• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA URON BESIMTARËT MUSLIMANË: GËZUAR KURBAN BAJRAMIN

June 6, 2025 by s p

Të dashur bashkombas të besimit Islam

Më lejoni që në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, të gazetës “Dielli” të familjes sime dhe në emrin tim personal t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar Kurban Bajramin. Paqja dhe mirësia Zotit qoftë përherë me ju.

Me bekimin e të madhit Zot, për të gjithë ju, familjet e miqtë tuaj qoftë kjo festë e madhërishme një çast hyjnor gëzimi, lutje, shprese e begatie.

Kjo festë e bujarisë që na afron më shumë me Zotin e njëri-tjetrin sjelltë paqe, dashuri, vëllazëri e sukses për çdo shqiptar.

Me fat Kurban Bajrami e me zemër të mirë ngahera.

Mirësia, bujaria, respekti e sakrificat në emër të Zotit, familjes, atdheut e kombit qofshin përherë të bekuara, të lëvduara e të shenjtëruara për çdo shqiptar.

Urimet më të përzemërta vëllezër e motra të dashur.

Me respekt e gëzim

Kryetari i VATRËS

Dr.Elmi BERISHA

Filed Under: Komunitet

Lidershipi si shërbim ndaj kombit…

June 6, 2025 by s p

Nga Evarist Beqiri*

“Bërë shumë për mëmëdhenë,

Sikur shumë si Ty të qenë,

Të qenë shumë si Tyja,

Do qe bërë Shqipëria

Faqedritë e syshkëndija,

Ta kish zili gjitonia…”

  • Populli

Ka autor që gabimisht pretendojnë se, pas dorëheqjes nga posti i kryeministrit më, 22 janar 1914, Ismail Qemal Vlora nuk u rikthye më në Shqipëri. Ndërkohë, kjo intervistë, e publikuar në librin e ri në anglisht “The Founder – Ismail Qemal Vlora on Leadership”, është një tjetër dëshmi e faktit që ai u rikthye sërish në Vlorë dhe Durrës, ku takoi edhe Princ Vidin.

Intervista është realizuar për gazetën italiane “IL PICCOLO DELLA SERA”, Trieste, më 19 qershor 1914. Ismail Qemali flet nga Brindisi, pak para rikthimit të tij në Shqipëri. Pas dorëheqjes nga drejtimi i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, ai u largua për pak muaj jashtë Shqipërisë, për t’u rikthyer sërish në qershor 1914, për t’u përballur sërish me situatën jashtëzakonshme ku gjendej vendi. 

Në këtë intervistë Ismail Qemali flet për gjendjen e vështirë në të cilën gjendej Shqipëria dhe në mënyrë figurative dhe kuptimplotë shprehet se: “Kush ndjell erën, nuk mund të pres veçse furtunën.” Ai thotë se, “unë që e kam përballuar rrezikun me shpirtin e qetë dhe jam urryer nga Turqia, si edhe për të mirën e atdheut, nuk pranova kryesimin e qeverisë, u akuzova si bashkëpunëtor i xhonturqve në Shqipëri. Akuzë më qesharake dhe më të pabazë nuk mund të gjesh.”

Ismail Qemali vijon më tej intervistën duke analizuar shkaqet e anarkisë në të cilën gjendej vendi, pas veprimeve të KNK-së, Princ Vidit, Esat Toptanit dhe zhvillimit të lëvizjes dumbabiste: “Shqipëria e kishte një qeveri. Nuk e deshën, por preferuan t’ia linin në dorë atyre që duan ta zhvasin dhe të kënaqin ambiciet e tyre të shfrenuara. Koha është mësuesi më i mirë dhe i tregon njerëzit. Rikthehem në Vlorën time me shpirtin e qetë, sepse kam punuar përherë për të mirën e vendit tim. Shpifjet që më kanë prekur, nuk e kanë dëmtuar dot nderin tim, të cilin do ta ruaj të paprekur deri në vdekje.”

Një Karakter i Pathyeshëm

Ismail Qemali ishte i njohur për integritetin e tij të lartë dhe qëndrimin e tij të palëkundur ndaj parimeve të tij. Ai nuk u lëkund kurrë nga presioni apo tundimet, duke qëndruar besnik ndaj vizionit të tij për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur. Kjo u dëshmua në shumë raste, duke filluar nga refuzimi i tij për të marrë pjesë në vizitën propagandistike të Sulltanit në Kosovë në vitin 1911, e deri te refuzimi i tij për t’i ofruar territorin shqiptar si bazë logjistike aleatëve gjatë Luftës së Parë Botërore. Për Ismail Qemal Vlorën, lidershipi nuk ishte një mjet për të arritur përfitime personale, por mënyra më sublime për t’i shërbyer kombit.

Në saj të karakterit të tij të fortë, integriteti i Ismail Qemalit mbeti kurdoherë i pacenueshëm. Ismail Qemali me gjithë fuqinë e shpirtit të tij fisnik, nuk rreshti asnjë ditë së punuari për Shqipërinë. Ai ishte shpëtimtari i Shqipërisë. Ai ishte lloji i liderit, që atë që thoshte e kishte gjithmonë të bashkërenduara me atë që bënte. 

Bashkëpunimi me Liderë të Tjerë

Ismail Qemali ishte i aftë të bashkëpunonte me liderë të tjerë të shquar, si Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Aqif Biçakçiu, Preng Bib Doda, Bajram Curri, Nikolla Lako, Mid’hat Frashëri, Hasan Prishtina etj., për të arritur qëllimet e përbashkëta. Ai e vlerësonte kontributin e secilit dhe ishte i hapur ndaj ideve të reja. Kjo u dëshmua edhe në bashkëpunimin e tij me Isa Boletinin, i cili e vlerësonte Ismail Qemalin, si një faktor kyç në shpëtimin e Shqipërisë.

Në kujtimet e tij Tafil Boletinit, nipi i Isa Boletinit dhe bashkëpunëtor i tij i ngushtë, shkruan: “Ismail Qemali axhën Isa e ka dashtë shumë dhe ia kishte besimin, por edhe ky i ka qendrue besnik deri në fund duke e vlerësuar si faktorin kryesor që e shpëtoi Shqipninë në momentin ma kritik. Kurse të tjerëve, që ma vonë byrykateshin për pozita, në atë kohë nuk iu ra ndërmend nji gja e tillë si ngritja e flamurit…

Ismail Qemali, me falenderime e lavdëroi axhën Isa për ndihmën që ka pasë në lamën politike prej luftave të tij të pakëputuna dhe i propozoi postin e ministrit të Luftës. Po axha Isa tha: “Jo, nuk asht ai vend për mua, pse edhe ktu e mrapa kam shumë detyra” dhe ia rekomandoi Mehmet pashë Dërallën…”

Tafil Boletini vijon më tej: “Ismail Qemali ishte jo vetëm diplomat, po edhe trim. Si pa gja të keqe thoshte, “kushdo që të na sulmojë na në kala të Kaninës do të vdesim”.”

Isa Boletini, Bajram Curri etj., ishin emisarët e fshehtë të Qeverisë së Vlorës, sepse në ato momente nuk ishte e volitshme angazhimi zyrtar i shtetit të ri shqiptar në organizimin e kryengritjes. Prandaj në fshehtësi ata së bashku me muhaxhirët kosovarë që ishin mbledhur në Vlorë,  ishin duke organizuar lëvizjen çlirimtare në krahinat shqiptare të pushtuara nga serbët e malazezët.

Një tjetër moment domethënës, i cili shpalos udhëheqjen dhe karakterin burrëror të këtyre shqiptarëve të mëdhenj, është mënyra sesi Ismail Qemali dhe Isa Boletini, e pritën vizitën propagandistike të Sulltanit në Kosovë në vitin 1911. Kjo vizite synonte paqtimin e shqiptarëve pas reprezaljeve të dhunshme që turqit kishin kryer ndaj shqiptarëve kryengritës.

Xhonturqit menduan të ndryshonin taktikë me shqiptarët dhe të shfrytëzonin rastin e realizimit të vizitës së sulltanit plak Mehmet Reshatit V në Shqipëri. Në delegacionin që do të shoqëronte sulltanin, ata menduan të përfshinin Ismail Qemalin dhe disa deputetë të tjerë shqiptarë. Por, Ismail Qemali e refuzoi kategorikisht pjesëmarrjen në një delegacion të tillë dhe e denoncoi këtë udhëtim në opinionin publik si qesharak dhe të padobishëm.

Tafil Boletini shkruan se, “në verën e 1911, Sulltani do mbërrinte në Kosovë në tyrben e Sulltan Muratit. Ceremonia ishte edhe një propagandë e madhe për të gjithë ata që ende besonin në Perandorinë Osmane. Isa Boletini ishte ndër të parët në listën e atyre që do prisnin “Hazretin”, porse ai refuzoi.” Si pasojë e qëndrimit të palëkundur të këtyre dy burrave, vizita e Sulltanit në qershor të vitit 1911, u shoqërua me ftohtësi dhe nuk i përmbushi synimet demagogjike të xhonturqve.

Porta e Lartë ndiqte taktikën e shkopit dhe karotës, duke tentuar hera-herës që t’i joshte me poste dhe privilegje shqiptarët e shquar. Megjithatë zonat malore të Shqipërisë nuk iu nënshtruan kurrë ligjit islamik (sharia) dhe vijuan të zbatonin kodin e tyre zakonor. Tafili Boletini kujton se, “Hasan Prishtina në qershorin e vitit 1909, mbërrin në Mitrovicë, si i dërguar i posaçëm i Hysen Hilmi Pashës, Kryeministër i kohës. Hasan Prishtina, në emër të Stambollit, i premtoi Isës shpërblime dhe paqe nëse ky do të hiqte dorë nga kryengritjet e tij të herëpashershme. Baca refuzoi.” Ismail Qemali dhe Isa Boletini do ta vazhdonin betejën e tyre për Shqipërinë deri ditën që mbyllën sytë…

Ismail Qemali gjatë qëndroi në Paris dhe Nicë, Francë, ku u vendos pas largimit nga Italia në prill të 1915. Në 1916, ai refuzoi një kërkesë të qeverisë franceze për të përdorur territorin e Jugut të Shqipërisë, si mbështetje logjistike për një aksioni të madh të aleatëve në Luftën e Parë Botërore. 

Në vijim, Ismail Qemali u detyrua të largohej nga Franca, së bashku me familjen e tij. Në maj 1918, ai u nis nga Parisi për në Barcelonë. Ndërkohë, qeveria italiane nuk e lejonte të kthehej në Itali ose të shkonte në Zvicër, sepse i ruheshin influencës së tij në komunitetin shqiptar aty. Prandaj, ai shkoi në Spanjë, për të komunikuar më me lehtësi nëpërmjet ambasadës amerikane në Madrid, me shqiptarët e Amerikës, që e kishin caktuar ndërkohë si përfaqësues të tyre në Konferencën e Paqes që pritej të mblidhej në Paris. 

Më 20 dhjetor 1918, ai vjen nga Barcelona në Xhenova, me ftesë të qeverisë italiane, për mbrojtjen e çështjes shqiptare në Konferencën e Parisit. Por në vend që të pritej në Romë, e izolojnë në hotel “Brufani” në Peruxhia. Rrugëtimi i tij përfundon aty. Ismail Qemal Vlora do të mbyllte sytë me brengën e madhe për fatin e Shqipërisë…

Trashëgimia e Lidershipit

Ismail Qemali ishte kurdoherë i gatshëm për të mbajtur qëndrimin e duhur kundrejt së mirës dhe së keqes. Ai ishte i përgatitur për të sakrifikuar interesin vetjak dhe për të vuajtur pasojat që vinin nga mbajtja e qëndrimit të drejtë dhe të palëkundur. Ai i mbronte kurdoherë të dobëtit dhe të braktisurit që përballeshin me padrejtësi. Ai bënte atë që thoshte. Dhe nuk kishte asnjë forcë në tokë që mund t’a trembte. 

Ismail Qemal Vlora është profeti ynë kombëtar. Siç Moisiu u dërgua nga Zoti për t’i dhënë popullit të tij lirinë, ashtu edhe Ismail Qemal Vlora u dërgua nga Zoti për t’ju dhënë shqiptarëve lirinë e shumëpritur prej shekujsh. Ndryshe nga shumë lider të tjerë përgjatë historisë, që kanë sakrifikuar jetët e njerëzve të tyre për të realizuar synimet e tyre, Ismail Qemal Vlora i shpëtoi jetët e njerëzve të tij, pa harruar kurrë synimet e përbashkëta. Ismail Qemali ishte i frymëzuar nga mirësia, jo nga ambicia. Ai ishte gjeniu i paqes, i cili fliste për lirinë duke kërkuar barazinë. Sumë lider kanë parë arritjet e tyre që t’ju shkrihen para syve, si një kështjellë e ndërtuar në rërë, duke lënë pas një vijë gjakderdhje. Ndërsa, Ismail Qemal Vlora arriti që ta realizonte veprën e tij, duke lënë pas një vijë drite të shkëlqyeshme.

Epitetet dhe adhurimi i popullit ndaj tij merr hera-herës përmasa hyjnore. Sepse ka kategorizime të ndryshme për udhëheqësinë. Ka njerëz që mbahen mend si udhëheqës të mëdhenj, si burrështetas. Por, ka edhe të tjerë që shkojnë përtej këtyre kategorizimeve dhe populli iu hedh mbi krye petkun e profetit. Kjo për shkak të trashëgimisë së tyre sublime. Ismail Qemal Vlora është profeti ynë kombëtar, i cili i dha kuptim trashëgimisë së Skënderbeut. Pa veprën e Ismail Qemal Vlorës, do të humbte edhe trashëgimia skënderbejane. Këtë përcaktim e ka shprehur madhërishëm në vargjet e tij, liriku ynë i madh Ali Asllani: 

                                             “Ish Profit dhe mbet Profit;

                                              Dhe qëndron ashtu si ishë;

                                              Do mbaj emrin si e kishë;

                                              Emr’i tija i vërtetë;

                                              Esht Nëntor njëzet’ e tetë.”

*Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri). 

C:\Users\user\Desktop\ISMAIL QEMAL VLORA\ISMAIL QEMALI FOTO ARTIKUJ\IL PICCOLO DELLA SERA TRIESTE 19 QERSHOR 1914.jpg

Filed Under: Histori

SPAÇI – BURGU QË DUHET TË FLASË. MUZE I KUJTESËS DHE DINJITETIT…

June 5, 2025 by s p

nga Visar Zhiti/

Ka vende që janë plagë, jo vetëm mbi trupin e atdheut, por mbi ndërgjegjen e tij. Spaçi është një nga ato plagë… 

Burgu famëkeq në zemër të maleve të veriut, dikur skenë e fshehur, aq sa mundej, i dënimit dhe vuajtjes torturuese sistematike, i punës së detyruar dhunuese dhe përpjekjes për të zhbërë njeriun, por dhe vend martir i qendresës emblematike, i rebelimit historik, ku të burgosurit politikë guxuan dhe ngritën të ngjyrosur me gjak Flamuri Kombëtar, pa yllin e socializmit real, por siç ishte në epokën e Skënderbeut dhe siç është tani, – nguliteni në mendje, në ndërgjegje dhe kujtesën kolektive:  “Flamuri siç është sot”, – dhe sot ky Spaç ka mbetur një rrënojë arkeologjike e vetvetes dhe e moralit. 

Por a duhet të mbetej kështu?

A duhet ta ruajmë këtë rrënojë siç është – një trup i shkatërruar që flet vetë – apo duhet të ndërhyjmë me kujdes, që të mos jetë thjesht një gërmadhë, por të bëhet një muze, një altar për të përndjekurit dhe brezat që nuk e kanë njohur kurrë frikën e hekurave për një mendim të lire, një z:e që I flet s;e ardhmes nga e shkuara?

Mendoj se nuk është thjeshtë një çështje arkitektonike. Është një zgjedhje (j)etike dhe kult/urë. Shqipja më ndihmon të nënkuptoj më shumë se fjala. Pra, Spaçi t:e jet:e një referendum i heshtur me historinë.

Kujtesa: një e kaluar apo një përgjegjësi?

Filozofi francez Paul Ricoeur, në veprën e tij “Kujtesa, historia, harresa”, na kujton se: “Kujtesa e drejtë është ajo që nuk fsheh as krimin, as viktimën – ajo që kërkon drejtësi përmes të vërtetës.”

Spaçi është një vend ku krimi shtetëror dhe viktima/ dissident,/ kundërshtar, /hero  kanë qenë përballë çdo ditë, madje edhe janë. Aty ku fjala e lirë u fut në minierat primitive me skllevë aspak modernë, por si atëhere, dhe në errësirën e thellë të zgafellave të shkatërrimit moral. 

Moskujtesa do të ishte një formë tjetër dënimi. Heshtja është një lloj amnistie që i bëhet së keqen.

Spektri i thyer i debateve 

Debati për fatin e burgut të Spaçit si vend-muze është më shumë se një çështje arkitekturore apo utilitare — është një sfidë për ndërgjegjen historike, kujtesën kolektive dhe etikën e një shoqërie që kërkon të pajtohet me të kaluarën e saj të dhunshme.

Shqetësimet mund të përmblidheshin n:e k;eto çështje: 

1. Të restaurohet siç ka qenë (model konservues):

Qëllimi: Ruajtja autentike e strukturës si një dëshmi e gjallë e diktaturës.

– Pro: Jep një ndjesi të drejtpërdrejtë të realitetit të së kaluarës; ka vlerë të madhe dokumentare dhe muzeale.

– Kundër: Rrezikon të kthehet në një relike të ngrirë në kohë, pa shumë 

efekt edukativ nëse nuk shoqërohet me kuratorí dhe programim.

2. Të restaurohet me ndryshime utilitare, edukuese (model interpretues):

Qëllimi: Shndërrimi në muze bashkëkohor i kujtesës, me panele informuese, teknologji ndërvepruese, dëshmi të gjalla, arkiv digjital.

– Pro: Mund të shërbejë si hapësirë për edukimin e brezave të rinj; forcon ndërgjegjen demokratike dhe shërben si paralajmërim.

– Kundër: Rrezikon t’i humbasë elementët autentikë; mund të interpretohet si “teatër” i së kaluarës.

3. Të lihet në gjendjen e tanishme (model arkeologjik-moral):

Qëllimi: Ta ruajmë si rrënojë, si një shenjë e mosndërhyrjes, siç janë kampet naziste që ruhen në heshtje dhe zhveshje.

– Pro: Rrënoja flet vetë, heshtja është gjuhë e fuqishme, e pandotur nga aktualizime ideologjike.

– Kundër: Degradimi fizik i objektit çon në zhdukje; ndonjëherë rrënoja hesht më shumë sesa flet.

4. Të ndërhyjë Shteti – por si?

– Detyra shtetërore: Pjesë e përgjegjësisë kombëtare për kujtesën historike dhe arsimimin qytetar.

– Rreziku: Ndërhyrja burokratike mund ta shndërrojë në projekt propagandistik ose të zhveshur nga përmbajtja e vërtetë.

– Dhe aq më keq, nëse do të jetë një zbukurim i diktaturës si BunkArt 1 e 2 apo “Shtëpia me gjethe” apo shtëpi të tjera ngjashëm, por muzeu i qendresës I kundërshtar;eve dhe martirëve ende mungon. 

5. Të dëgjohen ish-të burgosurit dhe shoqatat:

Pse: Ata janë dëshmitarët e parë; pa zërin e tyre, projekti s’ka shpirt.

Sfidat: Mosmarrëveshjet midis vetë të përndjekurve; trauma personale; përplasja e vizioneve.

Në fund të fundit, Spaçi nuk është thjesht gur e hekur, beton e parrulla por kujtesa e njeriut shqiptar që vuajti për fjalën dhe lirinë, që vendi të jetë I lire dhe i hapur, pjesë e kulturës euroaltlantike, etj. 

Nëse nuk kujtojmë me dinjitet dhe përkushtim dhe ndjeshmëri, rrezikojmë të ndëshkojmë për së dyti viktimat – me harresë. Po vet;em kaq, t:e rroposim idealet.

Modelet në botë, kur heshtja flet:

1. Kampi i përqendrimit Auschwitz (Poloni)

Rrënojat janë ruajtur me përpikmëri, pa ndërhyrje estetike apo modernizuese. Mbetet një vend i heshtur, por i fuqishëm në dëshmi.

Eshtrat e ndërtesave, dhomat e gazit dhe telat me gjemba janë pjesë e narrativës së dhimbjes, ku çdo gur është kujtesë.

– Historiani Tony Judt shkruan se “kujtesa nuk është vetëm akt personal, por përgjegjësi publike.” Auschwitz është një akt i tillë përgjegjësie.

2. Muzeu i Stasit – Berlini Lindor (Gjermani)

Ish-selia e shërbimit famëkeq të sigurimit është ruajtur siç ka qenë, por me ndërhyrje kuratoriale moderne.

Brenda saj, të rinjtë gjermanë mësojnë sesi një shtet i përgjonte dhe terrorizonte qytetarët.

Sipas Aleida Assmann, teoriciene e kujtesës kulturore: “Kujtesa institucionale e dhunës shtetërore kërkon hapësira të materializuara ku e kaluara të bëhet e prekshme, por jo e stërkomentuar.”

3. Shtëpia e Terrorit – Budapest (Hungari)

Ish godina e policisë sekrete naziste e më pas komuniste është kthyer në muze me ndërthurje artistike, dëshmi të gjalla dhe simbolikë të fortë vizuale.

Ka krijuar debat: a është tepër spektakolare, apo tërheqëse estetikisht për një vend dhimbjeje?

Sipas Timothy Snyder, ky është rreziku kur “e kaluara shndërrohet në ekspozitë për konsum emocional, jo për kuptim etik.”

4. Memoriali i Paqes – Hiroshima (Japoni)

Kupola e vetme që mbeti në këmbë nga bomba atomike u la ashtu siç ishte – një rrënojë e shenjtë që flet pa fjalë.

Aty është realizuar një kombinim mes ruajtjes së rrënimit dhe instalimeve edukative moderne.

Sipas sociologes japoneze Yoshiko Nozaki: “Kujtesa nuk është vetëm çfarë ndodhi, por si vendosim ta tregojmë dhe kujt t’ia tregojmë.”

Sociologë dhe mendimtarë me ndikim mbi kujtesën kolektive:

1. Maurice Halbwachs – themeluesi i konceptit të “kujtesës kolektive”:

“Asnjë kujtim nuk qëndron vetëm: ai lidhet me strukturën sociale që e mirëpret ose e shtyp.”

2. Paul Ricoeur – filozof francez, autori i La mémoire, l’histoire, l’oubli (Kujtesa, historia, harresa): “Kujtesa e drejtë është ajo që nuk fsheh as krimin, as viktimën – ajo që kërkon drejtësi përmes të vërtetës.”

3. Zygmunt Bauman – sociolog i modernitetit:

“Shoqëritë moderne preferojnë të fshijnë të shkuarën për ta rikonfiguruar sipas nevojave të së tashmes.”

Shtesë për Shqipërinë:

Paralajmërime për rrezikun e manipulimit të kujtesës, sidomos në projekte që mund të përdoren për “lavazhin moral” të historisë.

– Në mungesë të një narrative shtetërore të unifikuar për krimet e komunizmit, Spaçi është kthyer në simbol të heshtjes zyrtare.

– Kujtesa është mbajtur më shumë nga të përndjekurit dhe shoqëria civile, jo nga institucionet shtetërore.

– Kjo sjell një obligim moral: nëse shteti nuk ndëshkon të keqen e djeshme, të paktën le të kujtojë viktimat me dinjitet.

Çfarë duhet bërë me Spaçin?

Të mos ndërhysh do të thotë ta lësh kujtesën në harresë, në mëshirë të agjentëve atmosferikë, të erës dhe të shiut dhe të vapës çmendurake, por dhe të agjentëve të së keqes, që u intereson fshehja e krimit. 

Të ndërhysh pa ndjeshmëri, rrezikon ta shndërrosh në një ekspozitë, mbase dhe zbavitëse. 

Të ndërhysh me etike do të thotë:

1. Ta ruajmë autenticitetin fizik të Spaçit – strukturat e tij, dhomat, shkallët, taracën e numërimit, mencën e urisë, qelitë ndëshkimore, të mbeten siç janë, të konservuara, jo të rindërtuara, grykat përbindsh:erore të minierës.

2. Të ndërtohet rreth tij një muze i heshtjes dhe qëndresës që përfshin:

– Dëshmi të të mbijetuarve.

– Dosje të deklasifikuara.

– Dokumentarë e arkiva digjitale.

– Pjesëmarrjen aktive të të rinjve në projekte kujtese dhe etike.

3. Të përfshihen zërat e ish-të përndjekurve, shoqatave të tyre, studiuesve dhe arkitektëve të kujtesës.

4. Të ketë status ligjor si vend me vlerë kombëtare historike dhe morale, të mbrojtur nga shteti dhe i hapur ndaj vizitorëve, studiuesve, studentëve.

Konkretisht: “SPAÇI – MUR I FJALËS SË LIRË”

Një muze që të mos jetë vetëm për të parë, por për të kuptuar. M:e tej rrethimit me tela me gjeba si dukur, të ketë një qendër dokumentimi, një hapësirë për aktivitete edukative, për performanca të kujtesës, poezi, art, për bashkëbisedim ndërbrezor.

Një qendër që të merret me histori jo për të ndalur kujtimin, por për ta dhënë atë si dritë për të ardhmen. Sepse, siç thotë Hannah Arendt:

“E keqja më e madhe është kur njeriu i zakonshëm nuk e vë më në dyshim të keqen e përditshme.”

Jo një përfundim, por një fillim:

Pra një model i mirë për Spaçin do të ishte, – përsërisim, – një kombinim mes autenticitetit të rrënojës dhe ndërhyrjes edukative:

– Ta ruajmë strukturën siç është, si në Auschwitz, por

– Të krijojmë rreth tij një muze i heshtjes dhe rezistencës, me dëshmi, arkiv, dhe përfshirje të të mbijetuarve, si në Berlin.

  – Një muze i tillë nuk do të ishte thjesht kujtesë e së kaluarës, por parandalim për të ardhmen. Siç thotë Hannah Arendt prapë: “Ne nuk kujtojmë për të qarë mbi të shkuarën, por për të mos e lejuar të përsëritet.”

Nëse Spaçi hesht, atëherë kemi dështuar ta mbrojmë kujtesën. Dhe pa kujtesë, demokracia është vetëm një dritë e përkohshme mbi një gërmadhë.

Spaçi mund të jetë vendi ku njeriu shqiptar mësoi të mos dorëzohej. Le të jetë tani vendi ku ne mësojmë të mos harrojmë.

EPILOGU IM

Fillimi i punimeve bashkë me dabatin për Spaçin, koinçidojnë dhe me përpjektjet tona për xhirimin e një filmi artistik për revoltën historike të të burgosurve politikë, dëshmi të dhunës dhe të qendresës, etj. 

Regjisori dhe producenti Namik Ajazi e ka ndjerë si mission një film të tillë, që mungon. Të rinjtë janë të sulmuar nga filmat e realizmit socialist. 

Skenari i filmit “Kryengritje në ferr” është shkruar nga autori i këtij shkrimi para disa vjetësh, ish i burgosur politik, me familjen të përndjekur nga regjimi. Po kështu dhe regjisori dhe babai i tij janë ish të burgosur politikë      

Është menduar që edhe piktori i filmit të jetë një ish i burgosur politik dhe në role, jo vetëm figurantë, por edhe episodikë, të ketë nga ish të burgosurit politikë, të mbetur gjallë, kjo do ta bënte filmin unik në botë, ndërsa në rolet kryesorë janë gjetur nga regjisori aktorë të njohur, shqiptarë dhe të huaj. Mbështetja e huaj, interesi i tyre kinematografik është, ajo e shtetit shqiptar ende mungon.

Spaçi si burg fizik tani mungon. Nëse ai do të ishte si muze i kujtes:es, xhirimet do të bëheshin aty dhe ky do të ishte dhe intersi i filmit. Kaq.

Kur vuajtja dhe dhimbja, persekutimi, të vërtetat dhe traumat e shkaktuara prej tyre arrijnë të kthehen në jo vetëm në muzeume, po më fort e të gjalla në poezi e pikturë, në romane, drama e filma, është emancipim i vërtetë i një shoqërie të kulturuar, ku e kaluar kështu s’është më pengesë, por përvojë dhe art.      

Filed Under: Komente

Seanca në Kongres thekson kërcënimet në rritje ndaj NATO-s dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor

June 5, 2025 by s p

Albanians For America/

Washington, D.C. – Sot, Nënkomiteti për Evropën në kuadër të Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, i kryesuar nga Kongresmeni Keith Self (TX-03), zhvilloi një seancë dëgjimore të rëndësishme me titullin “Vlerësimi i sfidave me të cilat përballet NATO”, me fokus në kërcënimet që po evoluojnë ndaj Aleancës dhe ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Kryesuesi Self e hapi seancën me fokus të veçantë në rëndësinë e sigurisë dhe përparimit demokratik të Kosovës, si dhe në domosdoshmërinë për të kundërshtuar ndikimin e dëmshëm të Rusisë dhe Kinës në rajon. Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për aktivitetet destabilizuese që burojnë nga Serbia dhe Republika Sërpska – zhvillime që po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e zyrtarëve amerikanë dhe të NATO-s.

Në dëshminë e tij, Admirali në pension Mark Montgomery dha një vlerësim të qartë dhe shqetësues:

“Serbia dhe Republika Sërpska janë aktorë të rrezikshëm që minojnë stabilitetin në Ballkan.”

Ekspertë të tjerë të ftuar ishin Dr. Nile Gardiner dhe Ambasadorja Julianne Smith, të cilët ofruan perspektiva për rëndësinë strategjike që ka Ballkani për unitetin dhe sigurinë afatgjatë të NATO-s.

Organizata Albanians For America (AFA) ishte e pranishme në këtë seancë dhe vazhdon të avokojë për angazhim më të fuqishëm të SHBA-së në mbështetje të lirisë, vlerave demokratike dhe sundimit të ligjit në të gjithë Ballkanin. AFA vlerëson angazhimin e liderëve si Kongresmeni Keith Self, të cilët po e vendosin Kosovën dhe çështjet rajonale në qendër të vëmendjes globale në një moment kyç për rajonin.

“E përshëndesim përqendrimin e sotëm në Ballkanin Perëndimor dhe mbështesim çdo përpjekje që promovon paqe, parandalim dhe partneritete të qëndrueshme,” tha njëri nga përfaqësuesit e AFA.

Duke marrë parasysh kërcënimet e identifikuara gjatë dëgjimit, AFA bën thirrje që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s të përshpejtojnë hapat drejt integrimit të plotë të Kosovës në Aleancë. Si një partnere e përkushtuar ndaj vlerave euroatlantike, përfshirja e Kosovës do ta forconte krahun juglindor të NATO-s dhe do të kontribuonte në siguri afatgjatë për të gjithë rajonin.

Filed Under: Opinion

“TEQEJA N’SULTI OSE TYRBJA E KOLSHIT NË MALËSINË E LEZHËS.”

June 5, 2025 by s p

Teqeja n’Sulti ose Tyrbja e Kolshit ndodhet mbi një kodër të ulët në pjesën veriore të fshatit Kolsh, në Malësinë e Lezhës, afër rrugës së vjetër që lidh qytetin (lagjen Shehër) me fshatrat e kësaj zone. Ky pozicion gjeografik i jep monumentit një funksion strategjik dhe simbolik njëkohësisht. Afërsia me qytetin e Lezhës dhe me rrugën tradicionale e vendos tyrben në një vijë të dukshme të komunikimit ndërmjet qendrës urbane dhe periferisë. Kjo përforcon rolin e saj si një shenjë e synuar vizualisht e pranisë dhe autoritetit fetar osman në territor. Materiali ndërtimor përbëhet kryesisht nga gurë gëlqerorë të gdhendur e të puthitur me kujdes, të lidhur me llaç të fortë gëlqereje, i cili ka arritur kalcifikim të plotë. Gjurmët e pastra të llaçit të mbetura në segmente të ndryshme të mureve dëshmojnë qartë se ndërtesa ka qenë e suvatuar si në pjesën e jashtme, ashtu edhe në atë të brendshme.

Ndërtesa ka një planimetri të rregullt katrore me trashësi mesatare murale prej 0.90 m dhe me përmasa që variojnë shumë pak ndërmjet tyre: muri verior është 5.21 m i gjatë, ai perëndimor 5.23 m, lindori 5.25 m, ndërsa ai jugor 5.27 m. Lartësia murale e strukturës katrore, e matur në këndin jugperëndimor, arrin në 3.30 m. Mbi këtë bllok qëndron një bazament tetëkëndësh me lartësi 1.10 m, mbi të cilin ngrihet kupola. Kjo e fundit, e ndërtuar me gurë shtufi, ngrihet deri në një lartësi prej 0.87 m, përmes një sistemi harqesh të brendshëm, për të përfunduar në një rozetë qendrore prej guri me 12 rrathë simetrikë. Kjo strukturë përfaqëson kulmin e sofistikimit teknik të monumentit, me një lartësi përfundimtare prej 4.17 m. Pjesa kulmore ku duhej të ishte “guri çelës” është e zbrazët dhe si e tillë shërben si dritare e vogël ajrimi. Ndërsa, kombinimi ndërmjet trupit katror dhe tamburit tetëkëndësh që mbështet kupolën përfaqëson një tipologji të zakonshme të arkitekturës funerare osmane në Ballkan, duke siguruar një tranzicion estetik dhe funksional të harmonizuar me terrenin kodrinor. Vendkalimet ndërmjet formave gjeometrike janë shoqëruar me realizimin e dy kornizave të theksuara horizontale, të punuara me gurë të latuar dhe të profiluar, të cilat e dallojnë vizualisht këtë ndërrim strukturor.

Kupola ka qenë e mbuluar me tjegulla, të cilat sot nuk ruhen më, ndërsa në katër cepat e zgjatura të bazës katrore janë vendosur rrasa guri, të ruajtura pjesërisht deri në ditët e sotme. Hyrja në monument është pozicionuar në pjesën lindore të murit verior dhe përbëhet nga një derë e ulët me përmasa të jashtme 1.28 m lartësi × 0.70 m gjerësi, ndërsa nga brenda ajo zgjerohet në 1.55 m lartësi dhe 1 m gjerësi. Fasada e jashtme e saj mbulohet me një qemer të vogël të harkuar lehtë, i ndërtuar me dy gurë të latuar. Në anën jugore dhe atë perëndimore janë vendosur dritare të harkuara me përmasa mesatare, të cilat, përveç funksioneve ndriçuese dhe ajrosëse, kanë shërbyer edhe si hapësira për lutje nga jashtë – një praktikë devocionale e dokumentuar në kontekste të tjera të islamit ballkanik. Dritarja jugore është 1.10 m e lartë dhe 0.70 m e gjerë, ndërsa ajo perëndimore, e cila ishte kthyer në një hyrje të lartë në një fazë të mëvonshme të përdorimit të monumentit, është restauruar pjesërisht në vitin 2014. Në murin verior dhe atë lindor janë të pranishme dy kamare të vogla, të realizuara me korniza guri të latuar.

Po ashtu, në të katër fasadat janë të dukshme vrima të thella që përshkojnë muret tejpërtej; këto kanë shërbyer për mbajtjen e trarëve horizontalë, të cilët kryqëzoheshin në qendër të hapësirës së brendshme, në një lartësi rreth 2 m mbi dysheme, ndoshta për mbajtjen e ndonjë elementi druror dekorativ ose funksional. Në mungesë të mbishkrimeve dhe dokumentacionit historik, datimi i tyrbes mbështetet në analiza stilistike dhe dëshmi gojore. Format, teknikat e ndërtimit dhe elementët dekorativë e lidhin atë me shekullin XVII, periudhë kur islamizimi i qytetit të Lezhës dhe zonave përreth u përforcua nëpërmjet rrjeteve religjioze të lidhura me urdhrat sufistë dhe administratën osmane. Monumenti mund të jetë ndërtuar për një dervish të shquar ose për një funksionar të rëndësishëm osman me autoritet lokal, ndonëse emri i të varrosurit nuk ruhet në kujtesën kolektive.

Tyrbja ka shërbyer si vend pelegrinazhi i kufizuar, i përdorur sporadikisht nga komuniteti egjiptian i Lezhës deri në fillim të shek. XXI, i cili e vizitonte me rastin e 6 majit, “Festa e Shën Gjergjit (sipas Kalendarit Julian).” Kjo praktikë synkretike dëshmon për një përdorim fleksibël të hapësirave të shenjta në kontekste multikonfesionale. Veçanërisht domethënës është fakti që monumenti u shpëtua nga shkatërrimi gjatë Revolucionit Kulturor Ateist të vitit 1967 falë mbrojtjes nga komuniteti katolik i fshatit, një akt solidariteti që flet për ndërthurje kulturore dhe respekt reciprok ndaj vendit të shenjtë, përtej përkatësisë fetare. Monumenti u restaurua për herë të parë në tetor të vitit 2014, nga autori i këtij studimi, pas një periudhe të gjatë braktisjeje. Ndërhyrja u përqendrua në murin perëndimor, i cili kishte pësuar dëmtime gjatë regjimit komunist. Restaurimi synoi ruajtjen e autenticitetit të ndërtesës përmes metodave minimale ndërhyrëse dhe përdorimit të materialeve tradicionale. Tyrbja e Kolshit, ndonëse e panjohur deri më sot në literaturën historiografike dhe e mbetur pa një identitet të qartë individual, përfaqëson një dëshmi të rrallë dhe të çmuar të arkitekturës funerare osmane në Shqipërinë Veriore.

Vendndodhja e saj në një zonë periferike kodrinore dhe pranë një rruge tradicionale tregon për praninë e strukturave religjioze të mirëorganizuara edhe jashtë qendrave urbane, në një periudhë kur Perandoria Osmane ndërmerrte hapa për të institucionalizuar islamin në të gjitha shtresat dhe hapësirat e shoqërisë. Monumenti fton në një rishikim të paradigmave klasike të islamizimit në Ballkanin Perëndimor, të cilat shpesh kanë theksuar qendrat urbane si vatra të përhapjes së fesë së re. Në rastin e Kolshit, ndërthurja e arkitekturës, topografisë dhe devocionit lokal dëshmon për një model alternativ të islamizimit – atë të periferisë kodrinore, ku ndërlidhjet lokale dhe ndikimet perandorake gërshetohen në një sintezë të veçantë të përkatësisë fetare dhe kulturore. Në këtë kuadër, tyrbja e Kolshit nuk përfaqëson vetëm një tipar arkitektonik të veçantë, por edhe një pikë takimi midis traditës vendore dhe ndikimeve osmane. Ajo përçon trajtat tipike të arkitekturës funerare islame – si planimetria katrore, kupola qendrore, orientimi simbolik – ndërkohë që integron elementë lokalë që reflektojnë tradita ndërtimore dhe besime popullore të zonës.

Monumenti, kësisoj, bëhet një dëshmi e gjallë e mënyrës sesi kultura osmane u ndërthur me substratin lokal për të prodhuar forma të reja identitare. Në një plan më të gjerë, tyrbja e Kolshit ofron një pikë referimi të vlefshme për studimin e islamizimit periferik dhe të përhapjes së kulturës funerare islame në viset jashtë qendrave të mëdha urbane. Ajo ndihmon në ndriçimin e procesit të osmanizimit të zonave kodrinore të Shqipërisë Veriore dhe vë në dukje rolin e rëndësishëm që arkitektura religjioze ka luajtur në konsolidimin e një identiteti të ri fetar dhe kulturor në shek. XVII. Në një kohë kur shumë tyrbe të tjera janë shembur ose nuk janë dokumentuar kurrë, ky monument përfaqëson një dëshmi të rrallë dhe të ruajtur shumë mirë, që mund të shërbejë si pikë reference për rindërtimin e tipologjisë dhe shpërndarjes së arkitekturës funerare osmane në Shqipërinë e Veriut. Kjo e bën monumentin një objekt me vlerë të lartë për arkeologjinë arkitektonike, historinë e fesë dhe Trashëgiminë Kulturore.

Nga: Paulin Zefi.

Lezhë: 04.06.2025.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 480
  • 481
  • 482
  • 483
  • 484
  • …
  • 2950
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926
  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT