• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Promovohet në Zagreb libri “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci”

October 27, 2024 by s p

Biblioteka Qendrore Shqiptare e Kroacisë me drejtore znj. Dori Kerni dhe Shoqata e Grave Shqiptare në Kroaci me kryetare znj. Dori Kerni organizuan promovimin e librit “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci” të ambasadorit Shaban Murati në sallën e Shtëpisë së Gazetarëve në Zagreb.

Fjalën e hapjes e mbajti znj Dori Kerni. Pastaj rreth librit dhe autorit folen ambasadori i Kosovës ne Kroaci, prof.dr. Martin Berishaj, shkrimtarja Hiqmete Daja, shkrimtari Arben Iliazi dhe e ngarkuara me punë e ambasadës së Shqipërisë në Kroaci, znj.Alma Kasa. Përshëndeti dhe botuesi i librit dhe kryetar i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” z.Alket Veliu dhe autori.

Merrnin pjesë përfaqësues të shumtë të diasporës shqiptare në Kroaci. Ndodhej edhe këshilltarja speciale e ministrisë së jashtme kroate znj. Ermina Lekaj Priljaska, ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Kroaci, prof. Milaim Fetahi, përfaqësues të trupit diplomatik, të mediave, të kulturës, etj.

Filed Under: Mergata

Kulla si objekt banimi në zonën e Shalës së Bajgorës

October 27, 2024 by s p

Prof. Ass. Dr. Pajazit Hajzeri

1 Faculty of Architecture and Spatial Planning, UBT College – 

Higher Education Institution, Prishtina, Kosovo

Pajazit.hajzeri@ubt-uni.net

Abstrakti: Kulla, një formë tradicionale e banesës, ka pasur një rol të rëndësishëm në jetën sociale, ekonomike dhe kulturore të popullsisë së Shalës së Bajgorës. Ky studim eksploron funksionin dhe rëndësinë e kullës në këtë zonë malore të Kosovës, duke analizuar arkitekturën, materialet ndërtimore dhe karakteristikat funksionale që e bënin atë të përshtatshme për jetesën në një mjedis të vështirë dhe të izoluar. Kulla nuk ishte thjesht një strukturë banimi, por një simbol i identitetit familjar dhe qëndresës ndaj kushteve të ashpra natyrore dhe sociale. Nëpërmjet intervistave me banorë lokalë dhe analizës historike, ky punim synon të ndriçojë më tej mënyrat në të cilat ky objekt banimi ka evoluar dhe ka ruajtur identitetin e tij në kontekstin e modernizimit të jetesës në Shalën e Bajgorës.

Fjalët kyqe: Kullë, objekt banimi, mjedis jetësor, strukturë, natyrë.

  1. Kullat

Punimi “Kullat në zonën e Shalës së Bajgorës” trajton rëndësinë historike dhe arkitektonike të kullave në këtë rajon të Kosovës. Kullat, të cilat kanë shërbyer si struktura mbrojtëse dhe rezidenciale, janë ndërtuar kryesisht gjatë periudhës osmane dhe paraqesin një simbol të identitetit kulturor dhe traditave vendore. Zona e Shalës së Bajgorës, përveç bukurive natyrore dhe rëndësisë historike, është e njohur për këto ndërtesa tradicionale të cilat përfaqësojnë një aspekt të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore shqiptare. Punimi shqyrton arkitekturën, funksionet e kullave, dhe rolin e tyre në ruajtjen e traditës dhe vlerave shoqërore ndër shekuj. Kullat e ndërtuara në Shalë të Bajgorës dhe ato në zonat fushore të Kosovës kanë disa dallime të theksuara që reflektojnë mjedisin gjeografik, nevojat mbrojtëse dhe stilin e jetesës së banorëve në këto rajone.

  1. Funksioni mbrojtës:
    • Kulla në Shalë të Bajgorës: Duke qenë se Shala është një zonë malore dhe shpesh më e izoluar, kullat janë ndërtuar kryesisht për mbrojtje. Ato ishin struktura të fortifikuara që mbronin banorët nga sulmet e jashtme dhe plaçkitjet, si dhe ofronin mbrojtje në kushtet e rënda klimatike. Zakonisht ishin më të larta dhe më të ngushta për të mundësuar vëzhgim më të mirë të terrenit përreth.
    • Kulla në zonat fushore: Kullat në fushë, edhe pse kanë pasur një element mbrojtës, kanë qenë më të orientuara drejt funksioneve sociale dhe ekonomike. Ndërsa këto kulla janë të ndërtuara më pranë tokave bujqësore, ato shpesh kishin edhe hapësira të mëdha për magazinimin e prodhimeve bujqësore, krahas hapësirave për banim.
  2. Arkitektura dhe materiali:
    • Kulla në Shalë të Bajgorës: Përdorimi i gurëve të fortë malor ishte karakteristikë e këtyre kullave, pasi materiali lokal ishte i bollshëm dhe i qëndrueshëm për klimën e ftohtë dhe të ashpër. Ndërtesat ishin më kompakte për të ruajtur nxehtësinë dhe për t’u mbrojtur nga era e fortë malore.
    • Kulla në zonat fushore: Në fushë, materiali ndërtimor shpesh përfshinte gurë dhe dhe, por edhe dru më të lehtë për tavanet dhe dyshemetë. Struktura ishte më e gjerë dhe më e hapur, duke lejuar më shumë dritë dhe ajrosje. Arkitektura e kullave fushore ishte më pak e fortifikuar dhe më e përshtatur për një klimë më të butë.
  3. Organizimi i brendshëm:
    • Kulla në Shalë të Bajgorës: Organizimi i brendshëm ishte minimal dhe funksional, duke iu përshtatur nevojave të përditshme të mbijetesës dhe mbrojtjes. Kati i parë përdorej për kafshët dhe magazinimin, ndërsa katet e sipërme për banorët. Dhomat ishin më të vogla dhe me pak hapësira për luks apo dekor.
    • Kulla në zonat fushore: Kullat fushore ishin më të hapura dhe të rregulluara për të përmbushur nevojat familjare dhe sociale, duke pasur shpesh dhoma për mysafirë, magazina për produktet bujqësore, dhe hapësira për aktivitete ekonomike si përpunimi i drithërave.
  4. Kulla si simbol mbrojtës:
    • Kulla në Shalë të Bajgorës: Kullat në zonat malore kishin një rëndësi të theksuar si simbole të qëndresës, forcës dhe pavarësisë së familjeve të mëdha fisnore. Ato shpesh ishin të ndërtuara në pozicione të larta për të treguar fuqi dhe prestigj.
    • Kulla në zonat fushore: Në zonat fushore, kullat ishin më shumë simbole të pasurisë dhe pronësisë mbi tokën, duke reflektuar fuqinë ekonomike të pronarëve të mëdhenj të tokës dhe ndikimin e tyre në komunitet.
  1. Kulla si banesë

Treva shqiptare e Kosovës ruan edhe sot një trashëgimi arkitektonike popullore me një larmi dhe përmbajtje shumë të pasur. Kjo trashëgimi popullore shqiptare paraqitet në një vazhdimësi të pandërprerë që nga parahistoria e këtej, deri në fillim të shek. XX (F. Doli, 2009).

Kur flitet për arkitekturën popullore shqiptare të Kosovës, menjëherë të shkon mendja te ai tip shtëpie, që është më karakteristik dhe më i bukur në këtë trevë.

Kështu na del parasysh kulla si banesë dhe krenare, me shumë asociacione, lidhur me rolin e saj dhe historinë e bujshme të këtyre viseve (M. Krasniqi, 1979).

Kullat si ndërtime arkitekturore në kuadrin apo jashtë sistemeve – si të veçuara – të cekura, shihet qartë se ajo si objekt na paraqitet nga periudha pararomake, pra periudha qytetare ilire, e vazhdon të ndërtohet deri në shek. XIX. 

  • Ndërtimet arkitekturore kulla

Kullat kishin veçoritë e veta varësisht periudhave historike, që nga periudha qytetare ilire, ajo romake, bizantine, feudale arbërore, të periudhës së Skendërbeut, osmane – periudha e pashallëqeve të mëdha, etj. dallohen në aspektin planimetrik, të elementeve ndërtimor – arkitekturor, funksionale dhe estetike që ishin në varësi të kohës dhe të rrethanave shoqërore – ekonomike, sociale dhe politike, kur u ndërtuan ato (F. Drançolli, 2001).

Fig. 1. Kulla e Imere Pecit, Rahovë

Kështu, gjatë periudhave të cekura historike paraqiten frëngjitë për harkatarët, për topin dhe për pushkën. Në këtë ndërtimtari arkitekturore të fortifikimit të krijuar nga mjeshtër shqiptarë vëmë re një vijimësi pothuaj të pandërprerë të kulturës ndërtimore popullore, të cilët kur nuk luftonin, pra në kohë qetësie, rindërtonin muret dhe zbukuronin qytetet e veta (M. Kallfa, M. Korkuti, 1971).

Në të kaluaren qe karakteristike fshati me banesa të shpërndara larg njëra-tjetrës, të vendosura në lugina, rrëzë kodrave, në tarraca të hapura ose në ndonjë kodër të vetmuar. Lagjet ishin të grupuara sipas vëllazërive e barqeve. Qendra e fshatit caktohej pranë pusit të ujit, kroit, ndërtesës së kultit ose tek sheshi i kuvendit (K. Ulqini, 1981).

Fig. 2. Kulla e Zejnullah Ibrahimit

Në viset malore fshatrat janë të shpërndara, të vogla, me shtëpi prej druri e guri, ndërsa banorët merren kryesisht me blegtori. Tipi i fshatit lagje është ai tip ku shtëpitë e fshatit janë të grumbulluar në lagje veç e veç. Kjo ndodhë në disa fshatra të grumbulluara, të përbëra prej familjeve të mëdha, vllazërive ose pjesëtarëve të fiseve, zakonisht të grumbulluara në një anë të fshatit. Ajo anë që përbën lagjen e veçantë, e merr edhe emrin sipas familjes përkatëse, që zakonisht kanë mbiemër të përbashkët (M. Krasniqi, 1985).

Si kudo në vendin tonë, ndërtimi i banesave në fshat vazhdoi të bëhet pa ndonjë kriter në trojet që zotëronte secili, kurse ndërtimet e tjera me karakter të përgjithshëm shërbimi ekonomik e social-kulturor ishin të pakta, të tilla, që nuk bënin ndonjë ndryshim në strukturën e përgjithshme të fshatit (V. Cicko, 1977). Banesa rrethohet në të katër anë nga oborri i saj (A. Gjergji, 1985). 

Çdo ndërtesë e projektuar dhe e ndërtuar prej guri me më së paku dy kate (përdhes dhe kati i parë), që kishte oborrin e vet dhe nxirrte tym përmes oxhakut, quhej kullë, sikur çdo objekt që shërbente për banim të njerëzve, nxirrte tym dhe gjendej në oborr, sipas kanunit, treditës sonë, trajtohet si shtëpi (H. Zeka, 2011). Prandaj, edhe tipi i shtëpisë së gjatë me dy kate, sipas kësaj, do të hynte në kategorinë e kullave. Por, në realitet, kulla e vërtetë në Kosovë ka pamje tjetër dhe funksion tjetër, prandaj ajo paraqet një tip të posaçëm dhe më të dalluar se tipet e tjera të shtëpive (M. Krasniqi, 1979).

Kullat kanë muraturë të gurtë. Kjo muraturë u bëri ballë sulmeve të ndryshme, duke krijuar në këtë mënyrë një ngjarje në secilin hap të popullit. Ky objekt etnografik, si i tillë, është e natyrshme që u ngrit në nivel të simbolit, duke zënë kështu një vend të rëndësishëm në radhët e simbolikës (R. Kryeziu, 1983), (në arkitekturen popullore P. H.).

Në lindjen dhe në zhvillimin e arkitekturës popullore në territorin etnik shqiptar, konkretisht të objekteve arkitekturore të realizuara në shek. XVIII, veçanërisht në shek. XIX, kanë ndikuar mjaft faktorë. Ky ndikim i faktorëve, varet nga koha dhe nga treva ku dhe u realizuan vepret e arkitekturës popullore. Tërë faktorët mund të radhiten në dy grupe: në grupin e parë bëjnë pjesë faktori i natyrës dhe fizikogjeografik, ndërsa në të dytin faktori shoqëror-ekonomik (F. Drançolli, 2001).

Kulla si objekt banimi, në të njëjten kohë si objekt i fortifikuar kishte shtrirje të gjerë në visat e Shalës së Bajgorës. Pozita kodrinoro malore, klima, afërsia me fqinjët sllavë veriorë, materiali i bollshëm ndërtimor, vuri në pah ndërtimin dhe përhapjen e kullës si arkitektur popullore në të gjithë regjionin.

Kullat si banesë kishin planimetri kryesisht katrore e ndonjëherë edhe kënddrejt në raste më të rralla, mbuloheshin me çati katërujshe me

Fig. 3. Kulla e Ahmet Tupellës

tjegulla tradicionale. Në këto vise kullat përbëhen prej katit përdhes dhe katit të parë që njhen si kulla dykatëshe (P. Hajzeri, 2021).

Është mëse e pamundur të udhëtosh nëpër cilindo fshat të Shalës së Bajgorës e mos të takosh gjurmë kullash, të cilat, shumica syresh, janë dëmtuar nga ushtria pushtuese serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998-99). Edhe pse të lëna pas dore, jo të banueshme, dita ditës duke u shkatërruar nga faktori kohë, por duke mos përjashtuar edhe rastet e rrënimit nga vetë pronarët për arsye të sigurisë, evitimit të shembjes dhe largimit të ndonjë dëmi më të madh (P. Hajzeri, 2021).

Kullat kryesisht ndërtoheshin nga familjet me ekonomi të zhvilluar dhe familjet me anëtarë të shumtë në numër. Kullat, veçse ndërtoheshin në çdo lagje nga një, ato shpeshherë takoheshin edhe në numër më të madhë brenda një lagjeje. Rastin e një kulle për lagje e kemi në fshatin Vllahi, në shtatë lagje të fshatit kemi nga një kullë (P. Hajzeri, 2021).

Rreth kullës ndërtoheshin objektet përcjellëse nëpër oborrin e saj, ndërsa rreth oborrit të kullës ndërtoheshin shtëpitë e lagjes së njëjtës vllazëri. 

Kulla si objekt banimi, me tipare të caktuara kombëtare, siç dimë, u ndërtua ekskluzivisht nga mjeshtër shqiptarët për shqiptarët.

Kulla shqiptare, pas një përvoje të lashtë të të ndërtuarit, duke iu përshtatur në mënyrë të përkryer nevojave dhe funksionit të shumënduarshëm, u kristalizua deri në atë masë saqë u tipizua dhe, si e tillë, u ndërtua pa pësuar ndryshime. Në brendësinë e mbështjellësit prizmatik të kullës, (qoftë të asaj më të hershme, të ndërtuar prej guri dhe druri, apo të asaj më të vonshme të ndërtuar vetëm prej guri), spikatet një sistem apo strukturë funksionale, sipas kateve, e cila në kohë është kristalizuar deri në atë masë saqë ka arritur një stad të standardizimit apo tipizimit. Natyrisht se krahas kësaj edhe te të formësuarit e jashtësisë së kullës autoktone u arrit ky stad i tipizimit (F. Doli, 2009). 

Në këtë kontekst, njësitë apo elementet e tipizuara të gjuhës arkitektonike të kullës, të kompozuara në variacione të nduarnduarta, njëmend sajuan një arkitekturë të njësuar, por njëherësh të larmishme dhe piktoreske (F. Doli, 1993).

Ndërtimi i një numëri të madh të kullave në kohën e sundimit otoman ka pasur lidhje të ngushtë, para së gjithash, me kushtet shoqërore të shek. XIX e më tutje.

Pushteti turk dobësohej gjithnjë e më tepër, kështu që shtrohej pasiguria personale dhe rrezikohej pasuria, sidomos bagëtia. Kulla ishte një fortifikatë e fortë nga sulmet eventuale. Ajo, në këto raste, ishte një strehim i sigurt (M. Krasniqi, 1979).

Ndërtimi i kullave, përveç se shërbente për strehim, ajo kishte edhe karakterit mbrojtës, si për familjen, ashtu edhe për bagëtinë. Strehimi i bagëtisë bëhej, si rëndom, në katin përdhes, ndërsa strehimi i familjes në katet e sipërme, kështu që kontrolli i pasurisë ishte shumë më lehtë të mbrohej në këtë mënyrë, duke pasur afër edhe anëtarët e familjes edhe bagëtinë si ekonomia më e përhapur në zonat malore.

Në traditën shqiptare, por edhe në psikologjinë e njerëzve, kulla ka qenë objekt i dalluar i arkitekturës tradicionale, e cila vetvetiu, me pamjen e saj impozante, tregon në njëfarë mënyre epërsinë e pronarit të saj në krahasim me shtëpitë e tjera më modeste përdhese, me dimensione më të vogla dhe pamje më të varfër (M. Krasniqi, 2005).

  • Përfundimi

Në përmbledhje, kulla në Shalë të Bajgorës shquhet për fortifikimin, funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë e saj në mjedisin malor, si objekte banimi, mbrojtëse dhe strehimi për familjen, bagëtin, për mysafirët dhe udhëtarët të cilët kalonin andej pari. Ndërsa kulla në zonat fushore ishte më shumë një strukturë e adaptuar për nevojat e jetesës bujqësore dhe për qëllime sociale dhe ekonomike. Duke mos harruar që kullat luajtën një rol edhe në organizimin e kuvendeve gjithëpopullore sa herë që lindëte nevoja, pajtimin e ngatërresave, organizimin e ahengjeve, luanin edhe rolin e institucioneve fetare dhe atë të shkollës në periudha të ndryshme kohore.

Ato përfaqësojnë një trashëgimi të pasur kulturore dhe arkitektonike, duke qenë qendra të rëndësishme të mbrojtjes dhe jetës familjare në të kaluarën. Kullat janë ndërtuar kryesisht për t’u mbrojtur nga armiqtë dhe për të ruajtur pavarësinë e banorëve të kësaj zone. Sot, ato mbeten simbol i rezistencës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës, duke tërhequr gjithashtu vëmendjen e studiuesve dhe vizitorëve për vlerën e tyre historike.

Bibliografi

  • Doli, Flamur, [2009]. Arkitektura vernakulare e Kosovës, Prishtinë;
  • Doli, Flamur, [1993]. Shkolla kosovare e mjeshtrit popullor shqiptar, Prishtinë;
  • Drançolli, Fejaz, [2001]. Kulla shqiptare, Prishtinë;
  • Krasniqi, Mark, [1979]. Gjurmë e gjurmime, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë;
  • Krasniqi, Mark, [2005]. Mikpritja në traditën shqiptare, Prishtinë;
  • Zekaj, Hasan, [2011]. Gjytetet thërrasin ndërgjegjen, (Kujtesë e treshëgimisë kulturore rreth Krasniqes së Vendit), Libri i dytë, Prishtinë;
  • Kryeziu, Resmije, [1983]. Kulla në poezinë e sotme shqipe në Kosovë, Trashëgimia dhe transformimi i kulturës popullore, Material nga sesioni shkencor, mbajtur në Prishtinë më 7 – 8 shtator 1979, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë;
  • Gjergji, Andromaqi, [1985]. Familja e sotme fshatare dhe disa aspekte të mënyrës së jetesës në rrethin e Lushnjes, Etnogragfia Shqiptare, Nr. 16, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Kulturës Popullore,Tiranë;
  • Cicko, Vasilika, [1977]. Tipare të reja të vendbanimeve fshatare, Konferenca
  • Kombëtare e Studimeve Etnografike, 28-30 qershor 1976, Tiranë;
  • Kallfa, Mehmet, Korkuti Muzafer, [1971]. Shqipëria arkeologjike, Universiteti Shteteror i Tiranes, Instituti i Historise dhe i Gjuhesise, Sektori i Arkeologjisë, Tiranë;
  • Ulqini, Kahreman, [1981]. Tipare të reja të vendbanimeve dhe të banesës popullore në trevën e fshatit të bashkuar Koplik në vitet e pasçlirimit, Etnografia Shqiptare, Nr. 11, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë,

Filed Under: Histori

“Sotir Pani në gjurmët e të parëve”

October 27, 2024 by s p

Dr. Elmi Berisha*/

Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra dhe të gazetës Dielli, përcjell urimet më të përzemërta për aktivitetin e sotëm kushtuar Sotir Panit, nga ku përgëzoj organizatorët për nxjerrjen në pah të figurave të shquara kombëtare shqiptare. Familja Pani nga Dardha e Korçës është ndër familjet më të shquara patriotike shqiptare që i kanë dhënë shumë atdheut dhe komunitet shqiptar në Boston, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky telereportazh mjeshtror i RTSH Korça nxjerrë në dritë kontributin historik e patriotik të familjes së nderuar Pani që shërbeu si frymëzim e vazhdimësi e trashëgimisë së shkëlqyer patriotike të shqiptarëve në Amerikë. Sotir Pani i ndarë nga jeta afro 5 vite më parë, ishte njeri model i përkushtimit patriotik, komunitar, atdhetar e fetar.

Urtësia, pjekuria, mençuria dhe fisnikëria e tij rrezatohej në çdo takim e pjesëmarrje në ngjarjet kulturore e patriotike të komunitetit në Boston e më gjërë. Përmes medias zbardhen të vërtetat, nxirren në dritë kontributet, promovohen vlerat e njerëzve patriot e humanistë, kultivohen traditat patriotike e shembujt më të mirë të komunitetit siç ishte Sotir Pani. Dokumente të familjes, histori, dëshmi të reja, fakte të panjohura e dëshmi autentike të reportazhit nxjerrin në dritë një kryevepr patriotike që mban emrin familja Pani. Kjo familje dha kontribut të madh në mbajtjen gjallë të traditave historike dhe të lidhjes së gjallë të shqiptaro-amerikanëve me atdheun mëmë, Shqipërinë e viset e tjera etnike.

Telereportazhi “Sotir Pani në gjurmët e të parëve” është një kryevepër mediatike që lë gjurmë të pashlyeshme në morien publike të komunitetit tonë. Sotir Pani e deshti Dardhën e tij, Shqipërinë e tij, Amerikën e tij, Vatrën e tij e Diellin e tij. Sotir Pani e familja patriotike Pani bëjnë pjesë në emrat e ndritur të mërgatës së Amerikës duke shënuar historinë e shqiptarëve me kontributet e tyre të përshpirtshme dhe frymëzuese. Nderim e mirënjohje për familjen Pani, për trashëgiminë e tyre të shkëlyer ndër breza dhe amanetin e tyre për të dashur përjetë atdheun e kombin tonë.

*Fjala përshëndetëse në emër të Federatës Vatra e gazetës Dielli.

Filed Under: Vatra

Fortifikimet e periudhës së Hekurit të Hershëm

October 26, 2024 by s p

Dr. Ervin Kujtila/

Faza e dytë e zhvillimit të fortifikimeve në luginën e Shkumbinit na jep një tablo më të qartë të karakterit ekonomik të tyre. Në periudhën e hekurit të hershëm përveç ndryshimeve në karakterin e fortifikimeve është vënë re edhe zgjedhja e vendit për ngritjen e këtyre fortifikimeve. Afërsia ndaj burimeve ekonomike duket që ishte kusht parësor për banorët e asaj periudhe. Minierat, rrugët, ujërat apo edhe tokat bujqësore kanë qenë elementët që banorët merrnin parasysh gjatë ngritjes së fortifikimeve. Gjithashtu element i rëndësishëm është miniera e Pishkashit e cila ndodhet në luginën e Shkumbinit, që mendohet ti ketë shërbyer banorëve të këtyre trevave. Në luginën e Shkumbinit vihet re se gjatë periudhës së hekurit të hershëm, janë braktisur shumë fortifikimeve të epokës së bronzit të vonë. Gjatë kësaj kohe banorët filluan të lëvizin nga lartësitë drejt fushave, tarracave lumore dhe rrugëve tregtare, duke braktisur në këtë mënyrë edhe vendbanimet e vjetra si nëZdranjshë, Orenjë. Pikërisht këto kushte kanë bërë të mundur që vendbanimet e kësaj periudhe të ngriheshin pranë rrugëve të komunikacionit, ose mbi fusha dhe kodrina në lartësi relativisht të vogla.

Fortifikimi prehistorik i Shkëmbit të Qytetit.

Ndodhet në veri të fshatit Shpellë të krahinës së Mokrës, mbi vendin e takimit të lumit Shkumbin me përroin e Bishnicës. Kreshta më e lartë e një vargu shkëmbor, që shkëputet nga faqja e malit, duke u ndarë nga ai me një qafë të ulët. Nëpër këtë qafë kalonte rruga tradicionale, që lidhte Mokrën e Poshtme me Korçën nëpërmjet Gurit të Kamjes dhe me Devollin, nëpërmjet Qafës së Panjës. Nga kjo rrugë ruhet në gjendje të mirë një trase e shtruar me kalldrëm me gjerësi 3 m. Rruga është e shtruar me gurë të vegjël midis dy bordurash prej gurësh të mëdhenj.

Historiku i kërkimeve arkeologjike

Të dhënat e para për këtë kështjellë i ka përcjellë N. Ceka dhe A. Baçe. Në artikull jepen të dhëna për vendndodhjen, topografinë, teknikat e ndërtimit të murit fortifikues, ku ndeshen dy teknika ajo me gur të vendosur në të thatë dhe ajo me gurë të lidhur me llaç gëlqereje. Po ashtu japin të dhëna për gjetjet arkeologjike që përbëhet nga qeramika e periudhës së parë të hekurit, të periudhës qytetare ilire dhe të vonë romake.

Planimetria

Lartësia shkëmbore, ku shtrihet vendbanimi i lashtë, përbëhet prej dy majash që lidhen nga një qafë e cekët. Vendbanimi ka qenë mbrojtur nga ana veriperëndimore, ku lidhet me kreshtën, nga një mur prej gurësh të mëdhenj të papunuar, të vendosur në të thatë, gjurmët e të cilit kapen vetëm tek shkëmbi i anës jugore të qytezës. Muri vazhdonte pastaj me drejtim verilindor, duke u kthyer në kënd të drejtë, atje ku terreni fillonte e thyhej, pasi kalonte kurrizin e kodrës. Në faqen e verilindore të kodrës, e cila zbret pjerrtas drejt përroit të Bishnicës, ruhen vetëm gjurmë të zbehta të murit. Mbi murin e periudhës prehistorike ngrihet një mur më i vonë, i ndërtuar me gurë të lidhur me llaç. Me këtë mur lidhet dhe një akropol i vogël, në majën më të lartë të kodrës.

Teknika e ndërtimit

Në këtë vendbanim ka dy faza të ndryshme fortifikimi, e para muri është i ndërtuar prej gurësh të mëdhenj të papunuar, të vendosur në të thatë, kurse e dyta ndërtuar me gurë mesatarë e të vegjël të lidhur me llaç të dobët gëlqereje, i pajisur dhe me një kullë. Kulla është e vendosur pranë faqes së thiktë jugore të shkëmbit dhe ka formë katërkëndëshe me ballë 4,50 m. Qeramika që i përket këtij muri është e tipave të antikitetit të vonë.
Me këtë mur lidhen gjetje të qeramikës lokale të periudhës së parë të hekurit si dhe disa fragmente të periudhës qytetare ilire dhe antikitetit të vonë. Vendbanimi ka një qenë i banuar në periudhën e parë të hekurit, periudhën qytetare ilire dhe antikitetin e vonë.
Nisur nga teknika e ndërtimit pak fragmente arkeologjike të gjetura gjatë vëzhgimit që ne bëmë aty ky fortifikim i përket periudhës prehistorike konkretisht periudhës së Hekurit të Hershëm. Por përfundim i cili kërkon mbështetje më të plotë arkeologjike me anë të sondazheve arekologjike.

Filed Under: Histori

URA E TAMARES NË UDHËKRYQET E SHEKUJVE  

October 26, 2024 by s p

NGA NDUE  BACAJ

Ura e Tamarës në Kemend është një vepër ndërtimi, zhvillimi e qytetërimi e ndërtuar mbi lumin Cem të Vuklit, në një distancë rreth 75 metra më përpara se të bashkohet me degën tjetër të lumit (Cem), Cemin e Selcës. Gojëdhënat që qarkullojnë edhe sot tregojnë për një ndërtim (ndoshta rindërtim N.B.) disi të vonshëm të kësaj Ure. Këto gojëdhëna na çojnë rreth vitit 1775, kur Bushatllinjtë drejtonin Pashallëkun e Shkodrës, ku bënte pjesë edhe Nahija (Komuna) e Kelmendit.

HISTORI: Ndërtimi apo rindërtimi modern për ato kohë i Urës i kushtohet një gruaje meemrin Tamara që thuhet se ishte bashkëshortja e Pashait të Shkodrës (mendohet e Karamahmut Pash Bushatliut). Në ato kohë thuhet se ura mbi lumin Cem (të Vuklit) ishte shumë e dobët, gjë e cila sillte shkatërrimin e herë-pas-hershëm të kësaj ure nga reshjet dhe ujërat e rrëmbyeshme të lumit. Një rast i tillë i shkatërrimit të urës kishte ndodhur kur gruaja e Bushatliut të sipërcituar po kthehej nga gjinia e saj, thuhet nga Mali i Zi (por  gruaja me emrin Tamara ishte nga trojet etnike shqiptare të Gucisë… N.B.). Deri sa u “rindërtua” me mjete rrethanore ura mbi Cemin e Vuklit, gruas të bushatliut ju desht të presin disa ditë. Kjo vonesë kishte mërzitur Tamarën dhe bashkëshortin e saj. Tamara me tu kthyer në Shkodër ndërhyri tek i shoqi (Pashai i Shkodrës) i cili siguroi fondet për ndërtimin e Urës. Kur përfundoi së ndërtuari Ura, për nderë të gruas që bëri të mundur këtë ndërtim, ju dha emri “URA E TAMARËS “. Në gojëdhënë thuhet se këtë emër e mori edhe Vendi, që ndër shekuj kishte shërbyer me Hanet e tij si “qendër” pushimi për rrugëtarët që donin të kalonin nga Shkodra e më gjerë për në trojet e tjera të Shqipërisë Etnike si në Guci, Plavë e më tej. (Për gojdhënën e më sipërme ka shkruar edhe gjeografi i njohur (Kol Progni në librin e tij “KELMENDI…”, fq.102-103). Emri Tamara u trashëgua edhe në fillimet e shekullit XX , kur Tamara kishte marrë trjata e një vendbanmi të prespektivës, në vitin 1935 me një vendim të Qeverisë së Mbretërisë Shqiptare Tamara u bë qënder  administrative e komunës së atëhershme-Kelmend.  Ura e Tamarës është (sot)  mjaft komode. Ajo ka dy qemer. Qemeri i madh është me 13 metra hapësire dritë, ndërsa qemeri i vogël ndodhet në krahun e djathtë. Mbi Urë janë hedhur shtresa betoni, që kanë lehtësuar kalimin e mjeteve të ndryshme. Duke mos u mjaftuar vetëm me gojdhëna për historinë e Urës së Tamarës, mendova të citoj famulltarin dhe studiuesin nga Bosnja Lovro Mihaçeviq, i cili për shumë vite ka qënë edhe famullitar në trojet e Malësisë së Madhe e më gjërë. Disa nga studimet e tija me karakter historik dhe etnografik janë të botuara ne librin : Lovro Mihaçeviq, “NËPËR SHQIPËRI “ 1883-1907, fq. 20, ku ndër të tjera shkruan: “Ura e Tamarës … është prej guri e mjaft e ngushtë, e gjatë është pesëdhjet hapa. Me konstruksionin e vet tregon se vjen nga shekulli XV ose XVI, nga koha kur venedikasit kalonin me karvanet tregtare nepër këtë rrugë, nga Shkodra e Tivari për në Guci, Plavë, Pejë e Shkup. Rruga prej në Urë të Tamarës e deri në famullinë e Vuklit është shkëmb e shkrepa të gjallë…” Studiuesi Mihaceviq nuk shkruan gjë për prejardhjen e emrit të urës. Për emrin “Tamara”, ndërsa studiuesi dhe albanologu bullgar Vladimir I. Georgiev, shkruan se është emër vendi me origjine ILIRE, ndonëse në kumtesën e tij lexohet Tomara e jo Tamara…( Vladimir I. Georgiev Ilirët dhe Fqinjët e tyre, Kuvendi i Studimeve Ilire 15- 20 shtatore 1972, botim i Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave të RPSH ,fq.55.).  Natyrisht kjo Urë ndër mote ka pësuar ndryshime të kohëve, duke ju përshtatur nevojave të udhëtimit, jo si dikur me mushq, kuaj, qerre, karroca e tjera, por me automjete moderne sic i shohim edhe sot. Me emrin e kësaj Ure janë të lidhura shume ngjarje e data të historisë së Kelmendasve, por unë po kujtojmë vetëm dy: Betejën antiotomane të vitit 1911 (që në histori njihet si beteja te Ura e Tamarës), dhe luftën mbrojtëse apo rezistencën antikomuniste të Kelmendit, qe e ka fillesën pranë kësaj Ure në fillim të vitit 1945, që shpesh në histori shkruhet “Lufta e Tamarës”. Gjithësesi Ura e Tamarës si te gjitha veprat ndërtimore shumëshekullore u është nënshtruar rikonstruksioneve të nevojshme ndër mote, duke i ndryshuar disi pamjen për mirë Urës, por këto rikonstruksione nuk i kanë ndryshuar trashigiminë e vlerave të ndërtimit, zhvillimit e qytetërimit, që rrezaton në historinë shumëshekullore të Kelmendit e më gjerë Ura e Tamarës.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 682
  • 683
  • 684
  • 685
  • 686
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT