• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EKSKLUZIVE/ SKËNDERBEU DHE ISMAIL BEU, ËNDRRA PËR NJË SHQIPËRI EVROPIANE

October 18, 2024 by s p

nicolae_grigorescu_car-cu-boi_1.jpg
Ismail Qemali-Adrion LTD

Nga Evarist Beqiri*

“Në mbledhjen e parë të 28 Nëntorit 1912, u votua unanimisht Shpallja e Pavarësisë. Tubimi më pas u ndërpre dhe anëtarët u larguan nga salla për të ngritur në shtëpinë time, në shtëpinë ku isha lindur, dhe ku kishin jetuar paraardhësit e mi, në mes të përgëzimeve të mijëra njerëzve, flamurin e lavdishëm të Skënderbeut, i cili kishte fjetur i palosur për 445 vitet e fundit. Ky ishte një moment i paharrueshëm për mua; me duart që më dridheshin, me shpresë dhe krenari, fiksova në ballkonin e banesës së vjetër, Flamurin e Sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. Dukej, sikur shpirti i heroit të pavdekshëm, kaloi në ato momente si një zjarr i shenjtë, mbi kryet e gjithë popullit…” – Ismail Qemal Vlora

Në librin “MAXIMES D’ESTAT MILITAIRES ET POLITIQUES” të mendimtarit të shquar italian Giovanni Botero (1544–1617), – të përkthyer në gjuhën frënge nga Pierre de Deimier (1580–1618) dhe botuar në vitin 1606, në Paris nga shtëpia botuese “Toussaincts du Bray”, – gjendet një shkrim në kapitullin “Des Capitaines Excellens à se Faire Rendre Obeïssance”, pikërisht në faqen me numër 33, ku flitet për Gjergj Kastriot Skënderbeun: “Gjuha e pasur ka qenë jashtëzakonisht avantazhuese midis Kapitenëve modern. Midis tyre ajo ka ndihmuar shumë Gjergj Skënderbeun, për të cilin mësojmë nga historia, se kur ai ishte i armatosur në fushën e betejës, sytë e tij shkëlqenin mrekullueshëm nga gëzimi, gjuha e tij shumë gjallëruese, trimëruese dhe luftarake, i ndizte aq flakë zemrat e oficerëve në misionet më të vështira, saqë i bënte jo vetëm guximtarë dhe kurajoz, por edhe të furishëm e përbuzës ndaj rreziqeve, madje edhe ndaj vetë vdekjes. Por parimi themelor i bindjes është autoriteti dhe reputacioni, i cili nuk buron gjithmonë nga fitorja: por më tepër nga kuraja e shkëlqyer, vlerat dhe cilësitë e tjera të Kapitenit…”

Çdo udhëheqës ka një hero, një model prej të cilit ai frymëzohet. Makiaveli te “Princi” thotë se: “Për ushtrimin e trurit të tij, princi duhet të lexojë historianët, të shqyrtojë veprimet e njerëzve të shquar, të analizojë qëndrimet e tyre në beteja, të kërkojë shkaqet e fitoreve dhe të disfatave, duke imituar në këtë mënyrë çfarë duhet të imitojë dhe të shmangë, çfarë duhet të shmangë. Para së gjithash, ai duhet të bëjë gjithçka që kanë bërë shumë njerëz të mëdhenj, të cilët duke marrë për model heronjtë e famshëm të lashtësisë, kanë mbajtur përherë parasysh veprimet dhe sjelljet e tyre. Në këtë mënyrë, thuhet se Aleksandri i Madh frymëzohej nga Akili, Cezari inspirohej nga Aleksandri i Madh dhe Skipioni mbante për model Siriusin.” Ndërkohë, Napoleoni gjente frymëzim tek Aleksandri i Madh dhe perandorët romak. Heroi i John F. Kennedy ishte Winston Churchill. 

Ismail Qemal bej Vlora për të gjetur heroin e tij, gërmoi thellë në vetëdijen e përgjumur të kombit shqiptar. Heroi për Ismail beun natyrshëm do të ishte “kalorësi i krishterimit” Gjergj Kastriot Skënderbeu. Filli që e mbajti të bashkuar ndër shekuj lidhjen midis këtyre dy udhëheqësve shqiptarë ishte ëndrra për një Shqipëri të lirë dhe evropiane. Skënderbeu është shqiptari i parë që na dha famën në Evropë, ndërkohë Ismail beu është shqiptari që hodhi themelet e ëndrrës tonë evropiane. 

Ismail Qemali ishte një patriot shqiptar dhe shtetar osman, i cili u shndërrua në kryeministrin e parë shqiptar me pikëpamje dhe vizion evropian. Të dy këta udhëheqës kishin shumë gjëra të përbashkëta. Ata rridhnin nga familje të mëdha fisnike shqiptare, të cilat kishin luftuar Perandorinë Osmane. Ata të dy kishin vuajtur pasojat e kësaj lufte që në fëmijërinë e tyre. Skënderbeu u dha peng te Sulltani kur ishte fëmijë dhe u rrit në oborrin e tij. Ndërsa familja e Ismail Qemalit u internua kur ai ishte vetëm tre vjeç. Osmanët i internuan babanë dhe i vranë gjyshin, për shkak të qëndrimeve të tyre anti-osmane. Më pas, kur shërbente si zyrtar i lartë, Ismail beu u internua sërish, në vitet 1877-1884, dhe madje u dënua dy herë me vdekje në mungesë nga osmanët. 

Të dy, si Skënderbeu edhe Ismail beu punuan për Perandorinë Osmane, duke u shquar si dy individë të jashtëzakonshëm dhe me aftësi të veçanta. Ata u përpoqën që ta ndryshonin dhe reformonin perandorinë. Më pas, kur kjo rezultoi e pamundur, të dy e braktisën perandorinë. Ata iu dedikuan totalisht atdheut, duke u shquar si dy nga udhëheqësit më të mëdhenj që kanë dalë nga tokat shqiptare. 

Ismail beu ashtu si Skënderbeu, iku nga Shqipëria i vogël dhe u kthye në moshë të pjekur. Prej fëmijërisë në mendjen e tij kishte krijuar një imazh tjetër për Shqipërinë. Ndryshimet e mëdha që vuri re me kthimin në Shqipëri, e bënë Ismail beun, që të merrej me politikë e të punonte me të gjitha fuqitë për vendin. Përparimi, civilizimi dhe bashkimi i vendit konsiderohej dhe pranohej nga ai si i shenjtë. Por gjuha shqiptare dhe civilizimi nuk ishin pranuar në popull, për shkak të prapambetjes shekullore. Ato nuk mund të përvetësoheshin nga secili menjëherë. Ismail Qemali e kuptoi nevojën e vendit dhe nuk pati frikë por guxoi të realizonte diçka të madhe. Ai punoi që programet politike të lëvizjes shqiptare të bashkoheshin. Ai luftoi që të ndërmerreshin masa, të cilat t’i shërbenin shoqërisë shqiptare. 

Më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës. Më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Ismail beu e njihte mirë historinë e kombit të tij, prandaj dhe e shfrytëzoi me mjeshtëri simbolikën e datave. Duke kujtuar 28 nëntorin e Skënderbeut në Krujë, ai ngriti flamurin shqiptar në Vlorë, po në të njëjtën ditë e muaj. Simbolika e “nëntorit të dytë” fuqizonte idenë e vazhdimësisë së kombit dhe të identitetit evropian të shqiptarëve. Ajo kërkonte të zgjonte ëndrrën evropiane në ndërgjegjen e fjetur kombëtare. 

Gjergj Kastriot Skënderbeu përballoi me heroizëm ushtrinë më të fortë dhe më të madhe të kohës, ndërsa Ismail Qemal bej Vlora u përball me mjeshtëri të rrallë politike dhe diplomatike me të gjitha Fuqitë e kohës, duke krijuar shtetin e pavarur shqiptar. Të dy ata ishin të ndërgjegjshëm, se asgjë e madhe për lirinë njerëzore në historinë botërore nuk është arritur pa fuqinë e forcës njerëzore… 

Diçka tjetër që i bashkonte këta dy personazhe ishte oratoria. Skënderbeu dhe Ismail beu kishin elokuencën dhe aftësinë për t’i magjepsur turmat. Ata dinin t’i bindnin pasuesit e tyre. Arti i të folurit ka qenë gjithmonë shumë i dobishëm për udhëheqësit. Fjalimi drithërues i Ismail Qemal Vlorës, pesëqind vjet më pas do ti ngrinte peshë shqiptarët drejt realizimit të ëndrrës shekullore për liri dhe pavarësi. Ja si e kujton ai momentin e Shpalljes së Pavarësisë: “Në një periudhë të shkurtër, u gjeta i rrethuar nga tetëdhjetë e tre delegatët e Kongresit, myslimanë dhe të krishterë, të cilët kishin ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, pavarësisht, nëse ato ishin apo jo të pushtuara prej ushtrive të huaja. Kongresi u hap menjëherë. Në mbledhjen e parë të 28 Nëntorit 1912, u votua unanimisht Shpallja e Pavarësisë. Tubimi më pas u ndërpre dhe anëtarët u larguan nga salla për të ngritur në shtëpinë time, në shtëpinë ku isha lindur, dhe ku kishin jetuar paraardhësit e mi, në mes të përgëzimeve të mijëra njerëzve, flamurin e lavdishëm të Skënderbeut, i cili kishte fjetur i palosur për 445 vitet e fundit. Ky ishte një moment i paharrueshëm për mua; me duart që më dridheshin, me shpresë dhe krenari, fiksova në ballkonin e banesës së vjetër, Flamurin e Sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. Dukej, sikur shpirti i heroit të pavdekshëm, kaloi në ato momente si një zjarr i shenjtë, mbi kryet e gjithë popullit…”

Vizioni i Ismail Qemal bej Vlorës për orientimin kulturor nga Evropa vendosi drejtimin e zhvillimit të Shqipërisë. Filloi procesi i shkëputjes nga orientalizmi dhe orientimi i vendit nga perëndimi. Pra, shqiptarët ishin tashmë në kërkim të identitetit historik të humbur. Me aktin e pavarësisë kishte nisur largimi nga feudalizmi dhe hyrja në udhën e kapitalizmit dhe të zhvillimit borgjez. Ismail beu është i pari lider me mendësi evropiane i Shqipërisë që nga koha e Skënderbeut.

Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Ismail Qemal bej Vlora ishin dy udhëheqës shqiptarë që ishin njësoj të rrezikshëm për otomanët dhe ajo çka ata realizuan e konfirmon më së miri këtë të vërtetë historike. “Referuar dokumenteve arkivore të huaja Ismail Qemali ishte një figurë madhështore e kombit shqiptarë, i cili mitologjizohej nga vetë osmanët. Ai ishte një Skënderbe i dytë. Nga dokumentacioni osman, britanik dhe austro-hungarez, nuk mund të diskutohet primati i Ismail Qemal Vlorës, si udhëheqësi kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për Pavarësi. Ismail Qemali e kishte ideuar projektin kombëtar që para arratisjes nga Stambolli. Ky projekt ishte kamufluar nga Ismail Qemali nën petkun e reformimit të Perandorisë Osmane. Ismail Qemali u largua nga Perandoria Osmane për një ideal, për t’i shërbyer Shqipërisë.” (F. Duka, 2012). Skënderbeu dhe Ismail beu e shndërruan veten nga lider dhe ofiqar të lartë të Perandorisë Osmane, në liderët shqiptarë që udhëhoqën lëvizjen për largimin e Turqisë nga trojet evropiane.

Ismail Qemali dhe delegatët u nisën nga Trieste drejt brigjeve shqiptare, më 19 nëntor me anijen avullore austriake “Brünn. Në mbrëmjen e 20 nëntorit 1912, nën dritën e hënës vezulluese që shkëlqente në brigjet shqiptare, pranë Kepit të Rodonit ose Kepit të Skënderbeut, ata zbritën tek anija tjetër avullore austriake “Wurmbrand”, ku kaluan natën, para se të zbrisnin në Durrës. Në yjet e një natë magjike shqiptare, Providenca hyjnore kishte vendosur që ata para se të kurorëzonin misionin e tyre të shenjtë në Vlorë, duhet të bënin një ndalesë të fundit dhe të shkurtër, pikërisht para Kështjellës dhe Kishës së Skënderbeut. Duket sikur heroi ynë kombëtar dëshironte që t’i jepte bekimin e tij Ismail Qemalit…

Skënderbeu e ndali hovin e hordhive otomane drejt pushtimit të plotë të kontinentit evropian, ndërsa Ismail beu ishte udhëheqësi që i dha fund sundimit pesëshekullor otoman në kontinentin evropian. Të dyja këto ngjarje historike me rëndësi madhore jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Evropën, u realizuan nga këta dy udhëheqës madhështorë shqiptarë. Ndërkohë, ëndrra e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit për Shqipërinë evropiane vazhdon sot me një tjetër datë historike, që shënon hapja e negociatave midis BE dhe Shqipërisë, më 15 tetor 2024…

* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo e shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri).

Filed Under: Histori

Atdhetarët çamë në SHBA duhet të mbështesin “Diellin” 

October 18, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, me rastin e festës së Flamurit Kombëtar dhe të botimit të numrit special të “Diellit” për Pavarësisë, ka hapur zyrtarisht fushatën e donacioneve, e cila mbyllet më 28 Nëntor 2024. Sipas njoftimit zyrtar, kjo është një traditë fisnike dhe patriotike, ku VATRA u bën thirrje shqiptarëve të Amerikës e më gjërë të kontribuojnë për jetëgjatësinë e gazetës më të vjetër që botohet në diasporën shqiptare. 

Gazeta emblematike “Dielli” është një pasuri kombëtare tejet e çmuar dhe trashëgimi e shkëlqyer e shqiptarëve të Amerikës, është vetë historia, identiteti dhe krenaria e shqiptarëve mbarë, pra edhe e komunitetit çam që jeton në SHBA. “Dielli”, që ka në themel historinë e kulturën kombëtare, gjuhësinë, albanologjinë, arkeologjinë, median, datat historike, ngjarje dhe figura të shquara të kombit shqiptar, në mënyrë të vazhdueshme dhe pa ndërprerje ka mbështetur edhe çështjen çame, ka evokuar historinë, kulturën dhe traditën e Çamërisë, duke apeluar pranë  forumeve ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje, mbi bazën e respektimit të të drejtave të njeriut, për rikthimin e  të shpërngulurve me dhunë. 

Në gazetën “Dielli” dhe në aktivitetet e Vatrës çështja çame është trajtuar si problem i të gjithë shqiptarëve, një dimension tepër i dhimbshëm i tragjedisë kombëatre që pret zgjidhje, pas 80 vjetësh nga gjenocidi i tmerrshëm grek. Çështja Çame është një plagë e dhimbshme në trupin e kombit shqiptar, por edhe një peshë e rëndë në ndërgjegjen e kombit grek, ndaj VATRA, vatranët dhe shqiptaro-amerikanët nuk do ta harrojnë kurrë Çamërinë dhe nuk do të reshtin kurrë përpjekjet për ta ndërkombëtarizuar në të gjitha institucionet amerikane këtë çështje. Ky ishte mesazhi që kumtoi publikisht, si rrallëkush më parë, Kryetari i Vatrës, Dr. Elmi Berisha, live nga Çamëria, gjatë vizitës ekskluzive në viset kombëtare të Çamërisë, më 20 shtator 2024. Zëri i tij është zëri i ndërgjegjes së shqetësuar kombëtare. “Këto vise dikur ishin të banuara me shqiptarë, historia tragjike e të cilëve tashmë dihet, andaj kjo vizitë është hapi i parë i zbardhjes së të vërtetës dhe i ngritjes së zërit për të drejtat themelore të njerëzve tanë atje”, tha publikisht Dr. Elmi Berisha.

Dr. Elmi Berisha deklaroi në mënyrë solemne, me dinjitet të pazakontë, plotësisht i ndërgjegjshëm për misionin e madh, por edhe të vështirë, se ky është orientim nacional i Federatës Pan – Shqiptare të Amerikës “VATRA”, duke u zotuar që këtë çështje do ta ngrejë në instancat më të larta të shtetit amerikan, për të pasur një dritë shprese për realizimin e të drejtave nacionale, të drejtës në pronë dhe në deklarimin e lirë për përkatësinë e tyre kombëtare.

“Ky hap nuk është vetëm vullnet i imi si kryetar i Vatrës, por është obligim dhe orientim strategjik i tërë lidershipit të Federatës “VATRA”. Nga ky moment dhe në ditët, javët dhe muajt në vijim do fillojmë, me njerëzit më të mirë të komunitetit tonë, që ta ngrejmë këtë çështje në Kongresin Amerikan dhe do të jemi zë i fuqishëm në realizimin e këtyre të drejtave themelore për bashkëkombasit tanë çamë”, theu heshtjen e pajustifikueshme të institucioneve shqiptare e greke Kryetari i Vatrës.

Pas këtij angazhimi solemn, entiteti çam, forumet çame dhe anëtarë të shquar të këtij komuniteti të sukseshëm në SHBA e gjetkë në Perëndim, duhet të ndihmojnë aktivitetin e Vatrës dhe të jenë të jenë të gatshëm, si gjithmonë, t’a ndimojnë dhe t’a përkrahim çështjen pa kursim, me mënyrat dhe mundësitë që kanë. Ky është testi i ndërgjegjes së vërtetë të njerëzve patriotë, është prova jonë historike. Gazeta “Dielli” është ajri i mushkërive të mendimit të lirë kombëtar, është shpirti i Kombit që lufton për të drejtën natyrore, historike dhe kulturore të shqiptarëve!

Federata Pan-shqiptare VATRA, që nga viti 1912 kur është krijuar, mbron idenë e Kombit të Bashkuar. Ajo ka pasur si mision historik mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në SHBA, si dhe ka ndërmarrë përsipër lobimin në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e shqiptarëve anembanë botës.

Kontributi i atdhetarëve çamë në Federatën VATRA dhe në gazetën “Dielli” ka një traditë mbishekullore, që vazhdon edhe sot. Përveç Nolit, Kristo Floqit, Kostë Çekrezit, e shumë e shumë penave të tjera dinjitoze, “Diellin” e  kanë drejtuar edhe intelektualë, shkrimtarë e atdhetarë të shquar me origjinë çame, si Faik Konica, Bilal Xhaferri e Arshi Pipa. 

Faik Konica një nga themeluesit e Federates VATRA, rrjedh nga një familje feudale nga Konica e Çamёrisё.. Me themelimin e Federatёs “Vatra”, mё 1912, ai u zgjodh sekretar i pёrgjithshёm i saj. 

Shkrimtari i shquar çam Bilal Xhaferi shërbeu si zv.editor i “Diellit” në vitet 1970-1972, ku spikati me shkrime të fuqishme kundër inkuizitorëve antishqiptarë. Ndërsa Prof. Arshi Pipa u zgjodh në krye të VATRA-s dhe të Diellit në mars të vitit 1991, ku shërbeu për një periudhë pak më shumë së njëvjeçare.

Siç pohon studiuesi Gëzim Sejko (Gjylbegaj) “Arshi Pipa është një personalitet i shquar i kulturës dhe letrave shqipe, si dhe një vatran e kryetar i saj për një periudhë kohore, i cili, në një takim me intelektualët e qytetit të Shkodës, ka thënë : “Jam me origjinë nga  Çamëria, prindërit e mi janë vendosur në Libohovë e më vonë në Shkodër”.

Faik Konica, Bilal Xhaferi, Arshi Pipa, etj. krijuan klimën e krijimtarisë letrare, publicistike, shkencore, që i dha hov rritjes e forcimit të komunitetit shqiptar të Amerikës, si asnjë komuniteti tjetër i diasporës shqiptare. 

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Foto e rrallë: Konica në Boston me fustanellë çame (1909)

Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha gjatë vizitës në Camëri (20 shtator 2024)

Vatra Manhattan Branch - KRYETARI I VATRES: GAZETA “DIELLI”, URIME  DITËLINDJA E 112-TË! “Dielli”, gazeta më e vjetër në botën shqiptare feston  112 vjetorin e themelimit të saj. Sot është një ditë

Filed Under: Histori

FUSHATA E VATRËS PËR DIELLIN NË JAVËN E PARË BASHKOI 25.250 DOLLARË

October 18, 2024 by s p

Fushata e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra në mbështetje të gazetës Dielli në javën e parë bashkoi 25.250 dollarë.

Drejtuesit e Vatrës, veprimtarë, aktivistë, patriotë shqiptarë e personalitete të shquara shqiptare në mërgatën e Amerikës iu përgjigjën menjëherë fushatës për mbështetjen e gazetës Dielli. Gazetës historike të Shqiptarëve të Amerikës, Diellit të Kombit Shqiptar. Federata Vatra e gazeta Dielli shprehin mirënjohje, nderim e falënderim për çdo kontributor. Ndihma për Diellin historik është kontribut patriotik e vepër e çmuar atdhetare.

Bëhu dhe ti pjesë e fushatës patriotike për jetëgjatësinë e gazetës Dielli, historisë së medias shqiptare më të vjetër që rrezaton diell për shqiptarinë anembanë botës.

Rendisim listën e donatorëve:

Elmi Berisha- 1.500 usd

David Balaj – 1.500 usd

Harry Bajraktari- 1.500 usd

Qendra Islame Shqiptaro-Amerikane Queens – 1.000 usd

Ekrem Bardha – 1.000 usd

Elez Biberaj 1.000 usd

Alfons Grishaj – 500 usd

Kolec Ndoja – 500 usd

Dr. Pashko Camaj – 500 usd

Mondi Rakaj – 500 usd

Ilir Cubi – 500 usd

Efi Qeleshi – 500 usd

Pjetër Lucaj me vëllezër – 500 usd

Paulin Mrnaçaj +Drita Vushaj – 500 usd

Dr. Sulejman Çelaj – 500 usd

Mark Gjonaj – 500 usd

Cafo Boga – 500 usd

Ylli Cakani – 500 usd

Toni Sufaj – 500 usd (kanadez)

Av. Harry Metuku – 500 usd

Gjon Gjokaj – 500 usd

Shaqir Salihu – 350 usd

Ahmet Xhafo – 300 usd

Loro Stajka – 300 usd

Marjan Cubi – 300 usd

Sokol Paja – 300 usd

Nazim Salihu ( Noli Tv) – 300 usd

Agim Aliçkaj – 300 usd

Artan Nati – 300 usd

(Thomas Christo, Thanas Gjika, Agim Beqiri, Cellar Bar & Grill, Edi Postol) = 300 usd

Prend Ndoja- 300 usd

Mëhill Gjuraj – 300 usd

Dr. Skender Murtezani – 300 usd

Florina Pupla – 300 usd

Asllan Bushati – 250 usd

Anonim – 250 usd

Viktor Popaj – 200 usd

Besim Malota – 200 usd

Vatra Ridgewood – 200 usd

Age Ivezaj – 200 usd

Shoqata Kraja – 200 usd

Aleksandër Nilaj – 200 usd

Dorand Vojka – 200 usd

AAA SKENDERBEJ INC – 200 usd

Gjergj Domgjoni – 200 usd

Flori Lloga – 200 usd

Muharrem Xhydollari – 200 usd

Tom Shkreli – 200 usd

Jasmina Hasaj – 200 usd

Pashk Maksuti – 200 usd

Hana Malota – 150 usd

Lejda Troci – 150 usd

Vehbi Bajrami – 150 usd

Dr. Dritan Demiraj – 100 usd

Dr. Paulin Marku – 100 usd

Bashkim Musabelliu – 100 usd

Tasim Ruko – 100 usd

Shaqir Gjokaj – 100 usd

Alma Jaku – 100 usd

Julida Cepele – 100 usd

Shkumbin Tetaj – 100 usd

Afrim Shabani – 100 usd

Xheladin Zeneli – 100 usd

Dritan Matraku – 100 usd

Fatos Mustafaj – 100 usd

Adem Malellari- 100 usd

Erlind Çela – 100 usd

Akri Çipa – 100 usd

Lekë Përlleshi – 100 usd

Toni Musaj – 100 usd

Iris Halili – 100 usd

Mirela Kanini – 100 usd

Ardian Ruci – 100 usd

Dhimo Jano – 100 usd

Gjon Ivezaj – 100 usd

Familja Alibegu nga Ulqini – 100 usd

Lulash Junçaj – 100 usd

Adrian Tahiri – 100 usd

Latif Sharka – 50 usd

Për të gjithë ata që duan të dhurojnë për Diellin, pagesën ta postojnë në Adresën:

VATRA

2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458

Plotësimi i Check:

(Paid to: VATRA – For: DIELLI NEWSPAPER)

Mund të dhuroni përmes aplikacionit ZELLE në numrin: +12034557167

Filed Under: Politike

IRONIA DHE SATIRA SI ARMË ARTISTIKE NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES KOMBËTARE

October 17, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

(Gjergj Fishta, “Anzat e Parnasit”, Vepra 7, botimet Fishta)

Kuleta – kryefjala e Anzave të Parnasit, shfaqet që te vjersha e parë “Nakdomonicipedia”, në krye të këngës së dytë, me fjalën e urtë: “Me t’pvetë  kush se ç’ishte jeta/Mik e fis ktu asht kuleta.” (f.18) Një tregues tjetër për përdorimin e kuletës si metonimi dhe theksimin e peshës së saj është fakti se me të ka më shumë shprehje frazeologjike se me çdo fjalë tjetër: Me ’i grusht miza në kuletë (f.9), me t’fry era në kuletë (f.16), me e pas kuletën nxehtë (f.42), m’asht shpue kuleta (f.65), t’rri kuleta gjithmon’ kodër (f.167), nuk të jetë kuleta thatë (f.170), duqe mbetë i kisht’ kuleta n’gji (f.218), kuleta e punës n’gërshanë s’do i kish ra (f.219), Knjaz Nikolla u shkund kuletet (f.304), për të mbush kuletën (f.382).

Satira është zgjedhja e poetit për të sjellë realitetin shqiptar, për të goditur anormalitetin frenues, të dhimbshëm ose qesharak. 

Pas deklarimit: “Dokrra thirren kah Shqipnia/Dija, Kanga e Historia.” (f.10), poeti i mëshon rolit të shkollës për edukimin e fëmijëve dhe nevoja për t’i dhënë përparësi gjuhës shqipe, “gjuhës së ambël t’shqiptarëve” (f.381), do të trajtohet së pari te poema “Nevoja e mësimit” dhe qasjet e kundërta fillojnë që në familje, në zgjedhjet e ndryshme që bëjnë prindërit. Për të treguar bukurinë e gjuhës shqipe, këtu janë ndërkallur vargjet e njohura: 

“Porsi i ambli fllad i verës,

Që lëmon gjitë e drandofillit,

Porsi kanga e zogut t’verës,

Që vallëzon n’blerim të prillit;

Porsi vala e bregut t’detit,

Porsi gjama e rr’fesë zhgjetare,

Porsi ushtima e një tërmeti,

Ashtu asht gjuha jonë shqiptare…” (f.81) 

Dhe sakaq mund t’i bashkëngjitim edhe vargjet binjake të Ndre Mjedës: “Përmbi za që lëshon bylbyli,/Gjuha shqipe m’shungullon;/Përmbi er’që jep zymbyli/Pa da zemrën ma ngushllon.” Roli i shkollës vazhdon e shtjellohet gjatë në këtë poemë në trajtën e një tregimi në vargje. “Kush shqiptarit do t’i japë përparim?/Vetëm shkolla, që lidhë me fe/Bijve t’njeriut u jep mësime të mbara,/Vetëm shkolla shqiptarët, po, përpara,/Kah lumnia me u ngjitë i ban.” (f.87)

Më se një herë, Fishta e shikon me shqetësim dërgimin e fëmijëve në shkolla të huaja, ose në shkollat e këtushme ku shqipja është e ndaluar, duke e parë gjuhën si pjesë ushqyese të vetëdijës kombëtare. Kjo dukuri vlen edhe për futjen e padrejtë të gjuhëve të huaja në komunikimin zyrtar: “Shkruejn “qarkoret” n’gjuhë të huej,/Si asht dëshiri i s’di se kujt,/Në fyt këtij i dredhsha lakun!” (f.381)

Edhe mes dallgëve të trazuara të satirës, ka një përndritje për atdhetarët që dhanë ndihmesën e vet të çmuar, siç është rasti i Jak Specit që çeli të parën shkollë shqipe në Serreq: “Kështu shqip ai niska fëmijët aty me i mësue,/Në këndim e n’shkrim edhe n’urti tu i ushtrue.” (f.241) Ky hap i madh vjen sepse “janë shpirti i kombit djemt’ e vajzat tona” (f.247), sepse “liri” do të thotë “shkollë, punë edhe grosh” (f.269), sepse “për besë e fe të parëve,/ Rrëkajë kanë derdhë gjakun.” (f.382).

Te poezia “Koha e arit në Shqipni” nga njëra anë lind nevoja e bashkimit të shqiptarëve: “Pa një bashkim t’vërtetë s’ka për të ague për ne agimi. (f.117) Nga ana tjetër pason sketicizmi: “Ma shpejt një thes me pleshta/Ti ban bashkë se dy shqiptarë.” (f.117) Cila është zgjidhja? Këtë e gjejmë te poema “Tatari i diplomacisë”: “A je turk? Ti shko n’xhami/…A je i kshtenë? Ti atëherë shko në kishë/…Por si t’dilni një herë jashtë/…Vien me u dashtë si vëllau me vëlla.” (f.271) Dhe më tej: “Besa, feja e historia/…e bajn’ popullin me qenë vëlla/E me u mbajtë mollë e pa nda.” (f.272)

Çështja e bashkimit të shqiptarëve diktohet edhe nga ndikimi negativ i fuqive europiane që sillet bukur te një dialog i improvizuar midis Skënderbeut dhe Djallit te  biseda “Nën hajat të Parrizit”: 

Skënderbeu: 

Kush i ngatërroi? 

Djalli: 

Diplomacia. 

S: Çka asht diplomacia? 

D: Asht vajza eme. 

S: Ke vajzë ti?! Po s’amës si i thonë? 

D: Europë… 

S: Ke qenë në Shqipni? 

D: Po, por se ka shqiptarë mbi tokë, s’e kam ndie kurrë… 

S: Si janë, pra, shqiptarët dhe Shqipnia? 

D: Si i don anmiku…. Shqiptarëve u hini zekthi i atdhedashurisë e filluen me punue kush për vedi e kush për bark të vet; edhe nisën me ngrehë për gjithë katund kah një qeveri të përtashme… Në Shqipni hiqet zi me gjetë se kush me ndigjue, pse për me urdhnue, gjen sa të duesh… Ai i moçmi ka thanë: unë zot, ti zot, po magjarin kush e kullot? (f.137-143)

Kjo bisedë është shkruar 110 vjet më parë, por duket sikur Fishta është ngritur nga varri, ose ka zbritur nga parajsa dhe e ka shkruar sot. Fuqitë e mëdha europiane kanë luajtur rolin e gjykatës së lartë për ballkanasit nacionalistë dhe peshorja e tyre e drejtësisë anohet qëllimisht shtrembër me goditje dashakeqe. Gjithsesi, siç rimerret problemi edhe te poezia “Dredha e djallit”, e keqja qëndron në faktin “pse dreqnit kem’ komshi.” (f.163) Ja si portretizohet një komshi i keq si Knjaz Nikolla: 

“M’paske qen si dushk pa gogla…

Vetullgreth e mjekërgjanë,

Dy sytë tuej si dy biruca,

Goja jote hapët sa këpuca

Hunda jote sa ‘i sama

Kjo s’t’ka lanë me hangër bar…” (f.310) 

Kjo qasje e komshinjve e bën Fishtën të shpërthejë në ekstrem: “Shqiptar kush s’asht me gjak/ Sot të dalin prej Shqipnije!” (f.388) “Se shqiptari n’dhe të vet,/Do t’jetë ai vetë zot e mbret!” (f.410) Por e keqja qëndron edhe brenda nesh “e kjo namë, ose kjo rrufe,/Ka me ngjatë, them, ndër ne,/Der’sa mendjen na ta rrisim/E me dije mos ta shndrisim.” (f.165)

Larpamësisht, te poema herojkomik “Palokë Luca” poeti mban qëndrim ndaj sistemit të drejtësisë, “se me iu shmangë drejtësis’ e ligjës, një shtet/nuk përparon…” (f.213)

Me një ironi të hollë që ta rrëmben buzëqeshjen përmbyllet poezia “Jaho Begu e Palokë Cuca”, ku paralajmërohet se Shkodra nuk mund ta pranojë brenda Aladro Kastriotin dhe mund të presë në Vrakë deri sa të arrihet liria.

Nuk është për t’u çuditur që në skenën e problematikave të shumta, Fishta ka krijuar edhe një hapësirë për librin me tingëllim aktual, edhe pse është shkruar që në vitin 1911. Është biseda e autorit të një libri me pronarin e shtypshkronjës te poezia “Kontrata”: 

Autori: 

Sa javë, thue, munden me shkue

Pa u shitë libri, që unë kam shkrue? 

Shtypshkronjësi: 

Eh! Sa javë? Ti thuej: sa vjet?

E, madje, nuk di a shet!”

Filed Under: LETERSI

KANUNI I LEKË DUKAGJINIT NUK ËSHTË KANUNI I TURPIT

October 17, 2024 by s p

Gezim Zilja/

Të studiosh Kanunin do të thotë të studiosh historinë e popullit shqiptar qysh nga zanafilla në periudhën e fiseve deri në ditët tona me të mirat dhe të metat. Kanuni ka qenë boshti, “kushtetuta” e parë shqiptare që me ligjet e veta bëri që populli shqiptar të mos asmilohet, të ruajë identitetin, gjuhën, tokën dhe fisin si njësi fillestare administrative.

Ndoshta nuk do të isha marrë fare me këtë “polemikë” që nuk ia vlen barra qiranë, sepse e di mirë se ç’ka qenë Kanuni për Shqiptarët, nëse diku nuk do të kisha gjetur në faqet e internetit një farë Kadri Sherifi, që shkruante se Kanuni i Lekë Dukagjinit është Kanuni i Turpit për shqiptarët dhe më tej vazhdon:  “…Nga një sondazh ku shtrohet pyetja se a e bartin me vete kosovarët mentalitetin e gjakmarrjes në vendet ku imigrojnë, del se ata që u identifikuan me kanunin dhe e lavdëruan, e bënë e këtë gjë sepse nuk e kishin lexuar. Asnjë nga ata që e lexuan nuk u identifikua më me të. Në të kundërtën, të gjithë e ndien veten të TURPËRUAR”. Pra, nga kjo ide e turpit e kemi zgjedhur këtë titull, Kanuni i turpit.”.Libri është fare i shkurtër dhe ka tre intervista. Në tërësinë e vet intervistat mbështeten kryesisht në nenet mbi trajtimin e gruas dhe gjakmarrjen, si ligje barbare që e turpërojnë shqiptarin. Për rëndësinë, që ka studimi i historisë në përgjithësi po jap një thënie të  CICERONIT Marco Tullio ( 106-43 p.k) Orator, prozator, politikan, filozof romak: Nescire qui quam sis acciderit, id est semper esse puerum. ( Të mos njohësh ato që kanë ndodhur para se të lindje ti, është si të mbetesh gjithë jetën kalama)

Lidhur me titullin që i ka dhënë zoti Sherifi si “Kanun i turpit,” i kujtojmë se në parathënien e Kanunit të Lekë Dukagjinit të kodifikuar në vitin 1933, nga At shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta shkruante: “Jo vetëm kundërshtarët e komit, por edhe shumë do pedanta vendas e muhaxhirë të shtetit shqyptar, Kanunin e mbajnë ligjë barbarë e popullsinë ku kanuni pat vlerë juridike për njerëz të egjër…… Ligjet e Kanunit të Lekë Dukagjinit përkojnë me ato të Romës, Bizantit, të Kanunit doksuer të teutonëve, të sllavëve, hindianëve, që nuk hyjnë në rrethin e ligjeve barbare. Përfundimi është i qartë: Nuk ka sesi ndryshe nga gjithë popujt e botës vetëm Kanuni ynë të jetë ligj barbar”.

KANUNI I TURPIT: A identifikoheni me nenet 19, 20...?: Analizë kritike e Kanunit të Lekë Dukagjinit (1933) (French Edition)

Në Kanunin shqiptar gruaja blihej, nuk kishte asnjë të drejtë trashëgimie, madje  bashkë me pajën i jepej një fishek, me të cilin burri e vriste në rast tradhëtije dhe sjellje të keqe ndaj mikut. Mirpo në ligjet e gjermanëve të vjetër ndëshkimi ishte më i tmershëm për të njëjtin faj. Gruaja digjej mbi pleh e gjallë ose lidhej nga këmbët në bishtat e dy kuajve që e ndanin më dysh.  Për faje të tjera në Kanunin e gjermanëve të vjetër përdorej tortura për njerëzit, gjë që në Kanunin shqiptar, pra tortura nuk ekziston. 

 Por ka edhe më te libri i Kadriut. Për fjalën Besa thuhet se ka kuptimin “Tërbim” ose “I tërbuar,” Në një shtëpi kosovari në Kanada që mbante Kanunin, Marie Nika, psikologe e diplomuar, me doktoraturë në antropologji, kur i tha të lexonte nenin 19 (28 në Botimin e tretë) për trajtimin e gruas, kosovari pasi e lexoi e mori librin e Kanunit dhe e hodhi në plehra, me neveri, duke theksuar se ky është një sharlatanizëm i neveritshëm dhe nuk ka vend në shtëpinë time. Po aty theksohet se Kanuni i Lekë Dukagjinit është i huazuar apo i ngjashëm me Kanunin afgan të fiseve Pashtun, që zbatohet edhe sot etj, etj. Kush është i interesuar mund ta ndjekë intervistën në Internet duke kërkuar: Kadri Sherifi. Kanuni i turpit. 

Së pari, dua të them se Kanuni shqiptar është unik dhe nuk është i kopjuar nga Kanune të tjerë. Ai nuk gjykohet dot me mendjet e sotme sepse ka të bëjë me zanafillën e njerëzimit (3000-3500 vjet më parë) kur njerëzit jetonin të organizuar në fise. Së dyti, në Kosovë dhe në Shqipëri njerëzit gjykohen në bazë të Kodeve civilë e penalë e jo me Kanun. Ende ruhen nga persona të veçantë disa zakone dhe ka raste kur keqtrajtojet gruaja, ndodh gjakmarja ose ngujimi i fëmijëve në rast vrasjeje. Po këto dukuri janë të rralla dhe zbatuesit e Kanunit dënohen me ligj. Por a është Kanuni si mëton Kadri Sherifi, me të intervistuarit për t’u zhdukur, hedhur në plehra se është i neveritshëm, se është turp ta mbash në shtëpi, është turpi i shqiptarëve etj etj? Në hulumtimet e albanologëve vendas dhe të huaj` Kanuni i Maleve por edhe ai i Labërisë, vlerësohen për lashtësinë dhe vlerat e tyre të padiskutueshme, dhe sidomos për ruajtjen e identitetit të shqiptarëve. Në themel të tij Kanuni ka pasur tri fjalë: Besë, Tokë, Gjuhë. Më vonë me ndryshimet shoqërore të kushteve ekonomike, politike dhe lindjen e fesë thelbi i kanunit kaloi në fjalët: Besë, Fe, Atdhe. Në shumë krahina ku turku nuk mundi të hy është qeverisur sipas kanuneve përkatës Mbas shpallje së pavarësisë Kanuni mori karakteristikat e zakonit, traditës, duke u zëvendësuar gradualisht me ligjet e qeverive shqiptare    

Po citoj pa koment një pjesë të parathënies së Kanunit të Lekë Dukagjinit, botimi III, 2022, nga një mendjendritur, At Bernardin Palaj (1849-1946) vdekur në burgjet e komunizmit. Më 5 nëntor 2016, në sheshin pranë Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër, ai u pranua si shenjtor nga Vatikani. 

“… E po kje  se qysh në kohën e Iliro-Trakvet e deri në ditët tona kjo rraca janë shqiptare qindroi e pashueme në këtë breg të Adriatikut, do t’u njihet njatyne fiseve që qysh në Hot deri në Sul të Janinës, që prej Dibre e në Labëri ngujue ndër bjeshkët ma të thepisuna, vendet e tyre i bënë qytetza të pamërrijëshme prej anmikut; kështu gjakun ujë s’e banë, gjuhën e doket e trashigueme kurrë s’e harruen brez pas brezi tue e mbajtë të gjallë ne të kerthnesët, trashgimin ma të çmueshmin që tata ia la djalit, për djalë aty te shtrati i dekës: Besë e fe e gjuhë kurrë mos me i lëshue…. Mjafton me i lëshue një sy folklorës popullore të Shqipnisë për me njoftë personalitetin e kombit tonë e botëkuptimin e tij sipas Kanunit. Kush nuk i njef këto visare ai nuk e kupton as nuk e çmon shqiptarin pse nuk e njeh: aq më pak ka me dijtë me e eduku në kjoftë edukator si shqiptar, tue ia ruejtë personalitetin e dalluar si kombë ndër kombet e tjera Ariane të kontinentit të vjetër të Europës. “

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 699
  • 700
  • 701
  • 702
  • 703
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT