhe forcimin e gjuhëve duke i bërë ato pjesë të një procesi të natyrshëm komunikimi. Për shembull, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, funksionimi normal i gjuhës shqipe në institucionet shtetërore nuk duhet të shihet si një favor, por si një e drejtë e natyrshme që forcon barazinë dhe harmoninë shoqërore.

Në epokën e globalizimit dhe teknologjisë, është e domosdoshme që përfitimet e komunikimit të avancuar të reflektohen edhe në marrëdhëniet ndërgjuhësore. Një shoqëri moderne nuk mund të përparojë pa respektuar gjuhën dhe kulturën e tjetrit. Ligjet janë mjete juridike që rregullojnë të drejtat, por është në dorën e njerëzve të dijes dhe institucioneve shkencore të krijojnë një qasje që i përshtatet standardeve të botës së qytetëruar.

Gjuha amtare është një pjesë thelbësore e identitetit dhe trashëgimisë sonë kulturore. Ruajtja dhe promovimi i saj nuk janë vetëm detyra të institucioneve, por edhe të vetë individëve dhe shoqërisë në tërësi. Nëse respektojmë dhe njohim gjuhët e njëri-tjetrit, atëherë kemi bërë hapin e parë drejt një shoqërie më të hapur, më të drejtë dhe më të zhvilluar.

Realiteti shumetnik e shumkulturor në vendin tonë, nuk lejon kurrfarë arbitrariteti gjuhësor. Përkundrazi, gjuha e një kombi është vet historia dhe tradita e tij dhe çdo mohim i saj është mohim i ekzistencës së atij kombi.

Filed Under: ESSE

VATRA U PRIT NË DEPARTAMENTIN E SHTETIT AMERIKAN

February 20, 2025 by s p

Washington, 20 Shkurt 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” zhvilloi një vizitë zyrtare në Departamentin e Shtetit Amerikan. Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha, Sekretari Dr. Pashko Camaj dhe aktivisti i çështjes kombëtare z.Bardh Tomaj u pritën në takim nga zonja Colleen Hyland – drejtoreshë e Zyrës së Europës Jugore Qendrore në Departamentin e Shtetit Amerikan. Tema të diskutimit ishin: Zgjedhjet dhe proceset demokratike në Kosovë, nevoja për formimin e qeverisë dhe institucioneve ligjzbatuese, nevoja e forcimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim sa më të shpejtë euroatlantik, roli i Vatrës në forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane dhe rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve shtetëtore amerikane dhe atyre të Kosovës e Shqipërisë, situata dhe zhvillimet politike në Shqipëri, vazhdimësia e partneritetit shqiptaro-amerikan dhe mbikëqyrja proceseve dhe zhvillimeve demokratike në Kosovë dhe Shqipëri. Zonja Colleen Hyland- drejtoreshë e Zyrës së Europës Jugore Qendrore në Departamentin e Shtetit Amerikan vlerësoi rolin e Vatrës dhe këmbënguli për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë mes Federatës Vatra e Departamentit të Shtetit Amerikan.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 479
  • 480
  • 481
  • 482
  • 483
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT